• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

KFOR: Zhvillohet ushtrimi “Shpata e argjendtë”

May 27, 2016 by dgreca

Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende./PRISHTINË, 27 Maj 2016-B.Jashari/ Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëron për javën e ardhshme zhvillimin e ushtrimit “Shpata e argjendtë” (Silver sabre). “Njësitet manovruese të KFOR-it, më 03.06.2016, do të kryejnë një ushtrim operacional në bashkërendim të ngushtë me EULEX-in, Policinë e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës”, bën të ditur njoftimi i dërguar.Aktiviteti trajnues do të mbahet në dy lokacione të ndryshme: Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kampin “Pomazatin” dhe në Bazën e KFOR-it, Kampin “Villaggio Italia”, në Pejë.

“Qëllimi i ushtrimit është të rritet aftësia e KFOR-it, në mënyrë që të ruhet gatishmëria e trupave dhe të rritet fleksibiliteti operacional i njësiteve. Harmonizimi i teknikave, taktikave dhe procedurave është objektivi qenësor i ushtrimit”, thekson njoftimi.Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende.

Filed Under: Kronike Tagged With: “Shpata e argjendtë”, KFOR: Zhvillohet ushtrimi

DUKE KUJTUAR BEKIM FEHMIUN NE 80 VJETORIN E LINDJES

May 27, 2016 by dgreca

 Në kuadrin e 80 vjetorit të ditëlindjes së aktorit të madh,  BEKIM  FEHMIUT/

“ Artisti që preku qiellin dramatik, filmik, identifikoi talentin shqiptar dhe krenoi origjinën”/
Nga Kristaq F. Shabani/

“Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”vepër e gazetarit të mirënjohur FAHRI MUSLIU/

Hyrësi çelësi për të hapur Portalin/

Analitika reale e kualifikuar gjithmonë nxjerr në pah forcën apo irealen, ndriçimin apo errësimin, në këtë kontekst forcën apo dobësinë, krenimin apo uljen e kokës , lulimin apo vyshkjen , mbetjen apo vdekjen e një vepre…
Vërtetësia dhe madhësia gjithmonë shpalosen me një trajtë tjetër, me një metodë tjetër shprehëse, domethënëse, nxitëse, kulmuese, tunduese, lëvizëse, siparuese, thelluese, risore, kur kryeprotagonisti nuk duron dot formën gjeometrike të rrethit, apo lartësinë kubike, pa le, mandej, kur ky kryeprotagonist është kryezë violine, kryeinterpretues skene, filmi, pëllumbim qiellor, dallandyshe sjellse lajmi pranvere, trompetë lajmëse për aureola madhore, statujëzuar në zemër të Perandorisë aktruese, në thelbin e saj me një cilësi kualitative të paparë, tepër të ndjerë, ku zëri i dalë nga shenjtëria është triumfal, i spikatur dhe me fuqi qiellore. Shkëlqimi është një veti e cilësuar, një kualitivitet i talentuar, por domethënia e ecjes varet katërcipërisht nga forca e shprehisë praktike, buresë e një individualiteti realizator teorik. Krijuesi e, në këtë rast, gazetari i sprovuar me përvojë, Fahri Musliu, autori i disa librave të suksesshëm, pati besim të palëkundur në veten dhe në vetveten e tij, në këtë harmoni duet, për të ndërmarrë paraqitjen e një figure dimensionale, habitse e intepretimit të moderuar, sikundërse ishte figura horizonto- vertikale – gjerësore e Aktorit befasues dhe të talentuar, Bekim Fehmiu, i njohur nga miliona njerëz, për shkak të shkallinës së tij në Perandorinë e Aktrimit. Në këtë kontekst, shkalla e vështirësisë të trajtesës së kësaj figure ka qenë me shkallë të lartë koeficenti “mortal”, për vetë faktin se autori duhej të peshonte veten dhe të drejtpeshohej përpara shkallës së njohjes dhe triumfalizmit të Kryprotagonistit. Por, njëkohësisht, autori duhet të ishte shumë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm në fokusimin e kryefigurës së Aktorit homerik e mitik, magjik Beki Fehmiu.
Duke lexuar këtë vepër me peshë të rëndë, jo nga madhësia dhe rëndesa e njësisë matëse, por nga vlera e substratit, të vijnë natyrshëm pyetjet retorike: “Përse kjo veçanti përzgjedhje? Ku buronte dëshira e autorit për të rrokur një temë të tillë kaq të bujshme, ku galeria e tipave me profile të ndryshme është prezente dhe aktive?”
Autori ka përcaktuar edhe gjininë lëvruese “monografi”, por ky format është jashtë formatit klasik, por një formë e re, e cila i ngjan një romani jetësor , plot personazhe, të cilat rrëfejnë, analizojnë, deduksionojnë, thelbojnë, profilizojnë, marrin role vlerësuese dhe kritikuese, por përbashkohen në gjenialitetin interpretues dhe plotëformin aktrues të Bekim Fehmiut.

Tensioni i aktit flijues, një skenë e karakterit “dramë”

Një paraqitje e tillë kërkonte, pa dyshim, një kompozicion të natyrshëm, origjinal të veprës. Një kompozicion i tillë, i cili fillesën e ka te drama e veteliminimit tip “Fehmiu”, i titulluar “Vetëvrasja, si akt personal”. Lajm tronditës dhe habitës, i parrokur nga mendësia bashkëkohore, atë ditë 15 qershori të vitit 2010; lajmi i figuruar, si bombë, nëpër media për largimin e mjeshtrit të aktrimit, vdekjen, fikjen e yllit, tragjizmin e aktorit, vetëflijimin tragjik, shuarjen e ikonës së filmit, shkuarje e beftë, e pabesueshme e legjendës-mit, i cili ishte nga të vetmit që aktroi në Perëndim nga vendet e Lindjes, për dy dekada. Teksti i padeshifruar, i cili u finalizua përsëprapthi, ku Misteri, Fshehtësia, Magjia e aktorit, merr flakë dhe zjarr nga lënda iniciale e një shpirti…, duke përsjellë një gjendje shoku. Eliminohet sinonimi i artit filmik, ngritja deri në lartësi “Mojsiu”; ngushëllimet përvijohen me nota të mëdha dëshpërimi për humbjen, e cila, mbi qiellin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Trojeve shqiptare, mbi të gjithë botën e filmit që njohën Odisenë, ranë vranësira të pakuptuara, pikëllimi ngriti shtatin , dëshpërimi i rritur në disa fuqi gjeometrike. Gazetarë, aktorë e aktore , dramaturgë, regjisorë, këngëtarë e këngëtarë, artistë, figura e personalitete, intelektualë nxjerrin fjalën si llavë… Në këto momente shndrit e lartësohet në atë kufi, ku duhet të ishte figura e këtij aktori polidimensional, shumëkahësh. Heshtja sfumohet nga njerëzit, por Kuvendi i Kosovës hesht institucionalisht dhe e kalon shkarrazi nderimin për Bekim Fehmiun. Beogradi i jep lamtumirë triumfale aktorit te madh shqiptar. “Nyje gordiane”, një antitezë dhimbëse, ku, në këtë rast, identiteti, origjina nuk pi “ujë” …
Bistrica do të ketë trupin e hirëzuar të Bekimit… Një gjest testamentar mitologjik i Bekimit. Një përtej jete – jetë me lumin, me detin , me oqeanin!
Pikëllimi prizrenas përshëndetet me duartrokitje frenetike për lartvlerësimin. Prishtina “harron”ritualin, po ashtu… Një zëvendësim i lotit dhimbës me duartrokitjen nderuese… Tetova hap librin e zisë. Komente, përshtypje, dhimbje, pikëllim marrarendës e marramendës… Familja e Bekim Fehmiut falenderon. Këtu bie sipari i pjesës së parë të librit, një pjesë e ngjeshur me domethënie.

Teksualitet i ilustruar

Pjesa tjetër është e përplotuar me teksualitetin e ilustruar, e cila “lakon” në formate dhe këndvështrime të ndryshme ndjesitë, përshtypjet, qëndrimet, kontaktet, bisedimet , trajtesat, këndvështrimet, pas ikjes tragjike të Aktorit. Flasin protagonistë takimesh dhe të mediave të ndryshme, aktorë filmash, regjisorë, gazetarë e tjerë.
Vetë titullimet, midis syresh: “Shndritshëm dhe tmerrshëm: Bekim Fehmiu” i Shkëlzen Maliqit; “Vdekja tragjike e aktorit” i Dragan Radoviq (lakmi dhe admirim); “Ikja e zotërisë së madh” i R. Radosavljeviq (artist i formatit botëror), “Bekim Fehmiu, mit dhe realitet” i Reshat Sahitaj, ku autori citon se aktori Bekim Fehmiu është aktor që, pa të cilin, nuk mund të shkruhet historiografia e Filmit shqiptar.
Në shkrimet e tjera që radhojnë, në këtë pjesë, preken gjëra të qenësishme, të cilat kanë të bëjmë me pyetje të shtruara për përkimin e kinematografisë, për ëndërrimin e interpretimit të Skënderbeut, për aktorin interpretues të Odiseut, për “Mbledhësin e Puplave”, për portretin shqiptar mes yjeve të trashëgimisë kulturore botërore. Rreshtohen njëri pas tjetrit lajmërime, shkrime të medias së shkruar, duke rrokur histori e bëma dramatike filmike, jepet lamtumira, por të bën përshtypje dhe kategorizime të një simboli princërues. I gjithë ky informacion, gjithë ky “bum” përshtypjesh dhe analitika të shkurtra në këtë përbashkim e ndërvartësi njëra me tjetrën, të lidhura me natyralitet, duke shmangur me profesionalizëm krijojnë profilin real të Aktorit të madh, i tej dashuruar ndaj Artit, dhe befasisë të të qenurit shqiptar, i pasionuar ndaj Atdheut të tij dhe Kombit. Në këtë profilizim, sipas një sensi e zgjidhje original, shfaqet dhe një nga pikat kryesore dhe esenciale. Në këtë pjesë dalin në pah, zanafilla, ecja e rrugëtimit dramatik, duke i kushtuar shumë rëndësi manifestimit katërcipëror të zotit të vendit. Zbulohet me mjeshtëri rrallësia, jo vetëm e aktrimit dhe e sfilimit gjithëbotëror, por edhe bota e brendshme e aktorit reagues e me shpirt të ndjeshëm; ndjesia e tij për vendin e origjinës, reagimet e tij ndaj genocidit dhe akteve barbare, krenimi i tij për të qenurit shqiptar, por edhe moskuptesa e tij “kodi” dhe hedhja e “gurëve “ ndaj madhështisë së tij. Janë pasqyruar mjaft mirë në vepër lidhjet, uljet, ngritjet, frazimet, thashethemnajat e keqësisë, madje dhe aktive, të cilat burojne egër, gjithmonë, nga shpirtligësia dhe mediokriteti, zilia dhe kanë synim e kërkojnë “bombardimin” e figurave që bëjnë histori dhe dalin nga orbita e mendjengushtësisë. Fakti i tërheqjes nga skena për shkak të popullit të vet që po torturohej, e madhështon figurën e këtij heroi “eposik”, i cili jetoi shndritshëm dhe tmerrshëm (një antitezë marramendëse, refuzues i interpretimit para fytyrave të vrastarëve). Tipizimi “Vdekja e dytë e Fehmiut”, është një përkufizim gjetës, por a mund të vdekë simboli?! Vështirë se po, pavarësisht se, ngandonjëherë, mediokriteti kërkon vdekje fatale të simbolit. E gjetur edhe shprehja se Bekim Fehmiu nuk ka nevojë për lot krokodilash i Elida Buçpapajt. Shpërthimet poetike për Bekimin kanë qenë gjatë gjithë rrugëtimit të tij nderues, por dhe vetë ai ishte një mjeshtër interpretues dhe i kësaj sfere të ndjeshmërisë ekstreme të shpirtit të madh poetik.
Niveli i Bekim Fehmiut arriti kufirin e legjendës. Ai ishte i pari shqiptar që preku qiellin Hollivudian. Ai interpretoi me partner dhe partnere diva të artit skenik botëror si: Ana Gardner, Candice Bergen, Robert Show, Shirli Meklejn, Olivera Katarina, Olivia de Havilland, Claudicia Cardinale e tjerë.
Një jetë homerike, një aristokrat dhe asket me botë depresive, i cili e privoi veten nga jeta, ama krijoi imazhin e një legjende të artit dramatik.

” E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme “

Pjesa e tretë është shumë interesante, pasi ka të bëjë me një pjesë të grupuar, të përzgjedhur nga libri Autobiografik ” E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme “ një libër dy vëllimësh, libër autobiografik i Bekim Fehmiut
Prologim: Djali i Bekimit, aktori, i cili vijoi traditën e të atit, në artin interpretues, Uliksi, thekson:” Ai ka thënë se i ka shkruar për ne, të dimë. Por unë jam i bindur se kanë lindur nga nevoja e thellë që të vazhdojë të flasë edhe pse hoqi dorë nga fjala e aktorit”.
Pra ky është një shpjegim esencial i një synimi. “E shkëlqyeshmja dhe e tmerrshmja” shtrihet në një hapësirë kohore dyvëllimësh, i pari që prej lindjes e deri në vitin 1955 dhe vëllimi i dytë prej vitit 1955 deri në vitin 1989, ku ai në vëllimin e tij të dytë trajton zhvillimin e ngjasive njerëzore dhe rrugëtimin aktorial, suksesimin e këtij ylli legjendar dramatik e filmik në evente të mëdha interpretuese.
Bekimi, sikundërse e shpjegon autori, Fahri Musliu, e ka titulluar më këtë titull librin e vet, duke u nxitur nga një fjali e gazetarit, shkrimtarit, publicistit dhe novelistit francez Abert Kamy. Bekimi të dy vëllimet i ka shkruar në serbokroatisht, mirëpo vëllimin e parë e ka përkthyer vetë në gjuhën autentike shqipe të asaj kohe, që flitej në Prizren, por ai ka përdorur edhe gjuhën letrare.

Përmbajtësore (Substancive)
Pjesët e përzgjedhura nga libri i Bekimit të pasqyruara në këtë libër shquhen:
për forcën shprehëse narrative, rrëfenjën e bukur, për fjalën me art, për substratin e jashtëzakonshëm, duke u ndalur në kohë pikante, në moment jetësore tërheqëse dhe vendosëse, në dukurinë e shfaqjes së talentit, në rrugëtimin e kulturimit, në spikatjen e aktrimit në rolet e para; në fluturimin aktoresk brenda dhe jashtë vendit. Një galeri tipash lëviz, të cilët të përshtypëzojnë me origjinalitetin e tyre dhe me mënyrën intrigante dhe çiltërore të rrëfimit të ngjarjes. Diagrama e rritjes plot peripeci të bukura demonstrohen në këtë libër : Bekimi i vogël , Bekimi nxënës, Bekimi i shfaqur si talent, Bekimi student, Bekimi aktor, Bekimi shkëlqim brenda vendit, hapat e para të triumfit, Bekimi prek triumfin, natyralizohet si aktor i shkëlqyer ndërkombëtar, duke prekur Perëndimin dhe Hollivudin, përmasa e tij e njohjes në sistemin dramatik dhe filmit merr frymëmarrje, prekja e sukseseve njëra pas tjetrës, por dhe rrugëtimi jetësor, lidhja me bashkëshorten e talentuar, Branka (kurorëzimi i tyre i ndodhur në Romë të Italisë, viti 1968) fëmijët e tij Uliksi dhe Hedoni, marrëdhëniet me vëllezërit dhe motrat. E spikatur figura e babait Ibrahim, marrëdhëniet dhe dashuria e madhe ndaj nënës Hedije (të dy këto personazhe them se janë shumë të spikatur nga mënyra, se si përshkruhen ), por edhe vëllezërit dhe motrat, të cilat, së toku, përbëjnë një plejadë Fehminiane të spikatur në kulturim dhe profesione, shëmbëlltyrë e nivelit tipik të avancuar emancipues shqiptar të asaj kohe, por mos të harrohen edhe marrëdhëniet me figurat e njohura të teatrit dhe të filmit botëror, marrëdhënie tipike, karakteristike, profesionale, të spikatura, një shkollë e rëndësishme në fushën aktrore të filmit , kinematografisë. Përshtypëzim : 11 filma për një kohë të shkurtër prej tre vitesh!)
Qëndrimi ndaj filmit “ Mbledhësit e Puplave”, i cili i hapi rrugën drejt kinematografisë botërore; kujtimet për aktoren Olivera Vuço, Irena Papas, aktorja e talentuar arvanitase, partnerja e Bekimit në serialin televiziv “ Odiseu”,
i cili tregoi superioritetin e këtij ylli shkëlqimtar në hapësirën e kinematografisë; përshkrime fantastike njohjet me: Kendis Bergen, Ana Molfo, Xhon Hjuston, Ernest Borgnine, takimi me Brizhita Bardo, Ava Garnder ( një rrëfim mjeshtëror e çiltëror) janë spikatje.
Plot ndjesi rikthimi në teatër, pritjet kudo të motivura për artistin në Itali, Shqipëri e kudo… Ngjarje, ngjasi, skicime, përshkrime dhe një tërësi e plotë filmike pasqyrohet në ekranet e trurit te lexuesve, teksa përfundon këtë pjesë, e cila mbyllet natyrshëm me një frazë: Dita është shurdhuar. Dhe pikërisht në Prishtinë, më 22 gusht 1989, ora 03.17

Katra, pjesë e këtij libri pasqyron shkrime për Bekimin gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij aktive

Nëpërmjet vetëm këtyre fjalive të përbashkuara mund të nxirret një botëkuptim , një karakter, një personalitet dhe tërësia e proceseve volitive të artistit të madh:

 “More ai është i marrë(e pabesushme) “ – bërtiti regjisori Luis Gilbert.

”Politika ime është arti, “- shprehet Bekimi. Shprehësitë e gjetura e diktojnë qartazi këtë që theksuam më lart: “Kopracëria e fjalëve në jetën private”, “Refuzimi i ndërrimit të emrit”, “Njeriu i sojit të Bekimit duhet të arrijë sukses të jashtëzakonshëm”, ”Mburrje pa paragjykime”, “Shikimi vetëm përpara”, “Të dish të jetosh kohën”, “Premiera e madhe seksit në ajër” (Aventurierët) … Një tërësi shkrimesh, të cilët të rrëmbejnë.

Veçantia e intervistave, shprehësi të realitetit, të konkretes dhe të madhështisë

Vend të rëndësishmë në vepër zënë intervistat e Bekim Fehmiut, në të cilat zbulohet bota e tij e madhe shpirtërore, kompleksi tij inteligjent, intuitativ, profesional, marrëdhëniet me aktiven dhe superaktiven.
Të bie në sy aftësiae tij për të kapur dhe trajtuar magjishëm gjithmonë thelbin, zgjerimi i thelbit nëpërmjet një arsyetimi model dhe një psikologjie të përparuar, ku zbulohet e vërteta, konkretja, inspirimi, dëshira majë dhe dëshirat e vogla, profesionalizmi, teknika, protesta, revolta, bukurimi skenik, serioziteti, dilema e tjerë. Dhe të gjitha këto nëpërmjet një figurimi, që çdo krijues serioz do ta kishte zili.
Titujt e mëposhtëm çkodifikojnë botën dhe misterin e saj, fshehtësinë e bukur:
“Rolet i pres i përgatitur”, “Mizat e vogla dhe kali në vrapim të zjarrtë”, “Emri im është trashëgimi dhe detyrim”, “Bekimi pushton Amerikën”, “I dua femrat e bukura”, “Do të jem një “klan” me ata, me të cilët mendoj ngjashëm” (Unë aktroj dhe kritikët kritiojnë), “Nuk ka të pamundshme, po s’duhet fluturuar”(Mos harresa nga është dhe mos harrimi i vetvetes), (Talenti? Por me gjithatë jam i bindur se në karrierën e aktorit më së shumti ndikon puna), “Pa pezëm tutje”, “Bekimi zbut bishat”, “Unë flas kështu, sepse kështu mendoj”, “U tregova të gjithëve se njerëz me “bishta” nuk jemi”, “Provat janë akti më i bukur i Teatrit”, “Aktrimi si terapi”, “Bekim Fehmiu apo kapërcimi i Ylberit”, “Të gjithë i kemi kaluar kufijtë, që nuk guxohen të kalohen” e tjerë.
Këtu flitet me gjuhë të zjarrtë talentore dhe mendje të mprehtë .
Jeta e tij një jetë shkathtësi mendjeje, shkathtësi lëvizjeje, shkathtësi aktruese deri në magjizëm…

Ekspozimi tekstual dhe ilustrativ

Një kujtesë e bukur është pjesa e këtij libri, ku ilustrimi zë vend parësor, ku ekspozohen dhe përshkruhen tekstualisht gjithë veprimtaria në skenë dhe në film e aktorit të famshëm, duke nismuar që viti 1953 me interpretimin e rolit, si gjimnazist, në filmin “Fëmija e Komunës”, 1955. Këtu, në këtë fillim pjesë, bëhet një jetëshkrim profesional për interpretimet e Bekimit prej zanafillës. Lexuesi merr një informacion të hollësishëm për dramat dhe për filmiografinë, duke filluar në paraqitje me filmin hapës të rrugës së madhe “ Mbledhësit e Puplave” e duke vijuar me “Odiseun” Bekim Fehmiu Uliksi, Irena Papas Penelopa Samson Burke – Ciklopi si dhe Barbara Bah dhe Gerhard Herter. Historia e Odise – Uliksit, e cila është e zhvilluar në faqen e librit është shumë e domosdoshme për njohuri për të gjithë ata që dëshirojnë ta dinë. Vijohet pastaj me paraqitjen e filmit “Aventurierët”, “Dezertori”, “Bora e fundi e pranverës” , “Libera , dashuria ime”, “Leja për vrasje” , “E gatshme për gjithëka” , “E diela e zezë”, “Gjethi është i gjërë”, “Nën qiellin e njëjtë” , “Kurthi për Gjeneralin” e tjerë.
Një panoramë filmike e përmbushur me ngjyra jetësore. Regjisorët, me të cilët bashkëpunoi, apo u drejtua, aktori gjatë filmimeve, pa dyshim, ishin shumë të njohur sikundërse: Aleksandër Petroviq, Franko Rosi, Mario Bava, Luis Gilbert, Burt Kennedy, Cyril Francel, Tinto Brass e tjerë. Në këtë pjesë bien në syndritshëm titujt dhe çmimet e akorduara Bekim Fehmiut.

Dy sentenca për dy pjesë të librit

Pjesa e shtatë e Monografisë pasqyron moment jetësore të aktorit, një album familjar si dhe diçka paraqitëse nga arkivi i tij, duke shprehur dhe talentin e tij për pikturë.

Në pjesën e tetë dhe të fundit pasqyrohen disa krijime të disa krijuesve nga Ali Podrimja e deri te Riza Dreshaj, ku krijuesit dhe krijueset janë munduar të shprehin me stilin, aftësinë dhe metodën e tyre ndjesitë për figurën e Bekimit. Natyrisht , këto krijime kanë zënë vend në këtë monografi, si përjetime vetjake të krijuesve, duke tentuar për arritur ndonjë shkallinë poetike.

Përfundesë dritimi

Ky libër monografik i përcaktuar nga ana ime, si roman jetësor, është një vepër, e cila duhet të jetë në fondin kryesor përfaqësues të librit shqiptar për vetë faktin e evidentimit të një jete plotësi ngjyrore dhe përfaqësuese në kinematografinë botërore të Bekim Fehmiut, i cili mund të kishte dhe titullin “ Bekim Fehmiu, Odiseu i Kombit”. Ky libër ka nevojë të shndërrohet në një libër universal, duke u përkthyer sidomos në anglisht. Madje, është një libër , i cili duhet të lexohet nga aktorët, dhe ata që duan të përfitojnë nga një përvojë e madhe, pasi kjo përvojë është një pasuri kombi. Duhet të shërbejë dhe të hyjë në programet e Arteve të Bukura. Duhet të jenë organizmat e specializuara, të cilat duhet të tregojnë kujdes për evidentimin dhe publikimin e figurave të këtyre përmasave. Po kështu figura e këtij personaliteti të ndritshëm duhet të nderohet nga instancat më të larta, jo vetëm në Kosovë , por edhe në Shqipëri për të larë një borxh të madh ndaj tij. Në lidhje me këtë duhet të pushojë heshtja e memecërisë nderuese. LNPSHA “PEGASI” ALBANIA në bashkëpunim me aktorët e tjerë ndërmori hapin madhor  për të realizuar një prezantim analitik në Butrint, duke patur gatishmërinë dhe përkrahjen e Bashkisë së Sarandës, Drejtorisë së Parkut Kombëtar të Butrintit si dhe të autorit të veprës.

Filed Under: ESSE Tagged With: DUKE KUJTUAR BEKIM FEHMIUN, e lindjes, Kristaq Shabani, NE 80 VJETORIN

HISTORI-96 vjetori i luftës çlirimtare të Vlorës

May 27, 2016 by dgreca

“Lufta e Vlorës. Historia në Epikën Historike” e studiuesit Albert Habazaj/

E ardhmja e të shkuarës/

Shkruan: Dr. Llukë GJIDEDE/

  1. Promovimi i librit: “Lufta e Vlorës. Historia në Epiken Historike” me autor publicistin, studiuesin dhe shkrimtarin e njohur Albert Habazaj në mjediset e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, aty ku rreh fort zemra e kujtdo shqiptari të vërtetë patriot, është nder dhe vlerësim i madh që i bëhet, kënaqësi e respekt edhe për ne që kemi ardhur për ta vlerësuar.

Pyetjes proverbiale: “Ç’bëre ti për Atdheun?” Luftëtarët e luftës së Vlorës, ata që sollën riçlirimin e Shqipërisë, përgjigjen e dhanë me pushkë, këngë e diplomaci, flijuan jetën bashkë me atë pak pasuri që patën. Është ky një moment reflektimi për të respektuar e vlerësuar pishtarët e Atdheut, kontributet e brezave të mëparshëm. Ata janë gurë kilometrik që i shërbejnë të tashmes e t’ardhmes, udhërrëfyes të ligjëruar nga koha, nga historia.

Albert Habazaj sot, me të drejtë mund të thotë: “Bëra atë që më takon”. E përgëzojmë!

Për shkrimin e kësaj monografie studimore, shkencore për Vlorën e për Shqipërinë autori ka ditur të shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme, tre favore të spikatura:

– Krenarinë e të qenit Lab – Vlonjat të mëkuar nga traditat atdhetare të familjes e të krahinës;

– Frymëzimin burimor nga eposi i këngës Labe për luftën e Vlorës;

– Kulturën e gjerë historike e letrare, dashurinë njerëzore si dhe bujarinë për të dhuruar dituri.

Kushdo që do ta lexojë këtë libër do bindet për të vërtetat historike të argumentuara, do krenohet e do bëhet me qytetar i  të ardhmes, më Europian, pa inferioritet në raport me të tjerët. Sprova për rikthim në kujtesën tonë të një periudhe kohore ku balanca e ekzistencës së Shqipërisë si shtet e tërësi territoriale ishin në harkun e “gërshërës” për amputime monstruoze nga trupi i drobitur është sa e lavdërueshme po kaq edhe e guximshme.

  1. Meraku për të ardhmen e të shkuarën autorin e ka intriguar jo pak, për të mbajtur të gjallë amanet merakun e Ismail Qemalit kur shkruan: “Kur flenë fëmijet, rriten, kur flenë kombet, vdesin”. Lëndën e grumbulluar nëpërmjet Epikës popullore për luftën e Vlorës autori ka ditur ta studjojë, përpunojë e sistemojë në funksion të historigrafisë shkencore shqiptare. Po të më lejohet, do të bëja një analogji, njashtu sikurse gjermani Shliman për zbulimin e Trojës në vitet 1871 – 1873 u nis nga legjenda e Iliadës së Omerit për të arritur te e vërteta e ekzistencës së saj. Në libër, me argumenta bindëse, përcaktohen tre faktorët kryesore që çuan në fitoren e Luftës Epope:

Faktori i parë përcaktues ishte lufta mbarëpopullore me epiqendër në Vlorë e më pas edhe kontributi i viseve të tjerë të Shqipërisë si dhe angazhimi i cunguar i Qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës (1920).

Faktori i dytë: Ndihmesa e diasporës shqiptare në Amerikë ka qenë e një rëndësie shpëtimtare. Atdhetari i madh dhe një nga njerëzit më të ditur të kombit, Fan Noli, e bindi presidentin e Amerikës, Willson, mik i Shqipërisë, kur deklaroi se: Amerika është pro Shqipërisë, ajo nuk do preket, nuk do shpërbëhet. Një mirënjohje kombëtare që nuk duhet harruar!

Faktori i tretë: I një rëndësie të veçantë është edhe solidariteti i popullit Italian që e detyroi qeverinë e tij të tërhiqte trupat pushtuese nga Shqipëria.

Fitorja e Luftës, 1920 e bëri te pavlefshëm Traktatin e Fshehtë të Londrës, 1913. Në teatrin e luftimeve u vranë 400 luftëtarë, vullnetarë, në çetat e mirëorganizuara për çlirimin e Vlorës. Nga pala italiane u vranë pak ose asnjë ushtar. Robër u kapën mbi 1100 vetë dhe që të gjithë u liruan pa u dëmtuar sikur të kishin ardhur jo si pushtues por turistë! Ofendimi poshtërues i bërë nga gjenerali Piacentini se “Shqipërinë e pushtoj me shurrën e putanave” u anashkalua me autokontroll dhe mospërfillje pëçmuese nga Luftëtarët e Vlorës! Një shpagim për dinjitet do të ishte më se i merituar dhe tërësisht i justifikuar. Kjo nuk duhet harruar nga pala tjetër!

  1. Nga fronti i luftimeve Nase Beni u përgjegj:

“Breshkë e ndyrë e moçalit,

S’qëndron dot në gur të thatë,

Se këtu këndon bilbili,

Që e ka zërin e lartë.”

Në Normandi, kur zbarkuar, aleatët, në Luftën e Dytë Botërore, pësuan humbje të mëdha nga gjermanët. Në datën përkujtimore shkojnë edhe kancelarët gjermanë për të kërkuar falje historike. Shembulli është. Italianëve nuk do t’u bjerë nderi sikur të vinin në muajin Qershor, që është 96 vjetori i kësaj Lufte, për të njohur të vërtetën që na bashkon. Gjej rastin që t’i rekomandoj Universitetit “Ismail Qemali” të organizojë një konference shkencore, kushtuar 96 vjetorit të kësaj ngjarjeje me përmasa kombëtare, duke patur si pikë referimi librin “Lufta e Vlorës. Historia në Epikën Historike” me autor Albert Habazaj.

Filed Under: Histori Tagged With: 96 vjetori i luftës çlirimtare të Vlorës, Albert Habazaj, Dr. Llukë GJIDEDE

NJË PROTOKOLL ME “PATERICA!”

May 27, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

“Nëse helbete në Maqedoni, shihni ndonjë njeri të buzëqeshur, apo të lumtur, qëndroni larg tij. Bën vaki që ky të jetë i rralluar nga truri…” tha Skënderi, vëllai i avokat Naserit, nga Shkupi. Edhe unë kohë pas kohe buzëqesh. A thua vallë edhe unë jam rralluar…, mbase bën vaki, jo inshallah, jo tani në vigjilje të muajit të bekuar të Rama-zanit!?

Sa herë që kam bërë përpjekje të ndërtoj shkrime a opinione (di-sa ndër ethe) për gazeta, aq herë jam paragjykuar nga ca njerëz të cilët nuk kanë fare haber nga kjo sferë dhe, lëre që nuk kanë idenë se ç’është shkrimi, por edhe hiç nuk bëjnë përpjekje të tjerrin lesh të eksportuar nga kontinenti i kangurëve!? Sa herë që janë lexuar a edhe rilexuar shkrimet e mia, aq herë (padrejtësisht) janë kontestuar. Sa herë që jam munduar të mos marr “tarafe” a anë, aq herë ma kanë goditur “tarafllëkun”. Sa herë që kam tentuar të “llafos” ndryshe, aq herë më kanë dështuar a më kanë shkuar huq mendimet dhe ca ide të tjera, sa herë që kam heshtur, aq herë më kanë akuzuar për oportunizëm, sa herë që nxirrja britma të zgjatura, aq herë më kanë “denoncuar për autizëm”, sa herë që jam munduar ta humanizoj qoftë edhe në një masë fare të vogël fjalën e lirë, aq herë më kanë thënë se je duke shpikur fjalë të paqena, sa herë që kam mëtuar ta emancipoj mendimin ndryshe, aq herë më kanë thënë kinse ushqej urrejtjen e tërbuar, inatin dhe neverinë ndër shqiptarë, sa herë që kam shkruar për të vërtetat shqiptare, aq herë më kanë konceptuar si narcisoid, megaloman, somnambul, makiavelist, gjumash, diletant dhe provincialist, sa herë që kam shkruar “mes reshtash”, aq herë më kanë thënë se jam i paqartë, sa herë që në shkrimet e mia kam devijuar nga standardi i gjuhës së sotme shqipe, aq herë më kanë thënë se turqizmat i “ke për xhan”…, sa herë që në shkrimet e mia predikoja për paqen shpirtërore, aq herë më kanë akuzuar për laicizëm…, sa herë kam shkruar për mbeturinat e moralit të së kaluarës si dhe për moralin fetar, aq herë jam kundërshtuar nga ana e pronarit të shtëpisë publike! Dhe, kur dikur (herën e parë dhe të fundit), u përpoqa të njihem me “abetaren e politikëbërjes shqiptare”, miqtë e mi të mençur dhe të mirë më thanë: “…, ik dhe sikterise politikën…, sepse ti nuk je për politikë dhe nëse do vendosësh të ngelësh aty, atëherë lëre që djalli do ta rrëmbejë arsyen, por ndoshta një ditë do të detyrohesh të “veshësh së prapthi brekë Stambolli pa llastik!” dhe, së fundi, hesapet do të dalin si puna e qelqpunuesit nga Gazi Baba e Shkupit, në punëtorinë e të cilit futet elefanti ashtu pa e ftuar!?”. Unë me atë inatin tim homerik, kundërshtova këshillat dhe sugjerimet e miqve. Toptan me axhamillëkun tim u shndërrova në dele të zezë dhe ashtu duke u ndarë nga vatha e dhenve, degdisa në gojë të “ujkut” të uritur!?… dhe “ujku m’i hëngri edhe ato pak mend që i kisha dhe ca gjëra të tjera”…, në fund, puna më vajti ters…, njësoj si hesapet e shefit për protokoll të një ministri si dhe truprojës së tij (se ishte truprojë ushtarake a edhe truprojë e kryetarit të shteteve të Obamës, një dreq e di), të cilët disa ditë më parë rastisa t’i takoj në një eveniment të organizuar “me a pa sebep”, diku në hapësirat e shkollës së dajallarëve të mi. Para se të vazhdoj ta ndërtoj këtë paragraf gazete, më duhet ta lakoj një fabul të cilën gjyshi im na e shpjegonte me ëndje…, njësoj si mësuesit e Dibrës dhe Elbasanit, ku thoshte se dikur “dovleti” e kapte lepurin me qerre…, e kapte ashtu toptan edhe për veshi, edhe për bishti, edhe për…, asnjëherë nuk e përfundonte fabulën në fjalë, sepse sipas tij kaptina e fundit e fabulës qenka shumë denigruese për moshën tonë prej kalamajsh.

Sot, mua më duhet të parashtroj një pyetje paksa lakonike, si vijon: Kush është ai bir nëne që mundohet ta kapë me qerre protokollin e ministrave dhe kryeparëve të partive politike shqiptare…, më intereson të di se cili është ai “ideator” provincialist që ndërton protokollin e ministrit, jam kureshtar të di se cili është ai njeri, që ndërton praptazi agjendën e vizitave të ministrit dhe deputetit, dua të di se kush është njeriu që prokuron a këshillon kryeparin e partisë politike, se si duhet ai të lëviz në hapësirat diplomatike, në hapësirat e mëhallës së tij, në hapësirat e kasabasë a fshatit të tij…, pse duhet ta mbrojnë politikanin e zgjedhur me votën deliberative të popullit, të fshatarit, bujkut, mësuesit, të motrës e të nënës shqiptare, të bariut, të akademikut e të tjerëve. Cili është ai kokëkrisur që e udhëzon politikanin, po edhe ministrin, se si nuk duhet ta përshëndesë ish-mësuesin e tij, se si “(nuk) duhet të futet në turmë”, se si “nuk” duhet të ulet pranë fshatarit për të qarë bashkë hallet, se si (nuk) duhet t’i përcjellë një përshëndetje premtuese studentit a nxënësit, pse këta “protokollistë” nuk e lejojnë politikanin të ulet në një sofër me hallexhinjtë, pse nuk i lejojnë që t’ia shtrijë dorën fshatarit dhe fukarait, pse këta “truproja”, orë e çast i rrinë mbi kokë politikanit a ministrit, edhe kur pinë ujë e kur hanë bukën e popullit, pse i rrinë mbi kokë edhe kur bëjnë a lexojnë duanë në varrimin e familjarit…, pse i rrinë mbi kokë edhe kur falet, pse i rrinë afër edhe kur vallëzojnë në dasma…, pse nuk i lënë rehat politikanët dhe ministrat tanë të lëvizin lirshëm dhe natyrshëm mes miletit, pse prej tyre “krijojnë karaktere krejt ndryshe”, pse na detyrojnë që pa nevojë t’i paragjykojmë e t’u ngjisim bishtin e dhelprës dhe çakallit, pse nuk i lënë rehat edhe kur shkojnë atje ku “mbreti shkon në këmbë”, pse gjithë kjo mendjemadhësi e truprojave analfabetë të ministrave dhe politikanëve tanë, pse gjithë ky cirk për fëmijë, pse gjithë ky cirk i panevojshëm shëtitës, pse krijojnë antipati, neveri e madje edhe primitivizëm, provincializëm, anadollizëm, bolshevizëm, enverizëm, stalinizëm e tjerë. Pse e frikësojnë politikanin a ministrin tonë të sinqertë, pse prej tyre “krijojnë haxhiqamilista”, pse e ushqejnë atë proverbin popullor ku, pos të tjerash, thuhet: “Në nuk je fajtor, unë të bëj me faj!?” Pse nuk krijojnë dhe nuk ofrojmë imazhe më humane dhe më emancipuese sa i përket politikanit dhe  ministrit tonë…, pse nuk u mundësojnë që ata të ndihen komod…, a mos vallë e gjithë kjo është një sajesë e radhës…, apo pjellë e mendjes sime të rralluar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fadil Lushi, ME “PATERICA!”, NJË PROTOKOLL

BE-ja dhe FMN-ja, përkrahje Ballkanit Perëndimor

May 27, 2016 by dgreca

-BE-ja dhe FMN-ja do të vazhdojnë të përkrahin reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor duke fuqizuar qeverisjen ekonomike dhe menaxhimin e financave publike/

 Komisioni Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) u takuan me ministrat dhe zyrtarët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina,  Kosova, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia në Qendrën e Shkëlqesisë për Financa në Lubjanë, Slloveni më 26 maj 2016.

Njoftimi dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thekson se, qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i programit për zhvillimin e kapaciteteve të financuar nga BE-ja “Fuqizimi i qeverisjes ekonomike dhe menaxhimi i financave publike në Evropën Juglindore”, që aktualisht është duke u zbatuar nga FMN-ja në gjashtë shtete. Çështjet specifike që janë diskutuar përfshinë progresin në zbatimin e planit ekzistues të punës, drejtimin strategjik të programit dhe prioritetet që kanë të bëjnë me zhvillimin e kapaciteteve, si dhe planin e punës për vitin vijues.

Në këtë kontekst, pjesëmarrësit në takim diskutuan prioritetet e reformave të identifikuara nga vendet përfituese sipas Programeve të tyre gjegjëse për reforma ekonomike. Theksi i është dhënë mënyrës më të mirë për t’u siguruar se nisma e financuar nga BE FMN për zhvillim të kapaciteteve mund të përkrahë vendet në zbatimin e këtyre reformave përmes fuqizimit si të menaxhimit të financave publike ashtu edhe sistemeve për administrimin e të hyrave. Pjesëmarrësit u pajtuan për nevojën për bashkërendim më të ngushtë  me partnerët tjerë që punojnë në rajon, siç janë Banka Botërore dhe OECD-ja, që gjithashtu kanë ndjekur takimin.

Informata për historikun

Përkrahja e institucioneve dhe politikave makroekonomike dhe financiare publike në shtetet anëtare dhe partnere për një kohë të gjatë ka qenë objektivë e FMN-së dhe BE-së. Partneriteti i tyre është intensifikuar gjatë pesë viteve të fundit dhe përfshinë konsultimet e rregullta të niveleve të personelit dhe menaxhmentit. Bashkëpunimet e fundit përfshinë krijimin e objektit për tronditje ekzogjene dhe Veglën për Vlerësimin Diagnostikues të Administratës Tatimore./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ballkanit Perëndimor, BE-ja dhe FMN-ja, perkrahje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT