• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

Shumë keq Kombi na asht përça….

August 9, 2016 by dgreca

Shqetësimi i At Gjergj Fishtës për gjendjen në Shqipëri e Kosovë/

Në stilin e “Lahutës së Malcis” – me rastin e 145 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës (1871 – 1940)./

Nga Sadik Elshani/

Shkrepi dielli buzës s’Cukalit

Sot s’do t’kndojm, oj Zana e malit/

S’do t’kndojm me Lahute t’Malcis/

Por do t’ia kjajmë hallet Shqypnis/

Këto vargje kur jam tue i shkrue/

Për Shqypni jam tue u shqetsue/

Se punët fort mirë nuk janë tue shkue/

Shumë parti na janë krijue/

Me njani – tjetrin janë tue luftue

Gjuhë rrugaçi tue përdorue

Për Shqypni hiç s’janë tue punue

Veç për vete tue u pasunue

Uh! Kuvendi i Shqypnis

Po qysh kaq keq jeni katandis

S’ju ka mbet nji fije e burrnis

Po ku i keni rregullat e gjytetnis?

Jeni ba gazi i njerzis

A ky asht shembulli qe i jepni rinis?!

Kur te mblidheni ne ket Kuvend

Mblidhuni si burrat dikur n’Prizrend

Per me fol, me bisedue

Shqyptarin se si me pshtue

Jo njani – tjetrin me poshtersue

Ti, o Sali je nga Malcia

Mire duhet ta dish çka asht burrnia

Ti, o Edi je piktor

Artisti ka nji shpirt njerzor

Mosni k’shtu se na banet hor

Burrave hije k’shtu nuk u ka

Per faqe t’zeze jeni ba

Merrni mesime nga historia

Se burra te mdhaj ka pas Shqypnia

Edhe n’Kosove vllaznit tane

Pun’t ma mire hiç nuk i kane

E gjithe bota bante çudi

Per gjashte muej pa qeveri

Pa qeveri e me qeveri

Pun’t jane tue shkue zi e ma zi

Veç korrupsion e hajni

Kush s’mendon per vegjeli

Ne Kuvend tym e flake

Politikanet na plasen n’bark

Shume keq Kombi na asht perça

(E dergoi per Diellin: Sadik Elshani)

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: At Gjergj Fisha, Atdheu i perçare, Sadik Elshani

DR. SKENDER MURTEZANI ORGANIZON TE PAME PER BAIN E TIJ TE NDJERE

August 9, 2016 by dgreca

Dr. Skënder Murtezani pret ngushëllime për Babanë, Sulejman Murtezani-Gega, që ndërroi jetë në Tetovë, të Shtunën me 13 Gusht 2016, nga ora 5.00 pasdite deri në orën 7 e 30 PM./

Njoftohet komuniteti shqiptar, miqtë,kolegët, vatranët, se të Shtunën me 13 Gusht 2016, në ‘Red and Black Cafe’, nga ora 5.00 pasdite deri në 7 e 30 pasdite, pret ngushëllime për babanë e ndjerë Sulejman Murtezani-Gega. I ndjeri ndërroi jetë në vendlindje, Tetovë dhe me 30 korrik 2016, u përcoll për në banesën e fundit me ceremoni kombetare dhe fetare.I ndjeri Sulejman Murtezani-GEGA ishte vëllai  i patriotit të njohur tetovar Mehmet GEGA. Sulejman GEGA rridhte nga një familje e njohur kombëtare tetovare të cilët gjithnjë janë përndjekur dhe burgosur nga pushteti serb dhe sllavo-maqedonas për shqiptarizmin e tyre.

Në varrimin e të ndjerit morën pjesë me qindra shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset kombëtare, Kosova, Shqipëria dhe Çamëria duke i dhënë lamtumirën e fundit këtij atdhetari të devotshëm.

Familja njofton ata që duan të respektojnë të ndjerin Sulejman Murtezani-GEGA,  mund të dërgojnë donacion për studimin e kancerit te adresa:

https://secure2.convio.net/aicr/site/Donation2?df_id=10920&10920.donation=form1&tribute=

Familja Murtezani do të informohet për dhuruesit.

Adresa ku Familja Murtezani pret ngushëllime është :

Red and Black Cafe

21-23  21 Ave.

ASTORIA, NY 11106

Filed Under: Vatra Tagged With: Dr. Skender Murtezani, për Babanë, pret ngushëllime

Turqia qemaliste properendimore është aleati ynë strategjik

August 9, 2016 by dgreca

Nga Dr. Enver Bytyçi/

Putin ErdoganPrej dy ditësh shefi i shtetit turk, Rexhep Taip Erdogan, po qëndron në Rusi me ftesë të homologut të tij rus, Vladimir Putin. Kjo vizitë, e para pas një kohe marrëdhëniesh të ftohta midis dy vendeve, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik shqiptar e të huaj dhe ka shtuar pikëpyetjet, hamendjet dhe dilemat për kursin e shtetit më të fuqishëm ushtarak të NATO-s, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne shqiptarët shpesh herë marrim role që nuk na takojnë dhe debatojmë për konfliktet e brendshme në Turqi ose për mënyrën e qeverisjes së Ankarasë, pa shtjelluar me theks të veçantë atë pjesë të politikës turke, e cila lidhet dhe ndikon drejtpërdrejt në Ballkan e sidomos tek ne.
Që në fillim dua të theksoj se aleat strategjik i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet një Turqi moderne, properendimore, dmth një Turqi qemaliste, e orientuar nga aleanca strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Europën. Ndërsa një Turqi e koncepteve perandorake otomane do të jetë domozdo një vend i oorientuar nga aleancat strategjike të Lindjes. Vizita e Erdogan në Rusi është një sinjal i qartë i kursit të ri të Ankarasë. Duket se presidenti turk ka vajtur në Petërsburg të takojë mikun e tij president të Rusisë për shkak të marrëveshjeve ekonomike, të linjës se gazsjellësit ose të bllokimit të situatës së rënduar në indistrinë turke të turizmit. Por nuk është krejt kështu.
Duke njohur konfliktin e nëntorit të vitit të kaluar midis Ankarasë dhe Moskës, akuzat dhe replikat e pazakonta të ndërsjellta e zyrtare midis dy kryeqyteteve, gjithkush do të besonte se një miqësi dhe aleancë strategjike midis këtyre dy vendeve do të ishte e pamundur. Veçanërisht presidenti Putin dhe zëdhënësit e tij e akuzuan presidentin Erdogan dhe djalin e tij për mbështetje të terrorizmit dhe ISIS, për trafiqe, kontroll dhe tregëti nafte me shtetin islamik, për implikim të qeverisë turke në një sërë ngjarjesh tronditëse në botën e sotme, madje me përbetime se “së shpejti do të dilnin prova konkrete” për të vërtetuar akuzat e Kremlinit. Nga ana e tij Erdogan reagoi para nëntë muajve me shumë ashpërsi, duke i dëshmuar homologut të tij rus se “Ai është dhe mbetet i pamposhtur”. E gjitha erdhi pas rrëzimit të një avioni rus në territorin turk nga nja avion turk, piloti i të cilit është akuzuar si aktiv në “puçin: ushtarak të 15 korrikut të kaluar. Më tej vijoi një pauzë heshtjeje, provat e “implikimit” të Erdoganit dhe familjes së tij u harruan, derisa erdhi 15 korriku dhe ndodhi ngjarja e famshme e “grushtit të shtetit”. Janë të panjohura shkaqet e akuzës si gylenist të pilotit të shpallur si hero i Turqisë së nëntorit 2015!
Poe është fakt se prej këtij momenti shefi i shtetit turk ndryshoi kursin e politikës së tij, duke akuzuar Perendimin për “implikim në grushtin e shtetit”, për heshtje, mossolidarizim dhe mungesën e mbështetjes së shteteve europiane dhe SHBA-ve, deri te deklarata e fundit e para tri ditëve se “Europa për 53 vite ka luftuar kundër Turqisë”. Ndryshimi i kursit politik erdhi menjëherë pasi në situatën e krijuar më 15 korrik Vladimir Putin i telefonoi Erdoganit dhe shprehu solidaritetin e tij në luftën kundër puçistëve. Thuhet madje se shërbimi sekret rus e kishte njoftuar shërbimin sekret turk një ditë ose dy ditë para se të ndodhnin ngjarjet e natës së 15-16 korrikut 2016.
Prej kësaj kohe presidenti i Turqisë rishpalli “miqësinë e tij të ngushtë” me Vladimir Putinin, duke shënuar kështu një kundërvënie të hapur të aleatit historik e qemalist, Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por precedenti nuk është i ri. Në vitin 2012 Erdogan dhe Putin këmbyen vizitat reciproke në selitë e tyre presidenciale, duke shënuar rekordin historik, pasiqë kurrë nuk kishte ndodhur që të vinte për vizitë në Stamboll apo Ankara një car apo udhëheqës komunist sovjetik, përfshirë këtu dhe paraardhësin e Vladimir Putin, Boris Jelcinin. Përveç kësaj aso kohe u nënshkruan disa marrëveshje të përbashkëta në fushën e ekonomisë e të energjitikës si dhe në fushën ushtarake. Rihapja e kapitullit të marrëdhënieve të ngushta, miqësore dhe aleancës strategjike me Rusinë e bën Turqinë e Erdoganit një partner të brishtë në NATO dhe e shtyn Europën të shkojë drejt një vendimi përfundimtar e të prerë për të hequr dorë nga përpjekjet e saj për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Sot për sot Europa është e përçarë në qëndrimin e saj ndaj Turqisë, siç është e përçarë edhe në politikat që duhen aplikuar ndaj Rusisë.
Por lidhjet e ngushta të Ankarasë me Moskën duket qartë se janë të pëlqyeshme për kohën e sotme nga të dy palët, Rusinë dhe Turqinë, sepse Putin dhe Erdogan ndajnë të njëjtin sistem e model qeverisjeje bazuar në dhunën ndaj kundërshtarëve politikë dhe në autoritetin e arrogancën e një personi, presidentit të vendit. Në këtë pikëpamje të dy ndajnë jo vetëm sentimente të përbashkëta, por edhe përvojat specifike të njëri-tjetrit në rritjen e autoritetit dhe arbirtraitetit në qeverisje. Por ky aspekt i formës së qeverisjes besoj se nuk është e nuk mund të jetë shqetësimi dhe problemi themelor i shqiptarëve. As konflikti midis erdoganistëve dhe gylenistëve nuk duhet të tërheqë aq shumë vëmendjen e mediave, opinionit dhe politikës shqiptare, e cila ka rastin të dëshmojë e të tregojë se çeshtje të tilla i takojnë vetëm politikës së brendshme të Turqisë dhe nuk mund të bëhen pjesë e politikave dhe qëndrimeve politike të shtetit shqiptar, të shtetit të Kosovës e vendeve të tjera në rajon. Megjithatë ky shqetësim mund të shpërfillet deri në kufirin kur modeli i qeverisjes nuk prek parimet e aleancave strategjike të një vendi e nuk shihet si rrezik për sigurinë dhe paqen në rajon e në vendet tona. Në momentin që preken parimet themelore të aleancave strategjike, atëherë shtetet përrreth kanë për detyrë të analizojnë situatën e re të krijuar dhe të dëshmojnë se për hir “të miqësisë” e “vëllazërisë” me Erdoganin, siç shprehej kryeministri Rama e presidenti Thaçi më 16 korrik, një ditë pas grushtit të shtetit, nuk mund të rrezikohen interesat strategjike të vendit tënd. Unë jam i bindur se partneriteti strategjik dhe miqësia e ngushtë e Ramës me Erdoganin është nxitur edhe nga konflikti i ish-kryeministrit Berisha me presidentin turk, marrëdhëniet e të cilëve në fund të mandatit të Partisë Demokratike ishin shumë të ftohta. Por janë nxitur edhe nga pragmatizmi që ushqejnë modelet autoritare të qeverisjes.
Parteriteti strategjik i Ankarasë me Moskën është një partneritet i pazakonshëm, historikisht i dështuar, sidomos në periudhën e shekullit të fundit të perandorisë osmane, sepse Republika Qemaliste fatmirësisht nuk ka bërë asnjëherë ndonjë përpjekje për lidhje specifike me ish-Bashkimin Sovjetik ose me Rusinë postsovjetike. Për rrjedhojë unë besoj se partneriteti i Erdoganit me Vladimir Putin është më së shumti vullnet i dy presidentëve të përkohshëm të të dy vendeve, sesa i politikave strategjike e gjeopolitike të përhershme. Them i presidentëve “të përkohshëm”, sepse as njëri dhe as tjetri nuk mund të qëndrojnë përjetësisht në krye të shteteve përkatëse. Dhe në kushtet e një qeveisjeje autoritare e arbirtrare me prirje për t’u shndërruar në një diktaturë, pasardhësi i këtyre lloj liderëve gjithnjë do të dëshmojë lojalitet dhe tolerancë qeverisëse, qoftë dhe për nevojën e përfaqësimit ndryshe nga paraardhësi.
Në fakt problem më i madh i Erdogan nuk është Fethullah Gylen, as “grushti i shtetit”, as marrëdhëniet me Perendimin. Çeshtja kryesore për të cilën ai shqetësohet, përveçse për pushtetin e tij, ka të bëjë me lëvizjen kurde për pavarësi. Ai ka akuzuar sërishmi Perendimin e para së gjithash Gjermaninë për “mbështetje ndaj PKK-së”, ose siç thotë vetë “të terroristëve kurdë” kundër autoritetit shtetëror turk. E vërteta është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO te kurdët kanë gjetur një aleat të ngushtë në luftën kundër terrorizmit të ISIS. Për këtë arësye presidenti turk hezitoi një kohë të gjatë të përfshihet ne aksionet ushtarake ajrore të Aleancës së Atlantikut dhe SHBA-ve kundër ISIS. Ndoshta kjo ka qenë një nxitje gjithashtu për bashkëpunimin dhe kantrabandimin e naftës me këtë organizatë terroriste siç edhe ka akuzuar “miku i tij i ngushtë”, Putin. Por me Vladimir Putinin presidenti turk ka një konflikt të hershëm disa vjeçar. Ndërsa Erdogan ka këmbëngulur prej fillimit deri në fund për eleminimin politik të Assad, presidenti rus ka qenë dhe mbetet aleati kryesor i presidentit sirian. Sigurisht që ky është një problem jo serioz në marrëdhëniet midis tyre. Nga ana tjetër të dy llogarisin në strategjinë e presionit sa më të madh ndaj dy faktorëve themelorë për botën e sotme, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkimit Europian.
Duket se me SHBA-të Erdogan mban inatin e mosekstradimit të Fethullah Gylen, por nuk mund të besohet se konflikti i shpallur tashmë është kaq i thjeshtë, apsi që kurdët janë afruar me aleancën amerikane. Në këtë kuptim kemi një përmbysje aleancash: – Ndërsa Erdogan orientohet drejt Moskës, PKK ose kurdët po bëjnë gjithçka të fitojnë besimin e amerikanëve. Problematikat do të duken në marrëdhëniet që do krijohen në Këshillin e NATO-s, ku Turqia mund t’i thellojë kundërshtitë e saj për vendimmarrjet antiruse dhe pro sigurisë, paqes e stabilitetit në zonën Euro-Atlantike. Ndërsa ndaj Bashkimit Europian Erdogan ka në dorë të ushtrojnë më shumë presion sesa kaq. Ai mban çelësin e zgjidhjes së krizës së refugjatëve, si i tillë mund të mos zbatojë marrëveshjen me Brukselin dhe për pasojë miliona refugjatë sirianë, afganë, irakenë e të tjerë të vërshojnë drejt kontinentit europian. Vendet europiane janë shumë sensitive ndaj këtij fenomeni, pasiqë një valë e tillë refugjatësh do të nxiste aktivizimin dhe do të favorizonte ardhjen në pushtet të forcave ekstrmiste të djathta, të cilat janë dhe mbeten aleatë të Rusisë, disa madje financohen nga Moska. Në një rast të tillë do të tronditeshin themelet e Bashkimit Europian si dhe aleanca dhe bashkëpunimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm i Europës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të çonte në dobësimin maksimal e ndoshta asgjësimin e aleancës politiko-ushtarake të NATO-s.
Vladimir Putin ka si pikësynime parësore të politikës së tij goditjet në kokë e në zemër të Bashkimit Europian dhe NATO-s. Por në përpjekje për të ushtruar presion dhe për të përfituar sa më shumë, ndihmës i parë dhe kryesor i Putin do të bëhej vetë presidenti Erdogan, edhe pse për vendin e tij shkatërrimi i Europës së Bashkuar dhe i Aleancës Atlantike do të ishte një katastrofë strategjike e gjeopolitike, pasiqë, pas kësaj Rusia do të kthehej përballë Bosforit, me qëllim që e vetme dhe pa Turqinë, madje duke e shtënë atë nën tutelë e nën sundim pa pushtim, të vinte në zotërim gjithë Mesdheun. Europa dhe SHBA-të mund të duken si vende që nuk e duan ose nuk pajtohen me politikat e Rexhep Taip Erdogan, ndërkaq Rusia duke fituar miqësinë e Erdogan do ta kafshojë fort shtetin turk.
Në kushtet e sotme qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të duhej të konsultoheshin e të harmonizonin qëndrimet e tyre të përbashkëta përballë rrezikut të aleancës së shpallur të dyshes Vladimir Putin – Rexhep Taip Erdogan, duke i bërë të qartë Ankarasë se këto dy vende janë për miqësi dhe partneritet strategjik me Turqinë, por gjithnjë si një vend me ndikim pozitiv në NATO dhe si një aleat i natyrshëm i Perendimit. Nëse vendet tona refuzojnë një aleancë strategjike me Turqinë e sotme të Erdoganit, kjo nuk ndodh se ai po armiqësohet me aleatët tanë strategjikë në Perendim, përkatësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, kjo ndodh se Turqia në vend të aleancës perendimore zgjedh dhe promovon një aleancë tjetër të dëshmuar në shekuj e në ditët tona si të dëmshme për shqiptarët dhe çeshtjen shqiptare.
Nga ky këndvështrim duhen konsideruar si të ngutshme deklarimet e kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Kosoës sa i përket zhvillimit të ngjarjeve të 15 korrikut në Stamboll, Ankara e qytete të tjera, ku u bë një tentativë për grusht-shteti, i inskenuar apo real, kjo besoj se nuk mund të shënohet në rrezen e interesit themelor tonin. Për më tepër qeveritë tona do të duhej të dëshmonin se nuk mund të drejtohen nga politikat e brendshme turke, sa i përket vlerësimit dhe masave ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Erdoganit, të cilët ai i ka shpallur terroristë dhe thotë se këta kërcënojnë edhe Shqipërinë e Kosovën. Shqipëria dhe Kosova janë shtete të pavaruara dhe kanë e duhet të kenë kapacitetet e nevojshme për të provuar akuzat që bën kreu i shtetit turk ndaj kundërshtarëve të tij, pa pasur nevojë për diktat, aq më tepër kur ky lloj diktati vjen si nevojë e promovimit të një aleance me Rusinë perandorake caristo-bolshevike.
Ndërkohë besoj se diskutimet mediatike e në rrjetet sociale për islamin, objektet e kultit islam, ndikimin e Turqisë, ose të asaj çfarë ka ndodhur gjatë sundimit osman në trojet shqiptare janë joproduktive dhe nuk e ndihëmojnë formulimin e një qëndrimi korrekt, të paanshëm dhe bazuar në produktin e sotëm me shtetin turk. Nëse Erdogan do të ndryshojë kursin e nisur pas 15 korrikut dhe do të projektojë një udhëtim të pakthyeshëm euro-atlantik, atëherë Shqipëria, Kosova, shqiptarët do të duhet të bëjne të gjitha përpjekjet për të forcuar lidhjet politike, ushtarake, arsimore, shkencore, ekonomike e kulturore me Turqinë. Diskutimet dhe paranojat historike të para një shekulli nuk ndihëmojnë në këtë drejtim.

Filed Under: Analiza Tagged With: aleati ynë strategjik, Dr. Enver Bytyci, properendimore është, Turqia qemaliste

Aspekte të kufirit Kosovë – Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore

August 9, 2016 by dgreca

Nga Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri/

Kumtesë në panelin e diskutimit: Demarkacioni Kosovë – Mali i Zi: sfidat, komunikimi dhe transparenca 

Organizues: Qendra për Promovimin e Zhvillimit (QPZH), Fridrih Erbert Stiftung (FES), kolegji evropian Juridica

Salla e kolegjit evropian Juridica, Prishtinë, më 24.6.2015, e plotësuar për debatin në Kuvendin e Kosovës, më 3 gusht 2016

 Hyrje/

Kufiri shtetëror me Malin e Zi, si pjesë e indentitetit të shtetit të Kosovës, është çështje e sot­me për shqy­r­tim shumë serioz. Dihet se ka lloje e lloje kufijsh, por tash po veçoj kufirin ndër­shtet­ëtor të vendosur me dhunë, kufirin e vendosur me marrë­ve­shje dhe kufirin e vendosur me ndër­mje­të­sim. Për të dy va­ria­ntet e fundit presim që nga Qeveria në Podgoricë të mbizotërojë arsyeja për vijën e de­ma­r­ka­ci­o­nit Ko­so­vë-Mali i Zi, e kontestueshme nga ana e ekspertëve tanë, sipas matjes së parë, për rreth 12 mijë ha tokë (matja e dytë: mbi 8 mijë) të rre­thi­nës së Pejës, të kra­hi­nave  Rugovë dhe Podgur, por duke pasur parasysh edhe kufirin Kosovë – Mali i Zi të vite­ve 1912-1916-1919-1944-1999.

 Rugova në Luftën e Dytë Botërore

Lidhur me këtë kumtesë timen, Aspekte të kufirit Kosovë-Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore, që ka the­ks të veçantë në mbrojtjen e kufirit të Rugovës me Malin e Zi, paraprakisht bën të shtro­hen tri pyetje: 1.Cili ishte kufiri Kosovë-Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore? 2. Si është mbro­jtur ky kufi në Lu­ftën e Dytë Botërore? 3. Kush e ka mbrojur këtë kufi në Luftën e Dytë Botë­rore? Në pyetjen e parë, ke­mi këtë përgjigje: Kufiri Kosovë-Mali i Zi, në Luftën e Dytë Botërore, në kra­hinën e Rugovës, ishte në pikat Çakorr-Mokna-Glloxhi-Murgash-Smilevicë. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, komandant ushtarak i Rugovës, Pejë, më 14 3.1947). Dy, ky kufi është mbrojur ush­tarakisht në Luftën e Dytë Botërore. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Proces­ver­ba­li i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pe­jë, më 14.3.1947). Tre, këtë kufi në Luftën e Dytë Botërore, në kra­hinën e Ru­go­vës, e kanë mbr­o­­­j­tur gjashtë grupe të armatosura: Grupi i Zhukë Haxhisë, Sta­kaj, Grupi i Rizë Zy­merit, Ko­shu­­tan, Grupi i Salih Ra­m­ës, Bogë, Grupi i Isuf Mehmetit, Shtupeq i Vogël, Grupi i Ha­xhë Mu­sta­fës, Shtupeq i Math, Gr­upi i Sak Faslisë, Koshutan. Grupi i fundit, i dyti nga Koshutani, ishte i formuar pjesërisht edhe me luftëtarë nga katundi Pepaj, që i takonin bajrakut të parë, Bajrakut të Shtupeqit të Vo­gël, me lejën e Zhukë Haxhisë, për shkak se grupi nuk kishte luftëtarë të mjaftueshëm.

Gjashtë grupet ki­­shin një ko­ma­ndë të për­­ba­shkët, mbi gjashtë muaj. Zhukë Ha­xhia ish­te koma­ndant ushtarak, kurse Rizë Zymeri ishte komandant po­litik. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 27.2.1947). Këtë detyrë e kishte marrë Rugova nga Ko­miteti i Pejës, në krye me atdhetarin e madh të Lëvizjes Kombëtare, Bedri Pejani. (Shihni: Azem Azemi, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.47, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 225).  Këto gjashtë grupe mbronin sektorët e kufirit me Malin e Zi. Fo­rca ush­ta­ra­­ke e kë­ty­re gjashtë gru­peve të armatosura përbëhej nga 600 vullnetarë gji­thsej. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali ­i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 14.3.1947). Pjesët e tjera të kufirit, në dy krahë, i kanë mbrojtur njësitë nga Plava e Gucia dhe nga Rrafshi i Du­ka­gji­nit. Kë­to grupe të ar­ma­to­su­ra të Rugovës kanë pa­­sur edhe disa be­teja me forcat e arma­to­sura të Malit të Zi. Madje, kanë luftuar edhe për mbro­­j­tj­en e Pazarit të sul­­muar. Ndonëse pati edhe humbje në këto beteja, të pla­go­sur e të vrarë, e ndër ta ra dëshmor edhe Sak Faslia, Rugova doli fitimtare.

Pas përfundimit të Luftë së Dytë Botë­­rore, Zhu­kë Haxhia u zgjodh kryetar i Rugovës, por shpejt gje­n­dja politike ndryshoi. Push­teti synonte t’i bur­goste pri­j­ësit. Në Shtu­p­eq të Vogël, në lagjen Nilaj, u pushka­tu­an shtatë burra: pesë të vëllazërisë së madhe Lajçi dhe dy mysafirë: Idris Jaha-Nilaj, Ali Mustafa-Nilaj, Halil Shabi-Vaçaj, Metë Zy­m­e­ri-Nilaj, Kacup Zeneli-Broçaj, si dhe Brahim Haxhia nga Shkreli dhe Ali Rexha-Nreshaj nga Bo­gët (Z. U. Neziri, ÇFSH, 9, Tiranë, 2006, f. 145). Zhu­ka me bash­kë­­lu­ftëtarët e vet doli në mal e je­toi në mal deri në shkurt 1947, kur pu­sh­teti e dënoi me vde­kje, pa­si ra në do­rë, kurse Rizë Zymerin e push­katoi bashkë me të birin, Hasan Rizën. Shumë të tjerë u dënuan me dënime të rënda, e disa kanë vdekur në burgjet ju­go­sllave.

Shembuj burrërie në Luftën e Dytë Botërore

Në luftë me Malin e Zi, përveç betejave, që fillonin edhe me dyluftime, si ai dyluftimi i trefishtë i të famshmit Adem Isufi të Rexhajve të Shkrelit në Betejën e Nokshiqit, në dhjetor 1879, kishte edhe burrëri, krahas trimërisë. E burrëri ishte respektimi i ndërsjellë i kodit moral të luftës: se malli i kundërshtarit bën të pla­çk­i­tet, se shtëpia bën t’i  digjet, por jeta dhe nderi i familjes nuk bën t’i preket, andej, si këndej ku­­firit.

Kështu ishte para e pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por vetëm deri më 1912, kur Mali i Zi e theu këtë kod burrërie në Rugovë. Mali i Zi, bashkë me Serbinë, edhe më 1919, më 16 shkurt, e shkeli këtë kod burrërie kur ma­sakroi 432 fëmijë, gra e pleq, e shumë prej tyre i dogji të gjallë në Ha­nin e Isufit në Shtupeq të Math. (Z. U. Neziri, Mërgimi politik në epikën historike të Rugovës, në: Studime për folkorin, I, IAP, Pr., 2006, f. 261-273).

Por, Rugova nuk e theu kodin e burrërisë, se rast të mirë për hakmarrje kishte kur në LDB kaluan duke ikur nëpër Ru­­­govë rreth 30 mijë njerëz, gra e fëmijë, kryesisht malazez, që i solli  pushteti jugosllav dhe i vendosi në tokat e në shtëpitë e shqiptarëve. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë Pejë, më 5.II.1947).  Dhe, Rugova tha: nuk e çbu­rr­nojmë pu­shkën n’ta!  Pra, ajo nuk e theu kodin e burrë­ri­së, sepse nuk i ndali dhe nuk u hak­mor në ata 30 mijë njerëz, gra e fëmijë, kryesisht malazez. Ajo fisnikërisht u hapi rrugë atyre, madje edhe njerëzisht u ofroi ndihmë nënave me fëmijë të ve­gjël, atyre me këmbë të mërdhira, po edhe një lehone, që lindi fëmijën e saj në katundin Dre­laj. Në historinë e dy popujve është dëshmi në për­ma­sa evropiane për shpirtin fisnik e bujar të shqip­ta­rë­ve, për burrërinë e madhe të ty­re.

Ky ishte vendim i parisë së Rugovës, që mos të çburrënohet pushka, kur kapitulloi Jugosllavia e Parë, në prill 1941: Os­m­an Rrustemi, Drelaj, kryetar i Komunës së Rugovës, dhe kryepleqtë: Isuf Mehmeti nga Shupeqi i Vogël, Haxhi Zeka nga Shtupeqi i Madh, Din Zeka nga Rieka e Allagës, Rrustem Veseli nga Pepajt (Pepiq), Rexhep Mustafa nga Malajt, Hysen Syla nga Bogët, Sokol Çela, nga Stakajt, Agan Seku nga Haxhajt, Fasli Zymeri nga Kuqishta, Tahir Abazi nga Drelajt, si dhe Zhukë Haxhia, Stakaj. (Shihni: Azem Azemi, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.47, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 221-222. P.S. Mungojnë: Dugaiva, Shkreli, Koshutani? Disa emra i përmirësova, se janë shkruar me gabime, Z.U.N). Natyrisht, nuk harro­het edhe lejimi i kalimit të të shpër­ngu­lur­ve tanë në Mal të Zi, në vitet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 1998-99, dhe lejimi i ven­­dosjes së tyre atje, në familjet shqiptare, nga Rozhaja e deri në Ulqin.

Rugova pas Luftës së Dytë Botërore

Vija Çakorr-Mokna-Smilevicë, pra, ishte vija e kufirit të Rugovës me Malin e Zi në LBD edhe pas saj. (Dëshmi: Fjala hyrëse e Komisionit të Besëlidhjes së Rugovës: Guri i Vajzit, Qafa e Diellit, Moknat, Livadi i Turkut, më 20.11.1970). Duhet pasur parasysh se kur Mali i Zi e sul­moi Vilajetin e Kosovës në tetor 1912, pikat Çakorr-Mokna-Smilevicë  nuk ishin vija e kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi. Gjenerali Janko Vukotiq i mbretit Nikollë të Malit të Zi duhej më parë për të marrë Be­r­a­nin dhe e pushtoi pas luftës së përgjakshme në gjysmën e tetorit 1912, ku morën pjesë edhe rugovasit në mbrojtjen  e tij. E, para Beranit, Vu­kotiqi duhej pushtuar Mojko­vcin e Bjellopolen, dy qendra kufitare të Vilajetit të Kosovës me Malin e Zi, dhe pas pushtimit të tyre e sulmoi Beranën.

Rugovasit luftuan kundër Vukotiqit, pos në Beranë, edhe në Çakorr, në Mokna e në Shtupeq, deri më 30 tetor 1912, kur ai hyri në Pejë dhe e pushtoni pjesën veriore të Rrafshit të Duka­gji­nit, duke bërë krime të rënda në popullsinë shqip­tare, nga plaçkitjet e vrasjet e deri te ndërrimi i dhunshëm i fesë në Rugovë e Pejë dhe deri në Gjakovë. (Shihni librin e Zef Mark Harapit (1891-1946), shkrimtar nga Shkodra, mësues në Pejë, Ditt e trishti­mit n’Pejë  e nder rrethe: 1912-1913, f. 81, 83, 86, Dukagjini, 2004). Edhe pas Luftës së  Dytë  Botërore, kur Kosova ri­pu­shtohet nga Jugosllavia, rugovasit vepruan politikisht kundër robër­i­së jugosllave, sido­mos në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, me Sylë Mehmetin dhe brezin e tij, dhe më 1968, brezi i Isa Demajt, e më 1981, brezi i Ali Lajçit. Shumë rugovas, gjatë gjysmë shekulli, si në krejt viset shqiptare, janë ndjekur poli­tikisht, janë përjashtuar nga puna dhe janë bur­gosur. Disa kanë vde­kur bur­gjeve e disa i kanë vra­rë në kufi.

Edhe pesë­dh­jetë vjet më vonë, në luftën me Malin e Zi e me Serbinë, në vitet e Ushtrisë Çli-ri­­­­­m­ta­re të Kosovës, 19­97-1999, bri­gada 136 ‘’Ru­go­va’’ e Zonës Operative të Dukagjinit e ka ko­­ns­ideruar linjën Çakorr-Mokna-Smi­­­le­­vicë-Hajlë, vijë e ku­­firit me Malin e Zi, ku ranë dë­sh­­mo­rët e lirisë: Selman B. Lajçi, Besnik M. Lajçi, Ramush M. La­­jçi, Xha­v­it S. Lajçi, Ramë A. La­jçi, Tone Lajçi-Husaj, Sokol Z. Nikçi. Ashtu konsiderohet edhe sot.

Mirë­po, edhe duhet të di­het saktësisht se Mali i Zi ishte në bashkësi sht­e­tërore me Serbinë dhe kjo bashkësi e fun­­dit jug­osllave dyshtetërore e humbi luftën me Ko­sovën në qershor 1999. Pra, Mali i Zi e plaçkiti, e dogj dhe e ma­­sa­k­roi Ru­go­vën edhe më 1999, po edhe Pe­jën e anën veriore të Rra­fshit të Dukagjinit, por do­li hu­mbës bashkë me Serbinë, e fitim­tarit, Kosovës, i takon vija e mbrojtur e kufirit Ça­­korr-Mo­­kna-Smi­levicë-Hajlë, po edhe pjesa tjetër e bjeshkëve deri në Kullë.

Përfundim

Kjo është gjendja e Rugovës me Malin e Zi, pra vija Çakorr-Mokna-Smilevicë, në Luftën e Dytë Botërore, ndonëse as his­to­ri­ki­sht e as etnikisht edhe kjo nuk është e drejtë, sepse edhe ky ishte kufi i dhunshëm i Mali të Zi, së paku i treti me ra­dhë (1912, 1878, 1859 etj.), i vendosur me pushtime në territoret shqiptare në dy shekujt e fundit, natyrisht, me lejen e Ev­ropës dhe me ndi­­h­mën e saj, sidomos në prag të Kongresit të Berlinit e pas tij, në Tivar e Ul­q­in, e pastaj në San­­­­­xhakun të Pazarit, si dhe më 1912, në Plavë e Guci, Beranë e Rozhajë dhe në pje­sën e Ma­lësi­së së Madhe, ku nuk kishte fare popullsi malazeze.

Në këto territore shqiptare të pu­sh­tuara nga Mali i Zi për rreth një shekull u asimilua shumica e popullsisë shqi­p­­tare, pra, ajo është tjetërsuar gju­hë­si­­sht, sidomos në qytete, përveç Ulqinit, në qytetet e tjera tash flet kry­e­si­sht bosh­nja­kisht ose kroatisht. Kjo çështje mbe­­tet e ha­pur, kurse pro­­blemi i vijës Ça­korr-Mo­kna-Smilevicë-Ha­jlë, deri në Kullë të Zhlebit, ku Republika e Kosovës dëm­to­het për rreth 8 mijë he­k­tarë tokë, du­­­­het të mbyllet si pu­­në e tashme e ngutshme ndërmjet qe­ve­ri­ve, ajo e Malit të Zi në Pod­go­ri­cë dhe kjo e jona në Pri­sh­ti­në, e në­se duhet, edhe me ndihmën e ba­­sh­kësisë ndër­kom­­bëtare, si dhe duke e lënë de­rën të hapur për di­s­­­ku­tim edhe për çë­sh­tje të tje­ra shumë me rëndësi dhe për të gjetur zgjidhje për pro­b­le­met e viseve tona të copëtuara e të fa­lura në Berlin (1878) e në Londër (1913), duke pasur pa­ra­sysh stan­da­r­det e fqinjësisë së mirë pa­rimet universale për lirinë e po­pujve.

 Bibliografi

HARAPI Mark, Zef, Ditt e trishti­mit n’Pejë  e nder rrethe: 1912-1913, Dukagjini, Pejë, 2004.

AZEMI, Hysen, LNDSH-ja dhe Sigurimi Shtetëror Serb, vëllimi II, 1945-1957, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Prishtinë, 2014.

AZEMI, Hysen, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.1947, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 221-222.

ARKIVI i Kosovës, Procesverbale të hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë Pejë, më 5.II.1947-27.III.1947.

CULAJ, Lush, Keri i Sadri Bardhit -jeta dhe veprimtaria atdhetare, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinës, Prishtinë, 2007.

KOJÇINI-UKAJ, Sulltane, Roli i Zhukë Haxhisë në qëndresën kombëtare të Rugovës, në: rev. Kosova, nr. 28, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2006.

KOMISIONI i Besëlidhjes së Rugovës, Fjala hyrëse, Drelaj, Rugovë, më 20.11.1970.

NEZIRI Ujkan, Zymer, Mërgimi politik në epikën historike të Rugovës, në: Studime për folkorin, I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2006, f. 261-273.

NEZIRI, Zymer, Veçori etnokulturore dhe epikografike të krahinës së Rugovës, në: Çështje të folklorit shqiptar, 9, Aka­demia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 2006, f. 139-200.

Kontakti: Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, Instituti Albanologjik i Prishtinës,

rruga ”Eqrem Çabej” p.n. Prishtinë,  zneziri@hotmail.com, +377 44 149 256

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: – Mali i Zi në, Aspekte, Luftën e Dytë Botërore, Prof.dr.Zymer Ujkan Neziri, të kufirit Kosovë

Maqedoni: Zonat e përmbytura kanë nevojë për ndihmë

August 9, 2016 by dgreca

Nga Fatos Musliu/ Në zonat e vërshimeve në Maqedoni banorët po përballen me pasojat dhe frikën e përsëritjes së reshjeve të fuqishme. Ata kanë nevojë për ndihma emergjente për riparimin e dëmeve.

Mazedonien Unwetter

Banorwt e Hasanbegut, Stajkovcit, Straçincës dhe vendbanimet e tjera të prekura nga vërshimet e së shtunës (06.08), kaluan edhe nje natë me frikën se tmerri mund të përsëritet. Rreshjet e natës se kaluar ishin me intensitet më të ulët. Gjithsesi ata vazhdojnë të përballen me pasojat e vërshimeve, që shkatërruan shumë shtëpi, biznese, e lanë pas vetura të përmbysura dhe shumë dëme të tjera që janë evidente. Banorët e Hasanbegut ankohen për neglizhencën e institucioneve si dhe apelojnë deri tek organet kompetente, që sa më shpejt të pastrohen rrugët dhe të largohen mbetjet e vëshrimeve, sepse mundë të përhapet ndonjë epidemi.

“Kjo shtëpi nuk është për banim, është shkatërruar gjithçka. Jemi në stres. Ju lutem t’i ndihmoni këta njerëëz. Kokën e mbajmë lart nga qielli, edhe pika e vetme e shiut na streson. Kemi trauma”, shprehet banori i Hasanbegut duke u munduar të pastrojë orenditë e shtëpisë.

Mazedonien Unwetter

Banorët e zonave të përmbytura thonë se kanë nevojë për gjërat elementare për ushqim dhe veshmbathje. Ata ankohen se organet e shtetit janë duke reaguar shumë ngadalë për t’u dalë dhënë ndihmë.“Apeli im është për qeverinë dhe të gjitha institucionet e tjera të na ndihmojnë, që sa më parë ta largojmë ujin nga shtëpitë e përmbytura që të mund të punojmë diçka rreth ripatimit të dëmeve të mëdha.Të gjithë ne këtu kemi nevojë për gjërat elementare, ujë të pijshëm ushqim dhe rroba, sepse kemi dalë vetëm me këto rroba që kemi”, thotë Ejup Bekteshi, banor nga lagja Hasanbeg e Shkupit.

Daut Iseni, tregon për momentet e tmerrshme kur ka humbur të motrën Zemrije Sinanin me nipin Endrit Sinanin, ndërkohë që kishte arritur të shpëtonte mbesën dhe nipin tjetër. “Shiu erdhi me shumë vrull, nuk kisha hapësirë. Motrës i thashë ma jep nipin dhe mbesën, të cilët arrita t’i hedh mbi çatinë e një garazhi. Dhe kur u ktheva të marr nipin tjetër dhe motrën, dëgjova për herë të fundit motrën teksa më tha: vëlla më kap dorën. Nuk munda ta kap, ajo shkoi me ujin dhe unë lart me nipin e mbesën mbi tjegulla kemi pritur tri orë deri sa u largua uji”, rrëfen Dauti.

Mazedonien Unwetter

Vazhdon aksioni humanitar

Në vendbanimet e përmbytura vazhdon aksioni për tërheqjen e ujit nga shtëpitë e përmbytura dhe hapësirat përreth, ku ekipet e specializuara të policisë e ushtrisë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e viktimave eventuale. Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ka arritur në 22 numri i viktimave, ndërkohë që mbi 70 janë të lënduar. Qeveria vendosi që 15 ditët e ardhshme të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vendbanimet që u goditën më rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm, ndërkohë që familjeve të viktimave do t’u ndihmohet me një shumë prej 300 mijë denarë rreth 5 mijë euro. Pritet që të formohet dhe një komision i veçantë, i cili do të dalë në teren për të verifikuar dëmet, që më pas do të kompensohen, ka njoftuar qeveria e Maqedonisë.

Në Hasanbeg të Shkupit është kryer edhe ceremonia e varrimit të viktimave nga përmbytjet.

Në qytetin e Shkupit janë ngritur disa qendra ku mblidhet dhe shpërndahet ndihmë për banorët e goditur nga vërshimet. OJQ-të humanitare kanë dalë në terren dhe po ofrojnë ndihmat e para elementare për banorët e prekur nga përmbytjet. “Kemi dërguar ndihma të ndryshme me ujë të pishëm, batanie, bukë, mjete për dezinfektim dhe pastrim. Padyshim se situata atje është alarmante dhe popullata është mjaft e dëmtuar, duhet ta fillojnë jetën nga zeroja, sepse të gjithë çfarë kanë ndërtuar për dekada, e kanë humbur. Po mundohemi t’ua kthejmë lumturinë”, shprehet Rifat Sherifi nga OH “Kalliri i Mirësisë”.

Mazedonien Unwetter

Sistemi atmosferik favorizon katastrofën natyrore

Katastrofa natyrore me përmasa shkatërruese dhe fatale u favorizua edhe nga sisitemi jo adekuat dhe i bllokuar atmosferik i kanalizmit në qarkun e Stajkovcës, thotë profesori arkitekturës Mirosllav Gërçev. Ai thot, se ai sistem është i kapaciteteve të ulta për të përcjelljë deri në 93 metra kub ujë, siç ndodhi parmbrëmë. Gërçev gjithashtu thotë se ky sistem nuk është mirëmbajtur nga autoritetet e qytetit. “Kur ju keni një sistem, i cili është i bllokuar, i lënë pas dore atëherë përmbytjet nuk mund të anashkalohen.Ky sistem në disa vende është 100% i bllokuar, në disa vende 95, por edhe 80%. Nuk do të gjeni asnjë pjesë të sistemit të kanalizmit, që t’i shkakrojë ujërat me kapacitet mbi 50%”, thotë profesori Gërçev. Gërçev përpos sistemit joadekuat atmosferik, thotë se e keqja u favorizua edhe nga pyjet e zhveshura në këtë zonë. “Sa më pak pyje që keni aq më i madh është vërshimi, pasi pyjet mbajnë jo vetëm tokën por edhe ujin. Kështu kur bie shi në tokë të zhveshur, atëherë uji depërton thellësitë, fuqizohet gjatë rënies dhe bën dëme dhe merr jetë njerëzish dhe shkatëron vendbanime”.

Gjatë ndërtimit të qarkut të Shkupit profesorë të fakultetit të ndërtimtimit kanë kërkuar që ujrat atmosferike të mos derdhen mbi ose nën qarkun e Shkupit, por të krijohet sistem që do t’i dërdhte ato në lumin Vardar. Kjo ide, gjithnjë sipas profesor Gërçev, nga kompetentët e qytetit të Shkupit është pranuar në heshtje.

Filed Under: Analiza Tagged With: Maqedonia, ndihme, zonat e eprmbytura

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT