• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

KUDO KU SHKOJ ATDHEUN E MBART SI PLAGË….

April 6, 2016 by dgreca

E KENI PROVUAR T’T TELEFONONI  AMBASADES SHQIPTARE NE WASHINGTON… PERGJIGJE QE TE VRASIN SHPIRTIN…A FLASIN KESHTU DIPLOMATET? /

Shkruan: Pirro Dollani/Las Vegas/

Shkak për këtë shkrim u bë telefonata e një mikut tim Amerikan, që do të niset në një udhëtim nëpër Evropë. Ai dëshironte qëgjatë vizitës në Evropë të ndalej edhe në Shqipëri.Më pyeti nëse dija se çfarë dokumentacioni kërkohej nga qeveria shqiptare për ato raste kur të huajt udhëtojnë së bashku me kafshët e tyre, si qeni, macja në Shqipëri. U krijua një pauzë, pasi s’dija çfarë përgjigje t’i jepja, kur ai vazhdoi. “U dërgova një email Departamentit të Bujqësisë në Uashington, dhe ata më kanë dërguar dokumentacionin që duhet plotësuar për vendet e Evropës së Bashkuar.Në atë dokument thuhet se Shqipëria ka miratuar rregulloren e Evropës së Bashkuar, por, njëkohësisht, udhëtarët udhëzohen që të marrin kontakt me Ambasadën Shqiptare për kërkesat që ka vendi. Menjëherë, vazhdoi miku im, hyra në Internet dhe shkova te faqja e Ambasadës Shqiptare në Washington. Kliktova tek “Embassy Services” (“Shërbime të Ambasadës”) dhe poshtë nëntitullit s’kishte asgjë, madje as edhe një gërmë.”

U krijua një heshtje, sa që miku im, pyeti: “Hello, are you there?”

Aty jam që mos qofsha, thashë me vete, dhe si një elektroshok trurin ma përshkoi vargu i famshëm i poetit Nobelist e Diplomat,Jorgos Seferis:

“KUDO KU SHKOJ ATDHEUN E MBART SI PLAGË!”

“Miku im, iu drejtova bashkëfolësit, nëse të pret puna, më lejo të komunikoj vetë me ambasadën.”

Sapo ula telefonin, hyra në Internet dhe shkova te faqja e Ambasadës së Shqipërisë. Në faqen e parë ishte një ekspozitë fotografish nga veprimtaritë e ambasadës. M’u duk bukur! S’ka më bukur! Kalova tek faqja  “Shërbimet e Ambasadës” . . . e bardhë si bora e maleve tona!!!U ktheva përsëri tek faqja e parë. Paçka se aty ishin fotografi me Obamën, John Kerrin, takime me ambasadorë të ndryshëm, mua më la shijen sikur isha para atyre Stendave të Bashkimeve Profesionale të dikurshme! Mbasi humba nja gjysmë ore duke qëmtuar në “faqen e bardhë” të Ambasadës sonë, thashë t’i nis një email nga faqja e tyre. Kësisoj, rreth datës 19 ose 20 Mars, u shkrova një email të shkurtër ku në krye vija emrin dhe mbiemrin tim, dhe pa hyrë në hollësi u lutesha që t’më dërgonin ndonjë kërkesë specifike, përveç atyre që kërkoheshin nga rregullorja e Evropës së Bashkuar për udhëtarët që vinin në Shqipëri me kafshët e tyre shtëpiake.

Kur kaluan 3-4 ditë dhe askush nuk u bë i gjallë nga Ambasada, i mora në telefon. Pikërisht, ditën e Enjte, datë 24 Mars, rreth orës 10 të mëngjesit, me orën e Las Vegasit. Sapo dëgjova zërin e një vajze nga ana tjetër e telefonit, e përshëndeta, tregova emrin tim, i thashë që jam banues prej mëse 20 vjeteve në Las Vegas dhe,më pas, e pyetase me kë kam nderin të flas.

Përgjigja: “Me Ambasadën Shqiptare në Washington.”

Unë: “Ju lutem, si quheni?”

Përgjigja: “Ç’e do emrin tim!”

(Jo, jo s’ka mundësi, thashë me vete, do të kem telefonuar ndonjë nga ata fshatarët që shesin pa leje në shkallët  e pallatit, se nuk ka mundësi që një përfaqësuese e Ambasadës Shqiptare në Amerikë të përgjigjet në një formë të tillë. )

“Më fal, i thashë, unë u prezantova, dhe dua të di se me kë kam nderin të flas.”

Punonjësja e Ambasadës: “S’ke ç’e do emrin. Ne jemi vetëm tre veta këtu.”

(Ajo vajzë, nuk e di që në atë punë që e kanë caktuar, pavarësisht pozitëssë ulët që mund të ketë, kur ngre telefonin e përgjigjet, përfaqëson Shqipërinë. Presim ne të bëjnë diplomaci diplomatët tanë, kur nuk dinë as të flasin në telefon! Ndoshta, të kanë prurë në ambasadë ty si shumë e shumë të tjerë nga shkalla e fanatizmit për partinë tënde, por të paktën, këto vite që ke këtu, të kishe mësuar nga ajo shitësja e thjeshtë që shet lule, nga ai punonjësi i thjeshtë i kompanisë, që posa bie telefoni, të përgjigjet, me një zë të ëmbël duke të thënë: “Dyqanit i luleve. Quhem John, si mund t’ju ndihmoj?”)

Kur e pashë kështu, e pyeta se ç’dokumente duhet për udhëtarët që marrin me vete qenin a macen kur vijnë në Shqipëri. Përgjigja e saj ishte e prerë:

“S’merremi ne me këtë çështje!”

(“Vrit veten” më tingëlloi shprehja e saj.  I bën një pyetje punonjëses së Ambasadës shqiptare për rregullat e hyrjes në Shqipëri, dhe në vend të thotë, më fal se nuk jam shumë e informuar, por më lini nr. e telefonit ose adresën e emailit, dhe do t’ju kthej përgjigje më vonë, të thotë “S’merremi ne me këtë çështje!”  Një nga detyrat kryesore të personelit të ambasadave është të japin ndihmën e menjëhershme qytetarëve të tyre kudo ku ndodhen në botë, madje duke u afruar edhe ndihmë më të specializuar, po të jetë e nevojshme. E këta diplomatët tanë të periudhës postkomuniste, vazhdojnë të njëjtën politikë të diplomacisë komuniste ndaj atdhetarëve të tyre. Eh mor Pirro, thashë me vete, shqetësohesh nga etika e punës së saj.)

Duke ruajtur qetësinë, e personalizova problemin dhe i thashë: “Kam prerë bileta për vete, gruan, dhe dy macet, rreth 3000 dollarë, dhe kam përgatitur dokumentacionin sipas kërkesave të Evropës së Bashkuar. Por në informacionin që kam marrë nga Departamenti i Bujqësisë në Washington nënvizohet që duhet patjetër të kontaktojmë Ambasadën e Shqipërisë. Dhe ju më thonë që “s’merremi ne me këtë çështje” A mund të flas me konsullin?

Ajo: “Unë jam Konsullja.”

Heshta, s’dija ç’të thosha. Kur ajo vazhdoi: “Është një punonjëse këtu që i din këto punë, na nis një email, e të kthejmë përgjigje.”

“Më fal, i thashë, por ju kam nisur një email para 3-4 ditësh. Dëshironi t’ju nis edhe një tjetër tani?”

Ajo: “S’ka nevojë.  Por, ta dini që ne kemi aq shumë emaila, saqë nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve!”

(“. . . nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve. Bir Selman i nanës Bir! E tha këtë fjali, apo më bënë veshët?!?)

S’dija ç’të thoja më tej!  Të dy qëndronim në të dy anët e linjës telefonike të heshtur. Dhe në atë heshtje, ndjeva keqardhje për të. Thashë se mos bëhem unë shkak ta heqin nga puna. Nuk e kam me të personalisht, por me shërbimin e dobët që shqiptarët ndeshin nga këta diplomatët tanë. Gati-gati doja ta justifikoja. Pyeta veten se mos po me zinte Sindroma e Stokolmit. E çuditshme, të lindin ndjenja pozitive për njerëz të tillë.

PS.Asgjë e re nga Ambasada jonë e shtrenjtë deri tani në orën 5 mbasdite të dates 5 Prill. “Por ta dini që ne kemi aq shumë email, saqë nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve.”

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: E MBART SI PLAGË...., KUDO KU SHKOJ ATDHEUN, Pirro Dollani

Mbresat e një artisti nga koncerti i Sopranos Inva Mula në Town Hall

April 6, 2016 by dgreca

Shkruan: Arenc Leka – Violinist/
Mikpritja, që iu bë Sopranos Inva Mula në Town Hall, ishte një nga koncertet e muzikës klasike më të munguara prej vitesh nga audienca Shqiptare e New York-ut.

Mbasi kaluan 25 vjeçarin e parë jashtë Mëmëdheut, mërgimtarët Shqiptarë kanë akoma për zemër kulturën e këngët që iu sjellin emocione nga jeta në atdhe. Dhe si përmbushje e një boshllëku shumë vjeçar na vjen pikërisht në momentin e duhur Koncerti dhe CD-ja “Per Ty Atdhe” e sopranos Inva Mula.

Pa dyshim koncert me vlera te jashtëzakonshme i arritur në kohë të shkurtër dhe me volum pune te ngjeshur, shpërblen mundin shumë vjeçar të treshës – Mula, Tukiçi, Llapaj

Dalja në skenë e Inva Mulës bëri që salla të ndjente peshën e një artisteje dinjitoze. Një artiste e rrallë në llojin e saj, që na perfaqëson kudo ku jemi,, që arrin atje ku nuk arrin gjithkush, që kapërcen ato vështirësi që është e pamundur për shumëkënd,,, që emocionon dhe ngre në këmbë çdo botë Shqiptare dhe ndërkombëtare. Respekt për të !!!

Ishte përvoja e dirigjentit Bujar Llapaj bashkë me Artistët, që ndërthuri, aplikoi dhe përshtati në terren, tipike Shqiptare kjo e fundit, atë që i dha suksesin “Per Ty Atdhe”.
– Më kot nuk thonë se – Diamanti,i vogël është, por vlerën e ka të madhe.

Mbështetja drejtuese e Pianistit dhe Kompozitorit Genc Tukiçi ndjehej në çdo detaj të kësaj mbrëmje emocionuese. Harmonizimi i ri i këngëve prej tij, të sillte në mëndje gërshetimin e kultivimeve muzikore herë herë Hollivudiane, herë herë Shkodrane, remineshenca të Take Five, duke na fluturuar me drone përfytyrimin tonë në çdo skaj Shqiptar ndër filma e koncerte të së kaluarës dhe të tashmes. Një ngjyrim krejtësisht i ri i munguar në harmoninë klasike tipike Shqiptare.
Shpresojmë që kënga e Nënë Terezës t’i ngrejë edhe më shumë ato vlera të merituara plotësisht prej tij.

Sopranoja nga Shkupi, Dëshira Ahmeti Kërliu, një surprisë tjetër e Koncertit “Per Ty Atdhe”.
Jo vetëm që ka nje zë tipik të veçantë sopranoje të ngohtë e të gjerë, por harmonizimi i saj me Invën bëri pa dashur edhe atë bashkim Sopranor simbolik Shqiptar.

Kontributi i këngëtareve Kreshnik Zhabjaku dhe Riad R. Ymeri ishte një gjetje tjetër shumë e bukur e koncertit. Të dy në solot dhe duetet e tyre sollën ngjyra te vecanta interpretimi. Mbeshtetja që i dhanë Invës gjatë koncertit zëvëndësoi ne disa raste edhe korin me harmonizimet e tyre. Të dy të përsosur dhe të duartrokitur denjësisht.

Igli Tuga na përçoi tingujt kadife të kulturave Shqiptaro-Amerikane duke filluar me gërrnetën e kabasë Shqiptare e deri tek befasimi natyrshem swing i klarinetës se Benny Goodman. Edhe ky talent i dalë po nga shkolla Shqiptare.

Në përzgjedhjen e repertorit janë këngët më madhështore të muzikes klasike Shqiptare.
Hapja e siparit me muziken e filmit ” Skenderbeu” te Çesk Zadesë u dha Shqiptareve ate çka prisnin,,,,për të kaluar tek tjetra këngë “Per Ty Atdhe” e Pjeter Gacit.
Më pas “Shqiperi o Vendi Im” i Avni Mulës, “Fjalët e Qiririt” e Limoz Dizdarit, “Per Mëmëdhenë” Mihal Grameno, “Goca e Kaçanikut” Rauf Dhomi, “Unë Biri Yt Kosovë” Feim Ibrahimi, ” Vals Hyjnor” Genc Tukiçi, ” E Dua Shumë Shqiperinë” Thoma Avrami, ” Alfabeti” P. Qiriazi.

Për publikun që është rritur dhe edukuar me këte  përzgjedhje këngësh dhe kulture ,,,,Bota Shqiptare e moshave të thyera dhe atyre më pak në moshë se mosha e trete, rrënqethjet dhe lotët ishin pjesë e kënaqesisë së paparë e ketij publiku të përzgjedhur. Të ardhur posaçërisht për atë që prisnin dhe njihnin, të përkushtuar për koncertin,,,, e për të mos thënë se gjysma e Tiranës të zhvendosur  në New York ishte e pranishme në këtë Gala të jashtëzakonshme! Nuk ka pasur koncert me prani më të madhe pjesëmarresish se sa ky i fundit gjatë 25 vjetëve të fundit në NYC. Publiku i mbrujtur me këte kulturë i dhuroi konfort e shumë dashuri këngëtarëve.
Emocione te papërshkrueshme patën dhe Artistet tanë te cilët ndoshta nuk imagjinonin dot, një mbështetje kaq të madhe nga komuniteti Shqiptar i New Yorkut.

Të mos harrojmë se jo cdo i ri / e re, e njeh këtë muzikë nga brezi i mbas ’90 të rritur jashtë shtetit. Për aq më tepër, muzika klasike nuk ka qënë pjesë në edukimin e këtij brezi që çdo herë e më shumë i largohet kësaj muzike. Shumë prej tyre të pranishëm për herë të parë në këtë koncert panë se ky komb ka edhe një muzike tjetër tradicionale nga ajo që kanë dëgjuar deri më parë.

Shpresoj që Inva Mula ta thyejë edhe këtë akull të fortë, për ti hapur derën e madhe një brezi të ri, që me diturinë e tij ka arritur majat e Wall Street-it,,, por jo ato koncertore klasike të Metropolitanit në Lincoln Center.

Nga Arenc Leka
Violinist, New York – 3 Prill 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Arenc Leka - Violinist, Inva Mula në Town Hall

Qeveria po gropos 150 milionë euro në malet e Mokrës

April 6, 2016 by dgreca

(Transporti – dështimi më spektakolar i Qeverisë Rama) /

Shkruan:GERI SELENICA/
Sa kalon doganën greke në Kapshticë ndodhesh para një kantjeri gjigand ndërtimi, ku punohet 24 orë në çdo ditë të javës.  Ajo është “Autostrada Egnatia” që fillon nga Stambolli dhe përshkon gjithë Greqinë veriore ka mbërritur tashmë në Kapshticë. Ky është investimi më i madh në Ballkan e Greqi: 1000km autostradë (Kipoi-Igumenicë, plus 9 zgjatimet që lidhen me Shqipërinë, Maqedoninë e Bullgarinë), 100km tunele, 1660 ura e viadukte.
“Via Egnatia” është ndërtuar midis viteve 146 dhe 120 para Krishtit, fillimisht duke ndjekur gjurmët e një rrugë të vjetër para-romake nga Dyrrachium në detin Adriatik deri afër Selanikut në detin Egje. Më vonë, ajo u zgjat nga Evro në Bizantium, dhe përfundimisht morri emrin “Egnatia” e gjithë rruga, dmth nga Roma deri në Konstandinopojë, për nder të Gnaeus Egnatius, prokonsullit romak që e ka ndërtuar atë. Në Perandorinë Romake, “Via Egnatia” qe rruga më e rëndësishme që lidhte kryeqytetin e Romës nëpërmjet Dyrrachiumit me Konstandinopojën. Dhe deri në shekullin e 16 ajo ishte rruga kryesore për komunikimin midis popujve të lindjes e perëndimit për tregtinë, fenë, ideologjitë, kulturat, ekonomitë, mënyrat e jetesës, etj.
Logjika më e thjeshtë e një kryeministri shqiptar për futjen e Shqipërisë në lojën globale të transportit do të qe së pari rijetësimi i “Via Egnatia”. Ky është një ekuacion i zgjidhur 2000 vjet më parë, që s’ka nevojë për shumë shkencë. Në thelb përveç ish-kryministrit Meksi, si njohës i mirë i lashtësisë, asnjë kryeministër në 25 vite nuk e kuptoi rëndësinë e kësaj rrugë e aq më tepër në 15 vitet e fundit, kur morri jetë ndërtimi i “Autostradës Egnatia”.
Me hapjen e mundësisë nga “Procesi i Berlinit” për Vendet e Ballkanit Perëndimor për të përfituar fonde nga BE (që ka financuar 45% të “Autostradës Egnatia”), hapi i parë që qeveria Rama duhej të bënte ishte
vazhdimi i kësaj autostrade nëpër Shqipëri dhe lidhja e saj me portin e Durrësit dhe vazhdimi i saj në veri drejt Kroacisë. Kjo është e vetmja autostradë e BE-së që ka ardhur në kufirin shqiptar. Minimalisht nga ana procedurjale qeveria shqiptare duhej ta klasifikonte vazhdimin e kësaj autostrade nga Kapshtica në Elbasan (130km) në “Rrjetin Bazë të Transportit të BE” (TEN-T Core Network). Por kjo nuk ka ndodhur edhe pas shumë letrave dhe artikujve që kam shkruar për këtë çështje dhe bisedave direkte me zyrtarët tanë!!!! Përkundrazi Qeveria Shqiptare është dakordësuar në SEETO që segmenti Elbasan-Kapshticë të jetë një “Rrugë Ndihmëse”, nga e cila Elbasan-Qafë Thanë ka nevojë vetëm për përmirësim të rrugës ekzistuese, ndërsa Pogradec-Kapshticë quhet e përfunduar!!!I vetmi segment që ka kërkuar financim Shqipëria nga BE dhe i është aprovuar nga “Plani 5 Vjeçar 2016-2020 i SEETO për Zhvillimin e Transportit të Ballkanin Perëndimor” është “Rruga Berat-Tepelenë” në listën e “Projekteve Prioritare që ju Ligjërohet Financimi”, ç’ka është një dështim dhe një budallallëk e nonsense total!!!
Ndërkohë që as në listën e “Projekteve Prioritare që do të Përgatiten deri në vitin 2020” Shqipëria NUK ka paraqitur 2 segmentet më strategjike: autostradën “Elbasan-Qafë Thanë” e “Qafë Thanë-Kapshticë”!!! që janë vazhdim i “Autostradës Egnatia” dhe njëkohësisht i “Korridorit 8”, të cilin Maqedonia po e ndërton në nivel autostrade. Pra në Kapshticë e Qafë Thanë vijnë dy autostrada të rëndësishme dhe Qeveria Shqiptare nuk planifikon asnjë autostradë që të lidhet me këto segmente deri në vitin 2020!
Por përkundrazi në një mungesë totale vizioni Qeveria po ndërton me një kredi 150 milionë dollarësh, marrë nga Banka Islamike e Zhvillimit dhe Fondi Saudit i Zhvillimit, rrugën e pa nevojshme malore “Qukës-Qafë Plloçë”, me një karrexhatë, e gjatë 44 kilometra (me kosto mbi 3.5 milionë US$/km).
Përse na shërben “Rruga Qukës–Qafë Plloçë”?
1 – “Rruga Qukës–Qafë Plloçë” është vetëm 3km më e shkurtër se rruga ekzistuese “Qukës–Qafë Thanë-Qafë Plloçë”. Pra nuk përfitohet ndonjë rrugë më e shkurtër. Por në një të ardhme është i pashmangshëm ndërtimi i Korridorit 8-të, “Qafë Thanë–Elbasan”, pra dhe segmenti “Qafë Thanë-Qukës” (15km), i cili përfshin një tunel afërsisht 3km të gjatë në Qafë Thanë, “Rruga Qukës-Qafë Plloçë” do të jetë krejt pa leverdi, pasi “Qafë Thanë-Qafë Plloçë” është vetëm 25km dhe distanca Qukës-Qafë Plloçë do të jetë më e shkurtër 4km nga drejtimi i Qafës së Thanës.
2 – Sipas ekspertëve në të ardhmen është plotësisht i pamundur kthimi saj në autostradë me standarte si “Autostrada Egnatia”. Të gjithë ekspertët e kanë kritikuar projektin. Sipas të dhënave tona, projektin de-facto e ka bërë një ish zëvendësministër (E.N.), pa studime serioze inxhinierike, socio-ekonomike e ambjentale (alla shqiptarçe), sa për të marrë financimin arab.
3 – Por skandali më i madh inxhinierik është se “Rruga Qukës-Qafë Plloçë” do të kalojë në mbi 20 kilometra në kuota mbi 1000m e në rreth 5-6 kilometra në kuota 1200-1300m. Ndërsa korridori rrugor, që kalon nga Qafë Thana shmang maksimalisht kuotat e larta (kuota më e lartë në Qafë Thanë vetëm 750m e në Qafë Plloçë 850m). Nivelet tejet problematike, në kuota mbi 1000m deri në 1300m të alternativës Qukës – Qafë Plloçë, nëpër malet e Mokrës, e bëjnë këtë zgjidhje krejt të gabuar e të pajustifikueshme.  Për kushtet klimatike të zonës, do të thotë që në dimër kjo rrugë është e pakalueshme. Të gjithë jemi dëshmitarë të bllokimeve të shpeshta që ndodhin në Qafë Thanë, që është 600m më ulët se kuota më e lartë e kësaj rruge. Ky s’është një GABIM, por një KRIM EKONOMIK SHUMË I RËNDË dhe një shpërdorim ekstrem i papërgjegjshëm i fondeve publike.
Studimet tona paraprake nxjerrin shumë më me leverdi gjurmën përgjatë liqenit të Pogradecit, ku ekspertet sygjerojnë 25km autostradë malore (Lin-Qafë Plloçë) në një kuotë ~30m mbi nivelin e liqenit, për arsye ambjentale.
Lidhja me “Autostradën Egnatia” ka AVANTAZHE se:
1. Distanca Athinë-Tiranë është 100km më e shkurtër me lidhjen nga Kapshtica, se sa nga Kakavija, që nuk ka për të pasur një autostradë edhe për shumë e shumë vite në të dy anët e kufirit. Kjo është rruga më e shkurtër drejt Turqisë dhe veriut e jugut të Greqisë, që ka 90% të popullsise dhe potencialit ekonomik grek, kundrejt zonës së varfër të Greqisë perëndimore me vetëm 1 milionë banorë;
2. Distanca Athinë-Tiranë-Trieste është 150km më e shkurtër se nga Korridori 10 (Athinë-Beograd-Trieste);
3. Distanca Stamboll-Tiranë-Trieste është vetëm 70km më e gjatë se Stamboll-Beograd-Trieste, pra është konkuruese;
4. Gjurma përgjatë liqenit të Pogradecit është më optimalja, pasi distanca Athinë-Pogradec-Shkup barazohet me distancën Athinë-Selanik-Shkup (705km). Pra kjo është një devijim i sukseshëm i Korridorit 10.
Pa llogaritur që gjithë trafiku i Korridorit 10, që ka desinacion Greqinë Perëndimore e ka më shkurt të kalojë nga Pogradeci, se nga Selaniku.
5. Lidhja me “Autostraden Egnatia” në terma ekonomike do të thotë që Shqipëria bëhet pjesë efektive e dy “Korridoreve Ndërkontinentale Kineze të Mëndafshit” që lidhin Europën me Azinë. Për dijeni vetëm kalimi i këtij korridori nga Porti i Pireut do t’i sjellë Greqisë 14 miliardë euro në vit dhe do të krijojë rreth 134.000 vënde të reja pune
Dmth kalimi i “Korridorit të Mëndafshit” nga Greqia do t’i japë të ardhura ekonomise greke, më shumë se GDP-ja e Shqipërisë!!!
Kjo është një mënyrë shumë agresive e inteligjente e të menduarit dhe e planifikimit strategjik, për të rritur valencat ekonomike të Shqipërisë.
Pra a duhej të përpiqej qeveria shqiptare ta devijonte në mënyrë efektive “Autostradën Egnatia” nga Shqipëria dhe Adriatiku???!!!
Ne i kemi sygjeruar me kohë qeverisë, që “Rruga Qukës-Qafë Plloçë” duhet të braktiset fare. Më mirë të humbasim kaq sa janë harxhuar, se sa të humbasim 150 milionë dollarë dhe një mundësi për të bërë diçka më të mirë me këtë financim. Ka ende kohë, që të ndalim investimin e gabuar.
Sipas nesh Qeveria duhet të vlerësojë si dy projektet më strategjike rrugore: -ndërtimin e “Autostradës Elbasan–Qafë Thanë-Kapshticë” (140km), që
të lidhet me “Autostradën Egnatia” e me “Korridorin 8”, si dhe vazhdimi i saj në autostradën “Tiranë-Lezhë-Ulqin” pjesë e Korridorit Adriatiko Jonian.
Për këtë Qeveria duhet të kontraktojë kompani ndërkombëtare të klasit të parë në projektim autostradash (jo shqiptare, pasi rrugët tona tregojnë më së miri aftësinë e tyre), që të bëjnë urgjent një PRE-FEASIBILTY STUDY ROUTE SOLUTION për “Lidhjen e Autostradës Egnatia me Autostradën Adriatiko-Joniane”, që të ketë një projekt profesional në Takimin e Parisit.
Por deri më tani Qeveria është e vendosur që të groposë mbi 150 milionë dollarë në malet e Mokrës me rrugën “Qukës-Qafë Plloçë”, duke e vënë veten në rolin e një sekseri të dorës së dytë, pasi kremin ketij projekti
ja kanë ngrënë më parë. Kjo është një vjedhje e rëndomtë, që për disa milionë euro bakshish, që dikush mund t’i merrte me projekte edhe më serioze, ne do të paguajmë 150 milionë dollarë, plus interesat. Vetë firmat ndërtuese tallen me cilesinë e projektit dhe prokuruesit e tij.
Në tre vite Qeveria ka dështuar duke mos bërë asnjë kilometër rrugë të re kombëtare e nuk po bën asgjë për një strategji afatgjatë transporti, si mjeti kryesor për rimëkëmbjen ekonomike. Ajo ka dështuar në mënyrë spektakolare me “Rrugën e Arbërit”, bile edhe me segmente që ishin bërë gati nga qeveria e mëparshme. Me ç’duket vizioni maksimal dhe arritja më e rëndësishme për qeverinë është “Rruga e Lumit të Vlorës”, me gjerësi 7 metra dhe me asnjë mundësi për t’u kthyer në autostradë në të ardhmen.
Transporti është dështimi më spektakolar i Qeverisë, që tregon një mungesë të theksuar vizioni në këtë sektor dhe për ekonominë në përgjithësi.(Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike-ALBANIAN CENTER OF STRATEGIC STUDIES)

Filed Under: Analiza, Ekonomi Tagged With: në malet e Mokrës, Qeveria po gropos 150 milionë euro

NDËRROI JETË APOSTULLI I DARDANISË

April 6, 2016 by dgreca

Frank SHKRELI/

Ne Foto: Prof. Dr. Zef Mirdita  (1936-2016)/

Mediat elektronike dhe gazetat përhapën lajmin e zi anë e mbanë trojeve shqiptare se Prof. Doktor Zef Mirdita, në moshën 80-vjeçare  e la këtë shekull për në jetën e amshuar, duke i mbyllur sytë në Zagreb të Kroacisë ku kishte jetuar dhe zhvilluar për shumë vite aktivitetin e tij akademik dhe shkencor.  Kombi shqiptar është sot më i varfër me zhdukjen e këtij  historiani dhe kolosi të shkencës dhe letrave shqipe.  Është më i varfër kombi shqiptar dhe sidomos Dardania, me humbjen e një shqiptari dhe shkencëtari të madh, i cili me sjelljet e tija fisnike dhe me një përvojë të gjatë akademike dhe kombëtare — ai me jetën dhe veprat e tija në gjuhë të ndryshme europiane dhe sidomos përballë të huajve, nderonte kombin shqiptar kudo që shkonte dhe kudo ligjëronte nepër kryeqytete të Europës, në mbrojtje të historisë mija vjeçare të kombit shqiptar në trojet e veta autoktone, duke filluar nga periudha e iliro-dardane e deri në ditët e sotëme.

Fatkeqsisht, përveç nëpërmjet disa shkrimeve të tija, unë nuk patur rastin ta njihja personalisht Profesor Zef Mirditën, por ata që e kanë njohur për së afërmi dhe të cilët kanë pasë fatin të ishin edhe studentë të tij në Universitetin e Prishtinës dhe universitete e fakultete të tjera të Kosovës, e konsiderojnë kalimin në amshim të Profesor Zef Mirditës sot si një fatkeqsi për botën arbërore, për  të vërtetën e saj historike dhe për shqiptarizmin në përgjithësi. Ndër vetitë e Profesor Zef Mirditës, pohojnë ata, ishte e vërteta mbi historinë iliro-shqiptare si dhe mbrojta e saj kudo dhe kurdo, por ai njëkohsisht ruante edhe vetitë që nuk mësohen në libra, por të cilat historikisht e kanë dalluar fisin e vjetër të shqiptarit nga popujt e tjerë – e që janë  burrënia, nderi, besnikëria.  Mision të jetës së tij, ai kishte përcaktuar mbrojtjen e historisë dhe të së vërtetës së zanafillës së shqiptarëve, sidomos të Dardanisë dhe dardanëve.

Megjithëse Dardanët kanë qenë njëri prej fiseve më të dalluar të botës ilire, fatkeqësisht gjeneza dhe historia e tyre nuk kishte tërhequr më parë vëmendjen dhe interesimin e studiuesve dhe të historianëve të vërtetë si Profesor Zef Mirdita.  Për më tepër, edhe ato pak studime që mund të ishin bërë gjatë dekadave të kaluara, sidomos nga të huajt, historia e Dardanisë dhe Dardanëve mohohej dhe madje kur paraqitej, ajo shtrembërohej qëllimisht nga të huajt, me mungesa të mëdha historike dhe kulturore, përfshirë edhe mohimin e etnogjenezës së tyre.

Por akademik Zef Mirdita si rradhë ndonjë tjetër historian, e kishte marrë përsipër si përgjegjësi personale intelektuale por edhe kombëtare, për të provuar me veprat dhe shkrimete tija me argumentat shkencorë, se Dardania ishte Iliri dhe se dardanët ishin me prejardhje ilire, njëkohësisht duke hedhur poshtë njëherë e mirë edhe tezat kryesisht të shtrembëruesve të historisë së shqiptarëve pasardhësve të ilirëve — se dardanët nuk na paskan qenë me prejardhje ilire.  Mirëpo, Profesor Zef Mirdita gjatë gjithë jetës së tij me veprat dhe studimet që ka bërë në këtë fushë, argumenton me fakte historike dhe mbështetur në zbulime arkeologjike se e kundërta është e vërteta nga ato që kanë paraqitur shtrembëruesit e historisë së ilirëve dhe të shqiptarëve.  Në shkrimet e tija, Profesor Zef Mirdita ka mbrojtur vazhdimisht tezën e etnogjenezës iliro-shiptare se dardanët në të vërtetë kanë ekzistuar si një popullsi banuese në trojet e veta në Dardani nga kohët e hershme e ndoshta edhe deri në mesjetë dhe si të tillë ata janë aty padyshim parardhës të shqiptarëve në Kosovën e sotme dhe më gjërë.

Historiani shqiptar Moikom Zeqo, duke vlerësuar figurën dhe veprën e Profesor Zef Mirditës me rastin e vdekjes së tij, pohon se, “Zef Mirdita qe një mjeshtër i madh i analizës, i referencës shkencore bibliografike dhe arkeologjike si dhe i metodologjisë moderne të parashtrimit dhe të sintezës së mirëfilltë.  Studimet e tij për Dardaninë dhe iliricitetin e Kosovës në antikitet janë substanciale dhe të patjetërsueshme.  Dhe të mos harrojmë që një vështrim të tillë historik dhe konceptual ai e ka bërë dhe e ka botuar shumë më përpara arritjes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, është shprehur historiani Moikom Zeqo.  Ndërkaq, njoftohet se në Zagreb sapo është botuar dhe promovuar vepra voluminoze e akademik Zef Mirditës me titullin: “Dardanët dhe Dardania Antike”. Duhet të jetë kjo një vepër e madhe, e mbarë dhe e frytshme e këtij Apostulli të Dardanisë, një vepër kjo besoj që pasqyron shprehje të ndriçimit mendor historik dhe të atdhedashurisë së tij për kombin e vet dhe për të vërtetën e preardhjes së tij historike, nga rrjedhte edhe vet.  Një vepër kjo e fundit nga Profesor Zef Mirdita, që shpresojmë të shërbejë si porosi dhe flakë për brezin e sotëm të shqiptarëve, pasardhës të dardanëve – si flakë që të mos shuhet por të shëndritë si trashëgimi e Apostullit të Dardanisë, Zef Mirditës për ruajtjen e identitetit kombëtar për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve — në udhën e historisë se re të Kosovës dardane të pavarur dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta.

***

Kush ishte Prof. Zef Mirdita?

Prof. Dr. Zef Mirdita u lind në Prizren, më 13 mars të vitit 1936. Shkollën fillore e kreu në Prizren, ndërsa gjimnazin klasik, respektivisht interdioqezian, në Pazin dhe në Zagreb. Në Fakultetin Katolik Teologjik në Zagreb, më 1958, absolvoi Filozofinë. Në vitin shkollor 1959/60 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Dega e Historisë. Nga viti shkollor 1961/62 ishte demonstrator në Katedrën për Histori Kroate te prof. dr. Jaroslav Šidak. Qysh si student i vitit të tretë dhe të katërt ligjëroi lëndën e Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Ise Kršnjavoga” në Zagreb. Diplomoi më 8 korrik të vitit 1965.

Pas kthimit në Prizren, më 8 shkurt të vitit 1966, punoi profesor në gjimnaz, në shkollën e mesme të muzikës dhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku ligjëroi histori, sociologji, gjuhë latine dhe gjuhë frënge, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, serbe dhe turke.  Nga 1 janari i vitit 1967 kaloi në Prishtinë si asistent në Katedrën e Historisë, Dega e Historisë Antike dhe më 3 nëntor 1972 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me temën Dardanët dhe Dardania në Antikë.  Më 1973 u zgjodh docent me ç’rast e mori përsipër Katedrën e Historisë së Kohës së Vjetër në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, të cilën lëndë e ligjëroi në dy gjuhë, për studentët shqiptarë dhe serbë.  Në gusht të të njëjtit vit qëndroi në Shqipëri ku bëri gërmime e hulumtime arkeologjike.  Më 1974 si bursist i Qeverisë Italiane qëndroi në specializim në Katedrën e Historisë së Vjetër në Universitetin “La Sapienza” e Romës. Në vitet 1976-1977, si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung” qëndroi në specializim (Për Historinë e Vjetër dhe Paleobalkanistikën) në Universitetin e Heidelberg-ut në Gjermani.  Më 1978 u zgjodh profesor, ndërkaq më 1983 profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës.  Më 3 prill 1991 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.  Njëkohësisht, si profesor mysafir ligjëroi në disa universitete europiane, si në Vjenë, Jena, München, Romë, Sofje dhe Tiranë.    Më 1991-1992 qëndroi në Gjermani (München) për të dytën herë si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung”.  Nga 1 marsi i vitit 1993 është këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë ku e udhëheq projektin “Vlasi –popullatë e vjetër ballkanike që nga fillet historike deri më sot”.   Që nga viti akademik 1997/98 deri në atë 2006/07 ishte ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit “J. J. Strossmayer” në Osijek, ku e ligjëroi lëndën: Historia e Vjetër – Lindja e Vjetër.   Përveç dhjetë librave në shqip, shqip-gjermanisht dhe në kroatisht, botoi në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane dhe italiane, në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, mbi 100 studime, shqyrtime dhe punime – artikuj, recensione, kritika, shënime, polemika etj. Po ashtu përktheu disa libra nga kroatishtja në shqip dhe nga shqipja në kroatisht.  Që nga viti 1999 është nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Kroato-Shqiptare, ndërsa në periudhën kohore 2003-2007 ishte anëtar i Këshillit për Pakica Kombëtare në Qeverinë e Republikës së Kroacisë.  Më 16 qershor 2004, Alfred Moisiu, kryetar i Republikës së Shqipërisë e dekoroi Profesor Zef Mirditën me shpërblim për kontributin e dhënë albanologjisë dhe për përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar në Republikën e Kroacisë.  Më 29 prill 2005, u laureua me shpërblimin e Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve   për librin, “Vllehët në historiografi”, i cili u shpall libër i vitit 2004.  Më 21 dhjetor 2011, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës e shpalli shkencëtar të vitit 2011.(Biografia e Profesor Zef Mirditës është marrë nga Revista Drita – e përmuajshme Fetare-Kulturore e Kishës Katolike në Kosovë).

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: APOSTULLI I DARDANISË, Frank shkreli, nderroi jete

Rrënjët marksiste të ekstremizmit islamik

April 5, 2016 by dgreca

Nga DAMON LINKER/*

Islami radikal, për shembull, është një përzierje e fuqishme motivesh të nxjerrë prej të kaluarës myslimane dhe ideve marksiste-leniniste, të importuara prej shkrimeve të polemizuesve të tillë si Said Qutb dhe Abul Ala Maududi. Dy grupet islamike më të fuqishme dhe më ambicioze – Shteti Islamik dhe al Kaeda – nuk besojnë seriozisht se aktet e tyre të terrorizmit kundër Perëndimit, do të shtyjnë BE apo SHBA që të dorëzohen

Anti-liberalizmi po shijon momentin e tij. Dhe po ndodh në të gjithë pikat e spektrit politik.

Fanatikë fetarë vetëvrasës, tani godasin rregullisht mu në themelet e shoqërive të hapura dhe të lira në Europë. Këta sulme ndihmojnë për të frymëzuar forma antiliberale të populizmit nacionalist në të dy anët e Atlantikut (mendoni Marine Le Penin në Francë, ose Donald Trumpin në SHBA). Në përgjigje të fuqisë elektorale të të djathtës dhe gatishmërisë selektive të politikanëve të moderuar për të bërë kompromis me të, një e majtë antiliberale është ngritur nga të vdekurit, për të sfiduar rendin liberal, duke përdorur koncepte dhe kategori që burojnë prej traditës marksiste të teorisë sociale.

Liberalët e vërtetë kanë shumë për të thënë, në përgjigje të kritikëve që po i rrethojnë gjithnjë e më shumë. Disa linja mbrojtjeje fokusohen në ruajtjen e disa normave liberale, si respekti i njëllojtë për të drejtat e individit, dhe toleranca ndaj atyre që nuk bien dakord. Të tjerë tregojnë të mirat konkrete që liberalët kanë, dhe do të vazhdojnë të arrijnë, përballë kundërshtarëve të papajtueshëm. Të tjerë akoma vënë në dukje pasojat e mundshme të paqëllimta të fuqizimit të shtetit, për të sheshuar hierarkitë dhe eleminuar padrejtësitë.

Pastaj është përpjekja për të nxjerrë në pah pasojat ë dëmshme politike, që mund të burojnë prej zakoneve intelektuale joliberale. Mendoj, mbi të gjitha, për format totalitare të debatit politik – dhe në mënyrë të veçantë, tendencën e atyre që janë të influencuar prej marksizmit (ndonjëherë pa e ditur), për të përqafuar objektivin e “lartësimit të kontradiktave”.

Ideja është e thjeshtë, e fuqishme – dhe tinzare. Kritikët radikalë shpesh herë kërkojnë të nxisin ndryshime dramatike, por ata nuk mund të shohin një shteg të drejtpërdrejtë, nga status quo-ja, deri tek bota shumë e përmirësuar që duan të sjellin. Kjo bën që të lindë ideja e kërkimit të një katalizatori brenda të tashmes, që mund të shërbejë si pedanë për revolucionin total.

Farat e kësaj ideje mund të gjenden në shkrimet e Hegelit, filozofi gjerman i fillimit të shekullit 19, i cili e përshkruante progresin historik si një proçes dialektik në të cilin, kontradiktat sociale, kulturore, intelektuale dhe ekonomike shkrihen dhe vetëzgjidhen, për të prodhuar kontradikta të reja, kriza, dhe zgjidhje, e kështu me radhë, nëpër shekuj dhe mijë vjeçarë. Hegeli mendonte se ky proçes në fund arrinte kulmin tek shteti-komb modern liberal, i cili përmban burimet e mjaftueshme për të zgjidhur kontradiktat që vazhdojnë të shfaqen brenda tij.

Karl Marksi nuk binte dakord – dhe mospajtimi i tij pati pasoja të mëdha në historinë botërore. Në vend të sugjeronte, me Hegelin, se proçesi historik e kishte arritur kulmin tek liberalizmi, Marksi këmbëngulte se kontradiktat që shfaqen brenda ekonomisë politike liberale, do të jenë po aq fatale për rendin kapitalist, sa ishin për feudalizmin kontradiktat brenda botës mesjetare.

Këto kontradikta të kapitalizmit – mes kapitalit dhe punës, për shembull, apo në mënyrë më specifike, mes konsumit të kufizuar të masave (për shkak të pagave të ulëta) dhe ekspansionit të pakufizuar të prodhimit kapitalist – me kalimin e kohës do të mbërrinin në një moment krize. Nga zjarri i madh që do të rezultonte prej kësaj, do të ngrihej një rend i ri, në të cilin të gjitha kontradiktat do të zgjidheshin. Objektivi i aktorit politik revolucionar duhet të jetë që të përshpejtojë kataklizmën që shkatërron rendin e vjetër dhe lind një rend të ri.

Si mund të arrihet kjo? Këtu hyjnë në lojë “lartësimi i kontradiktave”. Në terma abstraktë, do të thotë intensifikim i atyre gjërave të shoqërisë kapitaliste, të cilat në fund do të sjellin përmbysjen e saj. Në terma konkrete, do të thotë të lejosh, e madje të nxisësh përkeqësimin e gjërave, me shpresën që njerëzit do të frymëzohen prej mjerimit të tyre, për të ndërmarrë veprime radikale.

Rëndësia kritike e theksimit të kontradiktave shpjegojnë armiqësinë, përndryshe të pashpjegueshme, që Marksi dhe Frederik Engelsi shfaqin në pasazhet ëprmbyllës të Manifestit Komunist, kundrejt socialistëve jokomunistë, për faktin që ata përqafojnë “reformën” në vend të revolucionit. I njëjti impuls mund të dallohet tek të gjithë pasardhësit më me ndikim të Marksit, nga Vladimir Lenini dhe Roza Luksemburgu, e deri në panteonin e revolucionarëve të Botës së Tretë, të cilët frymëzuan kryengritje popullore në të gjithë globin, përgjatë mesit të shekullit 20. Të gjithë ata hidhnin poshtë të drejtat e individit (“borgjezinë”), si dhe legjitimitetin e shtetit social liberal, sado bujar të ishte ai, mbi bazën e idesë që ai funksionon si një rryshfet që “blen” klasën punëtore me gjysmë-masa, duke i lënë të paprekura kontradiktat e rendit aktual, pa rrugëdalje, dhe pa fund në horizont.

Shumë më i mirë, në terma kohëshkurtër, është varfërimi ekonomik i klasës së mesme, me qëllim që ajo të ngrihet dhe të ndërmarrë veprime radikale për të përmbysur sistemin në tërësi.

Që nga rrëzimi i Bashkimit Sovjetik, nuk ka patur shumë revolucionarë komunistë doktrinarë. Por kjo nuk do të thotë se ideja e theksimit të kontradiktave është zhdukur. Përkundrazi, ajo është përhapur si virus në forma të tjera të ekstremizmit politik antiliberal.

Islami radikal, për shembull, është një përzierje e fuqishme motivesh të nxjerrë prej të kaluarës myslimane dhe ideve marksiste-leniniste, të importuara prej shkrimeve të polemizuesve të tillë si Said Qutb dhe Abul Ala Maududi. Dy grupet islamike më të fuqishme dhe më ambicioze – Shteti Islamik dhe al Kaeda – nuk besojnë seriozisht se aktet e tyre të terrorizmit kundër Perëndimit, do të shtyjnë BE apo SHBA që të dorëzohen.

Strategjia e tyre është më e duruar dhe indirekte (një marksist do ta quante dialektike). Ata duan që sulmet e tyre të provokojnë një reagim të të djathtës ekstreme kundër myslimanëve brenda vendeve perëndimore, që nga ana e vet do të frymëzojë myslimanët brenda atyre vendeve që të radikalizohen, dhe të jenë të gatshëm të kryejnë sulme edhe më spektakolarë, kundër shoqëive që i kanë pritur. Sulm, reagim policor, sulm më i keq, reagim me masa më drakoniane, e kështu me radhë, me perëndimin që dobësohet aq shumë, saqë një Islam i ringritur të mund të shfaqet si një fuqi globale triumfuese.

Përkeqësoji gjërat, për të përmirësuar gjërat: një rast klasik i theksimit të kontradiktave.

Marksi, kampioni i klasës punëtore, do të kish qenë i shastisur nga mënyra si islamikët kanë përvetësuar dhe vënë në zbatim idetë e tij dialektike.

Këshillimi i aktorëve politikë që të theksojnë kontradiktat është thjesht makiavelizëm i ngritur në një parim providencial: Historia është në anën tënde, kështu që duhet të bësh gjithçka për të fituar, përfshirë edhe akte që normalisht do të cilësoheshin të ligj.

Çdo gjë lejohet, sepse kështu thotë historia: ky është mësimi i Marksit.

Një mësim që asnjë liberal nuk mund ta pranojë, kurrë.

/The Week 

Filed Under: Analiza Tagged With: DAMON LINKER, Rrënjët marksiste, të ekstremizmit islamik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT