-Komandant i ri të KFOR-it, Gjeneral Majori Giovanni Fungo/
-Shefe e re e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova/
– Shefje e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou/
PRISHTINË, 2 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takime të ndara Shefen e re e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, si dhe Shefjen e re të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, të cilat kanë marrë dje detyrat. Apostolova wshtw me kombësi bullgare, ndwrsa Papadopoulou greke.
Kështu niswn takimet njohëse me autoritetet e vendit krerët e rinj të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, që kanë marrë pozitat në të njëjtën ditë, dje, dhe janë tre përfshirë komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Majorin Giovanni Fungo.
Presidenti Thaçi mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë në mes të Gjeneral Majorit italian në largim Guglielmo Luigi Miglietta dhe bashkwkombasit tw tij Gjeneral Majorit në ardhje Giovanni Fungo, të zhvilluar dje në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Film City” në Prishtinë.
Për punën e tij në Kosovë, për thellimin e besimit dhe të përkrahjes për të gjithë banorët, Presidenti Thaçi e dekoroi Gjeneral Majorin Miglietta me Medaljen Ushtarake të Presidentit të Kosovës.
Presidenti Thaçi priti shefen e re të zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim përfaqësuesen e Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova, të cilës i ka uruar punë të mbarë në detyrën e re.
Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova në vitet e shkuara ka bërë përparime të prekshme në jetësimin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Me mbështetjen tuaj do t’i tejkalojmë edhe sfidat e mbetura”, ka shtuar Thaçi.
Nga ana tjetër, shefja e re e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Pres me padurim të punojë me juve në avansimin e axhendës së BE-së për Kosovën, në çështjet si zbatimi i MSA-së, viza liberalizimi, të drejtat e njeriut dhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, ku BE-ja është e angazhuar në mënyrë të barabartë me të dyja palët. Jam në mënyrë të veçantë e inkurajuar me dakordimin që të kemi takime të rregullta për të kumtuar se çfarë nënkupton BE-ja për qytetarët e Kosovës.””, u shpreh Apostolova.
Në këtë takim, presidenti Thaçi ka theksuar se sa më parë duhet të ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që edhe ata të bëhet pjesë e lëvizjes së lirë në Evropë.
Presidenti Thaçi me shefen e re të EULEX-it flasin për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim edhe shefen e re të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.
Me shefen e EULEX-it, kreu i shtetit ka diskutuar për bashkëpunimin e mirë të institucioneve të Kosovës me EULEX-in, për shtimin e kapaciteteve të reja dhe për sfidat e institucioneve të drejtësisë.
“Bashkëpunimi me institucionet dhe puna e mirë e EULEX-it kanë bërë që deri më tani ky mision të ketë shumë suksese në Kosovë. Falë mbështetjes së EULEX-it edhe institucionet tona të drejtësisë janë fuqizuar dhe kanë rritur kapacitetet e tyre të punës”, është shprehur presidenti Thaçi.Ndërsa, shefja e re e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, tha se EULEX do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe brenda përgjegjësive që ka gjithnjë do t’i mbështes ato.
“Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në konsolidimin e sundimit të së drejtës”, theksoi presidenti Thaçi.
Shefen e re të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, presidenti Thaçi e uroi edhe për detyrën e saj të re në Kosovë.
Ministri Çollaku pret në takim njoftues shefen e re të Zyrës së BE-së, përfaqësuesen e posaçme të BE-së, Apostolova
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, priti në takim njoftues shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, së cilës i dëshiroj mirëseardhje në Kosovë.
Ministri Çollaku shprehu përkushtimin e institucioneve për të vazhduar bashkëpunimin me Zyrën e BE-së në drejtim të avancimit të agjendës evropiane për Kosovën.
Gjatë takimit ministri e ka njoftuar Apostolova për angazhimet lidhur me zbatimin e
MSA-së rezultatet e para të së cilës kanë filluar të formësohen duke shtuar se kjo është agjendë e reformave e cila pritet të dinamizohet gjatë muajve në vazhdim.
Kurse sa i përket procesit të liberalizimit të vizave përkundër zhvillimeve të djeshme në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht tërheqjes nga rendi i ditës të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ministri Çollaku theksoi se BE-ja duhet të vazhdojë me procedurat e vendimmarrjes dhe të marr vendim pozitiv për Kosovën.
“Kosova ka bërë më shumë reforma dhe ka përmbushur shumë më tepër kritere se çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor që ka përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave. Prandaj pres vlerësime pozitive në këtë drejtim dhe sigurojmë institucionet e BE-së se Kosova do të vazhdojë me agjendën e reformave duke respektuar dhe zbatuar obligimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave dhe procesi i integrimit evropian në përgjithësi”, ka thënë ministri Çollaku.Shefja e re e Zyrës së BE-së në Kosovë njëherësh përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova e falënderoi Ministrin Çollaku për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë.” Jam e lumtur që Kosova është plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe pres të punojmë bashkërisht në avancimin e saj, në mënyrë të posaçme në zbatimin e MSA-së dhe komunikimin e axhendës së BE-së te qytetarët e Kosovës”, ka thënë Apostolova.