• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

DY FJALË RRETH LIBRIT “KISHA KATOLIKE NË TREVAT SHQIPTARE NGA SHEK XI DERI SOT” TË DON NIKË UKGJINIT

August 29, 2016 by dgreca

Shkruan: Don Robert Kola*/

Ditë më parë më ra në dorë libri i dom Nikë Ukgjinit “Kisha katolike në trevat shqiptare nga shek XI deri sot”, botuar nga Qendra botuese shoqata e jezuitëve, Tiranë 2016.

Edhe lexuesin e rëndomtë libri e vë para disa dyshimeve. Zë fill nga  vetë titulli i librit: autori ka marrë përsipër një barrë tepër të rëndë, që për ta bartur – përmbushur nuk do te mjaftonte edhe një institucion i tërë i fushës përkatëse. Kjo vërehet nga periudha e gjatë, që merr në vështrim autori, po edhe nga shumësia e dukurive që shtron në të dhe synon t’i vështrojë e t’i sqarojë. Natyrisht, për t’u marrë me shumësinë e dukurive dhe të mëdyshjeve para të cilave të vë libri, në këtë shkrim të shkurtër, më tepër si reagim, po veçoj vetëm pak dukuri e të dhëna.

Në fillim me duhet të përmend faktin se libri i përmendur duhet sado pak ta trandë ndërgjegjen e shtëpisë botuese; në të nuk është e përcaktuar qartë metodologjia sado e thjeshtë e studimeve historike, të cilën jezuitët e përcjellin me përkushtim e hollësi.

Po shkëpus këtu një pohim të autorit të librit në f. 272, ku thuhet: “Yves de la Briere, në librin Etudes, (1933) dhe filozofi frëng Jacques Maritain, (1882-1973), në librin Njeriu dhe Shteti, (Chicago 1951), duke u mbështetur në mësimet e Shën Tomë Akuinit (shek XIII), do shpreheshin se‚ Shteti përbëhet nga një komb i vetëm… dhe Shtetet që përbëhen nga shumë kombe të ndryshme do të shkatërrohen”.

Njëmend e mëson shkolla jezuite këtë gjë? A thua botimet e jezuitëve duhet t’i bëjnë vend, brenda shtëpisë se tyre, një qëndrimi të tillë të përmbysur, jashtë çdo kriteri të mendimtarëve që i përmend autori i librit, i cili me hamendësim përkufizon mendimet e Tomë Akuinit dhe Jacques Maritain, mendime të cilat ndiqen me aq përpikëri nga shkollat jezuite?

Mbase dukuria e shtetit fshin dimensionin eskatologjik të historisë, ku fise, popuj e kombe të ndryshme, nga të gjitha skajet e tokës, do këndojnë këngën ngadhënjyese të Qengjit në Mbretërinë e Hyjit? Mos shteti si një përbindësh do t’i shpërlajë dhe zhbijnë kombet dhe fiset e tjera që nuk do shkrihen në një shtet të vetëm e në një komb të vetëm?  A thua shteti është hipostaza e vetme e historisë që do mbijetojë? Apo nuk janë popujt, kombet e fiset e ndryshme që përbëjnë hipostazën e vërtetë eskatologjike të historisë sipas mendësisë së krishterë?

Në rrjedhën e natyrshme të dukurive nga shtëpia botuese lexuesi pret një përgjigje rreth këtij pohimi që haset në botimin e saj.

Nga këto pyetje, natyrisht, po e kursej autorin e librit, mbasi ai nuk e merr me mend përmasën e saj.

Kërkoj një përgjigje shkencore edhe nga dy recensuesit e librit: Pëllumb Xhufit dhe Jahja Drançollit si dhe nga Atë Mario Imperatori, i cili nga ana e vet bëri një vlerësim të këtij botimi edhe me shkrim.

Po përmend këtu metodën dhe natyrën e këtij libri që mban “Kisha katolike në trevat shqiptare nga shek XI deri sot”, mbasi vetë autori ngatërrohet për të përcaktuar metodën e studimit. Në Hyrje të librit autori thekson: “Libri ka si qëllim të mbarështojë ngjarjet historike, (kursivi im) të cilat kanë të bëjnë me shqiptarët në trevat e tyre stërgjyshore dhe Institucionin e saj të pa ndashëm Kishën katolike, (kursivi im) e cila ndau fatin e popullit në të mirë dhe në të keq” (f. 21) dhe vazhdon më tutje “libri në fjalë ka këndvështrimin e vet të paraqitjes (së) të historisë kishtare” (kursivi im) (f. 22) dhe shton: ”është më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës në zbërthimin e ngjarjeve historike që lidhen me Kishën Katolike në trevat shqiptare (kursivi im). Ky punim synon të merret në hollësi me jetën konkrete të Kishës shqiptare (kursivi im) të salvuar dhe vijimësinë e rrugës së saj për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar gjatë luftërave të ashpra pushtuese sllave dhe osmane”. (f. 22)

Temat që dalin sipas Hyrjes së autorit janë: a) Kisha në trevat shqiptare; b) historia kishtare; c) ngjarjet që lidhen me Kishën katolike në trevat shqiptare; si dhe d) paraqitja në hollësi e jetës konkrete të Kishës shqiptare.

Kjo e fundit përbën një risi të padëgjuar për shkencën e historisë.

Pra, lexuesi i zakonshëm ka nevojë t’i kuptojë mirë caqet e metodës shkencore të këtij punimi. Nga një vrojtim edhe kalimthi i Hyrjes së librit arrihet të kuptohet se në këtë punim bëhet fjalë për tri fusha të kërkimit, dhe që metoda shkencore e historisë i dallon mirëfilli. Nuk kuptoj se si kjo vepër “shkencore” synon të paraqesë: historinë kishtare; Kishat në trevat shqiptare si dhe jetën konkrete të Kishës shqiptare, kur secila prej tyre kërkon qasje të ndryshme dhe vetvetiu kërkon metoda të veçanta.

Mbi të gjitha nuk e kuptoj “risinë shkencore” të autorit i cili synon të paraqesë historinë e “jetës konkrete të Kishës shqiptare.”

Ky përkufizim të rikujton periudhën e persekutimit nga sistemi i diktaturës komuniste, kur kërkohej të krijohej Kisha kombëtare dhe persekutimi i saj dhe nuk kuptoj çka më saktë autori synon të përfshijë përmes këtij nocioni.Ajo çka më intereson këtu është si përvijohet metoda shkencore për të paraqitur “jetën konkrete të Kishës shqiptare.”Për këtë arsye u drejtohem P. Xhufi-t, J. Drançolli-t dhe Atë M. Imperatorit, të shtjellojnë përvijimin e kësaj risie në shkencën e historisë si dhe metodën e saj të cilën autori e paska ndjekur më aq “rreptësi”?

  • E dergoi per Diellin, Alfons Grishaj

 

Filed Under: Histori Tagged With: dom Nike Ukgjini, Kisha Katolike, ne Trevat shqiptare, shek XI

SHQIPTARËT E EGJYPTIT DJE DHE TË SOTMIT KUDO

August 29, 2016 by dgreca

NGA SAIMIR LOLJA/
 Në muajin Shkurt të 2016 u botua në Prishtinë nën përkujdesjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës libri “Nga historia e shqiptarëve të Egjyptit gjatë shekujve XV-XX” i autorit Muhamed Mufaku.
1 Prof Muhamed Mufaku
 Profesor Muhamed Mufaku ka lindur në vitin 1952 në Damask të Sirisë në një familje të shpërngullur nga Kosova. Prej asaj shpërngulje të shqiptarëve gjatë shekullit XX u formua në Siri një bashkësi shqiptare e cila në vitin 2011 numëronte mbi dhjetë mijë shqiptarë. Një pjesë e madhe e asaj bashkësië përbëhet nga shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga Kosova në periudhën e luftrave ballkanike Tetor 1912 – Gusht 1913. (Ku ndodhen tani? Askund dhe të lënë nga shtetarët shqiptarë frikacakë në mëshirën e fatit; gjithkund dhe të flakur tej e përtej nga valët goditëse të predhave në luftën e tanishme në Siri).
       Profesor Muhamed Mufaku u magjistrua për Histori në Universitetin e Prishtinës në vitin 1977. Ai u doktorua dy herë në Universitetin e Prishtinës, për Filologji më 1981 dhe Histori më 1986. Në vitet 1974-1987, ai punoi në Degën e Orientalistikës të Universitetit të Prishtinës. Më 1988 ai ishte bashkëpunëtor i jashtëm i “Enciklopedisë së madhe arabe” për gjërat që kishin të bënin me Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjatë viteve 1989-2016, ai punoi profesor i historisë në disa universite të Jordanisë dhe në periudhën 1995-2005 ai ishte edhe drejtor i institutit të shkencave politike në Universitetin e Jordanisë. Ai është anëtar i jashtëm i Akademisë Shkencore Arabe me seli në Damask që nga viti 2005 si dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që nga viti 2010. Tani Muhamed Mufaku është profesor në universitetin Al al-Bayt të Jordanisë.
      Prof. Muhamed Mufaku ka shumë botimë në shqip, libra dhe artikuj në gazeta, ka botuar gjashtë libra për shqiptarë dhe çeshtjen shqiptare në arabisht, ka përkthyer 20 libra shqiptarë në arabisht, në mesin e tyre “Antologjinë e poezisë bashkëkohore të Kosovës”, ka mbajtur kumtesa të ndryshme për historinë shqiptare në universitete të ndryshme, etj. Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ai u nderua me Medaljen e Republikës së Kosovës pë Merita Kombëtare.
     Ky botim i parë i librit rrjedh nga një punë kërkimore, shkëncore, dokumentore, regjistruese, analizuese e krahasuese përgjatë viteve 1979-2015. Ajo punë u shoqërua me udhëtime në Egjypt dhe takime me njërëz të përlidhur me historinë dhe koloninë shqiptare të Egjyptit.
     Në libër fillimisht endet e plotë historia e mamlukëve të Egjyptit të cilët, e thënë me fjalë të tjera, ishin jeniçerët e Egjyptit. Mamlukët, ashtu si përkthehet nga arabishtja, ishin robër të vegjël me origjinë nga vendet e Europës jugore, juglindore e deri të Kaukazit. Tradita e blerjes së atyre skllevërve të vegjël, rritjes, edukimit dhe stërvitjes si ushtarë filloi në shekullin IX. Me kalimin e kohës ato u bënë aq të shumët dhe aq të aftë sa të ishin ato që zgjidhnin se cili do sundonte si Sulltan. Pikërisht në gjysmën e dytë të shekullit XV, në libër zbulohen dy sulltanë të Egjyptit shqiptarë (arnautë). Që nga viti 1250 e deri në vitin 1516 kur osmanllinjtë i mundën ato, mamlukët sunduan Egjyptin, Levantin dhe vendet e shenjta moslemane në Gadishullin Arabik.
       Libri shpalos më pas praninë shqiptare gjatë sundimit osman nga shekulli XV e deri në fillim të shekullit XIX. Sepse, meqenëse prania e luftëtarëve shqiptare në Egjypt ishte aq e madhe saqë pikërisht më 1805 Mehmet Aliu, me origjinë nga Kavala, dhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë të 5000 luftëtarëve shqptarë mori fuqinë e parë në Egjypt. Nën udhëheqjen e tij, ushtria egjyptiane ku shqiptarët ishin me mijra dhe e komanduar nga oficerë shqiptarë mundi forcat osmanë të jeniçerëve, të mamlukëve të mbetur të organizuar në jug të Egjyptit dhe forcat vahabiste në Gadishullin Arabik.
      Nën udhëheqjen e Mehmet Aliut, Egjypti pësoi ndryshime të mëdha gjë që sollën zhvillim dhe fuqi. Me katër përqind të popullatës ushtarë, ushtria egjyptiane nën komandën e Ibrahim Pashës, të birit të Mehmet Aliut, fitoi betejat kundër osmanllinjve dhe në Shkurt 1833 ajo arriti pranë Stambollit. Sulltani osman i kërkoi ndihmë Rusisë e cila e dha edhe ushtarakisht dhe u desh edhe ndërhyrja e Britanisë dhe Francës që të shpëtohej Stambolli i osmanllinjve dhe ushtria egjyptiane të tërhiqej. Britania, Rusia, Prusia dhe Austria ndërhynë përsëri më 1839-1841 që ai të tërhiqej, sepse Mehmet Aliu po organizonte edhe kryengritje të shqiptarëvë në Europën juglinodre kundër osmanvëve. Si përfundim, nëpërmjet marrëveshjes së Londrës më 1841, Mehmet Aliut iu njoh mbretërimi dhe trashëgimi në Egjypt, Sudan, në zotërimet e tjera në Afrikë dhe Sinai, si dhe të largohej nga gadishulli arabik. Kurse perandoria britanike krijoi disa të drejta ndërhyrjeje dhe leje veprimi, për shembull, kontrollin mbi Kanalin e Suezit, stërvitjen e ushtrisë egjyptiane, zbarkimin e ushtrisë britanikë që nga viti 1882, “kujdesjen” për trashëgiminë nga lashtësia (më saktë, dërgimin në Muzeumin e Londrës të gjetjeve të zbuluara me gërmime), etj.
        Ay sundim mbretëror shqiptar i Egjyptit që pat filluar më 1805 vazhdoi si një dinasti sunduese deri në vitin 1952, ndonëse për shkak të ndërhyrjes së perandorsië britanike u tkurr deri brenda mureve të pallatit mbetëror. Mehmet Aliu pati titullin sundues Vali që nga viti 1805 dhe vdiq më 1 Shtator 1848. I biri zuri vendin si Vali për dy muajt në vazhdim dhe më pas nipi i tij Abaz I u emërua Vali. Titulli Vali i sunduesve shqiptarë vazhdoi deri më 1867. Më pas të parët e vendit morën titullin Kediv deri më 1914, Sulltan deri me 1922 dhe Mbret deri më 1953.
        Me hapjen e Kanalit të Suezit më 1869, shumë shqiptarë të tjerë vërshuan në Egjypt dhe pozitat e tyre qenë në të gjitha fushat. Prandaj ajo prani shqiptare në Egjypt qe shumë e vyer për Rilindjen Kombtare. Prandaj në Egjypt u botuan gazeta, libra, shkrime e poezi shqiptare të cilat u shpërndanë në tërë trojet shqiptare dhe u gdhendën në përmendoren e kulturës shqiptare. Në Egjypt ishin Thimi Mitko, Spiro Dine, Milo Duçi, Andon Zako Çajupi, Filp Shiroka, e të tjerë. Prandaj teqeja bektashiane shqiptare e Kajros, me egzistencë në përiudhën 1886-1965, ishte vendi ku takoheshin të gjithë, ku shpërndaheshin librat shqip, ku kuvendonin shqiptarët dhe ku mblidheshin ndihmat për refugjatët shqiptarë. Prandaj shumë refugjatë të kampeve të pasluftës dhe ato që i arratiseshin pushtimit të trojeve shqiptarë nga komunizmi sllav gjetën strehë në Egjypt dhe një pjesë në Siri. Prandaj në Egjypt qëndroi në vitet 1946-1955 edhe mbreti Ahmet Zogu i larguar nga Shqipëria më 1939 dhe libri e përshkruan gjërësisht atë segment historik.
       Më 23 Korrik 1952, Lëvizja arabe e Oficerëve Të Lirë në Egjypt nën udhëheqjen e gjeneralit Mehmet Nexhip dhe kolonelit Xhemal Abdyl Naser nëpërmjet një grusht shteti përmbysi mbretërimin e të fundit mbret shqiptar Faruk I. Mbreti Faruk I bashkë më familjen u largua nga Egjypti dhe pjesën tjetër të jetës e kaloi në Itali ku edhe vdiq në Romë më 18 Mars 1965; pas dy javësh trupoi i tij u varros në Kajro. Më 18 Qershor 1953, Egjypti u shpall Republikë. Pas asaj, për shkak të propagandës së ushtarakëve arabë kundra mbretërimit shqiptar dhe veprimeve të ndërmara prej tyre, kolonia shqiptare e Egjyptit filloi të shkërmoqej dhe shqiptarët të largoheshin familjarisht për në Europë dhe Amerikë.
       Historia shqiptare e Egjyptit është një tjetër pohim se kultura shqiptare është aq e përbotshme saqë sapo zbulohet një tjetër dritare, pas hapjes së saj të shtrihet përpara një hapësirë shumë e madhe tokësore, detare, njerëzore, kulturore, e vetëdijshme dhe e pavetëdijshme, e botuar dhe e skalitur me forma të ndryshme, e tretur ose e lënë në harresë, e dukur ose e padalluar. Dhe libri “Nga historia e shqiptarëve të Egjyptit gjatë shekujve XV-XX” i Prof. Muhamed Mufaku hedh dritë pikërisht mbi fletë shqiptare të historisë mesdhetare të mbuluara nga errësira e viteve të mbyllur apo shekujve të shkuar.
     Pse shkruhet e shkuara? Pse nevojitet? Pse është e domosdoshme? Çfar duhet kërkuar në të? Si duhet shkruar? E shkuara nuk kthehet dhe nuk ndryshohet më, porse filli i muzave të saj ndihmon të krahasohet e shkuara me të tashmen. Që domethënë se e shkuara është e detyrueshme të shkruhet si ka qenë dhe si ka ndodhur, e vërtetë faktike e përlidhur, jo si dëshirë vetiake e tanishme si duhej të kishte qenë. Libri i të kaluarës është histori e njerëzve dhe si i tillë është i domosdoshëm të botohet. Një libër me të dhëna për njërëzit dhe ngjarjet e shkuara është i pazëvëndësueshëm për të analizuar dhe matur me peshoren e çeshtjes shqiptare se çfar prodhuan njerëzit si individë apo grupe shoqërore me sjelljen dhe mentalitetin e tyre të atëhershëm, si notuan ato në rrymat e kohës, si rrodhën ngjarjet dhe njerëzit, nga ku dhe drejt ku.
     Çfarë i mungoi ose e pengoi perandorinë shqiptare të Mesdheut Albanica imperium të dallohej ndër shekuj si e tillë? Çfar ishte ndryshe më parë? Çfar është e njëjtë tani? Çfar mungoi dje? Po sot? Çfar nuk është vënë re dje? Po sot?
1 Egjypti i admin nga shqip
Egjypti i administruar nga shqiptaret

Filed Under: Histori Tagged With: Muhamet Mufaku, Saimir Lolja, Shqiptaret e Egjyptit

LUMI I ANTON GOJÇAJT

August 29, 2016 by dgreca

 

1 Libra te Anton Gojcaj 1… Lumi i Anton Gojçajt e ka gjetur shtratin e vet, një shtrat ku ai si mjeshtër, do të vazhdojë të përpëlitet natë e ditë në një shqetësim të pagjumë për fjalën e zgjedhur dhe magjinë e poezisë./

Nga KOLEC TRABOINI/

Anton Gojçaj, jo vetëm që është një poet e prozator që nuk le motiv pa e thurur mjeshtërisht e fjalë që i buron nga shpirti pa e gdhendur me pasion, por ka edhe një përmasë tjetër që nuk bie aspak më poshtë dy të parave. Është tepër njerëzor, i komunikueshëm, e ka dëshirën e mirë të kërkojë e të zbulojë vlera tek krijuesit shqiptarë të letërsisë së sotme në gjithë përfshirje, them kombëtare sepse kam parasysh hapësirën Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi dhe Diasporë, sa mund të thuash pa e tepruar se janë të paktë  ata që mund ta mbërrijnë me iu afruar në atë cak të atyre tre dimensioneve që e karakterizojnë Anton Gojçajn. Ai është gjurmues i palodhur e këmbëngulës, ndjekës hap pas hapi i letërsisë së mirë. Zbulues i vlerave ndër shkrimtarë të tjerë, kërkon libra, e në mes të librave, vazhdon si të ishte një gjahtar perlash që flenë në fundin e deteve e veç presin daljen në dritë. E sikur u thotë lexuesve shih sa bukur e bëjnë përthyerjen e rrezeve të diellit. Kjo është bukuria e jetës, e reflektimit të saj nëpërmjet artit. Anton Gojçaj do të mund të mbetej në dy  dimensionet e tij  si poet e eseist.  E nisi udhën e krijimtarisë me vëllimin poetik “Poezi” (Illyricum, Tuz 2001) dhe duke kërkuar një shtrat më të gjerë, vërshimi i lumit të tij kaloi në prozë: “Qengji i harruar në mal”, tregime, (“Shpresa”, Prishtinë 2003).  Pas kësaj në rend vjen i treti libër me ese në kërkimin e Anton Gojçajt që nuk ndalet: “Tema e heroit nacional në Letërsi”, (AIKD, Prishtinë 2004). Erdhi dhe “Passio” Buzuku 2004 Prishtinë, si një rrëke malore me ujëra të kthjellëta për të mbushur shtratin e vet krijues si për të na thënë se të gjithë lumenjtë rrjedhin në vendlindje. Një roman ky model për dramën e njeriut larg atdheut, mishëruar në kthimin e piktorit të famshëm në Amerikë Jozef Montanaro si një Odise i përhumbur në botën shqiptare,  ku kish harruar edhe emrin e vet.  Ky kthim në trojet e veta, tek fëmijëria, tek emri i tij Zef Gjoni,  ishte rrugëtimi i fundit për ta mbyllur jetën në qetësi e në paqe. Thirrja e tokës e kushtrimi i të parëve qenka një tundim i madh për njeriun. Ky subjekt që punon në 90 faqe libër thotë më shumë se ca prej romaneve që janë në modë prej trashësisë, por që  nisin e kurrë nuk mbarojnë me shkakun e thjeshtë se lexuesi i lodhur skajshëm i lë për gjysmë. Anton Gojçaj parapëlqen fjalën e saktë, të shkurtër, figurative, si e folura e pleqve të Malësisë,  të cilët urtia i bën më të kursyer, sikur fjalën ta nxirrnin nga pusi. Jo më kot në një prej eseve të tij për letërsinë, në librin “Fakticiteti në letërsi” (Buzuku, Prishtinë 2007), Anton Gojçaj shkruan plot pasion për prozën letrare të Pater Anton Arapit, i cili në kryeveprën e vet “Andrra e Pretashit”  trajton jetën e malësorëve të një shekulli më parë, por aty gjen aq dritë sa për të ndriçuar e parë jo vetëm të shkuarën por edhe të ardhmen. Ëndërrimet për jetë nuk kanë të shuar në këto troje malësorësh me karakter të fortë, ku, sa shuhet një ëndërr ndizet një tjetër si pishtar i pashuar brezash. Anton Gojçaj, ky autor në një  rrjedhë që nuk ka as kohë e as dëshirë të ndalet, vjen me “Shijen e librit” (AIKD, Prishtinë 2009), një vëllim me recensione, interpretime dhe ese. Edhe në këtë libër Anton Gojçaj vazhdon zbuluesen e vet në krijimtarinë letrare pa u kufizuar, në hapësirën ballkanike e gjithkund ku letërsia shqipe kultivohet, por me vështrime edhe në letërsinë botërore. Kështu krahas shumë emrave të krijuesve shqiptarë që nga Ismail Kadare, Nikollë Berishaj, Alfred Çapaliku, Gjek Marinaj, Xhevdet Bajraj, Ndue Ukaj, Anton N. Berisha, Fran Camaj, Nik Ukgjini, Lumnije Hoxha, Nail Draga, Ibrahim Berjashi, Basri Çapriqi e tjerë gjen vështrime dhe ese për veprat e botuara në shqip të Platonit, Charles Bukowskit, Ezra Poundit, Gynter Grasit, Italo Zvevos, si dhe mbi pikëpamjet estetike të Shën Tomë Akuinit, estet i dritës diellore e tjerë. Pavarësisht se Anton Gojçaj, një autor si kalliri me shumë bukë që e mban kokën ulur, shprehet modestish për krijimtarinë e vet në librin “Shija e Librit” ku shkruan:  “T’i shkruaj  dhe t’i botoj përshtypjet e mia për librat kam filluar gjatë studimeve. Si duket, unë qysh atëherë e kam pasur të qartë se në letërsinë artistike s’do jem i suksesshëm”, por me çfarë tregon në vazhdimësinë e tij krijuese koha nuk i dha të drejtë.  Talenti para se të jetë vepër është një shfaqje. E atë shfaqje Anton Gojçaj e kishte pasur që në librin e parë. Ndaj prurja e veprave të reja cilësore  nga ky autor, për  lexuesit apo kolegët shkrimtarë nuk është e papritur. Madje edhe ribotimi i romanit “Passio” në Podgoricë në vitin 2015 dhe interesi i lexuesve që u shfaq për të,  vërteton saktësinë e mendimit të studiuesit dr. Anton Berishaj: “Passio paraqet një kryevepër “të vogël”  të mirëfilltë  të letërsisë bashkëkohore shqiptare”. Po do të ishte i mangët vlerësimi për autorin pa këqyrjen e ashtit të poezisë së tij, që edhe ajo është e vogël në volum por origjinale, me individualitet e ndjesi të thellë. Autori Anton Gojçaj siç shfaqet mjeshtër i fjalës së zgjedhur e ndërtimit të subjekteve e karaktereve në prozë, ndjehet po aq mrekullisht në poezi. Tek poezia e Anton Gojçajt gjen motive hapësinore deri përtej oqeanesh, nuk ka kufizim në këndvështrimin e tij,  por poezia e tij gjithherë shfaqet atje ku ndjehet më mirë, në shkëmbinjtë e malit të Hotit, ku dëgjohet kënga e fëllanxave të malit e ku autori lëshon thirrjen e tij dashunore:  “Vrapo e dashura ime”: buka e bardhë përngjasim vetëtime me shpejt se yjet e hëna vrapo e dashura ime shirat në ty lahen flakërojnë vegime dhelpër është klepsidra vrapo e dashura ime pritjen zjet thellimi ngutuni gëzime herët bëhet vonë vrapo e dashura ime Që nga koha kur botoi vëllimin e parë poetik e deri tek “Dëgjohet një violinë, në suferinë…” poezi, (Enti botues “Gjergj Fishta” Lezhë 2011), kishte kaluar plot një dekadë, por poezitë e Anton Gojçajt vijnë po aq emocionuese, të thella nga mendimi, puhizë në ndjesi, që para se të shkojnë e kërkojnë  motive larg në kohë e hapësirë, më së shumti ngulmojnë në zbulimin e vetvetes, në përjetime që gjithçka e kalojnë në filtrin e shpirtit. Le të sjellim poezinë e cila është përzgjedhur si  titull libri “Dëgjohet një violinë, në suferinë…” Qielli është një portë e mbyllur. Pas portës gjithmonë ka diçka. Qielli është bordel i pafund Miliarda yje si miliarda gra të zhveshura e joshin udhëtarin e lodhur të shtrihet mbi ta. Dëgjohet një violinë… Fryn Një suferinë. Qielli shkundet. Yjet bien një e nga një. Si gjethet. Si mbretër të posarrëzuar prej fronit. Si mbeturina të sofrës parajsore. Qielli është dritare e hapur kudo. Më kot autori Anton Gojçaj e paragjykonte prozën e artin e tij poetik siç e cituam më lart. Ato vërtetë nuk flasin zhurmshëm, nuk buçasin, nuk thërrasin t’u bësh eho, siç u bëjnë ca autorë krijimeve të tyre, por janë si ato lulet e vogla apo fijet e barit që me qetësinë e brishtësinë e vet, pak e nga pak, bëjnë shteg e lulëzojnë në shkëmb. Dhe jo pak herë lulet e shkëmbit janë po aq të bukura, madje shpesh edhe më të bukura se ato që rriten në lëndina të buta e ku qëllon të shkelen me këmbë. Kush ka shëtitur në mal, ku të duket gjithkah thatësirë gri, ka vënë re një aromë të magjishme të cilën askund tjetër nuk e ndjen. Janë aromat e luleve te malit. Vargjet e tij rrjedhin natyrshëm, zbresin si petale që rrëzon era në pranverë, herë-herë të bëhen si fluturzat e borës që shkrijnë në buzët e nxehta të vajzave. Të asaj që i jep titullin një prej poezive të tij më të bukura, një perlë dashurie e denjë për çdo antologji lirike të poezisë kombëtare por edhe ndërkombëtare:  “Vajza që ecën me ombrellë nëpër borë”: sa shumë që duheshim atë mbrëmje me borë si s’ta bëra me dorë si s’ma bërë me dorë kur luanim qiellorë me djallëzoren ironi si s’ma bëre me sy si s’ta bëra me sy do të duhemi përsëri netëve pa orë do të vishemi me florë do të shkrihemi në bore Aq e mbyllur është kjo poezi, po dhe të tjera si kjo në krijimtarinë e Anton Gojçajt, sa të duket si një perlë me të cilën të dashurohen sytë, aq sa autori nuk ia ka ndjerë nevojën as shenjave të pikësimit sepse ato tre strofa në 12 vargjet përbëjnë një unitet mendimi e fjalësh, konfigurimi estetik, të cilat lexohen me një frymë, madje ajo nëpër eter sikur të sjell edhe tingujt e një muzike në imagjinatën tënde si lexues, e ndoshta ky instrument mund të jetë ajo që autori e thërret në titullin e librit, një violinë në suferinë. Shumë prej poezive mbresëlënëse të Anton Gojçaj lënë poetikisht pa frymë për nga shkalla e lartë e përjetimit emocional. Gjithçka zhvillohet shpejt, aq shpejt sa të përngjan sikur je me vështrim në qiellin mbrëmësor. Sheh një yll që këputet tek lë një vrragë të thellë si prush zjarri, e ani pse ylli është shuar, vazhdon të lërë gjurmë dritë në sytë e tu, në kujtesën tënde. Pikërisht për këtë thonë se poezia ka magji, është dehja e fjalëve, është fryma e shpirtit që të prek edhe atëherë kur mendon se je larg prej botës së emocioneve dhe frymëzimit. Ajo të vjen pa pasur nevojë ta thërrasësh. Ajo vjen tek njeriu në shumë trajta por në rastin më fatlum kemi metamorfimin poetik të fjalës si drithërimë drite Por a është kjo arritje e mjaftueshme për ta konsideruar se autori është në pikën më të lartë të trajektores së vet krijuese, aq më tepër se tashmë  ai është një nga autorët më të veçantë që e pasurojnë letërsinë shqipe. Duke e ditur psikologjinë e Anton Gojçajt, marrëdhëniet e tij me artin, rrethanat e jetës ku formohen prirjet dhe karakteri,  do të thosha se vetë autori do ta konsideronte të pamjaftueshme rrugëtimin e tij të deritashëm letrar. Sepse ja çfarë thotë në  poezinë e tij “Energjia e poezisë”: “Universit i duhet edhe një vers”. Pra çdo përkryerje është një shteg i ri  për të vazhduar udhën e guximshme të artit, një rrugëtim ky që nuk ka fund. Ajo çfarë dimë apo hamendësojmë për krijimtarinë e larmishme të shkrimtarit është se  lumi i Anton Gojçajt e ka gjetur shtratin e vet, një shtrat ku ai si mjeshtër, do të vazhdojë të përpëlitet natë e ditë në një shqetësim të pagjumë për fjalën e zgjedhur dhe magjinë e poezisë.

2 Libra te Anton Gojcaj 2

Filed Under: LETERSI Tagged With: i Anton Gojcajt, Kolec Traboini, Lumi

KTHJELLTËSIA E NANËS TEREZA

August 29, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

  • Bruksel, mbramje, 5 Shtator 1997. U dha pa kohë njoftimi i ndrrimit të jetës së Nanës Terezës së Kalkutës…Zbrita në sallën e televizorit ku mbretnonte heshtja.

Të gjitha stacionet tv transmetonin lajmin e trishtueshëm të vdekjes së Nanës së miljona fëmijve ma të vorfën, ndër të vorfnit e Botës.

  • Nana nuk ka moshë! Një dhimbje e madhe kishte pushtue fëtyrat e të gjithë të pranishëmve, jo vetëm në sallë, po në të gjitha qytetet e kryeqytetët e rruzullit toksor, ku lajmi mortor binte si shkreptinë rrufeje…tue rroposë gëzim e hare.. Vetem heshtje dhe njerëz të zhytun në mendime, që nuk donin me e besue…Fëtyra e qeshun e Nanës vazhdonte me joshë jetimët e vorfën të shekullit “modern”.
  • Nanë Tereza, asht lé me 26 Gusht 1910, në Shkup prej prindve Kolë e Drande Bojaxhiu, nga Prizreni i Kosovës. Shumë e re shpëton përmbrekulli nga sëmundja e tbc. Ajo periudhë asht momenti vendimtar i gjithë jetës së Saj, kur Ajo, i dedikohet “mjerimit” material të njerzimit, fukarallekut, skamit, vuejtjes, sëmundjeve shfarosëse, dhe asaj ma së vështirës pasojë e trashigueme sa shekullore në Botë: Përbuzjes së këtyne miljona viktimave njerzore.
  • Nga Shkupi shkon në një kuvend Motrash në Dublin të Irlandës. Prej atje shkon në Bengal e Kalkuta. Arrinë me bindë Papën Piu XII, në 1948 se Motra e Loretos ka zgjedhë një rrugë shumë ma të vështirë se ajo që njihët ndër kuvendet e Evropës dhe të shumë shtetëve të zhvillueme. Ajo, në 1949 asht shtetase Indjane dhe ka formue Kongregatën “Misioni i Dashunisë”, që edhe u miratue nga Vatikani.

Motivi i Saj asht: “Vorfnia për né asht Liri, nuk asht turp as, ndeshkim…!”

  • Vëndosmenia e Saj lidhej me dishka ma shumë se “pasunia” materiale e njeriut.

Dhe, njenimbastjetrit, vazhdojnë vlersimet: Në 1962, Filipinet, Afrikë; Tanzani dhe, pason Australia; Melbourne, Angli, Amerikë, Romë, prap New York, hapën institucionet në Bangladesh, Los Anxheles, e deri në Vietnam, në vitin 1975.

  • Në vitin 1976 në Indi, ka 66 shtëpi që administrohën nga Nanë Tereza, dhe 34 tjera jashta Indisë, ku Motrat dhe gjithë personeli i sherbimit kalon shifren 1350 vetë. Spitalet, shkollat dhe qendrat e mjekimit ku janë përfshi edhe strehimoret, arrijnë në 729. Ndërsa, shifra e njerzve që mjekohet ndër ato qendra apo strehohet ndër jetimore, të sëmurë me gërbulë etj…kalojnë shifrën 6 miljon vetë.
  • Në vitin 1979, me 10 Dhjetor, Nanë Tereza asht e pranishme në Oslo, ku, merr çmimin “Nobel” për Paqen. Aty, po persëris atë moment që pak vetë e shkruejnë korrekt ose e mohojnë: Ajo, kërkon korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga prirja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Jezusit!”.
  • Janë shtetët që kërkojnë praninë e Motrave të Saja, me “Sarin e Bardhë me vija ngjyrë qielli dhe të ngjeshun për parzëm Kryqin”, tue fillue nga Gjermania, Spanja, Kili, Belgjika, Etiopia, Argjentina, Guinea, Franca, Kolumbia, Japonia, Korea Jugut, Bolivia dhe Gjermania Lindore. Në muejn e kenjes Papë Pali II, në vitin 1980, takohet me Nanë Terezen, dhe Motrat e Saja, ndërsa, “Misionarët e Dashunisë”, janë në Milano, Primavalle të Romës, Napoli, Bari, Raguzë, Kalabri etj.
  • Në vitin 1980 asht “Qytetare Nderi” e Shkupit…
  • Në vitin 1988, Ajo hapë një Shtëpi edhe mbrenda rrethimit të Vatikanit. Depërton në Moskë në 1987, Çeki, Kamboxhia dhe pothuej Emni i Saj, tashma, ka pushtue gjithë skutat e globit njerzor…
  • Në vitin 1991 Ajo, vjen në Atdhe, por këte herë me pikësynime të tjera…Shqipnia ndër të fundit shtete socialiste asht e detyrueme me e pritë në “Pallatin e Sportit” në Shkoder, porsa fillon me u rikthye në thëmelet e para të Kathedrales së dhunueme të vitit 1967…Ardhja e Nanë Terezes në Atë Kishë të shkatrrueme, dukej sikur një prej veprave të artit kur, Jezu Krishti me kamxhik në dorë po dëbonte tregtarët nga Tempulli i këthyem në treg…Por, jo, Nanë Tereza vjen me Rruzaret e Zojës në duert e Saja të bekueme dhe asht Ajo, që dëboi njëherë e përgjithmonë nga zemra e Popullit Shqiptar, ateistët e mallkuem të doktrinës rrënuese të Shekullit XX jo vetëm në Shqipni, po në gjithë Evropën Lindore… E, deri larg në brigjet e tokave të akullta siberiane… Marksizëm – Lenizmi dështoi në gjithë Botën…Feja filloi ripërtrimjen e Saj në gjithë shtetët komuniste tashti të lira.
  • Ja, pra, në pak rreshta kush ishte Nanë Tereza e Kalkutës…

Edhe pse, Shqipnia i rikëthehët kausit në 1997, Nana, me ngulm kërkon Paqen…

Me forcë thërret ndalimin e armëve dhe shkrepjet e tyne barbare… “…Ju lus, mos i shkaktoni njenitjetrit ma shumë vuejtje…!”

  • Sa, domethanëse asht kjo fjali…sikur, do me na kujtue: “A nuk ju dalin boll ata vuejtje që keni kalue…po, kërkoni edhe ma shumë…?”. Megjithate, Shqipnia, vazhdon rrugën e saj drejtë pushkës e vrasjeve, drejt armëve e djegëjes së njeriut në zjarr, në rrugët e zharituna të Vlonës…Komunistët nuk njohin demokraci…Janë ata që ishin edhe para vitëve 1989 – 90, janë ata që drejtonte terroristi Ramiz Alia, nga Presidenca me datën 2 Prill 1991, po nuk duhet të harrojmë kurrë, se me ate janë edhe bijtë e atyne, që kështu kanë veprue edhe në 1944, kur erdhën në pushtet tue brohoritë: “Me gjak…me gjak…!” dhe, me të vertetë “me gjak…e me plumba ata kërkojnë me mbajtë pushtetin atëherë dhe sot..!”
  • Po, Nana e Madhe, vazhdon të lutët: “O Zot, hiqja mallkimin Tand Shqipnisë!..”

Mjeku i Saj i tha Nanë Terezes: “Mendoj se zemren Ua kanë damtue dhimbjet dhe shqetësimet  që, Ajo ndjente për të tjerët…”…E, kush janë “të tjerët..”?…

  • Janë pikërisht, Ata, që tue kenë në mjerim, vuejtje, dhimbje…Në duertë e Nanë Terezes janë “të lumtun”…kur shohin vetën nën Sarin me vija ngjyrë qielli…

Që, vazhdon edhe sot të valvitët rretherrotull globit toksor shumë të trazuem…

  • Tue Lajmue Shejtneshen e Madhe të Njerzimit: NANEN TEREZA !…

Melbourne, Shtator 2016.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Fritz radovani, Kthjelltesi, Nene Tereza

VIZITA E ISMAIL KADARESE NE STRUGE

August 28, 2016 by dgreca

Flet detari strugan, Ajrush Miftari: Ju tregoj vizitën e jashtëzakonshme të Ismail Kadaresë në nëntor 2002 në Strugë/

-Erdhi thjesht për vizitë personale, por rreth tij u  mblodhën pa u lajmëruar qindra nxënës shkollash/

-Nxënësit i kërkuan autograf Kadaresë në çanta, libra, bluza, fletore, blloqe/

-Prof. Nexhat Mustafa kur e pa u befasua, fërkoi sytë të shihte qartë/

– Prof. Nexhat Mustafa, në vitet 1970 I kishte vënë qeleshen në kokë Titos/

-Këtë gjest të tij e komentuan të gjitha gazetat serbe” Tito me qeleshe shqiptare”/

– Në mëngjes Ismaili fshurazi meje dhe Helenës, shkoi tek ura ku rridhte Drini se i bëri përshtypje

-Problem ishte fjetja, pasi duhej një hotel i sigurt, isha i frikësuar

-Fshehur prej tij ne qëndruam afër Hotelit dhe pse e siguruam në hotelin “Aakuarius” të nëj shqiptari

-Në takimin me intelektualët e Strugës, një mësues e provokoi duke e quajtur largimin e tij në Francë tradhti

Nga Albert Z. ZHOLI/

Takimi me aktivistin dhe detarin Ajrush Miftari në Strugë ishte një befasi. Një patriot i vërtetë që ngjarjet në Shqipëri I njihte më mirë se ato në Maqedoni. Ajrushi ishte ndër mbështetësit kryesorë në zonës të luftëtarëve të UCK dhe  ka organizuar ardhjen në Strugë të shumë personaliteteve të artit, kulturës dhe politikës shqiptare dhe Kosovare në këtë qytezë të bukur shqiptare. Por nga të gjitha organizimet e tij ai veçon si një festë, si ëndrrën më të bukur të realizuar, vizitën e Ismail Kadaresë. E kërkoi vizitën e tij si thjesht personale, por me ardhjen në Strugë Kadareja u ndesh me mijëra nxënës, intelektualë, qytetarë të thjeshtë që e njohën sikur të ishte vendali dhe nuk ju ndanë ëpr orë të tëra. Nxënësit e shkollave lëshonin lot gëzimi dhe nuk largoheshin pa marrë një autograf  në çantë, libër, bllok, bluzë, këmishë ku të mundnin. Ajo vizitë edhe sot (sipas tij) mbetet një histori me vete, si një pikë kulmore në jetën artistike por edhe politiko-atdhetare  të qytetit të bukur të Strugës. I shoqëruar nga gazetari palodhur Mehmet Latifi, nuk mund të lija pa marrë impresionet e kësaj vizite të madhe të Kadaresë në qytetin e kaltër të Strugës, kur merr jetë lumi më I madh I tokës arbërore Drini I Zi.

=A e kishe menduar ndonjëherë takimin me Kadarenë dhe pse e kishe ideuar këtë takim apo organizim në qytezën tuaj?

  • E kisha pasur ëndërr të realizoja një vizitë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare në Strugë. Vazhdimisht kërkoja të gjeja mundësinë të realizoja këtë ëndërr me të njohurit e mi në Shqipëri. Por kjo ëndërr u bë realitet në vitin 2003 kur  një miku im nga Pogdardecari, Ilia Disho (miku im)shoqëronte në Ohër Ismail kadarenë. Ishte nëntor i vitit 2003. Së bashku me një shokun e tij Ilia kishte marrë në veturë Ismail Kadarenë dhe Elenën për një vizitë në Ohër. Ishte dëshira e Ismailit vizita në Ohër. Kur mbërritën ën Ohër dhe ndenjën disa orë miku im Ilia Disho më merr në telefon dhe më thotë se jam në Ohër me Ismail Kadarenë. U befasova. Mora makinën dhe u nisa menjëherë në hotelin ku më tha miku im. Pasi u takova I thashë dhe i bëra prezent Ismailit ëndrrën time që ai të vinte në Strugë. Për shumë minuta ai nuk më ktheu përgjigje. Dukej haptazi që nuk donte. Por këmbëngula ime e habiti. Përse kërkon me insistim më tha? Sepse dua që qytetin tim ta vizitoj shkrimtari që e kanë zili të gjithë maqedonasit dhe serbët I thashë serbes. Ai u çudit me përgjigjen time. Më pyeti se sa shqiptarë ka Struga. I thashë mbi 50 % (para13 viteve sepse sot dominimi është absolute) dhe pjesa tjetër ka nga disa kombësi. U bind. Gjatë rrugës më tha, duhet at kesh të qartë që vizita ime është thjesht personale, pra për vizitë pa asnjë angazhim vetëm për të njohur këtë qytet shqiptar. Dakord i thashë. Gjatë gjithë rrugës nga Ohri në Strugë ai më bënte pyetje të ndryshme, për marrëdhëniet me maqedonasit, për gjuhën, shkollat, punën, për klimën, etj….Ishte kurioz për çdo gjë. Shihte me vëmendje çdo gjë që I kalonte para syve.

-Ku ndaluat kur shkuat në Strugë?

-Së pari ndaluam tek lokali im “Dredhëza”. Pimë nga një kafe dhe filluam biseda të ndryshme. Unë po I përmbahesha dëshirës së tij dhe nuk bëra asnjë lajmërim tek intelektualët dhe njeërzit e tjerë të ketrave në Strugë.

-Si vazhdoi vizita e mëtejshme në qytet?

-Kur u çlodhëm disi dhe pimë kafetë me rehat Ismaili më thotë të dalim dhe të vizitojmë me këmbë qytetin. Shumë dakord i thashë. U nisëm përgjatë rrjedhjes së Drinit. Ai tek ura e Drinit të Zi ku zë fill lumi më i madh i joni pyeste dhe shikonte me kërshëri. Habitej me çka shikonte. Pyeste për detaje që as unë si çoja në mend. Nga vinte uji, si rridhte, ku kalonte, a kishte pengesa, sa i thellë ishte, , sa metër kub në sekondë ishte rrjedhja normale, kur ishin ndërtuar kaskadat, e shumë pyetje të tilla. Kur hymë në  shëtitoren kryesore të qytetit kurioziteti i tij për çdo gjë që shikonte shtohej dhe më tepër. Në këtë kohë na del përpara Prof, i kimisë dhe biologjisë  Nexhat Mustafa. Ai kishte një simpati të jashtëzakonshme për Ismail kadarenë. Ishte me nipin. Kur pa Ismailin shtangu. Nuk e besonte dhe filloi të fshinte sytë. Tek ai u pa një gëzim i jashtëzakonshëm, që se kam parë kurrë tek një njeri tjetër në jetën time të gëzohej aq shumë, kur takohet me një shkrimtar si Ismaili. Ju turr duke harruar për një moment edhe të nipin. Kadareja ën fillim u tkurr pasi nuk e priste atë  vrull takimi. Menjëherë Nexhati u prezantua dhe I shprehu simpatinë. Filluan të bisedonin. Pastaj Prof. Nexhati u shkëput për të çuar nipin në shtëpi dhe më pas nuk u nda nga ne. Prof. Nexhati ka qenë një ndër emrat më ët spikatur intelektual të Strugës. Ai ka pasur një moment shumë domethënës gjatë një vizite që ka bërë Tito në Strugë rreth viteve 1970.

-Çfarë moment ka qenë ky?

-Eh, ishte një moment që ka bërë bujë në mediet e kohës. Dihet që Tito ishte me autoritet të jashtëzakonshëm.  Atij nuk I afrohej njeri. Madje shoqëruesit e tij ishin tejet të rreptë. Gjatë vizitës në Strugë ai shoqërohej nga një eskortë e fuqishme që nuk lejonte takime të drejtpërdrejta.  Madje askush nuk e mirte mundimin ta takonte dhe jo më të bisedonte. Por ja ndodhi ajo që nuk besohej. Në një moment kur do shkonte pranë makinës, Prof. Nexhati i afrohet dhe i vë një qeleshe në kokë. Në fillim të gjithë shtangën. Dihej kudo në ish-Jugosllavi qe qeleshja ishte pjesë e veshjes kombëtare shqiptare, madje veshje specifike kombëtare shqiptare që nuk e ka asnjë vend tjetër në botë. Pra kjo qeleshe e bëri Titon të indetifikohej si personalitet shqiptar. Duke parë guximin por dhe stepjen e shoqëruesve, Titua për të ndryshuar atmosferë dhe të mos e jepte veten para kamerave të shumta, buzëqeshi.  Ky gjest ngjalli shumë diskutime, por kryesore ishte se veprimi I Prof Nexhatit në të gjithë qytetin u konsiderua si akt heroik dhe atë e vlerësonin shumë në qytet. Për këtë frymë atdhetare ai dallohej gjithmonë ndaj dhe e shprehu dhe në takimin me Kadaranë e madh që ai e kishte idhull.

-Si vazhdoi shëtitja e Ismailit në shëtitoren e Strugës pas ëktij takimi?

-Sa u ndamë nga Prof. Nexhati, u nisëm lart për tek lokali im “Dredhëza” në qendër. S’kishim bërë as dhjetë metra rrugë kur rreth Ismailit u mblodhën qindra nxënës të shkollës 9-vjeçare. As unë nuk e besoja që pa i lajmëruar njeri, pa ditur a ishte ai, ju mblodhën rreth si buqetë me lule. Befasi! Kjo besoj nuk ka ndodhur as në Tiranë. Ku e njohën ata fëmijë të vegjël, aq më tepër që s’kishin pasur kurë kontakt fizik me të? Fëmijët e Strugës të njihin si të ishin rritur afër shtëpisë së tij Kadarenë e madh askush nuk e besonte. Ata nuk shkuleshin nqs nuk merrnin një autograf në çanta, libra, bluza, fletore, blloqe. Kjo situatë zgjati mbi dy orë. U bë një miting i rastit. Përreth u mblodhën mbi 600 veta. Policët erdhën disa herë për të parë çfarë bëhej. Kur dëgjonin dhe panë Kadarenë rrinin sit ë shushatur. Kjo tregonte se dhe ata e njihnin mirë shkrimtarin tonë të madh. Madje shprehnin admirim nëpërmjet gjesteve të ndryshme.

-Gjithë kjo dëshirë për takim, Ismaili nuk e pa të arsyeshme një takim?

-Kur u ulëm për kafe rreth nesh erdhën shumë intelektualë. Ata kërkuan një takim të domosdoshëm me të. Pas një mëdyshje Kadareja pranoi dhe ne pamë orën 18-00 të mbrëmjes për takim. Takimi do të bëhej në sallën e Kulturës. Në këtë takim erdhën të gjithë intelektualët e qytetit ku do të veçoj, Prof. Nexhat Mustafa, dr. Nuhi Vinca, dr. Rahmi Tuda, Nuri Mazari (ose Komandant Struga), Xhemal Hajredini (Prof. i gjuhëve të huaja) Agim Mlita, etj..

-Cilin ishin pyetjet kryesore/

-Pyetjet ishin mbi gjendjen politike në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Maqedoni. Pati edhe pyetje me karakter letrar. Por pyetja më e rëndë që rrezikoi deri diku takimin ishte e një mësuesi, I cili pasi e pyeti pse u largove në vitin 1990 nga Shqipëria, vazhdoi duke thënë: A nuk ishte kjo një lloj tradhtie në atë kohë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje Kadareja u mundua ta sqaronte me korrektësi dhe durim dhe pse e pikasi që ishte provokuese. Por argumentet e tij ishin shumë të qarta dhe të besueshme. Ky takim zgjati mbi dy orë. Ishte një takim, i gjatë, i lodhshëm, por shumë I domosdoshëm. Aty mësuam shumë gjëra dhe ky takim ka hyrë në historinë e qytetit. Me thënë në shumë pyetje kishte tendenca provokimi, dhe unë u befasova me qetësinë e Kadaresë. Ai u dha shpjegim për çdo pyetje.

-A e patë veten ngushtë në ndonjë moment gjatë kësaj vizite?

-Në çdo moment isha në siklet. Në çdo moment prisja të ndodhte diçka. Isha ën siklet se e kisha marrë unë përsipër këtë vizitë. Kadareja kishte bujtur në shtëpinë time dhe unë isha përgjegjës për çdo gjë. Kisha frikë nga ndonjë maqedonas provokator, kisha frikë nga ndonjë shqiptar besnik I Enverit. Pra në çdo rast isha në siklet. Por mbi të gjitha ajo ishte një vizitë personale dhe u kthye në një miting disa orësh. Situata në çdo sekondë mund të dilte nga kontrolli. U bëra me dhimbje zemre (qesh).

-Ku fjeti atë natë Kadareja?

-Ah ky ishte sikleti më i madh. Ta mirja në shtëpi nuk kisha besim pasi ata kanë jetën e tyre, kërkesat e tyre dhe nuk do ndiheshin qetë.  Bisedova me shumë miq dhe vendosëm ta çonim tek Hotel “Akuarius” i cili ishte në pronë të një shqiptari.  Kështu e hoqëm këtë siklet duke biseduar me recepsionistin që deri ën të gdhirë të mos e shqetësonte njeri. Madje unë me disa shokë qëndruam tek bari Hotelit deri në mëngjes.

-Nuk pati ndonjë incident?

-Ah! Të nesërmen nga ora shtatë shkova në hotel. Qyteti gumëzhinte. Marr në telefon dhomën e Kadaresë. Më del Helena. Pasi e pyes si e kaluan natën I them ku ndodhet Ismaili.  Më tha se më njoftoi do dal tek bari hotelit. Shtanga. Aty nuk kishte njeri. U nisa me vrap përgjatë shëtitores buzë Drinit. Nxitoja tek kryqëzimi I liqenit me lumin. Nga larg e pashë tek ura e Drinit që e këqyrte me shumë  vëmendje. U lehtësova. Ku nuk më shkonte mendja. Pas disa minutash rreth tij u mblodhën shumë njerëz, por tashmë isha I sigurt.

-Si u shpreh kur u largua?

-Më tha se ishte një ndër vizitat surprizë të jetës së tij. Nuk e priste këtë mikpritje dhe tha se do të vij sërish.  E presim.

-Keni pritur shumë personalitete të tjerë shqiptarë?

-Kam pritur, por më shumë vitet e fundit kam pritur intelektualët patriotë, ata që luftuan për lirinë e Kosovës, por edhe luftëtarët  tanë të UÇK. Patriotizmi duhet mbajtur lart. Pa patriotizëm do humbasim çdo gjë që kemi fituar. Këtu kanë ardhur shumë veteran të luftës në Kosovë, ku mes tyre do të veçoj dhe Nënë Loken, Vitore Stefa Leka, e cila ka qenë pjesë e kësaj lufte. Gjaku i derdhur për atdhe nuk duhet harruar kurrë. Ne kemi ruajtur gjuhën në situate të vështira jo më sot. Ndaj e kujtoj gjithmonë vizitën e Kadaresë, pasi aty [pamë se si na lidh gjaku. Aty pashë se si e njihin të vegjlit, kur unë në rrethana të tjera edhe mund të mos e njihja.

 

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Ismail Kadre, Struge, vizita

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT