• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Bronx Borough President Ruben Diaz Jr. dekoron tri gra shqiptare në New York

June 27, 2016 by dgreca

Nga Ludi Metaj/

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, miratuar në vitin 1997 nga OKB, Borough President Ruben Diaz Jr, akordoi me këtë rast Çmimin e Lartë të Meritës për tre gra aktiviste të organizatës së gruas shqiptare – amerikane, The Women’s Organization “Hope & Peace” në New York. Ndarja e Çmimeve u zhvillua gjatë një Ceremonie solemne pranë Monroe College në New York, nën praninë e Zv. Presidentes së Bashkisë në Bronx – New York Znj. Aurelia Greene.

Zonjat e nominuara për Çmimin e Madh të Meritës nga Borough President Ruben Diaz Jr, ishin Rukie Ndreu (pas vdekjes) Drita Çarçani dhe gazetarja Mimoza Dajçi.

Rukie Ndreu (pas vdekjes) ish e persekutuar politike nga regjimi komunist në Shqipëri, internuar familjarisht që në moshë të re për motive politike. Diktatura dënon të vëllanë e saj Elez Hoxha me burgim dhe internon te shoqin Xhafer Ndreun me familje. Në nëntor të vitit 1990 djemtë saj Kastrioti, Shkëzeni, daja i tyre ish i burgosuri politik Elez Hoxha dhe e fejuara e Kastriotit – Nexhmija arratisen në kohën kur Ramiz Alia i kishte kushtuar shumë vemendje vrasjeve në kufi. Rukie Ndreu ishte një grua fisnike me zemër e shpirt të madh, aktiviste pranë Shoqatës së Gruas ish të persekutuar politike në Shqipëri dhe veprimtare e shquar për të drejtat e gruas dhe fëmijëve pranë organizatës së gruas “Hope & Peace” në New York, themeluar nga gazetarja Mimoza Dajçi.

Drita Çarçani, ish e persekutuar dhe e internuar politike nga diktatura komuniste në Shqipëri. Të atin e saj  Tajar Çarçanin në dimrin e vitit 1943 e pushkatojnë pa gjyq me urdhër direkt të Enver Hoxhës , familjes i konfiskojnë pasurinë, i marrin pronat  dhe i internojnë në jug të vendit, në internim Dritës i vdes edhe një vëlla. Pas demokracisë Tajar Çarçanin ish Presidenti Berisha e dekoron me Titullin “Martir i Demokracisë”. Drita Çarçani ka qenë një veprimtare e njohur në Shqipëri për demokracinë, të drejtat e ish të persekutuarve politikë, pjesëmarrëse në grevën e urisë pranë kësaj shoqate dhe aktiviste për të drejtat e gruas në organizatën e gruas The Women’s Organization “Hope & Peace”.

Zonja e tretë nominuar me Çminin e Lartë të Meritës nga Presidenti i Bashkisë Bronx – New York, Z. Ruben Diaz Jr. ishte gazetarja dhe veprimtarja e njohur shqiptare me banin në SHBA, Znj. Mimoza Dajçi. Mimoza ka qenë anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ish Sekretare e Përgjithshme – Dega Tiranë për ish të persekutuarit politikë, themeluese e shoqatës së Grave ish të persekutuara politike të Shqipërisë. Gazetare pranë shoqatës së ish të përndjekurve politike në Tiranë “Përndjekja”, bashkëpunëtore e gazetave “LIria”, “Rilindja Demokratike” etj.

Edhe në SHBA – Mimoza ka themeluar organizaten e gruas shqiptare -amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace” që meret me të drejtat e gruas e fëmijëve, kundër dhunës e trafikimit njerëzor. Mimoza është gazetare dhe publiciste e njohur edhe në shtypin shqiptaro-amerikan në Amerikë. Ka qenë gazetarja e parë e TV Kultura Shqiptare në SHBA dhe gazetës “Tema”. Eshtë aktiviste e palodhur e të drejtave të njeriut, shquhet për humanizëm, veprimtari kulturore e shoqërore. Përveç veprimtarive të shumta që Mimoza ka ndërmarë me organizatën e saj në SHBA, ka qenë edhe dërgimi i ndihmave humanitare  në Shqipëri me rastin e përmbytjeve nëpërmjet Kryqit të Kuq me Znj. Edith Blitzer dhe Z. Aleks Nilaj që drejton shoqatën “Me duar të hapura”.

Temat kryesore në këtë event të rëndësishëm u mbajtën nga Znj. Aurelia Greene, Pastor Que English, Znj. Zera Musliu, Z. Beqir Sina, Znj. Ludmilla Ahmetaj, Znj. Mimoza Dajçi etj. Cermonia u ndoq nga gazetari dhe publicisti i njohur në diasporë Z. Beqir Sina, kumtesa e të cilit u mirëprit dhe duartrokit disa herë nga të pranishmit, dhe nga TV Kultura Shqiptare Z. Adem Belliu. Vlen për tu theksuar kumtesa e publicistit të njohur Z. Beqir Sina, i cili mbajti në këtë ceremoni suksesi një referencë me nivel mjaft të lartë shkecor, historik e social.

Nën pjesëmarjen e konsiderueshme të shqiptarëve moderuan veprimtarinë Znj. Hana Merdita dhe aktori Jualin Gjaci, në mbyllje u shtrua edhe një koktej.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ne New York, Presidenti i Bronxit, Ruben Diaz Jr. dekoron gratë shqiptare

AT GJERGJ FISHTA-POEZI PER SHQYPNINE

June 27, 2016 by dgreca

AT GJERGJ FISHTA/

Poeti ynë kombëtar për Atdheun/*

Shqypnisë/

T’falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!/
I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,
Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue/
Si Leka i Madhi e Skandërbegu i biri/
Kje i Lumi vetë, qi mue m’dërgo ksi hiri/
Për nën qiellë tande t’kthielltë un me u përftue./
Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,/
Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri./
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshumit

Shqypnia

Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t’ tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N’ dorë t’ ktij shndritë për vend t’ të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s’ mund t’ i a shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S’ i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s’ i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t’ fali i Amshueshëm,
Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:
N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.

·        *   *   *

  • Zoti n’qiell e na mbi tokë:

Me gjithkënd vllazën e shokë,

Pa tý lules smi vjen era,

Pa tý pema fryt nuk mbjen:

Mue pa tý nuk mdel prendvera,

Pa tý dielli nuk mshelxen.

Dersá tmundem me ligjrue

E sá gjáll me frymë un jam,

Kurr Shqypni, skam me tharrue,

Edhe nvorr me tpermendë kam.

Atdheut

N’ tý mendoj kúr agon drita,

Kúr bylbyli mallshem kndon,

Ntý mendoj kur soset dita,

Terri boten kúr e mblon.

Veç se tý të shoh un nanderr,

Veç se tý, çuet, tkam nmendim;

Nder tvështira ti mjé qanderr,

Per tý i lehtë mvjen çdo ndeshkim.

Po, edhè hâna do t’ a dijë,

Edhè dielli do t’ két pá

Se për qark ksaj rrokullije,

Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !

  *DERGOI PER DIELLIN: ANTON CEFA

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: AT GJERGJ FISHTA-POEZI, PER SHQYPNINE

Ju lutem, më ktheni një përgjigje, zoti Drejtor?

June 27, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

Para disa ditësh në Tiranë, me nismën e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë dhe Fondacionit “Kondrad Adenauer”, u zhvillua konferenca kombëtare me temë: “In  memoria – Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”, me pjesëmarrjen e Drejtorit të këtij instituti, zotit Bilal Kola, Avokatit të Popullit, zotit Igli Totozani, Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, zotit Blendi Klosi, Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, zotit Erjon Veliaj e të tjerë. Këtë lajm e mësova të nesërmen nëpërmjet njoftimeve në shtypin e përditshëm. Mendova se edhe mua, Kryetar i Shoqatës Antikomunste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, me qendër në Berlin, normalisht duhej të më kishte ardhur një ftesë  gjë, që për asnjë arsye nuk arrij t’i kuptoj, nuk më erdhi.

Para dy ditësh në Shkodër, me nismën e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, u zhvillua një manifestim i të përndjekurve politikë në nderim të 25 vjetorit të vrasjeve në kufi  në vitet 1989-1990, pas daljes së dekretit të Kuvendit të Shqipërisë ku termi “Tentativë arratisje” zëvendësohej me “Kalim të paligjshëm të kufirit” dhe dënohej vetëm me pak vite burg. Në këtë manifestim mori pjesë edhe drejtori i Institutit të Përndjekurve Politikë, zoti Bilal Koli, i cili e mori edhe fjalën dhe foli mbi problemet që, sipas tij, shqetësojnë shtresën që ai përfaqëson.

Duke qenë i pranishëm në këtë manifestim dhe duke dëgjuar kumtesat e mbajtura apo parë pamjet e filmit ku pasqyroheshin emrat e viktimave të këtij genocidi të zhvilluar në prag të përmbysjes së madhe, më dilte para syve pyetja:

  • Kush janë autorët e kësaj masakre? Ku ndodhen ata sot?

Sipas kumtesave të mbajtura pjesa më e madhe e tyre ndodhen në detyra drejtuese në administartën shtetërore dhe atë gjyqësore. Lidhur me sa më sipër dua t’i drejtoj zotit Kola pyetjen e mëposhtme:

  • A do të ngrini ju, si Drejtor i  Institutit  të   Përndjekurve Politikë,  një  padi  kundër

të gjithë këtyre kriminelëve që, duke shkelur ligjin që vetë e miratuan, vranë  një  numër të madh të pafajshmish duke përfshirë edhe gra e fëmijë? Sot shikojmë që gjykatat tona dënojnë të gjithë ata që në kundërshtim me ligjin kryejnë vrasje. Po për vrasësit e viteve 1989-1990 përse nuk zhvillohen gjyqe por, në të kundërt, ngrihen në detyra të larta? Ju lutem më ktheni një përgjigje.

Në konferencën e cituar në fillim të këtij shkrimi, ju zoti Kola shpallët nismën tuaj për domosdoshmërinë e ngritjes së një memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit, nismë që u përkrah nga të gjithë pjesëmarrësit e konferencës. Por ju harruat se kjo, e ashtuquajtura nisma juaj, ka vite që është shtruar, qysh në vitin 2006 me rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, në mbështetje të rezolutave numër 1096 (1996) “Mbi masat për të  çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparshme komuniste totalitare” dhe numër 1481 (2006) “Nevoja për ndëshkimin  ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Madje për këtë ekziston edhe një ligj i miratuar disa vite më parë po nga Kuvendi i Shqipërisë për ngritjen e këtij memoriali. Atëherë si ka mundësi që e paraqisni si një nismën tuaj? Ju lutem më ktheni një përgjigje

.Le të shikojmë edhe disa nga pikat e tjera që përmban kjo rezolutë. Në njerën  prej tyre thuhet për akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq  për arsye politike. Sipas të dhënave zyrtare sot në Shqipëri janë ende mbi 5000 të vrarë që nuk  e kanë një varr ku të afërmit e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule. A keni dëgjuar të jetë aprovuar ndonjëherë ndonjë fond për gjetjen dhe rivarrosjen dinjitoze të tyre. A do të kërkoni ju akordimin e një fondi të tillë? Ju lutem më ktheni një përgjigje.

A do të kërkoni ju dënimin e diktatorit Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi në varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe heqjen  e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij dhe bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist, ashtu siç përmbahet në këtë rezolutë? Ju lutem, më ktheni një përgjigje.

A do të kërkoni rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore?

A do të kërkoni bërjen publike të të gjithë dokumentëve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve?

A do të kërkoni hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara? Për sa më sipër qysh në prill 2015 është miratuar nga kuvendi një i ashtuquajtur ligj për të cilin ju në një intervistë dhënë gazetës “Sot”, më 19 qershor 2015, keni deklaruar se pas një muaji do të bëhet zgjedhja e anëtarëve të autoritetit  për informimin dhe brenda tre muajve duhet të ketë përfunduar procesi i mbledhjes së dokumentave. Ka kaluar më shumë se një vit dhe autoriteti në fjalë ende nuk është zgjedhur dhe si rrjedhojë dhë as procesi i mbledhjes së dokumentave. A do ta kërkoni shkakun e kësaj vonese? Ju lutem, më ktheni një përgjigje.

A do të kërkoni hartimin e një strategjie kombëtare për eliminim e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipari dhe a do të ftoni institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë?

A do të nxisni fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komunsite duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike?

A do të kërkoni organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist? Të gjitha këto janë kërkesa që i përmban rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë. Ju lutem më ktheni një përgjigje.

Hap faqen tuaj ne google dhe lexoj:

“Bilal Kola i ftuar në emisionin Jamais Vu të gazetarit Mustafa Nano në Ora News. (Minuta 48:00- 49:00 në videon e emisionit të plotë Jamais Vu) deklaroi:

 

  • Aspiroj  të  jem  në   Por në mënyrën më kategorike të  mundshme, nëse  do

isha 100 vjet jo një mandat, në mënyrën më  kategorike nuk do të lejoj njeri të  më  përdor  si

pushkë apo si plumb për të bërë maskarada të tilla” tha Bilal Kola

 

            Aspironi të jeni në kuvend? Është e drejta juaj por dua t’ju pyes:

  • Nëpërmjet kujt mendoni të shkoni në kuvend? Këtë të drejtë e  kanë vetëm  partitë

politike. Mos vallë nëpërmjet Partisë Socialiste? Ju lutem më ktheni një përgjigje.

Ju thoni se nuk lejoni njeri t’ju përdorë si pushkë apo si plumb për të bërë maskarada të tilla. Por a e kuptoni se organizimi i një konference si ajo që iniciuat ju ishte një  maskaradë  në kurriz të të përndjekurve politikë?

Këto ishin pyetjet për të cilat ju lutem të më ktheni përgjigje. Në të kundërt do të më vinte keq për mungesën e kurajos tuaj. Ju nuk jeni një njeri çfardo. Keni mbaruar në South Bank në Londër për drejtësi. Keni marrë diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Zotëroni Masterin në të Drejtën Ndërkombëtare Tregëtare nga Universiteti Metropolitan  i Londrës. Keni marrë titullin Doktor Shkencash  nga Universiteti Ndërkombëtar Montgomeri në SHBA. Në këto kushte është i papranueshëm ndryshimi i karakterit tuaj. Rrjedh nga një familje e njohur nacionaliste njëra nga figurat më të shquara të së cilës është edhe gjyshi juaj që ju i mbani emrin. Keni lindur në internim dhe e njhni mirë tmerrin e atyre kampeve.Ndaj nuk ka se si shpjegohet që jeni hedhur në prehërin e së majtës shqiptare. Megjithatë kjo është e drejta juaj që të zgjidhni.

Unë do t’ju lutesha të më ktheni një përgjigje për të gjitha këto.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ju lutem, më ktheni një përgjigje, reshat kripa, zoti Drejtor?

DEGA E VATRËS NË QUEENS-NY PËR KUJTON FAIK KONICËN

June 26, 2016 by dgreca

Queens, New York, 25 Qershor- Të Shtunën me 25 Qershor 2015, në mbrëmje, u mblodh dega e Vatrës në Queens-Nju Jork, nën drejtimin e kryetarit të saj Dr. Skënder Murtezani. I pranishëm ishte edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” Dr. Gjon Buçaj dhe editori i Diellit Dalip Greca. Takimi u organizua në kuadër të Vitit të Faik Konicës, shpallë nga Vatra. Dega e Queensit ishte e para që nisi veprimtaritë që do të kulmojnë në nëntor të këtij viti.

Fillimisht Kryetari i Federatës “Vatra” dr. Gjon Buçaj informoi edhe një herë anëtarësinë e kësaj dege pse Vatra vendosi që këtë vit t’ia kushtojë njërit prej themelusëve të Vatrës, publicistit,shkrimtarit, studuesit, ustait të Gjuhës shqipe, zbulueist të Flamurit Kombëtar, diplomatit Faik Konicës. Dr. Buçaj informoi për mbështetjen që i po i jep Vatra studiuesit Fotaq Andrea për botimin e studimit të tij dhe sjelljen në shqip të dy romaneve të Faik Konicës “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” botuar me pseudonimin Jean de Kroïa (Gjoni i Krujës).Kryetari Buçaj informoi edhe për fushatën që nisi fillimisht në Uster-MA,  nga Thanas Gjika me mbështetjen e grupit “Djemtë e Shën Mërisë” dhe priftit atdhetar Franklin Zdruli në Kishën Orthodokse “FJETJA E SHEN MARISE”. Më pas dr. Buçaj shpalosi qëndrimet e Vatrës për çështjet Kombëtare dhe historinë e saj. Në përgjigje të pyetjes se pse duhet anëtarësuar në Vatër dhe pse duhet ta mbështesim Vatrën, ai tha se mbajtja gjallë e Vatrës është detyrë kombëtare dhe obligim për çfarë kanë bërë vatranët për Kombin. Për 104 vjetë Vatra e Shqiptarëve e të Amerikës ka laujtë rol historik. Dr. Buçaj sqaroi se në Vatër askush nuk duhet të mendojë se vjen për të fituar, jo në Vatër vihet për të dhënë për çështjen Kombëtare. Përfitimi është në aspektin shpirtëror, moral, kush e ndjenë në shpirt se duhet të kontribojë për ta mbajtë gjallë këtë Insititucion Kombëtar që na lanë themeluesit dhe ata që e mbajtën gjallë Vatrën për më shumë se 100 vjet, është i mirëpritur. Kemi hyrë në Shekullin e dytë të jetës së Vatrës, kështu që brezi i tanishëm është përballë provës së historisë për ta çuar përpara Vatrën suksesshëm drejt shekullit tjetër duke ia deleguar kontributin brezit tjetër. Ne që drejtojmë Vatrën, tha dr. Buçaj, nuk jemi të përjetshëm si individë, as në qendër as edhe tek degët. Kuvendin e ardhshëm na takon që të zgjedhim një kryetar tjetër, kjo nuk do të thotë që detyra jonë si drejtues mbaron në këtë Kuvend, jo kontributi vazhdon. Kështu edhe ju me kryetarin tuaj, i cili bënë gjithë ato sakrifica për ta mbajtë gjallë veprimtarinë e degës me gjithë punët e shumta që ka në dy klinika si mjek. Ju duhet që t’i jepni më shumë mbështetje. Por jam i bindur , tha dr. Buçaj se edhe nesër kur të mos jetë kryetar i degës dr. Murtezani do ta vazhdojë aktivitetin në Vatër sepse ai është patriot i përkushtuar.Kjo natyrisht që vlen edhe për degët e tjera; kryetarët duhet t’i drejtojnë degët me frymën vatrane,kolektivisht,si kryesi dege, duke menduar për të ardhmen dhe vazhdimësinë e aktiviteteve, edhe kur ata të mos jenë më kryetarë.

Kryetari Buçaj i falenderoi pjesmarrësit që kishin lënë punët e tyre apo obligimet familjare për të ardhur në këtë takim vatranësh.

Kryetari i degës dr. Murtezani falenderoi Kryetarin e Vatrës dr. Buçajn për informacionin që përcolli dhe e njohu me veprimtaritë e degës së Queensit, e cila frymëm dhe aktivitetin Kombëtar, i ka jetike. Ai përmendi veprimtaritë kryesore që ka organizuar dega e Vatrës në mbështetje edhe të veprimtarive të qendrës.

Më pas dr. Murtezani ekspozoi para pjesmarrsëve jetën dhe veprimtaritë kulmore të Faik Konicës, momentete kryesore jetësore, veprimtarinë publicistike, politike, diplomatike, filozofike dhe kontributi si usta i gjuhës shqipe. Në ekran shfaqeshin thënie të Konicës për Shqipërinë dhe shqiptarët, pjesë nga artikujt e tij, veprat e shkruara, të botuara a të mbetura dorëshkrim etj. Më me detaje u pasqyrua kontributi i Konicës si bashkëthemelues i Vatrës, si botues i Gazetës”Albania”, i Trumpetës së Krujës, dhe Kryeredaktor i Gazetës Dielli. Po ashtu ishte përgatitur një ekstrat i shkurtër në gjuhën angleze për historikun e Vatrës.

Thënie të Faik Konicës të gati para një shekulli mbeten aktuale edhe sot si: “Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: “U-ngjall nga idealistët, U- ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”.- Dielli, 1923.

Takimi u mbyll me emocionet që krijoi poezia e shkruar dhe recituar nga Naim Syla, që i përloti pjesmarrësit.

Si gjithëmon në raste takimesh të degës dr. Murtezani kishte përgatitë një kokteil të thjeshtë për pjesmarrësit.(Korresp. i Diellit)

Filed Under: Vatra Tagged With: Dega e Vatres, FAIK KONICËN, PËR KUJTON

Zamira Pode Hirsch, nga Tirana në Luksemburg

June 26, 2016 by dgreca

Flet Zamira Pode Hirsch  përfaqësuese e Dhomës  të Tregtisë në Tiranës, në  Dhomën e Tregtisë në Luksemburg/

Duke ndihmuar bizneset ndihmohen  të gjithë njerëzit me durim punë  të vazhdueshme dhe shumë dashuri për Shqipërine, atdheun tone të dashur.

  • Ajo udhëhiqet nga një parim që ja përsëriste shpesh babai kur ishte e vogël: “ bukuria e njeriut është thjeshtësia’’.
  • Natyrisht, jeta për të ka qenë shpesh si një xhungël me shumë të papritura, por sa herë që ka hasur në vështirësi, ka kërkuar e ka gjetur mundësi më të mira.

Me sa duket  është pikërisht i aplishkueshëm “tipari i konkurrencës”,  sipas një studimi të një ekonomisti të famshëm amerikan,Michel E.Porter, që thotë:  “Pengesat të çojnë në zbulimin e metodave më efikase dhe krijuese për të dominuar ose për të gjetur zgjedhje të reja inovative”.

Ajo e di mirë që vetëm me punë, me studim, duke minimizuar çdo argëtim nga jeta  private si dhe duke mos thënë kurrë jo, arrihen rezultatet sado që të vështira dhe të largëta që të duken.

Zamira Pode është një vajzë shkodrane; ka lindur dhe ka banuar në qytetin e Shkodres deri në moshën 14 vjeçare. Një familje tipike shkodrane në të cilën  mamaja ishte shumë konservatore, por siç thotë Zamira për fat të mirë babai ishte liberal.

Në moshën 14 vjeçare Zamira  është larguar në Tiranë për të vazhduar shkollën e mesme dhe më vonë studimet universitare në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ku dhe mori diplomën.

Është larguar dy herë nga Shqipëria; hera e parë në vitin 1999 për në Amerikë ku qëndroi gati një vit. U kthye një vit më pas, pak para vdekjes së babait të saj, një dhembje që e shoqëron çdo ditë Zamirën dhe familjen e saj.

 Më vonë Zamira mori  Master në Biznes Ndërkombëtar në Grande Ecole de Paris (Ecole Nationale des Ponts et Chaussees) dhe më pas Doktoraturë në Institutin e Biznesit dhe Shkencave (Business Science Institute) në bashkëpunim me Universitetin Francez Lyon 3 dhe Universitetin Australian në Sydney.

 Është përfaqësuese e Dhomës së Tregtisë në Tiranë, në  Dhomën e Tregtisë në Luksemburg si dhe ish – kërkuese në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare dhe Evropiane në Luksemburg si përfaqësuese për Ballkanin Perëndimor.

Pavarësisht titujve që mban, Zamirën e dallon thjeshtësia, respekti dhe fjala e ngrohtë për të gjithë.

Ka publikuar “Artikuj dhe studim për Shoqërinë Civile në Shqipëri 2005- 2010” dhe tani po punon për një material më të plotë e të rëndësishëm që për tematikën e specifikën që  trajton, na thotë se do t’i duhet më shumë kohë për ta mbaruar.  

Prej  një viti si  përfaqësuese e Biznesit në Luksemburg po punon shumë duke bërë më të mirën e mundshme për  të dhënë imazhin maksimal për  vendin e saj.

Por fatkeqësisht, Zamira na thotë se  ka vënë re se  janë pikërisht vetë shqiptarët që krijojnë pengesa.

Sa herë që vendoset një bashkëpunim dhe çdo gjë koordinohet  me shumë punë dhe me qëllimin e mirë për të marrë eksperiencë nga Institucionet Evropiane këtu në Luksemburg, të gjitha përpjekjet zhduken sepse pala shqiptare nxjerr ndonjë justifikim në minutën e fundit.

Kjo gjë e shokon,  sepse në vend që të ketë pengesa nga pala Evropiane ndodh e kundërta, që shqiptarët të nxjerrin justifikime dhe kjo i duket  jo profesionale.  Por

Zamira nuk tërhiqet lehtë dhe  është e bindur të vazhdojë  të përpiqet për  të ofruar më të mirën e mundshme. Duke ndihmuar sado pak  biznesin, ndihmon edhe të gjithë të gjithë njerëzit që ndodhen në Shqipëri.

Por që të mbash premtimet do të thotë te mbartësh stres, megjithëse nuk i vjen keq, sepse e ka kalitur ndërgjegjen e saj për të kapërcyer të gjitha vështirësitë dhe për të qenë më efikase. Vështirësitë e Zamirës si ato të gjithë shqiptarëve ato vite.

Ishin vitet  1996-2002 ku krimi dominonte në rrugë, sidomos përgjatë segmentit rrugor Tiranë – Shkodër dhe ishte e rrezikshme jo vetëm për femrat por edhe për meshkujt.

Edhe  nëpër qytetet kryesore lëvizja dhe siguria ishin të rrezikuara dhe në rrethana të tilla  Zamira detyrohej  të lexonte apo të shikonte stacione TV me Satelitë që e ndihmuan në ngritjen profesionale.

Një tjetër pjesë shtesë e suksesit së saj është eksperienca që ka absorbuar nga njerëzit dhe organizatat me të cilat ka punuar; Misionet e OSBE, USAID, ECMM, UNDP, Kompaninë Gjermane GP Papenburg dhe Kompaninë Amerikane Bechtel.

Kolegët  sillnin eksperienca të bukura dhe kultura të ndryshme që pasuruan suksesin e saj sipas asaj shprehjes së famshme  ‘’shiko dhe shkruaj’’.

Gjatë karrierës në Luxembourg ka  punuar brenda network-ut me të gjithë përfaqësuesit e Qeverisë Luksemburgeze, Bashkimit Evropian si dhe të Trupit Diplomatik.

 Në Shqipëri është takuar me  personalitete të rëndësishme të  Ambasadave apo Organizatave Ndërkombëtare. Gjatë  krizës së Refugjatëve të Kosovës u takua me Sadago Ogata (Komisionarët e Lartë të UNHCR), Tony Blair (ish Kryeministri  Britanik), etj… e më vonë  Colin Powell (ish Sekretarin e Shtetit te SHBA), ish Presidentin e Kinës, me Michael Gorbachev (ish Liderin e Bashkimit Sovjetik), e shumë të tjerë.

Kanë qenë eksperienca intensive edhe pse  të shkurtra. Një eksperiencë e paharruar për Zamirën  është  puna në  Chemonic/USAID në Tiranë gjatë implementimit të Projektit për Reformën e Sistemit Fiskal të Tatimeve, ku përgjegjësi i ekipit, z.Dan Myers, i njohur si Seniour Top Manager,  kishte qenë  ish – Drejtor i rangut më të  lartë të Internal Revenue Service IRS  dhe  kishte drejtuar mbi 35 vjet tatimet në SHBA.

Këtu Zamira mbulonte sistemin e shërbimeve por departamenti  ishte përgjegjës për çdo gjë në lidhje me taksat, që  nga reformimi i stafit, të ligjeve, të procedurave, pastrimit te parave, etj… Shefi  dhe Drejtori Programit do të ngelen për  Zamirën si shembujt më pozitivë që ka parë apo lexuar ndonjëherë për leadershipin.

Zamira ka qenë dhe vazhdon të mbetet shumë e vlerësuar nga personat apo kolegët me të cilët ka punuar, por edhe ajo nga ana e saj i  vlerëson shumë  sepse është  tolerante, miqësore, e thjeshtë dhe nuk i pëlqen të poshtëroj askënd duke kërkuar njëkohësisht që edhe njerëzit t’ia shpërblejnë në të  njëjtën mënyrë.

Kjo ka qenë gjithmonë motoja e Zamirës, të mos ndalesh para vështirësive dhe të punosh palodhur për të dhënë më mirën.

********************************************************************

Ndiqni bashkëbisedimin me Zamirën:

-Zonja Zamira, ju falënderoj për punën që bëni për të ndihmuar bizneset në Shqipëri me gjithë vështirësitë që hasni. Dua ta filloj bashkëbisedimin me ju me një pyetje në lidhje me nostalgjinë me vendin e lindjes. Si janë lidhjet tuaja me vendin e lindjes dhe sa ju mungon Shqipëria?

–Jam unë që duhet t’ju falënderoj ju zonja Liliana që me anë të këtij bashkëbisedimi të ngrohtë  po më jepni mundësinë të flas edhe për projektet e Institutit Evropian në Luksemburg në lidhje me  bizneset në Shqipëri.  Natyrisht më mungon  shumë vendi im, sepse ne e kemi në gjen patriotizmin.

Mundohem të mbaj lidhje me vendin tim dhe Rajonin e Ballkanit apo duke ndjekur lajmet on-line si dhe në rrjetet sociale për të qenë sa më e informuar. Në Shqipëri jeton familja ime, të afërmit, fqinjët, shoqe e shokë, miq ,… dhe jo pa qëllim studimet e doktoraturës përsëri i kam zgjedhur për Ballkanin Perëndimor.

Mundohem ta shuaj   mallin duke gatuar ushqimet tona tradicionale apo duke u takuar me komunitetin e shqiptarëve në Luksemburg.  Pushimet i kaloj gjithmonë në vendin tim; një rrugë e dy punë siç thuhet. Takoj të afërmit,  duke shijuar dhe më pas duke promovuar bukuritë natyrore mahnitëse të Shqipërisë me miq e kolegë. Kjo gjë më bën të ndjehem krenare.

Pyetje: Ju keni arritur suksese të jashtëzakonshme profesionale me një punë të palodhur dhe me vetëmohim të pashoq. Por sa ndjeheni e realizuar dhe raporti juaj me suksesin a arritur?

Zamira: -Nuk besoj të ketë një shkallë matëse të suksesit të arritur, në radhë të parë sepse ai është shumë dinamik dhe e dyta sepse  jeta dhe ritmet e saj janë të  ndryshme  në vende të ndryshme.Për shembull, nëse do të isha në Shqipëri me kaq shumë gjuhë të huaja sa kam mësuar deri tani, njerëzit do të më thoshnin stop, nuk është e nevojshme të mësosh më.Por këtu në Luksemburg konkurrenca ndryshon sidomos kur bëhet fjalë për gjuhët e huaja apo edhe nivelin e lartë të edukimit, sepse janë mjete të rëndësishme dhe të domosdoshme për të qenë i realizuar.

T’ju jap një shembull; këtu në Luksemburg gjatë punës në LIEIS, organizova për praktikantët e Institutit tonë një vizitë në Gjykatën Evropiane dhe aty mësova se Përkthyesit Gjuhësorë të cilët janë juristë në profesionin kryesor të tyre, e fillonin punën me 6 gjuhë të huaja dhe kur dilnin në pension duhet të dinin 13 gjuhë.

Kjo më bëri të reflektoj se studimi dhe formimi profesional duhet të jenë të vazhdueshëm dhe të  pandërprerë, sepse punoj e jetoj në një shtet  ku inovacioni, karriera profesionale dhe aftësitë e ndryshme për jetën, janë parime kryesore.

Unë shpesh bëj shaka kur flas për sfidat e Luksemburgut, sepse  këtu edhe shoferët e autobusëve  flasin mbi 5 gjuhë të huaja, sepse shumica e tyre janë kosovarë apo nga ish – Jugosllavia, pra  dinë serbisht, shqip dhe katër gjuhët zyrtare të vendit: frëngjisht, luksemburgisht, gjermanisht dhe anglisht.

Nuk them se jam e pa realizuar; për dy vjet studiova frëngjisht, gjermanisht dhe tani luksemburgisht, plus gjuhëve të tjera që dija  kur isha në Shqipëri.

Përndryshe nuk do të kisha arritur deri këtu por ‘’e mira s’ka fund’’,  thotë një shprehje e urtë popullore shqiptare dhe prandaj  synoj të mos ndalem.

Ne shqiptarët jemi akoma në konkurrencë të fortë me ish- vendet  Lindore (Rumani, Poloni, etj si dhe ato të ish – Jugosllavisë).

E gjithë eksperienca  e së kaluarës si dhe shkollimi që kam bërë  në Evropë, kane qenë si katalizatorë për t’u adoptuar në çdo situatë apo për të gjetur rrugën time të suksesit.

Pyetje: Do te dëshiroja të sillja në vëmendjen e publikut, cili  është profesioni  juaj dhe ç’farë ju motivoi  për të zgjedhur atë; një profesion paksa i vështirë por shumë i nderuar. Si ka vazhduar më tej kjo rrugë?

Zamira:Është e vështirë të thuhet se kam një profesion fiks, sepse jam një hibride e sistemeve te ndryshme, atij komunist më parë dhe atij demokratik tani.  Me sistemin e mëparshëm duhet të isha kimiste, kurse tani merrem më shumë me çështje politike. Po, më e

Më pëlqen të vazhdoj në këtë rrugë, por ku i dihet; ndoshta një ditë do të  përfshihem në sistemin financiar sepse janë pikërisht bankat aktiviteti kryesor në Luksemburg.

Pyetje:Nga biseda me ju mësova se keni qenë një familje shumë e lidhur dhe keni pasur një raport shumë të hapur me babain, diçka jo shumë “normale” nëse mund ta quaj kështu për kohën.Si ka qëne fëmijeria juaj? Çfarë cilësish keni trashëguar nga prindërit dhe çfarë  mbështetje keni pasur nga ata? A vazhdon të jetë familja juaj një mbështetje konstante për ju?

Zamira:Kam marrë nga të dy prindërit; për shembull, mami është shumë meraklie, çdo gjë e vendos të hekurosur nëpër sirtarë, nuk del kurrë nga shtëpia pa lënë çdo gjë në rregull, ka aftësi të sajojë receta dhe të gatuaj shumë shpejt, edhe vetëm në disa minuta, sikur të ishte e përgatitur më parë nëse ndonjë mysafir vjen papritur.Ajo gjithmonë e mban shtëpinë aq pastër e mirë sa duket sikur nuk ka hyrë këmbë njeriu. Në të gjitha këto cilësi unë i kam kopjuar.Ndërsa babi, ishte njeri me shumë humor aq sa të gjithë i thonin “ të rri ora 12”, tipike për shkodranët.

Ai kishte shumë besnikëri, ishte strikt dhe korrekt me të gjitha moshat, shumë bujar dhe zemërmirë. Në fakt,  karakteristikë e familjes sime ka qenë shkalla e lartë e bujarisë, një virtyt që  jam munduar ta trashëgoj.

Disa kushërinj të tim shoqi, më thonë ‘’rrofsh që na mblodhe, sepse kemi kohë që nuk shkojmë e vijmë tek njeri – tjetri’’.  Në Evropë, ftesa për të vizituar të afërmit dërgohet sikur të ishte për një dasmë, duke e nisur disa muaj më parë. Kjo gjë më bën shumë përshtypje duke qenë se unë jam rritur në një  familje që pothuajse çdo ditë kishim mysafirë.

Zamira tregon se :Kjo, ndoshta ishte meritë edhe e aktivitetit të tij profesional, duke qenë se punonte jashtë kufijve të Shqipërisë në vitet e komunizmit. Ai ishte shofer kamioni në Parkun Ndërkombëtar të Mallrave dhe në delegacionet  që shoqëronin grupet e teknikëve dhe inxhinierëve kinezë në Vaun e Dejës.

Babai për Zamirën dhe dy motrat e saj ishte një prind i përkushtuar, por në të njëjtën kohë dinte të ishte edhe një vëlla i dashur apo një shok i mirë.

Fëmijëria e saj, po të krahasohet me kontekstin e përgjithshëm të shqiptarëve të viteve të komunizmit, nuk ishte e “cënuar “ nga lart dhe kjo ishte edhe meritë e kujdesit që bënin të gjithë si familje për të  “mos rënë në sy” me veshje moderne apo “liberale” për kohën.

Ishin të gjithë të sjellshëm e të dashur me njerëzit duke ju përshtatur “sistemit” sepse kjo do të kishte pasoja të rënda për familjen. Ishin vitet ku  konsiderohej si “shfaqje të huaj” edhe një veshje më moderne se sa tabutë dhe kufijtë që vendoseshin në gjithçka e për të gjithë; edhe për një fustan apo një palë pantallona.

Pyetje: Përveç familjes suaj,  a keni pasur  mbështetje apo suport  nga institucionet shqiptare apo dikush tjetër jashtë rrethit familjar? Sa i vështirë ka qenë rrugëtimi juaj drejt suksesit ku keni mbërritur?

Zamira:Të jem e sinqertë, përveç familjes dhe librave askush nuk më ka mbështetur, sepse çdo gjë e kam krijuar me forcat e mia dhe s’ka qenë fare e lehtë për vetë faktin që Shqipëria ka kaluar etapa të ndryshme politike e ideologjike ku  edhe vetë mentaliteti për jetën ka pasur oshilacione të fuqishme. Komunizmi na la trashëgim  mentalitetin e ‘’izolimit të vendit’’ dhe një mënyrë  të të mësuarit krejt ndryshe.

Ndërsa tani mund të them se mentaliteti perëndimor i të vepruarit në një mënyrë krejt të kundërt me atë çfarë  kemi mësuar, më ka ndihmuar shumë për të gjetur rrugën e suksesit. Kam  punuar shumë vetë dhe përveç anëtareve të familjes dhe mësueseve e profesorëve në shkollë, nuk mendoj se kam pasur ndonjë suport të veçantë.

Nuk kam qenë asnjëherë anëtare e ndonjë partie politike…edhe pse e di që në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin, anëtarësimi në ndonjë forcë politike është një rrugë e detyrueshme për  të gjetur  punë apo për të qenë e realizuar.

Këtë s’e kam menduar kurrë dhe nuk do të  pranoj të dal nga natyra ime. Më mirë të realizosh një karrierë profesionale  duke i ngjitur shkallët një e nga një me këmbët e tua,  sesa të jesh nën trysni.

Pyetje: Ju jeni larguar disa herë nga Shqipëria duke u ndarë të paktën fizikisht me kolegët tuaj në Shqipëri. Sigurisht, atje ku keni shkuar keni gjetur kolegë e miq të rinj, por a i keni mbajtur kontaktet  me ta?

Zamira:Po, është e vërtetë që jam larguar disa herë nga Shqipëria dhe çdo herë kam gjetur koleg të rinj dhe kemi krijuar marrëdhënie sikur të ishim njohur prej shumë kohësh.  Akoma edhe sot e kësaj dite mbaj kontakte, e-mail, skype, telefon, rrjete sociale, etj…me kolegë që kam pasur fatin t’i kem nga shumë vende të botës.  Kam mësuar shumë nga ata, por besoj se edhe unë kam dhënë mesazhe të mira  për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Pyetje: Profesioni juaj nuk është i thjeshtë e duhet përkushtim i madh. Si janë marrëdhëniet tuaja me të e a ndiheni krenare? A ju pëlqen të ushtroni edhe diçka tjetër, ndoshta ndonjë ëndërr që ende s’e keni realizuar?

Zamira:Jam shumë e përkushtuar në punë apo në studime. Kur marr përsipër diçka, s’dua të më  lavdërojnë, por parimi im është të mos kritikohem.

Prandaj bëj çdo gjë me devotshmëri. Jam jo vetëm tip polikronik, një aftësi që kam  të të bërit të më shumë se një veprimi në të njëjtën kohë, por edhe tip i strukturuar.

Kam një lloj manie për të dhënë një cilësi sa më të mirë të mundshme, ndoshta edhe sepse kam studiuar shkenca ekzakte.

Unë punoj me agjendë dhe afate kohore qoftë edhe në jetën e përditshme familjare, pra bëj planifikime për shembull: sot do të pastroj, nesër do të bëj pazar, nga kjo orë deri në këtë orë do të lexoj…Kështu ka qenë dhe vazhdon të jetë jeta ime. Nuk pëlqej fort të frekuentoj baret dhe diskot, shkoj vetëm me raste ose kur organizohet diçka me punën apo shoqërinë.  Gjithmonë i tillë ka qenë stili jetesës sime, pra disi strikt, punë e studim.

Pyetje: Jeni  një grua me të vërtetë për t’u admiruar që arrini të përmbushni impenjimet familjare e profesionale me një regjim, do të thosha të hekurt. Me çfarë devocioni punoni, si janë raportet tuaja me profesionin e bashkëpunëtorët?

Zamira:Unë kam parimin e pasqyrës; dua që të gjithë të punojnë dhe të jenë si unë, por jo gjithmonë ndodh kështu dhe jo të gjithë njerëzit punojnë njësoj. Atëherë më duhet të adoptohem me terrenin, domethënë të pres deri sa të marr materialet dhe më pas të vazhdoj punën.Në përgjithësi jam shumë korrekte dhe korrektësinë  jua këshilloj të gjithëve. Nuk më vjen keq që kam një ‘’overdose’’ të korrektësisë në marrëdhëniet familjare apo  të punës. Korrektësia të shkathtëson dhe të bën të jesh më e saktë.

Pyetje:A mund të na tregoni ndonjë emocion apo edhe ndonjë ndjesi të thjeshtë  që ju ka mbetur në mendje?

Zamira:Kur mora një bursë për në Paris, ishte një emocion i pa përshkruar.Shkolla kushtonte për një vit  37 500 euro dhe të them të vërtetën asnjëherë s’kisha arritur të mblidhja një shumë të tillë me gjithë rrogat e mira që kam pasur në Tiranë, sepse mbaja familjen;Prindërit dhe motrën e vogël derisa ajo përfundoi studimet në Stamboll.  Por ky shpërblim kishte edhe vështirësi nga pas,  njëlloj si ajo shprehja “dardha e ka bishtin prapa”, sepse më duhej të arrija rezultate të larta dhe po të mos kaloja ndonjë provim, duhet ta paguaja vetë,  që ishte shumë shtrenjtë, gati 2000 euro për lëndë.

Por ja arrita pa problem ta përfundoja Masterin plotësisht  jo vetëm në kohë, por dhe me një mesatare relativisht të mirë.

Kam edhe emocione të tjera shumë pozitive në sfera të ndryshme si familjare e profesionale si dasma, ditëlindje, festa gjatë gjithë jetës ku kemi gëzuar së bashku.  Do të doja të kthehesha gjithmonë në ditët e momentet e festave dhe gëzimeve po fatkeqësisht rrota e historisë nuk kthehet për të ndalur pikërisht në momentet që do të doja mos  t’i harroja kurrë. S’është në dorën time!

Pyetje: Desha mendimin tuaj si nje profesioniste hibride dhe e integruar duke bere diferencen e zhvillimeve sociale e politike  aty ku jetoni dhe ne Shqiperi , cfare nuk shkon tek ne , çfare ju mundon?

Zamira:Kam kritikuar dhe vazhdoj të kritikoj të gjitha qeveritë në Shqipëri. Pse? Sepse dua më të mirën e vendit tim. Faktikisht reagoj menjëherë në Facebook,  sepse ka edhe përdorimin më të madh në Shqipëri dhe është e vetmja mënyrë që mund të komunikoj fatkeqësisht vetëm vertikalisht, kundër diçkaje që më brengos.Shpeshherë mendoj se çfarë diskriminimi i madh ndodh me pensionistët shqiptarë, çfarë fati të keq kemi kur bëj krahasimin e bashkëmoshatarëve të  prindërve tanë me ato Evropianë.

Në Evropë, pensionistët janë në gjendje të bëjnë minimum 2-3 herë pushime në vit, kurse tek ne një pensionist s’mund të shkojë diku edhe për një fundjavë të vetme në vit!

Më mundon shumë sistemi i dobët shëndetësor në Shqipëri, sidomos kur e krahasoj me atë në Luksemburg ku  analizat e gjakut janë gratis sepse janë pjesë e masave parandaluese paraprake që qeveria bën për shtetasit e vet.

Sigurisht që është më lirë ta parandalosh të keqen sesa ta kurosh.Nuk e di kur do të vijë edhe në Shqipëri një ditë e tillë që vetëm me një kartë shëndeti të rimbursohen njerëzit menjëherë, që në farmaci të blejnë ilaçet apo për tarifat e paguara tek mjeku, etj…

Më bën përshtypje të madhe mungesa e konsensusit politik në Parlamentin Shqiptar.  Ne jemi patriotë për të bërtitur, por aty ku duhet dhe ato që duhet të jenë përgjegjëse, sikurse partitë politike, vazhdojnë me bojkote në Kuvend apo  ende fajësojnë njëra – tjetrën.

Një muzikë e stonuar  që na ka  shkaktuar një dhimbje të tmerrshme  koke prej 25 vitesh.

E kundërta është këtu në Luksemburg, që në ndryshim nga të gjitha vendet Evropiane,  jo vetëm që s’ka ekstremistë të majtë apo të  djathtë, por ka një konsensus politik të jashtëzakonshëm dhe për probleme madhore, forcat politike shkrihen dhe bëhen një e vetme.

Nuk dua të them se mungon debati politik! Jo, jo, debati ekziston dhe është shumë i theksuar sidomos ku kritikohet edhe brenda për brenda partisë që tek ne as që  nuk bëhet fjalë, sepse në rast të kundërt  përjashtohesh menjëherë.

Dhe si mund të pritet atëherë të kritikohet një ministër, qoftë edhe Kryeministri apo një drejtor drejtorie që nuk përformon siç duhet! Shpeshherë me shaka e ngacmoj tim shoq, duke i thënë se opozita dhe pozita në Dhomën e Deputetëve këtu në Luksemburg, s’kanë arsye që ulen veçmas.

Ato kurrë nuk e kritikojnë njëra –  tjetrën, por duken sikur kane mendime unanime për njeri- tjetrin.

Deputetët kurrë nuk ofendojnë apo shajnë njëri – tjetrin, pra me pak fjalë akoma s’e kam kuptuar se çfarë  ajri thithin që demonstrojnë kaq qytetari që zor e gjen në Evropë?!

Pyetje: Në se mund të bëni simetri për  ju që jetoni në vendet perëndimore, janë dy realitete krejt të ndryshme, si ju duken zhvillimet e ndryshimet e shoqërisë shqiptare?

Zamira:Nuk ka dallim fort të theksuar në mënyrën e veshjes, të të  ushqyerit, mobilimet, veprimit, etj… por dallimi ose më mirë hendeku, është sistemi qeverisës  dhe korrupsioni. Këtej nuk ka korrupsion ose edhe nëse ka ndonjë rast, identifikohet  menjëherë sepse stonon, ose e thënë më mirë, nëse  nuk operon kush me para cash, nuk mund të bësh pastrim parash.

Burokracia nuk njihet sepse ka orare të publikuara për institucionet dhe rregulla të qarta. Pra, ti shkon me listën e dokumenteve të kërkuara, kështu që askush nuk heziton të të shërbejë.

Nuk është e nevojshme të japësh bakshish për të kryer një punë, prandaj është pak e vështirë të bëhen paralelizma sepse nuk ka simetri, janë dy realitete krejt të ndryshme. Për mendimin tim,

Zoti na dha bukuri natyrore të papara, dete, liqene, lumenj, male (tani po e kuptoj se çfarë do të thotë të mos kesh diell gjithë vitin)… Por, njëlloj si ligji i kompensimit, u tregua shumë bujar me natyrën, por na mori ‘’qeverinë’’!

Pyetje: Kuptohet shumë mirë nga fjalët tuaja se Luksemburgu është një vend me një kulturë shoqërore, sociale e politike të lartë. Nëse do ta linit ndonjë ditë, për çfarë arsye dhe për cilin vend?

 Kur isha studente kisha ëndërr të madhe SHBA – në, por e provova dhe u ktheva në Shqipëri. Gjithmonë kam menduar se nëse je i  stabilizuar mire në Shqipëri me një punë të mirë (unë kam punuar me Organizatat Ndërkombëtare), jetohet pa problem.

Por duhet që puna të  jetë e qëndrueshme dhe të mos trembesh nëse ndryshon sistemi qeverisës. Atje ne nuk kemi përfitime si mjekësore, transport të mirë publik, etj…

Kurse si vend, nuk  besoj se do ta ndryshoj Luksemburgun me ndonjë shtet tjetër në Evropë apo në  ndonjë kontinent tjetër.  Ky vend ka 55% Lukseburgez dhe 45% të huaj, pra pothuajse jemi në raport 1:1, plus që është një  vend me potenciale të fuqishme ekonomike dhe shumë paqësor në Bashkimin Evropian.

Pas vendeve skandinave është shteti më i fuqishëm financiar  edhe për shërbimet sociale. Këtu mbizotëron qetësia, sepse deri tani nuk jemi përballur me sulme apo tentativë terroriste sikurse po vuajnë disa shtete Evropiane.

Nëse lind një fëmije këtu, ai apo ajo ka përfitime dhe përkujdesje të mëdha ekonomike nga shteti, sepse  paguhet shkollimi deri në përfundimin e studimeve universitare apo pas universitare, mjekimet falas, 4 gjuhë të huaja zyrtare, etj…

Pra, e konsideroj veten me fat dhe të privilegjuar që jetoj në një vend të tillë,  megjithëse asnjëherë nuk e kishte menduar se do të përfundoja në një vend kaq të vogël me 525 000 banorë.

Pyetje:Ju jeni plot me energji e ide të reja. Cilat janë projektet tuaja në vazhdim dhe nëse do të dëshironit diçka tjetër, a keni forca e vullnet për t’i arritur e përmbushur me të njëjtin përkushtim që keni pasur deri më sot?

Zamira:Projekti im më i madh është mbi të gjitha të  konsolidoj marrëdhënien familjare dhe tjetri, po aq i rëndësishëm, të vazhdoj të punoj. Shpresoj që në të ardhmen të kem edhe unë fëmijë dhe natyrshëm projektet do ta ndryshojnë pak strategjinë e tyre, sepse duhet t’i përshtatem sfidave të reja, por që besoj se do t’i kapërcej me sukses sepse të gjitha kushtet kushtet ekzistojnë.

‘’E mira s’ka fund’’, thotë populli, prandaj edhe unë synoj gjithmonë  më shumë… kështu që për më tepër ja lëmë kohës ose ndoshta, pse jo, një interviste të dytë në të ardhmen!

Pyetje: Zonja Zamira, një mesazh për botën e gruas shqiptare sepse për ne është dhe më i rëndësishmi dhe inkurajuesi?

 Zamira: Sinqerisht e kam të vështirë të jap një mesazh, sepse natyra i ka lindur shumë heroike dhe të bukura, por fatkeqësisht iu është dashur por edhe i duhet të përballen me një jetë të vështirë.

Ndoshta parimi i reciprocitetit aplikohet edhe nga Zoti, që me një dorë të merr diçka, por me tjetrën të jep.

Çfarë na mori apo na dha Zoti? Ne nuk patëm fat të jetonim në demokraci të konsoliduar gjithë jetën dhe ajo çfarë  na dha është durimi, paraqitja, aftësia për të kapërcyer vështirësitë.

Pasi mbarova studimet në Francë, një kompani austriake më kërkoi të bëja konsulencë për disa muaj mbi marketingun e shitjes së aseteve.

Një ditë nga Vjena na njoftuan që shefi i financës do të vinte në një vizitë afat shkurtër dy ditor, sepse po përballeshim me vështirësi financiare.

Një  zotëri me shumë eksperiencë në vende të ndryshme të botës dhe kuptohet një ekspert shumë i mirë  në çështjet financiare. Të  nesërmen çdo gjë ishte gati, përfshirë edhe pastrimin e zyrave dhe dokumenteve.

Gjithë stafi erdhi në punë  më herët se ora 8 e mëngjesit edhe  sa për t’i hedhur një sy përciptazi  para se të vinte mysafiri rëndësishëm. Kaloi ora  9,  10, 11, … kur nga ora 12.30 u paraqit zotëria me kollare, i cili na tregoi se kishte qenë duke pire kafe i vetëm në një bar në Bllok në mes të Tiranës duke shijuar bukurinë e grave shqiptare.

Unë ketë eksperiencë nuk do ta harroj kurrë, edhe sepse kisha dëgjuar të lavdërohet shumë femra shqiptare nga pamja fizike jo vetëm nga meshkujt e huaj por edhe nga femrat qofshin ato perëndimore apo aziatike.  Ish -drejtoresha e Bankës Popullore të Kinës (Banka Kryesore) më tha në një takim të rastësishëm se në Kinë akoma themi se kush është i pashëm duket si shqiptar i bukur.

Ajo kujtonte ende filmin shqiptar  “Në çdo stinë’’ dhe dy aktorët Anisa Markarian  dhe Arben Imami. Gratë shqiptare janë shumë të veçanta për mendimin tim, sepse në çdo kohë i ke të krehura, me make-up, të veshura mirë. Edhe pse ndoshta nuk kanë rroba të shtrenjta, kanë një magnetizëm që i bën të duken tërheqëse.

Kuptohet që ky është një virtyt shumë i mirë që Zoti  na e ka dhuruar neve dhe jo të gjitha kombeve njësoj, por që normalisht është një plus në ditët në kuptimin se paraqitja e jashtme është tipar ndihmës (‘’Honey and Money’’, nga Catherine Hakim). Unë akoma deri sot nuk kam dëgjuar ankesa për gratë shqiptare, por fatkeqësisht u desh kohë për të arritur deri sa të krijohej ky opinion pozitiv.

Pyetje: Duke ju falënderuar që e ndatë me mua dhe lexuesit eksperiencën tuaj duke na treguar edhe disa detaje të këndshme të jetës suaj personale, do të doja ta mbyllja këtë bashkëbisedim duke ju kërkuar të na thoni mendimin tuaj për Organizatën Gruaja Shqiptare në Botë.

Zamira : Organizata “Gruaja Shqiptare në Botë” dhe vete puna e madhe e palodhur individuale e Lilianes me mbush me admirim dhe respekt,  po bën një punë kolosale duke u identifikuar  si  avokate e kombit shqiptare duke bërë të mundur përmirësimin e imazhit të grave e vajzave shqiptare.

E them me keqardhje që  gjatë  20 -25 viteve të fundit, imazhi i femrës shqiptare ishte i turbullt sepse stereotipi  për to  ishte se ‘’shqiptaret janë prostituta’’.

Falënderoj nga zemra të gjitha gratë shqiptare nëpër botë që punojnë me nder dhe me djersë jo vetëm në punë të rëndomta, por edhe në poste drejtuese.

Besoj se të gjitha kanë kontribuar nga pak të ndërtojnë tashmë një respekt dhe figurë të plotë, duke u parë  njësoj si çdo racë tjetër në botë.

Në fillim, kur u njoha me burrin, ai mendoi se mund të kishte një flirt, meqenëse kishte dëgjuar dhe lexuar shumë në shtypin ndërkombëtar që  shqiptaret janë ‘’mendjelehta’’. Por duke parë se  nuk po arrinte synimet, u intrigua edhe më shumë, sepse  unë isha ndryshe dhe nuk dorëzohesha lehtë.

Unë  ja bëra  me dije që lobet e ndryshme antishqiptare kanë luajtur me shifrat duke i zmadhuar apo zvogëluar pa kriter dhe pasojat e tyre i kemi vuajtur për një kohë të gjatë.  Kur erdha në Luksemburg, në fillim miqtë dhe të afërmit e burrit më quanin  “femra ekzotike”, më vonë “femra ballkanase” , ndërsa tani  “femra shqiptare”.

Kjo për mua  është një arritje e madhe që të merrem si shembull i mirë jo vetëm për cilësitë e mia personale, por të përmendet edhe origjina ime,  Shqipëria.

Është e kuptueshme që OJF nuk bëjnë politika sepse me gjëra të tilla merren partitë, por  veprimtaria e tyre dhe ato çka bëjnë janë si pikantet mbi ushqimin tonë. Janë të domosdoshme për t’i dhënë  ushqimit shijen e duhur.

Këtë po bën edhe Organizata “Gruaja Shqiptare ne Botë”. Grave shqiptare të të gjithë botës po u jep një imazh ri, të nderuar, të bukur, ashtu siç janë vetë ato.

Liliana:Faleminderit e dashur Znj. Zamira per respektin dhe vleresimin.

Ju keni nje profesion hibrid por gjithsesi, me nje vullnet te hekurt,  jeni e suksesshme, tepër e ssjellshme dhe me një humor te kendshem. Ndjej se do të më mungosh.  Nga dhe kembengulja dhe puna jote e madhe suksesi qe ju perfshin ju, na perfshin  dhe ne të  gjithe Shqiptareve. Ju uroj suksese te metejshme. Biseda me ju ishte plot mesazhe te vyera për gruan, dhe shoqerine shqiptare. Faleminderit. Ju uroj suksese te reja.

Intervistoi: Dr. Liliana Pere

President: International Organization.

Albanian Woman in the World

Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

 

Filed Under: Interviste Tagged With: DR. LILIANA PERE, në Luksemburg, NGA TIRANA..., Zamira Pode Hirsch

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT