• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

VERILINDJA PA ASNJË UNIVERSITET !?

May 28, 2016 by dgreca

Dua që shteti ta kuptojë se i ka borxhe të mëdha Verilindjes, borxhe që nuk ia paguan dot kurrë, as me një apo dy universitete…

* * *

Dibra, kur u “ndanë vëllezërit” mbeti “vëlla pa shtëpi”, “vëlla i ndarë për mort e për dasmë”, i “truem” …
Dhe jo vetëm Dibra, e gjithë Verilindja.
Pisha e dijes, me mbylljen e degëve universitare shtetërore në Peshkopi e Kukës u shua, mbase një herë e përgjithmonë…

Verilindja, në përbërjen gjeografike Dibër, Bulqizë, Mat, Mirditë, Kukës, Krumë, Pukë dhe Tropojë nuk ka asnjë universitet.
Në fund të viteve tetëdhjetë kjo trevë e gjerë prodhonte shtatëdhjetë e pesë për qind të produktit shoqëror. Nga kjo hapësirë gjeografike merrej pa kthim në investime për TË: kromi (deri në një milionë tonë në vit) i Bulqizës, Batrës, Selishtës, Tërnovës, Kamit… bakri i masivit të Mirditës dhe Pukës, lënda drusore e pyjeve të mëdhenj të Lurës, Pratit, Tërnovës, Masdejës, Mirditës, Pukës… mermeri i kuq i Muhurrit…
Në Rubik ishte ndërtuar një uzinë me teknologji moderne për kohën e cila i jepte vendit jo kilogramë, por kuintalë ari të pastër shqiptar, bakër blister për eksport e bakër për uzinën e telave elektrikë të Shkodrës…
Në Burrel u ndërtua një uzinë për shkrirjen e kromit dhe eksportimin e tij si metal ferro-kromi…
Lugina e Drinit të Zi në Dibër kishte plantacionet më të mëdhenj të pemëve frutore kurse Tropoja plantacionin më të madh të gështenjave që siç thuhej “vrapi i një kali nuk e përshkonte dot nga cepi në cep, nga lindja në perëndim të diellit”…
Në Peshkopi që nga viti 1946 bankat e Shkollës së Mesme Pedagogjike, u mbushën me djem e vajza nga Dibra, Mati, Mirdita, Kukësi, Puka e Tropoja dhe u shpërndanë në të gjithë Verilindjen për të përcjellë dritën e diturisë.
Në Peshkopi në vitin 1959 u hap Shkolla e parë e mesme bujqësore për të gjithë Verilindjen prej ku dolën me qindra specialistë të mesëm të bujqësisë e në vazhdim specialistë të lartë.
Kaq dha e kaluara.
E sotmja, demokracia, edhe ata që kishin i shoi si shuhet shkumësi mbi dërrasën e zezë….
Shkolla e mesme pedagogjike e Peshkopisë u mbyll…
U hap një degë e universitetit të Durrësit në Peshkopi…
U mbyll…
U hap një degë e universitetit në Kukës…
U mbyll…
Në Tiranë ka 7 universitete shtetërore dhe disa universitete private.
Në tërë Shqipërinë ka 7 universitete shtetërore. I Shkodrës, Gjirokastrës, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Lushnjës, përveç universiteteve private në disa qytete.
Në Veri të Shqipërisë ka vetëm një universitet, Universiteti i Shkodrës, kundrejt gjashtë universiteteve në jug të Shqipërisë.
Në verilindje të Shqipërisë nuk ka asnjë universitet. Edhe dy degë që ishin u prenë me sëpatën e shtetit.
Peshkopia dhe Kukësi janë dy qytete që u krijuan pas prerjes për kurrizi të Shqipërisë nga hanxhari i Londrës ’13. Qendrat e tyre të kulturës dhe të tregut ishin Dibra e Madhe dhe Prizreni.
Hapja e degëve universitare në Peshkopi e Kukës gëzoi shqiptarët e Dibrës së Madhe dhe më gjerë deri në Gostivar, Tetovë, Kërçovë. Ishte gjëja më e bukur e bashkimit të shqiptarëve në një tempull dije dhe kulture…
Hapja e degës universitare në Kukës gëzoi shqiptarët e Prizrenit, Gjakovës, Pejës dhe më gjerë. Ishte gjëja më e bukur pas pritjes së kosovarëve në ditët e tyre më të vështira…
Shikuar në këtë kënd Dibra dhe Kukësi duhet të kishin jo një “degë të tharë universitare” por një Universitet të plotë me të gjitha hapësirat.
Dibra në rrugën e vet historike kishte krijuar “Universitetin Popullor”, një lloj universiteti ku emra të mëdhenj i kanë vlerësuar me notat më të larta “leksionet” që morën gjatë disa ditëve ose muaj qëndrimi si misionarë të një kohe të re.
Reginald Hibbert dhe Julian Emery përkatësisht shkruanin:
“Unë kam mbaruar universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës”
“…Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë për thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford”.
Trevat Verilindore të Shqipërisë kishin dhe kanë nevojë për dije e kulturë. Djemtë dhe vajzat e Verilindjes duhet të studiojnë në universitete në qendra të trevave të tyre. Të paktën në Peshkopi dhe Kukës.
Peshkopia (Kukësin nuk e njoh) e ka të plotë infrastrukturën për universitet. Simbolike dhe e bukur ishte se dega e universitetit të Durrësit u hap në mjediset e ish Shkollës Pedagogjike, themelet e së cilës ishin hedhur që në vitin 1946.
Në Shqipëri politikanët flasin deri në ngjirje për turizëm deti e mali. Harrojnë se ka edhe një lloj turizmi shpirtëror, turizëm që i afron njerëzit dhe i fut në kujtesë tërë jetën. Përfytyroni djem dhe vajza të ardhur në Universitetin e Peshkopisë nga Dibra, Struga, Gostivari, Kërcova e më gjerë. Përfytyroni djem e vajza të ardhura në Universitetin e Kukësit nga Prizreni, Gjakova, Peja e më gjerë, deri në Preshevë e Bujanovc. Për muaj të tërë, për vite studimi, ata do të jenë mysafirë të familjeve të Kukësit e të Peshkopisë. Familjet mikpritëse do të përfitojnë po aq sa fitojnë e ndihmojnë ekonominë e tyre ata që strehojnë studentët në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan…
Kukësi është “dy orë larg Tiranës” dhe pedagogët cilësor mund të vijnë po aq shpejt sa një mësues shkon nga Kukësi në Bicaj.
Peshkopia, me nxitjen edhe të intelektit të ri universitar të saj, do të afrohet me Tiranën me Rrugën e Arbrit në po atë largësi sa Tirana me Fierin.
Vetëm 30 kilometra është Dibra e Madhe nga Peshkopia…
Po kaq është edhe Prizreni nga Kukësi…
Dikush, nga ata që për turp zihen në Kuvend çdo seancë, do të thotë se me këto shënime po bëj lojën e njërës apo tjetrës parti duke e ndarë Shqipërinë në Jug e në Veri. Gabohet. Nuk jam prej atyre që hy në këtë hulli. Shqipëria është një që nga skaji më jugor i saj deri në atë më verior e lindor, deri tutje ku flitet shqip e këndohet shqip.
Dhe nuk dua që mesazhi im të futet vrimave të errëta të ndarjes krahinore. Dua që shteti ta kuptojë se i ka borxhe të mëdha Verilindjes, borxhe që nuk ia paguan dot kurrë, as me një apo dy universitete…

Abdurahim Ashiku

28 qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, pa universitet, Verilindja

Kosovë-Serbia po e shkelë marrëveshjen për telekomin

May 28, 2016 by dgreca

-Në Bruksel u mbajt takimi i grupit punues për telekom/

 Bruksel, 28 maj 2016/Dje u mbajt takimi i raundit të radhës i dialogut për çështjet e telekomit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në takime bilaterale me ndërmjetësit e BE-së diskutoi mbi çështjen e zhbllokimit të kodit telefonik për Kosovën, duke theksuar se Serbia po e shkelë marrëveshjen për telekomin sipas të cilës Kosova para disa muajsh është dashur ta merr kodin telefonik nga ITU.Njoftimi i dërguar thekson se, ministrja Tahiri edhe me ketë rast konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet zbatuese të marrëveshjes për kodin telefonik me kohë dhe cilësi, mirëpo zvarritjet janë bërë nga ana e Serbisë dhe se deri më tani Serbia nuk ka treguar vullnet politik për t’i kryer obligimet zbatuese. Ajo kërkoi nga Bashkimi Evropian që të rritë përpjekjet për ta zhbllokuar çështjen dhe se Kosova sa më parë ta marr kodin nga ITU-ja, si dhe potencoi duke marr parasysh që çështja e telekomit është mbi pesë vjet në tryezën e bisedimeve, tregon qartë mos gatishmërinë e Serbisë për marrëveshjen e telekomit dhe si duket vetëm një ndërhyrje e fuqishme e BE-së mund të bëjë që kjo marrëveshje të zbatohet.

 Takimet u zhvilluan gjatë gjithës ditës, kryesisht në format bilateral. Në bazë të diskutimeve të zhvilluara dypalëshe, ndërmjetësi i BE-së, Nicholas Cendrowicz vlerësoi se bisedimet e zhvilluara kanë krijuar hapësirë për vazhdimin e takimit që pritet të ndodh javën tjetër.

 Delegacioni për çështjen e telekomit kryesohej nga ministrja Tahiri dhe në përbërje ishin edhe Gazmir Raci, koordinator politik për telekomin dhe këshilltar i ministres Tahiri, Kreshnik Gashi, kryetar i bordit të ARKEP-it, Ilir Imeri, shef i Departamentit të Komunikimeve Elektronike në ARKEP, Visar Halimi, shef i Departamentit për Menaxhimin e Frekuencave në ARKEP, Elona Cecelia, këshilltar politike e ministres Tahiri dhe Haxhi Bajraktari, ministër këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Serbia shkel marreveshjen, Tahiri ne Bruksel, Telekom

Shengeni dhe sfidat!

May 28, 2016 by dgreca

Nga Bahri BEQIRI/

 Dekada me radhë Unioni Evropian (Bashkimi Evropian) ka qenë i preokupuar në gjetjen e rrugës së drejtë sa i përket integrimit të mëtutjeshëm. Mirëpo, sot mendohet rreth shpërbërjes. Deri te ky diskutim erdhi me rastin e trajtimit të krizës financiare në Greqi, por edhe më shumë me rastin e ballafaqimit me numrin e madh të refugjatëve, e cila në raste të caktuara çoi deri tek rifillimi i kontrolleve kufitare.

Mbretëria e Bashkuar këtë vit do të votojë për mbetjen e saj në Union. Ky zhvillim krijon pasiguri në rrjedhën e mëtejshme të Unionit. Një vështrim i thellë në politikën e përbashkët tregtare dhe në tregun e brendshëm, e cila është shtyllë kryesore e integrimit evropian, tregon se të gjitha shtetet anëtare do të humbasin shumë në rast të shpërbërjes së BE-së.  

Në rast të shpërbërjes së BE-së janë të mundshme shkallë të ndryshme të një eskalimi, përgjatë të cilave do të përmbyseshin hapat e suksesshëm të integrimit. Pas shpërbërjes së pjesshme ose në të ardhmen edhe të vazhdueshme të zonës Shengen, disa shtete, siç është Mbretëria e Bashkuar mund ta përjashtonin veten nga tregu i përbashkët. Edhe brenda vetë BE-së, mund të shuheshin katër liritë themelore (liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit). Përfundimisht, nëse do të ndodhte një gjë e tillë, madje edhe zona e tregtisë së lirë e Evropës dhe politika e përbashkët komerciale mund të viheshin në pikëpyetje.

Çka nëse shpërbëhet zona Shengen?

Marrëveshja e Shengenit u fuqizua në vitin 1995 dhe kishte për qëllim realizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve në tregun e përbashkët evropian (me ç‘rast Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe Qiproja nuk ishin të përfshira, kurse Bullgaria, Rumania dhe Kroacia ishin të përfshira vetëm pjesërisht). Kjo u plotësua me masa të bashkëpunimit në mes të policisë e të drejtësisë dhe rregullave të përbashkëta të azilit, nëpërmjet të cilës do të formohej një zonë e përbashkët e sigurisë dhe e drejtësisë. Marrëveshja parashikon një pezullim të përkohshëm, siç praktikohet tani pjesërisht në lidhje me çështjen e refugjatëve. Pezullimi i përhershëm mund të ndodhë nëse BE-ja nuk arrin të gjejë zgjidhje të përbashkët për problemin e refugjatëve. Edhe rikthimi i kontrollit të kufijve është i kushtueshëm. Sipas disa hulumtimeve që janë bërë nga ana e disa institucioneve gjermane, llogaritet një barrë shtesë financiare e Gjermanisë, e cila do të arrijë deri në 235 miliardë euro për periudhën kohore 2016-2025. Një rezultat i ngjashëm, po ashtu, del edhe duke e vlerësuar koston, varësisht nga shkalla e kontrollit, prej 17 deri 132 euro në vit për kokë banori në këtë vend. Edhe qytetarët dhe kompanitë do të kenë disavantazhe financiare, si: turizmi ndërkufitar (dhe ai i blerjes) do të ulet, nëse merret parasysh koha e pritjes nëpër kufij. Për më tepër kjo e pengon shkëmbimin social dhe kulturor, i cili lulëzon veçanërisht në rajonet kufitare. Në periudha afatmesme dhe afatgjata do të bie edhe numri i udhëtarëve, të cilët udhëtojnë për arsye profesionale. Rrjedhimisht, tregjet evropiane të punës do të pësojnë sërish ndryshime të mëdha. Tek kompanitë do të ndikojë koha e pritjes në kufi për të kryer obligimet doganore.

Hulumtimet e lartpërmendura, mbështeten në burimet, sipas të cilave në këtë mënyrë do të ngritet kostoja e vlerës së mallrave në lartësi prej 1.4% deri në 3%. Duke marrë parasysh se importet do të jenë 3% më të shtrenjta, mund të llogaritet se performanca ekonomike në BE nga viti 2016 deri në vitin 2025 do të tkurret në masë të madhe. Në rast të rikthimit të vizave në zonën Shengen, për kompanitë do të jetë veçanërisht problematike, sepse do të ketë më pak vizita të kompanive të huaja, që vijnë me qëllim të investimeve dhe blerjeve të pritshme. Pasojat nga kontrolli i kufijve do t’i ndiejnë edhe shtetet e treta, siç janë SHBA dhe Kina, të cilat tregtojnë ose investojnë në Evropë.

 

Dalja individuale e anëtarëve nga politika tregtare dhe tregu i brendshëm         

BE-ja njeh opsione të ndryshme për të rregulluar mbrojtjen e kufijve dhe tregun e përbashkët në raport me vendet e treta. Për tregun e brendshëm, para së gjithash, është i rëndësishëm trajtimi i normave të prodhimit dhe marketingut. Edhe në mes shteteve anëtare të BE-së, këto janë zhvilluar në mënyra të ndryshme për një periudhë të gjatë kohore. Rezultati i tregut të përbashkët nuk është aspak harmonizim i plotë i standardeve në të gjithë BE-në, por më shumë një njohje reciproke, edhe në raport me vendet e treta.

Parimi i njohjes reciproke bazohet në vendimin e mëhershëm të Gjykatës Europiane për Drejtësi të vitit 1979. Rasti, i cili shikuar nga perspektiva e sotme duket mjaft i çuditshëm, kishte të bënte me kontestin mbi Cassis de Dijon, një pije (liker) alkoolike me më pak se 25% alkool. Kjo mund të tregtohej në Gjermani vetëm pas vendimit të Gjykatës, pasi që autorizimi për marketing ishte i vlefshëm në të gjithë tregun e brendshëm. Për aspekte të tilla të tregut të brendshëm ekzistojnë forma të ndryshme të marrëveshjeve për tarifa të jashtme doganore.

Në rast se shtetet anëtare individualisht dalin nga BE-ja atëherë mund të zhvillohen negociata me ta për një riorganizim të marrëdhënieve. Në raste të rralla mund të orientoheshin në modelet ekzistuese si në vijim:

“Modeli Norvegjez”: Zonë e lirë tregtare me treg të brendshëm. Në kuadër të Zonës Ekonomike Evropiane, tregtia në mes shteteve si Norvegjia, Lishtenshtajni dhe Islanda si pjesë të Organizatës për Tregti të Lirë në Evropë dhe BE, u liruan në masë të madhe nga doganimi, por detyrimet doganore në raport me shtetet e tjera mbeten individuale. Një zonë e lirë tregtare, si e tillë, kërkon kontrolle komplekse dhe të shtrenjta të treguesit të origjinës në mënyrë që të parandalohen importet e vendeve të treta, që mund të qarkullonin përmes shtetit anëtar me më pak mbrojtje të jashtme dhe pastaj të përfitojnë nga zona e lirë doganore evropiane. Të përjashtuara reciprokisht nga tregtia e lirë në kuadër të Zonës Ekonomike Evropiane, janë produktet e ndjeshme bujqësore dhe të peshkimit. Shtetet e Organizatës për Tregti të Lirë, duhet t’i plotësojnë të gjitha standardet relevante të prodhimeve, në mënyrë që të importohen në BE, por rregullat e Unionit janë më pak në përputhje me shtetet e tjera anëtare. Në këtë mënyrë, Norvegjia brenda një viti ngarkohet me rreth 300 nga mesatarisht 1000 rregulla të reja të BE-së. Shtetet e Organizatës për Tregti të Lirë e kanë statusin e vëzhguesit në organizata të rëndësishme, siç është Autoriteti Publik Evropian për Sigurinë e Ushqimit, por nuk e kanë të drejtën e bashkëvendosjes për ruajtjen e standardeve.

 

“Modeli Zviceran”: E definuar si zonë e lirë tregtare me treg të brendshëm. Zvicra është anëtare e Organizatës për Tregti të Lirë Evropiane, por jo edhe e Zonës Ekonomike Evropiane. Ajo formon një zonë të lirë tregtare me BE-në, që do të thotë se të dy partnerët i mbajnë doganat e tyre. Vendi merr një pjesë të madhe të tregut të brendshëm për produktet që janë të përcaktuara edhe me marrëveshjet sektoriale. Lëvizja e lirë e njerëzve ka qenë shpesh objekt i mosmarrëveshjeve, por Marrëveshja e vitit 2002 mbetet në fuqi edhe pas miratimit të iniciativës popullore ››Kundër Emigracionit Masiv‹‹ nga ana e popullsisë zvicerane në vitin 2014.

 

“Modeli fqinjësor”: Përpjekje për një Bashkim Doganor. Një bashkim doganor shkon përtej një zone të lirë tregtare nëse tarifa e jashtme doganore do të përcaktohej bashkërisht. Kështu, një shtet e humb fushëveprimin për një politikë të saj doganore. Në vitin 1995, me Turqinë u arrit marrëveshja për Bashkim Doganor, e cila do të jetësohej me ndihmën e periudhave kalimtare. U përjashtuan prodhimet bujqësore. Përmes kësaj janë hequr shumë tarifa doganore në mes të Turqisë dhe BE-së dhe është kërkuar që bashkërisht të vendosin mbi tarifat e jashtme të BE-së. Duhet të krijohen bashkësi doganore edhe me shtete të tjera të Mesdheut, të cilat deri më tani kanë dështuar qysh në fillim për arsye të detyrimeve të ndryshme të shteteve të Mesdheut. Nuk është paraparë treg i përbashkët me vendosje të përbashkët të standardeve, por standardet e BE-së, në kuptimin e detyrimeve që dalin rreth importit duhet respektuar.

 

“Modeli i shteteve të treta”: Tregu i brendshëm kombëtar doganor. Shtetet të cilat janë larguar (në rast se largohen) nga BE-ja mund t’i mbajnë doganat e tyre ose të negociojnë me BE-në e mbetur hartimin e marrëdhënieve të tyre në të ardhmen. Edhe në politikat e nacionalizuara të tregtisë së jashtme mund të definohen edhe më tutje bashkërisht aspekte të tregut të bashkuar, siç janë harmonizimi ose njohja reciproke e standardeve teknike në raport me shtetet e treta. Edhe para negociatave për një marrëveshje transatlantike të tregtisë së lirë një model i tillë është praktikuar edhe me SHBA-në, për disa sektorë dhe për disa standarde të veçanta si p.sh.: në lidhje me telekomunikacionin dhe sigurinë në aviacionin civil.

 

Shpërbërja e tregut të brendshëm dhe e zonës së lirë tregtare. Në një hap të tillë të ardhshëm (nëse ndodhë) të gjitha shtetet anëtare të BE-së, do ta nacionalizonin politikën e tyre tregtare dhe do t’i anulonin katër liritë themelore. Kjo do të kishte efekt të konsiderueshëm në tregti, investime dhe në mirëqenie në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Besohet se tregu i bashkuar ka gjeneruar në mënyrë të vazhdueshme bruto-produktin e brendshëm për rreth 2–3%. Sipas vlerësimeve, eksportet e shteteve të Unionit janë rreth 8% më të larta në krahasim me kohën jashtë integrimit evropian. Para së gjithash janë krijuar zinxhirë të vlerave ndërkufitare, të cilat do të shkatërroheshin në rast të shpërbërjes së tregut të brendshëm. Standardet e caktuara bashkërisht do të ishin në fuqi edhe më tutje, por shtetet anëtare do t’i krijonin ato vet në të ardhmen. Nëse vendosen dogana në mes të shteteve evropiane, atëherë BE-ja nuk do të jetë më zonë e lirë tregtare.

 

 

Rasti ekstrem: Shpërbërja e Bashkimit Doganor dhe e politikave të përbashkëta tregtare. Shpërbërja e tërësishme e Bashkimit Doganor dhe e politikave të përbashkëta tregtare do të ishte hapi i fundit i shpërbërjes. Secili shtet anëtar i BE-së, atëherë do të vendoste tarifat e veta doganore dhe do të negocionte marrëveshje tregtare me shtete të treta. Shtetet e Unionit nuk do t’i kontrollonin vetëm kufijtë kombëtarë, por edhe administratën kombëtare doganore dhe do të themelonin  administratën për politika tregtare. Sa u përket marrëveshjeve ekzistuese, do të duhej që shtetet anëtare veç e veç të ri-negociojnë. Edhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare do të duhej të vendosej mbi një bazë të re. Shpërbërja do të ngritë shumë pyetje, të cilat do të duhej të qartësoheshin. Për këtë kemi shumë pak shembuj, dhe këta kryesisht shembuj me ndikim negativ.

 

Cilat do të ishin efektet e pezullimit? Me pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjes së Shengenit do të rriteshin disavantazhet për qytetarët e BE-së si dhe për kompanitë e zhvilluara. Si rrjedhojë e saj, do të prekej një fushë e integrimit evropian e cila nga shumica është vlerësuar si një arritje pozitive. Por, kjo do të ndikonte negativisht edhe nga jashtë – tek politikanët, turistët ose investitorët potencialë. Kjo lloj politike do të ngjallte përshtypjen se Evropa nuk do të mund t’i mbajë në kontroll problemet e saj dhe se kërcënohet të shkatërrohet politikisht dhe ekonomikisht. Për një kohë të shkurtër, shpërbërja e tregut të bashkuar do të shkaktonte vetëm pasoja. Do të shpartalloheshin zinxhirët evropianë të vlerave ndërkufitare. Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë do të dëmtonte konkurrencën e produkteve evropiane në tregun botëror. Ky ndikim do të ishte edhe më i rëndë për aq sa tregjet përmes krijimit të hapave të tjerë nacionalë hartojnë standarde teknike ose standarde të ndryshme shëndetësore. Kjo është e rëndësisë së veçantë meqenëse në rajone të tjera të botës, siç është Azia, tashmë ekzistojnë zona të reja të integrimit. BE-ja, tashmë një zone e madhe ekonomike dhe e integruar fuqishëm globalisht, në mënyrë dramatike do të humbiste në atraktivitet.

Deri më tani shtetet e huaja kanë investuar 14% më shumë brenda tregut të bashkuar në krahasim me shtetet që nuk janë pjesë e BE-së. Interesi i investitorëve evropianë dhe atyre të huaj në tregje të vogla do të zhdukej, për arsye të politikave të shumëfishta doganore brenda BE-së. Gjërat do të përkeqësoheshin edhe më shumë meqenëse efekti do të ndjehej menjëherë, kur shihet se tani investitorët kanë vetëm dyshime për hapa të mundshëm të mëtutjeshëm drejt shpërbërjes evropiane, siç është aktualisht rasti me Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe pse shtetet e vogla anëtare mund të përfaqësonin më mirë vetë pozicionet e tyre, ndikimi i tyre në rezultat do të ishte i kufizuar. Përveç kësaj, kjo dobësi do të prekte ndoshta edhe sferën politike, duke pasur parasysh se tregtia e jashtme është prijëse e integrimeve evropiane. Nëse kjo do të binte poshtë, atëherë do të luhatej edhe besueshmëria dhe forca e sferave të tjera. Meqenëse politika e paqëndrueshme e BE-së, është e lidhur me integrimin e tregtisë, ajo gjithashtu është e kërcënuar.

Një shpërbërje e mundshme e BE-së, përmes pezullimit të përkohshëm të Marrëveshjes Shengen do të ishte shumë irracionale. Në atmosferën e tanishme, ku është e pranishme armiqësia evropiane dhe nacionalizimi, konsekuencat e mundshme, mund të paraqiten në mënyrë të gabueshme për qytetarët e BE-së. Këta të fundit duhet të kenë parasysh dhe të jenë të informuar se sa shumë është e rrezikshme kjo për të gjithë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bahri Beqiri, Shengeni dhe sfidat!

Ish-të burgosurit protestojnë

May 28, 2016 by dgreca

Ish-të burgosurit tentojnë të lidhen me zinxhirë: S’kemi marrë asnjë këst/
te-perndjekurit-proteste-1.jpg
TIRANE: Një grup ish-të burgosurish politikë kanë tentuar të lidhen me zinxhirë para Parlamentit në shenjë indinjate ndaj Qeverisë për mosmbajtjen e premtimeve për marrjen në shqyrtim të dosjeve të vonuara që i lë ata jashtë skemës së dëmshpërblimit. Veprimi është nda- lur nga policia pa incidente, ndërsa ish-të përndjekurit paralajmëruan përshkallëzim të protestave. Ish-të burgosurit kanë tentuar të lidhen me zinxhirë para Parlamentit në shenjë indinjate për mos marrjen e asnjë kësti financiar për vitet e qëndrimit në burgjet e diktaturës.
Ata njihen si grupi i grevës së urisë 2012 të ish-të burgosurit politikë, dhe protestojnë që qeveria t’u njohë vitet e burgut të bërë gjatë diktaturës, të arkivuara në afër 150 dosje që mbahen të bllokuara që prej vitit 2007 për mos dorëzimin në kohë pranë Ministrisë së Drejtë- sisë. Zyrtarisht janë 1343 dosje të vonuara që presin ndryshimet ligjore që të merren në shqyrtim nga Ministria e Mirëqenies Sociale përmes institutit të riintegrimit
të ish-të dënuarve politikë gjatë regjimit komunist. Krahas 150 ish-të burgosurve politikë në listën e gjatë të atyre që nuk kanë përfituar asnjë këst dëmshpërblimi janë edhe të dënuarit në kampe,si dhe trashëgimtarë të viktimave të diktaturës.
 Qeveria nga ana saj ka iniciuar hartimin e një drafti ligjor që procesi të rihapet për dosjet e vonuara, draft i cili i është dërguar për marrje mendimi disa ministrive. Protestuesit kërcënuan se do të përshkallëzojnë protestat e tyre nëse Qeveria nuk miraton me urgjencë ndryshimet ligjore, duke nënkuptuar forma ekstreme të protestës si ajo e Lirak Bejkos dhe Gjergj Ndrecës që u vetëdogjën me benzinë në mënyrë demonstrative, ndërsa ndodheshin prej javësh në grevën e urisë të vitit 2012. /b.s/
 
Ish-te-perndjekurit-duke-protestuar.jpg

images.jpg

ish-te-perndjekur.jpg

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, Ish-të burgosurit protestojnë

Rafael Floqi sjell Relike Shpirti në Sofrën Poetike të Diellit

May 28, 2016 by dgreca

Relikte shpirti/

Poezi nga Rafael Floqi/

Anija e kujtimeve/

Ky dokumentar,/

më solli ndër mend atë ditë,/

kur shokët e fëmijërisë u zhdukën brenda ditës./

Atë ditë kur Durrësi mundi të shihte për herë të parë/

portin,/

« Mollën e ndalueme » që mund ta lakmoje vetëm nga larg…/

Kur një anije e zezë me flamurin e largët,  « Panama »

me një emër aq sarkastik, « Legend »

mori me vete të gjithë kujtimet e fëmijërisë sime.

Një anije qymyri,

e zezë si në ëndrra,

po i çonte njerëzit drejt dalldisë së lirisë,

kacavjerrë ne kuvertë si pas shpresash,

pas litarësh dhe cimash …

pas fantazisë që kishin ndjellë ekranet

dhe antenat e fshehura nën çati,

dhe ajo kutia e vogël magjike

me një emër metalik « kanoçe »,

po i merrte me vete të gjithë…

Tok me fëmijërinë time

të ushqyer prej gëzimit

lodrave dhe balonave

kodrave të Vilës…

 

 

Iku Anija “Tirana”|. Iku “Vlora”. Iku “Durrësi”, iku Fieri, Shkodra, Kavaja.

Të gjithë qytetet ikën,

si anijet me emrat e tyre,

ikën,

Si të gjithë djemtë e lagjes

edhe dashuritë e tyre të rrëfyera veç imagjinatës

lundruan

dhe ikën.

 

Pashë sot në film, pas 25 vjetësh,

fytyra te njohura të lagjes së fëmijërisë sime

që ishin ngulur diku në memorie

dhe mu zgjuan,

ato fytyra të brishta, me ato flokë të çoroditur.

të shokëve të rinisë…

Ku iku Çimi, Luli, Liri, Jani, e sa të tjerë

edhe Kujtimi ….?

Kujtimet enden si një biçikletë kineze udhëve të qytetit

kur unë kërkoja,

tim vëlla, maturant,

mes zallamahisë të portit

mes qymyrit, bitumit, kromit dhe vinçave,

të cilët po të kish mundësi do të ikin atë ditë,

duke ndjekur njerëzit

tok me pulëbardhat ….

Dhe sa litarë sa litarë pashë atë ditë

kur te gjithë iknin dhe unë kërkoja vëllain

që si Atlasi

ruante i vetëm derën e shkollës….

qe dezhur ?!.

Sa e kotë ajo fjalë

atë ditë.

sa makth pat qyteti

atë natë,

kur i shpuar nga krismat e plumbave,

porti që s’ kish më asnjë anije,

dukej si një govatë llamarine bosh

pa sirena anijesh…dhe pa ëndrra

ishte koha për të ikur ..

Dhe në atë mbrëmje

në apelin e vatrave të shtëpive memece

flinte sa frika dhe gëzimi.

Ata bijtë

ishin në udhë…

Uliksat e lirisë…

Sa makth pat dhe hëna atë natë

dhe shpirtrat e nënave

në pritje të lajmeve nga përtej detit.

Por nuk kish apel më te hidhur te nesërmen

në maturën e shkollës « Naim Frashëri »

tek jepja mësim letërsie

t’u shpjegoje atyre që mbetën

poezi për atdheun…

ku vetëm një e treta e klasës…

përgjigjej « këtu ».

kur shokët e bankës

si dashuritë efemere të gjimnazit

ishin larg diku …

Kur pas një “m”-je

në regjistër…

kishte një makth

aty…

Atje përtej magjisë RAI

zilisë dhe makthit

që sillnin kanoçet.

në fytyrat e tyre ecejaket dyshimi,

e atyre që mbetën, « Bëmë mirë apo keq ?! »

Tok me ta dhe ngushëllimi cinik

i dhimbjes dhe dyshimit,

kur shihnim vuajtjet e moshatarëve të tyre, rrethuar

stadiumeve të Barit…

që flinin mbuluar thjesht me cipën e vesës

dhe shpresës që i mbulonte

me një copë qese plastmase,

me bukë që hidheshin nga helikopteri

dhe shpirtra

që i dhimbeshin vetë Krishtit

sa do të hidhte diçka prej qiellit.

 

Sa më trondit kujtimi i anijeve sot.

më kujton një boshllëk

atë vakum

që kurrë s’ humb,

si kur të zë deti.

Dhe vonë pas vitesh

kur jam kthyer në lagjen e vjetër,

ku s’ më njihte kurrkush dhe nuk njihja kerrkënd

vetëm fantazmat e ditëve të fëmijërisë sime

të shkalafitura gërricnin gjunjët

në ferrat e kodrave,

e ngecnin

në rrodhet e kujtimeve

të përmbytura

si anijet e mbetura në breg

si një peng

që s’kishin ikur dhe ato atë ditë

tok me pulëbardhat

dhe patën mbetur si balona tabake,

të harruara

telave të telefonit

të memories…

 

Mars 2016

 

 

 

Makina e vjetër

 

Prehet në rrugicën e shtëpisë sime

makina e vjetër

me një shenjë te kuqe

si një leukoplast

“Për shitje”.

E veshur me të zeza si një plakë e moçme

që si bën derman makijazhi.

Sa milje dhe sa shqetësime

mbarti me vete?

Gomat mund t’i jenë shfryrë

po frenat ende punojnë

motori ndizet …

Makina e vjetër në pritje të një pronari të ri

nuk do të ndahet …

Ne pasqyrat e saj reflekset tona u plakën…

Kullon ndryshk makina e vjetër,

si pezëm kujtimesh.

Miljet e saj janë

pjesë e jetës që shkoi…

e kujdesit të një nëne

për vajzat që ktheheshin nga shkolla

Në ditët me borë

që s’kishte freksion t’i ndalte

dhe

kur i koloviste tymshëm

djepet e tyre.

Ndaj mban aromë mirësie

si një dado e vjetër,

e që tani se zgjedh kush më në Craiglist….

 

“Duhet dhuruar”, thonë,

Po s’mundem…

 

Mars 1916

 

 

Ish-at dhe tavolina e nderit

 

Poezi satirike

 

Ata gjallojnë mes nesh,

por vdesin për të qenë në tryezë të nderit.

si ata që në jetë kanë bërë diçka,

e më shumë ata që s’kanë bërë asgjë.

Ata që dinë me bashku dhe ata që dinë me përça,

ata që kërkojnë te jenë atje mbi të tjerët

shprehen se ata qenë të parët një herë,

dhe pse jo përherë?

Pasi ata janë dikush,

dhe vesh më vesh, shprehen lirisht:

“Dhe në qofsha Ish, ç’ punë prish…”

 

Kështu në çdo tubim,

nuk ka rëndësi sa është numri i miletit

nuk ka rëndësi, seç është mexhlisi

karrigia është caku

ku para burrit turret “pisi”.

Dhe mendon e thotë vetit

Se karrige do me thanë.” Jam kah rri…

Si dikur, dikush

Dhe pra, në qofsha Ish, ç’ punë prish”.

 

Rëndësi ka të zë at’ vend nderit,

me ftesa pa ftesa,

sa e ëmbël kjo tryeza!

E qederit apo e (me)nderit.

S’ka rëndësi puna, lufta, kontributi

E gjitha kjo si punë muti.

Dhe kështu ky trim,

me vargje i jep vetes, guxim,

“Jam i gjallë jam në jetë,

Jam në dritën e vërtetë,

Jam dikushi,

dhe në qofsha Ish, ç’punë prish”.

 

Kështu shtyjnë, turfullojnë dhe pështyjnë

ish- politikanë, ish-veteranë,

ish- ministra, ish- nëpunës,

ish- atashe, ish-diplomatë

madje ca “pushta” që ende s’kanë “cof”

ish- veprimtarë, ish sekretarë,

ca enveristë dhe ca titistë,

ish- spiunë dhe bashkëpunëtorë,

dhe thonë, Shtt… mos i thuaj kujt,

Jam dikushi,

Dhe në qofsha Ish, ç’punë prish.

 

Ca ish-cuba, tani njerëz zoti

ca grekofilë ca sllavofilë

ca grafomanë, ca laramanë

ca shkrimtarucë, ca për birucë

ca lobistë që lypin pare

ca biznesmenë që s’japin pare.

ca drejtues shoqatash veç me dy veta

ca mbledhës fondesh për hallet e veta,

dhe thotë me vete: “Në kët’ çervish

dhe në qofsha Ish, ç’punë prish.”

 

 

Dhe hidhen në sulm,

sa dallkaukë, aq dhe kopukë

sa dinshumë, aq dhe dinpakë

sa mendjemprehtë, aq dhe mendjethuktë

sa horra aq dhe maskarenj

në shkallë sipërore mendjemëdhenj.

në kët’ tubim në kët’ përvjetor

ngrenë zërin e pëllasin:

“Për Atdhe e për Shqipëri

për flamur, ne të vrasim,

jemi patriotë, nuk themi kot,

duam urdhra, dekorata,

Jemi dikushi,

S’ jemi kot Ish, e ç’punë prish”.

 

Të gjithë turren

kush e kush të japë mend

dhe ma i pari të mbajë kuvend

Dhe pse si dëgjojnë,

Dhe pse kush s’ia vë veshin

Për atdhe bërtasin,

për Shqipëri “zjarr” qesin

Edhe pse kanë 10 parti për një qind shtëpi.

Po s’ka rëndësi,

Mjafton të hanë dhe të pinë

Dhe kuq e zi të mbushin bullçinjtë…

Dhe çirren, zërin nuk e ulin,

“Ej ju, doni më për Behlulin”

dhe ai qe një Ish, po ç’punë prish.

Por thonë se ai pat lënë një fjalë,

një urtësi

“E shkuara të jep kënaqësi

kur veten s’e njeh ti”.

 

Prill 2016

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne sofren poetike, Rafael Floqi sjell Relike Shpirti, te Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT