• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Hapet Konsullata turke në Prizren

April 23, 2016 by dgreca

Prizren, 23 prill 2016-B.Jashari/Në qytetin e Prizrenit në Kosovë është hapur sot Konsullata e Turqisë. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministra të qeverisë kosovare, zëvendëskryeministri turk Numan Kurtulmus, përfaqësues diplomatikë dhe personalitete nga Prizreni. Gjatë ceremonisë u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy shteteve dhe u shpreh përkushtimi i dy anshëm për bashkëpunim të mëtejshëm.   Ndërkohë, në Kosovë është festuar Dita e Turqve -23 Prilli, e cila është e përcaktuar si një nga “ditët memoriale” me Ligjin për festat zyrtare, të miratuar pas shpalljes së pavarësisë para 8 viteve.Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë 1.08 %  e banorëve janë të komunitetit turk. Mamusha, në rajonin e Prizrenit, është e vetmja nga gjithësej 38 komunat kosovare e banuar me shumicë nga pakica turke.

Filed Under: Kronike Tagged With: Hapet, Konsullata turke, ne Prizren

“Trojet e Arbrit”, kundër 8 akademikëve gjakovarë për Fadil Hoxhën

April 23, 2016 by dgreca

Reagim i Shoqatës “Trojet e Arbrit”, lidhur me një kërkesë të 8 akademikëve gjakovarë të Kosovës që Fadil Hoxhës t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”./
Na habiti shumë informata që, në rrethanat aktuale në Kosovë, ku ndasitë dhe problemet ekzistenciale po e rrezikojnë seriozisht edhe perspektiven e saj si shtet i pavarur, të dalin nostalgjikët komunistë të akomoduar në Akademinë tonë dhe të përpiqen të lartësojnë veprimtarinë e Fadil Hoxhës, liderit kryesor komunist në Kosovë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në një reagim të “Expresit” na është rifreskuar kujtesa për disa nga gjynahet e shumta të Fadil Hoxhës, të cilat i ka shumë të njohura edhe ideatori i këtij propozimi, Jusuf Bajraktari. Prandaj shtrohet pyetja pse u pranua në Akademi vetëm ky “historian” nostalgjik i Fadil Hoxhës e u refuzuan pa asnjë sqarim, Zekeria Cana, Ramiz Abdyli, Jahja Drançolli, Izber Hoti etj.  Cili nga Akademia i ka refuzuar shkencëtarët më të zotë në Kosovë dhe, në vend të tyre, ka pranuar vetëm Jusuf Bajraktarin? Si është e mundur që recensionin për të ta shkruajë një “historian” i filozofisë marksiste dhe shef shumëvjeçar i Kabinetit të Fadil Hoxhës?!  
Në  shoqatën “Trojet e Arbrit” jemi të inkurajuar kur mësuam se Presidenti Nishani  nuk kishte rënë në grackën e mjeshtërve të dredhive dhe të prapaskenave për këtë lloj maskarade. Na duket e çuditshme, përse akademikët nga Gjakova e injorojnë institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe i drejtohen presidentit të Shqipërisë. Ne mendojmë, se propozuesit do të ishte dashtë që kërkesën t’ia bënin presidentit të Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaqi. Dhe ky, si ish komandant, historian, si dhe President i Kosovës, por edhe nëse duam edhe si drenicas, do të mund ta vlerësonte më mirë se askush tjetër, “ndihmesën” e Fadil Hoxhës për të “mirën” e Kosovës dhe kujdesin e tij për shtypjen e “kontrarevolucionit” në Drenicë, për dhunën dhe terrorin që ushtrohej, sidomos në këtë krahinë, për mobilizimin e djalërisë heroike të Drenicës në kolonat e vdekjes për në Tivar e gjetiu dhe, sidomos, për kujdesin, që asnjë gjakovar të mos gjendej bashkë me ta në këtë kalvar të pashembullt… Këta kanë mundur të llogarisin në presidentin Thaqi, sepse ky e pat nderuar Fadil Hoxhën, madje duke i bërë varrim me nderime ushtarake. Por tani këtë ai nuk do ta bëjë presidenti Thaqi, sepse ka kaluar plotësisht koha e nostalgjisë për ata që ishin bashkëpjesëmarrës në ripushtimin e Kosovës me vise dhe kumbarë të copëtimit dhe aneksimit të tyre nga Serbia, me ata që miratuan dhunën dhe terrorin, aksionin e armëve, konfiskimin e tepricave ushqimore, burgjet dhe internimet, shpërnguljen dhe gjithë vuajtjet që pësoi popullli i Kosovës me vite e dekada. Nuk do të bëhet kjo, ngase, me këtë akt, do të ndiheshin të fyer e të injoruar me qindra e mijëra dëshmorë e heronj, që luftuan dhe u flijuan për Kosovë e Shqipëri. Do të lëndoheshin me dhjetëra mijëra studentë të dikurshëm që demonstruan trimërisht, e të cilëve, për sakrificat dhe angazhimin shumë  atdhetar, Fadil Hoxha u tregoi “birën e miut 300 grosh” dhe i quajti “plehu i Kosovës”.
E Fadilin e kanë njohur mirë shqiptarët dhe rinia e Kosovës. Prandaj atij i është kënduar edhe kështu:
“Sepse sot vajton Kosova,
E trathtueme nga Fadil Hoxha.”
Ishte kjo këngë e Tiranës, e adaptuar për Kosovën, e kënduar më 1967, edhe Ditën Flamurit, nga studentët e asaj kohe të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren. E këtë këngë e kënduan ata edhe në demonstratat e vitit 1968.
Po të ishte Fadili, ashtu siç u munduan ta  kontrabandonin akademikët gjakovarë, ai, pas heqjes se autonomisë se Kosovës, do të dilte në botën e jashtme si Dalaj Lama i Tibetit, kur Kina ia pushtoi dhe aneksoi vendin e tij dhe të alarmonte botën se, e njejta gjë, po i ndodhte edhe Kosovës, apo të bënte edhe ndonjë akt tjetër për t’u vlerësuar.
Prandaj anëtarët e shoqatës “Trojet e Arbrit” kërkojnë që Akademia e Kosovës, në vend të këtyre propozimeve të pakuptimta, të zotohet për hartimin dhe realizimin e projekteve, që do të jipnin ndihmesë për afirmimin e shtetësisë së Kosovës, për zhvillimin dhe për përparimin e saj. Kjo do të kishte më shumë vlerë se zotimi për Fadil Hoxhën, kur dihet se mbi figurën e tij rëndojnë dyshime të mëdha, të pazbardhura kurrë, që nuk do ta lejonin atë për të fituar respektin e popullit shqiptar. Ithtarët e Fadil Hoxhës mund t’i shprehin mirënjohjen e tyre personale idolit të tyre, por jo edhe në emër të Kosovës dhe të shqiptarëve.
Duam të theksojmë, se në asnjë vend ish – komunist nuk ka ndodhur që dikush nga strukturat drejtuese të asaj kohe të shpallet hero apo nderi i kombit. Përjashtim, ndoshta, mund të bëhej vetëm për Millan Kuçanin e Sllovenisë, të cilin populli slloven e ka dashur dhe e ka zgjedhur President edhe pas shpalljes se pavarësi së Sllovenisë.
Për shoqatën e intelektualëve mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”
Prof. dr. Muhamet Shatri, kryetar,
Mr. sc. Nue Oroshi, nënkryetar.

Filed Under: Opinion Tagged With: "Trojet e Arbrit", kundër 8 akademikëve gjakovarë për Fadil Hoxhën

LILI

April 23, 2016 by dgreca

Tregim nga Ilir LEVONJA/

Lili/

Lili është një vajzë pesë vjeçe. Prindërit e sjellin përditë tek gjyshja që me natë. Punojnë larg dhe me orë të gjata. Gjyshja e ka shtëpinë në një lagje të re, faqes së kodrës, ku dikur ndodhej një fermë agrumesh dhe vreshtarie. Tani e shkuara është coptuar në kopshtije. Tek-tuk gjallon ndonjë pemë ulliri, më shumë për dekor. Kurse vreshtave u humbi gjithçka.

Lili mërzitet pasi e kalon ditën vetëm. Në shtëpinë përballë, jeton një moshatar i saj. Pak është takuar me ‘të. E quajnë Endri. Po gjyshja nuk shkon mirë me fqinjin. Kështu Lili e ka të ndaluar të kërkojë të luaj me djalin moshatar.

Dimrit bën si bën. Natyra pa shumë gjallëri, pa zogj e ngjyra, sikur nuk e tërheqin përjashta. I buhaviten duart nga të ftohtit.

Ndërsa tani është pranverë. Kopshti ka plot bar të njomë. Kanë çelur zymbylët dhe kaçet gjithandej. Megjithatë gjyshja nuk e lë.

Një mëngjesi poshtë në kopësht u dëgjua një kërkëllitje sikur të rrëzoheshin një mal me dërrasa. Pastaj plot cicërima të tjera dhe ca flatra shpezësh. Lili iu avit dritares duke u ngritur në majë të gishtave. Në fillim u hutua pasi për shkak të diellit, aty përball në xhamin me vraga plahuri, iu shfaqën dy sy të kthjellët. E vështronin ngultas. Kaq të kthjellët ishin sa trishtimi që kishin brenda, pikohej të harku i buzëve të vogla. Flokët e verdhë patën krijuar tek-tuk ca cullufe kryeneçe. Por shpejt u kujtua se kukulla përballë nuk ishte tjetër kush por ajo.

-Hë, haje tani, mjaft u bëre çupë e keqe. Nëna të ka xhan fort ti e di. Por përjashta nuk të lë të dalësh. Ka rrugeçër rruga. Sikur të ma marrin vajzën mua. Ë? Si t’ia bëj nëna pastaj pa mbeskën e saj të bukur e sy shkruar?

Lilit i hipi në kokë. Nuk e hapi gojën. Madje në heshtje mori një vendim. Hataja të bëhej nuk kishte për të ngrënë një lugë nga çfarë i gatoi gjyshja. Pastaj këto përrallat me ta marrur e me të shitur. Kush do ta merrte? Në atë rrugë flinte gjithçkaja dhe nuk pipëtinte veç asgjëja. Qe vetëm  Endri. Por gjyshes i qe shkrepur në kokë që ata most ë shoqëroheshin bashkë. Dhe me sa kishte kuptuar nga bisedat e gjyshes me prindërit dhe dajen e saj, shkurt nuk i pëlqente familja. Ajo thoshte se ishin soj nga ata që shisnin me tezga në rrugë. Por që u kishin rënë për pjesë. Ndaj një e më dy ngushëllohej duke thënë se, vetëm fqinjin nuk e zgjedh dot njeriu.

-Po lëre moj mama gocën të lozi përjashta, -tha daja teksa po dilte.

-Rri urtë se e di unë atë punë, – ia ktheu ajo.

-Epo mërzitet, fëmijë është, -tha ai.

-Ja ka plot lodra ajo. Televizorin po e ka, – tha gjyshja.

-Po çtelevizor moj. Vi unë e zë e shoh lajmet. Iki unë e zë ti me telenovelat. Pikë e zezë, – tha daja dhe doli.

Por gjyshja as që vrau shumë. U ngrit e shkoi të përgatiste banjon pasi ishte djersitur gjithë natën. Kështu do bënte mire t’i hidhte trupit ca ujë.

Lilit i pikoi. Tani që doli edhe daja i humbi shpresat fare. Shikoi kopshtin plot diell. Ulliri i ngjan një kaçubeje të këndshme përrallash. Ka shumë zgërbonja nga ku futen e dalin zogj. Vajza dalloi një zog midis zogjve. I shkathët,  e çukiste trungun duke i ardhur përqark si një gaztor në botën e filmave.

-Shiko se do lahem pak nëna. Se mos më del nga shtëpia ë?. Hë të keqen.! Kush e duron tët ëmë pastaj. Ma morën gocën, ma hëngrën gocën….

Lili u squll pas perdes. Vendi ku fut qukapiku qe një gojëz e vogël. Zogu ndenji për pak brenda, pastaj doli sërish. Çukiste, nxirrte diçka me sqep, futej brenda. Pastaj prapë të njëjtën gjë. Lili mendoi se duhej të ishin zogjtë e tij. U bë kaq kureshtare sa frymëfikur, zbriti shkallët dhe doli pupël e lehtë përjashta e drejt e në kopësht. Qukapiku flatroi diku më sipër ku koloviteshin ca zogj të tjerë. Çoir ajrit ca piskama. Lilit aq i bënte. Futi dorën por në vend të zogjve zuri me majë të gishtave dy thingla si rrumbullake. Duhet ishin vezët. Me frikën se  mos i krakeshin në dorë, u përpoq t’i nxirrte. Donte të shikonte se si ishin vezët e qukapikut. I ndjente, ua kuptoi formën. Por donte të shikonte ngjyrën. Zogu rrapallitej sipër kokës. Flatronte gjethet me krahë, ndalonte për pak në një gjymtyrë dege. Më pas i vërsulej trungut me kërkërrre të mëdha. Lilin e zuri paniku. Nuk po e nxirrte dot dorën. Nga ana tjetër nuk e shtrëngonte dot. Se ndofta ashtu mund edhe ta nxirrte. Por i trembej krakjes së vezës. Donte vetëm sa t’i shikonte.

Sakaq e thirri gjyshja nga dritarja.

-Lili, ku je moj korbë?

Vajza i la vezët, por prapë nuk e nxorri dot dorën. I dhembi në anët. Diku u gërvish. Vrimëza e zgërbonjëzës qe gjithë ngleçka.  U hutua…

Gjyshja  erdhi gjithë tërsëllimë. I shkuli veshin.

-Si të thashë të dalësh, ë?

Mirëpo në çastin që e tërhoqi, Lili u step mbrapa. Zuri të qajë me të madhe. Gjyshja vetëm atëhere e kuptoi se vajzës i kishte ngecur dora brenda në folenë e qukapikut. Madje që gërvishur.  I kishte dale pak gjak. U alarmua. I ra qielli mbi kokë.

-Prit të marr ca ujë e sapun. Oh, jo.

Sillej vërdallë. Vajza ulërinte. Nga jashtë u dëgjuan të thirruara.. Erdhi njëri fqinj. Erdhi tjetri… e kështu bënë disa. Ndërkohë një burrëplak u nis të thërriste infermieren e lagjes. Erdhi dhe ajo. Lili qante.

Ranë në hall, një tufë gjyshe e gjyshër. Infermerja. Dikur u afrua edhe Endri.

-Po ti këtu?

Djali i fqinjit mblodhi supet.

Gratë bën si bën dhe e qetësuan vajzën. Por prapë dorën nuk po dinin si t’ia nxirrnin.

-Sikur ta tërheqim njëherësh?

-Qyqja t’i këpusim krahun?!

-Je në terezi, pesë vjeçe fëmijë!

-Bobo erdhi dreka, ç’më gjeti mua të zezën. Kush e duron time bijë.

-Kur vine ata?

-Nga darka!

-Deri në darkë e kemi sharruar këtë ulli njëzet herë ne.

-Sharrojmë?

-Në mos e sharrojmë, ja një sopatë kësaj bujashke dhe kaq.

-O bo bo, sopatë…hata e madhe. Po pse moj të keqen nëna nuk rrije dot brenda me televizorin ë? Shikoje kukullat, luaje syllambylla. Bëje shtëpi, ashtu si ne. Nuk e di lojën me shtëpi ti. Ta mësoja unë ty ?

Ndërkohë Endri u afrua. I vuri dorën në kokë Lilit. Ajo e pa me dashuri.

-Po ti, – kërceu gjyshja.

-Lëre, – i tha infermerja dhe i doli përpara gruas.

Plaku sapo erdhi me sopatën e madhe. Dihaste. Dy gratë e tjera i kërkuan të mos ngutej. Ndofta fëmijët e gjenin gojën përmes njëri-tjetrit. Nganjëherë ata janë më të mençur se ne të mëdhenjtë. Kështu i tha njëra nga ato, burrit me sopatë në dorë.

-Lili qyç e paçe kul e fute? – foli Endri.

-E pata paçe e bëla guçe! – ia ktheu Lili.

-Bëje plapë paçe qyç e paçe dhe xile jaçe, – i tha Endri.

Dhe Lili fësht, e nxorri dorën.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: LILI, Tregim nga Ilir LEVONJA

KARATEISTET E ULQINIT NE TURNEUN E 15-të NDERKOMBETAR

April 23, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Klubi i Karatesë “Ulqini” do të marrë pjesë në turneun e 15-të ndërkombëtar në New York.Lajme të gëzuara dëgjojmë prej trojeve tona shqiptare ku këtë radhë e kemi fjalën për Klubin e Karatesë “Ulqini” i cili do të marrë pjesë në turneun e 15-të ndërkombëtar në New York. Ekipi i Ulqinit nga Mali I Zi njohur për rezultate të larta sportive ka disa ditë që ka ardhur në ishullin e Staten Island në New York dhe po stërvitet intensivisht për të garuar në turneun ndërkombëtar. Ftesa e ardhur nga traineri i ekipit të karatesë në Staten Island nga z.Safet Tahiri së bashku me bashkëshorten e tij dhe djalin që e ka sportist në karate e pritëm me shumë kënaqësi, pasi kemi kohë që i ndjekim stërvitjet dhe rezultatet e tyre.

Z.Tahiri me rezultate të dukshme dhe tepër të kënaqshme ka ditur bukur të punojë me bashkatdhetarët matanë oqeanit, me shqiptarët e Ulqinit, dhe ja ku u konkretizua puna së bashku e tyre me legjendën e Shatokan Karate në Staten Island.  Shqiptari Tahiri është mik i afërt me legjendën e Shatokan z.Hanshi Scarda i cili ka praktikuar artet marciale mbi 50 vjet.Ai ka fituar rripin e zi të rangut më të larte në ShBA i njohur nga Japonia.  Ai është i specializuar në mësimin e fëmijëve me nevoja të vecanta dhe që iu ka humbur besimi.  Kujdesi i tij i jashtëzakonshëm prej mjeshtri ka bërë që këta sportistë të jenë anëtarë aktivë të komunitetit dhe të jenë mjekë, avokatë, mësues dhe në profesione të ndryshme.  Kjo është prova më e qartë për një legjendë si z.Hanshi, i cili i sjellë studentët të stërviten dhe të lëvizin për jetën.

Eshtë shumë interesante stërvitja e tyre dhe puna aq serioze që bëjnë së bashku si ekip për të fituar trofenë ndëkombëtare të karatesë.  Gjatë bisedave direkte në dhomën sportive ku ata stërviteshin, karateistët dhe kryetari i Klubit të Karatesë “Ulqini” z.Gjergj Daboviq na folën fjalë miradie për legjendën e Shatokan Karate të Staten Island z.Hanshi i cili ndihmon shqiptarët që të stërviten dhe frymëzon për të vazhduar me gjenerata këtë sport të mrekullueshëm.

Z.Skënder Tahiri menaxher i klubit të karatesë “Ulqini” tha se në Ulqin u bë hapja e organizimit të turneut 15-të ndërkombëtar ku morën pjesë 49 klube nga 9 shtete të ndryshme.  Klubi i Karatesë “Ulqini” është regjistruar në vitin 1985, por ka qenë qysh në lindje të shoqatës së Ulqinit për sportin e cila është themeluar në vitin 1975.

Z.Ruzhdi Rama kryetrainer i klubit “Ulqini” foli me krenari të ligjshme për stërvitjen dhe sukseset e njëspasnjëshme që ka fituar Klubi i Karatesë “Ulqini” ku theksoi se Dardan Ceka ka fituar dy herë kampion kombëtar dhe shumë rezultate në Ballkan dhe në Europë.

Ajo që do të më bënte përshtypje në këto biseda me drejtuesit e Klubit të Karatesë si z.Gjergj Djadoviq, Rama dhe Tahiri ishte se ata sollën pranë nesh dhe Dr.Bari Cekën i cili ka qenë karateist aktiv dhe ka qenë i pari që ka sjellë medaljen e arit në Ulqin.  Në bisedën para kamerave me Dr.Cekën me humor i thashë se tashmë mos u jep pacienteve të tu barna të ndryshme për t’i kuruar, por hap salla sportive për pacientët e tu ku të ushtrojmë sportin e karatesë në vend të barnave të shërimit.  Dr.Bari Ceka është një doktor mjaft i dashur për mijëra shqiptarë që janë nën kujdesin e tij dhe që qendrën shendetësore e ka në Staten Island, New York  i cili është i specializuar për sëmundjet e zemrës dhe që punon për Staten Island University Hospital në New York.

Studentët e Ulqinit së bashku me studentët në Staten Island këto ditë u stërvitën dhe nga trainerja e skuadrës kombëtare në SHBA Ariel David.  Midis djemve karateistë kishte dhe 4 vajza si Diellëza, Antigona etj të cilat i kishin sjellë Kombit dhe Ulqinit trofe të ndryshme.  Ato folën me krenari dhe plot kulturë për sportin e tyre, stërvitjen me orë të tëra dhe rezultatet që kishin arritur.  Ne ndihemi të barabarta me djemtë dhe në disa raste me trofetë tona jua kemi kaluar atyre.  Antigona vazhdonte studimet në universitetin e Prishtinës, ndërsa Diellëza vazhdonte shkollën e mesme në Ulqin.

Në fund të stëvitjes Legjenda e Shatokan z.Hanshi Scarda u dha rripin e zit të gjithë sportistëve të Karatesë si Çmimi më i lartë. Të gjithë drejtuesit e Klubit të Karatesë “Ulqini” dhe në Staten Island janë optimistë se do t’i sjellin Kombit dhe Ulqinit trofenë e fitores në turneun e 15-të botëror që do të zhvillohet në  New York.

22 prill, 2016

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: KARATEISTET E ULQINIT, Keze Zylo, NE TURNEUN E 15-të NDERKOMBETAR

Fluturimi është “atdheu“i çudirave…!

April 23, 2016 by dgreca

Fluturimi-nëse  fjala guxim do ta kishte një kulm, ky është kulmi i guximit!/

 Nga Zaim Kuçi/

 Thuhet shpesh se hapësira ajrore është e pafund dhe nuk ka pengesa. Në ajër nuk ka njerëz që të ngatërrojnë rrugën edhe pa trotuare, as semaforë e kufizues të tjerë, e, për rrjedhojë mund të lëvizësh si e nga të duash. Por realisht nuk është kështu, ajri ka barriera më të forta për t’u zbatuar, aty aplikohen ligjet më të ashpra, më moderne, më të rrezikshme; aty vlerësohet sekondi dhe minuti nuk ka vlerë. Aty rreziku është pasagjeri më i frekuentuar, i ulur fare pranë sediljes të fluturimit, të pranuar dhe miratuar nga vet ti, për më tepër t’i e bën rrezikun me shumë pasion – profesion të jetës.Të fluturuarit nuk është një fushë e gjërë e aplikueshme nga të gjithë. Ai kërkon të tjera sjellje, ndryshe kthehet në një rrezik për atë që e bën dhe për të tjerët që ndodhen në rrezen e veprimit të tij. Fluturimi është një mori sjelljesh të kujdesshme ku përqëndrimi dhe shpërndarja e vëmendjes janë së bashku. Ai është një enigmë dhe kapriçioz si i tillë ai nuk mund të jetë objekt njohje i të gjithëve, aq më keq të trajtohet dhe të sillet i zgjidhur nga të gjithë. Ai i përket specialistëve dhe vetëm atyre. Mbi këto të fshehta që të afron fluturimi, me/pa dashje ne gabojme duke nxituar. Aq më e papranueshme eshte kur kërkohen situata për përftime interesi apo politike. Ndaj shpesh në raste aksidenti kur nuk njihet “Fenomeni” shpesh sillet për të vlerësuar “Misteri”, kjo është e dëmshme për të shkuar tek ndodhia.

Specialistët e ajrit vlerësojnë se, çdo ngritje per Fluturim është fillimi i një beteje, që konsiderohet “Luftë” …ndaj kërkesat për një fluturues janë përtej çdo profesioni, qoftë ai në fushën ushtarake apo shkencore. Për pilotin dhe teknikun aftësia për të fluturuar dhe përballuar problemet që vijnë nga teknologjia moderne janë evidente. Asnjeherë nuk mund të themi se teknologjia e mjeteve për fluturim,  edhe pse është zhvilluar me ritme të mëdha,  mund të sigurojë garanci absolute të mjetit fluturues. Duhet të pranojmë se, së bashku me perfeksionin teknologjik  lindin dhe fenomene që çballancojnë punën normale të pilotit në ajër duke sjell të papritura në mjetin ajror. Zotësia për të përballuar këtë teknologji varet nga një mori faktorësh, kështu nuk mendohet se rrisku në fluturim është “O” sidomos ne avionet luftarake. Teknologjia moderne kerkon sherbime speciale në tokë dhe perdorim në ajër perfekt, në të kundert ajo kthehet  prag aksidenti.

Fluturimi kryhet në trusni gjithformash, ndaj është vlerësuar, “fluturim = ndreqje gabimesh”. Misioni për forcat ajrore është kryerja e fluturimeve në terrene të vështira dhe në lartësi të vogla, kjo është detyrë e kohës, piloti përgatitet për luftë. Ngritja nga toka dhe kthimi drejt saj, sado rutinë qoftë, mbetet një detyrë për ta konsideruar të vështirë. Avionin në fluturim konsiderojeni si një fëmijë i sapo lindur, thuhej shpesh nga instruktori P. Naze; kohë kur ne filluam të merrnim rrugët e qiellit. në të kundërt ai është aksident. Duke anashkaluar përgatitjen e fluturuesit, të cilat janë procedura strike, rrisku vleresohet dhe parashikohet në çdo element të fluturimit. Piloti përgatitet për ta parandaluar atë por avioni ndodhet i ekspozuar në ajër dhe nga fenomene të krijuara të natyrës si, turbullenca, pështjellime dhe ndryshime të vrullshme të rrymave ajrore. Të pranueshme dhe rrezik janë në fluturim dhe rënia në iluzion e pilotit, fobia dhe vetmia që të krijon hapësira ajrore. Kështu, fluturimi është një lojë ku përzihen të gjitha këto, një fushëbeteje në hapësirën e pafund qiellore; një dyel me lojtarë: rreziku dhe jeta! Në botën e fluturimit luftarak, në fluturime akrobatike, natën, në re, në lartësi të vogla dhe terrene të vështira ka patur shume aksidente të shkaktuar nga gjendja e pilotit, teknologjia dhe faktorë të tjerë, ai nuk u beson instrumentave të pilotimit, fenomen i pranuar si “pjesë “ e profesionit.

Vendimtare për të siguruar fluturimin është përgatitja  e teknikës per fluturim. Mjeti fluturues, sa më i sofistikuar qoftë ai, po aq kapriçios bëhet për mirëmbajtje dhe shërbime. Mjeti fluturues kërkon një respektim  dhe regjim të fort në furnizimin me karburant, vajra etj. Neglizhimi dhe abuzimi mbi to për afatet dhe parametrat limit të tyre, përbën aksident ajror. Avioni (reaktive/supersonik) aq sa i zhurmëshëm dhe përbindësh  duket po dhe aq delikat është. Piloti sillet me kulturë dhe delikatesë me të; do të thoja si një pianist në kërkim të melodisë së tij, ai luan po aq lehtësisht me gishtat e tij në tastierën e kabinës së instrumentave, të zbukuruar me butona të kuq me nënshkrimin “rrezik”.

Rrisku i kryerjes së fluturimeve konsiderohet maksimal, ndaj normat ndërkombëtare të fluturimit kërkojnë trajtimin e fluturuesve duke u bazuar në standardin “ Dëmshmëri të Shëndetit”, « Risk i Menjehershem », Rrezik maksimal i pranuar. Ky standard aplikohet në vendet anëtare të Nato-s. Aksidentet ajrore në avionët e forcave të armatosura janë prezente gjatë stërvitjeve, qofshin dhe ata më moderne të kohës, të pilotuar nga pilotat « as » të botës.  Informacioni si më lartë është shkolloresk (fluturimi në avionët luftarak) dhe nuk sjell diçka të re për ata që i sherbejnë mjetit fluturues por nisur nga interprentimet mediatike të gabuara e solla si një kujtesë për fluturuesit, por dhe për të treguar se sa gabojmë kur marrrim rolin e specialistit.

Fluturimi ka të papriturat e tij, aq sa shkenca moderne duket si e pafuqishme.  Në gjadër, mars 1982 u vra në ngritje nga një pulë bardhë, me mig 21 piloti më i talentuar i regjimentit. Shume fikje motorrash ka ndodhur në botë nga ky fenomen. Në një aerodrom në Angli u rrëzuan disa avionë që detyruan anglezët që të mbyllnin aerodromin. Nuk mund të besohet që hunda e këtij avioni të kompanisë Turkish Airlines është deformuar nga një grup zogjësh, pa le si do të shkruante media jonë…

Atij i shtohet si fenomen dhe disiplina e pilotit në ajër. Adrenalina që të afron fluturimi shpesh ka sjellë aksident ajror, rastet nuk kanë munguar. Edhe njeriu “gjigand” i viteve 60-te i botes, Y. Gagarin, ka qene pilot ne avionin Mig-15.  Edhe pse ai çuditi boten me fluturimin e tij jashte planetit toke, ai u kthye pas ketij misioni per te fluturuar me avionin reaktiv Mig 15. Do te ishte ky avion që i mori jetën atij qe kaloi tro/stratosferen mars 1968 në një fluturim rutine per forcat ajrore Ruse. Gjatë pilotimit avioni ra ne tyrjele vertikale dhe mori flake. Avioni u doq dhe piloti nuk mundi te shpetonte edhe pse pilotohej nga ai, kozmanauti qe perloti boten me suksesin e tij. Sjell si kuriozitet se për t’u diplomuar pilotë, studentët shqiptarë kanë bërë më shumë se 500 fluturime po në këtë tip avioni Mig 15 duke bërë akrobaci ajrore nga më të vështira por aksidente ajrore me marrje jete nuk kemi patur….

Historisë së aviacionit nuk i kanë munguar dhe raste krenarie të bujshme si kalimi ne harkun e monumentit «Arc de Triomphe» qe ndodhet ne Champs Elysées të Parisit me date 7 Gusht 1919. Ishte ora 7-30 kur piloti francez Charles Godefroy do të bënte aventurën më të papritur të kohës duke pilotuar avionin «Nieuport» në brendësi të monumentit. Kalimi i avionit ishte një shënjë pakënaqësie duke protestuar për mos marrjen pjesë te aviacionit në paradën e festës Kombëtare të Francës që u zhvillua më 14 Korrik 1919. Ky fluturim spektakolare i këtij piloti u fotografua dhe u filmua nga ata që e organizuan këtë fluturim, ose dhe nga ata që u ndodhen në këtë shesh, por fotot dhe vidio u ndaluan të shikohen për shumë vite. Ndodh dhe kështu, si ulja ne “sheshin e kuq” Moske, e shumë të tjera si kjo aventurë të sajuar a të stiruar. Ato bëhen pjesë të profesionit për një situate të sjelle…..enigmë!

Edhe terroristët kanë gjetur mjetin më efikas “fluturimin” si target sulmi për të terrorizuar botën, si show për të treguar forcën dhe për të mbjellë panik. Ata detyruan njerëzimin që para se te ngrihen në ajër të “falen” para portave të kontrollit si kujtesë, ne jemi pranë jush në fluturim. “Zoqtë e ajrit” goditën fortesën e sigurisë, Pentagonin dhe bënë të shkërmoqen kullat Binjake të mbrojtura nga flota ajrore më e fuqishme e botës. Ngjarje shkaktoi jo aq në ushtri, sesa në politikën e sigurisë të vendit dhe rajonale një «avion Piper» në Divjakë apo një «drone» në Beograd. Moria e problemeve që lindin nga “fluturimi” tregojnë se sa shumë liberal dhe i ndërlikuar është sistemi i rregullave të fluturimeve. Ndaj sjell informacionin tashmë i përforcuar në të gjitha rrethet e instituteve “think tank” se e ardhmja e zhvillimeve, qofshin këto krize (emergjence) apo luftarake, parashikon angazhimin rreth 80% me mjete fluturuese dhe vetëm 20 % me mjete tokësore e  detare.

Përtej çfarë analizuam si të mundshme dhe ndodhi, të bujshme në fluturim, nevoja për mjetin fluturues për njerëzimin është madhore. Ashtu siç pranojmë që fluturimi është “atdheu“i çudirave, statistikisht fluturimi është “atdheu” i sigurisë. Propabiliteti i sigurisë në ajër (avionët pasagjerë) është disa herë më i madh se ai tokësore. Aksidentet ajrore kanë gjerësi të bujshme mediatike, ndaj, në dukje ato sjellin panik për fluturimin.

* Përsa i përket Helikopterit EC 145 është një nga më modern helikopter të kohës. Kompania eurocopter me kooperim shumë shtetesh si Franca, Gjermania, Anglia etj. ka prodhuar mjete fluturuese konkuruese, luftarak dhe civil të besueshme për pilotim. Testet në ajër kryhen nga instruktorët pilotë kolauditor të uzinës. Në rastin tone ka vijuar përgatitja e pilotave në territorin tonë po me instruktore francezë. Ajo qe duhet patur ne vemendje eshte fakti se ky helikopter modern kerkon mirembajtje dhe teknike pilotimi –perfekt, preçis.  Ne i kemi kapacitetet për ta pilotuar dhe mirëmbajtur atë.

Duke mos marrë përsipër të analizojë se çfarë është thënë në lidhje me aksidentin, pasi asgjë nuk mund të thuhet kur nuk ka prova dhe fakte për të, do doja thjesht të komentoja debatin mbi aftësinë e pilotave, trajnimin e tyre për t’u përshtatur me teknikën e re dhe fluturimi në hapësirën ujore (liqen). Sipas meje, çdo pilot që çertifikohet si i tillë, lehtësisht ambientohet me tabelën e instrumentave. Piloti është një nxënës i përhershëm. Të ambjentohesh me kabinën e avionit dhe të fluturosh mbi liqen, këto janë elementë fillestare, pa vlerë diskutimi. Zbatimi rigoroz i instruksionit te fluturimit mbetet madhor. Pilotët nuk veçohen i mirë apo jo i mirë siç ndodh me profesionet e tjera, të gjithë ata që janë lidhur në sediljen e avionit me rrypat e parashutës ata janë të barabartë dhe të gjithë janë heronj në raste aksidentesh. Pilotët shqiptare kane fluturuar ne avione supersonik te pergatitur nga pilotët shqiptare me 10-20 ore fluturimi ne vit duke kryer detyra shume here me te veshtira se sa misione ne avionët civile dhe  helikoptere. Nuk kemi patur fatin te trajnohemi as me instruktore amerikane, franceze dhe gjermane por me ata shqiptarë. Ne kemi instruktorë të mirë pilot, ata janë konkurues edhe me homologët e tyre.

Zgjidhje deri diku e sukseshme për botën aeronautike, në konfuzitetin që të sjell fluturimi,  është kutia e zeze si një “spiune” për punën e motorrit, pozicionin e mjetit ajror ne ajer (komandat drejtuese per pilotim) dhe komunikiminn pilot-pilot dhe pilot- toke. Kamera vezhguese ne kabinen e helikopterit nuk mund të zëvendësojë kutine e zezë.

Për aksidentin në proçes vlerësimi, le të presim fjalën e ekspertizës,  media dhe politika u nxituan. Në se do të ishin në bordin e helikopterit oficerë: nga  nentoger deri në general këmbësor/marinar si dhe fizikantë, matematicienë apo inxhinierë, as njeri prej tyre nuk mund të jap informacionin e duhur se çfarë ka ndodhur realisht por një informacion rutinë. Ndaj shpesh thuhet : në aksidentet ajrore, edhe në shtetet me aviacion  elitare ku pilotët kanë humbur jetën, ka vlerësime apo konkluzione edhe relative, “gabim njerëzor”. Shpresoj që ekspertiza të nxjerrë të vërtetën.

Në këtë përvjetor të aviacionit, përshëndes shokët e mi, ata të cilët morën rrugën drejt qiellit, të detyruar nga varfëria e asaj kohe, të kryenin  detyrat po në atë standard me homologët e botës së “F-ve, dhe Mirage-ve”  me 10-20 orë fluturimi në vit. Të huajt janë befasuar me përkushtimin e pilotave tanë duke i vlerësuar këto fluturime “fluturim- arkivol”.  Ky është fluturimi… mall dhe respekt për ju të ajrit, për thinjat tuaja të arta.      

 Zaim Kuçi,   Ish pilot /

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: “atdheu“i çudirave, është, fluturimi, Zaim Kuci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT