• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

LORIDA HYSENBEGASI, PIKTORJA EXELENTE, STILISTE NE TORONTO

October 18, 2016 by dgreca

Shqiptarja  LORIDA HYSENBEGAS HALI,   Piktorja, diplomuar excellent ne  Akademise se  Arteve të Bukura të Firences,  dhe më pas në  International Academy of  Design and Technology of Toronto ,  sot një Stiliste e Modës dhe Exploruese  profesioniste e galerisë fotografike ,  në Toronto, Kanada./

1-lorida

Bisedoi: Dr. Liliana PERE/*

Lorida ka lindur në Tiranë në Shkurt 1978. Është bijë e një familjeje të vjetër, fisnike, atdhetare dhe intelektuale. Gjyshi i saj Dr. Sami Hysenbegas, një nga juristët më të shquar shqiptarë.Ka ndjekur studimet e plota në Itali (nga klasa e parë fillore deri në përfundimin e studimeve universitare, diplomimin dhe marrjen e gradës shkencore “Doktor” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Pavias).Megjithëse iu propozua të punonte si asistent profesor në Universitetin e Pavias, ai nuk pranoi dhe u kthye në Shqipëri, ku filloi të punonte si gjyqtar në Tiranë. Gjyshja e saj, Znj.Esma Hysenbegas ka studiuar në “shkollën e shquar të vajzave «Kyrias»” (në “shkollën e Dakos”) dhe është diplomuar në “Institutin femëror «Nëna Mbretëreshë»” të Tiranës. Babai i saj, z. Arion Hysenbegas është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Matematikë të UShT dhe njihet si pedagog matematike dhe informatike, si  matematikan, studiues, shkrimtar, përkthyes (ai është autor i një vargu librash studimorë dhe letrarë).Nëna e saj, znj. Vjollca Hysenbegas është diplomuar në Fakultetin e Histori-gjeografisë të UShT, ka fituar titullin “Bibliografe”, është autore e studimit “Bibliografi e letërsisë artistike të përkthyer në shqip 1944 – 2000” , etj., është cilësuar “një prej specialisteve më të kualifikuara të bibliotekonomisë shqiptare”dhe  gjithë jetën është marrë me librin (në bibliotekën e “Shtëpisë Botuese «Naim Frashëri» e më pas, në “Bibliotekën e Parlamentit Shqiptar”).  Që në fëmijërinë e saj të parë, gjyshi , gjyshja dhe prindërit i  kanë ushqyer Loridës  atdhedashurinë, e kanë brymosur me krenarinë që është shqiptare, e kanë edukuar me dashurinë për dijen, të drejtën, artin, të bukurën, i kanë forcuar vullnetin dhe e kanë formuar të jetë kërkuese ndaj vetes.  Që kur ishte fëmijë Lorida tregoi se kishte talent për vizatim e pikturë (një nga të parat që e vuri re talentin e saj ishte piktorja e shquar Safo Marko).Lorida mori mësimet e para pranë piktorit Hiqmet Agolli dhe i vazhdoi ato me piktorin e pedagogun Shpend Bengu. Ajo ndoqi studimet nën drejtimin e piktorit të mirënjohur Klement Zoraqi dhe u diplomua për pikturë, vizatim e fotografi artistike në “Liceun artistik «Jordan Misja»” të Tiranës. .Menjëherë më pas fitoi konkursin e pranimit në degën “pikturë, vizatim”  të  “Akademisë së Arteve të Bukura” (sot “Universiteti i Arteve”) të Tiranës. Mbasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera vitin e parë të Akademisë (ku i dha mësim piktori e profesori Gazmend Leka),në shtatorin e vitit 1997, Lorida, që kërkonte shumë nga vetja, fitoi konkursin dhe u regjistrua në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences, Itali (Accademia di Belle Arti di Firenze) dhe vazhdoi atje studimet e saj për pikturë e vizatim.

Ndiqni bashkebisedimin  interesant:

Pyetj: E dashur Lorida. Prinderit dhe rrethi  teper  intelektual  ka patur  ndikim  mjaft  pozitiv  ne zgjedhjet tuaja, dhe ju bëri kerkuese per cilësi dhe standart te Universitetit dhe vëndit – Itali ku do të studionit. Përse pikërisht ju zgjodhët Italinë, a munt të tregoni disa nga arësyet qe ju bënë të shpërnguleni në Itali ?        

  • Përzgjedhja e Italisë si vendi më i përshtatshëm për vazhdimin e studimeve të mija në pikturë nuk ishte rastësi. Për Italinë më fliste shpesh im gjysh dhe, duke filluar që në moshën 8 vjeç, për katër vjet me radhë cdo te djele kam marë mësime private për gjuhën italiane. Për më tepër, e praktikoja në shtëpi me gjyshërit e tim atë, gjë që e bënte italishten gjuhë të dytë për mua.Po ashtu, përzgjedhja e Firences nuk ishte një rastësi: Duke u nisur nga historia e artit , unë e dija që në Firence ka një traditë të shkëlqyer në arte, e dija që aty gjendet Galeria e famshme e Uffizi-t, Kupola e Brunelleschi-t, Davidi i Michelangelo-s, etj.; gjendet edhe Akademija e Arteve të Bukura me emër në gjithë botën.
  • Pyetje: Znj.Cfare mbresash dhe  impresionesh  patët  nga bashkëpunetorët dhe  profesorët e Akademisë se  Arteve të Bukura të Firences, a mund te pëmëndni disa emra te njohur artistësh në këtë fushë ?
  • -Unë e quaj veten me fat që atje mora mësime në pikturë e vizatim nga pedagogu e piktori Adriano Bimbi.   Në Firence krijova miqësi të mirëfillta, që i mbaj edhe sot e kësaj dite, me artistë të nderuar si me çiftin e piktorëve Mariza e Armando Xhomo, me skulptorin e pedagogun Vladimir Llakaj, piktorin Alkan Nallbani, etj.

Pyetje: Znj. Lorida.Ju venosni ta lini Italinë pas diplomimit te ne Akademinë e Arteve të Bukura të Firences, Itali, dhe të  largoheni drejt Torontos, përsëri për studime për të pëmbushur  ëndrën tuaj te vjetër. Si vazhduan  më tej studimet  ?

-Në korrikun e vitit 2000, shkova pranë vëllajt tim, z. Olton Hysenbegas – Inxhinier elektronik me banim në Toronto, Kanada.E prirë nga dëshira ime e hershme për t’u bërë Stiliste Mode, u regjistrova dhe ndoqa studimet në Akademinë Internacionale të Dizainit dhe Teknologjisë të Torontos (International Academy of Design and Technology of Toronto).Studimet e mija pranë kësaj akademie i mbylla me rezultatet maksimale dhe fitova titullin “Fashion Designer” (“Stiliste Mode”).Nga studentët e diplomuar atë vit, unë isha e para që fillova menjëherë punë në kompaninë e madhe Ash City si asistente stiliste në departamentin e dizainit, ku vazhdova të punoj për pesë vjet me radhë.

Pyetje: Znj. Lorida.Te kthehemi  perseri  pas, ju ne Itali  gjetet  dashurine  tuaj, dhe krijoni familje. Krijoni keshtu nje bashkim  kulturash . Dhe vendoset te jetoni e punoni ne Kanada. Si vazhdoi kjo rruge suksesi ne nje vend teper te zhvilluar?

-Në vitin 2003 vendosa të kthehem në Firence për të celebruar  martesën time me piktorin e fotografin artistik z. Genti Hali, me të cilin kam qënë bashkënxënëse dhe bashkëstudente në Shqipëri dhe Itali.

Më pas, edhe im shoq erdhi në Toronto dhe krijuam familjen tonë. Sot jam nënë e dy fëmijëve, një djali e një vajze. Femijet  e mij, edhe pse janë të lindur në Kanada, e flasin shumë mirë shqipen dhe unë krenohem me ta.Duke filluar nga viti 2008 e duke vazhduar deri në vitin 2014 kam punuar si Asistente Menaxhere dhe Konsulente Mode për Nuse (Asssistant Manager and Bridal Consulent) në Becker’s Bridal & Formal (Butiku i famshëm “landmark” i Torontos qysh në vitin 1943).Atje bashkëpunova ngushtë me stilisten me emër (për nuse) znj. Barbara Allin.

Në vitin 2009, unë dhe im shoq hapëm studion tonë profesionale të fotografisë “LGH Art Photography & Media”. Theksoj se gjatë gjithë kohës nuk i jam larguar kavaletit: piktura, vizatimi dhe fotografia artistike më kanë dhënë e më japin ushqim shpirtëror.Në Nëntorin e vitit 2012, mora pjesë në “Ekspozitën e Arteve Figurative Shqiptare në Toronto” (që u organizua nga Shoqata Shqiptaro-Kanadezeme rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarsësisë) aty  ekspozova punime të mijat në grafikë dhe fotografi artistike. Në vitin 2014 hapa Ekspozitën Vetjake të Fotografisë Artistike, në të cilën paraqita një varg punimesh të mija dhe për to u dhanë vlerësime të larta nga artistë shqiptarë dhe kanadezë.

Im shoq (Genti Hali)  ka punuar si “Stills photographer” dhe “EPK” (“Fotograf dhe vidiograf “behind the scens”), po ashtu edhe si kameraman  në filmat hollivudianë “The Christmas Switch”, “Route 68 Motel”, “Wishes Come True” (me aktore te famshem si Natasha Henstridge, Brian Krause etj) ku ka bashkepunuar ngushte me regjizorin e famshem z.Paul Lynch i cili tashme eshte bere mik i familjes sone.

Im shoq vazhdon të punojë njëlloj edhe në filma të tjerë. Unë kam bashkëpunuar me të në editimin e fotografive përkatëse.

Pyetje: Znj. Lorida.Cfarë  ndjenjash  ushqen  Lorida per Shqipërine, sa i rruan lidhjet, gjuhën shqipe dhe sa kontribon për komunitetin shqiptar në Kanada?

-Unë dhe im shoq kemi qënë fotoreporterët e gazetës se vetme shqiptare të Torontos, “Fjala shqip”, që në numrin e saj e deri në ditën e mbylljes.

Studioja jonë fotografike ishte fotoreportjerja e të gjitha aktiviteteve brenda dhe jashtë skenës pergjatë  gjithë zhvillimit  të  Konkursit  të  bukurisë:  “Miss Globe 2015”,  që u mbajt në Toronto.Megjithëse jam larg Tiranës time, Shqipërinë e kam gjithmonë në mendje e zemër, dashurinë për të ua kam rrënjosur edhe fëmijëve të mij.Është pikërisht Shqipëria që më frymëzon në artin tim, është pikërisht .Ajo që më jep forcë e më bën të jem përherë unë. Bashkë me tim shoq kemi sponsorizuar me anë të fotografisë aktivitetet e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, si p.sh. Paraqitjen me fotografi të secilit prej antarëve të Bordit Drejtues përkatës; Koncertin Jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, ku përgatitëm “slideshow”-n (pjesën shumë të rëndësishme të skenografisë përkatëse) ku radhitëm fotografi të shqiptarëve të shquar nga lashtësia e deri në vitin 1912, fotografi e piktura të fotografuara ngjarjesh historike, etnovlerash kombëtare, skulpturash heronjsh, etj.

Pyejë: Znj. Lorida. Studioja juaj është mjaft e njohur, dhë kliëntët tuaj janë shumëkombësh, mëgjithatë në zëmër ju ngeleni atdhetarë, shërbëni me profësionalizmin tuaj më teknikën e kohës ,  dhe me një dashamirësi dhe kulturë model. Evente të gëzuar si dhë momente historikë që memorizohen dhë ngelen  sinjikativë në histori. Është më interes të tregoni për lexuesit  rreth këtyre ngjarjeve ju lutem ?

-Manifestimin paqësor që u mbajt para ndërtesës së  Parlamentit të Ontarios për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve etnikë të Maqedonisë. Etj.,etj.

Së fundmi, në Nentor 2015 paraqitëm me anë të fotografive festimin madhështor brënda ndërtesës së Parlamentit të Ontarios për miratimin nga Ai Parlament të “Ligjit të Trashëgimisë” sipas të cilit muaji Nëntor ushpall “Muaji i Trashëgimisë Shqiptare”. Që në vitin 2013 studioja jonë ka sponsorizuar me anë të fotografimit “Marlee’s Got Talent Children Show”-n (“Shfaqje e Fëmijëve të Talentuar Shqiptarë në rrugën Marlee”) që pikërisht atë vit u zhvillua për herë të parë, dhe do të vazhdojë të sponsorizojë njëlloj në vazhdim këtë aktivitet të përvitshëm, i cili paraqet me anë të fëmijëve vlera të kulturës së bukur shqiptare.Studioja fotografike “LGH Art Photography & Media” është tashmë e mirënjohur në Toronto. Në klientelën e saj ka mjaft shqiptarë, mjaft italianë, portugezë e kanadezë të tjerë. Ne fotografojmë Headshots për artistë: këngëtarë, aktorë, Miss-e, etj;Events të llojeve të ndryshme, Photoshoots, Dasma, ditëlindje, përvjetore, fotografi reklamash e kartvizitash për “Real Estate”, Grand Openings të bizneseve, etj. Për ne është kënaqësi e veçantë kur fotografojmë festat e ndryshme e gëzimet familjare të shqiptarëve, kur fiksojmë me anë të aparatit fotografik momente kuptimplote të rëndësishme për ta, kujtime që do t’iu mbeten atyre gjithë jetën.                           Edhe pse kam kohë që jam në këtë biznes dhe më pëlqen të merrem me të, megjithëse vazhdoj të ndjek kurse për të qënë gjithmonë e kualifikuar në shkallët bashkëkohore të teknologjisë profesionale (e cila është përherë në zhvillim) unë nuk i vë kufij vetes, nuk mjaftohem me kaq dhe vazhdimisht kërkoj nga vetja e bindur që kam ende shumë për të marrë nga jeta dhe gjithashtu për të dhënë.

Pyetje: Znj. Lorida.Cfare mesazhi do të jepnit për grate shqiptare kudo ku ato ndodhen  ?  

-Vajzave, grave, motrave e nënave shqiptare kudo që janë, në Shqipëri e nëpër botë, do të desha t’iu thosha se ato janë të afta të arrijnë gjithçka në jetë në sajë të vullnetit, të zgjuarsisë, talenteve, forcës së tyre shpirtërore; do desha t’iu theksoja me të madhe se përveç aritjeve profesionale, ato kanë një detyrë të shenjtë madhore: Të mos harrojnë kurrë që ne, femrat jemi baza e familjes, që ne duhet të rrisim një brez të ri të fortë, të brumosur me vlera të larta njerëzore, duhet t’iu mësojnë fëmijëve tanë shqipen, t’i edukojnë me dashurinë për Shqipërinë dhe traditat e vyera shqiptare.

–Pyetje: Znj. Lorida.Biseduam bashkë   jo sikur na ndante nje oqean, , e pra bota ne saj  te zhvillimit te Teknologjisë  është  bërë shumë e vogël, qe bashkon dhe shkëmben eksperienca midis grave kudo ku ndodhen. A ju duket e dobishme kjo?

Lorida: Zonja Liliana Pere,

Ju falenderoj për intervistën e njëkohësisht ju përgëzoj për veprimtarinë tuaj të çmuar që, duke drejtuar Organizatën Internacionale “Gruaja Shqiptare në Botë”, nxirrni në pah botërisht aftësitë dhe arritjet e femrave shqiptare. Kështu, Ju kryeni një shërbim të ndritur kombëtar, Ju  ngrini lart gruan shqiptare që ka forca të pashtershme e që meriton të nderohet. Ju uroj me gjithë zemër suksese të reja përherë e më të mëdha në misonin tuaj fisnik! Ju falenderoj edhe një herë për të gjitha!

E dashur Lorida.

Shpreh respektin dhe konsidëraten maksimale për ju si grua në explorim të pasionit tuaj për pikturën artin dhe fashion desighn , duke u diplomuar shkëlqyeshëm në dy universitete perëndimore , të njohura, Firence dhe Toronto,.Ju jeni adoptuar në mënyrën më perfekte , të kulturuar në një vënd të qytëtëruar si kanadaja. Jeni një grua mjaft e sjellshme , inteligjente dhe kërkuese tek vetja dhe tek pasioni. Ju arrini gjithmone ëndrat dhe dëshirat tuaja duke  shkëlqyer.

Urime nga zemra dhe shumë suksese!

*Dr. Liliana Pere

President: International Organization.

Albanian Woman in the World

Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

 

Filed Under: Interviste Tagged With: DR. LILIANA PERE, LORIDA HYSENBEGASI, PIKTORJA EXELENTE, STILISTE NE TORONTO

ALFONS GRISHAJ NE SOFREN E “DIELLIT”

October 18, 2016 by dgreca

Alfons-Grishaj1-250x300

Alfons Grishaj/

1-PENELI FRYMOR

Pa penel frymor…,/

Shtëpitë si fantazma neutroni ,/

Shtojzovallet si mermer i palëmuar ,/

Njeriu si kurth i ngrehur në korrnizë ,/

Ndjenjat si akulli kozmik ,/

Nektari si pluhur shkretëtire,/

Dashuria si far i fikur,/

Kënga si përshpëritja e një memeci !/

 

Kompozimi i luleve në burgun vazo/

Petalet copë–copë si copat e pëlhurës së vjetër./

Me penel frymor ,

Prarim i jetës si serë diellore

Mbledh dritën dhe ngrohtësinë

Brenda kulmit të ligjit natyral, ku shpërthejnë gonxhet në lule.

E fshikëza e mëndafshit mbulon lakuriqësinë

e larvës që bëhet flutur!

 

E ne , ne gëzojmë frytin frymor…

Endërrojmë shtojzovallet , shijojmë rrezet plot jetë,

Duke shpërfillur mesazhin hyjnor !

 

KURIOZITETI I FEMRËS

Mes nesh delikate perëndia femër !

Poret si inxhi me diademë misteri,

Dridhet në reverance kavalieri,

Zbuten luanë , në këmbë ngrihen mbretër. 4

 

Por atje , tej në shekuj molla zemër,

Histori e krijesës që sot njeri,

Kaluan mijëvjeçarë , por jo evari ,

Kureshtja, padurimi i njëjti emër! 8

 

Kredhur në hijesira, zgjohet me diellin,

Në fushat plot grurë falet me melin

Me lugë druri përzier padurimi… 11

 

Sa veshi dhe syu peshore mundimi,

Si gazele e etur mbrrin tek burimi,

Në vend të trofesë , ajo puth velin ! 14

 

ZOGJTË

Eufoni e krahëve fluturakë,

Më e mrekullueshmja gjuhë mbi tokë,

Frymorë aerodinamike këmb e kokë

Vepër e përkryer e Hyut , portret farkë. 4

 

Pashpresë provuar në tmerrin darkë,

Në gjallesa mbi dhe as ngjasim as shokë,

Kaluar oqeanit , degën e ullirit rrokë,

Solle shpresën e jetës mbi Noes Arkë. 8

 

“Stinët” e Vivald’ nisin me pranverën,

Muza e proshkët zgjon dhe Minerven.

Mbi bisqet jeshil dirigjent kardinal. 11

 

Zogjtë e zogjve qumështor racional,

Sa polenë e jetës kulmon eternal,

Muzika e shpendve , Hadit i kyç derën! 14

Alfons Grishaj

Tetor , Miçigan

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, ME 3 SONETE NE, Sofren e Diellit

TË NDARË DHE TË PËRÇARË?!

October 18, 2016 by dgreca

…Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, sidomos duke marrë parasyshë edhe komentet e kryeministrit serb gjatë dhe pas vizitës, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfitoi as paqa dhe stabiliteti në rajon./

1-frank

Nga Frank Shkreli/

Ditët e fundit është ndezur debati në Shqipëri dhe në Kosovë në lidhje me deklaratat që bëri Kryeministri i Shqipërisë gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd.  Kryesisht debati përqëndrohet në faktin nëse Kryeministri Edi Rama gjatë takimeve të tija me serbët, kishte të drejtë të fliste në emër të Kosovës ose për Kosovën.  Komentet dhe interpretimet mbi prononcimet e Z. Rama në Beograd vazhdojnë të jenë të ashpra nga komentues, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, madje me akuza të ashpëra se kush po i frynë erës së ndasive dhe përçarjeve midis shqiptarëve, dashtë e pa dashtë, duke hedhur më shumë benzinë në flakët e kësaj gjëndjeje të krijuar, krejtsisht pa nevojë.  Reagimeve të komentuesve të ndryshëm u praprinë deklaratat e qeverisë së Republikës Kosovës dhe të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Z. Enver Hoxhaj.  

Qeveria e Kosovës, nepërmjet zëdhënsve të saj, përfshirë edhe Këshilltarin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bajram Gecaj, citohet nga media të ndryshme të ketë thënë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhen zgjidhur midis nesh, duke shtuar se “Ne mirëpresin angazhimet e të gjitha shteteve mike rreth shtensionimit të marrëdhënieve në mes Republikes së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, posaçërisht angazhimet të cilat vijnë nga Shqipëria.  Megjithatë, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve të botës, posaçërisht nga shtetet me demokraci të zhvilluar, prandaj në emër te Kosoves flasin institucionet e shtetit tonë.   Ne jemi në dialog për normalizimin e marrëdhënive në mes Republikës së Kosoves dhe Repbulikës së Serbise, dhe ato probleme duhen zgjidhur kryekëput në mes nesh”, është cituar të ketë thënë këshilltari Kryeministrit të Republikës së Kosovës.Ndërsa Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama duke reaguar ndaj atyre që disa i cilësuan si “përplasje” midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me ato që u thanë e që nuk u thanë në Beograd, u shpreh se në takimet me Kryeministrin serb Vuçiq ai, “Nuk kishte folur në emër të Kosovës, por për Kosovën.”   Në rregull, sepse gjatë një vizite zyrtare në Beograd, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk kishte si mos të fliste për Kosovën, ndonëse deklarata e Z. Rama për njohjen e Kosovës nga Serbia nuk është asgjë e re.  Ai e kishte thënë këtë edhe gjatë vizitës së parë në Beograd, ndërkohë që edhe udhëheqsit perëndimorë në çdo takim me zyrtarët serbë bëjnë thirrje për një gjë të tillë, që Serbia ta njohë Kosovën, shtet të pavarur. Kjo është një thirrje drejtuar Serbisë ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian.

Ndërsa edhe Prishtina zyrtare, qeveria dhe ministri i jashtëm Hoxhaj kishin të drejtë të shpreheshin – sidomos për faktin që të mos kishte ndonjë keq kuptim nga ana zyrtare e Beogradit – se janë ata që flasin në emër të shtetit të Kosovës dhe jo Kryeministri i Shqipërisë. Kaq e pranoi edhe vet Z. Rama, se ai kihste folur për dhe në emër të Kosovës.

Por, cilat do qofshin interpretimet e deklaratave të Z. Rama në Serbi, në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe të reagimeve zyrtare nga Prishtina, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se askush nuk i njeh serbët më mirë së shqiptarët e Kosovës.  Gjithashtu duhet thënë se Z. Rama ka të drejtë kurë thotë se shqiptarët, për një jetë më normale duhet të ndërtojnë ura midis serbëve dhe shqiptarëve.  Por urat duhet të ndërtohen midis serbëve dhe të gjithë shqiptarëve, dhe jo vetëm gjysmës së shqiptarëve.  Shpesh ëshë dhënë shembulli i pajtimit midis gjermanëve dhe francezëve pas Luftës së Dytë Botërore, ndoshta si model për pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve. Në rregull, historikisht, shqiptarët kanë qenë gjithmonë dhe janë për pajtim.  Por ndryshimi është se shqiptarët e Kosovës, as shqiptarët në përgjithsi anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk kanë qenë kurrë agresorë kundër asnjë populli dhe nuk kanë pushtuar tokat e askujt, përfshirë tokat serbe.  E vërteta ëshët anasjelltas.  Duhet kuptuar gjithashtu se serbët nuk janë si gjermanët.  Gjermanët, jo vetëm kërkuan falje për krimet e tyre gjatë luftës, por ata madje edhe kompensuan materialisht dhe financiarisht shumë prej viktimave të tyre anë e mbanë Europës.  Fatkeqsisht, shqiptarët dhe serbët janë shumë larg pajtimit dhe për këtë nuk janë fajtorë shqiptarë dhe as Tirana as Prishtina zyrtare. Për këtë, faji i duhet lenë të dera Serbisë. Por për mua në këtë moment historik kanë më shumë rëndësi marrëdhëniet dhe avancimi i tyre midis shqiptarëve – në radhë të parë midis Prishtinës dhe Tiranës zyrtare — se sa marrëdhiet midis Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë, ndonëse të nevojshme.  Sepse nëqoftse nuk ka bashkim dhe marrëdhënie vëllazërore midis shqiptarëve kudo, nuk na duhet gjë hiç as ndërtimi i urave me Serbinë, në kurrizë të bashkpunimit dhe të bashkimit të shqiptarëve.  Të gjitha këto komente gjatë ditëve të fundit në lidhje me këtë situatë të krijuar pa nevojë, vetëm çojnë ujë në mullirin serb dhe përkeqsojnë edhe më shumë, ato që disa vëretjës po i cilësojnë si “ndasi dhe përçarje” në rritje midis shqiptarëve, si rezultat i kësaj vizite në Beograd nga kryeministri shqiptar.  Duket se të gjitha reagimet, zyrtare dhe jo-zyrtare ndaj kësaj vizite, tregojnë se nuk kishte asnjë bashkrendim të ideve dhe qëndrimeve të përbashkëta në lidhje me takimin shqiptaro-serb që Serbia e kishte cilësuar si një të ashtuquajtur, “Dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, ku fillimisht pritej të ftoheshin të merrnin pjesë edhe përfaqsues politikë të Republikës së Kosovës, gjë që nuk ndodhi.  Ose nëqoftse ka patur këshillime zyrtare midis Tiranës dhe P rishtinës, atëherë qëndrimet mund të kenë qenë diametrikisht të kundërta në lidhje me takimin midis kryeministrit shqiptar dhe atij serb.

Në mendimin tim, gjëja që duhet të kritikohet më shumë me këtë rast, nuk është vizita e Edi Ramës në Serbi, por është mungesa e bashkpunimit, e këshillimeve dhe e koordinimit të qëndrimeve midis Tiranës dhe Prishtinës, në muajt dhe javët para vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi. Me një bashkrendim të tillë, besoj se gjithë ky debat krejtsisht i pafrutshëm për interesat shqiptare në Ballkan do të ishte mënjanuar.

Prandaj, në vend të akuzave dhe kundër akuzave të analistëve që njellin zi, duke fajësuar njërn ose tjetrën palë, do të ishte më mirë të bëhej pyetja: Kishte koordinim midis Prishtinës dhe Tiranës ndërkohë që planifikohej vizita në Beograd?  Nëqoftse nuk kishte këshillime, pse nuk kishte një bashkrendim të qëndrimeve për një vizitë që në sipërfaqe dukej si e rëndësishme?  Për më tepër dhe më me rëndësi, a është ky gjithmonë “modus operandi” — mungesa pra e këshillimeve dhe bashkrendimit të pikëpamjeve midis dy kryeqyteteve shqiptare — sidomos kur kemi të bëjmë me çështje madhore të interesit kombëtar, siç janë marrëdhëniet shqiptaro-serbe?  Këto pyetje nuk kanë të bëjnë aspak me nacionalizëm primitiv siç e quajnë disa, por kanë të bëjnë me ekzistencën e kombit, pikëspari me identitetin komblëtar dhe me interesat afat shkurtëra dhe afat gjata të të gjithë shqiptarëve, historikisht të ndarë në pesë shtete nga të huajt, por aktualisht të përçarë nga vetja e tyre, fatkeqsisht.  Në fillim të gushtit, në artikullin “Punë Ballkanasish, Hesapi”, duke shkruar për vizitën e lajmëruar të kryeministrit Rama që mori fund disa ditë më parë në Serbi, kisha shënuar se, “Përsa i përket takimit shqiptaro-serb, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë.  A do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqë dhe stabilitet në rajon – a por do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”.

Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, sidomos duke marrë parasyshë edhe komentet e kryeministrit serb gjatë dhe pas vizitës, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfitoi as paqa dhe stabiliteti në rajon.  Dihej se pa pjesëmarrjen e përfaqsuesve legjitim të shqiptarëve të Kosovës në takimin, “për një dialog midis shqiptarëve dhe serbëve”, dialogu midis dy palëve kësaj radhe, ishte i pre-destinuar të dështonte.  Përkundrazi, kjo vizitë duket se pati efektin e pa dëshirueshëm të acarimit për të mos thënë përçarje të marrëdhënjeve Tiranë-Prishtinë, siç po e cilësojnë disa komentues.   Tashti është në duarë të dy palëve, Tiranës dhe Prishtinës zyrtare — që sa më shpejtë të zgjidhin çdo mosmarrveshje që mund të ekzistojë midis tyre ose në përceptimin e mendjes së popullit në lidhje me këtë çështje – me qëllim për të ndaluar një debat të dëmshëm dhe të pa nevojshëm nga të dy shtetet shqiptare, zyrtar dhe jo-zyrtar, ashtuqë sutuata të mos degjeneroj më keq, në një përçarje më të thellë midis shqiptarëve. Sepse në fund të fundit, qëllimi i vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi ishte për të përmirësuar atmosferën në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe jo për ndarë dhe për të përçarë shqiptarët.

Filed Under: Politike Tagged With: DHE TË PËRÇARË?!, Frank shkreli, te ndare

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI- DËSHTIMET POLITIKE NË EMËR TË PSEUDOPATRIOTIZMIT

October 18, 2016 by dgreca

MENTALITETI I PËRÇARJEVE, MËRGATA SHQIPTARE DHE DËSHTIMET POLITIKE NË EMËR TË PSEUDOPATRIOTIZMIT/

ESAD GJONBALAJ/ NJU JORK/

Trevat shqiptare nën Mal të Zi po vuajnë nga shumë plagë. Njëra nga këto është plaga e rëndë e mërgimit, plagë kjo që rëndon dhe që rrezikon rëndë qenien shqiptare në trojet tona stërgjyshore. Por kjo plagë bëhet edhe më shumë e acaruar kur mërgimtarët përzihen në politikën shqiptare në Mal të Zi.

Gjendja politike e faktorit shqiptar në Mal të Zi është e rëndë. Por ditëve të fundit jemi dëshmitarë edhe të dobësimit të mëtejshëm të faktorit shqiptar në Mal të Zi.

Dhe kjo vjen për shkak të presioneve nga joshqiptarët. Vjen edhe nga mungesa e nje ideologjie të qartë. Vjen, edhe më dukshëm si rrjedhojë e mentaliteteve bajraktareske të disa të ashtuquajturve pseudoliderë politikë. Janë këta liderë të shqiptarëve në nivele zonash, që nën ombrellën e kultivimit të “patriotizmit te zjarrtë” në fakt po ia vejnë zjarrin interesave të përgjithshme kombëtare të shqiptareve që sot jetojnë nën Mal të Zi.

Politikat e tyre kanë dështuar dhe këto zgjedhje kuvendare provuan pikërisht këtë. Rezultatet dhe shifrat e dala nga zgjedhjet e përgjithshme në Mal të Zi janë tronditëse. Këto janë edhe argumenti më i fortë dhe më bindes i një dështimi klasik dhe dobësimi të mëtejshëm të pozicionit të shqiptarëve nën Mal të Zi.

Mospërgjegjësia ndaj interesave të përgjithshme dhe veprimet egoiste, klanore dërgojnë ujin ne mullirin e atyre që gjithnjë luftuan dhe sajuan plane famëkeqe kundër qenies shqiptare në këto treva të përvuajtura.

Në vend që të marrim tre-katër deputetë, sikur të ishim te gjithë në një listë ne arritëm të sigurojmë vetëm një deputet e tërë kjo fal “pseudopatriotizmit të zjarrtë” që çoi në përplasje dhe dobësim të dukshëm të faktorit shqiptar.Në këto zgjedhje, shqiptarët dolën me tri subjekte, me dy koalicione dhe me Listën e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve.

Mandatin e vetëm në Parlamentin e Malit të Zi e ka fituar Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” Forca-UDSH-ASH ka fituar 1 mandat. Ky koalicion i ka fituar 4.500 vota ose 1.20 për qind. Koalicioni shqiptar “Me një qellim” PD-IQ-LDMZ-Perspektiva i ka fituar 3.500 vota ose 0.90 për qind, kurse Lista e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve i ka fituar 1.500 vota ose 0.40 për qind.

Sikur të ishim bashkë, do të merrnim të paktën tre deputetë dhe do të ishim një faktor real dhe për tu vlerësuar.Kjo vjen nga mungesa e përgjegjësisë politike. Kultura e mos përgjegjësisë politike është shprehje mungese e qëllimeve të sinqerta dhe mungesë e vetëdijes se pastër kombëtare duke shpërfillur dështimin e tyre. Shkaku? Kjo vjen si rrjedhojë e paaftësisë politike dhe e lidershipit te dobët. Kjo është, edhe shprehje e kulturës gangrenë të politikes aktuale shqiptare.Një pjesë e madhe e fajit vjen edhe nga mërgimi. Shqiptarët në mërgim mbështesin klanet e tyre dhe kushërinjtë por nuk ndjekin çështjen kombëtare.

Ne që jemi në mërgim me dhembje dhe ankth shohim se si avazi i vjetër i përçarjeve të shqiptareve luhet edhe sot, edhe sot kur vetvetes i themi se udhëhiqemi nga intelektualet tanë.

Një kontribut indirekt në këto përçarje, fatkeqësisht po e luan edhe diaspora me disa individë të prirë nga lidhjet familjare e jo nga lidhjet që kanë të bëjnë me aspektet parimore kombëtare. Ironi e llojit te vet për kohen qe jetojmë!

Duke parë dhe duke analizuar tërë këtë lamsh problemesh, çdo qytetar shqiptar shumë thjesht vjen në disa përfundime. Njëri përfundim i dukshëm është se na duhet bashkimi I faktorit politik shqiptar. Tjetri përfundim që vijon është se me këta njerëz, me këto klane dhe me këto struktura të këtij mentalitetit, lokalist, bjaraktaresk nuk shoh ne horizont ndonjë perspektiv dhe vizion të qartë për përmirësimin e e pozitës se shqiptarëve nen Mal te Zi. Kështu do të vazhdojmë të mbesim të përcarë dhe do të humbim peshën reale politike që na duhet me zgjidhë problemet jetike të shqiptarëve në Mal të Zi.

 

Filed Under: Komente Tagged With: DËSHTIMET POLITIKE NË EMËR, Mali i Zi, TË PSEUDOPATRIOTIZMIT

Ardiani dhe Arditi

October 18, 2016 by dgreca

…-Ka pas t’vdek te fusha poshtë. E ka pas zon traktori. Ka pas qenë traktori me goma rrumbullake prej hekri, edhe kanë qenë si thumba, që u ngulnin n’dhe, që mos rrshqiste. Edhe ai e ka pas shty…/

Nga Lindita KOMANI/*1-lidnita-komani

Kur binte shi, deri te gjuri u mushte plot me ujë. Edhe ishte ftoftë shumë, nuk kishte asi lloj kushte. As maskë s’kishe, vetëm nji palë doreza na kanë dhon, mu për vete, vetëm një palë doreza m’kanë dhon.

Më 15 qershor (ishte dita e parë). Vajta në punë, turni i dytë, në orën 3. I thashë unë: A ka vend për punë? M’thanë po. M’dhanë dorezat.
I thashë përgjegjësit të madh (për punë)… Ai edhe tha… M’dhanë dorezat, vajta, bona turnin e dytë atë ditë, pastaj ai tha, do të kthena turnin e tretë. U ktheva turni i tretë, çdo natë pastaj, ndejta unë n’punë. Edhe m’u kishte bezdis.

Ne punoshim tetë orë. Nga ora 11 e merrshim deri n’orën 7. Kishim si proçes t’punës, si t’i jipshin ato. Ishe 8 orë, kishe me 8 mijë lekë. Ishe edhe me 10 që ishe lopata.

N’lopatë. Me gjithë vëllain.

Kishte sa t’dush kishte (bashkëmoshatarë). Edhe 15 vjet, aty.

Jo (nuk isha i siguruar).

Ne i merrshim n’dorë, atje lart tek zyrat (pagesat).

Po (ka pat aksidente), njori biles ka thy komën atje, po mbrapa që e kam lon unë punën. Edhe at ditë kur morrëm rrogat, ishte me kom të thyme, me paterica ishte tu ec. Nuk e di (si ndodhi), se e kasha lon unë punën, e s’e kam pa.

Ka pas t’vdek te fusha poshtë. E ka pas zon traktori. Ka pas qenë traktori me goma rrumbullake prej hekri, edhe kanë qenë si thumba, që u ngulnin n’dhe, që mos rrshqiste. Edhe ai e ka pas shty.

Këtu është emri i vëllajt, me gjithë mbiemrin këtu. Kurse ktu o vëllaj.
Po (më merr malli për Arditin).

Ardiani tregon tatuazhin me fytyrën e vëllait. Mban shtrënguar lart mëngën e këmishës me kuadrate dhe përkul kokën që ta shohë edhe ai vetë tatuazhin e freskët. Arditi shfaqet me buzëqeshjen e fëmijës së rritur para kohe, nga hallet dhe nevoja për të gjetur vetë zgjidhje për to. Ardiani përlotet e zëri i humb.

Po (për shkollën u futa në punë). Ndihmonim familjen, blenim rrobat e shkollës, librat, t’gjitha.

Ardiani fshin lotët.

Po si s’du unë drejtësi (për Arditin). Drejtësia duhet, edhe mos me e pas vëlla duhet bo se drejtësia të jetë gjithmonë. Ata e zejmë sikur ka qenë në… ke ura e Beshirit ka qenë një stallë lopë. Edhe aty kanë pas qenë myt lopë, aty ka vajt me pa se sa kren janë myt, këtu të paktën t’kishte ardh me ngushllu. Këtu s’ka ardh asnjë.

Arditi ul kokën mënjanë.

*(Duke parë e dëgjuar “Kodrina e vdekjes” nga Publicus…)

 

Filed Under: Komente Tagged With: Ardiani dhe Arditi, Lindita Komani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT