• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Kosova, zyrtarisht anëtare e Gjykatës së Përhershme Arbitrazhit

June 14, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: NEWBORN, simboli i Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë/

-Anëtarësimi  në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës/

PRISHTINË, 14 Qershor 2016-B.Jashari/.- Republika e Kosovës tashmë zyrtarisht është anëtarja e 121 me të drejta të plota e  Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë.  Anëtarësimi  në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në njoftimin e dërguar pak më parë. Për këtë, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka falënderuar përfaqësuesit e  shteteve përkrahëse duke e vlerësuar anëtarësimin lajm të mirë për Kosovën.

“Me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar procesin që nga janari, nga votat e shteteve  anëtare u konfirmua edhe zyrtarisht pranimi i Kosovës në këtë organizatë. Faleminderit shteteve pëkrahëse për votimin dhe diplomatëve të Kosovës për lobimin. Koordinimi i mirëfilltë me partnerët po sjellë edhe rezultatet diplomatike”, është shprehur ministri Hoxhaj.

MPJ kosovare thekson se, anëtarësimi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit do ta ndihmojë Kosovën  në aspektin ekonomik sepse do të ofrojë siguri për sipërmarrësit e huaj për të investuar, pasi që  kjo gjykatë do t’iu mundësojë investitorëve të jashtëm që kontratat me Republikën e Kosovës t’i bëjnë duke parashikuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga Gjykata e Arbitrazhit.Anëtarësimi në këtë organizatë përveç tjerash konsolidon më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe e pajis shtetin me një mjet të rëndësishëm për të trajtuar e zgjidhur mosmarrëveshje të ndryshme ndërkombëtare me shtete apo palë të tjera publike e private.

Filed Under: Rajon Tagged With: Gjykata e perhershme, kosova

Ish-Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ftohet në Uashington

June 14, 2016 by dgreca

-E ftuar në Samitin The United State of Women, të organizuar nga Shtëpia e Bardhë në Uashington, hapjen zyrtare të të cilit do ta bëjnë Presidenti dhe Zonja e Parë të SHBA-ve, Barack dhe Michelle Obama dhe zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden/

Uashington, 14 Qershor 2016/ Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga po merr pjesë si e ftuar në Samitin The United State of Women, të organizuar nga Shtëpia e Bardhë në Uashington, hapjen zyrtare të të cilit do ta bëjnë Presidenti dhe Zonja e Parë të SHBA-ve, Barack dhe Michelle Obama dhe zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden.

Samiti ka mbledhur gra të suksesshme, aktore të mirënjohura, biznesmene e politikane, si astronauten Christina Koch, aktoren Meryl Streep; pronaren mediatike Oprah Winfrey; aktivisten e të drejtave të grave Gloria Steinem; Gina Tesla nga korporata IBM; Caryl Stern, presidente e Fondit të SHBA-ve për UNICEF-in; Reshma Saujani, krijuesja e organizatës Girls Who Code; Lakshmi Puri, zëvendës drejtoresha ekzekutive e Grave të OKB-së, dhe shumë të tjera.

Të gjitha këto gra që kanë thyer barriera me përpjekjet e tyre për t’u ngjitur nëpër majat e suksesit që njëkohesisht kanë përmirësuar pozitën e gruas.

Këto gra të jashtëzakonshme kanë ngritur zërin, kanë bërë çmos që të mos rrinë të heshtura për kauzat në të cilat ato kanë besuar dhe besojnë. Dhe mbi të gjitha, ato kanë përkrahur njëra-tjetrën.

Samiti i sivjetmë, shënon arritjet e deritashme, por synon edhe të identifikojë barrierat dhe t’i adresojë ato, në mënyrë që të bëhen ndryshime rrënjësore në ndërtimin e një të ardhmeje me barazi të plotë gjinore.

Me moton “Sot e ndryshojmë të nesërmen”, do të diskutohet për fuqizimin e grave në ekonomi, shëndetin dhe mirëqenien e tyre, mundësitë për edukim, dhunën kundër grave, ndermarrësine, lidershipin dhe angazhimin qytetar të tyre./b.j/-Foto-Dielli arkiv

Filed Under: Komente Tagged With: ftohet në Uashington, sh-Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

KOMUNITET- PERMBYLLET ME SUKSES FUSHATA PER NDIMIMIN E VETERANIT TE UCK-se

June 14, 2016 by dgreca

Aksioni për te ndihmuar veteranin e UCK-se Muhamedan R Kuka u përmbyll me sukses fal kontributeve te bashkëkombësve tonë ne diasporë. Kjo nisme për te ndihmuar veteranin tone rezultojë te dal e suksesshme fal zemërgjerësisë se atdhetarëve te përkushtuar qe sa her e kërkon nevoja janë aty pran zërit te arsyes dhe shpirtit human te shqiptareve patriot.

Ne këtë aksion human për veteranin tone tubuam $6850.00

Dje kur ishim ne përmbyllje te aksionit tone me vije nje befasi nga një bashkëkombës dhe patriot qe jeton ne Gjermani, kësaj nisme dje ju bashkangjit Shefqet Podvorica me një kontribut prej $100.

Shume te çmuar bashkëkombës u jam mirënjohës ne pafundësi për përkrahjen dhe kontributet tuaja, kontribute qe me bëjnë te ndihme krenar se ne mesin tone kemi atdhetar te mirëfilltë si ju. Kontributet tuaja reflektojnë ma se miri për përkushtimin tuaj jetësor ndaj veteranëve tone dhe ne përgjithësi për luftën e ndritur te UCK-se.

Ne këtë aksion përpos kontributeve me ndihmuan dhe u jam mirënjohës për përkrahje konkrete dhe te pa rezerva edhe ai qe i bene mburrje Plavë Gucise me përkushtimin e ti jetësor, Rexhep Gali Balidemaj, veterani UCK-se Sadri Mehaj, gazetari i mirënjohur Qazim Doda me TV AA, shoqata Atlantiku me komandant Gani Shehu dhe sekretar dhe veteranin i UCK-se Adrian Grajqevci.

Paçit bekimin e zotit ju dhe familjet tuaja

Me respekt dhe falënderues  për ju, iniciuesi e këtij aksioni

Esad GJONBALAJ

Lista e donatorëve qe kanë përkrahur aksionin :

SadrI Mehaj $500.00

Lulzim Gashi $500.00

Granit Gjonbalaj $500.00

Agim Selmanaj $500,00

Salaudin Sela $500.00

Zog Selimaj $300.00

Sadri Ademi Ahmetaj $200.00

Ismet Avdia Dedushaj $200

Alban Selmanaj $200.00

Rame Selimaj $200.00

Zijadin Ruhani $200.00

Rexhep Gali Balidemaj $200.00

Ismet S Kurti $200.00

Luljeta Prelvukaj $100.00

Qazim Doda $100.00

Cen Sali Hoti $100.00

Demë Hasangjekaj $100.00

Mustaf Salihi Ahmetaj $100.00

Driton Kukaj $100.00

Faik Dini Gjonbalaj $100.00

Visar Mustafa $100.00

Musa Dakaj $ 100.00

Besim Maxhuni Kukaj $100.00

Hysen Avdia Dedushaj $100.00

Ahmet Hasani Zerka $100.00

Imer Mehaj $100.00

Besim Muriqi $100.00

Azem Sahiti $100.00

Adem Sahiti $100.00

Naser Mehaj $100.00

Ismet Rexhepi Gjonbalaj $100.00

Gani Shehu $100.00

Adrian Graiqevci $100.00

Avdi N Balidemaj $100.00

Vasel Kalaj $100.00

Shefqet Podvorica $100.00

Esad Gjonbalaj $100.00

Ramadan Çaka 50.00

Artan Daka $50.00

Gjovalin Nikci $50.00

Gjok Berisha $50.00

Fatmir Aloshi $50.00

Filed Under: Komunitet Tagged With: E VETERANIT TE UCK-se, Esad Gjonbalaj, PERMBYLLET ME SUKSES FUSHATA PER NDIMIMIN

Kujtojme Mark Gjomarkajn me rastin e 70-vjetorit te vdekjes

June 14, 2016 by dgreca

Gazeta “Dielli” ju paraqet lexueseve artikullin e Tahir Kolgjinit njerre nga “Lajmtari i të Mërguemit”, nr.12, Vt.7, Korrik 1976, fq.11-15./

Nga Tahir Kolgjini: Edhe nji herë po e kujtoj Mark Gjomarkajn/

Në Foto: Mark Gjonmarkaj/

Në fletoren L’ALBANIE LIBRE, qi dikuër ishte organi për faqe të bardhë i Blokut Kombtar Indipendent, ishte kujtue sa herë, i ndiemi Mark Gjomarkaj, tue iu vumë në dukje cillësinat e tija si nji shqiptar me plot merita. Po kështu, disi âsht bâmë fjalë për ‘tê, në data të ndryshme, edhe në Lajmtarin e të Mërguemit.

Të gjithë shqiptarët, qi kanë flijue jetën e tyne për nji Shqipni të Lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë me qellim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në kët mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm, të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botënore. E kemi për detyrë . . .

Sidomos për Markun, sado qi të jetë shkrue, ato, nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shum pak. Prandej, edhe unë, tue u mundue me tregue dishka për kët HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesave të mij të dashtun.

***

Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëhere, kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeta, nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Itali. Rasësisht u përshndeta me ‘tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e percjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qellim qi të përbâj nji mendim, fillova me ‘tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tija, ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëhere, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për kët student të ri se, si djalosh i njij derës së mirë, do të mbërrije në gjendje me i shërbyem Shqipnis në kohën e ardhshme.

Aj, qè nji student shqiptar vërtetë idealist.

***

Ma vonë, Markun e shoh si Nenminister i Punëve të Mbrendshme në Tiranë, kur erdhi në fuqi qeverija e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942. Ishem ngarkue me detyrë në Kukës. E vizitova. Pashë se ishte shum i kujdesshëm për të ndigjue e shum i preftë në shprehje.

Aspak nuk më kishte gënjyem parashikimi i em, qi pata për ‘tê, atëherë kur ishte student.

Mbas këtij takimi, qoftë për arsye detyre, qoftë për arsye miqsije, shifeshim mâ shpesh. Dhe, sa herë kur takoheshim, bisedonte përzemërsisht e me nji guxim të jashtëzakonshëm tue iu dhânun randësi në shkallë të parë problemeve dhe interesave kombtare. Synonte me mbajtun nalt autoritetin shqiptar, tue mos i përfillun asnji grimë rrethanat, qi mund t’i shkaktonte gjendja delikate e kohës.

Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipni, ate nuk e lakonte kurrgjâ në kët botë. As vdekja, nuk i bânte përshtypje.

Mâ vonë, me dorëhjekjen e qeveris së Mustafa Krujës, aj, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej, me kapitullimin e Italis në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvendin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalista të shquem, me qellim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeveri.

Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj, me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msymje, ose kërcnim. Në ket mënyrë aj, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjendje me punue me qetësi e me gjak të ftoftë.

***

Aty tue u damë vera e vjeshta në vjetin 1944, brigadat komuniste, patën depertue në disa lagje të Tiranës dhe pozicioni i qeveris pat fillue me u tronditun keqas. Unë, ishem i ngarkuem me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policís. Po na duhet me u zmbrapun për Shkodër me nji pjesë të personelit dhe të mjeteve, qi enè i kishim në dispozicion. Natën n’udhtim e sipër, të gjitha mjetet, na u shkatrruen nga bombardimet e fluturakeve anglo-amerikane dhe na mbetëm rrugës. Patëm dhe disa të vramë. Ata, qi tepruen, mbërritën në Shkodër. Unë shkova fillë në shtëpinë e Kapidanit. Në kët kohë dhe Marku, ishte në Shkodër.

Si dihet, në Shkodër, aso kohe, qe formue “Komiteti Kombtar i Shkodrës” nën kryesín e të ndiemve Sylqe Beg Bushatit dhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit. Mark Gjomarkaj, ishte ngarkue me detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave t’Armatosuna Kombtare. Ky Komitet, kishte për qellim me ndalue hymjen e komunistave në kët pllambë të fundit të tokës shqiptare, për me mund me lehtësue nji shkarkim eventual të ndonjij force anglo-amerikane në Shqipni, ose në ndonji vend në zonën e Shkodrës.

Kapidan Gjoni, më njofton se, mue më kishin ruejtun detyrën e Prefektit të Shkodrës dhe, si i tillë, më ngarkojshin dhe me detyrë antarësije në Komitet. Iu falënderova, tue i thânun se, jam drejtue për në Gjermani dhe se mbrenda javës, bashkë me dy oficera gjermanë, me nji aeroplan ushtarak nisemi për Vjenë.

-“Or Tahir,” më thotë, Kapidani , “na o do të shpëtojmë bashkë, ose do të vdesim bashkë.”

Mbi këte, dhe unë, e pranova kët detyrë. Njeriu, vdekjen e pranueka mâ tepër prej turpit se sa prej trimnije. E si u pashë edhe me Sylqe Beg Bushatin, mora Prefekturën e Shkodrës në dorëzim.

***

Ndërsa, lufta, vazhdonte me vrull në Merditë dhe aty këtu derdhas në malsinat tjera të Shqipnís, Markut i bâj kët propozim:

-«Thika, ka hasun n’asht. Komunizmi, nuk mund t’asgjâsohet me mâsa gjysake. Prandej, me nji urdhënesë, duhet të requizojmë të hollat dhe pasunín e luejtshme të bankave dhe të tregtarëve të zonës s’onë, pa përjashtim. T’iau kërkojmë për kundrejt dëftesash, tue iu dhânun nji afat të shkurtë. Kush nuk e ep shumën e kërkueme mbrenda afatit të caktuam,… në litar!… Armë ka. Me nga njimijë frank në muej, të përbâjmë nji forcë prej 15.000 vetësh dhe t’a ndezim luftën në nji ballë të gjânë, tue i mobilizue edhe vendet e shlirueme. Si t’i fusim forcat komuniste në dana, të marshojmë deri në kufinin grek. Me krijimin e njij qeverije kombtare, ka gjasë qi të zbarkoje ndonji njisi anglo-amerikane. Dhe shteti, si të stabilizohet gjendja, t’interesuemve iu paguen pasunin e requizueme.»

«Fitimi, âsht i yni, mbassi komunizmi jugosllav dhe grek, nuk janë në gjendje me iu ndihmue komunistave shqiptarë. Me gjithë këte, të supozojmë se, nuk mundëm me ia mbërrijtun këtij caku, atëhere, me të tanë kët fuqí, po e çajmë me pushkë; po hyjmë në Greki dhe po i dorëzohemi gjeneral GOBI-t.»

I ndiemi Mark, pa nji pa dy, e pranoi kët pikëpamje. Ia hapëm Kapidan Gjonit. Dhe aj, e pranoi. Mirëpo, kur ia parashtruem Sylqe Begit, aj, nuk u tregue d’akord, mbassi natyra e tij, nuk ishte e krijueme për me zbatue masa kësodore, qi sjellin përgjegjësina të rânda.

Prandej, dhe kjo mâsë, qi ishte e vetmja shpresë, mbeti pa u sendërgjue.

***

Rrethi, për dit e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 Nanduer, 1944. Hangrëm darkë. Tjerët, shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe unë e Marku, në skajet e ngushta të tavolinës, skundrejt njani tjetrit. Në kët rasë, Marku , më drejtohet :

-“Or Tahir, duhet të përgaditesh se, Ti, do të dalish nesër bashkë me babën.”

-“Për ku, or Mark?”

-“Për ku t’a ketë shkrue, Zoti. Nji herë, për Gjermani. Baba, mbassi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i ap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane, qi ritirohet.”

-“Na, mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi; e pra, edhe Ti; ose duhet të qendrojmë të gjithë bashkë, si ç’jemi.”

– Baba, âsht i vjetër; prandej, nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shum i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej, duhet të largohesh. Sa për mue, unë, jam djali mâ i madhi i Kapidanit të Merditës. Randimi kryesuer, peshon mbi mue, sepse, kam qenë i ngarkuem me autoritet. Mandej, kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mund t’i lâ vetëm. N’atë minutë qi unë, të largohem nga Shqipnija, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po te vdes unë, dera e Kapidanit të Merditës, rron. Prandej, unë, do të qendroj në malet e Shqipnis.”

Dhe si i mallëngjyem, Marku, vazhdoi:

-”E dij. Do të jetë e pamundun me qendrue n’aratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem; por, s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnija, dikuër, në nji menyrë, ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj udhë të mbarë.”

Marku, kur shprehte fjalinat e fundit, iu rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Unë, nuk pata gjâ me shtue, mbasi aj, parapëlqei rrugën e burrënís shqiptare.

Me 24 Nanduer, 1944 në mëngjes, u hallatosëm me te dhe, bashkë me Kapidan Gjon Marka Gjonin, lam Shkodrën, tue mârrun rrugën e aratís.

Karakteristika, qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve tjerë, âsht kjo: Aj, qendroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e tjerët, qendruen për të shpëtue.

***

Sigurisht, disa burra nacionalista, do të kenë mbajtun shenime dhe do t’i përshkruejnë ndodhinat me imtësi. Unë, këtu, shkurtimisht         po shenoj disa pika kryesore, për hirë të historis kombtare:

Marku, me 26 Nanduer, 1944, e le’ Shkodrën, tue pasun me vehte nji fuqi të përbâme prej afër trimijë vetësh. Me qenë se shokët i kishte lanun të lirë me u dorëzue, ose me ndjekun rrugën e aratís me ushtrín gjermane, nji pjesë e kësaj fuqije, i dahet. Me fuqín, qi i mbetet, aj, vazhdon udhën nepër vende të ndryshme malore, tue kapërcyem lumej, gryka, kodra e suka të vështira dhe tue luftue e tue çamë me pushkë shum prita, të cillat, ishin vumë nga nji pjesë e popullit, qi e kishte mashtrue komunizmi. Lemisht, në këto ndeshje, derdhet shum gjak prej dy palëve. Për kët shkak, Marku, vendosë qi forcat, aty për aty, të shpërdahen andej -këndej, ku t’a gjykojnë me arsye, tue mbajtun ndërlidhjet regullisht medis tyne. Dhe vetë, me disa shokë, kalon në Merditë.

Gjatë kohës, qi Marku, qendron n’aratí, krijon nji organizatë kombtare, ecilla, shtrihet, thuejse, gadi në krejt Shqipnín. Mirëpo, dhe kjo, mjerisht, dështon, për shkak se, nji pjesë e kësaj organizate, veprimin e fillon para datës së caktueme.

Kësaj here, Tirana, vendosë me e mnjanue kët rrezik dhe shton e shpeshton seriozisht ndjekjet. Dhe Mark Gjomarkaj, në nji ndeshje, qi zhvillohet në vendin e quejtun -Prosek të Merditës – me datën 13-6-1946, plagoset randë. Dhe me 14-6-1946 n’ora 7.00 vret vehten me revolverin e vet, për mos me iu dorëzue i gjallë komunistave.

***

Mbas vetëvrasjes, forcat komuniste, trupin e Markut e ekspozojnë në Shpal, në Lesh e në Shkodër, tue e zvaritun e tue shkelmue.

Kjo sjellje banale, në vetvehte, tregon se, komunizmi, âsht nji shfaqje kundërnjerzore

Nacionalizmi shqiptar, nuk do t’i harroje kurr dëshmorët e vet.

Hiri i Zotit, qoftë me Mark Gjomarkajn dhe me shokët e idealit të tij të shenjtë.

*Marrë nga Lajmtari i të Mërguemit, nr.12, Vt.7, Korrik 1976, fq.11-15

Filed Under: ESSE Tagged With: e 70-vjetorit te vdekjes, Kujtojme, Mark Gjomarkajn me rastin, Tahir Kolgjini

POROSITË E AMBASADORIT GJERMAN PËR T’U PËRBALLË ME TË KALUARËN KOMUNISTE

June 14, 2016 by dgreca

– Fatkeqsisht, klasa politika dhe shoqëria shqiptare në përgjithsi, gjatë 25-viteve të kaluar, kanë dështuar mizorisht në trajtimin e kësaj çështjeje – ndërsa ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, Shqipëria nuk katreguar as më të vogëlin interesim as vullnet të mirë për tupërballur me historinë dhe krimet e regjimit komunist të gjysëmshekullit të kaluar./

Nga Frank Shkreli/

Vizita zyrtare e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier të martën në Shqipëri, shënoi gjithashtu edhe ditën e fundit të shërbimit diplomatik të Ambasadorit gjerman në Tiranë, Zotit Hellmut Hoffmann.  Dëshiroj të rrëfej që nga fillimi, se ndërsa e kam ndjekur nga larg veprimtarinë e tij diplomatike në kryeqytetin shqiptar gjatë tre viteve të fundit, kam zhvilluar një respekt dhe admirim për punën e tij si përfaqsues i një vendi mik që ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Në të vërtetë, këtë admirim e kam shfaqur në disa shkrime modeste për aktivitetin në përgjithësi të ambasadorit Hoffmann dhe të ambasadës që ai kryesonte deri dje në Tiranë. Por ajo, që mbi të gjitha, më ka bërë përshtypje, ishte serioziteti me të cilin ai trajtoi nxitjen e një dialogu publik, krejtësisht të munguar në Shqipëri,rreth të kaluarës komuniste në atë vend.

Kryediplomati gjerman deri dje në Tiranë, gjatë shërbimit të tij diplomatik tre vjeçar vizitoi zona të ndryshme të Shqipërisë për tu njohur me historinë e vendit, përfshirë edhe ish-kampet e përqëndrimit si dhe burgjet e ish regjimit komunist, përfshirë Spaçin dhe Tepelën.Për më tepër, ambasada gjermane nën drejtimin e Z. Hoffmann ka mbajtur konferenca dhe ka zhvilluar takime me publikun shqiptar, kushtuar të kaluarës komuniste në Shqipëri. Konkretisht, ambasadori Hoffman, në bashkpunim me zyrën e OSBE-s në Tiranë,gjatë mandatit të tij,kishte sponsorizuar një projekt për të matur njohuritë dhe përceptimet e publikut shqiptar mbi historinë komuniste si edhe mbi trashëgiminë e regjimit të Enver Hoxhës.  Në deklaratën e përbashkët me atë rast ata thanë se qëllimi i këtij projekti ishte, “Për të nxitur shqiptarët që të diskutojnë mënyrat për të trajtuar historinë e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës”.

Gjatë mandatit të tij, Ambasadori Hoffmann e ka paraqitur këtë temë, në përpjekje për të zbardhur sadopak të kaluarën kriminale të regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u bazuar kryesisht në përvojën gjermane në këtë fushë, përvojë që i dha atij kredibilitet ndërsa i mëshoi kësaj teme si përfaqsues i një vendi që është përballur drejtëpërdrejtë me të kaluarën e tij naziste dhe komuniste. Qëllimi i tijishte që, duke u bazuar në ekperiencën e vendit të tij, pore dhe në përvojën e vendeve të tjera ish-komuniste evropiano-lindore, të nxiste sadopak një dialog në radhët e klasës politike, të elitës intelektuale dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi mbi këtë kapitull të tmerrshëm të historisë së kombitshqiptar.

Megjithë përpjekjet e tij serioze në këtë fushë, ambasadori Hoffmann ishte i vetdijshëm se ai mund të bënte vetëm aq të inkurajonte një dialog të tillë dhe të mbështeste projekte mbi këtë temë, ndërkohë që nuk hezitonte tu kujtonte shqiptarëve se përballja me të kaluarën e regjimit komunist në Shqipëri është një detyrë morale dhe e domosdoshme që, nëse do të dalë me sukses, duhet të ndërmerret nga vetë shqiptarët. Ambasadori Hoffmann ka folur shpesh mbi të shkuarën e dhimbshme nepër të cilën ka kaluar Gjermania, ndërsa ka venë në dukje se nuk është i lehtë procesi i përballjes me të kaluarën komuniste, por është i rëndësishëm dhe se duhet të shikohet si një detyrim ndaj viktimave të asaj periudhe. “E di mjaft mirë që kjo është një temë tepër delikate për politikën shqiptare, por do të ishte një kënaqësi nëse asaj do t’i kushtohej më shumë vëmendje, qoftë në opinionin publik, qoftë në jetën politike të vendit”, është shprehur Hoffman.

Fatkeqsisht, klasa politika dhe shoqëria shqiptare në përgjithsi, gjatë 25-viteve të kaluar, kanë dështuar mizorisht në trajtimin e kësaj çështjeje – ndërsa ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, Shqipëria nuk katreguar as më të vogëlin interesim as vullnet të mirë për tupërballur me historinë dhe krimet e regjimit komunist të gjysëmshekullit të kaluar. Është e vërtetë, siç ka pohuar edhe Ambasadori Hoffmann, se kjo mund të jetë një histori tepër e vështirë për tumarrë me të, por as heshtja nuk i sjellë ndonjë dobi askujt, e aq më pak të mirës së përbashkët.  Përkundrazi, disa ekspertë besojnë se problemet me të cilat përballet sot Shqipëria, siç janë ndër të tjera(mos)reforma në sistemin e drejtësisë dhe korrupsioni,i kanë rrënjët pikërisht këtu, në krimet dhe në trashëgiminë e një sistemi që nuk njihte drejtësi. Përballja me tëkaluarënkomuniste, kanëthënëata, nukështëthjeshtëvetëmnjëhapjedosjeshdhelustracion, porduhettëjetë, siçkathënëpër DWedheeskpertigjerman Roland Jahn, njëndërmarrjetransparentedhe multi-dimensionale, duke theksuar se“trajtimi i së shkuarës nuk është thjesht punë shqyrtimi dosjesh, pasi në qendër janë njerëzit e vuajtur, janë viktimat e prekura — që atyre t’u garantohet drejtësi dhe një impakt pozitiv nga procesi”. Me fjalë të tjera, procesi i përballimit me të kaluarën komuniste kërkon dhe i nevojitet DREJTËSI! (Mos)Reforma në drejtësi ishte subjekti kryesor i bisedimeve të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier me zyrtarët shqiptarë në Tiranë, në ditën e fundit të Ambasadorit gjerman Hellmut Hoffmann, si përfaqsues i vendit të tij në kryeqytetin shqiptar.

Ndërkaq, Deputeti social-demokrat gjerman Michael Roth dhe ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, në një intervistë për Deutsche Welle tha se për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, të cilat aspirojnë antarësimin në BE, nuk do të ketë lëshime në këtë fushë.  Ato duhet të jenë të qartë, shtoi ai se “Nëqoftë se duan të bashkohen me BE-në, duhet të luftojnë korrupsionin, duhet të forcojnë sundimin e ligjit, duhet të garantojnë pavarësinë e medias dhe natyrisht pluralizmin e medias. Këto nuk janë fjalë boshe, por gjëra thelbësore. Ne si BE jemi në radhë të parë një komunitet vlerash dhe jo një projekt tregu. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”, ka theksuar zyrtari gjerman.

Kemi të bëjmë pra me çështje vlerash dhe jo me ndonjë projekt tregu!  Këtë, politikanët shqiptarë ose nuk e kanë kuptuar deri tani ose nuk duan ta kuptojnë. Një ndër këto vlera, për të cilat foli deputeti gjerman, është edhe përballimi i shoqërisë dhe i politikës shqiptare me të kaluarën komuniste në atë vend, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Evropës Lindore, tani krejtësisht të integruara në organizmat euro-atlantike. Po Shqipëria?

Ishte kjo një ndër vlerat që Ambasadori Hoffman u përpoq, gjatë mandatit të tij, të bindëte shqiptarët se përballimi me të kaluarën është një vlerë e doemosdoshme politike dhe morale drejtë të cilës ia vlente të punohej dhe nga e cila do të përfitonte mbarë shoqëria shqiptare. Mbetet për tu parë nëseporositë dhe veprimtaria diplomatike e ambasadorit gjerman në këtë fushë do të ketë lenë gjurmët e veta.

Porsidoqoftë, Ambasadori Helmutt Hoffmann, në një intervistë lamtumirëse me Deutshe Welle shqip, ashtu si të gjithë miqët perëndimorë të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, iu drejtua me një porosi të fundit klasës politike shqiptare, duke theksuar se,“Përsa u përket politikanëve: më e rëndësishmja për mua është që njerëzve t’u përcillet në mënyrë të besueshme — përmes një angazhimi dhe pune konkrete — që veprimtaria politike duhet të orientohet për nga e mira e përgjithshme dhe jo për nga interesat personale ekonomike apo interesat partiake në kuptimin e luftës për ruajtjen apo rifitimin e pushtetit pa marrë në konsideratë dëmin, që i shkaktohet kulturës demokratike. Nëse zgjidhet kjo qasje, atëherë njerëzve mund t’u përcillet shpresa e arsyetuar për përmirësimin e gjendjes së tyre në Shqipëri, çka unë e konsideroj si jashtëzakonisht të rëndësishme.”

I pyetur mbi sfidat dhe arritjet në fund të mandatit të tij në Tiranë, Ambasadori Hoffman gjatë intervistës lamtumirëse u shpreh gjithashtu se ai konsideron si një prej arritjeve të tija më me rëndësi gjatë mandatit tre vjeçar në Tiranë, përpjekjet e tija për sensibilizimin sado pak tëpolitikës dhe të shoqërisë shqiptare mbi nevojën për tu përballur me të kaluarën komuniste.Ai u shpreh tekstualisht se, “Në fund dëshiroj të përmend përballjen me historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri, për rëndësinë e së cilës kam pasur rastin të shprehem në shumë raste, gjë që në përshtypjen time ka ndikuar që kjo temë e rëndësishme të shkojë më përpara.”

Për veprimtarinë tuaj në këtë fushë iu falenderojmë i nderuar Z. Ambasador, por kam drojë se fjalët dhe këshillat e juaja fisnike dhe miqësore janë si daullja që bie në veshë të shurdhit.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, KALUARËN KOMUNISTE, POROSITË E AMBASADORIT GJERMAN PËR T'U PËRBALLË ME TE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT