• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

70-VJETORI I VRASJEVE TË URDHËRUARA NGA ENVER HOXHA

June 16, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në një intervistë të fundit, Nexhmije Hoxha, bashkshortja në jetë dhe bashkpuntorja në krime e ish-diktatorit Enver Hoxha, ka deklaruar se ish-udhëheqsi komunist i Shqipërisë ishte “burrë shteti” dhe se nuk merrej me gjëra të tilla.  Fjala është për vrasje dhe ekzekutime me gjyq dhe pa gjyq të kundërshtarve të regjimit komunist, klerikë dhe njerëz të shkolluar të kombit — ç’prej ditëve më të para të pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë dekadave që pasuan — madje përfshirë edhe bashkpuntorët më të ngushtë të tij.  Duke filluar nga mesi i 1945, terrori komunist ishte më i prononcuar se askund tjetër në Shqipëri në Shkodër dhe rrethinat e saj në veçanti, kryesisht i drejtuar kundër klerit katolik.Ky vit shënon 70-vjetorin e një prej ekzekutimeve të para të regjimit komunist në Shqipëri, të një grupi klerikësh katolikë dhe laikë nga Shkodra, me urdhër ekzekutimi të drejtë për drejtë dhe të nënshkruar nga dora vetë e Enver Hoxhës, në kapacitetin e tij si “Ministër i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare”, me 2 mars, 1946. (Shih dokumentin më poshtë).

Cilët ishin këta martirë e atdhetarë në listën e Enver Hoxhës që “meritonin” ndëshkimin me pushkatim?  Në krye të listës për ndëshkim me vdekje është Pater Giovanni Fausti, Zëvëndës i Provincialit të Jezuitëve në Shqipëri.  Lista përfshinë gjithashtu klerikë të dalluar shqiptarë si Pater Daniel Dajani dhe Pater Gjon Shllaku.  Në shënjestrën mizore të pushkës së tij për pushkatim –70-vjetë më parë këtë vit — Enver Hoxha kishte venë edhe patriotët si seminaristin në moshë të re Mark Ndoc Çunin, dhe laikët Qerim Sadik Muftarin dhe Gjelosh Lulash Bajraktarin.  Në shkresën e diktatorit Hoxha përfshihen edhe emërat e Gjergj Vat Bicit, të cilin sipas dokumentit, Enver Hoxha vendosë ta dënojë me burg të përjetshëm dhe Fran Pjetër Mark Mirakajt, rastin e të cilit siç shihet më poshtë, Enver Hoxha premton se do ta shqyrtojë më vonë, ndërkohë që u zotua se vendimi i tij do të komunikohet mbas shqyrtimit të “fajtorisë” së Mirakajt.  Në  të vërtetë “shqyrtimi” nga Enver Hoxha nuk vonoi shumë, pasi Fran Mirakaj ekzekutohet në moshën 29 vjeçare, shtatorin e vitit 1946.

Po cilat ishin “Aktet e Fajtorisë” së tyre, siç i cilëson Enveri?   I ashtuquajturi “Fronti Demokratik” organizoi fushatë elektorale në fund të vitit 1945 në Shqipëri, por masat e popullit e panë shpejt se i ashtuquajturi “Fronti Demokratik” nuk kishte të bënte aspak me demokracinë dhe as me zgjedhje të lira, por ishte një fasadë që paralajmëroi fytyrën e vërtetë e të shëmtuar të Partisë Komuniste të Shqipërisë që do vinte më pas.  Një regjim që do të qeveriste Shqipërinë për pothuaj një gjysëm shekulli me një dorë të hekurt, si njëri prej regjimeve më të ashpëra komuniste në botë, duke propaganduar urrejtjen ndaj kundërshtarit politik dhe të shqiptarit ndaj shqiptarit, madje duke justifikuar edhe eliminimin fizik të kundërshtarve të regjimit komunist, si “armiq të popullit”.

Në këtë atmosferë, terrori në mesin e viteve të 1940-ave në Shqipëri, seminaristi Mark Çuni, të cilit më vonë iu bashkuan një numër të rinjshë bashkpuntorësh të tjerë shkodranë, themelon mbrenda seminarit Papnor në Shkodër, organizatën “Bashkimi Shqiptar”.  Në thelbin e programit të saj politik, kjo organizatë mbante një frymë kombëtare dhe anti-sllave, sipas një dëshmie të Gjovalin Zezaj, njërit prej pjesëmarrsve në atë organizatë.  Ishte ky një grupim që kishte për qëllim të ekspozonte tradhëtinë e të ashtuquajturit Frontit Demokratik.  Ndërkaq, organizata anti-komuniste Bashkimi Shqiptar synonte që në radhët e saj të përfshinte përfaqsues nga të gjitha rrymat politike me frymë demokratike, të cilët ishin betuar të punonin për “idealin e shenjtë të Atdheut” dhe duke kundërshtuar regjimin komunist me mjete paqësore, ka kujtuar dëshmitari i mbijetuar Gjovalin Zezaj.  Dëshmitari Zezaj ka pohuar gjithashtu se në këtë ndërkohë, organizata Bashkimi Shqiptar kishte filluar të zgjëronte aktivitetin e saj edhe jashtë Shkodrës, duke e lidhur atë fillimisht, nepërmjet Myfit Bushatit një shoku të tyre gjimnazist, me grupin e rezistencës dhe me organizatën, “Bashkimi Kombëtar” që vepronte në Tiranë, pjesëtare e së cilës ishte edhe Musine Kokalari, që konsiderohet si shkrimtarja e parë grua shqiptare dhe disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste dhe themeltare e një partie opozitare.  Por fatkeqsisht aktiviteti i organizatës Bashkimi Shqiptar dhe Bashkimi Kombëtar u zbuluan shpejt nga Sigurimi i Shtetit, gjë që fillimisht pasoi me arrestiminin e shpejt të themeluesve dhe pjesëmarrësve në veprimtaritë e tyre dhe të eprorëve të tyre, gjë që eventualisht çoi në dënimin e disa prej tyre me vdekje, siç dëshmon dokumenti i nënshkruar nga dora vet e Enver Hoxhës.

Fatkeqsisht, kjo histori e dhimbshme nuk mund të zhbëhet në këtë 70-vjetor të vrasjes së këtyre njerzve të pafajshëm, të cilët u munduan të ndalonin fatkeqsinë e madhe të murtajës komuniste.  Por as nuk duhet të harrohet kjo histori.  Kaq mund të bëjmë në këtë 70-vjetor.  Këto viktima të pafajshme të komunizmit duhet të kujtohen si viktima të një diktatori të çmendur, i cili me të rënë të penës, ekzekutonte me pushkatim kundërshtarët e tij politikë dhe fetarë, duke zhdukur kështu një pjesë të madhe të elitës politike, kulturore dhe fetare të kombit.  Është kjo një njollë kombëtare që vonë zhduket, kur të merret parasyshë se dora shqiptare, e dehur nga një ideologji e huaj sllavo-aziatike, me të cilën kombi shqiptar nuk kishte asgjë të përbashkët, mizorisht eliminoi bijtë dhe bijat më të mira të tij, duke varfëruar kështu përgjithmonë, historinë, kulturën, gjuhën dhe trashgëmitë dalluese strëgjyshore të shqiptarëve.

Prandaj në këtë 70-vjetor përvjetor të këtij abuzimi flagrant të historisë dhe të drejtësisë nga diktatori Enver Hoxha dhe ndërkohë që në Shqipëri po zhvillohet një debat i tejzgjatur dhe i zhgënjyer mbi të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi”, ka mbetur vetëm shpresa në të Madhin Zot se kjo klasë politike — më në fund — do të vijë në vete dhe me ndihmën e Zotit të sigurojë fuqi dhe urtësi për të ndjekë një rrugë të drejtë kombëtare dhe njerëzore — me drejtësi të barabart për të gjithë shqiptarët, pa dallim, përfshirë edhe viktimat e “drejtësisë” së diktatorit Enver Hoxha dhe regjimit të tij.   Problemet e drejtësisë me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare i kanë rrënjët pikërisht në dokumentin e mësipërm me nënshkrimin e Enver Hoxhës dhe në dokumenta të tjerë si ky, dhe si rrjedhim edhe në mentalitetin e paragjykimeve prapanike që rrjedhin nga ai sistem.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 70-VJETORI I VRASJEVE TË URDHËRUARA, FrankShkreli, NGA ENVER HOXHA

Admiral Michelle Howard, e para femër Komandante e Forcës së Bashkuar të NATO-s

June 16, 2016 by dgreca

Admiral Howard, e para femër komandante  në Komandën e Forcës së Bashkuar të NATO-s {JFC}  në Napoli/

Përktheu për “Diellin”, Herion Kërcelli/

Më datën 7 qershor  2016, në Komandën e FB të Napolit,{JFC}, Itali, u zhvillua ceremonia e marrjes së detyrës të Komandës në këtë Forcë, Admiral Michelle Howard.  Në njoftimin e zyrës së shtypit të kësaj Komande, thuhet se  Admirali i Marinës së Shteteve të Bashkuara Michelle Howard morri komanden e Komandës së Forcës së Përbashket Aleate  në Napoli . Njekohësisht Admiral Howard është Komandante e  Flotës së 6-të të Shteteve të Bashkuara Europe-Afrikë V Perëndimore. Howard, komandante e 29-të e JFC Napoli, morri komandën nga Admirali i Marinës së Shteteve te Bashkuara Mark Ferguson, që tashmë është Admiral në pension.  Hovard më parë ka kryer detyrën e Zv.komandantes të 38 –të,  e Operacioneve Detare, në këtë Flotë.

Në ceremoninë e marrjes dhe dorëzimit të detyrës  nga Admiral Howard dhe Ferguson, ndodhej dhe Shefi i Shtabeve të Ushtrisë së SHBA, Gjeneral  Curtis Scaparrotti, Komandanti  i Forcave Amerikane të Europës, Gjenerali David Rodriguez, dhe  Admirali Bill Moran, Zv/Komandant  i Operacioneve Detare.

“Do te doja te thoja vlerësimin tim për Napolin dhe Italinë si komuniteti pritës i yni,” theksoi  Howard gjatë  takimit me personalitete të këtij qyteti.  “Ju na keni trajtuar ne si familje për mbi gjashtë dekada, ndaj mbështetja juaj është një e rëndësishme për realizimin me sukses të misionit tonë”. Komandatja e JPC Napoli është një prej dy komandantëve të Forcës së  Bashkuar në vartësi të Komandantit Aleat Suprem të NATOs ne Europe. Si Komandante e JFC Napoli, detyra kryesore e Admiral Howard është  të përgatisë e drejtojë operacionet ushtarake të NATO-s në zonën e përgjegjsisë të JFC, në mënyrë  që të ndalojë cdo agresion, të mbrojë territorin dhe forcat e NATO,  të mbrojë e  sigurojë lirinë e lundrimit e transportit detar në dete dhe oqeane, dhe të mbrojë sigurinë e kombeve të NATO.

Si Komandante e  Forcave Detare te Shteteve te Bashkuara Europe-Afrike, Howard do të jetë e përgjegjshme për udhëheqjen e operacioneve detare të spektrit të plotë në bashkëpunim  me aleatët, koalicionin e përbashkët, ndërinsituticional dhe partnerë të tjerë që të mbrojë  interesat e Shteteve te Bashkuara, ndërkohë  të forcojë sigurinë dhe stabilitetin detar në Europë dhe Afrikë. Howard u zotua se do drejtojë JFC me të njejtën përkushtim, forcë, zgjidhje dhe gatishmëri që trupat e JFC Napoli kanë demonstruar në të kaluarën.

“Puna dhe aftësitë tuja ma bëjnë drejtimin dhe udhëheqjen time më të  thjeshtë, të qëndrueshme dhe me shpejtësi të plotë para”,  tha gjatë ceremonisë Admiral Howard.

 Mark Patton , zyra e shtypit e JFC, Napoli.   

Përktheu për “Diellin”, Herion Kërcelli

Filed Under: Kronike Tagged With: Admiral Michelle Howard, e para femër Komandante e NATO-s, Herion Kercelli

DIASPORA: Krijohet Shoqata Kulturore Shqiptare Montréal

June 16, 2016 by dgreca

Ne nje njoftim qe mori redaksia e Gazetes “Dielli” nga  Montréali me 14 qershor  2016, mesoi se eshte themeluar nga komuniteti shqiptar nje shoqate e re e emertuar”Shoqata Kulturore Shqiptare Montréal” -SHKSHM- dhe ka per kryetare zonjen Anila Kati. Ne njoftimin qe na dergoi shkruhet:

Pershendetje te nderuar bashkeatdhetare,

Me anen e kesaj letre deshirojme t’ju njoftojme per krijimin e shoqates shqiptare me emrin : Shoqata Kulturore Shqiptare Montréal.

SHKSHM është një organizatë jo-fitimprurëse që i bashkohet shoqatave simotra te Amerikes se Veriut per nje perfaqesim sa me te kompletuar te komunitetit shqiptar. Parimi mbarebashkues ‘pa dallim feje, krahine apo ideje politike’ mbetet ne baze te krijimit dhe aktivitetit te shoqates.

Misioni kryesor i SHKSHM eshte te ndihmoje ne ruajtjen e frymës kombëtare shqiptare në Kebek e Kanada, nëpërmjet kultivimit të vlerave, kulturës, artit, traditës dhe gjuhës shqipe.

SHKSHM do te punoje gjthashtu me perkushtim per te ofruar shërbime të shumëllojshme e te vlefshme për grupmoshat e ndryshme në komunitetin shqiptar te Kebekut, me qellim jo vetem integrimin e suksesshem, por edhe ‘rritjen’ dinjitoze të komunitetit shqiptar në shoqërinë kanadeze, si të barabartë mes gjithë kombësive të tjera në përbërjen e shoqërisë shumë-kulturore ku jetojme.

SHKSHM desheron te shprehe gadishmerine se do jete kurdohere e hapur per bashkepunime me shoqata te tjera simotra, qofte mbi bazen e  projekteve te perbashketa, qofte me shkembime pervojash, ne te miren e shqiptarizmit dhe vlerave qe perfaqesojme.

Me Respekt,

Shoqata Kulturore Shqiptare Montréal

Kryetare:Anila E. Kati

Kontakt : shkshmtl@ gmail.com

Facebook: Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal

Filed Under: Mergata Tagged With: Anila Kati, Shoqata shqiptarene Montreal

Thaçi i dhuron ambasadorit Rohan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës

June 16, 2016 by dgreca

PRISHTINË,  15 Qershor 2016/Deklarata e Pavarësisë së Kosovës në kornizë ngjyrë ari është dhurata e Presidentit Kosovar Hashim Thaçi ambasadorit austriak Albert Rohan, i cili ka qenë zëvendës i emisarit special të  OKB-së – kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari. “Mikut tim, ambasadorit Albert Rohan, me rastin e ditëlindjes së 80-të, ia dhurova Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.Do të jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij përcaktues për Kosovën”, ka shkruar Thaçi në ‘facebook’.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ishte në Vjenë ku ka takuar homologun e tij austriak, Heinz Fischer./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Rohan Deklaratën e Pavarësisë, se Kosoves, Thaçi ambasadorit

Kosova raport BE-së për dialogun në Bruksel, me Serbinë

June 16, 2016 by dgreca

-E vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe rolin e saj lehtësues në këtë dialog, si dhe mbështetjen e plotë nga SHBA-ja, Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të BE, thuhet në përmbledhjen ekzekutive të nënshkruar nga Ministrja për Dialog Edita Tahiri/

 Prishtinë, 16 qershor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian raportin periodik, i cili ofron një vlerësim mbi gjendjen aktuale sa i përket dialogut të Brukselit, i cili mbulon periudhën nga1 janari deri më 14 qershor të vitit 2016. Ky raport vlerëson progresin e përgjithshëm dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit si dhe trajton secilën marrëveshje në aspekt të detyrimeve të palëve përkatëse të marra gjatë dialogut të Brukselit. Raporti është i nënshkruar nga Ministrja për dialog, Edita Tahiri, njëherësh Kryenegociatore në Dialogun e Brukselit.

 Në përmbledhjen ekzekutive të këtij raporti ndër të tjerash thuhet:Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton rëndësi të madhe dialogut të Brukselit  sepse ky dialog kontribuon në paqe dhe stabilitet në rajon, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal, si dhe kontribuon në avancimin e qëllimeve tona drejt integrimit euroatlantik të Kosovës për të mirën e qytetarëve. 

Dialogu i Brukselit ka kontribuar në avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian. Kosova filloi rrugëtimin e saj zyrtar drejt integrimit në BE me rastin e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, marrëveshje kjo e cila ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti. BE-ja ka marrë vendim për rekomandimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke realizuar kështu ëndrrën e tyre për lirinë e lëvizjes, si evropianët më të rinj. Këto janë arritje të mëdha të cilat e vërtetojnë suksesin e Kosovës në përmbushjen e standardeve të kërkuara evropiane, njëkohësisht marrim përsipër më shumë përgjegjësi dhe motivim më të madh për t’i çuar përpara reformat evropiane në vend. 

 Në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, kjo periudhë raportuese nuk ka shënuar ndonjë përparim substancial. Kosova ka qenë efektive në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe ka bashkëpunuar ngushtë me BE-në për ta çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjeve. Megjithatë, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Serbinë e cila praktikisht ka bllokuar procesin e zbatimit, duke mos bërë ndonjë lëvizje të rëndësishme në përmbushjen e detyrimeve të saj. Kjo sidomos në lidhje me marrëveshjen  për kodin shtetëror për Kosovën dhe marrëveshjen për funksionimin e pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT), të dyja këto marrëveshje janë bllokuar nga Serbia. Këto dy marrëveshje janë të një rëndësie të madhe për Kosovën dhe kanë qenë në tryezën e negociatave për më shumë se pesë vjet. Serbia ka vonuar edhe heqjen e barrikadës (“Parkut të paqes”) nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për shkak se BE-ja nuk ka qenë në gjendje të fillojë revitalizimin e urës, për të cilën është rënë dakord të përfundojë jo më vonë se në qershor të vitit 2016. Si përgjigje ndaj këtyre bllokadave, Kosova nuk ka ndërmarrë ndonjë hap rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin.  

Më 1 mars të këtij viti ishte rënë dakord që ITU-ja të ndaj kodin shtetëror telefonik për Kosovën (383). Austria ka aplikuar me kohë për kodin shtetëror telefonik të Kosovës në ITU (në janar të këtij vitit). Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj rreth zbatimit, por Serbia bllokoi procesin duke mos përmbushur pjesën e saj të obligimeve. 

Sa i përket energjisë, më 1 tetor të vitit 2015, Kosova/KOSTT nënshkroi marrëveshjen me ENTSO-E, një marrëveshje që përcakton që KOSTT të operojë si një sistem i pavarur i transmisionit, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 për energjinë. KOSTT duhej të fillonte së operuari si një sistem i pavarur që në muajin shkurt, megjithatë, Serbia ka bllokuar këtë proces pasi që nuk ka arritur të regjistrojë një kompani të re për furnizim me energji elektrike në pajtim me ligjin e Kosovës, siç parashikohet nga marrëveshja për energjinë.

 Padyshim, Serbisë i mungon vullneti politik për ta respektuar marrëveshjet e Brukselit për telekomin dhe energjinë, gjë për të cilën dëshmon historia pesëvjeçare e negociatave për këto dy çështje. Pa rezultate ka qenë edhe përpjekja e fundit për rrugëdalje nga BE-ja, përmes marrëveshjeve të 25 gushtit të vitit 2015, marrëveshje të cilat kishin për qëllim përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve për telekom dhe energji, të nënshkruara në vitin 2013. Asnjë justifikim që Serbia mund të përpiqet ta paraqesë duke përdorur pretekstin e zgjedhjeve në Serbi të mbajtura më 24 prill të këtij viti nuk qëndron, sepse afatet zbatuese (në fakt, afatet e zgjatura) kanë qenë para periudhës së zgjedhjeve atje.

 Qeveria e Republikës së Kosovës e ka informuar rregullisht BE-në për bllokadat e lartpërmendura nga Serbia dhe, megjithëse kemi kërkuar nga BE-ja që të shtoj përpjekjet e saj për zhbllokimin e këtij procesi, për fat të keq nuk është arritur ndonjë progres deri më tani. Ana pozitive është se BE-ja ka njohur performancën e Kosovës në përmbushjen e obligimeve zbatuese. BE-ja ka bërë të gjitha përpjekjet për zhbllokimin e procesit dhe po vazhdon ta bëjë këtë. Për këtë qëllim, BE-ja ka organizuar disa takime teknike në Bruksel në përpjekje që të arrihet një përparim drejt zbatimit, por, këto takime vetëm sa treguan edhe një herë mungesën e vullnetit politik nga ana e Serbisë për t’i përmbushur detyrimet e saj. 

 Si përgjigje ndaj bllokadave të Serbisë, Kosova e ka bërë të qartë se nuk do të ndërmerr asnjë veprim për zbatimin e Marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se Serbia të heq bllokadën për kodin telefonik për Kosovën dhe funksionimin e pavarur të KOSTT-it, si dhe para se të largohet barrikada nga Ura e Ibrit në Mitrovicë. 

 Qeveria e Kosovës deklaron se sapo të largohen bllokadat e lartpërmendura, do të zbatojë detyrimet e saj lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin. Asociacioni nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive dhe nuk duhet të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë, për shkak se kjo nuk përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet përkatëse të Kosovës. Rrjedhimisht, statuti i Asociacionit do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me Vendimin e 26 dhjetorit të vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Pajtueshmëria e Marrëveshjes për Asociacionin me Kushtetutën e Kosovës parashikohet në pikën 2 të kësaj Marrëveshje. Qeveria e Kosovës e sheh Asociacionin si një strukturë ligjore që do t’i ndihmojë komunat për t’i koordinuar më mirë çështjet komunale dhe të ndihmojë në riintegrimin e komunitetit serb në sistemin e Kosovës.

 Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë se themelimi i Asociacionit është i kushtëzuar me shpërbërjen e plotë dhe të verifikuar të strukturave paralele të mbetura të Serbisë në Kosovë. Asociacioni nuk mund të themelohet në një situatë që vazhdon të jetë paradoksale ku në të njëjtën kohë veprojnë komunat legale si dhe ato ilegale, sidomos në veri të Kosovës. 

 Ne vërejmë me shqetësim se Serbia vazhdon të mbështesë aktivitetet e strukturave të saj paralele në komunat e Kosovës duke shkelur kështu Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Përveç kësaj, Serbia vazhdon të ndërhyjë në komunat legale në veri të Kosovës duke i penguar ato që të funksionojnë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës. Këto komuna nuk i kanë miratuar ende simbolet dhe vulat e përcaktuara me ligjet e Kosovës dhe madje as buxhetet e tyre nuk janë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës, në përpjekje për ta mbajtur sektorin e arsimit dhe shëndetësisë jashtë financimit nga buxheti i Kosovës.Në mënyrë të ngjashme, liria e lëvizjes në Urën e Mitrovicës nuk është vendosur ende. Largimi i barrikadës dhe rivitalizimi i Urës së Mitrovicës i paraparë që të përfundohet në fund të qershorit të vitit 2016 nuk ka shënuar ndonjë progres të dukshëm për shkak të pengesave nga Serbia. Zyra e BE-së në Kosovë, e cila është përgjegjëse për rivitalizimin e urës nuk ka filluar punën ende, siç parashihet në marrëveshjen e Brukselit të 25 gushtit të vitit 2015. Serbia është duke u përpjekur ta pengojë këtë çështje duke mos lejuar kryetarin e  Mitrovicës veriore që ta nënshkruajë një Memorandum të Mirëkuptimit me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që do të konfirmonte se vija administrative midis Mitrovicës jugore dhe veriore, është në përputhje me Ligjin e Kosovës. 

 Në tetor të vitit 2016 është planifikuar të mbahet regjistrimi i popullsisë në katër komunat veriore. Ne kërkojmë mbështetje nga BE-ja për të siguruar që Serbia nuk do ta pengojnë procesin. Në fillim të vitit 2014 ishte arritur marrëveshja për regjistrim në këto komuna, në mes të kryetarëve ligjor të këtyre komunave dhe Qeverisë së Kosovës, me praninë e Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së BE-së, në këmbim të lejimit që këto dy komunat ta rrisin numri i këshilltarëve komunal pasi u ankuan se numri aktual nuk reflekton proporcionalitetin e popullsisë së këtyre dy komunave (Zveçanit dhe Zubin Potokut). Megjithatë, kryetarët e këtyre katër komunave, të ndikuar negativisht nga Serbia, nuk janë duke bashkëpunuar në këtë çështje. Qeveria ka miratuar projektligjin për regjistrimin e popullsisë dhe Kuvendi i Kosovës është në proces të miratimit.

Për më tepër, duhet theksuar se Serbia po shkel parimet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të përcaktuara në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 (Pika 14) duke përdorur një qasje destruktive dhe anti-evropiane kundër integrimit të Kosovës në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i UEFA, FIFA dhe më herët UNESCO. Megjithatë, Kosova fitoi mbështetjen e shumicës dhe u bë anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA. Kosova u anëtarësua në Gjykatën e përhershme të arbitrazhit më 14 qershor 2016, përkundër përpjekjeve kundërshtuese të Serbisë, si dhe një numër të organizatave ndërkombëtare.

 

Zhvillime pozitive janë shënuar në procesin e finalizimit të zbatimit të marrëveshjeve për çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe të ashtuquajturën “mbrojtja civile”, rreth ndërtimit të objekteve të përhershme të MIK (IBM), etj.

 Sa i përket “Mbrojtjes civile”, zbatimi pothuajse ka përfunduar, kjo strukturë ilegale është shuar më 11 janar 2016, ish personeli i saj është integruar në institucionet civile të Kosovës në nivelin qendror. Nga gjithsej 483 persona, 433 kanë nënshkruar kontratat e punës me Qeverinë e Kosovës dhe 50 tjerët janë në proces të nënshkrimit të kontratës. 

 Lidhur me drejtësinë, Kosova është duke e finalizuar procesin e konsolidimit të sistemit unitar të drejtësisë në komunat veriore të vendit, ku do të vendosen një gjykatë themelore dhe një zyre prokurorie për t’i shërbyer shtatë komunave, në përputhje me ligjet e Kosovës, siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit. Strukturat paralele të drejtësisë janë mbyllur dhe ish personeli i tyre është duke u integruar në sistemin e drejtësisë në Kosovë (si gjyqtarë, prokurorë dhe staf administrativ).

 Në këtë periudhë është arritur një marrëveshje e re për njohjen reciproke të certifikatave të import-eksportit të mallrave të rrezikshme (certifikatave ADR), një marrëveshje e cila është duke u zbatuar në tërësi.

 Ende ka çështje të pazgjidhura për t’u zbatuar, sidomos në fushën e lirisë së qarkullimit, çështje e cila mbetet të trajtohet në periudhën e ardhshme.  

 Qeveria e Kosovës konsideron se zbatimi i marrëveshjeve është kyç për suksesin e këtij dialogu. Kërkojmë nga BE si lehtësuese dhe garantuese e Marrëveshjes së Brukselit që të kërkojë qëndrueshmëri dhe efektivitet të palëve ndaj detyrimeve të tyre të zbatimit, si e vetmja rrugë që çon në arritjen e qëllimeve të dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Mendojmë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të përparojë duke siguruar mosndërhyrje në sovranitetin e njëri-tjetrit, pra duke detyruar Serbinë që të ndal ndërhyrjet në Kosovë përmes shpërbërjes së strukturave të saja paralele të mbetura në Kosovë. 

 E vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe rolin e saj lehtësues në këtë dialog, si dhe mbështetjen e plotë nga SHBA-ja, Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të BE, thuhet në fund të kësaj përmbledhje ekzekutive të nënshkruar nga Ministrja për Dialog Edita Tahiri./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova raport BE-së për dialogun në Bruksel, me Serbinë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT