• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

Nga cikli «Apostuj të vendit tim»

August 8, 2016 by dgreca

THANAS JORGJI – FJALA QË KA SHPIRT/

Ese nga Xhevair Lleshi/

E kisha kërkuar unë dhe ai më priste. E njihja Petraq Zoton që nga koha kur punoja në teatër. S’di si erdhi fjala dhe ai e zgjati bisedën, sepse nuk e di ç’më kishte shkrepur të merresha me shkrimtarët më produktivë të vendit, apo ndoshta për të rënë në damarët e gurit, si i thonë. Roland Gjoza, që veç të tjerash është dhe stilist dhe Thanas Jorgji. I pari sapo ka ikur në Amerikë dhe është në Nju Jork dhe tjetri, Thanasi, jeton në Mynih. Ky është Balzaku shqiptar, siç e quajmë ne. E njeh? Jo, nuk e njihja, por kjo, natyrisht, s’do të thoshte gjë. Më pas kërkova në internet, pasi kisha marrë adresat dhe telefonat nga Petraqi, i ndjeri. Kërkova në librari, pyeta miqtë nëpër shtëpitë botuese dhe m’u duk sikur mblodha një informacion të vakët. Më habiste, madje më trondiste fund e krye, që nuk i gjeja botime dhe mendoja mos ishte e gjitha kjo e qëllimshme. Por vura re diçka interesante që më intrigoi: ai nuk i ngjante askujt prej shkrimtarëve, por kishte ruajtur një ndjesi të çuditshme province: sikur nuk donte të dukej. Vonë do t’ia hetoja këtë veçori dhe e kisha të lehtë sepse do të më lidhte puna me të, do të takoheshim dendur. Nasi ka një trup të gjatë, një fytyrë të rregulluar si me dorë, të hijshme dhe burrërore, e cila preket herë pas here nga rrufetë e së qeshurës, sepse përbrenda tij buis një humor i këndshëm që i rrjedh natyrshëm. Sytë! Ndonjë do të thoshte «ka sy depërtues» dhe me kaq do të mjaftohej. Do të më pëlqente t’i quaja të tillë, por do të shtoja se sytë e tij sikur vetiu «fotografojnë e mbajnë shënime»… Pastaj seç fiton një spërndritje gati-gati mahnitëse dhe nga sytë e tij buron dritë. Ia kam parë kushedi sa herë rrezet e asaj drite. Ndoshta kjo dritë i jep atë që unë e këtilloj  hir aris­tokratik, madje edhe më tej: një ndrojtje si e fshehur, një përhumbje që i shkon stofit të shkrimtarit, si me dashje e për të mos rënë në sy. Po nga kush fshihet? Nga askush. Është thjesht tipar i tij, një arratisje edhe prej asaj që përflitet, e sidomos po të flitet për të. Sikur e ka vendosur që gjithçka ta hedh diku në një pus dhe zërat të bien gjithnjë në vesh të shurd­hër. Sepse Nasi s’ka nge, atij i duhet të kryejë një operacion të madh, sapo të marrë një nxitje, pasi ulet dhe nuk di të ngrihet nga tryeza e tij e punës. Apo jo, Linda? Dhe pyet gruan e tij të jetës që në çdo çast i dhuron ngrohtësi të habitshme, duke e rrethuar me një shpirt të ëmbël dhe fisnik, plot dashuri dhe një aristokratizëm modern. I është bërë e detyrueshme kjo  përkrahje, jo thjesht një fjalë goje. Po, shton, Linda, Nasi ulet të shkruajë dhe s’di të ngrihet, sidomos tani që kemi marrë një shtëpi të re, të madhe e krejt tonën. Sepse ky, që ti e quan Balzak, ka huqe, i do gjërat rreth e qark të mos i ndryshojnë, të mos i hallakaten, por të flasë me to, t’i urojë e përshëndesë, t’i ngacmojë dhe t’i bindë se po e vazhdon punën, po e mban fjalën që ka dhënë. Po pse? Ndaj kujt? Ndaj vetes. Këtu s’ka ndonjë gjë sfiduese, po janë ato gjërat e vogla që të bëhen mjedis dhe ngadalë fitojnë mençuri. Në ato raste Nasi rrinte gati si Pipkoja, ai personazhi i mrekullueshëm i «Kronosit» që s’ka të mbaruar dhe buzëqesh me një ngrohtësi që s’e gjen dot askund. E shikoja në sy dhe atij sikur i lidhej gjuha, më bëhej të thosha me njëfarë paniku se kjo, pikërisht kjo s’duhej të ndodhte. Sikur vlera kthehej në ankth dhe ky e kapte befas prej gryke duke i shkaktuar një tik që e lodhte dhe e stërmundonte atë të parin, pastaj të tjerët. Ai, jo vetëm në këto raste, nuk e di që është si prej floriri, një gjë që do ruajtur se s’bën, patjetër, se fundja të është i dobishëm e pastaj i domosdoshëm…

Më dërgoi romanin e tij të jashtëzakonshëm  «Ëndrrat treten në mëngjes» ku të duket se ai ka shprehur me zë të fortë e të lartë gjuhën e tij, ka shpalosur brengën njerëzore, ka vijuar ta vizatojë aq bukur dashurinë e sidomos dashurinë e humbur. Po të flasësh me të për romanin ai qesh me njëfarë djallëzie dhe përhumbet. Jo, nuk do t’i gjeni dot kund ato vizatime si të përjetuara aq thellë prej tij. Jo, nuk ka pse të duket ashtu, edhe sikur dielli të të përvëlojë dhe shiu (shirat e tij të munguara!) të të kenë lagur e bërë qull. «Lili Që Iu Bëftë Mamaja», ma gjeni ju lutem këtë personazh të mahnitshëm që të bën të shkulesh së qeshuri, që shëtit kudo nëpër të gjitha veprat e tij, si në ca kopshte përrallore e që pafund dëshiron të jesh me të. Apo doni të njihni personazhin tjetër Dante Kalogjerin, italianin e mbetur nga lufta e të shqiptarizuar mos më keq, i cili ikën nëpër tym pa e ditur se ku drejt vendit të tij të humbur, Italisë. Por ju mund të doni të njihni Gac Sheldinë, shkodranin e fshehur nga syri i madh i botës e që nxiton me aq këmbëngulje, të paktën të merrte ato që s’donte t’i humbiste kurrë… Një galeri personazhesh që shprehin një dhimbje të tmerrshme që nuk e gjen aq pastër askund dhe që bashkohet vetvetiu me ty. Për mua që kam përjetuar një dhimbje të llahtarshme, pasi kam humbur tim bir në këtë tragjedi që s’paska të sosur, kjo vepër ka për të mbetur vepra më e bukur për letërsinë e emigracionit, siç thotë Gëzim Alpion e që pasthirrma e tij është bërë pjesa fundore e romanit të gjatë, por edhe pse i tillë nuk të lodh e për më tepër ti nuk do që ta lëshosh nga dora. Kjo vepër, nesër, do ta rendisë ndër shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë. Po e teproja? Jo, aspak. Pinim kafe tek «Palma» ime e preferuar, tejet të qetë dhe gati të pafjalë, m’u bë se po ia shihja një emocion të fshehur dhe nuk e përmbajta dot buzëqeshjen. Vura re se përbrenda tij po mahnitej me atë që mendonte atë çast për prozën e pashkruar ende dhe kjo i bëhej si një dënim i pavuajtur dhe ende nuk po dinte si t’i shpaloste vlerat, prandaj dhe i duhej të futej në harresën e tij vetjake, një vuajtje e përbindshme dhe e pashpallur. Të kam sjellë një roman të ri, më tha si i kapur keq në karrige dhe ky roman ka dymbëdhjetë «vëllime», domethënë libra dhe më zgjati usb-në e vogël. Vura re dorën që i dridhej lehtë. Në të vërtetë janë tridhjetegjashtë romane, por unë po t’i lë peng dymbëdhjetë të parët, secili me gati dyqind faqe ose edhe më tepër. Po e shikoja me vëmendje dhe ajo thjeshtësia e tij më trondiste. Gjithçka ngërthehet në ditët e pushimeve të verës, kur fëmijët (duhet saktësuar, paraadoleshentët) shpalosin një energji tjetër, duke qenë të lirë, jashtë rregullit shkollor dhe detyrimeve të tjera. Qendër bëhet një qytet i vogël juglindor i vendit tonë, toponimia e tij, emërtimet rreth e rrotull dhe personazhet e mrekullueshëm: Pipko, Lordi (qeni), Dy Lugë Gjella, Veza, Indiani, Lili Që Iu Bëftë Mamaja,Pendëkuqi, Shollopi, Turi Ariu, R-ja, 700 Gramshi, Garuzhdja, Dhori Që Pa Derrin e Egër, Vuthi, Çizmja, Pirati i Zi, Cari, Cullë Qimekuqi, Lupo, Xhopi, Pandush Makaronka, Nixhoja, personazhe pa fund, të këndshëm, të mrekullueshëm që vijojnë jetën e tyre brenda një kohe mjaft të shkurtër, aktive, me një aventurë të paparashikueshme, nëpër vendet që edhe ato tingëllojnë përplot humor: Lëmi i Xha Palit, Çezma e Kalinçes, Ara e Xha Nisit, Kështjella, Shkolla e Vjetër… Duket se atij i kishte mbetur të bënte edhe punën ruajtëse të përkorë, të ndiqte lëvizjen e papërsëritshme të personazheve, linjat, veçoritë karakteristike të dallueshme e aq befasuese të secilit, duke mos e mbyllur rrethin asnjëherë, me një skrupulozitet të habitshëm, një rrjedhshmëri të këndshme, herë me një nervozizëm të lehtë, gjithnjë të adhuruar, brenda një hapësire të pamatshme, sepse ai, autori, Nasi që kuvendon me mua, ka krijuar një gjetje të magjishme, një mjet interesant, historinë e të cilit na e jep tek romani i parë i serisë «Vizitori i çuditshëm», që na bën të flasim me botën e heshtjes dhe me hapësira të pazbuluara, të një fantazie të shfrenuar, me një besueshmëri të jashtëzakonshme. Prandaj dhe «Vizitori i çuditshëm» është si të thuash çelësi «Sol» për të ecur të sigurt më tej.

Kuteli i lakmuar shumë i ka shkruar të gjitha ç’ngjajnë me shkrimtarët dhe mes tyre në Testamentin e tij të Madh, ashtu siç ishte edhe vetë i tillë. Dhe unë rri dhe e vështroj me sy gati të ngrirë. Nasit nuk i shpëton edhe lëvizja e mistershme e syve të mi të fshehur prej kapuçit përmbi, si i paralajmëruar për suksesin, ndonëse i pabindur prej asaj që kishte shkruar, ndonëse zëri i dytë që bëja edhe në bisedë, shkapetej brigjeve të letërsisë, si një Sizif tjetërlloj.  Dhe botimi u bë, u paraqit në konkurs dhe fitoi Pendën e Argjendtë, e cila shahet dhe anatemohet si diçka e dëshiruar që nuk arrihet. Po, Penda e Argjendtë, e dyta e këtij shkrimtari. Me këtë çmim janë nderuar të dymbëdhjetë romanet, por unë do të shtoja: të tridhjetegjashtë romanet e tij ende të pabotuar. E cili nga shkrimtarët tanë e ka fituar tridhjetë e gjashtë herë çmimin e madh? Askush. Dhe s’ka për të ndodhur kurrë! E meritonte Balzaku ynë, ky që më bëri të interesohem për fatin e jashtëzakonshëm që ka vetë dhe kanë personazhet e tij. Kur e përuruam në bibliotekën «Thimi Mitko» në Korçë, ju nuk e besoni: ishin mbledhur gjithë shokët e tij të shkollës! Lëviznin nëpër karrige, gati t’i thyenin ato, përkuleshin, zgjatnin këmbët, duart, kthenin kokën, pëshpëritnin, qeshnin, padyshim s’mund të mos qeshnin, hidhnin ndonjë romuz, gjenin rastin dhe ngrinin zërin dhe më në fund shpërthenin: E, o, unë jam Shollopi! Unë jam R-ja. Kurse unë Cullë Pendëkuqi… Nasi mbeti pa frymë. Këta janë të lojtur, për besë!  I paskam harruar! O Zot, ç’më gjeti! Ku t’i shpie tani? E ku tjetër, o? Nuk thua mirë që s’kemi ardhur të gjithë, o! Hajt shpejt, bërtiti Pandush Makaronka, duke parë në sy Lilin Që Iu Bëftë Mamaja, pak më i madh se ata, te turizmi ta mbajmë frymën. E, o Nixho, ç’më sheh sikur do më kollofisësh, s’u mbajt Turi Ariu. U lanë mënjanë fjalimet, duartrokitjet nuk sosnin prej batutave, shakaja u bë kryezot, piperi të digjte në çdo fjalë, humori s’gjente vrimë ku të futej nga lemeria e sarkazmës. Dhe gjithçka u gremis në turizëm. Po pse, atje pushoi, thua? Atje u ndez më keq. Mjaft të kishe një shishe verë me vete, si shkëndijë, për t’i vënë flakën gjithçkaje. Një natë e tërë kaloi krejt pa u vënë re. Të qeshurat nuk u shuan as në mëngjes. Ja, ky ishte edhe celebrimi i mahnitshëm i veprës së Thanas Jorgjit. Janë edhe dy dymbëdhjetëshe për të parë dritën e botimit…

S’ka ironi dhe cinizëm më të hidhur t’i thuash një shkrimtari balzakian se, personazhet e tij po festojnë, sepse të gjithë i krijojnë ata, kurse me Thanas Jorgjin ndodhte krejt ndryshe: i kam gatuar prej dashurisë, ata, or mik, janë gati të ngrihen e të më lidhin, po prej dashurisë! Nuk u shpëton dot. Se ne, tha, nuk kemi lënë gjë pa bërë, që nga garat me karrockat me kushineta, deri tek teatri absurd në Shkollën e Vjetër, aventura në malet përreth, lumin Shadicë dhe gjithçka tjetër me një gazmend të papërshkruar, vërtet të mahnitshëm. Ne kemi qenë të tillë dhe janë pikërisht ata burra që ti i pe në bibliotekën e Korçës. Nuk ka asgjë të tepër. Ngjarje pa fund, humor i madhërishëm, kujtesë e mrekullueshme, fjalë të… gdhendura sigurisht me art, ama asaj fjalës që fiton shpirt, gjithçka që bëhet duke tëharrur të tepërtat, duke krasitur të pafrytshmet, duke pas­truar të errëtat, plagët, gabimet, pa iu kushtuar atdheut, punës, por jo telasheve me vëllezërit e mëdhenj, motrave, prindërve e gjysheve… Unë të paktën mbeta aleat me ta dhe me veten, gjithnjë i dashuruar me atë mjedis që vazhdimisht më mahnit, më lë pa mend. Jeta ikën shpejt, miku im dhe moda letrare flakërin si sfond marramendës e që mua më bezdis. Unë jetoj me subjektet i mi, jam pjesë e tyre nga mëngjesi në mbrëmje dhe pres të më shfaqen në ekranin e kujtesës që kurrë nuk do të shuhet, po çuditërisht do të mbetet e për­jetshme. Unë jetoj për to. Dhe tani që jam në pensionin gjerman më duket se kam fituar një hapësirë të pallogaritshme, për të arritur atë s’e përmend dot asnjëherë, të gjej rrugën e botimit, pastaj janë lexuesit që e vlerësojnë. Më erdhi mirë që romanet e mi për paraadoleshentët i vlerësoi kritiku Agim Baçi në një kanal televiziv. Kishte të drejtë, jo se më lëvdoi mua, po për këtë moshë, s’mund të shkruhet duke marrë me mend, duke përfytyruar, duke rregulluar e ndrequr situata. Joo, për mua punët qëndrojnë krejt ndryshe. Unë shkruaj për situata absolutisht të përjetuara, sepse i kam jetuar vetë me shokët dhe shoqet e mia të asaj kohe të gjitha ç’shkruaj, po me atë humor, po me ato zënka të bukura, po me atë veçori të mahnitshme për secilin. Ashtu kanë qenë paraadoleshentët e mi, por ashtu janë edhe sot paraadoleshentët e tanishëm. Rrethanat ndryshojnë, por energjia mbetet një, qiellore, e mrekullueshme, e bryllët sa s’ka! Befas shpërthen një tingull i fortë. «Erdhi Shollopi!» thotë Nasi dhe qesh, ndonëse fjalët e tij i përtyp, duke iu shmangur ushtrimeve të Demostenit, ndërsa ne ndiheshim të veckël, ndoshta po shndërroheshim në thërrime të qeshurash, për të spërkatur gjithë hapësirat jetike rreth e qark me një madhështi përmbytëse. Në këtë art sigurisht të përfillur unë mendoja me një farë vuajtjeje për shkrimtarin tim të dashur, por sidomos i dashur prej paraadoleshentëve. Do të doja që këto tridhjetegjashtë libra vetëm të kësaj serie, sepse Nasi ka edhe tri seri të tjera po me kaq romane, domethënë katër herë tridhjetegjashtë romane, njëri më i bukur se tjetri, njëri më i dashur e i veçantë se tjetri, që zbulojnë një planet tjetër, ndoshta të papërfshirë në zbulimet tuaja. Dhe ky Balzak vijon të shkruajë, i palodhur, i paepur, me një epërsi të pavullnetshme dhe një botë të padukshme që e rrethon si me magji. E pra, sikur të futej dikush në këtë epos, s’do ta zinte gjumi derisa të arrinte t’i kthente në celuloid, sepse Nasi i çon personazhet e tij në çadrat e jeniçerëve, shëtit Skënderbeun nëpër Tiranë, madje e çon edhe në ndeshjen që bën «Skënderbeu» me një skuadër tjetër të madhe, na çon te Nastradin Hoxha si për të luftuar korrupsionin e sotëm, zbulon qytete të lashta të mbretit Bardhyl të Ilirisë së Poshtme, shkon në Amerikën e largët ku endet me Bobin e Zi e Bobin e Bardhë, afrohet me policët, shëtit me ta, «merr hakën» për mësuesen e matematikës dhe mësuesin e fizkulturës… Pa u tërhequr aspak nga misioni që i ka ngarkuar vetes dhe i kish lezet secila fjalë, se fjala kishte fituar shpirt dhe shpirti i fjalës duhet transmetuar, duhet kumtuar, duhet mbajtur me pekul, pastaj duhet kuptuar, por si gjithmonë e përgatitur me një vuajtje të bukur dhe sigurisht me durim të skajshëm, produkt i dëshirës e punës që nuk pajtohet kurrë me kallëpin e shpirtit që endet andej këndej në rrugë dhe kudo në strehët e politikës, të akraballëkut, të gjërave pa lidhje që eglendisen kot më kot. Këtë e bën pa u ndjerë gjer në mbyllje të qepallës. Ruan po ashtu vetëdijen se po bën një punë të vyer. Janë po ata personazhe që na duket sikur jetojnë me ne, që kthehen nga lodrat të mbytur nga djersët, nga pluhuri, që janë gati të flenë në këmbë e pa ngrënë, që i sheh kurdoherë sot, tani, po edhe nesër ashtu do të jenë e s’do të reshtin të na dalin përpara oborreve e portave të përgjumur dhe të etur të bëjnë Magelanin, zbuluesit e mëdhenj, kronografët e historisë, që do të takonin sulltanin e Turqisë dhe do ta krahasonin me Erdoganin, që do të gjendeshin te Papa që e kishte origjinën nga një pirat, që do të gjenin zezakët e argalisur pas presidentit të tyre zezak, që do të ngeheshin pastaj duke ngrënë një akullore te kioska para kinemasë së qytetit të vogël juglindor. Dhe mua më ra rasti ta njoh akullorebërësen dhe akulloreshitësen e romaneve të Thanas Jorgjit teksa kalonim pushimet e verës në Mak Albania dhe ajo e përmbytur nga ç’po i thosha, me të marrë vesh që ishte «pe Bilishti», më tha se ishte ajo, dora vetë! Dhe pa nga burri. Ah, thashë, ti do të kesh qenë drejtori i komunales që s’lije dy gurë bashkë, sidomos kundër fëmijëve. Po, tha sërish gruaja e tij, ky ka qenë. Ku e gjete, hë?… Dhe goja për një kohë të gjatë i mbeti hapur, ndërsa i shoqi po thurte teori të reja konspirative…

E dija këtë ecejake tregimesh për jetën që e bënin për vete Nasin, të cilat ai i vishte me llamburitje të dridh­shme arti, duke u mbjellë trëndafila, pastaj ecte nëpër kalldrëme, gjente topa llastiku e topa lecke, hynte në klasat e Shkollës së Vjetër dhe s’të linte as ta thërrisje dhe as t’i thoshe gjë kujt, t’i fshihej gjyshes së rreptë e po ashtu të dashur. Por befas gjithçka e ndërpreva unë. Kam një dhimbje, më tha menjëherë, sikur të merrte një kthesë të fortë. Kjo është brenga ime e madhe: vëllai im. Ai vëlla ka qenë me zhvillim të vonuar dhe pengu im gjithnjë ka qenë të shkruaja një roman për të, me dashuri të madhe, me dhimbje të pambarimtë, me një ndjenjë që do të më afronte me shpirtin e tij, sepse kuptohet që jetën e mbylli shpejt. Por ajo që duhet nënvizuar është se unë, or mik, nuk doja ta pranoja këtë. Ndaj u deshën shumë kohë derisa të shkarkohesha, derisa të arrija tek krijimi i mirëfilltë, duke e zhdukur turpin (sepse më kapte turpi për ta rrëfyer!)… S’do të fshihesha ndaj askujt tani e tej. Do të zhvishesha nga një e fshehtë gati-gati përvëluese, si thotë Zvajgu, kjo më dukej e pamundur, por po kaq poetike e sidomos të ruaja stilin tim, të mos e humbisja humorin, të mbaja në krahë edhe mënyrën e të rrëfyerit të rrugës. Nuk mund të harroj edhe pse me dhimbje se janë aty njerëzit që e tallnin, ne vëllezërit që e tallnim sa ai s’gjente dot vrimë ku të futej, dhimbjen e papërshkruar të nënës, përbindshmërinë e paepur të atit, fjalët që përtypte gjyshja, llafazanërinë dhe turpin që ndienin motrat… O Zot çfarë të them më parë! Tashmë ka vdekur gjithçka. Jam çliruar nga barra dhe romani për të «Ai që s’u ndreq kurrë» është kudo në librari. Por, sidoqoftë, shpirti më dhemb fort. Kjo ndoshta ka për të vazhduar për gjithë jetën. Jo se kam ndonjë peng të pathënë, por si e kam thënë. Është mjaft e rëndësishme.

Po më pyet për veprat e mia? Po, natyrshëm, që i di. S’ka si të jetë ndryshe. Unë, po edhe Linda bashkë me mua, i dimë ç’duhet ta ruajmë me kujdes, të gjitha i kemi bërë mirë, dhe nuk harrojmë se gjithnjë kanë nevojë dhe për një dorë… Unë e di si largohem pa i parë edhe një herë… po e kam të pamundur… dhe është një akt që do të ndodhë. Vepra është e tillë sa kohë nuk është publikuar. Ai ishte vërtet shumë i emocionuar teksa ndahej nga vepra e tij. Sepse paskëtaj ajo u përkiste të tjerëve, gjithkujt, lexuesve. Vetëm emri im do të jetë aty. Kjo më tepër prej mungesës së heshtjes dhe mos-harrimit. Në çdo hap duket se kam qenë dhe jam i përkorë, madje edhe skrupuloz, i kredhur në një vetmi e izolim si të thuash prej murgu. Ecin gjërat, evoluojnë dhe unë nuk habitem aspak. Por të shkruarit është një zakon i formuar me kohë. Më kujtohet në hapat e parë, Dritëroi më tha: largoje mbiemrin Pilafas, nuk është për letërsi, se do thonë: hë mo, ai Pilafi! Më mirë gjyshi yt, po e them kot, Jorgji. Dhe shkrimtari ynë do ta ketë emrin Thanas Jorgji! Bukur, apo jo? Ky ishte edhe kungimi. Me kaq sikur u krye një rit. Mos harro, pengesa e kufizime pafund, pastaj ja tek erdhën vitet nëntëdhjetë dhe unë gjeta Mynihun. E kuptova me intuitën e shkrimtarit se kjo ekzistencë mbetet gjithmonë gjallë, vetëm duke kapërcyer pengesa dhe… të varfër si të jetë një damkë e pashërueshme. Kush të paguan në Shqipëri? Tirazhe të vegjël. Akoma s’ka lindur ndonjë burrë ta hedhë mbi shpinë barrën time dhe t’u vërsulet maleve e fushave, duke i kthyer në libra! Sepse janë. Dhe pse të mos jenë tek të tjerët, te lexuesit?  Merreni me mend çfarë tragjedie ndodh me ne. Jemi të vetmit që nuk e marrim hakën e punës sonë. Jemi kthyer në shpirtra të vuajtur, të detyruar të jetojmë në një varfëri jo ekstreme sigurisht, duke pëshpëritur refrenin e zakonshëm, për të mos ikur kurrë që dikur të humbim në harrim, as të përfolur për qenien fizike, duke marrë sinjale e parand­jenja për të qenë tjetërsoj në vepër dhe të tjerë jetë, natyrshëm duke sakrifikuar përfundimisht. A mund të besohet kjo? Kurrsesi, askush nuk të beson. Edhe vetja jonë nuk beson më. Amen.

 

Tiranë, më 07.08.2016

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Apostuj te vdendit tim, Thanas Jorgji, Xhevair Lleshi

Shtigjet e Edukimit

August 8, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Ideja për këtë shkrim më lindi nga një lajm i shkurtër, botuar disa ditë më parë në gazetën “The Boston Herald”. ku thuhej se Sasha, vajza e vogël e presidentit Obama, 15 vjeçe, kishte nisur një punë sezonale tek restoranti “Nancy’s”, në Martha’s Vineyard, një ishull i vogël në bregdetin e Massachusettsit. Restoranti është i njohur për ushqime deti, të cilin familja Obama e ka frekuentuar shpesh gjatë pushimeve të verës, duke ngrënë aty apo duke e porositur ushqimin.

Lajmi ngjalli interesin e medias dhe njoftimi u pa shumë shpejt në disa gazeta, me komentet përkatëse. Dikush thoshte se e bën për të tërhequr vëmendjen, nga që normalisht nuk ia vlen kur mendon se atë e ruajnë gjashtë agjentë policie. Një tjetër komentues shprehte respekt për këtë veprim të saj, që pëlqen të punojë, ndonëse nuk i mungon asgjë, madje ka dhe kuzhinier në dispozicion. Pas tetë vjetëve të luksit në Shtëpinë e Bardhë, shtonte ai, ajo kërkon tani të njohë anë të tjera të jetës. Një i tretë shprehej se do të që më mirë që dikush tjetër, ndonjë hallexhi i papunë, të punonte në vend të saj, e kështu me radhë. Shkrimet shoqëroheshin me fotografi të Sashës, veshur me një bluzë sportive e me kapelë basketbolli.

Unë nuk e di nga ç’motive është nisur ajo, por më bëhet të besoj se, e shtyrë nga prindërit apo me iniciativën e vet, e ka bërë thjesht për të njohur jetën e zakonshme si dhe për t’u edukuar me ndjenjën e punës. Nuk e vlen të zgjatemi më tepër me punën e Sashës, por unë po i shkruaj këto radhë nga që ky lajm më kujtoi dy episode të tjera, që më kanë ngelur në mendje e që mbartin një mesazh me vlerë, lidhur me edukimin e fëmijve.

Pata lexuar para shumë viteve se si një nga vajzat e artitit të madh Çarli Çaplin, kur qe me studime në Paris, për të fituar para, iu bënte fotografi të tjerëve. I ati kishte marrëdhënie të mira me të, por i jepte aq të holla sa ajo të përballonte jetën si studente dhe shpenzime të tjera të domosdoshme, paçka se ai tashmë qe milioner apo dhe më shumë. Ma merr mendja se këtë gjë e bënte jo se i dhimbseshin paratë, por donte ta edukonte të bijën me vështirësitë e jetës, me mënyrën se si sigurohen të ardhurat për ta përballuar atë, siç kishte bërë dhe ai në fillimet e veta, etj etj. Të paktën ky ishte intërpretimi i bashkëkohësve, me të cilin unë bashkohem plotësisht.

Episodin e dytë na e ka treguar profesori i nderuar, përkthyesi i Dantes në shqip, i paharuari Pashko Gjeçi. Kur qe me studime në Itali, kish goditur në një klasë me të birin e botuesit të njohur italian, Mondadori. “Ai nuk binte në sy për ndonjë jetë luksi, na tha profesori, madje nuk e tepëroj po të them se ne jetonim më mirë se ai. I ati i jepte aq pare sa i duheshin për të banuar e plotësuar kërkest më të domosdoshme dhe asgjë më tepër. Kujtoj se vetëm për ditëlindje, i bleu një pallto. Në fillim ne, jo vetëm habiteshim por edhe sikur nuk e besonim që i biri i Mondadorit të jetonte si ne, veç, më vonë, e kuptuam dhe u bindëm se ç’vlera kishte veprimi i tij. Kur i biri u bë i pjekur, mbas të njëzet e pesave, ai i dorëzoi krejt firmën, pra gjithë pasurinë, se tashmë nuk kishte rrezik jo vetëm për shpërdorime por dhe ia dinte vlerën punës e pareve”.

Janë këto dy episode apo dhe të tjera si këto, që më shtyjnë të besoj se dhe e bija e Obamës ka hyrë në punë për të njëjat motive. E them këtë se kam parasysh prindërit e saj: jo thjesht se i ati është president por se të dy kanë mbaruar Harvardin. Gjëtë këtyre viteve, kam ndjekur jo vetëm veprimtaritë politke të Obamës, se tek e fundit ai ka një staf drejtues dhe nuk i gjykon kollaj, tani për tani, aftësitë e tij, siç ka ndodhur dhe me presidentët e tjerë, të cilëve, shpesh, ua faturojmë pa i merituar, si arritjet dhe dështimet e tyre. Por kam parasysh intervistat, bisedat direkte të çiftit në fjalë. Kam lexuar dhe librat e Obamës dhe kam krijuar bindjen se ai meriton respekt edhe për edukimin e fëmijve. Së pari me modelin që iu jep vajzave ai dhe e shoqja. Ajo krijoi një kopsht me zarzavate në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, gjë për të cilën shumë veta mblodhën buzët si me përçmim. Por, ajo që desha të theksoj, me këtë rast, kishte lidhje me hallet tona, që ka të bëjë me pyetjen: a ndjekim përherë rrugët e drejta në edukimin e fëmijve, apo, dashje pa dashje, bëjmë të kundërtën? Për këtë po tregoj shkurtimisht një tjetër episod.

Para ca kohësh, tek po kthehesha në shtëpi, vonë në darkë, takoj një të njohur timen. “Pse kaq vonë, keni qënë turni i dytë?”, – e pyeta në vazhdim të bisedës që nisëm. “Jo, më tha, por bëj dy punë…Më duhet të ndihmoj djemtë, se nuk iu dalin rrogat që marrin…”. Unë hapa sytë e mblodha buzët, i habitur, për të shprehur mosmiratimin tim, por ajo e mori për të kundërtën, se po i shtonte vlerat vetes, si një nënë e përkushtuar ndaj fëmijve, ndaj vazhdoi, pa më lënë mua të flas: “Jo vetëm që bëj dy punë, por punoj dhe të shtunë e të diel… Ç’të bësh, halle-halle kjo dynja, duhen ndihmuar fëmijët, sa të na punojë këmba e dora…” – përsëriti.

Pas kësaj unë nuk e mbajta dot veten dhe iu ktheva: ”Më fal që po të them, se secili e di vetë se ku i pikon çatija dhe nuk është mirë t’iu japësh mësim të tjerëve por, me që erdhi fjala dhe për raportet miqësore që kemi, nuk mund të rri pa të thënë atë që mendoj. Nuk jam dakord fare my ju!. Në këtë moshë, ju duhet të punoni e të kujdeseni vetëm për veten tuaj. Detyrën ndaj fëmijve e kryet deri sa i rritët e iu dhatë shkollë. Mbas kësaj, i lini ata të ecin vetë, ndryshe ndikoni për keq në formimin e tyre dhe në përballimin e mëtejshëm të halleve të jetës. Shijoeni, gëzojeni jetën, për aq vite sa ju kanë ngelur! Ata do të bëhen si ju por ju nuk do të bëheni si ata!”.

Ajo nuk foli dhe buzëqeshi si të thoshte se ishte dakord me mua, por ja që kishte zgjedhur një rrugë tjetër. Punë e saj.

Jeta e punët që kam bërë, më kanë dhënë mundësinë të njoh shumë nëna, në Shqipëri e gjetkë; bashkëatdhetare, amerikane apo të kombësive të tjera. E kemi diskutuar dhe temën e mësipërme. Përgjithësisht amerkanët kanë qëndrim tjetër ndaj fëmijve, i futin në punë, madje dhe gjatë shkollimit. Me sa kam vënë re, dhe fëmijët kanë dëshirë që të nxjerrin vetë ndonjë të ardhur, se kështu ndjehen më të pavarur e me të rritur, dukuri që e kemi përjetuar dhe vetë. Qofsha i gabuar, por në Shqipëri kam konstatuar kryesisht të kundërtën. Mbase tani ka ndryshuar gjendja dhe atje. Ajo që më ka bërë shumë përshtypje dhe mund ta pohoj me gojën plot është se fëmijët më të suksesëshëm e më të edukuar kanë qënë ata që kanë pasur prindër e kryesisht nëna të rrepta e kërkuese. Dhe e kundërta; të përkëdhelurit, të llastuarit mezi e kanë shtyrë në shkollë e në jetë. Nënat e tyre të gjora nuk e kuptonin se duke mos i ngarkuar me punë të vegjëlit e tyre po i merrnin më qafë, po kultivonin tek ata dembelizmin e parazitizmin, mallkimi më i madh për njeriun. Sidomos më janë neveritur fëmijët e disa biznesmenëve e politikanëve, që i kanë mbushur kuletat plot, me djersën e të tjerëve, dhe shesin tangërllëqe nëpër automjete luksoze, duke ekspozuar bizhuterira të shtrenjta e duke bërë jetë nate, në përmasa që i kalojnë shumë mundësitë e tyre. Më e keqja është se shpesh herë, në sfond të këtyre ekspozimeve shfaqen prindërit, duke u krekosur me pjellën e tyre, pa e kuptuar se sa i kanë dëmtuar e po i dëmtojnë ata, deri duke i marrë edhe në qafë, siç edhe ka ndodhur.

Nju York, 8 gusht 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Shtigjet e Edukimit

Dua Lipa koncert në Prishtinë

August 8, 2016 by dgreca

-Kryeministri Mustafa: Dua Lipa dhe talentët tjerë, burim motivimi dhe krenarie për Kosovën/

PRISHTINË, 8 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/Dua Lipa pas 4 vitesh është kthyer në Kosovë për të mbajtur koncertin e saj humantar në Parkun e Germisë  në 9 gusht në Prishtinë.

Të gjitha të hyrat e biletave do të shkojnë për Sunny Hill Foundation, fondacionin e themeluar nga ajo per të ndihmuar të rinjtë e Prishtinës dhe Kosovës veçanërisht në art dhe kulturë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim këngëtaren e famshme, Dua Lipa.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa tha se Kosova dhe qytetarët e saj janë shumë krenarë për sukseset e njëpasnjëshme të saj në skenën muzikore botërore.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për të gjithë artistët dhe talentët e tjerë të Kosovës që veprojnë jashtë vendit.

“Dua Lipa dhe të gjithë këngëtarët dhe sportistët tanë që po arrijnë famë ndërkombëtare, fal talentit dhe punës së tyre të përkushtuar, janë shndërruar në figura motivuese dhe simbole krenarie për të rinjtë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Ju, po ashtu, po i jepni imazh shumë pozitiv shtetit dhe shoqërisë tonë në botë. Andaj, Kosova krenohet me sukseset tuaja”, tha kryeministri Mustafa.Këngëtarja Dua Lipa ka falënderuar kryeministrin Mustafa për pritjen, duke theksuar lidhjen e saj të fuqishme me Kosovën.

Dua Lipa, po ashtu, e njoftoi kryeministrin Mustafa edhe për planet e saj në të ardhmen në botën e muzikës./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: DUA LIPA, kryeministri, Pritje

Mediat italiane kujtojnë 25 vjetorin e emigrimit të anijes “Vlora” drejt Barit

August 8, 2016 by dgreca

Ishte 8 gushti i vitit 1991, plot 25 vjet më parë, kur anija “Vlora” u nis nga Durrësi drejt Italisë. Në bordin e saj ndodheshin rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë, të cilët kërkonin një jetë më të mirë në vendin fqinj. Këtë ngjarje e sjellin sot në vemëndjen e opinionit publik dhe vetë mediat italiane. E përditshmja “Corriere Della Sera”, e ka titulluar lajmin e sotëm, “Kur Italia ishte “Amerika” për shqiptarët”.  Gazeta në fjalë nënvizon se, ky ishte ndër rastet e para të vitit 1991, që shënoi fenomenin e fluksit të emigrantëve shqiptarë drejt brigjeve italiane, fenomen që sot është mëse i zakonshëm, ndonëse jo më me protagonistë refugjatët shqiptarë.  Anija “Vlora”, e prodhuar në vitin 1961 në kantierin e Xhenovës,{Itali}, bashkë me anijen “Shkodra”, u  nis më 6 gusht nga porti i Durrësit dhe fillimisht tentoi të bregëzohej në Brindizi. Por Zv.prefekti i këtij qyteti, Bruno Pezzuto, nuk e lejoi hyrjen dhe e bindi kapitenin e anijes “Vlora”, zotin Halim Milaqi, që të drejtohej për në Bari, duke zgjatur lundrimin e mjetit, në momentet kur tensioni në bord kishte arritur kulmin. Gazeta shkruan se, Italia atëherë donte të organizonte kthimin mbrapsht të anijes, ose të paktën të mundësonte një pritje të përkohshme të refugjatëve, por ata që do merrnin këtë vendim, prefekti dhe kuestori, momentalisht ishin me leje.  Autoritetet e tjera, përfshirë kryetarin e bashkisë, u njoftuan kur anija kishte hyrë në port. Kështu ky zbarkimi këtyre përmasave, i gjeti të papërgatitur autoritetet qendrore të Italisë. Por këtë përkujdesje institucionale e zvëndësuan banorët e rajonit të Pulias, qytetarët  e thjeshtë italianë, që u dhanë refugjatëve, veshmbathje, ushqime dhe ujë. “Sot, 25 vjet më pas, shqiptarët në Itali janë kthyer në një nga komunitetet e huaja më të integruara me jetën e këtij vendi”. Por, siç tregon kronika e sotme, problemi i emigracionit mbetet ende aktual dhe i pazgjidhur. Ndaj bregëzimi i  transoqeanikut “Vlora” me 20 mijë njerëz në bord, është kthyer në simbol jo vetëm për shqiptarët, por për Italinë dhe gjithë Europën”, shkruan më tej “Corriere Della Sera”. Ndërkohë mijëra shqiptarë sjellin sot në memorien familjare e shoqërore këtë ditë që ndryshoi jetën dhe të ardhmen e tyre. Kujtojmë lexuesit e “Dielli-it” se, këtë lundrim të vështirë drejt brigjeve italiane të anijes “Vlora”, bashkë me ngjarjet tragjike që shoqëruan atë  lundrim, e gjeni të zgjeruar në vëllimin e II-të të Antologjisë së Detarisë Shqiptare, faqe 224-238. {Sh.K}

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vjet, anija Vlora, media italiane

Prizren-Në DokuFest, Muzu i Korrupsionit

August 8, 2016 by dgreca

-Muzeu, i vendosur në qendër të Prizrenit, do të jetë i hapur çdo ditë prej sot e deri më 13 gusht nga ora 12:00 deri në 20:00/

PRIZREN, 8 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, sot, tek keji në afërsi të sheshit të Shadërvanit, hapen zyrtarisht dyert e Muzeut të Korrupsionit,  ku do të ekspozohen artefakte të cilat pasqyrojnë mënyrat korruptive të jetesës.

Është ky një bashkëpunim në mes të projektit Anti-Korrupsion të UNDP-së dhe DokuFest-it -­ Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar – edicionit të 15-të, jubilar, që mbahet nga 5 deri në 13 gusht.

“Në këtë muze, që ka konotacion sarkastik, do të ekspozohen artefakte të cilat pasqyrojnë mënyrat korruptive të jetesës. Muzeu ka për qëllim vetëdijësimin e qytetarët rreth mënyrave të korrupsionit, në kohën kur ky fenomen është shpërndarë në shumë fusha dhe po lë pasoja në jetën e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi pak më parë UNDP.Muzeu, i vendosur në qendër të Prizrenit, do të jetë i hapur çdo ditë prej sot e deri më 13 gusht nga ora 12:00 deri në 20:00.

Projekti Anti-Korrupsion i UNDP-së mbështetet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA).

Organizatorët e DokuFest në Prizren kanë deklaruar se, “korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmëbërës dhe eskpertë të ftuar ndërkombëtarë dhe lokalë, punëtori dhe në një konferencë të teknologjisë”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Muzu i Korrupsionit, Prizren-Në DokuFest

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT