• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Kosova avancon hapësirat e të drejtave dhe lirive për bashkësitë fetare me ligji të ri

March 12, 2017 by dgreca

– Veseli: Nuk do të lejojmë që ndjenjat e sinqerta të besimtarëve tanë të abuzohen dhe manipulohen-/

1 Veseli flet ok1 Myftiu Ternava1 Veseli flet

PRISHTINË, 12 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Në Kuvendin e Kosovës aktualisht është në procedim ligji i ri për bashkësitë fetare në Kosovë, nëpërmjet të cilit do të avancohet hapësira e të drejtave dhe lirive të këtyre bashkësive, tha sot kryeparlamentari Kadri Veseli.Kryetari i Kuvendit në një konferencë shkencore të organizuar në Prishtinë, nga Bashkësia Islame e Kosovës, foli për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare në Ballkan dhe në veçanti në Kosovë, si një vlerë tashmë e brumosur te qytetarët e saj.Kryeparlamentari Veseli tha se fjala tolerancë është fjalë e varfër për ta përshkruar tërë begatinë e raporteve paqësore dhe mirëkuptuese që tradicionalisht janë zhvilluar në mes komuniteteve fetare brenda kombit tonë.Ai tha se kjo begati vlerash sot qëndron e normuar, jo vetëm në parimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por edhe në kulturën dhe mentalitetin e qytetarëve tanë të të gjitha besimeve.“Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbesim pëgjithmonë vend i rrënjosur në vlerat e identitetit evropian. Ky është vizioni i palëkundur i shtetit tonë, i popullit tonë dhe komuniteteve tona fetare. Ne jemi komb shqiptar me vlera historike dhe rrënjë evropiane, por që jetojmë në disa shtete dhe kemi disa besime religjioze, për çka jemi krenarë pasi jemi shembull i tolerancës ndërfetare”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Ai shtoi se muslimanët e Kosovës, bashkë me të gjithë besimtarët e feve të tjera, janë njësoj meritorë për ndërtimin dhe jetësimin e këtij vizioni evropian të Republikës së Kosovës.“Jam thellësisht i bindur se institucionet e Kosovës, bashkë me Bashkësinë Islame të Kosovës, nuk do të lejojmë që të deformohet dhe të devijohet ky fakt dhe ky përcaktim shpirtëror dhe gjeostrategjik i Republikës së Kosovës. Ashtu sikurse baballarët tanë dje, sot ne, nuk do të lejojmë që besimi ynë në Zotin, të shkëputet nga dashuria dhe repsekti për njeriun, e të keqpërdoret për qëllime johumane apo nxitje të urrejtjes e mosdurimit mes njerëzve që kanë përkatësi të ndryshme fetare. Feja islame është shumë e rëndësishme, prandaj, të gjithë ne, së bashku, nuk do ta lëmë atë në duart e injorantëve, fanatikëve dhe abuzuesve kushdoqofshin ata. Ne nuk do të lejojmë që ndjenjat e sinqerta të besimtarëve tanë të abuzohen dhe ëndërrat e të rinjëve tanë të manipulohen”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke shtuar se Republika e Kosovës garanton standardet më të larta të mbrojtjes së lirive fetare.Në Kuvendin e Kosovës në axhendën e disa seancave ishte edhe votimi i Projektligjit përndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, por nuk mund të kalojnte  derisa vazhdon “ngrirja” e pjesëmarrjes në Kuvend e grupit parlamentar prej 11 deputetësh të Listës Serbe, pasi duhen edhe më shumë se gjysma e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë – së paku 11 nga gjithësej 20 në parlamantin me 120 anëtarë./b.j/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Ligj i ri, Lirite fetare, Veseli

KONSULLJA E PERGJITHSHME E KOSOVES NE KONCERTIN E SHKOLLES SHQIPE “ALBA LIFE”

March 12, 2017 by dgreca

 Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York znj.Teuta Sahatqija midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” në ditën e shenjtë të Mësuesit!/

IMG_3980IMG_4138IMG_4019

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”, NY e festuan 7 Marsin me një program të pasur në Shqip/

IMG_3938IMG_4138

Shqipëria ime pse më je kaq larg?/

Malli për ty më djeg pak nga pak,/

kur të rritem do të nderoj si biri yt,/

sepse ti je Dielli që më ndriçon sytë./

 Nga Keze Kozeta Zylo/ New York/

Nxënësit e shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në disa lagje të Nju Jorkut si dhe mësuesit, prindërit, gjyshërit festuan së bashku ditën e shenjtë të Mësuesit, ditën e 7 Marsit, atë ditë kur Perëndia bekoi Shqipërinë dhe mësuesit që të hapnin shkollën e parë shqipe në Korçë, në të cilën mësues dhe drejtor i parë ishte Pandeli Sotiri si dhe Rilindasit Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj…

Programi artistik u dha në mjediset e shkollës publike amerikane 205, shkollë ku zhvillon mësim shkolla shqipe e Bruklinit.

Nxënësit me fytyra të qeshura që u ndrinin si Dielli vinin kush me tufa me lule, kush me përqafim të ngrohtë, kush me urim për 7 Marsin, kush me emocionin e skenës, për të mirëpritur me respekt dhe dashuri ditën e Mësuesit.

Ndonëse fatet na hodhën larg Atdheut në vende të ndryshme tëbotës, ka mësues, prindër dhe gjyshër që dëshirojnë për fëmijët e tyre të mos e harrojnë kurrë gjuhën shqipe.  Edhe pse për të qenë realiste mijëra e mijëra fëmijë me prindër shqiptarë në botë po asimilohen dhe nuk po flasin shqip, pësëri funksionimi I shkollave shqipe ka rëndësinë e duhur jo vetëm për t’ju mësuar shqip fëmijëve, por edhe për sensibilizimin e shumë bashkatdhetarëve kudo në botë.

Në këtë festë të bukur nderoi me pjesëmarrjen e saj Ambasadorja dhe Konsullja e përgjithshme e Kosovës znj.Teuta Sahatqija, ardhja e saj u mirëprit me duartrokitje nga pjesëmarrësit.

Në këtë program u shfaq një vidio dokumentar përgatitur nga TV “Alba Life” për punën titanike të mësueseve dhe patriotëve të shquar që hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, dokumentar që u mirëprit me duartrokitje nga publiku arsimdashes. Vlen të theksohet se për shkak të pushtimit osman prej 500 vjetësh dhe që perandoria turke nuk lejonte shkollat shqipe, mësimi shqip bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu, që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje tejet të rëndësishme kulturore dhe historike.

Programi i nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” për Diten e Shenjtë të Mësuesit

Programi artistik dhe kulturor u hap me këngën “Për Mëmëdhene” duke hyrë flamurtarët nga të dy anët e sallës të cilet ishin Jaden Doci dhe Eneo Rustani

Të gjithë së bashku si në një kor të vetëm mësues, prindër, nxënës kënduam për Mëmëdheun këngë që vazhdon t’i thërrasë shqiptarët për t’u mbledhur si: “Eja mblidhuni këtu, këtu”…  Programi artistik me këngë të ndryshme u përgatit mjeshtërisht nga sopranoja e mirënjohur shqiptare Dëshira Ahmeti Kërliu.

Programi është prezantuar nga dy nxënës brilantë Arsi Muda dhe Eda Kulla.

Të dy në një kohë përshëndetën:

Mirëdita, Miëdita të dashur bashkatdhetarë, mësues, prindër, nxënës!  Mirë se keni ardhur për të festuar Ditën e Mësuesit!  Gëzuar Festën e Mësuesit, Ditën e 7 Marsit!

Unë jam Eda Kulla nxënëse e Shkollë Shqipe “Alba Life” në Queens, shkollë qëështë hapur në Janar të këtij viti.  Një duartrokitje ju lutem për këtë sukses të radhës tëShkollës Shqipe “Alba Life”.  Unë do të prezantoj programin që kanë përgatitur nxënësit e Shkollës Shqipe.

Unë Jam Arsi Muda nxënës i Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island, shkollë që eshte hapur gati para 10 vjetësh… Një duartrokitje ju lutem per këtë vatër të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island.

Unë do të prezantoj programin që kanë përgatitur nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”.

Prezantuesja Eda Kulla ftoi në skenë Dr. Valbona Zylo Watkins drejtore e programit të procesit mësimor e cila ka përshëndetur të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për ditën e 7 Marsit.

Dr.Watkins tha midis të tjerash se hapja e Shkollave Shqipe nga Alba Life në New York e kanë gjetur frymëzimin nga Rilindasit tanë të shquar të cilët nën dhunë dhe terror, por me zjarrin e atdhedashurisë bënë të mundur hapjen e shkollës sëparë shqipe në Korcë. Sot ju do të keni kënaqësinë të shikoni nje program të shkurtër që fëmijët dhe mëseuest kanë përgatitur për ju. Eshtë një program i bukur dhe modest që zhvillohet tani për gati 10 vjet me rastin e kësaj feste kaq të rëndësishme për vendin tonë.

Shkolla e parë shqipe u hap ne 7 mars ne Korçë, nën drejtimin e mësuesit Pandeli Sotiri në një shtepi të ofruar nga Diamant Terpo.Une shikoj ngjashmëri me shkollën e parë dhe shkollën tonë “Alba Life”.  Të gjithë këta fëmijë që vijnë në shkollën tonë janë nga troje të

ndryshme për të mësuar si të shkruajnë, lexojnë dhe flasin shqip. Këta fëmijë mblidhen në mjediset e shkollës publike amerikane çdo të premte dhe të shtunë nën drejtmin e mësueseve të tyre shumë të dedikuara që me dashuri dhe durim shpërndajnë dijen. Të jesh mësues apo t’u krijosh fëmijëve mundësinë të mblidhen së bashku për të mësuar, nuk është pune e lehtë.

Një mësues dhe drejtues duhet të kenë një karakteristikë shumë të rëndësishme, atë që të kenë një zemër të madhe dhe të jeni të sigurtë që të gjitha mesueset dhe drejtuesit e shkollës shqipe kanë një zemër të madhe për femijët tuaj dhe e bëjnë që kjo gjeneratë që shikoni në sallë mos të humbasë origjinën e tyre shqiptare. Pa u zgjatur shumë desha të falënderoj me një duartrokitje mësueset e shkollës shqipe “Alba Life”, Adelina Lacaj, Entela Muda, Vlera Selaj, Raimonda Hysolli, Kozeta Zylo, Blerta Gjevori dhe Ardita Vadahi… Tani ju ftoj të shikojmë një dokumentar të shkurtër për hapjen e Shkollës Shqipe, më 7 Mars 1887në Korcë dhe në vazhdim.

Pas vidios nxënësit kënduan hymnin e Shkollës Shqipe si: “Gjuha Shqipe, Gjuha jone” kompozuar nga z.Petrika Melo.Prezantuesi Muda ftoi në skenë nxënësit e shkollës shqipe në Staten Island të përgatitur nga mësueset Entela Muda, Vlera Selaj dhe Kozeta Zylo.Ata ishin: Alban Bojlevic me vjershën Abetarja, Loriana Thaqi, Abetarja, Arlinda  -Abetarja, Elira Dzemaili, Gjuha Shqipe nga At Gjergj Fishta, Lisa Pilku, Mësueses Time Entela dhe kengen “Moj e bukura More”.Dea Watkins këndoi këngën për mësuesen të interpretuar në piano nga vetë ajo.Aldini Boljevic: Gjuha Shqipe-Naim Frashëri, Rilind Bardhi, Korca —-Naim Frashëri,Lina Murati, Abetarja. Alisa Huseinovic 7 Marsi, Leona Dema, 7 Marsi ,Eliza Karpuzi, Gjuha Shqipe dhe Mikael Mashkulli, Atdheu.

Ali Boljevic , Unë jam nga Mali I Zi, Albert Karpuzi, Bir shqiptari, Ajdin Boljevic, Shqipëria ime, Aleen  Karpuzi, Unë e dua shkollen shqipe,Arsi Muda, Jam dibran dhe Dea Kerliu, Skënderbeu.

Pas interpretimeve në poezi salla është mbushur me dashurinë për gjyshët kënduar nga Dea Kerliu, Elsa Kulla, Dea Kita, Emma Lula, Greis Hamili dhe Era Vadahi.Nxënësit e Brooklinit ishin përgatitur nga mësueset Adelina Lacaj dhe Raimonda Hysolli. Ata ishin: Eneo Rustani: I cili recitoi vjershën e thjeshtë për nënën

Kelvin Rustani: “Nena ime”, Biorni Berliu: Dy festa Të Bukura, Arion Mazdari: Dashuria për mamin. Pas poezive skena është mbushur me atmosferën e dashurisë hyjnore për nënën kënduar nga vëllezërit Eneo Rustani dhe Kelvin Rustani  të cilët kënduan “Kënga e nënës”

Eda Kulla ftoi nxënësit e shkollës shqipe në Queens, shkollë që ka vetëm një muaj që është hapur.  Hapja e saj është pritur me duartrokitje nga publiku.

Nxënësit ishin përgatitur nën kujdesin e mësuese Blerta Gjevori dhe Ardita Vadahi.

Ata ishin: Emma Lula, Festa Jote, festa ime, Heidi Haxhiu, Nena, Dea Kita, 7-8 Marsi, Alexia Borici, “Për një shkronjë”, Era Vadahi, 8 Marsi, Alba Vadahi   Vendi im, Ilirjan Karamuca, Bicikleta.

Të dy prezantuesit thanë se: E mbyllim programin me këngën kuq e zi, kuq e zi si ngjyrat e Flamurit tonë Kombëtar.  Le të këndojmë të gjithë sëbashku në ëitë të shenjtë për tënderuar tëgjithë ata Rilindas qëdhanë jetën për Gjuhën Shqipe, le të nderojmë të gjithë mëuesit kudo nëbotë si dhe të gjithë mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” që kanë dhënë dhe po japin një kontribut të vyer për Gjuhën amtare!

Përshëndetja e Ambasadores Sahatqija dhe të ftuarve

Pas programit të pasur artistik Shqip në skenë është ftuar Ambasadorja dhe Konsullja e Përgjithshme e Kosovës znj.Teuta Sahatqija, e cila na nderoi me pjesëmarrjen e saj.  Ardhja e znj.Sahatqija shoqëruar nga Konsulli i Kosovës z.Fatmir Zajmi midis nesh është si një urë shpirtërore që lidh Diasporën dhe Kosovën tonë martire.

Ambasadorja Teuta Sahatqija në emër të shtetit të Kosovës me një fjalë elekuente emocionuese ka përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe iu ka uruar atyre për festën e 7 Marsit, Ditën e Mësuesit. Ambasadorja Sahatqija tha se: “Unë e dëgjova me plot emocion programin e përgatitur aq bukur nga mësuesit dhe nxënësit dhe nuk ka më këaqësi se të shikosh këta fëmijë të lindur dhe rritur në mërgim dhe t’i dëgjosh se si flasin dhe këndojnë në gjuhën amtare.  Le të vazhdojmë kështu së bashku rrugën e ndritur të Rilindasve që gjuhën tone Shqipe mos ta harrojmë kurrë. Uroj që shumë prej tyre të jenë ambasadorë të Shqipërisë, Kosovë dhe gjithë trojeve shqiptare kudo në botë.  Shpreh mirënjohjen time për themeluesit e shkollës shqipe “Alba Life” dhe ju uroj atyre punë të mbarë kurdoherë.  Vazhdoni dhe kurrë mos e ndaloni këtë punë të bukur patriotike dhe fisnike.Fjala e Ambasadores u mirëprit me duartrokitje të nxehta nga pjesëmarrësit, prindërit, mësuesit dhe nxënësit.Pas fjales së Ambasadores në skenë është ftuar mësuesi veteran, historiani, shkrimtari, atdhetari zemërzjarrtë z.Rexhep Dedushaj, i cili kishte udhëtuar nga Kosova dhe ndodhej në New York.Z.Dedushaj solli kujtime të tij nga shkolla shqipe në Brooklyn kur dikur kishte qenë drejtor dhe iu kishte mesuar femijëve shqip.  Me plot emocion përshkroi se si një ditë kishte takuar rastësisht një nxënëse të tij shqiptare që dikur ishte ulur në bangat e shkollës për të mësuar shqip, por tashmë e rritur.  Ajo e kishte përshëndetur mësuesin e saj dhe i kishte thënë se tani punoj si përkthyese në ushtrinë amerikane.  Pra të dashur bashkatdhetarë vazhdoi z.Dedushaj, ju siguroj se kjo punë nuk është e lehtë, është një punë e vështirë, por tejet e bukur, kur shikon që nxënësit mësojnë kulturën dhe traditat tona të mrekullueshme.  Ai faënderoi pëzemësisht themeluesit dhe mësuesit e shkollës Shqipe “Alba Life” që punojnë me aq përkushtim dhe devotshmëri. Në fund i dhuroi z. Qemal Zylo dhe librin e tij “Isha në Amerikë”.Pas përshendetjes se z.Dedushaj fjalën e ka marrë z.Qemal Zylo themelues dhe drejtor i Shkollës Shqipe “Alba Life” i cili iu ka uruar mësuesëve dhe nxënësve festën e shenjtë të 7 Marsit.  Ai ka falënderuar përzemersisht Ambasadoren Teuta Sahatqija, shtetin e Kosovës dhe gjithë personalitetet e Kosovës që kanë ardhur me një dashuri të pakufishme dhe që i kanë qëndruar pranë vazhdimisht shkollës Shqipe “Alba Life”.  Më duhet t’ju kujtoj se kohët e fundit pranë shkollës sonë në Staten Island vazhdoi z.Zylo ishte ministry i Disaporës z.Valon Murati.  Unë ju falënderoj në emër të gjithë stafit të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe ju siguroj se do të punojmë të pandalur në mësimin e Gjuhës Shqipe, për fëmijët në Diasporë, të cilët kanë nevojë me shumë se kurrë, pasi mijëra fëmijë nëpër botë po e humbasin Gjuhën Shqipe. Ai falënderoi ngrohtësisht të gjitha mësueset si Adelina Lacaj, Entela Muda, Vlera Selaj, Raimonda Hysolli, Blerta Gjevori, Ardita Vadahi si dhe bashkëpunëtorët e përkushtuar Eduard Dilo dhe Rovena Grishaj…

Të gjitha mësueseve iu dhuroi nga një buqetë me lule të freskëta në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për punën e tyre në mësimdhënie.  Një tufë me lule në emër të Bordit tëShkollës Shqipe “Alba Life” iu dhurua Ambasadores dhe Konsulles se Pergjithshme të Kosovës znj.Teuta Sahtaqija si dhe mësuesit veteran z.Rexhep Dedushaj.Kushdo atdhetar që ka hapur shkolla shqipe nëpër botë duket se ecin ne gjurmët e rilindasve çka të kujton kryerilindasin Naim Frasherin i cili ka shkruajtur:“Do punoj për mëmëdhenë, gjithë jetën sa të rroj, do t’i zgjoj edhe ata që flenë, kështu jetën ta mbaroj”.Pas një festimi të bukur të 7 marsit Ditës së Mësuesit, prindërit dhe gjyshërit nuk rreshtnin së falënderuari gjithë mësueset e Shkollës Shqipe “Alba Life”, për mundësinë që iu jepet fëmijëve të tyre për të mësuar shqip dhe për të qenë konfidentë në jetë duke dalë në një skenë shqiptare veshur kuq e zi me ngjyrat e Flamurit Kombëtar në zemër të Nju Jorkut.Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me kameraman Todd Watkins dhe inxh.audio sistem Ermal Hasanlliu, filmim që do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.

11 Mars, 2017

Brooklyn, New York

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Alba-Life, Keze Zylo, ne Koncertin, Teuta Sahatcija

Rusia po e tensionon Ballkanin

March 12, 2017 by dgreca

Zeri-ballina-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-JashariNga Arbesa Ibrahimi /*

 Kriza e thelluar në Ballkanin Perëndimor mund të eskalojë nëse Perëndimi nuk parandalon përpjekjet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin. Problematika ndëretnike, qeverisja e dobët, korrupsioni si dhe një prirje në rritje drejt autokratizmit të udhëheqësve politikë të rajonit janë duke i ndihmuar eskalimit të mundshëm të situatës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ballkanin perëndimor pritet ta përfshijë një krizë e madhe politike ndërkohë që Rusia ka aktivizuar motorët në shtrirjen e ndikimit të saj. Tensionet në Maqedoni, provokimet e Serbisë në Kosovë dhe lëvizjet e dyshimta në Mal të Zi japin sinjale të qarta për përpjekjet e Moskës që të kyçet në Ballkan. Serbia duke besuar në mbështetjen e Putinit, e cila tashmë ka nisur edhe furnizimin me armatim, i ka dhënë përkrahje Gruevskit, duke besuar që me të mund ta bëjë rianeksimin e kufijve të Bosnjës dhe të Kosovës.

Nga ana tjetër tashmë në Prokurorinë e Malit të zi po hetohet rasti i përfshirjes së shërbimeve ruse në planifikimin e puqit. Njohës të rrethanave politike në rajon alarmojnë se Ballkani me vetëdije po futet në një situatë e cila shumë shpejt mund të marrë përmasa fatale. Ndërkohë që, sipas tyre, forcat e politikave antishqiptare janë aktivizuar haptazi.

“Jo rastësisht Sputnik në një nga numrat e fundit kishte montuar një hartë të Ballkanit, duke marrë zjarr. Eskalimi është i mundshëm nëse në Serbi do të fitojnë terren forcat antiperëndimore, që do të ndikonin egërsisht pastaj në rajon”,  ka thënë për “Zërin” Ylli Pata, gazetar dhe njohës i proceseve politike në Shqipëri.

Pos interesit rus që ta shtrijë ndikimin në Ballkan, krizës i ka ndihmuar edhe problematika ndëretnike, qeverisjet e dobëta, korrupsioni si dhe një prirje në rritje drejt autokratizmit të udhëheqësve politikë të rajonit..

Ballkani, drejt krizës së thellë

Arjan Dyrmishi, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Tiranë, ka vlerësuar se situata në Ballkan është bërë më e brishtë kohët e fundit, porse kjo, sipas tij, është shtrirë edhe në tërë Evropën Lindore.

“Në rastin e Ballkanit, në mënyrë më specifike Ballkanit Perëndimor, kjo krizë është bërë më e ndjeshme pasi përveç faktorëve të mësipërm, në këtë rajon kanë ndikuar negativisht edhe marrëdhëniet problematike ndëretnike, qeverisja e dobët dhe korrupsioni, si dhe një prirje në rritje drejt autokratizmit të udhëheqësve politikë të rajonit, të cilët në vend të kontributit për zgjidhjen e këtyre problemeve kanë zgjedhur të përfitojnë politikisht prej tyre”, ka thënë Dyrmishi për “Zërin”.

Ai ka vlerësuar se gjasat që situata të përkeqësohet janë të mëdha dhe se përshkallëzimi mund të vijë si pasojë e thellimit të mëtejshëm të kontradiktave dhe problemeve nga vetë vendet e rajonit, nga ndikimi i aktorëve dhe faktorëve të jashtëm, përfshirë këtu krizën politike dhe atë institucionale në BE, politikën e jashtme akoma të paqartë të administratës së re në SHBA.

Rusia po e shtrin ndikimin në Ballkan

“Që nga ardhja në pushtet e Putinit si president i Rusisë, ky ndikim ka ardhur në rritje. Përveç ndikimit të madh në Serbi, atij në Bosnjë-Hezegovinë nëpërmjet Republikës Srpska, në Mal të Zi dhe në Kosovë nëpërmjet minoritetit pro-rus, së fundmi Rusia është duke përdorur me efikasitet krizën politike që ka mbërthyer në dy vjetët e fundit Maqedoninë për ta shtuar ndikimin e saj atje, duke vënë në pikëpyetje progresin e deritanishëm në procesin e anëtarësimit të këtij vendi në NATO”, ka shtuar Dyrmishi. Edhe Ylli Pata, gazetar dhe njohës i proceseve politike në Shqipëri, ka vlerësuar se situata në Ballkan është e rrezikshme për arsye se, sipas tij, Rusia po synon ndryshimin e ekuilibrave në Bosnjë. “Ish-presidenti serb, Boris Tadiq, me të drejtë 2 muaj përpara tha se situata në Ballkan është aq e rrezikshme si në vitet ’90-a. Kjo pasi ka një ofensivë ruse për t’i ndryshuar ekuilibrat në Bosnjë, ku marrja e Srebrenicës nga serbët me dhunë në zgjedhje ishte sinjali më i frikshëm. Kjo valë po vjen poshtë deri në zemrën e trevave shqiptare”, ka deklaruar ai.

Sipas Patës një gjë e tillë është duke u hasur nga të gjitha anët, në të gjitha shtetet e Ballkanit. Porse, konsideron se Maqedonia është më e rrezikshmja sa i përket eskalimit të situatës.

“Maqedonia është më e rrezikshmja, ku Gruevski po ndërmerr një eskalim të rrezikshëm për ta moslejuar një qeverisje demokratike duke ofruar një agjendë vetëm maqedonase”, ka shtuar ai.

Andaj, Pata ka konsideruar se tërë këto rrezikojnë të mblidhen dhe të shpërthejnë një ditë.

“Lëmshi po mblidhet dhe nëse ai lëmsh do të rrotullohet kah gremina rrezikon që të marrë zjarr dhe të djegë ç’ka para. Jo rastësisht Sputnik në një nga numrat e fundit kishte montuar një hartë të Ballkanit duke marrë zjarr. Eskalimi është i mundshëm nëse në Serbi do të fitojnë terren forcat antiperëndimore, që do të ndikonin egërsisht pastaj në rajon”, ka potencuar ai.

Ndërkaq, Bashkim Selmani, njohës i çështjeve të sigurisë në Maqedoni, njëherësh profesor në universitetin e Tetovës, ka vlerësuar se kohët e fundit po vërehen probleme të shumta në gjithë Ballkanin.

“Është fakt real që kohëve të fundit po vërehen probleme thuajse në të gjitha vendet e Gadishullit Ballkanik, nga njëra anë po jepen indikacione të disa shteteve në mënyrë të hapur, ndërsa në shtete të tjera në mënyrë të heshtur në këtë rast siç është Bullgaria dhe Greqia, por, të gjitha palët në Ballkan po bëjnë përpjekje për një komplikim të situatës së përgjithshme në Ballkan”, ka deklaruar ai në një prononcim për “Zërin”.

Sipas tij, aktualisht në Ballkan ekziston një situatë aq e brishtë sa që bën që edhe qytetarët të jenë të shqetësuar.

Selmani tutje ka thënë se Ballkani është futur në një situatë që nuk do të ishte aspak në interes të çështjes shqiptare.

Ai më tej ka konsideruar se pjesa e këtij gadishulli shumë shpejt mund të shkojë deri te përmasat fatale.

“Duke analizuar në këtë pikëpamje mund të shprehemi se Ballkani me vetëdije po futet në një situatë e cila shumë shpejt mund të marrë përmasa fatale në rast se Evropa nuk do të jetë më energjike ndaj këtyre politikave antishqiptare që po përmbys gjithçka që është arritur në Ballkan”, ka theksuar Selmani.

Ndërkohë, ka konsideruar se Rusia tashmë është bërë jo vetëm kërcënim për Ballkanin, por edhe për të gjithë njerëzimin.

Ramadani: Ballkani Perëndimor i është kthyer gjuhës së urrejtjes

Eksperti i sigurisë në Kosovë, Burim Ramadani, ka vlerësuar se Ballkani tashmë i është kthyer gjuhës së urrejtjes.

“Ballkani Perëndimor i është rikthyer gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike dhe midis popujve. Kjo është krejtësisht e qartë, duke u bazuar në rikthimin e retorikës politike të ashpër, agresive të elitave politike në vende të ndryshme në Ballkan”, ka deklaruar ai.

Sipas Ramadanit, kjo është paraprirë nga ringjallja direkte e ambicieve të Serbisë për pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje, duke përfshirë këtu Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën, por pa përjashtuar edhe Maqedoninë dhe Malin e Zi. Kurse hyrja e Malit të Zi në NATO për Serbinë dhe Rusinë, sipas tij, është një goditje jashtëzakonisht e fuqishme mbi planet dhe mbi idetë e tyre territoriale.

Ramadani më tej ka konsideruar se gjasat që Ballkani të përfshihet në konflikt janë të pakta, porse, sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që gjendja të keqësohet më tej.

“Mundësitë që Ballkani të përfshihet sërish në konflikte të armatosura janë të pakta, porse ekzistojnë mundësitë që të ketë incidente të cilat mund ta përkeqësojnë situatën”, ka shtuar ai.

Kurse, ka thënë se roli dhe ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor është rikthyer si një pengesë serioze në raporte të vendeve të Ballkanit me BE-në dhe NATO-n.

Mehmeti: Destabilizimi i raporteve BE-SHBA e ka thelluar krizën në rajon

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike në Maqedoni, Ibrahim Mehmeti, ka vlerësuar se destabilizimi i marrëdhënieve ndërmjet BE-së e SHBA-së e ka thelluar krizën në rajon.

“Ajo që posaçërisht e rëndon krizën aktuale politike në rajon është destabilizimi i raporteve ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, gjë që ia hapi rrugën Rusisë e cila në çdo mënyrë e shfrytëzon situatën e krijuar për t’i realizuar planet e veta për pengimin e proceseve eurointegruese të shteteve ballkanike, por edhe për instalimin e strukturave lojale ndaj qëllimeve të këtilla”, ka deklaruar ai.

Por megjithëkëtë, Mehmeti është shprehur optimist se SHBA-ja e BE-ja do ta gjejnë një zgjidhje.

“Unë megjithatë shpresoj se fuqitë e mëdha, SHBA-ja dhe BE-ja do të gjejnë mënyrë për ta ruajtur atë që është arritur në demokratizimin e shteteve të rajonit dhe se do të gjendet mënyra që këto shtete të integrohen në BE, me çka do të parandalohet kthimi prapa i cili do të kishte pasoja shkatërruese për të gjithë rajonin”, ka shtuar Mehmeti.

Kurse, ka vlerësuar se Rusia është faktori kryesor i tërë këtij ngërthimi.

Rugova: Rreziku më i madh i kanoset Maqedonisë

Gazetari Arben Rugova ka vlerësuar se Ballkani vazhdon të mbetet një shesh lojërash për rivalitet ndërmjet disa fuqive të mëdha rajonale e botërore.

Sipas tij, kriza financiare, emigracioni i pakontrollueshëm dhe dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian e kanë larguar vëmendjen e Brukselit zyrtar nga kjo pjesë e Evropës.

E kjo, sipas tij, u ka dhënë mundësi Rusisë e Turqisë për rivendosjen e interesave të tyre në këtë pjesë.

“Ky vakum, i cili është krijuar edhe për shkak të zbehjes së ndikimit amerikan në rajon pas pavarësimit të Kosovës, i ka dhënë Rusisë, e deri diku edhe Turqisë, hapësirë ndikimi dhe mundësi për t’i rivendosur interesat e veta përmes lidhjeve historike e fetare. Ky ndikim lindor ka ringjallur ultranacionalizmin serb, por edhe ekstremizmin fetar, gjë që e ka rikthyer Ballkanin në një vullkan aktiv ku shpërthimi i llavës është i paparashikueshëm”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, duke marrë parasysh rrethanat aktuale, ai ka thënë se situata në Ballkan mund të eskalojë.

“Po, derisa vazhdon dobësimi i Bashkimit Evropian, derisa administrata e presidentit Trump vazhdon ta lërë Ballkanin në duar të burokratëve të Brukselit, ashtu sikurse bëri Presidenti Obama, sidomos në mandatin e dytë të tij, Serbia me mbështetjen e Rusisë do të vazhdojë të nxisë konflikte të reja në Ballkan, me shpresë që në një të ardhme, jo shumë të largët, t’i rivendosë kufijtë e Serbisë së Madhe”, ka shtuar Rugova.

Ndërkohë, ka vlerësuar se rreziku më i madh aktualisht i kanoset Maqedonisë, për shkak të bazës së brishtë që ka si shtet dhe tensioneve të vazhdueshme ndëretnike brenda tij. Por, sipas tij, tensionim të situatës mund të ketë edhe në shtete të tjera, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali të Zi dhe Kosovë.

Hyda: Situata e shqiptarëve në Ballkan, e brishtë si asnjëherë tjetër

Kurse, Hajredin Hyda, pjesë e PD-së në asamblenë komunale të Bujanocit, njohës i zhvillimeve politike atje, ka vlerësuar se situata e shqiptarëve në Ballkan është e brishtë si kurrë më parë.

“Asnjëherë më parë situata e shqiptarëve në Ballkan nuk ka qenë më e brishtë. Arsyet janë shumëdimensionale, por kryesorja është se ne si popull nuk kemi arritur ta menaxhojmë mirë këtë periudhë të tranzicionit, qoftë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni apo në Luginë të Preshevës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkaq, sipas Hydës, rreziku për eskalim të situatës ekziston, mirëpo jo në nivel aq të lartë, sa në vitet e ’90-ta.

“Përkundër alarmimit nga të gjitha instancat për mundësinë e eskalimit të krizës, edhe pse ekziston rreziku potencial i ndonjë konflikti, për dallim nga vitet e ’90-ta kur edhe popullata serbe si gjeneratore e këtij konflikti ishte e favorshme për luftë, tash kur njerëzit ende i kanë të freskëta tmerret e luftës, tash ata janë kategorikë kundër dhe me probabilitetin e një konflikti eventual më shumë manipulojnë kastat politike, për ta larguar vëmendjen nga problemet reale, si papunësia, korrupsioni, nepotizmi, mosperspektiva, ikja nga vendlindja e të rinjve”, është shprehur Hyda.

Rusia po e shtrin ndikimin në Ballkan

Arjan Dyrmishi, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Tiranë, ka vlerësuar se situata në Ballkan është bërë më e brishtë kohët e fundit, porse kjo, sipas tij, është shtrirë edhe në tërë Evropën Lindore, shkruan

“Në rastin e Ballkanit, në mënyrë më specifike Ballkanit Perëndimor, kjo krizë është bërë më e ndjeshme pasi përveç faktorëve të mësipërm, në këtë rajon kanë ndikuar negativisht edhe marrëdhëniet problematike ndëretnike, qeverisja e dobët dhe korrupsioni, si dhe një prirje në rritje drejt autokratizmit të udhëheqësve politikë të rajonit, të cilët në vend të kontributit për zgjidhjen e këtyre problemeve kanë zgjedhur të përfitojnë politikisht prej tyre”, ka thënë Dyrmishi për “Zërin”.

Ai ka vlerësuar se gjasat që situata të përkeqësohet janë të mëdha dhe se përshkallëzimi mund të vijë si pasojë e thellimit të mëtejshëm të kontradiktave dhe problemeve nga vetë vendet e rajonit, nga ndikimi i aktorëve dhe faktorëve të jashtëm, përfshirë këtu krizën politike dhe atë institucionale në BE, politikën e jashtme akoma të paqartë të administratës së re në SHBA.

“Që nga ardhja në pushtet e Putinit si president i Rusisë, ky ndikim ka ardhur në rritje. Përveç ndikimit të madh në Serbi, atij në Bosnjë-Hezegovinë nëpërmjet Republikës Srpska, në Mal të Zi dhe në Kosovë nëpërmjet minoritetit pro-rus, së fundmi Rusia është duke përdorur me efikasitet krizën politike që ka mbërthyer në dy vjetët e fundit Maqedoninë për ta shtuar ndikimin e saj atje, duke vënë në pikëpyetje progresin e deritanishëm në procesin e anëtarësimit të këtij vendi në NATO”, ka shtuar Dyrmishi. Edhe Ylli Pata, gazetar dhe njohës i proceseve politike në Shqipëri, ka vlerësuar se situata në Ballkan është e rrezikshme për arsye se, sipas tij, Rusia po synon ndryshimin e ekuilibrave në Bosnjë. “Ish-presidenti serb, Boris Tadiq, me të drejtë 2 muaj përpara tha se situata në Ballkan është aq e rrezikshme si në vitet ’90-a. Kjo pasi ka një ofensivë ruse për t’i ndryshuar ekuilibrat në Bosnjë, ku marrja e Srebrenicës nga serbët me dhunë në zgjedhje ishte sinjali më i frikshëm. Kjo valë po vjen poshtë deri në zemrën e trevave shqiptare”, ka deklaruar ai.

Sipas Patës një gjë e tillë është duke u hasur nga të gjitha anët, në të gjitha shtetet e Ballkanit. Porse, konsideron se Maqedonia është më e rrezikshmja sa i përket eskalimit të situatës.

“Maqedonia është më e rrezikshmja, ku Gruevski po ndërmerr një eskalim të rrezikshëm për ta moslejuar një qeverisje demokratike duke ofruar një agjendë vetëm maqedonase”, ka shtuar ai.

Andaj, Pata ka konsideruar se tërë këto rrezikojnë të mblidhen dhe të shpërthejnë një ditë.

“Lëmshi po mblidhet dhe nëse ai lëmsh do të rrotullohet kah gremina rrezikon që të marrë zjarr dhe të djegë ç’ka para. Jo rastësisht Sputnik në një nga numrat e fundit kishte montuar një hartë të Ballkanit duke marrë zjarr. Eskalimi është i mundshëm nëse në Serbi do të fitojnë terren forcat antiperëndimore, që do të ndikonin egërsisht pastaj në rajon”, ka potencuar ai.

Ndërkaq, Bashkim Selmani, njohës i çështjeve të sigurisë në Maqedoni, njëherësh profesor në universitetin e Tetovës, ka vlerësuar se kohët e fundit po vërehen probleme të shumta në gjithë Ballkanin, shkruan “Zeri.info”.

“Është fakt real që kohëve të fundit po vërehen probleme thuajse në të gjitha vendet e Gadishullit Ballkanik, nga njëra anë po jepen indikacione të disa shteteve në mënyrë të hapur, ndërsa në shtete të tjera në mënyrë të heshtur në këtë rast siç është Bullgaria dhe Greqia, por, të gjitha palët në Ballkan po bëjnë përpjekje për një komplikim të situatës së përgjithshme në Ballkan”, ka deklaruar ai në një prononcim për “Zërin”.

Sipas tij, aktualisht në Ballkan ekziston një situatë aq e brishtë sa që bën që edhe qytetarët të jenë të shqetësuar.

Selmani tutje ka thënë se Ballkani është futur në një situatë që nuk do të ishte aspak në interes të çështjes shqiptare.

Ai më tej ka konsideruar se pjesa e këtij gadishulli shumë shpejt mund të shkojë deri te përmasat fatale.

“Duke analizuar në këtë pikëpamje mund të shprehemi se Ballkani me vetëdije po futet në një situatë e cila shumë shpejt mund të marrë përmasa fatale në rast se Evropa nuk do të jetë më energjike ndaj këtyre politikave antishqiptare që po përmbys gjithçka që është arritur në Ballkan”, ka theksuar Selmani.

Ndërkohë, ka konsideruar se Rusia tashmë është bërë jo vetëm kërcënim për Ballkanin, por edhe për të gjithë njerëzimin./Kortezi: Zeri/.

Filed Under: Analiza Tagged With: ballkanin, Rusia po e tensionon, Zeri

LARG ATYNE QË FLASIN SI UNË

March 12, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI:  U BANE  25  VJET…/

200px-Martin_Camaj

MARTIN  CAMAJ  (21 KORRIK 1925 – 12 MARS 1992)/

  LARG ATYNE QË FLASIN SI UNË/

Fishkllim ere ndër shelqe të ngrime/

me ujna prrojesh/

veshtoj, te zanafillja, truemje/

se si i falen dreqit shpirt e korp,/

bé të forta/

mbi gúr qiell e dhé./

Jam larg atyne që flasin si unë/

sa hana që bie prej rrezje në rreze

e pi qumësht n’ vedra lanun jashtë

për me vu mazë.

Hutini i shkambit n’ agim

dhe guri n’ ujë përpijnë tingullin

e kuvendit të keq: n’ agim

njeriu bekon diellin si unë!

Shenim nga F. RADOVANI: Asht marrë nga Libri  M. CAMAJ “Poezi”, 1991, fq. 90. Münchem.

Melbourne, 12 Mars 2017.

****

SHKURT-JETA-VEPRA

Martini lindi në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik1927 në vendin e quajtur Telumë. I biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ama ishte nga Prekali, lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi[2]. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegjë. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtësdhe në gushtqe i detyruar me jetue në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2[0] korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane[1]. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç. Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

Po atë vit, duke parë shëndetin në rënje të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë. I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe profesorëve të vjetër të kolegjit jezuit P. Luigi Rosa dhe P. Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, si dhe Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera ne Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti. Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave si dhe gjuhë e let. shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione nga Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971 nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi. Gjatë periudhës së studimeve Camaj iu perkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren ne fshatrat e ngulimeve arbereshe. Qysh më 1959 Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i 1960. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhen shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

Në dhjetorin e 1960s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD (= Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Univ. Ludwig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.

Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj mbështetet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordon një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më dt. 21 janar 1965 me venia legendi në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën me qenë Privatdozent – përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961/’62. E shoqja, Nina, e cila jepte gjuhë ruse në “Bocconi” të Milanos si asistente në v.akademik 1961/’62 shkon pranë Martinit më 1962 ku ajo do të punojë për pak vite pranë “München American Elementary School” si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964 Nina hyn në Urdhnin e Tretë Françeskan duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987[3].

Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emerituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

 

VEPRA

Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer. Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: LARG ATYNE, Martin Camaj, QË FLASIN SI UNË

DEMONSTRATA E VITIT 1981 NE LYPJAN ME RRETHINE

March 12, 2017 by dgreca

Demonstratat e vitit 1981, si lavë vullkani përfshinë të gjitha vendbanimet shqiptare në Kosovë. Ky ortek  nisi lëkundjen e zhbërjes së ish-Jugaosllavisë dhe zgjidhjes së çështjes  së Kosovës Në këto Demonstrata drejtpërdrejt, apo tërthorazi të motivuar nga vetëdija e ndërgjegjës së natyrshme e në kërkim të lirisë, u përfshinë të gjitha mjediset, grupmoshat, gjinitë e nivelet e shqiptarëve. Ishin, e janë edhe sot, të paqëndrueshme propagandat shpifëse, injoruese e delirante, se këto ngjarje ishin të herëshme dhe të nxitura nga nëntoka sërbe dhe KBG-ja/
1 Ismail Gashi-Sllovi
NGA Ismail Gashi-Sllovia/Në vargonin e kërkesave të natyrshme kombëtare politike e historike shqiptare në Kosovë, “Pranvera e madhe kosovare 1981”, është orteku më i fuqishëm dhe fillimi i fundit që lëkundi fortesën e okupimit shekullor serbë, filloi korigjimin e padrejtësisë historike shqiptare. Jo vetëm ndryshoi, por edhe filloi shembjen e ndërtimit të padrejt të shtetit të sajuar Jugosllav, ndryshoi edhe moralin e palogjikshëm të shtresimeve politike brenda vet shqiptarëve në Kosovën e asaj kohe. Ky vargon rrënoi padrejtësinë e gjitha botëkuptimeve të robërisë sllave-komuniste dhe padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve në veçanti. Demonstratat e Pranveres 1981, nuk ishin as spontane e as të parakohëshme. Ato ishin strategji e vazhdimësisë së natyrshme të kërkesave shqiptare. Ishin në kohën e nivelin e duhur, dhe arritën efektet e synuara politike e kombëtare. Masivizimi dhe shtrirja e këtyre ngjarjeve, për kohën e rrethanat shoqërore ekzistuese, befasuan parashikimet e politikës, jo vetëm në ish-Jugosllavinë e atëhershme, e cila trumbetonte se në Kosovë, pas plotësimit të disa nga kërkesat politike shqiptare të 1968, për shumë kohë nuk do të ketë trazira shqiptare me kërkesa politike e kombëtare. Sepse, Kosova kishte përfituar autorizime “gadi sikur republikat”, një parashikim të tillë, fatkeqësisht e kishte edhe politika ndërkombëtare.
Ndjenjat kombëtare shqiptarët gjatë i mbajtën si zharavë të fjetur, ato u shprushën pas vitit 1966. Morën rritë e lëshuan shtat në 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Formësim të veçantë shpirtëror morën me hyerjen  e literaturës kombëtare historike, letrare, skenike e muzikore në Kosovë, dhe me Konsultën për Njësimin e Gjuhës Letrare Kombëtare Shqipe 1968. Shumë pozitivisht ndikuan ardhje-vajtjet e profesorëve nga Tirana në Universitetin e Prishtinës. Studentët organizatorë të Demonstratave të 1968, ato vite ishin kuadro që drejtonin gjithë sistemin e pushtetit shpirtëror e material shqiptarë në Kosovë. Ata drejtonin entet dhe institucionet e arsimit e kulturës,  dhe ndërmarrjet ekonomike. Të gjitha pakënaqësi shqiptare u shprehen me veprimet e Grupit të Kamenicës, të prir nga Bacë Adem Demaçi, më 1975. Në vitin 1976 Metush Krasniqi, në reagim të denimit të 35 atdhetarëve në krye me Adem Demaçin, themelon dhe vihet në krye të Organizatës “Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” LNÇKVSHJ. Organizatë që shtriu veprimin  atdhetar, si në shumë mjdise shqiptare, edhe në trevën e Lypjanit. Metushi Krasniqi, prietari I kësaj Lëvizjeje, falë konspiracionit të shokëve, me veprimet e tij politike arriti të hap rrugën Demonstratave të 1981, më 1979 nuk u   zbulua dhe i shpëtoi arrestimit
Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi“ (LNÇKVSHJ). Kjo Lëvizje gjeti shtrije ne gjitha trevat shqiptare në Kosove dhe jashtë saj.
Komitetin Qarkor të kësaj Levizjeje u formuar në fillim të vitit 1979 në Lypjan. Kjo erdhi kështu duke u mbështetur në bashkëveprimin e Isa Demaj, Avdi Kelmendit me Shefqet Jashrin, Sabri  Novosellën, Ramadan Pllanen. Në komunën e Lypjanit që nga viti  1975 ishte punuar  vazhdimisht, sidomos me shkollarët e mesëm në Lypjan, në drejtim të verpimtarisë kombëtare. Prandaj, ky vit rinin shkollore e studentore, bashkë me mësimdhënësit e Qendrës Shkollore në Lypjan, pavarësisht rrezikut e sacrifices, i gjeti të përgatitur për veprimtari atdhetare. Kështu në këtë trevë komunale kishte një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Lëvizjes. Komiteti Qarkor i Lypjanit veproi shumirë në shtrirjen e Levizjes, jo vetëm në Lypjan me rrethinë, por edhe në trevën komunale të Ferizajit e gjetiu. Komiteti Qarkor në Lypjan kishte anëtarë të devotshëm, të cilët edhe më herët kishin dhënë prova e dëshmi, se janë të gatshëm për verpim konkret, si, Ismail Gashi, Beqir Lecaj Qemail Aliu, Banush Bytyqi, Vëllëzërit Adburrahman e Rabit Konjufca. Por, Qarkori kishte organizuar mirë dhe me kohë edhe celulat e veta me veprimtarë të shumët: Agim Ademin, Ali Zejnullahun, Aziz Hyseni, Muhamet Ademin, Refik Ymeri, Ali Ymeri. Isuf Kelmendi, Ekrem Llugiqi, Ilaz Zeqiri e shumë të tjerë, që kryenin aktivitet të
dendur në qelulat e tyre në këto hapësira. Komiteti Qarkor i Lypjanit, rinia atdhetare e kësaj hapësire shqiptare, u dëshmua natyrshëm, veprimtarinë e saj atdhetare që pati Jehonë të veçantë në ngjarjet e 1979, vizitës së fundit të titos në Kosovë, për të cilat  politika sllave,  nga shumë mjedise të Kosovës, denoi mbi 400 shqiptarë, në këto arrestime e burgosje u kapën dhe u denuan, me burgim kundërvajtës e me burgim hetues me kohëzgjatjeje me të gjatë, shumë veprimtarë lypjanas, ndërsa Isa Demaj e Avdi Kelmendi, në maj të 1980, u denuan dhe vuajtën nga katër vjet burg të rëndë. Treva e Lypjani në ngjarjet e 1979 ishte një epiqendër organizimit demonstruese kundër vizitës së titos në Kosovë. Kjo trevë shqiptare lozi rol të veçantë politik e organizativ në ato ngjarje të mëdha kombëtare.  Veprime dhe organizime politike të cilat, pas grupit të veprimtarëve atdhetarë të 1962, që ishin inicuar nga Ismail Gollakut, Ibrahim Kozhanit, Kamer Sylejmanit dhe Hivzi Lecajt, të cilët kishin formuar “Organizatën Nacionale” për veprime konkrete e zgjerim me anëtarë të ilegale dhe nën flamurin kombëtar kishin mbajtur mbledhjet e tyre në Topliqan, Ribar e Prishtinë. Organet e sigurimit më 1962 arrstuan dhe më 1963 i denuan këta veprimtarë nga 7 deri një vjet burg. Që nga ai vit, këtu në Lypjan, gjatë kishte dominuar një heshtje e thellë e pajtushmërisë politike me okupuesin, Ky shpëthim i vrullshëm veprimesh më 1979 i shqetësoi shumë organet e sigurimit të shtetit, sa hetuesit e verbër, edhe në hetuesi veprimtarëve tanë nga kjo trevë ju thanë hapur. Nuk kemi pritur në Lypjan veprime të tilla. Por, prej se keni ardhur, ju arsimtarët Isa Demaj, Avdi Kelmendi, Ismail Gashi e Beqir Lecaj, e keni trazuar krejt situatën, e keni indoktrinuar, jo vetëm rinin shkollore e studentore, por edhe masën shqiptare në tërë hapësirën komunale të Lypjanit. Komiteti i Qarkut të LNCKVSHJ i formuar në Lypjan në janar të vitit 1979, praktikisht prishi heshtjen e gjatë të kërkesave shqiptare, ngriten vetdijen kombëtare të rinisë shkollore, studentore e intelektuale, Shpirterisht e kombëtarisht e praktikisht përgatitën Pranverën e Madhe të 1981. 1979. Këto ngjarje në trevën e Lypjanit thyen epërsinë politike e shtetërore, që kishte dominuar gjatë, të faktorit serbë në këtë hapësirë shqiptare.
Sot e 35 vjet më parë, Demonstratat vitit 1981, këtu në Lypjan, të motivuar nga vlimet e 11 marsit, 1, 2 e 3 Prillit në Kosovë, të ndihmuara nga arsimtarët atdhetarë, nga studentët dhe rinia intelektuale e kësaj treve, mbi tremijë nxënësit e Qendrës së Mesme Shkollore dhe rini studentore të Lypjanit, me kërkesa politike e kombëtare, për disa orë demonstruan deri në qendër e qytetit. Demonastratat e 2 prill e 21 maj 1981, këtu shqetësuan qeverinë lokale  e cila ndërmori masa të egra policore, arrestoi dhjetra të rinjë dhe dhjetra të tjerë i torturoi fizikisht në stacion policor dhe nëpër rrugët e qyteti. Kishte edhe shkrepje armësh nga disa serb lokal. Nga të arretuarit Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 6 gusht 1981, 10 nga demonstruesit Lypjanas i denoi me 65 vjet burg.  Edhe pse, këta të rinj nuk kishin vepruar ndaras, policia serbe për ti denuar më lehtë, sajoi dhe i ndau në tri grupe. Në Grupin i parë Organizatorët Demonstratave”Isa Boletini” të 21 maj 1981, ku denoi me vite burg të rëndë këta të rinj: Remzi Lushi me 8 vjet burg, Halil Ismaili e Sabri Lushi poashtu me 8 vjet, Bislim Ahmeti me 7 vjet, Milaim Dervisholli me 4 vjet dhe Xhemail Aliu me një vit burg. Për Grup të Dytë, u moren dhe u denuan organizatorët e demonstratave të 2 Prillit 1981: Nysret Reçica e Agim Blaca, tash i ndjer, me nga 6 vjet burg të rëndë, dhe Ibrahim Krasniqi me 6 vjet, i cili pas turturave barbare, pas një viti,  ndërroi jetë më 16 qershor 1982 në CZ të Beogradit, për vdekjen apo mbytjen e Tij policia dhe organet zyrtare serbe, prindërve ju thanë se vdiq nga vdekja e natyrshme, pa dhanë asnjë sqarim të vdekjes nga turtura. Ndërsa si grup i tretë u morën, Remzi Fazliu me 5 vjet burg të rëndë, të cilin e denuan për shkrimin e parullave me 2 e 24 prill 1981 në hapësirat mësimore të QAMO-së në Lypjan. Për Demonstratat në Lypjan, për vepër penale, organet e sigurimit e turturan shumë fizikisht e psiqikisht e denuanedhe Ismail Bahtiri me 5 vjet burg të rëndë. 
 Me denime kundërvajtëse për Demonstratat e 1981, nga kjo trevë komunale u denuan 76 shqiptarë. Kurse, me vepër penale për organizim e pjesmarrje aktive në demonatsrata u denuan 17 të rinj. Qindra të rinj nga kjo hapësirë shqiptare u trajtuan nga organet policore. Gjatë sundimit titist nga kjo hapësirë shqiptare me vepër penale u denuan 58 atdhetarë shqiptarë.
Në vazhdën e Demonatratave të 1981, u denuan shumë të rinj studentë e rini intelektuale, lypjanas që ishin angazhuar në kohë, vende e grupet të ndryshme të Kosovës, si : Ramë Buja, Fitim Selimi, Shemsi Reçica, Sherif Konjufca, Elmi Retkoceri, Abedin Hazrollaj, Ahmet Qiriqi, Agush Buja e të tjerë. Disa të rinj nga kjo trevë, u gjetën në grupet e veprimtarëve që u denuan në APJ, si, Rrahman Olluri, Refik Ymeri, Fehmi Metaj, Fatmir Ahmeti, Miftar Ahmeti, Afrim Shala e Aziz Kelmendi, i njohur që nga Grupi i të Rinjve Shqiptarë që me 2 prill 1982 në Lypjan tentuan të organizojë shenimin e përvjetorin të Demonstratave më 1981, Azizi u vra në kazermën e Paraqinit më 1987. Nga ky mjedis u trajtuan me burg izolimi disa shkollarë të rinj, si Shemsi Reçica, Ismail Gashi e Isa Bahtiri.
Ky vit i lavdishëm përkundër sakrificës na bashkoi e na bëri të qendrueshëm për veprime konkrete drejt çlirimit kombëtar. Në vazhdimësi të proceseve në Kosovë u hapën proceset demokratike. U ndërkombëtarizua pozita e rëndë dhe rrezikimi e qenies sonë kombëtare. Hapëm rrugë të zgjidhjes demokratike të problemit pa dhunë e konflikte. Dhe në fund. Gjenerata e 1981, që bëri ndarjen shpirtërore, me formimin e UÇK, filloi edhe ndarjen fizike nga okupimi. Veprimtarët nga treva e Lypjanit,  u rreshtuan në rradhët e Luftëtarëve të Lirisë, në gjitha nivelet e njësive ushtarake të saj, morën detyra drejtuese e komanduese  ushtarake, si Dr Fitim Selimi për sherbimit mjekësore,  dhe komandues në njësit ushtarake, si Heset Sahiti me nofkën, Komandant Bardhi e të tjerë. Gjenaral Major. Shukri Buja, Gazetari ishte Komandant i Zonës së Nerodimes, e Ramë Buja, antarë të SHP të UÇK-së. Praktikisht krijuan filozofi të re për çlirim dhe shpejt fitoi simpatinë e subjektit politikë e ushtarak ndërkombëtar NATO-s, arriti të krijojë mrekullinë monumentale. Shpëtimin e katastrofës njerëzore nga aparthejdi, gjenocidi e pastrimi etnik serb në Kosovë. Dëbojë dhunën barbare serbe nga trojet shqiptare të Kosovës. Sigurojë qetësi e jetë normale për të gjithë njerëzit në këtë tokë të djegur. Siguroi mjedis të shëndosh për formimin e institucioneve demokratike për këtë popull të ndjekur. Pranvera e madhe 1981, sot e tre vjet, pas shpalljes së pavarësisë së Republikes së Kosovës, shërben datë e përvjetor të madh. I shërben kujtesës sonë pozitive historike. Përkundër, si në “motin e madh” të 1981, edhe tash, Kërkohet të jemi të përbashkuar  për çështjen kombëtare. Gjithmonë, në çdo kohë e rrethanë, të jemi të përgjegjëshëm për ndërtimin e shtetit, me disiplinë e civilizim të lart demokratik.  Në të kundërtën, do të na fajësojnë breznitë. Dhe, të ndëshkohemi pafalshëm për moskonsolidimin tonë kombëtar në momentin vendimtar të historisë.
Gjithmonë t’i kujtojme me nderim gjithë veteranët e veprimtarisë atdhetare, organizatorët e pjesëmarrësve të Demonstratave 1981 e 1968. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të lirisë. Nderim luftëtareve të Lirisë.

Filed Under: Histori Tagged With: DEMONSTRATA E VITIT 1981, Ismail Gashi-Sllovia, NE LYPJAN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT