• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2016

PRESIDENTI NISHANI DEKORON INDIVIDE NE DIASPORE

September 24, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani vlerëson figura dhe personalitete me kontribute të spikatura të Bashkësisë Shqiptaro-Amerikane: Krenarë që jemi shqiptarë!/

24 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi dhe çmoi në një ceremoni mbresëlënëse dekorimi në prani të shumë bashkatdhetarëve, kontributin mjaft të rëndësishëm të disa personaliteteve shqiptaro-amerikane me veprimtari të shquar atdhetare e shoqërore.

Kryetari i Shtetit shqiptar, i mikpritur ngrohtësisht së bashku me Zonjën e Parë Odeta Nishani në një atmosferë festive në Manhatan, shprehu kënaqësinë dhe emocionin e madh të shkaktuar nga takimi me bashkatdhetarët, duke vlerësuar në të njëjtën kohë atdhedashurinë dhe vullnetin e tyre për të ruajtur ndër breza identitetin dhe frymën kombëtare në shtetin më të fuqishëm e më demokratik në botë, në zemër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të dhënë ndaj demokracisë dhe institucioneve shqiptare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qeverive të saj në kohët më vendimtare të historisë së kombit shqiptar, ndaj shqiptarëve kudo ku janë: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri.

“Kjo traditë do ta vazhdojë në ditët, muajt, vitet, dekadat dhe shekujt në vijim miqësinë mes Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës” – theksoi Presidenti.

Presidenti Nishani çmoi rolin thelbësor e të pamohueshëm të Diasporës shqiptare për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të vërteta njerëzore e traditave të mrekullueshme të shqiptarëve.

“Ky vlerësim është për ju që jeni sonte në këtë sallë, për qindra mijëra shqiptarët kudo në Shtetet e Bashkuara, për familjet tuaja, të cilat ju mësuan jo vetëm respektin për të parët tuaj, por ju lanë trashëgim edhe respektin dhe krenarinë e të qenit shqiptarë”. – vuri në pah Presidenti Nishani.

Në veçanti, Kreu i Shtetit vuri në pah kontributin e jashtëzakonshëm dhe atdhetar, nëpërmjet ceremonisë zyrtare të dekorimeve, ku, u vlerësuan me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Stan Dragoti me motivacionin: “Në vlerësim të krijimtarisë së tij të pasur kinematografike, rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë ndaj forcimit të lidhjeve të gjithanshme amerikano-shqiptare, si dhe përfaqësimit dinjitoz si artist i rrallë, duke lartësuar emrin e kombit shqiptar kudo në botë”; me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Gëzim Nika: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar artistike dhe kontributin e rëndësishëm shumëvjeçar në lartësimin dhe përçimin e vlerave të rralla e të vyera të muzikës popullore shqiptare” si dhe me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” zotin Musli Mulosmanaj: “Në vlerësim të qëndresës fisnike e të paepur ndaj përndjekjes së diktaturës, si dhe me mirënjohje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, kontributin e qenësishëm dhënë për mbrojtjen e përparimin e çështjes shqiptare”;zotin Vehbi Bajrami: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për veprimtarinë e tij të spikatur atdhetare si dhe për kontributin e rëndësishëm mediatik në mbajtjen gjallë, përhapjen dhe lartësimin e vlerave më të çmuara të kombit tonë në bashkësinë shqiptaro-amerikane”; zotin Sami Repishti me motivacionin: “Me mirënjohje për vuajtjet e sakrificat e parrëfyeshme, përpjekjet mbinjerëzore dhe qëndresën stoike ndaj diktaturës komuniste. Në nderim të veprimtarisë së palodhur atdhetare për çështjes kombëtare, si dhe në respekt të rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; farkëtues i lidhjeve të gjithanshme shqiptaro-amerikane, duke u shndërruar në një simbol të rrallë e të vyer të shqiptarizmit”; zotin Frank Shkreli me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”.

Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu zonjën Lisa Milicaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e saj të shquar sipërmarrëse dhe politike, si dhe në vlerësim të arritjes së saj historike, duke qenë gruaja e parë shqiptaro-amerikane e zgjedhur në Shtetin e Nju-Jorkut; kontribuese e devotshme publike në mbrojtje, përhapje dhe lartësim të vlerave e parimeve të shenjta të lirisë dhe demokracisë” dhe zotin Lui Fundo me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare dhe sipërmarrëse, si dhe në vlerësim të kontributit të vyer dhënë në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Presidenti Nishani u shpreh se: “është kënaqësi e veçantë të jem në mesin e bashkëkombësve të mi, të cilët kanë ardhur këtu për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten e tyre, por nuk kanë harruar asnjëherë nga kanë ardhur dhe kush janë. Çdo ditë të jetës dhe punës tuaj në Amerikë, ju e keni dëshmuar se çfarë do të thotë të jesh shqiptar dhe ta duash vendin tënd. Ju keni bërë që miqësia shqiptaro-amerikane të thellohet dhe keni qenë faktor i rëndësishëm që çështja shqiptarë të jetë në agjendën amerikane. Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën e shqiptarëve për liri edhe atëherë kur ajo dhunohej nga vetë ne shqiptarët. Ju keni mbajtur të gjallë ëndrrën për liri edhe atëherë kur ajo na mohohej nga të tjerët.

Shqiptarët e Amerikës, të gjithë brezat kush më shumë e kush më pak, dikush më miqësitë në nivele të larta politike, dikush më miqësinë me median, dikush më kontribut financiar e fizik, e dikush tjetër duke mbajtur familjet e tyre në trojet shqiptare, keni dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët një kontribut të jashtëzakonshëm. Kur askush në këtë anë të botës nuk e njihte Shqipërinë, diaspora e hershme këtu, ka bërë që Amerika të ishte në anën e shqiptarëve. Kur shteti zyrtar shqiptar vetëshpallej armik i Amerikës, ju shqiptarët e Amerikës keni bërë gjithçka që keni pasur mundësi që Amerika mos t’i braktistë shqiptarët mos ta harronte çështjen shqiptare. Kur ne po rigjenim lirinë pas errësirës së komunizmit, ju shqiptarët e Amerikës ishit të parët që ndihmuat, të parët që rivendosët lidhjet mes dy vendeve tona, dhe të parët që erdhët për ta rindërtuar dhe ringritur Shqipërinë, tashmë ashtu siç e kemi ëndërruar gjatë. Kur Kosova ishte në rrezik shfarosjeje, ju ishit të parët për të ngritur zërin, për të ndërgjegjësuar administratën amerikane për rrezikun që po iu kanosej shqiptarëve. Nuk u ndalët me kaq, po ndihmuat më qindra e mijëra familje kur ato kishin më së shumti nevojë, djemtë tuaj ishin vullnetarë dhe të patrembur në luftë për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe ishit të parët që investuat për të ringritur Kosovën e shkatërruar nga lufta dhe gjenocidi. Ju çdoherë dhe në çdo kohë keni punuar dhe vepruar që sot të gjithë ne të themi me mburrje: JAM SHQIPTAR!

Kontributi i shqiptarëve të Amerikës është i veçantë i pazëvendësueshëm dhe që meriton mirënjohjen e shtetit shqiptar. Sonte, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam vendosur që të dekorohen disa figura të shquara të diasporës shqiptare të Amerikës, por, secili shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare. Çështja kombëtare nuk është retorikë, por një kolonë thelbësore e identiteti tonë, dhe për ju në këtë vend të madh e të lirë ka qenë e mundur të punohet e të merren rezultate për çështjen kombëtare. Prandaj ne duhet të frymëzohemi, të ruajmë identitetin tonë dhe para të gjithash me krenari origjinën tonë: JAM SHQIPTAR!

Zoti e bekoftë popullin amerikan! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë në botë!” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti Nishani.

Në përfundim të kësaj pritjeje me bashkatdhetarët Shoqata e Policëve Shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shprehu Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e Tij besnike e të përkushtuar që ka treguar ndaj anëtarëve të Komunitetit Ligjzbatues Shqiptaro-Amerikan në të gjithë Amerikën.

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: diaspore, figura, presidenti Nishani, vleresim

VATRA PROMOVON LIBRIN E MINISTRIT ENVER HOXHAJ

September 23, 2016 by dgreca

Federata “Vatra” do të promovojë të Dielën në orën 7 të mbrëmjes në Royal Regency Hotel, Yonkers, New York, librin “Ngritja e një shteti”  të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj…Mos humbisni rastin. Hyrja e Lire./

Federata Pan-Shqiptare në Amerikë “Vatra” organizon promovimin e librit “Ngritja e një Shteti” të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Libri që do të promovohet këtë të diel në New York, është botuar para dy muajsh në Kosovë dhe flet për aspektet e politikës së jashtme të Kosovës dhe ngritjen ndërkombëtare të shtetit më të ri.

I mirëpritur nga lexuesit, edhe në panairin e fundit të librit në Prishtinë, libri analizon aspektet praktike të sjelljes së Kosovës në politikën e jashtme, raportet brenda dhe jashtë, si dhe merr në konsideratë një kornizë intelektuale dhe akademike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Veçmas, Hoxhaj në libër i kushton një kapitull të veçantë ngritjes së cështjes së Kosovës në vitet 90-ta dhe rolin që ka luajtur diaspora shqiptare nëpër botë vecmas ajo në SHBA.  Aty mes të tjerash thuhet se “Shqiptarët në Amerikë kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e cëshjes së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe Dapartamentin e Shtetit. Angazhimi i tyre ishte jetik edhe gjatë luftës e deri në shpalljen e pavarësisë”.

Një aspekt tjetër që përmban libri i ministrit Hoxhaj është raporti i Kosovës si shtet i vogël me botën jashtë, sjelljen në një rend botëror gjithnjë e më të ndërvarur dhe përdorimin e fuqisë së butë si kompensim i mungesës së fuqisë së fortë sikurse ushtria, fuqia ekonomike apo gjeografia e madhe. Diskuton gjatë konceptet e fundit akademike dhe praktike se si shtete të caktuara në botë janë përpjekur ta ushtrojnë këtë koncept të ri të diplomacisë, i sjellë së fundit nga Joseph Nye. Duke iu referuar Kosovës, Hoxhaj shkruan se “shtetet e vogla, pos nevojës së mirëpërdorimit të instrumenteve të fuqisë së butë, në mënyrë që të mbijetojnë dhe ngriten vazhdimisht në rrafshin ndërkombëtar duhet të jenë në një raport të veçantë me një superfuqi”, duke iu referuar marrëdhënies së Kosovës me SHBA-të.

Në mesin e shumë temave që trajtohen në libër, ka edhe momente të përvojës personale që Hoxhaj i përshkruan edhe pse libri nuk është një autobiografi e tij, siç autori edhe e shpjegon në parathënie. Madje ka momente, ku Hoxhaj i qëndron besnik gjykimit të lirë intelektual të tij teksa shfaqet i sinqertë kur pranon ndikimin ‘pozitiv’ në formë presioni që shpesh miqtë ndërkombëtarë kanë ushtruar ndaj Kosovës.

Ai përshkruan marrëdhënie të caktuara me politikanë të Kosovës, ndërkombëtarë dhe veçmas ata serb si Vucic e Dacic, me të cilët ‘ironizon’ për mënyrën e sjelljes politike sot e që në fakt janë relikte të së kaluarës të Millosheviqit. Enver Hoxhaj, në librin “ngritja e një shteti” analizon gjatë nedhe marrëdhëniet e vështira me Serbinë, siç i përshkruan aty dhe kërcënimet e Kosovës siç janë ISIS, Rusia dhe ndikimi në Ballkan apo tendencat ndonjëherë të pakuptueshme neo-otomane në Kosovë dhe rajon.

Pjesa e fundit e librit, dhe jo më pak e rëndësishme, është rezervuar për mendimin strategjik që duhet ta ketë Kosova në sjelljen e saj në vitet e ardhshme. Diçka që Hoxhaj e përshkruan si të nevojshme dhe e ndanë në tri rrathë. “Të gjitha këto janë trajtuar në detaje deri më tani, qoftë si domosdoshmëri bazike të vendit, qoftë si projektim i së ardhmes nëpërmes simbolikës së rrathëve gjeometrikë – Evropa Juglindore, sfera euro-atlantike dhe OKB-ja, duke i shërbyer idesë kryesore të librit për krijimin e një mendimi strategjik” shkruan Hoxhaj. Kjo pjesë, që mund të merret edhe si ‘doktrina Hoxhaj” analizon në detaje sjelljen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme që do të duhej të përmbyllej me anëtarësimin në OKB dhe hyrjen e plotë në sistemin ndërkombëtar.

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Enver Hoxhaj, ngritja e nje shteti, promovim, Vatra

O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut!

September 23, 2016 by dgreca

*Raimonda Moisiu u rizgjodh kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,Nën/kryetar Vlashi Fili, sekretare- Dr.Yllka Filipi, President- Adnan Mehmeti.

 Shkroi per Diellin: Dr.Yllka FILIPI0- New Jersey, U.S.A/

15 vite më parë, emigrantë krijues të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, e të vendosur në distancat më të skajshme të kontinentit amerikan, u gjendën të gjithë bashkë me një shtrëngim dore, si një përflakje zemre, u ulën nën një pemë të lashtë dhe lëshuan një sasi rrënjësh në një terren të shpërbërë.Ishtë një atdhe i dytë, atdheu i vargjeve, i poezisë…Sot, Diaspora Shqiptare ndjehet krenare që ka në gjirin e saj shkrimtarë, poetë, artistë, publicistë, autorë, piktorë, pedagogë, artistë e shkrimtarë me emër e  famë, veprimtarë dhe aktivistë të çështjes kombëtare, patriotë dhe adhurues të artit e letërsisë në përgjithësi që i shërbejnë qëllimit të universit të të drejtave të Komunitetit Shqiptar dhe atij Krijues, intelektual e qytetar, në një status të barabartë me botën e qytetëruar amerikane, vazhdimësisë e përjetësimit të traditës, kulturës, gjuhës, historisë së letrave shqipe, ashtu sikundër kanë bërë paraardhësit në ecje me kohën, duke dëshmuar potencialin intelektual, dijet e aftësitë krijuese, talentin e padiskutueshëm, vlerat dhe virtytet e tyre duke forcuar urën lidhëse midis Diasporës e Atdheut. Viti 2016 shënon zgjedhje të reja në kryesinë e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, vit që përkon edhe me 15-vjetorin e themelimit të saj.

Këtë vit do të kremtojmë 15 vjetorin e themelimit të grupimit tonë. Jemi të lumtur dhe me fat, që do të mblidhemi dhe do të festojmë bashkarisht. Në këtë event do ta kemi në dorë librin “Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikanë” (Aktivitete dhe krijimtari).-shprehet presidenti i SHSHSHA-së, z. Adnan Mehmeti.

Rrethana të caktuara jetësore i hodhën këta krijues matanë Atlantikut, prej nga (pavarësisht distancave jashtëzakonisht të largëta), pa zhurmë, tym e flakë, ashtu thjesht, heronj të heshtur të penës, verbtaz ditën ta gjejnë rrugën e përbashkët; në fakt nuk është as rrugë, është një shteg mbuluar nga shkurret, nga ku për të gjetur udhën dhe burimin e dritës, pena/shpatë duhet mprehur mirë e vazhdimisht. Pavarësisht prapambetjeve në shumë aspekte që paradoksalisht vërtiten gjithnje brenda një rrethi vicioz pazgjidhshmërie, si rezultat i mbishtresëzimit subkulturor dhe njëfarë kaotizmi konvencional shpesh artificial, atdheu ynë metamorfozohet në një aureolëindividësh që propogandojnë imazhin e njeriut modern, (mjerisht kurrë në një mendje, patologjikisht  drejt zvetënimit dhe asimilimit, bjerrjes së arkitekturës së shenjtë shpirtërore, e vetmja që mund tëtrashëgohet falas, mbi shtyllat e  dashurisë dhe humanizmit), dhe masës së gjerë të popullit mbytur në mjerim, sëmundje e luftë për mbijetesë, bijve jashtëzakonisht të talentuar të së cilëve kurrë nuk ju hapën dyert e ardhmërisë.

Kur shkelëm për herë të parë tokën amerikane, pasi lamë pas një qiell me re të përndezura nga flakët e mallit që do na kaplonte jo shumë larg, por brenda të nesërmes së asaj dite, për atë tokëz të vogël, të rrudhur, të mplakur, të bërë doçkë, (bobo, m’u fanit mëmëdheu si një plakë, nënokë e përvuajtur, e mjerë, me një shkop në dorën e djathtë tek dridhej nga i ftohti a nga dhimbja, nga uria a nga tmerri, se bijtë dita-ditës po i gëlltisnin qiejt e tjerë atje përtej largësive të parrokshme nga syri (a shpesh edhe nga imagjnata, aq të frikshme ishin!!!), dhe vështrimi i tmerruar u ndal në kraharor, ja shoh mushkëritë e tejdukshme që pompojnë oksigjenin e brengës, qartë e pastër njësoj si në grafinë që bëmë javën e fundit përpara nisjes larg, dhe papritur e gjithë kështjella prej rëre e ëndrrave, ra pa zhurmë e u derdh nëpër këmbët tona, u fut nëpër gishtërinj duke na e  bërë më të vështirë ecjen dhe papritur, për herë të parë në një tokë të re, të pashkelur kurrë, ndjemë dëshpërim të thellë. Ishtë dëshpërimi i poetit! Më ra ndër mend një thënie e vjetër greke:Tymi në atdhe është më i mirë, se sa zjarri në dhe të huaj.(Kujtojmë se ndëshkimi më  madh për këtë popull nuk kanë qenë vrasjet, por dëbimi nga atdheu!)

Ndaj jam e sigurt se të gjithë krijuesit që mbërritën shumë vite përpara nesh këtu, kanë përjetuar ndjesi të veçanta si kjo, ndjesi që vijnë spontanisht e pa rrapëllimë, por që sapo prekin lëkurën tënde, me këmbëngulje e kokëfortësi nxjerrin tym e flakë, shkundin këmbët e duart e përpëliten gjersa të përmbushet dëshira. Edhe pse janë kohë të rënda, instiktivisht e gjejnë njeri-tjetrin symbyllazi, e ndërsa ulin penën dhe luten, vështrimi tretet larg, përtej ujërave të oqeanit, tek zemra e krisur, tek shpirti, tek njerëzit e afërm, tek miqtë e shokët, tek ish-kolegët, tek rruga e pafshirë, tek lagjja e vjetër, shtëpia përdhese, çatia e rënë, dyqani i bukës, këpucët me baltë, shkolla, ah, shkolla, tek kafja përballë, stacioni i trenit si në trenat e lindjes… tek lypësi që luan simfoninë e pendesës, tek mbrëmjet poetike të Agron Tufës, tek vrapi nga kodrat e liqenit të tharë, tek kacafytjet e pushtetarëve, tek vdekja e nënës me foshnjën në bark, tek mallkimi, tek bekimi… Kështu që lindi nevoja e ndërtimit të një Katedraleje Shpirtërore.

Por: Si lindi kjo Katedrale në Ekzil? Kush trokiti në Qiellin e Muzave? Sa herë? Sa fort? Sa gjatë?

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë u krijua si domosdoshmëri e vazhdimit të traditës kombëtare, idealeve patriotike dhe atdhetare, kulturës, gjuhës, trashëgimisë së vlerave shpirtërore, duke u bërë kështu ambasador të identitetit kombëtar dhe zëdhënës shpirtërorë të plagëve të atdheut. Një pjesë e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë i përkasin Letërsisë Postkomuniste të Diasporës, por radhët e saj vijojnë e shtohen nga viti në vit me  shkrimtarë, poetë, publicistë, studiues, dijetarë, historianë, filozofë, politolog, gjuhëtarë, përkthyes, gazetarë, patriotë, dhe dashamirës të artit e letërsisë që jetojnë, punojnë e shkruajnë në emigracion, aty ku ngërthehen ëndrrat e paraardhësve me rrënjët historike të së shkuarës, aty ku Fan Noli, Faik Konica, Arshi Pipa, Isuf Luzaj flasin ende shqip dhe trondisin botën, duke i zbutur sadopak plagët e mëmëdheut, me mjaltin e penës.

Ja si shprehet krijuesi dhe gazetari Beqir Sina, 21 gusht 2003 “Si krijues, të ndodhur në kushtet e vështira të emigrimit, qe fat i madh që e gjetëm njëri-tjetrin (…) Kjo lidhje, ky bashkimqë u pagëzua si Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, tregon se të gjithë ne, duke mos përdorur asnjë lloj përcaktimi në cilësi apo sasi veprash të shkruara, gjendemi në të njëjtën udhë plot rreziqe, ku ecim në kërkim të një shtegu, i cili do të na çojë vazhdimisht e kurdoherë drejt të bukurës në art. Dhe për të gjetur këtë shteg unë mendoj se duhet të jemi të qartë e tëkthjellët(…) me një frymë të bekuar.*

I pari që hodhi idenë për të krijuar një urë shpirtërorë lidhëse në të dyja kahet e Atlantikut, në konvergjencë me idetë e paraardhësve të atyre që shënuan fillimet e vazhdimësisë së integritetit të letrave shqipe tek emigrantët shqiptarë, me lindjen e gazetës “Dielli” e “Kombi”, themelimin e “Vatra”-/ës dhe Rilindjes Kombëtare, ishte poeti dhe studiuesi Dr. Gjekë Marinaj, i cili hapi një shteg historik, Themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, përjetësimin e përvojës letrare  dhe identitetit kombëtar në mbarë botën shqiptaro-amerikane. “Transmetimin e vlerave kombëtare ndër breza, të gjuhës, traditës, historisë dhe identitetit shqiptar: përpjekjet për të mbajtur gjallë shpirtin krijues”. Mandatin e parë si Kryetar i Shoqatës do ta mbajë shkrimtari dhe mjeshtri i rrëfimit e dialogut z. Naun Prifti, nga sekretarët, Sami Milloshi dhe Luigj Cekaj. Pena e mprehtë e lirikës së Kolec Traboinit, shkrimtarja e gazetarja Albana Mëlyshi Lifschin e cila midis të tjerash përcolli nën dritën realiste të tragjizmit, shpërnguljen biblike, masakrat dhe heroizmin e popullit martir të Kosovës, nga genocidi serb, “Children of Kosova-Stories of horror”- për ngjarjet e vitit 1999-të, libër që tronditi shekullin dhe vuri në lëvizje të drejtën. Prof. Peter R.Prifti, vijojnë radhët me poeten Rozi Theohari,(sekretare dy mandate), poetja dhe aktivistja e “Vatra” dhe “Dielli” në Amerikë, Merita Bajraktari McCormack, shkrimtari Petraq Janko Pali (sekretar dy mandate), Dr. Selaudin Velaj, aktivist i shquar i çështjes kombëtare, bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë prej mëse 30 vjetësh i At’Arthur Liolinit, klerikut të nderuar e pasardhës i Fan Nolit, mbështetës dhe anëtarëve të Shoqatës që me themelimin e saj: poetin martir të Demokracisë Viktor Martini, Prof. dr.Thanas Gjika, shkrimtarin Spiro Gjikondi, poeti Luigj Cekaj,  poetja Julia Gjika, Genc Leka, poetja Sidorela Risto, Kreshnik Ndreu, Lek Gjoka, Marash Mali,Andon Kote, poeti Sami Milloshi, Tom Paloka, Nikolin Markaj, Ferhat Ymeri,etj.

   “Mblidhnu tok si kokrrat n’sheg”- la amanet poeti kombëtar At Gjergj Fishta! I beftë, si një agim mes territ dhe dritës, nga Tempulli i mëmëdheut lindi një Katedrale, brenda ikonave të së cilës shpirti lutet e falet, urtohet, trazon ujërat e fatit të kombit me majën e hollë të penës, gurgullon, kërkon dritë, lëçit,hap rrjedha drejt ardhmërisë, prej nga un-i krijues është zëri, fuqia, një pjesë e arterieve të kombit shqiptar në tokën amerikane.

Ishte viti 2001, i mijëvjecarit të ri! U themelua Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me Presidentpoetin Gjekë Marinaj, Poeti emblematik i Letërsisë Postkomuniste të Diasporës dhe publicisti i mirënjohur nga Presheva, z.Adnan Mehmeti, u zgjodh në vitin 2009 President i Shoqatës, status që e mban aktualisht.

Në dy mandate radhazi, Kryetar i Shoqatës u zgjodh shkrimtari Ramiz Gjini i cili punoi me përkushtim e devotshmëri dhe shoqata njohu progres të jashtëzakonshëm.Në vazhdën e traditës, dy mandate radhazi si Kryetar i SHSHSHA-së ka qënë poeti dhe prozatori Dalan Luzaj, autor i disa vëllimeve me poezi e prozë, e hulumtime letrare. Këze Zylo është zgjedhur sekretare për shtypin dhe informacionin në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.Vijojmë me kontributin e Nënkryetarit të Shoqatës, për disa mandate e poetit e prozatorit pejan, Mëhill Velaj. Poeti Kostaq Duka-  ka qenë Sekretar i SHSHSHA-së, duke vazhduar traditën me shkrimtarin dhe publicistin Pierre Pandeli Simsia si sekretar i SHSHSA-së, me një mandatet në vazhdim.

Në Letërsinë post-komuniste të Diasporës, poetja dhe publicistja Iliriana Sulkuqi, gëzoi një mandat, si Nën/Kryetare e Shoqatës, e shpallur Ambasadore e Paqes. Poeti e Prozatori Fatjon Pajo, Shkrimtarja investigative nga Mitrovica Teuta Shabani Towler, Eleonora Gjoka Kosta risjell imazhin e figurës së gruas nga mitologjia në kohët moderne.

Nën presidencën e z.Adnan Mehmeti, Shoqata ka pasur rritje në anëtarësim dhe krijimtari në nivel të admirueshëm artistik e krijues, aktivitete të ndryshme me taban historik, kombëtar, atdhetar e letrar. Nën kujdesin e drejtpërdrejtë të z.Mehmeti, vazhdon botimi i  revistës “Pena”, organ letraro-artistik, kombëtar e historik e cila gjendet në Bibliotekën Amerikane, në atë të Federatës Pan Shqiptare “Vatra” dhe Bibliotekën e Kishës Autoqefale Shqiptare e Shën Gjergjit, e Fan Nolit, Boston.

Kryetarja e SHSHSHA-së, zonja Raimonda Moisiu, është e njohur si poete, përkthyese, shkrimtare, publiciste. Aktiviteti i saj është gjithëpërfshirës e rendit në shumë lista të bashkësive të shoqërisë, amza interneti dhe forume bashkëatdhetarësh në internet. Nëpërmjet shkrimeve publicistike, prozë letrare, poezi, ngjarje të jetuara, dhe opinione të ndryshme për zhvillimin e proceseve shoqërore në Shqipëri dhe në Diasporën shqiptare, përpiqet të tërheqë vëmendjen e publikut për dukuri të mprehta shoqërore.

Autor i disa veprave letrare, shkrimtari Vlash Fili shtjellon metamorfozën e një populli të tërë në diktaturë, kalvarin e dhimbjeve (të cilin ai e ka provuar), sakrificave, burgun, internimin, degradimin shpirtëror. Zgjidhet me mandatin e Nënkryetarit për herë të parë në historikun e shoqatës.

Dr. Yllka Filipi, është vlerësuar nga kritika me disa çmime të para kombëtare dhe ndërkombëtare, si një zë unikal në letërsinë moderne shqiptarenë shkrime kritike, poezi, prozë dhe esse. Mban denjësishtnë dy mandateradhazidetyren e sekretares të SHSHSHA-së.

SHSHSHA ka zhvilluar aktivitete shumë të rëndësishme dhe ka patur një sukses të jashtëzakonshëm në simpoziume letrare, promovime autorësh, ndarje çmimesh artistike, shkëmbim përvojash dhe për këtë vlen të përmendet puna e palodhur e kryesisë me në krye zonjën Raimonda Moisiu.

Vlen të përmendim: Rita Saliu, poete, luftëtare dhe humaniste e shquar e çështjes së Kosovës, e nderuar me Certifikatën e Mirënjohjes nga ish-presidenti Bamir Topi, Skifter Këlliçi me biografi të pasur publicistike, Roland Musta poet e prozator,publicisti Agim Bacelli,  Bardhyl Mezini, poet e fabulist, Përparim Hysi, poet, esseist e prozator, Ivzi Cipuri, poet, publicist e diplomat, Klajd Kapinova studiues, shkrimtar e publicist, Uk Lushi shkrimtar e publicist shqiptaro-amerikan, dalë nga gjiri i luftës së UÇK-së, Tom Mrijaj studiues, monografist, esseist, shkrimtar e publicist, Shpresa Vrana romanciere dhe esseiste, Anton Çefa, poet, kritik,shkrimtar, Pal Ndrecaj, shkrimtar, esseist, Dr.Adem Harxhi, publicist, Dedë Elezaj poet e filantropist i Shoqatës, Makfire Canolli poete, Sabije Veseli, shkrimtare, Ramiz Mujaj, Aulona Goxhaj, Gjeto Turmalaj, Ndue Hila, Guri Stefani, Skënder Kodra, poeti e piktori Nexhat Imeraj, Eduard Dilo,Valter Lazri, Ilir Spata, Margita Markaj, Isuf Grejcevci,Veneta Callpani, poetja dhe gazetarja e talentuar Marjana Zeneli Bulku,Artur Vrekaj,Aristotel Mici,Qazim Rrushaj e deri dek anëtarët më të rinj Bora Balaj, Idriz Celaj, Teuta Osmani, Bexhet Asani,etj.

Brenda e jashtë SHSHSHA-së jetojnë, punojnë e shkruajnë në emigrim figura të njohura të letrave shqipe; Shkrimtari  Fatos Kongoli, bën jetën mes Amerikës, Europës dhe Shqipërisë,  poeti Petraq Risto, shkrimtari e publicisti Roland Gjoza, shkrimtarja e gazetarja, Elvira Dones, prozatori Vaid Hyzoti, shkrimtari Pëllumb Kulla, poeti Thani Naqo, poeti i talentuar, martir i demokracisë, Alfons Grishaj, poetja novatore Elinda Marku, publicisti e akademiku Shpëtim Nazarko, liriku Nexhip Ejupi, poeti, Luan Kalana, poetët Hekuran Miraka, Genci Kastrati, Sami Gjoka, Valbona Dardha, Aida Dismondy-i, Agim Dëshnica, Makensim Bungo, Vasil Makoci, Monda Hamitaj, Vera Kurti, studiuesi Fuat Memeli, poetja Nimfa Hakani, kritiku Ilir Seci, poeti Shpend Gjocaj, studiuesi Sevdai Kastrati, poetet burrë e grua Ibadete dhe Shkumbin Tetaj, gazetarja Klara Buda, publicistja Blerta Alikaj,poetët  Feriz Ukshini, Abdurraman Thaci dhe Jashar Esati,etj.

Ndihmesë dhe mbështetje e admirueshme e historike, të Federatës Pan Shqiptare Vatra nga Dr.Gjon Bucaj dhe editori i palodhur i gazetës Dielli, publicisti i mirënjohur Dalip Greca, ndihmesën e mbështetjen e Dr.Anna Kohen, Presidente e Shoqatës “Motrat Qiriazi”, gazetarit të talentuar Beqir Sina, ndihmesa dhe mbështetja Prof. Dr Fatmir Terziut nëpërmjet, “Fjala e Lirë”, ndihmesa e piktorit, Astrit Tota e aktorit Shaban Lajci, gazetarëve të palodhur Adem Belliu, Qazim Doda, Halil Mula. Aktivitetet dhe veprimtaritë e rëndësishme të krijuesve do të ishin pothuajse të pamundura pa bujarinë dhe mirësinë e individëve sponsorë/ vullnetarë të diasporës, ndër të cilët spikatfilantropisti Zef Balaj.

Përmendim në Amerikën e Veriut, në Kanada poetin dhe shkrimtarin Mustafë Ismaili, Prof. Vangjush Ziko, poetja Majlinda Bashllari, Sose Dumani, prozatori Faruk Myrtaj, Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Kristaq Turtulli, shkrimtari, publicist e eseisti Vangjush Saro, shkrimtari e publicisti Nexhip Bashllari, shkrimtari për fëmijë Janaq Pani, Sillo Mucko, etj.

Një meritë të jashtëzakonshme zë organizimi i Ditëve të Letërsisë në Michigan, i cili është mbajtur pothuajse çdo vit në muajin e letërsisë, nga poeti, shkrimtari e Botuesi i Revistës KUVENDI në Diasporë, z. Pjetër Jaku, me mbështetjen e SHSHSHA-së, revistë ku konkurojnë vlerat letraro-artistike. Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, tashmë është bërë simbol i epokës në diasporë me shumëllojshmërinë e aktiviteteve, tema të ndryshme nga arti, letërsia, tradita si edhe  tematika sociale-historiko-atdhetare, nën kujdesin e SHSHSHA-së.

Sot,  më 15 shtator 2016 Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, shpall të mbyllur votimin dhe numëron votat on-line, me vullnet të lirë dhe shpresë në suksese të mëtejshme drejt dimensioneve të reja në jetën shpirtërore të kombit, duke ju përulur një Zoti të plotfuqishëm, (të vetmit që ka shkrimtari, Muzës!), dhe zgjedh me shumicë votash Kryesinë: President- poetin e publicistin, Adnan Mehmeti; kryetare- shkrimtaren e publicisten, Raimonda Moisiu; nën/kryetar-shkrimtarin Vlashi Fili; sekretare- poeten,shkrimtaren e studiuesen, Dr.Yllka Filipi.

Dhe sikundër Zoti, i pëshpërit në vesh individit, të vetmes qenie trans-historiko-biologjike, krijuesi shqiptar përulet nën moton: Transmetimin e vlerave kombëtare ndër breza, gjuhës, traditës, historisë dhe identitetit shqiptar: përpjekjet për të mbajtur gjallë shpirtin krijues në ekzil. 

Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.

Forca më e madhe? Besimi.

Gjëja më e bukur në botë? Dashuria.”

(Nënë Tereza)

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: e Shkrimaterve, Yllka Filipi, zgjedhjet ne Shoqaten

Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballet bota sot

September 23, 2016 by dgreca

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në Sesionin e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara/

23 shtator 2016/

I nderuar Zoti President,/

Shkëlqesitë Tuaja,/

Zonja dhe Zotërinj,/

Është një kënaqësi e veçantë që, në cilësinë e Kreut të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, t’i drejtohem Sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Dëshiroj së pari të përshëndes zgjedhjen e Presidentit e Asamblesë së Përgjithshme, zotit Peter Thomson, si dhe t’i uroj atij shumë suksese në përmbushjen e agjendës dhe angazhimeve shumë ambicioze.

Përtej nderit dhe privilegjit për t’iu adresuar për herë të dytë kësaj Asambleje shumë të nderuar të Kombeve të Bashkuara, kam edhe ndjenjën e veçantë të përgjegjësisë për të dhënë një kontribut modest, veçanërisht në këto momente zhvillimesh të rëndësishme rajonale e globale, e ku vëmendja jonë është përqendruar në garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm.

Gjithashtu dëshiroj të shpreh edhe mirënjohjen e thellë për vizionin, rolin dhe kontributin e qenësishëm, që Sekretari i Përgjithshëm ka dhënë në krye të Kombeve të Bashkuara, duke orientuar vëmendjen tonë në çështje sa thelbësore të lidhura me vlerat dhe dinjitetin njerëzor e deri tek çështjet e lidhura me paqen e sigurinë në planetin tonë të përbashkët.

Zoti President,

Shqipëria këtë vit kremtoi 61-vjetorin e anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara dhe me kënaqësi legjitime dëshiroj të theksoj se vendi im u mbetet besnike parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe kontribuon maksimalisht e me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për paqen dhe sigurinë, si dhe për përmirësimin e të drejtave të njeriut.

Përfitoj nga rasti t’ju siguroj se vendi im e ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet bota sot dhe mbështet të gjitha përpjekjet e përbashkëta për përballimin e tyre, me bindjen e palëkundur se parandalimi i konflikteve dhe sigurimi i paqes e sigurisë globale, ku në qendër është vëmendja për njerëzit dhe shoqërinë njerëzore, kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë.

Ndaj këtyre sfidave, Shqipëria është gjithëpërfshirëse nëpërmjet angazhimeve të mundshme në parandalimin e krizave; angazhimit, sipas mundësive, në ndihmën humanitare; kontributin e saj në stabilitetin dhe sigurinë rajonale; zhvillimin e qëndrueshëm; ratifikimin e marrëveshjes së klimës dhe depozitimin e instrumenteve të ratifikimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm; zbatimin e të gjitha angazhimeve të saj në fushën e sigurisë dhe një kontribut te vlerësuar në planin rajonal dhe ndërkombëtar; luajtjen e një roli proaktiv në platformat ndërkombëtare për avancimin e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, Shqipëria e sheh zbatimin e Agjendës 2030 si një platformë ndërkombëtare për forcimin e lidhjes që ekziston ndërmjet zhvillimit dhe sigurisë, duke besuar se kjo agjendë do të jetë udhërrëfyesi i veprimit tonë për zhvillimin e qëndrueshëm në 15 vitet e ardhshme për njerëzit, planetin, paqen, partneritetin dhe begatinë.

Shqipëria është një vend pilot në hartimin e indikatorëve globalë për zbatimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm 16 (OZHQ) për paqen, drejtësinë dhe institucionet e forta. Objektivat e kësaj agjende janë bërë pjesë integruese e programeve dhe strategjive sektoriale të institucioneve shqiptare dhe të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), duke i nxitur institucionet shqiptare të hartojnë programe të reja e ambicioze në të gjitha fushat e zhvillimit, dhe bërë vendin pjesë të standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.

Përfitoj nga rasti të bëj të ditur se, Shqipëria është e vendosur për të qenë aktive në Konferencën e Tretë të OKB-së për Strehimin dhe Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm (HABITAT III), e cila ofron një mundësi unike për miratimin e një Agjende globale të re Urbane, që forcon marrëdhëniet dhe sinergjitë ndërmjet urbanizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndryshimeve klimaterike.

Zoti President,

Agjenda 2030 dhe arritja e marrëveshjes së Parisit me shumë të drejtë konsiderohen si mundësitë e kësaj gjenerate për një jetë më të mirë si për brezat e tanishëm ashtu edhe për brezat e së ardhmes. Zbatimi i këtyre dy dokumenteve ndërkombëtare, ku Shqipëria është proaktive, konsiderohen me të drejtë si strategjitë kryesore globale për përballimin e ndryshimeve klimaterike, arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, ndihmën ndërkombëtare dhe çështjet e ndërtimit të paqes.

Marrëveshja e nënshkruar nga 187 vende në Konferencën e Palëve COP21 në Paris, shënoi një moment historik në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t’u përballur me sukses me ndryshimet klimaterike.

Shqipëria ishte ndër vendet që e ratifikuan në një kohë të shkurtër Marrëveshjen e Parisit, me synimin e vetëm që të kontribuojë në përshpejtimin e hyrjes së saj në fuqi dhe bërjes së saj aktive sa më shpejt.

Prandaj dhe para dy ditësh pata kënaqësinë që të depozitoj instrumentet e ratifikimit të Shqipërisë për Marrëveshjen e Parisit, duke shprehur angazhimin konkret të vendit tim për të ardhmen e planetit tonë të përbashkët, si dhe riafirmuar vendosmërinë ndaj këtij angazhimi madhor. Në këtë kuadër, Shqipëria është angazhuar që deri në vitin 2030 të reduktojë me 11,5% emetimin e gazit me efekt serë.

Zoti President,

Në muajin maj të këtij viti, kam marrë pjesë dhe kam përshëndetur Samitin e parë Humanitar Botëror të organizuar nën kujdesin e veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm, në Stamboll, duke theksuar në mënyrë të veçantë mbështetjen e Shqipërisë për Agjendën për Njerëzimin dhe vizionin se a shift from perpetual crisis management toward effectively managing prevention and early action is urgently needed. Jam i bindur se kjo agjendë do të na ndihmojë nga iniciativa në veprime konkrete në të mirë të njerëzimit dhe të brezave që do të vijnë më pas.

Shqipëria u angazhua në Samitin e Stambollit për të adresuar përkeqësimin e disa situatave humanitare në mbarë botën dhe u bashkua me politikat e Kombeve të Bashkuara për reagim dhe ndihmë humanitare.

Shqipëria u bashkohet përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të përballuar flukset migratore dhe ato të refugjatëve në mënyrë konsistente dhe të koordinuar. Sot, realiteti, në teren dhe në nivelin e politikave, po na shtyn për të ndryshuar qasjen tonë në nivel rajonal dhe më gjerë, në mënyrë që të ndërmarrin hapa cilësore përpara, në punën tonë dhe qasjen mbi migracionin dhe bashkëpunim.

Para disa ditësh, Shqipëria organizoi një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi sfidat e zyrave të Avokatit të Popullit, në lidhje me flukset migratore. Një prej rezultateve të kësaj konference ishte miratimi i Deklaratës së Tiranës, e cila tashmë i është përcjellë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Bazuar në vlerat e humanizmit, Deklarata e Tiranës synon të hapë rrugën për një qasje të re në kontekstin e flukseve migratore, atë të respektit dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga vendi i origjinës apo statusi individual.

Si një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në pritje të hapjes së negociatave të aderimit, Shqipëria i është bashkuar të gjitha qëndrimeve dhe angazhimeve të Bashkimit Evropian, sa herë është kërkuar dhe ka qenë e nevojshme. Edhe në kuadër të Agjendës për Njerëzimin, Shqipëria i është bashkuar qëndrimeve të BE-së dhe do të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në përmbushjen e këtyre angazhimeve.

Përfitoj nga rasti të komplimentoj edhe njëherë Sekretarin e Përgjithshëm për raportin e publikuar në fillim të këtij viti: One Humanity – Shared Responsability (Një njerëzim – Përgjegjësi të Përbashkëta), si dhe të rikonfirmoj mbështetjen e vendit tim për parimet bazë të këtij raporti, i cili na ka ofruar një pasqyrë të plotë të realitetit të hidhur të shoqërisë njerëzore, situatës humanitare dhe të drejtave të njeriut në botë.

Zoti President,

Një sfidë tjetër fondamentale për vlerat e përbashkëta të shoqërisë njerëzore është lufta ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Pak ditë më parë, qytetarët e Nju Jorkut, e qytetit ku ne jemi mbledhur, por dhe të gjithë qytetarët amerikanë, përkujtuan me dhimbje viktimat e shkaktuara 15 vjet më parë nga terrorizmi. Sulmet terroriste, veçanërisht ato me prapavijë fetare, në vitet e fundit janë intensifikuar shumë, duke goditur me egërsi dhe barbari qytetet kryesore të Francës, Belgjikës, Turqisë, Kuvajtit, Egjiptit, Tunizisë, Libanit e shumë vendeve të tjera anë e mbanë botës, me synim që të frikësojnë e gjunjëzojnë shoqëritë tona.

Në këtë kontekst, Shqipëria vlerëson rolin e patjetërsueshëm të OKB-së në luftën globale kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke e konsideruar Organizatën një aktor kyç. Gjithashtu, Shqipëria mbështet Planin e Veprimit të Sekretarit të Përgjithshëm për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, si dhe rolin aktiv të OKB-së për gjetjen e zgjidhjeve politike dhe adresimin e rrënjëve të konflikteve në zonat e prekura prej tyre.

Shqipëria riafirmon mbështetjen për rezolutat e Këshillit të Sigurimit 2170; 2178; 2253, të cilat kërkojnë nga shtetet marrjen e masave të nevojshme për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe të adresimit të çështjes së të ashtuquajturve “luftëtarëve të huaj” dhe financimit të terrorizmit ndërkombëtar.

Vendi im do të vijojë me vendosmëri të jetë e angazhuar dhe kontribuojë edhe në nivel rajonal për të adresuar dhe dhënë përgjigje ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomenit të “luftëtarëve të huaj”, si dhe për promovimin e ideve dhe programeve të cilat nxisin respektin dhe bashkëjetesën ndërfetare.

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që iu bashkua Koalicionit Global kundër ISIS/Daesh dhe ka kontribuar deri tani me 5 paketa me pajisje ushtarake për Forcat e Armatosura Peshmerga në Irak. Sot ajo renditet krah vendeve proaktive të angazhuara për zbatimin në tërësi të Strategjisë Globale Kundër Terrorizmit.

Nisur nga eksperienca shumë shekullore e bashkëjetesës paqësore e harmonike fetare por edhe nevoja për adresimin e kësaj sfide brenda vendit, Shqipëria po aplikon një program pilot për parandalimin dhe kundërvënien ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit, me ambicien për ta kthyer këtë program në një platformë me dimension më të të gjerë se ai nacional. Shqipëria është e gatshme ta ndajë eksperiencën e saj edhe me vendet dhe popujt e tjerë.

Besojmë se, përmes programeve të veçanta të edukimit dhe ruajtjes së kohezionit social mund t’i kundërvihemi në mënyrë efikase radikalizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit.

Gjithashtu, Shqipëria ka miratuar një kuadër ligjor të posaçëm për trajtimin e fenomeneve të tilla me masa më të forta; ka miratuar Strategjinë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm (nëntor 2015); si dhe ka ngritur Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm (Countering Violent Extermism) (që nga 1 gusht 2016).

Shqipëria është solidare dhe do të kontribuojë me sa mundet për parandalimin dhe dhënien fund të konflikteve dhe të vuajtjeve të shoqërisë njerëzore, si në rajonin ku bën pjesë ashtu edhe në nivel global.

Zoti President,

Me politikat e ndjekura gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria është shndërruar gjithnjë e më shumë në një kontribuues aktiv në çështjet e sigurisë në arenën ndërkombëtare.

Këtë rol vendi im e ka siguruar dhe po e forcon nëpërmjet anëtarësisë pro-aktive në NATO, mbështetjes së qartë dhe angazhimit konkret në zbatim të politikës së përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, mbështetjes dhe pjesëmarrjes në operacionet e OKB-së, misionet e asistencës këshilluese policore në Afganistan dhe Sudan, misionet e OSBE, forcimit të partneritetit strategjik me SHBA dhe BE, si dhe nëpërmjet angazhimit serioz në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të paqes dhe sigurisë në botë.

Duke filluar nga shtatori i vitit 1996 deri më sot, Shqipëria ka kontribuar me 6528 trupa ne operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Shqipëria beson se procesi i paqes në Lindjen e Mesme arrihet nëpërmjet bisedimeve dhe se palët duhet të përfitojnë nga energjitë dhe vëmendja që aktorët e komunitetit ndërkombëtar po i kushtojnë zgjidhjes përfundimtare dhe të qëndrueshme kësaj çështje.

Gjithashtu, Shqipëria konfirmon mbështetjen për përpjekjet e OKB-së për lehtësimin e një procesi paqeje në Siri, si dhe përshëndeti angazhimet për të vendosur paqen në Siri, për të hapur dhe siguruar rrugët e ndihmës humanitare si dhe për të luftuar me vendosmëri Daesh and Al Nusran që veprojnë në këtë vend. Por zhvillimet e ditëve dhe orëve të fundit janë shumë shqetësuese. Goditja dhe ndërprerja e dërgimit të ndihmave humanitare për popullsinë civile, minon përpjekjet e deritanishme për arritjen e armëpushimit dhe për t’i dhënë fund dhunës.

Me shqetësim, Shqipëria ka ndjekur testet më të fundit bërthamore në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, duke dënuar ato dhe duke i cilësuar si akte provokues e në shkelje të hapur e sistematike të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këto akte cenojnë paqen dhe sigurinë në Azinë Verilindore dhe në mbarë botën, ndaj dhe Shqipëria kërkon nga ky vend respektimin dhe zbatimin e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara.

Zoti President,

Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij. Politika jonë e jashtme është maksimalisht e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe integrimin e tij të plotë në proceset euroatlantike.

Angazhimi energjik i Shqipërisë në këtë kuadër, si dhe roli i saj aktiv e konstruktiv në të gjitha nismat rajonale, i kanë shërbyer fuqizimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe njerëzor mes të gjitha vendeve partnere në rajon në drejtim të krijimit të një agjende ndërveprimi midis tyre, BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse e rrugës së përbashkët të vendeve te rajonit drejt anëtarësimit në BE.

Bazuar në këtë parim themelor të pjesëmarrjes aktive dhe të kontributit të të gjithë vendeve të rajonit në procesin e bashkëpunimit rajonal, Shqipëria mbështet pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale dhe ndërkombëtare.

Kosova ka shënuar arritje të jashtëzakonshme në konsolidimin e institucioneve të veta demokratike, mirëqeverisjen, bashkëjetesën multietnike e ndërfetare dhe veçanërisht përparimin në proceset euro-atlantike. Pavarësia e Kosovës i ka shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Ajo ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin dypalësh me Serbinë, për zgjidhjen e problemeve praktike dhe krijimin e një klime mirëbesimi për bashkëpunimin rajonal.

Në këtë frymë, kemi mbështetur dhe vijojmë të inkurajojmë pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E konsiderojmë një platformë mjaft të përshtatshme, ku të sheshohen të gjitha çështjet e mbetura pezull, në mënyrë që të shikohet nga e ardhmja.

Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, rolin aktiv qe ajo luan si anëtare me të drejta të plota në të gjitha organizatat rajonale, si dhe procesin e pandalshëm të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Këto do t’i shërbejnë politikave gjithëpërfshirëse ndërkombëtare, kontributit që Kosova do të japë në politikat globale, por edhe forcimit të paqes, sigurisë dhe zhvillimit nëe rajonin e Ballkanit.

Sot, Kosova njihet nga 109 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe jam i bindur se shumë shpejt edhe vende të tjera të Organizatës do ta njohin, duke kontribuar për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore e më gjerë.

Zoti President,

Shqipëria është tërësisht e angazhuar në procesin e integrimit evropian, duke e konsideruar perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si një nxitës të pazëvendësueshëm për kryerjen e reformave të thella në dobi të arritjes së standardeve më të mira të shtetit ligjor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Marrja e statusit të Vendit Kandidat dhe pritshmëria për hapjen së shpejti të negociatave të aderimit në Union, janë njohje të arritjeve të Shqipërisë në realizimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e standardeve të kërkuara.

Bashkimi Evropian po kalon sfida të forta, veçanërisht pas Brexit, por Shqipëria është e vendosur për të vijuar me rrugën e reformave, duke e konsideruar integrimin evropian si objektivin më madhor të saj dhe alternativën e vetme e më të mirën.

Në kuadrin e reformave të brendshme, një prej reformave më madhore ka qenë dhe mbetet reforma në drejtësi, e cila jo vetëm që përbën një bazë solide për hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian, por përmirëson standardet e funksionimit të shtetit ligjor dhe garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social.

Zoti President,

Në mbyllje, dëshiroj që të konfirmoj edhe njëherë vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen e agjendës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht për Agjendën 2030 dhe të gjitha përpjekjet për një Zhvillim të Qëndrueshëm të planetit tonë, si dhe të vijojë të kontribuojë aktivisht për forcimin e mëtejshëm të rolit të Organizatës në rrafsh global.

Faleminderit!

Filed Under: Editorial, Featured Tagged With: Bota, Perballja, Presidenti Nsihani, sfidat, shqiperia

Presidenti Nishani u takua me APEN

September 23, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani me Rrjetin e Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (APEN): Kurrë mos u dorëzoni!/

23 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani u prit me entuziazëm nё njё takim që pati me shumë anёtarё dhe drejtues tё Rrjetit tё Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (Albanian Professionals and Entrepreneurs Network) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi u përshëndet ngrohtësisht me të pranishmit, Presidenti Nishani zhvilloi njё bashkёbisedim tepër tё çiltër dhe të sinqertë me auditorin lidhur me situatën nё Shqipёri, reformat që janë ndërmarrë në përgjithësi dhe në veçanti reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, marrёdhёniet dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, lidhjet e shumta dhe bashkёpunimin sa më të ngushtë e vëllazëror me Diasporёn, sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare, nevojën që brezi i ri të mos e braktisë përfundimisht vendin, por ta ndërtojë aty të ardhmen e vet, “thithjen e trurit”, ndryshimin e mendësisë, etj.

Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë për mundësinë që po i jepej të shkëmbente mendime, ide për probleme me interes për të gjithë, por sidomos për të ardhmen e brezit të ri dhe të profesionistëve të suksesshëm, që pavarësisht se jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara, “duke qenë me fat që po rriten dhe arsimohen në një vend kaq të madhe e të lirë, falë sakrificave dhe përkushtimit të familjeve të tyre”, e bëjnë mbarë kombin të ndihet krenar që janë shqiptarë.

Presidenti Nishani nënvizoi rëndësinë që mbart në kohët modern komunikimi i hapur dhe i drejtpërdrejtë, duke i këshilluar të pranishmit dhe përmes tyre, gjithë të rinjtë profesionistë të pajisur me virtyte, vlera, parime dhe ambicie, që: “Të mos dorëzohen kurrë”!

Duke folur për fenomenin tepër shqetësues të mërgimit aktual të shqiptarëve, sidomos të të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova, Presidenti Nishani pasi nënvizoi se pavarwsisht se duket sikur po humbet shpresa, vendi ynë është i pasur me burime natyrore dhe me mundësi të panumërta për zhvillim, tha se është vërtet diçka e mirë kur të rinjtë shkojnë jashtë për të studiuar, por ata duhet të kthehen dhe të vënë në jetë përvojat, praktikat, shembujt dhe modelet më të mira e të efektshme duke shfrytëzuar dijet e përfituara për të ndërtuar të ardhmen e Atdheut dhe ndryshuar mendësinë e zhvilluar mendësinë e shoqërisë shqiptare, sidomos veprimtarinë atë të shoqërisë civile.

Në përfundim të takimi, Presidenti Nishani duke siguruar se Institucioni i Kreut të Shtetit shqiptar do të jetë dhe mbetet gjithmonë i hapur për ta duke i mbështetur palëkundur në nismat e tyre, iu përgjigj pyetjeve të shumta dhe interesimit të madh të të pranishme lidhur me realitetin dhe sfidat shqiptare dhe vizionit të Tij rreth tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: presidenti Nishani, takoi APEN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT