• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Zv/ndihmës Sekretari amerikan Hoyt Yee,në ceremoninë e inaugurimit e Thaçit

April 7, 2016 by dgreca

 PRISHTINË, 7 Prill 2016-B.Jashari/ Zëvendës-ndihmës Sekretari përgjegjës për çështjet europiane, Hoyt Yee, viziton Kosovën dhe do të takojë zyrtarët shtetërorë, bën të ditur ambasada e SHBA në Prishtinë në njoftimin e dërguar.Zyrtari i lartë  amerikan, Hoyt Yee, nga ora 11:00 do marrë pjesë nesër në ceremoninë e inaugurimit e pranim-dorëzimit të detyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas axhendës, nesër, Yee do ketë takime të veçanta me kryeministrin Isa Mustafa (ora 13:40), me zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç (14:30), kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli (15:15) dhe me Presidentin Hashim Thaçi (16:00).Ndërkohë, burime mediale bëjnë të ditur se Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan Hoyt Yee ishte sonte në takim me Presidentin kosovar Thaçi të përbashkët me ambasadorët e vendeve të Quintit – SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: e inaugurimit e Thaçit, ne ceremonine, Zv/ndihmës Sekretari amerikan Hoyt Yee

Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit urojnë Presidentin Thaçi

April 7, 2016 by dgreca

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi takon drejtorët politikë dhe ambasadorët e shteteve të Kuintit/

PRISHTINË, 7 Prill  2016-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me të marrë detyrën e të parit të shtetit ka pritur sonte drejtorët politikë dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit.Në takim me përfaqësuesit më të lartë të shteteve të Kuintit për rajonin tonë, presidenti Thaçi theksoi se do të jetë garantues i respektimit të Kushtetutës, funksionimit të institucioneve të shtetit dhe promovues i dialogut ndërpartiak dhe ndëretnik.
“Do të jem garantues i funksionimit të institucioneve të shtetit të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Si president unifikues do të promovojë dialogun ndërpartiak dhe ndëretnik”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se i mirëpret liderët e të gjitha partive politike dhe se do të lehtësojë dialogun dhe komunikimin mes tyre.
Njoftimi zyrtar i Presidences kosovare bën të ditur se, i pari i vendit, Thaçi theksoi se do të përkrahë fuqizimin e drejtësisë dhe sundimit të së drejtës.
Shtetet e Kuintit u përfaqësuan nga ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, nga drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë pranë BE-së, Angelina Eichhorst, pastaj nga drejtoresha për Ballkanin Perëndimor dhe për Zgjerim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcilwham. Gjithashtu, pjesë e këtij takimi ishin edhe i dërguari i posaçëm i MPJ-së gjermane për Evropën Juglindore, Ernst Reichel, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zbogar, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ambasadorja franceze në Kosovë, Maryse Daviet, si dhe ambasadori italian në Kosovë, Andreas Ferrarese.
Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit e uruan presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re dhe i shprehën përkrahje në angazhimin e tij për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në NATO dhe BE.

Filed Under: Komente Tagged With: Përfaqësuesit e shteteve, Presidentin Thaçi, të Kuintit urojnë

Kosova me President të ri – Hashim Thaçi sot dha betimin, nesër inaugurohet

April 7, 2016 by dgreca

-Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit:Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia/

Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 7 Prill 2016/ “Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi”, ishte në axhendën e seancës soleme të Kuvendit kosovar, sot nga ora 11:00.

Ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Presidentin dhe Kushtetutën e vendit, presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt sot nën kryesimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka dhënë betimin para deputetëve.

Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit.

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”, u shpreh Thaçi gjatë betimit në Kuvend.

Për të përcjellë nga afër këtë akt, pas të cilit presidenti i ri i vendit do të fillojë mandatin e tij, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, si dhe shumë ambasadorë të tjerë të shteteve mike.

E pranishme gjatë zhvillimeve të kësaj mbledhjeje ishte edhe presidentja në largim, Atifete Jahjaga.

Nuk ishin të pranishëm deputetët opozitarë, VV, AAK dhe Nisma.

Mbledhja filloi me ceremoninë e betimit, e më pas është intonuar himni shtetëror.

Pas kësaj, presidenti i ri i vendit, Thaçi, të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë përshëndetëse, për mes së cilës shpalosi objektivat dhe përqendrimin në punën e tij gjatë mandatit.

Me këtë rast, Presidenti Thaçi tha: “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, sot është një moment i veçantë në jetën time. Moment i krenarisë dhe përgjegjësisë. Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tri dekadat e fundit”.

 Jam angazhuar, tha ai në vijim, në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke shprehur konsideratën e tij për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e vendit, Presidenti Thaçi, me këtë rast theksoi e vlerësoi sakrificën legjendare të komandantit Adem Jashari, si dhe kontributin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti i ri i Kosovës foli më pas edhe për aspiratat e vendit, duke nënvizuar përpjekjen për integrimin në strukturat evropiane dhe në NATO.

Ai foli po ashtu edhe për dialogun me Serbinë, të cilin e konsideroi si të pa alternativë, duke theksuar se, “të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por, nuk do ta përsërisim”.

Presidenti Thaçi u zotua se do të luaj rol unifikues për arritjen e konsensusit të spektrit politik dhe të qytetarëve, ndërsa u shpreh i lumtur se Kosova është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Ai vlerësoi lart edhe faktin se Kosova është rreshtuar në Bllokun Antiterrorist në botë.

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti i ri i vendit Thaçi, tha:

“Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euro-atlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me mediat, biznesin dhe me iniciativat e lira. Do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.

Në fund, kreu i Kuvedit, Kadri Veseli, duke i uruar suksese dhe punë të mbarë Presidentit Thaçi, ai po ashtu, falënderoi Presidenten në largim, Atifete Jahjaga, për kontributin e deritanishëm në rolin e saj si Presidente.

Presidentja në fund të mandatit, Atifete Jahjaga, e zgjedhur në krye të shtetit në 7 prill 2011, e para Presidente Republike në Kosovë e në vendet fqinje,  detyrën ia dorëzon Presidentit të ri të zgjedhur, Hashim Thaçi, i cili do të inaugurohet me një ceremoni në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit sot në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016.

Sipas Ligjit për Presidentin, “Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës”.

 Poashtu  me Ligj përcaktohet: “Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Ky mandat nuk ndërlidhet dhe nuk është i përputhshëm me mandatin e institucioneve të tjera” dhe “pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat”.

Hashim Thaçi merr detyrën si Presidenti i pestë i Kosovës së lirë nga qershori 1999 – afër 17 vite. Nga katër paraardhësit,  i pari ishte Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post, si dhe Presidentja në përfundim të mandatit Atifete Jahjaga.

Kuvendi i Kosovës, i përbërjes aktuale, është konstituuar plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 – në 8 dhjetor, ndërsa të nesërmen ka zgjedhur qeverinë e Kosovës, të koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë.

Në dokumentin e marrëveshjes së koalicionit, të 8 dhjetorit 2014,  sipas së cilës postin e kryeministrit e mori kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksohej se, “për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën – Hashim Thaçi”.

Marrëveshja përcaktonte edhe se, deri në zgjedhjen President Thaçi do ta udhëheqë politikën e jashtme për më shumë se një vit, duke qenë zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.

Thaçi ka dhënë dorëheqje nga këto dy funksione në qeveri, si dhe nga kryetari i PDK-së, partisë që e themeloi në tetor të vitit të parë të lirisë 1999 dhe e udhëheqte deri në shkurt 2016,  pasi Kushtetuta prcakton se, “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.

Në qeverinë e Kosovës, e cila zhvilloi dje mbledhjen e 83-të, të 16-tën në vitin 2016, së shpejti pritet të emërohen zëvendëskryeministri dhe ministri Punëve të Jashtme, të cilat poste i mbante presidenti i zgjedhur.

Më parë, gjatë karrierës politike, Hashim Thaçi ishte i zgjedhur tre herë kryeministër i Kosovës. Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës në 9 janar 2008, pas fitores së PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, dhe u rizgjodh pas fitores së dytë në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, të cilat ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, të njohur deri tani nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
Nga marsi 1999 deri në janar të vitit 2000, Thaçi ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës (Qeverisë së Unitetit).

Në 12 dhjetor 2014, kryeministri Hashim Thaçi i dorëzoi detyrën kryeministrit të sapozgjedhur, Isa Mustafa, me të cilin nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje të Kosovës, duke dhënë kështu edhe mesazhin si dy liderë të partive më të mëdha kosovare se, rivaliteti politik edhe kur është më i madhi i mundshëm nuk është armiqësi dhe përtej interesave partiake edhe mund t’i bëjë bashkë për interesat madhore të shtetit, kombit e të ardhmes zhvillimore dhe euroatlantike.

Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 ishin të parakohshme, kryeministri Hashim Thaçi përmbushi të plotë mandatin e dytë, që është katërvjeçar, pasi zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin mbajtur pikërisht para katër viteve, në 12 dhjetor 2010.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, PDK, tre herë fituese e zgjedhjeve, para koalicionit të tanishëm me LDK ishte edhe dy herë të tjera në koalicion-bashkëqeverisje me këtë parti, si dhe me AKR-në, por asnjëherë deri tash nuk e kishte Presidentin në ndarjen e posteve.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Hashim Thaci, presidenti, sot dha betimin

FASLLI HALITI SJELL NOBELISTIN E TRETE-NOBEL 1904

April 7, 2016 by dgreca

NOBELISTI  III  1904/    

Etienne Frederic Mistral 1830 – 1914/

 Etienne Frederic Mistral (Maillane, 8 shtator 1830 – Maillane, 25 mars 1914) ishte nje shkrimtar dhe poet i gjuhës franceze Occitane, iu dha në vitin 1904 Çmimin Nobel për Letërsi.

______________________________________________

MOTIVACIONI:

«Si njohje e origjinalitetit të qartë dhe të frymëzimit të vërtetë të krijimtarisë së tij poetike, që reflekton shkëlqyeshëm  peizazhet natyrore dhe frymën amtare të popullit të tij, gjithashtu dhe, punës së tij të rëndësishme si filolog provansal»

______________________________________________

 PROVIDENCA

Shiko lulet e gatiçeve. Janë flokë bore

me push të qartë. Dhe mjafton vetëm

një erë tepër e lehtë t’i prekë

që të shkrira ato të përhumben mbi tokë.

Por pambukun e shpërndarë gjithanej

nga zogjtë

e mblidhin menjëherë.

Shiko: ka një fole

nën atë ind:

fole trishtili e kadifejtë,

e butë, e bardhë.  Së pari thur indin mirë

dhe pastaj ai vesh të vegjlit e tij

me pelush… O dorë e bekuar,

që për çdo harabel

Bën një fole…

Atëherë, plaku endej ngadalë

me murgeshën gjatë përrenjëve,

duke medituar gjatë për perëndinë.

dhe thoshte me admirim të thellë:

«Ç’harmoni ka në veprat hyjnore!»

«Ç’largpamësi dhe ç’mrekulli»

Thoshte plaku  me admirim të thellë.

«Shiko ato mizat që sapo lindën

enden mizëri në ajrin e qetë.

Brenda një rreze dielli,

dhe sonte, mbase do të kthehen në hiç.

Pra për një ekzistencë kaq kalimtare,

jepu Providencë, atyre të gjitha të mirat!.

Në galetat e gjejnë ato ushqimin

që iu pëlqenë më shumë; jetojnë në diell;

kanë krahëzit për të ndjekur galetat,

dhe mbi malet e mbi pllaja mbartin të vegjlit;

në sytë e vegjël të tyre gjithë krijimi

pasqyrohet si një det i pafundmë.»

 

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, NOBELISTI III 1904/ Etienne Frederic Mistral

KUJTESA E 7 PRILLIT DHE ABAZ KUPI

April 7, 2016 by dgreca

Nga Luan Çipi/

Abaz Kupi, i njohur për shumë kohë si “Bazi i Canes”, ishte një tjetër personazh i rëndësishëm që dominoi situatën politike në Shqipëri, me kulmin e vet në rezistencën e organizuar po me nismën e tij personale, ndaj pushtimit fashist Italian të 7 prillit 1939. Pavarësisht se, qysh herët, ai e deklaroi veten “Legalist” dhe betohej për ish Mbretin Zog, (shiko fjalën e tij në shtatorin 1942 në Konferencën e Pezës), këtë deklarim aso kohe, do ta konsideroja më shumë vetjak dhe pa lidhje e vartësi, sepse Zogu, nuk denjoi dhe nuk dha asnjë urdhër për ta kundërshtuar ushtarakisht pushtimin, por u largua jashtë Shqipërie, me gjithë shpurën dhe familjen e tij. Ky qëndrim, nuk ja ul vlerat Abaz Kupit, përkundrazi, rezistenca e tij heroike dhe përleshjet e mëpasme, në gjirin e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe veças, (pa përkatësinë e aderimit në parti), e bënë atë një Atdhetar me emër të madh dhe me kontribut konkret. Mandej duhej thënë e përsëritur, se në fillimet e luftës antifashiste, nuk njihej tjetër lider më i shquar se “Bazi i Canes”, aqsa kur ra heroikisht në luftë, dëshmori i parë komunist, Qemal Stafa, kënga e popullit i këndohej me thirrjen e dhimbshme “ngrehu Qemal nga varri, të pret Bazi i Canit”.

Ja si shkruan vetë Abaz Kupi për rezistencën e 7 Prillit 1939: “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim”. Kështu ka ndodhur, jo vetëm në Durrës, po edhe në Vlorë e Sarandë, dhe pati shumë të vrarë e të plagosur nga të dy krahët,  edhe pse propaganda fashiste e minimizoi rezistencën Shqiptare.Abaz Kupi lindi në lagjen Varosh të Krujës më 6 Gusht të vitit 1892, në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Ai qysh në moshë të re 22 vjeçare, në Nëntor-Dhjetor të 1914, bashkë me “Parinë e Krujës” vendosin dhe marrin aksione konkrete kundër “Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme”, që me sloganin “dum babën”, përkrahën përpjekjet e para për forcimin e Shtetit Shqiptar, të krijuar nga Ismail Qemali dhe që bënte hapat e para të konsolidimit, me  në krye Princ Vidin.

Me formimin e Qeverisë Kombëtare të Lushnjës, Abaz Kupi, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun,  mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik, në përpjekjet e gjata për të bashkuar Shtetin Shqiptar.

Abaz Kupi merr pjesë, gjithashtu, në kryengritjet e Mustafa Merlikës, Bajram Currit dhe Elez Isufit në Shkurt-Mars të vitit1922, kur edhe u konfrontua me Ahmet Zogun, por duhet thënë se gjatë kryengritjes Fanoliste të Qershorit 1924 ai, qëndroi neutral.

Kapiteni Prenk Pervizi, miku i tiji afërt, ishte ai që e afroi me Zogun, i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si Komandant i Xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit. Kjo detyrë e rëndësishme, zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje dhe konsolidoi karrierën e tij të ardhshme ushtarake, deri te grada e “gjeneralit”.

Kështu, më vonë, në vitin 1934 u gradua major dhe shërbeu në Durrës me të njëjtën detyrë.

Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 Prill 1939, Abaz Kupi, me iniciativën e tij, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit, veprim i cila e shndërroi  atë në një ikonë.

Abaz Kupi, me pushtimin e Shqipërisë, u largua në Stamboll të Turqisë, ndërsa në Qershor të vitit 1939 familja e tij, e  përbërë nga tre djemtë Petriti, Rustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat, u internua në Himarë dhe pas disa muajsh, u dërguan në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut  të Brindisi-t, izoluar plotësisht. Më pas u transferua në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942, kur u lanë të lirë për të  banuan pranë t’ afërmve, te familja e Sejfulla Merlikës.

Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë, si një alternativë oportune, u pa edhe mundësia e krijimit të rezistencës antifashiste në Shqipëri. Me këtë synim, Abaz Kupi, i rekomanduar  nga shokët e tij, kalon nga Turqia për në Beograd, në kryeqytetin e Jugosllavisë, i pritur dhe ndihmuar nga miku i hershëm i tij, Gani Kryeziu. Aty organizohet takimi me kolonelët Anglez Stirling dhe. Dayrell Oakley-Hill, (i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd). Me ndihmën e tyre dhe direkt të Ambasadës Angleze të Beogradit, Abaz Kupi, kaloi në Shqipëri dhe u vu në krye të rezistencës antifashiste. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës, u drejtuan nga Jugosllavia prej gjeneralit Anglez Julian Amery.

Në Shqipëri, koordinuar nga Anglezët dhe miqtë e tij, u sigurua bashkëveprimi i Abaz Kupit me Muharrem Bajraktarin dhe të vëllait të tij Ibrahimi, për të grumbulluar elementët e duhur dhe për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit dhe krejt kjo punë e madhe u përballua me shpenzimet e tyre.

Një nga principet e Abaz Kupit ishte sigurimi i mirëkuptimit dhe bashkëveprimit i të gjitha forcave shqiptare antifashiste. Në këtë kuadër Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të “Konferencës së Pezës” të mbajtur më 16 shtator 1942, ku dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Ai si shumë figura tjera që përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat gjerësisht me emrin e bujshëm “Fronti Nacional-Çlirimtar”, ra në kurthin e tyre, u shfrytëzua në të gjitha kapacitetet dhe në fund, u mënjanua dhe hodh poshtë si limon i shtrydhur.

Nuk përjashtohen edhe përpjekjet direkte të forcave nacionaliste për bashkim: Më 26 Korrik 1943, ora 11 paradite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar“. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër Italianëve, ai u bë nismëtari i Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe të Ballit Kombëtar.

Pikërisht, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 Gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër Ushtrisë Italiane që marshonte për në Mat. Çetat Partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve ishte edhe koloneli A.P. Skampa.

Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes, me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviç dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 Nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.

Më 21 Nëntor 1943, duke mos pasur tjetër alternativë, Abaz Kupi, formoi “Lëvizjen e Legalitetit” dhe vuri objektiv rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri.

Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai u mbrojt dhe iu shmang luftës civile të nxitur nga komunistët, deri kur ata nisën të sulmonin Krujën dhe zonat e Bazit në Mirditë.

Në pranverën e 1944, raportet drejt qendrës të oficerëve Billy McLean dhe David Smiley, iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Këto raporte  për operacionet kundrejt Gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve Britanikë pranë komunistëve. Aleatët ngulnin këmbë për më shumë aksione dhe ç’vlerësuan përpjekjet e mundshme të Abaz Kupit. Pamundësia për më shumë aksione e dëshpëroi edhe vet heroin tonë.

Më 24 Tetor 1944 Abaz Kupi, u largua nga Atdheu bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga, me ndihmën e një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej së bashkë me oficerët britanikë).

Ata ngelën për 6 ditë pa ushqim e pa ujë, derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë.

Familjen e Abaz Kupit ngeli në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.

Në emigracion Abaz Kupi, që tani thërritet “gjeneral”, merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me në krye Mit’hat Frashërin.

Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara.

Vdiq në vitin 1976 në ShBA, New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens.

Për ta mbyllur do paraqes këtu më poshtë, se si ka shkruar vetë Enver Hoxha fillimisht, për Abaz Kupin (Bazin e Canit):

“Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.

Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.

Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë.

Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej: Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.

Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’trembeshin, sado që ishin një grup njerëzish.

Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.

Në emigracion këtij s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me bashkue forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë.

Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.

Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.

Merlika i lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për me ndjekë çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij me i vra e varë.

Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.

Fashizmi dhe Mërlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.

Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.

Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.

Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u godit nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.

Ky ishte rezultat i Kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhtarëve”.

Unë, nuk kam se ç’të shtoj! Grumbullova e sistemova ç’gjeta nga interneti, se ç’kanë shkruar të tjerët për trimin e pa epur, Abaz Kupi. Por si përfundim them se: nuk duhet hedhur poshtë lufta dhe përpjekjet e burrave të shquar të vendit tonë, thjeshtë duke gjykuar nga përkatësia e tyre partiake, as nga ndonjë gabim në jetën e tyre të gjatë, por të vlerësojmë, çmojmë e nderojmë veprën e tyre në tërësi, në dobi të Atdheut, në funksion të bashkimit dhe jo të përçarjes. Sidomos duhet të jenë më të kujdesshëm historianët dhe shtetarët!

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: abaz kupi, Luan Cipi, NJË TJETËR KULM TRIMËRIE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT