• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Greku pinte Metaksë, shqiptari-Skenderbeg, serbi- Shlivovicë, maqedonasi… Mastikë

May 10, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

POLITIKA, KJO LAVIRE HYJNORE!/Ky daja, një ditë sërish erdhi te zyra ime. Mu duk se rradakja a fiqiri i kishte dalë toptan nga terezia. Ishte bërë i tëri hundë e buzë. U ul në kolltuk, ashtu rehatshëm…, njësoj si ai mysafiri i paftuar që të vjen në “zijafet”. Ata që nuk e njohin nga afër, e konceptojnë si “derdimen”, por ama ai nuk është i tillë. Në fakt është një njeri që i ka të gjitha haberet sa u përket vakive këtejpari. E përshëndeta me gjysmë goje. Edhe ai ma ktheu njësoj dhe paksa si me inat. I parashtrova  pyetjet: Ç’kemi? Si i ke punët dajo…? Kurse ai ma ktheu me çallëm dhe ashtu korçarçe: “Punët i kam xham fare!?” Nuk i besova. Duke ia paragjykuar përgjigjen, thash se si mundet një njeri, me gjithë atë “surrat të shëmtuar dhe paksa të shtrembëruar”, me gjithë atë ulërimë të gjatë, të dhembshme, të thekshme e me kokën rrëmujë, t’i ketë punët “xham fare”. Sikur kishte ardhur të më “bëjë me faj”. Vazhdova me pyetje: Me ç’sebep u duke këtejpari. Sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhep. “Erdha të të tregoj se sot herët në sabah, te apartamenti im plasi poterja!” E pyeta se kush e filloi këtë potere dhe kush ishte kryeshamataxhiu… “Kush tjetër, pos meje. E nisa me dajeshën tënde!”. Po ç’të bëri kjo dajeshë e ngratë që me ty heq të zinjtë e ullirit! “Eh, ajo t’u pi çaj rusi, filloi të më lakojë ca broçkulla. Duke mos i duruar këto andralla të saj, fillimisht theva derën e dhomës, mandej dëmtova ashensorin dhe, së fundi, ua prisha gjumin gjumashëve dhe ca zonjave të rënda që hiqen pak shtatzëna!”. E ndërpreva duke i thënë: O shkurtoje, o mbylle këtë muhabet. “Jo ore, qerrata, kush je ti të më bësh urdhrin…, mu tani do ta ndez muhabetin për do çështje politike!” Hë, ç’më zuri belaja me dajën dhe me politikën ditore, me atë politikë, që ka humbur rrugën, shijen, freskinë dhe cilësitë…, politikës që i ka dalë boja…, që ka humbur vlerën nga përdorimi i tepruar dhe është bërë e mërzitshme nga përsëritja e shpeshtë në kohë dhe në vend të gabuar!

Ky daja, më dha urdhër të prerë: ”…, kësaj radhe, këtë shkarravinë,  do e nisësh me kryeparin e shtetit në veçanti me vendimin e tij absurd dhe aspak juridik sa i takon abolimit të njerëzve në faj, mandej do të shkruash për ca politikanë të dovletit biblik që shtrihej diku në hapësirat e Gadishullit Ilirik (si thoshte poet Aliu nga Podrimja e Kosovës)…, do të shkruash për ca politikanë të cilët, sot e gjithë ditën e Allahut, më duken si ato çavot romë (çdo respekt për ta), që te semaforët përballë një ambasade atje diku në Topana të Shkupit, ushtrojnë zanatin e xhamlarësve të veturave…, do të shkruash për ata politikanë që nuk kanë apo nuk njohin kanun, për ata që nuk dinë se ç’është morali, për ata që nuk dinë për fukarenj dhe për fukarallëk…, do të shkruash për ca politikanë që dikur opingat e tyre i zëvendësuan me këpucë të kuqe dhe allafrënga…, do të shkarravisësh për politikanët e moderuar, të përdalë, politikanë të cilët duke ngatërruar rrugët krijuan ngatërresa mes miletit, shtetit dhe pushtetit…, për politikanët ziliqarë, për politikanët të cilëve u është shkurtuar e drejta e të menduarit ndryshe…, politikanë të cilët prodhojnë politika të mbrapshta që më pas i grumbullojnë  dhe i sistemojnë bythëpraptas…, politikanë që prodhojnë megalomani, provincializëm dhe biçimsëz politikë…, për politikanët të cilëve nuk u mungon buka e gojës, për njerëz me halle ulëritëse, për politikanët që kanë rënë në hall me fëmijët e tyre, të cilët natën e kalojnë në kafeteritë prestigjioze dhe të shtrenjta të kryeqytetit, për politikanët të cilët deri pak kohë më parë ishin hem lypsarë, hem qibarë, hem kopukë, hem komunistë, hem nazeqarë që dikur qanin orë e çast dhe pa ndonjë shkak, hem qerosë e fodullë, hem të papërmbajtur e çallëmxhinj, kryekërrusur e të neveritshëm…, do të shkruash për politikanët individualistë, për ata që sot e gjithë ditën janë kryeustallarë të kështjellës së kusarisë, korrupsionit, krimit të organizuar, për pushtetarët që nuk e kanë frikë shtetin, për miletin gjegjësisht për taksapaguesit që i frikësohen pushtetit, për miletin që vuan nën kërbaçin e pushtetarëve jomeritorë…, do të shkruash edhe për ata politikanë të cilët nuk vjedhin vetëm pasurinë e prindërve dhe kalamajve të tyre…, do të shkruash në veçanti për ata politikanë, të cilët sot me gojën plot gjetën a morën guximin t’u thonë diplomatëve evropianë: sikter dhe ikni nga vendi ynë, ndërkaq agababës Amerikë, i thanë pezdeveng!?”. Të gjitha referimet e dajës i kuptova, përpos informacionit në lidhje me këpucët e kuqe dhe me zonjat e rënda që hiqen pak shtatzëna!???

Ky dajkoja, aq shumë më lodhi saqë u detyrova t’i them, ashtu troç, a mos vallë ke ngatërruar zyrën time, me atë të ofiqarit të gjendjes civile a edhe me atë të kryeimformatorit të  ShIK-ut…, a mos vallë mua më ngatërrove me fallxhoren e Shutkës, a mos vallë ngatërrove zyrën time me supermarketin e bllokut tënd, pronari i të cilit shet kikirikë, a mos vallë zyrën time dhe të hiqimetit e ngatërrove me atë zyrën e komitetit dhe me postën e policisë, o ti dajko, a mos vallë zyrën time e ngatërrove me atë të qoftexhiut Yillmaz, aty në hyrje të Kapalli Çarshisë së Stanbollit…! Sikur dajkos, desha t’i them se hiç fare nuk më shkojnë shkrimet me porosi, qofshin ato dedikuar edhe politikanëve, dhe ca të tjerëve…, të cilët në emër të  makiave-lizmit provincial, preferojnë po edhe mëtojnë ta pushtojnë pushtetin, qoftë edhe për Neronin e Debar Maallo-s, që me budallallëkun e tij, parapëlqen ta djegë Shkupin…, dhe të tjerat kasaba dhe katunde përreth tij…

Që unë ta humanizoj dhe emancipoj sadopak këtë shkrim, do ta përmbyll me një barsoletë ku protagonistë do të jenë popujt, të cilëve u kishte ra hiseja të jetojnë në një vend të mallkuar nga padishahu. Do të shkruaj për historinë e Gadishullit Ballkanik, për popujt të cilët në mënyrën e tyre i dalin zot gadishullit, ata që kërkojnë të drejtën e pronësisë. Dikur moti në një mejhane orientale, ishin tubuar ca njerëz, i pari ishte grek, i dyti shqiptar, i treti hiqej serb, i katërti maqedonas, i pesti bullgar dhe i gjashti turk me kod osman. Secili fliste në gjuhën e vet dhe njëkohësisht pinte rakinë e vet të flamosur (jo të gjithë pinin rakinë me terbie). Greku pinte Metaksë, shqiptari-Skenderbeg, serbi- Shlivovicë, maqedonasi pinte Mastikë, bullgari-Mustak dhe turku pinte Yeni raki të përzier me ujë. Toptan ishin bërë tapë, jo nga rakitë, sa nga nacionalizmi dhe folk a kiç-patriotizmi i tyre. Greku tha se Gadishulli Ballkanik është antik, shqiptari tha se është Ilirik, serbi tha “To je nashe”, maqedonasi tha se është Biblik, bullgari tha se është i Car Borisit, turku lëre që tha se Gadishulli është Otoman, por tha se të gjithë ju që i dilni zot këtij vendi, të tërë jeni minoritarë!

Në momentin që isha duke e përcjellë dajën, më ra telefoni, andej matanë u dëgjua zëri i ashpër i dajeshës, e cila më tha se a e ke dajën atypari… Unë iu përgjigja me pyetjen se ç’të duhet. “Mua nuk më duhet, u duhet lugëve të sofrës… dhe kalamajve të padëgjueshëm e zevzekë, të cilët kanë marrë në dorë shkrepësin… dhe po kam frikë se mos ia vënë flakën shtëpisë, hajt të mos them shtetit!?”.  Atëherë daja iku me rrëmbim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, lavirja Hyjnore, Politika

PANAIRI I FIERIT,CMIMI PËR POEZINË, SHKON NË KOSOVË – BASHKIM HOXHA TRIUMFON ME”GRUAJA E SHIUT”

May 10, 2016 by dgreca

Rreth 6 mijë tituj librash, nga të cilët 1 mijë të rinj, u prezantuan për qytetarët e Fierit në 3 ditët e Panairit Kombëtar të Librit, i cili çeli siparin mëngjesin e së premtes për t’u mbyllur të dielën në mbrëmje. Rreth 100 shtëpi botuese sollën për publikun e gjerë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe trevat e tjera shqipfolëse. Akademiku i njohur Ali Aliu i cili e ndoqi nga afër këtë aktivitet pohon se shkrimtarët po bëjnë atë që nuk ka mundur ta bëj dot politika në gjithë këto vite, bashkimin e shqiptarëve, ndërsa e cilëosn si më të mirin panair përsa I përket misionit e tematikës që përmbledh.

“Ky panair është kthyer tanimë në një ngjarje shumë të rëndësishme kulturore me përfshirje më të gjerë se gjithë panairet e tjera shqiptare të këtij lloji. Të mbledhësh bashkë edhe librin, edhe botuesin, edhe autorin, edhe studiuesin e kritikun, edhe të rinjtë e të flasësh e diskutosh për emra nga më klasikët e deri tek më të rinjtë e letërsisë bashkëkohore, është një punë tepër voluminoze, sfilitëse, do të thoja, që e bën vetëm Panairi i Fierit. Prandaj them se e shoh si  më të mirin panair në vend. Pretendimi është një unifikim që letërsia e ka filluar dhe ka ecur më përpara se fushat e tjera me një seri botimesh të një formati evropian, -tregon Aliu.

Organizatorët e panairit të librit, thonë se për  tre ditë u mbajtën konferenca të rëndësishme shkencore  në respekt të personaliteteve të njohura të letërsisë, që kanë këtë vit përvjetore lindjesh dhe vdekjesh si: Pjetër Budi, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Çajupi, Ali Asllani, Migjeni, Esad Mekuli, Kasëm Trebeshina, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Rexhep Qose, për të cilët kumtuan Klara Kodra, Ymer Çiraku, Ali Aliu, Sadik Bejko, Nasho Jorgaqi, Bashkim Kuçuku, Ilinden Spasse, Bardhosh Gaçe, Behar Gjoka, Dorian Koçi etj.

“Nuk ka një ndasi kufijsh gjeografik. Letërsia shqiptare është një. Ne kemi një mission; jo vetëm të sjellim librin te lexuesit e Fierit që është I shumtë, por në fokusin tonë ishin edhe disa konferenca shkencore me qëllim që të promovonim autorë që i kanë dhënë emër letërsisë shqipe e botërore” -pohon Majlinda Rama, presidente e fondacionit Harpa, njëkohësisht drejtore e Panairit të Librit.

Në ditën e fundit të panairit u ndan cmimet kombëtare të letërsisë për katër fitues. Juria përbëhej nga: Ali Aliu, kryetar, Resul Shabani, anëtar dhe Dorian Koçi, anëtar. Cmimi i poezisë më të mire shkoi në Kosovë, ndërsa Bashkim Hoxha do të triumfonte me romanin me të mirë në këtë kompeticion.

Më poshtë po japim cmimet:

Bashkim Hoxha: Për romanin më të mirë, me motivacion: “Për romanin ‘Gruaja e shiut’, i cili sjell një galeri të gjerë personazhesh e ngjarjesh të ndërthurura mjeshtërisht në një narracion të rrjedhshëm”.

Shaip Beqiri: Për poezinë më të mirë, me motivacion: “Për librin ‘Muranat e muzgut’ -simbiozë e imagjinatës poetike dhe perceptimit filozofik, duke sjellë një kostelacion të gjerë në kozmosin e letrave shqipe”.

Bujar Kule: Për krijimtari të veçantë, me motivacion: “Për  librin ‘Ylli i bijve të pellazgut’, nëpërmjet të cilit autori spikat mjeshtëri krijuese, duke sjellë bukur një histori të romanizuar, ku nuk mungojnë imazhet dhe argumentet”.

Mihal Krimçe: Për letërsi artistike në zhanrin fabul, me motivacion: “Për librin ‘Dëgjoni fjalën time’, ku bien në sy fabulat e gjetura, harmonizimi bukur i ritmit, mendimit, fjalës artistike e mesazhit, si dhe për larminë e tematikës që përcjell”.

 

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bashkim Hoxha, fiton me Gruaja e shiut, Panairi i Fierit

Cifti izraelit promovon turizmin e Sarandës

May 10, 2016 by dgreca

Dani dhe David, një çift i ri izraelitësh, janë duke jetuar në Sarandë që prej dhjetorit të vitit të kaluar. Ata kanë ngritur një bisnez të vogël turistik dhe janë të entuziazmuar me Shqipërinë. Hoteli ku banojnë është areduar thjesht dhe ata shpresojnë që ai të bëhet streha e të gjithë vizitorëve që nuk dinë asgjë asgjë për vendin tonë. “Kisha një shok këtu që kishte një hotel të vogël. Nuk e njihja fare Shqipërinë më parë dhe desha ta vizitoj si vullnetare, por ai më tha se i duhej një menaxhere. Pasi e diskutuam me Davidin, që në atë kohë ishte i dashuri im, vendosa që të vij. Ky vend ka potenciale të jashtëzakonshme duke filluar me njerëzit, natyrën, malet, detin dhe diellin. Vizitorët po rriten dhe në pak vite të gjithë do të vijnë këtu”, thotë Danielle Richer. Dani tregon se megjithë avantazhet që e sollën atë dhe Davidin në Shqipëri, burokracia shpesh bëhet pengesë për t’u informuar dhe për të ndjekur procedurat ligjore. “Dija vetëm gjëra të vogla nga filmat para se të vija. Kur Dani hodhi idenë e ardhjes m’u duk se ishte një plan ekzotik dhe fillova të lexoja ca gjëra sepse mendoja se kisha të bëja me një vend rural. Më pas pashë fotot e Danit dhe thashë, le të shkojmë. Ju gëzova shumë kësaj pamjeje. Ajo që unë nuk e përball dot është burokracia dhe kjo është pjesa e Danit. Megjithë gjërat e mrekullueshme që keni këtu ajo që duhet korrigjuar menjëherë sidomos për të huajt është nevoja për t’i orientuar ata, gjithçka duhet të jetë më e aksesueshme.” Dani dhe David, tashmë banorë të Sarandës, do të presin këtë verë klientët e tyre të parë.

Filed Under: Komente Tagged With: Cifti izraelit promovon, turizmin e Sarandës

Delawie-Veseli: Kosova, e sigurt në rrugën e saj

May 10, 2016 by dgreca

-Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjithë hapat e saj të zhvillimit dhe integrimeve evropiane, theksoi ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie, në takim me kryetarin i Kuvendit kosovar, Kadri Veseli/

PRISHTINË, 10 Maj 2016/ “Kosova është e sigurt në rrugën e saj, pasi që vazhdon si një storie e përbashkët suksesi e Prishtinës, Uashingtonit dhe Brukselit”, tha sot kryetari i Kuvendit kosovar, Kadri Veseli gjatë një takimi me ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie. Gjatë takimi ambasadori Delawie i uroi kryetarit Veseli zgjedhjen kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe suksese në përgjegjësitë e reja politike, thekson njoftimi dërguar nga zyra e shtypit e Kuvendit.Më tutje në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave, pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian. 

Ambasadori Delawie me këtë rast theksoi se kjo është tregues i qartë se institucionet e Kosovës janë duke përmbushur përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve dhe obligimet që dalin nga procesi i integrimeve evropiane.Delawie shtoi se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjithë hapat e saj të zhvillimit dhe integrimeve evropiane.

Nga ana e tij, kryetari Veseli falënderoi ambasadorin Delawie për urimet e tij, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai si ambasador dhe Uashingtoni japin për Kosovën në të gjitha drejtimet./b.j/ 

Filed Under: Komente Tagged With: Delawie-Veseli: Kosova, e sigurt në rrugën e saj

Kosovë-PDK-së i bashkohet Fraksioni Plus

May 10, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 10 Maj 2016/ Një fraksion i dalë nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekti më i madh opozitar kosovar, iu bashkua sot Partisë Demokratike të Kosovës, më të madhes kosovare, e cila, siç paralajmëroi kryetari i ri, Kadri Veseli, do të ketë edhe ardhje të reja.Në një konferencë shtypi përkrah tij, Ajnishahe Halimi deklaroi se, “Fraksioni Plus nga sot bashkohet me Partinë Demokratike të Kosovës, do jetë pjesë e saj”. Ajo ka qenë edhe udhëheqëse e Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Skënderajt, ku është këshilltare e Asamblesë Komunale.Në konferencën për shtyp ishin edhe anëtarë tjerë të Fraksionit Plus, Arben Gecaj dhe Fatos Aliu. “Jemi para një akti solemn për përqafimin e PDK-së nga grupi i Fraksion +. Ky është një bashkim i konceptit të përbashkët politik i së ardhmes, nuk është bashkim i njerëzve të pakënaqur, por i atyre që dëshirojnë ta fuqizojnë vendin”, ka thënë Veseli me këtë rast.

Gjithashtu ai u shpreh se PDK do të ketë edhe ardhje të tjera, nga intelektualë, mjekë e ekspertë të profileve tjera. “Duke pasur parasysh punën e PDK-së në shtetformim dhe shtetndërtim, ky është qëllimi që të bashkohemi dhe të gjejmë hapësirë për të kontribuar në ndërtimin dhe formimin e këtij shteti. Kjo bashkëngjitje nuk është artificiale, por do të ketë një proces gradual”, ka theksuar Halimi.

Fundjavën e kaluar, Partia Demokratike e Kosovës mbajti Konventën e VII-të të Jashtëzakonshme Zgjedhore, ku Veseli me unanimitet  dhe kandidat i vetëm është zgjedhur krytar.Zëdhënësi Blerand Stavileci dje në një konferencë shtypi paralajmaroi se se së shpejti do të organizohet edhe Konventa e Gruas Demokratike dhe Konventa e Rinisë Demokratike të PDK-së, si dhe do të zhvillohen takime me anëtarët e simpatizantët nëpër të gjitha degët në vend./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Fraksioni Plus, i bashkohet, Kosovë-PDK-së

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT