Archives for May 2016
POETI QË S’KA KOHË PËR TË VDEKUR
NGA PËLLUMB GORICA/
Nexhip Bashllari në vëllimin poetik “S’kam kohë të vdes”/
Në vëllimin poetik me një titull, të cilin do e fut në kurth,“S’kam kohë të vdes” poeti i vargut plot mall e jetë, Nexhip Bashllari, i ledhaton krahët një lajtmotivi shumë domethënës, jo vetëm për krijuesit, por për të gjithë ata që janë rreshtuar në llogoret e jetës: Poeti s’ka vdekje. Sepse edhe kur ajo e gjen fizikisht nuk e gjen kurrë shpirtërisht e moralisht. Poeti i fshihet vdekjes herë te një lot i sinqertë shoku dhe herë te një zukatje blete, herë te një fëshfërimë gjetheje, e herë te një iso kënge. Në tërë vëllimin rreh pulsi i jetës dhe për poetin s’ka as moshë, as lodhje e as vdekje. “Kur hapa sytë ishte bërë mëngjes/ I thashë vdekjes : S’kam kohë të vdes”.
Poeti nuk përpiqet të maskohet me sforcime, por ai merr një arrati të pranueshme, për t’u mbushur me më shumë nerv jete, e për të qenë sa më i denjë për një shoqëri, që ta meritojë ai, e ta meritojnë atë. Atë e ka thithur jeta deri në intimitetet më të padukshme, sepse ai është njerëzor, është i zoti të veshë këngën si “bërruc çobani”, por edhe të fluturojë në lartësi e të “përflakë shpirtin” me rreze diellore, ai di t’i bëjë thirrje erës “ta rrëmbejë me vete”, por di të derdhë edhe lot malli për strehëzën e tij, por edhe kur ai kthehet në fluid, kur e “fut vjeshta në brendësi“ të saj, ai nuk lejon askënd t’i prekë palcën, që e specifikon si qenie të gjallë: dashurinë për jetën. Edhe kur ndonjëherë atë e mbulon plogështia apo pesimizmi, ai shpejt ngrihet mbi ndjenjat dhe nostalgjitë, mbledh forcat për ta shijuar jetën gjer në fund në çdo grimcë të saj.
Nexhip Bashllari edhe pse e ka dashur dhe e do shumë jetën, nuk e ka lejuar kurrë atë ta marrë zvarrë e të tallet me të. Ai ka kënduar këngë me pleqtë, ka zbutur rakinë që e pinë ata në sofra, e ka pirë me ta gota të mbushur rrafsh, dhe na ngjan nga pak me Dritëro Agollin e me Omer Khajamin, gjithmonë brenda origjinalitetit të tij. Ai ka thithur ajër mali, e ka pirë ujë burimi, por asnjëherë s’ka lejuar të luajnë me dinjitetin e tij. Ai është kockë e fortë, i pangopur me gjithçka që i shërben njerëzimit e të ardhmes, ndaj ai rrallë edhe zemërohet, e vihet roje në shërbim të një jete të ndershme e nuk bën asnjë kompromis: “Vras e pres veç terr të zi/ I çoj djajtë në skëterrë”. Por kjo kockë e fortë, dorëzohet shpejt para mallit që ndjen për strehëzën e tij dhe ngre duart e kërkon falje: “Me përkundje nanuriste/ Më ke dhënë flatrim krahësh/ Që të ika të lashë vetëm/ Oh të lutem të më falësh”. Dhe ky mall që fryn në tërë librin si fllad mbi plagë, e bën nganjëherë dhe si antipod të gjithçkaje, e të duket sikur ecën kundra rrjedhës dhe kërkesave të natyrshme të jetës: “Më vriten brinjët/ në dyshek sfungjeri”. Por, prapë poeti Nexhip Bashllari nuk e fsheh krenarinë, që edhe ai me vargun e tij modest la gjurmë, e u shërbeu njerëzve. Vargu i tij gërryen zemra të sinqerta e i bën “lisat të ulin kryet”, e i bëhet shok një emigranti dhe provon ndenjat e tij të shkrirë me fatin e mijëra të tjerëve, dënon mëkatarët dhe e bën nënën që të derdhë lot, ndaj ai si poet ka një merak të madh: Fjala të jetë e lirë si ajri i pastër i maleve: “Trupin le të ma digjni/ Mos ma digjni fjalën”.
Në shumicën e poezive të këtij vëllimi, poeti përgjithëson vlerat e së mirës, dhe gëzimit, duke shprehur ndenjat më të thella të shpirtit, dhe nuk është nga ata poetë, ku mendimi poetik i të cilëve rend fantazive, por i buron natyrshëm kënga, e që lexuesin e bën të meditoj bashkë me të. Poezia e Nexhip Bashllarit është e veçantë edhe përsa i përket metrikës, muzikalitetit, por edhe tempit e rimës, që të rrëmbejnë si pa u ndjerë e të fusin në larminë plot frymëmarrje të këngës popullore: “Bie të flesh e s’të zë gjumi/ Sa të zë të del dhe prapë/ Buçet mendja porsi lumi/ Dallgë fryrë trap më trap”.
Edhe në ciklin e poezive nga Kanadaja, poeti thekson me forcë atë që e bren, jeta bëhet më e bukur në vendin tënd, por çdo njeri, i çdo ngjyre e vendi qoftë, ka jetën e tij dhe e meriton ta jetojë atë kudo, dhe sipas koncepteve të veta.
Në zemrën e tij ka vend për të gjitha edhe për “retë e ndezura nga dashuria rinore”, edhe për manushaqet, që mezi dalin nga fund-dimri, edhe për guguçen faqehënë, edhe për puthje gjethesh fëshfërimë vjeshte. Duke qenë i shkrirë natyrshëm pa qibër, me natyrën, me shoqërinë, me brengat dhe gëzimet, me cinizmin dhe sinqeritetin, poetin është vështirë ta kapësh, është vështirë ta gjejë edhe vdekja pa lëre më ata që nuk i duan të mirën. Ndaj ai deklaron pa mburrje : “Të më gjeni s’është e mundur/ S’ju mjafton e gjithë jeta”.
Në këtë vëllim në çdo varg jeta sfidon vdekjen. Ndaj, poeti duke bërë thirrje ta duam jetën, nuk harron të kujtojë se ka dhe vdekje. Edhe loti bleron-thotë poeti. Edhe te malli që përlot, jeta gjen vitalitetin e saj. Por, specifika e poetit qëndron në atë se ai jep një këshillë shumë të vlefshme për vdekjen: të mos kujtohemi vetëm kur vdes ndonjë i afërm. Njeriu jeton me vdekjen çdo ditë, por merita është se di ta sfidojë atë. Ndaj poeti di të bëjë shumë mirë edhe balancë jete: “Si jam ndjerë tek kjo botë/ Nga u nisa e rrugë mora/Nga ç’kam bërë çfarë ka mbetur/ Ç’farë kam mbjellë dhe ç’farë korra”.
Dhe njeriu që di të bëjë bilanc nuk humbet kurrë. Vitet që vijnë i zbulojnë veç shkëlqim të ri.
Kosovë-Shqipëri, fuqizim i sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror
– Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë vizitë zyrtare në Kosovë/
PRISHTINË, 11 Maj 2016-B.Jashari/ Fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë dhe Shqipëri, fuqizon bashkëpunimin ndërshtetëror. Ministri kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi sot ka pritur në takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja, i shoqëruar nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese së Kosovës, Arta Rama Hajrizi.Gjatë këtij takimi Ministri Kuçi e ka njoftuar Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Dedja, me punën dhe aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë zhvillimet e fundit në fushën e drejtësisë në Kosovë, konkretisht në reformat e realizuara në frymën e perspektivës evropiane, përfshirë legjislacionin, ngritjen e kapaciteteve si dhe garantimin e pavarësisë së gjyqësorit.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Dedja njoftoi ministrin Kuçi për reformat themelore që po ndërmerren në fushën e drejtësisë në Shqipëri, për sa i përket legjislacionit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë.
Ministri Kuçi dhe kryetari Dedja me theks të veçantë diskutuan për rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese, rolin dhe rëndësinë e punës dhe pavarësisë së këtij institucioni në të dyja vendet.
Ministri Kuçi theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë që ka Ministria e Drejtësisë me institucionet e Drejtësisë në Shqipëri, duke vlerësuar lartë shkëmbimin e përvojave nga të dyja vendet në fushën e drejtësisë.
Po ashtu, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, priti sot në takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Bashkim Dedja, i shoqëruar nga gjyqtarët e kësaj gjykate: Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha.
Pasi i falënderoi për vizitën, kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht informoi me zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke veçuar njëherësh disa nga sfidat me të cilat vazhdon të ballafaqohet kjo gjykatë në çështjet e funksionimit.
Ajo shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka ofruar në vazhdimësi Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si nëpërmjet shkëmbimit të përvojave e po ashtu edhe nëpërmjet iniciativave të përbashkëta, që çdoherë për synim kanë avancimin profesional të këshilltarëve dhe të gjyqtarëve të saj.
Në vazhdim të bisedës, kryetarja Rama-Hajrizi dhe kryetari Dedja trajtuan çështje të tjera me interes të përgjithshëm për funksionimin e gjyqësorit dhe për reformat në gjyqësinë e të dyja vendeve, me ç’rast të dyja palët shkëmbyen pikëpamjet e tyre përkitazi me thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave kushtetuese.
Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me ç’rast do të takohet edhe me udhëheqës të institucioneve të tjera shtetërore.
NASA zbulon rreth 1300 planetë të rinj jashtë sistemit diellor
Numri i planetëve jashtë sistemit diellor që janë zbuluar deri tani është dyfishuar, pasi NASA ka konfirmuar ekzistencën e rreth 1.300 planetëve të rinj, të cilët i ka zbuluar nëpërmjet anijes kozmike “Kepler”. Nëntë prej tyre mendohet se janë planetë shkëmborë, të cilët mund të kenë të zhvilluar edhe atë që bota e njeh me termin ekzistenca e alienëve. “Kepler”, i cili është një observator në hapësirë i nisur nga NASA, ka qëllim zbulimin e planetëve që janë të ngjashëm me Tokën, mision ky që ka nisur prej vitit 2009. Ky investigim madje ka zbuluar 12 planetë të cilët nuk kanë temperatura në ekstreme, duke bërë të mundur kështu hedhjen e një hije dyshimi për ekzistencën e jetës në një tjetër dimension. Nëntë planetë shkëmborë janë edhe më intriguesit për shkencëtarët, ku më premtuesi është Kepler 1638b, i cili është rreth 60 për qind më i madh se Toka dhe pak më afër yllit të tij, me një orbitë prej 259 ditësh. Misioni “Kepler” përfundon vitin e ardhshëm dhe në vijim do të zëvendësohet me teleskopë të tjerë të Agjencisë Hapësinore Amerikane të NASA-s.
Kosovë-Axhenda evropiane bashkon
-Presidenti Thaçi: Do të promovoj dialogun mes liderëve politikë në pushtet dhe atyre opozitarë. Dialogu nuk ka alternativë dhe është rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve. Axhenda evropiane bashkon politikën kosovare/
-Normalizimi i plotë i raporteve Kosovë-Serbi promovon paqen në rajon/
PRISHTINË, 12 Maj 2016-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se gjatë mandatit të tij presidencial do të angazhohet fuqishëm për promovimin e dialogut në Kosovë. “Do të promovoj dialogun mes liderëve politikë në pushtet dhe atyre opozitarë. Dialogu nuk ka alternativë dhe është rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve”, theksoi ai duke shtuar se axhenda evropiane bashkon politikën kosovare, dhe se do të punojë të kultivojë edhe dialogun e mëtejmë mes institucioneve të vendit dhe komuniteteve.
Presidenti Thaçi tha se do të vazhdojë të inkurajojë politikën kosovare që të promovojnë dialogun e jashtëm dhe të mos lejojnë që dialogu me Serbinë në Bruksel të shndërrohet në një proces monoton. “Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyer me vendet e rajonit, ndërsa edhe raporti me Serbinë është më korrekt. Normalizimi i plotë i raporteve Kosovë-Serbi promovon paqen në rajon”, theksoi ai.
Presidenti po ashtu tha se do të vazhdojnë dialogun me BE-në në mënyrë që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të gëzojnë lirinë e lëvizjes.
Për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, Presidenti Thaç tha se politika kosovare në vitin 2014 e humbi hapin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe jo me fajin e të tjerëve, por me neglizhencën e faktorit vendor. “Kam besim se Forcat e Armatosura do të themelohen në një të ardhme të afërt”, tha presidenti Thaçi.
Prioritet tjetër i presidentit Thaçi është fuqizimi i sistemit të dretesisë.
“Nuk ka dyshim që kemi një kornizë ligjore shumë moderne, megjithatë kemi identifikuar disa hapësira apo boshllëqe në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Kam biseduar me ministrin për inicimet e ndryshimit të kodit penal, që përfshin aspektin e prokurorive, gjyqësorit dhe shtëpive korrektuese”, tha ai.
Thaçi theksoi se edhe çështja e të pagjeturve, atyre të zhvendosur, gratë e dhunuar gjatë luftës etj, do të jenë në axhendë të tij.
Lëvizja Fol ka mbajtur sot diskutimin e radhës së forumit Fol Hapur, ku i ftuar ishte Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Petrit Zogaj, nga Lëvizja Fol tha se sot, në debatin e radhës të Forumit FOL Hapur kemi Presidentin e vendit me të cilin do të diskutojmë për axhendën presidenciale me theks të veçantë politika e jashtme; dialogu i Brukselit si dhe konsolidimi i dialogut politik.
- « Previous Page
- 1
- …
- 60
- 61
- 62
- 63
- 64
- …
- 93
- Next Page »