• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

Ju puth duart me ndér si biri t’atit

October 23, 2016 by dgreca

1-eqerem-cabej

1-gjergj_fishta_1932Shkruar nga : Mërgim Korça*/

Kësisoji e mbyll letrën e tij tek i drejtohet  Atë Gjergj Fishtës profesor Eqrem Çabej, (dokument i cili gjëndet në Arkivin Qëndror të Shtetit, F17  D36 fl.12). E filluam këtë replikë ndaj shkrimit të profesor Nasho Jorgaqit me pozicionimin e profesor Çabeut ndaj Atë Gjergj Fishtës, pikërisht që ta mësojë profesor Nashua se që në fillim ai e nis shkrimin e tij me një insinuatë të gabuar !

Nisur nga fakti se dëshira e ime e sinqertë është t’u trashëgojmë brezave të rinj të dhëna historike si edhe sa më shumë të vërteta si edhe fakte bashkëkohore tonat që ata jo që nuk kanë se si t’i dijnë por as që i marrin dot me mënd, (nisur nga shtrëmbërimet që i janë bërë historisë nga historianët e periudhës diktaturës si edhe në vazhdim), prandaj edhe e fillova këtë replikë timen kësisoji, ndaj asaj të ashtuquajture analizë që i bën veprimtarísë së Atë Gjergj Fishtës profesori Nasho Jorgaqi i cili titullin e shkrimit të tij e ka përzgjedhur pikërisht të jetë :

A FLIRTOI GJERGJ FISHTA ME PUSHTUESIT FASHISTË ?

Pak informacion për lexuesin :  Në vitin e largët shkollor 1948 – 49, në shkollën e mesme Gjimnazi 29 Nëndori i Shkodrës, (qytet në të cilin na shpërngulën familjarisht duke na hequr nga Tirana në vijim të luftës së klasave), rastisi të kem shok klase paralele, (ai ishte nxënës i shkollës pedagogjike, nën të njajtën çatí si edhe drejtorí shkolle), autorin e shkrimit të lartpërmëndur, Nasho Jorgaqin. Ky i fundit bënte pjesë në kontingjentin e konviktorëve të asaj shkolle, të kërkuar urgjentisht nga kryetari i Degës Punëve të Brëndëshme Hilmi Seiti ministrit të Punëve të Brëndëshme Mehmet Shehut, për ta shtruar gjëndjen disidente të studentëve kundra-komunistë të asaj shkolle.

Për hír të së vërtetës si edhe objektivitetit që dua të ketë kjo analizë, nuk kam se si ta mohoj faktin që, me aq sa mundem, të pohoj simbas ngjarjeve për të cilat isha dëshmitár në vetë të parë, se Nasho Jorgaqi ecte asokohe për plogëtí, (duke mos qenë flamurtar egërsíje), mes radhës  konviktorëve të sjellë në Gjimnazin e Shkodrës me detyra të caktuara sa i takon ashpërsísë që e shquante masën e tyre të étur në drejtimin e zbatimit të luftës së klasave, si rezultat i punës së të cilëve pati përjashtime nga shkolla, arrestime, si edhe dënime me burgim bashkënxënësish tonë të asaj kohe !

Me kalimin e viteve doemos i humba lidhjet e drejtpërdrejta me Nashon i cili iu kushtua karrierës mësimdhënësit e në vazhdim të shkrimtárit si edhe analistit.

Ç’E SHKAKTOI FILLIMISHT ZHGËNJIMIN TIM PËR NASHON ?  Leximi i dy vëllimeve të tij, “MËRGATA E QYQEVE“ !  E përzgjodha jo rastësisht cakun gjuhësor fillimisht, sepse në vijim të viteve erdhën pastaj edhe intervistat e tija, (të N.Jorgaqit–shënim i M.K.), ku ai theksonte se si  ishte munduar, derisa edhe i bindi udhëheqësit komunistë të shtetit, ta miratonin shkrimin e në vazhdim doemos edhe botimin e një romani ku burim kryesor informacioni kishte qenë një i infiltruar i Sigurimit të Shtetit për thuajse dhjetë vite në radhët e emigracionit kundra-komunist, (Isuf Mullai), si edhe disa të infiltruar të tjerë jo të kësaj rëndësije !  Megjithatë, duke mos dashur  të bëj asnjë hamendësí, pa lé insinuatë sa i takon një ure eventuale mes konviktorit Nasho Jorgaqi si edhe shkrimtarit si edhe analistit bashkëkohës, nuk kam se si mos të ndalem e ta analizoj kritikën që ky i fundit i bën atdhetárit të shquar Atê Gjergj Fishtës !  Fillimisht pyes veten :  Cila kishte me qenë zanafílla e hullísë që vazhdon e ndjek profesor N.Jorgaqi me t’ashtuquajturën analizë të tij të botuar me 2 tetor të 2016-ës ?  Padyshim që janë direktivat që ka  pasë dhënë “KOMANDANTI” dhe botuar në gazetën Bashkimi të datës 22 gusht 1947, para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV-të të rinisë popullore që po e kopjojmë tekstualisht siç qé shprehur asokohe vetë Enver Hoxha në fjalimin e tij :
“ Miqësínë me popujt e Jugosllavisë nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmëndur … ! ”

Pikërisht mëkimi, fillimisht me mësimet e Enver Hoxhës dhe në vazhdim pastaj karriera e tij … bënë që profesor Nashua ta hartojë atë shkrimin e tij gjuha e të cilit në pamje sipërfaqësore e predispozuar pozitivisht ndaj Atë Gjergjit por në efekt e mbushur me insinuata negative ku herë figurën e Atë Gjergj Fishtës e quan me probleme e gjithashtu me hije q’e rrethojnë.  E doemos objektivi kryesor është që figura e Atë Gjergj Fishtës të mjegullohet me pohime ekuivoke !  Shëmbull madhor përbën ajo që Nasho Jorgaqi e quan “tundimi fashist”, e si pasojë pranimi nga ana e Atë Fishtës për t’u bërë  akademik i Italisë !  Kësisoji profesor Nasho Jorgaqi sjell një shëmbull, një të vetëm por sipas tij fakt  tejet kuptimplotë lidhur me figurën problematike të Atë Gjergj Fishtës, një letër që Atë Fishta ia paska drejtuar, (në gjuhën italiane), NJË OFICERI TË LARTË FASHIST. Mirëpo profesor Nashua nuk e mendoi fare se si lexuesit të zakonshëm, pun’e parë që do t’i shkojë në mëndje kishte me qenë të pyeste : Kujt i drejtohet kjo letër ?  Nga ana tjetër letra i paraqitet lexuesit e shkruar në një toskërishte dialektale ku përkthyesi, sa për një shëmbull, i ka vënë në gojë Atë Gjergjit edhe shprehjen “ … kam rrufitur, në Resto del Carlino, artikullin tuaj magjistral …”.  Kurse unë shtoj se së pari, letra e Atë Gjergjit, (sipas profesor Nasho Jorgaqit), nuk është përgjigje që i jepet letrës që Ai ka marrë nga një oficer i lartë fashist e për më tepër edhe i paemër.  Për hir të së vërtetës, Atë Gjergj Fishta me 7 qershor të vitit 1939 mori një letër urimi nga Presidenti i Akademisë Mbretërore Italiane Luigi Federzoni ku ai e përgëzonte ndër të tjera Atë Gjergjin si më poshtë vijon : “ … Emërimi i Juaj si Akademik i Italisë, nga njera anë flet për vetë konsideratën e lartë të DUCE-s por nga ana tjetër ësht’edhe një shpërblim i drejtë sa u takon vlerave t’Uaja si edhe një shquarje e posaçme që i bëhet poezísë shqipe, duke marrë nga ana tjetër edhe kuptimin e një njësími të përkryer shpirtëror të dy popujve tanë që deti Adriatik, me lavdítë e tija shekullore i bashkon përjetësisht …”.    

Kurse Atë Gjergji me telegramin e Tij të datës 12 qershor 1939 i përgigjet Presidentit të Akademísë, Luigi Federzoni-t si vijon :

“ … I mallëngjyem Ju falënderoj për urimet si edhe sa i tokon miratimit t’Uej si edhe të kolegëve t’Uej akademikë lidhun me dekretimin t’êm si pjestar i institucionit mâ të naltë të kulturës të regjimit fashist si rrjedhoj’e miratimit prej anës Duces si edhe vullnetit të Perandorit tonë i bindun se prej gjinit të Italisë ka me u rilindë Shqipníja ideale …”  Unë personalisht e ftoj gjithsecilin ta verë veten në pozitat e Atë Gjergjit dhe t’i lexojë me sy kritik si thënjet e Federzonit e gjithashtu edhe telegramin e përgjigjes.  Mendimi im është se që të dyja, si urimet e Federzonit e gjithashtu edhe telegrami i falënderimit përshkohen si një éndje e thurur me gjuhë të dyanëshme diplomatike dhe me respekt të ndërsjellë !

Përgjatë kësaj vázhde, do t’i sjell profesor Nashos dy fakte, (jo si letra që ai e quan fakt që e mvishka me hije figurën e Atë Gjergj Fishtës), por dy fakte që t’i drejtpeshojë lexuesi.

Fakti i parë : Duke hamendësuar në mënyrë spekulluese rreth ndjenjave kundra-komuniste si klerik françeskan i vendosur që Atë Gjergj Fishta ishte, të cilat përkonin me pozicionimin politik të Italisë fashiste, hapi i parë i qeverisë italiane ishte që për vlerat e Tija madhore si edhe ndikimin e madh në popull që Ai gëzonte, qeverija fashiste italiane t’i akordonte Atë Gjergj Fishtës dekoratën nga më të lartat që ajo dekretonte. Këtu edhe pika kyçe e spekullimit rreth figurës At Gjergjit :  Nuk zihet në gojë fare fakti se jo që Atë Gjergji nuk e pranoi dekoratën e lartë por edhe si e priti Ai këtë dekoratë duke u shprehur se “ KJO DEKORATË NUK ÂSHT PËR MUE ! “

Fakti i dytë : Në meshën e përmortëshme që e mbajti Ipeshkvi Imzot Thaçi, i tha morísë së pjesëmarrësve në atë takim mortór “ … para dy ditësh, kah shkova m’e tokue Patër Gjergjin në spital, ashtu me gjysë fryme muejti me më thânë – Dekën e kena borxh të tânë, por âsht kah më vjen keq se po dés tue e lânë Shqipninë të shkelun prej kâmbës huej …!  Këtë fakt unë personalisht e kam mësuar nga kujtimet e Atë Zef Pllumbit të cilët profesor Nashua parimisht i përmënd në shkrimin e tij por ama pa u ndalur tek ky pohim madhor i Atë Gjergjit ! Me pak fjalë, edhe sikur vetëm këtë fakt të kishte mësuar profesor Nasho Jorgaqi duke lexuar kujtimet e Atë Zef Pllumit, duhej të ishte lëkundur sa u takon insinuatave të tija … pa lé sikur ta ketë lexuar edhe letrën e Profesor Eqrem Çabej-t drejtuar Atë Gjergj Fishtës !

Vijmë tek dekretimi si akademik i Italisë që iu bë Atë Gjergjit.  Pikërisht nga që ky fakt është fryrë kaq shum’e me aq keqdashje sa s’ka më nga ana e historianëve të ideologjizuar me frymën e partisë komuniste e doemos edhe nga ana e shkrimtarëve të rrymës realizmit socialist, (të shtyrë këta të fundit nga egoizmi si edhe cmira e tyre e pakufí ndaj veprës së Tij madhore letrare), do të ndalemi e t’i hedhim dritë pikërisht këtij fakti.  Atëbotë akademikët e Italisë, si anëtarë të një institucioni të pavarur kulturo-shkencor që ishin, njëzëri e propozuan Patër Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Italiane.      (Për ta biseduar me Atë Gjergjin paraprakisht mendimin e Akademisë Italiane, qé ngarkuar Prof. Agostino Gemelli, klerik françeskan si edhe akademik. ).

Me këtë  veprim  Akademia  e shpërfilli  si  edhe  e shpotiti qeverinë italiane, duke ia rritur skaj-shmërisht prestigjin  jo  vetëm  Atë  Gjergjit por bashkë me të edhe Shqipërisë.  Akademia Italiane, nga ana  e  saj, záret i kishte  hedhur.  Pritej përgjigja  e  Fishtës. Hapin tjetër të priftit krenár vërtet’e priste me padurim Akademia e Italisë, por e priste me kureshtje dhe inat akoma më të shtuar qeveria fashiste, gjoja e pa interesuar.  Vonoi përgjigja, po më në fund erdhi :  Patër Gjergji e kish për ndér propozimin  që  i  bëhej  dhe  falënderonte  të  gjithë anëtarët e Akademisë për vlerësimin që i bënin ! Këtu tashti edhe forca e karakterit të atdhetárit të madh e cila hedh poshtë të tëra insinuatat :
Në  konferencën  e  parë  solemne si akademik në Kinema Rozafat, për t’a pozicionuar veten e Tij botërisht, duke folur për dukurinë e ngjashme ndërmjet pushtimit të dikurshëm romak të Ilirisë me pushtimin e atëhershëm fashist të Shqipërisë Ai guxoi e tha :
“ … Rezistenca që romakët hasën ndër fiset dhe Mbretëritë Ilire të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vënd të lirisë …”

Sikur të përqëndroheshim vetëm rreth këtij pohimi të Atë Gjergj Fishtës, bërë nga ana e Tij publikisht si edhe zyrtarisht, nuk ka se si të mos na dal’e qartë se si akuza e ngritur kundra Tij si “shërbëtor i imperializmit si edhe i fashizmit italian”, (nga ana e udhëheqësit dhe diktatorit komunist të Shqipërisë Enver Hoxhës, cituar më lart), bíje poshtë me plot kuptimin e fjalës si një çpifje skajshëm keqdashëse, përçarëse si edhe e pavënd !

Nisur tashti nga të gjitha zhvillimet, të kundruara ato me përparësínë që na jep kqyrja në mënyrë  mbrapavështruese, si ta quajmë titullin e përzgjedhur nga profesor Nasho Jorgaqi ku pyetja e drejtuar lexuesit mbështetet në një “folje” (në paskajore – të flirtosh), e cila ka kuptimin të bësh dashuri por me kusht mos të jenë të përfshira aspak ndjenjat. Nuk mund ta mendoja se insinuata e autorit të shkrimit ndaj Atë Gjergj Fishtës, pa u zgjatur aspak se cila kategori femrash “flirtojnë”, do të formulohej kësisoji pikërisht 69 vite mbasi diktatori e quajti Atë Fishtën shovinist dhe shërbëtorin e fashizmit !  E të gjitha këto profesori Nasho Jorgaqi i mbështet në një letër eventuale gjuha e së cilës është skajshëm diplomatike dhe ai këtë letër e quan fakt kundra Atë Gjergj Fishtës !(?)

Dhe unë i mbyll këto radhë duke e riformuluar pyetjen :  Ishin duart e Atë Gjergj Fishtës për t’u puthur me respektin më të madh, siç qé shprehur profesori ai vet’i madh, Eqerem Çabej, apo ishte figura e klerikut, atdhetárit të madh si edhe poetit e shkrimtarit skajshëm të madh Atë Gjergj Fishtës, të qëmtohej në se kishte flirtuar ai me pushtuesin fashist,apo jo ?!

* Replikë e marrë nga Gazeta “Minerva”       

Filed Under: Opinion Tagged With: At Fishta, Eqrem Cabej, Ju puth duart me ndér si biri t’atit, Mergim Korca, Minerva

Thaçi: Vonesat e BE-së dhe NATO-s në integrimin e Ballkanit Perëndimor krijojnë hapësirë për ideologji të rrezikshme

October 23, 2016 by dgreca

nato-08-Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi: Kosova, një rast i mirë për leksione të rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare/

nato-07

-Forca e Armatosur e Kosovës do të jetë një hap tjetër i madh në rrugën tonë në aspiratën për t’u bërë vend anëtar i NATO-s dhe BE-së/

nato-03 -Vonesat e BE-së dhe NATO-s në integrimin e Ballkanit Perëndimor krijojnë hapësirë për ideologji të rrezikshme/

PRISHTINË, 23 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kosova është një rast i mirë për të mësuar leksione të rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare, tha Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, sot në seminarin e 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili ka nisur dje punimet treditëshe në Prishtinë.  “Kosova më nuk është burim i jostabilitetit, por përkundrazi është eksportues i paqes dhe dialogut. Kjo e bën Kosovën mundësi të mirë për të mësuar për rastet e ngjashme nga e tërë bota”, theksoi ai.

Presidenti Thaçi përkujtoi se, para 17 viteve Kosova ishte një vend i sapo dalur nga lufta, nga përpjekja për gjenocid, nga një dekadë e represionit dhe aparteidit shtetëror serb dhe nga dekada të tëra të diskriminimit. “Por, në ato ditë të rënda ishte bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht NATO, që u vunë në krye të rivendosjes së paqes dhe qetësisë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e pritën krahëhapur forcën paqeruajtëse KFOR, të kryesuar nga NATO dhe misionin e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.

Thaçi vijoi se, një mësim tjetër i atyre ditëve të menjëhershme të pas luftës, që është i vlefshëm edhe për një prej sfidave të mëdha me të cilat po përballet sot Evropa dhe Aleanca Veri-Atlantike, është edhe çështja e refugjatëve. “Me përfundimin e luftës dhe vendosjen e paqes, rreth një milion njerëz nuk pritën as UNHCR-në, as ndonjë agjenci tjetër, por u kthyen vetë në shtëpitë e tyre. Nuk u pengonte që i kishin shtëpitë e shkatërruara, që ekonomia ishte rrënuar, që institucionet e shtetit duhej ndërtuar prej zeros. Me rëndësi kishin paqe, ndonëse ende e rëndë, si dhe garanci për siguri dhe stabilitetit, që ishte NATO. Edhe sot kur shohim valët e refugjatëve, duhet të angazhohemi që të krijojmë paqe dhe stabilitet për ta. Ata nuk dëshirojnë asgjë më shumë se sa të kthehen në shtëpitë e tyre, të kenë paqe, të kenë stabilitet, sepse shtëpitë e shkatërruara, shtetin e shkatërruar, do ta ndërtojnë përsëri, siç kemi bërë ne në Kosovë”, tha presidenti kosovar.Më tej, presidenti Thaçi tha se para një viti kemi arritur të nënshkruajmë edhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në.

“Kjo erdhi si rezultat i reformave të shpejta dhe të suksesshme në instalimin e rendit dhe ligjit, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në shtrimin e bazave të një ekonomie të lirë”, u shpreh ai. Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi tha se Kosova është e gatshme dhe në fakt kërkon që dialogu të ngritët në një nivel tjetër, të marrë një kualitet tjetër. “Jemi të gatshëm për një proces të mirëfilltë të bashkëpunimit, të marrëdhënieve miqësore dhe të pajtimit. Nuk kemi pasur asnjëherë rast më të mirë, si Kosovë, si Serbi dhe si rajon, se sa muajt në vijim, që të vëmë në binarë të sigurt bashkëpunimin tonë”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai vlerësoi se falë përkushtimit për dialog dhe bashkëpunim, sot marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më nuk janë kërcënim për stabilitetin në rajon, por janë shembull i fuqisë që nëpërmjet dialogut të kthehemi nga e ardhmja më e mirë për të gjithë.“Jemi krenarë edhe për sukseset në konsolidimin e brendshëm të Kosovës. Kemi ndërtuar institucione shumetnike në të cilat janë të përfaqësuar të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha Thaçi. Ai shtoi se, edhe ata që dikur qëndronin në barrikada në pjesën veriore të Kosovës e madje sulmonin edhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it dhe NATO-s, sot janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës, në Parlament, në qeveri, në qeverisje lokale, ku angazhohen për të drejtat e komunitetit të tyre. “Me këtë frymë të bashkëpunimit për të ardhme më të mirë për Kosovën, po punojmë edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Dëshirojmë që vendimi për themelimin e Armatës së Kosovës të ketë miratimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përvoja që kemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës, që e kemi tani, na bën të jemi optimistë për këtë ambicie”, tha presidenti Thaçi.Forca e Armatosur e Kosovës, u shpreh ai, do të jetë një hap tjetër i madh në rrugën tonë në aspiratën për t’u bërë vend anëtar i NATO-s dhe BE-së.

“E kuptojmë që sot BE nuk e ka mendjen tek zgjerimi. Kriza financiare, vala e refugjatëve, BREXIT janë tema që kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit nga Ballkani Perëndimor. Por, vonesa e BE-së dhe e NATO-s që të afrojë afër vetes rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lë thjeshtë një vakum. Ideologji tjera, nga kontinente tjera, me axhenda tjera për botën, po përpiqen të depërtojnë në rajonin tonë. Këto mezi presin të mbushin vakumin që do të lë vonesa e BE-së dhe NATO-s”, tha presidenti Thaçi. Ai theksoi se, është qenësore për rajonin, por edhe për vetë BE-në, për NATO-n, për kontinentin, që mos të vonohemi në proceset integruese të rajonit në NATO dhe në BE.

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nesër përmbyllë punimet treditëshe Seminari i 93-të ROSE-ROTH i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin u pritën më shumë se 100 pjesëmarrës, përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.Perspektiva e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe në rolin evolues të NATO-s në rajon, po diskutohet në Seminarnin në Prishtinë që pason Samitin e Aleatëve, të  krerëve të shteteve dhe të qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë.Ligjvënësit e NATO-s po shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë.Seminari është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Xhavit Haliti, dhe me përkrahjen e qeverisë zvicerane.Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është që ta lehtësojë dialogun, që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere. Kuvendi i Republikës së Kosovës merr pjesë në sesionet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në statusin e vëzhguesit, të fituar që nga qershori i vitit 2014.Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, është në Kosovë nga viti i lirisë 1999.

Filed Under: Politike Tagged With: ideologji te rrezikshme, Integrimi i ballkanit peendimor, Thaçi: Vonesat e BE-së dhe NATO-s

KUSH PO E RREZIKON SHTETËSINË E KOSOVËS

October 23, 2016 by dgreca

KRYESHTETARËT, ME VETËKËNAQËSI E LOJËRA DIPLOMATIKE E POLITIKE, PO E RREZIKOJNË SHTETËSINË E KOSOVËS/
ramiz-lushaj-okNga Ramiz LUSHAJ/
   1.Kosova, në mbi 8 vite i shpallur shtet i pavarur e sovran, është njohur nga 111 shtete të botës. Ajo po ecën në rrugën e vështirë e të gjatë të Shtetësisë së vet, falë dhe Ndërkombëtarëve, sidomos atyne euro-atlantik. Po, në mbi dy vitet e fundit (gusht 2014- tetor 2016) kemi vetëm nji njohje (20 maj 2015) nga Antigua dhe Barbuda në ishujt Karaibe të Amerikës së Veriut. Dhe kjo, me ndihmën e të tjerëve.
 Pse ndodh kjo? Mjafton të shohësh në websajtin e Presidentit të Kosovës (Hashim Thaçi) e të Ministrisë së Jashtme (Enver Hoxhaj) dhe e merr vesh të vërtetën reale: i ka kaplue vetëkënaqësia e pafalshme. Ata e thonë troç, njejtësisht: na kanë njohur 111 shtete dhe “në këtë mënyrë kemi arritur qëllimin për të pasur më shumë se 100 vende që e njohin Kosovën”(!)
 Çka do të thotë kjo sjellje politike, ky absurd politik i shtetarëve të Kosovës?!
 Ta mbash Kosovën larg antarësimit në OKB. Pasi duhen dhe 82 shtete të tjera ta njohin atë. Pasi ende nuk janë siguruar në shumësi as dy të tretat me njohje ndërkombëtare nga shtete të OKB-së? Përndryshe: 128 shtete (vota) në OKB, që të ndërmerret nisma për të qënë shteti i 194-të antar i saj. Pra, duhen dhe 17 shtete të tjera për t’ia arritë këtij qëllimi madhor kombëtar shqiptar dhe euro-atlantik. Ndaj nuk ka vend për vetëkënaqësi të tilla nga (krye)shtetarët e Kosovës.
 Kjo vetëkënaqësi e (krye)shtetarëve e pengon shtetin e ri të Kosovës të ecin në rrugën e zhvillimeve të mira e të shpejta politike, ekonomike, ushtarake, etj.; po mbetet në batakun e problematikave të vjetra; po i  shtohen hallet dita-ditës, etj. Kjo ka kosto të madhe e të pandalun për vet popullin e Kosovës, për vet kontributin e madh të Ndërkombëtarëve ndaj Kosovës. 
2.As Hashim Thaçi – president, as Isa Mustafa – kryeministër, as Enver Hoxhaj – ministër i Jashtëm, as ndonji tjetër shtetar i Kosovës, nuk kanë të drejtë morale, politike e kombëtare të dalin me të tilla deklarime vetëkënaqësie për njohje të Shtetësisë së Kosovës. 
Kjo për faktin se shkaktarët e sotëm, fajtorët e mëdhenj të ngecjes në vendnumëro të këtyne njohjeve janë dy kryeshtetarët e Kosovës: presidenti Hashim Thaçi me të vetët dhe kryeministri Isa Mustafa me të vetët. Këta e provokuan dhe e prodhuan Krizën Paszgjedhore 6 mujore (4 korrik–9 dhjetor 2014). Këtu e ka përgjegjësinë e saj në nji masë të caktuar edhe Opozita e sotme e Kosovës, e cila nuk mund të justifikohet dhe as përjashtohet prej saj.  Të gjithë e dijmë se çka dhe si ndodhi në ato 6 muaj të “politikës së zezë” dhe për çka do t’i denojnë Historia ata që janë ma kokëkëqinjtë e Kosovës, por çështja qëndron këtu, e kështu: realisht, Kosova humbi dhe po e humbet mbështetjen e Ndërkombëtarëve. 
Ndokush don fakte: E sjellim nji prej tyne. Kosovën, me 13 gusht 2014 e njohën Ishujt Solomone, në fillimet e “Krizës Paszgjedhore” dhe dekteri në ditë të sodit e ka njohur vetëm nji shtet amerikano-verior: shteti dy-ishullor Antigua e Barbuda. 
Kjo gjendje e mosnjohjeve ndaj shtetit të Kosovës do të vazhdojnë prapë, pasi fajtore mbetet ende politika e shtetarëve të Kosovës, “dy luftimi në Parlament Pozitë-Opozitë” me gaz lotsjellës e me pranga, etj. Dhe, për ma tepër e ma keq: Kosova po ia shton problematikat e hallet vetëvetes si dhe me Ndërkombëtarët si me nji farë “Dualiteti Diplomatik Ndërkombëtar” (Pas Zgjedhjeve të 4 korrikut 2014); Marrëveshjet me Serbinë; me Demarkacionin me Malin e Zi; me disa rryma e qëndrime islamike deri në rradhët e ISIS-it; me “lojen” me ose pa vetëdije diplomatike e politike me kahje e krahun sllavo-ortodoks e aleatët e tyne në BE e jashtë saj dhe të përkrahur me ose pa vetëdije dhe nga Tirana zyrtare; etj. 
3.Kosova, pas Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008, qyshce të nesërmen, me njohjet nga Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shqipëria, Turqia, Afganistani e Kosta Rika, ia mbrrini me e kapërcye rastin diplomatik “Qipro Veriore”. Kjo, për faktin se Qipron Veriore e ka njohur vetëm Turqia dhe Kosovën e kishte njohur vetëm Shqipëria në vitet ’90 të shekullit të kaluar. 
Kosovës iu deshtën vetëm dy javë kohë nga Shpallja e Pavarësisë së saj që ta kapërcente rastin “Tajvani”, të cilin e kishin njohur apo mbetë me njohje vetëm 23 shtete të botës. 
Kosova shpëtoi në vitin 2004 që të mos kthehej në nji “Palestinë të dytë” në Ballkan nga disa revolta të inspiruara, dirigjuara e sfomuara nga skenarë sllavo-ortodoks afër e larg kufinjve të saj.
 Çështja shtrohet dhe kësisoj, kështu: si mund të shfaqet nga krye-shtetarët e Kosovës kjo vetëkënaqësi për njohjet e shtetësisë së Kosovës, ndërkohë që edhe Palestina na ka lanë mbrapa, pasi ajo ka sigurue 136 njohje nga shtete të botës, ku së fundit (14 shtator 2015) nga Santa Luçia në ishujt Karaibe të Amerikës së Veriut. Pra, ma shumë se dy të tretat e vendeve antare të OKB-së e kanë njohur Palestinën si shtet të pavarur, pavarësisht kundërshtarëve e kundërshtive ndaj saj. Përndryshe, tjetra, ndryshe nga Kosova: Palestina e ka Statusin e Vëzhguesit në OKB. 
Kryeshtetarët e Kosovës, klasa politike e Kosovës në  Pozitë apo Opozitë, duhet të tejkalojnë vetëkënaqësitë e shpalluna publikisht e paturpësisht me deklaratat e rrezikshme “ia kemi aritur qëllimit për njohjet”, të mos bajnë lojëra diplomatike e politike, etj., por të lobojnë vet, si shtetarë të Kosovës, si rasti “Pacolli”, etj.; të lobojnë në bashkari dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë si me Amerikën, me Mbretërinë e Bashkuar të larguar nga BE, me Gjermaninë, Francën e vende të tjera në BE, me Turqinë –antare në NATO, etj., për të rritur numrin e njohjeve ndërkombëtare ndaj saj. Kosova duhet ta tejkalojmë çdo rast tjetër, edhe si ky i Palestinës së sotme, etj. dhe të krijojmë nji rast tjetër të ri, rastin “Kosova” në OKB. 
Kosova kur të arrijnë mbi dy të tretat duhet të ecin me nisma konrete drejt antarësimit në OKB, si shtet me të drejta të plota, me status të barabartë me të tjerët, si shteti i 194-të i saj. Në se do të ngrihet ndonji “Veto” në Këshillin e Sigurimit të OKB kundër antarësimit të Kosovës në OKB, atëherit duhet që Kosova të bashkohet me Shqipërinë, ose me Maqedoninë, ose me Malin e Zi. Njëra prej këtyre do të ndodhin së shpejti me konfigurimin e ri të Ballkanit, ndaj duhet të jemi të përgaditur të gjithë, njëherash e vazhdimisht: edhe Shqiptarët (të jemi fitues), edhe Ndërkombëtarët.
Attachments area

Filed Under: Opinion Tagged With: KUSH PO E RREZIKON, Ramiz Lushaj, SHTETËSINË E KOSOVËS

NATO mbetet në Kosovë

October 23, 2016 by dgreca

-Ambasadori i SHBA, Greg Delawie: NATO nuk po shkon askund. Ajo do të mbetët këtu për një kohë të gjatë. NATO nuk mund të tërhiqet përderisa Kosova nuk e ka aftësinë vetëmbrojtëse/

greg-delawie-ambasador-shba-kosove-Sesionin e tretë të seminarit të 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar, Pandeli Majko/

2016_10_23_seminari-i-93-te-rose-roth-i-asamblese-parlamentare-te-nato-s-5

PRISHTINË, 23 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë, sot, në sesionin e tretë të Seminarit të 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të cilin e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar në AP të NATO-s, Pandeli Majko, panelistët diskutuan për të ardhmen e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin e NATO-s si një ofrues i sigurisë. U analizuan, gjithashtu, kontributet e NATO-s për stabilizimin e rajonit dhe partneritetet e saj.

2016_10_23_seminari-i-93-te-rose-roth-i-asamblese-parlamentare-te-nato-s-6

Sesioni u hap me diskutimin e komandantit të KFOR-it, Giovanni Fungo, i cili foli për rolin e kësaj force ushtarake në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai tha se KFOR-i kontribuon në krijimin e kapaciteteve vendore, përfshirë edhe mbështetjen e veprimeve të pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë. Gjendja e sigurisë në Kosovë, shtoi gjenerali Fungo, është përmirësuar dukshëm që nga viti 1999, kur KFOR-i ka luajtur rol kryesor në krijimin e stabilitetit. Megjithatë, sipas, tij, ende mbeten shumë sfida.

greg-delawie-ambasador-shba-kosove-pandeli-majko-ne-mes

“Kam besim në këtë aspekt se ky proces do të vazhdojë edhe më tej me mbështetjen e plotë të të gjithë akterëve të rëndësishëm, qoftë në nivel lokal apo në arenën ndërkombëtare, duke ndarë të njëjta objektivat, siç janë: paqja, stabiliteti, prosperiteti, të drejtat e njeriut, rendi dhe ligji”, theksoi komandanti i 21-të i KFOR-it në Kosovë.

Gjeneral Dietmar Mosmann, drejtor, Këshilltar i NATO-s dhe Ekipit Ndërlidhës (NALT), tha se NATO-ja mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, duke mirëpritur aspiratën e Kosovës që të përmirësojë aftësinë e saj për të garantuar siguri për të gjithë banorët e saj dhe të kontribuojë për sigurinë e përgjithshme të rajonit.

Në vazhdim, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie,  foli për rolin e NATO-s në Ballkan, nga pikëpamja e SHBA-ve. Ai tha se për rreth 25 vjet rresht NATO-ja ka qenë garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan dhe KFOR-i si shprehje e këtij përkushtimi. Delawie tha se KFOR-i ka qenë destimulues i dhunës dhe i jostabiletit. Sipas tij, ky mision është treguar i suksesshëm dhe roli i tij nuk ka përfunduar ende.

“NATO-ja nuk po shkon askund. Ajo do të mbetët këtu për një kohë të gjatë. NATO-ja nuk mund të tërhiqet përderisa vendi nuk e ka aftësinë vetëmbrojtëse”, theksoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, duke shtuar se mbështet transformimin gradual të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ambasadori amerikan Delawie tha se tre vende të rajonit, Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria, tashmë janë anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, ndërsa së shpejti kjo do të ndodhë edhe me Malin e Zi. Këtë hap, ambasadori i SHBA-ve e konsideroi të arritur të madhe dhe sinjal të fuqishëm për të gjitha vendet e tjera të rajonit, të cilat aspirojnë anëtarësimin në këtë organizatë.

Duke u ndalur në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ambasadori amerikan theksoi se Kosova është lider në këtë aspekt.

Për rolin e NATO-s në rajon dhe perspektivën e Kosovës, foli edhe ambasadori Istvan Gyarmati, kryetar i Qendrës Ndërkombëtare për Tranzicion Demokratik në Hungari. Ai tha se edhe pse Kosova është një prej vendeve të rajonit në binarët e duhur drejt Evropës, ky progres, sipas tij, mund të rrezikohet nga zhvillimet në rajon. Ai tha se rajoni po përballet me kërcënime të vjetra, por në forma të reja.

“Kemi deklarime se nuk rrezikohemi nga terrorizmi. Kjo është edhe e vërtetë edhe e pavërtetë. E vërtetë ngase në këtë moment s’po shohim shumë rrezik. Por e pavërtetë ngase kemi përpjekje në tentativë”, tha Gyarmati, duke shtuar se konfliktet e vogla nuk mund të përjashtohen as këtu e as larg prej këtu.

Në sesionin e katërt të seminarit, të cilin e udhëhoqi Antje Fritz, zëvendësshefe e Operacioneve në Evropën Juglindore, Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), u diskutua për progresin në reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e forcimit të mekanizmave të llogaridhënies, në funksion të transferimit të ardhshëm të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë tradicionale ushtarake.

Duke folur rreth mundësisë së këtij transformimi, ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se kjo çështje ende nuk është vënë në rend dite të Kuvendit, ngaqë nuk ka pasur gatishmëri të deputetëve nga komuniteti serb, ndërkohë që ka konsensus midis pozitës e opozitës dhe deputetëve të pakicave tjera joserbe. Ai foli për angazhimet e ministrisë dhe të FSK-së në këtë proces, duke shtuar janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se pritet vetëm vendimi politik.

“Ne jemi të interesuar që të transformojmë FSK-në në FAK dhe jemi të gatshëm për këtë transformim”, theksoi ministri Demolli.

Ai përmendi edhe Medaljen e artë që Skuadra e Brigadës së Reagimit të Shpejtë e FSK-së, ka fituar ditë më parë në Uells të Mbretërisë së Bashkuar, në një ndër ushtrimet më sfiduese dhe më prestigjioze në botë, “Cambrian Patrol’’. Demolli e konsideroi këtë dëshmi të përgatitjes së lartë të pjesëtarëve të kësaj Force.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së të Kuvendit të Kosovës, deputetja Ganimete Musliu, foli për integrimin gjinor në sektorin e sigurisë së Kosovës dhe rolin e komisionit parlamentar në mbikëqyrjen e mekanizmave të sigurisë.

“14 % e gjithë strukturës së Policisë së Kosovës përbëhet nga femrat, e ku më shumë e ku më pak edhe në strukturën komanduese është afërsisht kështu. Ndërsa, uniformën e FSK-së e kanë të veshur 8,52% femra. Më mirë në përfaqësimin gjinor femra është në Doganat e Kosovës, ku rreth 30 % e stafit përbëhet nga gjinia femërore”, theksoi deputetja Musliu.

Mbi perspektivat për reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë, me qëllim të orientimit të Kosovës drejt NATO-s, foli Besfort Rrecaj, profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai tha se NATO-ja ende e sheh Kosovën në prizmin e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, ndërsa shtroi nevojën që NATO-ja të gjejë një zgjidhje për këtë, duke tejkaluar këtë rezolutë dhe duke i ofruar Kosovës perspektivë të qartë.

Panelistët u përgjigjën edhe në pyetje të të pranishmëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, mbetet në Kosovë, NATO

Gratë dhe lufta për në Shtëpinë e Bardhë

October 23, 2016 by dgreca

Më shumë se 200 gra kanë kandiduar përgjatë shekujve për postin në zyrën ovale. Ndërkohë SHBA-ja me sa duket është e gatshme për një presidente, mendon historania Ellen Fitzpatrick./

Ellen Fitzpatrick Geschichtswissenschaftlerin

Nga Helena Kaschel/DW/

DW: Ka mjaft literaturë për presidentët amerikanë, po ashtu si edhe për gratë në politikë – përse opinoni nuk ka thuajse aspak njohuri për shumë gra që kanë kandiduar në SHBA për postin e presidentes?

Ellen Fitzpatrick: Asnjëra prej tyre nuk e ka fituar ndonjëherë garën për të kandiduar për presidente, ndaj për historianët e psecializuar për presidentët amerikanë, këto kandidate nuk kanë paraqitur interes të veçantë. Ndërsa studiuesit e çështjeve të gruas nga ana tjetër kanë pasur pak interes sa i përket historisë së presidentëve në SHBA, sepse në të gratë nuk kanë luajtur ndonjë rol.

E para grua që ka kandiduar ndonjëherë për presidente në SHBA ka qenë Victoria Woodhull. Kjo ka ndodhur në vitin 1872, kur gruaja nuk kishte as të drejtën e votës. Sa të ndryshme kanë qenë armiqësitë që ka përjetuar asokohe Woodhull nga problemet që përjetojnë gratë sot?

Woodhull iu desh të luftojë me rezistencë të jashtëzakonshme, shumë më tepër se sa kandidatet sot. Ajo nuk lejohej të zgjidhte veten, por thoshte qartë, se të tjerët mund ta zgjidhnin atë.

USA historische Präsidentschaftskandidatin Victoria Woodhull Victoria Woodhull

Në kohën e rindërtimit pas luftës së recesionit në SHBA ka pasur një debat dinamik për rëndësinë e lirisë. Në Kongres debatoheshin nenet 14. dhe 15. të shtojcës kushtetuese, në të cilat bëhej fjalë për nënshtetësinë dhe të drejtën e votës për burrat afro-amerikanë.

Pikërisht në këtë moment Suffragette-t përfituan nga rasti për të kërkuar të drejtën e votës për gruan. Ndonëse ato nuk patën sukses, kandidatura e Woodhull-it dhe ideja e një gruaje presidente u respektua shumë. Disa u mrekulluan prej idesë, ndërsa të tjerët e refuzuan atë kategorikisht. Tonet seksiste në raportim ishin më pak të dukshme se sa gati 100 më vonë gjatë kandidaturës së Margaret Chase Smith.

Margaret Chase Smith ishte gruaja e parë në historinë e Kongresit, e cila u zgjodh në të dyja dhomat. Më 1964 republikania kandidoi në zgjedhjet paraprake për postin e presidentes, por ajo humbi sepse nuk kishte financim të mjaftueshëm. Çfarë roli luan Smith?

Smith bëri histori si gruaja e parë emri i së cilës u rendit ndër të nominuarit e një partie të madhe politike. Për më tepër, ajo erdhi në garën për nominim të republikanëve si senatore me shumë përvojë dhe shumë e respektuar prej dekadash në jetën politike kombëtare. Ajo ka qenë ndoshta ndër femrat më mirë të kualifikuara ndonjëherë për këtë kandidaturë përpara Clinton.

USA historische Präsidentschaftskandidatin Margaret Chase Smith Margaret Chase Smith

Disa vjet më vonë në vitin 1972, Shirley Chisholm ishte gruaja e parë që kandidoi për t’u nominuar nga Partia Demokrate. Ajo ishte gjithashtu gruaja e parë afrikano-amerikan për t’u zgjedhur në Kongres. Chisholm, duke bërë një përpjekje të dyfishtë si grua dhe me ngjyrë për të hyrë në garën presidenciale, hasi në penegsa jo vetëm prej kundërshtarëve të saj politikë, por edhe të kolegëve përparimtarë: Feministet, elita demokrate dhe burrat me ngjyrë hezitonin ta mbështesnin atë. Përse?

Midis të dyja grupeve aktivistëve të të drejtave civile dhe atyre feministe e sigurisht edhe tek Partia Demokratike ishte përhapur mendimi, se Chisholm nuk do të mund ta fitonte kurrë një garë dhe kësisoj energjitë e tyre ata donin t’i fokusonin për të luftuar Richard Nixon. Prandaj ata zgjodhën George McGovern, i cili sigurisht humbi vota në masë.

USA historische Präsidentschaftskandidatin Shirley Chisholm Shirley Chisholm

Si e ka ndryshuar seksizmi me kalimin e kohës në përballjen e femrave kandidate për presidente?

Ajo është bërë më pak i theksuar, më pak i dukshëm pasi amerikanë sot në përgjithësi pohojnë se nuk kanë në parim hezitim në lidhje me zgjedhjen e një presidenteje femër. Megjithatë, shumë thonë se ata thjesht nuk janë entuziastë për Clinton në vetvete.

Në të njëjtën kohë edhe sot ka sigurisht shumë jehonë nga e shkuara. Trump, për shembull, i ka mëshuar fort nocionit, se Clinton-it i mungon qëndrueshmëria, forca, energjia e madje edhe shëndeti për të kryer detyrat e presidencës. Kjo është thënë edhe për Margaret Chase Smith në vitin 1964, kur disa komentues dhe qytetarë nuk hezitonin të flisnin hapur, se kjo kishte të bëntë me gjininë e Smithit, që në sytë e tyre ishte në thelb e diskualifikuar.

Hillary Clinton in Nevada Hillary Clinton

A ka ardhur më në fund koha kur çdo grua mund të bëhet Presidente e Shteteve të Bashkuara?

Absolutisht. Unë mendoj se kjo është e mundshme. Por unë jam një historiane dhe mund t’ju them se çfarë ka ndodhur, por nuk mund të parashikoj në të ardhmen.

Ellen Fitzpatrick është profesore e historisë në Universitetin e New Hampshire. Libri i saj “The Highest Glass Ceiling” për kandidatet presidenciale femra në SHBA u botua për herë të parë në shkurt 2016.

Filed Under: Politike Tagged With: Gratë dhe lufta, Helena Kaschel, për ne, Shtëpinë e Bardhë?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT