• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2016

NJE LETER PER ZONJEN GENTIANA SULA

December 2, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1-fritzUNË  KAM  BESUE  GJITHNJË  TEK  HAPJA  E  DOSJEVE !!/

1-gentiana-sula

NE FOTO: GENTIANA SULA/

E nderueme zonja Gentiana Sula!/

Pak ditë perpara u njoftue se: “Gentiana Sula votohet si kryetare për hapjen e dosjeve të sigurimit. Parlamenti ka votuar me 69 vota pro dhe 1 abstenim si Kryetare të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.”

Nuk kerkova të dhana tjera rreth biografisë dhe aktivitetit Tuej…

U perqendrova tek kjo foto e Jueja që mu duk se flet mjaft persa më intereson sot.

Do t’ Ju shkruej per dy raste që kam pasë me njoh dy persona në jeten time, dhe jam shumë i sigurtë se njëditë do të më kujtoni!

Ishte viti 1962 kur jam kenë smurë dhe shkova per mjekim në Spitalin Ekstrapolmonar të Vlonës. Ishe 22 vjeç. Porsa mërrijta atje, një tiranas djalë i ri, më njohu me një të sëmurë të interrnuem nga Shkodra, Françeskan i dënuem në vitin 1947, At Frano Kiri…

Nuk e njihshe fare po, i kishe ndigjue vetem emnin. Sa ju afrova shtratit të Tij më njohu. Ishte me Ate një grup të rijshë që e kalonim kohen tue luejtë domino… Mbasi delshim nga mensa në drekë, At Frano, shkëputej dhe shkonte tek një stol nën hije të një peme dhe aty, ulej e lexonte gazeten… Po, sa kohë? – Besoj se lexonte kater faqet e saj…

Një ditë Ju afrova dhe mbasi pashë se po lexonte gazeten “Zeri i Popullit”, e pyeta: Mirë se ke vullnet me lexue, po nuk priton perditë me lexue rrenat e komunistave bre Burrë, dhe as, nuk priton me lexue kater faqet me rrena të “Zerit Popullit”..?!

Ai qeshi dhe, më tha: Shiko, unë i lexoj të kater faqet, po jo se shka shkruejnë këta…

Per me marrë vesht të verteten nder shkrimet e tyne, “unë lexoj shka asht e shkrueme tek e bardha në mes të rreshtave të zezë!”… Qeshem, po fjalët e Tij nuk i harrova kurrma!

***

Burrat e mendshem me pak fjalë kanë lanë vepra të shkrueme në Shkoder!

Një prej Tyne asht kenë ekonomisti Zef Shiroka, vllau i mjekut njohun Federik Shiroka. Per Zefin thonin se “asht nder Burrat e rrallë me cilësi të mira!”

Një ditë një mik e pyeti: “Zef, a me të vertetë je Burrë i mirë, ashtu si të njeh Shkodra?”

Zefi e shikoi, dhe me buzë në gaz i tha: “E dij unë se shka kam hjekë me më thanë sot gjithë Shkodra, se Zefi asht Burrë i mirë! Vetem pesë minuta i duhen njeriut per me kenë ‘burrë i keq’, prandej, nuk asht aq e thjeshtë me u quejtë Burrë i mirë në Shkoder…”

Zef Shiroka dhe shumë Burra të mirë në Shkoder, edhe e mbyllen jeten e tyne jo vetem, me këte Epitet nderi, po edhe të provuem nder hetuesi si të tillë!

***

E nderueme zonja Gentiana,

Papa Gjon Pali II kur vizitoi Shqipninë me 25 Prill 1993, ka thanë në Sheshin Skenderbeu se: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazen dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerzimit!..” E, dokumentacionin e kësaj tragjedije të pashembullt që ka ngja tek ne, sigurisht, keni me e pasë në kujdes dhe studim Ju. Piksynimi i Juej ka me kenë nxjerrja në pah e asaj që ka ngja dhe ekziston në Shqipni, pikrisht nder Dosjet që kanë me kenë nder duertë Tua, me synimin drejt së mires: Me shikue Perpara!

Në të vertetë ky kusht nuk lejon me u rikthye tek të njajtat krime po, edhe siç porositë Papa Gjon Pali II, “ky asht shtegu ma i mirë per një proces pajtimi të vertetë!” 

Në vitin 1998 kam lexue edhe unë “në mes të rreshtave të zezë” disa Dosje, dhe kur kam shkrue per ato Dosje, kam shkrue “Vetem të Verteten”!

Do të më pelqente fort që mbas disa vitesh… Edhe per Ju, të thonin Shqiptarët e vertetë:

“Gentiana asht me të vertetë një Shqiptare Burrneshë, po, edhe një zonjë e nderueme!”

E kjo, asht vetem në doren Tuej! Koha ka me tregue Vepren Tuej!..

Me shumë respekt!  

            Melbourne, Dhjetor 2016.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, leter publike, per Gentiana Sula

BRUKSELI ZYRTAR: Kosova- Kodi telefonik shtetëror 383-15 dhjetor 2016

December 2, 2016 by dgreca

ITU ia ndan Kosovës kodin telefonik shtetëror 383 me 15 dhjetor 2016/

1-brukseli

Bruksel, 2 dhjetor 2016  në ora 18:00/Në bisedimet që zgjaten tre ditë në Bruksel e që përfunduan sonte, u konfirmuan obligimet finale zbatuese për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën. Ky proces u përmbyll me sukses me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me të cilin u konfirmua se në bazë të Marrëveshjes për telekomin ashtu siç është paraparë me planin për zbatim për telekomin, ITU do t’ ia ndaj Kosovës kodin telefonik 383 me datë 15 dhjetor 2016.Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore në Dialogun e Brukselit dhe në përbërje të të cilit ishin edhe Kreshnik Gashi, kryetar i bordit i ARKEP-it dhe koordinator profesional për telekom, Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Tahiri dhe koordinator politik për telekom, Ilir Imeri, shef i departamentit për komunikime elektronike në ARKEP, Mehdi Latifaj, drejtor teknik i Telekomit të Kosovës, Elona Cecelia, këshilltare politike dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.

Ministrja Edita Tahiri me këtë rast deklaroi se bisedimet e këtyre tre ditëve u përmbyllen me sukses, tashmë çdo gjë është e saktësuar se Kosova bëhet me kodin e saj telefonik shtetëror 383 të cilën ITU do t’ia alokoj këtë kod telefonik drejtpërdrejt Kosovës me datën 15 dhjetor 2016. Ajo tha se për herë të parë në histori Kosova do ta ketë kodi telefonik shtetëror.

Më tëj, Ministrja Edita Tahiri theksoi se Organizata Ndërkombëtare për Telekomunikacion e OKB-së (ITU) me datë 15 dhjetor 2016 do të ia ndaj Republikës së Kosovës kodin e saj telefonik shtetëror që do të jetë +383. Me marrjen e kodit të vet telefonik shtetëror, Republika e Kosovës e fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit dhe subjektiviteti i saj si shtet në fushën e telekomunikacionit do të njihet nga bashkësia ndërkombëtare përmes kodit të saj telefonik.

Republika e Kosovës është pronare e kodit telefonik 383 dhe Kosova do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administroj me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet tjera. Në këtë kuadër Kosova do të bashkëpunoj me ITU-në për zbatimin teknik të kodit telefonik. Kosova më në fund do ta kodin e vet telefonik ndërsa të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 do të shuhen. Ministrja Tahiri potencoi se do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999. Ajo po ashtu edhe njëherë e rikonfirmoi se të gjitha thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Ajo tha marrëveshja për kodin telefonik do të ketë efekte pozitive të shumëfishta, si në planin shtetëror, të sovranitetit, ekonomik dhe telekomunikues.

Ajo theksoi se gjatë këtyre bisedimeve nga pala e Kosovës u konfirmua se autorizimi  i përkohshëm dhe i kufizuar në telefoni mobile do të realizohet sipas planit në ditën që Kosova e merr kodin e vet telefonik nga ITU, pala serbe konfirmoi se letra që Serbia do të ia dërgoj ITU-së ku shpreh pajtimin për kodin telefonik për Kosovën do të realizohet në afatin e paraparë. Delegacionet e dyja shteteve konfirmuan para BE-së se këto dokumente janë në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit për telekomin dhe planin aksional.

Ministrja Tahiri tha se e falënderojmë Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin efektiv të kësaj Marrëveshje për telekomin dhe se ky proces po rezulton me sukses duke dëshmuar suksesin e radhës së Dialogut të Brukselit.

Ministrja Tahiri me ketë rast shprehu mirënjohje për gjithë delegacionin shtetëror të Kosovës për punën e madhe dhe të përkushtuar për gjithë këto vite për arritjen e këtij suksesi për Kosovën. Ajo në mënyrë të veçantë vlerësoi lart edhe angazhimin e kryetarit të bordit të ARKEP-it njëherit koordinator profesional i grupit shtetëror për telekomin i cili dëshmoi përkushtim shtetëror dhe profesional për këtë proces.

Filed Under: Kronike Tagged With: brukseli njoftim 383, i Kosoves, Kodi Telefonik

DËSHMOR I KOMBIT….„VDEKJA E NJË NATE„

December 2, 2016 by dgreca

„VDEKJA  E  NJË  NATE„/

2-libri1-deshmori1-libri5-libri-deshmori

  Autori: DR. FAHREDIN  SH. HOTI-(DËSHMOR I  KOMBIT)/ Biblioteka Kombëtare e Kosovës „Pjetër Bogdani“  Prishtinë, 24  nëntor 2016/

1-fahredin-hoti46-libri6-vdekja-e-nej-nate

Promovimi i librit me poezi/

Në vigjilje të 63-vjetorit të lindjes së dëshmorit dr. Fahredin Hoti, në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, u promovua librit i poetit dëshmor, mjekut liridashës, dëshmorit të kombit dr. Fahredin Hotit me titullin “Vdekja e një nate”.Ku takim me familjarët, miq, shokët, bashkëpuntorët e dr. Fahredin Hotit ishte komunikim me shpirtin e dëshmorit, i cili e shkriu shpirtin poetik në vargje, duke na bërë të ditur sa shumë ishte i përkushtuar për vendin e tij. Nën moderimin e Alketa Gashi-Fazliu, të parnishëmve ju drejtuar profesori Bedri Dula, i cili ishte dhe recensenti i librit, i cili me durim dhe përkushtim është marrë me mbledhjen dhe renditjen e krijimeve poetik të dëshmorit-poet dr. Fahredin Hotit.

Nga Bedri Dula: SHPIRTI I POETIT JETON NË POEZI/

Nëse nuk dëshiron që të humbasin gjurmët e kohës, krijo artin poetik, nëse po ashtu do të jetosh i përjetshëm në historinë e popullit tënd, lufto për arritjen e lirisë, e nëse është e nevojshme edhe vdis për idealet e lirisë. Poezitë që po dalin në dritën e botimit në një përmbledhje të bukur poetike të Dr. Fahredin Hotit,“VDEKJA E NJË NATE” shprehin qartë se, poeti deshmor, la pas vetes pavdekësinë, ngase e plotësoi me ndërgjegje të lartë obligimin kombëtar e atdhetar në luftë për lirinë e atdheut.Por, la edhe gjurmët e shpirtit poetik të paraqitura me ndjenjatë  fuqishme në poezitë që po jepen si buçetë porosishë,  që shtegtojnë në horizontin e artit, duke na dhënë mesazhin se shpirti poetik jeton në poezi.

Metafora e përmbledhjes “Vdekja e një nate” e dr. Fahredin Hotit, shpeh shumë pastër, se poeti dëshmor në mënyrë figurative paralajmëron vdekjen e sigurt të regjimit serbo-komunist. Poeti lirinë e paralajmëron në poezinë, “Vdekja e një nate” me vargjet:

“ky zë hareshëm më lajmëroi

Ej, zgjohu e shiko

vdekjen edhe të një nate”

Poeti dëshmor, ndonëse poezitë i ka shkruar në një periudhë të hershme, rreth viteve 1970-1980, kohë kjo që ishte shumë e vështirë për poetin dhe popullin e tij, sepse ndenjat ishin shumë të forta dhe gjuha e rëndë për shijen e kohës në të cilën, bishat e egra të Karpateve dhe servilëve ishin shumë të ashpra. Poeti gjurmoi brenda vetes udhën e poezisë, provoi disa variante.Por, si duket profesioni i mjekut ishte ai që poetin e shtyu të merret me atë veprimtari, të cilës nuk iu nda deri sa në luftën për çlirimin e Kosovës dha edhe jetën heroikisht në shërbim të popullit në detyrë, si mjek e luftëtar i lirisë.

Në poezinë e tij shihet shumë qartë shqetësimi dhe  preokupimi për popullin dhe atdheun, që janë shprehur shumë rrjedhshëm në vargun e tij poetik.

Poezia  e Dr. Fahredin Hotit është e qetë, me një frymë lirike dhe e shprehur me emocion të fuqishëm, herë – herë shpërthyeshëm e në disa raste mjaft  arsyeshëm dhe stabile, por kurrë me patetizëm. Prandaj, poezitë e tij janë shumë të qëndrueshme në kohë dhe hapësirë, ngase sjellin një refleksion poetik të lehtë për të gjitha nivelet e lexuesve.

Në poezitë e Dr. Fahredin Hotit dominojnë motivet patriotike, sociale dhe motivet e një dashurie intime, të shprehura me figura e simbole, siç mund të shohim tek poezia

“Ma falë”, ku shprehet:

“Ma fal një buzëqeshje

t’i shuaj dhembjet e shpirtit”

Po ashtu, edhe te poezia tjetër, “Fati i dashurisë”, ku poeti shprehet, “shtegtoj si mysafir i kësaj toke”, ku poeti e shpreh dashurinë intime, por duke i shprehur edhe ndjenjat e tij të frikës, se nuk do të ishte i lirë për një gjë të tillë, ngase nevoja për lirinë e atdheut i’a rrembente kohën e artë për t’ia kushtuar popullit të tij, për ta zgjuar nga robëria, siç shprehet poeti në poezinë

“Shkrova”,  në vargun simbolik:

“Yjet t’i zgjoj nga heshtja”

Poeti këtu shpreh besimin tek popullii tij se ka njerëz të ndritur, por që u duhet guximi dhe ky ishte refleksioni i poetit, që përmes vargut poetik t’ju jepte forcën e duhur njerëzve.

Poeti dëshmor dr. Fahredin Hoti, duket se me kohë ishte i bindur se pushtuesi nuk e ka të gjatë jetën në këto troje, por që shporrjen e tij nga këtu e shihte përmes grykës se pushkës, gjë që shprehet qartë në poezinë me titull: “Aromë e kësaj toke”, ku shprehet:

“Lulet e mia sa thithën aromën e tokës

më duhet prapë krisma e pushkës”

Po në këtë frymë poeti i shpreh ndjenjat e tij se fati i popullit, edhe një herë duhet të kalojë nëpër zjarrin e luftës, ngase udha e lirisë për popullin shqiptar është e gjatë dhe e vështirë, prandaj poeti fuqishëm në poezinë e tij “Këtu” shprehet përmes vargut:

“Këtu me gjak ma shtruan udhën”,

Vërtetë udhët e lirisë se popullit shqiptar janë të hapura vetëm përmes grykës së pushkës dhe gjakut të derdhur nga atdhetarët më të devotshëm. Shikuar nga ky aspekt poezitë e Dr. Fahredin Hotit është e lehtë për t’i kuptuar, sepse poeti dëshmor ishte i përgatitur dhe i pjekur për kohë lufte dhe për një rënie të ndershme, çka edhe e dëshmoi me flijimin e tij, në pranverën e vitit 1999.

Se poetët e duan, po aq sa edhe të tjerët atdheun, dëshmojnë edhe poezitë për vendlindjen,që dr. Fahredin Hoti i thur me aq pasion poetik. Ai e shijonte me afsh atdhetar çdo ndryshim të vendlindjes së tij.Këtë ai e shprehu me forcë të jashtëzakonshme dashurinë ndaj bukurive natyrore dhe kur mungonte për ndonjë kohë ndjente mallë të fuqishëm. Vendlindja në shpirtin e tij ishte diçka e shenjtë, si gëzimi ashtu edhe pikëllimi kishin kuptim, ngase ai aty e ndjente veten më të fuqishëm, për ta përballuar edhe më të keqen, prandaj në poezinë e tij me titull “Për ty vendlindje”,  poeti shprehet

“Gëzimi e pikëllimi shënojnë rritën time”.

Poeti përmes poezisë shpreh edhe e mban gjithnjë të fuqishme ndjenjën e shpresës. Ëndrra për një të ardhme në liri dhe të lumtur, nuk venitet asnjëherë. Pra,nuk përfundon kurrë, sepse ai ka besim të madh në forcën intelektuale, në gjeneratën e re që po krijohej, në revolucionin shpirtëror të viteve ‘80, gjeneratë që ishte e gatshme dhe e përgatitur për t’i dhënë frytet e mbledhura nga idealet e rilindasve. Nga këto ideale ishte i ndikuar fuqishëm edhe poeti dëshmor Dr. Fahredin Hoti.

Poeti e sheh me besim të madh rritën e rinisë, një rini e rritur nën kthetrat e robërisë që është e kalitur të përballojë çdo stuhi të kohës, prandaj poeti në poezinë,  “Rini” pohonpjekurinë e kësaj rinie, siç thotë ai në vargun,“Rinove jetën në errësirën e djajve”.

Poeti dëshmor Dr. Fahredin Hoti, përmes vargjeve poetike, vjen edhe më fuqishëm, në kujtesën e popullit të tij që i’a kushtoi jetën dhe veprën.Përmes këtyre vargjeve poeti la gjurmët e tij, duke sjellë dritë në shpirtin e brezave që do të rriten në liri, për të cilën liri poeti kontribuoi edhe me pushkë edhe me penë. Kjo është forca e poetit. Poetët me forcën e shpirtit i’a ngritin vetes përmendoren e pavdekësisë, me kurorën e bukur të shprehur në vargjet e bukura artistike.

Një vështrim kritik të përmbledhjes me poezi “Vdekja e një nate” e prezentojë poetesha Selvete Abdullahu

“Kur shpirti i një luftëtari lëngon në dritën e poezisë”

Të shkruash për personalitetin e Dr.Fahredin Hotit të vin në mendje dy gjëra: cilësitë e formuara të një intelektuali dhe karakteri i fortë prej një humanisti dhe sfiduesi. Një njeri që vuatjet i shëndrron në këngë  e dashuri të shpirtit ky është vet autori tashmë i ndjerë Dr.Fahredin Hoti. Ky njeri shumë dimensional sot frymon në mesin tonë me vargjet e lira të cilat përveç ndjesisë së krijuar në këtë mes kanë sjellë dritë, diell e dashuri. Sot këto vargje kanë sjellë paqe dhe bekim.

Meqenëse e kaluara historike kullonte plagë të cilat rrehnin njeriun si shkëmbi në vet natyrën e autorit shihej e tillë duke thënë: Me shekuj u përgjakë balta dhe kjo përgjakje sikur i jep të drejtë autorit të ndjejë erën e gjakut edhe në supet e tij. Ai ishte i bindur se vetëm lufta do të sillte lirinë e vendit ndaj ndjente erën e saj.

Çdo pjesë që autori i kushton atdheut në fokus të vaçant shpreh parandjenjën e tij se vetëm pushka kundrejtë armikut do të sillte lirin e vëndit. Mbi të gjitha këto gjurmë gjaku autori pret ditën e gëzimit, ditën kur ai do të buzëqeshte në harmoni me natyrën. Pra,siç shprehet: Prita fatin të më gëzojë….

Poezinë e Dr.Fahredin Hotit e karakterizon llojë-llojshmëria e motiveve. Duke u nisur në atë se gjuha është mjetë esencial komunikativ që lidh njerëzitë në mes vete në shkëmbim idesh, mendimesh e bashkëpunimesh dhe këto lidhje mund të jenë të ndryshme dhe poashtu jo gjithëherë të mira dhe harmonike, por shtrohet pyetja: si e sheh autori këtë aspekt?

Autori e shpreh shpirtin e tij të madh e njerëzor kur i jep peshë fjalës dhe ate gjithnjë në kontest pozitiv ku thotë: Fjala e ëmbël si mjaltë

                       Fjala shpreh bukurinë

                      Fjala ndjenjë dashurie

Me fjalën e tij në kuptimin e mirë dhe të lartë ne e kuptojmë se autori e sheh botën përmes ndjenjave fisnike të afilacionit, altruizmit  dhe bashkimit. Ndjesia që të krijon poezia e Dr.Fahredin Hotit nuk është ndjesi sipërfaqësore, por ajo futet thellë në lëkurën tonë kur ne jemi afër vargjeve të tij, afër natyrës së tij, diellit e hënës së tij, shiut të bekuar të tij. Një shpirt harmonik prej intelektuali, poeti e dëshmori nuk mund të ishte ndryshe pos një korelacion i fuqishëm sensacional.

Në anën tjetër si çdo njeri edhe autori ka çaste ku e kaplon vetmia duke thënë:

                        Si një parandil i vatrës së shuar

                         Iu luta engjëjve të natës

                         Të më sjellin vetëm pak dashuri

                         Para se në heshtje të më mbyt vetmia

Ky libër poetik megjithëse lexohet me një frymë është një gjetje poetike e jashtëzakonshme që të fal kënaqësin e leximit.

Në poezinë “Toka jonë”autori përveç dashuris për tokën sheh edhe elementin e ndërveprimit të ngritjes njerëzore ku në këtë rast bënë ndërlidhje konkrete.

                           Toka ime,ti që shumë kohë heshte

                           Sot të putha

                            Sot të deshta më shumë se çdo herë

                            Më ngrite, o toka jonë

Unë mendoj se sot me këtë vepër poetike është ngritur dëshmori i kombit Dr.Fahredin Hoti.Sot toka e ka ngritur ate në piedestalin më të lartë ashtu siç e ka parandjerë vet ai dikur.

Pyes: Si mund të përfundojnë shpresat e një intelektuali kur ai ishte gjithënjë në kërkim të dijes dhe ngritjes në të gjitha aspektet?

Prandaj, vazhdoi me iden  dhe punën e azhuriteteve të reja me ëndërrat që nuk përfundojnë.

                             Etja për dituri

                             Shpërthen si vullkan

Çfarë mund të thuhet më tepër për motivacionin e një intelektuali kur flet vet vargu dhe fuqia e tij.Ndjenja të qeta,kalorike pasqyrohen me një ritëm të duar-duarshëm me fatin e dashurisë ku autori mundohet të paraqet rrugëtimin e tij përmes vargjeve.Dashuri identike rezervon edhe për atdheun në të njëjtën kohë të  mbushur plotë shpresë.

Përcepcionet e çarta dhe kognitive të autorit bëjnë të mundur lehtësimin e vargjeve duke vë në pah tek lexuesi anën e butë shpirtërore të tij, gëzimin, bukurinë, gjallërin, vrullin, sfidën, ambicien, dashurinë gjithëpërfshirëse dhe laramanin e Universit. Mesazhi  që përcjell autori është mjaftë kuptimplotë dhe shpresëdhënës.

Ai tek lexuesi përcjell vetëm nxitje pozitive. Citoj: T’ju këndojmë nënave tona

                                                                            T’a pakësojmë pikëllimin në zemër

                                                                            Me këngët e thellësisë së shpirtit

                                                                            Do sjellim shpëtim për një zemër

Në veprën e Dr.Fahredin Hotit unë takova një intelektual me frymë liridashëse dhe paqësore për njerëzitë në mbarë botën dhe një talent që shpalos dijen e tij artistike të mbështetur në fatin e tij.

                                                        Vallë si do të rrjedhë fati

                                                          Në universin e pa shkelur

                                                           Do të jem edhe unë

                                                          Ai që dote sjellë boshtin e jetës!

Lidhen momentet kur heroi thurrë vargje për heroin Bajram Curri i cili vinte nga vendlindja e autorit, pra nga Krusha e Madhe, por vargjet rrjedhën lirshëm duke ju kushtuar edhe Rilindasëve tonë kombëtar vëllëzërve Frashëri. Vazhdon me poezin kushtuar më të shtrenjtës nënë duke mos harruar edhe pjesën e mërgimit ku poeti bënë thirrje për t’u kthyer në tokën e vendlindjes bashkë me lutjet e tij drejtuar Zotit. Nuk arrin asesi dilema Hamletiane t’i vë në dyshim qëndrimet e autorit. Ai është objektiv dhe strikt në botëkuptimet dhe vizionet e veta.

                                                                                Shoh fatin e dëshirave

                                                                                Që po sjellin agime të reja

Rininë e shëndoshë dhe të bukur nuk e harron dot duke i dhënë një mesazh të fuqishëm:

                                                        Përballu me rrebeshet e kohës

                                                         Kosovës mos lejo t’i vdes shpresa

Këndëvështrimin tim lidhur me këtë vepër të rëndësishme shoqërore do t’a përfundoj me një strofë nga poezia “Pacientët” që është pjesë e profesionit të autorit. Përshkrimi i një nate dhe peripecitë në dhomën nr.17 në kirurgji,ankimet e pacientëve,ndihma e ofruar nga ekipi i mjekëve: Infuzioni pikon pikë-pikë…..

                                            Jetën do t’a shpëtojmë

                                            Dhe nesër do t’a gëzojë

                                            Edhe ditën e nesërme do t’a shoh

Dhe kështu përfundon humanizmi, intelekti dhe puna vetëm atë ditë kur autori ra në altarin e lirisë  për të mos vdekur kurrë.  LAVDI!

Ndërsa të pranishmit i përshëndeti djali i dëshmorit Besnik F. Hoti

Të nderuara familje të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve

Të nderuar familjar, koleg, miq dhe shok të babës.

Unë jam i nderuar të jem këtu para jush, si biri i dëshmorit dhe në radhë të parë t’ju falenderoj të gjithë të pranishmëve që shkëputët pak kohë për t’ia kushtuar dhe nderuar sakrificën e babës, poetit dëshmor, mjekut liridashës, dëshmorit të kombit Dr. Fahredin Hotit.

Historia nuk e ka përkëdhelë popullin shqiptare, në asnjë kohë, i pushtuar me shekuj, ka arritur të mbijetojë e të mos asimilohet i tëri. Prandaj fjala LIRI për popullin Shqiptar ka kuptim shumë të madh. Vërtet, liria është tepër e shtrenjtë, sepse paguhet me jetë, me jetën e më të dashurve, sakrificë që nuk ka çmim, pos ÇMIMIT TË LIRISË.

Lufta heroike e popullit shqiptare për çlirim, me emblemen e UÇK-s, ishte luftë në mbrojtje të atdheut nga okupatori serb, ishte luftë për liri, ishte luftë për çlirim, ishte luftë e pastër, luftë për të drejtën univerzale të njerëzimit për Jetë, ishte luftë në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor e kombëtar.

Atdheu fillon tek dëshmorët te zemrat e heronjve dhe martirëve të cilët me sakrificën e tyre sublime ranë në altarin e shenjtë të lirisë.

Dëshmorët janë gurëthemetaret e shtetit tonë, Dëshmorët janë krenari kombetare, Dëshmorët janë gjaku i lirisë, Dëshmorët janë të shenjtë, Dëshmorët janë sinonim i shtetësisë.

I përkulem gjithmonë sakrificës dhe heroizmit të heronjëve, dëshmorëve dhe martirëve.

LAVDI E PËRJETSHME, LAVDI QËNDRESËS HEROIKE TË DËSHMORËVE TË KOMBIT  DHE GJITHË TË RËNËVE PËR LIRI!

Ju faleminderit për vëmendjen dhe respektin që treguat, Zoti ju bekoftë.

Poezi nga përmbledhja me poezi “Vdekja e një nate” interpretoj poeti i ri Agim Gashi

PSE

Pse

para se të vdes

ëndrrat më shfaqen në shpirt?

Pse

shpresat e mia këmbët m’i lidhin

e gjakun ma pengon në damar?

Pse

kënga e zogjve është kaq e zbehtë

e dielli ka aq pak ngrohtësi?

Pse

lumenjtë janë kaq të qetë

edhe kur shushunjat pinë lëngun e tyre?

Pse

nuk ndjej tingëllimën e vdekjes

edhe kur laku sillet rreth qafës?

KOSOVA

Kosova këngë e mjerimit

Që rrjedhë nëpër errësirën e kohës

U rrite nëpër zjarre lufte

Fati i dhembjes së madhe

Kalove nëpër dyert e tragjedisë

Nga shekulli në shekull brezni gjaku

Për ta mbajtur një emër në histori

Shqiponjat bënë fole në gurë

Mbi trojet e kësulbardhëve

Të ngrihet i shenjti flamur…

TOKA JONË

Toka ime, o vend i shenjtë

do të shkruaj për TY

që kjo ditë, të mos shkojë kot.

U zgjove, si syri i pranverës

beharin ma prure me dashuri

e dritën ma fale-lumturinë

na zgjove nga ëndrrat shekullore

fitoren drejt fitoreve na dhurove

agimin më të bardhë se çdo herë na bëre.

Toka ime, ti që shumë kohë heshte

Sot të putha,

sot të desha më shumë se çdo herë

Më ngrite, o toka jonë.  

RINI

Rini e dhembjeve të gjata

nëpër breza kohërash të egra

rinove në errësirën e djajve

kryelartë barte flamurin në gji.

Nisu rini në udhëtimin e shenjtë

ec drejt fitoreve të reja

koha është mik i keq

kur mungon vullneti për jetë.

Ngritu rini mbi gjakun e etërve

mos e ndal hovin e shpirtit

përballu me rrebeshet e kohës

Kosovës mos lejo t’i vdesë shpresa.

30.X. 1979 Prishtinë

SHENIME PËR AUTORIN

Dr. Spec. Fahredin Sh. Hoti

U lind në Krushë të Madhe më 27 nëntor 1953. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren.  Fakultetin e Mjekësisë e regjistroi në Sarajevë dhe studimet e mjekësisë i kreu në Prishtinë në viti 1982. Një kohë të gjatë punoi si mjek i praktikës së përgjithshme në Rahovec e rrethinë, duke u treguar i palodhshëm dhe gjithmonë i gatshëm për t´u ardhur në ndihmë pacientëve të kësaj ane.

Në vitin 1991 kreu specializimin nga gjinekologjia me akusherisë në Rijekë të Kroacisë. Pas kryerjes së specializimit, si gjinekolog me zell e përkushtim punoi në Rahovec, Malishevë dhe Prizren.

Prania e Dr. Fahredinit në Repartin e Gjinekologjisë me Obstetrikë në Prizren, nuk i shkoi përshtati pushtetit serb. Sikur shumë gjinekologë të tjerë shqiptarë më parë edhe atë e përjashtuan.

Pas hapjes së lindtores „NËNA“ në Prishtinë në kuadër të Shoqatës Humanitare Bëmirëse „Nëna Tereze“,   Dr. Fahredini iu bashkëngjit gjinekologëve të tjerë të Kosovës në punën humanitare për mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe fëmijëve të Kosovës. Njohuritë e veta profesionale e shkencore ua mësoi edhe brezave të rinj, duke punuar si mësimdhënës pa kurrfarë kompenzimi material në shkollën e mesme të mjekësisë „Dr. Luciano Motroni“ në Prizren nga viti shkollor 1993/94 e deri para vrasjes. U angazhua në veprimtari të shumta në Shoqatën e të Gjelbërve, si dhe Shoqatën „Mjekët pa kufi“.

Në planin profesional e shkencor ishte shumë ambicioz. Ka marrë pjesë aktive në të gjitha tubimet shkencore e profesionale nga lëmi i gjinekologjisë me obstetrikë, mbajtur në Kosovë, Shqipëri, Kroaci e më gjerë.

Për mbrojtjen e shëndetit të popullit dhe familjeve të atyre që lirinë e deshën më shumë se jetën Dr.Fahredini nuk ishte vetëm gjinekolog, por ai në kohën e luftës ishte mjek për të gjitha hallet e pacientëve.

Kreu punët e pediatrit, kirurgut, internistit edhe të teknikut mjekësor, duke filluar nga Krusha e Madhe, Pagarusha, Drenoci, Açareva, Likoci, e shumë vende të tjera të Rahovecit,  Prizrenit dhe të Malishevës, ku në shtëpitë e rrënuara të këtyre anëve dhe nën flakën e pushkëve, për herë të parë e dëgjoi zërin e fëmijëve të lirisë-trashëgimtarëve të së ardhmes, së cilës i gëzohej pa masë.

Shtëpia e tij në Krushë të Madhe u shndërrua në spital, ku kurohen shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë nga të gjitha trevat e Anadrinisë e të Malishevës, të cilët gjendeshin të rrezikuar dhe në gjendje të rëndë, pa ilaçe dhe pa ndihma mjekësore. Shtëpia-Spital e doktor Fahredinit ishte mobilizuar në 24 orë pandërprerë, ku kishte një numër të madh ndërhyrjesh kirurgjike dhe gjinekologjike, në të cilën spital brenda një viti janë të evidencuar mbi 800 lindje. Në këtë spital-shtëpi doktor Fahredini kishte të angazhuar bashkëshorten e tij, Nexhmien, si dhe dy kunatat e tij, Lejlan dhe Hatixhe Hotin.

Në ofensivën e përgjithshme serbe të pranverës së vitit 1999, e cila përfshiu mbarë Kosovën, Dr. Fahredin Hoti, në një spital fushor të improvizuar në kodrat e Krushë së Madhe kryen disa operacione kirurgjike, sidomos për civilët e plagosur.

Në përpjekje për t´i vizituar të strehuarit në pyll goditet nga predhat e ushtrisë serbo-çetnike, i biri i tij KRESHNIKU, në moshën dymbëdhjetë  vjeçare. Dashuria për të birin dhe ndjenja e lartë humaniste, nuk e lejoi t´i braktiste të plagosurit në asnjë moment. Duke u përpjekur t´i ndihmonte të birit të tij të plagosur rëndë,qëllohet  nga snajperistët serbë, të cilët kishin rrethuar në çdo anë popullatën e strehuar në pyll. Edhe pse i plagosur, doktor Fahredini nuk jepej. Njeriu që kishte kuruar qindra e mijëra njerëz, u përball i vetëm me plagët vdekjeprurëse që ia shkaktuan armiqtë e popullit të tij.Ndërron jetë në përpjekje për të operuar plagët e veta, që i kullonin gjak.

Gjendja tragjike e familjes Hoti nuk përfundon me kaq. Armiku gjakatar, i pangopur me gjakun e mjekut Fahredin dhe të birit të tij Kreshnikut, që ende të pa varrosur, serbo-çetnikët nisën keqtrajtimet ndaj familjes së Fahredinit, duke i rrahur e sharë në mënyrën më brutale, madje edhe i dëbuan nga vatrat e veta për në Shqipëri. Gjatë rrugës për në Shqipëri, nga rrahjet dhe plagët e rënda të shkaktuara nga serbo-çetnikët, në pikën kufitare të Morinës vdes edhe babai i mjekut, plaku i urtë Shemsedin Hoti, në moshën 67-vjeçare.

Kështu, familja Hoti me gjakun e tre brezave lau tokën e Kosovës, duke u sakrifikuar për lirinë e atdheut. Këta tre breza simbolizojnë tri kohë; të kaluarën që përfaqësonte babai i mjekut Shemsedin Hoti, të tashmen që përfaqësonte vetë humanisti mjek Fahredin Hoti dhe brezin e ardhmërisë, që e përfaqësonte i biri i mjekut, i riu Kreshnik Hoti

Kështu përfundoi jeta e njeriut dhe humanistit, i cili nuk dinte ta urrejë askënd, por tërë jetën e vet luftoi kundër vdekjes.Vdekja e hershme e Dr. Fahredinit e varfëroi mjekësinë tonë në përgjithësi dhe gjinekologjinë e këtij rajoni në veçanti.

Mungesën e tij e ndjejmë të gjithë ne, në radhë të parë pacientët e këtij rrethi. Vepra dhe puna e palodhshme do të mbeten përherë të gjalla në kujtimet tona, si shembull për mjekun e palodhshëm. Më fjalë të ëmbla dhe punë të palodhshme shëroi shumë pacientë, si dhe shumë foshnja (shpirtëra) të njomë i solli në jetë.

AI NUK  E  PRITI  LIRINË, PËR  TË  U  SAKRIFIKUA  E  AMANETIN  E TIJ  E JETËSUAM ME PAVARËSINË  E  KOSOVËS.

 U rivarros në Krushë të Madhe, më 12 gusht 1999,  së bashku me 206 dëshmorë dhe martirëtë Krushës së Madhe, të përcjellë nga mijëra qytetarë të ardhur për nderime nga të gjitha anët e Kosovës.  Përmbledhja me poezi kishte mbetur në dorëshkrim, ndërsa me angazhimin e të birit Besnikut, familjarëve dhe miqve e pa dritën e botimit.Për humanitetin dhe guximin e treguar për çlirimin e Kosovës Dr. Fahredin Hoti shpallet DËSHMOR I KOMBIT, si dhe nderohet me shumë mirënjohje nga institucione të ndryshme. Disa rrugë mbajnë emrin e tij, ndërsa në shenjë nderimi e respekti për jetën dhe veprën e tij, institucionet e komunës së Rahovecit, emrin e Dr. FahredinHotit ia vunë shëndetësi së së kësaj komune. 

                                                                      

                                         

Filed Under: LETERSI Tagged With: „VDEKJA E NJË NATE„, Fahredin Hoti, promovim

Bërtit Basha gjum xhaxhai

December 2, 2016 by dgreca

Opinion nga Ilir Levonja/Florida/

1-ilir-levonja-2-288x300

1) Ndofta njerëzit më të sikletshëm në studion e mbrëmshme të opinionit,ka qënë regjisori dhe kameramanët e emisionit. Sa herë që portretizohej Basha, një burrë në moshë…, nga ai auditori me 5 mijë lekë ora, luftonte me gjumin. Hera herës të krijohej përshtypja se flinte tek supi i Bashës. Ose, i Kryeministrit të ardhshëm, të Shqipërisë. Një nga ata, që, duam apo nuk duam ne, ashtu si Edi Rama, i përket korridoreve të fondacionit Soros….Krejt kundër natyrës së tij, ka kohë që i është kthyer debatit të ashpër. Madje dhe përforcoi konceptin e vegjetimit në parti. Kjo për shkak të meritokracisë. Duke vazhduar denjësisht atë tezën e vegjetimit në parti. Që sot shqiptarët e quajnë si zyra e karrierës, suksesit, lavdisë etj. Por edhe e mbajtjes së shpirtit gjallë.

Midis të tjerave ai shpalli edhe kandidaturën e preferuar të partisë demokratike, në lidhje me presidentin. Zgjedhja e tij po afron.
2) Duhet të ketë, qënë korriku i 2016 kur një grup intelektualësh me në krye Ben Blushin dhe Mimoza Hafizin, iu drejtuan shqiptarëve me një nismë. Zgjedhja e presidentit nga populli. Për shkak se partitë kanë uzurpuar të drejtën e votës së madhe. Kësaj nisme iu bashkangjita edhe unë. Duke qënë se gjithmonë u marrë njerëzve anën e mirë. Pastaj demokracia jonë ka nevojë të domosdoshme në zgjerimin e gamës së vendim marrjes. Duket si e padrejtë që vendi, sa herë që ka për të zgjedhur presidentin, futet në një lloj rrokapjekje buajsh lluce. Si është moti në kokën e njërit e tjetrit. Të dy a tri burrave që sa më fort e shajnë shoqi-shoqin, aq më poshti bie prespektiva europiane.
Nga ana tjetër në këto vite presidenca, apo presdienti është për shqiptarët. Shtetari më i nëpërkëmbur, më i tallur, më i shenjuar me gisht. Aq sa trajtohet me të njëjtën mënyrë të urrejtjeve nacionale midis shqiptarëve, serbëve, grekëve etj. Duke e zhvleftësuar burrin e shtetit të tyre…, më parë ata se të huajt.
Kjo nismë sot u susos. Por kemi nga ajo një parti që i bie të jetë e 138-ta. Në poligonin e politikës të një Shqipërie të lodhur.
3) Vjen një çast kur një popull duhet të kuptojë se, sado teknikave ligjore. Përmbajtjes së Kushtetutës…, ndryshimin e formës së qeverisjes. Apo sistemit nga parlamentar në presidencial etj.
Se nuk ka gjë që s’lëviz vendit. Nuk ka gjë që nuk bëhet. Përveç respektit reciprok. Atë që shqiptarët po e vdesin përditë. Se pari duke u bërë palë në korin e fyerjeve. Dhe së dyti duke u dhënë të drejta pa kufij një pakice që flet 24 orë në ditë, veç në emrin e tyre.
Ndaj në këto 27 vite demokraci, presidenti është legen, ulok, qurravec, socialist i qelbur, demokrat i ndyrë, kapter gavetash etj.
Provoni të respektoni institucionet, jo njerëzit. Ndofta atëhere do filloni të mendoni si në demokraci. Pasi deri më sot, e gjitha i ngjan një kori tifozash kohësh të mbrapshta. Ku vetëm pështymat e bërjes së nënave apo motrave të njëri-tjetrit. Mbushte pa hesap skutat e gjokseve plot urrejtje. Shkurt e saktë, përpara se të shajmë një president përshembull. Duhet të na vi keq për shpërdorimin e së drejtës sonë në demokraci.
4) Basha tha se me Lsi-në, Pd-ja nuk do bënte më kurrë koalicion. E tha disa herë jo, jo, jo. Dhe me të bërtitur… por ai që flinte tek supi i tij nuk u zgjua. Përkundrazi, ra thellë e më thellë në gjumë. Pasi një parti ku vegjetojnë. Ku luftohet mes Sorosit dhe shkollës së vjetër të Berishës. I bie pikë për pikë që vetëm në politikë mos thuaj kurrë jo. Ndaj ndryshimet politike i bie të jenë sërish tetë vjeçare. Një traditë tashmë e mirëkuptuar palëve.
5) Megjithatë Basha përmendi disa ide kyçe për shqiptarët. Jo votimin, por financimin e partive politike. Dhe tregun e përbashkët mes shqiptarëve në dy shtetet e tyre.
E para edhe pse i përket perspektivës. As që zihet shpesh në gojë.
Madje të parët që i injorojnë mundësitë e shtetit për të suportuar forcat politike në vendin e tyre. Janë pikërisht këta shtetarë që na e kanë ulur këmbëkryq dështimin. Të gjithë janë gati të thonë të njëjtat fjalë, – je në vetë, mundësitë e shtetit kaq janë 35 milion lekë të gjitha. Kurse zgjedhjet kushtojnë 35 milion euro. Do ngjyehn autobuzët. Do mbushen me militantë. Do çohen mitingjeve. Do paguehen këngëtarët e kasetave.
Ja çfarë shteti kanë ngritur burrat tanë.
Tani a beson njëri prej jush, se, në zgjedhjet e ardhshme këta që investojnë ta kthejnë Shqipërinë një hambar të kanabisit. E besoni që nuk do jenë në kuvendin e ardhshëm. A ka mëndje naive ta besojë këtë.?
Merreni me mend. Se sa haraçinjë ka dyerve të Ps-ës, Pd-ës, Lsi-s etj. Sa shushunja. Ndaj mllrfi jonë zbrazet tek njëri-tjetri. Me inat Rame e Berishe. Dhe plot kunguj në sqetulla.
E dyta, tregu i përbashkët i shqiptarëve. Nëse vërtet shqiptarët, sikur dhjetë përqind e patosit të urrejtjes, energjitë e tija, t’i investonin në tregun e përbashkët shqiptar. Porta e Brandeburgut, midis shqiptarëve, do të ishte shembur me kohë. Atëherë shqiptarët nuk do humbnin kohë duke u marrë me deklaratat e një ministri barkalec nga vendi fqinj. Me kushtet, apo me detyrat e shtëpisë që jep Europa. As me idetë e nacionalizmave plot atdhedashuri të rreme. Plot besim të rremë etj. Por do ishin faktor vendimtar i fateve tona.

Filed Under: Komente Tagged With: Bërtit Basha, gjum xhaxhai, Ilir Levonja

Në veri, ceremonia e hapjes së urës së re mbi lumin Bistricë

December 2, 2016 by dgreca

-Kryeministri Mustafa mori pjesë në përurimin e urës që lidh dy komuna veriore të Kosovës/….OPENING CEREMONY OF THE NEW BRIDGE ON THE BISTRICA RIVER/

1-shiriti-veri1-veri-flam-nato1-veri-mustafa3-ok-veri-kfor2-veri

-Gjeneral Major Giovanni Fungo, komandant i KFOR-it: Ta transformojmë të gjithë së bashku këtë urë të re në një mundësi për të promovuar tutje paqen, prosperitetin dhe zhvillimin në Kosovë dhe për Kosovën/

-Serbët e veriut në një vend në Rudare bllokuan rrugën/

PRISHTINË, 2 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri kosovar, Isa Mustafa ka marrë pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të urës që lidh Zveçanin me Leposaviçin, dy komunat me shumicë serbe në veri të Republikës së Kosovës. Gjatë qëndrimit në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, kryeministri Mustafa shoqërohej nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni. Në ceremoni ishin të pranishëm komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Giovanni Fungo, drejtues të lartë të KFOR-it si dhe përfaqësues të banorëve të zonës.Ura është ndërtuar nga NATO me një investim prej 400 mijë eurosh dhe lidh shumë vendbanime të dy komunave të vendit, thekson njoftimi i dërguar sonte nga Kryeministria e Kosovës.

Njoftimi dërguar nga forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR,  thekson se, në atë që është investimi më i madh i KFOR-it në Kosovë, një urë e re rrugore me vlerë prej 400.000 euro u përurua në lumin Bistricë ndërmjet Zveçanit dhe Leposaviçit në 2 dhjetor. Ura e cila zëvendësoi urën Mabey-Johnson shumë afër këtij lokacioni, është ndërtuar në bashkëpunim në mes të kompanive serbe dhe shqiptare nga Kosova. Në ceremoninë e hapjes, ku morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare si atyre të EULEX-it, UNMIK-ut, OSBE-së dhe Bashkimit Evropian, kryetarët e komunave dhe popullatës lokale, Gjeneral Major Giovanni Fungo, komandanti i KFOR-it, në fjalimin e tij tha: “kjo urë është projektuar nga një kompani serbe e Kosovës dhe ndërtuar nga një kompani shqiptare e Kosovës në një bashkëpunim shumë profesional” dhe pastaj theksoi: “ura e re është shembull konkret i përfitimit të bashkëpunimit të përbashkët në mes të NATO-s, institucioneve dhe të gjitha komuniteteve”. Në fund, komandanti i KFOR-it konkludoi: “Ta transformojmë të gjithë së bashku këtë urë të re në një mundësi për të promovuar tutje paqen, prosperitetin dhe zhvillimin në Kosovë dhe për Kosovën”. Ura e financuar nga shtetet e NATO-s, është ndërtuar në bazë të standardeve evropiane dhe do të ofrojë kushte më të mira të trafikut dhe sigurisë për automjetet dhe këmbësorët.Ura e re është funksionale për përmirësimin e ekonomisë vendore meqë do të shtojë një lidhje më të mirë të transportit, një vlerë të shtuar për ekonominë lokale. Vëmendja ndaj kësaj ngjarjeje tregon se KFOR po luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, thekson njoftimi i dërguar.Ndërsa, sipas burimeve mediale, serbët e veriut në një vend në Rudare kanë bllokuar rrugën kryesore Zveçan-Leposaviç, për të mos lejuar kalimin e kryeministrit Isa Mustafa dhe komandantit të KFOR-it, Guglielmo Luigi Migilietta, por ata kanë shkuar në ceremoninë e përurimit të urës nëpër një rrugë alternative.

***

OPENING CEREMONY OF THE NEW BRIDGE ON THE BISTRICA RIVER/

1-shiriti-veri-2

KOSOVO, December 2nd , 2016./In what is KFOR’s largest investment in Kosovo, a new road bridge costing 400.000 euros was inaugurated on the Bistrica river between Zvecan and Leposaviq on December 2. The bridge, that replaced a Mabey-Johnson bridge very near to this location, was built in collaboration between Serbian and Albanian companies from Kosovo.

In the opening ceremony, attended by Authorities of Kosovo’s Institutions, international organizations as EULEX, UNMIK, OSCE and European Union, Mayors and local population, Major General Giovanni Fungo, the Commander of KFOR said in his speech:  “this bridge was designed by a Kosovo Serb company and constructed by a Kosovo Albanian company in a highly professional cooperation” and then, he underlined: “the new bridge is a concrete example of mutually beneficial cooperation between NATO, the Istitutions and all communities”. At the end, COMKFOR concluded: “Let us transform altogether this new bridge into an opportunity to further promote security, prosperity and development in Kosovo and for Kosovo”.

The bridge, funded by NATO nations, was constructed according to European standards and will provide better traffic and safety conditions for both vehicles and pedestrians.

The new bridge is functional to the improvement of the local economy as it will enhance a better transportation connectivity, an added value to the local economy. The attention to the event shows that KFOR is playing an important role in ensuring a Safe and Secure Environment and Freedom of Movement for all people in Kosovo.

Filed Under: Rajon Tagged With: Bistrice Ura, Ceremonia e hapjes, Isa Mustafa, veri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT