• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Kosovë-KFOR: Detashmenti i përbashkët rajonal i jug-ut, me shtëpi të re fushore

May 1, 2016 by dgreca

GJILAN, 30 Prill 2016-B.Jashari/.-Në Kosovë, komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Guglielmo Luigi Miglietta, udhëhoqi ceremoninë e hapjes së Shtëpisë së re Fushore për LMT (Ekipin Monitorues e Ndërlidhës), nën komandën Turke me seli në Gjilan. Në ceremoni ishte e pranishme edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliҫ, si dhe kryetari i komunës, Lufti Haziri.

Njoftimi i dërguar sot thekson se, prania e tashme e KFOR-it përfshinë dy Grupe Luftuese Shumëkombëshe (MNBG) dhe tre Detaçmente të Përbashkëta Regjionale (JRD) të cilat mbulojnë zona të ndryshme: shtabi i MNBG-Lindje në Ferizaj në kampin ‘Bondsteel’, shtabi i MNBG-Perëndim në Pejë në kampin ‘Villagio Italia’, shtabi i JRD-Veri në Novosellë në kampin ‘Marechal de Lattre de Tassigny’, shtabi i JRD-Qendër në Prishtinë kampi ‘Film City’, dhe shtabi i JRD-Jug në Prizren në kampin ‘Sultan Murat’.

JRD-të, të cilat operojnë me asete jo-kinetike të emërtuara Ekipe Monitoruese e Ndërlidhëse (LMT), i sigurojnë KFOR-it ‘njoftimin me situatën’, përmes aktiviteteve ndërlidhëse me institucionet lokale, organizatat ndërkombëtare dhe në veçanti me popullsinë vendore, ashtu që ato realizojnë aktivitete të përditshme monitorimi me qëllim të matjes së ‘pulsit’ të situatës ekonomike, sociale dhe politike. 

Për KFOR-in, vazhdimi i operimit të këtyre LMT-ve mbetet faktor i rëndësishëm i cili mundëson angazhimin me popullsinë vendore, gjë që rritë dhe përforcon tutje imazhin tanimë shumë pozitiv të KFOR-it, pasi që ata bashkëveprojnë me popullin e Kosovës si dhe njëkohësisht zhvillojnë dhe nxisin kredibilitetin e KFOR-it në mesin e popullsisë vendore.

***

JOINT REGIONAL DETACHMENT SOUTH – NEW FIELD HOUSE

 

GJILAN, Kosovo. This afternoon, KFOR Commander, Major General Guglielmo Luigi Miglietta, presided over the opening of a new Field House for the LMT, under Turkish Command, based at Gjilan.  Also present at the ceremony was the Turkish Ambassador, H.E. Mrs. Kivilcim Kiliҫ, and the Mayor of the municipality, Mr. Lufti Haziri.

The current KFOR posture includes two Multinational Battle Groups (MNBGs) and three Joint Regional Detachments (JRDs), covering different areas: MNBG-East HQ in Urosevac, at “Camp Bondsteel”, MNBG-West HQ in Pec, at “Camp Villaggio Italia”, JRD-North HQ in Novo Selo, at “Camp Marechal de Lattre de Tassigny”, JRD-Centre HQ in Pristina, at “Camp Film City”, and JRD-South HQ in Prizren, at “Camp Sultan Murat”.

The JRDs, operating with non-kinetic assets named Liaison and Monitoring Teams (LMTs), provide KFOR with a ‘situational awareness’, through a liaison activity with the local institutions, International Organizations and especially with the local population.  They conduct daily monitoring activities in order to get the ‘pulse’ of economic, social and the political situation.

For KFOR the continued operation of these LMTs remains a key enabler to engage with the local population, thereby further enhancing and reinforcing the already very positive image of KFOR as they interface with the people of Kosovo and, allied to this, to develop and foster the credibility of KFOR amongst the local populace.

Filed Under: Kronike Tagged With: Detashmenti i përbashkët rajonal i jug-ut, Kosovë-KFOR:, me shtepi, të re fushore

NJE LETER NGA DALAN LUZAJ NE CIKAGO, PERGJIGJIA, DHE SHUME MESAZHE PER JETEN

May 1, 2016 by dgreca

Nga Duro Mustafai/

Ne fillimin e punes sime si mesues, në shkollën e Ujit e Ftohtë të Vlores, Dalan Luzajn, tashmë poet e autor i disa librave me vlerë,e pata nxënës, madje një nga nxënësit,që mbahet mend për zgjuarsi e përparim shëmbëllor..Sapo kisha filluar detyren e drejtorit te shkolles, (qe kishte edhe nje konvikt me nxenes te shkolles se mesme ). Ne shkolle, jepja   lenden e gjuhes dhe te letersise, ku Dalani dhe shoku i tij, Mexhit Haxhiu  dalloheshin edhe per hartimet e tyre ,me shije letrare.Në ato vite, ( 1957-1958 ), familja  e Dalanit, si edhe ajo e Mexhitit, renditeshin  nder ato “reaksionaret” e te “deklasuarat”, me te arratisur jashte shtetit.. Ishte arratisur nga Shqipëria edhe babai i Mexhitit , si dhe i Dalanit, Isuf Luzaj, një profesor e figurë e njohur nacionalistësh, që në botën përëndimore , vlerërohej si  figure e madhe, profesor e filozof e publicist me emër. Po unë , s’dija asgjë nga biografia e vërtetë e  këtij njeriu që, në vitet, që do të vinin, presidenti i SHBA-së, Regan, do ta shpallte, në një ceremoni  solemne : “Profesor i Amerikës”. Dija vetëm atë që shikoja çdo ditë se Dalani, kish zënë vend në zëmrën time, si nxenes i shkelqyer ne mesime e me sjellje shembellore.. Vetëm pas viteve 9O-te, Dalani, që i jati e kish lënë foshnje, do të takohej me të jatin, në moshën e tij të një burri. Dhe, prej 2O vjetësh ai jeton me familjen, në Cikago të Amerikës.. Që prej andej , ai më dergoi disa libra me poezi. Ne qëndër të tyre është Vlora e tij me Ujin e Ftoihtë. Janë libra të mbrekullueshëm, që ja vlejnë të lexohen nga të gjithë. Dalani s’më kish harruar, se pas atyre librave të tij, do më dërgonte edhe një letër, befasuese, që kurrë se kisha pritur, po  unë nuk e kisha harruar atë, nxënësin tim..

LETRA :

I nderuar  Z. D.  Mustafai.

Ju pershendes nga Cikagua e ftohte veriore, por me  ngrohtesine e gjirit vlonjat.

Si mesonjes ruaj pershtypjet me te mira, ne shkollen  shtatevjecare ne  Konviktin e ujiftohtit, Vlore.

Te çmoj  si njeri te mirë .

Të pëlqej gjer në adhurim poezinë  dhe prozën e kulluar, por mbi të gjitha   patriotizmin që ke në gjak.

Të kujtojmë  me Luan Çipin me dashuri dhe konsideratë.

Të premtoj se kur të vij Tiranë, do  ta pijmë një kafe sëbashku që të bisedojmë e çmallemi.”

 Te dua  dhe te çmoj për vlerat qe ke,

Vllazerisht :

Dalan Luzaj

Pas kësaj ai do më dërgonte edhe disa letra të tjera, për kujtimet që ruante nga shkolla e Ujiot të Ftohtë të Vlorës dhe mësuesi i tij,tashmë i moshuar…

Ato letrat e tij më vinin në mendime.Dalan Luzaj, nje djale i zgjuar e talentuar, mund te kish marre rrugen e letersise e me kohë do te behej nje nga poetet me te njohur te vendit.Por atij “per cene ne biografi”, nuk iu krijuan kushtet per te vazhduar shkollen e larte. Dhe pse ndodhi keshtu, thelle ne ndergjegjen time, sa here qe e kujtoja,ndjeja nje trishtim. Po ajo letra e tij e parë,  bashke me gezimin, do ma shtonte dhimbjen e shpirtit, se kishim humbur nje talent, qe me kohe do ishte bere nje  shkrimtar.e poet i njohur ( ndonse edhe tani Dalani ka vëndin e vet të çmuar në letërsi ), ndersa regjimi yne, punoi per tja shuar çdo shpresë. E ketu, pa pasur asnje pergjegjesi personale, nisi te ndjeja edhe une trishtimin per pafuqine qe kisha, te beja diçka per nxenesin tim. Kjo me detyroj ti pergjigjesha letres se tij, me dashurine e prindrit, por edhe te njeriut “fajtor”, për një “faj”, qe s’do ta kisha bere kurre: Ja letra ime :

 DALAN I  IM  I DASHUR :

Të falënderoj për letrat me mesazhet  që më kanë gezuar e prekur shumë..Këto, letra-libra dhe vëllimet tuaja  poetike që i kam lexuar me shumë vëmëndje e kënaqësi, më kanë bërë të bje në mendime, për ato vitet e largëta të  jetës tënde të vështirë e të pamerituar.Dhe po ta them me sinqeritet : “Po unë, ku isha, dhe çfarë bëra, për atë që më quan “mësuesi im i dashur ?”.Ti mos më qorto , Dalan i dashur, në se në këto çaste, kur jam duke të shkruar këto fjalë, më rrjedhin edhe lotë. Janë dëshmi pendimi, autokritike, pafuqie e plogështije ? Ndoshta janë të gjitha ato që ndjej e që s’mund ti mbaj të mbyllura brënda vetes time…Ti ke qen e mbetesh për mua, jo vetëm nxënësi shëmbëllor, por edhe një mësues i pa deklaruar, prej të cilit, në heshtje, e në distancë  kam mësuar. E për këtë nuk më vjen rëndë  ta them, përkundrazi ndjehem krenar.Se, njeriu mëson edhe nga vuajtjet e të tjerëve, mëson sidomos nga ata që ke dashur, kërkon të bësh diçka për ta, por, s’mundet, se përpara i del një mur i hekurt , që kur ti vijë koha do shëmbet. .Po ti Dalan i dashur, dite ta gjeje rrugën, e ndonse me vuajtje, ajo rrugë ishte më e mira.. Dhe unë, sado me vonesë, kam mësuar, edhe nga rruga jote e mundimeve, që të rrezikonte talentin e ndoshta edhe jetën tënde që ishte e shtrenjtë edhe për të tjerët.Ja pse ti, nxënësi im shëmbëllor, në heshtje do të bëheshe edhe mësuesi im.Po të tregoj diçka, ndoshta do të të shërbejë :  Dikur, kur isha nxënës i shkollës normale të Elbasanit, mësuesi im i letërsisë, Besm Qorri, që kish mbaruar studimet në perëndim, na pat treguar, se Derzhavini, poeti i madh i Rusisë, kur dëgjoi poezinë e Pushkinit “Në Carskoje Sello”, u ngrit nga tribuna e nderit, e përqafoi Pushkinin dhe përpara nje auditori të madh, i tha  këto fjalë, që kanë mbetur të famshme: “Të uroj suksese, unë, mësuesi i mundur, nxënësit fitimtar”. Këto fjalë,po i them edhe për ty .Natyrisht, unë nuk jam Derzhavini dhe ti Pushkini. .Por mos u çudit, historia  përsëritet edhe në rastet e njerzëve, që po i quaj “të thjeshtë”.Dhe, ndjenjat  njerëzore. tranzmetohen , qoftë edhe në forma të ndryshme, nga njëri brez, tek tjetri, nga njëra zëmër, tek tjetra. Kam lexuar me laps në dorë librat e rrallë te babait tend : “Filozofia e bukurisë“ dhe „Refleksione filozofike“ e ndonje tjetër, përgatitur për botim nga miku ynë Xhevat Beqaraj, dhe i kam thënë vetes: Isuf Luzaj, sa i madh ka qënë ky burrë ! Dhe njeriu i famshëm qënka nga Kanina, vëndlindja e nënës sime, por sa keq, mua ma kanë fshehur për dekada të tëra.Më kanë fshehur diellin që te ngroh zëmrën, filozofin, që të dritëron mëndjen. Por, dielli përsëri lind dhe dita përsëri agon.Tani mëndoj, që kur djemtë ndekin rrugën e baballarëve, si në rastin e  Dalanit, madhështia e tyre rritet dhe bëhet e  pavdekshme ndër brezat..

I dashur Dalan, kam biseduar për ty shpesh me mikun tim të pa zëvëndësueshëm, Luan Çipin, njërin nga burrat e mënçem e të kulturuar vlonjato-gjirokastrit. Ka kohë që atë se shohim te Restorant “Vlora’ ( se ka shkuar me pushiume ne Vlore ), dhe mua më ka ikur një pjesë e mirë e frymëzimit  për te shkruar, e ndoshta për të treguar edhe ty ndonje gje interesante nga jeta e këtushme….Por le ta lëmë këtë, kur të vish në Tiranë, siç me ke premtuar. Një kafe me Dalanin e Luanin, një det i madh kujtimesh e ndoshta edhe fillesa e ndonjë poezie e libri të ri. Krijuesit gjithënjë  endërrojne.

Të fala , me shumë dashuri gruas e fëmijeve, të përqafoj me mallin dhe respketin e viteve që na kanë munguar..

I yti: Duro Mustafai     -Tiranë

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE SHUME MESAZHE, Duro Mustafaj, NJE LETER NGA DALAN LUZAJ NE CIKAGO

SHËN MËRIA E URËS SË GORICËS – SHENJTORJA E DYTË

May 1, 2016 by dgreca

BERATI DHE TRIDHJETË E NJË APOSTUJT E TIJ/
Tridhjetë e një ese nga Xh.Ll./
 SHËN MËRIA E URËS SË GORICËS – SHENJTORJA E DYTË/
Ese nga Xhevair Lleshi/
 Do të vinte një kohë kur dashamirësit e etur të historisë do të lexonin Aleksudhin dhe do të bindeshin se ai ka lënë dokumente, shkrime e refleksione për të gjithë zotërimin e tij peshkopal, domethënë për Shqipërinë e jugut. Kishat e Beratit ishin ngritur që në Mesjetën e Hershme dhe ajo, e prishura e madhe, e rrënuara nga fashistët italianë, Shën Mëria e Urës së Goricës, aty ku banorët kanë gjetur një mundësi fasade në faqen e patëkeq të shkëmbit të Kalasë dhe hedhin për shpirt pará. Mbrojnë shpirtin e tyre dhe shpirtin e të humburve, të atyre që fizikisht nuk jetojnë më. Nuk e bëjnë për spektakë­l por pse të mos themi se prania e fasadës murale mbi shkëmb e ka bërë njëfarësoj punën e vet. E kam parë me vëmendje, kam studiuar fotot e kishës-katedrale të shekujve të mëparshëm, kam njohur kishat bizantine të Beratit dhe jam bindur se themelet e para i takojnë shek. XI, pastaj ka njohur dy rrënime: një në shek. XVI dhe tjetri në shek. XX prej italianëve që shpikën rrugën për të hyrë në qytet e për ta bërë mos më keq atë që edhe e bënë: shfarosjen. Si nuk e dëgjuan zërin e arkitektit italian që u sugjeroi katër rrugë të ndryshme për ta shpëtuar kishën e madhe? E pra do të ishte zgjerimi i rrugës me hark përmbi lumë: aty në ngushticë; e dyta të ndërtonin një tunel me hark brenda shkëmbit, pa e cenuar kishën,; e treta një tunel tjetër që do çante shkëmbin me një tërthore që futej nën kodër para kishës dhe do të dilte te parku «Dëshmorët e Kombit«, domethënë te Varreza e dëshmorëve sot. Edhe në këtë rast kisha nuk cenohej; rruga e tretë do të ishte një urë përmbi kishë, në harkun e së cilës do të kalonin makinat, kurse këmbësorët e kishin të zgjidhur, sepse do të kalonin gjithnjë para urës dhe para kishës. Arkitekti italian, i frymëzuar nga një kumt i madhërishëm qiellor, ishte po ai që bëri bllokun e ndërtesave nga kolonat, Muzeun Arkeologjik (QSA), Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin e Arteve dhe Stadiumin «Qemal Stafa». Pikërisht atë stadium që sot janë gati t’i vënë kazmën në emër të modernitetit! Pikë e zezë! Ai ansambël sigurisht duhet ruajtur. Me çdo kusht, sepse është një e tërë. Për të mos i ngatërruar gjërat unë mora emërtimet e reja, kuptohet. E pra, ja ku erdhëm te pika kritike: mendjet e nxehta bëjnë hatanë, ashtu sikundër fashistët nuk zgjodhën asnjë nga katër rrugët për të shpëtuar kishën e Shën Mërisë, por i vunë tritolin dhe kazmën. Dhe ashtu si e trashëgoi nga lufta, ashtu u dreqos puna edhe më tej. Rruga vazhdimisht u zgjerua në dëm të shkëmbit që mbante në gjirin e vetë katedralen e vjetër…
Mirëpo kanë ardhur kohë të reja. Sido që të jetë kisha do bëhet, dhe kjo të ngjall shpresë, shpresë dhe vetëm shpresë, por kërkohet pak durim, sepse projekti i katedrales do ribërë sipas fotove ballore, ajrore, anësore, dëshmive të arkitekturës së botuar në «Kishat e Shqipërisë» nga Aleksandër Meksi. Në letër kjo duket si një çështje e zgjidhur, madje dhe shumë e thjeshtë, e dëshirueshme, e etur për t’u bërë, sepse ky është qytet i UNESKO-s dhe ne kemi me se mburremi, edhe sikur tërë energjitë shqiptare të harxhohen drejt Beratit, pa lënë pasdore asgjë tjetër nga trashëgimia, po aq me vlerë dhe po aq të rëndësishme për t’ia treguar botës rrënjët tona! Por ç’ndodh? E para as vetë Kisha, mitropolia e Beratit tonë të shtrenjtë, nuk e ka shtruar qoftë dhe një herë këtë problem, e dyta Bashkia nuk e di fare se ç’është katedralja e vjetër dhe as e ka në hesap, ndërsa të mençurit e mëdhenj heshtin të mbytur nga pluhuri i indiferentizmit. E dini pse ndodh kjo? Ndodh sepse kemi mjaft gjëra nëpër duar dhe s’dimë kujt t’i japim përparësi. Ja, pse! Mirëpo unë dua t’u jap, miqtë e mi, një shembull të thjeshtë, i cili, edhe pse s’ka lidhje me Beratin, është këmborë që bie për të! Arqile Bërxholi, profesor i nderuar në pension, ringriti edhe njëherë kishën Shën e Prëmtes në Këllëz (Lunxhëri), duke i përballuar vetë të gjitha shpenzimet. TË GJITHA! Dhe nuk është pasunar, por futi në punë kursimet e familjes, durimin e vajzave e të dhëndurëve, dëshirën e papërmbajtur të nipave e mbesave! Dhe kisha në Dhoksat u ngrit. E kur e pyet profesorin të thotë duke u përmbajtur se kisha u ndërtua me ndihmën e jashtëzakonshme të banorëve dhe të ish-kryetarit të komunës Ilia Kuro! Po mirë, nënteksti është i qashtër: banorët e Beratit, të gjithë, të krishterë e myslimanë, e duan ringritjen e katedrales së tyre me emër dhe mundësia për ta bërë këtë është krejt e mundshme. Aq më tepër që rrugët për ta shmangur kishën janë të katra, njëra më e bukur se tjetra. Më e mira prej tyre është tuneli me hark që del menjëherë pas kishës. Hyn, kur je duke dalë nga qendra e Beratit, para kishës, në xhepin e krijuar vetë nga natyra dhe me hark nëntokësor del atje ku mbaron kisha. Pjesa tjetër i takon vullnetit të njerëzve. Për fat aty askush nuk ka ngritur një shtëpi, si ka ndodhur rëndom edhe në lagjet jomuzeale të Beratit. (Madje edhe në ato muzeale! Zot na ruaj nga ky krim i epërm!) Dikush më thoshte pa tepri se këto gjëra janë rralluar, por si gjithnjë fajin e kanë politikanët. Po, kështu them edhe unë, megjithëse kjo frazë është bërë bozë! E kam fjalën për politikanët e të gjithë ngjyrave dhe llojeve. Si, more, askush që erdhi në Berat nuk tha qoftë edhe një fjalë për këta shenjtorë të mëdhenj, sepse të gjithë e dinë se aty ka qenë murgada, shkolla mesjetare ku mësonin njerëzit, pastaj sërish të gjithë e dinë se ajo ka qenë kishë e të vobektëve. Ja, mund t’ju tregoj se në mbrëmjen e maturës sonë, në shëtitjen e gjatë nga Burimi deri tek Ura e Goricës, ne vajtëm dhe lamë pare nga fukarallëku ynë prej të rinjsh dhe këto i bëmë për shpirt na ndihtë! Mendo, unë i kam parë kolegët e mi, të krishterë dhe myslimanë që edhe vitet pas prishjes fatale me fenë, njerëzit ndalnin aty, mbanin këmbët, lartësonin shpirtin dhe hidhnin të tepërtat… E dinin që aty do t’i gjenin ato pare të varfrit e mjerë dhe fukaraja e ka me të tepërt shpirtin e madh, bujarinë dhe revoltën. Ky qorrsokak i bukur i tyre s’ka sjellë asnjë pështjellim, për dhunë s’bëhet fjalë, as për kaos, ndonëse te bishti i Urës së Goricës më 1997 kishte qëndruar dhe bënte roje, si postbllok kryeneçësie për të kaluar në revistë nderi qytetarët! E bukur ka qenë parada e atij viti!… 
Po kjo shkresë? – do të pyeste një miku im. Kujt i duhet kjo shkresë? Paratë për kishën mund të mblidhen fare mirë, edhe paratë për mënjanimin e rrugës, për tunelin me hark e kam fjalën, mund t’i mbledhim me fb. Tani ka plasur kjo mënyrë e sinqertë për të shpëtuar njerëzit e jo më shenjtëritë e tyre, monumentet e lashta. Ah, po është fjala për lejen e ndërtimit, nuk e ke kuptuar? Ja, përse duhet shkresa! Sepse së pari duhet ta kuptojë kryetari i bashkisë, megjithëse thonë se e ka pak të vështirë për ta kuptuar. Por, mik i dashur, ka edhe mjaft të tjerë që ndoshta s’e kuptojnë. Se do mbushur mendja e KKT që varet nga kryeministri, ndonëse të themi hakun këshilltarët e tij arkitektë kanë zotësi shprehimore dhe vizatuese. Të paktën kanë dhënë shenja të mbara. Por, ku zë besë ariu? E shikoni si vjen puna? Jemi rehat, ç’na duhet ta ngasim arën me tre qe! Ne edhe me dy e nuk e ngasim dot, se thjesht përtojmë! Po më tej? Më thoshte njëherë i madhi Vehxhi Buaraja, kur po shëtisnim në parkun «Dëshmorët e Kombit» bashkë me të vyerin Ahmet Kondo, se kjo katedrale është prishur si të thuash punë inati, pasi trupat fashiste donin të hynin në qytet me arrogancë ushtarake dhe prepotencë pushtuese. Sikur të luhej një film. Regjisori, domethënë gjenerali, donte që kalonin lirshëm në qytet. Me sa duket punë besëtytnie. Dhe ia arritën, pa pyetur as për arkitektë dhe as për vendas. Qytetarët e mbanin kokën dy herë ulur: e para pushtimi dhe e dyta rrënimi i kishës-katedrale, e simbolit të tyre. Do të ishte gjë e çmuar jeta e saj prej shenjtoreje. Sepse vend i shenjtë është edhe sot, por mungon i shenjtëruari dhe ky është jo muri dhe fasada po gjithë ngrehina madhështore, ashtu se e projekton vërtet mendja e njeriut të shëndetshëm. Dhe mos harroni, nuk është shpella e Memecit të Dines që dilte në bulevard me dyzet langonjtë e tij për t’i dhënë mend njerëzisë me ato ulërima «Aaaaa!». Aleksudhi, mitropoliti që ka lënë histori, duke na përshkruar me rrënjë e degë gjithë hapësirën e sundimit të tij, teksa shkruante në Akropol apo në Katedralen e madhe në Kala, atë që e përndrit emri i madh i Onufrit, ikona e ikonabërësve, legjenda e ikonografisë. S’ka teka mendjelehta, as gjynahe të shpirtëzuara, as rrugë të djallit, as edhe mallkime ogurzeza. Ka vetëm përshpirtje të ndjera, zemërgjera dhe me aq ashk perëndie sa humbet kuptimi i çdo gjëje të mefshët e të gabuar. Njeriu kur lutet nuk humbet asgjë: edhe gjarpri kthen rrugën, i largohet, me sa duket e ndien thellë edhe ajo qenie që lutjes nuk i bëhet dot ballë, ligësitë largohen vetiu dhe vihen për të ecur mbarë. E liga mbetet diku tjetër, por jo ballas, ka frikë. Atëherë le të lutemi ta ngremë këtë shenjtor të ri, me themelet e të vjetrit, aty ku është, mbështetur në shkëmb, se aty pulson zemra. Dhe zemra që pulson në shkëmb s’ka vdekje kurrë. Po ja që tritoli e shembi, ashtu si mund të shembë ky tritol edhe «Qemal Stafën», në vend që ta dekorojë, ta lyejë, ta mirëmbajë, t’ia heqë plasaritjet, rrudhat e ta bëjë dhëndër të qytetërimit. Po gjërat e reja le të ngrihen! Edhe stadiumi i ri le të bëhet në krah të shëtitores së re, në Qytetin e Ri, në Tiranën e shek. XXI. E, pra, miq, ja tek vijmë sërish tek Shpëtimtarja jonë, te Shenjtorja jonë, te Katedralja e Vjetër e Shën Mërisë. Ajo do të ribëhet në këto fillime të shekullit që jetojmë. Sepse edhe kjo ka domethënien e vet. Mendo sa afër rri me Shën Mëhillin! Mendo se është ndërtesa e parë e Mangalemit të madhërishëm dhe puqet me murin si brezare që rrokte muret e kishës-simbol të qytetit. Kisha e udhëtarëve u lante sytë besimtarëve, u jepte shpresë udhëtarëve, priste krahëhapur edhe bujtësit, miqtë që shkelnin në Berat, si kishte përqafuar udhëtarët e mëdhenj, siç kishte marrë në krahë fëmijët, për t’i bërë ballë Shën Spiridonit në Goricë, mureve të bekuar të shtëpive të traditës, engjëllit mbrojtës të Kalasë kur zbrisnin grarí e burra në «tunelin» e mbuluar nga Tabia në Osum, nën strehët e saj, për të mbushur ujë. Dikush nga udhëtarët e mëdhenj e quajti frëngjí të Urës së Goricës dhe ndoshta të tillë e pa kurdoherë edhe Kurt Pasha prandaj dhe ia besoi kurbanin kësaj kishe për të ndërtuar ujëmbajtëset që do të ngjiteshin në Kështjellë… 
Dialogu me Thoma Jançen kishte natyrë tjetër, por m’u desh t’i thosha se ai e kishte kunguar penën me intervistën me Kadarenë, kurse unë do t’i lutesha që ta bekoja penën me gjakun e kësaj kishe. S’ka kërkesë më të hollë, sepse të gjithë andej vijmë, prej atij gjaku jemi. E di pse kemi ardhur ne, pyeste një nga regjisorët e një televizioni, më duket se Marini, po edhe Roland Gjoza po të kishte ardhur, sepse djalë me gjak Berati është, përsëri nuk do ta çmoja aq, sepse më vjen inat që e ka lënë pas dore këtë kishë, katedralen e Shën Mërisë! Dhe kush pa, ai që gjeti dhe i përuroi Shtatë rrugët e mrekullueshme që të çojnë në Mangalem, ai që shkroi elegjinë e famshme të Tavaneve të Beratit. Nuk e harroj dot. Koha, kjo shenjtore e fuqishme dhe zemërgjerë, ajo ka për t’i vënë gurët në vend. Sepse, siç edhe e kam thënë edhe diku tjetër, «treni elektrik» do të ngjitet në katakombet shkallare të ujit të pijshëm nga kisha e re e Shën Mërisë në burgun e Tabies së Kalasë! Dhe sytë, ndërkaq do t’i mbajë aty te sheshi i Shën Mëhillit ku ashensori nuk do të gjejë derman duke ngjitur dhe zbritur njerëz, turistë të huaj e të vendit, që nxitimthi të pushtojnë Kalanë, pikërisht atë Kala që nuk e pushtoi dot Hygo de Syli i anzhuinëve të Napolit, për të zbythur së andejmi bizantinët dhe qytetarët. Te kisha e Shën Mëhillit më bëhet sikur shoh Mim Kumatin që ecte përkulur duke marrë frymë me supa e duke përkëdhelur bllokun e kuq që dilte paksa në xhepin e përparmë të xhaketës prej kadifeje dhe, gjithaq, duke murmuritur një këngë kineze, për ne të tjerët pa kuptim. Kisha vajtur njëherë për të çuar në Shën Mëhill Sokol Prognin, mikun tim aktor, me që vinte nga Alpet dhe kërkonte pa prerë të njihte nga afër Beratin e mistereve. Dhe një nga pesë misteret e mëdha i ruante të fshehura në rrënojat e dhuruara nga fashistët, të cilët donin hapësirë. Mbaj mend që edhe Sokolit dhe Nikolla Lenës ua kam treguar këto mistere që mbartte kjo kishë. Mbi të gjithë ishte guri në shkëmb për ritet e domosdoshme. «Zemra në shkëmb.» E kam dëgjuar edhe nga dr. Ymer Dishnica, e kam lexuar edhe në shënimet e shkruara me ngut prej Xhevdet Dëshnicës, e kam gjetur si frymë edhe te ditari i Eftihim Xhiblatit.  Misteri i dytë ishte klasa ku bëhej mësim, e cila herë bëhej sallë për meshë dhe pastaj shndërrohej në klasë mësimi për të vegjlit. Misteri i tretë ishte kambanorja e veçantë e ardhur nga shqiptarët e Kostandinopojës. Nuk kam gjetur dot shënime të veçanta, por Eftihimi thotë se ajo kishte shkronja dhe një tingull të allasojtë, saqë edhe pse e ndërtuar në ngushticë tingujt i shpërndante edhe drejt Shpiragut edhe drejt Tomorit. Kurse misteri i katërt ishin muret e skalitur brenda faqeve të kishës, të kishin një vendosje të fshehtë të cilën edhe mitropoliti nuk e dinte saktë. Më në fund bën ballë e fshehta e fundit, e pesta, që kishte të bënte me ujin, pusi me shkallë që zbriste nga Kalaja dhe futej deri në buronjat e Osumit. Ky mister përshkruhet nga udhëtarë të asaj kohe, kronikanë osmanë dhe personazhe historikë të qytetit. Thonë se Andrea I Muzaka, gjëmëmadhi i historisë së qytetit dhe të krejt Myzeqesë dhe ç’mbetej nga Dasaretia e dikurshme deri në Kostur, është kunguar dhe ka marrë uratën në këtë kishë të udhëtarëve dhe të miqve të qytetit. 
Këtu e merr fjalën historia, që shkruhet sipas oreksit, histori që e filmojnë regjisorët, duke e aktualizuar në filma sa për të bërë një doku­mentar dhe kaq. Për kë bëhet filmi? Cili televizion do ta ketë porositur vallë? Sikur nuk shkulen nga nervoziteti edhe ata që filmat i kanë lënë pengje në TV shqiptar. 
Ta bënin amerikanët? 
Jo, jo, rusët, se ata kanë marrë përsipër, përmes shoqatash të ortodoksëve kalarinj për të ndërtuar kishat e Kalasë! Dyzet kisha dhe tridhjetë e nëntë shtëpitë e Kalasë!
Vërtet, thua? S’më besohet që të bëjnë detyrat që ka lënë Puzanova, shenjtorja historiane dhe arkeologe ruse që e ka tretur talentin e saj në Berat! 
Ka vend, si jo, përgjigjet një i tretë, teksa kërkonte Kuvendin e Qelqët të Telelkave, diku nga fundi i Mangalemit lindor. Më duket me këtë përcaktim sikur Mangalemi është një kontinent. Pse, nuk e ditkeni që Mangalemi është sa një kontinent?! 
Mos more! Kush?
Po Mangalemi, pra?
Dhe Kalaja, ku mbeti?
Sa ngutesh, more bir, Magalemi një herë, që fillon tek Shën Mëria e Urës së Goricës dhe mbaron te shtëpia e Kom Picinanes! Pastaj Kalaja. A do ngjitemi nga Shën Mëhilli në Tabie me ashensor? Po? Atëherë pse ankoheni!… 
Plakat e jetës do të vijnë në sheshin e ngushtë të kishës për të prerë shiritin kuq e bardhë të përurimit. Se këto vendet e ngushta bëjnë gjëra të mëdha! Ta dini prej meje. Plakat e jetës me nga një dhemb tipik në gojë qeshnin dhe zbulonin floririn e vetëm në gojë për të përtypur gjithë dynjanë…
E fshiva një pikë lot. Nuk thahet më loti tjetër? T’ia vinim flakën njëherë këtij shkëmbi, pa le të digjemi edhe vetë… Punë e madhe fort! Ec e shuaje zjarrin e shkëmbit ku osmanlliu i parë zbriti dhe thirri «Çekbení!» për të njoftuar ushtrinë e madhe të sulltanit që të vinte fshehtas dhe të gjente në gjumë Skënderbeun, ashtu siç e gjeti në të vërtetë. Dhe ky është një nga 999 misteret e pakrahasueshme të Beratit magjik!… 
Unë me besim të plotë po hedh gurin e themelit. Më ndiqni! Amen!
Tiranë, më 29.04.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: – SHENJTORJA E DYTË, SHËN MËRIA E URËS SË GORICËS, Xhevair Lleshi

Faslli Haliti sjell 3 poezi të DUSHKA VERHOVAC në Sofrën e Diellit

May 1, 2016 by dgreca

DUSHKA  VERHOVAC/

  1. KUR NJË FËMIJË VDES/

(Nikolas)

 Kur një fëmijë vdes/

lotët janë të pashtershëm/

çdo ankesë/

dhe vaj/

është tepër i tingullt/

për rropullitë/

në të cilat përgjohej/

kur një fëmijë vdes

ylli nuk bie

por ngrihet edhe më shumë

fluturon i pakthyeshëm

në rrugën e mallkuar

të yjeve.

 

  1. SËRISH

Arrin 

dhe kërkon një strehim

hap gojën

por në horizont për ty

asgjë më

ti e di

ke mbetur

atje

ku doje

pikërisht atje je ti

në çdo frut

në rritje e sipër drita

ju bashkon

por zëri

nuk është më fjalë,

por fije bari e tharë

dhe nuk ka re kalimtare.

 

  1. ASGJËSIM

 

Asgjësimi merr kohën e tij.

Nga e njejta pëlhurë panoline  dhe velenxa

Nga i njejti dru djepi dhe arkivoli.

Nga e njëjta intrigë lumturia dhe hidhërimi.

Nga i njëjti zjarr flaka dhe të hiri.

Në të njëjtën lëkurë e shumëzuar pa fund

etja për jetën dhe dëshira për vdekjen.

 

 Përktheu Faslli Haliti

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: DUSHKA VERHOVAC, Faslli Haliti sjell 3 poezi të, ne sofren e Diellit

Sofra e Diellit- Vasil Çepele i shkruan Bajame Hoxhes

May 1, 2016 by dgreca

Zonje e nderuar, Bajame Hoxha-Çeliku,/

Po ju përcjell disa mbresa te miat nga leximi i perë i krijimeve tuaja poetike.Falemindrit për kenaqsine qe me dhuruat duke i lexuar ato si edhe për mirëkuptimin  e mendimeve modeste te miat.Ne poezine tuaj une pashe origjinalitet si te poezia:/

JETEN/

Eh, kuptojmë dhe ndjejmë njëri tjetrin,/

Po sa para bën, s’ja vlen më, s’ia vlen,/

Kur dashuritë çelin ,/

kërkojnë vetëm pranverë./

Gjeta shpirtin rezistent te poetit te vërtetë dhe bukurine e gjesteve te tij si ne poezite:

EJA ME MERR

S’dimë o miq,  a është mëkat,

Akoma s’e mësuam, mjerisht,

Do të isha një  grua me fat,

të ndiqja, rrahjet e zemrës lirisht.

Si ndoqa kurrë, se i quaja: Mëkat

Dhe kisha frikë nga i tmerrshmi ferr,

Tani, i dua rrahjet e zemrës shtrëngatë,

Tani, i them ferrit: eja më merr!

 

IRENES

Në ato vite të vrara të rinisë tënde

Ti ishe më e bukura Irenë…

Ti ishe…një shkëndijë lirie Irenë….

Ti ishe, një pikë qytetrimi Irenë.

Gjeta nje figuracion poetik te rafinuar:

 

Jam une

Në rast se të rrahurat e zemrës,

Trokasin tek ty pa rreshtur,

Jam unë, që lëviza zemberekun.

Gjeta nje kombinim per tu patur zili te vargut metrik tradicional me vargun e lire:

IKJA

Ike si dielli

apo si hija,

apo si të dyja?

Ike me tjetër,

apo me ëndrrat e mia,

Apo me të dyja?

Në zjarr je me tjetër,

apo me mua,

Apo me të dyja?!

 

ENDERROJ

Eci rrugës, ëndërroj,

më bëhet se fluturoj,

tek ai që dua shkoj…

„Hë, mo hë,pse s’më thua,

pse s’më thua që të dua,

jeta  ime je për mua?!“

Gjeta nje nga poezite me te bukura per dashurine qe kam lexuar ndonjehere:

U ngjita deri tek ty,

dhe e shuajta etjen…

e josha shpirtin ethshëm,

duke të zbërthyer ty,të tërin

thellë…thellë…

Dhe  gjeta rrënjët e tua,

për ti mbjell në qënien time.

Përherë.

Gjeta romantizëm i cili çfaqet aq bukur ne vargun tradicional shqiptar:

Dikur

 Mbetën puthjet varfanjake,

Malli e flladi, nëpër shi,

Puthjet flasin, e zemra ime,

Digjet zjarr, të kërkon ty.

Të kërkon  o syth i bukur,

Se dashuri mban nëpër sy

Bëhu fluturak e unë flutur

Mbi zambakë të flamë të dy.

 

Marrëzi !

Ëndrrën ma vrave ti!.

Rrugëve…

internimeve

Le dashurinë,

Veten tënde

More me vete.

Gjeta shume trishtim te natyrshem:

 Trishtim

Pa ty, jam hiç i hiçit të zi,

Oh,

pa ty!

Gjeta shume revolte te natyrshme. Veçoj poezine per mergimin, nuk ka mergimtar, te çdo kombi apo epoke qe nuk i flet hapur nje dite vendit te vet se perse e flaku ne dhe te huaj:

S’KA SHTRAT PËR MUA NË ATDHEUN TIM

Shumë të desha, edhe të dua

O mëmë, e bukura Shqipëri,

Ti s’më deshe, asnjëherë mua

Më trete, më trete në internim.

Që fëmijë për ty punova,

Fushat ti mbolla me grurë,

Kanale të thella të hapa,

që ty, mos të të mbyste ujë.

 

Myzeqenë ta zbukurova,

Ta qëndisa oh me blerim,

Të tëra shërbimet ti bëra,

Tamam, si një bijë e mirë.

 

Po ti mëmë e mirë, ç’ bëre për bijën,

Në fund  më flake në mërgim,

Dhe dua të vij mikeshë një natë,

S’ka shtrat për mua, në atdheun tim.

 

Dhe se fundi  vjershen “Sikur”:

Sikur pikat e lotit tim

Gjerdane te qene stisur

Te gjitha grate e botës

Me to do kish stolisur

Vasil Çepele përkthyes,Belgjikë.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bajame Hoxhes, Belgjikë, i shkruan, Vasil Çepele përkthyes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT