Te zgjedhurit e De Biasit kanë arritë që ta fitojnë miqësoren me Katarin me rezultatin 3-1 në ndeshjen e së Dielës 29 Maj 2016.Në një ndeshje ku spikatën cilësitë individuale të shënuesve, por që zbuloi defekte në mbrojtje, Shqipëria ka arritur të kalojë më sukses testin e radhës gjatë fazës përgatitore para startimit të Francë 2016 duke mundur Katarin me rezultatin 3-1.
Kombëtarja kuqezi ka pësuar një gol të shpejtë, pasi pa kaluar minuta e dytë Abdelkarim Hassan ka kaluar në avantazh Katarin. Por avantazhi i tyre nuk ka mundur të zgjasë më tepër se 20 minuta, pasi në minutën e 23-të Arlind Ajeti ka barazuar shifrat.
Mbrojtësi kuqezi ka shfrytëzuar mjaft mirë krosin e dhënë nga Migjen Basha nga goditja e këndit dhe me anë të një goditjeje me këmbën e djathtë ka barazuar shifrat.
17 minuta më vonë Lenjani ka shfrytëzuar një dalje të gabuar të portierit të Katarit dhe me një lëvizje të mirë brenda zone e ka çuar topin në rrjetë. Armando Sadiku shënoi një supergol nga 20 metra distancë për kuqezinjtë në minutën e 54-t.