• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

SHBA-Kosovë, Komisioni për Punë të Jashtme priti dy ekspertë nga Universiteti i Iowa-s

July 20, 2016 by dgreca

-Deputetët shprehën vullnetin e patundur të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për integrime euroatlantike, kurse mysafirët amerikanë janë zotuar se vendi i tyre do të vazhdojë ta mbështesë shtetin e ri të Kosovës dhe popullin e saj./

PRISHTINË, 20 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, në takimie sotëm të drejtuar nga Qerim Bajrami, zëvendëskryetar i Komisionit, nga radhët e komuniteteve pakicë, ka pritur dy ekspertë të njohur nga  Universiteti i Iowa-s: dekanen, Prof. Dr. Adrien Wing dhe ligjëruesin Prof. Nathan Miller. Ata vizitojnë Kosovën për të thelluar bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, me Universitetin publik të Kosovës, si dhe për të vënë kontakte bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës dhe me këtë komision parlamentar.

Nënkryetari i Komisionit, Bajrami, por edhe anëtaret e tjerë të pranishëm në takim: Puhie Demaku, Blerta Deliu-Kodra, Elmi Reçica, Zafir Berisha dhe Ismet Beqiri, kanë vlerësuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për Kosovën dhe sidomos të shtetit të Iowa-s, me theks të veçantë në planin e sigurisë dhe krijimit të kuadrove shkencorë, nga bashkëpunimi me universitetin e njohur të këtij vendi. Ata e kanë parë shumë të rëndësishme ekspertizën e mysafirëve në shumë lëmenj të së drejtës ndërkombëtare, si anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, krimet e luftës, me theks të veçantë dhunimi i grave nga pjesëtarë të forcave ushtarake dhe paraushtarake të agresorit. Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, kanë kërkuar mbështetjen për forcimin e kuadrit civil profesional të këtij komisioni, si dhe për funksionalizimin e diplomacisë parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Ata e kanë parë shumë të rëndësishme mbështetjen e arsimit të Kosovës, duke mundësuar shkollimin e studentëve kosovarë në Universitetin e Iowa-s dhe në universitete të tjera amerikane.

Zonja Wing ka pohuar se Universiteti i Iowa-së, me profesorët dhe studentët e tij ka ekspertizë solide në shumë lëmenj të së drejtës, sidomos në atë të mbrojtjes së drejtave të njeriut.

Zoti Miller, i cili pos që është drejtor i Klinikës së të drejtës ndërkombëtare të Fakultetit Juridik të këtij universiteti të njohur, ka punuar shumë në hartimin e kushtetutave dhe të akteve të tjera të rëndësishme të shumë shteteve të reja, a në krijim e sipër si: Sudan Jugor, Malavi,Palestinë etj. Ai ka  pohuar se po punon bashkë me MPJ-në për të sheshuar mundësitë parë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në Këshillin e Evropës, po ka theksuar faktin që vendi ynë mund të nënshkruaj traktate ndërkombëtare edhe pa qenë anëtar i OKB-së. Miller ka shprehur kënaqësinë që universiteti i vendi të tij sivjet (gjatë muajit tetor) organizon një konferencë ndërkombëtare për të drejtën moderne bashkëkohore për vendosje, në hapjen e së cilës do të marrë pjesë ministri për Punë të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Në përfundim të takimit, zv.kryetari i Komisionit, Bajrami ka shprehur vullnetin e patundur të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për integrime euroatlantike, kurse mysafirët amerikanë janë zotuar se vendi i tyre do të vazhdojë ta mbështesë shtetin e ri të Kosovës dhe popullin e saj.

Me këtë rast dekanja Wing u ka dhuruar anëtarëve të komisionit nga një kopje të historisë së Universitetit të  Iowa-s, në kuadër të 150- vjetorit të krijimit të tij, kusre Elmi Reçica, në emër të anëtarëve të Komisionit u ka dhuruar mysafirëve librin “Mashtri i Madh” (në anglisht) të studiuesit, Bardhyl Mahmuti, i cili me argumente i kundërvihet raportit të senatorit zviceran, Dick Marty ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës./b.j/

 

Filed Under: Rajon Tagged With: eksperte, Komisioni i P. Jashtme, Kosove, Universiteti Iowa-s

LULZIM BASHA, RRUGËTIM EURO-ATLANTIK

July 20, 2016 by dgreca

NGA RAMIZ LUSHAJ/
1.Kryehere, në vitet ’90, Lulzim Basha, gjimnazist i “Sami Frashërit” në Tiranë, mori pjesë në manifestime, protesta e veprimtari të Partisë Demokratike me devizën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, etj. Në zgjedhjet e 22 marsit 1992 ishte me mandatin e vëzhguesit të PD.
Kjo kohë e fillimeve demokratike shenjon fillesat e autobiografisë politike të Lulzim Bashës në PD e në politikën e madhe të kohës panshqiptare.
Lulzim Basha u rrit politikisht në moshë e karierë në kohën e demokracisë në Shqipëri, Hollandë e Kosovë. U rrit sëbashku me partinë e tij, Partinë Demokratike, prej nga simpatizant, veprimtar e antar i saj e deri kryetar i saj.
Lider i themeleve të PD, lider i themeltë i saj.
2.Politikani i ri Lulzim Basha është diplomuar (1993-‘99) në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin 379 vjeçar të Utrechtit, ma i madhi në Hollandë e i klasifikuar një ndër 50 universitetet ma të mira të botës. I vetmi lider i derisotëm i një partie politike shqiptare që i ka nis e krye studimet e larta universitare në Perëndim.
Bashkëshortja e tij Aurela Basha është diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Utrechtit dhe ka një MBA nga Universiteti i Amsterdamit në kryeqytetin hollandez.
Një të tillë shembull shkollimi bashkëshortor nuk e kemi në asnjë rast tjetër ndër liderët politik partiak shqiptar. Të dy, sëbashku, me shkollimin e tyre universitar në një nga vendet perëndimore ma demokratike të botës, si rast i përveçëm, si brumim, rrezatim, realizim, përbajnë sot një model emblematik, si të thuash, një “institucion” pro perëndimor më vete, në përkushtim të kohës demokratike, drejt të ardhmes euro-atlantike.
3.Lulzim Basha, si asnjë tjetër politikan kryepartiak shqiptar i derisotëm, vjen në politikën zyrtare të Shqipërisë Londineze me një karierë të shumfishtë mbi pesëvjeçare (1999-2004) në institucionet ndërkombëtare.
Fillimisht, ky euro-atlantik, punoi për Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, për Gjykatën e Hagës, ku përgatiti akt-akuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit. Pastaj, këshilltar ligjor i Misionit UNMIK të OKB-së, një nga shtyllat e ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës euro-atlantike. Njëkohësisht, ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë.
Kjo udhë drejt Perëndimit euro-atlantik, CV e tij elitare, janë përvojë e trashëgimi e thesartë, jo vetëm për Lulzim Bashën 42 vjeçar (12 qershor 1974), po edhe për Partinë Demokratike tre dekadore, janë edhe pjesë e strategjisë për ta promovuar liderin e vet si kryeministrër i ardhshëm i Shqipërisë.
 4.Lulzim Basha ka ardhë në politikën zyrtare të Tiranës si një prurje euro-atlantike risore, meritore, aktive, cilësore, si një frymë e re në PD e politikën panshqiptare.
Si i tillë ai kreu detyrën e Kordinatorit të Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP), që ishte shtysë efektive e lartësim elektoral i fitores së PD-së më 2005. Njëherash ishte edhe Zëdhës i Fushatës Zgjedhore të PD më 20015. Kandidat për deputet i PD në Tiranë. Sigurisht, afirmativ e përballës me të majtën e figura politike të saj në debate televizive të Elektoriadës 2005.
 5.Lulzim Basha, ndryshe nga të gjithë ministrat e PD-së, pati katër mandatime në kohën qeverisëse koalicionore të PD-së, duke sjellë gjithato prurje euro-atlantike, duke shënuar plot arritje euro-atlantike.
Si ministër i Transporteve ishte përballës politik, nismëtar i flaktë e në disa menaxher i talentuar i Rrugës së Kombit (Autostrada Durrës-Kukës) për integrim me Kosovën shqiptare, i Tunelit të Krrabës të lidhjes së Tiranës me Elbasanin e Shqiptarët e Shkupit Dardan, etj.
Si ministër i Punëve të Jashtme u zgjodh në një kohë kur për herë të parë Shqipërinë e vizitoi një President në detyrë i SHBA-së, Xhorxh Ë. Bush, në kohën e marrrjes së Ftesës e antarësimit në NATO, Hapja e Negociatave për Liberalizimin e Vizave, përshpejtimit të objektivave për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat në BE, për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) e njohjet ndërkombëtare të saj, etj.
Si ministër i Brendshëm (2009-2011) kur Shqipëria përmbushi të gjitha kushtet teknike për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian, etj.
 Në katër vite kryebashkiak i metropolit shqiptar (2011-’15)  punoi me përkushtim, me projekte transformuese e realitete ndryshuese, për ta kthyer Tiranën në një qytet modern dhe europian.
 6.Kryetari aktual i PD-së, euro-atlantiku Lulzim Basha, i zgjedhur para tre vitesh, në korrik 2013, sipas parimit “1 antar – 1 votë”, me mbi 80 për qind të votave në elektoriadën partiake.
Ky është një mandat i fuqishëm për sipërmarrje politike prej tij për t’u dhënë shqiptarëve jo vetëm një opozitë të fortë vizionare e qëndrestare,  për t’i dhënë vendit alternativën e shpresës dhe forcën ta mbyllë trazicionin e tejzgjatur, në përballje me qeverinë Rama-Meta.
Lulzim Basha për ta kryer në kohë e lartësi këtë mision historik, kombëtar, politik, po punon për një organizim anglo-sakson të PD-së, me antarësinë, themelin e partisë, me të gjitha strukturat e saj në të gjitha bashkitë e forumet drejtuese të saj. Në këtë rrugëtim po mbështetet fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve ndër vite, tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës.
 7.Kauza e Orientimit Pro-Perëndimor të Shqipërisë është rrugëtim i gjatë historik, në gjithato stacione të historisë. Para 800 vitesh e patën si dukuri e praktikë Dinastia Progoni e shtetit të Arbrit, e ktheu në platformë politike e shtetërore Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, etj. ”Kauza e Enveriadës” ishte Orientimi Pro Lindor i Shqipërisë, drejt Moskës, Beogradit e Pekinit, drejt Lindjes Komuniste, çka shpesh herë ngre krye e bahet pengesë dhe në Orientimin Pro-Perëndimor të Shqipërisë, në integrimet e saj euro-atlantike. Në Dhjetor ’90 dhe lideri demokrat Sali Berisha e ktheu në kauzë orientimin pro-perëndimor të Shqipërisë postkomuniste.
Lideri euro-atlantik Lulzim Basha, kryetar i PD-së me qytetarinë e tij të lartë e kombëtarizmin e tij të sprovuar, po ngrihet denjësisht në lartësi epokale të mbrojtjes e lartësimit të kauzës të Orientimit Pro Perëndimor të Shqipërisë. Kjo po duket dhe tek e sotmja Reformë në Drejtësi.
Lulzim Basha është një nga Apostujt e Orientimit Pro Perëndimor të Shqipërisë. Kjo shprehimohet dhe në dekorimin e tij “Qytetar i Lirë i Londrës”, “Qytetar Nderi” i Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës, “Qytetar Nderi” i komunës së Deçanit, etj., në cilësimet ndaj tij si “Princ i Integrimeve Euro-atlantike”, “Golden Boy i Demokracisë”, “Yll në ngjitje” etj.
Lideri emblematik Lulzim Basha është jo vetëm prurje euro-atlantike për PD, për të Djathtën Shqiptare, për Shqipërinë, për Kombin, po edhe ka sjellë prurje euro-atlantike në zhvillimet kombëtare politike panshqiptare në vitet e demokracisë.
Tiranë, 20 korrik 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Lulzim Basha, Ramiz Lushaj, RRUGËTIM EURO-ATLANTIK

FUNDI I PALAVDISHEM I REPUBLIKES SE KATERT

July 20, 2016 by dgreca

Nga Agron Alibali/

Në 4 tetor 1958 në Francë lindi Republika e Pestë. Ajo zëvendësoi sistemin parlamentar me atë sistem presidencial, që ekziston edhe sot. Nëse historinë e shtetit modern shqiptar e periodizojmë si të Francës, atëhere mund të thuhet se vendi ka patur katër republika dhe dy mbretëri. Kurse data e imponuar e 21 korrikut 2016 përfaqëson fundin e Republikës së Katërt shqiptare.

Nga Ismail Qemali tek Ahmet Zogu

Mund të argumentohet se qeverisja e shkurtër e Ismail Qemalit përbën Republikën e Parë. Deklarata e Pavarësisë e 28 nëntorit 1912 lindi Shqipërinë e Pavarur. Shpallja e saj u bë me Kuvend Kushtetues, ku morën pjesë 86 përfaqësues nga të gjitha trevat e vendit. E shkurtër, koncize – vetëm me 43 fjalë – Deklarata e Pavarësisë hodhi themelet e shtetit modern shqiptar. Shpallet aty:

”..Të gjithë delegatët, me një za, venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

E kundruar sot, pas 104 vjetësh, Deklarata përçon fuqishëm tre parime të pacënueshme dhe të patundshme kushtetuese: pavarësinë [Shqipëri në vehte], lirinë [Shqipëri e lirë], dhe sovranitetin [Shqipëri e mosvarme]. Ajo futi për herë të parë në historinë e shtetit modern shqiptar parimin e madh procedural të konsensusit [“të gjithë delegatët me një za venduan”].

Mbretëria e Parë, ajo e Wied-it, ishte jetëshkurtër në praktikë – vetëm 6 muaj. Por ajo do të mbahet mend për rrethanat e jashtëzakonshme të ekzistencës së saj dhe për afirmimin e parimit të neutralitetit në prag të Luftës I Botërore. Kongresi historik i Lushnjës pohoi vazhdimësinë kushtetuese të shtetit duke fuqizuar themelet e tij, dhe duke krijuar Këshillin e Regjencës.

Shpallja e Republikës së Dytë me 22 janar 1925 i dha fund periudhës së “mbretërisë pa mbret” [1914 – 1925]. Asambleja Kushtetuese, ku morën pjesë 64 delegatë, caktoi Ahmet Zogun si President të vendit, me mandat 7-vjeçar, si dhe miratoi Kushtetutën e parë formale të vendit. Kjo garantonte liritë dhe të drejtat e qytetarëve, dhe vendoste një regjim “presidencialo-parlamentar”. Presidenti kishte atribute të rëndësishme, por Parlamenti, për herë të parë, përbëhej nga dy dhoma, Dhoma e Deputetëve dhe Senati.

Republika e Dytë zgjati pak më shumë se tre vjet. Asambleja Kushtetuese, e mbledhur sërish, miratoi me 1 shtator 1928 amendamentet e Kushtetutës që zëvendësuan qeverisjen republikane me Mbretërinë e Dytë të shtetit shqiptar, që zgjati deri me 7 prill 1939.

Republika e Tretë është ajo e pas Luftës II Botërore. Themelet e saj u hodhën në Kongresin e Përmetit, me 24 maj 1944, ku morën pjesë delegatë nga zonat e çliruara të vendit. Punimet u ndoqën edhe nga përfaqësues të shërbimeve ushtarake të Aleatëve. De jure Republika e Tretë u shpall me 11 janar 1946, me vendim të Asamblesë Kushtetuese, duke i mbyllur derën Mbretërisë së Dytë të Zogut. Ajo zgjati 45 vjet deri në zgjedhjet pluraliste të 22 marsit 1991, që hodhën themelet e Republikës së Katërt.

Republika e Katërt dhe Kushtetuta Post-Komuniste

Hapi i parë i Republikës së Katërt ishte miratimi i Dispozitave Kryesore Kushtetuese, ose të Kushtetutës post-komuniste. Të hartuara dhe miratuara me konsensus nga parlamenti i dalë prej zgjedhjeve të vitit 1991 dhe 1992, ato janë ndër dokumentet më të rëndësishme e dinjitoze të shtetit modern shqiptar. Madje, ato dy legjislatura, për kontributin e veçantë historik kushtetues në Shqipërinë paskomuniste, kanë atribute të kuvendit kushtetues. Në arkivat e RTSH-së me siguri gjenden diskutimet e pjekura, të matura e profesionale të deputetëve të partisë në pushtet dhe të opozitës. Miratimi me proces krejt të brendshëm, pa asnjë ndërhyrje ekspertësh të huaj, edhe i Kodit Zgjedhor dhe amendamenteve për të drejtat e njeriut, përbëjnë kontribut tjetër madhor për parlamentarizmin dhe demokracinë shqiptare. Edhe pse të dalë nga errësira diktatoriale shumëvjeçare, shqiptarët treguan se dinin ta rindërtonin vetë shtetin e tyre.

Republika e Katërt fillimisht mori trajtën e një republike parlamentare me karakter semi-presidencial. Tashmë, pas 25 vjetësh, Republika e Katërt mund të thuhet se nuk e përmbushi misionin e vet për konsolidimin e shtetit juridik, demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri. Ajo de facto ka sjellë një përzierje hibride midis partitokracisë dhe ambasadorokracisë, ku madje as Presidenti, dhe as populli, nuk pyeten për Kushtetutën.

Deformimet dhe Fundi i Republikës së Katërt?

Deformimet filluan qysh me transformimin e sistemit zgjedhor, nga ai pjesërisht maxhoritar e proporcional, në sistemin e tanishëm proporcional rajonal, me lista të caktuara nga kryetarët e partive. Deformimet vazhduan me çmontimin e rretheve si themele të demokracisë vendore, dhe me mënjanimin e konsensusit në hartimin dhe miratimin e Kushtetutës etj.

Lufta kundër korrupsionit dhe spastrimi i sistemit të drejtësisë kërkon angazhimin frontal të mbarë shoqërisë. Një parlament të cilit i kanë mbetur jo më shumë se 300 ditë jetë nuk mund të marrë vendime me rëndësi thelbësore dhe afatgjata për shtetin dhe kombin.

E ashtuquajtura reformë e gjyqësorit përbën goditjen përfundimtare ndaj Republikës së Katërt. Data 21 korrik 2016, e imponuar jashtë çdo rregulli e procedure kushtetuese e parlamentare, shënon fundin e palavdishëm të saj. Për ta thënë troç, shqiptarët mbështesin në përgjithësi reformën në sistemin e drejtësisë, por ata nuk mund të mbështesin paketën aktuale të së ashtuquajturës reformë në drejtësi dhe strukturën bizantine të projektuar prej saj. Së pari, reformës i ka munguar vizioni dhe vullneti politik konsensual. Ekspertët, edhe pse të respektuar, nuk mundet kurrsesi të imponohen mbi vullnetin e popullit, të përçuar nga përfaqësuesit e tij. Së dyti, reforma nuk mund të çmontojë, me një të rënë të lapsit, themelet kushtetuese të shtetit shqiptar, ku spikasin “mëvetësia” dhe konsensusi për çështje madhore. Së treti, kjo reformë bie ndesh edhe me proceset demokratike europiane, ku prirja e përgjithshme është që popujt e Europës së Bashkuar të kenë më shumë hapësira vendimmarrjeje në çështje që lidhen drejtpërdrejtë me ta. Në këtë kuadër, nuk ka kuptim që Komisioni Europian të marrë përsipër në Shqipëri angazhime që nuk i takojnë. Në vend të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përse të mos e bëjnë vetë qytetarët e vendit procesin e kontrollit, konfirmimit dhe zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve? Së katërti, Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka vepruar përtej kompetencave të veta, pasi nuk është formuar dhe nuk ka tagër për të rishikuar Kushtetutën. Së fundi, deputetët shqiptarë nuk mund të parashtrojnë në Kushtetutën e Shqipërisë angazhime që u takojnë taksapaguesve të BE-së dhe parlamenteve përkatëse, të cilat mund të lidhen vetëm me traktat ndërkombëtar.

Nevoja për Asamble Kushtetuese

Shqyrtimi i projektit duhet shtyrë. Vendi ka nevojë për reflektim, dhe jo ngutje. Deputetëve nuk u del koha as ta lexojnë materialin voluminoz, dhe jo më ta debatojnë e ta miratojnë. Ndofta periudhën e verës ata mund ta shfrytëzojnë për të vjelë mendimin e popullit në zonat përkatëse. Justifikimet se 21 korriku përbën kusht të domosdoshëm për hapjen e negociatave nuk qëndron. Përndryshe, më mirë të shtyhet hapja e negociatave, se sa të miratohet një produkt që nuk vlen.

Koha ndoshta kërkon thirrjen e Kuvendit Kushtetues, sipas traditës e përvojës më të mirë shqiptare në kthesat historike të vendit: në Kuvendin e Vlorës më 1912, Kongresin e Lushnjës më 1920, apo me Asambletë Kushtetuese të mbledhura më 1923, 1926, 1928, dhe më 1991-1992.

Asambleja Kushtetuese e vitit 2016 mund të mblidhet për të vendosur për Kushtetutën, reformën në Drejtësi dhe për orientimin e ri të kombit në rrethanat historike që kalon vendi dhe kontinenti. Pjestarë të saj mund të jenë të gjithë kryetarët e shtetit, të Kuvendit, Kryeministrat, Kryetarët e Akademisë së Shkencave, Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë që nga viti 1992 e deri më sot që janë gjallë. Ata mund të mblidhen diku jashtë Tiranës, jo për shfaqje mediatike, por për punë, pra pa praninë e gazetarëve apo të ambasadorëve.

Përndryshe vetëm Asambleja Kushtetuese, dhe mandej popullit me referendum, kanë tagrin të vendosin nëse vendi duhet të ecë përpara, apo duhet të kthehet 100 vjet pas si në kohën e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit

Filed Under: Analiza Tagged With: agron alibali, FUNDI I PALAVDISHEM, I REPUBLIKES SE KATERT

Trump merr zyrtarisht emërimin republikan

July 20, 2016 by dgreca

*Trump fitoi me lehtësi të 1,237 delegatët e nevojshëm/

Rivalja Hillary Clinton: “Donald Trump sapo është bërë i emëruari i Partisë Republikane. Ndihmoni tani që ai kurrë të mos hyjë në Shtëpinë e Bardhë”./

Donald Trump u bë të martën mbrëma zyrtarisht kandidati për president i Partisë Republikane.Ai mbajti një fjalim nga Kulla Trump e Nju Jorkut, drejtuar me satelit Kuvendit Republikan në Klivlend të Ohajos, duke thënë se fitorja prej tij e emërimit të partisë është diçka që ai nuk do ta harrojë kurrë.Pas një votimi dhe numërimi të votave në Kuvendin Kombëtar Republikan, zoti Trump fitoi me lehtësi të 1,237 delegatët e nevojshëm.Emërimi zyrtar erdhi në ditën e dytë të Kuvendit, i cili filloi me protestën e një pjese të delegatëve dhe me përpjekjet për të ndryshuar rregullat e Kuvendit.Rrugëtimi politik i zotit Trump nisi 13 muaj më parë dhe, gjatë kësaj periudhe, biznesmeni miliarder arriti të mundë 16 rivalë. Kjo përpjekje e tij u shoqërua shpesh me polemika brenda Partisë Republikane.Djali i tij më i madh Donald Trump Jr., njoftoi mbrëmë mbështetjen e Nju Jorkut, gjatë një numërimi zë për zë të votave në Kuvend dhe kjo i siguroi zotit Trump shumicën e duhur për t’u bërë kandidati që do të përballet më 8 nëntor me kandidaten e pritshme demokrate Hillary Clinton për Shtëpinë e Bardhë.“Urime baba. Ne të duam,” tha Donald Trump Jr., duke shpallur votën e Nju Jorkut.

Rivalja demokrate e kandidatit Trump, Hillary Clinton, reagoi menjëherë në Twitter. Ajo shkroi: “Donald Trump sapo është bërë i emëruari i Partisë Republikane. Ndihmoni tani që ai kurrë të mos hyjë në Shtëpinë e Bardhë”.

Zoti Trump fitoi gjithsej 1,725 delegatë, i ndjekur nga senatori Ted Cruz i Teksasit me 475. Guvernatori i Ohajos John Kasich mori 120 vota, ndërsa senatori i Floridës, Marco Rubio 114.

Filed Under: Komente Tagged With: merr zyrtarisht .emërimin republikan, Trump

Ndodhi Sot-Basha: Ngërçi për Reformën u kapërcye

July 20, 2016 by dgreca

Kryetari i opozitës njoftoi arritjen e një zgjidhjeje për rolin e ekspertëve ndërkombëtarë: Do të jetë rekomandues dhe vendimmarrja do të jetë në duart e palës shqiptare…

Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi sot se pas ndërhyrjeve të Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn është arritur mirëkuptimi dhe për aspektet e mbetura pezull për Reformën në Drejtësi. “Eshtë rënë dakort se roli i Misionit Ndërkombëtar do të jetë rekomandues dhe vendimmarrja do të jetë në duart e palës shqiptare dhe kjo do mishërohet në kushtetutë. Nuk do përjashtohet asnjë qytetar nga konkurrimi mbi bazën e hamendësimeve por vetëm i provave”, deklaroi zoti Basha duke shtuar se “PD është e gatshme që nesër të bashkojë votat për draftin kushtetues”. Kreu i opozitës foli për “një betejë që ja vlejti”, pasi tani siç u shpreh ai “drafti mishëron e reflekton plotësisht rekomandimet e Venecias dhe është i bazuar në propozimin e zonjës Nuland”.

Filed Under: Komente, Politike Tagged With: Basha: Ngërçi për Reformën, u kapërcye

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT