• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

Serbizimit i besimtarëve mysliman përmes sistemit shkollor

August 9, 2016 by dgreca

Si erdhi deri te hapja e shkollës serbe, në të cilën emri “Medrese” në mënyrë më djallëzore përdoret për mashtrimin e popujve joserbë, mbi të gjitha shqiptarëve jashtë Kosovës së sotme?/

Nga Ismet Azizi/

Kur në vitin 1912, Serbia e okupoi Kosovën dhe Sanxhakun, autoritetet e atëhershme serbe morën qëndrim se shkollimi i popujve tjerë (joserbë) është në kundërshtim me interesat e politikës shtetërore serbe. Derisa ne aspektin politik dhe edukativ te jene në nivelin që ishin, lehtë mund të manipulohet me ta.Tendenca serbe që popujt e shtypur të mbahen sa më gjatë në nivel të ulët të arsimit, është aplikuar ndaj shqiptarëve si model i “suksesshëm”. Ky model është zbatuar për popullatën e Sanxhakut (boshnjakët e sotshëm).

Rreth vitit 1920, struktura qeverisëse serbe erdhi në përfundim se një politikë e tillë nuk e siguron stabilitetin e regjimit shtetëror, por i thellon konfliktet në mes të shqiptarëve, sanxhaklinjëve (boshnjakëve të sotëm) dhe turqve të nënshtruar në njërën anë, dhe serbëve në pushtet. Pastaj, sundimtarët serbë kuptojnë se një situatë e tillë bie në kundërshtim me mendimin kombëtar serb i cili ishte i bazuar në faktin se serbizimi i boshnjakëve, sidomos i sanxhaklinjëve, më shpejtë arrihet nëpërmjet shkollimit.

Gjeografi dhe etnografi serb, Jovan Cvijiq, ka publikuar studime dhe libra të shumtë për të shpjeguar se si duhet ‘t’i konvertojmë të tjerët në serbë. Jefto Dedijer, pasuesi i Cvijiqit (babai i biografit të Titos, Vladimiririt dhe Stevanit), më pas botoi librin “Serbia e re” ku flitet për shqiptarët, boshnjakët, turqit etj. Autori thotë: “Ne këta do t’i shndërrojmë në serbë, por jo me ‘qytek’, por nëpërmjet shkollimit dhe me mjete të tjera”.

Qeveria e Mbretërisë Jugosllave, Shkupin e kishte shpallur qendër të “trevave jugore serbe” ose në “Banovinës së Vardarit” në kuptimin administrativ. Prandaj, këtu ishin vendosur një numër i madh i institucioneve civile e ushtarake jugosllave, siç ishin: udhëheqja e Banovinës në krye me Banin, Qendra për Realizimin e Reformës Agrare, ministritë rajonale, si ajo e Arsimit, e Fesë, e Drejtësisë, Policisë, Bujqësisë, si dhe Komanda e Tretë e Armatës.

Në këtë kohë, në regjimin serb mbizotëronte pikëpamja se ka nevojë për të gjetur forma të reja për t’i përfituar folësit sllavë, në mënyrë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkolla, në të cilat, besimtarët myslimanë të Sanxhakut dhe ata të Kosovës, nuk kishin besim. Për këtë arsye, me propozimin e Ministrisë serbe të Fesë, me dekretin mbretëror të 24 prillit të viti 1924, formohet Shkolla e Mesme Speciale e cila iu dedikohej boshnjakëve, shqiptarëve dhe turqve. Në mënyrë që shkolla të pranohet më mirë, ishte emëruar “Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandër I”, e cila hapet në Shkup në vitin 1925.

Bashkësia Fetare Islame në Mbretërinë e SKS (Serbe-Kroate-Sllovene), përkatësisht Ulema Mexhlisi i Shkupit, i cili përfshinte tërë viset shqiptare në Jugosllavi, pati një rol të rëndësishëm në organizimin e popullsisë myslimane. Nisur nga ky fakt, pushteti i atëhershëm jugosllav te kjo organizatë shihte një “alet” (vegël) të fuqishme për realizimin e planeve të veta të errëta, siç ishin: asimilimi i popullsisë myslimane, veçanërisht të asaj shqiptare e turke; dëbimi i dhunshëm i kësaj popullsie për në Turqi dhe kolonizimi i këtyre viseve me kolonist sllavë.

Për këtë qëllim, zyrtarët e Beogradit, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ndërhynë brutalisht në organizimin e brendshëm të Bashkësisë Fetare Islame, duke emëruar emisarë të tyre nëpër të gjitha organet drejtuese të saja. Këta emisarë, të cilët vinin nga Bosnja e Hercegovina, siç ishin Hasan Rebac, Ahmed Mehmedbashiq, Fejzi Haxhiamziq, Sheçerkadiq e shumë të tjerë, në përpikëri do t’i zbatojnë detyrat e pranuara nga padronët e tyre të Beogradit.

Përveç kësaj, me qëllim të realizimit të planeve të parapara, Qeveria mbretërore e atëhershme e SKS-së, në vitin 1925, në Shkup, hapi një shkollë të mesme gjoja për krijimin e “kuadrit fetar” për popullsinë myslimane, për viset – siç thuhej – “jugore jugosllave”. Në këtë shkollë, që e mori emrin “Medreseja e Madhe e Kral Aleksandrit të I-rë”, përveç drejtorit (Mehmedbashiq, një mysliman nga Bosnja e Hercegovina, i deklaruar si serb), nuk pati asnjë të punësuar që i takonte besimit Islam. Përkundrazi, të gjithë ishin të krishterë, serb ose rus, përfshirë këtu edhe mësimdhënësit e lëndëve fetare si dhe edukatorët.

Ideologët e atëhershëm serbë kanë qenë shumë të vetëdijshëm për atë se çka do të thotë për besimtarët myslimanë emërtimi “Medrese”. Kjo ishte arsyeja edhe pse bëhej fjalë për gjimnazin serb, përdorimi i emërtimit “Medrese”, që në këtë mënyrë t’i tërheqë sanxhaklinjtë dhe myslimanët tjerë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre. Që mashtrimi të jetë edhe më perfid, në “Medresenë” serbe, përveç lëndëve të gjimnazit, ishte shtuar edhe mësimi i Kuranit, njëra nga gjuhët orientale, por sipas kurrikulës shkollore të përgatitur nga Beogradi zyrtar.

Çerdhja kryesore e serbomëdhenjve, ishte Medreseja e Madhe, e cila u themelua në shtator të vitit 1925, me propozim të Ministrisë për Fe të Qeverisë së atëhershme të mbretërisë së SKS-së, dhe me dekretin e Mbretit Aleksandri i I-rë, të datës 24 prill 1924, e cila e mori emrin: “Medreseja e Madhe Kral Aleksandri i I-rë”.

Qëllimi primar i kësaj shkolle ishte asimilimi i popullsisë shqiptare dhe asaj të Sanxhakut. Këtë mund ta shohim në raportin vjetor për punën e kësaj shkolle, dërguar me 14 korrik 1930, Ministrisë së Arsimit. Dragosllav Jovanoviq, këshilltar i ministrit, përndryshe profesor universitar, qartë shprehet: “Përveç drejtorit Mehmedbashiq, nuk ka asnjë arsimtar ose edukator i besimit islam, por të gjithë janë ortodoksë të vërtetë, serbë ose rusë”.

Në vazhdim, ai në raport ndalet në shkaqet e themelimit të shkollës ku shprehimisht thotë: “Që t’ju dilet në ndihmë, elementeve myslimane të shkojnë në rrugën e vërtetë të arsimimit dhe progresit, të bëhet përtëritja e kuadrit teologjik, të edukuar nëpër shkollat në frymën e kulturës sonë”. Mandej shton “sigurimin e kuadrove për nevojat tona shtetërore dhe aspiratave e idealeve tona nacionale. Të eliminohet propaganda e huaj në mesin e shqiptarëve dhe turqve, që të përshpejtohet procesi i asimilimit. Si zgjidhje më e përshtatshme e çështjes sonë u pa hapja e shkollës Medreseja e Madhe…” , përfundon Jovanoviq.

Vijuesit e kësaj shkolle kishin strehimin dhe ushqimin në konviktin shkollor pa pagesë. Pa pagesë dhe të detyrueshme ishin edhe uniformat e shkollore. Përveç lëndëve tjera mësimore të gjimnazit, nxënësit e kësaj “Medreseje” janë marrë edhe me muzikë dhe kanë pasur dy kore dhe tri orkestra, seksionin e dramës, seksionin sportiv dhe letrar.

Çfarë kanë përfaqësuar shoqëritë e Sokolave Serbë, më së miri e shpjegon ky citat: “Sokolat Serbë paraqesin një lëvizje kombëtare e cila me ushtrimet fizike mbulon qëllimin e saj, d.m.th. bashkimi i të gjitha tokave serbe në një tërësi…”!

Rregullat e shoqatës së Sokolave ishin se të gjithë anëtarët e shoqatës, pavarësisht se nga janë, në mes vete duhet të quheshin “vëlla”, ndërsa përshëndetje e vetme ishte “zdravo”. Pra, boshnjakët, shqiptarët e turqit, si anëtarë të shoqatës së “Medresesë”, Sokol, ishin të detyruar t’i quanin “vëllezër” edhe ata “jeta e të cilëve ishte në duart e tyre”. Në të njëjtën kohë, në vitin 1924, këta “vëllezër” i kanë vra, mandej djegë në hell rreth 6000-7000 banorë të Shahoviqit

Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandar Karagjorgjeviq I, në Shkup, ka pasur detyrë themelore: t’i ngufasin sistematikisht ndjenjat kombëtare dhe fetare të studentëve dhe të formojnë njerëz të cilët do të i shërbejnë me besnikëri regjimit serb. Dëshmia më e mirë për këtë është fakti se pothuajse të gjithë nxënësit e “medreseve” mbretërore, kanë vazhduar “edukimin” e tyre në disa fakultete serbe dhe pothuajse asnjë prej tyre kurrë nuk u bë imam. Asnjëri prej tyre kurrë nuk ka bërë punë për komunitetin mysliman. Si medresantë të diplomuar, kur janë kthyen në vendet e tyre, këta myslimanë të serbizuar kanë themeluar shoqata të ndryshme e assesi institucione islame.

Nuk është rastësi që në këtë “medrese” serbe në Shkup, shumica e vijuesve ishin nga Sanxhaku në krahasim nga viset tjera. Mësimi zhvillohej në gjuhën serbe, dhe ishte e përshtatshme për popullsinë e Sanxhakut , popullsi e cila e kishte në përdorim gjuhën serbe!

Për shkak të qëndrimit jo të denjë të boshnjakëve ndaj sllavizmit (serbizimit) të dukshëm të cilin regjimi ua imponoi, në mesin e popullit shqiptar dhe turk në Kosovë në mënyrë të hapur flitej se “boshnjakët po na serbizojnë fëmijët”. Kjo është theksuar veçanërisht në takimet “Xhemijetit”, partisë politike që u mblodhën të gjithë myslimanët nga zona e Sanxhakut dhe Kosovës. Prandaj, Aqif Effendi Blyta dhe Ferhat-bej Draga morën iniciativën për krijimin e një Medrese të mirëfilltë në Shkup. Kjo edhe u arrit në vitin 1925, si e vetmja mënyrë për të kundërshtuar regjimin në serbizimin e besimtarëve myslimanë. Medreseja e Isa Beut, me iniciativën e prijësve fetarë dhe intelektualëve të atëhershëm, më 1932 u rindërtua, kështu që në vitin 1936 u krijuan kushte për të filluar me punë të rregullt. Njëkohësisht u reformua edhe programi i saj dhe ajo fitoi statusin e shkollës së mesme.

Ndër aktivitetet e shumta që zhvilluan organizatat fetare dhe kuadrot e dala nga Medreseja, gjatë periudhës kohore 1937-1941, duhet veçuar fushatat e bujshme kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Qarqet e atëhershme, policore e ushtarake jugosllave, me të madhe e akuzonin udhëheqjen e Ulema Mexhlisit të Shkupit, për aktivitetin e saj politik e organizativ brenda popullsisë shqiptare, që sipas tyre binte ndesh me “politikën shtetërore” dhe se në mënyrë të dukshme po i acaronte marrëdhëniet fetare e nacionale në ato vise. Sipas tyre, bartës i këtyre aktiviteteve ishte Ferhat bej Draga, i cili siç vihej në dukje “me ndihmën e Mehmed Spahos ka arritur ta shqiptarizojë Bashkësinë Fetare Islame në Shkup dhe se “tash më ai është shpall lider i pakontestueshëm i shqiptarëve në Jugosllavi”.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ismet Azizi, përmes, Serbizimit i besimtarëve mysliman, sistemit shkollor

Diaspora për Shqipërinë- NJË FORCË POLITIKE E DIASPORËS – DOMOSDOSHMËRI E KOHËS

August 9, 2016 by dgreca

NGA NDUE LAZRI/ President i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI)/

NGA ETMOND GURI/ President i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi (FSHSHG)/

Në një kohë kur në Shqipëri ekzistojnë 83 parti politike, nuk është e lehtë që t’ u flasësh shqiptarëve për nevojën e krijimit të një force të re politike, se me siguri reagimi i tyre i parë do jetë minimumi shtrembërimi i turinjve i shoqëruar me ndonjë sharje popullore nga ato me ngjyrime pikante. Dhe kjo, sepse partitë ekzistuese në Shqipëri, për 26 vjet që nga përmbysja e regjimit të egër komunist, me politikën e tyre të mbrapshtë e kanë zhgënjyer aspiratën e popullit për një demokraci të vërtetë, për një mirëqenie larg katandisjes në varfëri ekstreme në të kaluarën, për një integrim real të Shqipërisë në familjen europiane. Në 26 vjet në Shqipëri ka sunduar e sundon një klasë politike pa vizione europiane,  pa një program të qartë ekonomik për zhvillimin e vendit. Partitë apo koalicionet që janë ndërruar në pushtet gjatë këtyre viteve kanë menduar vetëm për pasurimin e paskrupullt të kastës së re shqiptare, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet që nga korrupsioni i hapur e deri tek krimi, duke e polarizuar shoqërinë shqiptare në klasën e hajdutëve miliarderë dhe në shumicën e varfër, së cilës i mungon edhe buka e gojës. Kjo kastë e pangopur, e pashpirt dhe kriminale, në vend që ta çojë Shqipërinë drejt Europës, ndjek një politikë orientale, duke u bërë servile e sulltanit të ri të Turqisë, Erdoganit.

Pas 26 vjet të vendosjes së të ashtuquajturës demokraci, u nevojitën presioni dhe ndërhyrja energjike e SHBA dhe Europës që parlamenti shqiptar të votojë reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin e parlamentit e të politikës nga elementët e korruptuar e kriminelë. Imagjinoni se për çfarë demokracie bëhet fjalë në vendin tonë. Një demokraci ku luhet hapur me votën e popullit, ku manipulohen rezultatet e zgjedhjeve, ku vidhet vota e emigrantëve, ku blihen votat e qytetarëve për një copë bukë, duke shfytëzuar kushtet e mizerjes në të cilën e kanë katandisur popullin, ku me qëllim nuk vihet sistemi elektronik i numërimit të votave për t’i lënë vend spekullimit e manipulimeve. Ka vite që flitet për miratimin e të drejtës së votës së emigrantëve në vendet ku jetojnë e punojnë, partitë premtojnë, qeveria bën vizita-maskaradë tek emigrantët me premtime boshe, por ato nuk do ta miratojnë kurrë këtë ligj,sepse do të thotë të firmosin fundin e tyre. Emigrantët nuk shiten për një copë bukë, sepse janë ata që me të ardhurat e tyre dërguar apo shpenzuar në Shqipëri garantojnë një pjesë të mirë të buxhetit shqiptar. Ndaj politikanët e sotëm shqiptarë i tremben kësaj force të madhe që janë emigrantët në Itali, Greqi, Gjermani, Austri, Francë, vendet nordike e përtej oqeanit nga Amerika deri në Australi. Bashkimi i kësaj force mund të shkaktojë tërmet politik në Shqipëri. Tashmë qytetarët shqiptarë e kanë humbur shpresën dhe besimin tek partitë politike në Shqipëri dhe i kanë sytë tek Europa, tek Amerika dhe tek diaspora. Kjo diasporë sot më shumë se kurrë duhet të jetë dhe të paraqitet e bashkuar për të marrë në dorë fatet e vendit dhe të kombit. E për ta bërë këtë ajo duhet të ketë një forcë të saj politike.

Kjo frymë bashkimi ka filluar si një imperativ urgjent i kohës. Deri edhe arbëreshët po bashkohen në vetvete. Këto ditë 11 kryetarë bashkish të zonave ku ka arbëreshë janë bashkuar për të krijuar Arbërinë e Madhe në territoret ku ata jetojnë e punojnë, duke e parë këtë bashkim si një forcë e  mundësi për një prosperitet më të madh ekonomik e kulturor brenda shtetit italian.

Shembull të mirë bashkimi e bashkëpunimi po japin dy federata mjaft aktive të emigrantëve në Itali e Greqi, Federata FNAI dhe ajo FSHSHG. Aktivitetet e organizuara bashkërisht midis tyre janë një hap i mirë e premtues dhe tregojnë se shqiptarët në emigracion dinë dhe mund të bashkohen e jo të mbeten të përçarë siç i ka njohur përherë historia.

Në Itali e Greqi është pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, mbi 1 milion e 300 mijë. Ndaj këto Federata mund të bëhen promotore të krijimit të një force të tillë politike, pa e humbur rolin e tyre për të cilin janë krijuar si organizime me karakter shoqëror e kulturor. Më vonë do të jetë ajo forcë politike që nga brenda parlamentit shqiptar do luftojë për mbrojtjen me ligj dhe realizimin e objektivave të këtyre federatave mbi të drejtat e emigrantëve.

Në diasporë ka plot elementë të përgatitur për një gjë të tillë, intelektualë e veprimtarë shoqërorë të kualifikuar, të pakorruptueshëm, patriotë të vërtetë. Ka sipërmarrës të fuqishëm ekonomikisht që mund të bëhen mbështetje ekonomike e një lëvizjeje të tillë, që nesër ajo forcë nga brenda parlamentit të garantojë e mbrojë me ligj edhe investimet e tyre në Shqipëri. Ka të rinj e të reja shumë të përgatitur, që kanë mbaruar universitete e mbrojtur mastera e tituj shkencorë në specialitete të ndryshme në universitetet më të mira të Europës dhe të botës e kanë dalë me rezultate të shkëlqyera duke treguar kualitetin e lartë të rinisë shqiptare. Sot pjesa më e madhe e trurit të kualifikuar shqiptar ndodhet jashtë atdheut. Këta të rinj e të reja dhe intelektualët e vërtetë duhet të jenë baza e shëndoshë formuese, por edhe drejtuese e kësaj force të re politike, duke e bërë atë një forcë moderne, me vizion europian të një demokracie të vërtetë  të parametrave më të përparuar. Kësisoj kjo forcë do të dijë t’ i flasë elektoratit dhe popullit të vet me një gjuhë të kulturuar e intelektuale,  me gjuhë institucionesh europiane e jo me gjuhë rrugaçësh siç flitet sot në parlamentin shqiptar, duke përdorur si mjet kryesor forcën e argumentit e të mendimit largpamës e jo ulërimat, çjerrjet nëpër rrugë, thyerjet e xhamave apo veprime të tjera destruktive deri tek vrasjet e njerëzve në një protestë të lirë e paqësore. Populli shqiptar është mërzitur dhe neveritur nga skena të tilla primitive e kërkon një forcë që të ndryshojë katërcipërisht klimën politike në vend, duke larguar nga parlamenti, politika e institucionet shtetërore e administrative të të gjitha niveleve dallkaukët, të korruptuarit, kriminelët, militantët injorantë që dinë vetëm të bërtasin e të mos zgjidhin asnjë punë.

Kjo forcë politike duhet të ketë në programin e vet objektiva të qarta, të lexueshme e të kuptueshme nga populli, të realizueshme me transparencë dhe të kontrollueshme nga elektorati. Ajo duhet t’ i japë fund praktikës së të kthyerit të politikës në profesion të atyre që kanë dështuar në profesionet e tyre dhe kanë hyrë në politikë për përfitime personale e familjare, duke mos i lëshuar kolltuqet për 26 vjet me radhë. Ata janë shndërruar në diktatorë të rinj dhe nuk janë asgjë më shumë se imitatorë e pasardhës të pushtetit diktatorial që sundoi në Shqipëri për 50 vjet.

Kjo forcë politike duhet të ketë në programin e saj hartimin e ligjeve të tilla që çojnë në zhvillime të rëndësishme e të vërteta demokratike , si zgjedhja e deputetëve dhe e Presidentit të Republikës nga populli, të zgjedhurit , që nga Presidenti, deputetët dhe administratorët e të gjitha niveleve të mos kenë më shumë se dy mandate, deputetëve që ndërrojne parti t’u hiqet menjëherë mandati, të dëbohen nga parlamenti e në vend të tyre të zgjidhet dikush tjetër. Vitet e punës në parlament të njihen si vite të zakonshme për vjetërsinë në punë, me kontribute të paguara nga vetë parlamentarët dhe pa përfitime të tjera ekonomike pas largimit nga parlamenti, të ardhurat e burimet e fitimeve mujore nga pagesat apo aktivitetet private të politikanëve të publikohen gjithnjë online dhe të jenë të lexueshme edhe nga qytetarët më të thjeshtë. Kjo forcë politike duhet të këmbëngulë për krijimin e Ministrisë së Diasporës, duke eliminuar përfundimisht talljen e deritanishme të shtetit me emigrantët me një drejtori diaspore që nuk ka luajtur asnjë rol , si dhe të verë në efiçencë të plotë ambasadat e konsullatat që ato të jenë në çdo kohë pranë kërkesave e nevojave të emigrantëve e të pastrohen nga elementët e paaftë, të emëruar me nepotizëm apo për militantizëm.

Një nga shtyllat themelore të demokracisë është ndarja reale dhe e bazuar në ligje e pushteteve, duke siguruar pavarësinë nga njëri-tjetri, për ta bërë shtetin sa më të thjeshtë, aktiv e veprues në dobi të shtetasve të vet. Për realitetin shqiptar është plagë e rëndë dhe e turpshme gjendja e pushtetit gjyqësor, të uzurpuar nga njerëz të emëruar nga politika e servilë të politikës, nga gjyqtarë të dalë nga kurset 6-mujore, ku ligjin e bën paraja dhe jo drejtësia e kulluar etj

Kjo forcë politike duhet të sjellë këndvështrime e horizonte të reja edhe në aspektin ekonomik, duke bërë projekte investimesh në infrastrukturë e sidomos në zhvillimin e turizmit detar e malor, çka do ta bënte Shqipërinë një vend me bukuri akoma më të mëdha e me një begati ekonomike për popullin e të gjitha zonave, bregdetare e malore.

Janë të gjitha pika të prekshme që interesojnë jo vetëm emigrantët, por edhe realitetin e sotëm shqiptar.

Një forcë e tillë politike, alternative e të gjitha partive  ekzistente në Shqipëri, do sillte frymë të re demokratike europiane, ndryshim të spektrit politik në vend, zgjim të shpresës së elektoratit e të popullit për përmbysjen e politikës së korrupsionit e të krimit dhe sjelljen e epokës së ndërtimit të një Shqipërie të re, të denjë për të hyrë si e barabartë në familjen europiane.

Koha nuk pret. Është momenti të zgjohemi të gjithë për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.

 

 

 

 

Filed Under: Mergata Tagged With: – DOMOSDOSHMËRI E KOHËS, e diasporës, Etmond Guri, Ndue Lazri, NJË FORCË POLITIKE

Majlinda Kelmendi na kujton se shiten politikanët, por jo shqiptarët.

August 9, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Në memorandumin famëkeq të shpërnguljes dhe ekzekutimit të shqiptarëve, hartuar nga akademiku serb, Vasa Çubrilloviç në vitin 1936, thuhet se në Tiranë dhe te politikanët shqiptarë mund ta blejmë heshtjen me flori.
Majlinda Kelmendit i kanë ofruar miliona që të përfaqësojë një shtet tjetër në lojërat olipmike. Por ajo nuk ka pranuar, duke i dhënë Kosovës një emër të jashtëzakonshëm, emër të cilin nuk kanë mundur t’ia japin politikanët në Prishtinë gjatë më shumë se tetë viteve pavarësi. Ajo nuk pranoi as flori, as euro, as dollarë amerikanë, por përfaqësoi me dinjitet dhe vullnet të pastër patriotizmi vendin e saj, Kosovën, duke i dhënë asaj një emër të ndritur në botën e civilizuar. Madje ajo me shumë delikatesë solli në vëmendje tragjedinë e luftës së fundit në Kosovë dhe masakrave serbe kundër shqiptarëve.
Ndërkohë shoh se politika ka filluar të mburret me medaljen e artë që Majlinda Kelmendi fitoi në Rio. Politikanët shqiptarë sot nuk mund të mburren me rezultatin e saj. Shqiptarët janë e do të jenë krenarë me këtë simbol të fitores së Kosovës. Por politikanëve u shkon në këto momente vetëm heshtja e meditimi. Ata duhet të reflektojnë për atë se sa i kanë qëndruar tundimit të parave e dhuratave të armiqve të Kosovës, me qëllim shkatërrimin e të ardhmes së saj.
Majlinda Kelmendi edhe në këtë pikëpamje do të duhet të bëhet model i moralit, sjelljes dhe përkushtimit për lirinë, shtetësinë, sovranitetin, integritetin dhe ardhmërinë e Kosovës. Para së gjithash për politikanët në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup, në Podgoricë e në Luginën e Preshevës. Ajo çfarë rekomandonte Çubrilloviçi para 80 vitesh duhet të marrë fund tashmë, e të shihet si një turp për elitën politike shqiptare të çdo kohe, sigurisht për atë pjesë të joshur nga pasuria, korrupsioni, bashkëpunimi me krimin e kriminelët, pra, nga paratë e pista, të cilat janë dhe mbeten pengesa kryesore e zhvillimit dhe prosperitetit tonë kombëtar.

Filed Under: Komente Tagged With: Enver Bytyci, Majlinda Kelmendi, model, politikanet shiten

KADARE: Serbia financon radikalizmin islam

August 8, 2016 by dgreca

Serbia, edhe financon radikalizmin islam, edhe i ankohet fuqive perëndimore/

„Shqipëria ndonjëherë shkakton frikë irracionale, tremben prej saj,- thonë se mund të ketë edhe pesë Shqipëri. Pra sado Shqipëri të ketë, sot kemi dy Shqipëri në Ballkan, dhe duhet të jemi të lumtur. Sidoqoftë shqiptarët sot kanë status të fuqishëm, janë bërë faktor i fuqishëm në Ballkan, gjë që nuk është e tepërt për ta. Për fatin tonë të keq faktori shqiptar në Ballkan ka qenë i tkurrur dhe,- vazhdoj ta përsëris, për fat të keq nuk e ka zënë atë vend real që duhet të kishte„-  I.Kadare

Me gjak e me lot tragjedie u themelua trualli i shqiptarëve. Frika irracionale që shkaktonte kombi shqiptar te të tjerët, në Ballkan gjoja, në fakt, ka qenë gogol propagande. Por tani, kemi frikë se mos e humbim vetë me dorën tonë shqiptarinë, lirinë tonë. Kemi frikë se mos nga gogol propagande shëndërrohemi në gogol-xhihadësh. Perandorët e rinj osmanë, Erdogan-sulltanët me dhëmbët zgërdhirë,  po këndojnë këngën „Ty shqiptar të kam gaz“. Europa perëndimore mezi ja hoqi nga thonjtë (për)dhunuesët shqiptarëve, për ti kuruar trutë atyre në familjen e shtëpisë së saj europiane. Mirëpo, trauma pesëshekullore e pushtimit osman  paskish qenë e rëndë, fryma otomane paskish lënë probleme të ndërlikuara.

Frerët e nënshtrimit, që pushtimi osman ia kishte hedhur me aq mundim shqiptarëve, po bën që, edhe pse ato frerë janë hequr, po shihet që të dhunuarit ti shkojnë prapë nga pas (për)dhunuesit të tyre. Tempujt, historia e ndritur e kombit shqiptar, po bështyhen nga disa çeta fringo dumbabistash mu para syve tanë. Vuajtjet, persekutimin dhe tragjedinë  e popullit shqiptar në shekuj, të gjitha këto dhimbje duan t’na i kurojnë ca hoxhallarë tinzarë e qesharakë në emër të allahut.

E padurueshme është qetësia që shfaqin politikanët shqiptarë të të dyja vëndeve, Kosovë e Shqipëri. Antieuropianët latent kanë marë formën më të frikshme që ekziston ndonjëherë në mentalitetin shqiptar. 

Fryma osmane, po krijon themele të reja në Shqipëri, Kosovë , te shqiptarët e Maqedonisë ka kohë që ka zënë vend. Tashmë nuk është film po të  përmendet hapur këtu se:  feja islamike është përqafuar nga më shumë se gjysma e shqiptarëve, se ka pashallarë të rinj vendës të lidhur me një mijë fije me erdogan-sulltanët e Anadollit, ka një shtresë njerëzish të nëndheshëm (të rrezikshëm) me prirje proislamike, ka shoqata të reja  „ Dum Babën“(dalin hapur nëpër mediat shqiptare) të cilat janë gati të përmbysin gjendjen deri në rrebelim pro turk etj.,etj, Alarm!

E sigurtë, që këta paguhen nga Serbia dhe Turqia! Shqiptarët e lirë kanë filluar të mos  besojnë më në vlerat e civilizimit europian. A ngjan kjo sikur shqiptarët nuk dinë të jetojnë të lirë? Po., ngjan  dhe si kundërvënie kësaj fatkeqsie  kërkohet sot më shumë se kurrë të saldohet një herë e mirë uniteti kombëtar. Largë hoxhallarëve radikalë e të pa atdhe! Gjergj Kastriotit Skënderbeu ti shumëfishohen statujat, të ngrihen përmendore të reja dhe, mundësisht numri të shkojë aq sa numri i xhamive.

Kush nuk beson se Serbia, nga njëra anë paguan radikalizimin islam, nga ana tjetër ankohet fuqive perëndimore duke i paditur ata: «Ja për çfarë na bombardove 1999-ën, për xhamitë e shqiptarëve!»

Kadare .. liri.png

Në këtë mozaik gjeopolitik të botës, shqiptarët si komb duhet të bëjnë llogaritë përfundimtare me Europën. Larg.. larg islamit radikal-isiso-terrorist! Vetëm në qoftë se shqiptarët janë lodhur me kombin e tyre atëherë „Na ka zonë vorri me besë të dhanë„

Kombet e Europës së Bashkuar e kanë akoma të shenjtë konceptin e kombit dhe ne do ta mbajmë këtë si ata.Së paku ne shqiptarët nuk do të marim të parët flamurin për ta shkatërruar kombin tonë. Kur ta prishin gjermanët, francezët, anglezët…etj kombin e tyre, atëherë po e shohim edhe ne këtë punë. Pra nuk do bëhemi flamurtarë ne të vegjlit ta prishim kombin të parët.-© Ismail Kadare.

Taksën për liri shqiptarët e paguan me çmim shumë të madh. Çdo shqiptar i vërtetë anembanë globit ka dhënë kontribut për këtë liri të munguar . Çdo shqiptar i vërtet duhet të jetë në gjëndje ta mbrojë  po me çmim të madh lirinë nga krimet që duan të bëjnë të tjerët në emër të saj.

Filed Under: ESSE Tagged With: KADARE: Serbia financon, radikalizmin islam

NJOFTIM

August 8, 2016 by dgreca

Dr. Skënder Murtezani pret ngushëllime për Babanë që ndërroi jetë në Tetovë, të Shtunën me 13 Gusht 2016, nga ora 5.00 pasdite deri në orën 7 e 30 PM./

Njoftohet komuniteti shqiptar, miqtë,kolegët, vatranët, se të Shtunën me 13 Gusht 2016, në ‘Red and Black Cafe’, nga ora 5.00 pasdite deri në 7 e 30 pasdite, pret ngushëllime për babanë e ndjerë Sulejman Murtezani-Gega. I ndjeri ndërroi jetë në vendlindje, Tetovë dhe me 30 korrik 2016, u përcoll për në banesën e fundit me ceremoni kombetare dhe fetare.I ndjeri Sulejman Murtezani-GEGA ishte vëllai  i patriotit të njohur tetovar Mehmet GEGA. Sulejman GEGA rridhte nga një familje e njohur kombëtare tetovare të cilët gjithnjë janë përndjekur dhe burgosur nga pushteti serb dhe sllavo-maqedonas për shqiptarizmin e tyre.

Në varrimin e të ndjerit morën pjesë me qindra shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset kombëtare, Kosova, Shqipëria dhe Çamëria duke i dhënë lamtumirën e fundit këtij atdhetari të devotshëm.

Familja njofton ata që duan të respektojnë të ndjerin Sulejman Murtezani-GEGA,  mund të dërgojnë donacion për studimin e kancerit te adresa:

https://secure2.convio.net/aicr/site/Donation2?df_id=10920&10920.donation=form1&tribute=

Familja Murtezani do të informohet për dhuruesit.

Adresa ku Familja Murtezani pret ngushëllime është :

Red and Black Cafe

21-23  21 Ave.

ASTORIA, NY 11106

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Skender Murtezani, Njoftim, për Babanë, pret ngushëllime, Sulejman Murtezani-Gega

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT