• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

Parlamenti i Kosovës diskuton më 1 shtator kufirin me Malin e Zi

August 10, 2016 by dgreca

Kryesia e parlamentit të Kosovës, vendosi të mërkurën që më një shtator të mbahet seanca e parlamentit, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Vendimi u mor pas një ndërprerje të mbledhjes meqë lëvizja Vetëvendosje sërish hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë.

Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Të enjten qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë dhe si e tillë është e papranueshme.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Filed Under: Komente Tagged With: 1 shtator, Kufiri me Malin e zi, Parlamenti i Kosove

Dua Lipa dhe babai i saj këndojnë shqip

August 10, 2016 by dgreca

Një mbrëmje për tu mos harruar. Kështu është shprehur këngëtarja me famë botërore, shqiptarja Dua Lipa, e cila ka përjetuar një moment të veçantë gjatë koncertit të së martës në Prishtinë.

Për herë të parë, 21 vjeçarja ka dhënë një koncertin në vendlindje. Publiku ishte elktrizues, dhe i ka dhurar Duas, momente të paharrueshme. Ky koncert është për qëllime humanitare. 21-vjeçarja ka kënduar në skenë bashkë me babanë e saj, Dukagjin Lipën. Dua nisi të këndonte këngën “Beso në diell” të grupit rok kosovar, ‘Oda’, ku babai i saj Dukagjin Lipa ka qenë vokalist. Teksa këndonte, ajo u kthye nga babai që qëndronte në prapaskenë duke i lënë të kuptonte se duhej të shkonte pranë saj.

Publiku i Prishtinës, që gjatë gjithë mbrëmjes brohoriste ‘Dua, Dua’, sapo pa Dukagjin Lipën t’i bashkohej të bijës në skenë nisi të thërriste njëzëri ‘Duka, Duka’.

Dua në Instagram shkruan këto fjalë të ndjera

‘Yje deri sa të të zërë syri. Duke kënduar këngën e tim ati, i kërkova të ngjitej në skenë me mua! Një mbrëmje me të vërtetë e paharrueshme! Një nga ato që nuk harrohen për tërë jetën! Të dua, Dukagjin Lipa, faleminderit për gjithçka bën! Beso në diell’, kështu e ka përshkruar Dua Lipa këtë moment të koncertit në Parkun e Gërmisë.

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe i ati, DUA LIPA, kendojne shqip

Një breshkë e rrallë kurriz-lëkurore në Gjirin e Drinit

August 10, 2016 by dgreca

Nga Ahmet Zani/
U gjet sot në njërin nga stavnikët e Gjirit të Drinit një breshkë e llojit kurriz-lëkurore (Dermochelys coriacea). Kjo lloj breshke në dallim nga ajo e zakonshmja (Caretta caretta) është shumë e veçantë për detet tona. Mjedisi i saj normal është oqeani dhe herë pas here individë të ndryshëm futen në detin Mesdhe përmes ngushticës së Gjilbraltarit.
Breshka kurriz-lëkurore njihet si breshka më e madhe që jeton sot në planetin tonë dhe si reptili aktual i katërt më i rëndë pas tre lloje krokodilësh. Emri kurriz-lëkurore rrjedh nga vetë anatomia e kësaj breshke të Familjes Dermocheylidae që është totalish e ndryshme nga ajo e 6 llojeve të tjera të Familjes Cheloniide që jetojnë sot. Ajo nuk ka një guaskë (zhguall) kockor, por karapaksi i saj mbulohet nga një lëkurë e fortë. Për pasojë, kjo breshkë nuk ka pllaka kurrizore, por kreshta gjatësore. Ushqimi i preferuar për këtë gjallesë mbetet kandili i detit për pasojë ajo mund të gjendet tek noton nga Oqeani i Ngrirë i Veriut deri në ujërat përreth Zelandës së Re.
Nuk ka akoma evidenca të sakta për ekzistencën e plazheve folezuese në Mesdhe, megjithëse studiuesit janë të mendimit që një gjë e tillë mund edhe të ndodhë, por për këtë nevojiten kërkime dhe studime të mëtejshme. Në dy nga plazhet më kryesore folezuese më të afërta me Mesdheun, Frenxh Guajana (French Guyana) dhe Virxhin Ajlënds (Virigin Islands),  gjatësia e harkuar e karapaksit (CCL) mesatare e një  femre folezuese e raportuar nga  Van Buskirk dhe Crowder ështe 157,4 dhe 153,6 cm. Ndërsa në zona të tjera individët folezues janë me përmasa të CCL  më të madhe se 144 cm ndaj edhe individi i kapur sot në Gjirin e Drinit me gjatësi 138 cm klasifikohet si individ i cili është në prag të maturimit.
Ky është individi i dytë i gjetur në këtë zonë dhe në ujërat Shqiptare. I pari u kap më 1963 në Shëngjin nga një mjet peshkimi i njohur si tartakoçe dhe u balsamos nga Muzeu i Shkencave Natyrore Tiranë ku edhe ndodhet aktualisht.
Breshka kurriz-lëkurore e kapur sot, u mor në studim nga Prof. Dr. Idriz Haxhiu i cili njihet për kontributin e tij 50 vjeçar në studimin e herpetofaunës Shqiptare dhe Doktorantja Vilma Piroli e cila prej 6 vitesh merret me studimin e breshkave detare në Shqipëri. Studiuesit thonë që arsyeja e ardhjes së kësaj breshke në ujërat tona mund të jetë vetë karakteri kozmopolit i kësaj breshke dhe lëvizja e saj në kërkim të ushqimit dhe Gjiri i Drinit njihet si një zonë e pasur me invertebrorë të tillë si kandili i detit, por nuk mund të linin pa hedhur edhe hipotezen që ky mund të jetë edhe një tregues i ndryshimit të balancave natyrore që po ndodhin në planetin tonë.
Breshka u mor në studim në mjediset e Qendrës për Studimin dhe Ndihmën e Parë për Breshkat Detare në Patok ku Shoqata Herpetofauna Shqiptare përmes një financimi të RAC/SPA, UNEP dhe mbështetjes së Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura po vë në zbatim projektin e monitorimit dhe ruajtjes së breshkave detare në vendin tonë për vitin 2016.
Kjo breshkë e rrallë për detet tona u markua dhe u rikthye sërish në det larg rrjetave dhe bregut me ndihmën e peshkatarëve të Patokut.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ahmet Zani, Breshka e rralle

Gjilani sërish mikpritës i studentëve nga vendet e ndryshme të botës

August 10, 2016 by dgreca

Te hënën ka filluar edicioni i pestë vjetor i Programit Ballkanik të Paqes në Gjilan, në të cilin po marrin pjesë studentë të huaj, kryesisht nga Kanadaja, Britania, SHBA-të, etj. Programi Ballkanik i Paqës, i njohur ndërkombëtarisht përmes Universitetit të Albertës në Kanada, për temë bazë ka Zhvillimin dhe Politikën Ndërkombëtare ne Shoqëritë e Paskonfliktit, ku vëmendje e veçantë i jepet Kosovës në veçanti dhe Ballkanit në përgjithësi. Përveç studentëve të huaj, fal angazhimin të Fondacionit Bislimi Grup, në këtë program akademik veror ndërkombëtar po marrin pjesë edhe dhjetra studentë të përzgjedhur vendorë.

“Angazhimi im dhe i Fondacionit gjithherë ka qenë dhe mbetet ofrimi i mundësive sa më të mira për shkollim kualitativ për të rinjtë e vendit tonë. Ne kemi dhjetëra studentë të Kosovës që kanë studiuar e studiojnë me bursa të plota akademike në SHBA e Kanada, të aranzhuara përmes Fondacionit tonë. Ky është investimi më i mirë që mund të bëhet për Kosovën,” ka thënë Faton Bislimi, themelues i Fondacionit dhe drejtues i Programit Ballkanik të Paqës. “Tani jemi thuajse ne një vit jubilar për Programin – edicioni i pestë vjetor – dhe të vet punës së Fondacionit – 10 vjetori i punës sonë vullnetare, ku respekt të veçante për angazhim vullnetar në këtë aspekt meriton Drejtori Ekzekutiv i Fonacionit tonë, z. Halit Bislimi,” ka shtuar profesor Faton Bislimi.
Ndërsa, partner lokal në realizimin e këtij programi, që nga viti 2014, është bërë edhe Universiteti Publik i Gjilanit “Kadri Zeka”. Përkrahja e Universitetit nuk ka munguar. “Ky program sjell një mundësi të veçantë për studentet dhe Universitetin tonë. Programe të tilla të karakterit akademik ndërkombëtar janë shumë domethënëse për neve, vecanerisht si universitet i ri, por ambicioz,” ka vlerësuar Prof. Dr. Bajram Kosumi, Rektor i Universitetit Publik të Gjilanit.
Pëvec Faton Bislimit që shërben si ligjërues në këtë program, bashkë-ligjëruese është edhe Liza Gashi, tani e disa vite udhëheqëse e Komitetit Nacional të United World Colleges (UWC) për Kosovë. Ajo tani po ashtu shërben edhe si Drejtoreshë Programi e OJQ-së Germin. “Për mua është një përvojë shumë e mirë dhe besoj se për studentët pjesëmarrës në program është një mundësi unike për mësim dhe shkëmbim përvojash. Përndryshe, programi po ashtu ofron një pasqyrë reale dhe personale të Kosovës tek studentet e huaj,” ka thënë Gashi.
Studentët e huaj janë vendosur nëpër shtëpi nikoqire gjilanas dhe do të qëndrojnë këtu deri në fund të gushtit. Përveç qëndrimit në Gjilan, studentët e huaj pjesëmarrës në këtë program do të vizitojnë edhe pjesët tjera të Kosovës si dhe viset tjera shqiptare në Mal të Zi, Shqipëri, e Maqedoni.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjilani, nga bota, stdudentet

SHTETI, QË FYEN POETIN MARTIR HAVZI NELËN

August 10, 2016 by dgreca

      28 VITE MË PARE VAREJ POETI I LIRISE  HAVZI NELA/

  Nga Besim NDREGJONI/                                      

Sot mbushen 28 vite që poeti disident , martir i lirisë, ndahet tragjikisht dhe fizikishtë nga Kollovozi e Kukësi nga Shqipëria atdheu i tij i dashur që  i kushtoi jetën e tij në mbrotje të  lirise dhe dashurise njerzore.  Cdo vit   përkujtimor, përveç ritualit  të  kujtesës mbi ata që nuk janë më midis nesh e që u a morën jetën pa të drejtë  e ka të pashmangshëm edhe bilancin e ndërgjegjes sonë mbi ta, refleksionin e marrëdhënieve tona me ta, përderisa i kemi pranuar si pjesë e pandarë e kuptimit të ekzistencës sonë.
Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht, e mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë. Në përgjithësi shoqëria, jashte  politikës , është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij,  janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën  çdo vit anembanë vendit mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë. Kukësi ia ka bërë nderimet , duke i vënë emrin e tij nje shkolle gjimnazi. Presidenti, e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Të propozuar nga Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve  Politikë. Gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me  nderimin e  poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë.  Por nuk është aspak kështu për poetin që shkruante nga katakombet komuniste për “Frymën e Helsinkit”. Nuk është aspak kështu, sepse atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet,  për poetin që vargjet i shkruante qelive,  duke sfiduar xhelatët e  diktaturës , për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tonë, për këtë poet, pra, shteti ynë e paska të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e ka fyer  kujtimin e tij duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës.

Drejtësia e shtetit tonë nuk ka  marrë mundimin për këta 25 vjet të hapë një proces penal për të gjithë ata që ideuan, organizuan dhe përmbushën me gjakftohtësi, si në skenat mesjetare, varjen e poetit në litar më 10 gusht 1988, duke shënuar rekordin e turpit dhe të së keqes në krejt globin tokësor.  Të gjithë ata persona që ishin pjesë  e krimit, ishin dhe janë ende gjallë. Çfarë u bë me ta, vallë? Me ata të gjithë? Me ata një e nga një ? Ekzekutorët e tij  patën të gjithë karrierë të lavdishme politike e professionale                             

Së paku tre prej tyre që kanë hedhur firmat në aktin e dënimit me varje të Havzi Nelës, dihen. Ish-presidenti diktator komunist Ramiz Alia, të cilin shteti e përcolli zyrtarisht me një ceremoni funerale si një hero, në shtrat të topit dhe për të cilin, të nesërmen u shkrua nëpër gazeta me lavde e superlativa dhe politikanët  tanë e pagëzuan si politikan të matur, të qetë e liberal, një lloj Gorbaçovi  shqiptar që shmangu gjakderdhjen, duke e lënë krejt në harresë faktin se të gjitha aktet e pushkatimeve i firmoste po ajo dorë kriminale “ që druhej mos derdhë gjak”(!). Dy personat e tjerë që firmosën dokumentin janë gjallë. Ata kanë njohur kulmin e karrierës politike e administrative në shteti demokratik shqiptar. Njëri, ish-deputet, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i dekoruar më 8 janar 2004 me urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa tjetra, ish-kryetare e I.D.P, e dekorurar me po këtë titull në vitin 2009 nga Presidenti tjetër i radhës. Nuk është vetëm rasti i Havzi Nelës, por edhe i martirëve të tjerë. Po njësoj janë dekoruar më parë xhelatët që vranë Trifon Xhagjikën, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin. Logjika është e thjeshtë: nëse shteti, me segmentet e politikës, pranon, nëpërmjet dekorimit të martirëve, të na i bëjë ata pjesë të vetëdijes sonë qytetare, atëherë, për të shmangur kontradiktën dhe pafytyrësinë duhet të ndëshkojë,  të gjithë ata që çuan në vrasjen e poetëve. E pakta moralisht duhej të bênte  pezullimin e këtyre vrasësve nga postet e rëndësishme shtetërore e politike.  Standardi i këtij shteti demokratik  është i dyfishtë, kriminal, hipokrit fyes, si për kujtimin e viktimave, ashtu dhe për ndërgjegjen tonë qytetare tani që e kemi mësuar të vërtetën. Shteti demokratik   me  këto nderime jep  shembullin më të keq: të nderojsh  viktimat si martirë nga njëra anë, dhe njëkohësisht, t’u hapësh  mundësi për karrierë marramendëse vrasësve të tyre në të gjitha nivelet e administratës deri në Parlament.  Fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët në Shqipërinë tone.  Nderimi  nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm.  Ismail Kadareja bën një sugjerim  ne 20 vjetorin e varjes poetit.. poeti është  në  botë e  amshuar, por shoqeria shqiptare  a është e qete.. Në rrugëtimin tone  drejt përparimit dhe Europës, është  shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandiente “frymën e Helsinkit” kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin. Pikërisht , politika  shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë e mban peng të verteten e krimit komuniste.  Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet. “Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti, nuk do të mundet të abstragojë nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës, Vilsonit dhe Gencit, thjesht sepse ata ishin njerëz realë, se litari, plumbat e togës dhe vdekja e tyre qe reale dhe se vepra e tyre letrare vazhdon të jetë reale, të dëshmojë për ta. Europa si ëndërr, së cilës po i sillemi vërdallë, frymoi për së pari si ajër i vjedhur lirie në Kollovoin e Havzi Nelës,  e në  Bërzhezhdën e Vilsonit dhe Gencit,  nëpërmjet vargjeve të poetëve martirë. Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist enverist  shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me  Havziun, Trifonin, Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Dhe ngelemi jashte Europes se ajo nuk na pranon me vrasesit e poeteve por me matirizimin e poeteve. Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët: Vdekja për liri nuk më tremb aspak. Si e duron robninë zemra e një trimi?Kështu shkruane një vit para vdekjes poeti ynë Havzi Nela.

Besim Ndregjoni

Filed Under: Editorial Tagged With: Besim Ndregjoni, HAVZI NELËN, martir, QË FYEN POETIN, shteti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT