• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Kujtesë-Demaskimi i Xhevat Tarushes

May 30, 2016 by dgreca

Shkruan Simon Mirakaj/
Pse çfarë pret ti nga armiqtë?… të qajnë!
mirakaj_ekspozite4.jpg
GJAZE – LUSHNJE : Demaskimi ishte një metodë e përdorur nga sigurimi i shtetit si presion psikologjik ndaj të internuarve të zgjedhur për ta demaskuar, këta persona vinin nga shtresa e deklasuar siç na quanin ata njëkohësisht nëpërmjet këtij demaskimi bëhej presion e terror për të gjithë armiqtë e klasës. Sigurimi ne bashkpunim me organet e partisë kishin piketuar personin që do të demaskohej dhe e nxirrnin para kolektivit, njekohesisht kishin zgjedhur dhe njerzit të cilet do ta shanin me fjalët më banale e fyese armikun e popullit.
Në Gjaze ku unë banoja si i internuar, demaskuan një ish të internuar të quajtur Neshat Talo, ishte nga fshati Tren i Devollit, njeri punëtor rreth 60 vjeç njeri i ndershëm, por sekretarja e partisë Rita Vogli e ardhur nga drejtoria e fermes i thoshte :
– Fol, prano se ne të kemi incizuar e të kemi filmuar!
Sa bëhej gati të fliste i turreshin të porositurit me fjalet me banale tamam si zagarë. Kishim dëgjuar dhe për demaskimin që i ishte bërë në Grabjan, Tasim Spahisë, dhe një zonje të quajtur Tefta Tasi. Kishim dëgjuar që familjen Tasi mbasi kishin dalë nga mbledhja i kishin gjuajtur me gurë, njerëzit e porositur nga operativi i sigurimit, veprime si në mesjetë dhe Tefta Tasen e arrestojnë pak më vonë e denojnë me burg për agjitacion e propagandë. Në dimër apelin e darkes e bënim në oren 17, sapo u grumbulluam në orën e caktuar Vangjeli përgjegjesi i apelit që për hir të vërtetës ishte një djalë i ri por shumë i sjellshëm nuk të provokonte sigurisht që ishte njeri i besueshëm por ishte siç thashë shumë i sjellshëm sa apelin e kishim kthyer në humor, he thoshte : u mblodh ekipi i futbollit etj. Kur erdhen të gjithe na thote tani sic jemi drejt të kendi i kuq se ka mbledhje sektori, ne veshtruam njeri tjetrin, menduam se ndoshta do këtë ndonje arrestim, ata bënin lloje, lloje metodash për të ngjallur frike e terror. U nisem, salla pothuajse ishte mbushur plot. Në salle hyri Sekretari i Partisë së fermes Petraq Nushi, krye spiuni Nikolla Jani, sekretari i partisë së sektorit, kryetari i frontit, përgjegjesi i sektorit Rrapi Gjermeni një verdhacuk që duart e gjata i shkonin deri të gjunjët, ishte njeri shumë negativ etj. Sapo erdhen, salla filloi duke buçitur nga thirrjet Parti – Enver…, paria zuri vend në krye të tavolines e vendosur enkas për ta, një i ri i i partisë mori bustin e diktatorit dhe e vendosi mbi tavolinë.
Fjalen e mori shoku Rrapi i cili foli për realizimet e sektorit për sukseset por keto suksese që kemi arritur kerkojnë të na i përmbysin armiqte e klases që kemi ketu siç është Xhevat Tarusha. Kush është Xhevat Tarusha :thote sekretari i partise? Xhevati u ngrit në kembë, ai ishte ngjitur me mua, unë jam: thotë Xhevati i qetë, dil këtu armik i betuar, ne kemi shumë armiq por të gjitheve ua kemi shtypur e do t’ua shtypim kokën. Në këtë kohë kur Xhevati doli përpara sallës, hyri operativ Pllumbi, zuri vend te karriga e ruajtur për te. Xhevati kishte ardhe në Gjaze mbasi kishte bërë 15 vjet burg për tentative arratisjeje, ishte nga Rajca, kishte realizuar ikjen në moshe të re 17 vjeç por mbas një qendrimi disa mujor në Hetuesinë e Maqedonisë e kishin kthyer në kufi, ia kishin venë hekurat. – Hetuesi në Maqedoni, – me tregonte Xhevati – më thoshte se do të kthejme se po të ikni ju kush do ta nxjerrë kromin për ne?
Xhevati ishte njeri shumë punëtor e i ndershëm fliste me zë të ulët e duhej t’i rrije afër që ta merrje vesh se çfarë thoshte, kjo ishte karakteristikë e të burgosurve së bashku me mënyrën e të ecurit dhe e vetmja e metë ishte se e pinte duhanin shumë. Unë kisha shume miqesi me të, sigurisht mbasi u bindem që kemi të bëjme me një njeri të sigurt, që mund të flisje pa frike me të për cdo gje. Filluan ta akuzojnë për atë të cilen ai ishte denuar, ate që bëra thoshte; Xhevati unë e mora denimin… pusho mos fole…, tjetri nga salla i porositur e sulmonte duke e sharë: krimb haleje, mbase atij fillonte tjetri, gjendja në sallë ishte e rënduar, për ne ishte tmerr ta shikoje shokun tënd në ate gjendje e të mos ishe i zoti me e mbrojtë, unë dridhesha kur shikoja një lukuni ujqish e injorantesh që kenaqeshin duke share një njeri të pa fajshëm. Sa hapte gojën ai, i bërtiste Petraq Nushi, pastaj tjetri e tjetri. Po afronte ora 12 e natës kishim hyrë që në orën 17, Xhevati ishte mbas një lodhje nga puna dhe 7 orë në këmbë duke dëgjuar sharjet e fyrjet e banditëve. Skenari ishte pregatitë… more: thotë sekretari i partisë a ka ndonje shok ky që të na thotë ndonjë fjale për këtë armik? Ngrihet në këmbë Agron Qosja një qerrexhi që punonte në sektor: – Ky ka shok Simon Mirakajn!
– Kush është Simoni?
– Unë jam Simon Mirakaj …. e ngrihem në kembë, çfar ke për të thënë për Xhevatin? për armikun që kemi përballe!
– Unë çfarë kam për të thenë ? Unë kam për të thenë fjalet me të mira për të, e jam krenar që është shoku im. Ashtu ?
– Dil ketu shpejt se ti je më armik se ky.
Sokoli, Sazani, Tomorri, Dinja, Xheviti ishin mbrapa meje të ulur. Sokoli u ngrit në këmbë e iu drejtua me gisht parisë që drejtonte mbledhjen: – Kujdes mos shani, na arrestoni e bëni çfarë të doni por me sharje jo, se nuk dalim gjallë prej këtu, unë i kthehem Sokolit, i them: – Qetesohu se mua fjalet e ketyre me hyjnë nga njeri vesh e me dalin nga veshi tjeter, prandaj ulu, ne jemi mesuar me keta, se kanë 50 vjet që na shajnë, nëse do me lavdëronin atëhere do të me vinte keq mua dhe ty, e me buzë në gaz mbërrita afër Xhevatit, prania ime i dha zemer atij,një brigadiere vajzë që ishte në rreshtin e parë i thote Petraqit: – Shoku sekretar ky po qesh! -Petraqi i kethehet: – Pse çfarë pret ti nga armiqtë? të qajnë. He: kush ka për të thënë ndonjë gjë për këtë Simonin?
Pata fat se ora po shkonte 1 e natës, njerëzit ishin të lodhur e të nesërmen duhej të dilnim në punë, pritën nja dhjetë minuta, nuk foli kush, atëhere na u drejtua ne: – Hajde ikni e rrini urtë se ne ju shtypim kokën ashtu siç ua kemi shtypur të gjithë armiqve.
Xhevati për fat të keq nuk jeton më. Xhevati do kujtohet me respekt nga të gjithe ata që e kanë njohë si në burg edhe në kampin e internimit në Gjaze.

Filed Under: Histori Tagged With: i Xhevat Tarushes, Kujtesë-Demaskimi, Simon Mirakaj

Frederik Stamati, mjeshtri i restaurimeve

May 29, 2016 by dgreca

Mjeshtri Frederik Stamati ka merite edhe ne restaurimin e reformave te Trupave Vullnetare te Vatres/

stamat3TIRANË/ ATSH-N.Lena / – Frederik Stamati është një nga specialistët më në zë në fushën e restaurimeve të veprave antike dhe atyre historike të dëmtuara nga koha. Prej kohësh ai ka punuar në laboratorin e mirëmbajtjes dhe restaurimit. Numrohen me dhjetra objekte antike të dëmtuara që janë rindërtuar nga e para prej mjeshtrit Stamati. Ai ka marre pjesë edhe në restaurimin e  Muzeut Marubi, ku ka kaluar nëpër duart e tij riparimin e aparateve fotografike të mjeshtrit të madh. Stamati tregon pikërisht se si është ndërhyrë në këto makineri të vjetra të imazhit, për të pasur sot një ide se si ato kanë funksionuar.

“Gjithcka vinte jo e re si nga fabrika, por nga përdorimi i gjatë. Natyrisht që puna le gjurmët e saj mbi objekte. Ka patur edhe demtime të paisjes së studios. Por, me sa duket në ato kohëra nuk ka patur ndonje pikë të specializuar për riparime të aparateve fotografike dhe gjithcka, perfshirë edhe riparimet, jane bërë nga vet  Marubët. Pra, ky është një aspekt i jetës së studios. Gjatë restaurimit nuk u hoqën gjurmat e punës dhe të nderhyrjeve riparuese, por i konsideruam ato si pjesë e jetës së stamat2studios ,rrëfen Stamati dhe vazhdon. Psh, në foto duket nje aparat i vjetër, në të cilin ka pas qenë thyer drrasa. Është mbërthyer jo kushedi se me sa mjeshteri në aparat. Ja, duket në foto. Mund ta bënim të padukshme, por jo, e lamë ashtu, sic ka qenë riparuar dikur, duke marrë masat për të ndaluar proceset e korrozionit dhe të ndërhyrjeve të tjera ambientale.  Ka edhe raste të tjera ku duken ndërhyrjet riparuese direkt ne bllokun e lenteve. U ndoq po ky parim. Në foto duken edhe shumë brima në pjesën e drrasës. Janë ato që popullorçe i quajme si brimat e krimbave. Në gjuhën shkencore quhen brimat e fluturimit te brumbujve. Pra, aty nuk janë futur krimbat që kanë ngrënë drurin. Në natyrë ka shume brumbuj, të cilët janë “te specializuar” në ushqimin që hanë. Në vjeshtë femra pjell vezët në drurin që i pëlqen dhe ngordh. Kur ngrohet koha vezët çelin dhe krijohen larvat, të cilat hanë drurin dhe rriten gradualisht. Në ciklin e fundit të jetës ato transformohen në brumbuj brenda në dru dhe e hanë për të hapur vrimën dhe për të fluturuar në natyrë. Ne nuk e dimë se kur stamat1ka ndodhur kjo në aparatin fotografik. Sidoqoftë, në të ardhmen do të ndërmerren ndërhyrje me të thella konservuese për të bllokuar gjithcka që mund të jetë brenda dhe për të realizuar një paraqitje më të mirë. Provat u bënë dhe rruga është e zgjidhur” , thote  për këtë rast mjeshtri i restaurimeve Frederik Stamati.

Por, nga duart e tija kanë dalë në gjëndje krejt të riparuara shumë objekte antike dhe historike që sot ekspozohen në muzet tona. /a.ke/

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Frederik Stamati, mjeshtri i restaurimeve

Të zgjedhurit e De Biasit fitojnë miqësoren, mundin Katarin 3-1

May 29, 2016 by dgreca

Te zgjedhurit e De Biasit kanë arritë që ta fitojnë miqësoren me Katarin me rezultatin 3-1 në ndeshjen e së Dielës 29 Maj 2016.Në një ndeshje ku spikatën cilësitë individuale të shënuesve, por që zbuloi defekte në mbrojtje, Shqipëria ka arritur të kalojë më sukses testin e radhës gjatë fazës përgatitore para startimit të Francë 2016 duke mundur Katarin me rezultatin 3-1.

Kombëtarja kuqezi ka pësuar një gol të shpejtë, pasi pa kaluar minuta e dytë Abdelkarim Hassan ka kaluar në avantazh Katarin. Por avantazhi i tyre nuk ka mundur të zgjasë më tepër se 20 minuta, pasi në minutën e 23-të Arlind Ajeti ka barazuar shifrat.

Mbrojtësi kuqezi ka shfrytëzuar mjaft mirë krosin e dhënë nga Migjen Basha nga goditja e këndit dhe me anë të një goditjeje me këmbën e djathtë ka barazuar shifrat.

17 minuta më vonë Lenjani ka shfrytëzuar një dalje të gabuar të portierit të Katarit dhe me një lëvizje të mirë brenda zone e ka çuar topin në rrjetë. Armando Sadiku shënoi një supergol nga 20 metra distancë për kuqezinjtë në minutën e 54-t.

Filed Under: Sport Tagged With: 3 me 1, Katari, Kombetarja Shqiptare

Kosovë-Fshatrat historike Letnicë dhe Stubëll

May 29, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa vizitë në komunën e Vitisë- atje ku u hap shkolla e para shqipe  në Kosovë dhe NënëTereza ka filluar misionin si murgeshë/

PRISHTINË, 28 Maj 2016/ Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit dje në Komunën e Vitisë së bashku me kryetarin Sokol Haliti vizituan fshatrat Letnicë dhe Stubëll.

Pas kësaj vizite, kryeminsitri Kosovar në një postim në ‘facebook’ ka treguar:

Në Letnicë, vizituam edhe Kishën e Letnicës ku takuam shumë qytetarë dhe përfaqësuesit e klerit katolik. Kisha e Letnicës është një shtëpi e cila respektohet shumë, ka një të kaluar të pasur dhe historike për kulturën tonë dhe identitetit kombëtar. Vërejta me vëmendje kujdesin që bëhej ndaj kroatëve dhe të gjitha komuniteteve tjera. E veçanta e Kishës së Letnicës është se Nëna Tereza ka filluar misionin e saj si murgeshë nga ky vend.

Se Vitia është unike në kontributin dhënë kulturës, dijes, tolerancës dhe identitetit tonë vërtetohet se dy shkollat e para shqipe në Kosovë ishin nga Vitia. E para, shkolla e Stubllës, kishte mësues një famulltar. E dyta, kishte për mësues një hoxhë. Në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë e cila drejtohej nga Don Mikel Tarabulluzi pamë brenda edhe figura historike të cilat kanë quar përpara gjenerata të tëra.

Ndërsa në njoftimin e dërguar nga zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës theksohet:

Gjatë qëndrimit në Letnicë, kryeministri Mustafa ka vizituar Kishën e Letnicës dhe ka takuar shumë qytetarë dhe përfaqësuesit e klerit katolik.

Kryeministri Mustafa vlerësoi lartë pritjen që iu bë.

“Është një pritje dhe një nderim i veçantë. Për ne është gjë e mrekullueshme që gjendemi në një vend të shenjtë, në një shtëpi e cila respektohet shumë, e cila ka një të kaluar dhe një të tashme historike, sepse këtu kanë ndodhur ngjarje historike që lidhen me historinë dhe me kulturën tonë, që lidhen me luftën tonë çlirimtare, që lidhen me një përkrahje shumë të madhe dhënë luftës sonë për liri dhe pavarësi, dhe identitetit tonë kombëtar. Më vjen mirë që kujdesi është shumë i madh edhe për komunitetet tjera jo shqiptare, edhe kroatët dhe për të gjithë. Por më vjen mirë që është një vend që tregon për tolerancën tonë fetare, por edhe për lidhjen tonë të madhe dhe për përkushtimin tonë që të çojmë të gjitha proceset tona përpara me një mirëkuptim të madh dhe me një angazhim të vazhdueshëm”, theksoi kryeministri.

Don Kristë Gjergji tregoi historikun e Kishës, si dhe të vetë fshatit Letnicë, duke veçuar që pikërisht tek Kisha e Zonjës së Bekuar, Nëna Terezë ka filluar misionin e saj si murgeshë.

“Jemi në një vend të shenjtë, e cila quhet Kisha e Zonjës së Bekuar, kushtuar Nënës së Jezus Krishtit. Festa kryesore është me 15 gusht, ku në atë ditë bashkohen njerëz të ndryshëm, pelegrinë, të ndryshëm të besimit tonë krishterë por edhe të besimeve tjera, llogarisim prej 10 mijë deri në 15 mijë njerëz që vijnë në këtë vend dhe gjithnjë e kanë moton, “Po shkoj te nëna Zojë”. Në bashkëpunim me institucionet komunale, të gjitha drejtoritë na përgjigjen dhe mundohemi sa më mirë me i prit. Po ashtu ky vend njihet edhe si vend kroat. Në 2003  kemi festuar 700 vjetorin e ardhjes së kroatëve. Për fat të keq, luftërat e ish-Jugosllavisë, e tërë popullata 6 mijë e 500 kroatë janë shpërngul prej vitit 1992-1998. Në mënyrë sistematike janë shpërngulur përgjithësisht në Kroaci. Megjithatë kanë mbet pak kroatë, i kemi 33 kroatë. Kemi 670 shqiptarë të besimit katolik, i kemi edhe vëllezërit tanë, të cilët unë i quaj gjithmonë mysafir, refugjatë nga Maqedonia, afër 15 familje. Probleme të rënda nuk kemi, pos papunësia, varfëria, përndryshe e kalojmë jashtëzakonisht mirë. Është fshat multietnik. Gjuha zyrtare në Kishë është shqip dhe kroatisht, kemi çdo ditë meshë. Për festa i kemi dy mesha, në gjuhën kroate dhe shqipe. Njëkohësisht është me rëndësi që kjo kishë vizitohet prej njerëzve të ndryshëm, si brenda vendit, si nga shtetet përreth Kosovës, si në aspektin evropian por ka marrë përmasat ndërkombëtare, sepse njerëzit vijnë në kategori të ndryshme për bekim, me sëmundje të ndryshme psikike, fizike, djallëruese, çiftet martesore që nuk kanë mundësi me pas fëmijë dhe këtu ne i bekojmë, dhe në shumicën e rasteve kthehen shëndoshë e mirë.

Po ashtu vlen të përmendet edhe e Lumja Nëna Tereze, që është edhe viti i saj, që edhe kryeministri dhe ne të gjithë po mundohemi që sa më mirë të përgatitemi për këtë vit. Më 1928 këtu e ka fituar thirrjen e shenjtë dhe prej këtu e ka filluar misionin e vet si murgeshë, me përmasa botërore që ka dëshmuar dashurinë dhe gjithmonë e ka përmendur Zonjën e Bekuar e cila është 400 vite e vjetër, dhe supozohet që është prej nxënësit të Mikelangjelos, dhe  e Lumja Nëna Tereze gjithmonë e ka pas në mendje, shpirt, këtë Zonjë të Bekuar të Letnicës dhe për herë të fundit ka qenë në vitin 1988 këtu”, tha Gjergji.

Më pas, kryeministri Mustafa vizitoi Stubllën, ku u ndal në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë e cila drejtohej nga Don Mikel Tarabulluzi, dhe ka takuar përfaqësuesit e fshatit si dhe të klerit katolik

Kryeministri Isa Mustafa u shpreh i nderuar që pa nga afër shkollën e parë shqipe.

“Ne të gjithë jemi të nderuar, edhe unë, edhe ministrat, edhe kabineti qeveritar që sot kemi rastin të jemi tek një shkollë e parë shqipe, burim i diturisë, një vënie e themeleve të gjuhës tonë dhe të shkrimit tonë, të mësimit tonë, që është e rëndësisë themelore. Ne mburremi me të gjithë patriotët tanë që kanë punuar, që i kanë dhënë frymë kësaj shkolle. Ne pamë brenda edhe figura historike të cilat kanë quar përpara gjenerata të tëra, të cilat kanë bajt dhe frymën shqipe dhe vullnetin tonë për liri. Prandaj, edhe për ne sot është një frymëzim i veçantë që të jemi këtu të vizitojmë këtë tempull të diturisë, tempull të fesë, dhe tempull të bashkësisë sonë, sepse të gjitha këto objekte, këta tempuj na bëjnë bashkë, na frymëzojnë dhe na çojnë përpara”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

Don Albert Jakaj falënderoi kryeministrin për vizitën.

“Stublla mburret me mësuesin e  parë të gjuhës shqipe, të Dom Mikel Tarabulluzit. Stublla si komunitet ka kontribuar shumë, qoftë në rrafshin kishtar, sepse është edhe vendlindja e Ipeshkvit tonë, imzot Dodë Gjergjit, Dom Lush Gjergjit dhe shumë priftërinjve tjerë. Është një fabrikë, një minierë e ashtuquajtur e thirrjeve meshtarake, por ka ndihmuar edhe në rrafshin kombëtar me shkollën e parë shqipe në Kosovë. Prandaj, falënderoj z. kryeministër në emër të komunitetit, në emër të drejtorit të shkollës, në emër të bashkëpunëtorëve, në emër të Stubllës, për kohën që ka gjetur të na vizitoj këtu në Stubëll”, theksoi Jakaj./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: dhe Stubëll, Kosovë-Fshatrat historike Letnicë

Aktori Gjosho Vasia, simbol i vuajtjes, qytetarisë dhe humorit …

May 29, 2016 by dgreca

Komunistët më nxorën prej deret, e unë ju hina prap prej dritares…/

Një shkrim biografik për Gjosho Vasinë/

Nga Pjeter Logoreci-Vjene/

Edhe pse kaloj shumë kohë nga kontakti me familjen e Gjosho Vasisë, për të marrë informacione mbi jeten dhe aktivitetin e tij, për të shkruar këto rreshta biografike, u desht që të „mendohem mirë “. Përsonazhi im, burri i shumë talenteve Gjosho Vasia, përvec madhështisë shpirtërore dhe njerzore, ishte një Titan i humorit të kulturuar shkodran, por edhe atij të zgjedhur shqiptar. Vasia ishte një figurë përfaqësuese e shtresave qytetare e atdhetare që u përndoqën, përfaqësues i lobbyt të humoristëve të talentuar që dolën nga „jeta“. Sic do lexojmë më poshtë, diktatura komuniste, nuk e desht këtë njeri të madh, me vizion dhe u mundua të  ja cungojë gjymtyrët që në rini. Megjithatë, Gjosho-ja, shpesh “luante me zjarrin”, duke ironizuar linjën e kuqe të partisë apo imituar personazhet qesharake të makinerisë së diktaturës.

…me gjithë përndjekjen, arrita të bëj dicka, të jem dikush, e madje arrita të njihem prej të gjithë shqiptarve…. Komunistët njëmije herë më nxorën prej dere, por unë njëmijë herë u futa prej dritares…, ka shkruar humoristi shkodran Gjosho Vasia në kujtimet e jetës së tij.

Gjosho Vasia lindi, në qytetin e Shkodres me 28 tetor 1931, në një familje me tradita të larta atdhetarie e qytetarie. Babai Jaku dhe nëna Angje, patën tre femijë, ndër to dy djem dhe një vajzë.  Rruga Vasiej, ku lindi dhe u rrit artisti, kish marrë emrin e familjes së tij, shtëpia e së cilës ishte nder të parat të ndërtuara në rrugicën pranë katedrales së Shkodres. Krejt lagjja Serreq, pjesë e së cilës ishte dhe rruga Vasiej, ishte qëndra e familjeve qytetare, të cilat i përcollen vlera të papërsëritëshme kulturës shkodrane. Pasi mbaroj mësimet fillore dhe të mesme në shkollën e jezuiteve në Shkoder, në shtator të vitit 1949, duke parë nevojat e kohës për mësues, punësohet si arsimtar në zonat e thella të Mirditës.

Ndër kohë, një ngjarje e padëshëruar ndodhi në Shkoder, ku disa të rinj antikomunist protestuan ndaj veprimeve të policisë sekrete. Sigurimi filloj raprezaljet duke vrarë disa prej tyre. Shumë u burgosën, të tjerët arritën të arratiseshin e ndër to edhe i vëllau i Gjoshos, Lec Vasia.

Pas tre muajsh pune, ndër ditët që priste inspektorin nga seksioni i arsimit, me 23 nëntor 1949, në derën e klasës së mesuesit Gjosho Vasia, trokasin dy policë të cilët “Në emër të Popullit”e arrestojnë atë. Ashtu i lidhur me hekura, mbi një kamion të ngarkuar me gurë, dërgohet në internim në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë, ku fillon kalvari pesë vjecar i mundimeve, i atij që kish lindur artist.

…Tepelena më priti me “krahë-hapët”, kujton Gjosho Vasia. Tremijë të mjerë në atë kamp përqëndrimi, tremijë skelete të dhimbshëm që nxirrnin vaj e ofshama, krizma nofullash e hekurash, ….ndër to fëmijë të stërkeqtë që nuk njohën qumështin e nënës…, u bënë miqtë e mi. …Oh! Tela të hekurta, “burrni” komuniste, poshtërsi që të lindi e të rriti injoranca e kuqe, ti …mur rrethues i këtij kampi shfarosës, rrasë e këtij vorri të pamëshirshëm, perde e zezë e thurur në tezgjahun e djallit, kulshedër me jargë sllavizmi, gjarpër që helmon pafajsinë, …..qofsh mallkue përsa të jetojë padrejtëia në botë….

Por jo vetëm lotë, mundime dhe vdekje në kampin fatkeq të shfarosjes. Aty, Gjosho mundohej që me sharmin e humorin e tij të lindur, tu jepte ngjyra jetës së përditëshme të banorëve. Shpesh, spijunë, informatorë, policë, kapterrë apo personazhe të ndryshëm, bëheshin “frymëzim” i lojrave e humorit të tij. Aty edhe pse në mes vuajtjesh dhe i rrethuar me tela me gjëmba, ai arriti të gjejë dhe “gjysmën tjetër” të tijën, dashurinë e vërtetë, shoqen e jetës Berinën.

Berina, një vajzë fisnike që komunizmi ja mbylli rininë në kampin e Tepelenës, vinte nga familja tiranase me tradita e Kaceleve. Ajo rritej jetime, pasi babai i saj, tregtari Jonuz Osman Kaceli, u asgjësua në vitin 1951 së bashku me një grup intelektualesh të pafajshëm me akuzën e vendosjes së bombës në ambasadën sovjetike. Sipas familjarëve, nuk u vërtetua kurrë nëse Jonuzi u pushkatua, vdiq ndër tortura, u varros i gjallë, apo e hodhën nga dritarja e burgut.

Le të ndjekim përsëri linjën e zhvillimeve të jetës së personazhit tonë Gjosho Vasia, i cili pas 5 vitesh të egra, lirohet nga internimi dhe kthehet në Shkoder. Fillon pa shpresë të kërkojë punë, pasi nga statusi i tij “i internuar” i mbylleshin të gjitha dyert. Për arsye që të mos “kujtoheshin” për internimin, ai detyrohet të deklarojë se kishte qënë ushtar dhe arrin të fillojë punë në Ndërmarjen e Pasurive të Shtetit si ndihmës bojaxhi, ku lyente me gelqere muret e rrugicave të Shkodres.

Gjatë kësaj kohe, Gjosho mëson autodikakt instrumentin e kitarrës dhe fillon të jetë pjesë e ndonjë evenimenti kulturor në qytet. Paraqitet për të parën herë në një skenë të improvizuar amatorësh në qëndër të qytetit, natyrisht i panjohur, me kupletin Plak me Marak të autorit të famshëm Pjeter Gjini. Të mahnitur nga zëri i tij, Gjoshon, fillojnë ta ftojnë në mbremjet e argëtimit  që organizoheshin nga rinia në ndërmarrjet e ndryshme. Suksesi dhe fama e tij në qytet, u bë shkak që ai të humbasë punën si bojaxhi, pasi e njohën dhe e paditën si i internuar e si “element armik”.

Pas një periudhe të veshtirë, në vitin 1957, i propozojnë që të punojë në fermën Perlat Rexhepi në repartin e riparimit të arkave, por me kusht që të drejtojë dhe grupin amator të fermës.

Atë vit, Gjosho i përvishet punës me pasion për të krijuar dhe drejtuar grupin artistik të ndërmarrjes dhe paraqitet me sukses në festivalin e estradave, ku arrinë të fitojë cmimin e parë, të cilin e fiton edhe në vitin 1958-tën për të dytin vit radhazi.

Në vjeshtën e vitit 1958, artitsti ynë Gjosho Vasia, thirret ushtar dhe dërgohet në një repart pune në fshatin Bubullimë të Lushnjës. Në repart, ai krijon një grup artistik duke aktivizuar dhe civile nga zonat për rreth e ndër to edhe këngëtaren e re Vace Zela. Në këtë periudhë, përvec se drejtues grupi, atij i duhet të shkruaj tekstet, të aktroje dhe të shoqërojë me kitarrë këngët e repertorit.

Pas viteve 1960, ai ishte shumë aktiv në skenë dhe arrin të bëhët një humorist i njohur dhe mjaft popullor. Bëhet mjeshtër i interpretimit të skeceve humoristike, i parodisë, prezantues i pashoq, por fillon të njihet dhe si bejtexhi duke i dhënë dasmave dhe festave familjare një kënaqësi të papërshkruar. Sic pohon ai vetë: ….vargun popullor shkodran (Bejten) pata fatin ta dëgjoj qysh fëmijë nga gaztori i madh Zef Hile Gega.  Vargu tetërrokësh, AB- AB ose rrima, u përdor shumë në Shkoder prej Osos së Falltores, Hilës së Files, Kasem Xhurrit, Tuk Vasisë e mikut tim Pjeter Gjinit….

Njihen duelet në bejtë të Gjoshos me talente të tjerë të humorit si Pjeter Gjinin, Mergim Muhjen, Muharrem Nurjen, Gjok Vatën, Njazi Burginë, Mark Kaftallin e me kushrinjtë e tij Simon e Kolec Pepa.

Duke shfletuar shënimet e Gjoshos, lexoj që në vitin 1962, punësohet si punëtor, në Fabrikën e Cingareve të Shkodres, ku i kërkohet të krijojë grupin artistik, i cili u bë shumë i njohur për humorin dhe lojën e mrekullueshme të aktorve. Aktorët Gjosho Vasia, Muharrem Nurja dhe Gëzim Kruja,  që ishin themeli i grupit, si dhe këngëtarët Fatmira Puka, Gjokë Vata, Tonin Tërshana, njiheshin në të gjithë republikën.

Në vitin 1967, Gjosho-ja krijon grupin shumë të njohur të Hidrocentralit të Vau Dejës me të cilin del në turne në të gjithë republiken. Bashkëpunon me aktorin brilant Zef Deda duke u bërë dyshja me simpatike e skenave të humorit shqiptar. Një vit më vonë, në 1968-tën, Gjosho dhe grupi i tij i hidrocentralit nderohet me Flamurin e Festivalit të Estradave të Ndërmarrjeve si dhe merr Medaljen e Artë në takimin e estradave profesioniste në Tiranë. Gjatë kësaj kohe, Gjosho Vasia, arrin të shpalosë të gjithë talentin e tij të shumëanshëm. Ai ishte autor, rregjisor, poet, kompozitor,  parodist, prezantues, imitues. Ai lot në kitarrë,  por edhe imiton me goje vegla të ndryshme muzikore si dhe zëra përsonazhesh të ndryshëm. Në një aktivitet të dendur artistik, humoristi Gjosho Vasia dallohet për ironinë dhe realizimin me mjeshtri të figurave “problematike” për shoqërinë e kohës. Ai sjell në skenë, me një interpretimi brilant, një galerie rolesh si :…  të kopracit, dembelit, hajdutit, matrapazit, rrencakut, burokratit, mendjemadhit, punëtorit pararoje, fshatarit medioker…

 

Po ashtu është shumë aktiv së bashku me humoristin Zef Deda në TVSH, në programet e ndryshme, që nga ai i fëmijëve deri në formatet e mëdha  të vitit të ri që organizonte radiotelevizioni.

Në vitet 1970 – 74, kur arti dhe kultura pat një “fllad” të lehtë modernizimi dhe demokratizimi, Gjoshon e pranojnë si aktor profesionist në Estradën e Shkodres. Kjo ëndërr nuk i zgjatë shumë, pasi fillon fushata e “ashpërsimit të luftës së klasave” me pleniumet e radhës. Ai e kupton që duhet të largohet nga ky institucion që ishte nën kontrollin e rreptë të partisë dhe jep dorëheqjen, ….“që ma pranuan me gjithë qejf”, tregonte ai.

Aktori Gjosho Vasia, me personalitetin e talentin e tij të pashoq, u ndi mirë gjatë interpretimeve në skenën profesioniste, por duhet përmendë që përjetoj edhe momente të vështira nën trusninë e disa “kolegëve me parti” të cilët e sulmonin për “hijet në biografi”. Pat ndonjë aktor të “famshëm” të estradës, që për xhelozi profesionale apo servilizëm partiak të devotshëm, kërkonte viktimën te Gjosho Vasia.

…Une kam dy Gjosho mbrenda meje, i shprehej aktori miqve të afërt, …Gjoshon që flet, qesh e këndon, hin e del nëpër skena…e Gjoshon që hap gojën vesh më vesh, por ka zemrën që i kjan me lot gjakut…

Pas statusit të “profesionistit” në teatër, ai fillon punën në Uzinën e Telave në Shkoder me statusin e përditshëm “të punëtorit”. Në të vertetë, në organike figuronte si punëtor, por krijoj dhe drejtoj grupin artistik nga ku sfidoj me profesionalizëm shumë artistë të mëdhej të skenës. Ai arrinë të zërë vendin e tij të respektuar në plejaden e humoristëve më të permendur shqiptar, si dhe të fitojë respektin dhe miqësine e tyre. Aktorët të cilët e njohën atë nga afër si P. Preka, S. Sallaku, Z. Deda, F. Hasa, A. Prodani….etj. janë shprehur me superlativa për Gjosho Vasinë njeri dhe aktor.

Ndërsa në lagjen e tij, Gjoshon e mbajnë mend për kanconetat italiane që këndonte sidomos kur mblidhte miqtë për të pjekur rakinë. Komshitë cuditeshin me aftesitë e Gjoshos për të bërë të gjitha zanatet. Në rindërtimin e shtëpisë së tij, falë një fiziku prej sportisti, ai bëri hamallin, muratorin, karpentierin, marangozin, bojaxhinë e mekanikun. Gjosho njihet edhe si kompozitor i disa këngëve të muzikës së lehtë e për fëmijë të cilat shpesh i këndonte në mes miqve e shokëve. Ai është autori i këngës se njohur “Unë dhe Kombinoshet”, të cilën pasi nuk ja pranuan në festivalin e fëmijëve në Shkoder, fitoj cmimin e parë në festivalin kombëtar të pionierve në Tiranë.

Por Gjosho ishte dhe sportist i mirë. Ai garoj disa herë në garat e atletikës ne disiplinen “kërcim së larti”, duke pasë rezultate të shkëlqyeshme e duke marrë vendet e para. Në kampionatin rinor kombëtar të atletikës në vitin 1949, shpallet i dyti në kërcim së larti si dhe në  Spartakiaden e parë Kombëtare të vitit 1959 në Tiranë, ai shpallet kampion i kërcimit së larti. Falë këmbënguljes së B. Dizdarit e F. Bilalit, ai ishte aktiv edhe me ekipin e Vllaznisë, ku stervitej tre herë në javë në stadium  dhe njihej si kampion lokal i kërcimit së larti.

Në vitin 1990, kur filluan levizjevet për demokraci, Gjosho Vasia kërcënohet me burg nga një instruktor i partisë së Shkodres, pasi kishte “Llapen e Madhe” e bënte “agjitacion e propagandë”, “tallej” me partinë…. Në këto rrethana, ai vendosë gjënë më sublime, të arratiset prej atdheut.

Pasi shet cdo gjë që i perkiste trashëgimisë 300 vjecare të familjes Vasia, blen dy bileta avioni dhe fluturon për në  Kanada. Por atje nuk ndjehet mirë dhe vendosë të jetojë në qytetin e  Triestes deri sa vdes me 21 nëntor 2013. Më vonë,  emri i tij, Gjovalin Jak Vasia u gjet ndër listat  zeza të ministrisë së mbrendëshe me numrin 40, së bashku me shumë të tjerë të pregaditur për tu eleminuar në rast raprezaljesh.

Në vitet e demokracisë, në nëntor të 2008-ës, Gjosho Vasia u vlerësua nga këshilli bashkiak në Shkoder me titullin MIRENJOHJA E  QYTETIT dhe  me 16.3.2010 u vlerësua nga Presidenti Republikës Bamir Topi me urdhërin MJESHTER I MADH me një motivacionin që është rezultantja e jetës së tij:

…Talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që, falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti ti rezistojë me fisnikëri përndjekjes së eger të diktatures komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve në të gjithë vendin. …

 

 

Vjene, me 23.5.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Aktori Gjosho Vasia, qytetarisë dhe humorit ..., simbol i vuajtjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT