• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Tryezë rreth mësimit të gjuhës shqipe në Austri

March 24, 2017 by dgreca

Vetëm 2500 nxënës vijojnë mësimin shqip nga 13 mijë nxënës shqiptarë në Austri. Prindërit vendimmarrësit për regjistrim. Shqiptarët të tretët me përqindje në shkolla, injorohet gjuha amtare. Të nevojshme aksione konkrete nga shoqatat, klubet dhe veprimtarët në evidentim dhe regjistrim./

Nga Takimi

 Nga  Hazir MEHMETI / Vjenë/

Pas Tryezës diskutuese, 18 mars VjenëNën organizimin e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri, Ambasadave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Austri u mbajt tryezë diskutimi me temë: “Mësimi në gjuhën shqipe, rëndësia, organizimi, vijueshmëria. Si në të ardhmen?”.  Studiuesi Lutfi Emini e ftoi nikoqirin në të dy gjuhët për ta hapur takimin. Fillimisht u dha një minutë heshtje në nderim të të ndjerit Arif Demolli, shkrimtar, autor i teksteve mësimore dhe mik i Shkollës Shqipe në Mërgatë.
Në emër të nikoqirit takimin e hapi Imer Lladrovci, konsull duke u dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve. “Ju dëshiroj mirëseardhje të gjithëve dhe ju dëshiroj sukses në Tryezën Diskutuese. Ishte kjo në nismë e kryetarit të Shoqatës e cila u përkrah prej nesh dhe është hera e parë një bashkim i të gjithë komunitetit rreth një teme aq më rëndësi siç është mësimi shqip”.

Roland Bimo, ambasador Të pranishmit i përshëndeti Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, Roland Bimo:  ”Tema për të cilën jemi mbledhur sot, e iniciuar nga kryetari i Shoqatës është e një rëndësie të veçantë dhe do dëshiroja që sot të dilet nga ky takim me detyra konkrete. Ne ambasadat; e Kosovës dhe e Shqipërisë, e vlerësojnë shumë punën e bërë deri më tani për mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Jemi të ndërgjegjshëm se mbetet shumë për të bërë dhe do doja që sot të dalim me plane veprimi konkret. Në parim kjo temë bartë një rëndësi shumë të madhe lidhur me ekzistencën e komunitetit shqiptar në Austri dhe më gjerë. I falënderoj të gjitha shoqatat pa marr parasysh objektivet qe kanë, Këshillin Koordinues të Shoqatave, pasi mësimi i gjuhës shqipe është me rëndësi kulturore e  letrare të ngritjes së gjuhës shqipe në nivelin e kërkuar. Për të arriturat duhet të jemi krenar dhe të punojmë më tutje në ngritje të aktiviteteve në të ardhmen” Ilir Ismaili, nga Ambasada e Maqedonisë përshëndeti Tryezën e Diskutimit duke shtuar: “Mësuesit shqiptarë ishin më patriotët në historinë tonë kombëtare. Ky projekt i juaj rreth gjuhës shqipe në Austri, ne si shqiptar duhet treguar unitetin tonë veprues”  Nuhi Gashi MASHT së Kosovës: “Kjo tryezë është edhe një pikënisje veprimi në sensibilizimin rreth mësimit shqip dhe për një komunikim më dinamik. Është shqetësuese numri i ulët i nxënësve këtu në Austri, diku rreth 2 mijë nga numri dhjetëra mijërave që vijojnë shkollën në gjuhën e shkollës, kur dihen gjithë ato favore që ofron shteti nikoqir për të çka e falënderojmë. Ne po mundohemi të bëjmë disa punë të dobishme, si bie fjala kuizi i diturisë, dhe do donim të kemi sukses shtimin e fëmijëve që vijojnë mësimin amtar”
Ymer Avdiu, nga Ministria e Diasporës: “Për Ministrinë e Diasporës janë të gjithë nxënësit të barabartë pa marr parasysh prej cilave rajone nga vendlindja vijnë. Tubimin e përshëndeti edhe Anel Bajra nga Ministria e Diasporës. Në takim mori pjesë edhe zj. Ermira Zhuri, kryetare e bizneseve në Itali dhe shoqatës “Iliria” në Trevizo të Italisë. “Ndihem e lumtur që jam në mesin tuaj. Kosova ka bërë hapa të mbarë përmes ministrive në përkrahjen e diasporës… Nuk është e lehtë ta formosh e mbash një shoqatë sikurse kjo e mësuesve të cilët punojnë tërë kohën e lirë pa pagesë. Kjo është për çdo respekt. Suksese”.Morën pjesë edhe Abdullah Abdullahu, Dr.Sabri Osmani, Halil Jashari,
Tezat për diskutim nga rendi i ditës i paraqiti shkurt kryetari i Shoqatës së Mësuesve, Hazir Mehmeti. Ndër to më e rëndësishmja vijueshmëria e nxënësve, shkaqet, çka duhet ndërmarr, ku janë detyrat e shoqatave dhe komunitetit.
Kumtesat

Imer Lladrovci mbajti kumtesën me titull: “Shkolla shqipe ka qenë, është dhe do të  mbetët institucioni ynë më i rëndësishëm kombëtar“.  Nuhi Gashi mbajti kumtesën: “Fenomeni ‘shacat’ shikuar nga perspektiva të shumta dhe në raport me mësimin e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare. Nismë për një hulumtim ndërdisiplinor”. Dr.Xhevat Hasani kryetar i Këshillit Koordinues për Mësimin Shqip në Austri” në vitet 1993/95 paraqiti kumtesën “Mësimi shqip në Austri “, e cila u lexua nga studiuesja Albia Shala. Anton Marku nga Lidhja e Shkrimtarëve e Krijuesve “Aleksadër Moisiu” në Austri:  “Roli i Shoqatave në Promovimin e Mësimit Shqip në Austri” . Osman Ademi:  “Mësimi Shqip në Austri”. Bukurije Limani, nënkryetare e Shoqatës së Mësuesve dhe  mësuese në Graz, u paraqit me kumtesën: “Shqetësime e dilema për të nesërmen e nxënësve të Shkollës Shqipe në diasporë”.  Ismet Sinani, mësues në Linc, mbajti kumtesën: “Zhvillimi i procesit mësimor në gjuhën shqipe në Landin e Austrisë së Epërme-OÖ”.  Ndërsa për ta shpejtuar hapjen e debatit lidhur me temën dorëzuan kumtesat me shkrim: Hazir Mehmeti, ““Mësimi në gjuhën shqipe, sfidë kohe”, Miradije Berisha, Mark Demaj etj. Nga mësues tjerë në Tryezë ishin të pranishëm: Rafete Kosumi nga Austria e Epërme; Ina Arapi nga Vjena; Ibrahim Hasani mësues në Austrinë e Ulët.   Në diskutim u cekë vijueshmëria e ulët e nxënësve shqiptarë kur dihet se numri i fëmijëve shqiptarë në Austri është i madh. Që nga fillimet e mësimit shqip në vitet e themelimit 1987 e më herët,  dhe viteve 1993,  është shtuar vijueshmëria. Në vitin shkollor 2005/06 kishte 1346  nxënës dhe 17 mësues, në vitin shkollor 2013/14 janë 2438 nxënës me të cilët mbajnë mësim 23 mësues në 417 orë mësimore. Ky numër nga ky vit shkollor  i shënuar nuk ka ndryshuar shumë deri në vitin e tanishëm shkollor, me rreth 19 për qind vijueshmëri. Mësimi i 25 gjuhëve amtare në Austri është i garantuar brenda sistemi publik dhe financohet sikurse gjithë procesi mësimor. Prindërit duhet vetëm ta lajmërojnë fëmijën e tyre përmes nënshkrimit. Në Regjistrin e teksteve shkollore tani e disa vite mund të porositen falas: A-B-C –Fibel (Abetare e parë shqip në Austri); Fjalori për ciklin e ulët dhe fjalori për ciklin e lartë. Mësimi përkrahet nga organet vendore në projekte të ndryshme dhe aktivitete tjera.  Aktivitet e organizuara nga Ministria e Arsimit të Kosovë siç është Kuizi i Diturisë, nga Ministria e Diasporës e Kosovës, ekskursionet në atdhe, seminaret, furnizimi me tekstet, harta, mjete të caktuara mësimore, financimet e botimeve të veprave të veçanta etj, e kanë ngritur interesimin për mësimin shqip. Përkundër kësaj, vijueshmëria akoma është më e ulët krahasuar me përkrahjen nga organet vendore austriake   Në diskutim  u tha se Shoqatat shqiptare kanë rol më të rëndësishëm në organizimin e takimeve me prindër për t’i bindur se mësimi i gjuhës amtare e ndihmon nxënësin në mësimin e shkollës.
Projektet madhore në hartimin dhe botimin e teksteve nga MASHT e Kosovës dhe IPE e Zürich-ut të programuara dhe drejtuara nga Prof. Dr. Dr. Basil Schader me  grupin e koordinatorëve e autorëve e kanë pasuruar gamën e teksteve mësimore për mësimdhënësit në diasporë. Rreth teksteve pati  kërkesa në përmirësimin e tyre të vazhdueshëm gjatë ribotimeve. Përfaqësuesi nga Ministria e Arsimit, z.Nuhi Gashi, dha informata të duhura rreth mundësive të shfrytëzimit të tyre përmes faqes elektronike, si të vetmet tekste që mund të shkarkohen direkt nga kërkuesi bashkë me doracakët e tyre. Nga pak individ pati edhe mendime paushallë lidhur me standardet e hartimit të teksteve , pa dhënë argumente e duhura profesionale edhe pse nuk i shfrytëzojnë ato por tekste tjera.   Koha e dhënë prej disa minutave për paraqitjen e kumtesave e pastaj dorëzimi i tyre nga organizatori, nuk u respektua, kjo shkaktoj stërzgjatje duke marr kohë nga faza e debatit.
Tryeza pati sukses në sensibilizimin e mësimit shqip si baza e qenies sonë identitetet kombëtar për të ardhmen. Mësuesit janë shembull i sakrificës së kohës dhe mundit të tyre të vazhdueshme në të mirën e nxënësit dhe shkollës shqipe. Kështu ishte dhe sot. Shpresojmë se zëri i ngritur për veprim në shtimin e numrit të nxënësve, respektivisht mësimit shqip do jetë pjesë e shoqatave, forumeve, unioneve, klubeve e veprimtarëve në Austri.

Vjenë, 18 mars 2017       

 

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hazir Mehmeti, Mesimi i gjuhes shqipe, në Austri, Tryezë

NATO PER KOSOVEN DHE SHQIPTARET

March 24, 2017 by dgreca

Nga Ismail GASHI/
Më 24 mars 1999 / e mërkurë /,- Datë kjo, që ndryshon kahen e ngjarjeve, ndoshta ndryshon edhe fatin historik të kësaj hapësire shqiptare e cila duhet të shpëtojë nga fanitja. Datë që ndryshon shekujt, ndryshon jetën, largon robërinë, dhunën dhe barbarinë serbe nga trojet dhe kurrizi i shqiptarëve të ndjekur në këtë tokë të djegur. Kjo do të jetë dita e fillimit të pavarësisë së Kosovës, shtet i pavarur e demokratik. Kjo ditë do të korigjojë lëshimet e padrejtrësitë e kaluara ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Do të korigjojë Shen Stefanin e Berlinin si dhe Londrën e 1912 dhe Parisin e Vërsajin. Kjo datë do te ndal fatkeqesinë shqipëtare të Lindjes ortodokse sllave dhe ate të Lindjes osmane islame. Sot, nese Miloshi nuk pranon kushtet e Holbrulut, Sollana, Sekretari i NATO-s, do të urdherojë sulmet kundër Sëbisë.Ky do të jetë intervenimi i veçantë i NATO-s për shpetimin e fatkeqësisë njerëzore,  Sot tërë dita ishte në ankth e frikë nga eksponomi i dhunës serbe mbi shqiptarët. Askush nuk qarkullonte pa ndonjë arsye të madhe. Rrugët ishin thuaja të palëvizshme. Popullata shqiptare largohej nga Lypjani dhe kërkonte strehim të ngutshëm diku në fshatrat e afërta si Banullë, Gllogoc apo edhe në lagjet periferike të qytetit që ishte me shumicë shqiptare. Sot, siç u informuam dhe njoftuam QIK-un, aty kah ora 15-të në rrugën Prishtinë-Lypjan u vra Ismet Asllani, komandant i Logjistikës në Zonën e Llapit, përkrahës i UÇK-së e bisnismen nga Hallaqi i Vogël. Ismeti, mu pse ishte veprimtarë i UÇK-së me inskenim u vra nga forcat serbe.
            Derisa gjatë ditës, kishte shqetësime të popullatës kudo në Kosovë, ishin të theksuara edhe sulmet e forcave serbe në shumë mjedise të Kosovës. Dalloheshin Zona e Shalës, Vushtrrisë, Zona e Dukagjinit dhe brezi kufitar. Ndërsa kufiri Kosovë-Maqedoni ende qëndron i mbyllur nga pushtuesi serbë. Gjatë ditës isha në Zyrë me z. Xhervat Ollurin, Fehmi Ibrahimin dhe Aziz Hysenin, pritej mbrëmja dhe fillimi i bombardimeve nga forcat e NATO-së. Shqetësime kishte si ndër shqiptarët e frikësuar nga dhuna serbe që i kërcënonte, ashtu frikësohej edhe popullata serbe nga sulmet e NATO-së dhe improvizonte rrezikim të popullatës civile, duke akuzuar kështu veprimin e NATO-së, për veprim mbi popullatën civile serbe. Shqiptarët realisht ishin të rrezikuar nga dhuna policore e ushtarake serbe e përqendruar para 3-4 ditësh nëpër shumë mjedise e pika të vendbanimeve shqiptare. Kurse veprimet e UÇK-së ishin shpresa e vetme e mbrojtjes së shqiptarëve në tokë, meqë sulmet e NATO-së parashihen vetëm nga ajri. Pika vendosjeje të forcave serbe ishin edhe në mjedise të Lypjanit. Në mbrëmje u ktheva në banesë i vetmuar në një qytet thuaja tërësisht i boshatisur nga shqiptarët. U muarrëm vesh me Abdyrrahman Konjufcën të jemi bash gjatë natës dhe ashtu vepruam, ishim në banesën e Manit. Miloshi kishte afatin e fundit deri në orën 20-të, të deklarojë për nënshkrimin ose jo nënshkrimin e marrëveshjes, ai para orës 20-të në ekran u deklarua kundër nënshkrimit të marrëveshjes, u kuptua se do të fillojnë sulmet e NATO-së. 10 minuta para orës 20-të u ndal rryma, filluan sulmet e NATO-së, shkrepi flaka, themeli i pavarësisë së Kosovës ne Aeroportin e Kosovës në Sllatinë të Lypjanit, qyteti u boshatisë për pak minuta, serbët ishin vendosur në disa kafene, policia ishte larguar nga stacioni policor dhe ishte vendosur në disa shtëpi private në lagje shqiptare, për ti ikur sulmit, e njëherit, nëse vazhdon bombardimin NATO, të rrezikon vet shqiptarët. Ishin strehuar madje edhe vet ushtarët dhe policët serb që gjatë mbrëmjes ushtria serbe pat vendosur artileri dhe antiajror edhe nëpër hyrje të pallateve të banimit. Që nga ora 20-të ndihej erë kërcënimi për shqiptarët nga dhuna serbe, dhunë e cila eksponohej me gjuajtje dhe kallje të lokaleve shqiptare me thirrje për vrasje dhe strukje nga frika e sulmeve të NATO-së. Ky fillim ishte, jo vetëm kërcnim për vdekje, por edhe shpresë për shpëtim. U dëgjuan detonime të shumta, shihej flake në Sllatinë, Ajvali e shumë mjedise tjera të Kosovës dhe Serbisë, kështu lajmëronin radiostacionet që mund të dëgjoheshin. U dhanë informatë se asaj nate janë sulmuar 40 objekte e sisteme të ushtrisë serbe. Dita gëdhiu me shqetësime e zbrazje të hapësirës e largime masive të popullatës shqiptare. Natën e kaluam të zgjuar, të ngazëllyer e ndjenjë lirie-çlirimi, dhe të frikësuar, paralelisht. Pata kontakte telefoni me disa veprimtarë nga terreni dhe familjen time. Tentova të dëgjohem edhe me QIK-në por nuk pata sukses. Gjatë natës te Mani erdhën edhe pjesa e mbetur e familjes së Nazmi Matoshit, Nëna, gruaja dhe një djalë i tij, si dhe Sanija, bashkëshortja e Ibishit të ndjer, me nusen e djalit me fëmijtë e saj. Kaluam disa orë bashkë të Mani, Pastaj ato familje shkuan në banesën e Matoshve, ne dy ngelëm në banesë të Manit tërë natën, deri në orën 7-të të mëngjesit, kur unë shkova në banesën time e Mani ngeli në të vetën, me qëllim që pastaj të shkon në Prishtinë.

Filed Under: Komente Tagged With: Ismail Gashi, NATO PER KOSOVEN DHE SHQIPTARET

PAPA GJON PALI II: Ajo që ka ngja në Shqipni….

March 24, 2017 by dgreca

DHURATAT E ENVERIT PER  STALININ  E  TITON/

Nga Fritz RADOVANI/*

 NGA  MUZEU  I  FRETENVE/

 muzeudhebib

KËTU ISHTE MUZEU DHE BIBLIOTEKA E FRANÇESKANVE/

part-par-arp3010780-1-1-0-685x400PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”

SHKODER 1945 – JANAR…

■Duhej “thye” brilanti i Klerit Katolik Shqiptar, Françeskanët e vendosun në Shek. XIII. Mbas një muej që Provinçiali i Françeskanve të Shqipnisë At Mati Prennushi, u ankue në komanden e ushtrisë N. Çl., per vendosjen e flamurit me “yllin partizan” në kompanjelin e Kishës Françeskane në Gjuhadol me 29 nandor 1944, në ditët e para të Janarit 1945 tek Provinçiali At Prennushi, mërrijti komandanti i forcave partizane në Shkoder, gjeneral Sheuqet Peçi, i shoqnuem me një grup ushtarakësh të ardhun nga Jugu si “çlirimtarë”.

Mbasi rane dakord per “zbritjen e flamurit të zhigatun me yllin jugosllav”, gjenerali Peçi kerkoi me vizitue Muzeun, ku ndodheshin objektet me vlerë të zbulueme nga Frati i njohun arkeolog në universitetet e Europës, dhe i vramë nga serbët At Shtjefen Gjeçovi…

Nga grupi i ushtarakëve, gjenerali mori mbas vetes në Muze tre ose kater vetë, dhe u nis mbas Provinçialit, i cili e hapi Muzeun… Porsa hyne mbrendë u drejtuen nga një raft ku ishin disa armë shumë të vjetra me doreza argjenti, dhe mbasi kerkuen me ua hapë ata rafta veçuene mbi një tavolinë gjashtë nga armët ma me vlerë… Veçimi i tyne nga një grup injorantësh i kishte ba shumë pershtypje At Prennushit, i cili në darkë i ka tregue Nanës sime jo vetem, sjelljen e tyne që mbasi i kanë marrë, i kanë dhanë një “pustull” si dokument të firmosun, por mbasi gjeneral Peçi, ka nxjerrë të gjithë grupin me armët e marruna në Muze, ka fillue me i ba presion Provinçialit se, “kam urdhër nga lartë, me ju njoftuar se duhet të filloni me organizuar mbledhje me të gjithë klerikët, per t’i njohur me vendimin e marrur lartë që Kleri Katolik Shqiptar, shumë shpejtë duhet të shkëputet nga Papa i Romës, i cili është armik i betuar i komunizmit. Për këte do njoftojmë shumë shpejtë edhe Argjipeshkvin Thaçi, si dhe Argjipeshkvin Vinçenc Prennushi në Tiranë.”

■At Matia me gjakftoftësinë karakteristike asht pergjegjë: “Mos merrin zahmet aspak me njoftue Argjipeshkvijtë as, në Shkoder e as, në Tiranë po, thoni shokve tuej atje naltë, se më ka thanë Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë At Mati Prennushi, se para jush këte shkëputje me Papen e kanë kerkue edhe malazezët e Krajl Nikollës, po unë i kam thanë se ‘Jam gadi me u varë në konop dhe Betimin tim para Kryqit Krishtit n’ Elterin Shenjtë me 4 Prill 1904, nuk e kam ndermend me e shkelë sa t’ jenë jeta! Per këte që po ju  tham ju, jam i sigurtë se si unë, kanë me ju pergjegjë të gjithë shka bajmë këte zhgun!”

■Pa kalue një javë… Nga gjysa e Janarit 1945, ka mërrijtë në Kuvendin e Fretenve, një nga kriminelët e Spanjës, komandanti i brigadës I sulmuese, gjenaral Mehmet Shehu, mbasi dy ditë para kishte kapë tradhtisht në shpellen e Selcës, Mikun e At Matisë, trimin e njohun Prekë Cali, bashkë me grupin e djelmëve që ishin me Te, dhe kishte vra e mbytë nder shkamijt e Atyne Bjeshkëve edhe 118 Burra pa gjyq, mbasi ua ka djegë shtëpijat dhe plaçkitë edhe gjanë e gjallë, tue i shfarosë perjetsisht nga pronat e veta…

Mehmeti fillimisht ka kerkue me vizitue Gjimnazin e Fretenve, ku ka folë me një gjuhë krejt tjeter nga e vetja. U ka folë studentave per “meritat e Françeskanve e rolin e Tyne në histori”… Kur At Matia asht ankue per “armët e marruna nga gjeneral Peçi…”, i ka premtue që mbrenda dy ditësh armët do ti kthente, dhe i ka sjellë perveç “dy armëve, që ishin dergue per Moskë, dhe në një ceremoni në Kremlin i janë dhurue Stalinit!!”…

Kur asht ngjitë naltë në zyre të At Matisë, ka persëritë edhe ky fjalët e Sheuqet Peçit, per “shkëputjen e Klerit Katolik nga Vatikani…” dhe, At Matia, i ka pergjegjë me ato fjalë që një javë para i ka thanë gjeneral Peçit…” Tue dalë nga dhoma i ka thanë: “Më tregoi para se të vij tek ju shoku Sheuqet, ti thashë ato se keni per t’ u penduar!” At Matia, ka mbyllë biseden me këto fjalë: “Ma shumë do të pendohen ata që do të veprojnë si doni Ju!”…

17 NANDOR 1946…KUVENDI I FRETENVE KTHEHET NË BURG…

■Të gjithë Fretnit e ndodhun aty, prangosen dhe fillojnë hetimet… “Akuza kryesore ishte futja e armëve në Kishen e Gjuhadolit…” Dylloset Shkolla, Muzeu… dhe Biblioteka…

Blokohen të gjitha dorshkrimet dhe studimet me vlerë shkencore gjuhsore dhe letrare, historike, gjeografike, fetare dhe artistike, ku perfshihet edhe një statujë e ndodhun mbi tavolinen e At Gjergj Fishtës, “Zoja e zezë”, dhe një Figure “Zoja e Kelmendit”, per te më ka thanë perkthyesi Gjon Shllaku (1962), kur e kanë marrë në pyetje: “Ka pa me sytë e vet kornizen e asaj Figure, mbi koken e hetuesit dhe, në te e vendosun foto e Titos”…

***

■HAPJA E DOSJEVE do të bajnë të kjartë edhe se “kush ua tregoi Sigurimit të shtetit edhe skutat e Kuvendit, ku ishin të murosuna dokumentat dhe dorshkrimet me vlerë të Etenve Gjeçovi,  Fishta, Donat Kurti, Palë Dodaj, Viktor Volaj, Harapi, Sirdani, etj., që ma vonë u pervetsuen dhe u botuene shumë prej tyne nga pseudo profesorët hajdutë…

Ka pasë edhe zane që thonin se shumë nga dorshkrimet e At Gjeçovit, janë “paketue dhe nder valixhe janë dergue në Bosnje, prej kah nuk janë kthye kurrma…” Sigurisht, ata janë marrë pa asnjë vështirsi, mbasi agjentët e UDB ishin të kudondodhun, kryesisht nder zyret e hetuesisë, dhomat e torturave, të arshivave e deri tek zbatimet e vrasjeve me gjyq e pa gjyq…Deri tek plutonet e ekzekutimit kur urdhnonte vrasjet vetë D. Mugosha. ■Por, në Kuvendin e Fretenve sytë e agjentave të Titos baheshin kater, se aty ishte vendi ku, me një perkushtim të madh punohej ditë e natë prej tyne siç: “Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit,..vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun e të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët !” At D.Gjeçaj, “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990”, botue Tiranë 1993.

■Në lidhje me shkatrrimin e Kuvendit të Françeskanve në Shkoder duhet theksue se dhe mbas prishjes me Jugosllavi, lidhjet e UDB me Sigurimit të shtetit vazhdonin normal.

1948, Në dukje ishte një “prishje e lidhjeve” tona, po në fakt nuk kishte të bajnë fare me mardhanjet e mëshefta të vrasjeve të “organizueme” Shqiptaro – Jugosllave.

■Shkatrrimi i Katoliçizmit ishte një qellim i perbashkët i Enver Hoxhës dhe Titos…

Këte e dinte edhe diktatori Stalin, i cili pajtohej me qellimin e tiranëve të Ballkanit…

1967 SHKATRRON ME REVOLUCION PERFUNDIMISHT BESIMET FETARE !

■Mbas vitit 1946 kishin mbetë pak libra në Kuvendin e Fretenve të Arrës së Madhe dhe, pak gjana me vlerë tek Kuvendi i Troshanit… Tek Arra e Madhe vazhdonte me punue edhe pse i paralizuem At Justin Rrota. Me mbështetjen e Ramiz Alisë, punimet e Tij të gjitha perfunduen nder raftat e librave të hajdutit Jup Kastrati… Askush nuk flet as sot!

Kur Jezuitët e Shkodres ikën per Itali, Ata i shperndane librat dhe mjaft punime me vlerë tek disa mësues Shqiptarë, që mësonin nder klasat fillore… Më ka tregue Prof. Lluka Karafili, që edhe Atij i kishin dhanë disa libra. Prof. Lluka në vitin 1958, ka pasë punue një tabelë të plotë per “Pemen e Familjes Kastrioti”, të cilen e kam vizatue unë, rreth dy meter me të gjitha detajet deri në ditët tona. Profesor Lluka e dorzoi në Akademi dhe me pat tregue se “nuk i kanë dhanë asnjë pergjegje”. Humbi tabela e vdiq edhe Profesori…

■E vetmja Bibliotekë e mbetun në Shkoder pranë objekteve Fetare, ishte ajo e ruejtuna deri në 1967, në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres. Me Revolucionin Kultural,  u dergue në Muzeun e Shtetit në Shkoder, dhe mbasi e vodhën Jup Kastrati, dhe kryetari i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëstëve të Shkodres, Vehbi Bala me “shokë” të tjerë, sigurisht, të besueshem të PPSH dhe Sigurimit të shtetit, tepricat i dorzuen në Biblioteken e shtetit të qytetit Shkoder… Disa libra i mori edhe Instituti Pedagogjik.

■Kujtoj atëherë që mbasi kaloi një kohë e shkurtë mbas mbylljes së të gjitha objekteve të kultit në Shkoder, u pat krijue një grup hajdutësh i “besueshëm” pranë kom. Ekzekutiv të Shkodres, i cili filloi tek korrnizat e veprave të artit në Kishen Kathedrale, orët e vjetra të kompanjelave, njena prej të cilave u vue në Kalanë e Gjinokastres (dhe asht atje), si  dhe mobiljet e daltueme të drunit dhe, perfundoi tek qylymat e xhamija tue i shitë me disa shuma lekësh, (per mos me ua dhurue) disa aktivistave të njohun per fletë rrufetë dhe informacionet që i jepnin Ramiz Alisë, aso kohe kur flinte e zgjohej tek shoku i vet i vjeter Mihajl Prifti, dhe organizonin mbledhje me mikun e tyne të dashtun e besnik: “Kryetarin e Komisionit Perzgjedhjes Leteraturës Fetare Kishtare, shokun Jup Kastrati” ndersa, per detyrat e agjentave Sadik Rama, Angjelin Kumrija, Prekë Sokoli etj.., asht i njohun Selaudin Cena, që aso kohe bashkpunonte me “shoqen” Sofije Prifti…

■Sikur të shkruhen të gjitha shkatrrimet e veprave gjuhsore, letrare, artistike: vjedhjet e bame nder objektet Fetare kryesisht Katolike, zhdukjet e veprave të artit dhe prishjet e tyne nga injorantët e sigurimit që nuk e dinin se shka kanë vjedhë… Shqipnia renditet nder vendet ma të shpartallueme nga pushtuesit e vet tiranë e barbar anadollakë, të shek. XX – Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia e pasuesit e tyne tradhtarë!

■Të pakten botoni proces – verbalet me që materialet ua “dhuroi” Ramiz Alia…

         *Pjesa e VII-  Vazhdon Pjesa VIII.

            Melbourne, 21 Mars 2017.

 

Filed Under: Histori Tagged With: DHURATAT E ENVERIT, Fritz radovani, PER STALININ. E TITON

24 MARSI- DITA E AGUT TË LIRISË SË KOSOVËS

March 24, 2017 by dgreca

NATO-Kosove-Behlul-Jashari-1Foto Gazeta DIELLI: Kartela e gazetarit Behlul Jashari dhënë nga NATO-KFOR për të hyrë në Kosovë në 12 qershor 1999 me kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare, paqeruajtëse-shpëtimtare/

1 Bill Klinton Rugova

DITA E AGUT TË LIRISË SË KOSOVËS/

1 NATO-hyrja ne Kosove-Sot u mbushën 18 vjet nga ndërhyrja e NATO-s, forcës më të madhe planetare, shpëtimtare për Kosovën/

2 NATO-Kosove-12Qershor1999--Lajmi që raportova nga Prishtina, përkundër ndërprerjes së linjave, në orën e nisjes së ngjarjes historike të mbrëmjes së 24 marsit 1999/

-“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s/

2 Beluli Rugova-Në  vitin 2005, në mesazhin e fundit të urimit për 24 marsin – Ditën e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova theksonte: “Dita e fillimit të fushatës apo sulmeve ajrore, pra 24 marsi i vitit 1999, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e agut të lirisë për të gjithë ne. Kurse në historinë botërore ka hyrë si ditë për mbrojtjen e një populli dhe për shpëtimin e tij nga e keqja”/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

NATO-Kosove-aviaciniPRISHTINË, 24 Mars 2017/  Pikërisht para 18 viteve 24 marsi 1999 ishte Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës. Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e  shumicës shqiptare të Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në  6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar. Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

NATO-Kosove-aviacioni-1

Ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike po bëheshin të pamundura.Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë- Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës, Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radio Televizionit Shqiptar-Radio Tiranës, nga të cilat lajmin e morën e transmetuan edhe shumë media botërore.

Në atë mbrëmje të 24 marsit 1999 raportoja nga Prishtina se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi pozicionet e forcave serbe.

Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.

Pasi e raportoja këtë, shtoja se “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve, lajmin që shkoi edhe për botën, të dhënë nga banesa në Prishtinë, e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Mëngjesi i 25 marsit 1999 sillte lajme të reja se forcat serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje të kryeqytetit, për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet e fundit që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe  gjatë natës të shqiptarëve në Mitrovicë, kryesisht veprimtarëve e intelektualëve, ndër të cilët ishte edhe poeti Latif Berisha.

U këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimeve dhe nisi kërkimi i ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

Raportimet dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur  Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit.

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 114 shtete të botës.

Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Klinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

Në  vitin 2005, në mesazhin e fundit të urimit për 24 marsin – Ditën e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova theksonte: “Dita e fillimit të fushatës apo sulmeve ajrore, pra 24 marsi i vitit 1999, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e agut të lirisë për të gjithë ne. Kurse në historinë botërore ka hyrë si ditë për mbrojtjen e një populli dhe për shpëtimin e tij nga e keqja”.

Thaci-JacksonNë 20 shtator 2016, komandanti i parë i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjenerali Sir Michael David Jackson, është dekoruar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.Gjeneralit Sir Jackson kjo medalje i është ndarë për kontributin e tij në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë gjatë mandatit të tij si komandant i KFOR-it në Kosovë. “Roli i gjeneralit Sir Jackson ka qenë i pazëvendësueshëm, i jashtëzakonshëm, historik për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon”, tha presidenti Thaçi.“Kemi punuar në kohë sfidash bashkërisht, në procesin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, në tranzicionin demokratik që e kemi kaluar, në përkushtimet e përbashkëta në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, vijoi  presidenti i Kosovës.Nga ana tjetër, gjenerali Sir Michael David Jackson, është shprehur mirënjohës për dekoratën dhe mikpritjen që i është bërë në Kosovë.

“U ktheva në Kosovë shtatëmbëdhjetë vite që kur kisha ardhur këtu për herë të parë, kur, më duhet të them, kisha ardhur pa pasaportë. Është e mrekullueshme për të parë se sa shumë progres keni arritur që nga ajo kohë”, tha gjenerali Sir Michael David Jackson.

Gjithashtu, gjenerali Sir Jackson ka kujtuar edhe ditët e rënda të pasluftës së vitit 1999. “Edhe pse ato ditë të rënda shënuan fillimin e këtij progresi, atëbotë kishte një atmosferë dhe gjendje shumë të rëndë, kurse sot gjërat kanë ndryshuar shumë”, tha komandanti i KFOR-it i përfundimit të luftës në Kosovë. Presidenti Thaçi u shpreh se, populli i Kosovës dhe mbarë bota e dinë se gjenerali Jackson është një nga njerëzit që ka jetësuar Marrëveshjen e Kumanovës për futjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

7 Lajmi

 

Filed Under: Featured Tagged With: 24 Marsi, Behlul Jashari, DITA E AGUT, TË LIRISË SË KOSOVËS

DITA E SOVRANIT

March 24, 2017 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

22 Marsi sivjet në Shqipëri u festua me një shurdh-memecëri të plotë.Në kalendarin zyrtar kjo datë nuk është e përfshirë.Demokratët e kanë përjashtuar.  Ku do të duhej të kremtohej si festë zyrtare e Shqipërisë, me të gjitha detyrimet.

Kjo datë përkon me festën e Sulltan Novruzit, një degë e fesë islame që ka si doktrinë përsosjen e shpirtit njerëzor.Por klasa politika shqiptare nuk ka as shpirt dhe as ndërgjegje, është e pashpirt dhe me ndërgjegjeblozë.

Në kalendarin e Shqipërisë 22 marsi është një festë fetare zyrtare.

Më 22 Mars, në ditën e fitores të përmbysjes të diktaturës, që duhej të qe një festë kombëtare mbarëshqiptare, për ta kremtuar të gjithë, nuk flitet për gjë tjetër veç për hashure me rrush të thatë e arra, për kurbane dhe byrek me jeshillëqe, në ngjyrë të togës të kryebektashiut që ka zëvendësuar të ndjerin Haxhi Reshat Bardhi.

Si ditë e bektashizmit që kudërmon nga era e kanellës mbi hashure, është rasti për fryemëzim dhe kujtesë ndaj vëllezërve të  Rilindjes Frashëri.

A nuk do të shkonte shumë bukur sikur tek porta kryesore e selisë të Kryeqyshatës botërore bektashiane të lexoje të fiksuar nga kamerat një nga amanetet e Naim Bej Frashërit për shqiptarët: “Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhën tuaj!”

Por klasa politike shqiptare e ka kthyer përmbys në antitezë të plotë amanetin që nuk e tret as dheri të vëllezërve Frashëri, ata janë të liq, ndërgjegjexirë, nuk e duan as vend, as gjuhë  as farë e kulturë.

Nuk kujtohet as 22 marsi 1992 dhe as humanistët bektashianë të Rilindjes.

Në memecërinë e surrealit shqiptar, askush nuk recitoi ndonjë poezi të Naimit, askush nuk deklamoi ndonjë varg nga Begati e Bujqësi apo “Fjalët e Qiririt”.

Shikoni sa bukur tingëllojnë, sikur i ka shkruar sot i madhi Naim Frashëri: Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar,/Që t’u ap pakëzë dritë,/Natënë t’ua bënj ditë. /Do të tretem, të kullohem,/Të digjem, të përvëlohem,/Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,/Njëri-tjatërin të njihni. /Për ju do të rri të tretem,/Asnjë çikë të mos mbetem,/Të digjem e të qanj me lot,../ /Unë zjarrit nuk i druhem /Dhe kurrë s’dua të shuhem,/ Po të digjem me dëshirë,/Sa të munt t’u ndrinj më mirë./Kur më shihni se jam tretur,/Mos pandehni se kam vdekur;/jam i gjall’ e jam ndë jetë /jam në dritët të vërtetë,/Unë jam në shpirtin tuaj,/Mos më kini për të huaj,/ M’është falurë durimi, /Andaj po digjem si trimi….”

Në Tiranën e fokusuar tek tasat me hashure me sa më tepër arra askujt nuk i shkon nëpër mend për të përkujtuar Sami Frashërin dhe veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘eshtë dhe ç’do të bëhet”; askush nuk e kujtoi as Abdyl Frashërin, ideologun e Lidhjes së Prizrenit.

Pa Vëllezërit Frashëri s’ka kuptim Sulltan Novruzi, sepse feja e shqiptarëve është shqiptaria!

Nuk i kujtojnë Rilindasit sepse tani kur thuhet Rilindje nënkuptohet Edi Rama. Tani Edi Rama ka zëvendësuar vëllezërit Frashëri! Me shpurën e ministrave të tij!

Sali Berisha që vetëidentifikohet me 22 marsin 1992 do të duhej ta kishte përfshirë këtë datë si një festë kombëtare. Pse i frikësohet kësaj date ?

Sot populli shqiptar duhej të kujtonte ditën e përmbysjes të diktaturës. Por klasa politike me në krye PD e kanë hequr këtë datë fare nga kalendari.

Në vend të kujtesës nëpër televizionet e Tiranës flitet Sulltan Novruzit dhe byrekun me dymbëdhjetë lloje barishtesh.

Normalisht, si një vend sekular që është Shqipëria, dita duhej të niste duke i blatuar respekte lirisë dhe humanistëve të Rilindjes.

Unë isha atë 22 mars. Raportoja për Zërin e Amerikës.

Raportoja si gazetare dhe bëja pjesë në oqeanin mbarëpopullor, kur populli shqiptar ia dha votën lirisë.

Në vesh më ushtojnë ende meloditë e çmendura nga gëzimi të klaksonëve të veturave, ardhur nga Kavaja që përshkonin Bulevardin Dëshmorët e Kombit me dritare të hapura nga ku era e ngrohtë e marsit dukej se do t’i merrte me vete flamujt e kuq shqiptarë, flamujt amerikanë me yje dhe vija dhe flamujt blu të PD-së.

Ishim të dehur nga aroma e lirisë dhe të mbushur me shpresa, të cilat tani çerek shekulli  më pas janë kthyer në iluzione dhe deluzione.

Populli shqiptar ka mbetur i kryqëzuar dhe i lidhur si Prometeu prej politikës të mbrapshtë për 25 vjet rresht.

Me gjithë zhgënjimet dhe pësimet 22 mars 1992 është dita e kauzës të lirisë, dita kur Sovrani vendosi për fatin e vet.

22 marsi 1992 është dita ku vullneti i popullit u shpreh për të rrëzuar sistemin e kalbur nga lufta e klasave, urrejtja, ndasitë, izolimi, Gulagët shqiptarë, burgjet dhe vrasjet politike me motivacion ideologjik përmes vëllavrasjes.

22 marsi 1992 është bekuar jo se i dha pushtetin një grushti njerëzish, të cilët u sollën si despotë të gjithëpushtetshëm, por sepse demonstroi pushtetin që ka oqeani i uraganit popullor.

Prandaj politika e mban jashtë kalendarëve zyrtarë këtë datë të historisë moderne shqiptare. Festohet 29 nëntori 1944 që njihet si dita e pushtimit të Shqipërisë nga diktatura, ndërsa 22 marsi 1992 është në karantinë.

Festa e Sulltan Novruzit festohet në mënyrë dekulturuese, ndërsa nga qielli shqiptar na vërejnë bektashinjtë më të famshëm të të gjitha kohërave, ata që përbëjnë kuintesencën e Rilindjes Kombëtare, ata që u dogjën e përvëluan për të na lënë ne shqiptarëve trashëgiminë e tyre filozofike, kulturore dhe kombëtare, që mjerisht tashmë duket se gjatë këtij tranzicioni makabër nën dirigjimin e politikës është çrrënjohur nga trolli jonë plotësisht.

Unë jam një dëshmitare e fitores të 22 marsit 1992 që përkoi me ardhjen e pranverës, ringjalljen e natyrës e Festën e Bajramit, si për të thënë se edhe Zoti e Natyra ishin bërë bashkë me votën e shqiptarëve, verdikti i së cilës u hapi Shqipërisë dhe shqiptarëve dyert për t’iu bashkuar Europës.

Po ku janë sot shqiptarët, çerek shekulli larg nga ajo dite e bekuar?

Diktatura i mbajti shqiptarët në bunker për gjysmë shekulli, tranzicioni po i mban prapë të margjinalizuar dhe të penalizuar për një çerek shekulli tjetër.

Tiranozaurët e diktaturës dhe tranzicionit ua kanë ngrënë kohën shqiptarëve.

Por 22 marsi 1992 është dhe do të jetë, për të na kujtuar se jemi të vonuar, edhe për të na treguar rrugën e lirisë që të çlirohemi nga kjo klasë politike.

22 marsi 1992, kjo datë e shenjtë nuk i takon partisë, asnjë partie shqiptare, sepse të gjitha e kanë mashtruar popullin, kjo datë është datë e Sovranit!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT