• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Kosovë-Vizitë e Daçiç, një javë pas Vuçiçit

April 10, 2016 by dgreca

-Zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç viziton trashëgimi kulturore në Kosovë/ PRISHTINË, 10 Prill  2016-B.Jashari/ Nënkryetari i parë i qeverisë së Serbisë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, sot në Kosovë viziton “trashëgimi kulturore serbe” nën mbrojtjen UNESCO-s, Patrikanën e Pejës, Kishën e Levishkës në Prizren dhe Manastirin e Graçanicës – lokalitet afër Prishtinës.

Ministria e Jashtme e Serbisë ka dhënë njoftimin në faqen zyrtare, ku bëhet e ditur edhe se Daçiç këtë qëndrim në Kosovë do ta shfrytëzojë si rast për të biseduar me klerin serb.

Daçiç është lider i Partisë Socialiste të Serbisë dhe është numri dy i qeverisë së kryeministrit Aleksandar Vuçiç, i cili para një jave, në 3 prill, në vizitën në veri të Kosovës mori pjesë edhe  në një tubim në Zubin Potok të partisë së tij – Partisë Progresiste Serbe, para zgjedhjeve të 24 prillit në Serbi, për parlamentin e së cilës mund të votojnë edhe serbët kosovarë.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, të vitit 2014, misioni i OSBE-së në Kosovë, për nevojat e operacionit të mbledhjes së votave pat hapur 10 qendra në mjediset me shumicë serbe, në mënyrë që t’u mundësonte votimin e serbëve kosovarë me nënshtetësi të dyfishtë.

Gjatë vizitës  në Kosovë kryeministri serb nuk pati takim me homologun kosovar dhe nuk ka ndonjë parlajmërim takimi të ministrit të Jashtëm serb me ministrin e Jashtëm kosovar.

Ndërsa, në dialogun në nivel të lartë kryeministror Kosovë-Serbi, në Bruksel, janë zhvilluar 30 raunde, së fundi në 27 janar 2016, prej tyre 7 të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç. Takimet e krerëve të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

 Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012.

Filed Under: Komente Tagged With: edhe Daçiç, Pas Vuçiçit, viziton Kosoven

Për kë votoi Edi Rama?!

April 10, 2016 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Po Edi Rama për kë votoi? Qe kjo një pyetje që më bëri të nënqesh. Më erdhi ashtu papritur. Ndërkohë po kërkoja në internet epokën e luftës politike midis treshes amerikane Barak Obama, Xho Bajden dhe Hillari Klinton. Koha e fushatës së kandidatëve brenda demokratëve. Nga republikanët dukej sheshit që Xhon Mekej kishte shance të mëdha. Dhe shumë shpejt do ishte kandidati i vetëm i tyre. Ndërsa demokratët akoma po luftonin ashpër. Po sulmonin keqas njëri-tjetrin. Këta ishin ata që përmenda më sipër…, Obama, Bajden, Klinton. Këtu e nëntë vite më parë. Atëhere se si më dukej politika e këtij vendi. Si teatër. Si një lojë e përkryer ku drama luhej faqe njerëzimit. Pas atyre që thoshin këta aktorë për  njëri-tjetrin, dukej sikur nuk kishin për ta përfunduar kurrë bashkë atë shfaqje teatrale. Mirëpo ndodhi e kundërta. Si Klinton dhe bajden i hapën rrugën Obamës dhe u kërkuan zgjedhësve të votonin për ‘të. Ky qe pragu i konturimit të rivalitet të ardhshëm elektoral midis Obamës dhe Xhon Mekejt. Midis republikanëve dhe demokratëve. Tashmë dihet, atë betejë e fitoi Obama.  Për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë ai ftoi pikërisht dy ish kundërshtarët e tij në parti. Dhe ai që ishte në tavolinën e nderit në darkën e inagurimit qe po rivali presidencial Xhon Mekej.

Të gjitha këto më kishin futur në botën e kërkimeve për shkak se Kryeministri im sapo ishte përgojuar në Associated Press, një bashkësi gazetarësh me seli në New York. Quante rrezik të madh fenomenin Donald Trump për marrëdhëniet e Shqipërisë sime me Amerikën.

Në memorien time dilnin fytyrat e rivalëve të mësipërm. Dhe natyrisht pamja e Edi Ramës më bëhej naive. Më dhimbseshin dhe ato këshilltarë qeveritarësh…, që edhe pse kanë një barrë edukimi në supe prapë nuk mund të dalin dot para njëshit të sojit shqiptar. Ai i di të gjitha.

Tani që t’i shpjegosh Edi Ramës se raportet e presidentit amerikan me Kuvendin. Apo raportet e Shtëpisë së Bardhë me Kushtetutën e vendit. Se si rregullohen dhe administrohen…, është të një gjë e pakonceptueshme për kaplloqet e politikës shqiptare. Kështu që nuk ia vlen as të t’i kujtosh se sa rrezik është në të vërtetë Donald Trump për amerikën dhe qytetarët e saj.

Por po ua them shqiptarëve me dy a tri rreshta. Donald Trump është një produkt sfidues i qytetarëve të lodhur me premtimet e politikës. Një njëri që vjen nga biznesi dhe fal kulturës së demokracisë amerikane ka mundësinë të konkurojë mes një grupi kanditatësh politikë me përvojë. Në Shqipërinë e Edi Ramës një rast të tillë kanuni politik të nxjerr nga dera e mbrapme. Dhe me ceremoni degjenerimi. Mirëpo Kryeministri ynë duke menduar se di gjuhë të huaja, di edhe poltikën, kulturën dhe demokracinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tani që t’i përgjigjem pyetjes së atij njeriu, që më largoi nga këto meditime. Se për kë votoi Edi Rama …, mjafton t’i përmend një mesazh tjetër. Ai më erdhi nga një qytet jugor i Shqipërisë…

Nga 1777 pjesëmarrës, vetëm 27 votuan kundër referendumit. I bie 1750, pro. Ose 99. 08%

pro fortlumturisë së tij Edi Rama.

Për kë votoi atëhere vet Edi Rama? Për askënd. As për veten e tij. Vetëm se kur u fut aty, në kthinën e krimit, pështyu fletën, e shau…, çfarë nuk i tha. Se ua dhjeva të gjithëve. Por të parit ty o Blush.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Për kë votoi Edi Rama?!

VATRA si m’u duk

April 10, 2016 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/NEW YORK/

Aty mund të “takosh ” Portrete historike që koha nuk i fshiu, as distancat e largëta që na ndanë, foto historike që flasin sa një mijë fjalë dhe fjalë që mbartin larminë informative të qindra fotove edhe pse bardhë e zi. Aty mund të kuptosh se cfarë ishte dhe është transparenca,dallon  se si ato kontribute që shqiptarët e Amerikës ia dërgonin vendit amë publikohen në mënyrë të detajuar jo si reklamë por si mirnjohje, jo si mburrje por si detyrim që vjen natyrshëm nxitur nga atdhedashuria.Aty mund te ndjesh se si shkruhet dhe ruhet historia edhe pse permes debatesh .

Për herë të parë Vatrën e vizitova me artisten e madhe shqiptare Tinka Kurti e m’u duk sikur po asistoja në ndonje nga rolet e saj gjigande ende te painterpretuara,ekluzive,sidomos kur ajo i afrohet botimit me foton e Nanë Terezës dhe reciton vargje që i kishte shkruar për të në vitin 1997.Në fakt nuk ishin thjesht vargje por tingellonin si lutje që artikuluar prej Artistes se Popullit Tinka Kurti mbartin fuqi të jashtëzakonshme (sa keq që nuk asistuam me kamerat e Albanian Culture TV një moment si ky). U perlot, na perloti…sic vetem artistet dijne.

Portretet historike qe duket sikur te urojne mirseardhjen ne Vater  e që për mua janë aq të dashur edhe nga pikpamja letrare; Konica dhe Noli, më flasin shumë mbi dualitetet tona historike shpesh konfliktuale për shkak të moskuptimit apo mospranimit të pluralizmit të ideve.Ata janë në dy këndet e sallës modeste të sistemuara si dy kreret e simbolit tone mbi flamur dhe pasaporta per te cilin te huajt pyesin jo pa kureshtje, mirmbajtur shkelqyer dhe që prezantohen në mënyrë të palodhur nga editorialisti i Diellit dhe ciceroni (nëse mund ta quaj kështu) i këtij muzeumi të improvizuar shqiptar tashmë, Zotit Dalip Greca, mu në New Yorkun gjigand. Me sytë e fiksuar pas Konicës nëpër mendim më vijnë aktet e tij aq qytetare e pro shqiptare, personazhet delikatë e kualitativë që ndesheshin me realitetin e egër synatë që mbillte politika e padrejtë për të asfiksuar të drejtën, të bukurën, të moralshmen. “Unë doja të zbusja shkëmbin…” një mision i pamundur zulluland…

E pamundur ti ikësh asaj cka izolimi nuk na la të dijmë rreth këtyre shqiptarëve të mëdhenj që i bëjnë nder gjithkujt.Ata e njohën aq mirë Shqipërinë dhe shqiptarët, e bënë aq të njohur atë në botën gjigande, shkruajtën për të, kontribuan letersise,politikes diplomacise , u zhgënjyen, nuk e harruan kurrë Shqiperine edhe kur ajo i mohoi sepse ndërtuan Shqipërinë tjetër, atë që e pagëzuan 104- vjet më parë me emrin Vatra. E ruajtën Shqipërinë edhe kur asaj i bënte roje kufiri me gjëmba, e deshën Shqipërinë edhe kur ajo dhunohej nga diktatura, e mbrojtën atë kur lakmitë e gërryejtën, e sollën deri në ditët tona me libra e shkrime, ngjarje e veprime që meritojnë mirënjohje dhe nderim. Sa debitore është letërsia shqipe ndaj të madhit Faik Konica duke ia mohuar kryevendin në piramidën e letërsisë shqiptare dhe historisë së saj të realizmit socialist aspak realist.Sa debitor eshte shteti shqiptar ndaj atyre qindra persekutimesh te padrejta qe mbartin fisniket qe lane Shqiperine por historite e tyre shkruhen e ruhen ne Vater. Aty kupton se historia është plurale, ajo flet përmes të shkuarës dhe të tashmes duke tentuar të nesërmen. Ajo nuk mund të jetë kurrsesi pronë e partive apo mllefeve personale. Vatra ne syte e mi është një copëz e vogël Shqipërie që e duan njerëzit e mëdhenj, të thjeshtët dhe të zakonshmit por që e lartësojnë veprat e mira, ato që xhelozitë dhe smirat, tinëzitë dhe babëzitë nuk i arrijnë dot.

Muret e vatrës janë histori, plot me shkrime, ngjarje, personazhe që historia jonë e shkruar njëanshmërisht, e diktuar nga miopizmi diktatorial nuk na i mësoi kurrë. Mjediset e Vatrës mbartin plot ndodhi, promovime e ngjarje te thjeshta e madhore që e mbajnë atë në jetë.Nëpër bisedat tona me zotin Greca kemi përsëritur se nxënësit që mësojnë shqip në SHBA pse jo edhe në Shqipëtari  kanë rastin më të mirë që ekskursionet studimore ti kryejnë në Vatër. ”Është si teqe”, -shprehet Greca, në kuptimin se aty qoftë edhe duke e vizituar ndjen një lloj qetësimi që të sjell takimi me etërit e Kombit tonë, ata që e lindën e që ndofta mund ta rilindin sërishmi Kombin dhe vetveten duke mos ia asfiksuar historinë. Në librin me përshtypje të vatrës janë plot emra që hyjnë e dalin, kontributorë dhe dashamirës, kritikë dhe nihilistë, indiferentë dhe nga ata që kanë dhënë mjaft nga djersa dhe mundi i tyre sepse Vatra është një copë atdhe diku në Amerikën e largët, ku flitet shqip, festohet shqip, debatohet shqip ëndërrohet shqip.

Filed Under: ESSE Tagged With: Marjana Bulku, si m'u duk, Vatra

RREZIK PËR MARRËDHËNIET SHQIPTARO-AMERIKANE?!

April 10, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte kjo një deklaratë sa bombastike aq edhe e papërgjegjëshme nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga udhëheqsi i një vendi siç është Shqipëria, e cila historikisht, por sidomos në këto 25 vitet e fundit, ka gëzuar marrëdhënje të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara.  Dhe për çka?  Duket se Zoti Rama është futur në “pyllë pa kmesë” ndërsa iu përgjigj pyetjeve hipotetike mbi mundësinë e fitores së kandidatit republikan amerikan, Donald Trump, gjatë një interviste në televizionin Klan- Kosova.   Fitorja e kandidatit republikan për president Trump, deklaroi Kryeministri shqiptar, do të ishte një kërcënim ndaj vendit të tij dhe ndaj marrëdhënieve bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Sipas agjencive të lajmeve Rama u citua të jetë deklaruar, jo vetëm si Edi Rama, por si Kryeministër i Shqipërisë dhe si i tillë ai u shpreh në emër të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve se, “Donald Trump do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe pa dyshim është një kërcënim real edhe për marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”.  Megjith peshën e rëndë të këtij prononcimi, Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim dhe  asnjë fakt për të jutsifikuar deklaratën e tij se pse zgjedhja e mundëshme e Donald Trump do të kërcënonte marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.  Edhe unë si shumë amerikanë i kam mendimet dhe rezervimet e mia serioze për Donald Trump.  Prandaj për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet e Edi Ramës për Donald Trumpin, por ka rëndësi fakti që ai e lidhë Trumpin me marrëdhënjet shqiptaro-amerikane dhe me pasojat që mund të ketë fitorja e tij mbi marrëdhënjet dy-palëshe.

       Janë shumë gjëra që mund të thuhen e të shkruhen për këtë deklaratë të papërgjegjshme nga një udhëheqës qeveritar dhe njeriu nuk di se ku t’ia fillojë. Por si fillim: Le ta marrim me mendë për një minutë se Donald Trump zgjidhet president i Amerikës, çdo bëjë Kryeministri Rama me 20 janar, 2017, ditën e inuagurimit të presidentit të ri?  A do të njoftojë ai prerjen e menjëhershme të marrëdhënieve midis Tiranës dhe Washingtonit, në mënyrë të njëanshme?  Çfarë do bëjë? A do të mbyllë menjëherë ambasadën amerikane në Tiranë dhe të përjashtojë gjithë personelin diplomatik amerikan nga Shqipëria?  Janë pyetje për të cilat shoqëria dhe media shqiptare duhet të kërkojnë përgjigje prej kryeqeveritarit të zgjedhur me vota e tyre, për të ardhmen e marrëdhënieve të vendit me vendin që sot konsiderohet si kryealeati dhe mbështetsi të drejtave të shqiptarëve.

    Për ndryshe pse bën një kërcënim të tillë publik Edi Rama? Është e pabesueshme që ai të dëshirojë me të vërtetë prishjen e marrëdhënieve, por nga ana tjetër është një deklaratë aq e papërgjegjshme sa të bën të mendosh. Me sa kam ndjekur fushatën për zgjedhjet paraprake këtu në Amerikë, nuk më kujtohet që Donald Trump të ketë përmendur ndonjë herë Shqipërinë ose shqiptarët as për mirë as për keq – prandaj lindë pyetja se çka e shtyri, çka e motivoi Edi Ramën të bënte një deklaratë të tillë, madje me vendosmëri, “e kam thënë e do ta them” nënvijoi ai, deklaratë e cila është shumë vështirë të tërhiqet tani.

Deklarata e Zotit Rama ishte krejtësisht a paprovokur.  Në çdo vend tjetër normal të botës, sidomos në vigjiljen e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, diplomatët dhe eskpertët do kalonin këtë fund jave duke u përpjekur të bënin atë që njihet si “damage control” ndaj kësaj deklarate të papërgjegjëshme të një kryeministri, si masë të parë dhe ndër të tjera, duke ftuar ambasadorin amerikan në Tiranë për t’i shpjeguar se në të vërtetë, “ajo që donte të thonte Kryeministri mbi marrëdhëniet amerikano-shqiptare është  kjo dhe jo ajo..…se marrëdhënjet tona janë të forta pa marrë parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë….” e të tjera.   Sepse ndryshe nga ambasadat shqiptare nepër botë, ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk përfaqson asnjë individ të veçantë ose një parti politike, por mbarë popullin dhe qeverinë amerikane, (përfshirë edhe Donald Trump) pa marrë parasyshë dallimet politike dhe partiake. 

Është në rregull, por a pakëshillueshme për një Kryeministër shqiptar që me komentet e tija si individ i lirë të përzihej drejtë për drejtë në fushatën politike amerikane, në mbështetje ose kundër një kandidati të cilës do qoftë parti, kjo është e drejtë e tij si dhe e gjithë neve.  Por ajo që tërhoqi vëmendjen dhe pyetja që i duhet drejtuar Zotit Rama është: po me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ç’pate, Zoti Kryeministër?  Çfarë kanë të bëjnë ato me Donald Trump?

     Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, i nderuar Zoti Kryeministër, nuk varen nga një person as nuk prishen prej një personi, as nuk kultivohen e as nuk përparojnë nga një parti, as duke u bazuar në ideologji ose në pikëpamjet e një udhëheqsi të caktuar.  Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe me çdo vend tjetër, si marrëdhënie popull me popull — midis dy popujve të lirë, jo midis udhëheqsish në kohë të caktuara as midis partishë politike për interesat e tyre ideologjike afat shkurtë e sy qorrë.  

Në të vërtetë, deklarata e Kryeminsitrit Rama mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane është edhe një shuplakë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin pritet ta vizitojë këtë javë.   Them shuplakë ndaj këtij komuniteti, i cili për një shekull punoi rëndë dhe me gjithë zemër për ruajtjen dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve midis dy popujve, të cilat kohët e fundit shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së tyre.  Sepse historia e komunitetit shqiptaro-amerikan është në të vërtetë historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej kohës së Fan Nolit dhe Faik Konicës.   Atëherë, si edhe sot – diaspora shqiptare në Amerikë madje edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri — ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.  Diaspora shqiptare në Amerikë, të cilët mund të jenë demokratë ose republikanë, historikisht janë përpjekur të sigurojnë së bashku mbështetjen e përfaqsuesve të këtyre dy partive në mbështetje të kauzave të shqiptarëve. Në këtë pikëpamje komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë i bashkuar. Deklarata e Ramës mund të prishë këtë ekuilibër që ka mbajtur komuniteti midis republikanëve dhe demokratëve.   Përballë deklaratës së tij, lindë pyetja nëse udhëheqsi i sotëm i Shqipërisë Edi Rama i konsideron këto marrëdhënje si të tilla — me ose pa Trumpin — ose cilindo tjetër kandidat në Shtëpinë e Bardhë? A po ndoshta preferon një parti kundrejtë një tjetre. Gabim më të madh nuk do të kishte për mirëvajtjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare.  Është kjo në përçarje që do të kishte pasoja serioze për dy vendet. Prandaj duhet të ketë vëmendje ndaj deklaratave të tilla nga një udhëheqës shteti.

Edi Rama nuk është as i pari as i mbrami, i cili si individ ose si udhëheqës i një qeverie, kritikon Donald Trump, pasi Trump duhet të kritikohet për shumë qëndrime të tia.  Por deri më tani nuk kam parë ndonjë kërcënim si të Edi Ramës, nga ndonjë udhëheqës tjetër botëror megjith kritikat e shumta që të jetë shprehur ashtu siç u shpreh në Prishtinë Kryeministri shqiptar I cili u shpreh se fitorja e një kandidati për president të Shteteve të Bashkuara, në këtë rast Donald Trump, do të sillte pasoja të këqia dhe prishjen e marrëdhënieve.  Madje as udhëheqsit meksikanë, të cilët ndër të tjerë kanë kritikuar  më ashpër se askush duke hedhur poshtë politikat dhe qëndrimet e kandidatit Trump karshi vendit të tyre, sidomos në lidhje me propozimin e tij për ndërtimin e një muri midis dy vendeve për të ndaluar imigracionin illegal. Madje as ata nuk kanë kërcënuar prishjen e marrëdhënieve me Amerikën në rast të fitores së Trump, që tani duket gjithnjë e më e pamundur, megjithëse këtyre gjërave nuk u dihet.

Prandaj, Kryeministri Rama do bënte mirë të mësonte diçka nga më të mirët udhëheqës botërorë në lidhje me këtë bisedë.  Në një intervistë me gazetën Huffington Post, Kryeministri i ri i Kanadasë, Justin Trudeau u shpreh se megjithë ndryshimet e mëdha politike që ai ka me Donald Trump, nëqoftse është e nevojshme ai do të gjëjë mënyrat për të punuar me të, nëqoftse zgjidhet.  Nuk është kjo hera e parë, shtoi ai, që ideologjia e presidentëve amerikanë dhe kryeministrave kanadezë, në të kaluarën, të mos ketë qenë gjithmonë në përputhje me njëra tjetrën, por megjith këtë, midis dy vendeve janë zhvilluar marrëdhënje konstruktive dhe pozitive.   Megjithë kundërshtimet e tija me politikat e Trumpit, udhëheqsi kanadez gjatë intervistës me Huffington Post as nuk kritikoi Trumpin as nuk kërcënoi prishjen e marrëdhënieve midis Otavasë dhe Washingtonit, nëqoftse fiton Trump.  Kryeministri i Kanadasë shtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë tepër të rëndësishme për tu marrë me individ, por se njëkohsisht ai është duke ndjekur nga afër këtë moment tepër të rëndësishëm, “në demokracinë më të madhe të botës”, u shpreh udhëheqsi kanadez.

Edhe ti Zoti Rama mos u shqetso aspak, por të keshë besim dhe bindje se populli amerikan, si gjithmonë gjatë historisë, në fund të këtij procesi politik, do të dijë se cilin kandidat të zgjedhë për ta udhëhequr atë për katër vitet e ardhëshëm.  Dhe njëkohsisht uroj që gjatë vizitës këtë javë në Shtetet e Bashkuara të bindeni dhe të zotoheni Zoti Rama – pa marrë parasyshë se cili nga kandidatët nga cilado parti politike qoftë, do të votohet me shumicë nga populli amerikan nëntorin që vjen – se marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan do të konsiderohen nga ju si tepër të rëndësishme për tu marrë me paragjykime ndaj kandidatëve të veçantë.  Uroj gjithashtu që në fund të vizitës suaj në Shtetet e Bashkuara të largoheni nga ky vend, i bindur se marrëdhëniet e kombit shqiptar me Washingtonin, sidomos në këtë periudhë kritike, mbeten të pazëvëndsueshme dhe në interesin afat shkurtë dhe afat gjatë për shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.  Uroj Zoti Kryeministër që në fund të vizitës të largoheni gjithashtu – me besimin tek votuesit amerikanë, se më në fund, ata do të jenë të aftë të votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe që  kur të këthehesh në Shqipëri të sigurosh bashkombasit tu se vendimi i votës së lirë të amerikanëve, nuk do të ketë kurrfarë pasojash për marrëdhëniet amerikano-shqiptare megjithë deklaratën tuaj të papërgjegjëshme, për të kundërtën, në Prishtinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, PËR MARRËDHËNIET, RREZIK, shqiptaro-amerikane

ABDULLA MANOPULLI – NJË SHPIRT ARTISTI

April 9, 2016 by dgreca

…. Ish prokurorë të përgjithshëm, ish kryetarë të gjykatës së lartë, ish kryetarë të gjykatës ushtarake, ish togerë-komandantë të togës së pushkatimit, të burgosur politikë – mjeshtër të mëdhenj, kandidatë të përsosur të titullit Nder i Kombit, Artistë të Popullit, Mësues të Popullit, Heronj të Popullit, H… lëre më mirë se e zgjata shumë listën. Të dëgjosh ata, or mik është ç’është, llogje Kavaje, ta them unë, Dulla. Se s’ta kam me hile! Janë të gjitha histori më vete. M’u faneps dhe po ta tregoj ty, po vetëm ty ama, se ç’bën ti më tej unë s’mbaj përgjegjësi. Po doli fjala nga mëhalla, e mori vesh tërë mëhalla…./

Ese nga Xhevair Lleshi/

Papritur u takuam në rrugë. Fytyrë e fisme, e mbushur plot energji të mprehtë, brenda natyrës së tij të qeshur dhe ironike, i dashur me të gjithë, edhe kur tregon për vizitat në Tomor dhe ndenjjet e tij të gjata në ish-turizmin e Beratit. Po kësaj radhe më duket se donte të më tregonte diçka krejt të veçantë. «Xhev, – më tha, – e dëgjove sot në mëngjes emisionin e Bashkim Hoxhës në News 24? Jo? Ou, paske humbur shansin e madh!…» «Pse?» «Isha unë, – shtoi, – dhe fola pak si gjatë. Provova ca emocione që s’i kisha ndjerë më parë. Domethënë thashë diçka të bukur, të organizuar mirë dhe të figurshme. Se ti e di që unë edhe flas me figura. Natyrisht kur jam i mbushur plot.» «E si ndodhi kjo?» – e pyeta gjakftohtë. «Ja, sikur po flasim të dy. Ti merre një kafe me mua, se unë do mbaj një gotë raki, sa për neps, se e kam araret, të shkretën, por të betohem kurrë nuk pi më shumë se një gotë. Se edhe raki të mirë nuk gjen dot… Po, i fola Bashkimit, sidozot flas me ty, për grupet e gjakut, grupet e njerëzve dhe për rezusin. I jashtëzakonshëm, do thuash ti, e di, mirëpo edhe Bashkimi i tillë u tregua, nuk ma preu fjalën, më dëgjoi, domethënë më dëgjuan edhe të tjerët… Eh, kemi folur bashkë në nëntëdhjetën sa jemi ngopur, si kemi dashur, kemi qenë në pararojë të fjalëve ne, s’përmbaheshim. Do ti që duke folur ti, m’u kujtove që s’kishe fre në fjalët që thoshe po varda, jepi. Ja, të betohem si atë kohë m’u duk vetja. Po ç’i thashë Bashkimit? Thjesht, ashtu si di unë. A nuk janë katër grupet e gjakut? Po. Grupi 0, grupi A, grupi B dhe grupi AB. Në grupin 0, nënvizova, bëjnë pjesë 40 % e njerëzve, edhe në grupin A po aq, kurse në grupin B të themi 12-14% e njerëzve. Mbetet kështu më i vogli, grupi AB, një kombinim i shkëlqyer. Lëre, nuk u zgjata dhe aq sa me ty, i rashë shkurt, se Bashkimi nuk të lë më shumë se 2 minuta, ta pret, por si duket i pëlqeva. Ku do dilja, thua? Ja, aty ku më dhembte mua, te grupet sociale të njerëzve. Qëndrova pak për të nënvizuar karakteret dhe temperamentet e njerëzve sipas grupeve të gjakut, por ama nënvizova se 80% e njerëzimit janë grupit 0 dhe A, kurse të tjerët, ata të grupit B dhe të grupit AB janë të veçantë. Po, po, të veçantë, as mos e çoni nëpër mend ndryshe. Dhe në mënyrë të veçantë  grupi AB, domethënë intelektualët e çmuar, politikanët e mëdhenj, shkencëtarët e njohur, poetë, aktorë, biznesmenë Vip, njerëz që bëjnë diferencën. Kjo ndarje më sjell ndërmend një shaka të hidhur që kam bërë dikur. Ishim në spital dhe duhej gjak i grupit A. U thashë atyre të partisë të shkonin në Kombinatin e Tekstileve, se atje ishin njerëz të zakonshëm, tekstilistet tona të bukura dhe aq të mira, që 99,99 % kishin grupin e gjakut A. Por jo, se mos venin dhe i kërkonin gjak drejtorit, se ai, helbete ishte drejtor dhe nuk ishte në një grup me ta, por duhej të ishte i grupit B, me siguri.  Ata më thanë se ishin afër Uznovës dhe mund të shkonin në fermë. Jo, u thashë me zë të lartë, lëreni fermën dhe kooperativën, ata janë të grupit 0. Ja, kështu. Më pas m’u mpi goja nga një therje e fortë, që e ndjeva instinktivisht. Kujtova se do të më vinin në trekëmbësh, por shpëtova paq. Ndoshta ngaqë ishte grupi i gjakut që mund të prishte mendjen… Shaka me zarar, miku im. Por ta ngas llafin me Bashkimin. Serioz dhe me fjali të shkurtra hyra në thelbin e asaj që doja të thosha. Deputetët, or mik, i kemi në grupin e gjakut B, sigurisht. Gjen ndonjë kokërr prej tyre që shkon te grupi AB, nuk them, por kryesisht janë B. Këta i zë 12-14 % i popullsisë. Mirëpo edhe deri këtu jemi dhe s’jemi në rregull. Se mos fusni biznesin e vogël tek 40 % i Zeros dhe i A-së. As tatimorët e zakonshëm, jo, madje edhe kongresmenët e të gjitha ngjyrave këtu hyjnë, kurse doganierët ndryshon puna, këta nuk i lë dot jashtë B-së. Të gjithë, nga drejtori, apo drejtoresha e poshtë. Ministrat dhe krerët e lartë të ministrive hyjnë tek B-ja, por me diferencime, jo të gjithë. Ka ca prej tyre që mund t’i futësh pa frikë te grupi AB. Gjaku i atyre të AB është blu, gjak mbretëror. 6-8 %. S’ka më mirë. Gjak që s’merr infeksion. Special. Ishkryeministra, kryeministra, zëvendësat e tyre, megjithëse këtu kemi ndonjë mos-dakordësí, le ta themi hapur, ndonjë ministër, sidomos kur është fjala për ata që ia dinë kimetin postit që kanë, presidentë dhe ishpresidentë, Zonja të para dhe ishzonja të para, kryegjyqtarë, kryeprokurorë, kryeavokatë, noterë të përbindshëm, kapitalistë të jashtëzakonshëm, po edhe ndonjë stomatolog si puna ime dhe e shokëve të mi të shquar, janë të këtij grupi të rrallë. Këta, miku im, nuk sëmuren përveç kur marrin ndonjë infeksion të rëndë, nuk pësojnë aksidente në rrugë, këta janë si moroitë e vampirëve, apo jo? I ke dëgjuar moroitë dhe shtriganët ti? Jo. Po mirë, që s’i ke dëgjuar më vjen keq, por të paktën lexo librat kushtuar atyre, sapo e lexova njërin, se tani m’u kujtua, e kishit botuar ju. Ma hodhe më duket, se kështu i lëshon mufkat ti. I ke pa u ndjerë. Uji të ka hyrë nën rrogoz dhe ti s’e ndien, ja e këtillë është edhe kjo punë…»

«Ta ngasim fjalën si jo. Dua të them se të veçantët e grupit AB, janë fisnikë denbabaden, të trashëguar, por edhe del ndonjë kokërr aksidentalisht. Të vështrosh personalitetin e tyre, or mik, i kulluar, flori, i bukur, i denjë për t’u pirë në kupë. Aftësi të mëdha, përsosmëri në të folur, në të shkruar, në të veshur, në të ecur, në pritje e përcjellje, impozantë, të sjellshëm tek zoti. Nuk i ke dëgjuar si flasin? As shajnë, as bërtasin, as kullosin sytë në ara të tjera, as harbojnë pas nepsit, as pinë e kurrë nuk fyejnë. Përkundrazi. Në sojin e tyre ka ish të burgosur politikë, krerë të fesë etj. Pa të kesh fat e t’i shohësh në dasma lum miku! Ç’të shohësh. Lumenjtë e parave derdhen mbi orkestrat dhe sheshet ku vallëzojnë. Të zë një histeri or djalë, saqë me siguri sëmuresh për t’u trajtuar me metodat e Frojdit! Keq puna deri këtu, thua? Jo, mua më duket mirë. Thonë se nuk ndryshon gjaku. Unë them se po, varet nga përputhshmëria e grupit të ushqimeve sipas grupit të gjakut që lakmon, nga ajri që thith, nga fjalët që u vjedh librave, nga bukuritë ku i kullot sytë, nga veshjet dhe në fund fare me ata që rri. Po të rrish me dhitë, dihet, era dhi do të vish! Ndryshe s’ka si ndodh. Por unë mbeta po ai, edhe pse i kam ndryshuar të gjitha tertipet, jetoj në Tiranë dhe në sojin tim janë futur ata me gjak AB. Po le të presin, háne sa ka Janina! Mund të jesh edhe një djalosh dhe burrë me pamje të zakonshme qethur e rruar taze, nuk ke hequr dorë nga besimi, që sidomos di të qeshësh bukur e ke sajdi për të tjerët, por nuk ke hyrë ndonjëherë në këto dyer! Jo, nuk futesh dot te grupi AB. Shumë-shumë mund të hysh te grupi B, po edhe aty me terezi të madhe. Se e qeshura nuk bën edhe aq efekt, ndonëse është ilaç i shkëlqyer sidomos për të shëruar personalitetin e infektuar. Apo s’ka tani infeksione që se si shpiken as ne që jemi mjekë – edhe pse stomatologë, s’po marrim vesh ç’bëhet. Ah, po, duhet të pish ujë lajthie, ky është edhe shkaku i ndryshimit. Ku ka më lajthi? Keni parë ju? S’e di. Por uji i lajthisë është si tërfili me katër fletë. Ti ma ke treguar historinë e atij shokut tënd që rrinte me orë të tëra duke kërkuar tërfil me katër fletë në fushën me tërfil, këmbadoras, vetëm se ia kishte vënë si kusht Lili, ajo vajza e persekutuar që s’linte dy gurë bashkë, trazovaçe e mrekullueshme! Të tjera mesele këto, vëlla. Apo s’ tingëllojnë krejt ndryshe dhe si çuditshëm, se unë nuk e kam fjalën për nëntekstin që kap ti, se po pive ujë lajthie bëhesh i lajthitur. Atë e thua ti, dhe unë nuk dola në këto shtigje në të folurën me Bashkimin. Kam parë unë, miku im, se si kandidatët për deputetë punojnë me të qeshurën sikur rrahin hekurin e nxehtë në kudhër, duan të bëhen mjeshtër, madje përpunojnë edhe tiparet burrërore të fytyrës, eshtrat, bëjnë gjimnastikë të madhe, jo llafe! Sa kam njohur nga këta. Sidomos kur janë në fund të moshës, por të gjithë ISH. Duan të vënë gojën dhe e kalojnë muhabetin tek viagra! Ish prokurorë të përgjithshëm, ish kryetarë të gjykatës së lartë, ish kryetarë të gjykatës ushtarake, ish togerë-komandantë të togës së pushkatimit, të burgosur politikë – mjeshtër të mëdhenj, kandidatë të përsosur të titullit Nder i Kombit, Artistë të Popullit, Mësues të Popullit, Heronj të Popullit, H… lëre më mirë se e zgjata shumë listën. Të dëgjosh ata, or mik është ç’është, llogje Kavaje, ta them unë, Dulla. Se s’ta kam me hile! Janë të gjitha histori më vete. M’u faneps dhe po ta tregoj ty, po vetëm ty ama, se ç’bën ti më tej unë s’mbaj përgjegjësi. Po doli fjala nga mëhalla, e mori vesh tërë mëhalla. Dhe kjo është si ato fjalët e urta të Pelivan Shatrit, e ke njohur? Si jo, kujt i them. Po kush nuk e ka njohur Pelon!»

«Po tani dua të depërtoj në thelb të çështjes. Se mirë grupet e gjakut i morëm vesh, edhe grupet e njerëzve që u përkasin atyre besoj i kuptuam. Po ç’ka mbetur akoma? Ka mbetur majaja miku im, majaja e bën brumin, ajo e thukon bukën, ajo jep shijen tjetër, ajo, pra, arrin tjetërsimin e personalitetit. Dhe s’ka më bukur se kjo. Ja le të marrim faktorin që i bashkon grupet e gjakut, që i përshkon, që u jep tharm dhe i debuton. Ky është rezusi. 85 % e njerëzve kanë rezus pozitiv! Por ndaluni pak. Rezus pozitiv nuk është ndonjë gjë edhe kaq pozitive. Kjo ngjet pak me përfundimet pozitive të analizave. Emri i bukur pozitive i analizave të çmend, apo jo? Por, megjithatë ne na duhet rezusi, pjesa e padukshme që bëhet e dukshme kudo, sidomos me rezolucionin e lartë të minusit. Se rezusi negativ është energji e lartë, është shpërthim, është elegancë, të folur i jashtëzakonshëm, zë i lartë, i trashë – mundësisht bas, mendim i thellë për më tepër kritik, bukuri trallisëse, pa sindromë, pa lajthitje, pa mendim të fshehur, të hapur – ekstrovert, zbulues, rrojnë orë të caktuara me botën e krimit, përfillin drogën – madje e duan atë, krijojnë shoqëri të madhe, u pëlqejnë së tepërmi sahanlëpirësit dhe servilët (e kush ka parë keq nga servilizmi? – thoshte një shoku im, dikur!) etj. Ja, merrni një mësues me grupin e gjakut A me rezus negativ. I zbardhet të mjerit! Por nuk mund të bëhet më shumë se drejtor shkolle, ose shumë-shumë inspektor në Ministrinë e Arsimit! Merrni një mjek, jo nga ata që kanë qenë në Karkanjoz apo në Karbunarë, po ata të qytetit, që mund të jenë me gjak të grupit B dhe me rezus negativ (po të jetë pozitiv rezusi, aha, s’ngre dot kokë kurrë, mbetet kurdoherë ai që ka qenë!) atëherë shikoje ç’ndodh or mik! Drejt e në ministri shkon. E kam fjalën për Ministrinë e Shëndetësisë dhe them se nuk merret me ndalimin e duhanit, as edhe me projekte dokudo, por atje ku është rreziku më i madh, atje hidhet! Si në zjarr. Domethënë ku bëhen tenderë të mëdhenj, atje ku ka mjaltë, atje ku ngjit fjala. Është një më një! Është raca ideale për të fituar. Ky soj bëhet deputet, bëhet njeri për së mbari, tronditet dheu kur ecin ata, bota bëhet sy e veshë, sëmundjet patologjike dhe ato fiziologjike i njohin menjëherë, kur plaken nuk kanë nevojë të stimulojnë hormonet, drogën e pinë të holluar dhe kurrë nuk e marrin në gjak (gjak nuk dhurojnë kurrë!), s’bëhen pishman për asgjë, femrat dominojnë, meshkujt nganjëherë edhe bëhen harbutë, shajnë top më top, mësojnë në perfeksion gjuhën e huaj, duan të duken – madje shumë, merren së tepërmi me komunikimin masiv, shohin vetëm ëndrra të bukura, shprehen me ndonjë tik nervor. Këta pra janë mjekët e grupit B me rezus negativ, por gradën e lartë e fitojnë ata të grupit AB me rezus negativ. Udhëheqës shtetesh bëhen edhe kur zotërojnë popuj të vegjël si puna jonë, komandantë ushtrie dhe lënë nam në luftë, shpesh zverdhen – u ikën gjaku nga fytyra, janë me energji të pasosura, nuk merren as me kurva e as me dobiçë, dinë të mbahen. U pëlqejnë mjaft OJF, por profesionistë të vërtetë në këtë fushë arrijnë të bëhen kur s’kanë ndonjë profesion të përcaktuar qartë, mjaft të kenë futur këmbët në ujin e ngrohtë të politikës…»

«Kështu jam njohur me mjaft tipa që kanë gjak çfarëdo grupi por me rezus negativ. Thagma. Ku nuk i gjen tani, ndonëse zënë vetëm 15% të popullsisë. E pra që të gjithë janë bërë parallinj të mëdhenj dhe janë krejt me rrogë shteti. Si, qysh, tek kjo është jo aq e komplikur dhe merret me mend lehtësisht. Sepse energjia e madhe të imponon të gjesh edhe rrugë të allasojta! Se e  mira t’i zë sytë dhe pastaj t’i lidh duart (në emër të popullit? – jo, s’ka më në këtë emër!) të zgjedh e të zgjidh, të deh dhe të bën të njohur, të ndreq e të prish, të ngre e të rropos, të hedh në kujtime të ëmbla dhe të kredh atje ku s’e ke shkuar kurrë në mendje! Jo, ata, janë njerëz paqësorë, kurrë nuk shajnë e nuk ofendojnë pa e pasur hak! Kurrë nuk bëjnë dëm kur s’ua punon hakën! Ata vetëm kush i dëmton, sidomos kur janë ata të llojit që s’kanë marrë dot ndonjë profesion të përshtatshëm me grupin shoqëror ku rrojnë, ku janë dhe kur nuk janë në habitatin e tyre. Eh, më ka mbetur në përfytyrimin tim të mallkuar njëri prej tyre, qengj i uruar, por që u bë ujk e shkuar ujkut. S’ka zagar që e kap dhe s’gjen çifte që ta vrasë! Tani ai është klan tjetër. Apo nuk ndërsen të tjerë. Kam njohur njërin prej tyre që u tërbua dhe ndonëse i bënë 101 gjilpëra antirabike, nuk i zuri asnjëra, por mbeti i tërbuar në potencë. E lash që u bë deputet dhe më nuk e takova. I trembesha se mos kush e di kafshonte. Dhe edhe shikimi i tij tërbon (harbon) të tjerë, jo më prekja e gjakut! Deputetët e tjerë duhet t’u tremben dhëmbëve të tij e jo grushteve dhe dyfekëve që mund të ketë! Nejse, e teprova më duket. Por mirë që i kemi të pakët në numër dhe për më tepër pak gra, nëna e vajza si puna e tyre. Se nëna pjell këlyshë si ata! Zot na ruaj! Do të jetë diçka e tmerrshme. Ajo sëmundje nuk është ngjitëse por infeksion tërbues i shkallës më të lartë!  Edhe kur kanë mbetur me lëkurën e qengjit, edhe kur janë blatuar në kishë, edhe kur janë me trashëgim të mirë bir pas biri. Miku im, mos e merr për keq, por ata kanë dalë nga mitra e besimit! Gjë e rrallë dhe e lartësuar, racë, jo llafe, gjak i vërtetë mbretëror! Pa le sikur të kishin qëlluar në racën e  mrekullueshme të poetëve! Do të trallisej skena! Sepse kurrë s’kanë për të rënë orët për ta! Edhe orët e tyre na mungonin! Ndoshta mund të hiqje ndonjë si Frederik Reshpja nga lista. Por, po e them fundja, kam njohur edhe ndonjë të mëdhenjtë që lëpihen rëndshëm. Të lirë, plot dell, arrogancë, delir, po edhe madhështi. Veç t’i shohësh kur dehen (ata i deh edhe fjala mjeranët kokëkrisur!), kur vjellin edhe në prehër të zonjave: ato atje nuk marrin para! …»

«Të kujtohet kur më gjete një ditë me Plakun e Madh, ish kryetarin e gjykatës së lartë, 94 vjeçar, tek rregullonte dhëmbët rruazë tek unë? Zë lumi! Tërmet shkaktonte. Ai është AB me rezus negativ! Po. Gjak i kulluar. Ata janë të pavdekshëm. Rrojnë, këndojnë, eshtërmëdhenj, pinë, bëjnë qejf, nuk lodhen kurrë, s’kanë pleqëri, po të duan edhe tani të shtrojnë në dru. Bëj hesap, që edhe tani nuk i diskuton kush, s’u preket qimja (apo s’e kanë atë të uruar qime, si të derrit të egër!», shkruajnë dhe gjykojnë letra anonime, dalin në media dhe tërheqin vëmendje, ngaqë sytë e tyre kanë rreze tërbimi. Them se kam shpëtuar paq!… Po mendoja një ditë se të kthesh nga një gotë me ta është dëfrim i madh, se të bëjnë për të qeshur, të gudulisin mendimin, të mekin. Për Zotin ç’është një! Pse ta fsheh, kanë gjak të ëmbël. Futen në çdo vrimë dhe dalin nga të gjitha vrimat. Kanë ndrojtje, si jo, por vetëm kur duhet dhe me karar. Karakteri i tyre është arrë gungë. Nuk kthejnë nga e tyrja. Vrasin e presin. Bëjnë çmos! Duan dhe lakmojnë erëza pikante, pëlqejnë gra të serta (dhe e kundërta për gratë!) pinë birrë të freskët që lëre-lëre. Ngrohen në zjarr oxhaku me drurë lisi, e duan mishin të pjekur në skarrë, duan ta shoqërojnë pijen me ullinj Berati dhe djathë dhie Tepelene. Dhe vetëm qeshin të shumtën e herëve pa shkak. Ruhuni prej tyre, janë të rrezikshëm, një rrezikshmëri e veçantë! Shijet e tyre të kërthndezta kanë të bëjnë me dritën, me errësirën, me aroma trëndafilash të Kazanllëkut e të Maricës plot kundërmime, janë aq po aq të vështirë sidomos në dashuri. Nuk agjërojnë kurrë dhe e ngjërojnë të mirën jo në tepsi por në pëllëmbë të gruas (jo të çdo gruaje! Mos qoftë e udhës e kundërta!), i pëlqejnë fort çmimet e kripura edhe sikur të jetë mall skerco!… Ky or miq është burri i shtetit dhe horri, miku dhe hajduti, besniku dhe i forti, i dashuri dhe i adhuruari për orgji, tekanjozi dhe i çmenduri pas një darke pa fund, shoqërimadhe dhe i vetmuari, i buti dhe i egri: çfarëdoqoftë grupi i gjakut (por mbi të gjitha AB !) por me shkëlqimin e rezus negativ!…»

Këtu e mbylli miku im, Dulla, historinë. Dhe shtoi se as ditën e mirë nuk e kishte përshëndetur dot drejtuesin e emisionit të mëngjesit asaj dite të bukur e me diell shkurti të këtij viti…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: – NJË SHPIRT ARTISTI, ABDULLA MANOPULLI, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT