• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Kosovë-Serbi, Udhëzuesi për njohjen reciproke të diplomave

April 4, 2016 by dgreca

-Në bazë të marrëveshjes fillestare të vitit 2011/PRISHTINË, 4 Prill 2016/ Në kontekst të dialogut të lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të dyja palët kanë rikonfirmuar që do të zbatojnë marrëveshjen për pranimin reciprok të diplomave profesionale dhe akademike.  Kjo u bë e ditur pak më parë në një njoftim të dërgur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.Theksohet se, diplomat fillimisht do të vërtetohen nga një organizatë e përzgjedhur nga BE. Pas këtij vërtetimi mund të dorëzohet aplikacioni për njohje tek institucionet përkatëse të secilës palë. Njohja do të ndahet në pjesën profesionale dhe akademike.

Njohja profesionale do të bëhet nga organet qeveritare përkatëse, brenda maksimumi 90 ditësh pas pranimit të aplikacionit dhe me një tarifë e cila është e barabartë me 50 euro ose ndonjë shumë të barabartë me të. Njohja profesionale do të konsiderohet e mjaftueshme për mundësi punësimi, përfshirë këtu edhe në organet qeveritare.

Njohja akademike do të nevojitet për vazhdimin e studimeve; procedurat do të varen nga institucioni individual i arsimit të lartë dhe do të kenë një afat të përgjithshëm prej pesë muajsh. Të gjitha certifikatat që janë marrë më herët në EUA do të njihen nga të dyja palët. Diplomat e vërtetuara tashmë nga EUA mund të dorëzohen direkt për njohje. Palët do t’i procesojnë ato që nga 4 prilli 2016. Të gjitha njohjet e mëparshme të diplomave do të trajtohen të vlefshme.

Për më tepër, palët janë pajtuar të zgjerojnë fushëveprimin e marrëveshjes së vitit 2011 për të përfshirë edhe këto nivele arsimimi: arsimi i lartë (Bachelor, Master dhe PhD) dhe arsimi para-universitar (fillestar, sekondar, edukimi profesional dhe niveli i pestë i kualifikimit sipas Kornizës Evropiane të Kualifikimit). Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë këtë proces përmes financimit të një projekti që do të lehtësojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje në fazën fillestare të certifikimit. Hollësitë për modalitetet e këtij projekti dhe partnerin(ët) e përzgjedhur implementues do të shpallen në një fazë më të vonshme.Në ndërkohë, kërkohet që aplikuesit e interesuar t’u drejtohen ministrive përkatëse të arsimit për të dorëzuar aplikacionet e tyre./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Kosove-Serbi, reciproke, të diplomave, Udhëzuesi për njohjen

Moska, si gjithmonë,mbron kriminelët serbë

April 4, 2016 by dgreca

Prof.dr. Eshref Ymeri/ Indianapolis, Indiana-USA/

 Ai që mbron krimin, bëhet bashkëpjesëmarrës në kryerjen e tij-Volter/

Siç u bë e njohur nga mjetet e informimit masiv, më 24 mars 2016, Tribunalindërkombëtar i Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, e përfundoi procesin e gjykimit të kriminelit Radovan Karaxhiç. Procesi zgjati gjashtë vjet e gjysmë. Gjykatësi jugkorean O Hon Kuon lexoi vendimin e Tribunalit: 40 vjet burg për krimet tërësore të luftës që ai pati kryer kundër popullit boshnjak.

Në krimet tërësore që ka kryer krimineli Radovan Karaxhiç, përfshihen: pjesëmarrja në gjenocid, pushkatimi i njerëzve si krim kundër njerëzimit, vrasjet si krim kundër njerëzimit, vrasjet si shkelje e ligjeve dhe e rregullave të luftës, vrasjet e qëllimshme si shkelje e Konventës së Gjenevës, përndjekjet për arsye politike (racore dhe fetare), shpërnguljet me dhunë (deportimet) si krime kundër njerëzimit, veprime të tjera antinjerëzore, terrorizim i popullsisë civile, marrje e pengjeve.

Natyrisht që, pas shpalljes së këtij vendimi të Tribunalit të Hagës, do të pasonin edhe reagimet përkatëse. Nënkuptohet që fillimisht pritej reagimi i Bashkimit Evropian përmes OSBE-së.Me këtë rast, ambasadoriJonathanMoore, Kryetar i Misionit të OSBE-së në Bosnjë-Hercegovinë, po atë ditë që u shpall vendimi i Tribunalit të Hagës, dha deklaratën që vijon:

“Mendimet e mia shkojnë te familjet e viktimave të gjenocidit dhe të krimeve të tjera të tmerrshme, të kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Shpresoj që ky dënim të sjellë një shkallë të vogël kënaqësie tek ata që kanë kërkuar drejtësi për kaq kohë të gjatë. Kërkimi i drejtësisë nuk lë indiferent asnjërin prej nesh. Ky mund të jetë një proces i gjatë, i ndërlikuar dhe kundërshtues. Megjithatë, pas më shumë se 20 vjetësh, është e një rëndësie jetike që kriminelët e luftës të vihen përpara drejtësisë. Kjo është e domosdoshme për të ndërtuar një paqe jetëgjatë në Bosnjë-Hercegovinë” (Citohet sipas: “Reagimi i OSBE-së për dënimin e Karaxhiçit”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Koha Jonë”. 24 mars 2016).

Po Moska si reagoi ndaj dënimit të kriminelit Karaxhiç?

Më poshtë po iu përcjell lexuesve reagimin e Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse: “Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë komentoi vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të krimeve të luftës për ish-Jugosllavinë për dënimin e ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç me 40 vjet heqje lirie.

Nuk mund të mos të tërheqë vëmendjen edhe data e çuditshme e dhënies së dënimit – në ditën e kryerjes së një tjetër krimi, për të cilin Tribunali Ndërkombëtar i krimeve të luftës për ish-Jugosllavinë, nuk pranoi të zvillonte hetime – dita fillimit të bombardimeve kundër ish-Jugosllavisë nga ana e forcave të koalicionit të shteteve anëtare të NATO-s. Lufta civile në ish-Jugosllavi në vitet ’90 dhe bombardimet e NATO-s, përbëjnë një faqe tragjike të historisë botërore. Ndërkohë, Tribunali ndërkombëtar i krimeve të luftës për ish-Jugosllavinë, vazhdon të sajojë mite për përgjegjësinë individuale të popullit serb për ato ngjarje. Si përfundim, qe minuar thelbësisht dinamika e pajtimit ndërnacional dhe ndërfetar në Ballkan” (Citohet sipas: “MPJ FR për dënimin e Karaxhiçit”.Marrë nga faqja e internetit“russian.rt.com”. 25.03.2016).

Pra, Moska, si asokohe kur Millosheviçi ndodhej për gjykim në Tribunalin e Hagës, edhe tani, vazhdon me këmbëngulje të mbrojë kriminelët serbë që kryen masakra të tmerrshme kundër popullit boshnjak, në radhët e të cilit ata vranë 100 mijë njerëz të pafajshëm.

Bombardimet e NATO-s nuk përbëjnë një faqe tragjike të historisë botërore, sipas mendësisë paradoksale të diplomacisë ruse. Përkundrazi, ato  përbëjnë një faqe nderi të kësaj aleance në historinë e njerëzimit, sepse pikërisht ato bombardime e shpëtuan popullin shqiptar të Kosovës nga shfarosja masive dhe nga shpërngulja me dhunë që kishte planifikuar banda e kriminelëve serbë, me Millosheviçinnë krye.

Pikërisht Moska, e udhëhequr nga mendësia e saj paradoksale në qëndrimin ndaj kriminelëve serbë, ishte ajo që dërgoi në Hagë dëshmitarë në mbrojtje të kriminelit Millosheviç. Madje dërgoi si të tillë jo dokëdo, por figura kryesore të politikës dhe të strukturave të larta të ushtrisë ruse. Këtu do të përmenden disa prej tyre.

Evgjeni Primakovi (1929-2015) ka qenë drejtor i Shërbimit të zbulimit të jashtëm të Federatës Ruse, ministër i punëve të jashtme dhe kryeministër i Rusisë. Në dëshminë e tij në Hagë, ai deklaroi se “Millosheviçi nuk i kishte vënë vetes objektiva për pushtimin e territoreve të huaja për krijimin e “Serbisë së Madhe”, se ai ishte takuar me Millosheviçin në Beograd në vitin 1993 dhe, sipas fjalëve të tij, “ai atëherë i hodhi poshtë pohimet, sipas të cilave ai synonte të krijonte “Serbinë e Madhe” (Citohet sipas: “Evgjeni Primakov, ish-kryeministër i Federatës Ruse, dha dëshmi në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për çështjen e Millosheviçit”. Marrë nga faqja e internetit “Lenta.Ru”. 02 dhjetor 2004).

Një tjetër figurë kryesore që Moska e dërgoi të dëshmonte në mbrotje të Millosheviçit, ishte Nikollaj Rëjzhkovi (1929), ish-kryeministër i Bashkimit Sovjetik, deputet i Dumës shtetërore, kryetar i komisionit të Dumës Shtetërore për Jugosllavinë. Sipas dëshmisë së tij, “bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë nuk kishin asgjë të përbashkët me mbrojtjen e popullsisë shqiptare në Kosovë”(Citohet sipas: “Komente për vdekjen e S. Millosheviçit. Mendime të politikanëve rusë”.Marrë ngafaqjaeinternetit“slobodan-memoria.narod.ru”. 12 mars 2006).

Sipa mendjelliut Nikollaj Rëjzhkov, koalicioni i shteteve të NATO-s e ndërmori fushatën e bombardimeve kundër Serbisë jo për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga shfarosja dhe shpërngullja tërësisht e dhunshme nga trojet e veta, por, me sa duket, thjesht për të bërë një “teferiç” të ngeshëm mbi hapësirën ajrore të Serbisë, të shoqëruar edhe me “bombardime zbavitëse” herë pas here!

Një tjetër personalitet i lartë rus, por i strukturave ushtarake, i cili pati dëshmuar në Hagë në mbrojtje të Millosheviçit,ishte gjeneral-kolonel Leonid Ivashovi (1943), zëvendëspresident i Akademisë së problemeve gjeopolitike, kryetar i Aleancës ushtarako-shtetërore të Rusisë. Aiekapranuarmegojënevet:

“… unë isha i vetmi nga dëshmitarët që kam dhënë dëshmi për dy ditë me radhë…” (Citohet sipas: Leonid Ivashov. Intervistë për revistën “Itogi”. Marrë nga faqja e internetit “russmir.info”. 27 gusht 2010).

Madje, një ditë pas vdekjes së Millosheviçit, gjeneral Ivashovi ka deklaruar:

“Një lajm brengosës që ka çarë përmes mureve tëOsvencimit hagian (të Hagës – E.Y.), ka sjellë trishtim në zemrat e të gjithë serbëve, rusëve, bjellorusëve, ukrainasve dhe pothuajse të të gjithë njerëzve të planetit, për të cilët janë të shtrenjta nderi, ndërgjegjja, drejtësia, liria, atdheu” (Citohetsipas: “Komente për vdekjen e S. Millosheviçit. Mendime të politikanëve rusë”.Marrë ngafaqjaeinternetit“slobodan-memoria.narod.ru”. 12 mars 2006).

Vetëm një gjeneral i tillë shovinist rus mund t’i lejojë vetes të zbresë në të tilla nivele marrëzie, duke e krahasuar vendburgosjen e kriminelëve serbë në Hagë, me kampin e përqendrimit dhe kampin e vdekjes që ndodhej afër qytetit polak të Osvencimit, të cilin,  në  vitet e Luftës II Botërore, nazistët gjermanë e quajtënKampi i përqendrimit të Aushvicit (Auschwitz concentration camp), ku mbanin tëizoluar 180 deri në 250 mijë njerëz të pafajshëm, 90% e të cilëve ishin hebrenj.

Natyrën e tij shoviniste dhe prej armiku të egër të kombit shqiptar, ky gjeneral mendjeçartur, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, e ka manifestuar publikisht, kur ishte gati të vishte petkun e kryemercenarit dhe të nisej për t’u vënë në krye të trupave serbe për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës. Në intervistën e lartpërmendur ai ka deklaruar:

“… nëse situata do të acarohej, ne, së bashku me një gjeneral të respektuar, duhej të niseshim me aeroplan për në Beograd, për t’i hapur forcat e armatosura jugosllave në formacion luftimi në drejtim të Kosovës”(Citohet sipas: Leonid Ivashov. Intervistë për revistën “Itogi”. Marrë nga faqja e internetit “russmir.info”. 27 gusht 2010).

Si një njollë mjaft e dukshme krimi në historinë e diplomacisë ruse, ka mbetur ngjarja e korrikut të vitit 2015 në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Moska, duke shfrytëzuar të drejtën e vetos, bllokoi Rezolutën e këtij forumi më të lartë ndërkombëtar, në të cilën masakra e Srebrenicës, ku kriminelët serbë  vranë 8 mijë myslimanë të pafajshëm të të gjitha moshave, vlerësohej si gjenocid i pastër.

Ky ishte qëndrimi më skandaloz i Moskës në mbrojtje të kriminelëve serbë.

Në përkujtim të 10-vjetorit të vdekjes së Millosheviçit (11 mars 2006), presidenti serb Tomislav Nikoliç u ngrit e shkoi në Moskë për të gjetur ngushëllim te presidenti Putin. Me këtë rast, në mjetet e informimit masiv rus, u thanë ca gënjeshtra dhe u bënë ca mashtrime kaq të lezetshme, saqë të zbavitin me teprinë e tyre pa karar, me të vetmin qëllim që të bindet opinioni publik ndërkombëtar se midis Serbisë dhe Rusisë na ekzistuaka një dashuri përvëlimtare me tradita shumëshekullore.

Gënjeshtrave dhe mashtrimeve në fjalë, u paraprinte fillimisht njoftimi i mëposhtëm:

“Më 10 mars 2016, në Kremlin u zhvillua takimi i presidentëve të Rusisë dhe të Serbisë, plot dhjetë vjet pas vdekjes misterioze të presidentit të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç”(Citohet sipas: “Na fal, moj motër Serbi.  17 vjet pas fillimit të bombardimeve kundër Jugosllavisë”. Marrë ngafaqjaeinternetit“mirnagrani.info”. 17 mars 2016).

Ja mashtrim-gënjeshtra e parë:

“Perandoria e madhe ruse gjithmonë u ka zënë rrugën popujve aziatikë, të cilët kishin si synim të çanin më tej, drejt Perëndimit” (po aty).

Interesante! Rusët na dalkan mbrojtës të Perëndimit nga dyndja e popujve aziatikë! Por historia dëshmon të kundërtën. Sepse shovinizmit rusomadh ia nxjerr bojën keq Testamenti i perandorit Pjetri i Parë. Sipas atij Testamenti, Rusia duhej ta pushtonte dhe ta shkatërronte Perëndimin evropian. Ja çfarë ka shkruar Pjetri i Parë në Testamentin e vet:

“Rusia duhet të merret vesh për pjesëtimin e botës me Francën dhe me Austrinë. Nëse këto të fundit refuzojnë, duhet t’i përplasim njërën me tjetrën, pastaj t’i shkatërrojmë. Të gjitha këto janë të mundshme. Evropa duhet shkatërruar” (Teksti i plotë i Testamentit të Pjetrit të Parë është përkthyer dhe botuar në gazetën “Bashkimi”, 08 prill 1994).

Në vijim po u përcjell lexuesve mashtrim-gënjeshtrën e dytë:

“Kurse Serbia, gjatë pesëqind vjetëve, ka qenë mburojë e Evropës nga turqit nga ana e juglindjes” (po aty).

Për herë të parë po e dëgjojmë këtë xhevahir të gënjeshtrës ruse. Me sa kemi informacion nga historia, serbët, në një koalicion ballkanik, për herë të parë janë ndeshur me turqit-osmanë në Betejën e Fushë-Kosovës më 28 qershor të vitit 1389, ku koalicioni në fjalë pësoi një disfatë përfundimtare. Paskëtaj s’është folur e shkruar ndokund më për beteja të zulmshme të Serbisë kundër perandorisë otomane, në mbrojtje tëPerëndimit evropian.

Sulltan Sulejmani I (1494-1554),nisi,fillimishtnë vitin 1529 emë pasnë vitin 1541,një inkursionnë Evropë,qësolli si pasojëpushtiminenjë pjesetë madhetë Hungarisë, por Serbia s’u bë e gjallë t’i kundërvihej Stambollit dhe t’u dilte në krah fqinjve hungarezë. Pikërisht në vitin 1529, sulltan Sulejmani I organizoi rrethimin e parë të Vjenës dhe në ushtrinë e tij prej 120 mijë trupash, qenë përfshirë edhe reparte serbe.

Gati një shekull e gjysmë më vonë, perandoria otomane ndërmori sulmin e dytë kundër Vjenës, me synimin e mëtejshëm për ta zëvendësuar në Evropë kryqin me gjysmëhënën. Ushtria otomane, prej 120 mijë trupash, e dërguara prej sulltanit Mehmeti IV (1642-1693), me në krye Kara Mustafa Pashën(1635-1683), ay kaloi, pranë Serbisë, dhe shkoi dhe e mbajti Vjenën të rrethuar gjatë dy muajve (14 korrik – 11 shtator 1683). Por Serbia as që mendoi ndonjëherë t’u priste rrugën trupave osmane apo t’i vinte në ndihmë Vjenës, për t’u bërë “mburojë” e Evropës. Pas disfatës së rëndë që pësoi ushtria otomane para portave të Vjenës nga trupat austriake, polake dhe gjermane, të komanduara nga perandori Leopoldi I (1640-1705) dhe mbreti i Polonisë Jan III Sobieski (1629-1696),Kara Mustafa Pasha mori arratinë dhe vrapin e mbajti pikërisht në Beograd, për t’i ardhur zemra në vend. Aty ai u vra prej njeriut të dërguar posaçërisht prej Mehmetit IV, për turpin që mbuloi ushtrinë osmane.

Së fundi, edhe mashtrim-gënjeshtra e tretë:

“Është e vështirë ta përcjellësh me fjalë këtë dashuri naive dhe besnike të serbëve për rusët” (po aty).

Faktet historike dëshmojnë se Serbia nuk ka ushqyer kurrë ndonjë “dashuri naive dhe besnike për rusët”. Megjithëse pas nënshkrimit më 19 shkurt 1878 të Traktatit të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, Serbisë iu njoh pavarësia e plotë, fill pas Kongresit të Berlinit, Serbia i ktheu shpinën Rusisë aty për aty dhe u lidh me Austro-Hungarinë. Pas Luftës së Parë Botërore, mbretëria serbo-kroato-sllovene dhe më pas Jugosllavia, vetëm në vitin 1940 u kujtua të lidhte marrëdhënie diplomatike me rusët, kur i erdhi te dera rreziku i pushtimit gjerman. Pas Luftës së Dytë Botërore, serbojugosllavët, në vitin 1948, i thanë Moskës “ku të kemi parë” dhe u lidhën me Perëndimin.

Pra, serbët janë kujtuar për rusët vetëm atëherë kur kanë qenë në hall. Në vitin 1877, në Sankt-Peterburg, u botua një libër interesant me titull “E vërteta për Serbinë”, libër ky, që, çuditërisht, nuk u ribotua më kurrë në Rusi. Autor i atij libri është princi Vladimir Meshçerski (1839-1914), një publicist i njohur ky, nip i Nikollaj Karamzinit (1766-1826), historianit të shquar rus. Në atë libër ai e ka sqaruar me fakte bukur të argumentuara se si qëndron e vërteta për atë “dashurinë naive dhe besnike të serbëve për rusët”, e cila s’ka asgjë të përbashkët me të vërtetën.

Jam i bindur se kur Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, me siguri që, ashtu si edhe në rastet e lartpërmendura, rusëve përsëri do t’u kthejë shpinën.

Po atëherësi shpjegohet përkrahja kaq e fuqishme e Moskës për kriminelët serbë gjatë dhe pas krizës jugosllave dhe sidomos gjatë dhe pas krizës së Kosovës?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje gjendet në një analizë fort bindëse të gazetarit rus Igor Jakovenko (1951), një personalitet i njohur ky për integritetin e vet intelektual dhe profesional. Dikur ai ka qenë  deputet i Dumës Shtetërore  dhe sekretar i lidhjes së gazetarëve të Rusisë, por e shkarkuan nga kjo detyrë, sepse shumica dërrmuese e kolegëve të tij kërkonin me këmbënguljet’i bëhej temena politikës së Putinit dhe të oligarkëve të Kremlinit, çka ishte e papranueshme për profesionin dhe për moralin e tij, si përfaqësues i mjeteve të informimit masiv.

Në analizën e vet, ai zbulon mendësinë e përbashkët të krerëve kriminalë serbë me presidentin rus Vladimir Putin. Radovan Karaxhiçi, në vitin 1994, i kishte propozuar Greqisë formimin e një Konfederate Serbogreke. Por Greqia nuk paskej pranuar.

Ai shkruan:

“Arsyeja, sipas së cilës Rusia putiniane mban një qëndrim tejet të ashpër ndaj dënimit të Karaxhiçit, duket fare sheshit. Putini vuan po nga ato sëmundje, por në një fazë më të acaruar. Përpjekja për bashkimin e “botës ruse”, duke përdorur në këtë mes dhunën, të kujton të njëjtin projekt të “Serbisë së Madhe”, duke i bërë korrigjimet përkatëse në aspektin përmasor. Mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare, moskokëçarja për marrëveshjet ndërkombëtare dhe për udhëzimet e drejtpërdrejta të Rezolutave të OKB-së, përdorimi tërësor i mjeteve të dhunës për zgjidhjen e konflikteve, – të gjitha këto, të marra së bashku, e bëjnë ortak shpirtëror ish-udhëheqësin e “vëllezërve serbë” me Vladimir Putinin” (Citohetsipas: IgorJakovenko. “Edhenjë “zilealarmi” përPutinin? RadovanKaraxhiçihëngri 40 vjetpërgjenociddheluftë agresive”. Marrë nga faqja e internetit“listock.ru”. 26 mars 2016).

Me siguri që gazetari Igor Jakovenko e ka fjalën për qëndrimin agresiv që presidenti Putin ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë ndaj Ukrainës, ku deri tani janë vrarë me mijëra vetë. Sipas faqes së internetit “censor.net”të datës 24 mars 2016,vetëm  në Donbas, nga lufta e kanë pësuar 30 346 njerëz, më shumë se 9 mijë veta janë vrarë dhe nëpër kufomoret e Ukrainës ka me mijëra të tjerë të paidentifikuar. Të gjitha këto krime kanë për autor vetëm presidentin rus. Prandaj edhe gazetari, në analizën e vet, i kujton Putinit fatin e Kadafit dhe të Karaxhiçit.

Indianapolis, Indiana

02 prill 2016

­­­

Filed Under: Analiza Tagged With: mbron kriminelët serbë, Moska, Prof. dr. eshref Ymeri

PRESIDENTJA JAHJAGA, LULE NE METRON E BRUKSELIT

April 4, 2016 by dgreca

Presidentja Jahjaga vendosi lule pranë stacionit të metrosë Malbek në Bruksel/

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga sot vendosi lule pranë stacionit të  metrosë Malbek në Bruksel, që ishte cak i sulmeve terroriste ditë më parë, për të nderuar viktimat dhe në shenjë solidariteti me familjarët e tyre dhe qytetarët e Belgjikës.

Filed Under: Komente Tagged With: Jahjaga, Malbek, ne Bruksel, vendosi lule pranë stacionit të metrosë

Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane do të ndikojë në Kongresin Amerikan dhe në Bundestag

April 4, 2016 by dgreca

Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane do të krijojë një lidhje të fortë, duke ndikuar në Kongresin e SHBA dhe në Bundestag/

Nga Shirley Cloyes DioGuardi/

Ne Foto:Universiteti Teknik i Berlinit Mars 20, 2016/

Faleminderit Agon Kamberi, si kryetar i Organisation të Studentëve dhe ish-Studentëve Shqiptarë të Berlin (OASA), për të gjithat që keni bërë, në bashkëpunim me Faton Bislimin, në organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në Berlin.  Dhe faleminderit, Faton, për prezantimin e juaj dhe për të gjithat që keni bërë gjatë trembëdhjetë vjetëve të fundit si një shok, këshilltar, dhe tani si një anëtar i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane.  Dhe në fund, dëshiroj të falënderoj çdo njërit në këtë dhomë për praninë e juaj.  Është kënaqësi dhe privilegj për Joe dhe mua që të jemi në Berlin dhe këtë pasdite të drejtohemi juve.  Faleminderit Shumë!

Mendoj se për juve është e rëndësishme që të dini diçka lidhur me atë se si unë si një amerikane — paraardhësit e së cilës nga ana e babait tim kanë ikur prej Anglisë në Massachusetts Bay Colony në vitin 1644 — u përfshi në konfliktin e Ballkanit dhe zgjidhjen e kauzës kombëtare shqiptare.  Gjatë procesit, dëshiroj të ju jap një pasqyrë të punës të cilën e ka kryer Liga  Qytetare Shqiptaro Amerikane për të sjellë pavarësinë e Kosovës (pavarësia është vetëm fjalë, nga perspektiva ime) dhe punën të cilën e vazhdon Liga Qytetare që të vendosen të drejtat e barabarta në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Çamëri.  Në të njëjtën kohë, dëshiroj të jap vështrimin mbi atë se çka unë mendoj se janë potencialisht mundësitë e rëndësishme për juve si anëtarë të komunitetit gjermano shqiptar që të ndikoni pozitivisht në politikën e jashtme të Perëndimit lidhur me konfliktin serbo – shqiptar, që të vazhdojë përpjekja e jonë e përbashkët për sjelljen e paqes afatgjate dhe stabilitetin në Ballkan, dhe krijimin e një vizioni të ri i cili i përshtatet më mire sfidave dhe problemeve të shekullit 21.

Nuk jam duke u munduar që të bëj një lustrim të problemeve të brendshme të Gjermanisë sot kur them se sot, për shkak të rëndësisë së Gjermanisë në botë, asaj ekonomike dhe politike; për shkak se përqendrimi frontal i nxehtë i qeverive të Evropës dhe mediave (jo si te Shtetet e Bashkuara) është te kriza e refugjatëve; dhe për shkak të përvojës së juaj si shqiptarë që keni emigruar në Gjermani (nëse ka qenë kjo për shkak se familja e juaj ka ikur prej komunizmit ose prej tiranisë sllave, nëse ju dhe familja e juaj keni qenë me mjaft fat që të gjeni strehim këtu kur keni qenë duke ikur nga okupimi serbë ose lufta në Kosovë, ose nëse gjyshëritë dhe prindërit e juaj kanë ikur prej tokave shqiptare për shkak të vështirësive ekonomike), ju jeni tani në kulm të epokës së re. Unë besoj se ne jemi në kulm të një epoke të re sepse jemi duke jetuar në një kohë kur gabimet e një epoke të vjetër ende nuk kanë vdekur, dhe vizionet e epokës së re ose ende duhet të lindin ose duhet të arrijnë të japin fruta. Unë besoj se shqiptarët në Gjermani dhe në pjesët tjera të Evropës kanë një përvojë dhe një perspektivë  që shumë tjerë nuk e kanë, dhe si rezultat kanë një mundësi që të ndikojnë në rrjedhën e historisë.

Por, së pari, dëshiroj të ju them lidhur me atë se pse u bë që të përfshihem në pyetjen kombëtare shqiptare gjatë “luftërave të Ballkanit” në vitet e 1990-ta.  Lideri i ndjerë shqiptar Arben Xhaferi më tha në vitin 1999 se Joe DioGuardi dhe Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane kanë ringjallur përpjekjen diplomatike të shekullit 20 që të vendoset çështja kombëtare shqiptare. Unë nuk kam qenë e pranishme kur ka filluar kjo përpjekje — kur u themelua Liga Qytetare në vitin 1989 pasi që Joe u largua nga Kongresi; kur Joe shkoi në Beograd dhe Prishtinë në vitin 1990, dhe kur ai u kthye në Kosovë dhe pastaj udhëtoi në Shqipëri në të njëjtin vjet me të ndjerin Kongresist Tom Lantos, një i mbijetuar  Holokaustit, si zyrtarë të parë të zgjedhur që hynë në Shqipëri komuniste për pesëdhjetë vjet.

Unë nuk erdha deri te çështja shqiptare në një mënyrë akademike, por erdha në mënyrë emocionale.  Unë kam qenë e ndikuar si e vogël nga ekspozimi i zbulimeve të lidhura me Holokaustin nazist dhe dështimin e gjeneratës së gjyshërive të mi që të shpëtojnë hebrenjtë e Evropës.  Si e rritur dhe si botuese e librit e specializuar në politikat vendore dhe ndërkombëtare dhe si aktiviste e të drejtave të njeriut, kam qenë thellë e përfshirë në luftërat për vetëvendosje në mbarë botën.  Dhe kështu kur Sllobodan Millosheviqi erdhi në pushtet dhe filloi lufta në Bosnje, unë e kam ditur se jemi duke e parë kthimin e Hitlerit në kohën tonë.

Amerikanët kanë qenë duke shikuar imazhet në ekranet tona të televizionit mbi gjenocidin në Bosnje dhe më vonë fshehjen e kampeve të përqendrimit në duart e forcave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë nën Sllobodan Millosheviqin dhe na është thënë se kjo nuk ishte lufta e jonë; kjo nuk ka asgjë të bëj me neve; kjo është një kënetë; nuk duhet të bijmë në këtë kurth; këta njerëz kanë qenë duke luftuar me shekuj, dhe urrejtja ndëretnike në Ballkan është gati gjenetike.  Unë kam qenë e tmerruar, sepse nuk ka asgjë më të keqe se të tregosh skenat e masakrës te një popullatë relativisht të privilegjuar në Shtetet e Bashkuara (dhe mund të shtoni te njerëzit e Evropës Perëndimore), në krahasim me njerëzit e Evropës Juglindore, dhe pastaj të insistohet se ne nuk kemi përgjegjësi. Unë kam vendosur se kjo ishte lufta e jonë, sepse unë besoj thellë se lufta për demokraci dhe lufta kundër fashizmit dhe ultra nacionalizmit duhet të fitohet në çdo gjeneratë, dhe po ashtu kam vendosur që të botojë një libër nga perspektiva kundër-Millosheviqit, opozita kundër-luftës brenda ish Jugosllavisë, ku shumica e të cilëve ka ndodhur të jenë gazetarë.

Derisa isha duke përfunduar punën në këtë libër në fund të vitit 1993, e takova Joe DioGuardi, dhe anëtarët e Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe kam filluar të marr vesh mbi dimensionin shqiptarë të konfliktit të Ballkanit, të cilin  mediat nuk e kanë mbuluar—gjë që nuk do të ndodhë edhe pesë vite tjera kur filloi lufta në Kosovë në vitin 1998.  Kur e takova Joe, sapo kam filluar të mësojë lidhur me një vend që quhet Kosova.  Mendoni  këtë — unë isha një amerikane e cila ka kaluar pesëmbëdhjetë vjet duke botuar libra lidhur me politikat ndërkombëtare, dhe kështu nëse unë nuk kam qenë në dijeni mbi dimensionin shqiptar të konfliktit në Ballkan, sa amerikanë kanë qenë?  Derisa nuk e takova Joe dhe anëtarët tjerë të Ligës Qytetare, unë nuk kam ditur se me punën e tyre e kanë përjashtuar Millosheviqin nga Kosova dhe në Bosnie; dhe nuk kam ditur se Millosheviqi ka pasur tendencën e plotë që të kthehet në Kosovë.  Sikur që të gjithë e dimë, në shkurt të vitit 1998, UÇK do të vijë në mbrojtje të kosovarëve kur trupat ushtarake dhe paramilitare serbe sulmuan Drenicën, duke grabitur dhe plaçkitur rrugës tërë Kosovën, dhe në fund duke vrarë më tepër se 12,000 kosovarë shqiptarë dhe duke dëbuar më tepër se një milion përpara se të përfundonte lufta në qershor në vitin 1999.

Derisa shqiptarët nëpër botë janë të shpejtë që të japin merita ish Presidentit Bill Clinton për lëshimin e bombave mbi Serbinë, bombat kurrë nuk do të ishin gjuajtur dhe marshi gjenocidal i Millosheviqit në tërë Evropën nuk do të kishte ndalur po të mos kishte qenë Joe Biden, në atë kohë Kryetari i Këshillit të Senatit për Punët e Jashtme, pastaj në atë kohë 34 hebrenjtë anëtarë të Kongresit të SHBA, dhe Liga Qytetare Shqiptaro

Amerikane.  Me vite administratat e njëpasnjëshme të SHBA kanë qenë të përqendruara në Beograd. Pse? Sepse për gati 50 vjet Shqipëria sovrane ka qenë e prerë nga pjesa tjetër

e botës nga diktatori komunist Enver Hoxha dhe pasardhësi i tij Ramiz Alia, derisa shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Lugina e Preshevës kanë qenë pjesë e “perdes së hekurt” nën kontroll të Jugosllavisë së Titos.

Gjatë pesëdhjetë vjetëve, Beogradi ka dërguar zyrtarët e vet në Uashington, DC,

ka hapur shumë departamente në kolegje dhe universitete në SHBA, dhe ka definuar realitetin shqiptarë nga një perspektivë sllave.  Kjo është pse ka qenë aq e rëndësishme që Joseph DioGuardi dhe shqiptarët amerikanë tjerë të formojnë një lobi në vitin 1989 që të edukojnë Kongresin e SHBA mbi historinë, kulturën, dhe aspiratat e shqiptarëve nga një perspektivë shqiptare dhe të bëjnë që shqiptarët amerikanë të angazhohen në politikat e Amerikës.  Dhe, sipas opinionit tim, kjo është ende një detyre që ne e kemi sot në Amerikë, dhe kisha shtuar në Gjermani.

Në shtator të vitit 2002, në atë kohë Senatori Biden ka thënë në një fjalim në Çikago të organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane:

“Është vështirë që të tërhiqet vëmendja e Presidentit të qeverisë së SHBA sepse shumë çështje tjera i mbulojnë çështjet tona, dhe prandaj “duhet të jemi në gjendje që të bëjmë rastin tonë.”  Ai vazhdonte duke thënë se, “Problemi nuk qëndron te personi ose institucioni “duke qenë kundër-shqiptarë ose kundër-angazhimit kur vjen deri te politika e jashtme e SHBA,” ai shpjegonte.  “Problemi qëndron kur Amerika ka një fokusim të ndryshëm dhe i lë prapa çështjet shqiptare dhe të Ballkanit.”  Ai paralajmëroi shqiptarët e Amerikës që mbajnë në qendër të vëmendjes çështjet tona, dhe ai vlerësonte Ligën Qytetare për mbajtjen e vëmendjes lidhur me padrejtësitë e mëdha kundër shqiptarëve të

cilat duhet të ndreqen në Ballkan — për ndërtimin e elektoratit, për mbledhjen e fondeve për mbështetjen e anëtarëve të Kongresit të cilët kujdeseshin për atë se çka ishte duke ndodhur gjatë luftërave në Ballkan në vitet e 1990-ta, dhe ai veçanërisht më vlerësonte mua për “radhitjen e fakteve dhe prezantimin e rastit që ka tërhequr vëmendjen e qeverisë së SHBA.”

Përderisa Ballkani është shikuar gabimisht si një moçal dhe barrë e Evropës,” tha Biden, “Bota nuk do të mërzitet nëse shtatë milion shqiptarë janë duke u përndjekur.”

Përderisa Ballkani mbetet i izoluar, njerëzit e tij do të jenë në mëshirë të fuqive të jashtme. Përderisa bota i portretizon shqiptarët si të “pa civilizuar, pa kulturuar, dhe të paaftë, ne do të humbim.”  Dhe Biden apeloi te shqiptarët e Amerikës në audiencë që të punojnë me Ligën Qytetare dhe “të jenë njerëz që e lëvizin botëkuptimin e botës në një drejtim të ndryshëm.”

Katërmbëdhjetë vjet më vonë ne ende jemi duke u përballë me të njëjtin problem, me të cilin shumë qeveri Perëndimore nuk kuptojnë se kush janë populli shqiptarë dhe i bëjnë shqiptarët figura të shahut që mund të lëvizen në tabelën gjeopolitike të shahut.  Përsëri jemi prapa në mëshirë të ashtuquajturave fuqive ë mëdha — jo vetëm Serbisë, Greqisë dhe Rusisë — por në vend të parë të Evropës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara. Si pasojë, duhet të ballafaqohemi me realitetet në tokat shqiptare dhe në Evropën Juglindore sot, gjë që unë kisha argumentuar se na ka sjellë prapa ku ishim në vitin 1913.

Për një periudhë të shkurtë kohore, gjatë luftës së Kosovës, qendra e vëmendjes ndërkombëtare është treguar në realitetin shqiptarë të 150 viteve — një realitet i arrestimit, torturimit, burgosjes, asimilimit me forcë, dëbimit, dhe gjenocidit — dhe

rezistencës shqiptare ndaj kësaj. Kur Perëndimi ka parë kosovarët me qerre të larguar me forcë prej Kosovës, kjo i përkujtoi në epokën e nazizmit.  Por shumë shpejt pas luftës, qendra e vëmendjes filloi të shuhej. Makina propaganduese e Serbisë u ngrit dhe punoi vazhdimisht në krijimin e një pariteti të rrejshëm në mes të viktimave të luftës të Bosnjës dhe Kosovës me kryesit të terrorizmit dhe gjenocidit të sponsorizuar nga shteti i Serbisë.  Beogradi ka punuar fort që të karakterizojë rrejshëm shqiptarët si potencialisht një forcë terroriste myslimane në zemër të Evropës.  Dhe me keqardhje e them se Beogradi ka pasur sukses në një masë të madhe. Unë besoj fort se nëse ne nuk veprojmë tani, shqiptarët do të bijnë në kënetën e historisë për edhe 150 vite tjera.

Fushëbeteja për një periudhë të shkurtër në vitin 1998 dhe 1999 ka kërkuar armë. Por tani fushëbeteja (dhe ajo ka qenë gjithmonë e vërtetë) është në shtyp dhe parlamentet e botës. Gjatë pesëdhjetë vjetëve, Beogradi ka qenë në gjendje që të  dërgojë politikanët e vet në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore, derisa Shqipëria nën Enver Hoxhën ka qenë e shkëputur nga bota dhe shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Lugina e Preshevës kanë qenë qytetarët e klasës së tretë në Jugosllavinë e Titos. Gjatë pesëdhjetë vjetëve sllavët kanë  interpretuar kulturën dhe historinë shqiptare. Ka ardhur koha për neve që të definojmë kulturën dhe historinë shqiptare. Unë besoj fuqishëm se ne nuk e kemi kryer punën, dhe ajo nuk mund të kryhet në shqip. Kjo duhet të kryhet në gjermanisht dhe anglisht.

Edhe pse sistemi i juaj politik në Gjermani nuk është i njëjtë si i yni në Shtetet e Bashkuara — ju keni një sistem parlamentar, unë besoj se tre elemente të cilat Senatori Biden ka cituar atëherë para katërmbëdhjetë vjetëve në Çikago janë esenciale për juve —

demonstrimin  se keni një elektorat, arsimimin dhe mbështetjen nga liderët e politikës së jashtme, dhe edukimin dhe radhitjen e fakteve për zyrtarët politik dhe shtypin.

Dhe roli i juaj mund të jetë edhe më shumë i rëndësishëm se cili do tjetër në kohën kur Shtetet e Bashkuara praktikisht kanë braktisur Ballkanin Perëndimor te Bashkimi Evropian (vetëm Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane e jonë ka ruajtur çështjet shqiptare në mendjet e Kongresit tonë në SHBA). Për më tepër, roli i juaj si shqiptarë dhe gjerman ju jep një mundësi dhe përgjegjësi të veçantë, pasi që Gjermania është një anëtare udhëheqëse e Bashkimit Evropian, që të loboni në Bundestag dhe edukoni shtypin gjerman.

Detyra nuk do të jetë e lehtë në kohën kur Gjermania dhe tërë Evropa është e tronditur nën peshën e krizës së refugjatëve dhe është duke dështuar në përballje me shtetin Islamik.

Por, për mua kjo paraqet një rast për shqiptarët, veçanërisht shqiptarët në Evropën Perëndimore, të tregojnë botës se kush janë shqiptarët nga një perspektivë shqiptare. Ju keni diçka shumë të fuqishme — besën—çdokush din këtu se çka domethënë kjo. Shqiptarët e kanë një histori të tolerancës fetare e cila shkon prapa qindra e qindra vjet si myslimanë, ortodoks, roman katolikë, dhe hebrenjtë që kanë jetuar njëri pranë tjetrit në harmoni me shekuj.  Shqiptarët kurrë nuk e kanë iniciuar një luftë në Evropë. Si popull më pro-Perëndimor, pro-demokratik në Evropën Juglindore, shqiptarët kishin mundë aktualisht të ndihmojnë Evropës që të ndalë rrjedhën e fundamentalizmit islamik.

Nëse do të bënim një ndryshim në formësimin e shekullit 21, ne gjithashtu do të duhemi të punojmë së bashku. Ekziston një mungesë e hatashme e informacionit që vjen nga tokat shqiptare në Perëndim në formë të gazetarisë profesionale në anglisht, të librave

nga autorët shqiptarë të përkthyera në anglisht, dhe një mungesë e hatashme e lidhjes në mes të diasporës amerikane dhe evropiane. Kjo është pse një takim i këtij lloji është aq i rëndësishëm.

Politika e jashtme e Perëndimit lidhur me Evropën Juglindore, dimensioni shqiptar i konfliktit të Ballkanit, dhe e ardhmja e rajonit nuk do të ndryshojnë nëse ne nuk punojmë së bashku për ta ndryshuar. Shqiptarët mbesin të ndarë sepse ne jemi në një botë me rend i cili ende bazohet në parimet Perëndimore të sovranitetit dhe të integritetit territorial.  Ruajtja e kufijve ekzistuese në emër të ruajtjes së stabilitetit me çdo çmim, pa e zgjedhur një konflikt që mohon të drejtën e një populli për vetë-vendosje nuk do të punojë më gjatë. Kjo nuk do të çojë deri te zgjedhja paqësore e një konflikti.  Kosova është një prej shembujve më të mprehta të kësaj. Sikur që dini, nuk ekziston një marrëveshje në mes të shteteve anëtare të BE, ku 5 prej 28 refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, dhe Shtetet e Bashkuara i janë bashkangjitur BE në perceptimin e të ardhmes së Evropës Juglindore si të drejtuar nga Beogradi.

Kjo është pse ne kemi një konflikt të ngrirë, pse nuk e kemi një pavarësi të vërtetë për Kosovën, dhe pse shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Çamëri nuk kanë të drejtat e barabarta. Unë nuk jam duke sugjeruar që ne të punojmë në ndryshimin e kufijve. Në fakt, shqiptarët nuk duhet të ndryshojnë kufijtë sepse ata veç janë duke jetuar njëri pranë tjetrit. Por unë besoj se shqiptarët duhet të zhvillojnë një marrëdhënie publike të orkestruar dhe një strategji të lobimit. Duhet të insistojmë që Kosova të pranohet në institucionet ndërkombëtare si BE dhe KB, dhe që Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës, të pranojë të drejtat e barabarta shumicës shqiptare në Luginën e

Preshevës (në një nivel me të drejtat që aktualisht i gëzojnë serbët në Kosovë), të heqë dorë nga strukturat paralelë në veri të Kosovës, dhe të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe politik të Serbisë. Por edhe para se kjo të ndodhë, zyrtarët e zgjedhur të Kosovës duhet të fokusohen në krijimin e demokracisë së vërtetë dhe sundimin e ligjit.  Sikur e dimë të gjithë, zyrtarët e Kosovës kanë qenë duke i mbushur xhepat e veta dhe të familjes së tyre që nga përfundimi i luftës në vend se të angazhohen seriozisht në ndërtimin e shtetit dhe plotësimin e nevojave të popullit të tyre.  (E njëjtë mund të thuhet për shumicën, por jo për të gjithë, e elitave politike në të gjitha tokat shqiptare.)

Me prishjen e koalicionit në Kosovë i cili ka kundërshtuar kthimin e Hashim Thaçit, Isa Mustafës, dhe Kadri Veselit në pushtet në vitin 2014 — një prishje që ka përfshirë BE dhe Shtetet e Bashkuara — tani me zgjedhjet në vitin 2016 të Hashim Thaçit si kryetar, shteti është ekonomikisht dhe politikisht në mëshirë të fatit. Në mars, Përfaqësuesja e Lartë e BE për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurimit Federica Mogherini i tha Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafës se ajo ka shpresuar që do të ekzistonte një

“dialog përfshirës i cili do të tejkalonte ngërçin e Kuvendit të Kosovës.”  Por kjo është e pamundur, sepse populli ka humbur besimin në qeveri dhe në komunitetin ndërkombëtar.

Do të nevojitet një veprim i pa dhunshëm në bazë për ta larguar elitën politike të korruptuar të Kosovës, dhe do të nevojiten burrat dhe gratë e aftë në diasporë sikur që jeni ju që të kundërshtojnë një politikë të jashtme të Perëndimit të real politikës për mirëmbajtjen e stabilitetit me çdo çmim në Evropën Juglindore. Në vend të kësaj, duhet të insistojmë që parimi universal i të drejtave të njeriut të bëhet parimi dominues në shekullin 21.

Shpresoj se pjesa tjetër e shekullit 21 do të jetë një shekull i shqiptarëve. Kjo mund të ndodhë nëse kombinojmë burimet dhe veprimet tona.  Kjo nuk do të kërkojë unitetin.  Në komunitetet shqiptare në tërë botën rëndësia e unitetit shqiptarë shpesh here është mbajtur si një mënyrë për pengimin e veprimit.  Është e pamundur për cilindo grup ose organizatë që të jetë e unifikuar.  Unë shpresoj se nëse tashmë nuk keni bërë këtë, që sonte do të shikoni brenda zemrave dhe mendjeve të juaja dhe do të merrni vendimin lidhur me atë se çka doni të bëni dhe të jeni të gatshëm që të merrni një qëndrim publik si shqiptarë dhe si gjermanë. Sikur që tha një herë antropologia e famshme amerikane Margaret Mead, “Kurrë mos e nënçmo fuqinë e një grupi të vogël të njerëzve të përkushtuar për ta ndryshuar botën.  Kjo është ajo që gjithmonë ka ndodhur.” Nëse veç nuk e keni bërë, unë shpresoj se ju do të bashkëngjitni OASA dhe, duke e bërë këtë, bëheni pjesë e një grupi të vogël të shqiptarëve në diasporën e Gjermanisë e cila është e përkushtuar në krijimin e ideve të reja dhe rrugëve të reja për zgjedhjen e pyetjes kombëtare shqiptare në kohën tonë.

Dhe shpresoj se shqiptarët në Gjermani dhe Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane do të krijojë një lidhje të fortë, duke ndikuar në Kongresin e SHBA dhe në Bundestag.  Nëse ne të gjithë themi se mendojmë — diçka që shumë motra dhe vëllezër tonë nuk mund ta thonë në Evropën Juglindore për shkak të frikës — ne në fund do të detyrojmë ndryshimin. Mbani në mend, ju keni besën, dhe askush nuk mund ta merr atë prej juve.

Përkthyer në Shqip nga Mire Marku – Rugova.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe në Bundestag, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në Kongresin e SHBA, Shirley Cloyes DioGuardi

DUAN TË VRASIN VALBONËN!

April 4, 2016 by dgreca

E dëgjuat?! DUAN TË VRASIN VALBONËN!/

valbonaaaShkruan: Mehmet Elezi/
1.
I dëgjuat lajmet? I patë te Zëri i Amerikës, i lexuat në gazetë? Mund t’i ndiqini prapë në internet.
Duan të vrasin Valbonën!
Duan të ndërtojnë njëmbëdhjetë hidrocentrale në 25 kilometër gjatësi përgjatë një lugine që vetë Roma e lashtë e Ciceronit e quajti Lugina e Mirë, Valbona. Përgjatë njërës prej perlave parajsore të Shqipërisë. Dhe të Europës. E pandotur ende.
Duan të shtinë në dhé të gjallë Valbonën.
Duan ta murojnë si Rozafën. Jo me gurë, por me beton.
Rozafa u flijua për një kala që do të mbronte jetën e ilirëve e të Ilirisë.
Valbonën duan ta flijojnë për të stërmbushur xhepat e vet, duke prishur jetën e shqiptarëve e të Shqipërisë.

2.
valbona2014Këmbëngulja te ky projekt më kujton vrasësit e elefantëve në Afrikë. Janë gati me zhdukë të gjithë elefantët si racë, vetëm për një grimë fildish që fshihet në dhëmbin e tyre. Për ta shitur e për t’u pasuruar vetë.
Këmbëngulja te ky projekt më kujton fiset vendase të Amerikës së Jugut, përballë eksploratorëve spanjollë. Ata jepnin floririn duke e shkëmbyer me copa pasqyrash të thyera. Ata aq dinin. Vrasësit shtetërorë që i kanë zënë pritë Valbonës për ta vrarë duke fituar diçka sot, dinë më shumë, por duan shumë e më shumë. Për të shtuar milionat e tyre, jo për Shqipërinë.
Ata që i kanë zënë pritë Valbonës nuk e duan Valbonën?
E duan, por jo siç është. E keni parë filmin E bukura e ditës (Belle de Jour), të regjisorit Luis Bunuel? Ashtu e duan ata Valbonën: shtrirë në arkivol, duke prostituar për ta!

3.
Një përllogaritje e thjeshtë kallëzon se të ardhurat prej turizmit në Parkun Kombëtar të Valbonës janë disa herë më të mëdha se fitimi nga energjia e mundshme e atyre hidrocentraleve. Këto të ardhura rriten vit për vit falë punës së atyre njerëzve. Dhe falë bukurive të Valbonës.
Turizmi është i vetmi burim jetese për banorët e atjeshëm. Me turizëm nxjerrin bukën e përditshme. Është e vetmja mundësi që kanë me rritë e me shkollue fëmijët.
Shkatërrimi i Valbonës do të ishte rrenim i tyre. Rrenim i të ardhmes së fëmijëve të tyre. I kryer nga shteti i tyre.

3.
Shkatërrimi i Valbonës do të ishte shkretim kulturor.
Pa Valbonën s’do të kishte lëvizje e zhvillim. Komunikimi me pjesët e tjera të vendit e me botën, që jetësohet nëpërmjet turizmit, do të mpihej. Do të paralizohej e thahej.
Pa Valbonën do të vritej ekosistemi. S’do të kishte më trofta me pikla të kuqe si dredhëza.
Pa Valbonën s’do të kishte më akullnaja të përjetshme dhe Shpanik, kush do të vinte me i pa? Shpaniku është lum i nëndheshëm, shpërthen në faqe të shkëmbit në Klysyrë një herë në vit, dy herë në vit, derdhet mbi Valbonë ujvarë plot ylbere e mistere. Prurjet e tij janë më të shumta se prurjet e Valbonës. Zgjatin një ditë, dy ditë, zhduken siç erdhën. Ia behin rishtazi. Krejt papritmas, pa i çuar fjalë kujt.
Pa Valbonën s’do të kishte histori të gjallë të krahinës. Klysyra, vendi ku në fillim të marsit 1942 u krijua çeta e Malsisë së Gjakovës, e dyta në Shqipëri pas çetës së Pezës për kah vjetërsia (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 1985), s’do të shihej nga kush. Shpella ku u vra Bajram Curri s’do të priste vizitorë.
Pa Valbonën s’do të kishte më legjenda. Shpellën e Imerit, ku besohet se u varros Omeri i Mujës e ku Ajkuna piskati “T’u shkimtë drita ty mori hanë!”, s’do të kishte më sy që e shohin. As Lugjet e Verdha me dhi të egra, që fshehin fuqinë e kryekreshnikut në brirët e hollë e të tejdukshëm si hënëza. As…
Pa Valbonën koha do të thithte barkun, duke tërhequr brenda në harresë shumëçka: hotelet me stil alpin, kullat e pakëta trekatëshe që kanë mbijetuar, lahutat e lahutarët, vallet degëzime të Vallëzimit të Shqipeve, vajzat Tanusha me “shtegun e ballit si shtegu i malit/ kur merr hana me prarue”. S’do të merrte kush mundimin me ardhë e me u mpakë duke parë Valbonën robinë, qafëprerë e frymëzënë nëpër tuba e beton-tunele.
Pa Valbonën s’do të kish më jetë aty. Do të iknin të gjithë, të gjithë. Njerëz, zogj e zana.

4.
Valbonë, lumë i ëndërrt, “moj e bukur e trishtuar/ ç’më kujtove monë e shkuar”. Motin e shkuar siç e kishte mall Arbëreshi i Madh?
E kundërta.
Më kujtove “monë” e shkuar të viteve tetëdhjetë të qindvjetëshit që iku, kur pushteti komunist filloi me tha liqenet syshkruar të Lurës. Përse? Me ujitë me syrin e tyre arat me misër, “që të bëhet bukë për popullin”.
Më kujtove “monë” e shkuar të viteve shtatëdhjetë të qindvjetëshit që iku, kur Valbonës i vranë birin e saj. Ia mbytën me një mal përsipri Pusterrin e Rajës. Pusterri i Rajës ka qenë liqenth aq i thellë sa s’i dukej fundi, i kthjellët si loti, mbushej buzë në buzë e derdhej në Valbonë. Po aq i magjishëm sa Syri i Kaltër në Sarandë, sa Syni i Skafkaçit në Vuthaj. Duhet lëndë inerte për digën e hidrocentralit të Fierzës, u tha, dhe Pusterri u mbyt me një shpërthim masiv të malit. Ani pse vargu i maleve përreth është pa fund e plasja mund të bëhej në cilindo prej tyre.

5.
Çka mund të ishin bjeshkët shqiptare pa Valbonën?
valbonaaaDo të ishin si E Bukura e Dheut me sy të shterrur, verbuar me hanxhar.
Ata që duan ta jetësojnë këtë masakër, s’i ka verbuar hanxhari. Ua ka marrë sytë parja. Pasurim e prapë pasurim, vetëm pasurim. Për vete.
Në u lejoftë kjo mizori e turpshme mesjetare, bjeshkët shqiptare nuk do të thirren më me gjuhën tonë të bukur. Do të thirren me gjuhën e atyre që nuk na duan as të bukur, as të bekuar. Do të shndërrohen përnjëmend në Bjeshkë të Nemuna, Prokleti, siç i kanë quajtur do të tjerë, siç nuk i kanë quajtur kurrë shqiptarët.
A flasin shqip ata që shestojnë e përmbushin këso projektesh përbindshore?

6.
Çdo shfajësim pingpongu, që mundohet me i lanë kopilin në derë qeverisë së mëparshme, shpreh vetëm këmbëngulje kriminale dhe dyfytyrësi.
Kur ia do interesi, qeveria e sotme ka shfuqizuar me bujë vendimet e qeverisë Berisha.
Pse nuk shfuqizon edhe këtë vendim, nëse paska qenë?
Pse tërë ky gjakim me e zbatue tashti?

7.
Vetëm banorët e Valbonës dhe një pjesë e medias kanë folur deri tashti. Ndër to edhe Zëri i Amerikës.
As forcat politike, as shoqëria civile, s’kanë pipëtirë, s’kanë bërë cik.
As analistët “e pavarur”. As studiuesit që dinë ç’përfaqëson Valbona.
Mbase dikush s’e do Tropojën. Për pesëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë ajo trevë ka qenë diskriminuar pa mëshirë. Ka qenë ndoshta me e ngujuara (izoluara) në Europë. Prej aty vinte energjia e Drinit për tërë vendin, eksportoheshin mija e mija tonelata krom nga minierat e Kamit e të Rrogamit, megjithatë një kilometër rrugë e asfaltuar s’u ndërtua.
Por Valbona nuk është vetëm e tropojasve. Valbona është e gjithë shqiptarëve. Nga Tirana, Saranda, Prishtina, Tetova, Presheva, Ulqini, mërgata, turren drejt saj. Si Bregdeti i Jonit, për shembull, që është i gjithë shqiptarëve. E dinë këtë?
Valbona nesër do të jetë pasuri europiane. Si Davosi, për shembull. E dinë këtë?

8.
Shpëtojeni ushtarin Rajan, thotë Spielbergu. U mobilizuan, u copëtuan e vdiqën shumë të tjerë me shpëtue Një. Në emër të një Vlere.
Me shpëtue Valbonën s’ka nevojë me vdekë kush.
Ka nevojë me u mobilizue gjithkush.
Ka nevojë me u shpërgjumë të gjithë ne, me u zgjue shpirti kombëtar shqiptar, shpirti europian. Dhe me i zanë rrugën shkatërrimit: ndal!
Shpëtimi i Valbonës është pjesë e shpëtimit të Vetvetes. Ndihmoji vetes pak, se të ndihmoj unë shumë, ka thënë Zoti, sipas Librave të Shenjtë.

Mehmet ELEZI

Filed Under: Analiza Tagged With: DUAN TË VRASIN, Mehmet Elezi, VALBONËN!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT