• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2016

Të pathënat e takimit të Nënë Terezës me Ramiz Alinë

September 2, 2016 by dgreca

… dhe Nexhmije Hoxhën/

 -Bujar Kore: Ju rrëfej takimet e mia me Nënë Terezën. Të pathënat e takimit të Nënë Terezës me Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën/

-Mu dukën të çuditshme përgjigjet e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës për fenë dhe misionin e saj/

-Ramiz Alia nuk lejoi që motrat e saj të çelnin misionin në Shqipëri në vitin 1989/

-Nexhmije Hoxha iu shmang kërkesës së Nënë Terezës, duke thënë, nuk vendos unë/

-Jam i pari operator shqiptar që kam filmuar vizitën e saj të parë historike më 1989/

-Kam mbi 10 orë xhirime me Nënë Terezën, por në arkiv është vetëm një orë, ish-drejtuesit i kanë shitur/

-19 tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, u njoh botërisht kush ishte Shqipëria/

1ok nene-tereza-1

Nga Albert Z. ZHOLi/

Ai mbetet në historinë e operatorëve shqiptarë, operatori i parë, i cili xhiroi vizitën e parë dhe të dytë të Nënë Terezës në Shqipëri. Emocionet e tij për këtë figurë gjigande shqiptare janë të jashtëzakonshme. Ai përshkruan me detaje të gjitha mbresat, takimet, lëvizjet, urimet, bekimet, komunikimin, dëshirat. Por e veçanta e tregimit të tij është se ai loton kur flet për këtë figurë të shquar, aq impresionuese kanë qenë ato xhirime. Për të, momentit magjik kur Nënë Tereza doli nga dera e avionit, bëri që Bujari për disa momente shtangu nga rrezatimi i figurës së saj, për disa momente nuk e vuri në lëvizje aparatin. Një nga momentet më magjike të saj është pritja që i bëri Papës në Rinas. Aty pa se si Nënë Terezën, Papa e puthi në ballë dhe nuk e lejoi t’i puthë dorën, pasi shenjtëria e saj ishte më e madhe, ndaj theksoi se “Nënë Tereza është Nëna e të gjithë Botës”.

 –Kur e keni takuar për herë të parë Nënën Terezë?

-Për herë të parë Nënën e Madhe të gjithë njerëzimit, e kam takuar në vitin 1989, kur ajo zbriti për herë të parë në aeroportin e Rinasit, në tokën shqiptare. ishte një vizitë historike, ku shtypi i huaj i dha rëndësi të madhe ndërsa media jonë e kaloi përciptazi. Ajo ishte e shoqëruar nga disa motra të saj. Ajo që më ra në sy ishte se atë nuk e priti asnjë zyrtar i lartë i kohës. Pra asnjë anëtar i Byrosë Politike apo Kryeministër, ndërkohë që në çdo vend të botës ku ajo shkonte pritej si Perëndi. Ishte një pritje e thjeshtë, tepër modeste për një grua të madhe. Ajo zbriti në Rinas ashtu shtatvogël por që linte pas një ndriçim prarues që të dukej se diçka ndriste në çdo hap që hidhte. Ecja e saj, veshja e saj, shikimi i saj ishte magjeps. Me të vërtetë ajo të shtangte. Bëja çudi kur një botë e tërë çohej në këmbë para saj në Shqipëri kjo lavdi ishte thuajse inegzistente. ishte koha kur ende feja në Shqipëri ishte e ndaluar dhe kultet fetare nuk ishin hapur dhe besimtarët luteshin fshehurazi nëpër shtëpi.

Kush e priti Nënë Terezën në Rinas?

-Ishte zv.minsitri i Shëndetësisë së asaj koha dhe kryetari Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe nja dy tre të tjerë. Ishte një pritje e thjeshtë, pa shumë zhurmë dhe pa shumë ceremoni. Ajo ishte shoqëruar nga disa motra të Misionit te saj.

Ju atë kohë ishit i vetmi televizion në Shqipëri, si u ndjetë që ishit i pari operator, që keni xhiruar Nënë Terezën në Shqipëri?

-Sot kur e mendoj dhe e shikoj në retrospektivë them se kam lindur me fat së bashku me gazetarin Ferdinand Samarxhi. Ndoshta atë kohë atë moment duke pasur parasysh sistemin nuk pata ndonjë emocion, por sot kur shikoj famën, respektin, mirësitë, lavdinë e saj them se ndihem tepër i përkëdhelur. Por edhe ato moment i bëra shumë pyetje vetes. P.sh si ka mundësi që e presin një grua me emër dhe nuk i japin rëndësinë e duhur? Pse nuk pritet si priten shumë kryetarë partish komuniste apo anëtarë të Byrove Politike të vendeve ish-komuniste? E dija që feja ishte ndaluar tek ne dhe ajo ishte një shenjtore, por përderisa e linin të vizitonte Shqipërinë pse të mos bëheshin nderet e duhura?

-Si u ndjetë kur ajo zbriste shkallët e avionit?

-Kisha shumë kureshtje, kisha shumë mendime në kokë. Pritej një shenjtore. E mbaja kamerën në duar dhe prisja momentin të filmoja. Kur ajo zbriti shkallët e avionit për një moment u stepa. Nuk e shkela këmbëzën e filmimit. Kisha shumë kureshtje pasi hera e parë që isha në një pritje të tillë. Sa bëri hapat e para i thirra mendjes. Duhej të lija kureshtjen dhe të bëja detyrën. Unë nuk isha si ët gjithë pro me një detyrë specifike. E çoja kamerën me kujdes ku ajo shkelte. Prisja një gjigante, por ajo ishte e shkurtër e dobët, por kishte forcën e shpirt të madhe. Të impononte dëshirë për ta ndjekur, me atë fytyrë engjëllore dhe veshje specifike më bëri të tërin për vete.

Cili ishte qëllimi i vërtetë i Nënë Terezës në Shqipëri?

-Me sa mora vesh ajo kishte qëllim që misionin e Motrave të saj ta hapte dhe në Shqipëri. Donte patjetër që vendi ynë të ishte pjesë e këtij misioni fisnik. Por atë kohë ishte tjetër ideologji, jo çdo gjë mund të bëhej me një firmë. Feja ende ishte opium, ishte tejet e ndaluar. Ne në këtë drejtim ishim vendi më i pa fe në botë. Feja ishte tabu absolute.

Me cilët pati takime në atë kohë Nënë Tereza?

-Pati shumë takime, por unë do të veçoj dy. Takimi i parë ishte me Ramiz Alinë, vazhduesin e veprës dhe rrugës së Enverit (pra Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH) dhe së dyti me Nexhmije Hoxhën. Takimi i parë u bë në zyrën e Ramiz Alisë dhe takimi i dytë në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës. Në takimin me Ramiz Alinë Nënë Tereza i kërkoi shefit të PPSH për një vend apo ndërtesë për të hapur përfaqësinë e misionareve të saj në Tiranë. Të njëjtën kërkesë ja parashtroi dhe Nexhmijë Hoxhës.

Çfarë përgjigje i dha Ramizi dhe Nexhmija?

-Ata i dhanë afërsisht të njëjtën përgjigje. Ramizi i tha se nuk janë pjekur kushtet ën Shqipëri për ligjërimin e fesë dhe të misioneve të tilla fetare në Shqipëri, pasi është e ndaluar me Kushtetutë propaganda fetare. Ndërsa Nexhimja “më me diplomaci” ju përgjigj se nuk kishte ajo autoritetin dhe firmën për një diçka të tillë. Pra si duket ato ishin marrë vesh për të mos e lejuar hapjen e një misioni të tillë të Motrave në Nënë Terezës në Shqipëri. Por me sa shihja Nënë Tereza u habit dhe u mërzit shumë me këtë përgjigje, i dukej absurd. Kjo më tepër se misioni i Motrave të saj ishte përhapur në gjithë botën ku ajo respektohej si një Presidente. Më vinte keq shumë kur shihja fytyrën e saj që shprehte habi. Kishte besim se diçka pozitive do të ndodhte. Por…

A u dha lajm-kronikë në TVSH kjo vizitë?

-Eh…S’di ç’të them, por e vërteta ishte se u dha një kronikë vetëm 40 sekonda. Kronika përcillte se “ Sot në Tiranë erdhi për një vizitë Nënë Tereza….”. Pra shkurt, shkurt fare sikur bëhej fjalë për mbjelljen e domateve në një ndërmarrje bujqësore. Lajmin e përgatiti gazetari Ferdinand Samarxhi.

Ju, sa orë filmuat kur e shoqëruat (total)?

-Ju thashë që pata fatin dhe nderin e madh që të filmoj këtë vizitë. Ajo ishte një Hyjneshë e zotit. E filmova në të gjitha vendet ku shkoi dhe takimet që bëri. E filmova kur zbriti në Rinas, kur Takoi Ramiz Alinë, kur takoi Nexhmije Hoxhën dhe në disa vizita që bëri në veri të vendit. Kam shumë kujtime të bukura dhe foto me të. Kur më prekte dorën apo më afrohej më dukej sikur zoti vetë më merrte në mbrojtje. Kishte një frymë të shenjtë. Shumë takime nuk u dhanë por unë i kam në arkivin tim. Shumë të tjera i kanë marrë televizionet e tjera dhe i përcjellin tek shikuesi si të tyre, pa emër autori. Kam bërë mbi 10 orë xhirime, njëra më e mirë se tjetra. Xhirime që më kanë lënë mbresa të mëdha. Por sot në arkivin e RTSH nuk gjen as një orë xhirime. Ish-drejtorët e asaj kohe me radhë i përvetësuan dhe nuk e di ku i kanë çuar këto xhirime për përfitime personale.

 Kur ka ardhur për herë të dytë Nënë Tereza?

-Për herë të dytë ka ardhur kur proceset demokratike kishin sjellë demokracinë në Shqipëri. Ishte 18 gushti i vitit 1992, kur President ishte Sali Berisha dhe Kryeministër Aleksandër Meksi. Tashmë shumë gjëra kishin ndryshuar. Në këtë vizitë Nënë Tereza u shpreh hapur se “Shqipëria është toka e gjakut tim” dhe “Në vend të urrejtjes dashuri”. Asaj prej shumë vitesh i ishte mohuar e drejta të vizitonte Shqipërinë dhe varrezat e të afërmve në Sharrë që nga viti 1928 kur ishte larguar. Ajo nuk kishte vendosur një tufë me lule në varet e të afërmve të saj në Sharrë. Ajo zhvilloi takime me Sali Berishën dhe me Aleksandër Meksin, të cilët i dhanë mbështetjen për hapjen e misionit të saj të bamirësisë së Tiranë.

Po takimi i tretë?

-Vitit 1993! Nënë Tereza priti Papa Vojtilan në Rinas. Më bëri çudi për rëndësinë dhe dashurinë e madhe që tregoi Papa ndaj Nënë Terezës, Ajo donte ti puthte dorën ndërsa ai u ul paksa dhe i puthi kokën (ballin). Një gjest shumë human dhe vlerësues. Papa theksoi se Nënë Tereza është simboli i gjithë shqiptarëve por edhe të gjithë njerëzve të vuajtur. Ajo i ka bërë shqiptarët të njohur kudo në botë me veprën dhe punën e saj. Shërbimet e saj për të varfrit kudo në botë janë shumë të mëdha tha Papa. Ai e quajti Nënë Terezën Nënë të të gjithë Botës.

Kush ishte e veçanta e Nënë Terezës?

E veçanta ishte se ajo nuk bënte dallime në besimet fetare. Ajo të gjithë i quante njerëz dhe takoi krerët dhe besimtarët e të gjitha besimeve fetare, mysliman, bektashinj, ortodoks apo katolik.

Nga xhirimet për të dhe gjatë vizitave të saj, çfarë të veçante do të kujtosh?

-Janë shumë, shumë. Mbaj mend se në takimet që mbajti në Pukë me popullin, një njeri e kishin sjellë me barela pranë saj pasi nuk ecte. Për çudi, sa e vendosën barelën pranë saj, ai i habiti njerëzit përreth kur u çua për disa moment në këmbë. ishte një mrekulli. Ajo vetë nuk e besonte. Por dua të veçoj thjeshtësinë dhe bujarinë e madhe të saj. Sa herë shkonte në Vatikan, afër tij Nënë Tereza kishte dhomën e saj të gjumit. ishte dhoma më modeste që kam parë në jetën time. Unë kam filmuar shumë detaje të jetës së saj pasi ne bëmë një dokumentar me gazetarin Engjëll Ndocaj. Në atë dhomë kishte një krevat të thjeshtë, një tavolinë një frigorifer, perde të zakonshme dhe mbulesë të zakonshme që mund ti ketë dhe njeriu më i varfër në botë. Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë dhomë ishte një zemër e improvizuar plastike ku brenda kishte formën reale të zemrës së saj, ku nëpërmjet gypave plastik dukej ose përcillej ngjyra e gjakut të saj. Pra një simbol i dashurisë njerëzore.

19 tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, cilat ishin të veçantat?

Kjo ditë ishte historike. Gjithë bota në këtë ditë njohu më shumë Shqipërinë. Në këtë ditë flamuri shqiptar zaptoi Vatikanin. Vetëm flamuri kuq e zi mbizotëronte. Në Sheshin e Shën Pjetrit ishin mbi 10 mijë vetë ku pjesa dërmuese ishin shqiptarë. Një moment historik. Gjithë bota njohu se kush ishte Shqipëria. Kishte shumë njerëz që se njihnin dhe morën vesh se çfarë figure të madhe nxori një vend i vogël.

E veçanta e bekimit të Kishës së Shkodrës?

Kur në Shqipëri u zyrtarizua feja dhe besimtarët u çliruan nga izolimi shpirtëror 50-vjeçar, Nënë Tereza nëpërmjet ish-zv.ministrit të Jashtëm shqiptar të vitit 1991 dërgoi ujë të bekuar, për të bekuar muret e kishës së Madhe në Shkodër. Ky gjest u diskutua shumë në botë.

Në Ditën e Lumturimit

Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Ganxhe Bojaxhiun – Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e altarit. Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i Formulës së Lumturimit nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:

“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

 

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Nene Tereza, takimi me Ramiz Aline

Një Letër Publike që nuk imponon censurë

September 2, 2016 by dgreca

  • Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë Millovan Drecun-i është kriminel lufte që duhet të jep përgjegjësi për pjesëmarrjen tij në këto krime…/

Letër Publike drejtuar:/

Asociacionit të Medieve të Pavarura Elektronike të Kosovës/

Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës/

Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës/

Unioni i Gazetarëve të Kosovës/

Drejtorëve dhe Kryeredaktorëve të medieve të Kosovës,/

 Të nderuar përgjegjës të institucioneve të lartpërmendura,/

Të nderuar Kryeredaktorë të medieve në Kosovë,/

Më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të «Radio Televizionit të Beogradit», të «Radio Televizionit të Novi Sadit» si dhe kundër gazetarëve të gazetave «Politika», «Večernje Novosti» dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse të Serbisë.
Me këtë padi penale, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët, që i shërbyen kësaj propagande, se duke manipuluar me mediet, ndikuan në përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, në nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale.

Për këtë arsye, ky asociacion kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për vepër penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës.
Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë.

Për të gjitha nxitjet dhe gënjeshtrat që kishte bërë kundër shqiptarëve gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi e dekoroi Millovan Drecun-in me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.
Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi u dënua nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg. Ndërsa, njëri nga të dekoruarit e tij, Milovan Drecun-i, i cili kishte marrë pjesë në nxitjen e akteve të dhunës, në montimin e proceseve kundër vëllezërve Mazreku dhe në fshehjen e gjurmëve të gjenocidit, nuk u dënua.
Akuza e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë negative për Milovan Drecun-in. Përkundrazi, ai pati vetëm privilegje!
Pas veprimtarisë së gjatë aktive në kuadër të partisë së Milošević-it, në qershor të vitit 2011 u anëtarësua, në Partinë Përparimtare Serbe të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi. Po i sjell për lexuesin që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Në vend që të përgjigjet për pjesëmarrje në krimet e kryera në Kosovë, ai në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë vazhdon logjikën e përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së armiqësive kundër shqiptarë. Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë insiston që ky kriminel të merr dënimin e merituar. Fatkeqësisht mediet tona i japin hapësirë qëndrimeve të këtij krimineli pa ia rikujtuar lexuesit shqiptar që nuk është në dijeni se prapa funksionit të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë qëndron një kriminel lufte me emrin Millovan Drecun.

Ndaj kësaj dukurie kam reaguar me një shkrim autorial të titulluar “Kush është Milovan Drecun-i?I falënderoj të gjitha mediet dhe portalet që e publikuan. Fatkeqësisht ndikimi i shkrimit tim nuk ka pasur as efektin më të vogël. Mjafton të shihet hapësira që ju dha qëndrimeve të këtij krimineli lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës për Marrëveshjen e demarkacionin me Malin e Zi.

Letra ime publike nuk kërkon të imponohet censurë ndaj kujtdo qoftë. Por, ka për qëllim që të sensibilizojë gazetarët dhe përgjegjësit e medieve që gjërat të thuhen me objektivitetin e duhur: kur një kriminel lufte del me qëndrim të caktuar, pa marrë parasysh se nga cili funksion politik aktual flet, duhet t’i përmendet fakti se ai është i akuzuar për krime lufte. Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë Millovan Drecun-i është kriminel lufte që duhet të jep përgjegjësi për pjesëmarrjen tij në këto krime.

Me respekt

Bardhyl Mahmuti

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, medias, Një Letër Publike

Kosovë-Tre krerë të rinj të pranisë ndërkombëtare

September 2, 2016 by dgreca

-Komandant i ri të KFOR-it, Gjeneral Majori Giovanni Fungo/

-Shefe e re e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova/

– Shefje e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou/

PRISHTINË, 2 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takime të ndara Shefen e re e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, si dhe Shefjen e re të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou,  të cilat kanë marrë dje detyrat. Apostolova wshtw me kombësi bullgare, ndwrsa Papadopoulou greke.

Kështu niswn takimet njohëse me autoritetet e vendit krerët e rinj të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, që kanë marrë pozitat  në të njëjtën ditë, dje, dhe janë tre përfshirë komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Majorin Giovanni Fungo.

Presidenti Thaçi mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë në mes të Gjeneral Majorit italian në largim Guglielmo Luigi Miglietta dhe bashkwkombasit tw tij Gjeneral Majorit në ardhje Giovanni Fungo, të zhvilluar dje në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Film City” në Prishtinë.

Për punën e tij në Kosovë, për thellimin e besimit dhe të përkrahjes për të gjithë banorët, Presidenti Thaçi e dekoroi Gjeneral Majorin Miglietta me Medaljen Ushtarake të Presidentit të Kosovës.

Presidenti Thaçi priti shefen e re të zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova

1 Thaci me ciken me lulePresidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim përfaqësuesen e Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova, të cilës i ka uruar punë të mbarë në detyrën e re.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova në vitet e shkuara ka bërë përparime të prekshme në jetësimin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Me mbështetjen tuaj do t’i tejkalojmë edhe sfidat e mbetura”, ka shtuar Thaçi.

Nga ana tjetër, shefja e re e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Pres me padurim të punojë me juve në avansimin e axhendës së BE-së për Kosovën, në çështjet si zbatimi i MSA-së, viza liberalizimi, të drejtat e njeriut dhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, ku BE-ja është e angazhuar në mënyrë të barabartë me të dyja palët. Jam në mënyrë të veçantë e inkurajuar me dakordimin që të kemi takime të rregullta për të kumtuar se çfarë nënkupton BE-ja për qytetarët e Kosovës.””, u shpreh Apostolova.

Në këtë takim, presidenti Thaçi ka theksuar se sa më parë duhet të ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që edhe ata të bëhet pjesë e lëvizjes së lirë në Evropë.

Presidenti Thaçi me shefen e re të EULEX-it flasin për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë

1 Thaci Kryes EulexPresidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim edhe shefen e re të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Me shefen e EULEX-it, kreu i shtetit ka diskutuar për bashkëpunimin e mirë të institucioneve të Kosovës me EULEX-in, për shtimin e kapaciteteve të reja dhe për sfidat e institucioneve të drejtësisë.

“Bashkëpunimi me institucionet dhe puna e mirë e EULEX-it kanë bërë që deri më tani ky mision të ketë shumë suksese në Kosovë. Falë mbështetjes së EULEX-it edhe institucionet tona të drejtësisë janë fuqizuar dhe kanë rritur kapacitetet e tyre të punës”, është shprehur presidenti Thaçi.Ndërsa, shefja e re e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, tha se EULEX do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe brenda përgjegjësive që ka gjithnjë do t’i mbështes ato.

“Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në konsolidimin e sundimit të së drejtës”, theksoi presidenti Thaçi.

Shefen e re të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, presidenti Thaçi e uroi edhe për detyrën e saj të re në Kosovë.

Ministri Çollaku pret në takim njoftues shefen e re të Zyrës së BE-së, përfaqësuesen e posaçme të BE-së, Apostolova

2 Cika

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, priti në takim njoftues shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, së cilës i dëshiroj mirëseardhje në Kosovë.

Ministri Çollaku shprehu përkushtimin e institucioneve për të vazhduar bashkëpunimin me Zyrën e BE-së në drejtim të avancimit të agjendës evropiane për Kosovën.

Gjatë takimit ministri e ka njoftuar Apostolova për angazhimet lidhur me zbatimin e

MSA-së rezultatet e para të së cilës kanë filluar të formësohen duke shtuar se kjo është agjendë e reformave e cila pritet të dinamizohet gjatë muajve në vazhdim.

Kurse sa i përket procesit të liberalizimit të vizave përkundër zhvillimeve të djeshme në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht tërheqjes nga rendi i ditës të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ministri Çollaku theksoi se BE-ja duhet të vazhdojë me procedurat e vendimmarrjes dhe të marr vendim pozitiv për Kosovën.

“Kosova ka bërë më shumë reforma dhe ka përmbushur shumë më tepër kritere se çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor që ka përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave.  Prandaj pres vlerësime pozitive në këtë drejtim dhe sigurojmë institucionet e BE-së se Kosova do të vazhdojë me agjendën e reformave duke respektuar dhe zbatuar obligimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave dhe procesi i integrimit evropian në përgjithësi”, ka thënë ministri Çollaku.Shefja e re e Zyrës së BE-së në Kosovë njëherësh përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova e falënderoi Ministrin Çollaku për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë.” Jam e lumtur që Kosova është plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe pres të punojmë bashkërisht në avancimin e saj, në mënyrë të posaçme në zbatimin e MSA-së dhe komunikimin e axhendës së BE-së te qytetarët e Kosovës”, ka thënë Apostolova.

Filed Under: Kronike Tagged With: kosova, nderkombetare, te pranise, tre krere te rinj

MoU on Ionian-Adriatic Pipeline signed with SOCAR

September 2, 2016 by dgreca

Baku, Azerbaijan/By Aygun Badalova – Trend:Croatia, Albania, Bosnia-Herzegovina and Montenegro signed a Memorandum of Understanding (MoU) on the construction of the Ionian Adriatic Pipeline (IAP) with Azerbaijani state oil company SOCAR, Croatian media reported. The signing took place within the Dubrovnik Forum on August 26. IAP pipeline with a length of around 516 kilometers will be connected to the Trans Adriatic Pipeline (TAP), which is designed to transport Azerbaijani gas to Europe, in the city of Fier in Albania. The IAP will pass through Albania, Montenegro, Bosnia and Herzegovina, and end in the city of Split in Croatia, where it will be connected to the existing gas distribution system of the country. From Croatia, the gas can go to Hungary and other countries of Central and Western Europe. The capacity of the IAP will be five billion cubic meters per year. The pipeline will be capable of carrying out reverse supply. TAP has already signed memoranda of understanding and cooperation with the developers of this project, in particular, with Plinacro natural gas transmission system operator of Croatia, BH-Gas company of Bosnia-Herzegovina and GeoplinPlinovodicompany of Slovenia. Moreover, there has been created a ТАР and IAP working group which regularly holds meetings in order to synchronize the time of implementation of both projects and agree on the technical issues of connection.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ionian-Adriatic Pipeline, signed with SOCAR

Peripecitë e te vajturit dhe të pushuarit ne plazhin e Durrësit

September 2, 2016 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/

Si çdo vit, u nisëm nga Amerika për të kaluar pushimet në plazhin e Durrësit, ku kemi blerë një apartament në katin e sipërm të një pallati, i cili ka një verandë të madhe ku ndien freskinë dhe aromën e detit si dhe sheh pamjen e bukur të tij. Nga Amerika, me më pak shpenzime, mund t’i kalosh pushimet në zonën e Karaibeve, apo në vetë Amerikën, ku ka plazhe të mrekullueshme e plot aktivitete zbavitës, por ne nostalgjinë e kemi për vendin dhe njerëzit tanë.

Kur u nisa nga Tirana për në plazh, më erdhën ndër mend kujtime të vjetra të shumë e shumë viteve të shkuara, kur si fëmijë, me një boçe të vogël me bukë, domate e pak djathë, me gëzim, i hipnim trenit me qymyr, i cili na ndalonte mu në plazh, aty pinim edhe ndonjë aranxhatë, një pije e këndshme e freskuese që më pas u zëvendësua padrejtësisht nga “coca-t dhe cola-t”. Në njëfarë periudhe treni kishte edhe vagonë verorë të cilat ishin krejt të hapura. Pjesa më e bukur e udhëtimit ishte futja në tunel. Në mungesë të dritave, të gjithë bërtisnim, fishkëllenim, ngacmonim njëri-tjetrin. Udhëtimi zgjaste më pak se 1 orë. Ditët e diela treni mbushej aq shumë, saqë edhe vagonët e mallrave ishin plot me njerëz. Laheshim e luanim ku të donim, takonim plot të njohur, njihnim gati gjysmën e plazhit. Edhe më pas, plazhi i Durrësit mbetej një nga vendet më të bukura. Në këtë kohë trenat u bënë me vagonë më të mirë dhe me lokomotiva me naftë. Tashti ishin ndërtuar edhe disa hotele të mira dhe mund të shkonim që të shtunën dhe të dielën të gdhiheshim në plazh. Erdhi koha kur filluan të vinin edhe turistë nga vendet e “Demokracive Popullore”: gjermanë, çekosllovakë, hungarezë etj. Ata e zbukuronin plazhin, visheshin ndryshe, mbanin aparate fotografike në qafë, kishin pajisje të bukura e të larmishme plazhi, përdornin kremra plazhi e parfume gjithfarëshe. Ne na bënin shumë përshtypje, i shihnim me kureshtje dhe zili, na dukeshin si njerëz të ardhur nga planetë të tjerë, mbase edhe ne ashtu u dukeshim atyre. Disa, më guximtarët, më të hedhurit, edhe u flisnin, edhe miqësoheshin me ta, ndonëse ishte e ndaluar. Mbrëmjeve në disa pista kishte muzikë që luhej nga orkestra të mira dhe kërcehej, muzika ishte nga më të zgjedhurat e kohës. Plazhi kthehej në një oaz lirie dhe dëfrimi për të gjithë. Më pas, kur dolën radiot me tranzistorë, të gjithë mbanin nga një radio dhe të gjitha radiot ishin sintonizuar në të njëjtat stacione, në stacionet italiane. Një sfidë masive ndaj regjimit në kërkim të lirisë së mohuar.

Kur treni kthehej përsëri në Tiranë, rruga e bulevardit të madh nga ana e stacionit të trenit, mbushej plot e përplot me njerëz njëlloj siç mbushej edhe pjesa e tjetër e atij bulevardi nga ana e stadiumit kur mbaronte ndonjë ndeshje futbolli. Tashti dy nga pikat referuese të Tiranës: Stacioni i Trenit dhe Stadiumi Kombëtar, mjerisht, nuk ekzistojnë më, as aranxhata. I mori me vete modernizimi!

Në vend që Shqipëria të bënte atë që bën gjithë bota, të vendoste lidhje me trena të vegjël elektrikë, të shpejtë e të shpeshtë, që të lidhnin dy qytetet tona të mëdha fqinje: Tiranën dhe Durrësin e nisja e tyre të bëhej mu në qendër të qytetit, e prishën edhe atë lidhje arkaike që ekzistonte me ata trena primitivë, por sidoqoftë funksionalë.

Për të vajtur tashti në plazh me mjetet e transportit publik, të vëna në dispozicion në mungesë të trenit, duhet të mendohesh mirë, sepse autobusët për atë udhëtim e kanë vendin e parkimit shumë larg qytetit. Po ta kesh shtëpinë larg qendrës, të duhet të marrësh një apo edhe dy autobusë urbanë të cilët duhet të të çojnë në qendër. Aty të duhet të marrësh një autobus tjetër i cili te çon te dogana, shumë larg në dalje të Tiranës, ku parkojnë autobusët që të çojnë në Durrës. Nga Durrësi të duhet të marrësh një autobus tjetër i cili të çon në plazh. Një marrëzi e studiuar mirë nga ata që drejtojnë punët e shoqërisë shqiptare! Në vend që të mendojnë se si t’ua lehtësojnë jetën njerëzve, mendojnë si t’ua ndërlikojnë. Një marrëzi tjetër e gjen në stacionin e autobusëve: në vend që të gjesh mikrobusë me kapacitet 12-16 vende që të mbushen shpejt e të venë e vinë më shpesh, gjen autobusë me mbi 60 vende që duan orë për t’u mbushur dhe, pavarësisht se thonë se autobusët kanë orar të nisjes, ata nuk nisen pa u mbushur, ose nisen kur vjen autobusi tjetër. Kështu, një udhëtim Tiranë-Durrës, që mund të zgjaste rreth 30 minuta, shkon mbi dy orë. Por nuk është shumë problemi i kohës për shqiptarët, ata kanë kohë sa të duash me të cilën nuk dinë ç’të bëjnë, për shumë të tjerë nuk është edhe problemi i pareve që shkon edhe sa dyfishi i biletës së autobusit për në Durrës, për ta është më shumë problemi i mundimit, të cilin e ndien gjithkush. Është mundimi i udhëtimit një nga arsyet që plazhin më me vlerë të Shqipërisë, plazhin e Durrësit, Tirana thuajse e ka braktisur.

Arritëm në plazh. Ç’të shohim? Një pronar i ri që ka blerë ca garazhe të pallatit ku kemi apartamentin, i ka kthyer ato në lokale dhe ka përvetësuar të gjitha mjediset e përbashkëta të pallatit, ka ndryshuar strukturën e tij, duke shembur e ngritur mure, duke frikësuar kështu edhe banorët nga mundësia e shembjes së pallatit vetvetiu, apo nga ndonjë tërmet i dobët. Gjellëtores së tij, ku bën gjellë, pjek pula, bërxolla e peshk, i ka vendosur një tub, e ka kaluar përmes verandës tonë, duke na i shëmtuar atë, dhe tymrat i shkarkon pak mbi të. Tashti ne nuk shijojmë më aromën e detit, por erën dhe tymrat e kuzhinës së tij. Folëm me të dhe na premtoi se do ta rregullonte. Kur i thamë se nuk kishte ç’farë të rregullonte, por duhej ta hiqte, na u përgjigj me arrogancë: “Ohu, paskeni shumë llafe ju, nuk keni parë, të gjithë kështu kanë bërë” dhe vërtet, pashë shumë tuba qoftesh e pulash të ngritura mbi ballkonet e tarracat e ndërtesave. Vendosëm ta ndjekim problemin me Bashkinë e Durrësit dhe me Qendrën Rajonale të Mjedisit, por na thanë se e keni kot, pasi ai ka lidhje të forta me njerëzit e Bashkisë. Dhe, është e mundshme, përndryshe nuk do të kishte guximin të bënte ato që ka bërë. megjithatë, ne do ta ndjekim.

Vjet iu bë një reklamë e madhe vendosjes së një kulle vrojtimi me dërrasa në qendër të plazhit për të vrojtuar dhe për të shpëtuar ndonjë në rrezik mbytjeje. Vërtet ajo kullë u vu. Po ashtu u tha se disa pjesë të plazhit do të liheshin si pjesë publike në të cilat pushuesit të mund të vendosnin vetë çadra, ose të rinin si t’u donte qejfi. Kjo gjë nuk u bë, por një ditë, tamam në të dy anët e kullës së vrojtimit, një tufë e përbërë nga bashkiakë, nga policia lokale, nga trupa televizive e personalitete të tjera vendore u dukën në atë vend dhe liruan një pjesë të tij nga çadrat e privatëve nga të dy anët e kullës. Njerëzit morën frymë lirisht! Televizioni i regjistroi pamjet dhe në mbrëmje duhet t’i ketë transmetuar. Nuk kaluan as dy orë nga çasti i heqjes dhe çadrat e pronarëve u vunë përsëri, ashtu siç kishin qenë. Po ç’rëndësi ka, Shqipëria duhet ta ketë parë në televizion se plazhi i Durrësit ka edhe zona publike, edhe një kullë vrojtimi!

Këtë vit, me sa duket, nuk u pa më e arsyeshme të vihej kulla e vrojtimit dhe kullë vrojtimi nuk kishte më, as plazh publik nuk kishte, madje disa nga pronarët e çadrave jo vetëm që kishin zënë të gjithë rërën, por i kishin shtrirë deri në largësi 1 metër nga uji.

Uji i pijshëm dhe mushkonjat janë probleme kronike të atij plazhi të cilat duket se nuk do të ndreqen kurrë. U reklamua para ca kohësh ndërtimi i një trotuari të ri në rrugën e plazhit. Trotuari i ri me pllaka në formë tullash të kuqe ishte një shtesë prej rreth një metri i trotuarit të vjetër me pllaka në formë tullash të bardha, po me gjerësi rreth një metri, por i vendosur në nivel më të ulët ndaj tij. Sepse ishte bërë një trotuar me dy nivele e me dy lloj tullash, sado që ta vrisje mendjen nuk e gjeje dot. Bota i bën trotuaret me ulje të butë, kur ato bashkohen me rrugën dhe, a e dini pse? që ata të paktit që lëvizin me karrige me rrota, ta kenë më të lehtë lëvizjen. Ne bëjmë vetë trotuarin me dy nivele! Tullat që tashti kishin filluar t’i rrjepnin, ndërsa pusetat e kanaleve mungonin. Natën duhej të ishe shumë i vëmendshëm, përndryshe thyeje qafën në to. Vetë pusetat ishin mbushur me gjithfarë lloj plehrash dhe një ditë që ra pak shi, rrugët e plazhit u përmbytën.

Asnjë aktivitet kulturor e artistik nuk zhvillohet në plazh. Vetëm nga një pistë andej nga kreu i plazhit, nga ana e Durrësit, ushton një zhurmë acaruese që e quajnë muzikë e që dëgjohet kudo deri në orën 12 të natës. Dhe pastaj presin që të shkojnë turistë në atë plazh! Turistë ka, por nga ata që futen në det me gjithë brekushe a çitjane e nga ata që skuqen dhe digjen që ditën e parë.

Ndërsa në autobusët urbanë të vinte kontrolli dhe të shihet në sa e kishe marrë biletën që kushtonte 30 lekë, për çadrat që kushtonin 500 lekë nuk të jepnin kupon tatimor. Në një plazh që, sipas llogarive të përafërta, kishte rreth 10000 çadra, shteti nuk kishte asnjë të dhënë për paratë që merrnin pronarët prej tyre! Kur ua kërkoje kuponin të thoshin se nuk kishin kupon, por e regjistronin në fletore dhënien e çadrës. Në tregtore, të paktën aty ku blinim ne, kuponin tatimor ta jepnin vetëm kur ua kërkoje. Ç’luftë e madhe u bë disa muaj më parë për atë kupon, por te ne të gjitha gjërat janë të përkohshme, për fushata, duke përfshirë edhe ligjet. Nuk ka asgjë të studiuar e të qëndrueshme, asgjë të bërë me mend, asgjë që t’i qëndrojë arsyes.

 

Nju Jork, gusht, 2016                                        Ilir Hashorva

Filed Under: Opinion Tagged With: peripeci, Plazhi, te pushosh ne Durres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT