Dua që shteti ta kuptojë se i ka borxhe të mëdha Verilindjes, borxhe që nuk ia paguan dot kurrë, as me një apo dy universitete…
* * *
Dibra, kur u “ndanë vëllezërit” mbeti “vëlla pa shtëpi”, “vëlla i ndarë për mort e për dasmë”, i “truem” …
Dhe jo vetëm Dibra, e gjithë Verilindja.
Pisha e dijes, me mbylljen e degëve universitare shtetërore në Peshkopi e Kukës u shua, mbase një herë e përgjithmonë…
Verilindja, në përbërjen gjeografike Dibër, Bulqizë, Mat, Mirditë, Kukës, Krumë, Pukë dhe Tropojë nuk ka asnjë universitet.
Në fund të viteve tetëdhjetë kjo trevë e gjerë prodhonte shtatëdhjetë e pesë për qind të produktit shoqëror. Nga kjo hapësirë gjeografike merrej pa kthim në investime për TË: kromi (deri në një milionë tonë në vit) i Bulqizës, Batrës, Selishtës, Tërnovës, Kamit… bakri i masivit të Mirditës dhe Pukës, lënda drusore e pyjeve të mëdhenj të Lurës, Pratit, Tërnovës, Masdejës, Mirditës, Pukës… mermeri i kuq i Muhurrit…
Në Rubik ishte ndërtuar një uzinë me teknologji moderne për kohën e cila i jepte vendit jo kilogramë, por kuintalë ari të pastër shqiptar, bakër blister për eksport e bakër për uzinën e telave elektrikë të Shkodrës…
Në Burrel u ndërtua një uzinë për shkrirjen e kromit dhe eksportimin e tij si metal ferro-kromi…
Lugina e Drinit të Zi në Dibër kishte plantacionet më të mëdhenj të pemëve frutore kurse Tropoja plantacionin më të madh të gështenjave që siç thuhej “vrapi i një kali nuk e përshkonte dot nga cepi në cep, nga lindja në perëndim të diellit”…
Në Peshkopi që nga viti 1946 bankat e Shkollës së Mesme Pedagogjike, u mbushën me djem e vajza nga Dibra, Mati, Mirdita, Kukësi, Puka e Tropoja dhe u shpërndanë në të gjithë Verilindjen për të përcjellë dritën e diturisë.
Në Peshkopi në vitin 1959 u hap Shkolla e parë e mesme bujqësore për të gjithë Verilindjen prej ku dolën me qindra specialistë të mesëm të bujqësisë e në vazhdim specialistë të lartë.
Kaq dha e kaluara.
E sotmja, demokracia, edhe ata që kishin i shoi si shuhet shkumësi mbi dërrasën e zezë….
Shkolla e mesme pedagogjike e Peshkopisë u mbyll…
U hap një degë e universitetit të Durrësit në Peshkopi…
U mbyll…
U hap një degë e universitetit në Kukës…
U mbyll…
Në Tiranë ka 7 universitete shtetërore dhe disa universitete private.
Në tërë Shqipërinë ka 7 universitete shtetërore. I Shkodrës, Gjirokastrës, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Lushnjës, përveç universiteteve private në disa qytete.
Në Veri të Shqipërisë ka vetëm një universitet, Universiteti i Shkodrës, kundrejt gjashtë universiteteve në jug të Shqipërisë.
Në verilindje të Shqipërisë nuk ka asnjë universitet. Edhe dy degë që ishin u prenë me sëpatën e shtetit.
Peshkopia dhe Kukësi janë dy qytete që u krijuan pas prerjes për kurrizi të Shqipërisë nga hanxhari i Londrës ’13. Qendrat e tyre të kulturës dhe të tregut ishin Dibra e Madhe dhe Prizreni.
Hapja e degëve universitare në Peshkopi e Kukës gëzoi shqiptarët e Dibrës së Madhe dhe më gjerë deri në Gostivar, Tetovë, Kërçovë. Ishte gjëja më e bukur e bashkimit të shqiptarëve në një tempull dije dhe kulture…
Hapja e degës universitare në Kukës gëzoi shqiptarët e Prizrenit, Gjakovës, Pejës dhe më gjerë. Ishte gjëja më e bukur pas pritjes së kosovarëve në ditët e tyre më të vështira…
Shikuar në këtë kënd Dibra dhe Kukësi duhet të kishin jo një “degë të tharë universitare” por një Universitet të plotë me të gjitha hapësirat.
Dibra në rrugën e vet historike kishte krijuar “Universitetin Popullor”, një lloj universiteti ku emra të mëdhenj i kanë vlerësuar me notat më të larta “leksionet” që morën gjatë disa ditëve ose muaj qëndrimi si misionarë të një kohe të re.
Reginald Hibbert dhe Julian Emery përkatësisht shkruanin:
“Unë kam mbaruar universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës”
“…Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë për thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford”.
Trevat Verilindore të Shqipërisë kishin dhe kanë nevojë për dije e kulturë. Djemtë dhe vajzat e Verilindjes duhet të studiojnë në universitete në qendra të trevave të tyre. Të paktën në Peshkopi dhe Kukës.
Peshkopia (Kukësin nuk e njoh) e ka të plotë infrastrukturën për universitet. Simbolike dhe e bukur ishte se dega e universitetit të Durrësit u hap në mjediset e ish Shkollës Pedagogjike, themelet e së cilës ishin hedhur që në vitin 1946.
Në Shqipëri politikanët flasin deri në ngjirje për turizëm deti e mali. Harrojnë se ka edhe një lloj turizmi shpirtëror, turizëm që i afron njerëzit dhe i fut në kujtesë tërë jetën. Përfytyroni djem dhe vajza të ardhur në Universitetin e Peshkopisë nga Dibra, Struga, Gostivari, Kërcova e më gjerë. Përfytyroni djem e vajza të ardhura në Universitetin e Kukësit nga Prizreni, Gjakova, Peja e më gjerë, deri në Preshevë e Bujanovc. Për muaj të tërë, për vite studimi, ata do të jenë mysafirë të familjeve të Kukësit e të Peshkopisë. Familjet mikpritëse do të përfitojnë po aq sa fitojnë e ndihmojnë ekonominë e tyre ata që strehojnë studentët në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan…
Kukësi është “dy orë larg Tiranës” dhe pedagogët cilësor mund të vijnë po aq shpejt sa një mësues shkon nga Kukësi në Bicaj.
Peshkopia, me nxitjen edhe të intelektit të ri universitar të saj, do të afrohet me Tiranën me Rrugën e Arbrit në po atë largësi sa Tirana me Fierin.
Vetëm 30 kilometra është Dibra e Madhe nga Peshkopia…
Po kaq është edhe Prizreni nga Kukësi…
Dikush, nga ata që për turp zihen në Kuvend çdo seancë, do të thotë se me këto shënime po bëj lojën e njërës apo tjetrës parti duke e ndarë Shqipërinë në Jug e në Veri. Gabohet. Nuk jam prej atyre që hy në këtë hulli. Shqipëria është një që nga skaji më jugor i saj deri në atë më verior e lindor, deri tutje ku flitet shqip e këndohet shqip.
Dhe nuk dua që mesazhi im të futet vrimave të errëta të ndarjes krahinore. Dua që shteti ta kuptojë se i ka borxhe të mëdha Verilindjes, borxhe që nuk ia paguan dot kurrë, as me një apo dy universitete…
Abdurahim Ashiku
28 qershor 2016