• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

HISTORIKE:KADETËT SHQIPTARË NGA KOSOVA PRANOHEN NËAKADEMINË USHTARAKE AMERIKANE, WEST POINT

April 21, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtë javë në Washington po zhvillon një vizitë Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) zoti Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së gjeneral-lejtënant Rrahman Rama. Në njoftimin e FSK-së për vizitën e delegacionit ushtarak të Kosovës thuhet se Komandanti i FSK-së general-lejtënant Rrahman Rama ka zhvilluar një takim me gjeneral-lejtënantin amerikanKenneth F. McKenzie, Drejtor për Politika dhe për Planifikimet Strategjike të Komandës së Bashkuar të Ushtrisë së SHBA-ve.  Sipas njoftimit, në këtë takim midis palës ushtarake amerikane dhe asaj të Republikës së Kosovës u bisedua mbi zhvillimet aktuale në FSK dhe mbi përgatitjet që po bëhen në procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës.   Njoftohet se gjenerali amerikan e siguroi palën kosovare për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për FSK-ën.  Në njoftimin e FSK-së mbi vizitën e udhëheqësve të saj të lartë në Washington kumtohet gjithashtu lajmi i mirë dhënë nga gjenerali McKenzie se dy kadetë shqiptarë nga Kosova janë pranuar në Akademinë e njohur Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, West Point. Ai  tha se dy kadetët e rinjë shqiptarë të FSK-së,të pranuar në akadeninë ushtarake më të njohur në botë, janë Arilena Shala dhe Ylli Dalladaku. Këta do të jenë studentët e parë nga Kosova që do të shkollohen në Akademinë Amerikane ushtarake me famë botërore, West Point pohoi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërkohë që uroi kadetët dhe njëkohsisht edhe FSK-në, “për suksesin në përmbushjen e kritereve rigoroze akademike, që do të ofrojnë mundësi të reja për profesionalizimin dhe avancimin e kuadrove të ushtrisë tonë”.Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës shprehet në faqen e saj Facebook se ajo ndjehet, “jashtëzakonisht krenare për këtë të arritur dhe falënderuese për mundësinë që West Point u ofroi kadetëve të FSK-së, si rezultat i bisedimeve me udhëheqësit e kësaj akademie gjatë vizitës time atje në vitin 2014”, shkruan Jahjaga.  Ndërsa ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington Vlora Çitaku, e kënaqur për këtë sukses të dy të rinjve shqiptarë nga Kosova, u shpreh se, “Në veçanti jemi krenarë që nga 2 kadetët e pranuar, njëra është një vajzë e re. Në një konkurencë shumë të ashpër dhe rigoroze këta të rinjë, suksesshëm kaluan çdo test, dhe sot Kosovës i dhanë një lajm të mrekullueshëm”,u shpreh përfaqsuesja e Kosovës në Washington, Vlora Çiraku.  Të pranohesh në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point nuk është aspak e lehtë, por është një nder i jashtzakonshëm që gjithmonë ështl rezervuar vetëm për studentët më të mirë dhe më të shquar të kombit.  Për tu pranuar në Akademinë më prestigjioze amerikane, kadetët jo vetëm që duhet të jenë inteligjent, por duhet të jenë edhe fizikisht në gjëndje të mirë dhe individ që shquhen nga tiparet e karakterit të shkëlqyeshëm njerëzor.Ata që përzgjidhen për tu pranuar në West Point, sigurojnë një arsimim universitar që nuk e ka shoqin askund në botë, ndërkohë që të gjitha shpenzimet janë të paguara nga Akademia.  Diploma nga Akademia Ushtarake Amerikane në West Point, gjatë gjithë jetësdo i dallojë të diplomuarit e West Point nga të tjerët për nga aftësitë, karakteri dhe për zotësitë udhëheqse që ata do të kultivojnë aty, duke i bërë ata anëtarë të një grupi ndërkombëtarë të dalluar dhe shumë të respektuar.Pak histori mbi Akademinë Ushtarake. West Point ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e këtij kombi duke filluar nga Lufta e Revolucionit Amerikan kur të dy palët kundërshtuese e kishin venë re rëndësinë strategjike të West Point, si një vend me përparsi strategjike luftarake në breg të lumit Hudson të shtetit New York, që shtrihet nja 65 killometra në veri të qytetit New York. Në të vërtetë ishte Gjenerali George Washington i pari që e konsideroi West Point-in si pozicionin më të rëndësishëm strategjik ushtarak në Amerikë dhe në vitin 1779 vendosi të transferonte aty kryeqëndrën e tij dhe komandën ushtarake.  Kështjella West Point nuk u kap kurrë nga britanikët gjatë luftës së Revolucionit Amerikan. Ndërkaq, disa ushtarakë dhe ligjvenës amerikanë të kohës, përfshirë emëra të njohur të historisë amerikane si Washingtoni, Knox-i Hamiltoni dhe John Adamsi, ndër të tjerë, donin që të heqnin dorë nga vartësia në inxhinjerët e huaj ushtarakë gjatë Luftës së Revolucionit amerikan dhe bënë thirrje për krijimin e një institucioni ushtarak kushtuar artit dhe shkencës së luftës.   Më 1802, presidenti i atëhershëm Thomas Jefferson nënshkroi legjislacionin për themelimin e Akademisë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Në portalin e West Point thuhetse Jeffersoni e ndërmori këtë vendim, pasi u sigurua se kadetët që do të pranohen në atë Akademi, do të jenë përfaqsuesit më të mirëtë një shoqërie demokratike.
Janë të shumtë ta që janë diplomuar në West Point e të cilët e kanë dalluar veten gjatë historisë në luftërat e këtij vendi, duke filluar me Luftën e Parë Botërore dhe më vonë në Luftën e Dytë Botërore, udhëheqës ushtarakë me famë botërore, siç ishin gjeneralët Eisenhower, Mac Arthur, Arnold, Clark, Patton, Stillwell, Wainwright, dhe të tjerë më vonë gjatë luftës në Vietnam e deri tek kohët moderne siç është lufta në Kosovë, kur forcat e aleancës së NATO-s të udhëhequra nga Gjenerali Wesley Clark – edhe ky i diplomuar në Akademinë Ushtarake West Point, sulmuan forcatterrroriste ushtarake dhe policore të Serbisë që për vite po kryenin një gjenocid të vërtetë kundër shqiptarëve të Kosovës — të pa-parë në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore.Një fakt tjetër me rëndësi historike për këtë institucion të njohur, është fakti se në vitin 1976, Akademia Ushtarake në West Point për herë të parë vendosi të pranonte kadete femëra duke diplomuar në vitin 1980, 62 prej tyre nga radhët e kadetëve që kishin filluar studimet më 1976.  Misioni i Akademisë Ushtarake në West Point është, “Për të edukuar, për të trajnuar dhe për të frymëzuar korpusin e kadetëve, ashtuqë secili kadet që diplomohet të jetë një udhëheqës i dedikuar ndaj vlerave karshi të Detyrës, Nderit dhe Atdheut… dhe gjithëherë i gatëshëm për ti shërbyer kombit të vet”. Akademia e zbaton misionin e saj duke zhvilluar kadetët me tipare të një udhëheqsi për të ardhmen, duke u bazuar në programet akademike, ushtarake dhe fizike që ofron West Point.  Sipas Akademisë, zhvillimi i udhëheqsve të ardhëshëm ushtarakë e politikë i ka rrënjët në parimet e një përgatitje etike dhe morale si dhe në Kodin e Nderit, sipas të cilit kadetët betohen se, “nuk do të gënjejnë, nuk do të mashtrojnë, nuk do të vjedhin dhe nuk do të tolerojnëas ata që bëjnë gjëra të tilla”. Secili kadet, është një udhëheqës, thuhet në portalin e Akademisë West Point dhe si të tillë janë shembull për të tjerët.
Kadetët shqiptarë nga Kosova, Arilena Shala dhe Ylli Dalladakuu pranuan në West Point thjeshtëdhe ekskluzivisht bazuar në meritat e veta duke konkuruar jo vetëm me mijëra studentë amerikanë që çdo vjet bëjnë lutje për tu pranuar në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, por ata konkuruan me më të mirët dhe me më të shkëlqyeshmit e këtij vendi, për nga sjelljet dhe karakteri por edhe për nga përgatitjet akademike dhe fizike. Dhashtë Zoti që këta dy të rinjë shqiptarë të dalin me sukses në nismën e tyre e të dallohen dhe të diplomohen nga Akademia Ushtarake më e njohur në botë dhe si të tillë të shërbejnë edhe si frymëzim për moshatarët e tyre shqiptarë kudo se me mund, djersë, moral e karakter, çdo gjë është e mundur.

Shpresojmë gjithashtu që njëkohsisht,me arritjen, me sjelljet dhe eventualishtme sukseset e shkëlqyeshme akademike dhe ushtarake që kërkon Akademia Ushtarake në West Point, Arilena dhe Ylli të nderojnë dhe t’i japin emër të mirë vetes, familjes që i rriti dhe mbarë kombit shqiptar të cilit i përkasin dhe i cili sot është krenar për ta.  Duke marrë parasyshë zhvillimet aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, ky lajm i mirë na bën të shpresojmë se e ardhmja e kombit shqiptar do të njohë ditë më të mira kur të udhëhiqet nga gjenerata e Arilena Shalës dhe e Ylli Dalladaku, të brumosur në etikën dhe moralin, në nderin dhe në dashurinë për Atdheun që do tu ofrojë disiplina dhe edukata ushtarake dhe akademike në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point-it. Urimet më të përzemërta që të delni faqebardhë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, KADETËT SHQIPTARË NGA KOSOVA, NËAKADEMINË USHTARAKE AMERIKANE, WEST POINT

Xhudistja Majlinda Kelmendi përsëri kampione Evrope, ngrihet flamuri i Kosovës në Rusi

April 21, 2016 by dgreca

– Kelmendi: Më dukej shumë mirë kur e nderonin flamurin ushtarët rusë/

Sportistja e Kosovës, Majlinda Kelmendi ka fituar titullin e kampiones në Kampionatin Evropian në xhudo që po mbahet në Rusi.

Xhudistja e njohur kosovare ka mposhtur francezen Priscilla Gneto me ippon në finalen në kategorinë deri 52 kilogramë për të fituar titullin e dytë në Evropë në karrierë.

Raportohet se, fitorja e Majlinda Kelmendit në Kazan të Rusisë, ka bërë që ky kundërshtar i Pavarësisë së Kosovës të nderojë himnin dhe flamurin e shtetit më të ri të Evropës.

Derisa është ngritur në piedestal, Kelmendi dhe publiku në arenën ku po mbahet kampionati evropian kanë dëgjuar intonimin e himnit të Republikës së Kosovës.

Garda ushtarake i ka bërë nderim flamurit deri sa ai po ngrihej.

Ndërsa Xhudistja tjetër kosovare, Nora Gjakova ka arritur të fitojë medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Rusi.

Gjakova mposhti britaniken Smythe Davis për të fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë.

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ka komentuar fitoren e Majlinda Kelmendit në Kazan të Rusisë, si më e mira e Evropës në Judo.

Ka folur edhe për suksesin e Nora Gjakovës.

“Majlinda e fitoi të artën edhe në Evropianin e xhudos në Kazan. Urime edhe Norës për suksesin. Shenja premtuese në prag të debutimit të shtetit tonë në Lojërat Olimpike në Rio”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Isa Mustafa i është gëzuar fitores së Majlinda Kelmendit dhe Nora Gjakovës.

“Majlinda Kelmendi ngriti lartë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës në Rusi, duke i dhënë vendit tonë një sukses të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Mustafa duke thënë se në më pak se 24 orë, tri suksese kulmore, transmeton Koha.net.

“Sot Majlinda u shpall Kampion i Evropës duke fituar medalje të artë, në Kazan të Rusisë dhe Nora Gjakova fitoi medalje të bronztë, kurse mbrëmë Sigal Prishtina u bë Kampion i Ballkanit në Basketboll. Me këtë ritëm të sukseseve në sport dhe lëmenjtë tjerë të jetës, ky vit mund të hyjë në histori për rezultate kulmore”, shkruan më tej Mustafa, teksa përfundon duke thënë se duhet të punojmë së bashku që ta bëjmë realitet një gjë të tillë, “Urime Kosovë!”.

KELMENDI FLET PAS TRIUMFIT HISTORIK

Kampionia e re e Evropës në xhudo, Majlinda Kelmendi, thotë se është ndjerë shumë mirë që pas një viti me shumë lëndime iu kthye titujve duke triumfuar në Kampionatin Evropian në xhudo që po mbahet në Rusi.

“Jam shumë e lumtur. Ndjehem për mrekulli. Sot jam ndjerë shumë mirë, nuk e di pse, por fatmirësisht përfundova mirë. Vitin e kaluar pata shumë lëndime dhe ishte e vështirë për mua jo vetëm fizikisht por e dhe psiqikisht, sepse duhet të kthehesh siç ishte dhe kjo tregon se tani jam rikthyer”, ka thënë ajo pas triumfit në finale.

E pyetur nga gazetarët se përse pati shumë emocione pas triumfit ajo u shpreh se gëzimi nuk mund të kontrollohej për shkak se ajo e llogaritë triumf të madh pas kthimit nga lëndimi.

“Pata shumë emocione. Nuk është hera e parë që fitoj, është e dyta, por rikthimi nga lëndimet më bëri të bëj veprime të çuditshme. Më vjen turp pastaj, por nuk mund ta kontrolloj veten”, ka shtuar Kelmendi.

 

Kelmendi: Më dukej shumë mirë kur e nderonin flamurin ushtarët rusë

21 Prill 2016 – 23:40

E para e Evropës dhe Botës në Xhudo, Majlinda Kelmendi ka folur për KTV nga Kazani i Rusisë dhe ka thënë se është shumë e gëzuar që kjo fitore është arritur nën flamurin e Kosovës, përkundër problemeve politike në Rusi.

“Ndjehem shumë e lumtur, dihet që kur jemi në Rusi zakonisht kemi problem është himni e flamuri i Kosovës. E në këto raste na rritet ego për fitore, jam gëzuar dy herë më shumë për Kosovën”, ka thënë Kelmendi, transmeton Koha.net.

Ndërsa në lidhje me nderimin ushtarak që i ka bërë garda ushtarake e Rusisë gjatë intonimit të himnit të Kosovës dhe ngritjes së flamurit të Kosovës, ajo është shprehur shumë e emocionuar.

“Më është dukur shumë mirë dhe realisht më shumë i kam shikuar ata se sa flamurin e që e kam dëgju himnin”, ka shtuar Kelmendi, duke thënë se këto gara janë rrugë ose test për Olimpiadë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Flamuri i Kosoves, ne Rusi, NGRIHET, Xhudistja Majlinda Kelmendi përsëri kampione Evrope

Kur pushtetarët mënjanojnë specialistët

April 21, 2016 by dgreca

Mbi nevojën e futjes së mësimit të historisë së feve në shkollat tona/

 NGA ILIR HASHORVA/New York/

E çfarë nuk është mirë të mësojë e të dijë njeriu?! Edhe historinë e Indisë së Lashtë, edhe atë të Kinës dhe Japonisë, edhe bujqësinë, edhe mjekësinë, edhe muzikën, edhe vizatimin, edhe kompjuterin, edhe filozofinë edhe ekonominë, edhe moralin, edhe latinishten, edhe greqishten e vjetër, edhe ndryshimet e klimës, edhe jogën, edhe karatenë, edhe… edhe çdo gjë.

Tashti thuhet se nxënësi shqiptar do të mësojë dhe historinë e feve. Unë nuk kam ndonjë kundërshtim në parim që nxënësit të mësojnë historinë e feve, sepse historia e feve ka lidhje me qytetërimet që duhen njohur dhe njohja e qytetërimeve nuk mund të bëhet e shkëputur nga njohja e historive të feve. Këtu duhet shtuar se, kur flasim për qytetërimet, nuk flasim gjithnjë në kuptimin pozitiv të tyre. Mua personalisht më është dashur të mësoj shumë për fetë, sepse kur shkrova një libër për Gandin, m’u desh të shfletoja e të lexoja shumë për historinë e feve të Indisë, sidomos për hinduizmin, që është bazë edhe për fe të tjera politeiste aziatike. Pa to nuk mund të kuptoja zhvillimet indiane. Në vëllimin e parë të librit tim ka rreth 30 faqe për historinë e hinduizmit, budizmit, xhainizmit, sikizmit dhe feve të tjera aziatike. Po ashtu, tashti që po shkruaj një libër për antisemitizmin, më është dashur të shfletoj, të lexoj dhe të mësoj shumë edhe për historinë e feve monoteiste të Palestinës: judaizmin, krishterimin dhe myslimanizmin, sepse pa to nuk mund të kuptohet antisemitizmi.  Për këto fe në librin tim ka rreth 50 faqe, që zënë rreth njëzet për qind të librit. Kështu që, për mua, njohuritë për fetë dhe për historinë e zhvillimit të tyre ishin të nevojshme dhe në punimet e mia ato janë trajtuar si kulturë e jo si besime. Por, a i duhet një nxënësi, që nesër mund të punojë në një fushë çfarëdo, të mësojë në shkollë si lëndë të veçantë historinë e feve? Koha e mësimit të nxënësit në shkollë është e kufizuar dhe ai arrin  të marrë aty një pjesë të diturive që do të mund t’i duhen, të tjerat ai i mëson jashtë shkollës, gjatë jetës. Të fusësh historinë e feve si lëndë mësimore të veçantë disa orë në shkolla, do të thotë të heqësh disa orë nga lëndë të tjera.

Specialistët e arsimit mblidhen, diskutojnë dhe vendosin se cilat lëndë janë më të rëndësishme dhe më të duhura dhe i vendosin ato në programet mësimore shkollore duke i dhënë secilës kohën e mundshme. Por, ç’ndodh? Del një specialist më i madh dhe u thotë specialistëve të Ministrisë së Arsimit: “Bëni këto ndryshime, vini edhe këto lëndë, se unë kam nevojë të bëj ca qoka!”. Kështu, i hipën në kokë kryeministrit të kohës, Sali Berishës, dhe kërkon të futet gjuha kineze në programet e shkollave; i hipën në kokë kryeministrit tjetër të kohës, Edi Ramës, dhe kërkon të futet në programet e shkollave mësimi i shahut; më pas, m 21 dhjetor, 2015, po Edi Rama, lidh një marrëveshje në Izrael, për të futur mësime mbi Holokaustin në shkollat shqiptare; sot po këtij kryeministri i ka hipur në kokë, sepse, siç thuhet, ia kërkon Bashkimit Evropian, që në shkollat tona të fusë mësimin e historisë së feve dhe Ministria e Arsimit e mbështet plotësisht atë. Bashkimi Evropian i paska kërkuar 12-13 shteteve, që të fusin mësimin e historisë së feve në programet e shkollave të tyre. Por, përse vallë, ndërmjet shumë vendeve që përbëjnë  Bashkimin Evropian, duhet përfshirë edhe Shqipëria, që nuk është as anëtare e atij Bashkimi dhe, në sajë edhe të injorancës fetare, shqiptarët nuk kanë edhe probleme ndërfetare të mprehta siç kanë shumë popuj të tjerë, madje edhe nga ata të Bashkimit Evropian? Tek ne, sa më pak të flitet për fetë, aq më mirë është.

Disa, në rrethet e afërta të Kryeministrit, dhe disa të tjerë, që e mbajnë veten për fetarë, e pritën me entuziazëm urdhrin e kryeministrit për mësimin e historisë së feve në shkolla, sepse, siç përsërisin ata argumentet e Kryeministrit, njohuritë që do të marrë shqiptari në shkollë për historinë e feve do t’i zbusë ata dhe do t’i bëjë që të luftojnë ekstremizmin fetar. Vërtet një absurditet! Feja në vetvete është ekstremiste ndaj të ndryshmit dhe ekstremizmi i saj shfaqet më shumë në vendet dhe regjimet shumë fetare dhe jo në ato pak fetare apo laike si Shqipëria. Tek ne, ata që e mbajnë veten për fetarë, dinë fare pak nga feja e tyre, ata dinë vetëm disa rite dhe zakone, ndërsa për filozofinë e fesë, apo për fe të tjera, ose nuk dinë gjë, ose ato që thonë se dinë, i dinë gabim, Shumica e tyre nuk kanë lexuar kurrë në jetën e tyre libra që të kenë pasur lidhje me fenë, megjithatë, duke shpallur fenë si të rëndësishme, mendojnë se duken modernistë, perëndimorë, madje edhe antikomunistë! Një herë, kur po udhëtonim me makinën e punës, i pamë shoferit tonë, që nuk kishte lexuar kurrë në jetën e tij ndonjë libër, të mbante pranë Kuranin. E pyetëm: “Festim, ke filluar të lexosh Kuranin, ë?” “Kurani – na tha Festimi – nuk lexohet, ai mbahet”. Ky është “fetari” ynë. Ai e mban fenë për hajmali dhe jo për moral. Dhe pastaj, ç’është historia e feve? Historia e feve është urrejtja dhe lufta e njeriut kundër të ndryshmit të tij dhe, për të mos u zgjatur shumë, le të kujtojmë gjatë shekujve urrejtjen dhe luftërat fetare të judaistëve kundër të krishterëve, të krishterëve kundër judaistëve, të paganëve kundër të krishterëve, të krishterëve kundër paganëve, të  krishterëve kundër myslimanëve, të myslimanëve kundër të krishterëve, të hinduve kundër myslimanëve, të myslimanëve kundër hinduve, të myslimanëve kundër njëri-tjetrit etj., etj. Njihet vetëm një periudhë në histori e bashkëjetesës së qetë midis komuniteteve judaiste dhe myslimane në Spanjë, në mesjetë, por ky është një përjashtim.

Thonë se feja të mëson moral. Është e vërtetë që feja të mëson njëfarë morali, por morali që të mëson feja është i lidhur me frikën nga Zoti. Një moral më të mirë të mësojnë laikët, të cilët moralin nuk e bazojnë te frika nga Zoti, por te ndërgjegjja:  “Ti nuk duhet të bësh diçka, sepse ajo është e dëmshme për ty dhe për shoqërinë”, ose “Ti duhet të bësh diçka, sepse ajo është e mirë për ty dhe për shoqërinë”. Megjithatë, edhe pse koha kalon dhe njeriu zhvillohet, edhe pse jemi në shekullin e njëzetenjëtë, një pjesë e njerëzimit ka mbetur me mentalitetin e 2000 vjetëve më parë dhe për të morali nuk mund të futet ndryshe, përveçse përmes fesë, nga frika e Zotit, kështu që, feja, me gjithë të metat që ka, duam apo nuk duam, mbetet dhe do të vazhdojë të mbetet e rëndësishme.

Strategjia, përcaktimi i prioriteteve që duhet të ketë shkolla, për sa i përket disiplinave dhe volumit të tyre, është nga punët më të rëndësishme dhe më me përgjegjësi të Ministrisë së Arsimit, por me ç’duket ajo ministri nuk ka as autoritet dhe as ndonjë strategji të qartë dhe të vendosur. Dhe kjo është më shqetësuese, sesa vënia apo jo e lëndës së historisë së feve në programet e shkollave, nisur nga dyshimi se cenohet laiciteti i shkollës. Ne ndikohemi nga nevoja, ngjarje apo influenca të çastit për të bërë ndryshime të menjëhershme dhe radikale në politikat tona arsimore, sidomos kur ato ndryshime i kërkon ai që ka pushtetin dhe ai di se në atë mënyrë u bëhet qejfi të huajve. Ministri i Arsimit shqiptar i viteve 30, një njeri plot personalitet, dinjitet dhe profesionalizëm, Mirash Ivanaj, bëri një ndryshim, apo një reformë të sistemit tonë shkollor, pa pyetur nëse u bëhej apo u prishej qejfi shteteve me të cilat Shqipëria kishte lidhje në atë kohë, reformë që edhe sot njihet si “Reforma Ivanaj”, sipas së cilës të gjitha shkollat u shtetëzuan, u unifikuan dhe u shqiptarizuan. Në reformën e tij as që i doli fare emri Mbretit Zog. Kurse sot tek ne, ministri i Arsimit, së bashku me specialistët e tij janë krejt formalë. Politikën e arsimit e bëjnë të tjerët.

Nëse duhet futur apo jo mësimi i historisë së fesë në shkollat tona, nuk mund të përcaktohet nga opinione të njerëzve si puna ime, por as nga ai i Kryeministri të vendit, cilido qoftë ai. Kjo gjë kërkon studime serioze nga specialistët e arsimit, në qoftë se kanë mbetur specialistë të tillë dhe në qoftë se janë të pavarur, qoftë nga politika a qoftë nga feja. Në qoftë se pushtetari futet në sferat e specialistëve, jo duke sugjeruar, por duke diktuar, ai kthehet në diktator.

 

Prill, 2016, Nju Jork

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Hashorva, Kur pushtetarët, mënjanojnë specialistët

Zyrtarë të lartë nga Gjermania e Franca vizitë dyditore në Kosovë

April 21, 2016 by dgreca

-Në takime vizitorët gjermano-francez do të diskutojnë me partnerët e tyre kosovar çështje politike rajonale dhe evropiane/

 PRISHTINË, 21 Prill 2016/ Ministri gjerman i Shtetit për Evropë Michael Roth bashkë me kolegun e tij francez, Sekretarin e Shtetit për Ҫështje të Evropës Harlem Désir, vizitojnë për herë të parë Kosovën sot dhe nesër.

 Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë në njoftimin e dërguar thekson se, gjatë vizitës së përbashkët MiSh Roth dhe SSh Désir do të zhvillojnë takime me politikanë të ndryshëm kosovar. Këtu bëjnë pjesë Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Isa Mustafa dhe Ministri i Integrimeve Europiane Bekim Ҫollaku, si dhe Ministri i Jashtëm në Detyrë Petrit Selimi dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme Enver Hoxhaj.

Në takime vizitorët gjermano-francez do të diskutojnë me partnerët e tyre kosovar çështje politike rajonale dhe evropiane.

Përveç kësaj, MiSh Roth dhe SSh Désir gjatë vizitës do të kenë mundësinë të shkëmbehen me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të diskutojnë me kosovarët e rinj. Nga nëntori i vitit 2013, Michael Roth është Ministër i Shtetit për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Si Ministër i Shtetit është nga bashkëpuntorët më të lartë në Minsitrinë e Punëve të Jashtme dhe mbështet Ministrin Federal të Punëve të Jashtme Frank-Walter Steinmeier në detyrat e tij qeveritare. Nga viti 2014, MiSh Roth është i ngarkuari i qeverisë federale për bashkëpunimin gjermano-francez.

Të premtën, më 22 prill, MiSh Roth, SiSH Désir dhe Ministri i Integrimeve Europiane Ҫollaku, pas takimit të përbashkët, do të mbajnë një konferencë për shtyp/b.j/

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Prishtina

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, ne Kosove, vizitë dyditore, Zyrtarë të lartë nga Gjermania e Franca

Integrimi në Bashkimin Evropian, vizion madhor i Kosovës

April 21, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa: Marrëveshja për Stabilizim Asociim, një prej dokumenteve më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë. Hap rrugë për një proces të reformave thelbësore në Kosovë/

PRISHTINË, 21 Prill 2016-B.Jashari/Kosova me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim e ka nënshkruar një prej dokumenteve më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë, vlerësoi sot kryeministri Isa Mustafa, ndërsa theksoi se, ky dokument hapë rrugë për një proces të reformave thelbësore.“Me nënshkrimin dhe ratifikimin në Kuvend të kësaj marrëveshje, Republika e Kosovës ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe këto marrëdhënie do të thonë më shumë të mira për njerëzit e Kosovës, dhe po ashtu edhe më shumë të mira për Bashkimin Evropian, si dhe më shumë stabilitet dhe integritet në këtë rajon”, u shpreh kru i qeverisë kosovare.

Mustafa tha se, me nënshkrimin e kësaj marrëveshje më 27 tetor të vitit të kaluar është  konfirmuar vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës për perspektivën e integrimit si vizion madhor i Kosovës dhe i qytetarëve të saj.“Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Ligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshje, gjë që është konstatuar edhe vullneti i përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës për rrugën tonë evropiane”, theksoi ai.Kryeministri Mustafa siguroi se, përkushtimi i qeverisë së Republikës së Kosovës është shumë i madh për zbatimin e  Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.“Do të punojmë shumë dhe dëshirojmë që në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim të jemi së bashku të gjithë, sepse në këtë formë do të arrijmë më shumë. Një fjalë popullore thotë se ‘kur njeriu ecën vetëm shkon më shpejt, por kur ec në grup, atëherë arrin më larg’, dhe ne dëshirojmë që të arrijmë më larg me këtë Marrëveshje”, u shpreh ai.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë në tryezën e rrumbullakët me temën “Si ta shndërrojmë MSA-në në një proces për reforma thelbësore në Republikën e Kosovës?’, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Në 1 prill 2016 ka nis zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor.Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është miratuar në 10 mars 2016  nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.  Në 27 tetor 2015 kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në ceremoninënë e zhvilluar, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur në 28 tetor të vitit 2013.Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës ende nga pesë vende të BE-së.Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.Në 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.Në 24 tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik  ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.

Filed Under: Kronike Tagged With: i Kosoves, Integrimi në Bashkimin Evropian, Kryeministri Mustafa, vizion madhor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT