• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

REAGIM PER VISAR ZHITIN NGA AGRON TUFA

March 23, 2017 by dgreca

Në një status në faqen e tij në facebook, shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Insitutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, e cilëson të nxituar, të papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme p deklaratën e Bujar Nishanit kundër poetit Visar Zhiti se “ka qenë spiun në burgun e Spaçit”. Statusin e tij Agron Tufa e shoqëron me dokumentin origjinal nga Sigurimi i Shtetit, të cilin e disponon ISKPK. Ja statusi i plotë:

Pa hyrë në natyrën e ndërsjelltë të replikave midis Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani dhe poetit të njohur Visar Zhiti, që është dhe një ish-i dënuar politik i regjimit totalitar të Enver Hoxhës, mendoj, se deklarata e Presidentit për Zhitin – “…Ka qenë spiun në burgun e Spaçit”, – është një deklaratë e nxituar, e papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme për këto arsye:

1. Kreu i shtetit, Presidenti, nuk duhet të transmetojë në publik, se ç’thonë thashathemexhinjtë, pa qenë i sigurtë, me fakt të dokumentuar. Kush mund t’ia refuzonte të drejtën kreut të shtetit ta shihte dosjen e Zhitit, meqë Autoriteti i Dosjeve ka filluar punën e hapjes së tyre? Z. President duhet të jetë zëdhënës i fakteve dhe jo i shpifjeve.

2. Edhe sikur, fjala vjen, hipotetikisht, poeti Visar Zhiti të kishte qenë spiun, ka një logjikë, të përfshirë në të gjitha të drejtat ndërkombëtare që thotë: “Çdo dëshmi, çdo akt, çdo pohim i personave që gjenden robër, pengje lufte, të arrestuar dhe në tortura, nuk merret parasysh”. Dhe Visar Zhiti ka qenë nën këtë presion, si çdo i burgosur tjetër, përballë bishave më çnjerëzore.

3. Por për fat të mirë, për dinjitetin e tij dhe të tjerëve që vuajtën ferrin e burgjeve të komunizmit, Visar Zhiti ka bërë të kundërtën: ka firmosur një deklaratë, që nuk pranon, që refuzon të vihet në shërbim spiunimesh. Këtë e di mirë unë e jo ndofarë shpifësi me iniciale P.V, pasi z. Zhiti ka qenë pjesë e Këshillit Shkencor të ISKK dhe na është dashur të kontrollojmë, sipas ligjit, pastërtinë e figurave.

Pafajësia e z. Zhiti do të bëhet e qartë dhe publike shumë shpejt, në një reagim institucional, zyrtar.

Me presidentin e Republikës, z. Nishani kemi pasur gjatë këtyre viteve një sërë bashkëpunimesh të suksesshme dhe me vlerë të madhe për kujtesën dhe krimet e diktaturës, për nderimin e tyre me një sërë medaljesh, për çka i jemi sinqerisht mirënjohës. Por ndjej keqardhje të thellë për deklaratën e tij të fundit, siç e thashë më sipër, të nxituar, të papërgjegjshme dhe thellësisht të dëmshme për personin që atakon dhe për ata mijëra burra, të vdekur e të mbijetuar nga diktatura gjakatare komuniste.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agron Tufa, reagimi i Presidfentit, Visar Zhiti

E VERTETA MBI BESIM NDREGJONI

March 23, 2017 by dgreca

Nga Namir Lapardhaja/

Ka një problem me të vërtetën në Shqipëri. Sa herë që dikush hedh një akuzë, të vërtetë ose jo, del dikush tjetër që bën një kundërakuzë dhe, duke u krijuar një tymnajë, askush nuk e merr vesh se si qëndron e vërteta.Në këtë realitet, njerëzit e painformuar në përgjithësi, ndjekësi i thjeshtë  i portaleve, lexuesi i gazetave dhe dëgjuesi i lajmeve e ka të vështirë ta filtrojë të vërtetën, duke qenë se ai bombardohet nga mëngjesi në mbrëmje vetëm me informacione, shpeshherë të paverifikuara.

Një gjë e tillë bën që palët të qëndrojnë në llogoret respektive, hendeku të thellohet, ndërsa e drejta dhe e vërteta të mos merren vesh asnjëherë.

Në ditët e sotme, edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga rënia e komunizmit, një ndër akuzat më të përhapura është ajo e bashkëpunëtorit të ish-sigurimit të shtetit. Duke qenë se dosjet nuk u hapën kurrë, partitë poltike nuk ndërmorën asnjëherë një nismë serioze që ta sqaronte këtë problem përfundimisht, çdokush ka “të drejtë” të akuzojë tjetrin për spiun dhe bashkëpunëtor të ish-sigurimit famëkeq të shtetit.

Një gjë e tillë ndodh rëndom me shtresën e ish-të përndjekurve dhe ish-të persekutuarve, qoftë ndërmjet njëri-tjetrit, qoftë kur bëhen vegla të pushtetit, për të sulmuar bashkëvuajtësit e tyre të djeshëm.

Duke mos mbajtur të njëjtin qëndrim për xhelatët e djeshëm, viktimë të propogandës qeveritare të majtë më së shpeshti bëhen viktimat e sistemit diktatorial.

Një problemi të tillë i vjen në ndihmë edhe një opinion i gjerë publik, i cili, duke qenë në një krizë të thellë morale, nuk interesohet për të verifikuar dhe për t’i vajtur të drejtës dhe të vërtetës deri në fund.

Si shembull të këtij spekulimi me të vërtetën do të marrë rastin e Besim Ndregjonit, i cili shpeshherë ka qenë në qendër të këtyre akuzave.

Vala e kësaj propagande u ndez sërish pak ditë më parë, ku zoti Ndregjoni u gjend në krah të kreut të PD-së, Lulzim Basha, në një aktivitet në çadrën e Partisë Demokratike, e cila prej një muaji vazhdon protestën në bulevardin përpara kryeministrisë për zgjedhje të lira e të ndershme.

Portale të majtë nxituan ta akuzojnë dhe iu turrën Ndregjonit me një valë akuzash, të paqënda dhe të pavërtetuara, vetëm e vetëm për të bërë pis e për të hedhur baltë mbi të, por edhe mbi kauzën e Partisë Demokratike.

Besim Ndregjoni është aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe ish-të Përndjekurve Politik të Shqipërisë.

Gjatë kohës së regjimi komunistë atij iu privuan e drejtat e arsimimit dhe e punësimit, duke u caktuar të punojë në punë të rënda dhe hapje tunelesh, ndërsa i ati i tij, Imeri, bëri 17 vite burg.

Sot ai duhet të përballet me akuza të paqena dhe të sqaruara më parë.

Filtrin e parë Ndregjoni e ka kaluar në vitin 1996, ku kandidoi për herë të parë nën siglën e partisë së Lëvizjes së Legalitetit.

Kështu, vendimi nr. 8, Tiranë, më 20.04.1996, i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e Figurës së Zyrtarëve dhe Personavë të Tjerë nën kryesimin e Hajri Mezinit, thotë se “duke vepruar në zbatim të ligjit numër 8043, dt. 30.11.1995, në mbledhjen e tij të datës 20.04.1996, mbasi shqyrtoi dokumentet zyrtare që ju vunë në dispozicion vendosi që z. Besim Imer Ndregjoni NUK rezulton të ketë bërë pjesë në funksione të përfshira në Nenin 2 të ligjit.” (Shih vendimin bashkëlidhur shkrimit).

Neni 2 i ligjit Nr. 8043, dt. 30.11.1995, veç të tjerave, parashikon: “c) Të mos ketë punuar si oficer në Sigurimin e Shtetit (legal a ilegal), në repartet e ndjekjes dhe ato të ruajtjes së personaliteteve; ç) të mos ketë qenë i regjistruar në materialet e Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor (informator, agjent, rezitent a strehues) ose të mos ketë bashkëpunuar në mënyrë të ndërgjegjshme me Sigurimin e Shtetit (të mos ketë qenë zotërues i një apartamenti të vënë në ­­—dispozicion të Sigurimit të Shtetit); d) të mos ketë qenë denoncues, dëshmitar i rremë ose rëndues në procese politike në dëm të të pandehurve; dh) të mos ketë punuar si oficer në strukturën e kampeve dhe burgjeve me të dënuar politikë.”

Në këtë kuptim, ajo që del qartë është fakti se strategjia e së majtës ka qenë kostante: të vendosim ekulibër në raportin me të keqen midis atyre që u persekutuan dhe persekutorëve. Nëse nuk ke qenë komunist, ke qenë bashkëpunëtor me pushtuesin, nëse nuk ke qenë sigurims, patjetër që ke qenë spiun. Kështu plotësohej mozaiku shqiptar me bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor. Fajtorët asnjëherë nuk i ndanë privilegjet e tyre me viktimat, pëkundrazi i burgosën, i torturuan, i vranë, i lanë pa familje, pa shkollë, pa të ardhme. Kur komunizmi ra, u predikua që barra e fajit të ndahej me të gjithë popullin dhe kështu ndodhi. Fajtorët u fshehën, nuk u ndëshkuan, faji u shpërnda. Pas ca kohësh fajtorët u bënë biznesmenë, deputetë , madje edhe ministra. Viktimat u mjaftuan vetëm me kënaqësinë se për herë të parë në jetën e tyre nuk u diskriminuan, por u bashkuan dhe u bënë solidarë në ndarjen e fajeve e krimeve të diktaturës: ne kemi plagët ju keni armët, ndaj jemi një edhe bashkëfajtorë edhe bashkëvuajtës.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: e verteta, MBI BESIM NDREGJONI, Naimir Lapardhaja

Kosova në takimin vjetor të koalicionit anti-ISIS

March 23, 2017 by dgreca

3 OKB2 Hoxhaj-Hoxhaj në takimin vjetor të koalicionit anti-ISIS, Kosova kontribuues i sigurisë në rajon/1 hoxha

– Duke e falënderuar Sekretarin Tillerson për organizimin e këtij takimi, ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova ka ndërmarrë masa efikase për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar/1 Hoxhaj ne salle

Washington, 22 mars 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po merr pjesë në takimin vjetor të ministrave të Jashtëm të koalicionit anti-ISIS, që po mbahet në Washington.Duke e falënderuar Sekretarin Tillerson për organizimin e këtij takimi, Hoxhaj ka thënë se Kosova ka ndërmarrë masa efikase për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, si dhe për parandalimin e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkuar organizatave terroriste.

“Si shteti më i ri në Evropë, Kosova është krenare që është pjesë e Koalicionit Global Anti-ISIS, që nga dita e parë e themelimit. Në të njëjtën kohë, Kosova është shembull në rajon në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Evropën Juglindore. Ne mbetemi të përkushtuar të kontribuojmë në sigurinë e Evropës dhe atë globale”, ka thënë Hoxhaj.

Në margjjina të takimit, Hoxhaj ka takuar edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës duke theksuar në veçanti raportet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Në anën tjetër, në takimet me ministrat e Jashtëm të Qipros, Polonisë, Austrisë, Holandës, Çekisë, Norvegjisë, Afganistanit, Malajzisë, Singaporit e shumë të tjerë, Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen për Kosovën për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, njohjen diplomatike të Kosovës, si dhe zgjerim të bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme.

Hoxhaj po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka takuar edhe shumë kongresistë dhe senatorë amerikanë, si dhe takime në Departamentin e Lartë të Shtetit./b.j/

Filed Under: Kronike

Serbia nuk mund t’i përvetësojë pronat e Kosovës

March 23, 2017 by dgreca

Janë mbi 180 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës jashtë territorit të saj, nga të cilat 110 gjenden në territorin e Serbisë.

Në bazë të ligjeve në fuqi, këto prona administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe shteti ku gjenden pronat përkatëse, nuk ka të drejtë t’i përvetësojë, thonë zyrtarë të Qeverisë se Kosovës dhe njohës të kësaj çështjeje.

Por, menaxhimi i pronës së Kosovës nga AKP, deri më tani ka qenë i pamundur për arsye se Beogradi zyrtar nuk e njeh autoritetin e AKP-së.

Drejtori i Bordit te AKP-së, Petrit Gashi, i pati deklaruar më heret Radios Evropa e Lirë, se pronat jashtë Kosovës, kryesisht gjenden në Krahinën e Vojvodinës, në territorin e ish- Jugosllavisë dhe prej tyre edhe 11 prona janë të Trepçës në Serbi.

“Kosova nuk ka asnjë pronë shtetërore në Serbi dhe në vendet e tjera të ish Jugosllavisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Pronën shtetërore, thotë ai, edhe Serbia sikurse shtet tjera, kanë të drejtë ta regjistrojnë në pronësi të tyre.

Në anën tjetër, Serbia nuk mund të bëjë regjistrimin në pronësi të saj, asetet e ndërmarrjeve shoqërore, për shkak se, siç thotë Kelmendi, kjo çështje është e rregulluar më vendim të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, në kohën kur e administroi Kosovën.

“Kosova gjithmonë ka qenë instanca e fundit, ka qenë Krahinë Autonome e Kosovës ndërsa Republika, Federata, Armata e Jugosllavisë, shumë agjenci tjera kanë pasur prona në Kosovë. Kurse Kosova nuk ka pasur prona shtetërore jashtë territorit të saj”, tha Kelmendi.

Edhe Mejdi Bektashi, profesor i lëndës Analiza ekonomike e së drejtës, në Fakultetin Juridik, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se pronat e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës nuk mund të barten në pronësi të shtetit të Serbisë.

Edhe pse Bektashi dyshon se disa prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në Serbi, janë privatizuar apo shfrytëzohen nga persona të ndryshëm në mënyrë joligjore.

“Unë sa kam informacione, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve kosovare që kanë operuar në Serbi janë privatizuar, por edhe disa ndërmarrjet serbe në Kosovë, që më krijimin e AKP-së, ose janë privatizuar ose janë në fazën parapërgatitore për privatizim”, shprehet Bektashi.

Bektashi thekson se zgjidhja e çështjes se pronave në mes Kosovës dhe Serbisë është më e komplikuar.

Ai thotë se ky nuk është problem pronësor apo ekonomik por është problem politik, i cili mund të zgjidhet vetëm përmes suksesionit.

“Por, suksesioni në mes Republikës se Kosovës dhe Republikës së Serbisë nuk mund të fillojë derisa nuk ofrohen qëndrimet dhe nuk kemi njohje të dyanshme. Ky ndoshta do të jetë akti i fundit që ndërmerret disa muaj para njohjes se Republikës se Kosovës”, thotë Bektashi.

Kurse autoritetet serbe në Beograd, disa herë kanë kërkuar zgjidhjen e çështjeve të pronave, madje ato kanë kërkuar që “kjo çështje të negociohet në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar”.

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se çështja e pronave në territorin e Kosovës “nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve që zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë”.

Kjo çështje është ngritur pas një vendimi të Qeverisë se Kosovës, për kalimin në pronësi të Kosovës të pronave të paluajtshme të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës.(REL)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosova, pronat, Serbia

JOHN F. KENNEDY DHE LUFTA E FTOHTË

March 23, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/

Vlerësohet se gjëndja ndërkombëtare sot është më keq se ç’ka qenë ndonjëherë ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë.  Ishte Lufta e Ftoftë midis Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik që dominoi dhe kërcënoi botën për pothuaj një gjysëm shekulli, shpesh duke e çuar njerëzimin në prak të një lufte bërthamore.  Dihet se mbas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara me aleatët e tyre dhe Bashkimi Sovjetik dhe shtetet komuniste satelite të tij, ishin mbërthyer në një kacafytje prej dekadash për epërsi, ndikim e influencë politiko-ushtarake, në marrëdhëniet ndërkombëtare.  Mund të thuhet se kjo luftë e ftoftë midis dy superfuqive të asaj kohe arriti kulmin gjatë presidencës së Xhon F. Kennedy, presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara, 100-vjetori i lindjes i të cilit po kujtohet, këtë vit, me aktivitete të shumta anë e mbanë Amerikës.

1 Hrushovi

Ne Foto:Takimi-Kennedy Hrushovin në Vjenë të Austrisë, 3 qershor,1961/

Forcat ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara nuk u angazhuan asnjëherë në konflikte të drejtë për drejta gjatë Luftës së Ftohtë, por të dy superfuqitë e kohës ishin mbërthyer në antagonizma serioze ndaj njëra tjetrës, nepërmjet manovrimeve të ndryshme politike, nepërmjet koalicioneve ushtarake, NATO dhe Pakti i Varshavës, me anë të spiuanzhit dhe propagandës si edhe shtimit të armatimeve, përfshirë armët bërthamore.  Nga aleatë në Luftën e Dytë Botërore kundër Hitlerit, nuk mori shumë kohë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, menjëherë pas mbarimit të luftës Majin e vitit 1945, të këtheheshin në kundërshtarë të përbetuar politikë dhe ushtarakë, marrëdhënie këto që patën tensione të larta, pothuaj të vazhdueshme për disa dekada, deri në shëmbjen e Murit të Berlinit.  Bashkimi Sovjetik nguli këmbë që të ushtronte influencë politike dhe ushtarake mbi shtetet dhe popujt midis territorit të tij dhe Evropës Perëndimore, duke përfunduar kështu në instalimin e regjimeve pro-komuniste dhe pro-sovjetike në Poloni, Hungari, Bullgari, Çekosllovaki, Rumani, Shqipëri dhe eventualisht edhe në Gjermaninë Lindore.  Si rrjedhim i kontrollit absolut politik, ushtarak dhe ekonomik të Bashkimit Sovjetik mbi këto vende, Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, ndërmorën masa politike, ekonomike dhe ushtarake për të ndaluar përhapjen dhe influencën e mëtejshme të komunizmit në vendet e Evropës Perendimore, si Franca, Italia dhe Greqia.

Dihet se Deri në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara zhvillonin kryesisht një politikë izolacioniste në marrëdhëniet me Evropën.   Por pas Luftës, si përfundim i kontrollit sovjetik të vendeve të Evropës Lindore, Shtetet e Bashkuara – nepërmjet Doktrinës Truman të vitit 1947 — filluan të mbështesnin vendet e kërcënuara nga subversioni komunist dhe Plani Marshall shpërndau miliarda dollarë në ndihma ekonomike Evropës Perëndimore me qëllim për të mënjanuar prishjen e stabilitetit politik dhe ekonomik të atyre vendeve, gjë që do të bënte të mundur kontrollin e regjimeve të zgjedhura me vota demokratike, nga komunistët.

Kufiri që ndante lindjen komuniste nga perëndimi demokratik mbeti pothuaj i ngrirë në Evropë për disa dekada, por konfliktet në kontinente të tjera si në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, nuk mund t’i shmangeshin tensioneve të Luftës së Ftoftë midis dy superfuqive, të gjysëm shekullit të kaluar. Si rrjedhojë, në vitin 1949, komunistët kinezë triumfuan në luftën civile të vendit më të populluar të botës duke iu bashkangjitur kështu Bashkimit Sovjetik si një kundërshtar ideologjik i Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë.  Në vitin 1950, Korea e Veriut kishte invaduar Korenë e Jugut dhe si rjedhim Shtetet e Bashkuara dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara dërguan ushtarë dhe ndihma ushtarake Koresë së Jugut, ndërkohë që Kina komuniste mbështeti Korenë e Veriut, një luftë të përgjakshme që zgjati për tre vjetë.  Pastaj, në vitin 1954 ra regjimi kolonial francez në Vjetnam, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara mbështetën qeverinë ushtarake të Vjetnamit të Jugut.  Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e komunizmit në atë pjesë të botës, formohet Organizata e Traktatit të Vendeve të Azisë Jug-lindore, ndërkohë që Presidenti Eisenhower dërgoi 700 ushtarë amerikanë dhe ndihma ekonomike dhe ushtarake për qeverinë e Vjetnamit të Jugut.  Ndërkohë, më afër brigjeve të Shteteve të Bashkuara, rezistenca kubane e udhëhequr nga Fidel Castro rrëxoi nga fuqia regjimin pro-amerikan të Havanës.    Për të mbijetuar, Kuba komuniste varej nga ndihmat ekonomike dhe ushtarake të Bashkimit Sovjetik duke mundësuar që kundërshtari kryesor i Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë të kishte vendosur bazën e vet, jo më larg se 90-milja nga brgedeti i shtetit Florida.

Ja, kjo ishte pak a shumë gjëndja botërore, në shpërthim e sipër, kur filloi nga detyra presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, John Kennedy.  Prandaj nuk është për tu habitur, se Lufta e Ftohtë dhe roli i Amerikës në botë do të dominonte debatin e fushatës për president të Shteteve të Bashkuara midis kandidatit republikan Richard Nixon dhe demokratit John F. Kennedy në vitin 1960.  Të dy kandidatët   premtuan gjatë debatit të parë televiziv të një fushate të tillë, se do të shtonin dukshëm buxhetin ushtarak të Amerikës dhe të dy shfaqën qendrime të ashpra kundër Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit ndërkombëtar.  Kennedy paralajmëroi se Moska  po shtonte numrin e raketave të arsenalit ndërkontionental bërthamor sovjetik dhe kritikoi, me atë rast, administratën Eisenhower — zevëndës president i të cilës kishte shërbyer Niksoni — se kishte lejuar vendosjen e një regjimi komunist, pro-sovjetik në Havanë të Kubës.

Për Presidentin Kennedy, Lufta e Ftohtë dhe gara e armatimeve me Bashkimin Sovjetik ishin çështje të një rëndësie jetike ndërkombëtare, pothuaj gjatë gjithë karierës së tij politike.   Në fjalimin e tij të inaugurimit president, ai kishte paralajmëruar garën midis botës së lirë perëndimore dhe botës komuniste, dnërkohë që u angazhua se populli amerikan, “Do të paguante cilindo çmim, do të duronte cilëndo barrë, do të përballte cilëndo vështirsi, do të mbështeste çdo mik  dhe do të kundërshtonte çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë.”

 

Pas dështimit të takimit të tij me udhëheqsin sovjetik, Krushçov, në qershor të vitit 1961 në Vjenë përballë kërcënimeve sovjetike, Presidenti Kennedy jep urdhër për shtimin e raketave bërthamore ndërkontinentale të Amerikës, rritë numrin e divizioneve ushtarake si edhe të forcave ajrore dhe të rezervistëve ushtarakë amerikanë.  Dy muaj pas takimit në Vjenë, Krushçovi, nga ana e tij, jep urdhër për ndërtimin e Murit të Berlinit me qëllim për të ndaluar gjermano-lindorët që të arratisën nga parasja komuniste në Gjermaninë Perëndimore.  Ndërsa në këtë hemisferë, në marrëveshje me qeverinë komuniste kubane, Krushçovi kishte  vendosë raketa bërthamore në Kubë për të mbrojtur ishullin kuban nga ndonjë sulm i mundëshëm nga Shtetet e Bashkuara.  Si përfundim i gjëndjes së krijuar afër brigjeve të Amerikës, administrata e presidentit Kennedy vendosi një blokadë detare ndaj anijeve sovjetike afër Kubës. Duke parë seriozitetin e situatës drejtë së cilës mund të çonte botën — në shkëmbim të një zotimi amerikan se Shtetet e Bashkuara nuk do të pushtonin Kubën, Krushçovi vendosi të tërhiqte anijet  luftarake dhe raketeta bërthamore sovjetike nga Kuba.  Ishte kjo në situatë tepër serioze ballafaqimi midis dy superfuqive të mëdha të kohës, që është cilësuar nga disa historianë si shumë e frikshme, situatë që pothuaj e çoi botën në prak të shkatërrimit bërthamor.

Në qershor të vitit 1962, në Universitetin Amerikan në Washington, Presidenti John Kennedy mbajti një fjalim me rëndësi që edhe sot cilësohet nga historianët si “fjalimi i paqës”, ku ai bëri thirrje për ndalimin e të gjitha provave bërthamore në atmosferë dhe foli, me admirim, për sigurimin e paqës në botë.  “Jo vetëm për një paqë për kohën tonë, por për një paqë për të gjitha kohërat”, ka deklaruar Presidenti Kennedy.  Në kulmin e Luftës së Ftoftë, ishte kjo një thirrje trumpetuese dhe e guximshme për të gjitha shtetet, që të hiqnin dorë nga armët bërthamore në favor të paqës midis popujve.

Në këtë 100-vjetor të lindjes së John Kennedy, kujtojmë se përveç shumë trashëgimive të tjera që ka lënë pas në fushën politike, ekonomike, të të drejtave të njeriut dhe në arenën ndërkombëtare, ai mbahet mendë sidomos për përpjekjet e  tija për pakësimin e armëve bërthamore dhe të admirohet për qëndrimet e tija për paqë në mbarë botën, por njëkohsisht edhe për guximin dhe gatishmërinë e tij për të mos kursyer asgjë në mbrojtje të lirisë.

Filed Under: Histori Tagged With: DHE LUFTA E FTOHTË, Frank shkreli, JOHN F. KENNEDY

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT