• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2016

Një shtatore për Ali Asllanin

September 7, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1.Ali Asllani,poeti,diplomati dhe pushteti,kryetari i bashkisë së Vlorës sot përkujtohet nga vepra letrare .Përvec kësaj ,një bust dhe emri i poetit dhe pushtetarit Ali Asllani është vendosur në një shkollë të mesme në një qytezë të vogël të Labërisë buzë lumit Shushicë.Ali Aslllani qëndron 10 km larg vendlindjes së tij,fshatit Vajzë ku lindi i ati.Shkolla emërtohet :Shkolla e mesme:”Ali Asllani”Kotë.
2.
Skulptorit vlonjat Zeqir Alizoti kishte kohë që ndër mend i kishte shkuar për të gdhendur shtatoren e një poeti lirik dhe pushtetari të qytetit të Flamurit, sic ishte Ali Asllani.Në eskpozitën efundit saskulptori me origjinë nga Camëria ka sjell edhe një shtatore të poetit lirik dhe pushtetari.Punimi paraqet poetin në këmbë në dorë ka kapelen dhe në tjetrën një bllok sic duket duhet të jet ai,ku shkruante lirikat e tij.Shprehje më të bukur se në poemën e tij për Vlorën nuk besoj se gjendet:
-Gjezdisa Europën,gjezdisa Azinë
-Gjer tek molla e kuqe,vajta gjer në Kinë
-E me re te bardha,dhashë edhe mora,
-Hazinera gjeja,kur më hante dora,
-E me re të bardha,mora dhe dhashë
-Porsi Vlorën time,një qytet nuk pash…
Skulptori Z.Alizoti ka parashikuar edhe shehsin ku mund të vendoset shtatorja e poetit që është lulishtja e vogël te vendi Kali i Trojës .Në të vërtët ,përvec këtij propozimi duhet menduar se sheshi më i përshtatashëm nëse nuk vendosen para bashkisë së Vlorë të gjithë ishkryetarët e bashkisë të të gjithë kohërave,mund të jetë lulishtja e shkrimtarëve në Skelë,ku gjënden edhe pllakata simbolike.
Kush do ta realizoj kete project.Myrteza Mara qe perfaqeson edhe grupin e kulturës të bashkisë Vlorë shprehet se do ti propozohet bashkisë për financimin e këtij projekti,në mos Ministria e kulturës.Puna e parë u krye në mënyrë mjeshtërore nga skulptori tani mbetet financimi i këtij projekti.
Pjese nga nje studim per liriken e Ali Asllanit
Nga Gezim Llojdia
Ka tashme një vend ne historinë e letërsisë shqipe si njeri prej personaliteteve më të shquar të poezisë sonë ,poeti Ali Asllani.Poezia e tij pati një komunikim jo te zakonshëm me lexuesin dhe mendim kritik te kohës,duke sjellë ndjeshmëri dhe perceptim të ri. Shprehet pedagogu Shkëlqim Zotaj në librin “Tipologjia e lirikës së Ali Asllanit”,sprovë letrare. Dhe më teje ky studiues shprehet se Asllani erdhi si poeti i veçantë,që i bashkohet rrjedhës së përgjithshme,poezisë vërtetë të kohës,kur ende shkruanin Çajupi,Mjedia,Fishata,Asdreni,Noli,kur sapo kishin nisur fillesat Koliqi Haxhiademi,Lasgushi dhe poet të tjerë.
Në një pjesë të saj kjo poezi vazhdoi në gjurmët e letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare. Vecantësia e Ali Asllanit është se këtë motiv e ka të drejtpërdrejtë,duke u bërë zëri i kudondodhur i ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë,të cilat nëpërmjet një përjetimi personal,tronditën ndërgjegjen e tij artistike. Studiuesi shprehet se i përpirë i tëri në fatet e Shqipërisë,ai përjetoi fushëngjarjen historike shqiptare si poet dhe patriot,përjetim që do ti jepte vetë poezisë së tij tipare strukturore dhe stilistike origjinale. Madje Mitrush Kuleti është shprehur se “Zoti Asllan nuk u largua prej çapit të muzës..kur në rrethet e gjakosura të së zezës Vlorë,po kurdisnin avazet e dhembshura të dhimbjeve tonë…ku këngën e lotëve e bëri këngë të lavdisë…
Ali Asllani te mrekullon ne atë radhitje fjalësh,figurash e strofash që vazhdon magjepsjen me rinin e përhershme të vargut,me finesën estetike e sensualitetin e thellë.Intuita e tij poetike i kapërcen kufijtë e një përpunimi të zakonshëm të ligjërimit artistik,ku shfaqet shfaqet një harmonizim i rrallë për tingëllimin kuptimor,i ngritur mbi themelet e atij leksikor e fonetik.Duke studiuar tiparet e figuracionit të poezisë së Ali Asllanit,sidomos tipologjinë e figurës autori i këtij libri shprehet se Ai hyri në thellësinë e labirinteve të gjuhës,duke nxjerr në dritë muzikalitetin e ëmbëlsinë e vargut.Me një dorë prej qilimtari endi në tezgjahun e Labërisë duke thurur e bashkuar harmoninë e tingujve,ekspresivitetin e fjalës e vargut,të strofave,e të krejt poezive të veta.Ali Asllani lindi dhe jetoi me poezinë,atë poezi plotë dritë e hije,plot kontraste e antiteza .Kontrastet dhe krahasimet zbulojnë kulmet ideore,që lexuesi të shikojë përmes dritares së mendjes atë forcë që:sikur një gur stërrall/në gji zjarrin e ka ngjall/qoftë në lum e qoft në det/zjarr i tija nuk humbet!Ky është vargu i tij,me rrezatim drithëronjës që ,sa të bën për vete,aq edhe të degdis tutje,atje ku përqafohet me jetën,puthet me pëllumbeshën,shullëhet me guguftunë…nusëron me stil të vjetër,po të ndjek me zjarr të ri”,duke u stacionuar në gjirin e poezisë popullore të ngritur mbi themelet e vendlindjes .Këtu morri nektarin e poezisë,përthithi e beri të vetin mençurin e vargëzimit,ndjeshmërinë e mendimit poetik,psikologjinë,si dhe reflekset e botës shpirtërore,të shfaqura në një sintezë të thellë të urtësisë dhe filozofisë popullore,e kështu duke krijuar atë që Ali Asllani e quan :Poezi e një poeti,jo,jo këng ‘eterniteti…..
Duke përvijuar analizën e tipologjisë së figurës autori shprehet se vargjet e poezisë së tij këngëzojnë në polifoninë e këngës,buruar nga notat e “pentagramit lab”,ku përfitojnë shpërthimet emocionale,me rrëmbimet e dallgëzimet me shkallëzimin e variantit melodik me magjinë e fjalës dhe tingëllimin e harmonive .Brenda kësaj shumësie shprehet autori i librit jeton ai lirizëm,që i jep hapësira të gjera vargut dhe botës shpirtërore,ku imazhi poetik shtrihet në hapësirat e vizioneve të pafundme duke u shpalosur para syve tanë bukuri të rralla poetike,që të ngelen në kujtesë dhe kjo ndodh sepse ai pasi ka qimtuar përjetimet individuale,zbulon botën shpirtërore që natyrshëm sjellë atë gjuhë dhe stilistikë të freskët .Autori i këtij libri studimor për lirikën e poetit lab Ali Asllani është ndalur edhe te figurat tingullore dhe bota semantike,Një kapitull më vete zotëron zbulesa origjinale në përdorimin e figurave të fjalës,ku në muzën poetike të Ali Asllanit gëlojnë edhe figurat e fjalës ku patjetër vendin kryesor e zë metafora e cila ndërlidh raportet e mundshme jetësore me ndenja,të cilat përcjellin zbulime të vërteta të kuptimeve të befasishme. Autori i i këtij libri për tipologjinë e lirikës së poetit Asllani shprehet se këto metafora të fuqishme na shkaktojnë tronditje të situatave të befta,përshtypje të jashtëzakonshme të njeriut që përjeton gëzim e ndien dhimbje.Ato ngelen sajesa të veçanta të krijuesit të veçantë,ku fjala “rrufe” ndryshon domethënien themelore,duke u kthyer në një “pëllumbeshë”,që fluturon lehtë-lehtë”si një valë në sup të erës e duke hyrë në :gji të gjembit”,atje ku këndon një dallëndyshe”.Një kapitull më vete zë edhe tiparet e figurave të mendimit ku shfaqet një punë e studiuar dhe kualifikonjëse duke zbërthyer të gjitha linjat.’Hanko Halla është parë në kontekstin shoqëror,por edhe inter komunikimi midis Hanko Hallës dhe poezive të tjera të shkruara sipas modelit të saj. Një kapitull tepër interesant është poezia e Ali Asllanit si pjesë e relievit etnopsikologjik dhe etnogjuhësor të Labërisë. ku lidhjet Ali Asllan dhe vetë poezisë janë një bashkëjetesë që formëson atë qenie të vetme të artit të fjalës,prej së cilës poeti ka kohë i larguar në hapësirën e pavdekësisë,kurse vepra e tij poetike vjen në atë përtëritje,duke ringjallur e rilexuar prej atyre që dinë të shijojnë tingujt magjeps të kësaj gjuhe e cila e brumëzuar me tablo tipike të profileve të Labërisë,ku vetë mushti i kësaj poezie tretet në palcën dhe në eshtrat e vendlindjes duke depërtuar në rrënjët e geneve dhe në plazmën e etnitetit kombëtar. E shkruar me një gjuhë të pasur,tepër konciz dhe mjeshtëror autori ka sjellë një sprovë të spikatur letrare për lirikën e njërit prej poetëve më të mirë jugor.
Ali Asllani u lind në vjeshtën e tretë 1882 në fshatin Vajzë. Vijoi shkollën “Ruzhdie” në lagjen Muradie. Ndoqi gjimnazin “Zosimea’ të Janinës. Në 1902 mërgon në Stamboll ku kryen regjistrimin në fakultetin e Mjekësisë,por i ndërpreu studimet pasi humbi dëshira nga operacionet dhe plagët e të sëmurëve.
1903—06 fiton konkursin në Mylqie,Instituti i larte i Shkencave Politike-Shoqërore në Stamboll.1908 nënprefekt i Delvinës. 1909Ndihmës sekretar për doganat.1 912 paraqitet në Selinë e Qeverisë së Vlorës ku ngarkohet me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Guvernës.1914,nënprefekt në Fier.1915-sekretar i përgjithshëm i administratës së Vlorës.1920 bashkëpunon me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare. Arrestohet nga pushtuesi e internohet në ishullin e Sazanit.
1922,sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë.
1925 pushohet nga puna si fanolist.1
1929 sekretar i parë Ambasadës shqiptare në Sofie.1934 Kryetar i bashkisë së Vlorës.1939Anëtar i këshillit të shtetit.
1945 një ndër themeluesit e LSHA .
Shuhet çuditërisht në 20 dhjetor 1966.
2003-Qytetar nderi i Vlorës”.
2004-gjimnazi i qytezës Kotë merr emrin e tij.
2005-Nder i qarkut Vlorë.
2005 Dekorohet nga Presidenca me medaljen e mirënjohjes.
Dekorohet me urdherin: Nderi i kombit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Llojdia, nje shtatore, për Ali Asllanin

Një memorial për internimet e diktaturës komuniste shqiptare në Lushnje

September 7, 2016 by dgreca

1 Dine
                                                                            Dine Dine
1 simoni flet
                                                                                          Simon Mirakaj
1 Butka Uran
                                                                                            Uran Butka
1 Memoriali me ekmbeMemoriali i ish-të përndjekurve politik në Lushnje, ngrihet në përkujtim të 32 mijë personave, që u dënuan pa u gjykuar…..për të kaluar gjithë jetën e tyre në kampet e interrnimit/
1Grup me simon
1 Memoriali pa zbulu
1Ne pritjen
1 Lista Cano
2 Liste
3 Lista Lamce
4 Lista Sela
1 Bilal
                                                                                           Bilal Kurt Kola
1Tushe flet
                                                                            Fatos Tushe
14 Tabela
1 tri gra
Nga Beqir SINA – New York/
LUSHNJE : Një ditë mbas Shejtërimit të Nëna Terezes – në Vatikan, përurohet memoriali kombëtar i internim – dëbimeve në qytetin myzeqar të Lushnjës
Një memorial i pari i këtij lloji në kujtim të familjeve që u persekutuan nga regjimi komunist, përgjatë rregjimit të Enver Hoxhës
Ai është ngritur, thanë disa ish të internuar nga kampi i interrnimit në Savër, në hyrje të qytetit të Lushnjes.
Ata thanë se tashmë, mbas 26 vjet që u rrëzua regjimi komunist, familjet e internuara gjatë regjimit komunist në 14 kampet e interrnimit në qytetin e Lushnjes, përjetësohen në një memorial.
Simbas, Shpëtim Turanit, i cili ka lindur në kampin e internimit në Savër – Lushnje, dhe kaloi me familjen e tij mbi 30 vjet në atë kamp,  tha ceremonia e inagurimit , të Memorialit, u bë të hënën më datë 5 Shtator në ora10:00 të paradites.
Duke folur nga Roma, me Shpëtim Turanin, ai tregon se ky Memorail është vendosur tek fillimi lulishtes, se rrugës në formë Y-je, rruga që shkon nga drejtimi stadiumit për në qendër të qytetit.
Mbiemrat e familjareve te shenuar ne kete memorial jane deshmi qe flasin per histori te dhimbshme dhe simbol i qendreses ndaj diktatures komuniste.
Memoriali eshte kater meter e gjysem i larte, dhe ne te jane shkruar mbiemrat e familjeve te internuara.
Kembet e zbathura tregojne vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificen e perjetuar te ketyre familjeve.  Në rrethin e Lushnjes, u internuan mbi 30 mijë familje nga e gjithe Shqipëria, të vendosura në 14 kampe përqëndrimi.
“Memoriali, është projektuar nga Fatos Kola – dhe është 4.5 m i larte, ku në mes të tij të skalitur, duken disa persona me këmbë zbathur, simbol i vujtjeve të tmerrshme,  dhe në kater faqet në pllaka mermeri të zeza , janë të shkruar mbiemrat e familjeve , që trajtohen me këtë status, si ish të interrnuar në 8 kampet e interrnimit në Lushnje” .
Zoti Turani, shtonë se inisiatorë të vendosjes së këtij Memoriali,  ishte Insituti  i të Perndjekurve Politikë. Ndërsa, Bashkia e qytetit të Lushnjes dha miratimin për vendin e vednosjes së Memorialit.I cili është i mbeshtetur nga Ministria e Punës Mirqenies e Rinisë, zotit Blendi Klosi.
Ndërkohë, tha ai zbulimin e Memorialit kushtuar ish të interrnuarve në kampet e interrnimit në qytetin e Lushnjes, e zbuloi nji i lindur në kampet e interrnimit Drejtori i Insitutit të të Përndjekurve Politikë, zoti Bilal Kola – djali Kurt Kolës, ish i burgosur politik, dhe Ministri i Punës-Mirqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi.
Ceremoninë e inagurimit të këtij Memoriali, pas egzekutimit të Himnit tonë kombëtar, e hapi me fjalën e rastit, zoti Bilal Kola, ndërsa ka përshëndetur edhe Fatos Tushe  – Kryetar i Bashkisë Lushnje, ish i burgosuri politik dhe ish i internuari Dine Dine, historiani i njohur Uran Butka, ish i interrnuari Simon Miraka, dhe e mbylli ministri Blendi Klosi.
Simbas, Shpëtim Turanit, sinteza e fjalës së secilit ishte, të mos harrohet e kaluara e kësaj shtresë,: “Është, një obligim moral në përkujtes – tha ai që u materializua në obelisk, për të përjetësuar atë që kanë vuajtur,  të gjitha këto familje, dhe ky obelisk le të jetë edhe një detyrim i qeverisë, ta nxisë atë se do të vazhdojë dëmshpërblimin me ish të burgosurit politik dhe ish të interrnuarave në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh ish i interrnuari Shpëtim Tuarni
“Boshllëku në shpirtë, shkruan në statusin e saj në facebook, nji nga ish ttë intërrnuarat në Savër të Lushnjes, së bashku me familjen e saj nga Dibra, Bedrie Kaba, që kisha para se të nisesha në Lushnje , ankthi i udhëtimit , që më priste u venit, sapo këmba më shkeli tek ai endi që thirrej “Plasmasi” dhe mora rrugën me vëllan drejtë në vendin ku do bëhej inagurimi ., Pra, tek kryqëzimi i rrugës që njëra shkon drejtë Gjimnazit, dhe tjetra drejteë qëndrës. Dhe, tashmë çdo kush që do kaloj do shoh monumentin kushtuar të gjithë atyre njerëzeve të internuar burgosur e vrarë.  Ndoshta, do ndalet dhe do e sodis me çudi se si gjithë ata njerëz janë futur “në një katror” që veç këmbët zbathur poshtë, u duken, e në faqe të katrorit ndodhet nje dritare tepër e vogël për të futur dritën e paktë e për të thithur pak ajër nga bota e lirë, nga ne, të mbyllur ja ashtu siç paraqitet në atë monument . Nje ide reale tepër e dhimbshme, që gjithkush kur vetëm e sheh atë monument e kupton se çfarë bëri regjimi komunist. Tashmë, fjongoja e kuqe hiqet dhe ti e sheh mes emocjonesh edhe loton për kohën , që na  i mori rinin por edhe ëndrrat ………………” shkruan Bedrie Kaba.
Memoriali kombëtar i ngritur në hyrje të qytetit të Lushnjes, përmbledh përkujtimin e Internim-Dëbimeve të viteve 1954-1991.
Pas prezantimit të memorialit, ministri Klosi në fjalën e tij para të pranishmëve vuri theksin tek rëndësia e aktiviteteve të tilla përkujtimore, dhe tha se në Tiranë, dhe disa vende të tjera kua ka pasur kampe interrnimi dhe burgjet politike do të ngrihen Obeliske dhe Memoriale.
Memoriali, që u vendos në qytetin e Lushnjes, kujton vendin ku u internuan afro 90 për qind të gjithë të internuarve politikë në shkallë vendi, tha Zëri i Amerikës.
Në emisionin e saj “Ditatri”, sot, Zëri i Amerikës, duke përcjellur një kronikë nga Lushnja, me korespondetin e saj Ilirian Agolli, tha se :” Edhe pse ishte në mes të Shqipërisë, Lushnja, u caktua si zonë internim dëbimesh për shkak të kënetave, ku duhej të vuanin e të punonin kundërshtarët e regjimit komunist për afro 4 dekada”.
Simbas, Zërit të Amerikës, Instituti për Integrimin e të Përndjekurve Politikë, përfaqësues të shoqatave të tyre dhe të qeverisë u bashkuan dje në Lushnje në përurimin e një memoriali kushtuar vuajtjeve në kampet e internimit gjatë regjimit komunist.
Lushnja, Myzeqeja dhe krahina kënetore përreth tyre është një prej zonave ku diktatura komuniste internoi numrin më të madh të kundërshtarëve politikë, që nga moshat më të shkruara e deri tek foshnjat e sapolindura, tha Zëri i Amerikës.
Duke shtuar se Lushnja kishte 14 qendra internimi, ku jetuan me mundime dhe punë të rënda në bujqësi mijëra të dënuar politikë dhe familjet e tyre.
Internimi dhe dëbimi i kundërshtarët politikë ishte gjatë afro 45 vjetësh një nga veprimtaritë kryesore dhe periodike të diktaturës komuniste.
Diktatura nuk kurseu askënd, që dyshohej sadopak se mendonte ndryshe nga udhëheqja e partisë shtet.
Diktatura internoi në Lushnje për 35 vjet rreth 90 për qind të kundërshtarëve politikë antikomunistë.
Krahas qindra burgimeve dhe pushkatimeve me gjyq e pa gjyq, diktatura internoi mbi 33 mijë persona të të gjithë moshave për shkak të mosbindjes së tyre ndaj regjimit komunist dhe prej faktit të thjeshtë që ata u përkitnin familjeve antikomuniste, përfundojë Zëri i Amerikës.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Beqir Sina, ne Lushnje, Nje memorial per te internuarit

LËVIZJA ANTIKOMUNISTE E POSTRIBËS, 9 SHTATOR 1946

September 7, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1 Fritz Radovani

 * HAPNI DOSJET: HISTORIA ERRSON KRIMET E ENVER HOXHËS !/

  • 70 VJETORI I KRIMEVE NGA “HEROJT E POPULLIT” !/
  • “Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenet, na dukën si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve”, shkruente At Gjon Shllaku./
  • Asht shkrue e do të shkruhet e prap për këtë ngjarje kaq të randësishme, por e vërteta do të dalin në shesh vetëm atëherë kur historianët e paanëshëm do të kenë mundësi me pa e me studjue arkivat e “mbulueme nën dhé”. Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura, artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty me kërkue dishka të mbulueme me dashje, ose padashje, por në të dy rastët jo, me qëllim të mirë. Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi me dështim të plotë kjo lëvizje që asht ndër ma të mëdhajat e trojeve tona, asht me të ardhë keq dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm komunistët. Përmbytja mori me vete fshatarë, profesorë, deputetë, oficerë akademistë, intelektualë, klerikë, studentë, tregtarë, shumë të kënaqun e të pakënaqun nga pushteti, madje, pushtetarë që deri pak ditë përpara kishin nënshkrue edhe “urdhën-arreste”, ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen “demokracia”.
  • Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.
  • Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945 e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem nga bandat e Sigurimit të shtetit të drejtueme prej Koçi Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj. që me krimet e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e mjeti mashtrues, për me mujtë me shkatrrue rezistencën atdhetare antikomuniste dhe çerdhën e tyne.
  • Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte:
  • Në se urdhnin per me fillue Lëvizjen e Postribës me 9 Shtator 1946 e dha Jup Kazazi, si e justifikoi Ai këte veprim të parakohëshem, kur ishte caktue data 15 Shtator 1946 ?!
  • Çfarë u tha Jupi të pranishëmve per me i bindë me fillue Lëvizjen ?…
  • Mandej, duhet të filloni e shkrueni si deshtoi kjo Lëvizje e Postribës ?!
  • Don Ndre Zadeja deklaron: “Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin… Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)
  • Riza Drini i kërkon bashkpunim Riza Danit prej malit në tetor të 1944, dhe Këshilli N.Çl. e pranon. Arësyeja e kërkesës së Riza Drinit asht: “….për me evitue gjakderdhjen që parashof se do të bahët në Shqipni.” (Deklarata e Riza Danit d.v. dt. 30 prill 1945).
  • Llesh Marashi deklaron në 1946: “Nuk dij sesi tri ditë para shpërthimit të Lëvizjes së Koplikut e ka dijtë organizata “Bashkimi Shqiptar”, unë nuk e kam dijtë vetë!”
  • Martin Sheldija (ish oficer), i arratisun me Gjergj Vatën, dorzue në kohën e anmistisë, i dënuem përjetë, deklaron: “Me datën 5 shtator 1946 ka ardhë Shuk Gjoka, e më tha, se don me më takue Shaban Abdullahi e Zyber Hyseni, dhe me datën 8 shtator më ka sjellë lajmin me sulmue Shkodrën. Shuk Gjoka shkoi në Ganjollë, Spathar e Juban. Unë kam organizue Gurin e Zi. Më 8 shtator, bashkë me Pjetrin (Dedën, i vramë), kemi ardhë te Ura e Kirit e kemi shprazë pushkët, nuk na u përgjegj kush dhe kemi shkue prap. Nuk kemi hy në Shkodër. “Martin Sheldija ka rrezikshmëri shoqrore shumë të theksuar…”, shënon Ministri i Mbrendshëm Mehmet Shehu d.v. më 29 qershor 1949. (Dosja 141).
  • Jakup Dan Alia, i arrestuem për Lëvizjen e Postribës deklaron: “Në mbledhje për Postribën jemi qenë: Osman Haxhija, Abdullah Seiti, Muho Duli, Selim Raci, Emin Zyberi, Dervish Nuzi, Ram Vasi, Taip Isaja, Seit Duli etj. Foli Abdullah Seiti, dhe tha me i ra Shkodrës. Luftën e Postribës në fushë të aeroplanave e ka fillue Seit Duli.”
  • Rrok Gjok Luli, i arrestuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen e Postribës dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: “Kam bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet Shkodra që sonte, një gja të tillë ia kishte thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribët, dhe më thote, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët, e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946 se një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më ka thanë për Jupin se nuk asht këtu në Shkodër dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë luftën sande dhe për këtë, do të hidhen në sulm. Veç luftës nga jashtë do të plasin edhe këtu mbrenda se Jupi asht marrë vesht me të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue Jupin…

…Unë nuk shkova me lajmërue as vëllain për këtë punë.”

  • Pjetër Gjok Luli, vjeç 43, vëllai i Gjeloshit e Rrokut, deklaron: “…Unë nuk kam takue as vëllain Gjeloshin, nësa të kam pa ndonjëherë ty… (i drejtohet kryetarit të gjyqit, Misto Bllacit) … As nuk dij se asht ba mbledhje, as nuk kemi organizue gja.”
  • Pjetër Prendush Pali, vjeç 32, nga Hoti (Jugosllavi), mësues, deklaron: “…akuza nuk asht e vërtetë, në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë se kam bisedue unë për Postribën, ato që thonë këtu nuk janë të vërteta. Për akuzat që më bajnë Gjelosh Vata, Gjon Leka e Mustafa Jakupi nuk janë të vërteta. Gjon Leka më ka thanë se jam me punë në Seksion të Mbrendshëm, dhe rri urtë se kam në dorë me të ba keq.”.

Vendimi i gjyqit Pjetrit iu dha me vdekje, dhe u ekzekutue më 11 mars 1948.

  • Mustafa Jakup Vodaj, vjeç 48, nga Shkodra, i dënuem për jetë, deklaron: “Nuk kam asnjë lidhje me Postribën, por mue më ka tregue Brahim Isufi se sande Postriba sulmon Shkodrën. Unë i thashë Gjeloshit, por ky më tha se nuk asht e vërtetë. Kemi shkue me Gjonin në shtëpi të Gjeloshit (Vatës), aty në mesnatë ka ardhë me na thirrë Abdullah Seiti e Ismail Duli dhe jemi takue tek fusha me Murat Haxhinë. Aty pamë se nuk ishte gja ajo punë dhe u këthyem ndër shtëpia.”
  • Don Nikoll Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: “…Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri për me marrë pjesë ndër këto mbledhje. Don Tom Laca nuk më bie ndër mend të ketë kenë në mbledhje… Unë nuk e dija se asht formue parti Demokristjane…Për përpjekjen e 9 shtatorit s’kam dijtë kurrgja, por kur e mora vesht se e kishte bërë Kazazi.” (Dosja 1302/II)
  • Imz. Frano Gjini: “…për ngjarjen e 9 shtatorit nuk dij gja!”.
  • Don Tom Laca: Deklaron: “…Nuk asht e vërtetë që të kemi pergatitë 9 shtatorin me Riza Danin e Paulin Palin (avokatin)”.
  • Zef Haxhija, deputet i 2 dhjetorit në Kuvendin Popullor për Shkodrën, deklaron: “Për ngjarjën e 9 shtatorit e kam marrë vesht në nesre, si gjithë bota…!”(Dosja 1302/II).

            ***

  • Për Lëvizjen e Postribës së 9 shtatorit 1946, u pushkatue edhe: Imzot Frano Gjini, At Mati Prennushi, Don Nikoll Deda, Kolec Deda, Pjetër Deda me gruen Maria, Cin Serreqi, Riza Dani, Dulo Kali, Caf Dragusha, Simon Darragjati, Rasim Gjyrezi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjetër P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal Hardolli, Prof. Kol Prela, Av. Paulin Pali, e sa e sa të tjerë pa gjyq që, edhe sot, nuk dij a figurojnë apo nuk janë fare në rregjistrin e të pushkatuemëve…
  • E vërteta asht vetëm një: Ajo ishte Lëvizje antikomuniste!

            Melbourne, Shtator 2016.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Fritz radovani, Levizja antikomuniste, Postribe

Kosova para 26 viteve: Republikë me Kushtetutë

September 7, 2016 by dgreca

 

4 Rugova-Dhe, drejt Referendumit për Pavarësi, që u zhvillua para çerek shekulli, nga 26 deri 30 shtator 1991/

-Kushtetuta e 7 Shtatorit 1990 përcaktonte: Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar…Territori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm…/

-Presidenti Rugova: Referendumi i shtatorit 1991, akt që afirmon tutje dhe garanci për realizimin e Pavarësisë së Kosovës/

-Ngjarje të rëndësishme të Kosovës të mëse çerek shekullit/

-Vatranët e shqiptarëve nga SHBA në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ku u shtyp dhe u përkrah Deklarata e 2 Korrikut e  Kushtetuta e  7 Shtatorit 1990, u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës i 26-30 Shtatorit 1991…

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

2 agim marjan

1 Parlamenti i Kosoves6 Behluli

4 Kushtetuta

5 BehluliPRISHTINË, 7 Shtator 2016/ Kuvendi i Kosovës para 26 viteve, në 1990, pas Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut, të shpallur në Prishtinë, u rimblodh në qytetin jugor të Kaçanikut në 7 Shtator dhe miratoi Kushtetutën e Kosovës të saposhpallur Republikë, në seancën që u pasua edhe me Referendumin e deklarimit për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur para çerek shekulli, në  funshtatorin 1991, të mbajtur me vendimin e Kuvendit, në marrëveshje me subjektet politike kosovare. “Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqëve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”,  përcaktonte Neni 1 i Kushtetutës, ndërsa Neni 8 siguronte: “Teritori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi”.Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federatës.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli gjatë një bisede që kam zhvilluar.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, shprehet Ilaz Ramajli.

Deklarata e Pavarësisë e 2 Korrikut u pasua me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim. Në Referendum dolën 914.802 veta – 87,01 për qind e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

RUGOVA: REFERENDUMI I SHTATORIT 1991 ËSHTË AKT QË AFIRMON TUTJE DHE GARANCI PËR REALIZIMIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS. REFERENDUMET SHQIPTARE U RESPEKTUAN NË LONDËR

Referendumi u pasua me zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, të 24 majit 1992. Raportimet që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH në Kosovë. Raportimet i bëja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në në shtator të vititi 1994, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.Ai vlerësonte se, Referendumi i fundshtatorit 1991 është akt që afirmon tutje dhe garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës.Një nga pyetjet e intervistës me Presidentin Rugova ishte: Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo: Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.

KOSOVA REPUBLIKË ME KUSHTETUTËN E VET ISHTE DHE NJIHEJ SI DEKLARIM I FUQISHËM I VULLNETIT KOMBËTAR, POLITIK E DEMOKRATIK

Në 2 Korrik 2015 në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës u mbajt seancë solemne dhe u vendos e shkruar në mermer Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës, pranë Deklaratës së Pavarësisë të 17 Shkurtit 2008 të Kosovës shtet i njohur deri sot nga 112 shtete anëtare të OKB-së.Në përkujtim të ngjarjeve historike është shfaqur edhe filmi dokumentar i seancës së Kuvendit të Kosovës të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në 2 Korrik  dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator 1990.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë, ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Kosova e lirë nga qershori 1999, prej vitit 2001 deri para tetë viteve, ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 8 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në  9 prill 2008, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesëë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e GJND-së.

Zhvillime tjera të rëndësishme brenda tetë viteve të pavarësisë ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, pikërisht para katër viteve -në 7 shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

NË KAÇANIK PLLAKË PËRKUJTIMORE PËR 7 SHTATORIN 1990

Në shënimin e jubileut të 25-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990,  para një viti në Kaçanik u zbulua pllaka përkujtimore, e cila i dedikohet kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e 7 Shtatorit 1990 ishin kundërpërgjigje ndaj agresionit kushtetues serb mbi Kosovën, përmes këtyre dy akteve u përgatitën kushtet juridike drejt pavarësisë, u theksua me atë rast nga drejtuesit e shtetit të Kosovës.

VATRANËT E SHQIPTARËVE NGA SHBA NË SHTËPINË KU U SHTYP DHE U PËRKRAH DEKLARATA E 2 KORRIKUT E  KUSHTETUTA E  7 SHTATORIT 1990, U ORGANIZUA REFERENDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS I 26-30 SHTATORIT 1991…

Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e vizitoi në 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Presidenti Rugova në përurimin e Shtëpisë-Muzeut të Pavarësisë së Kosovës në 23 dhjetor 2002 theksonte: Në këtë shtëpi u shtyp dhe u përkrah Deklarata e Pavarësisë së Kosovës (e 2 Korrikut 1990),  Kushtetuta e Republikës (e 7 Shtatorit 1990) dhe u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës më 1991 (26-30 shtator).

Pastaj u nxor dokumenti i tri opcioneve nga të gjitha partitë politike të trojeve shqipare, u organizuan zgjedhjet e para parlamanetare – presidenciale më 1992 (24 maj) dhe aktet e tjera…Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës…

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: 26 vjet, Behlul Jashari, kosova, me kushtetute

Papa bekon të gjithë Shqiptarët, që lidhen ngushtë me Nënë Terezën

September 7, 2016 by dgreca

Nga Roma Beqir SINA /
 Papa Françesku, “Me mirënjohje plot respekt përshëndes autoritetet e larta të pranishme, posaçërisht ata të vendeve, që lidhen në mënyrë të veçantë me figurën e Shenjtores së re, si dhe delegacionet zyrtare e shtegtarët e panumërt, ardhur nga këto vende, në këtë rrethanë të lumtur. Zoti i bekoftë Kombet tuaja!”

14199525_303078860057772_1230607877480508446_n.jpg

AP3643774_Articolo.jpg
VATIKAN : Papa Françesku, gjate lutjes se Engjëllit te Tënzot, ne Sheshin e Shen Pjetrit ne Vatikan, më 4 shtator 2016 : bekon kombet, që lidhen ngushtë me Nënë Terezën, dhe në mënyrë të veçantë kombin shqiptarë, që lindi Nënën e madhe, Nëna Terezen.
Deshmitarë, të këtij kremtimi madhështor, të kanonizimit të Nëna Terezes, që ishin shumë pranë altarit , ku u krye dhe procesioni i Shejtërimit në Sheshin e Shën Pjetrit , i thanë gazetës tonë, se Papa Françesku, ka qenë i ngallëzyer, teksa shikonte kaq shumë shqiptarë në Sheshine Shën Pjetrit, dhe flamurin kuq e zi si dhe portretin e Nëna Terezes.
Disa herë gjatë rrugëtimit të tij me mobilin papal – në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Francesku, bëri me dorë duke duke bekuar shtegtarët shqiptarë, që mbanin në duar flamurin tonë kuq e zi dhe atë të Kosovës.
Mirëpo, në një moment kulminat, si duket edhe në këtë fotografi, e marrë nga rrjetet sociale në internet, Ati i Shejtë Papa Françesku, duket se ka pranuar  dëshirën e shtegtarëve shqiptarë, që të fotografohet me një grup vajzash shqipëtare, dhe dy motrat të cilat kan veshur bluzat e kuqe me shqiponjën dy krenare dhe para Papa Franceskut, ato mbajnë me krenari  flamurin tonë, kombëtar flamurin kuq e zi, duke marrë me vete bekimin e Papës, në Bazilikëne Shën Pjetrit ku u zhvillua edhe ceremonia e kanonizimit të Nëna Terezes .
Papa Francesku : Të dashur vëllezër e motra,
 Ndërsa po i afrohemi përfundimit të këtij kremtimi, dëshiroj t’ju përshëndes e t’ju falënderoj ju të gjithëve, që morët pjesë.
Në mënyrë të posaçme, Misionaret e Misionarët e Bamirësisë, familje shpirtërore e Nënë Terezës. Themeluesja juaj Shenjte ju ruajtët gjithnjë në udhën tuaj e ju nxjerrtë hirin të jeni përherë besnike ndaj Zotit, Kishës, të varfërve.
Me mirënjohje plot respekt përshëndes autoritetet e larta të pranishme, posaçërisht ata të vendeve, që lidhen në mënyrë të veçantë me figurën e Shenjtores së re, si dhe delegacionet zyrtare e shtegtarët e panumërt, ardhur nga këto vende, në këtë rrethanë të lumtur. Zoti i bekoftë Kombet tuaja!
E me dashuri ju përshëndes të gjithë ju, të dashur vullnetarë e veprimtarë të mëshirës. Ia besoj secilin nga ju mbrojtjes së Nënë Terezës: ajo ju mësoftë ta kundroni e ta adhuroni çdo ditë Krishtin e Kryqëzuar, për ta njohur e për t’i shërbyer në vëllezërit nevojtarë. E kërkojmë këtë hir edhe për të gjithë ata, që u bashkuan me ne përmes mediave, në  të katër anët e botës.
Në këtë çast dëshiroj t’i kujtoj të gjithë ata, që e shkrijnë jetën në shërbim  të vëllezërve, në rrethana të vështira e të rrezikshme. Mendoj posaçërisht për shumë Rregulltare, që e dhurojnë pa kursim jetën e tyre. Të lutemi posaçërisht për rregulltaren misionare spanjolle, motrën Izabela, që u vra dy ditë më parë në kryeqytetin e Haitit, vend i vënë në sprovë të rëndë, për të cilin uroj të  marrin fund këto akte dhune e të ketë më shumë siguri për të gjithë. Kujtojmë edhe motra të tjera që, kohët e fundit, pësuan dhunë në disa vende.
E bëjmë këtë, duke iu drejtuar në lutje Virgjërës Mari, Nënë dhe Mbretëreshë e gjithë shenjtorëve.

Filed Under: Featured, Komente Tagged With: Beqir Sina, Papa bekon, te gjithe shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT