• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Vjedh për vete dhe vjedh për parti?!

March 6, 2017 by dgreca

  • Është iluzore të mëndohet së kjo qeveri ka mundësi që mos të lejon mbajtën e zgjedhjeve presidenciale këtë vit  të Serbisë  edhe në territorin e Kosovës. Lejimi i mbajtjës të zgjedhjeve serbe  do ishte ndërhyrja më  flagrante  karshi  sovranitetit të Kosovës…/

Koment nga Skënder MULLIQI/ Si po shihet nga puna e mbrapsht kjo kastë politike moti e ka merituar pensionimin . Ka një mijë arye pse këta njerëz  në pushtet do të duhej të largohen nga skena politike të cilën e kan kontaminuar.Po ti shikosh ata të cilët gjenden në krye të shtetit dhe të  të partive kryesore politike më ndonjë përjashtim  shumëca meritojnë tu lëshojnë vendin forcave të reja creative politike. Aq shumë e kan bërë bërllog punën e pushtetit së vërtetë nuk ia vlen më të flitët dhe të  diskutohet për ta. Thotë një fjalë e popullit “po të hysh në basin e qenëve nuk din të dalësh.”Kështu po të fillosh diskumtimin për këtë kastë politike  nuk mund të dalësh lehtë duke ua numëruar të keqijat. Edhe partitë politike më të njëtat  struktura kan kalur tashmë  në monotoni .Nuk kemi qka të presim më shumë nga këta lidër të partive politike të cilët në politike kan hy veq së kan qenë aty afër ose në emer të do  meritave të cilat  nuk kan lidhje më profesionin e politikëbërjës. Meritat janë diqka tjeter tek e fundit, e dija dhe zotësia e të bërit politikë është krejt e domenit tjetër. Të ngritësh në hiearkinë më të lartë të shtetit më një gjysëm kualifikim ose kushedi qfarë kualifikimi  nuk është e mjaftueshme. Dihet së çfarë shteti kemi në ato vende ku sundojnë strukturat gjysem analafabete ose analfabetet potencial .Partitë politike në Kosovë kan hyrë në fazën ku pak kush  po dëshiron të punojë për të mirën e qytetarëve të lodhur në skam dhe mjerim social.Kan mbetur vetëm aktivista partiakë .Disa kan depërtuar në pushtet më biografi kriminale dhe më biografi edhe të dyshimtë kombëtare . Dhe , mu për atë edhe I kemi punet keq në mbarë sistemin .Na janë bërë ministra dhe deputet ata të cilët nuk meritojnë poste as të rangut mesatar  . Është dëm dhe mëkat i madh që të kemi struktura politike keq mjerane në një shtet I cili është I pasur më resurse natyrore dhe begati tjera.Gjithësesi është bërë e ditur tashmë së është në pyetje faktori njeri. Thjesht nuk po dinë të punojnë , dhe nuk po i lënë të inkuadrohen as ekspertët e lëmive të ndryshme të cilët nuk na mungojnë . Mos të flasim për arsimin dhe shëndetësin ku janë grumbulluar aq shumë problemet. Po bëhët një seleksionim negativ i kuadrove sa nuk bënë më keq.Nuk mund të vijnë kurrë në rënd  të ditës meritorët  të cilët do të bënin shumë më shumë  .Shumica sot pyesin qka po bëjnë në politike këta yryshnik  të cilët  po vjedhin dhe po e plaqkisin në pakufi pronen shoqërore? Nuk po zgjedhin metoda dhe mjete për të ardhur deri të përfitimet përsonale .Mos selektimi pozitiv po bëhët për qëllime të krimit dhe të korrupcionit .Njerëzit  pa kurrfarë morali politikë dhe pa asnjë referencë po vijnë në vende  udhëheqëse. Zotëri të ndëruar në pushtet që po i bëni këto marifete të ndyta , nuk është njejtë  së kush  do  të jetë  në funksione të larta shtetërore , së kush do të jetë  minister , deputet apo në ndonjë postë tjetër të lartë .Për të udhëhequr sistemet  nuk është punë e thjeshtë dhe nuk është as punë e vogël. Mu për ate  në pushtet duhet ti kemi  njerëzit  më të mirë të mundshem.Kosova në BE dhe në NATO nuk ka mundësi të hynë më struktura të degraduara politike.Këto struktura kan mundësuar që të kemi edhe ndërhyrje  të shpeshta dhe brutale të Serbisë në punët e mbredshme te Kosovës.Madje politika e Beogradit  zyrtar po ndikon në politikën zyrtare të Prishtinës. Po ndikon së I kemi njerëzit më  shpirt shitur në pushtet, dhe i kemi në vende kyqe te sistemit mbeturinat e ish sistemit të Jugosllavisë.Mos njohja e shtetit  të Kosovës nga ana e Serbisë po ia bënë më të lehtë asaj që ta  destabilizon vendin. Kjo garniture  politike në pushtet nuk janë të zotët që ti kundervihen  politikës destructive të Beogradit, Nuk mund ti kundëvihen ose nuk e kan   kapacitetin dhe  as nuk e kan  deshirën ti kundërvihen forcave qetnike të Sheshelit, Nikolit dhe Vuqiqit. Duhet të kemi politikanë krejt të tjetër që ti kundërvehemi ashtu si na ka hije politikës  ekspansioniste të Serbisë.Me ata që përditë  abuzojnë më të mirat materjale , me ata që janë të inkriminuar në krim dhe korrupcion nuk mund të kemi politika të mira dhe largpamëse. Është iluzore të mëndohet së kjo qeveri ka mundësi që mos të lejon mbajtën e zgjedhjeve presidenciale këtë vit  të Serbisë  edhe në territorin e Kosovës. Lejimi i mbajtjës të zgjedhjeve serbe  do ishte ndërhyrja më  flagrante  karshi  sovranitetit të Kosovës…

Filed Under: Komente Tagged With: dhe vjedh për parti?!, Skender Mulliqi, Vjedhë për vete

Epopeja e UÇK, homazhe dhe akademi përkujtimore

March 6, 2017 by dgreca

1 Perulet Thaci-Thaçi: Rrugët e Prekazit janë rrugët e lavdisë dhe heronjtë do të jetojnë përjetësisht në zemrat tona/2 UCK Mustafa

-Mustafa: Jemi së bashku me kabinetin qeveritar për të bërë nderime tek heronjtë e familjes Jashari/1UCK Veseli-Veseli: Komandanti Legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë heronjtë e tjerë, janë garancia më e madhe e shtetit të Kosovës/

PRISHTINË, 6 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot po bëhen homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, si dhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në komunat e vendit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe  ditën e djeshme, ndësa sot bënë edhe drejtues të tjerë institucionalë e politikë.

“Në nderim të sakrificës madhore të familjes Jashari, sot bëra homazhe te varrezat e tyre në Prekaz.Rrugët e Prekazit janë rrugët e lavdisë dhe heronjtë do të jetojnë përjetësisht në zemrat tona”, është shprehur Thaçi.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
I shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi dhe ministrat e kabinetit qeveritar, kryeministri Mustafa ka përkujtuar trimërinë dhe sakrificën më të madhe që një familje shqiptare ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jemi së bashku me kabinetin qeveritar për të bërë nderime tek heronjtë e familjes Jashari. Ne të gjithë vlerësojmë se vepra heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e Shaban dhe Hamëz Jasharit, e familjes Jashari, janë vepra të cilat kapërcejnë kornizat e historive të flijimit të tillë për liri të vendit dhe për mbrojtje të pragut të shtëpisë. Është vepër, që meriton respekt të veçantë te të gjithë ne dhe para së cilës ne përkulemi të gjithë”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 19-vjetorin e sakrificës së Familjes Jashari, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz.

Kryeparlamentari Veseli tha se edhe pas gati dy dekadave nga kjo sakrificë, plagët ende mbesin të freskëta, po aq sa edhe dhimbja, por edhe forca e krenaria.

“Kosova jonë, për të cilën këta heronj sakrifikuan, është duke ecur përpara, si shtet i pavarur dhe sovran. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij dhe të gjithë heronjtë e tjerë, janë garancia më e madhe e shtetit të Kosovës, por edhe frymëzimi për rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit”, theksoi kryeparlamentari Veseli. Ai tha se institucionet e Kosovës ende kanë shumë për të bërë, por shtoi se me besimin në gjakun e derdhur, Kosova do të bëhet shembull i zhvillimit.Në mbrëmjen e sotme, ora 18:00, në Prishtinë,  do të mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri. Kosova, me manifestime të organizuara nga qeveria, të nisura dje me paradë ushtarake të FSK-së në Prishtinë, e që vazhdojnë edhe nesër,  gjatë tre ditëve, në 5, 6 dhe 7 mars, kujton e nderon Epopenë e UÇK-së, heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz, para 19 viteve.Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë./b.j/

Filed Under: Reportazh Tagged With: Akademi Perkujtimore, Epopeja e UÇK, homazhe dhe

1632 SHKOLLA E PARË SHQIPE NË KURBIN

March 6, 2017 by dgreca

SHKOLLA  SHQIPTARE, “PA  DYER’ E  DRITARE”/

 Nga Fritz RADOVANI/*

PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”/

■Ishte e vështirë me shpetue nga një “Revolucion shkatrrues kulturor e njerzor i 1967”, që në Shqipni kishte fillue nga viti 1944, kur në 1945 në Jalta Shtetin Shqiptar e mori lumi dhe Shkodra, qendra e kulturës sonë dhunohej nga barbarët sllavë të Ballkanit. Nuk mjaftuen jugosllavët e malazezët komunistë, po sollen edhe grekët me djegë Pazarin…

Në vitin 1962 nga Kabineti Pedagogjik i Shkodres si disenjator, më transferuen në Shkollen Liria, mësues i klasës së parë. Shkolla atje ka një pamje të bukur perballë Kalasë Rozafat, Pazarit Vjeter dhe Liqenit të Shkodres. Ndertesa asht kenë shumë e vjeter dhe nga balkoni i shkollës shihej gjarpnimi i rrugëve të Pazarit po edhe i atyne të Kështjellës. Vetem tue pa muret e shkretnueme të Bigjistenit, mendja më fluturonte tek thëmelet e edukatës sonë morale Shqiptare “Besë, Burrni dhe Bujari”, të ruejtuna nder shekuj e të trashigueme brez mbas brezi, që u zevendsuen me “pabesinë, spijunllekun, poshtersinë” veti të edukatës marksiste leniniste, per t’ arrijtë shkombtarizimin tonë nga shovenistët sllavokomunistë të Jugosllavisë, të Bashkimit Sovjetik stalinist, të laperave kinez të Maos “Madh”, me një grup tradhëtarësh homoseksual ku, ma i dijtuni i tyne Enver Hoxha, jo vetem ishte pa shkollë, po në kokën e tij antishqiptare i kishte mbetë vetem fanatizmi anadollak i mejtepeve të Gjinokastres dhe urrejtja per Kulturën e Veriut, për të cilen, nuk kursente as Kosoven, dhe as Fadil Hoxhen… Perveç, kolltukut vet !

■Aty ku filloi ndertimi i Shtetit Shqiptar me Shkollat e Para Shqiptare në Veri në 1632… pikrisht, aty u zevendsue Formula “Atdhé, Fé, Perparim”, me “Enver, Tito, Stalin”!

Shqipnia u zhyt në llomin e injorancës dhe urrejtjes antiveriore, me kurset që u hapën për “edukimin” e kuadrove terroristë të partisë komuniste dhe të “mësuesëve” në kurset e analfabetëve, që shumë shpejtë i shohim në drejtimin e PKSh, komitetet ekzekutive, seksionet e arësimit, dhe në bankat e deputetëve të Kuvendit Popullor. Sherbimi i tyne per shkombtarizimin e Shqipnisë, u fillue në dy drejtime: Në perdhosjen e Historisë së Shqipnisë, me fallsifikime dhe gënjeshtra tue fillue nga shifra e 28.000 dëshmorëve të “luftës nacional – çlirimtare”, mija gjermanëve të vramë, dhe një së “vertetes” së vetme të pashpallun edhe sot: “Disa mija Shqiptarëve, të vramë e të pushkatuem nga brigadat partizane në luften civile me vllazen të vet në Jug dhe në Veri, gjatë vitit 1941 – 1946…”.

■Ndersa, fronti i dytë ishte kundër “shkollave të Gegënisë”, me heqjen e Emnit të At Gjergj Fishtës në letersi, (atëherë e sot) e deri tek vargu i dijetarëve të vertetë në të gjitha shkencat tona që vazhdojnë me kenë të dëbuem nga shkollat Shqiptare Perparimtare!

Shkatrrimi i Shkollës Shqipe fillon në vitin 1944 me okupacionin e të gjitha Programeve në të gjitha Shkollat Shqiptare nga sllavokomunistët jugosllav të Titos, shpartallimin e thëmeleve tona kombtare dhe, me fallsifikimin e Historisë së vertetë të Popullit tonë. Shkatrrimi i bazave shkencore në Histori dhe në Gjuhësi e Letersi kombtare Shqiptare, që në fillimet e para e deri sot, jo vetem kanë ndikue në formimin e një rinisë pa asnjë dije me baza shkencore kombtare, po edhe i ka dhanë asaj kahun antiatdhetar. Kjo asht kenë një vazhdimsi edhe në periudhën sovjetike staliniste dhe maoceduniste me qellim nga komunistët e Lindjes dhe të Perëndimit, politikë së ciles i kanë sherbye pa kursim tradhtarët tanë të betuem, me vazhdue rrugën e tyne antishqiptare, edhe kur “ata me të vertetë u merziten me ngatrresat dhe vllavrasjen tonë të pashpirtë e mizore”.

■Të gjitha “ideologjitë” antikombtare hynin e dilnin nga shkollat tona pa ma të voglen vështirsi, vazhdonin groposjen e vlerave tona dhe iknin me dafinat e poshtersisë së vume kraheqafë  nga “drejtuesit e shtetit shqiptar dhe akademija e shkencave të RPSSH”, që me paturpësi vazhdojnë me u krenue edhe tue u varrosë të pështymë nga Populli ynë.

■Në gjurmët e tiranëve Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, edhe pse i shohin mirë pasojat e veprimeve të tyne antishqiptare (vetem per me ruejtë kolltukun e vet të paprekun), ata tradhëtarë që me veprat e veta dje shkatrruen lidhjet historike me Europen Perparimtare edhe sot, vazhdojnë me paturpësi si mësuesit e tyne me u paraqitë si “ateistë”, kur në të verteten ata vazhdojnë me fanatizem anadollak porosinë e mësuesit të vet E. Hoxhës: “Shqiptarët duhet ti referohen Kur’anit!” në librin E.H. “Shenime per Lindjen e Mesme” prej të cilit zbatuen piken e parë: “Shqipnia – Antare e Konferencës Islamike 2 XII 1992”.

Nga epshi i mbetun prej robnisë turke, u dashunuen me shovenistët e Titos, dhe pa kalue as tri vjet u shkerdhyen me Stalinin, bolshevikun vrasës rus…E kur Hrushovi i njohu mirë, shkuen me u çveshë edhe nder shiltet kineze të Maos, që u kishin mbetë pa provue.., e ai ju mësoi: “Kur shkoni me fjetë, tek grazhdi mos shkelni barin!!…”(Citatët)

Çka nuk po mësohet nder shkollat e Trojeve tona, perveç Atdhetarizmit dhe Historisë së Vertetë të Popullit Shqiptar, ku tue fillue nga Figura e Heroit tonë Kombtar Kastriotit, ■ASNJË student nuk njeh fare ajken e Kulturës Shqiptare tue fillue me Dijetarët e 1462:

Imz. Pal Engjulli, Don Gjon Buzukun… Don Aleksandër SIRDANI, At Anton HARAPI, Anton LOGORECI,  At Anton ZANONI, Arshi PIPA, At Bernardin PALAJ, At Benedikt DEMA, Branko MERXHANI, At Daniel GJEÇAJ, Dedë GAJTANI, Engjëll RADOJA, Ernest KOLIQI, Et’hem HAXHIADEMI, Elena LULI, Faik KONICA, Frano ALKAJ,  At Gjergj FISHTA, Gjergj PEKMEZI, Gjon SINISHTA, Guljelm DEDA, Ilo Mitkë QAFËZEZI, At Justin RROTA, Don Kolec PRENNUSHI (Pseudonim Mujs POLEMI), Karl GURAKUQI, Kolë THAÇI, Konstantin KOTE, Kostë A. ÇEKREZI, Krist MALOKI, Kristo FLOQI, Don Lazër SHANTOJA (Pseudonim Y…), Lef NOSI, At Luigj MARLEKAJ, Luigj THAÇI, Lumo SKËNDO (Mit’hat FRASHËRI), At Marin SIRDANI, At Mark HARAPI, Mark DEMA, Martin CAMAJ, Mati LOGORECI, Mehdi FRASHËRI, Musine KOKALARI, Mustafa KRUJA – MERLIKA (Pseudonim Shpend BARDHI), Namik RESSULI, Ndoc VASIJA, Don Ndre ZADEJA, Don Nikoll GAZULLI, Nikoll DAKA, Don Nikoll MAZRREKU, At Pashko BARDHI, At Pjeter MËSHKALLA, Imzot Preng DOÇI, Qemal DRAÇINI, Sami REPISHTI, Simon SHUTERIQI, Stavro SKENDI, Tajar ZAVALANI, Vangjel KOÇA, Vasil ALARUPI  (Bendo Shapërdani), Imzot Vinçenc PRENNUSHI, Zef M. HARAPI, Zef SCHIRO Jr. (I riu), Zef ZORBA, Zoj XOXA, At Zef VALENTINI, etj…

■Shkrimtarët dhe “Akademikët” tanë sot thonë: “Ata që u shemben… U shemben…!”

Dhe, shembja e plotë u perfundue me “Revolucionin Ideologjik e Kultural të 1967”!

Detyrë e detyrueshme per “me drejtue…” ishte kenja “agjent i sigurimit të shtetit…”

Ata që u vune në shenjester, shumica perfunduen nder pranga ose edhe ma keq.

Ndersa, nder drejtuesit e vjeter, shohim një zevendsim të mnershëm pothuej nder të gjitha institucionet kulturore, arsimore dhe deri naltë në Byro politike të K.Q. PPSh… Ku pa frikë mund të themi: “Aty ishte mbretnia e injorancës, imoralitetit dhe terrorit!”…

■Nuk po shkoj ma gjatë por me qytetin tim ku, mbas mbledhjeve të mëshefta të Partisë që ato ditë në Shkodër i drejtonte nga Instituti i Naltë Pedagogjik Ramiz Alia, “shokët”: Xhemal Dini, Musa Kraja, Prenk Sokoli, Halit Isufi, Hilmi Habovija, Angjelin Kumrija, Jovan Vujoshi etj., këta agjentë besnikë që ishin ajka e Sigurimit të shtetit per arsimin e kulturen, vëndimet ia përcillnin rinisë mbasi tek “njeriu ynë i ri” ishte mbështetja e tyne dhe piksynimi per shkatrrim. Në mbledhjet e rinisë ma të besueshmit u ngarkonin me detyrat e Partisë dhe vazhdohej me brohoritjet nga kori i vagabondave “e ardhmja e Partisë”: “Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!” Ishte pra, “Vigjilenca” që kishte tregue rinia dhe organizatat e pionjerit me rastin e festave fetare ndër dyert e furrave të lagjëve, me vërejtë dhe me spijunue se kush ban ambëlcina… Sot, kjo farë e keqe mund të jenë edhe “ministra e diplomatë”… E kjo duhej vazhdue kundrejt mësuesve dhe profesorëve të tyne… që kanë “mbeturina të vjetra” dhe kishin perfundue shkollat në Perëndim…

***

■“Kuku per ta, çka na ka gjetë ne…”, thonte një plak që kishte njoh Enverin dikur të ri…

Mundohen “disa” me na mbushë mendjen se “ka pasë ndonjë që e mashtroi Enverin” kryesisht, kur u matufos… Disa po kerkojnë me gjetë edhe “të mirat” që ka ba kur ishte tue ngordhë… Dhe, me paturpësi po mundohen me ua shpjegue rinisë poshtersitë e tij. Jo, jo, ai ishte terroristi që shpjegojnë shokët e shkollës, ai ishte vrasësi i kunatit të vet Bahri Omarit, e që nipi i tij Fatos Omari e njohu mirë dajen,  ai ishte që burgosi kushrinin e vet të njohun në Shkoder Prof. Muhamet Hoxhën… E ai burgosi Foto Balen dhe, në Gjinokaster vrau ke i erdhi perdoresh madje, edhe pafaj!

■HAPJA E DOSJEVE ka me ju nxjerrë bojen! Sot ju nuk jeni tjerë nga ata terroristë që:

“Popullin Shqiptar e keni vra, po nuk mundeni ma me e rrejtë dhe mashtrue!”

Mos harroni se, keni dishrue me pa një Popull pa të ardhme e keni: “Shkatrrue Shkollat”!

Baza e shkatrrimit asht Programi i PPSH dhe i “Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, që pasohej nga ministritë perkatëse dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve… !

■Edhe sot Shkollat tona Shqiptare janë “pa dyer’ e dritare”…

           *Pjesa e V. Vazhdon Pjesa e VI.

Melbourne 6 Mars 2017.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, Lac 1632, Shkolla shqipe

NË ËMËR TË DASHURISË PËR VENDLINDJEN

March 5, 2017 by dgreca

FullSizeRenderNga Fuat MEMELLI/ Para disa ditësh, sinicarë me banim në Korçë,shokë e miq të tyre, u mblodhën në promovimin e librit “Pak dritë në themelet e Sinicës”, me autor Ibrahim Memellin, me profesion mësues. Kishin dëshirë të mësonin si është pasqyruar në faqet e librit, historia e fshatit të tyre të bukur, aty në prehër të maleve , në Devollin e Sipërm.Folën në atë takim dhe vlerësuan përkushtimin e Ibrahimit, sinicarët Stavri Dimashi, Perikli Pano, Marsela Jorgji, etj. Autori i librit, duke falenderuar pjesëmarrësit, theksoi se ishte dashuria për Sinicën dhe sinicarët, ajo që e nxiti per t’u marë me këtë punë të lodhëshme. Veprimtaria u pasqyrua te TV “Korça” dhe TV “Lobi”.

FullSizeRender copyMë në fund, kemi në dorë një libër të plotë për Sinicën dhe sinicarët, fryt i një pune disavjeçare të bashkëfshatarit tonë, Ibrahim Memelli. Është kjo një ngjarje e veçantë, që duhet të na gëzojë. E filloi këtë punë para 7-8 vjetësh por u sëmur dhe e uli pak ritmin. Kërkoi që ta përgatisnim bashkë librin. Në fillim pranova por më pas u largova në Amerikë dhe nuk isha më pranë Sinicës e sinicarëve , të “vilja” të dhëna që kërkonte libri. Më dukej se do t’i hyja padrejtësisht në “pjesë” Ibrahimit duke qënë bashkëautor dhe u tërhoqa. Ai vazhdoi të punojë për barrën që kishte marrë mbi supe, në emër të dashurisë për Sinicën dhe sinicarët. I hyri kësaj pune , pa patur ndonjë mbështetje financiare, siç veprohet në këto raste. Punoi me atë parullën e vjetër: “Me forcat e veta”.unnamed copy 3

Nga Dishnica e Korçës, ku banon prej disa vjetësh, shkoi disa herë në Sinicë, për të “gërmuar” e për të mbledhur copëza të historisë së saj, të lashtësisë, zakoneve e traditave,bujqësisë e blegtorisë, këngëve e valleve , historisë së luftës e të punës ,të burimeve e shkëmbenjve, gjithçkaje të veçantë që ka Sinica jonë. Shkoi në Korçë, Elbasan, Pogradec, Durrës, etj, kudo ku ka sinicarë, për të mbledhur fakte ,dokumenta e fotografi, që kanë të bëjnë me Sinicën e sinicarët. Nuk u tërhoq, edhe kur dikush “nuk ia kishte ngenë të merej me këto punë”. Kontaktoi për këtë qëllim edhe me sinicarë në emigracion si në Amerikë, Greqi, Kanada, Itali, etj. Mblodhi shumë “miell” për të “gatuar” këtë botim. E “siti” disa herë e pastaj e shtroi në “sorfën” e sinicarëve, miqve të tyre e lexuesve të tjerë, për ta “shijuar”. Është një periudhë e gjatë ajo që ka “gërmaur” , që nga lashtësia (afër Sinicës është një vendbanim me emrin Selisht, që i përket shekullit të 7-6 Para Erës së Re) e deri në ditët tona.unnamed copy

Harmonia fetare, një cilësi që spikat në Sinicë mes dy besimeve, të krishterë e myslimanë, është një temë të cilës autroi i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, duke e konkretizuar me mjaft fakte. Lidhja me fshatrat fqinë, si Dardhën, Qytezën, Arzën, Mirasin, etj, është një kapitull tjetër , pjesë e këtij libri. Me këto fshatra, e ka bashkuar jo vetëm fqinjësia territoriale, por edhe zakone e tradita të përbashkëta. Sinica, Dardha e Qyteza, kanë mjaft këngë e valle të përbashkëta, siç është ajo e Isuf Arapit, e cila është luajtur në tre këto fshatra. I bashkon edhe xibuni i njëjtë, i cili gjithashtu ka qënë pjesë e veshjes tradicionale të këtyre fshatrave. I ka bashkuar shkolla 7(8) vjeçare e Sinicës, një nga shkollat më të mira në qarkun e Korçës, ku mësonin nxënës nga tre fshatrat. I ka bashkuar edhe puna e përbashkët në një kooperativë.unnamed

Një vëmendje të veçantë i ka kushtuar autori Kanunores së Shoqërisë Sinicare “Lulëzimi”, hartuar në vitin 1927 nga një grup sinicarësh dhe miratuar nga prefektura e Korçës. Motivi i saj ishte: “Ndihma e birit ndaj vendit të lindjes.” Kjo kanunore, ishte një lloj statuti për fshatin dhe në disa drejtime, ajo ka vlerë aktuale. Figurat e mbi 25 sinicarëve të shquar, që kanë lënë gjurmë me punën e tyre, në Shqipëri e përtej saj, kanë zënë gjithashtu vend në faqet e këtij botimi.unnamed-1

Pjesa e dytë e librit, i kushtohet pemës gjenealogjike të familjeve sinicare. Janë gjithësej 182 familje që autori ka mundur të identifikojë. Ishte kjo një nga punët më të vështira të tij, pasi shumica e familjeve janë larguar nga fshati, disa në qytete të Shqipërisë, e tjerë në emigracion. Ndonjë familje edhe është zhdukur në mjergullën e viteve. Të pakta janë familjet sinicare që e kanë bërë pemën e tyre familjare, pasi kjo kërkon shumë punë. Ibrahimi ynë, mblodhi të dhëna jo për një fis e dy, por për të gjitha familjet sinicare. Vërtet një stërmundim i madh! Duke ditur vështirësitë që kishte kjo punë, mbaj mend që i thashë:” Le ta bëjë vetë çdo familje pemën e vet. Ti vazhdo me pjesët e tjera të librit”. Por, ai nuk më dëgjoi. Dhe bëri mirë. Ja ku kemi tani edhe pemët gjenealogjike të familjeve sinicare. Është kjo një vlerë tjetër e çmuar e këtij libri.

Vërtet vitet e fundit, janë botuar libra të pjesshëm për Sinicën e sinicarët, siç ishte ai i Jorgo Themelit, i Apostol Sterjos (kryesisht familjarë)si dhe libri me kujtime i veteranit, Andrea Themeli, por libri i Ibrahimit, është shumë i plotë. Megjithatë, jo se ky libër ka ezauruar gjithçka për Sinicën e sinicarët. ”Loja “ është e hapur.”Lojtarë” të tjerë , sinicarë apo studjues të ndryshëm, mund ta vazhdojnë këtë punë, duke shtuar një “ruazë” tjetër në “gjerdanin” sinicar. Siç ka thënë një poet:” Në këtë qiell, ka vend për miliarda yje”.

Në emër të dashurisë për Sinicën dhe sinicarët, duhet të vazhdojmë punën në forma të tjera për pasqyrimin e vlerave e traditave të fshatit tonë. Ndërtimi i muzeut të fshatit, një detyrë që na pret. Me kontributin e dhënë nga shumë sinicarë në emigracion e në Shqipëri gjatë vitit 2015, u rikonstruktua çatia e shkollës së vjetër, por kjo është vetëm një pjesë e asaj që duhet bërë. Kontributi duhet të vazhdojë, deri në ndërtimin e plotë të muzeut, ashtu siç bënë dardharët, duke ndërtuar një muze model, jo vetëm për zonën tonë, por për gjithë fshatrat e Shqipërisë. Me një zë të përbashkët, duhet të flasim edhe në pushtetin lokal e atë qëndror, për ndërtimin e rrugës së Sinicës, e cila do t’i japë një frymëmarje të re fshatit. Premtime janë bërë prej shumë vitesh, por, siç thotë populli ”Fjala e mirë e guri në trastë”. Mbase, para zgjedhjeve të këtij viti, do të ketë përsëri premtime dhe kush e di (?!) i vjen rradha edhe kësaj rruge, e cila është ndër të paktat në Devoll që ka mbetur pa regulluar. Bashkia Bilisht ka premtuar të regullojë çatinë e shkollës së re, e cila është dëmtuar qysh në vjeshtën e kaluar. Le të shpresojmë se do ta mbajë fjalën.

Punë të tjera , “të vogla” në dukje por të rëndësishme, mund të bëjmë për Sinicën. Të përgatisim edhe një film dokumentar, të cilin kam dëshirë ta realizoj unë, duke patur edhe ndihmën e sinicarëve. Skenarin e kam gati dhe shpresoj që këtë verë të filloj xhirimet. Po të bashkohemi, mundësitë janë për të bërë shumë gjëra. Dhe shembujt i kemi mes nesh. Ibrahimi punoi disa vjet dhe përgatiti këtë libër. Albert Hysolli, i vetëm harxhoi miliona lek dhe na bëri çezmat e fshatit. Mirënjohje për të dy këta sinicarë! Albert Hysolli, hartoi projektin dhe ndoqi në çdo hap, punën për rikonstruksionin e çatisë së shkollës e më tej për kthimin e saj në muze. Shumë punë mund të bëhen, po ta zgjidhim pak “qesen”, po të afrojmë miq e biznesmenë për të kontribuar, po ta ngremë zërin më shumë edhe në strukturat e pushtetit vendor e qëndror.

Sinica është familja jonë e dytë. Krahas dashurisë e mallit për të, duhet edhe të na dhimbset, pasi ajo i mban sytë nga ne. Le ta ndihmojmë e t’i mbyllim ca plagë. Sinica na thërret . Le ta dëgjojmë zërin e saj! Le ta përtërijmë atë, megjithëse është “plakur e rrudhur” nga largimet. Brezi ynë, fëmijët tanë si dhe pasardhësit e tyre, duhet ta mbajnë ndezur zjarrin e dashurisë për Sinicën, për vendlindjen tonë, djepin që na përkundi.

*Shënime për librin “ Pak dritë në themelet e Sinicës”, me autor Ibrahim Memellin-

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fuat Memelli, Ne emer te Dashurise, PËR VENDLINDJEN, Sinicaret

Ernest Perdoda – Profil letrar

March 5, 2017 by dgreca

NGA ANTON ÇEFA/1 Anton Cefa 3U njohëm në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Që në ditët e para filloi të krijohet në ndergjegjen time personaliteti i një njeriu të formuar, që vlerësonte me një peshojë të saktë ngjarjet e ditës, rrethanat e kohës, dhe mbante një qëndrim të drejtë e të arsyeshëm ndaj tyre. E drejta dhe e vërteta ishin impulset shpirtërore, që e drejtonin jetën dhe veprimtarinë e tij. Shquhej që në atë kohë edhe si poet i pajisur me një talent të spikatur.1 Ernest Perdoda

         Me keqardhje e them që Ernesti nuk arriti, për arsye financiare, të botojë lirikat origjinale dhe të përkthyera nga poeti italian hermetik Giuseppe Ungaretti. Gjithashtu, mbeti në dorëshkrim përkthimi në spanjisht i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të cilin ia pati dërguar shumë kohë më parë Akademisë së Shkencave për botim. Nuk dihet fati i këtij dorëshkrimi. Një cikël lirikash të Perdodës u botua në revistën “Phoenix”, viti 1999 /nr.  2. Këtu është shkruar se poezitë i takojnë: “Këngëve të para”, “Elegjive” dhe “Monologjeve”. Nuk kuptohet që nën këto tituj, a bëhet fjalë për përmbledhje poetike a për cikle poezish.

Poezia e tij, disa motive të së cilës kam pasur fatin t’i njoh që në kohën e krijimit të tyre, flakëron nga një bukuri e rrallë, shëndrit në vargjet e saj një ndjeshmëri e shije e hollë, figuracion i pasur, një akustikë imitative, ku spikat paja e fonetikës së gjuhës sonë, jetësuar në një strukturë harmonike të realizuar, më së shumti, në pak vargje.Veç motiveve të lirikës intime e të natyrës, poezia e Perdodës karakterizohet për dhuntinë e artë të shqetësimit intelektual për atë që po ndodhte me atdheun e popullin tonë në kohën e diktaturrës, duke e pasqyruar atë në situata e detaje konkrete, dhe duke njëmendësuar mesazhe fisnike të qarta, të cilat shpesh kalojnë në intonime revoltuese.         Si një “Credo” tingëllon poezia që hap përmbledhjen e tij poetike, një angazhim për një veprimtari të menduar mirë, dhe një zotim për vazhdimësinë e saj:

Mengjez

U dogjen andrrat!

Me dritë të trendafiltë

edhe nji herë po lidhi

fillin e këputur t’mendimit.

Nji nyje tjeter,

nji tjeter ditë.

Në pak vargje të poezisë “Gjak e brymë” – Dhjetor 1944 – , me një peshë lirike për t’u lakmuar, përkujtohet tragjedia që pllakosi mbi popullin tonë me vendosjen e diktaturës komuniste. Po ashtu, tek poezia “Subkonsh” , një shtjellim  motivi i tillë që nuk e kam hasur askund në poezinë tonë, me një përgjithësim të jashtëzakonshëm, trajtohet pengesa deri në mohim të plotë e zhvillimit të natyrshhëm të shoqërisë, të kulturës, të ecjes përpara, që solli diktatura.

Subkonsh

Andrrat më rrokullisin

Nder kambë të Trogloditit

Që më shikon e m’perqesh.

(Atje ku nisem shtegun

E nepër shekuj rryeshem

Shtrijmë krah’t per t’rrokun yjet . . .

E diellin që na zgjon)

Por gazi i njeriut  t’shpellës

Ende m’ushton  ndër veshë

E më trondit.

Ëndërrimet e njerëzimit dhe përpjekjet e përgjithmonshme të tij për të ecur përpara, “Shtrijmë krah’t per t’rrokun yjet / e diellin që na zgjon”, janë gjithnjë e para së gjithash  edhe ëndërrime të poetëve; por, mjerisht është njeriu i shpellës – Trogloditi – një metaforë tejet e fuqishme për forcat regresive, në këtë rast për diktaturën – që bëhet pengesë e ecjes përpara. Është prania e nënvetëdijes -subkonsh-i – kjo gjendje psikike, që e përjeton përqeshjen e shpellakut.

Me dhimbje të thellë e të thekshme, përjetohet në ndërgjegjen e poetit djegia e librave, në prill të vitit 1946, tek e ashtuquajtura “Kulla e Inglizit”. Aty qenë grumbulluar librat e bibliotekave më të mira të qytetit, duke filluar me bibliotekat e famshme të  fretënve dhe të jezuitëve. Poeti  sjell në kujtesë djegien e famshme të Bibliotekës së Aleksandrisë, një nga më të mëdhatë e asaj kohe, në vitin 640, nga Omar I Abu Hafsa ibn al Khatab, dhe shkruan në postscriptum: “Trembëdhjet shekuj më vonë me urdhër të diktatorit Enver Hoxha . . . fondet e të gjitha bibliotekave të qytetit të Shkodrës pësuan të njëjtin fat.”

Me hijet e asaj nate,

një tjetër Omar Khatab

rrendi mbas dit’ve tona

të zymta

të ftohta

si gurët e k’saj Kulle

. . . . . . . . . .. . . . . . . .

Ndoshta kët’ mbramje Prilli

krrokatja e korbit mbi Kullë

t’kujton dhe ty

çka humbëm përgjithmonë !

Në një lirikë tjetër kujton me një nostalgji të mallëngjyeshme tingujt melodiozë të kumbonëve, që paraprinë mbylljen e faltoreve fetare dhe më vonë shpalljen e atdheut si vend ateist.

Me kot përgjon tashma nga kumbonaret

tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande

kumbonët gjimuen kur ranë për t’fundit herë

mbi tokën e dhunueme.

Eshtë në natyrën e strukturës poetike të Poetit komunikimi i drejtpërdrejtë me një person të dytë, dhe Ernesti gjithnjë i drejtohet vajzës që dashuron si në këtë “Prelud”:

Këtë natë,

(ndërsa për rreth

gjithçka përngjan

me flokun tand që l’moj)

yjet e qiellit tim

unë pa u kujtue zbuloj

kur ti çel e mbyll sytë.

Ose:

Dhe ja ti vjen përs’ri,

e ashtu si ban kjo erë,

mbi gjurmët që la dhuna

hedh prap një dorë me gjethe

e qan mbi supin tim.

Ose:

N’ rrenojat e kujtesës

ende luhaten flakët,

por kangët e Alkeut

(që deshte ma shumë se mue)

nuk m’ bien ndër mend tashma.

Një nga mjeshtëritë e trajtesës poetike që vihet re në poezinë e Perdodës është akustika imitative, që e kemi çekur më lart, e shoqëruar kjo me një kursim fjale tejet të kujdesshëm. Po bie si shembull modeli të rrallë të kësaj veçorie poetike në letërsinë tonë këto pak vargje që imitojnë erën:

Erë

Furishëm shkon

n’për fletë,

fërsh’llon

fishkllon

e tretë!

Tek kjo poezi, dhe, në përgjithësi në krejt krijimtarinë poetike të Ernestit,  vërejmë një shkallë të lartë përsosmërie të mjeshtërisë së tij poetike. Mund të themi se ky poet e ka kapërcyer herë – herë prakun e poezisë së zakonshme, që u përket motiveve që trajtojnë probleme sociale; ai shkon deri tek poezia për poezi, pra tek funksioni i artit për art, aq i luftuem në kohën e diktaturës së kuqe.

*   *   *

Po bie këtu poezitë e botuara në revistën “Phoenix”, që u botua në Shkodër në vitet 1997 – 2003, me drejtor Dom Ndoc Nogaj dhe kryeredaktor Dr. Romeo Gurakuqi, dhe disa përkthime nga Ungaretti.

Nga kangët e para

Mengjez

 U  dogjen andrrat

Në dritë të trendafiltë

Edhe njiherë po lidhi

Fillin e këputur t’mendimit.

Nji nyje tjetër nji tjetër ditë.

Erë

Furishem  shkon

N’per fletë

Fershllon

Fishkllon

E tretë.

Prelud

Këtë natë

(Ndërsa për rreth

Gjithkund m’pergjanë

Me flokun tand qi l’moj,)

Yjet e qiellit tim

Un pa u kujtue zbuloj

Kur ti çel e mbyll sytë.

Asgja pa dashuri

                  Nanës

N’kujtimin tand

Vadita lulet

Qi mbijetuen mbas teje :

Porse asnji prej tyne

Nuk çeli ma.

Ato kërkonin

Frymën e dashnisë

Që unë s’ua dhashë.                                                                     

Nga “Monologjet’

 Subkonsh

 Andrrat më rrokullisin

Nder kambë të Trogloditit

Që më shikon e m’perqesh.

(Atje ku nisem shtegun

E nepër shekuj rryeshem

Shtrijmë krah’t per t’rrokun yjet . . .

E diellin që na zgjon)

Por gazi i njeiut  t’shpellës

Ende m’ushton  ndër veshë

E më trondit.

Nga “Elegjitë” 

Brymë e gjak

(Dhjetor 1944)

Shumë  gjethe ranë  që  atë  vjeshtë

E prap po bien,

Porse kujtimin

Qoftë  edhe nji i vetem e pert’rinë

E bahet brymë  e gjak.

(Dhe ja ti vjen pers’ri

E ashtu si ban kjo erë,

Mbi gjurmët që la dhuna

Hedh prap nji dorë me gjethe

E qan mbi supin tim

Si bane at’herë.)

Ato nuk duken ma,

As edhe ti;

Kurse trishtimi

Prap endet në k’to rrugë,

Me mue

dhe gjethet

që bien.

(Pa titull)

Me kot pergjon tashma nga kumbonaret

Tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande

Kumbon’t gjimuen kur ranë per t’fundit herë

Mbi tokën e dhunuar.

Agimet zbardhin pa meloditë e ambla

Që joshnin nga qielli sytë e veshtrimin,

tash jetën tande veç heshtja rrethon.

(Variant)

 Me kot pergjon tashma nga kumbonaret

Tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande

Kumbon’t gjimuen kur ranë per t’fundit herë

Mbi tokën e dhunuar.

Mengjezet zbardhin pa meloditë e ambla

Që joshnin nga qielli sytë e veshtrimin,

dhe muzgjet sjellin me vete trishtimin

e dit’ve tua pa t’ardhme.

tash jetën tande veç heshtja rrethon.

Flakët që sollën errësinën

(Prill 1946)

Ngado që shkoj, më ndjek me hije të saj

Kjo Kullë e gurtë që m’josh e më largon:

N’rrenojat e kujtesës.

Ende luhaten flakët;

Por kangët e Alkeut

(Që deshe ma teper se mue)

Nuk m’bien ndër mend tashma.

Me hijet e asaj nate,

Nji tjeter Omar Khattab*

Rendi mbas dit’ve tona

Të zymta,

Të ftohta

Si gurët e k’saj kulle,

Ku nga frengjitë

Ajo pak dritë që hyn

Veç larva mendimi sajon.

E dashtun

Ndoshta këtë mbramje Prilli

Krrokatja e korbit mbi Kullë

T’kujton dhe ty

Çka humbem pergjithmonë.

*Në vitin 640 Omar I (Abu Hafsa ibn al Khattab) dogji bibliotekën e Aleksandrisë, një nga ma të mëdhatë e asaj kohe. Trembëdhjetë shekuj ma vonë me urdhen të diktatorit E. Hoxha u grumbulluan tek “Kulla e Inglizit” (që për nji kohë të shkurtë sherbeu si sallë leximi), fondet e të gjitha bibliotekave të qytetit të Shkodrës, pësuan të njajtin fat.

Filed Under: LETERSI Tagged With: – Profil letrar, Anton Cefa, Ernest Perdoda

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT