Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Shtatorja e Nënë Terezës në Sheshin kryesor të kryeqytetit të Kosovës- Prishtinë, korrik 2016/
-Qeveria e Kosovës, mbështetje aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë/
PRISHTINË, 22 Korrik 2016/Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë pasur disa biseda me Ipeshkvinë e Kosovës dhe me Ipeshkvin, ku është prezantuar programi që do të mbahet në Vatikan me këtë rast, të cilin e ka vlerësuar tepër të rëndësishëm për Kosovën.
“Unë mendoj se ky do të jetë një kontribut i veçantë. Është fjala për një ngjarje tepër të rëndësishme, për një figurë shumë të rëndësishme dhe ky do të ishte një kontribut i yni në këtë aspekt”, theksoi kryeministri Mustafa.
Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar të këtij viti nga qeveria kosovare në mbledhjen ku kryeministri Mustafa ka prezantuar iniciativën e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala. “Duke pasur parasysh që ky vit do të jetë vit i shenjtërimit të Nënë Terezës, këtë vit simbolikisht ta cilësojmë edhe si Vitin e Nënë Terezës në Kosovë, të cilin do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, mirëkuptimit, ndihmës, raporteve të mira dhe korrekte, të paqes dhe dinjitetit në Kosovë”, është shprehur kryeministri kosovar.
Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.
Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi sot mbledhjen e 101-të të rregullt, të 33-tën në vitin 2016, në të cilën ka miratuar projektligje dhe dokumente tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Mes tjerash, ka miratuar në parim edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Francës për bashkëpunim kulturor.


