• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Alfons Grishaj në Sofrën Poetike”Shqiptari-Malkoc*”

May 16, 2016 by dgreca

Alfons Grishaj në Sofrën Poetike”Shqiptari-Malkoc*”

Nga Alfons Grishaj/

 Shqiptari-Malkoc*/

 “Ou”* dhe “Genusus”* , Zotat tanë të parë/

Lindur prej “Kaos”* tutje  në mitologji,/

Të vërtet’n  qiellore  askush nuk ka të ngjarë/

As “Zeau”, “Mikon”, shpirt’ nuk është mitografi.*/

Rreken Grekët : “Illirus ndryshoi Pellazgjinë,/

Popullin e egër e shaloi  Dardanus !”*/

Vitet nuk përkojnë  me njoft “zotërinë”/

Se janë aq larg sa Toka me Neptunus!

 

Hesiodi*, emëroi Përenditë në skriptum,

Si Ovidi i Romës , fuqi i dha Jupiterit,*

Por Rozafa më e vjetër se Koloseum,

Që therorin antic  ia dhuroi nderit!

 

“Zotat” e huaj , deshën të na bëhen Zota,

Përplasur në qiell e  djallos në tokë.

Prej Kaosit lindur kaos në vite bota,

Këmbë e krah prerë , na lanë me dy kokë!

 

Gjithë jetën kemi ecur gjëmb mbi gjëmb,

Malet populluam  për  traditë e nderë,

Kockat “Arrnaut Kalldrëm”*gjëmë nën dhëmb!

Vozgat e gjakut rrokullis  derë më derë.

 

Ca shitën shkabën  dhe u bënë pashallarë…

Kllefin e shpatës stolisë me gurë e serm,

Qeleshen ndërruan me pupla  çallmarë

Haremit të dushmanit  trullos në jerm .

 

Qytetari u bë  malkoc, shkëmbi u bë be!

Që dheu i të parëve  mos mu da ndër Turq,

As një pëllëmb tokë ndër të huaj e Shkje !

Me i mbrojtë me shpata, pushkë e sfurq.

Na  rrëzuan, na dogjën, sërish si Anteu shqim

Prej thirrjes të parëve që qenë  Perëndi.

Malesh, qumshtin e Zanave patëm ushqim.

Prandaj mbete shqiponjë , o e shtrenjta Shqipëri!

 

Kam shpresë tek Zoti,  që flet shqip si ne,

Si Krishti ngriti  amshimin e shenjtërisë

Ashtu malkoci ka me mbetë mbi dhe,

Flamuri dhe gjaku i shqiptarisë !

***

Referime dhe shënime:

*Malkoc = Njeri që jeton ndër male . Koc i fortë si prej shkëmbi.  Më vonë kjo fjalë u zëvendësua me malësorë , ku shpjegimi i parë në “Fjalorin Shqip”,  nuk përkon me shpjegimin e dytë  po në atë  fjalorë:

Malok = 1. Malësorë 2. mospërf . Njeri i pagdhendur i trashë , torollak , njeri i paqytetëruar. Ironia e kohës komuniste… Gjuht’trutharët e gjuhës së njësuar . Tani pinjollët e komunizmit , i quajnë malësorët “Shpellarë!…”, Ata…, bash ata…, tallen   pikërisht me  trimat e shqipes  që ruajtën doket e zakonet dhe trojet shqiptare…

*Mitografi= Pamje  mitologjike, të gdhendura ose të pikturuara…

*“OU”=Zoti i Ilirëve i cili martua me Genusus.

*“Genusus”= Zoti-zonjë ,prej  nga filloi dhe  jeta  e njeriut në tokë. “Ou” dhe  Genusus patën   fëmijë:

Zeau (Zoti i inteligjencës) ,Mikon (Zoti i miqësisë) , Karrotos (Zoti i luftës), Rodon (Zoti i deteve) Broket (Zoti i fatit dhe  ushqimit) , Shkumbe (Zoti-zonjë i e bukurisë dhe dashurisë. Marrë nga “ The Ilyrians” , me autor   Aleksandër Stipçevic, botuar në 1977 .

*“Chaos”  = Rrëmuja para fillimit të jetës në tokë,  marrë nga BULFINCH’S MYTHOLOGY .

*Illirus dhe Dardanus , që sipas “Mitologjisë Greke” (ishin dy vëllezër të lindur nga Cadmus dhe Harmonia sipas Herodotit,  Cadmus ,   ka lindur  2000 vjet  para Krishtit…),  krijuan Illirukumin dhe Dardaninë, Por kjo bie poshtë në mënyrë kategorike, duke pasur parasysh, se Iliria përmendet rreth shekulli IV  përpara Krishtit me Mbretin Bardhyl. Dardania njihet në shekullin  I  para Krishtit…Matematika është e thjështë…

Sipas Johann Georg Von Hahn (Studiues dhe linguist),  shpiegon se fjala Dardan , mund ta ketë prejardhjen nga  pema e dardhës …Dardhë , Dard’han…Po sipas etimologjisë shqipe , Dardania vjen nga kombinimi i fjales Iliro-shqiptare Dardhë. Pra , komentet  e tjera,  janë pa vlerë…

*Jupiteri= Zeus, sipas BULFINCH’S MYTHOLOGY , botuar 2014.

*Hesiodi, Poet Grek që ka jetuar rreth viteve 700  BCE, të cilit , iu referuan shumë autorë    të mëvonshëm rreth Mitologjisë Greke…

*“Arrnaut Kalldrem”= Rrugë prej guri, e ndërtuar  prej mjeshtrave shqiptarë .  Këngë që këndohet dhe sot e kësaj dite në  Stamboll, ku kam patur rastin ta dëgjoj vetë  gjatë vizitës në Turqi…

Shënimet e mia.

Miçhigan me, 15, 05 , 2016

 

 

 

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: "Shqiptari-Malkoc*", Alfons Grishaj në Sofrën Poetike

Pajisja e përgjimit trazon Shqipërinë

May 16, 2016 by dgreca

*Presidenti Nishani: Pajisja e përgjimit kërcënoi sigurinë kombëtare, kush pengon hetimet do përballet me ligjin/

*Ministri i Brendshem Tahiri: Policia e Shtetit nuk ka pajisje përgjimi./

*Basha: Zbardhja e përgjimeve emergjencë, Rama mban përgjegjësi/

Presidenti Bujar Nishani i kërkon prokurorisë të hetojë deri në fund të gjithë autoritetet që kanë përdorur pajisjen e paligjshme të përgjimit ndërsa i bëri thirrje institucioneve të mos bëhen pengesë e hetimeve.“Shikoj tashmë por e konfirmuar dhe zyrtarisht se në institucionet shtetërore funksionon një pajisje përgjimi ilegale. Një instrument antikushtetues të cilin nuk e besoja kur e pashë në media para disa ditësh por tashmë i konfirmuar nga institucionet shtetërore që ky mekanizëm ilegal, antikushtetues, antiligjor qenka prezent e funksionin.

Atëherë ky përbën një shqetësim të madh për shoqërinë tonë për atë dimension të lirisë së shtetit të së drejtës. Nga kjo sallë bëj thirrje dhe i kërkoj zyrtarisht e publikisht prokurorisë së shtetit të mbrojë dinjitetin e shtetit dhe të qytetarëve të tij. Të mbrojë dimensionin e sigurisë tonë kombëtare.

I kërkoj zyrtarisht prokurorisë të hetojë gjithë procesin dhe procedurën e sjelljes në Shqipëri të kësaj pajisjeje ilegale që kërcënon mbi të gjitha dimensionin e lirisë tonë të përbashkët. Të hetojë kush ka qenë ai autoritet doganor që ka lejuar të vijë e të hyjë në Shqipëri një pajisje që në çdo rast nu mund të hyjë kurrë në Shqipëri pa lejen e autorizimin e prokurorisë.

I kërkoj prokurorisë të hetojë deri në fund të gjithë ata autoritete të shtetit që kanë përdorur këtë pajisje të paligjshme. Pajisja dhe veprimtaria e saj kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë, ka kërcënuar integritetin e të gjithë institucioneve të çdo qytetari.

Një pajisje e tillë as nuk mund të vijë në Shqipëri dhe as nuk mund të disponohet nga asnjë institucion pa lejen e vetme të prokurorisë së shtetit shqiptar. I bëj thirrje të gjithë atyre institucioneve ose personave të cilët pengojnë hetimet, nga ana e prokurorisë, të mos bëhen pengesë e funksionimit të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Cdo akt që pengon zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, cdo akt që përbën pengim të hetimit përmes dëmtimit apo tjetërsimit të provave do të përballet me ligjit.

***

*Ministri i Brendshem Tahiri: Policia e Shtetit nuk ka pajisje përgjimi./

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi sot se policia e shtetit nuk ka asnjë aparaturë  përgjimi.Ai pranoi ekzistencën e një paisje me të cilën sipas tij policia e shtetit ka zhvilluar dhe vazhdon të zhvillojë trajnime me policitë europiane, në rastin konkret me atë italiane, por që nuk ka asnjë lidhje me përgjimin.Duke folur nën shoqërinë edhe të deputetëve socialistë të Komisionit të Sigurisë, Tahiri tha se opozita po kërkon të intimidojë policinë e shtetit.

Tiranë-“Policia e shtetit nuk ka patur dhe nuk ka një aparaturë përgjimi për sa kohë nuk ja lejon një gjë të tillë ligji”.

Nga Akademia e Policisë, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri tha se policia e shtetit bën herë pas here trajnime me policitë partnere për të parandaluar terrorizimin.

Ministri nuk dha detaje se ku ndodhet kjo aparaturë dhe se çfarë bën konkretisht ajo, por tha se opozita që përbalt policinë dhe të gjithë duhet të presin përgjigjen ligjore për këtë çështje.

I pyetur nëse do ti përgjigjet thirrjes së deputetëve demokratë për të raportuar nesër në Komsionin e Sigurisë, ai u përgjigj:

Tahiri: Dëgjova diçka në media por nuk kam marrë akoma ftesë zyrtare. Nëse më vjen ftesë zyrtare jam 24 orë në dispozicion të gjithkujt që ka veshë të dëgjojë.

 Bashkëbisedimi i plotë me gazetarët

Gazetarja: Zoti. Ministër ku ndodhet paisja e përgjimit dhe si është futur ajo në Shqipëri?

Tahiri: Ju dini që ka një paisje përgjimi?

Gazetarja: Derisa Prokuroria ka nisur një hetim…

Tahiri: Më duhet tu sqaroj se policia e shtetit nuk disponon dhe as ka disponuar dhe as i lejohet të disponojë në të ardhmen një paisje përgjimi. Në policinë e shtetit nuk ka asnjë paisje përgjimi dhe policia bashkë me partnerët nuk ka punuar kurrë dhe as nuk do të punojë, të paktën sa jam unë në detyrë me një paisje përgjimi. Dhe unë jam në detyrë bashkë me drejtuesit e policisë për të garantuar që policia e shtetit bën detyrën pa shkelur ligjin. Ndërkohë në policinë e shtetit ka një trajnim që vazhdon prej disa javësh i cili zhvillohet mbi bazën e një marrëveshje të nënshkruar mes dy qeverive në 2007, ku parashikohet që mes policisë shqiptare dhe policive partnere, në rastin konkret asaj italiane të bëhet shkëmbimi i eksperiencave me metodologjinë më të mirë në rast të hetimit të krimit dhe veçanërisht të terrorizmit. Në këtë kuadër policia e shtetit ka zhvilluar dhe sot që flasim zhvillon dhe do të vazhdojë të zhvillojë në të ardhmen trajnime me policitë partnere. Siç ka bërë policia e shtetit me po të njëjtën paisje edhe në të kaluarën, edhe kur unë nuk kam qenë Ministër, edhe kur këta që flasin sot kanë qenë në qeveri dhe ju ritheksoj nuk bëhet fjalë për një paisje përgjimi. Bëhet fjalë për një paisje fare normale në punën e policisë.

Gazetarja: Ku ndodhet kjo?

Tahiri: Nuk ka asnjë lidhje me përgjimin. E deklaroj me përgjegjësinë time të plotë. Nuk jam në detyrë për të bërë atë që kanë bërë ata që kanë qenë më parë.Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë paisje përgjimi.

Gazetarja: Ku ndodhet kjo paisje që bëhet trajnimi?

Tahiri: Janë të ftuar të gjithë ata që mendojnë se ka vend për të parë konkretisht se çfarë bëhet, janë të ftuar të vinë të asistojnë në të gjitha rrugët ligjore, të verifikojnë, të hetojnë 24 orë në 24, të shohin nëse policia e shtetit thotë të vërtetën dhe unë them të vërtetën në këtë deklaratë që po bëj, apo ne gënjejmë. Mjafton që të bëhet në rrugë ligjore duke lënë mënjanë thashethemet dhe keqkuptimet.

Gazetarja: Ku ndodhet kjo paisje që bëhet trajnimi? Pse nuk i është vënë në dispozicion Prokurorisë?

Tahiri: Për këto detaje duhet të pyesni instancat përkatëse.Prokuroria e Shtetit i ka të gjitha mundësitë trë verifikojë në cilëndo mënyrë të mundshme dhe ligjore. Jemi terësisht të hapur, në dispozicion dhe pa asnjë merak.

Gazetari: A do të merrni pjesë nesër në Komisionin e Sigurisë?

Tahiri: Dëgjova diçka në media por nuk kam marrë akoma ftesë zyrtare. Nëse më vjen ftesë zyrtare jam 24 orë në dispozicion të gjithkujt që ka veshë të dëgjojë.

Gazetari: A është kjo një paisje gjurmimi dhe prej cilit vit ndodhet në Akademinë e Policisë?

Tahiri: Bëni durim për të marrë detaje kur instancat përkatëse të bëjnë sqarimet e nevojshme. Qeveria e djeshmee ka shumë merak të merret me policinë e shtetit dhe mua personalisht. I mirëkuptoj dhe falenderoj që më kujtojnë detyrën që po bëj çdo ditë, madje dhe dy herë në ditë. I falenderoj për të gjithë konferencat e shtypit që kanë bërë deri më sot, madje i ftoj të nxiten më shumë sepse çdo konferencë e tyre për shtyp mua më nxit të bëj akoma më mirë detyrën. Këta duan të intimidojnë policinë e shtetit dhe nuk do t’ia arrijnë.

Gazetari: Me Balilin çfarë po bëhet?

Tahiri: I bashkohem kolegut tim Manjani, duhet të pyesni Prokurorinë.

Basha: Zbardhja e përgjimeve emergjencë, Rama mban përgjegjësi/

Kryetari i PD-së Lulzim Basha e quajti emergjencë ligjore dhe politike zbardhjen e asaj që e quajti skandalin e përgjimeve me pajisjen e policisë së Shtetit.

Pajisjen  e përgjimit e quajti kryeskandal i qeverisë për të cilin Rama sipas Bashes mban përgjegjësi direkte.

“Transaparenca për këtë skandal politik e kriminal është emergjencë” tha Basha në një prononcim për median sot në mesditë  nga selia e PD-së.

Basha tha se Rama e Tahiri heshtin për këtë skandal pasi ‘janë ideatorët e përdorimit të kësaj pajisjeje. Me mbrojtjen e tyre pajisja është fuur në Shqipëri pa u regjistruar dhe

pa marrë lejen e prokurorisë njësoj siç veprojnë organziatat krimanele” tha Basha

Ai shtoi se Rama duhet të mbajë përgjegjësi për përgjimin mafioz të presidentit, ambasadorëve, gazertarëve e qytetarëve.

Përgjimi kriminal, provë e shtetit mafioz mbi shtetin

Një krim shtetëror me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës ka ndodhur prej disa muajsh në Shqipëri. Në mënyrë të paligjshme dhe me pajisje të paligjshme, zyrtarë të policisë kanë vënë nën përgjim drejtues të lartë të shtetit, partive politike, trupit diplomatik, medias, biznesit, bankave, qytetarëve.

Ndërsa vetë policia e ka pranuar zyrtarisht se posedon një pajisje të tillë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri heshtin, heshtin sepse janë ata ideatorët dhe urdhëruesit e përdorimit të kësaj metode kriminale.

Heshtin sepse me porosinë dhe nën mbrojtjen e tyre kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e Prokurorisë, njësoj siç veprojnë organizatat kriminale.

Në hierarkinë e skandaleve të kësaj qeveria, ku çdo ditë skandali i mbivendoset skandalit, ky padyshim zë vendin e parë.

Përgjegjësitë për këtë shkojnë drejt e tek kryeministri i vendit, Edi Rama.

Prej ditës kur skandali është bërë publik, Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme, duke e bërë edhe më të besueshme që ky krim i rëndë ka ndodhur.

Përpjekjet e tij për ta larguar vëmendjen nga skandali, duke sjellë në skenë kriza të tjera si pazari i madh i check-up-it apo duke plasur tullumbace pas tullumbace, siç dërdëllitjet për inovacionin, janë një konfirmim më shumë se gjendemi përballë një mine të madhe paligjshmërie.

Transparenca për ketë skandal politik dhe kriminal është një emergjencë politike, ligjore, morale dhe  shoqërore jo vetëm për Partinë Demokratike dhe opozitën, por për të gjithë spektrin politik, mediatik dhe shoqëror në vend.

Qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën. Vendi nuk mund të  pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit.

Ndaj, ne kemi kërkuar një dëgjesë urgjente nesër paradite në Komisionin e Sigurisë me ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë së Shtetit, kreun e Shërbimit Informativ dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje e për të nxjerrë përgjegjësitë shtetërore.

Mbi të gjitha përgjegjësitë qëndron përgjegjësia politike e Edi Ramës.

Ai duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për përgjimin mafioz të Presidentit të vendit, të opozitës, të krerëve të institucioneve, të deputetëve, të drejtuesve të medias, të ambasadorëve, të  gazetarëve, të qytetarëve.

Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krijimin – në shpërdorim flagrant të detyrës dhe në shkelje kriminale të kushtetutës – jo thjesht  të një shteti brenda shtetit, por  të një “shteti mafioz” mbi shtetin, që në fakt nënkupton asgjësimin e  Republikës.

Filed Under: Komente Tagged With: Nishani kercenohet siguria, nuk kemi pajisje, Pajisja e përgjimit trazon Shqipërinë, tahiri

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunimi fuqizon marrdheniet

May 16, 2016 by dgreca

-Ministrja kosovare Edita Tahiri u prit nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati./

-Të dy ministrat u pajtuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë si një proces që fuqizon të dyja vendet. Po ashtu u dakorduan që bashkërendimi për çështjet e interesit kombëtar të jetë i vazhdueshëm duke pasur një fokus zhvillimin dhe forcimin e dyja shteteve dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në rajon dhe në veçanti për shqiptarët e luginës të Preshevës/ 

Tiranë, 16 maj 2016/

 Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, gjatë vizitës zyrtare që i po bënë Tiranës u prit sot në Ministrinë e punëve të jashtme të Shqipërisë nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. 

 Gjatë takimit, dy ministrat rikonfirmuan edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe rritjen e angazhimeve të përbashkëta për forcimin bashkëpunimit mes dy vendeve, për integrimet euroatlantike dhe avancimin e gjitha çështjeve me interes kombëtar dhe ndërkombëtar.Ministrja Edita Tahiri theksoi se vizioni euroatlantik për shtetin e Kosovës është një synim strategjik i Kosovës, dhe në këtë drejtim kemi bërë progres të madh do të thosha historik me Marrëveshjen e Stabilizim Asocim me BE-në dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e bërë ardhmërinë evropiane të qartë dhe të sigurt. Ajo theksoi se Kosova po punon me intensitet për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB dhe rritjen e numrit të njohjeve dhe se partneriteti jonë strategjik me Shqipërinë, SHBA-në dhe BE-në po i fuqizon këto procese. Ministrja Tahiri tha se Kosova ka vlerësuar gjithnjë përkrahjen nga Shqipëria në të gjitha fazat e rëndësishme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe ne angazhohemi për forcimin e lidhjeve kombëtare dhe fuqizimin e kombit shqiptar. Ajo po ashtu theksoi se të dyja vendet po dëshmojnë përkushtimin për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë në rajon, ku dialogu dhe bashkëpunimi janë bazë për këto procese. Në veçanti ministrja Tahiri theksoi angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për arkitekturën e sigurisë dhe që Kosova ta bëjë ushtrinë e saj gjatë këtij viti si dhe përpjekjet për integrimin në NATO. Në vazhdim ajo potencoi se Kosova dhe Shqipëria janë në rrugë të mirë të reformave të gjithanshme për forcimin e ligjit dhe zhvillimit ekonomik, ndërkohë që theksoi rëndësinë e bashkërendimit të agjendës reformatore dhe përkrahje më të madhe për shqiptarët etnik në rajon për të përmirësuar pozitën e tyre sipas standardeve ndërkombëtare.

Ndërsa në anën tjetër, ministri Bushati vlerësoi progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe siguroi se Shqipëria mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat si dhe këmbimin e përvojave në fushën e reformave. Ai theksoi se lidhjet mes dy vendeve kanë për bazë orientimin euroatlantik dhe lidhjet kombëtare dhe këto synime do të punojmë që të avancohen edhe më shumë. 

 Në fund të takimit, të dy ministrat u pajtuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë si një proces që fuqizon të dyja vendet. Po ashtu u dakorduan që bashkërendimi për çështjet e interesit kombëtar të jetë i vazhdueshëm duke pasur një fokus zhvillimin dhe forcimin e dyja shteteve dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në rajon dhe në veçanti për shqiptarët e luginës të Preshevës. 

 Ministrja Tahiri në këtë takim ishte e shoqëruar nga Ramiz Lladrovci, ambasador i Kosovës në Tiranë, Arjeta Rexhaj dhe Gazmir Raci këshilltarë politikë të ministres./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: bashkëpunimi fuqizon marrdheniet, Shqiperi Kosove

Kërkohet reformë e sistemit të pensioneve

May 16, 2016 by dgreca

 PENSIONISTËT PËRKRAHIN NDRYSHIMET, POR KËRKOJNË REFORMË  RRËNJËSORE TË SISTEMIT  PENSIONAL/

Nga  Adil FETAHU/

Kohë më pare, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka vënë në diskutim publik Projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-131, për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Shihet  qartë se ai Projekt-ligj është bërë në bazë të opsionit 3 të rekomandimeve nga një analizë e paradokohshme e Ministrisë, e titulluar: “Draft koncept-dokumenti për rregullimin e fushës së pensioneve”, ku dominonte përcaktimi që tashpërtash të bëhen vetëm disa ndryshime e plotësime të ligjit ekzistues. Projekt-ligji përmban tekstin për ndryshimin dhe/ose plotësimin e pjesërishëm ose të tërësishëm të  6 neneve të ligjit bazik (neni: 3; 7; 10;  12; 19; 24).

Çka ndryshohet a plotësohet dhe cilat kategori i tangon?

Ndryshimi i nenit 3 të ligjit bazik, konsiston në përkufizimin e emërtimeve, dhe plotësimin e disa kushteve shtesë. Kështu, emërtimi i deritashëm “pensioni bazik i moshës”, zëvendësohet me fjalët: “pensioni social i pleqërisë”, ndërsa emërtimi “pension i paaftësisë së përhershme”, zëvendësohet me: “pensioni i aftësisë së kufizuar”. Gjithnjë, në kapitullin e përkufizimit të shprehjeve në ligj, pas  pikës 13 të nenit 3 të ligjit bazik, janë shtuar dy pika (14 e 15),  për të sqaruar se çka konsiderohet “vendbanim i përhershëm”, dhe kushti që duhet plotësuar për t’u konsideruar si banor aktual. Neni 7 i ligjit bazik, që ka të bëjë me kushtet dhe kriteret për njohjen e të drejtës së pensionit bazik të moshës (tash: “pensioni social i pleqërisë”), ndryshohet dhe plotësohet me elemente të reja, që kanë të bëjnë me dokumente valide për të dëshmuar se janë qytetarë  (ndoshta mendohet: shtetas), ose banorë të përhershëm në Republikën e Kosovës (së paku 10 vjet, prej të cilave së paku 5 vjetët e fundit me venbanim të përhershëm në Kosovë. Kjo vlenë edhe për shtetasit e huaj me vendbanim të përhershëm në Kosovë. Është përcaktuar se pensioni social nuk do t’iu paguhet personave të cilët kanë përfitime tjera nga buxheti i Kosovës,  atyre që marrin pension nga Trusti i kursimeve pensionale të Republikës së Kosovës, apo çfarëdo përfitimi financiar nga ndonjë vend tjetër, ose marrin të hyra tjera të rregullta mujore. Ministria do të nxjerr akt nënligjor lidhur me monitorimin dhe verifikimin e përmbushjes së kushteve të përmendura më sipër dhe masat që do të merr ndaj keqpërdoruesve eventualë. Projektligji ashpërson kushtet për njohjen e të drejtës së pensionit të parakohshëm, të parapara në nenin 10  par.1 të ligjit bazik, e që kanë të bëjnë me punëtorët e kompleksit “Trepça” dhe të minierave tjera, të cilët janë larguar nga puna pas datës  1 janar 1989, e që kanë pritur por nuk kanë gjetur punë në periudhën prej 1.07.1999 deri më 31.12.2004. Edhe për këtë kategori është thënë se të drejtat e tyre do të caktohen me akt nënligjor (gjë që nuk është në rregull, sepse të drejtat  dhe kushtet  caktohen vetëm me ligj, ndërsa me akt nënligjor mund të caktohet vetëm procedura e realizimit të të drejtave të parapara me ligj).  Edhe për pensionet familjare (neni 12 i ligjit bazik), është thenë se kjo e drejtë dhe procedura e realizimit të saj, do të caktohen me akt nënligjor të cilin e nxjerr Ministria! Pas nenit 12 të ligjit bazik, shtohet neni i ri (12/A),  në të cilin përcaktohen dokumentet që duhet paraqitur me rastin e aplikimit për cilëndo nga skemat pensionale të financuara nga shteti, ku janë numëruar taksativisht dokumentet kumulative ose alternative që do të konsiderohen të vlefshme. Me këtë plotësim të ligjit, ashpërsohen kushtet për realizimin e të drejtës së përfitimit nga cilado skemë e përmendur. Ndryshimi i pjesëshëm i nenit 19 të ligjit bazik, ka të bëjë me shkurtimin e afatit për të vendosur për kërkesën e aplikuesit, prej 60 ditëve, në 30 ditë. Edhe më tutje mbetet obligimi i lajmërimit të pensionistëve çdo gjashtë muaj, në zyrat e pensioneve, me dokumente përkatëse të identifikimit, që përcaktohet me akt nënligjor të Ministrisë, kurse aktet nënligjore duhet të nxirren në afat prej 6 muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet, e këto ndryshime e plotësime do hyjnë në fuqi 15 ditë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Cilat ndryshime e plotësime do të mbeten, do të shihet pasi ato të miratohen në Kuvendin e Kosovës.

Qëllimi i ndryshimeve dhe plotësimeve

Marrë në përgjithësi, me këtë Projekt-ligj synohet të vehet një rend, rregull, kontrollë dhe disiplinë më e rreptë në shfrytëzimin e mjeteve të buxhetit, të destinuara të drejtave të caktuara në skemat  pensionale të financuara nga shteti.  Janë detajuar dhe pakashumë janë ashpërsuar kushtet dhe kriteret për pensionin social, si për qytetarët e Kosovës, ashtu edhe për shtetasit e huaj që banojnë në Kosovë (10 vjet banorë, e 5 vitet e fundit me vendbanim të përhershëm në Kosovë). Veç kësaj, pensioni social nuk do t’iu jepet (nuk do t’iu paguhet) personave të cilët marrin çfarëdo pagese të rregullt mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës, apo nga Trusti i Kursimeve Pensionale, ose çfarëdo përfitimi  tjetër (të rregullt mujor) financiar nga ndonjë vend tjetër e që është baras ose mbi nivelin e “pensionit social”.  Ministria do të monitorojë dhe inspektojë rregullsinë e përmbushjes së kushteve të caktuara. Në praktikën e deritashme është vërejtur se pagesa nga skemat pensionale të financuara nga shteti kanë marrë persona të cilëve këto pagesa nuk do iu takonin, ngase kanë pasur përfitime e pagesa mujore edhe nga burime tjera, qoftë nga buxheti i Kosovës, apo nga burime tjera brënda ose jashtë vendit, si dhe persona të cilët fare nuk janë banorë të përhershëm të Kosovës. Me ndaljen e kepërdorimeve të vërejtura, do kursehen mjete të konsiderueshme, të cilat mund të përdoren për destinime të caktuara përfituesve të ligjshëm.

Për pensionet e kontributpaguesve, nuk ka ndonjë ndryshim esencial as plotësimi të ligjit në fuqi.

 Pensionistët përkrahin ndryshimet, por edhe kërkojnë reformë të sistemit të pensioneve

Organet e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës e kanë shqyrtuar dhe mbështesin  ndryshimet e propozuara, për qëllime të vënies së një rendi, rregulli, drejtësie dhe disipline në shfrytëzimin e mjeteve të  buxhetit të varfër të Kosovës,  të pengimit dhe evitimit të keqpërdorimeve nga njerëz të pandërgjegjshëm, apo nga persona të cilët nuk do duhej të kishin të drejtë në pagesat që marrin, qoftë në bazë të kriterit të përfitimeve nga burime tjera, qoftë të kriterit të statusit civil qytetarit ose banorit (jo)resident në Republikën e Kosovës. Në Kuvendin vjetor të Lidhjes së Pensionistëve, që u mbajt më 14 maj k.v, në të cilin mori pjesë edhe ministri Arban Abrashi dhe foli për nevojën dhe qëllimin e ndryshimeve, pensionistët i dhanë mbështetje ndryshimeve të propozuara, por njëherit kërkuan  që sa më parë të fillohet me hartimin dhe miratimin e një ligji të përgjithshëm reformues të sistemit të pensioneve.

Pensionistët e Kosovës konsiderojnë se ky Projekt-ligj është vetëm një “harrnim” i përkohshëm i Ligjit në fuqi, i të ashtuquajturave “skema pensionale”, e nuk është zgjidhje e duhur, dhe se është e domosdoshme një reformë rrënjësore,  gjithëpërfshirëse e sistemit të pensioneve dhe sigurimit pensional dhe invalidor. Sepse, sistemi aktual i skemave pensionale, nuk është sistem pensional, por tërësisht është skemë e ndihmave sociale, derisa të gjitha paguhen nga buxheti i shtetit, në parametra të barabarta, e jo pensione që burojnë nga sigurimi pensional dhe invalidor dhe kontributi individual.  Fjala është për pensionistët nga marrëdënia e punës, të cilët gjatë punës aktive kanë paguar (dhe paguajnë) kontribute nga të ardhurat e tyre. Një ligj sistemor gjithpërfshirës për sigurimin pensional dhe invalidor, që do të krijonte një reformë të këtij sistemi, sipas modelit të bazuar në solidaritetin midis gjeneratave; modeli i Bizmarkut, që ka funksionuar dhe akoma funksionon me sukses qysh prej vitit 1839, dhe të cilin e kanë edhe sot e kësaj dite shumë shtete të zhvilluara,  dhe modaliteteve shtesë të kursimeve individuale, është më se i domosdoshëm. Fundi-fundit, eforma e sistemit pensional do të jetë obligim i shtetit të Kosovës edhe në procesin e stabilizim-asocimit dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.

Reforma e sistemit të pensioneve, për shkaqe të njohura, është një temë aktuale edhe në shumë vende të zhvilluara, dhe është temë e ndieshme dhe e dhemshme, sepse përfshinë një popullatë të gjërë: pensionistët aktualë të të gjitha kategorive, dhe punëtorët aktualë (pensionistë të ardhshëm). Mirëpo, nevoja dhe arsyet e reformës janë të shumta. Sepse, sistemi aktual është i paqëndrueshëm dhe jo  i drejtë; është barrë e rëndë  dhe e papërballueshme për buxhetin e shtetit, ndërsa  niveli i pagesave aktuale  nuk siguron një jetesë të dinjitetshme të pensionistëve. Me një ligj të reformës së sistemit pensional, duhet të përfshihet e gjithë popullata me sigurimin pensional dhe invalidor: punëtorët në sektorin publik dhe privat, zejtarët, të vetëpunësuarit, bujqit, por edhe duhet të ashpërsohen kushtet për pension të parakohshëm dhe pension invalidor; të shtyhet gradualisht mosha e daljes në pension; të reduktohen të drejtat e kategorive të privilegjuara dhe lista e punëve me stazh të beneficuar; valozirimi vjetor i pesioneve të bëhet sipas formulës zvicërane: 50% me shpenzimet e jetesës dhe 50% me inflacionin, – e modalitete tjera të përshtatura nevojave, kushteve dhe mundësive të Kosovës.

Me ligj reformues të sistemit pensional-invalidor, duhet të sigurohen burime reale të mjeteve për fond të qëndrueshëm pensional-invalidor. Atom und të sigurohen në përqindje të caktuar nga çmimi i artikujve luksozë, duhani, pijet alkoolike, nafta e benzina, etj. Trusti i tashëm i kursimeve pensionale duhet të transformohet, ndërsa mjetet e lira të grumbulluara në Trust, të shfrytëzohen për pagesat e pensioneve vijuese, duke garantuar mekanizma të sigurtë që të mos dëmtohen kursimtarët e atij Trusti kur të arrijnë moshën ose  kushtet tjera të caktuara për shfrytëzimin e mjeteve të kursyera. Është jashtë çdo logjike që pensionistët të mos kenë kurrëfar përfitimi nga ndërmarrjet e privatizuara, në të cilat kanë punuar e kontribuar 30 a 40 vjet, ndërsa punëtorët që ishin në marredënie pune në kohën e privatizimit, vetëm me 3 vjet stazh, përfituan 20 përqindëshin, ndonëse nuk ishte ndonjë përfitim i madh, për shkak se ndërmarrjet u shitën me çmime tejet të lira. Prandaj, një pjesë (së paku 20 përqint) e mjeteve të grumbulluara nga procesi i privatizimit, do duhej të shkonte në fondin e pensioneve. Ka edhe shumë mundësi tjera të sigurohen burime mjetesh për fondin e pensioneve.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, e sistemit të pensioneve, Kërkohet reformë

Shala dhe Vokrri: Kosova në FIFA, ngjarje madhore

May 16, 2016 by dgreca

PRISHTINË 16 Maj 2016/ Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur sot në Aeroportin “Adem Jashari” Fadil Vokrrin pas kthimit të tij nga Meksika, ku mori pjesë në kongresin e FIFA-së.“Pranimi i Kosovës në FIFA është ngjarje madhore për futbollin e Kosovës, për shtetin tonë dhe për të ardhmen e rinisë”, u shpreh Shala. Ai falënderoi Vokrrin për punën e madhe disavjeçare që ka bërë për futbollin e Kosovës dhe për meritat e jashtëzakonshme për këtë sukses historik.Po ashtu ministri Shala u shpreh se do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë me FFK-në, në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive në vend dhe ngritjes cilësore të futbollit tonë. Me këtë rast, Vokrri falënderoi për bashkëpunimin në të mirë të futbollit të Kosovës dhe ia dorëzoi ministrit Shala në mënyrë simbolike emblemën e FIFA-së./b.j/

Filed Under: Sport Tagged With: Kosova në FIFA, ngjarje madhore, Shala dhe Vokrri:

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT