• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

Shkokëzimi shpëtimtar!

August 15, 2016 by dgreca

(Një sakrilegj i vogël)/

Nga Rexhep KASUMAJ/

Rusi 31 vjeçar Waleri Spiridonow ka një dishrim të veçantë: ëndërron një trup krejtësisht të ri. Vuan atrofinë muskulare që e ka mbërthyer në palëvizshmëri deshpëruese si pasojë e një defekti të rrallë gjenetik.

Shpresa e tij e djegshme është Profesori italjan Sergio Canavero. Natyrisht, ajo është dhe ëndërr e tij. Një ëndërr e përbashkët që prek kufijtë e t’pamundurës. Dhe, poaq, pragun e një epoke të re të njerëzisë. Ai synon ta shkokëzojë trupin e Walerisë dhe kryet e tij ta transplantojë në një trup tjetër të shëndoshë.

Ah, fantazia, bujshmëria e saj e pafund! Është kjo paskajsi e mallkuar që më shpie drejt një ekuacioni qiellsisht të përsosur e   shpëtimtar për popullin tim. Sa mirë, mendoja me një gëzim të thellë, mrekullia vetë do ishte sikur kjo sprovë e mileniumit të rezultonte suksesplotë. Për Waleriun – fillimisht, por më pas të fitonte të drejtë legaliteti dhe etike e, pra, status rregullariteti qytetar.

Rrjedhimisht mandej, edhe në Kosovë, e pse jo, kudo në landet shqiptare, të bëhej e njëjta gjë – veçse mbi demonët politikë dhe në kah të kundërt. Sepse defekti i tyre nuk është muskular, por trunor. Ata ngarendin prorë në linja të afërta e të largëta. Në tokë e qiej. Me ëndjen e vetme: ta shndërrojnë këtë truall të ngushtë në arenë gostie për llojin e tyre patogjen. Aty, në sferën e epërme zanafillon keqkuptimi i botës. I asaj shqiptare veçanërisht: si një avitum bonum, një pronë gjyshnore që mund të hahet, grryhet e shkrryhet, të qëmtohet, grimcohet e gllabërohet… Ditë e natë. Dhe madje lirshëm e krenisht: pa frikë nga askush e pa turp prej askujt. Gjithëçka brenda një sistemi të mbyllur kartelist me kodin e fshehtë të mbijetesës…

Të shkokëzoheshin, pra, titullarët e kastave politike dhe ato të mos ruheshin as në muze nga rreziku i faktorit Frankenshtajn, por të asgjësoheshin përjetë. Në trupërat e tyre të transplantoheshin pastaj krerë të rinj. Mëndje e shpirtëra të lirë, të urtë, racionalë, modestë, të ndershëm e me kulturë dedikimi deri në vetëmohim, për interesin publik që ende quhet interes kombëtar.

Mitëpo në pritje të Prof. Sergios, athua të besojmë se do teprojë diç nga kthetrat e krenave të tashëm të dinastëve të kooperativës politike të Kosovës?

Ndoshta më reale, e sëndertueshme apo e pavonë, do t’kje një tjetër shndërresë që ka, tashmë, një udhë të gjatë historie pas: pa doktorë të sofistikuar, por me popull të rebeluar. “I dashuri shpirt, mos ndjek përjetsinë, por kap të mundshmën sot”, thotë Pindar tek Oda e tretë që hap Mitin e Sizifit të Kamysë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Rexhep Kasumaj, Shkokëzimi shpëtimtar!

KAFAZI I ARTË

August 15, 2016 by dgreca

Tregim nga Vjollca Pasku/

Eva ishte duke vijuar vitin e tretë të gjimnazit. Në pamjen e saj, hyjnesha natyrë kish derdhur gjithë reflektimet e bukurisë, gjithë shkëlqimin e argjenduar të tretur në faqe, kuqëlimin e horizontit në buzë , dhe gjithë tejdukshmërinë e smeraldit në sytë. Ajo ishte si një zanë mali, që dallohej menjëherë mes shoqeve të saj. Kudo ku hidhte vështrimin, sytë e saj digjnin zemra. Imazhi i saj kishte medaljonin e diellit dhe përhapte kudo rreze bukurie, ndërsa natën brenda gjysmëhënës së argjendtë, ajo mbante ëndrra shprese. Sytë e saj të mëdhenj thithnin çdo lloj vështrimi përqark mjedisit, ndërsa puthjet ajrore të tyre. Ajo i rrëzonte përtokë me indiferencë. 

Aureolën e bukurisë së saj e lakmonin shumë nga shokët e klasës, por Ardiani ishte më i hedhuri dhe më çapkëni. Atij i dukej sikur duhej të kapërcente të gjitha nuancat e ngjyrave të detit për të arritur një buzëqeshje të Evës. Ndërkohë, si me erën e gjelbër që vallëzonte përreth syve të saj, dukej sikur i pëshpëriste ”Shpirtrat tanë kombinojnë së bashku, në intelekt, në dëshira , madje edhe në ëndrra njësoj. Lejomë të jap një puthje diellore që më ka ngelur peng në buzët e tua lyer me mjaltë blete”. Të gjitha këto fjalë, ishin si valë elektromagnetike që synonin të hynin brenda zemrës së saj. Por ajo sikur mundohej t’i shuante një nga një…Dhe kur ndiente atë magnetizim që përhapej në gjithë kraharorin e saj, prushërohej nga faqet, largohej, duke i thënë: “Dua t’u përkushtohem mësimeve, s’dua të mendoj asgjë tjetër”. Më pas ndiqte me bisht të syrit dëshpërimin e Ardianit. 

Arsyeja kryesore ishte se, ajo kishte vath në vesh porosinë e nënës:  ”Më jep fjalën se nuk do të pranosh asnjë propozim nga meshkujt. Je shumë e zgjuar dhe e bukur. Ti je e prerë për lartë”. Këto fjalë të përsëritura shpesh kishin zënë vend në trurin e saj dhe po të vepronte ndryshe, ishte si të kundërshtonte ligjet e rrepta të shkruara brenda trurit të familjes. Megjithatë, emri Ardian kishte hedhur rrënjë thella brenda shpirtit të saj. Ajo kishte nevojë për ujitjen e këtyre rrënjëve me vesën e vështrimeve të tij. 

Ardiani ngushëllohej me mendimin se “kalaja e mbretëreshës nuk pushtohej lehtë, sepse të hapeshin portat, duhej të merrte formë çelësi i ndjenjave të saj.” Sa e çuditshme është ndonjëherë, vetëm dy fjalë mbanin pezull një botë. Ishin vitet shtatë dhjetë e shtatë dhe të dashuroje, duhej forcë dhe guxim. Opinioni vriste këdo që guxonte, të prishte imazhin, duke u shfaqur në mjedis gjithmonë me një djalë. 

Kështu kalonin ditë dhe gjimnazit i erdhi fundi. Ardianit doli e drejta e studimit për inxhinieri mekanike, ndërsa Evës për shkenca shoqërore. Në auditor, një pedagog nuk po ia ndante sytë që ditën e parë. Ajo ndjeu se i kishte pëlqyer. Vetvetiu i vajti mendja tek Ardiani. Ishte gati ta përqafonte dhe fjala që kishte mbetur pezull të bëhej një “Po” e madhe.

Një ditë, teksa kthehej në konvikt, filloi një shi i rrëmbyer. Ajo nisi të vraponte, por me hijen e syrit vërejti se dikush po vraponte pas saj. Ishte Ardiani. 

-Shpejt futemi tek kjo ndërtesa e re…sa të pushoj shiu!- i tha ai duke dihatur fort nga nxitimi. 

Eva hezitoi për një moment, pastaj vrapoi me të. Askush s’e kuptoi si u bashkuan dy duar, derisa ata u futën në ndërtesë. Aty nuk pipëtinte njeri. 

-Shyqyr që u futëm këtu, se shiu s’ka ndërmend të pushojë!- vazhdoi Ardiani

Ajo dukej e trazuar dhe nuk u përgjigj… 

-Eva, kam kohë që të pres. Nëse nuk më do, atëherë unë do shkëputem nga jeta jote. Unë jam bërë si pelegrin… Ti je e shenjtë për mua, prandaj gjendem gjithmonë atje ku je ti. Më thuaj një fjalë!… 

Zemra e Evës shpejtoi goditjet. Do të donte t’i thoshte se edhe ajo… por ai sakaq e pushtoi me të dy krahët e mëdhenj. Logjika e vetëmbrojtjes bëri të sprapsej, por ndjenjat e përshkuara në gjithë trupin e ndalën. Një flakë e kuqe u ndez në sytë e tyre. Buzët e tij rrëshqisnin drejtë dy kodrave me gonxhe të kuqe… Pjesa tjetër e trupit vibronte drejtë parajsës së virgjër për ta bërë të tijën. Eva ndjeu një therje zemre të ëmbël, njësoj sikur të prekte yjet që edhe pse lumturohesh nga prania e tyre, përsëri të djegin. Harruar në çmendurinë e çasteve shpirtrat e tyre harruan botën, njerëzit…dhe vetëm disa zhurma të çuditshme i sollën në vete.

Vetëm atëherë Eva kuptoi prekjen e atij territori që ajo mbronte me fanatizëm…U zgjua nga ajo gjendje mes reales dhe ireales… njollat e kuqe në pantallona dëshmonin për këtë… Ndihej e lumtur, por kishte shkelur premtimin e nënës së saj.  

-Eva dhe Adami krijuan botën, – i tha ai në kulmin e ngazëllimit – Eva dhe Ardiani do krijojnë botën më të lumtur ndër njerëz. Tani jam i bindur që më do Eva ime… Po pres të ma thash edhe me gojën tënde!…. 

-Ikim Ardian, se po fillon prapë shiu…

-Edhe një fjalë! -u rrek Ardiani.

-Mos u bëj kalama ikim!…

Në ditët që pasuan, Eva filloi ti shmangej Adrianit. Mendonte fjalët e botës dhe nënën… Nga ana tjetër pedagog Artani filloi të afrohej gjithnjë e më shumë. Ajo ndiente t’i flakëronte fytyra nga mendimet dhe bënte sikur nuk e vinte re. Pëshpërimat i shkuan në vesh edhe Ardianit. 

Një ditë ai e takoi Evën para universitetit dhe i tha: 

– Kemi lënë një fjalë gjysmë, do ta vazhdojmë , si thua ?… 

Ndërkohë vjen Sofika shoqja e dhomës dhe i tha: 

-Të kërkon pedagog Artani! 

-Erdha! – ia ktheu Eva. -Bisedën tonë e vazhdojmë më vonë Ardian!…

-Kur?…Më thuaj!… Jam mërzitur me heshtjen tënde. Nëse do të shkosh drejt tij, rrugën e ke të hapur. Dashuria ime për ty ka qenë gjithmonë pezull. Tani ajo sapo ra dhe u bë copa. Unë e di, gjithmonë kam qenë brenda zemrës tënde, dhe prisja një përgjigje pozitive nga ty, por ti hesht.. Tani të kërkon pedagogu. Me siguri ka përgatitur një togfjalësh emocionues për të shprehur dashurinë. Hë, ti do e pranosh burrin pesëdhjetë vjeçar?… Do jetosh si zonjë në kamje, por shpirti yt do jetë më i varfër se gjithë të varfrit. Atëherë kur ti do e thërrasësh dashurinë, atëherë do jesh më bosh se kurrë, njësoj sikur të jesh e mallkuar… 

-Unë s’të kam premtuar asgjë – i tha Eva, 

-Por nuk refuzove asgjë ama…

-Ajo që ndodhi ishte një gabim…- ia ktheu Eva. 

– Atëherë qofsh e lumtur Eva, – i tha Ardiani dhe iku. 

Ajo s’kishte guxim ta thërriste. Zemra iu ftoh dhe ndjeu një ndrydhje. Njësoj sikur një zinxhir mbyllte dy porta të kuqe, të diktuara nga profecia e orakullit. Këmbët e çuan drejtë pedagogut të saj. Aty si për çudi dëgjoi një fjalim dashurie të bukur të zjarrtë, njësoj sikur të ishte leksion i shpjeguar me pasion. Për momentin iu duk sikur ai u zvogëlua dhe trokiste para portave të zemrës së saj. Ato nuk hapeshin dhe ai ishte i destinuar të qëndronte jashtë . Artani ndjeu përhumbjen e saj dhe iu afrua. E puthi gjatë, duke shijuar atë kënaqësi që dhuron dëshira. Asaj iu bë sikur një tog eshtrash, pllaquriteshin në buzë t e saj. Fjalët e zgjedhura të Artanit ishin si copa drush të njomura që nuk ndiznin asgjë në zemrën e saj. ”Nuk mundem “ mendoi, dhe iu drejtua t’i fliste me një vendim mohues. Por Artani sikur lexoi në sytë e saj. 

-Eva , mos u nxito, ke kohë të mendohesh, gjatë kësaj kohe mund të dalim dhe të njihemi më mirë… 

Ajo nuk i tha asgjë . Gjatë ditëve në vazhdim mundohej t’i shmangej. Ajo mendonte “se Artani ishte njeri i mirë, i respektuar, pedagog i zoti, por zemra e saj ishte si një gjethe akulli për të. Një vështrim i dikurshëm i Ardianit, ndizte llambat e botës së saj, ndërsa me Artanin ndihej bosh… Lufta që zhvillohej brenda shpirtit ishte e tmerrshme. ”Përse e dëbove Ardianin, kishe kaq kohë që e ëndërroje… S’kisha guxim… Artanin nuk e dashuron, përse e lë të shpresojë ..Ndoshta dashuria vjen më vonë… Ti e di, Ardiani s’kishte asgjë… Artani ka një ekonomi që as në ëndërr se kam parë… Interesaxhije, o paratë, o dashurinë… E pse jo të dyja?… Sepse në këtë rast janë të ndara… Mjaft… 

Artani e kuptonte shumë mirë mëdyshjen e Evës. Tridhjetë vjet diferencë, nuk janë pak. Një mbrëmje ai e ftoi Evën të dilnin së bashku. Ishte një natë dimërore e butë . Ecën drejtë bulevardit dhe ndaluan para një vile dykatëshe. Krejtësisht e veçantë për nga arkitektura, bukuria. Pemët që e rrethonin, lulet shumëngjyrëshe, ku megjithëse dimri kishte hyrë ato qëndronin të çelura pa e përfillur të ftohtin. 

-Kjo është shtëpia ime , nëse dëshiron mund ta shohim nga brenda –tha Artani, çdo gjë e kam sjellë nga jashtë . Njeriu duhet të krijojë mundësi për të pasur një komoditet të vogël, sepse jeta një herë jetohet. Dora e Artanit u hap në kurrizin e Evës, si për t’i dhënë drejtimin e duhur, të kapërcente pragun e shtëpisë. Eva kapërceu mekanikisht pragun pa refuzuar. Drita të vogla të vendosura nëpër lule jepnin pamjen e një kopshti magjik. Ajo befasua nga ajo pamje e luleyjeve të ndezura. Derën e shtëpisë e hapi një mesogrua me uniformë të thjeshtë. 

-Kjo është Irena, gatuan, pastron, mirëmban rregullin e shtëpisë… 

Eva u skuq. Asnjëherë nuk kishte menduar diçka të tillë, një shërbyese si nëpër filma. Përpara saj u hapën portat si “sezam hapu”. Salloni i punuar me tulla dekorative dhe një oxhak i madh me një zjarr bubulak, që me kërcitjet e tij, dukej sikur i thoshte me gjuhën e zjarrtë “eja pranë meje”.Kolltukët dhe divanet të punuara aq bukur, sa asnjëherë s’ia kishin zënë sytë të tillë. Vitrina e pasur me gota kristali, filxhanë, miniatura të vogla dhe një shumëllojshmëri të madhe pijesh e futën në një botë krejtësisht ndryshe nga bota reale… Iu kujtua shtëpia e saj. Ishte tepër e thjeshtë, një bufe e madhe , dy divane dhe një tavolinë mesi… Kjo që shihte para syve, ishte një ëndërr përtej imagjinatës. 

-Nëse do pranosh të jesh bashkëshortja ime, në këtë Eden të vogël do të rrisim fëmijët tanë- u dëgjua zëri Artanit, ndërkohë që mori nga bufeja një shishe verë të kuqe dhe dy gota. 

Trapezaria u shtua si me fjalën e profetit me gjithë të mirat. 

-Ndihem e mrekulluar në Parajsën tënde! – tha Eva më në fund.

Artani i entuziazmuar nxori nga xhepi i brendshëm i kostumit një unazë diamanti. Drita e saj reflektonte, si refleksi i një agimi. 

-Gëzuar Eva, për të ardhmen tonë! -dhe një bromp gotash lëshoi një tringëllime të zgjatur. Ai i kaloi unazën në gishtin e bukur të Evës dhe e puthi. -Puthje dhe verë, kjo është sonata e mbrëmjes së sotme!- tha Artani duke vënë muzikë. 

Ata filluan të kërcenin . Ai e shtrëngonte gjithnjë e më shumë pas vetes, si një lule që do t’i thithte aromën deri në brendësi të qenies. Përkëdheli, prekje verë. Ajo përpiqej të ishte e këndshme, e dashur, e mirë, njësoj sikur përpiqej të thërriste dashurinë. Por dashuria asnjëherë nuk vjen e sforcuar dhe as me thirrje. Nuk vjen as atëherë, kur hapen portat e pasurisë, sepse truri asnjëherë nuk bie në kompromis me zemrën emocionalisht. Zemra po nuk pati farën e hedhur, të shpërthejë dhe të rritë bistakun, ndihet e vetme dhe mbulohet me zhul. Fillon të vuaj, preket shpejtë dhe krijon botën e mistershme të saj. 

Të ardhur në qejf nga vera, ata ngjitën shkallët e punuara me dru dhe u futën në dhomën luksoze të gjumit. Ai shijoi tërësisht atë trup të bukur, që herë pas here rënkonte nga dhimbja. Çarçafët e bardhë u dukën sikur u mbushën me gjethe të zbehta vjeshte që rënkuan fundin e tyre… Në mëngjes ajo u zgjua pranë fatit që zgjodhi. Pranë saj shtrihej ai me titujt e tij. Ajo frymonte me vështirësi, thuajse e tërhiqte ajrin deri në mushkëritë e saj dhe e nxirrte menjëherë. Frymëmarrje të thellë jep dashuria, ndërsa me ndërprerje, ftohtësia e shpirtit. Vërtet buzët e saj mund të pinin qumësht dallëndyshe, por jo një puthje me pasion. Tingulli i dashurisë u harrua. Zemra lahej me vajrat aromatik të shtrenjtë, por nuk lahej mjalti ngjitës që e prodhojnë vet ndjenjat… Sikur të kishte në dorë të kthente kohën prapa, nuk bënte të njëjtin gabim. Sa vajza apo gra të martuara do të dëshironin diçka të tillë… Donte t’i tregonte gjithçka Artanit për dashurinë e saj… Por ai asnjëherë nuk e dëgjoi, duke i quajtur lodra fëmijësh…Tek e fundit ajo ishte vetëm e tij… Kurrë nuk do ta lejonte të punonte… 

Pas disa muajve u martuan dhe ajo u mbyll në kullën e fildishtë të fatit që zgjodhi. Luksi që zgjodhi ia merrte frymën pak nga pak. Ngushëllimi i saj u bë shtatzënia, lindja e vajzës. U betua në vetvete se do bënte gjithçka që vajza e saj të martohej me atë që do i donte zemra. Por fatkeqësisht, jeta po i rridhte si një lumë nëntokësor, ku drita ishte me hope. Burgun e artë, kështu filloi të quante shtëpinë, sepse i shoqi nuk e linte të punonte, do të donte ta këmbente me një ëndërr, qoftë të varfër… Ajo dënoi veten e saj me zjarrin e vuajtjes… 

Mes përpëlitjeve të këtyre mendimeve dhe shtirjes së saj si e lumtur, u rrit vajza e saj Erisa. Ajo ia kaloi bukurisë së të ëmës. Mes luksit ndihej një mbretëreshë e vërtet. Eva e la të lirë dhe i gëzohej zemra kur e shihte me moshatarët e saj tek dilte mbrëmjeve. Artani vdiq kur mbushi të tetëdhjetat. E gjithë mirëqenia që rridhte nga ai ra ngadalë… Për herë të parë ajo filloi punë. Iu duk sikur porta e kafazit që e mbante mbyllur u shqye. Sa e lehtë paskish qenë. Askush nuk e di, se vetëm një shtytje të bën të ndihesh mirë… Po Ardiani ç’bëhet… Nuk kishte natë të mos mendonte për të… 

Një mbrëmje Erisa i tha së ëmës: 

-Sot do të prezantoj me njeriun që do martohem!… 

-Si kështu, -ti nuk më ke folur për të?! – i tha Eva e mahnitur. 

-E kam lënë të jetë surprizë për ty! -vazhdoi Erisa e ngazëllyer. 

Në mbrëmje Eva vuri re nga dritatarja Erisën tek puthej me një biznesmen, fytyrë e njohur, kur dolën nga një benz mercedes. Ai ishte moshatar i saj  pesëdhjetëvjeçar dhe kërkonte të bijën për grua. Fati i orës së trishtuar po përsëritej…

Vjollca Tiku Pasku

Filed Under: LETERSI Tagged With: KAFAZI I ARTË, Tregim, Vjollca Pasku

Zbulohen në Malin e Zi pallatet mbretërorë të Bardhylit dhe Teutës

August 15, 2016 by dgreca

Dy pallate mbretërore janë zbuluar në Mal të Zi nga arkeologët polakë. Sipas tyre ato i përkasin mbretit Bardhyl dhe mbretëreshës Teuta të ilirëve. Edhe pse një nga ndërtesat është e dëmtuar, ky zbulim evidenton qartë ekzistencën e ilirëve, për të cilët pak dihet. “Ilirët ishin një fis i lashtë indoevropian që jetonin në pjesën perëndimore të Ballkanit dhe brigjet e gadishullit italian rreth 260 p.e.s. Shumë pak dihet për sundimtarët e tyre, por studiuesit thonë se tani kanë mundur të gjejnë dëshmi të pallateve të para të mbretërve ilirë në Mal të Zi. Arkeologët gjetën dy pallate në Mal të Zi, të cilat i përshkruajnë si një zbulim i madh dhe i rëndësishëm”,- shkruan “Daily Mail”. Arkeologët nga Varshava kanë nisur studimin e zonës që në vitin 2000, ndërsa profesori që udhëhoqi studimin, Piotr Dyczek tha: “Të gjitha të dhënat që kemi tregojnë se, ne kemi zbuluar një kompleks të pallatit të sundimtarëve të Ilirisë, që i përkasin mbretit Bardhyl dhe Teuta. Bardhyli ishte themeluesi i mbretësisë ilire, ndërsa pas vdekjes së tij besohet se mbretëresha Teuta udhëhoqi perandorinë ilire”. Vendndodhja e ndërtesave, si dhe teknikat e përdorura për ndërtimin e tyre janë unike, në krahasim me shembuj të tjerë të arkitekturës ilire. Profesor Dyczek shtoi se: “Është një rast i rrallë në arkeologji”. Profesori sqaroi se pallati mendohet të jetë djegur nga një sulm i dhunshëm dhe një pallat i dytë është ndërtuar në majë të tij. “Pallati i dytë kishte kate gëlqerorë, blloqe dekorative dhe hyrje të gjerë me dyer druri”,- shton ai.{Daily Mail}.

Filed Under: Histori Tagged With: Bardhylit, Mali i Zi, Pallatet e Teutes, zbulohen

LUFTA NË LAJME, Diplomati amerikan Jim O’Brian në Prishtinë

August 15, 2016 by dgreca

Në foto: Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, në 6 qershor 1996, u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, bashkë me familjen ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.

KOSOVA-LUFTA NË LAJME/ Diplomati amerikan Jim O’Brian në Prishtinë…/

-Raportime në 15 gusht 1998/

PRISHTINË, 15 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI/ Në Kosovë, para 18 viteve, në 15 gusht 1998, diplomati amerikan Jim O’Brian po takohej me Grupin negociator kosovar, në Zyrën e SHBA në Prishtinë… Bëhej thirrje të ndërhyjë faktori ndërkombëtar për të ndalë sulmet e forcave serbe, që po vrisnin e masakronin shqiptarët, po bomardonin dhe digjnin vendbanimet shqiptare, po bënin spastrim enik…Këtë e raportoja:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-08-15.ata.html

[08] LDK urges urgent intervention to stop catastrophe in Kosova

PRISHTINE, Aug 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the Presidency of the Democratic League of Kosova called on international factors to urgently intervene to stop the attack in the Peja and Deçan, where Serb forces have also used the warplanes.

The appeal said that the consequences of this barbarous attack if not immediately interrupted could be catastrophic for the population of the area, where besides local populace there are a great number of refugees from other regions already ethnically cleansed.

The situation in Peja and Deçan areas, which are under attack is more than dramatic, the LDK presidency said. It called on the United States, European Union, NATO and the U.N. Security Council to undertake urgent action to oblige Serbia stop immediately the attacks and withdraw military and police forces from Kosova.

“It is time to exert a real pressure on Belgrade if it exists a real wish to resolve the Kosova issue,” the LDK appeal said. mp/das/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[09] Serb forces torch Suhareka villages

PRISHTINE, Aug 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that Serb forces set two Albanian villages on fire on Friday evening in the commune of Suhareke, Duhle and Bllaca, the Democratic League of Kosova division in Suhareka said.

These villages which were completely destroyed and ethnically cleansed, are engulfed by flames and fire. The Serb forces have raided all the houses. mp/das/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[11] Serb forces resume shelling in Lipjan, Shtimje

PRISHTINE, Aug 15 – ATA correspondent Behlu Jashari reported that Serb forces resumed shelling on Saturday at 14.30. p.m. from Zborc, commune of Shtimje, 30 km southwest of Prishtina.

The heavy artillery has shelled last night and early in the morning the villages of Kleçke, Shale and Krojmir of Lipjan commune and village of Pjetreshtice, commune of Shtimje.

Sources on the ground said that some Albanian civilians have been wounded and there are no reports on casualties.

The local population which had returned to its houses was forced to flee again due to new attacks of Serb forces and was now in open air in the mountains. fh/das/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[13] US senior adviser meets Kosova negotiation group

PRISHTINE, Aug 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the diplomat Jim O’Brian, senior adviser to the U.S. Secretary of State Madeleine Albright, arrived in Kosova.

The U.S. diplomat, who is expected to attend the process of negotiations between Prishtina and Belgrade, met on Friday the negotiation group named by Kosova president Ibrahim Rugova at the U.S. office in Prishtina.

Following the announcement of the Kosova negotiation group, the U.S. diplomat Christopher Hill, who mediates talks between Prishtina and Belgrade, had said “the United States will remain an active partner in finding a solution to the Kosova issue” and in the days to come the Americans “will work tete-a-tete with the negotiation teams to go ahead.” shdha/ak/

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Histori Tagged With: 15 gusht 1998, Behlul Jashari, Ditari i Luftes, Jim O'Brian, Prishtine

Krenar edhe pse…injorant!?

August 15, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Nuk kam qënë ndonjëherë tifoz i madh i futbollit dhe as tiranas safi. E, megjithatë, kur pashë në media shkatërrimin e fasadës së stadiumit në Tiranë, ndjeva keqardhje. Sikur ishim mësuar me të, sa herë që kalonim andej pari. Të njëjtën keqardhje kam përjetuar edhe kur shihja se si po degradonte Hotel “Dajti”, ndonëse nuk kam qënë ndonjë frekuentues i rregullt i tij, madje i shmangesha, si shumë e shumë të tjerë se, shpesh, ai qe paradhoma e ndonjë arrestimi të mundshëm. Por, megjithatë, ishte hoteli që mbahej si më i miri në vend e, ashtu si me stadiumin, ishim mësuar edhe me të. Më herët akoma, më ka ardhur shumë keq kur u prishëm kishat në mes të viteve ’60, të shekullit të kaluar, sidomos kur iu vu sharra lisave që rrethonin ato në fshatin tonë. Njerëzit familjarizohen, mësohen me objekte të ndryshme, njëlloj si me njerëzit e dashur dhe ndjejnë keqardhje kur vihet dorë në to. Ndërsa me stadiumin, kisha edhe një raport tjetër. Përveçse si tifoz, isha familjarizuar me të edhe si “komshi”, kur punoja në Television apo dhe gjatë viteve studentore, ndërsa i kalonim pranë apo linim dhe ndonjë takim rreth e rrotull tij. Shkurt muhabeti, ai qe bërë pjesë e botës tonë shpirtërore.

Dhe, kur flas unë kështu, parafytyro se si po e përjetojnë shkatërrimin e tij tifozët e “çmëndur” apo tiranasit rrënjës. Po kështu, jam i bindur se me dhimbje e kanë përjetuar edhe të apasionuarit e monumenteve të kulturës, profesionistë e amatorë që, kur ishte Berisha në  pushtet, ngjireshin së bërtituri kur prishej edhe një copë kalldrëm. Nuk e kam vështirë ta kuptoj heshtjen e tyre: nuk prononcohen dot se çdo llaf kundër njëshit, mund t’iu kushtojë shtrenjt, deri në humbjen e karriges ku janë ulur. Duke qënë kështu, prishja e stadiumit shërbeu edhe si një provë tjetër, se ç’përmasa mund të marrë babëzia për pushtet e para, jo se  nuk e dinim dhe më parë.

Të kthehemi tek titulli që zgjodhëm: të gjithë neve, që na erdhi keq për të, sipas kryeministrit tonë të nderuar, sovranit të pashpallur të popullit heroik shqiptar, qënkemi injorantë që nuk marrim vesh nga arti(!).

Që të të thonë injorant e të mos fyhesh apo dhe më keq, të ndjehesh dhe krenar, siç e pohova në titull, do të qe mjerim i vërtetë, një qëndrim prej skllavi të neveritshëm që s’do t’ia dëshëroja askujt. Por, puna ndryshon kur këtë titull përçmues ta jep një kryeministër si ky yni, që një Zot e di se si ka përfunduar në atë karrige, kur, ndryshe nga tërë homologët e tij në botë, nuk ka as formimin më minimal për Ekonomi e Drejtësi, dy fushat ku çdo kryetar qeverie domosdoshmërisht duhet ta ndjente veten si në shtëpinë e vet. Jo vetëm kaq, por dhe në fushën e Artit që ai e shet veten si të talentuar e kompetent, nga të gjithë njihet si i dështuar, sidomos në përpjekjet e tij ekstravagante për të tërhequr vëmendjen. Por, ajo që më shtyu të ulem e të shkruaj këto radhë e njëkohësisht për të mos u ndjerë keq me fyerjet e tij, madje dhe krenar, ishte pikërisht prononcimi i tij në një nga hartimet e përditshëm që shpërndan në Internet. Mjafton të citoj një fragment të vogël dhe lexuesi le të më gjykojë vetë nëse kam të drejtë:

“Kujëvënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër i’a mballosën fasadës së “Qemal Stafës”) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore. Ato basorelieve që turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore…Prandaj, edhe njëherë, qentë le të lehin karvani do ecë përpara dhe stadiumi i ri do të jetë përgjigja përfundimtare, për gjithë furtunat në gotën e dembelizmit mendor e të karshillëkut provincial ndaj të resë, që u ngritën e do të ngrihen…”

Çfar cinizmi, ç’gjuhë banale e mllefosur, deri në nivelet rrugaçërore!  Nuk ka nevojë të kesh njohuri të thella në Psikiatri që të kuptosh se kjo është simptoma më e saktë e një lideri të sunduar nga deliri i madhështisë që kujton se gjithçka që nxjerr ai nga goja, të tjerët do ta hanë, se, siç është shprehur ai në një “hartim” tjetër, ata janë dele e nuk marrin vesh. A nuk të kujton gjithë kjo slloganin e njohur të Fashizmit se “Il Duce ha sempre ragione!”  Sa herë që dëgjon apo lexon fjalët e tij, të krijohet përshtypja se ai sillet me pasuritë publike si t’i kishte pronë personale, a thua se i ka trashëgim nga para-ardhësit e familjes së vet. Ai bën çfar t’i teket dhe nuk pyet për kërkënd: shkatërron, ndërton, jep me konçesion, cakton kompanitë që do ta realizojnë këtë apo atë vepër dhe askush nuk guxon t’i thotë gjysmë fjale. E vetmja gjë që mund të bëjmë, ne të gjorët, është t’i lutemi Zotit të na shpëtojë nga dalldia e këtij të krisuri të veshur me pushtet.

S’ka se si të mos ndjehesh i fyer kur mendon se ai është kryeministri i vendit tënd! Mirë të na bëhet, kur i japim votën! Me zullumet që ka bërë e po bën ai në këto vite të pushtetit, në çdo vend tjetër që të qe, do ta kishte futur me kohë bishtin në shalë, por, po e them gati me dhimbje, se dhe nesër të bëheshin zgjedhjet në Shqipëri, nuk do të habitesha që ai të qëndronte prapë në krye të qeverisë. I tillë është ai, por të tillë jemi dhe ne!

Është thënë edhe nga shumë të tjerë, me të drejtë, se këto vepra nuk kanë vlerë vetëm dhe thjesht për artin e tyre. Ato e tejkalojnë gjykimin estetik. Sepse prej kohësh ato janë pjesë e historisë sonë, e memories sonë kolektive, e gëzimeve, e zhgënjimeve dhe e përjetimeve të secilit prej nesh. Si të tilla, ato janë pjesë e trashëgimisë sonë komëtare. Mos vallë nuk e kupton kryeministri ynë artist kaqë gjë? Por, le të pranojmë për një çast se ai ka të drejtë. Po pse, kjo është gjuha e një personi publik, për më tepër e kreut të qeverisë?! Parafytyroni një familje që po ndjek lajmet në television. E ç’mund t’iu thotë një prind fëmijve të vet kur ata do të hapnin sytë të habitur nga ato që po dëgjojnë?! A nuk do të ndjeheshin të prekur dhe ata kur marrin vesh se kryeministri i vendit ku jetojnë i quan “qen që lehin”, prindërit e tyre, me që ata mund të mos jenë dakord me ato që rokanis ai?! Apo duhet të jesh servil gojëkyçur, si në kohën e xhaxhi Enverit, që të mos të të fyejë i madhi i qeverisë kështu?!

Lexuesi e ka shumë të qartë tashmë se kush është injorant e kush duhet të ndjehet krenar për ato që ndodhin e për qëndrimet që mban gjithsecili prej nesh. Heshtja ndaj një krimi të bën bashkëfajtor. Ndaj i shkrova këto radhë edhe unë.

 

Nju York, 15 gusht 2016

 

Filed Under: Analiza Tagged With: And on Dede, edhe pse…injorant!?, krenar ?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT