• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

IRMA KURTI…Të shkruarit, kjo maratonë e gjatë

June 22, 2016 by dgreca

Mbresa e mendime të shkrimtares Irma Kurti pas daljes nga shtypi të dy librave të saj të rinj/

Shkruan: Dr.Liliana Pere/

Poetja dhe shkrimtarja e mirënjohur Irma Kurti sjell për lexuesin shqiptar dy libra të rinj: “Nuk është ky deti”- poezi, botim i Shtëpisë Botuese: “ADA” si dhe “Lajmet vijnë edhe këtu”- tregime, që mban siglën e Tirana Times.

Librat janë botuar në gjuhën italiane në vitin 2014 dhe janë vlerësuar me çmime: “Nuk është ky deti” me çmim të dytë në Edicionin e katërt të Konkursit letrar: ”Città di Pontremoli”(Massa-Carrara) dhe “Lajmet vijnë edhe këtu” me çmim special në Konkursin: “Së bashku nëpër botë, 2015” në Savona.

Çdo libër i Irma Kurtit lind në shqip dhe më pas ajo vetë i përkthen në gjuhën italiane. Jo vetëm se, siç shprehet ajo “ndihet më e sigurt, po edhe pse poezia dhe proza e saj, përqendrohet më së shumti në botën e brëndshme të poetes apo të personazheve dhe ndjenjat, dashuria, urrejtja, gëzimi e trishtimi shprehen më së miri vetëm në gjuhën amtare”.Irma Kurti ka botuar dymbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, shtatë në gjuhën italiane dhe dy prej librave të saj me poezi janë botuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fillimet letrare të saj janë te hershme.

Në 1980 nderohet me vendin e parë në Konkursin Kombëtar të shpallur me rastin e 45- vjetorit të çlirimit të Atdheut.Në bankat e shkollës së mesme e në Universitet nis aktivitetin si autore e teksteve të këngëve nëpër anketa, festivale e koncerte pranvere dhe shumë prej bashkëpunimeve të saj nderohen me çmime.

“Kur isha fëmijë isha e apasionuar pas këngës. Në qytetin e Elbasanit, ku kam kaluar fëmijërinë, jam ngjitur shpesh në skenën e festivaleve dhe kam kënduar. Kur guximi për të dalë në skenë më braktisi, gjeta një tjetër rrugë për t’u lidhur me këngën, pikërisht duke shkruar vargjet e këngëve”.

Suksesi nuk vonoi të arrijë. Shumë tekste të shkruara prej saj si: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “E njejta ëndërr”, “Një çast në kujtesën tënde”, ”Larg nga vetvetja”, “Trokite tek dera”, “Nuk iu zemërova pranverës”, “Të jem për ty Number 1”, “Imazh i largët”, ”Nën dritën e qirinjve”  u kthyen në hite dhe kujtohen akoma me nostalgji nga dashamirësit e muzikës së lehtë.

Çdo krijues apo artist në udhën për të arritur suksesin ka patur pranë dikë që e ka nxitur, i ka dhënë dorën dhe e ka inkurajuar për të ndjekur pasionin e vet.

Poetja Irma Kurti ia dedikon babait mirënjohjen e saj. Ai ishte mjek, por tepër i apasionuar pas letërsisë, lexonte shumë dhe ajo ende ruan shënimet e tij me fragmente librash apo përshtypje pas leximit të veprave të autorëve shqiptarë apo klasikëve.

“Nuk do të kisha arritur deri këtu pa ndihmën e tij” thotë Irma. Babai im, Hasan Kurti, shpesh trokiste vetë në dyert e redaksive duke mbajtur poezitë e mia në duar. Ai ishte kritiku im më i mirë që nuk më tha kurrë: “Të lumtë!”.

Më sugjeronte tema poezish dhe disa prej këngëve të mia janë ngritur pikërisht mbi ato ide. Të shkruarit është si një maratonë e gjatë.

Ishim me qindra kur e nisëm, por shumë pak e vazhdojnë dhe ia kanë dalë mbanë.

Ndaj unë nuk do të resht asnjëherë së falënderuari prindërit e mi. Në të gjitha librat që shkruaj, në çfarëdo gjuhe, dedikimi im u kushtohet atyre”.

Një prezencë e rëndësishme në jetën e shkrimtares është dhe bashkëshorti italian, Biagio Fortini.

I apasionuar pas fotografisë ai i zgjedh vazhdimisht kopertinat e librave të Irmës duke u bërë pjesë e pandarë e krijimtarisë së saj. Ndodhi kështu dhe për dy librat e rinj: “Nuk është ky deti” e “Lajmet vijnë edhe këtu”.

Është e vështirë për një autor të shprehë preferencë për librat e vet. Këtë gjë na i pohon edhe Irma Kurti. Megjithatë, përmbledhja me poezi: “Nuk është ky deti” për të është e veçantë dhe i fal emocion. “Këtë libër” thotë ajo “ia kushtoj një njeriu shumë të afërt për mua me emrin Vitori Zere Mehaj.

Me të bashkë ndamë plot udhëtime, shaka e biseda. Ishte një lidhje shpirti kjo e jona, aq sa, në të njejtën orë, në të njejtin çast kur ajo iku përgjithnjë, unë, përtej detit, me mijra kilometra larg, u zgjova në gjumi e trembur, plot ankth me mendimin që një njeri i dashur për mua nuk ishte më. Të nesërmen në mëngjes më telefonuan për të më dhënë lajmin e humbjes së saj.”

Irma Kurti ka gati për botim dy libra në gjuhën italiane dhe më pas do t’i përkushtohet sërish veprave në gjuhën shqipe. “Do të më pëlqente të jem në dialog e kontakt të përditshëm me lexuesin shqiptar. Në këtë prag pushimesh deshiron që librat e saj të kërkoheshin nga njerëzit, të lexoheshin me kërshëri nën çadrat e diellit apo gjatë një udhëtimi dhe mbi të gjitha t’i bëjnë ata të ëndërrojnë”.

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: DR. LILIANA PERE, IRMA KURTI...Të shkruarit, kjo maratonë e gjatë

Shpallen në Durrës Miss & Mister Children Albania 2016

June 22, 2016 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/

Ka mbyllur siparin edicioni i dytë i eventit mbarëkombëtar për fëmijë Miss & Mister Children Albania 2016. 80 fëmijë fitues që ishin shpallur të tillë në qytetet e tyre respektive kanë qenë konkurentët e këtij spektakli mbreselënës që u organizua nga 16-18 Qershor në Durrës. Fëmijët nga 6-13 vjeç kanë garuar të gjithë së bashku duke sjellë bashkë me alegrinë dhe natyrshmërinë e tyre, pjesë të ëndrrave dhe botës së tyre fëminore. Konkurentët ushin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Maqedonisë, Mali i Zi dhe nga Kosova gjithashtu. Organizatore e këtij eventi special ka qënë si gjithmonë agjensia e spektakleve Albania Event Productions me organizatore gazetaren e njohur Albana Çakshiri nën produksionin e producentes Irena Vreto. Organizatorët kishin zgjedhur qytetin bregdetar të Durrësit si një nga qytetet më elitare të turizmit dhe kulturës në Shqipëri. 80 pjesmarrësit e kësaj gare kanë konkuruar për çmime të ndryshme, ku natyrisht çmimet kryesore janë ato të Miss Children Albania dhe Mister Children Albania. E veçanta e këtij edicioni ka qënë juria e cila ka patur pjesë të saj vetëm tre antare emra të njohur në fushat përkatese dhe njëherësh personazhe shumë elitare. Natyrisht që emri më special i jurisë ka qënë ai i tenorit me famë botërore z. Agim Hushi. Gjithashtu pjesë e jurisë ka qënë piktori i suksesshëm nga Maqedonia njëhereësh drejtori i Qëndrës për Kulturë në Gostivar z. Luan Zenki. Produksioni kishte vendosur si kryetar të jurisë botuesin e suksesshëm të gazetës më të mirë në tregun shqiptar Telegraf z. Ëngjëll Musai. Juria ka votuar për çmimin e madh Mister Children Albania 10 vjeçarin nga Fushë Kruja Orges Daci. Ndërkaq vajza që është kurrorëzuar si fëmijë më i bukur i trojeve shqiptare për vitin 2016 është 9 vjeçarja nga Bulqiza Gerdana Viçishta. Gjithashtu 10 fëmijë të kësaj gare do përfaqësojne Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi në garën e madhe botërore në kategorinë fëmijë Miss&Mr. Grand Sea Universe në Sofie Bullgari. Vlen te përmendet ndër te tjera Eleni Cereni 10 vjeçarja durrsake që përveçse është vleresuar me tre çmime të rendësishme mes të cilëve dhe atë te përfaqësimit të Shqipërisë në eventin boteror të lartpërmendur. Gjatë performancave të konkurentëve vëmendja është fokusuar dhe tek evidentimi i talenteve artistike. Nadia Meta Miss Children Peshkopia ka performuar si këngëtare duke sjellë emocione të bukura ndërsa është vlerësuar me tre çmime të rëndësishme. Përgjatë këtij viti të gjithë fëmijët fitues do të jenë pjesë e një botimi special në një revistë të rëndësishme, ndërkohë qe do jenë imazh dhe i disa kompanive me produkte për fëmijë. Dy fituesit e vitit të kaluar Medina Shijaku nga Kavaja dhe Reald Gishta kanë qënë prezent në skenë duke dorëzuar trofetë tek fëmijët pasardhes. Spektakli u drejtua nga Albana Çakshiri njëherësh organizatore e eventit

Filed Under: Kulture Tagged With: Ahmet Zani, Albania 2016, Miss & Mister Children

Edipi dhe Anti-Edipi

June 22, 2016 by dgreca

Nga Mr.Sc Blerta Haxhiaj /

 Anti-Oedipus (1972), rezultati me i arritshëm me kete vepër eshte lidhja e shkurter mes psikoanalizës dhe pjesëve të lëna menjanë, ku Guattari dhe Deleuze dallojnë potencialin e një burokracie të re të arsyes analitike. A Thousand Plateaus (1980), është pjesa që vijon e veprës Anti-Oedipus dhe ajo që i karakterizon së bashku është nëntitulli i tyre  “Capitalism and Schizophrenia”. Subjekti me konceptet e veta është gjithashtu një objekt në botë ku konceptet janë të aplikueshme kanë një esence të brendshme. Një ri-përmbledhjë mbi bazat e identitetit, mendimi përfaqësues është analogjik, fokusohet për të vendosur një korrespondencë mes domeneve të strukturuara në formë simetrike. Aftësia e gjykimit është një polic i analogjise. Nje koncept është si një tullë, e cila mund të përdorët për të ndërtuar rrethimin e arsyes ose mund të hidhet jashtë nga dritarja si e pavlere, mirëpo cili është subjekti i ‘tullës’? Koncepti është si  një vektor (vector – lat-shtegetar) koncepti është një akt, një mendim nomad i cili zëvendëson ekuacionet reprezantuese te vështira ( une = unë = jo-ti) me një ekuacion të hapur (pjesët e trupit ); forca nuk duhet ngatërruar me pushtetin sepse forca vjen nga jashtë për të thyer konstruksione të ndryshme ndërsa pushteti nderton mure, e njejte sikurse ajri kundër tokës. A Thousand Plateaus përceptohet si një sistem i hapur ku nuk është thënë fjala e fundit çdo plateau është një ‘tulle’ e nxjerrë nga ndertimet disiplinare, një hark vektori, si një ekuilibër i hapur i cili lëvizë në trajektore.

Anti-Oedipus tregon se pari se sa shumë hapësirë është e mbuluar, mirëpo ai bën më shumë se aq. Anti-Oedipus duhet të lexohet si një art, i pasuruar me terme të shumta të shumëfishimit, përgjegjësisë dhe lidhjeve, një analize e raportit të dëshirës me realitetin dhe makinerisë kapitalistë dukë thirrur me zë të lartë pergjigje konkretë. Gilles Deleuze dhe Felix Guattari dakordohen shume shpejt në sulmin e tyre kundër psikoanalizës me kompleksin e Edipit (familia e shenjte = babi-mami-une), një  sulm shumë mizor dhe pa mëshirë, një sulm i egos, mbi edipalizmin dhe analizat edipalizuese dhe mënyrat (neurozat) e jetesës. Anit-edipi vjen si nje sekuencë e nje ngjarje tjeter si një sulm kundër Krishterizmit – antikrishti; Anti-edipi fillon me atë që psikoanaliza ishtë në fillim, akoma është dhë do të jëtë e mirë ndërtuar, një njeri i cili vrapon pas sigurisë së tij, sidomos në mendjën e tij, është një njëri i cili humb natyralitetin e tij dhë kërkon artificialitetin i cili do ti largonte dhimbjen, problemet … -pa dhimbje, pa probleme –  kjo ëndrra e çdo neurotiku për një ekzistence të qetë dhe të lirë. Deleuze dhe Guattari demonstrojnë se instikti (therje e brendshme) është i bazuar të dëshira e cila duhet të udhëheqet, dëshira për të patur dike tjetër në atë mënyrë për të legjitimuar jetën tënde.

Këto dëshira kanë sjellë në fokus psh: Hitler, Mussolini dhe fashizmi ( fascismo – duaj nga fashion shkopinjëve të lidhur tok bashkë me sëpatën) një dëshirë e tillë e cila nuk resht së pushuari apo ekzistuari. Anti-edipi ngre çështje të rëndësishme për lindjen e fashizmit –Wilhelm Reich – “Si ka mundësi që masa prodhon dëshirën për represionin e vet?” Fashizmi është një fenomen e cila zë vend diku tjetër, diçka që mund tu ndodhë vetëm të tjerëve por jo neve; është problemi i tyre. Me të vërtetë fashizmi është një problem që vetëm të tjerët duhet ta përballojnë.” Edhe grupet revolucionare bashkëpunojnë me elementet fashist të cilat janë të varrosura thellë mbrenda nesh, dhe akoma shpesh me një mbikqyrje analizojnë por dhe e kanë ‘superegon’ e cila i udhëheq në situata të ndryshme ndërsa ata ‘janë të mirët’ rreth ketyre ‘dhomave’ prapa dyerve të mbyllura të ordinancave të analistëve në krahet e teatrit te Edipit D & G tregojnë rrugën e tyrë duke thirrur se është e nevojshme të marrësh ajër të paster pa ndonjë relacion me botën e jashtme.

Çështja që thirret eshte Edipalizimi ku psikoanaliza është e devotshme për vetëvetën, praktikisht dhe teorikisht me kombinimin e imazhit dhe strukturës. Për ndërgjegjien për vetëvetën nuk është më shumë se një strukturë, nuk simbolizon më imazhin apo përfaqësimin, është një inxhiniere; një makiniste; është reale për vetëvetë. Laplanche dhe Pontalis vënë re se Freud zbulon kompleksin e Edipit ne 1897 gjatë vetë-analizës mirëpo nuk i jep formë teorike deri në 1923 në “The Ego and the Id” – “Ego dhe Id” dhe përmes kësaj periudhe kohore Edipi nuk shfaqet më si një ekzistencë margjinale. “Edipi është ajo që duhet të jetë e humbur për të mirën e realizmit biologjik” psikoanalisti është një drejtues teatri (hapësire) privat, më shumë se sa një inxhinier apo mekanik që ndërton pjesë të prodhimi dhe ngjitë elementet e prodhimit dhe anti-prodhimit.” Psikoanalisti është si Revolucioni Rus, nuk e dimë, se kur fillon, çka mund të shkojë keq” – (“Psychoanalysis is like the Russian Revolution; we don’t know when it started going bad”)

Çdo psikoanalist duhet të dijë se poshtë Edipit, pas Edipit, anash Edipit biznesi i tij është sëbashku më makinën e dëshirave, në fillim psikoanalisti nuk vëren forcën me të cilën prezanton Edipin për ta injektuar ne të pandërgjeshmen, psikoanalisti bëhet nje karrem i Edipit, një agjent i antiprodhimit në dëshirë.”Freud evokon vetëm në argumente seksuale, të cilat konsistojnë duke sjelle unitetin e seksualiteti dhe kompleksit të families dhe argumenti mitik e cila konsiston në pozicionin e përshtatshëm të forcave prodhuese të pandërgjegjies dhë editimin e forcave mitike dhe religjoze” – “ Nërsa ti thua: “Seksi nuk është gjithçka. Ka edhe gjëra të tjera më të rëndësishme në jetë” Ja kush je Njeruc”. Freud, vetë pozicionohet në tërë relacionet sociale dhe metafizike prapa dëshirës, dhe pastaj bëhet indifferent para faktit se pas kësaj është kompleksi familiar përmes transformimit analitik të dëshirës.

Edipi është si një Zot, babai është si në Zot, problematika nuk është që skizoanalisti ta zgjidhë, nuk ka për qëllim të zgjidhë më mirë se psikoanalisti, qëllimi i tij është të de-edipalizoje të pandërgjegjshmën në rend që të arrijë të problemet reale. Çdo gjë ka vendin e vet nëse Edipi vet ka dy pole – njeri karakterizon figurat imagjinarë të cilat e drejtojnë vetëvetën në një proces identifikimi dhe poli tjetër karakterizohet nga funksione simbolike të cilat e drejtojnë vetëvetën në një process diferencimi, mirëpo në çdo rast edipalizohemi, nëse nuk e kemi në formë të krizës do ta kemi në formë të strukturës…e tëra kalon të tjetra dhe përsëri proçesi fillon nga e para. “është e vështirë dhe surprizë të dish së Edipi si një strukture konkordon më trinitetin e krishterte” mirëpo trekëndëshi dhe hidhet poshtë duke u hapur më formulën (3 + 1, por 4 + n) gjatë raporti familje shoqëri; babi, nëna dhe vetëvetja janë të bashkëngjitur me elementë politike dhe historike – ushtari, tetari, bashkepunuesi, radikali, dizertori, shefi, gruaja e shefit të cilat të tëra këto thyejne trekendëshin dhe bien në kompleksin e families , ku pak apo shumë familia asnjeherë nuk është një mikrokozmos në sensin e një figurë autonome, nga natyra familja është ecentrike.

Le të rikujtojmë pak mitin e Edipit, se si e tërë kjo është nisur, sepse duke u zhytur në mitologji, nuk humbin fillin mirëpo zëmë zanafillën duke derivuar që nga hyjnorja të analizat përkatëse; Edipi ishte hero teban, biri i Laiut, mbretit të Tebës dhe i Jokastës. Meqë një orakull kishte paralajmëruar se Laiu do të vritej nga i biri, i cili do të martohej më t’ëmën, sapo lindi djali, vendosën që ai të vritej. Skllavi që u ngarkua për të zbatuar vendimin, e vari për këmbët në degët e një pemë në malin cicerone. Ai do të vdiste, në qoftëse nuk do ta zgjidhte një bari bari që kalonte andej. Nga e enjtura e këmbëve atë e quajtën Edip. Foshnjën e çuan te Polibi, mbret i Korintit, i cili e adoptoi dhe e rriti si birin e tij. Njëherë një korintian u tall me të, duke i thënë se nuk ishtë bir i mbretit. Ai nuk mundi ta durontë këtë fyerje, prandaj shkoi të konsultohej me orakullin e Delfit, i cili e këshilloi të mos kthehej në vendin e vet, sepse atje do të vriste të atin dhe do të martohej më të ëmën. Për t’iu shmangur kësaj fatkeqësie dhe duke kujtuar se i ati ishte Polibi, edipi vendosi të mos kthehej më në Korinth. Rrugës ai takoi një plak dhe pasi u zu më të ai e vrau atë. Pra profecia u përmbush (një pjesë e saj); Edipi vrau të atin sepse ai i panjohur ishte Laiu. Më në fund arriti në Tebë dhe ndaloi përpara Sfinksit , një përbindësh me tri forma: të shqiponjës, të gruas dhe të luanit, i cili u priste udhën udhëtarëve dhe u jeptë një gjë-e-gjëzë: “Kush është ai që në mëngjes ecën me katër këmbe, ditën me dy këmbë dhë në mbrëmje më tre këmbë”. Edipi e zgjidhi Gjëegjëzën dhë Sfinksi nga inati u hodh nga një shkëmb i lartë. Qyteti shpëtoi nga kërditë e tij. Për mirënjohje tebanët e zgjodhën shpëtimtarin e tyrë mbret dhe i dhanë për grua të venë e mbretit Lai –Jokastën. Nga kjo martësë lindën Eteokli, Poliniku dhe dy vajza Antigoni dhe Ismena, të cilët të gjithë patën një fat tragjik. Pas disa vitesh një murtajë e madhe plakosi në vend dhe Orakulli urdhëroi të dëbohej vrasësi i Lait. Më në fund Edipi e mësoi sekretin e lindjes së tij. Nga dëshpërimi Jokasta vari vetën, kurse Edipi nxorri sytë e tij dhe mbeti i verbër. Ditët e fundit i kaloi në një lagje të Athinës në Kolonë ku edhe vdiq … nuk duhet ti imitojme perënditë …

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe Anti-Edipi, Edipi, Mr.Sc Blerta Haxhiaj

FOLKLORI HIMARIOT PËR GJUHËN SHQIPE

June 22, 2016 by dgreca

NGA IDAJET JAHAJ/Poet, studiues, Vlore/

 Folklori i fshatrave të Bregdetit është nga faqet më të shkëlqyera të folklorit shqiptar. Si në një oqean epiko-lirik aty shkëlqejnë dete luftrash, këngë dasme, të punëve të përditëshme, ninulla shqip, këngë baritore e për mjeshtëri të tjera të jetesës së këtyre banorëve krenarë në këto brigje të ashpra. Po më shumë shkëlqen historia e qëndresës dhe mbijetesës në shekuj. Kjo ka qenë e veçanta e këtij populli “volfram” në histori. Pavarësia e famshme himarjote u bë e njohur dhe e lejueshme si në pak pika të Perandorisë Osmane për pesë shekuj me radhë. Kjo epikë shkëlqen me trimat, betejat, të rënët, qëndresën, shpirtin e kolektivitetit, kryelartësinë e zgjuarsinë himarjote nëpër shekuj. Ç’jehonë ka kumbimi i vargjeve:
Qysh ka qënë mëmëdheja,
Iskanderi si rrufeja,
Filipiadha nga Janina,
Që ka pjellë aqë trima…
 
Ose:
 
Shtatë fshatra si yje,
Si shtatë shenjëzat në qiell,
Thotë pashai: “Do tu bie,
Do t’i shtyp, t’i bëj llomije!…
 
Por himariotët nuk u mposhtën. Qëndresa e tyre ka qenë nga shtyllat më të forta të kombit shqiptar. Himariotët kanë qenë heroikë jo vetëm për mbrojtjen e integritetit të tyre si tokë e si popull në këtë rrip të atdheut, por edhe në luftë për tërësinë tokësore të këtij dheu. Në lidhje të ngushtë me Lumin e Vlorës e krahina të tjera, ata kanë shkuar deri edhe në Mal të Zi, nën udhëheqjen e Gjolekës për mbrojtjen e kufijve veriorë (1852). Kjo rezistencë ka gjetur shprehjen e vet edhe në ruajtjen e shenjës kryesore të kombësisë: atë të gjuhës amtare – shqipes. Edhe në këtë luftë populli i bregut ka shprehur forcën e vet, identitetin kombëtar, krenarinë për këtë, ka dënuar e demaskuar tentativat e përtejdetit jugor për diversion ideologjik e mohim të gjuhës amtare.
Që në fillim të shekullit të 20-të goja e popullit bregas gjëmon:
Shoqe, djalin dot s’ma shan,
Se me penë ai ta dan,
Dhe me pallë ai të çan,
Janë e janë djemt e Bregut,
Të penës e të dyfekut.
 
Më pas, krenaria epike e brezave:
Djemt e Bregut me dyfeqe
Me krrabë, poture, sherqe,
S’duan “oriste” as “lepe”,
Se flasin shqipen me derte.
 
Për këtë gjuhë rrojnë, digjen e hijeshojnë në këto brigje, këta bij, duke u krenuar me dinjitetin e tyre etnik shumë të lashtë.
Që më 1909 një komision i Himarës i shkruan Kongresit të Elbasanit: “Me gas të math, me vullnet të dhaskalëve z.z. Naqe Konomi, Kostë Kondo, Gaqe Kapore me shokë, e me dashje të Pleqësisë së Imarës e të Shoqërisë “Labëria” të Imarës, mbësuam mbledhjen e Kongresit të shkronjave tonë ndë Elbasan. Dhamë dëshirën me rrahjen e nxehtë të zemrës që gjithë mëmëdhetarët që janë ati të ndihën për të përhapurit e gjuhësë t’onë shqip, për mbrothësinë e shqipëtarëvet ndë dituri… Tok me ndimë po apëmë 30 lira për skolinë.
                                                                                                                 Imarë, më 3 shtator 1909”
Kështu himariotët i shkruajnë Ismail Qemalit më 1912, ku i shprehin gëzimin dhe gatishmërinë e tyre për qeverinë shqiptare:
O flamur shqipe me derte,
Të kërkuam e na erdhe;
Na erdhe i kuq me shqipe,
E vendin na e llamise.
 
Dhe si betim i pakthyeshëm:
Dhe një të mbetet i gjallë,
Shqipëri kemi vatanë,
Si e lanë të parët tanë,
Flamurin me zhgabë do mbamë!
 
Emri “Shqipëri” dhe “shqiptar” skuq si rrufe nëpër vargjet:
Kristo Vjero Gjikënuri
Nder të madh Bregut i pruri,
Nuk trembej nga rrufeja
Se kish gjak shqiptar ndër deja.
 
Dihet se në gjysmën e parë të këtij shekulli pati tentativa të fqinjëve jugorë për diversion ideologjik e kulturor ndër banorët e Bregut. Një nga fushat nevralgjike të këtyre synimeve u bë gjuha amtare. Populli i diskreditoi përpjekjet e tradhtarit Spiro Milo që mori në dorë flamurin e një kombi tjetër për të mohuar kombin e tij e, siç dëshmonte dhe vetë “fisin e tij kurveleshas”:
Polo Gjika në Himarë,
Spiro Milos i tha dy fjalë:
I tha: Këtu s’jemi Elladhë!
Pse punon për Grekomanë?
Palas, Dhërmi e Himarë,
Janë një, s’jemi të ndarë,
Jemi një fis e një farë,
Kurveleshas e krutanë!
                                         1914
Me konsolidimin e shtetit shqiptar, pas viteve 20-të, këto tentativa  u zbehën, por u ringjallën prapë në vitet ’30-të. Në vitet 1932-3, nëpërmjet mësuesve të paguar prej tyre, u synua të mbylleshin shkollat shqipe e të hapeshin ato greke. Por këto përpjekje ndeshën në murin e patriotëve dhe popullit të Bregut. Dhespoti Kotoko, që vinte nga Gjirokastra për këto qëllime, u përzu me turp e teneqé vargjesh:
 
…Mori vesh mbreti dhe krali
Se fqinji tertipemadhi
Kërkon skoli të na hapë
Himarë, Dhërmi, Palasë!
 
Na duall ca palikarë,
Që me thes morën paranë,
Të punojnë për Junanë!
 
U erdhë lirat me mijra,
Natën ua pruri gjemia,
Zotërinjtë me lezete
Bënë shumë marifete,
Të bëjnë njerëz për vete,
Të na hapin shkolla greke!
 
Atje te kisha, te rrapi,
U mbëluath gjithë fshati.
Në mexhlis këta bandilla
I pështyu Marko Billa.
Ky Gogo Gaçi me shokë
Me mësuesin Panajot,
Gjikënuras, kudhësiot,
U ngrit më këmbë e u thotë:
“S’kemi punë me Greqinë,
S’e bëjmë hasha vëllazërinë.
Niprit e Gjergj Aranitit
S’bëhen djemt e Moraitit!
Vetëm për sebep të kryqit!
Shqipja sot këtu ka zot,
Jemi gjak i Kastriot,-
Tha Kolë Gjergji patriot!
 
Ky dhespot Kotokua
ç’paska qenë i marrë!
Vjen nga Gjirokastra
Drejt për në Himarë.
 
Vjen të paqëtojë
Të kuq e të bardhë[1]
Të heqë mësuesit,
Të vërë dhaskalë.
 
Palasë Kolë Gjergji
I duall në ballë:
-Ti s’na bën dot hasëm
Me vëllezërit tanë!
U’jam nip i Gjonit
Që zbriti n’Himarë!
Pra, jam bir i shqipes
Këtu s’është Elladhë!
 
Ndaj, dhespot Kotoko
Fut bishtin në shalë!
Në do të shpëtoç,
Kthehu nga ke ardhë,
Të jesh i sigurtë,
Kapëto Straknanë!
…Milo Petromilo
Një burrë atdhetar
Nuk iu nda Kolë Gjergjit
Dot nuk i përçanë!
 
Shkëlqeu kështu atdhetaria, vendosmëria dhe burrëria e patriotëve bregas, si dhe e popullit që i përkrahu ata.
39 burra të Bregdetit u mblodhën në Palasë më 1935 dhe i kërkuan shtetit të tyre shqiptar: “e, si shqiptarë të përhershëm dhe stërnipër të himariotëve të parë, që kanë luftuar kra për kra me kastriotasit për indipedencën e këtij atdheu, gjë e provuar prej gjithë historianëve të botës, nuk mundemi kurrsesi të tolerojmë quajtjen tonë minoritet, prandaj kërkojmë vazhdimin e shkollës shtetërore dhe protestojmë kategorikisht influencat dhe propagandat e huaja që kërkojnë të nga shkombëtarizojnë… Nga Kuvendi i Palasës, 1935”
E sa e sa këngë të tjera, vargje kuptimplote, të bukura e të fuqishme, jep muza e popullit himarjot nëpër dekada. Eposet dhe ciklet e tyre janë të pambarueshme. Dhe gjithnjë përfundojnë me esenca e sentenca që ndritin si shufra ari: “U jam bir’ i Gjonit / që zbriti n’Imarë / … Niprit e Gjergj Aranitit / s’bëhen djemt e Moraitit /..”
Histori e lavdishme. Qëndresë heroike, që shkëlqen më shumë e më ndritshëm se sa pellgu madhështor i Jonit aty afër.


[1] Mësuesit shqiptarë me “dhaskalë” – botuar në gazetën “Labëria” Prill 2002shqipe ne Bregdetin e Himares. Nderime!

Filed Under: ESSE Tagged With: FOLKLORI HIMARIOT, Idajet Jahaj, per gjuhen shqipe

FRANCE-EURO 2016- FESTA ZHVENDOSET NË TIRANË

June 22, 2016 by dgreca

– Barazimi Hungari-Portugali Kthen nesër Shqipërinë në Shtëpi/

Ka përfunduar me rezultatin 3-3 ndeshja mes Portugalisë dhe Hungarisë, duke shuar shpresat e kombëtares për një kualifikim të mëtejshëm.

Sinjali i goleadës u dha që në minutën e 19, kur Gera shënoi një supergol për hungarezët. Portugalia gjeti golin e barazimit me anë të Nanit tre minuta para përfundimit të pjesës së parë.

Fraksioni i dytë nis aty ku përfundoi i pari. Dzsudzsak riktheu avantazhin e hungarezëve dhe gëzimin e tifozëve shqiptarë, gëzim që zgjati vetëm 3 minuta, pasi Ronaldo barazoi gjithçka.

Pesë minuta më vonë mendon sërish Dzsudzsak për të ngritur në delir shqiptarët, por 7 minuta më vonë kundërpërgjigjet sërish Ronaldo.

Në minutat e mbetura, skuadrat u tërhoqën dhe me rezultatin 3-3 dhe me refuzimin e humbjes nga kjo përballje, u shuan edhe shpresat e Shqipërisë për të vijuar ëndrrën franceze edhe me të paktën një ndeshje.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit F, Islanda mposhti Austrinë 2-1 me një gol në sekondat e fundit të kohës shtesë dhe siguroi biletën e kualifikimit si e dyta në grup, ndërsa austriakët largohen nga ky europian me 1 pikë të grumbulluar në tre takime.

KTHIMI

Kombëtarja shqiptare tashmë zyrtarisht ka mbyllur Europianin e parë të saj. Barazimi i hungarezëve 3-3 ndaj Portugalisë së Cristiano Ronaldos ka shuar të gjitha shpresat që të luajmë të paktën edhe një ndeshje tjetër.

Përmes një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, kryeministri i vendit thekson se Kombëtarja do të kthehet nesër në orën 17:00 dhe u bë thirrje tifozëve t’u bëjnë një pritje të paharrueshme në shenjë mirënjohje e respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për fanellën dhe imazhin e Shqipërisë.

“Sapo u mbyll kapitulli më fantastik i futbollit shqiptar dhe pas një eliminimi për arsye të golaverazhit, misioni kuqezi në EURO2016 kthehet nesër në atdhe rreth orës 17.00. Le t’u dhurojmë heronjve tanë një festë të paharrueshme mikpritjeje, në shenjë mirënjohje e respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për fanellën dhe imazhin e Shqipërisë. Krenarë për Kombëtaren”, shkroi kryeministri Rama në FB.

Filed Under: Featured Tagged With: FESTA ZHVENDOSET, FRANCE-EURO 2016-, ne Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT