Shpërthimi i një sasie lëndë eksplozivi ka dëmtuar HEC-in në fshatin Gallatë e cila shërben në përçuarjen e energjisë elektrike nga HEC-i i Vinjollit në malesinë e Kurbinit. Ngjarja ka ndodhur në orën 20.40 të mbrëmjes së të mërkurës ku lënda shpërthyese është vendosur në murin e ndërtesës dhe për pasojë janë dëmtuar paijset e këtij HEC-i duke ndërprerë dhe energjinë elektrike e cila furnizon nënstacionin e Laçit. Agron Lala punonjësi i këtij HEC-i ka njoftuar policinë e Kurbinit e cila ka shkuar në vendngjarje ku kanë konstatuar rastin dhe nga ky shpërthim kriminal dhe menjëherë ka nisur hetimet duke shoqëruar tre persona nga fshati Vinjoll si të dyshuar të ngjarjes, ndërsa në ditën e sotme njësia antiterror nga Tirana dhe grupi hetimor i Kurbinit kanë vijuar procedurat për të hetuar ngjarjen ndërsa është gjetur një fitil dinamiti si provë materiale ndërsa nga shpërthimi është dëmtuar perimetri i godinës me përmasat 1.30 m dhe 1.20 dhe dëmi i paisjeve të HEC-it është i pallogaritshëm, ndërsa policia arreston një të dyshuar nga fshati fqinj me shkakun e pronësisë. Agron Lala punonjësi i HEC-it ka folur për ngjarjen duke e komentuar si akt terrorist ndaj një njeriu i cili ka ndihmuar jo vetëm banorët e zonës por dhe investimin e madh të tij duke ngritur HEC-in për furnizimin e popullatës të zonë së malësisë dhe gjetkë, jo vetëm kaq por Filip Lala njeriu investitor si në infrastrukturë rrugore madje dhe tek familjet e varfëra të zonës, duhet përgëzuar për kontributin e tij në invetsimet në këtë zonë (Ahmet Zani)
Archives for March 2016
FLETA QË S’SHKRUHET
(Një paralele e pamundur)/
Rexhep KASUMAJ, Berlin, mars 2016/
Ishte një mëngjes i bukur. Ai do jetë zgjuar i këndellur e me gëzim. Udha që çonte në Zyrën e Kancelarit shkurtohej shpejtësisht dhe personeli i tij do të ketë filluar, tashmë, ta imagjinonte redizajnimin e saj.
Por papritur, shtabi, këshilltarët, krerët e partisë, miqët e ngushtë, ai vetë kishin shtangur. Rivalët e tij dinakë do të publikonin një pandehmë të ashpër morale. Të ruajtur kujdesshëm për orën e ligë kur karroja elektorale të marrë teposhtëzen, ata e shpallnin atë si flamur të rreckosur fitoreje: sfiduesi i tyre i pandalshëm paskësh qenë në dijeni të një vrasjeje të hershme dhe kishte heshtur.
Ishte ky Björn Engholm, intelektual i hollë e plot sharm, që rridhte nga elementi nordik gjerman. E kishin nominuar për Kancelar Socialdemokratët e margjinalizuar, përballë Kohlit demokristjan që pretendonte mandatin e katërt dhe të fundit të tij.
A kje taktika bizare e kundërshtarit, pat gënjyer vërtetë apo, thjeshtë, fati i lig politik që e shtyri atë drejt rrëzimit – nuk do thoshja specifikisht asnjëherë. Me gjasë kanë qenë tri shkaqet bashkë: e ai, me ndjesi e kulturë qytetarie, dorëhiqej burrërisht nga rendja brilante për ta dërguar Helmutin e hargjuar e provincial në shtëpi.
Përse nuk zanafillohet kurrësesi ky stil i lartë i ndarjes me politikën ndër shqiptarë?
Premieri i hallakatur i Kosovës, s’ka heshtur një vrasje, por madje, ndryshe nga Björni, ka tumirë qindra të tilla dhe ka mallkuar – jo dorasin serb, por viktimën e pafaj shqiptare fundvitesh të stuhishme 80-të, kur do të bëhej pjesë e kabinetit mëkëmbës të Slobodanit.
Pastaj gënjeu se nuk kishte fyer, ndërkohë që tabulati telefonik i pasdëgjuar dëshmon faktueshëm të kundërtën. E, mbanë tjetër të Dhéut të Europës, veç imazhit të dobët, squllosjes vetore a karizmës impresive të Angelës, kësaj “Zonje të Europës”, ishte pikërisht dhe një gënjeshtër që do ta hidhte një figurë kohëgjatë politike me emrin Peter Strinbrück jashtë betejës zgjedhore për ta alternuar atë. Doli të kje një fakt i provuar më pas – por nismërisht i mohuar prej tij, se kishte konflikt interesi e përfitonte të hyra prrallore nga punë e agjenci të tjera…Tani u bënë 4 vjet qyshkur ai gëzon prehjen e ditëve të vona pensionare.
Dhe, ç’është poaq zi, Premieri fillhumbur – ka kërcënuar shtypin e lirë. Një përvojë e ngjashme, prapë nga landet sipër Vjenës, rivjen kujtese e akuzon. Anipse në një formë tepër më të kadifenjtë dhe elegante, bashkëpunëtorë të afërt t’një Presidenti kishin kërkuar mosbotimin e një lajmi. Redaksia nuk u spraps. Do të editonte mandej informatën se ai kishte huajtur para, por tok me vërejtjen ndjekëse mbi kanosjen ndërhyrëse të oborrit të Bellevú – së. Përse të mos financonte ndërtimin e shtëpisë nga Banka, pyeste opinioni i zhgënjyer. Dyshohej, ndaj, se në këmbim të huadhënjes ai do ti ketë bërë ose premtuar favore të jashtëligjshme mikut të tij të pasur. Dhe Christjan Wulff do të shtrëngohej edhe për kërcënim të stafit të gazetës “Welt kompakt”, të braktiste turpërisht Rezidencën presidenciale të Gjermanisë e të paraqitej në gjykatë.
“Pothuajse të gjithë Presidentët amerikanë kishin sensin për të bërë histori”, shkruan Jon F. Kennedy në librin “Kurajë civile”. Porse historia shkruhet jo gjithnjë kur arrin të ngjitesh, veçse poashtu kur di ngadalë të zbresësh. Dhe kur rrokullisja nuk rrëmben më vete si ortek bore jetë të vogla brezash…
Por, si shihet përfundimisht, për Premierin Mustafa dhe manjatët e tjerë të Fuqisë politike që e rrethojnë, kjo lloj flete historie është e mbyllur: matanë rezonit shtetëror, edukatës kombëtare dhe kulturës lamtumirëse..!
NUMAN LEPENICA,KUDO, KU SHËRBEU NDRYSHOI PËR MIRË JETËN E BANORËVE TË ASAJ KOMUNE
*Ishte i dyti pas major Ahmet Lepenicës që i dha emër të mirë vendlindjes në hapsirën shqiptare, duke mbajtur si mbiemër emrin e fshatit Lepenicës./
*I shërbeu vendit të tij për 32 vjet, nga 1912 deri më 31 dhjetor 1944, si luftëtar trim më 1920, kryetar komune dhe nënprefekt dhe ashtu si miku i tij Ali Asllani vdiq në mjerim, pa pension, me gruan dhe vajzën të dëbuar nga arsimi, vjaza tjetër e helmuar dhe vajza e tretë e burgosur./
Nga Enver MEMISHAJ/
Për historinë e administratës shqiptarë që ka luajtur rolin kryesor në zhvillimin e vendit, në çdo kohë, pothuajse nuk shkruhet, ndërkohë që në çdo hap të jetës sonë ndeshim veprën e tyre, pa na vajtur mëndja të mendojmë për krijuesit e tyre.
Një prej këtyre personaliteteve që duhet kujtuar e nderuar është edhe Numan Hoxhaj, që në historin e administratës shqiptare do të hynte me emrin Numan, ose Luman Lepenica. Ai lindi më 3 mars të vitit 1892, në Lepenicë të Vlorës, dhe vdiq në Vlorë në muajin mars të vitit 1953. Ai mbahet mënt edhe sot e kësaj dite si një burrë elegant, i pamshëm, me mustaqet kacorr, jetonte e mbahej si parizian, por mbi të gjitha ishte një atdhetar i plagosur në luftën e Vlorës më 1920, një nëpunës i lartë i shtetit, kryetar komune dhe nënprefekt, që la gjurmë në të gjith hapsirën shqipëtare ku shërbeu me dije e përkushtim. * * *
Ishte një djalë shumë inteligjent dhe ëndërronte që pas arsimit qytetas turqisht në Vlorë të kryente shkollë në Stamboll. Dhe rasti i erdhi. Tafili kushëriri parë i tij që drejtonte familjen e dërgoi në Vlorë me një kafshë për të shitur leshin e bagëtive. Ai e shiti leshin bashkë me kafshën dhe me atolekë, pa marrë leje nga familja, i hipi vaporrit e shkoi në Stamboll. Atje takoi Ahmet Lepenicën, kushririn e tij, oficer i Perandorisë që kishte marrë famë në fushën ushtarake. Ahmeti e futi në një shkollë ushtarake ku studjojë për dy vjet.Tafili nuk donte ta kishte larg syrit, djalin, kështu e quante ai kushririn e tij, prandaj i kërkoi Ahmetit të ia kthente. Ahmeti pranoi me një kusht që Numani ta vazhdonte shkollën në Shqipëri.
Pas kthimit Numani ndoqi normalen e Elbasanit. Në përfundim të shkollës ai ishte përgatitur për të shërbyer në administratën e shtetit shqiptar, pasi zotronte edhe dy gjuhë të huaja: turqisht dhe italisht. Babai tij, Mahmuti, kishte kryer shkollë në Kaninë dhe kish dalë hoxhë. Si hoxhë ai punoi në Kaninë, Kropisht dhe Lepenicë. Për këtë arsye djemtë e tij: Isaku, Numani, Refati dhe Xhelali morën mbiemrin Hoxhaj, që u bë mbiemri dytë i fisit, pas atij Memishahaj.
Numan Hoxhaj, që më vonë do të quhej Numan Lepenica, mori pjesë aktive në lëvizjet antiturke për liri e pavarësi. Gjatë viteve 1911-1912, ishte në lëvizje të përhershme në fshatrat e Vlorës për thirrje e propagandë kundër Turqisë.
Përpjekjet e shqiptarëve shpunë në shpalljen e Pavrësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912. Në realizimin e kësaj ëndërre kishte dhënë ndihmesën e tij modesta edhe djaloshi Numa Hoxhaj, prandaj kishte të drejtë të krenohej. Në qeverinë e Ismail Qemalit, Numani qëndroi nën komandën e kapiten Ahmet Lepenicës në mbrojtje të shtetit të ri dhe lirisë. Më pas shërbeu si sekretar i Gjykatës në Mallakastër. Në qeverinë e Princ Vidit, më 8 mars 1914, ka shërbyer në policinë e Beratit, duke qënë se kishte edhe arsim ushtarak.
Gjatë viteve 1915 – 1917 ka shërbyer në shkollën e gjindarmërisë në Vlorë, si instruktor.
Më 1919-1920 ka qënë inspektor dhe drejtor i vergjisë, tatimeve në Vlorë.
(AQSH F. 803, V.1921-1939, D. I- 97, f. 47; AQSH F. 152/10, V. 1927, D. 1323, f. 1)
Si e gjithë familja, Numan Hoxhaj, ishte nga të parët që mori pushkën në Luftën heroike të Vlorës më 1920. Në përbërje të çetës së fshatit, ai luftoi me trimëri në Llogora ku edhe u plagos, por nuk u tërhoq nga lufta.
Në përfundim të luftës, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, për luftëtarët që kishin treguar trimqri dhe ishin plagosur u dha nga një shtëpi, si shpërblim e nderim, nga ato që kishte lënë ushtria italiane. Edhe Numan Hoxhës iu dhurua nga prefektura një shtëpi druri, që në atë kohë i quanin baranga të italianëve, në vendin e quajtur Sheshi i Pashait, sot lagjia “Lirim”, në hyrje të qytetit të Vlorës, në rrugën që më pas u quajt rruga „Zigur Lelo“, por nuk u dhanë tapitë.
Në këtë shesh u grumbulluan 12 familje të ardhura nga Tepelena e Kurveleshi të djegur nga grekët, në vitin 1914.
Më 29 prill 1922, Numan Hoxha dhe 11 familje të tjera i bëjnë një lutje prefekturës që t`ua njohë si pronë truallin në të cilin banojnë së bashku me ullinjtë pronë shtetërore. Më 26 maj 1922, prefekti Bajram Fevzi i përcolli Ministrisë kërkesën e 12 qytetarëve. Me vendim qeverie nr. 513 datë 12.6.1922, kërkesa u miratua dhe detyrimi për truallin dhe ullinjtë do të shlyhej brenda 30 vjetëve.
Vendosja në qytet e Numan Hoxhës do të kishte një ndikim të madh për të gjith fisin e tij Memishahaj ose Hoxhaj, pasi ai njeri dhe ajo shtëpi do të bëhej baza e qytetërimit, ndihmës dhe arsmimimit të djemëve dhe vajzave të fisit.
Në këtë shtëpi prej dërrase me një sipërfaqe prej 198 m² me tre dhoma, jetoi familjarisht Numa Lepenica me nënën, bashkëshorten dhe tre vajzat. Në vitin 1966, Afërdita, e bija e Numanit ia shiti Vasillio Vitos nga Dukati.
Një shtëpi tjetër me tre të ndara prej 300 m² dhe 553 m² bahçe, ju shit në vitin 1966, Sabaudin Kapllanit nga Kanina. (AQSH F. 249, V. 1922, D. III-314, f. 11, 12, 13)
Pas fitores së Luftës së Vlorës ai u emërua protokollist në Prefekturën e Vlorës.
Në prill të vitit 1921, Numan Lepenica në pëbërje të parisë së Vlorës mbështet dhe është një nga organizatorët e Kongresit të Federatës Panshqiptare “Atdheu” dhe pas tij do të vinë në këtë lëvizje vëllezërit dhe njerëzit e tij të afërm: Refati, Xhelali, kushriri tij Fejzo Lepenica etj.
Nën ndikimin e major Ahmet Lepenicës, si shumica e vlonjatëve Numani mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924.
Me rënien e qeverisë së Nolit dhe ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut më 24 dhjetor 1924, ai u arratis në Itali, por në saje të miqve ai mori vesh se nuk ishte në listën e të dënuarve nga qeveria dhe prandaj në fund të janarit 1925 ai u kthye në Vlorë dhe u emërua nëpunës i shërbimit civil në Prefekturës së Vlorës. (“Gazeta Zyrtare”, nr. 2, dt. 26.1.1925)
Aftësitë profesionale, ndërshëria dhe përkushtimi në ushtrimin e detyrës si dhe miqtë të shumtë ndikuan që më 10 gusht të vitit 1925, ai të trasferohet protokollist në Ministrinë e Brëndshme, në vend të tij si nëpunës civil u emërua Ismail Adem bej Risilia. (”Ushtima e Vlorës”, Viti I, nr. 1, dt. 10 . 8. 1925)
Në detyrën e protokollistit së Ministris së Brëndshme ai gjendet me mbiemrin Numan Lepenica. Pas major Ahmet Lepenicës ai është i dyti nga vendlindja e tij që merr për mbiemër emrin e fshatit dhe e bën të njohur Lepenicën në territorin shqiptar. Këtë detyrë ai e ushtroi deri në fund të vitit 1928, duke u treguar si gjithnjë nëpunës i detyrës, me aftësi të larta profesionale dhe ndershmëri dhe për këto merita në vitin 1929 e emëruan kryetar të komunës së Nartës së Vlorës me sekretar komune Miti Puka, nga Lushnja.(“Fletore Zyrtare”, nr. 23, dt. 22. 4.1929)
Në saje të vlerësimit të punës tij në vitin 1930 ai trasferohet dhe emrohet kryetar komune në Këlcyrë. Për shërbimet e tij në këtë komunë marrim informacion nëpërmjet dy artikujve të gazetave të kohës:
Artikulli i parë: “Autoritetet në maninë e tyre për të shtërmbruar origjinën e emërtimeve të huaja të qytetit Klisurë e kanë pagëzuar zyrtarisht: Këlcyrë. Nuk jemi të këtij mendimi, se me të vërtetë në qoftë se kemi dëshirë që fshatrave të Mbretërisë Shqiptare, atyre që kanë emërtime të huaja, tu japim pagëzim shqiptar këtë duhet ta bëjmë në tjatër mënyrë me anën e një komisioni të emëruar dhe jo duke shëmtuar emërat si Këlcyrë, Gjirokastër, Poradec etj.
Komuna e Këlcyrës përmbledh në administratën e vet 21 fshatra me 7000 banorë. Ka një të ardhur 800-1000 napolona në vit. Banorët pothuajse të gjithë jetojnë mirë. Si kryetar i kësaj komune është Numan Lepenica, një njeri që ka kuptuar fare mirë se si duhet organizuar një komunë dhe i cili për zotësinë që ka treguar flitet se do të trasferohet për në Korçë.
Pas shpegimeve që më dha z. Numan Lepenica kuptohet se në qarkun e Këlcyrës si në tërë Shqipërinë ndodhen fshtra të largëta njëra nga tjetra me nga pesë, dhjetë ose pesëmbëdhjetë shtëpi. Natyrisht për një fshat të tillë Qeveria nuk mund të bëjë as rrugë as shkollë.
Por me qënse të tilla fshatra janë të shumta tani po bisedohet grumbullimi i tyre në katunde më të mëdha. Kësisoj të grumbulluar, banorët e një krahine do të mundin shpejt të përfitojnë nga përparësitë e qytetërimit sepse së bashku me dritën e shkollës do të përfitojnë edhe nga një situatë më e mirë ekonomike.
Fakti që do të çuditë këndonjësit është se qyteti i Këlcyrës është një oborr i madh beqarësh… ku nuk ndodhen përveç se dy zonja: e kryetarit të komunës dhe ajo e farmacistit. Është koha për ata që kanë çupa shumë, të venë të gjejnë dhëndurë në Këlcyrë”. (Korespodenti në gazetën “Shqipëria e re”, Konstancë, nr. 438, dt. 23. 9. 1930)
Në ushtrimin e detyrës si kryetar komune, Numan Lepenica, është kujdesur dhe ia ka arritur që të ndryshojë jetën e komunitetit për mirë, kështu p.sh. ai është i ndieshëm dhe i kujdesëshëm që jo vetëm të sjellë kuadro në komunën që drejton por edhe të shqetësohet për pagën dhe kushtet e jetesës së tyre. Me këtë arsyetim ai diskuton për ardhjen e një mjeku në Këlcyrë: “Për këtë, kryetari i saj Naum Lepenica, përgjigjej se ishte dakord, veçse e shqetësonte problemi i rrogës dhe nuk dinte nëse doktori Koço Dede, pranonte të qëndronte në atë qendër me pagën 160 franga ari në muaj.
Për rregullimin e kësaj çështjeje sipas ligjeve, Lepenica e shihte të udhës të bëheshin hapat e duhura nga autoritetet më të larta prej nga varej dhe ajo komunë, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, që në ujdi me Drejtoirinë e Përgjithshme të Shëndetësisë të rregullohej çështja e doktorit në fjalë, simbas nevojës dhe interesit të përgjithshëm të popullsisë së rajonit të asaj katundarie si dhe në interesin e arkës së zyrës së komunës”. (AQSH F. 294 V. 1930 D. 360 f. 107. )
Artikulli i dytë për komunën e Këlcyrës është i vitit 1932: “Para disa javësh Kryetari i Katundarisë së këtushme z. Numan Lepenica i shoqëruar prej kondoktorit të Këlcyrës z. Feim Mukës matën e shënuan pjesën e rrugës komunale Këlcyrë – Mbrezhdan – Malishovë e deri te Dërrasa e Dishnicës, komuna e Sheperit.
Sipas fjalimeve që patëm me zotrinjtë e tyre rruga brenda një viti do të jetë e mbaruar. Në bëmjen e rrugës do të marrë pjesë çdo mashkull pa privilegj moshe e nëpunësie. Po të detyruar që sejcili të bëjë metrat që i cakton ligji i katundarisë. Bëmja e kësaj rruge do të jetë fatlumturi për krahinën e Zagorisë. Kjo rrugë do të shpëtojë nga fatkeqësia 14 katunde të kësaj lugine që sidomos në stinën e dimrit nga bora e shumtë që bie e rrethon malet përqark, mbetet e izolueme.
Do të jetë një lumturi shumë e madhe, për ato familje, burrat e të cilave jetojnë në kurbet. Nga mungesa e kafshës që s`ka e shkreta grua është e detyruar që mallrat e bler në Gjirokastër e Tepelenë t`i ngarkojë në shpinë. Nga një herë edhe të shkretin misër. Gratë e katundeve në fjalë duhet t`u dalë frika se me bamjen e kësaj rruge i japin fund frikës nga të gremisurat e kafshëve si: Qafë Dhëmbel, Gjurma e Mushkës, Shtegu i Pelës, Hija e Mallëkuar, Dërrasa e Çajupit, etj. Nevojat që do të ketë çdo katund shpresojme se me këtë rrugë do t`i kompletojë me anën e mjeteve moderne ose kafshën që ka, që do të shkojë pa frikë e trëmbje mbi këtë rrugë.
Sa për zagoritet ashtu dhe për shtetin, mejtoj se do të ish interes i përbashkët në se rruga shtetërore e projektuar: Gjirokastër – Poliçan – Përmet të bëhej: Gjirokastër – Erind – Çajup – Topojë – Malishovë – Këlcyrë. Për shtetin them se është më e shkurtër dhe kushton më pak…
Lutim dhe kryetarin e pa lodhur të komunës që deri sa të realizohet qëllimi i nalt-thënë të ketë mirësinë e të përmirësojë akoma nga ç`është përmirësuar rruga: Ura e Muço Hysos-Shtegu i Pelës – Limar – Leskaj – Ara e Laze – Malishovë.
Shpresojmë se për ta shpëtuar nga fatkeqësia krahinën e Zagorisë për bëmjen e rrugës presim vullnetin dhe energjinë e dy kryetarëve: të Këlcyrës e të Sheperit të cilët me këto përpjekje fitojnë tërë simpathinë e popullit”. (Guri i gjatë në gazetën “Ora”, Tiranë, nr. 592, dt. 2.7.1932, f. 3)
Në tetor të vitit 1933, Numan Lepenica trasferohet nënprefekt në Delvinë, detyrë nga më të vështirat e kohës, pasi dihet se Greqia zhvillonte pa pushim aktivitet armiqësor kundër vendit tonë dhe në këto krahina duheshin atdhetarë të pa përkulur, inteligjent dhe të përkushtuar ndaj detyrës, cilësi që Numan Lepenica i kishte, treguar gjatë gjith jetës së tij.
Në tetor të vitit 1934 Numan Lepenica trasferohet kryetar komune në Kushovë të Gramshit edhe kjo një komunë e vështirë dhe afër kufirit (Gazeta „Albania“, SHBA, dt. 9.10.1934)
Në vitin 1935, ai tasferohet dhe emrohet kryetar i komunës së Nikaj Mërturit. Aktivitetin në këtë komunë e pasqyron ai vetë në një artikull botuar në gazetën “Drita”:
“Nartë, 27.7.1937
Fort i nderçmi Zoti Drejtor!
Në numurin 196 datë 22 korrik 1937, faqe 3 në shtyllën e katërt të së nderçmes fletore së Zotrisë tuaj ”Drita”, më ra në sy artikulli: Arsimi në Nikaj e Mërtur.
Jo për gjë tjetër, por për një të vërtetë ju lutem të botoni në atë faqe e në atë shtyllë çka kam nderin t`ju shkruaj më poshtë:
Pater Silvestër Hilaj, duke folur mbi arsimin e krahinës të malsisë së Kosovës, Nikaj e Mërtur ka thënë se janë çelë katër shkolla: Lekbibaj, Salie, Shëngjergj e Curraj i Epërm dhe ndërtimin e godinave të këtyre katër shkollave ia atribuon inisiativës së pa lodhëshme të kolegut tim z. Hito Zaçe.
Këtu Padre harron, a nuk di në do që të harrojë e nuk thotë të vërtetën sepse në shkollën e Lekbibaj dhe në atë të Salies janë mbaruar ndërtimet dhe emërimet e mësuesve respektivë për këto shkolla brenda periudhës që i nënshkruari ka qënë si kryetar komune në Nikaj Mërtur dhe këtë gjë besoj që ta vërtetojë edhe Padre vetë pse me mësuesin e Lekbibajt ka bashkëjetuar në qelë të kishës në fund të vitit 1935 deri sa u bënë pushimet dimrore.
Gjithashtu edhe mësuesi i shkollës së katundit Salie ka qënë emëruar ose në dhjetorin e 1935 ose në kallnuerin e 1936. Këto konfirmohen prej akteve që gjenden në arkivën e P.T. Ministrisë së Arsimit. Mandej z. Hito Zaçeja në e mban mënt mirë Padre ka filluar në detyrë në qershorin e 1936, në vendin tim në Nikaj Mërtur. Besoj se u shpeguam. Kjo nuk është një e drejtë që kërkohet por një e drejtë që duhet të dalë në shesh.
Me nderime Kryetar i Komunës Nartë Numan Lepenica” (Gazeta ”Drita”, Tiranë, nr. 202, dt. 29.7.1937, f. 3)
Në qershor të vitit 1936 Numani largohet nga Nikaj Mërtur dhe emrohet kryetar komune në Pulaj dhe më 10 mars 1937 z. Sulejman Tepelena kryetari i komunës së Nartës trasferohet në Pulaj dhe z. Numan Lepenica kryetari i komunës Pulaj trasferohet në Nartë.(Gazeta “Drita”, Tiranë, dt. 21. 3. 1937, f. 3)
Më 13 dhjetor 1938, trasferohet kryetar komune në Tomorricë. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste ai u lidh me elementët që mendonin e punonin kundër pushtimit. Është kjo arsyeja që autoritetet fashiste e pushuna nga punë më 10 tetor 1939, si antiitalian dhe ai detyrohet të kthehet në Vlorë. (AQSH F. 152/2 V. 1943, D. 754, f . 3, 4)
Vihen re lëvizjet e shpeshta të Numan Lepenicës në komuna të ndryshme. Kjo vjen nga problemet e shumta që dilnin në ato komuna dhe duhej të gjendej një njeri që dinte t`i vinte në udhën e zgjidhjes dhe sapo Numan Lepenica zgjidhte problemet e komunës ku e kishin trasferuar ate e transferonin në komunën tjetër ku kishin lindur probleme.
Këto lëvizje flasin për atdhetarinë, kulturën, iteligjencën dhe përkushtimin që ky burrë kishte ndaj detyrës dhe vendit të tij.
* * *
Numan Lepenica, u shpreh që në ditët e para kundër pushtimit italian dhe bashkëpunues me patriotët që mendonin t`i dilnin zot atdheut. Ai kishte në trup plumbat e pushtuesit italian nga beteja e Llogorasë në qershor të vitit 1920. Ishte kjo arsyeja që ai u pushua nga puna më 10 tetor 1939, si antiitalian.
I tërë fisi tij, në Vlorë dhe Lepenicë nën drejtimin e vëllait të tij Xhelal Hoxhës, u kthye në një nga bazat e njohura të Lëvizjes Antifashiste, duke i dhënë luftës për liri, gjithëçka që i duhej në atë kohë: luftë me armë, propogandë, organizimin dhe pasurinë. Vini re këtë fjalën e fundit: pasurinë, se pa këtë pasuri ajo luftë nuk bëhej, prandaj këto familje dhe këta bura duhen vlerësuar e nderuar.(Shih: AQSH, “Historiku i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për Qarkun e Vlorës”, Vëll. I, f. 125; Shamet Gjika “Ditari i kohëve me gjëmime…”, Tiranë 2005, f.73)
Italianwt dhe gjermanwt i propozuan t`i japin detyra tw larta por ai nuk pranoi. (Arkivi MPB, Dosja operative 5706)
Vajza e tij Afërdita ishte gjithashtu në vijën e parë të luftës klandestine kundër pushtuesit, me të rejat e qytetit. Ajo u shkojë për studime në Itali, por edhe atje ajo vazhdoi të propagandonte dhe luftonte kundër fashizmit, për këtë aktivitet ajo burgoset dhe internohet në krahina të largëta të Italisë dhe u lirua nga internimi vetmë me hyrjen e Anglo-amerikanëve në Itali në vitin 1944.
Numan Lepenica, gjatë gjith periudhës së luftës 1939 – 1944, u tregua aktiv në nxitjen e luftës kundër fashizmit, në shmangjen e vëllavrasjes dhe si njeri paqësor në administrimin e qytetit duke qënë gjatë gjith kohës, këshilltar në Bashki apo Prefekturë.
Në fund të vitit 1943, kur gjermanët pushtuan Vlorën, kërkuan nga paria e Vlorës që të vendosnin një kryetar Bashkie, në të kundërt komanda ushtarake gjermane do të merrte përgjegjësinë për çdo gjë në Vlorë. Përballë kësaj situate, paria e asaj kohe, e mbledhur disa herë, nëpërmjet një peticioni të firmosur nga 300 vetë, i propozoi Myhedin Haxhiut të pranonte këtë detyrë të vështirë.
Më datën 27 tetor 1943, Prefekti i Vlorës Vizhdan Risilia dhe kryetari i Bashkisë Muhedin Haxhiu njoftonin popullin e Vlorës me këtë shpallje:
“Në datën e sotme në sallën e bashkisë së Vlorës u mblodhë shumica e popullit për zgjedhjen e këshilltarëve të prefekturës dhe të bashkisë. Me zëra të përbashkëta u zgjodhën, anëtar të këshillit të prefekturës: … Z. Numan Lepenica …
Ftojmë gjithë popullin të kenë besimin e fortë në paanësinë tonë dhe në shërbimet tona në interes të Atdheut dhe të këtij qarku. Populli për çdo nevojë të drejtohet në zyra ku do të gjej çdo përkrahje. Kryetari Bashkisë Muhedin Haxhiu, Prefekti i Vlorës Vizhdan Risilia” (AQSH, F. 392, V. 1943, D. 9, f. 26.)
Numan Lepenica ishte autoritet i njohur në qytet dhe për çdo problem në kohën e vështirë të luftës ai nuk mungonte me urtësinë, diturinë dhe patriotizimin e tij, të jepte këshilla dhe mendime për këdo që kishte nevoj dhe kërkonte këshillat e tij.
“Më 13 tetor 1944, deklaron në hetuesinë komuniste major Rexhep Çela, komandant i xhandarmërisë së Vlorës, më thirri komandanti i regjimentit 153 gjerman dhe më tregoi një listë që i ishte dhënë prej Vizhdan Risilisë që të digjeshin e plaçkiteshin disa shtëpi në Vlorë, Nartë, Oshtimë, Drashovic, Mavrovë, Panaja dhe Fier. Unë e kundërshtova dhe ai pranoi por tha se po të shtihej pushkë kundra gjermanëve në tërheqie do të zbatonin planin e tyre… Unë thirra nga paria e Vlorës Numan Lepenicën e Aristidh Rucin të cilëve u thash të evitohej goditja e ushtrisë gjermane në tërheqie… Më 14 tetor, para se të nisesha për mbrojtjen e rendit formova një komision të kryesuar nga Numan Lepenica. Armatosa policinë bashkiake, sigurova gjithë makinat e shkrimit, aparatet e çentralit telefonik më se 70 armë e municion…” (Arkivi MPB, Dosaj 395, f. 5 , 116)
* * *
Aktiviteti atdhetar, arsimi, nëpunësia e lartë si kryetar komune dhe nënprefekt do ta ngrinin Numan Lepenicën në krye të parisë së Vlorës. Ai do të jetë prezent në çdo aktivitet atdhetar e kulturor të qytetit të tij edhe si sponsor i librave apo aktiviteteve që kryheshin në qytet, ndërmjet të tjerave përmëndim:
– Kështu ndërmjet Abdul Kuçit, Syriri Libohovës, Ferid Taushanit, Gani Alikos, Ismet Libohovës, Hysen Çalës, Jovan Pozios, Aristidh Rucit, Ahmet Nures, Musa Jonuzit, etj., figuron edhe emëri i Numan Lepenicës që ka dhuruar 25 franga ari, për të ndihmuar Avni Rustemin kur ai gjykohej në Paris për eliminimin e Esat Pashë Toptanit. Vetëm Ferid Taushani ka paguar 100 franga ari, katër të tjerë nga 50 franga dhe pas tyre vjen Numani me 25 franga të gjith të tjerët kanë paguar më pak se 25 franga. Patrioti Avni Rustemi, ka qenë dhe ka mbetur për vlonjatët një figurë shumë e dashur dhe e vlerësuar. (Gazeta ”Mbrojtja Kombëtar”, Vlorë, dt. 18.11.1920, f. 3 )
– Për Federatën Panshqiptare “Atdheu”, Numan Hoxha, dhuron 10 franga ari dhe është njëkohësisht edhe një ndër abonetët e parë në revistën “Atdheu” (Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë dt. 18.11.1920; 23. 5. 1921)
– Numan Hoxha figuron në numurin rendor 25 nga 130 vetë në listën e qytetarëve të abonuar në revistën “Atdheu”, organ i Federatës Panshqiptare “Atdheu”.(Revista “Atdheu”, maj 1921)
– Libri i Aqif Sulo Progonatit ”Vjersha kombëtare”, Tiranë 1935, sponsorizohet nga 54 vlonjatë ndërmjet të cilëve: Ibrahim Abdullahu, 2 franga, Sami Imami 2 franga, Imer Sharra 3 franga, Numan Lepenica 5 franga ari…
* * *
Nën vuajtjet shpirtërore në varfëri e mjerim, i përbuzur dhe i harrua, ai që dikur quhej Numan Lepenica, me një peshë në Vlorë dhe në shoqërinë shqiptare dha shpirtin e tij të bardhe në moshën 61 vjeçare, në mars të vitit 1953.
Vdiq në shtëpi, i pa mjekur si duhet. Jeta e tij interesante por edhe e trazuar, nuk mund të lihet në errësirë, ajo e cila vlen të theksohet sot, si një vlerë e vyer e këtij burri, është gjaku i derdhur për lirinë e Shqipërisë dhe shërbimi 32 vjeçar si nëpunës i lartë në të gjitha trojet shqiptare në kohë shumë të vështira. Nga gjithë ajo familje me emër e me nam e Numan Lepenicës ka mbetur vetëm një vajzë, Donata e Afërditës, sot avokate në Tiranë, e cila është gëzimi ynë, shumë e dashur, gjithnjë e qeshur si shpirti i sajë, ripërtëritja e genit njerzor, epërsia e rracës.
NJERIU QË DHA LAJME MBI DY DEKADA – SOT U BË VETË LAJM …
Nga Sinan KAMBERAJ/
Sulejman GASHI, i cili shpërndau lajme në eter nga New Yorku, për më shumë se dy decenie, duke ngritur shpresat dhe duke ngrohur zemrat e miliona shqiptarëve në Ballkan, në orët më të liga të historisë së tyre, sot papritmas u bë vetë lajm.
Ai u bë lajm, të cilin familja dhe ne miqtë dhe kolegët e tij, nuk deshëm ta besonim, sepse ishte i rëndë. Sulejmani ishte goditur papritmas nga një sulm kardiatik dhe po përballej me sëmundjen e rëndë që ka mundur të të ndante prej nesh.
Ky lajm, padyshim i keq, e kishte një pjesë shpresëdhënëse: Sula e kishe sfiduar goditjen, duke u dhënë shpresa familjarëve dhe ne, të gjithë miqve të tij, se së shpejti do të kthehet midis tyre dhe midis nesh.
Në çastin e sëmundjes, Sulejmani gjendej me punë në Utah të Amerikës, ndonja katër orë fluturimi me avion nga New Yorku, duke shoqëruar si përkthyes një grup zyrtarësh nga Kosova.
Mësohet se mjekët bënë çmos t’ia shpëtonin jetën dhe, në saje të tyre, por edhe fatit – shpëtoi. Ndonëse relativisht larg shtëpisë, e shoqja dhe katër fëmijët e tij të mrekullueshëm, arritën t’i gjendeshin pranë në spital.
Familja njoftoi se Sulejmani ishte në një gjendje të rëndë, në shkallë komatoze. Këshillohej të transferohej nga Utah në New York për trajtim më të sofistikuar. Familja e kishte poashtu këtë dëshirë. Do t’i qëndronte pranë derisa ai ta merrte vetën, t’i kthehej jetës dhe punës. Falë shkathtësisë së fëmijëve, (e marr me mend fillimisht edhe ndrojtjtjen e tyre) – ata duke përfillur edhe sugjerimin e miqve të Sulejmanit, si dhe duke besur në njohjen e të të jatit nga shumë dashamirës të tij anëmbanë Amerikës dhe në Evropë – hapen një link në Face book, me kërkesë për mbështetje financiare për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, meqë sigurimet shëndësore nuk e bënin dot këtë punë.
Duheshin rreth 50,000 dollarë për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, me helikopter special, konform gjendjes së tij shëndetësore.
***
Dh, erdhëm te pjesa e tretë e lajmit për Sulën. Edhe kjo – pjesë e mirë e lajmit.
Për nëntë orë, qëkur në rrjetin e internetit familja bëri kërkesën për ndihmë dhe deri në çastin kur po i shkruaj këto radhë, miq e dashamirë të Sulës, shqiptarë e amerikanë, derdhën në llogarinë tij 58. 675 dollarë.
Familjes i takon për të falënderuar të gjithë donatorët, ata që po e mbështesin Sulën në këto çaste. Dhe, ajo po e bën këtë nga çasti në çast, në internet. Me telefonata … Po i falënderon të gjithë njerëzit zemërbardhë për mbështetjen financiare e morale.
Nuk është vendi as koha për ta elaboruar më gjatë këtë pjesë të lajmit
Megjithatë, nuk mund ta kaloj pa i thënë dy fjalë për solidaritetin e njerëzve tanë, ndonëse ky është një fenomen që kërkon një elaborim dhe trajtim më të hollësishëm..
Në këtë kohë të pakohë, kur për çdo ditë bombardohemi nga lajmet e këqia, që shpërfaqin katandisjen morale të shoqërisë shqiptare, – padyshim pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë që nga paslufta e këndej, LAJMI se për 8 orë mund të mblidhen mbi 50. 000 dollarë, ndihmë humantitare për një njeri në nevojë, është një LAJM i mirë. Dhe, këta njerëz janë donatorë nga të gjitha trojet shqiptare. Nga mbiemrat kuptohet se janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva…. Solidarë, bashkë, si para 1999 – tës. Para çlirimit të Kosovës!
Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë!
Ky është një lajm që rrit shpresën se Kosova duhet dhe do ta marrë vetën, sapo qeveritarët hajdutë që e kanë kapur vendin dhe po e rrjepin për së gjalli, duhet të hapin udhë. Të largohen.
Dhe, duhet të largohen.
Kosova ka qeveritarë milionerë, multimilionerë që s’e dinë Zotin hak dhe s’qajnë krye për fatkqinjtë.
Qeveritarët keqpërdorues, keqqeverisës, të padijshëm e injorantë, duhet të ikin nga skena politike, sepse mileti s’mund të ikë nga vendi. Dhe, s’ka kuptim të ikë.
Donjeta Demolli, një vajzë, sigurisht nga Kosova, ia dërgoi Sulës në akonto 5 dollarë ndihmë. Pesë dollarët e saj janë sa 58, 690 dollarët që i dhanë të tjerët për Sulën.
Ajo e meriton Kosovën, ashtu siç e ka zemrën!
*
Familjen e Sulejmanit, si dhe ne të gjithë miqve e kolegëve të tij, na mban shpresa se ai do ta përballojë edhe këtë sfidë dhe ai do t’i kthehet jetës dhe punës përsëri.
Sulës, që shpresoj se do ta takoj shpejt, kur të pimë kafe në Arthur Avenue, do t’i kërkoj “falje” që s’u durova pa e “politikëzezu” pak këtë shkrim timin.
Mbahu, Sulo! Të uroj shërim të shpejtë.
NEW YORK, 24 mars 2016
JU MUND TE NDIHMONI: https://www.gofundme.com/sulejmangashi
Në prag të vetëflijimit ose amendameti Arbnori
- « Previous Page
- 1
- …
- 18
- 19
- 20
- 21
- 22
- …
- 95
- Next Page »