• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

PËRBALLË DALLGËVE TË DETIT DHE TË JETËS

August 15, 2016 by dgreca

Nga Enver Lepenica*/

Pas tre librave shumë vlerësh, me dokumenta autentike për pranverën e përgjakur të vitit 1997 dhe një libër publiçistik mbi problemet e ditëve tona për krahinën e çamërisë,  Gëzim Zilja tashmë autoritet edhe në fushën publiçistike, na shfaqet jo pa sukses edhe si tregimtar me librat “Drejt perëndimit”, “Ismaili një histori shqiptare”, “çështje familjare” dhe tani së fundmi me 8 tregime në librin  “Njerëz pa fat”.

*        *      *

“Njerëz pa fat”, i tejkalon librat e parë dhe nuk është i pa pritur për ata që kanë ndjekur krijimtarinë e Gëzim Ziles, pra ndryshe nga librat e parë, autori na vjen me tregime cilësore, më i pjekur artistikisht, më autoritar dhe me pretendime për të lënë emrin e tij edhe si tregimtar i njohur i ditëve tona.

Temat e tregimive lidhen fort me fate njerëzish dhe jo njerëz imagjinar por ata që i takojmë

edhe sot e kësaj dite në rrugët e lagjes Skelë të Vlorës, buzë detit duke gjuajtuar apo shëtitur,

një fat që i ndjek apo i udhëheq në jetë.

Kur lexon tregimin “Shokë fëmijërie”, të duket sikur lexon një nga autorët e Amerikës Latine të rrymës së realizmit magjik. Njerës sakat, që kanë humbur njerën dorë, apo të dy duart, njerës që jetojne në mjerim, por autori nuk na thotë se përse mbetën sakat, kush i shtyu drejt aksidentit fatal? Por lexuesi e ka të thjeshtë të kuptojë se është lufta e përditshme për bukën e gojës në atë sistem mizor totalitar, ku ata, të varfërit rrezikonin burgun dhe jetën duke gjuajtur me dinamit. E një ditë Ristua, një nga shokët e fëmijërisë së autorit që  “kishte lindur pranë detit, dashuronte bregun me valët e bardha, pafundësinë e tij, deri te algat e gjelbëra, pikëzat e ujit të kripur e kokrizat e rërës…”, bie në burg. Ai porosit shokun e tij, që i bën vizit në burg: kur të shkosh në Vlorë t’i bësh të fala detit, dhe shoku e mban fjalën, ai i drejtohet detit:

“-Ke të fala nga Ristua! – i foli me zë të lartë detit. Është sërish në burg se ka shkelur ligjet e

shtetit”.

Fati tragjik në kohën kur po binte regjimi komunist , jeta e thjeshtë plot mundime dhe halle , por një jetë e madhe për të cilën njerëzit duhet të luftojnë e triumfojnë mbi dallgët e detit dhe të jetës, ja kjo ëshstë tema e pothuaj të gjithë tregimeve të këtij libri.

Tregimet kanë diçka njerëzore, emocinale dhe të japin atë emocin që i duhet jetës.Personazhet autori i  gjen buzë detit duke gjuajtur, në punë apo në burg.Gëzim Zilja ka lindur dhe është rritur, buzë detit të cilin e ka në shpirt dhe në mëndje. Ai epërshkruan detin të bukur, me nje bukuri të rrallë e magjepse, por edhe si një humnerë kuhumbasin njerëzit, e me gjith atë, thotë autori, deti mbetet i bukur. Dikush ka thënë se asgjë nuk i ngjan njeriut më shumë se deti.

Tregimet, shprehin përgjithësisht dashurinë për vendlindjen, lagjen Skelë dhe detin, ku autori    ka jetuar e është burrëruar, ata “Ishin të varfër, por kopshtet, kodrinat dhe lëndinat përreth dhe deti ishin pronë e tyre… Në fuhsën e madhe të sportit vraponin e luanin me top duke harruar gjithëçka. Por në det ishte ndryshe. Aty liria merrte kuptim të vërtetë. Nuk kishte gardhe, gropa, baltë, ferra e gjëmbaçë… Buzë detit harroheshin plotësisht: qeshnin, bërtisnin, shanin me zë të lartë, rrokeshin, kridhnin njeri-tejrin në ujë, bënin gara noti pa kufi kohor, ku i pari dilte ai që nuk dorëzohej së notuari. Më von kuptuan se aq liri ishte shumë pak. Njeriu mund të jetojë e të ndjehet mirë edhe në varfëri, por mungesa e lirisë është sikur të vdesësh çdo ditë”. (“Shokë fëmijërie”)

Brenga të veçanta të lë tregimi “Orjana”, nëpërmjet të cilit autori synon të na drejtojë te ajo ndjenja e madhe njerëzore, dashuria, se vetëm me dashuri njeriu mund të mbetet njeri: “E  ka dashur deri në fund, domethënë ajo balada për gruan që shëroi burrin duke i shprehur çdo ditë dashurinë ishte e vërtetë…”.

Orjana na bën thirrje që nuk duhet të mposhtemi para vështirësive e fatkeqësive të jetës.Duhet të luftojmë deri në fund deri sa të marrim frymë, shembull që autori na e ka dhënë edhe me jetën e tij.

“Para Orjanës shtrihej një oqean i pafund pengesash dhe të panjohurash, por tashmë ajo e kishte nisur rrugëtimin”.  Hapsira e rrethuar me tela me gjemba, ku ne jetuam, i shtyu shqiptarët drejt aksidenteve të Jetës ku mbeteshin të gjymtuar , ose humbisnin jetën. Temë e dhimbshme të cilën autori e trajton në tregimin “Skafistët”, i cili mund të lexohet edhe si terapi shpirtërore për familjarët e atyre që humbën në dallgët e detit, duke udhëtuar drejt perëndimet për kafshatën e bukës së gojës.

Ikje kuturu që përfundojnë në fund të detit. Përballë dallgëve të detit dhe të  jetës do të ishte një titull më i mirë i asaj kohe që përshkruan autori.

Në morinë e levizjeve të jetës autori arrin të dallojë dhe paraqes në tregimet e tij atë që është kryesorja, duke e ngritur në art.

Mbresa të veçanta të lë tregimi “Nëse do të jem gjallë nesër…”. Personazhi këtij tregimi, ka menduar gjithë jetën që të shlyej borxhin e “madh” ndaj mësuesit të tij, që i kishte dhuruar atij një palë pantallona të shkurtëra, për t’u paraqitur në konkurs. Adresën e mësuesit të tij e gjen vetëm pas vitit 1990, kur mësuesi sapo ishte liruar nga burgu. Por mësuesi nuk e pranon dhuratën. At’here autori bie në mendime dhe arrin në përfundimin se në atë kohë:  “Me heshtjen tonë ishim bërë pa dashje bashkëpunëtorë, që ajo murtajë të zgjaste me dekada. Brezi jonë nuk ka pse të krenohet…”

Në tregimin “Prefekti”, autori godet një nga plagët e shoqërisë sonë, në të cilën arrinë të dalin në krye njerëz pa moral, që të kujtojnë atë përfundimin gjenial të Stefan Cvajgut se revolucionin nuk e trashëgojnë ata që e nisin, herojtë, sepse ata gjatë rugës lodhen dhe në krye dalin ata të bërrylave ata që lëpihën, siç është edhe rasti prefektit, një fytyrë brejtësi si të lepurit, krahasim që autori ka harruar të bëjë, dhe autori trishtohet kur arrin në përfundmin se “Tani ata janë bërë një armatë e tërë”, fakt që e shohim në jetën e përditëshme.

E njëjta temë trajtohet me dhimbje nga autori edhe në tregimin “Qebësirat”, ku ai përshkruan një drejtor arsimi i zhytyr në mitmarrje dhe kurvëri dhe që pushohet nga puna me ndërhyrejn e Kryeministrit, por pas pak kohësh rimerret në punë nga ministri arsimit, si duket pasi ministri ka marrë pjesën e tij, me arsyetimin se kishim nevoj për të! Autori e përfundon këtë tregim me një klithmë  dëshpëruese: “Kuptova përfundimisht që administrata kishte marrë rrokullimin”.

*     *     *

Të tetë tregimet e këtij libri janë nje simfoni jetësore personazhes që shpalosin jetën e një Brezi të tërë. Autori na bën të mendojmë, të reflektojmë dhe të rishikojmë të shkuarën në mënyrë kritike.

Personazhet janë njerëz që autori i ka njohur në udhën e jetës dhe përjetësuar në tregime duke i kthyer në personazhe të njohur përgjithësues.

Edhe pse personazhet e këtij libri ecin në të njëjtën udhë të fatit, ata paraqiten si vetvetja, individualisht, shembull është te tregimi “Skafistët”, ku Paparja paraqitet si një skafist që beson vetëm te paraja dhe njerëzit që trasporton i quan “mall”, ndërsa Gazi, shoku tij, në të njëjtin pozicion, që e shoqëron në këtë ndërmarrje të rrezikshme,  paraqet të riun qytetar që ende nuk ka mundur të gjej udhën e jetës.

Personazhet e tregimeve janë njerëz të varfër, ose pa fat siç i quan autori, por buzë detit Adriatik ata shijojnë lirinë dhe sillen e flasin atë gjuhë sipas goditjeve që kanë marrë nga jeta.

*Rreth librit të Gëzim Ziles “Njerëz pa fat”, Infobotues, Tiranë 2016

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Enver Lepenica, Gezim Zilja, PËRBALLË DALLGËVE, TË DETIT DHE TË JETËS

Panajot Barka kërkon heqjen e Isos labe nga mbrojtja e UNESCO-s

August 15, 2016 by dgreca

1 arben-llalla

Arben LLALLA

KËNDEJ RROKULLRROKULL SHQIPËRISË TELEGRAMA VËZHGIM/

Nga Arben Llalla/

Në 7 Gusht Komuna e Pogonias (Voshtina) të Greqisë në bashkëpunim me Federadën Epiriotase organizojnë një aktivitet kulturor të kësaj treve. Midis shumë të ftuarve në këtë ngjarje kishte dhe shumë personalitete greke të jetës politike, fetare, ushtarake, midis tyre Mitropoliti i Konicës Andreas, një antishqiptar i tërbuar, minoritarë grekë, të ardhur nga Shqipëria, si dhe profesori i Katedrës së gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës, Panajot Barka.

Gjatë fjalës së tij antishqiptari grekofoni, Panajot Barka akuzoi shqiptarët se janë hajdutë të polifonisë greke duke e pagëzuar si Iso polifoni shqiptare. Barka kërkoi që Greqia të hedhë në gjyq në Gjykatat Ndërkombëtare për këtë vjedhje Shqipërinë, si dhe heqjen nga UNESCO të Iso Polifonisë Popullore Shqiptare. Gjuha e përdorur nga profesori i Universitetit të Gjirokastrës Panajot Barka ishte nxitje e urrejtjes mes dy popujve.

Më 25 Nëntor 2005, UNESCO e shpalli Iso Polifoninë Popullore Shqiptare si kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit, e cila mbrohet nga kjo organizatë e Kombeve të Bashkuara. Nga 21-24 nëntor 2005 drejtoria e përgjithshme e UNESCO-s në Paris, pasi shqyrtoi mbi 60 kandidatura të propozuara në këtë listë, shpalli më 25 nëntor Iso Polifoninë Shqiptare si një kryevepër e trashëgimisë gojore. Interpretues të njohur të kësaj vlere të kulturës popullore në Jug të Shqipërisë vlerësojnë ruajtjen e kësaj mënyre të kënduari që nuk befason vetëm në skenat kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare. Ata e shohin këtë vlerë të kulturës popullore shqiptare edhe si një pasuri për të nxitur edhe turizmin kulturor.

Por vjen një ditë që disa ekstremistë grekë të nxitur nga Panajot Barka dhe të përkrahur nga drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe fetare të Greqisë, si Mitropoliti i Konicës, Andreas që kërkojnë heqjen e kësaj Iso Polifonie Shqiptare, madje e quajnë Iso Polifoni Greke.

Greqia dhe grekët pasi i kanë vjedhur ndër shekuj shqiptarëve bijtë e saj, traditat, kulturën dhe trojet, deri djathin e bardhë, tashmë duan t’i vjedhin edhe shpirtin e zërit.

 

Shënim: Aktiviteti antishqiptar i Panajot Barkës

Panajot Barka prej disa vitesh bën përpjekje për nxitje të urrejtjes mes minoritetit grek dhe shqiptarëve. Ai disa herë është parë në aktivitetet e organizatave ekstremiste greke që promovojnë aneksimin e jugut të Shqipërisë ose Autonomisë së Veriut të Epirit siç njihet në historiografinë e Greqisë. Barka ka patur lidhje të ngushta me Mitropolitin e Konicës, Sebastianos, me Babais Karathanos e shumë të tjerë. Disa herë Panajot Barka me anë të shkrimeve të tij publicistike kërkon të nxisë një kryengritje të minoritarëve grekë kundër institucioneve shtetërore të Shqipërisë. Të gjitha këto veprime të “profesor” Barka vijnë si pasojë të dështimit në politikë, ku autoriteti i tij pësoj rënie të thellë dhe shpeshherë u bë objekt i talljeve satirike nëpër kanalet televizive.

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, Panajot Barka, Polifonia Labe

Prapë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi

August 15, 2016 by dgreca

Reagim ndaj kumtesës së, Komisioni Shtetëror për Shënimin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi me titull: “Kufiri i Pejës me Malin e Zi në përputhje me planet zhvillimore ”të datës 12 gusht 2016)/

Shkruan: arch. Ylber Vokshi-Ylli/

Së pari ekziston vetëm një Plan Zhvillimor Komunal (PZhK)  i Pejës,sipas ligjit për Planifikim Hapësinor të vitit 2003 dhe ati aktual sot,pra nuk kemi të bëjmë me “plane zhvillimore” ashtu si theksohet në titull të kumtesës. Kjo tregon qasje sipërfaqësore ndaj problematikës së demarkacionit,ose mos njohje elementare të fushës së planifikimit hapësinor të një pjese të territorit të shtetit. Nuk do të kisha dëshirë të jetë e vërtetë kjo qasje,aq ma shumë kur vjen nga një ekip profesionistësh të dëshmuar, të cilët si duket i ka verbëruar politika aktuale e Kosovës,duke i “detyruar” të bëjnë kumtesa të tilla, tërësisht jo profesionale duke na servuar një”dokument” tërësisht të pa qëndrueshëm nga aspekti profesional.

Më duhet të shpjegoi ecurinë e përpilimit të këti dokumenti hapësinor për komunën e Pejës të filluar aty ka fundi i vitit 2005, me dëshirë dhe shpresa që Komuna e Pejës të jetë model dhe shembull pozitiv,për ecurinë e përpilimit të dokumenteve hapësinore për komunat tjera në Kosovë. Për përpilimin e PZhK dhe PZhU ekzistonte përkrahja e strukturave të atëhershme komunale si dhe të donatorve të tjerë, që ishte përshëndetur nga ana e MMPH-së. Për këtë qellim u angazhua kompania e njohur ndërkombëtare,nga Roterdami i Holandës, “DHV Consult”. Ishte ky një veprim i qëlluar që ma vonë degradoi tërësisht,kryesisht me fajin tonë.

Nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH)),gjegjësisht nga Departamenti i Planifikimit Hapësinorë, ku isha i punësuar,u caktova si udhëheqës i ekipit  që do të bënte MONITORIMIN e tërë procesit për përpilimin e këtyre dokumenteve, të rëndësishme për Pejën dhe tërë Kosovën. Është një histori e gjatë me peripeci të shumta se si u punua në atë kohë,e cila u përthekua me një dokument të miratuar kundërligjshëm nga Asambleja Komunale  e Pejës. Më pastaj përfundoi me dhënien e pëlqimit nga ana e MMPH-së edhe se kishte vërejtje substanciale dhe mangësi qenësore ligjore. Atë kohë ishte Ardian Gjini Ministër  i MMPH, ekspertëve të Ministrisë nuk iu murrën më konsideratë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre konstruktive. Veprimet e tilla i kamë kritikuar publikisht në kohë reale,për atë e kemi situatën hapësinore dhe urbane në Pejë dhe vendbanimet tjera në Kosovë në gjendje kaotike.

Para fillimit të përpilimit të dokumentit në Pejë,kishte shumë dilema se si me iu qasur kësaj problematike, pasi kishte shumë mangësi esenciale që ishin  rrjedhojë e luftës dhe krijimit të një shteti të ri, Kosovës si protektorat ndërkombëtar nën administrimin e UNMIK-ut dhe mbrojtjen e NATO-s. Dy ishin sfidat kryesore për komunën e Pejës, përkufizimi i kufijve administrativo – komunal dhe regjistrimi i popullsisë, si dy elemente të cilat nuk ishin të definuar,aq ma shumë kur Peja ishte komunë kufitare si shumë komuna tjera në Kosovë.

Pas konsultimeve të shumta me strukturat e niveli lokal dhe qendror,me njohësit e fushës,njoftimin me praktikat e ngjashme në botë,me teoritë dhe të arriturat në botë në fushën e planifikim hapësinorë si dhe me përkrahjen e domosdoshme të faktorit ndërkombëtar që ishte prezent në atë kohë në Kosovë,e kishim të qartë si të vepronim. U vendos si ti qasemi përpilimit të atyre dokumenteve në Pejë dhe në komunat tjera kufitare duke përdorur të dhënat që i dispononim dhe duke përdorur metodat krahasuese,orientuese dhe progresive që lejohen në Planifikimin Hapësinor Strategjik në tërë botën. Me mundësin e inkorporimit  të dhënave apo elementeve në momentin kur të definohen apo ratifikohen. I njëjti princip ma vonë është përdorur edhe gjatë përpilimit të Planit Hapësinor të parkut kombëtar  “Bjeshkët e Nemuna”, i punuar nga Instituti i Planifikimit Hapësinor, i cili vepron në kuadër të MMPH-së.

Edhe sot mendoi se është veprua korrekt në atë kohë, pasi pritja për ratifikimin e vijës kufitare do të lente Pejën,dhe komunat tjera kufitare pa dokumente të planifikimit hapësinor, pasi kufijtë e Kosovës ende nuk janë të definuar, pos ati me Maqedoninë.

E tregova këtë histori të shkurtë pasi isha pjesëmarrës aktiv në atë proces, për me iu treguar anëtarëve të komisioni shtetëror sa të pa bazuara janë argumentet e tyre, duke u thirrur në ato harta me të cilat është punuar. Ato iu janë ofruar përpiluesve të dokumentit hapësinor (PZhK) dhe kanë shërbye vetëm për çështje hapësinore, e jo për caktimin e vijës kufitare pasi nuk ishin kompetent apo të autorizuar nga Qeveria e Kosovës. Ato harta kurrsesi nuk munden me qenë përcaktuese apo  definuese të kufijve ndërshtetëror në asnjë gjykatë relevante apo arbitrazh ndërkombëtar. Ato duhet të azhurnohen në momentin kur ratifikohet vija kufitare në mes të dy shteteve, Këtë procedurë i kërkon edhe Planifikimi Strategjik Hapësinor, që aplikohet në tërë rruzullin tokësor në shekullin e ri,nuk është mirë të manipuloni me kompetenca të cilat ligjërisht janë mirë të definuar.

Paskam pasur të drejtë që në vitin e kaluar ( dhjetor 2015) me një shkrim kritik të botuar në media shqiptare,kisha analizuar në mënyrë kritike rrjedhat e tërë procesit të demarkacionit me Malin e Zi,arsyet,shkaqet dhe pasojat e mundshme që rrjedhin nga puna jo serioze e faktorit njeri në Kosovë,e ndërlidhur me inate të partive politike në pozitë dhe opozitë. Aty kisha apostrofuar edhe “adutin” e pa qëndrueshëm të Komisionit që thirrej në Dokumentet Hapësinore të Komunës së Pejës.

U vërtetua mungesa e bashkëpunimit e gjithë spektrit të profesionistëve të demarkacionit që u pa se në Kosovë nuk mungojnë, që në këso raste specifike është domosdoshmëri. Në fund të fundit edhe gabimet eventuale të bëra gjatë punës së mundimshme disa vjeçare munden të korrigjohen,ato janë pjesë e punës komplekse e jo me kryeneçësi të mbrohet ajo që nuk mbrohet, si në rastin konkret.

Me këso veprime të pa përgjegjshme vetëm e keni irrituar dhe detyruar faktorin ndërkombëtar të ndërhyjë  në një pune e cila ka mundur të zgjidhej me kohë. Ky nuk është rasti i vetëm për të fshehur mos punën dhe mos dijen tonë,duke i stërzgjatur afatet kohore të përcaktuara.

Thirrja e Komisionit Shtetëror vetëm në të dhënat kadastrale, duke anashkaluar faktin se çka është Kufiri Kadastral i Komunës së Pejës dhe Kufiri Shtetëror,i cili shumë herë është shpjeguar nga ekspertët e ndryshëm,tregon cinizëm të pa tolerueshëm. Çështja e caktimit të vijës së demarkacionit është shumë ma komplekse,është dashur të përfshihen të gjitha elementet e duhura, për të pasur rezultate sa ma precize në këtë proces të ndërlikuar .

Dëmet që janë duke iu shkaktuar shtetit të Kosovës me situatën e krijuar janë me pasoja afatgjate. Vendimmarrësit kosovar duhet ta kenë të qartë njëherë e përgjithmonë se për çështje madhore,si është shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi,duhet domosdo të ketë “koncenzus” në mes pozitës dhe opozitës në Parlament, pasi Kosova na takon të gjithë neve e jo vetëm një grupi të caktuar njerëzish.

Prishtinë                                                                                      arch. Ylber Vokshi-Ylli

15.08.2016      .                                                                                   arkitekt i pavarur

ylberv@yahoo.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, DEMARKACIONI ME MALIN E ZI

Filmi për tragjedinë e Gërdecit do të shfaqet në kinema më 19 gusht

August 15, 2016 by dgreca

Një nga ngjarjet më tragjike në Shqipëri, shpërthimi i Gërdecit që u mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë, ka përfunduar në industrinë më të madhe të filmit në Hollywood. Filmi “War Dogs”, (Lufta e Qenve) me protagonist tregtarin amerikan të armëve, Efraim Diveroli dhe David Packouz, do të shfaqet në kinema më 19 gusht. Ky film i regjisorit të ciklit “Një natë Luanësh”, i përshtatet shumë shpirtit të filmit “Pain & Gain” apo “Ujku i Wall Street”. Ai vë në lojë me një histori që sigurisht është frustuese për personat që janë pjesë e saj, argëtuese për ata që kanë ambicie jashtë mundësive të tyre dhe e jashtëzakonshme për të gjithë të tjerët. Pjesa më e çmendur e gjithë kësaj çështjeje, është se ndryshe nga “Hangover”, ajo bazohet në një histori të vërtetë. Posteri i filmit është frymëzuar gjithashtu nga ai i filmit “Njeriu me Shenjë”. Kjo histori flet për dy trafikantë të rinj të armëve David Packouz dhe Efraim Diveroli që morën një kontratë me vlerë me 300 milionë dollarë për furnizimin e armëve të trupave amerikanë në Afganistan. Efraim Diveroli,u dënua me 4 vite burg për mashtrim, pasi me skemën e tij spekulative vuri në lojë Departamentin Amerikan të Shtetit dhe qeveritë e disa shteteve, përfshi dhe Shqipërinë. Kontrata me kompaninë e Diverolit “Aey” hodhi dritë mbi një seri aferash korruptive në Shqipëri, ku u përfshinë zyrtarët më të lartë të shtetit. Diveroli u arrestua në 2008-n nga autoritetet amerikane për trafik armësh. Filmi me regji të Todd Phillips, nuk lë pa shfaqur si pjesë të kësaj afere korruptive edhe djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berishën, i përfshirë në tragjedinë që u mori jetën 26 personave. Kohëzgjatja e këtij filmi është 114 minuta dhe trajtimi i ngjarjeve vjen sa në mënyrë komike aq edhe tragjike.

Subjekti i filmit

Protagonistët në film janë dy të rinj të cilët bëhen tregtarë armësh për llogari të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përfituar dhe mbyllur kontrata shumë miliona dollarëshe dhe duke jetuar në jetë të nivelit të lartë, para se gjithçka të shembej. Bazuar në një histori të vërtetë “War Dogs” ndjek dy shokë rreth të 20-ve (Hill dhe Teller) që jetojnë në Majemi. Gjatë luftës së parë në Irak, ata shfrytëzojnë një iniciativë pak të njohur të qeverisë, e cila lejon bizneset e vogla të konkurrojnë për kontrata ushtarake të SHBA. Duke nisur pak e nga pak, ata arrijnë të fitojnë shumë para dhe fillojnë të bëjnë një jetë luksoze. Por të dy arrijnë maksimumin kur fitojnë një kontratë 300 milionë dollarë për të furnizuar me armë ushtarët afganë, një marrëveshje që i fut ata në biznes me njerëz shumë të dyshimtë, ku njëri prej tyre rezulton të jetë edhe qeveria e SHBA-së. Në skenarin e filmit, do të paraqitet “arroganca e madhe të një të riu i cili u pasurua shpejt”. “Në qoshe të tavolinës qëndronte ulur një djalosh me sy të akullt si të peshkaqenit, i cili nuk fliste. Ishte djali i kryeministrit, një anëtar i “Familjes”, siç njihej rëndom te shqiptarët. Marrëveshja për të cilën ndodhej atje, më pas do ta çonte Diverolin në burg. 2 milionë fishekët që duhet të dërgoheshin në Kabul nga Tirana,duhej më parë të ripaketoheshin për të hequr germat kineze të kutive origjinale. Shqiptarët i kishin këto rezerva municionesh për dekada të tëra, por gjurmët kineze do t’u shkaktonin “çunave” telashe me ligjin. Me njëmijë e një praktika korruptive, u bë e mundur që municionet të transferoheshin në Kabul”, shkruan gazetari, ne hetimin e te cilit bazohet skenari i ketij filmi.

 

Filed Under: Komente Tagged With: filmi, ne kinema, për tragjedinë e Gërdecit

LIBËR – DITAR I NJË PJESË TË SHKOLLËS SË JETËS NË AMERIKË

August 15, 2016 by dgreca

 

 

1 Rexhep DedushajNë vend të recensionit/ Ne Foto:Rexhep Dedushaj/

Rexhep Dedushaj: “Isha në Amerikë”, Prishtinë 2016./

Shkruan: Mikel GOJANI/

Publicisti i mirënjohur, Rexhep Dedushaj, kohë më parë lexuesve iu ka dhuruar një libër tepër interesant, që mund ta quajmë “Libër – ditar i jetës”, sepse në të ngërthen një pjesë të jetës së tij, kryesisht të asaj jete rreth tre dekadëshe të cilat i kaloi në Amerikë. Libri titullohet “Isha në Amerikë”, dhe është i konceptuar në disa kapituj, që përmbajnë një strukturë unifikuese, si  Kthim  prapa, Pse u shpërngula vetë më vonë, Më në fund arrita në Amerikë,  Takimi me njerëz të njohur e të panjohur, U bëra përsëri mësues, Zhvillimet politiko – shoqërore dhe arsimore dhe Meditime.

Librit i paraprin një moto e autorit, që përçon një mesazh tepër interesant, që përmes fjalëve të  atit të tij, Manit, autori këtij teksti i jep kuptimin shumëdimensional: “Mi ka falë zoti tre djem të mirë e nuk mundem me i hupë. Dua me i shkollue“- janë këto fjalët e babait tim, Manit, që i përsëritet shpesh kur do kumbarë, emigrantë nga Shqipëria e ftonin të shkonte me ta në Amerikë në vitet e gjashtëdhjeta të shek XX …

Libri, “Isha në Amerikë”, ngërthen në vete një histori të vërtetë, një ditar të vetë autorit, shtegtimin e tij, si në tokën e vet, por dhe në tokën huaj, që e  pranon, e strehon dhe i jep ngrohtësi e rastin për të punuar e vepruar, si njeri e qytetar i lirë për 28 vjet me radhë.

Përmes këtij libri – ditari, mund ta përfytyrojmë mësuesin, intelektualin dhe veprimtarin, Dedushaj, me një çantë në krah plaçka dhe libra, i cili, gjatë fundviteve të ’80-ta nis një rrugë të vështirë dhe plot të mundimshme.  Posa të arrijë në Amerikë, njeriu shqiptar, duke e ditur që prapa e ka lënë vendlindjen e tij, ku ka jetuar, gjendet në kërkim të një pune. Të gjitha këto vështirësi, i ka përjetuar edhe prof. Dedushaj, por në kujtesë janë të regjistruara edhe aktet solidare, ndihmesat që japin shqiptarët kudo që janë: në rrugëtim, nëpër azile, në rrugët e kërkimit të vështirë të punës. E kur gjendet ajo punë, njeriu shqiptar, si profesor Dedushaj,  jepet shumë pas saj për të siguruar mirëqenie. Dhe, pas shumë dekadash pune dhe jete në Amerikën e “tokën e premtuar” apo në Amerikën e “mundësive të mëdha”,  Dedushaj nuk artriti të bëhet një afarist i suksesshëm  dhe që do të kishte një biznes të suksesshëm sikur shumë mërgimtarë tanë atje, sepse ai këtu në Kosovë, me ata jo shumë dollarë të punës që i përfitonte në “rufet” e atjeshëm dhe shumë punë të tjera,  mbante familjen e tij të madhe në Kosovë, duke ua siguruar kafshatën e bukës. Dedushaj, pra, edhe pse jetonte shumë larg vendlindjes së tij, familjes së tij, larg babait, nënës, vëllezërve, motrave, bashkëshortes, fëmijëve, edhe pse jetonin në kushte jo të volitshme, përkatësisht me ato para që ai u dërgonte nga atje,  asnjëherë nuk kishte pretenduar që familjen ta tërheq atje dhe të lë dheun e të parëve të tij. Gjithmonë jetoi me ndjenjën e kthimit në vendlindje-atdhe, dhe më në fund këtë betim edhe e realizoi, ku pas qëndrimit afër tre dekada në vitin 2015n përfundimisht u kthye ne vendlindjen, gjegjësisht atdheun e tij.  Ky, bashkëkombës yni, Rexhep Dedushaj, dikur mësues në disa shkolla të Dukagjinit, në Radoniq, Drenoc, Tërboviq etj., i cili për shkak te veprimtarisë së tij në shërbim të arsimit shqip, në shërbim të kombit përgjithësisht, u detyruar që të migrojë duke u vendosur në Amerikë, ku i kaloi  rreth 28 vite. Ndonëse në mërgim, e pas   gjithë asaj që kishte përjetuar familja e tij, përkatësisht ai personalisht, para afër tre dekada u largua nga vendlindja e tij dhe u vendos në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork, ku i kaloi gjithë këto vite dhe më në fund duke u kthyer në vendlindje të cilin e kishte gjakim dhe nga i cili, edhe pse për këto vite fizikisht jetoi po kaq larg tij, mirëpo me zemër dhe me shpirt gjithherë ishte me vendlindjen dhe në vendlindje.

Dedushaj nuk kishte harruar atdheun-vendlindjen, edhe në atë kohë kur dirgjej  e qelbej nën   çizmen e okupatorit të atëhershëm serb, e as njerëzit  e një gjuhe e një gjaku, por ishte dhënë në shërbime të tyre, mirëpo atdheun-vendlindjen nuk e harroi as kur përjetoi frymën e lirës, deri në momentin e kthimit për të jetuar përgjithmonë.

Autori dhe protagonisti i librit, Dedushaj, gjatë gjithë atyre viteve të jetës së tij në mërgim, gjegjësisht në Amerikë, edhe përkundër vështirësive të shumta me të cilat fillimisht u ballafaqua, të cilat përballje në mënyrë mjaft të mprehtë herë-herë edhe në mënyrë mjaft patetike, ky patetizëm dhe këto emocione që i shpreh janë shumë të ligjshme, sepse pasqyrojnë gjithçka të asaj pjese të jetës së tij.

Pra, përkundër këtyre vështirësive, autori – përkatësisht kryeprotagonisti i librit, profesori dhe veprimtari Dedushaj, edhe në Amerikë, duke iu bashkëngjitur plejadës së veprimtarëve të tjerë të shumtë që vepronin atje,  vuri në shërbim të atdheut, dijen, mundin e djersën, si në rrafshin politik, po ashtu edhe  atë ekonomike humanitar.

Autori i këtij  libri, zoti Dedushaj, e ka pasur të vështirë se si ta sistemojë e përmbledh sa më dendur-materialin e bollshëm, të  historisë e veprimtarisë së tij dhe të shumtë veprimtarëve të tjerë shqiptaro-amerikanë, të cilët nuk kursyen asgjë me qëllim të sensibilizimit dhe internacionalizimit të çështjes së Kosovës dhe të asaj shqiptare përgjithësisht, duke depërtuar nëpër të gjitha kancelaritë vendimmarrëse të politikëbërjes amerikane, me qëllimin e vetëm të njohjes me realitetin e Kosovës dhe të popullit shqiptar përgjithësisht, po ashtu me kërkesën e vetme për ta ndihmuar Kosovën për t’u shkëputur nga kurthet shekullore të hegjemonisë serbe.

Profesor Dedushaj flet për aktivitete të shumta që ka zhvilluar në kuadër të Degës së LDK-së në Nju Jork, por edhe në shoqatat tjera, si  “Plavë Guci”, ,,Kraja”, ,,Ulqini”, ,,Ana e Malit” ,,Dedë Gjo’ Luli”, ,,Malësia”, ,,Dibra”, ,,Rugova”,  ,,Peja”, ,,Lugina e Preshevës” etj., po ashtu edhe te Fondi “Vendlindja thërret”,  Fondi Humanitar ,,Plavë – Guci”, që u formua në prill të vitit 1994 dhe shumë shoqata dhe asociacione të tjera që vepronin në Amerikë. Pra, profesor Dedushaj, krahas angazhimeve në punë,  gjithmonë gjeti kohë dhe për çështjen madhore, te atdheut të robëruar, çlirimin e tij por dhe me pas në lirinë e brishtë. Pra,  për  asnjë çast nuk e mos kurseu vetën, në rrafshin arsimor, kombëtar e humanitar. Kontributi i zotit Dedushaj,  ishte i madh edhe në internacionalizimin e sensibilizimin e opinionit paqedashës  në Amerikë, për çështjen shqiptare në Kosovë. Shumë takime lobuese e informuese me zyrtarë të lartë amerikanë e botërorë, pjesëmarrja ne shumë protestat, demonstrata, mbledhjen e fondeve për ndihme Luftës Çlirimtare në Kosove-këtë të fundit, pra e gjejmë  në të gjitha që u zhvilluan në ato kohë- e që nuk ishin te pakta.

Profesor Dedushaj, qysh herët si mishërim kishte pasur edhe fushën e arsimi dhe të edukimit shqip dhe këtij profesioni i ishte qasur shumë herët duke shpërndarë rreze të dijes dhe të diturisë në shkollat e Kosovës, këtë mishërim e dëshmoi edhe në Amerikë dhe në saje të angazhimit të tij për fëmijët të komunitetit të diasporës shqiptare hapi shkollat shqipe edhe në Amerikë, ku edhe atje fëmijëve shqiptarë ju mësoi shkrimin dhe leximin shqip, po ashtu iu kultivoi edhe kulturën kombëtare.

Kontributi i tij i jashtëzakonshëm ishte edhe në fushën e informimit. Ai bashkëpunoi me disa mjete të informimit, “Dielli”, Bota sot”, radio “Zëri i Malësisë” dhe televizione të atjeshme, krejt më qëllim të informimit objektiv të atyre veprimtarive dhe aktiviteteve të tjera që komuniteti ynë i diasporës shqiptare në Amerikë kryente shumë punë, shumë veprimtari, sepse ishte edhe koha kur jetën shqiptare e bënin lufta dhe përpjekjet për çlirimin e Kosovës.

I gjithë rrëfimi i këtij libri, është i bazuar në fakte e opinione. Në libër frekuentojnë emra të shumtë të veprimtarëve dhe ngjarjeve të zhvilluara, krejt me qëllim të kontributit në shërbim të kauzës kombëtare.

Autori – protagonisti, Dedushaj, këtë libër e konceptuar mirë, që do të thotë materien e ka shfrytëzuar në mënyrë të jashtëzakonshme, duke na dhuruar një libër me plot ngjyra jete, përkatësisht copëza të jetës së tij, për ato dekada të mërgimtarit, nga Diaspora-Amerika, se largët, që dëshmon, se asnjëherë, për dyzet vjet në mërgim, as në ëndërr e as fizikisht  nuk shkëputi lidhjet me atdheun…! Nuk mbeti ”gjak i shprishur”- i shpërndarë, por gjak i pastër i Malësisë, i Dukagjinit dhe i Dardanisë Antike.

Libri – ditar, “Isha në Amerikë” i autorit Rexhep Dedushaj, është një dokument i cili nuk shpalos vetëm jetën dhe veprën e këtij mësuesi, intelektuali, veprimtari dhe atdhetari të devotshëm, por, pashmangshëm, me këtë pasqyron edhe angazhimin dhe veprimtaritë e shumta edhe të bashkindealistëve dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë të shumtë, të cilët nuk kursyen, mundin, djersën as gjakun për të mirën e atdheut të tyre, deri në sublimimin e atyre përpjekjeve që i kishin dhënë vetes obligim. Pjesë e këtyre angazhimeve dhe të veprimtarive politike, kulturore, shkencore dhe atdhetare përgjithësisht deri me kthimin e tij në atdhe, ishte vetë Rexhep Dedushaj.

Në pjesën e fundit, autori Dedushaj jep vazhdimin e angazhimit të tij pas kthimit të tij në vendlindje, përkatësisht në Kosovë, në disa veprimtari të tjera, si në fushën e informimit, arsimit etj.

Prandaj, krejt në fund lirisht mund të potencojmë se libri “Isha në Amerikë”, është një libër me vlera të mirëfillta dokumentare, që lexohet me ëndje dhe i cili e begaton fondin e librave të këtij zhanri të letërsisë shqipe.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Isha ne Amerike, Mikel Gojani, rexhep dedushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT