• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

NOBELISTET-BORIS LEONIDOVIČ PASTERNAK

June 7, 2016 by dgreca

NOBELISTI  XV 1958/BORIS LEONIDOVIČ PASTERNAK/

  Boris Leonidovich Pasternak (Rusisht: Борис Леонидович Пастернак Dëgjon? Mosk 10 shkurt, 1890 – Peredelkino, 30 maj, 1960 ) Ishte një poet dhe shkrimtar rus.

Në vitin 1958, me  Dr. Zhivago  Pasternaku do të marrë Çmimin Nobel për Letërsi( të cin ai e rfiuzoi nën  presionin  e regjimit sovietik).

«Arti është në barin, dhe duhet të keni përulësinë që të përkuleni për ta marr»- Boris Pasternak])/

Data e lindjes, 29 januar, 1890 sipas kalendarit Julian të atëhershëm në fuqi në Rusi, më 10 shkurt 1890 sipas kalendarit Gregorian. I lindur në një familje të pasur çifute e asimiluar, ai kaloi fëmijërinë e tij në një ambient intelektual dhe artistik. Babai i tij Leonid ishte një artist dhe profesor në Shkollën e pikturs në Moskë, nëna e tij, Roza Kaufmann, ishte një pianiste. Në “Autobiografia dhe vargje të reja”, Pasternak na jep një përshkrim të paharruashëm dhe prekës të Moskës së fëmijërisë së tij:

“Në fund të shekullit Moska ende ruante fizionominë e qosheve e tij të vjetra të largëta, tepër piktoreske sa të duken përrallore, me karakteristika legjendare të një Rome të tretë dhe të një kryeqyteti të epokës heroike, në madhështinë e kishave të saj të panumërta. »

Midis personaliteteve të kulturës – muzikantë, artistë dhe shkrimtarë – Pasternak pati mundësinë të takonte në shtëpinë e prindërve edhe Lev Tolstoin, të cilin babai i Pastërnakut , Leonidi, i  ilustroi librat.

 «Ata e kuptuan atëherë se vetëm jeta e ngjashme me jetën e atyre përrrreth nesh, jetën që zhytet në një jetë pa shenjë, kjo është jeta e vërtetë, se lumturia e izoluar nuk është lumturi. … Kjo ishte ajo që e hidhëroi mbi çdo gjë.»

 MOTIVACIONI : «për rezultatet e tij të rëndësishme në fushën e poezisë bashkëkohore në atë të traditës së madhe  të epikës ruse»

______________________________________________

 MARGARITA

Duke shkulur shkurren nga vetja si lak,

mё vjollcë se buzёt e shtrёnguara tё Margaritёs,

mё pasionante se bardha e syrit tё saj,

pёrpёlitej, kumbonte, dominonte, rrezatonte njё bilbil.

Si aromё përhapej nga bari. Si zhivё shiu varej

i pakuptimtë  midis qershive tё egra.

Prishte lёvoren. Duke dihatur  i afrohej buzёs.

Mbeste varur nё gёrshet.

   

Dhe, kur me dorёn e habitur duke e kaluar

mbi sy, ishte joshur nga argjendi Margarita,

dukej atёherё se nёn pёrkrenaren degёsh dhe shiu

kishte rёnё pa fuqi amazona nё pishnajё.

 

Dhe zverkun me njё dorё nё dorёn e tij,

dhe tjetrёn tё pёrkulur prapa, ku u shtri,

ku u kap, ku u var pёrkrenarja e tij prej hijeje,

duke shkulur shkuurren nga vetja si lak.

 1919  

 NË ÇDO GJË

Në çdo gjë kam dëshirë të arrij

deri në substancë.

Në punë, duke kërkuar rrugën time

në rebelimin e zemrës.

Deri në esencën e ditëve të kaluara,

deri në arsyen e tyre,

deri në motivin, deri në rrënjët,

deri në palcë.

Përjetësisht duke u kapur në telin

e fateve, të ngjarjeve,

të ndjej, të dashuroj, të jetoj, të mendoj

të bëj zbulime.

 

 

TË DUASH TË TJERËT

 

 

Të duash të tjerët është një kryq i rëndë,

por pa dredha ti je e bukur

e fshehta e paqartësisë sate

është  i barabartë me të kuptuarit e jetës.

 

Në pranverë, dëgjohet shushurima e ëndrrave

dhe pëshpëritja e së vërtetës dhe lajmeve.

Je nga një familje me parime të tilla

Ndjenja jote është altruiste si ajri.

 

Është e lehtë të zgjohesh e të shohësh qartë,

Të zbrazësh zemrën prej mbeturinave verbale

dhe të jetosh pa ndotjen për të ardhmen.

E gjithë kjo s’është shkathtësi e madhe.

 Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, Nobelistet, ORIS LEONIDOVIČ PASTERNAK

Rama thirr “Ezanin” në ditën e parë të agjërimit

June 7, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi / Dje ishte ditë e hënë. Dhejtramijë besimtarë muslimanë në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën islame, filluan agjërimin e Ramazanit. Shumica prej tyre e nisën këtë rit pa ngrënë syfir. Madje dikush pyeti një hoxhë nësë quhet agjërimi pa ngëniën e syfirit, duke e shpjeguar këtë më varfërinë. Këta dhjetra mijëra që nuk kanë mundësi financiare të përballojnë për një muaj radhazi përgatitjen e një menuje ekstra, e cila do të lehtësonte sakrificën e muslimanëve shqiptarë gjatë mbajtjes së Ramazanit në këtë qershor të nxehtë kur dita shënon gjatësinë e saj më të madhe në harkun e një viti. Po në ditën e parë të Ramazanit u shfaq kryeministri shqiptar, Edvin Rama, i icili “fali” dy herë Ezanin. Njëherë fill pas takimit të tij të dështuar me kreun e opozitës, Lulzim Basha, madje me ezan të regjistruar (shkruar) më parë dhe herën tjetër në mbrëmjen e vonë në ekranin e rezervuar në Top Channel në ditën e shenjtë të tij, ku kishte në krah dhe tre mëkëmbës të zotë e të sprovuar, Sokol Ballën, Skënder Minxhozin dhe Arjan vasjarin, të tre karzmatikë në gjurmët e hoxhëefendiut kryeministër. Skënder Minxhozi dhe Arjan Vasjari i kundërshtuan qëndrimet e opozitës për vendet e rezervruara në disa raste edhe më mirë sesa vetë Edi Rama. Në “Ezanin” e Ramës e të korit të tij simpatik u shfaqën disa simptoma të qarta, që vijnë jo nga ngjarjet që zhvillohen, por më së shumti nga karakteri i protagonistëve në fjalë. Paneli i përzgjedhur ose ishte udhëzuar, ose e ndjente frymëmarrjen e e kryeministrit Rama, ndaj dhe ia shtroi atij tapetin e bardhë që të kërcënonte Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për integrim. Në Top Story, Edi Rama tha se plani A i një marrëveshjeje me opozitën ishte i dështuar dhe foli për një plan B, sipas të cilit ai do ta çonte projektin e reformës së drejtësisë në parlament, duke nënkuptuar blerjen e disa të depotetëve opozitarë, me qëllim arritjen e dy të tretave të votave të domozdoshme për ndryshimet kushtetuese. Ndërsa kur u bë pyetja e porositur se çfarë do të bënte nëse reforma dështon në parlament, Rama foli për një plan C, të cilin “do ta njoftonte në momentin e duhur”. Meqenëse pyetja kishte të bënte me zgjedhjet e parakohshme, atëherë u kuptua qartë se në “Ezanin” e kryeministrit përmblidhej ideja e këtyre zgjedhjeve. Përmendja e planit C ishte parashikuar si presion paraprak, sidomos për LSI-në, e cila mendohet se nuk është e parapërgatitur për to, pra, që hilacaku Ilir Meta t’i përmbahej paktit deri në fund e ta votonte projektin e Edi Ramës për të marrë nën sqetull drejtësinë shqiptare. Por LSI e di se një drejtësi e urdhëruar dhe e kontrolluar nga Edvin Rama do ta mbajë lidershipin e saj përjetësisht peng të kryeministrit. Nëse do të pranojë zoti Meta këtë pengmarrje, kjo mbetet të provohet në rastin kur drafti i ndryshimeve kushtetuese të vihet në votim në seancën plenare. Edhe nëse zoti Rama do të jetë i aftë të bëjë merkaton e deputetëve opozitarë, përsëri mbetet të shihet, kur projekti vërtet marrë udhë nga komisioni në kryesinë e kuvendit e prej këtej në seancën plenare. Me rëndësi është se kreu i opozitës, zoti Basha, është i vendosur në opozitarizmin e tij. Ai kërcënoi me lënien e mandateve të deputetëve opozitarë në rastin e një manipulimi qoftë dhe të një deputeti të Partisë Demokratike. Lënia e mandateve të deputetëve të opozitës do të sihte rikthim në situatën e shtatorit të vitit 1996, kur deputetët socialistë, përjashtuar Sali Rexhepit, nuk kishin pranuar marrjen e mandateve që u kishin dhënë zgjedhjet e 26 majit të atij viti, zgjedhje të cilat u bojkotuan prej tyre dy orë para hapjes së kutive të votimit. Lënia e mandateve të deputetëve demokratë do të jetë më dramatike sesa mosmarrja e mandateve nga ana e deputetëve socialistë të vitit 1996, sepse tash mbas 20 vitesh situata ekonomike e sociale është shumë herë më dramtike sesa atëherë, pavarësisht humbjes së kursimeve në firmat piramidale të asaj kohe. Kurrë ndonjëherë ky vend mbas shembjes së komunizmit nuk ka qenë më i pashpresë sesa sot. Treguesit e mungesës së shpresës nuk maten me fjalimet patetike për rritje ekonomike të kryeministrit dhe ministrit të financave, por me tregues konkretë. Për herë të parë më 2015 numri i shqiptarëve është ulur në krahasim me një vit më parë, sepse lindjet janë më të pakta, sepse vdekshmëria është rritur, sepse mbi 100 mijë shqiptarë emigruan gjatë këtij viti, sepse gjysma e shqiptarëve duan të emigrojnë, sepse 99 përqind e tyre kanë rikthyer tezën e para vitit 2005, se “Ky vend nuk bëhet”. E gjithë kjo situatë e trishtë përkthehet në mungesë përspektive, mungesë të të ardhurave, rënie të konsumit, ulje të parave të kursimit. Ndërkohë që ministri Arben Ahmetaj mburret me rritjen ekonomike virtuale. Lënia e mandateve nga opozita është paralajmërimi më i keq i imponuar nga ai që krekosej mbrëmë në Top Story me kërcënimin kolektiv të shqiptarëve se “Do ta përmbysë Shqipërinë, nëse reforma në drejtësi nuk miratohet”, sigurisht sipas oreksit të tij për dominimin e të gjitha pushteteve në këtë vend. Për mua do të ishte një ogur pozitiv, por jo më i miri, nëse gjyqësori anon nga opozita, sesa nga pushteti. Në fund të fundit është mazhoranca dhe ekzekutivi ai që jep e duhet të japë llogari para qytetarëve dhe një gjyqësor i sunduar nga pushteti, sidomos ai ekzekutiv, do të sjellë në krye të vendit një diktaturë të oligarkisë, ose një diktator të mirëfilltë. Dështimi i bisedimeve të djeshme së paku arriti të evitojë ngritjen në sistem të një diktature fashiste. Se çdo të bënte Edi Rama me një drejtësi të kapur prej tij, ai e pohoi sot kur u prononcua rreth vendimit të gjykatës për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Poliicisë së Shtetit nga detyra për shkak të përdorimit të paligjshëm të aparatit të përgjimeve. Ai dhe ministri i tij, Sajmir Tahiri, morën në mbrojtje kryepolicin si dhe dy oficerë të tjerë policie të akuzuar për këtë aferë dhe kritikuan ashpër prokurorinë e shtetit. Kjo do të ishte e mjaftueshme ta bindte Mogerinin në Bruksel se çfarë sistemi të drejtësisë predikon kreu i ekzekutivit dhe mazhorancës në Shqipëri, sepse Vlahutini nuk bindet në asnjë rrethanë për këto fakte. Sulmi kundër prokurorisë së shtetit është sinjali i qartë që na provon synimet e Edi Ramës për një drejtësi e kontrolluar prej tij dhe e adresuar kundër opozitës së vendit. Imagjinoni se çfarë do të ndodhte në një rast të tillë. Do të duhej një revolucion i tipit rumun të vjeshtës së vitit 1989 që të rishembej diktatura në Shqipëri, një revolucion që nuk do të dihet se si do të përfundonte për shkak të disekulibrave psiqikë e psikologjikë të kryeministrit dhe ministrave të tij. Askush nuk mund ta parashikojë pasojën pas uzurpimit të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama ashtu siç mund të merret me mend se cila do të ishte pasoja e një veprimi opozitar jashtëinstitucional me protesta dhe manifestime antoqeveritare. Paratë që pushteti përfiton nga plantacionet anembanë vendit të mbjella me hashash dhe trafiku i kontrolluar prej pushtetit ekzekutiv i kësaj sasie marramendëse e marijuanës janë një sinjal konkret se do të viheshin në shërbim të ruajtjes dhe mbrojtjes së kësaj diktature në rastin e një reagimi qytetar jashtëinstitucional. Por më e mundshme është që Edi Rama të shfrytëzojë këtë situatë për t’u shfaqur në një fushatë zgjedhore të parakohshme si “kampioni i integrimeve europiane të Shqipërisë”, duke akuzuar opozitën, e në rastin e mosvotimit edhe të Ilir Metës, si pengesën e këtij integrimi të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai tashmë ka mësuar nga veprimet e tij opozitare të bllokimit të ligjeve dhe aktivitetit të tij intensiv për të penguar liberalizimin e vizave, kur Partia Demokratike në pushtet nuk u përkushtua fuqishëm që ta denonconte veprimtarinë e ish-kryeopozitarit Rama kundër integrimit të vendit në BE. Ai ka vendosur të mos e bëjë gabimin e demokratëve. Dje në Ezanin e tij ai më së shumti u duk se ka hapur fushatën elektorale, pasi fjala e përgatitur me shkrim këtë objekt shfaqi, dmth shpalli doktrinën e fajësimit të opoozitës për dështimin e konsensusit për reformën në drejtësi e për pasojë, tha ai, edhe fajësimin e saj si pengesë e integrimit. Por vrulli i Edi Ramës duhet ndalur, me çdo mjet e me çdo çmim. Nëse jo, veprimet e mëvonëshme do të kenë një çmim disa herë më të lartë, jo për Ramën e politikën, se për këta askush nuk do të pyesë më, por për Shqipërinë dhe shqiptarët. Atëherë shqiptarët nuk do të kenë për t’u ushqyer jo vetëm për syfirin, por as për iftarin. Shkurt nga halli do të detyrohen të mbajnë Ramazan 12 muajt e vitit, pa mundur të sigurojnë ushqimin për asnjë prej vakteve të ngrënies. “Ezani” i Ramës dy herë në ditën e parë të agjerimit nuk do t’i ndihëmojë shqiptarët të ndjehen më mirë e më të lumtur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, në ditën e parë, Rama thirr “Ezanin”, të agjërimit

Një javë në Parajsë

June 7, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Nga përrallat që më kujtohen nga fëmijëria, është dhe një që tregonte për parajsën. Mbase më ka ngjitur më shumë ajo se lidhej edhe me varfërinë tonë ekstreme. Ndofta dukuria ka në vetvete ndonjë shkak mitik. E dimë prej Mitologjisë se si mbijetojnë në ndërgjegjen e njeriut mitet origjinare që e kanë humbur pothuajse tërësisht kuptimin fillestar. Qysh nga zanafilla e vet njeriu ka ëndërruar dhe kërkuar një “ishull të lumturisë”, njëfarë parajse tokësore ku të jetë i çliruar prej gjithë sa i duket mjerane në jetën e vet të zakonshme. A thua se ka hequr dorë sot nga përjetime të tilla? Mendoj se jo. Apo, për të qënë më i saktë, varet nga individi, nga përvoja e formimi i secilit.

Unë e kam kaluar gati gjithë periudhën e shkollimit nëpër konvikte, me atë pjatën e gjellës dhe copën e bukës të racionuar. Më vjen si tani në mendje, në konviktin e Përmetit, kur kishim për mëngjes një gotë çaj dhe ndonj copë djathë apo një lugë marmelatë ose reçel. Sa për kurjozitet: copa e dhjathit, i bardhë apo kaçkavall, nuk qe më e madhe se një kokërr arre. Më tepër e lëpinim se e kafshonim. Dhe me fantazinë time, që sa po hidhte shtat, duke përsiatur, thosha me vete: “A do të vijë vallë ndonjë kohë që të pi çaj dhe të ha djathë, sidomos kaçkavall, sa të dua?!” Dhe përgjigjesha po vetë: “Absolutisht jo! Kurrë!”. Të them të drejtën, më dukej një ëndër e parealizueshme, se nuk do të vinte kurrë ajo kohë që të haje e të pije sa të dëshëronte e bardha zemër.

Në fshat, ku kalova fëmijërinë, bulmeti qe me bollëk akoma pa filluar marrëzitë e kooperativave e të tufëzimeve. Por, as nuk është momenti të zgjatem se sa kemi vuajtur, më pas, në ato vite, për një kile djathë, një shishe qumësht apo një pako gjalpë. Më zë tmerri kur kujtoj ngritjet në mesnatë për të zënë radhë; furnizimet me lista; lutjet deri në përunjësi për një copë mish më shumë e kështu me radhë…Por, siç thashë, nuk dua të merrem me këto. Gjetkë doja të dilja me atë përrallën që tregonte për parajsën. Më janë fiksuar në mendje detaje të tilla: ngado që shkoje,  në çdo rrugë e rrugicë, nëpër pemë e nëpër gardhe, në dyer e nëpër shkallë, kudo, vareshin sallamra, kremviçe, copëra djathrash nga më të mirët, karamale, llokume e lloj-lloj ëmbëlsirash të tjera. Ty nuk të mbetej gjë tjetër veç të zgjatje dorën e t’i merrje…Hajde fantazi, hajde!

Dhe ja tani, kalojmë nga ajo përralla me parajsë, tek një “parajsë” tjetër e vërtetë,  nëse për ta klasifikuar si të tillë një vend do të nisemi nga kriteri që përmëndëm më sipër, pra, që të kesh për të ngrënë e për të pirë ku të duash, sa të duash e çfar të duash, qysh kur çohesh në mëngjez e deri sa të të rëndohen sytë për gjumë pas mesnate. Dhe, mos pandehni se është fjala vetëm për të shkuar në sallën e restorantit apo të ndonjë lokali tjetër. Jo! E thashë edhe një  herë: kudo, edhe pa dalë nga dhoma e gjumit, tek ecën në rrugë , në rërë ndërsa shullëhesh në diell, madje edhe në ujë brenda tek po noton apo je shtrirë mbi ndonjë dyshek gome…Po e them pa e tepëruar se realiteti që provova për një javë në Punta Kana, një risort modern buzë detit në bregun lindor të Republikës Domenikane, ia kalonte dhe atyre përshkrimeve të përrallës që u tregova më lart. Po të mos e kisha përjetuar vetë atë mrekulli, si zor se do ta besoja po të ma tregonin të tjerët.

Jam i vetëdijshëm se dhe me këtë habi apo mbresa entusiaste që po shpreh, unë nuk po dal prapë nga vetja. E di se për shumë e shumë të tjerë, jo vetëm këtu në Amerikë por dhe në Shqipëri, resorte të tilla si ky që po rrëfej unë nuk janë të panjohur. Madje, në Shqipëri, një dorë e mirë politikanësh e biznesmenësh, mbase e kanë mënyrë jetese të zakonshme ngrënie-pirjen e pakufizuar, në kohë e hapësirë. (Nuk është fjala për në shtëpinë e tyre, se, shyqyr Zotit, dhe mua tashmë nuk më mungon gjë). Megjithatë, unë do të vazhdoj të tregoj për “parajsën” time, që e shijova, për fat të keq, vetëm një javë. Ma do mëndja se nuk jam i vetëm që mbrekullohem nga  “parajsa” të tilla tokësore.

Mbase nuk gaboj po të them se shpesh, shumë njerëz, kur planifikojnë pushimet, kanë parasysh, në mos motiv kryesor edhe kuzhinën, ushqimin, të ngrënët, atë që mund ta quajmë turizmi gastronomik. Jo rastësisht, në kanalin “Travel”, të SHBA-së, ka një rubrikë të posaçme për ushqimin e gatimin, në vende të ndryshme të botës. Sidoqoftë, unë këto mbresa personale i fokusova në këtë dimension, dhe jo pa qëllim. Të tjerat i gjen përmes një klikimi në Internet, me lehtësinë më të madhe ndaj dhem për të mos u zgjatur, nuk do ndalem në to.

 

  1. Udhëtimi i parë në “parajsën” tokësore: Resorti “Dream” ( Maj 2008 )

 

Ishim me pushime pra, në resortin “Dream”, në Punta Kana të Republikës Dominikane. Për resorte të tilla kisha lexuar e kisha parë jo vetëm reklama turistike por dhe episode filmash, ku “Daj Samët” amerikanë shkonin nëpër këto “republika të bananave” dhe jetonin si mbretër. Por, e përsëris: ndryshe ta lexosh në libër apo ta shikosh në ekran dhe ndryshe ta përjetosh apo ta shijosh vetë.

Në fillim u nisa thjesht për të njohur një vend të Amerikës Latine, apo të zonës së Karaibeve, ndonëse ata që ma sugjeruan më përgatitën shpirtërisht për shumë më tepër se kaq.

E veçanta filloi që në aeroportin e Punta Kanës me ndërtesat e mbuluara me kallam e me kashtë, si kasollet e Myzeqesë tek ne. Sapo hyje në aeroport, dy vajza të reja e të bukura, veshur me kostumet karakteristike të vendit, të uronin mirëseardhjen duke të buzëqeshur, ndërkohë që fotografi po shkrepte aparatin pak më tej.

Hyjmë në aeroport për procedurat e zakonshme që ndonjëherë të plasin shpirtin. Një grup muzikantësh me sombrerot e mëdha “alla meksikane”, këndonin e u binin veglave tërë pasion e, sikur të detyronin që të futje dorën në xhep e të hidhje diçka në kutinë që kishin vënë aty pranë, edhe sikur të mos e kishe fare në plan një gjë të tillë.

Nisemi për në resort. Akoma nuk po binte erë “parajsa” e premtuar.

Një parantezë e vogël: Para se të nisesha, e bisedova këtë udhëtim turistik me dy koleget e mija të punës që janë me orgjinë nga Republika Dominikane, me Mairën dhe Rosën.  Pas urimeve të zakonshme, për raste të tilla, që të dyja, duke ndryshuar në fytyrë, si me dhimbje, shtuan: “Ju do të kënaqeni në risorte, por jashtë tyre do të përballeni me një realitet tjetër, krejt të ndryshëm nga ai, me një kontrast të madh…”. Më theri në zemër pohimi i tyre…Lexuesi e kupton menjëherë sepse: m’u kujtua vendi im hallemadh…Por, le të vazhdojmë kronikën që nisëm.

Rruga nga aeroporti për tek risorti qe e asfaltuar, por tërë gropa sa që vetëm mjeshtëria e shkathësia e rrallë e shoferit, Karlos, që na mori, bëri që të mos na dilnin zorrët përjashta, për të thënë më të paktën e mundëshme. Përballemi apo edhe parakalojmë makina të llojeve e markave të ndryshme, të vjetra e të reja, por dhe me kafshë e qerre. Tromaksemi e sa s’na pushoi zemra kur shohim një çift në një motor, jo vetëm pa kaskat mbrojtëse, por, gruaja po mbante në duar një bebe të vogël. Mjaftonte një frenim apo një rrëshqitje sado e lehtë, që të ndodhte tragjedia…( Kujtoni Amerikën ku  fëmijët nuk  lejohen edhe në makinë brenda të pasiguruar me rrip apo me karrige të posaçme). Anash rrugëve, dyqane të vogla, me tabelat e shkruara keq, me hekura mbrojtës të shëmtuar…Besomëni se po të më merrnin sy mbyllur e të më çonin diku atje; të m’i hapnin sytë e të më pyesnin se ku ndodhesha, pa e vrarë mëndjen fare, do të përgjigjesha pa hezitim: “Diku midis Lushnjës e Fierit”. Jo vetëm nga rrugët e dyqanet por edhe nga gjithçka tjetër. Po ata njerëz si të tharë në tym, të parrojtur e të veshur keq; që presin kryqëzimeve për makina; që i luten shoferit për t’i marrë e që tepër të kënaqur kërcejnë sipër në karroceri…Unë mbase nuk jam i saktë kur bëj një analogji të tillë, se, me ç’më kanë thënë apo dhe nga sa jam informuar nga media, dhe në Shqipëri nuk është më ajo gjendje si dikur…Nga të dy anët e rrugëve janë ndërtuar vila të bukura që mund t’i kishte zili secili nga ne. Dhe këtu, tek jemi duke shkuar në risortin e Punta Kanës, krahas shtëpive pocaqi shohim herë pas here dhe vila madhështore që kontrastonin tmerrësisht me mjedisin përreth.

Ja dhe risorti i shumëpritur. Rrethuar me mure dhe me rojet tek porta, ai më la përshtypjen e një reparti ushtarak, të ndonjë baze amerikane, siç na i kishin paraqitur dikur në dokumentarët që “demaskonin” Imperializmin e përtej oqeanit. U hap një derë e madhe që u mbyll përsëri sapo hymë. Do të kalonin vetëm pak sekonda dhe përjetimi i një “detyrimi ushtarak” do të shuhej e vendin e tij do e zinte kënaqësia e pushimeve të jashtzaknshme: Një kamariere e re, simpatike, duke të buzëqeshur, nuk pret sa të regjistrohesh por të afron një tabaka me gota shampanje për të të uruar mirëseardhjen. Pikërisht, përmes asaj porte, ne kaluam njëkohësisht edhe nga “ferri” që lamë pas tek “parajsa” e shumëpritur.

Buzëqeshja e kamarieres qe një refren që do të përsërritej tek të gjithë punonjësit që do të na shërbenin aty: tepër të dashur e të gatshëm për çdo gjë. Edhe pse gjithçka përfshihej në pagesën që kishim bërë, për respekt, mirësjellje, pse jo dhe për keqardhje, ne iu jepnim ndonjë tip për çdo shërbim.

Kjo qe vizita e parë në Punta Kana që na hapi oreksin për tu rithyer aty përsëri.

 

  1. Udhëtimi i dytë: Resorti “Majestic Colonial” ( Prill 2012 )

 

Risortet atje nuk kanë shumë ndryshim nga njeri tjetri. E keqja e këtij udhëtimi të dytë qe se më mungonte partneri, im-dhëndër Tani, në të pirë e në të ngrënë. Duhet të luftoja në të dyja “frontet” me forcat e mija. Isha vetëm me time shoqe, Kostandinën, “armike” e të ngrënit me bollëk dhe sidomos e pijeve alkolike. Më duhet ta përballoja tërë atë mrekulli me një “opozitë” të fortë. Megjithatë, jeta na ka mësuar edhe hiletë e nevojshme për të përballuar situata të tilla. Por, për hir të së vërtetës duhet të pranoj se e pagova shtrenjt: u shëndosha aq shumë sa mezi lidhja e zgjidhja këpucët. “Jo, nuk do të vij më kurrë këtu! Edhe sikur të kem ndonjë ofertë falas!” u betova dhe nuk po bëj shaka. E pamundur t’i rezistosh tërë atyre ushqimeve e pijeve. Edhe në Bibël thuhet, në fund të lutjes së përditëshme: “:…dhe mos më shtjer në ngasje…”.Ndaj, për të mos rënë në ngasje, më mirë nuk po shkoj fare dhe pikë! ( “Vuajtje e tortura të tilla paç përherë!” mund të më uronte/mallkonte dikush, me apo pa të drejtë).

Por…kurrë mos thuaj kurrë. Kjo do të ndodhte dhe me Punta Kanën. Pa më pyetur mua, ime shoqe prenotoi një udhëtim tjetër në këtë vend të bekuar dhe nuk gjeta forca për ta kundërshtuar. Me ne u bashkuan dhe çifti Koila, Beni dhe Dafina.

 

 

  1. Udhëtimi i tretë: Resorti “Majestic Elegance” Maj 2016

 

Ka plot gjëra të përbashkëta me dy udhëtimet e mëparshme por dhe shumë ndryshime. Aeroporti nuk është më i mbuluar me gjethe palmash e i hapur, si dikur, por i stilit modern, njëlloj si aeroportet e tjera. Ka humbur apo ka fituar? Do të thosha : të dyja bashkë, modernia përherë e “vret” traditën, sado tërheqëse qoftë ajo. Edhe rrugët nuk janë më ato duke kapur standartet bashkëkohore. Shoferi ynë i mikrobuzit, Francesko, turret me shpejtësi drejt risortit, pa shqetësimet e dikurshme të Karlos.

Njerëzit janë po aq të dashur e të gatshëm për çdo shërbim, por…diçka ka ndryshuar edhe tek ata: tashmë janë familjarizuar me bakshishet dhe po të mos ua jepje, s’iu vinte mirë, ndjenin boshllëk. Madje një nga menaxheret që na dha sqarimet e rastit, si pa të keq, edhe na porositi se si e kur t’ua jepnim. Bota lëviz në çdo drejtim.

Ushqime e pije si përherë por, tani, “frenat” i përdorim përherë e më shpesh. Beni nuk ma prish, më shoqëron në çdo gotë që kthej, disa herë edhe kundër dëshirës së vet. “Sakrifikon” për mua dhe i jam mirënjohës edhe pse i uroj që të tilla “sakrifica” paçim gjithmonë për njeri tjetrin. Shpresoj që të tjera “parajsa” si këto do na i krijojnë mundësitë për ‘sakrifica” të reja në të ardhmen.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: And on Dede, Një javë në Parajsë

Bashkëkombësi ynë Salih Bacaj zuri vendin e 3-të në bodybuilding New York

June 6, 2016 by dgreca

Ne garat që u mbajtën me 4 Qershor 2016 në New York Atlantic States Championships, bashkëkombësi ynë Salih Bacaj ishte njeri nder pretendentet kryesor te këtij garimi fal gjendjes se ti të shkëlqyer fizike si bodybuilder dhe kështu ne një garim te fort ne këtë disiplinë ai zuri vendin e 3-te ne shtetin e New Yorkut qe është një sukses i jashtëzakonshëm i këtij te riu me origjinë nga Plavë Gucia.

Përndryshe Salihi 22 vjeçar, është djali i bashkëkombësit  tone Imer Bacaj nga fshati Pepaj i Plave Gucisë.(E dregoi per Diellin:Esad Gjonbalaj)

Filed Under: Komunitet, Sport Tagged With: New York, Salih Bacaj, zuri vendin e 3-të në bodybuilding

Kënga e vallja shqiptare e “kallën” Detroitin

June 6, 2016 by dgreca

NGA BEQIR SINA/

DETROIT MICHIGAN: Më 4 dhe 5 qershor, në Hart Plaza në Detroit, u zhvillua festivali më i madh festiv i shqiptaro-amerikanëve :”Festivali Shqiptaro-Amerikan/Albanian-American Festival”. Një festival, ky i organizuar në sheshin Hart Plaza, ku kumbojë fuqishëm dhe shqip, kënga e vallja shqiptare, festival i ngjyrosur kuqezi, me flamuj të Kosovës,dhe portretin e Nëna Terezes. Për dy netë me radhë, këtu do të dëgjohej në sheshin amerikan,vetëm shqip zëri i yjeve të estradës shqiptaro-amerikane, në SHBA, të të gjitha rrymave muzikore, duke përfshirë instrumentet dhe meloditë autoktone shqiptare.

Festivali i Detroitit, është për nga organizimi ngjarja më e madhe festive, që mbahet ndonjëherë në shtetin e Michiganit,dhe ndoshta edhe në komunitetin e shqiptarëve të Amerikës, duke u realizuar kështu një nga pritjet shumëvjeçare të ideuara edhe më herët, të cilat kanë mbetur të pa realizuara, derisa përfundimisht, këto vitet e fundit ato u bën realitet dhe ëndërr e realizuar e organizatorit të këtij festivali -ne kete komunitet
Kësaj rradhe pikerisht të biznesmenit shqiptar Ben Pëllumaj,por edhe me ndihmën që dhanë atij edhe shumë shqiptaro-amerikanë të tjerë(sponsorizuesit), pëfshirë Kishën Katolike Zoja e Shqiptarëve me famullitarin Don Nue Gjergji, Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës – me Drejtor Gani Vila, dhe Drejtori artistik Fran Gjokaj, të cilët përbënë edhe grupin organizativ të :”Festivali Shqiptaro-Amerikan/Albanian-American Festival” mbajtur më 4 dhe 5 qershor, në Hart Plaza në Detroit të Michiganit,dheqendron ne logon e madhe te festivalit.
“Kisha Katolike Zoja e Shqiptarëve, me famullitarin Don Nue Gjergji, është me një kontribut të vecantë për mbajtjen e këtij festivali, tha organizatori i këtij festivali Ben Pëllumbi, duke shtuar se edhe faleminderuar edhe Kishen Katolike Shqiptare e Shën Palit, në partneritet të barabartë me Teqen Bektashiane, Xhaminë shqiptare, dhe disa organizatat shqiptare-amerikane, biznesmen e afaristë shqiptarë si dhe veprimtarë e lider të komuniteti shqiptaro-amerikan, të cilët ndihmuan sado pak në realizimin e këtij festivali në Hart Plaza – Detroit”
Festivali Shqiptarë – Amerikanë, është një aktivitet i këtij komuniteti i përvitshëm, por që për her të parë në historinë e këtij komuniteti, ai mbajt në qendër të qytetit të Detroitit.
Stolisja e këtij sheshi nga më të mëdhenjët në qytet dhe më i bukuri, me ngjyrat kuq e zi, me posterin e madh në hyrje të tij, me dy flamuj shqiptar , posteri me fotografinë e Nanë Terezes,logoja e madhe me sponsored dhe shfaqja non stop në një ekran gjigand të dokumentarit për Nëna Terezen në kuadrin e vitit të shëjterimit të Nëna Terezes, realizuar nga Televizioni ALBTVUSA ishin elementet që tërhoqën vëmendjen e mijëra amerikanëve dhe trusitëve të huaj- por edhe të shqiptarëve të shumtë që patën mundësinë për dy netë me radhë të ndiqinin këtë festival.
Festivali u zhvillua i hapur në natyrë, në “amfiteatrin” verorë, në qendër të sheshit.
Ai nisi ditën e shtunë, të shtunën, nga ora 2 pasdreke dhe u mbyll në ora 9 të mbrëmjes, kur nisi një shi i madh në shesh. Në natën e dytë të festivalit, ditën e diel, koha ishte në “krahun” e shqiptarëve, dhe kështu festivali shqiptarë “gjëmojë” përsëri më shumë se 8 orë, nga ora 4:00 që filloi programi me muzikë popullore shqiptare të këngëtarve të ndryshëm shqiptarë dhe shitoret ambulante me suvenire kombëtare si dhe ushqime të kuzhinës shqiptare me ushqime e pije të bollshme tradicionale shqiptare.

det9det8det7det6det5det4det3det2det1
Prezantuese e Festivalit – Manjola Tershana, Orkestra- Gojart Kodra, Gjovalin Shkreli, Albert Abedini, eskluziviteti televizivë TV i Shqipëtarëve të Amerikës ALBTVUSA
Organizator i Festivalit – Arben Pllumaj, kurse, Drejtor Artistik dhe drejtues me nje profesionalizem te perkryer i Festivalit ishte kengetari Fran Gjoka, i shpallur edhe “Qytetar Nderi” Pukes .
Përshëndetën festivalin Konsulli i nderit Ekrem Bardha, zëvendës Ambasadorja e Shqipërisë Mamica Toska, Don Ndue Gjergji , Dervishi i Teqes Eliton Pashaj.
Kënduan këngëtarët: Gëzim Nika , Fran Gjoka, Artur Matia , Valbona Peraj, Lap Logu, Anjeza Ndoj, Luka Hajdini, Dorina Tiko, Blerina Braka, Danjela Camaj, Fran Lucaj, Zef Duhani, Vëllezërit, Prifti, nga Korca, Merita Halili dhe maestro Raif Hyseni, Grupi i valleve të Kishës së Shën Palit (koreografe Joli Paparisto, grupi i valleve nga Toronto me drejtues dhe koreograf Ramazan Këllezi, shoqëruar nga Ruki Kondi.
Ndërsa, të shtunën, pikërisht në natën e parë të këtij festivali këngëtarët e njohur Gezim Nika, Valbona Peraj, Luka Hajdini ,Artur Matia,Lap Logu edhe Grupi i valleve të Kishës së Shën Palit me koreografe Joli Paparisto, grupi i valleve “Shqiponjat e Vogla”nga Toronto me drejtues dhe koreograf Ramazan Këllezi, shoqëruar nga Ruki Kondi,, u bënë edhe bukuria e festivalit madheshtor që do të hyjë në historinë e kulturës së Shqiptarëve të Amerikës në vitin e Nënë Terezes, ishte nata e dytë dhe e fundit e një festivali shqiptar në SHBA, që do të mbahet mend gjatë, si një mrekulli e vërtetë.

13404032_1140512349347017_3030132158666245141_o13323350_1140512112680374_5095213840772639650_o13403250_1140512106013708_5975162456691584213_o13350231_1140511342680451_5917103479245993848_o13392263_1140510652680520_3132784191798455195_o13411784_1140511182680467_66121462887971711_o13403211_1140508539347398_2720097487506432337_o13411934_1140508099347442_3810151019247072574_o13411956_1140508036014115_4960068144454396519_o13411658_1140507979347454_8132914975975538456_o13346337_1140507969347455_3067075853018136615_o13323380_1140507356014183_1821524756641700178_o13411928_1140506779347574_2814463109773896207_o13391495_1140506646014254_3554103972800572490_o13403236_1140506472680938_1419878437298857328_o

detvall2detvall1detfunddetselfiesdet14det13det12det10
Kënga e vallja shqiptare e kallën Detroitin për dy ditë, me radhë.
Ishte këngëtari i mirënjohur, i cili e hapi festivalin, Gëzim Nika, i shoqëruar në zë të dytë nga të gjithë këngëtarët, që u ngjitën në skenën e festivalit, dhe Grupi i mrekulleshëm i valltarëve “Shqiponjat e Vogla”nga Toronto, të cilët preformuan duke mrekulluar shqiptarët, dhe dhe në natën e dytë dhe mbylljen e festivalit, Mbreteresha e Këngës Popullore, Merita Halili dhe maestro Raif Hyseni, vëllezërit korcar Prifti, që sollën në Deteroit, atë atmosferën e koncerteve madhështore, kur ata ngrenin në peshë të gjithë publikun, i cili këndojë e vallëzojë ne shesh së bashku me ta.

Festivali i cili u mbajtë për dy ditë më 4 qershor e shtunë dhe e diel 5 qershor 2016, duke filluar nga ora 2pm dhe duke përfunduar nëte mesantes iu kushtua kësaj rradhe, “Vitit të Nëna Terezes” me rastin e shëjtërimit të saj më 4 shtator në Selinë e Shejtë në Vatikan.
Ndërkohë, që të gjitha fitimet nga festivalin e këtij viti do të shkojnë për të përfituar Motrat e Bamirësisë Nënë Terezës në qytetin e Detroit., mbasi tha organizatori i këtij festivali,:” Sot, nevojat e tyre, për t’i shërbyer më të varfërit e të varfërve në qytetin e Detroitit janë gjithnjë e më të kërkuar.”
Festivalit Shqiptaro-Amerikane 4 qershor dhe 5 qershor 2016 në Hart Plaza, Detroit, ishte i lirë për të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre. Festivali thanë pjesëmarrësit, është një ditë e madhe për të gjithë komunitetin dhe ky është vetëm fillimi, se në të ardhmen do të “mbulohen edhe të metat” e festivalit.
Organizatori, tha se :”Me këtë Festival shqiptaro-amerikan ne kemi si qëllim bashkimin e të gjithë shqiptarëve, në një process që ka nisur prej vitesh në këtë komunitet, nga veprimtar dhe lider të dalluar të komunitetit, dhe tejkalimin e atyre ndasive dhe dalliemve që kemi. Qëllimi ynë është që të arrijmë si komunitet, bashkimin tonë kombëtar dhe unitetin për brezat e ardhshëm e shqiptaro-amerikanëve për të festuar dhe për të kontribuar së bashku në komunitetin shqiptarë. Zotimin tonë dhe angazhimin tonë për të ruajtur dhe për të mbrojtur identitetin tonë kombëtar dhe trashëgiminë tonë të pasurar jetën kulturore, e artistike, që ajo si ka qenë traditë tek shqiptarët e Amerikës, të mbeten të vazhdueshëme, dhe përgjithmonë!
Shqipëria, atdheu ynë, vendorigjina jonë dhe Amerika, vendi ynë i dashur, shtëpia e dytë, dhe e përshtatur, janë dhe do të mbeten përgjithmonë e të pandashme në zemrat tona. Zoti e bekoftë dhe të na mbrojë të gjithë! Le të festojmë, dhe le të argëtohemi si shqiptar!
Festivali Shqiptaro-Amerikane 2016 në Hart Plaza, Detroit, simbas një njoftimi për shtyp, thuhet se ka pasur si synim të organizatorit për këtë Festival, të cilat janë: së pari: Për të nxitur unitetin e të gjithë shqiptarëve në mbarë botën, kështu që ne mundet me krenari të festojmë shumëdimensionale, trashëgiminë tonë të pasur shqiptare dhe kombëtare . Së dyti: Të festonim jetën dhe trashëgiminë, me rastin më solemne të kanonizimin e Nënë Terezës si një simbol universal dhe frymëzimin e dashurisë dhe dhembshurisë. Së treti: Në këtë ditë ne si shqiptarë të Amerikës, e riafirmojmë mirënjohjen tonë dhe të vazhdueshme dhe vlerësimin tonë për popullin amerikan dhe për qeverinë e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre dhe miqësinë e tyre të vërtetë për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe demokracinë në Shqipëri . SHBA, fener të shpresës ku shqiptarët kurrë nuk do të harrojmë për mbështetjen e tyre!

Me shume se 3 mije shqiptar per dy net ndoqen Festivalin Shqiptar ne Amerike ne zemer te Detroitit…

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Festivali ne Detroit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT