• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

Opozitë mos bëj kompromis

April 21, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/Janë disa arsyet që sot me të vërtetë po shoh një opozitë. Dhe që aq të domosdoshme e ka demokracia. Sidomos ajo shqiptare. Vendi ku pavarsisht të gjithave, një lloj retorike pordhësh burash shteti, që edhe u ha, edhe u djeg, edhe u krruhet. U është mbushur mendja se janë zotër të Shqipërisë. Kanë edhe gurin edhe arrën. Ndaj mund të bëjnë çfarë të duan. Si përfundim sot shpresa e shqiptarëve është tashmë si ajo puna e palmave të thara në autostradën Tiranë-Durrës.

Nga ana tjetër një kaos institucional. Aq sa grave me minifunde që u pëlqen fakti, që emri i tyre është çekur për postin e presidentit. Po kafeneve ama, jo institucioneve. Aq më keq akoma që janë konsumur edhe dy nga raundet e kllounistike të zgjedhjes së kreut të shtetit. U duket marrëzi ulja në rrugët automobilistike të njerëzve të opozitës.
U duket marrëzi ekyistenca e çadrës. Selia qëndrore e një opozite që përfaqëson gjysmën e shqiptarëve. Një force politike që ca baldosa të llumit komunist u është mbushur mendja se aty. Në dheun e shqiptarëve, opozitarizmi dhe e djathta kanë vdekur një here e përgjithmonë. U është mbushur mendja se mund të bëjnë opozitë me shushunjat e përdoruara si grupet 2K. Apo ”anarshistin” Blushi etj. Me çamët e nevrikosur nga moslënia e një vendi në qullmatoren e Vetungut. Kësaj rakete bërthamore të tipit Korean verior,etj. Si tabela e arritjes elektorale për burgosjen e opozitës.
U është mbushur mendje se janë akoma në pranverën e 97-ës. Dhe mbetën duke i thënë popullit se ja, opozitën po e kritikon edhe bota. Se bota kështu, se bota ashtu. Se bota është me ne etj. Sa keqardhje. Të gjorët harrojnë se, bota ishte edhe me Zani Caushin. Solli Romano Prodin atëhere në Vlore. Më 1997-ën. Dhe sikur Zani Caushi të shpallej kryeministër, bota do ta njihte. E keni aty me pamje… Pamje kallashnikollësh. Pranvera kallashinikolle shqiptare. Turma me kallash. Punë shqiptarësh të nevrikosur.
Bota ishte edhe me Enver Hoxhën në 1947-ën, kur u shpall Republika që nuk njihte asnjë force tjetër politike. Republika e luftës së klasave e natyrës së Kmerit të Kamboxhias.
Bota është edhe këtë të sotshmin, jo kryeministrin. Po kryeregrestin e ekonomisë butaforike shqiptare. Zanat I tij, lyerja e fasadave. Me sejmen droge, e populista si ai mjaftisti I Tiranës. Që mbeti në televizor përditë me kënde e gjëra të tjera. Një filozofi e propogandës. Një ditë u tha shqiptarëve se kemi nevojë të bisedojmë. Harroi se vet erdhi aty nga protesta. Nga ana tjetër, bëj habi pasi kam 12 vjet që jetoj në një qytet të madh. Dhe një here nuk e pash kryebashkiakun në një përurim këndi lojrash a shkolle publike. Se ato private, jo, e jo. Megjithatë e di se ku është bashkia. Kam vajtur nja dy here dhe më ka mjaftuar patenta për të marr një vertetim. Asgjë më shumë. I hipotekova letrat e shtëpisë pa qënë fare aty. Nuk më dha kryeministri, presidenti, a kryetari bashkisë ndonjë çertifikatë pronësie. A tapi, si na pëlqen ne shqiptarëve ta themi. Jo, një nënpunës i thjesht…. Pse? Sepse janë shërbime civile. Jo propogandë. Jo material fushatash elektorale. Pa asnjë sekser, pa asnjë rryshfet.
Megjithatë më vjen mire. Dhe i bashkohem shpirtërisht.
Më vjen mire që po shoh opozitë. Pa asnjë kompromis. Dhe më vjen mire që më fund dëgjova nga foltorja e opozitarizmit edhe një nga ëndjet e mia. Presidentin nga populli.
Duhet të marrin fund këto kulisat e bisedave. Këto të drejtat e cunguara. Pasi u bënë vite tashmë që Shqipëria jonë përfaqësohet nga ekzistenca e një presidenti qesharak. Pa këllqe e koqe. Një president kukull në dorën e kryetarëve të shumicës etj. Opozita ka shumë për të bërë. Dhe është shanci i artë i saj. Jo një çadër, po qindra. Mbusheni bulevardin me të tilla. Mbushni rrugët. Balancimi i pushtetit është domosdoshmëri jetike. Vetëm sot, ta dini, Shqipëria nuk ka nevojë për kompromis.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, mos bëj kompromis, opozite

Përgjigje pyetjes: a e takuat Edi Ramen në Bernë?

April 21, 2017 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/Kishte kuriozitet nëse ne u takuam me Edi Ramën gjatë vizitës së tij zyrtare në Bernë.Po ua shteroj kuriozitetin.Për Zërin e Shqiptarëve – Voice of Albanians – www.voal.ch- portalin më të suksesshëm shqiptar në Zvicër, që drejtohet nga dy gazetarë nga shteti amë, do të ishte normaliteti më normal që të mbulonte vizitën e premierit shqiptar, nëse çdo gjë në Shqipëri nuk do të ishte në kundërthënie me normalitetin.Përfaqësia e shtetit shqiptar në Bernë e lajmëroi në rrjetin social që në muajin janar vizitën zyrtare të Edi Ramës në Konfederatën Helvetike.Pas këtij lajmërimi publik, do të duhej që kjo përfaqësi të kontaktonte me mediat kryesore shqiptare në Zvicër dhe t’i akreditonte. Ashtu sikur veprojnë shtetet në Perëndim.Ambasada e Shqipërisë në Bernë nuk kontaktoi me Voal.

Natyrisht që përfaqësia shqiptare për çdo veprim apo mosveprim të saj merr vizën aprovuese nga Ministria e Jashtme e RSh.Në analizë të veprimeve supozohet se për mbulimin e vizitës të PM shqiptar, Ministria e Jashtme e Republikës të Shqipërisë nuk e ka dëshiruar praninë e dy gazetarëve shqiptarë tashmë të natyralizuar të cilëve Zvicra u është bërë Atdheu i parë.

MPJRSH preferoi rolin klishe të përçarësit dhe censorit, një reminishencë e kohës  së diktaturës kur diaspora konsiderohej “Mërgatë qyqesh”.

Nga ana e saj Ambasada vetëm pas kërkesës tonë na dërgoi programin ndërsa adresa ku do të mbahej pritja, ishte gabim. Këto të dhëna që ajo i publikoi edhe në Facebook nuk kishin asnjë vlerë për gazetarët nëse nuk shoqëroheshin me akreditim.

Pra, po të varej nga pala shqiptare, Voal nuk do të merrte pjesë në mbulimin e vizitës së premierit të Shqipërisë në Bernë. Pala shqiptare bëri aq sa mundi në sensin e kundër të akrepave të sahatit. Nuk është diçka e re, tashmë histori e vjetër. Diplomacia shqiptare është e shpërfytyruar dhe e defaktorizuar nga politika që e përdor si kukull.

Fatmirësisht dhe faleminderit Zotit, Voal nuk varet as prej Ditmir Bushatit, as prej Edi Ramës dhe as prej vartësave të tyre. Sikur nuk është varur as prej pararendësve.

Ne e morëm ftesën nga protokolli i shtetit helvetik, ku jemi të akredituar, së bashku me programin e vizitës. Ministria e Jashme e Zvicrës si zakonisht u kujdes deri në detaje që gazetarët e ftuar të kryenin sa më mirë misionin e tyre.

Kryeministri i Shqipërisë u prit me të gjitha nderet nga Presidentja e Zvicrës zonja Doris Leuthard.

Për shkak të hapësirës jo shumë të madhe ku do të zhvillohej takimi, vizita u mbulua nga një grup i kufizuar gazetarësh, katër nga Shqipëria, dy nga RTSH, nga flokëportokallia, fotografja personale e Edi Ramës dhe nje tjetër nga zyra e kryeministrit. Gazetarë shqiptarë me banim në Zvicër ishim katër: ne nga Voal dhe dy nga Albinfo, portali kosovar të cilit Edi Rama për arsye klienteliste i dha trofeun e Shqiponjës së Artë në samitin e diasporës që u organizua nëntorin që shkoi në Tiranë.

Ishin të pranishëm edhe katër-pesë gazetarë zviceranë: Nga televizioni SRF, televizioni kryesor publik gjermanofon, nga gazeta e njohur NZZ, Le Temps etj.

Konferenca për shtyp nuk zgjati shumë. Të parët që e morën fjalën ishin dy gazetarët zviceranë, i pari nga televizioni SRF dhe i dyti nga Le Temps, që i bënë të njëjtën pyetje Edi Ramës në lidhje me Dritan Zaganin, të cilin shteti shqiptar e kërkonte ta ekstradonte nga Zvicra, ndërsa Zvicra i dha azil politik pikërisht në prag të vizitës zyrtare të PM. Që kishte një tingëllim sfide. Kur i dëgjoi pyetjet, Edi Rama i befasuar, e fshehu disi nervozimin duke tribluar nën buzëqeshjen me okeljon se “gazetarët janë kudo njëlloj”.

Voal pyeti në shqip në lidhje me linjën ajrore Zvicër-Shqipëri dhe shkollën plotësuese shqipe, nisur nga fakti dramatik se në shkollën shqipe të një niveli që lë shumë për të dëshiruar shkojnë vetēm 3 % e fëmijëve shqiptarë. Nëse gazetarët zviceranë nuk do ta konsumonin pyetjen për Zaganin, Voal do ta pyeste kryeministrin edhe për ish-oficerin e antidrogës.

Dhe kështu mbaroi konferenca për shtyp.

Ishte një moment që Edi Rama mund të shkëputej nga grupi për disa sekonda duke respektuar veten për të na përshëndetur. Shqiptarçe. Aq më tepër kur ne njihemi. Nuk e bëri. As për hipokrizi nuk mundi. E keni parasysh se sa orë harxhon dhe se si e vret kohën Edi Rama duke iu lëpirë dhe mikluar nëpër restaurante peshku dhe ngjalash Ilir Metën! Voal nga ana e vet po të dëshironte sadopak që të takohej me Edi Ramën i kishte të gjitha mundësitë për ta bërë. Të takohesh me politikanët shqiptarë nuk është privilegj.

Voal e respektoi kryeministrin e shtetit shqiptar gjatë vizitës historike në shtetin helvetik. Voal do ta dëshironte Shqipërinë të jetë një Zvicër e Ballkanit, që bregdeti i saj i mrekullueshëm të kthehet destinacion kryesor mikpritës për miliona turistë zviceranë. Por Zvicra nuk i dërgon shtetasit e saj aty ku nuk ka shtet ligjor, rregull dhe siguri. Ky është realiteti.

Ndërsa Edi Rama që e personalizon shtetin si pronë dhe gazetarët i konsideron servitorë të pushtetit të tij e mori një leksion të vogël por kuptimplotë nga gazetarët zviceranë.

A nxori mësim?! Politikanët shqiptarë nuk nxjerrin mësime as nga gabimet dhe as nga fajet e tyre.

Ata janë recidivë. Prandaj e kanë mbushur kupën.

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, NË BERNË, Përgjigje pyetjes: a e takuat

Të ishte Edi në vend të Lulit, të ishte Luli në vend të Edit

April 21, 2017 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/

U bënë 50 ditë që Luli erdhi me çadrën e tij fare pranë zyrës së Edit. Kreu i opozitës erdhi fare pranë zyrës së Kryeministrit, saqë ky disa herë desh e ka ngatërruar derën e Kryeministrisë me derën e Çadrës së Lirisë.Përëndrrat kryeministrore u përzien aq rëndshëm me përëndrrat kryeopozitare, saqë njëri zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është tjetri. Edi zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është Luli, kryeministri zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është kryeopozitari; nga përëndrra (ëndrra me sy hapur) zgjohet kryeopozitari dhe i duket vetja se është kryeministri. Është e paplotë, është përgjysmë përëndrra e njërit pa përëndrrën e tjetrit, sepse ato priten në mes gjithmonë nga i njëjti ankth dhe nga i njëjti makth, por edhe sepse ato puthiten, qepen, ngjiten, saldohen mes tyre, duke u bërë një nga e njëjta shpresë e përbashkët.Ankthi i njëjtë, makthi i njëjtë, i përbashkët i kryeministrit dhe kryeopozitarit është Reforma në Drejtësi. Shpresa e përbashkët është që Reforma në Drejtësi të jetë një kreaturë që të mos e ketë kurrë fatin e ardhjes në jetë, të jetë një fetus që të ndërpritet në muajt sa më të hershëm të pasngjizjes.

Të ishte Edi në vend të Lulit

Luli do të donte që çadrën e tij ta vendoste poshtë dritares së Ramës, por ashtu do të dukeshin si Romeo dhe Zhuljeta.Më mirë, tha, të jetë në hapësirën midis dritares së ish Mehmet Shehut dhe dritares së ish Enver Hoxhës. Dhe prej këtu deri tek Perëndia të jetë Hapësira e Lirisë. Qielli që harkohet mes njërës dhe tjetrës të jetë Qielli i Lirisë. Prej godinës së ish Mehmetit deri tek godina e ish Enverit të jetë Sheshi i Lirisë.Vetë Rama, kur ishte kryeopozitar, nuk e vendosi çadrën e tij poshtë kryeministrit të atëhershëm, sepse do të dukeshin si Zhuljeta e Romeo.

Është një kohë shumë habitore, nëse e përmban gramatika një të tillë, kur Rama do të donte (oh, sa do të donte) të ishte kryeopozitari dhe të protestonte ai kundër Reformës në Drejtësi, të mos i kishte rënë Lulit shorti për këtë kryevepër historike.Po të ishte Edi në vend të Lulit, protesta në çadër do të kishte filluar që në ditën e parë kur u zu në gojë Reforma në Drejtësi. Sot, pra, nuk do të kremtohej dita e 50 e satë e Çadrës së Lirisë, por do të kremtohej dita e 500 e satë e saj.

Çadra e Lirisë e Edit nuk do të ishte e hapur si kjo e Lulit, do të ishte e mbyllur. Dhe në çdo paraqitje publike do të dilte nga një zëdhënëse e re, secila do të ishte një fytyrë e re për publikun, madje edhe një zë i ri. Ato do t’i mërmërisnin, secila më ëmbël se tjetra, do t’i recitonin secila më kumbueshëm se tjera, do t’i këndonin secila më sokëllitshëm se tjetra pjesët e tyre para publikut. Do të ishin si sirenat mitologjike, nuk do të kishte dëgjues apo shikues që të mos binte viktimë e magjisë së tyre. Ndërsa Edi atëherë, Luli tashi, do të shfaqeshin një herë në ditë para gazetarëve nga Selia Rozë, përkatësisht nga Selia Blu.Brenda çadrës së Lirisë sot dëgjohet muzikë, luhet domino, tavlla, shah, ik një ndërresë çadristësh, vjen një ndërresë e re çadristësh, e marrin fjalën njëri pas tjetrit eksponentë të opozitës, e merr fjalën çdo ditë Basha, derisa i shterron zëri i rezervuar për ditën apo natën përkatëse.Brenda çadrës së grevës së Edit hahej, pihej, flihej, shihej, fshihej, rrihej, arrihej, mbërrihej, nuk pushonin ditë e natë shuarjen e urisë së grevistëve shërbimet sociale që sillnin ushqime e pije dhe nxirrnin ambalazhe e mbetje ushqimore, nuk pushonin shërbimet mjekësore që matnin pulset, temperaturat, tensionet, nivelet e sheqerit. Atje ngrënë, pirë, shtrirë, ngrirë, shkrirë, mpirë, çmpirë do të koaludohej administrare e Edit, do të formatoheshin zero reformat e Edit të këtyre katër vjetëve, zero rezultatet e qeverisjes së Edit.

Rama nuk do të kishte bërë kurrë ndaj qeverisë një opozitë kaq dëfryese, kaq zbavitëse, kaq çlodhëse dhe ripërtëritëse si ajo e Bashës. Një opozitë të tillë Rama e ka bërë vetëm nga pranvera e vitit 2008, kur ndodhi Gërdeci, deri në pranverën e vitit 2009, kur Berisha mori mandatin e dytë të kryeministrit nga zgjedhjet e atëhershme. Rama u kujtua të bëjë opozitë pas humbjes zgjedhore dhe të kërkonte me qindra ditë pa pushim hapjen e kutive. Këtë e bënte vetëm që të mos e shkarkonin nga kreu i Partisë Socialiste dhe jo pse ia kishin mohuar postin kryeministror.

Basha e shfajëson veten se bëri katër vjet opozitë konstruktive. Ndërsa e la opozitarizmin për katër muajt e fundit, tashi kërkon edhe muaj të tjerë plotësues për t’u përgatitur për garën e re zgjedhore. Këtë e bën jo pse e synon postin kryeministror, por vetëm sepse ka frikë se do ta heqin nga kreu i Partisë Demokratike.

Të ishte Luli në vend të Edit

Përballë Reformës në Drejtësi edhe vetë ish Enveri, edhe vetë ish Mehmeti do të bëheshin besimtarë dhe do t’i luteshin Zotit 7 herë, 77 herë 77 mijë, milionë, miliardë herë që të shpëtonin prej saj, sidomos prej Vettingut.

Po të ishte Luli në vend të Edit, të ishte kryeministër e të mos ishte kryeopozitar, gjëja e parë që do të bënte do të ishte shfuqizimi i menjëhershëm i krejt paketës ligjore të Reformës në Drejtësi. 19 kriminelët e Edit në Kuvendin e Shqipërisë do të merrnin frymë lirshëm dhe në Kuvendin e ri do të hynin 190 kriminelë nga 140 anëtarë të mundshëm. Vetëtimat e Vettingut do të shndërroheshin në ylberë triumfi për të gjithë ata që pritej të prekeshin nga Reforma në Drejtësi. Republika e Re do të vinte në piedestal të gjithë Rilindasit që manovruan për të mos e vënë kurrë në jetë Reformen në Drejtësi. Janë gati për ta titujt Nderi i Kombit, Urdhëri i Flamurit, Urdhëri Gjergj Kastrioti Skënderbeu e tjerë e tjerë.

Rama në pranverën e para katër vjetëve iu premtoi shqiptarëve hapjen e qindra mijë vendeve të punës. Dhe e mbajti fjalën. Nga 30 mijë sa kishte të punësuar Lazarati më 2013, sot Lazaratët kanë të punësuar 300 mijë. Të tjerët, që nuk pranuan të jenë kultivues, industrializues, shpërndarës të kanabisit, me shumë marifet u përcollën për në vendet e ndryshme të Evropës, ku ata të arrijnë para se të arrijë Shqipëria, atdheu i tyre i dashur, i cili ua shikon shpinën përditë e më shumë miliona bijve e bijave që ikin për të mos u kthyer.

Po të jetë Luli në vend të Edit, pra kryeopozitari po të bëhet kryeministër i vendit, të gjithë të pakualifikuarit në kanabis dhe në trafiqet e tjera, të gjithë mërhumët dhe mërhumet që nuk dinë të korruptohen as të korruptojnë, që nuk dinë të trafikojnë apo të trafikohen, pra të gjithë këta e të gjithë këto të përcillen për në Evropën aq të dëshiruar. Dhe në vend të tyre, Atdheun e dashur, Shqipërinë e shqiponjave ta gëzojnë, ta trashëgojnë popullsi të njohura botërisht gjatë shekullit të kaluar dhe në shekullin e ri për kualifikimin e lartë në kanabis, në trafiqe, në korrupsion dhe në krime.

***

Të ishte Edi në vend të Lulit. Të ishte Luli në vend të Edit. Të ishte ‘Rilindja’ në vend të ‘Republika e Re’. Të ishte ‘Republika e Re’ në vend të ‘Rilindja’. Të ishin ‘rilindasit’ në vend të ‘republikasvet të rinj’. Të ishin ‘republikasit e rinj’ në vend të ‘rilidasve’.

Filed Under: Analiza Tagged With: Luli në vend të Edit, Skender Bucpapaj, të ishte, Të ishte Edi në vend të Lulit

Koalicionet, PS i kërkon KQZ një javë shtyrje

April 20, 2017 by dgreca

Në Komisionin Qendror Zgjedhor nisi sot, e Enjte 20 Prill,  shqyrtimi i kërkesës së PS-së dhe LSI-së për shtyrjen e afateve të regjistrimit të koalicioneve.PS kërkon shtyrjen me një javë  të afatit të regjistrimit. PD eshte kunder.Edhe anëtari i KQZ, Klement Zguri shprehet kundër: “Zgjedhjet prishen. Prishet gara, barazia, mënyra korrekte e procesit. KQZ zbaton ligjet nuk i modifikon ato. Një ligj i kaluar me 3/5 nuk mund të ndryshohet me 4- 5 vota”

Përfaqësuesi ligjor i PS-së Eridian Salianji bëri publik propozimin: Shtyrja e afatit disa ditë nuk e cënon procesin. Afati nuk është i ngurtë dhe nuk jemi në një situatë normale. Për ne më rëndësi është zbatimi i kushtetutës dhe më 18 qershor të jenë të gjithë palët. Shtryja disa ditë është mëse normale. Deri më datën 28 prill nuk cënohet procesi zgjedhor. Është kufi ligjor.

PD e prezantuar nga përfaqësuesi ligjor Ivi Kaso thotë:  kërkesa PS e LSI nuk ka bazë ligjore. Nuk ka vend për akrobacira. Opozita i ka kërkuar KQZ të mos bëhet mashë e partive për të zgjidhur problemet që vetë kanë krijuar dhe vetë kanë në dorë të zgjidhin

Dy anetare dje u shprehen kunder

Dy anëtarë të saj Klement Zguri dhe Hysen Osmanaj kanë paralajmëruar votën kundër pasi shtyrja e afateve duke e quajtur shkelje të ligjit.

Klement Zguri deklaroi dje: “Sot është data ligjore për të përfunduar regjistrimi. Kërkesa e dy partive nuk është legjitime. Kërkuesit nuk kanë autorizim për këtë kërkesë. Përmbajtja e saj prek zgjedhjet, i prish ato”.

Hysen Osmanaj deklaroi po dje: “Ne nuk mund të marrim atë vendim. Pasi çdo vendim që mund të marrin ne, qoftë me shumicë të cilësuar apo me votë të thjeshtë, vendimi do të jetë nul, sepse bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor”

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta e konsideruan kërkesën shprehje vullnetmirë për ti dhënë kohë PD.  Opozita i kërkoi KQZ të respektonte Kodin Zgjedhor.

Edhe Partia e Ben Blushit, LIBRA shprehet kundër kërkesës së dy partive të maxhorancës, duke cilësuar KQZ të politizuar, ndërsa kërkesën grusht shteti të partive në pushtet.

I të njëjtit qëndrim janë dhe anëtari i KQZ-së Klement Zguri por dhe  e quajti kërkesën e dy partive jo legjitime dhe që sipas tij do të prishte zgjedhjet. Edhe konstitucionalisti Clirim Gjata e quan veprim kamikaz.

Filed Under: Komente Tagged With: Koalicionet, një javë shtyrje, PS i kërkon KQZ

Mjaftuan 5 minuta për të djegur dhe raundin e dytë për presidentin

April 20, 2017 by dgreca

Sic informon “Ora News TV”, Ikën dhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit. Kjo nuk ishte e papritur.Ishte parashikuar se do te digjej dhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Seanca e mbledhur në orën 15:00 zgjati vetëm 5 minuta, dhe ishte thjesht formale, dhe u ezaurua pa asnjë kandidat të propozuar.

Edhe sot  dy bashkryetarët e mazhorancës, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta, thanë se po presin opozitën që të përfshihet në proces, në mënyrë që Presidenti i ri të jetë mbi palët.

Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës zhvillohen 5 raunde votimi; në 3 raundet e para kreu i shtetit zgjidhet me 84 vota, ndërsa në dy raundet e fundit zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Nëse Kuvendi nuk do të arrijë të zgjedhë Presidentin edhe në raundin e pestë ai shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje, të cilat zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

Me 19 Prilli Parlamenti zhvilloi raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri pa asnjë kandidat të propozuar.  Në të njëjtën mënyrë do të zhvillohet dhe raundi i radhës të enjten në orën 15:00, ndërsa  dy bashkryetarët e mazhorancës  kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta, thanë  se po presin opozitën që të përfshihet në proces, në mënyrë që presidenti i ri të jetë mbi palët.  Si tentative për t’i dhënë mundësi opozitës  dhe dialogut për  zgjidhjen e krizës poltike, Rama dhe Meta cilësuan dhe kërkesën në KQZ, për shtyrjen e afatve për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit.

Tirane- Parlamenti zhvilloi pa kandidat raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa raundi i dytë do të  zhvillohet të enejten në orën 15, sërish pa një emër për t’u votuar.  Dy bashkryetarët e mazhorancës, kryemisnitri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta, thanë në përfundim të parlemntit  se po presin opozitën që të përfshihet në proces, në mënyrë që presidenti i ri të jetë mbi palët.

Edi Rama: Ne sikundër e kemi thënë për t’i dhënë hapësirë e mundshme brenda korinizës kushtetuese, brenda rregullave të lojës demokratike PD dhe atyre që bashkë me të janë ngujuar në çadrën e frikës nga drejtësia nuk paraqitën një kandidat.

Ilir Meta: Ishte tregues u vullnetit për të respektuar procedurat, por edhe durimit dhe vullnetit për të pasur mundësi për të biseduar edhe me opozitën që të kemi një proces sa më bashkëpunues dhe mundësisht sa më konsensual për zgjedhjen e presidentit të ri bashkë me opozitën.

Por kur u pyet se  kur  mazhoranca po kërkon t’i jap kohë opozitës për tu përfshirë në proces, pse  raundi i dytë u vendos të zhvillohet vetëm 20 orë më pas, kryeparlemntari Meta dha këtë përgjgije.

Ilir Meta: Fakti që raundi i dytë do të bëhet nesër nuk do të thotë se raundi i dytë do të bëhet pasnesër.Mendoj që do të jepet koha e duhur dhe shpresoj që fillimi i javës së ardhshme të jetë fillimi i dialogut.

Rama e Meta  u kujdesën që para mediave të deklarojnë se i kanë votat për presidentin e ri dhe se djegija e raundeve nuk vjen për shkak të mungesës së konsensusit  brenda mazhorancës.

Edi Rama: Durimi vjen nga fuqia që kemi. Ne nuk e kemi kuptuar asnjëherë fuqinë tonë si një motiv për të qenë arrogant. Ne e kemi kuptuar si një arsye më shumë për të qëndruar.

Ilir Meta: Kjo mazhorancë i numrat për zgjedhjet e presidentit të ri, por besoj se ky është një proces shumë i rëndësishëm që pa dyshim meriton edhe bashkëpunimin e tyre.

Por  sa kohë,  janë të gatshëm të presin opozitën? Kryeministri Rama tha se do bëjë gjithçka deri ne fund që emri i presidentit të ri të jetë konsensual dhe me integritet, por pritja e ka një fund ndërsa garantoi se pavarësisht gjithçkaje vendi do ta ketë presidentin e ri.

Edi Rama: Vendi nuk do ngelet asnjë ditë pa president. Ne Presidentin e duam për vendin jo për vete. Sepse po ta donim për vete sot do ishit duke intervistuar Presidentin jo mua.

Si përpjekeje për konesus dhe mundësi për përfshirjen e opozitës, Rama dhe Meta, cilësuan dhe kërkesën në KQZ për shtyrjen e afatave për regjistrimin e  koalicioneve.

Edi Rama: Kemi të bëjmë krizë dramatike të PD. Po mundohemi t’ia lehtësojmë këtë rrugë PD për të dalë nga kjo krizë. 

Ilir Meta: Vullnet maksimal për t’i dhënë më shumë kohë opozitës për t’u regjistruar

Kryemisnitri, Edi Rama, tha se opzitës do t’i jepet kohe dëri në regjistrimin e kandidatëve për deputetë, që është data 5 maj.

Edi Rama: Çdo përpjekje e ka një fund dhe fundi i të gjitha përpjekjeve  do të jetë momenti i regjistrimit të kandidatëve të ekipeve që do të garojnë për 18 qershorin.

Por kryeparlamentari Ilir Meta nuk i mendon zgjedhjet pa opozitën.

Ilir Meta: Nuk dua ti mendoj zgjedhjet pa opozitën.

Meta, sqaroi se nuk është tërhequr nga kërkesa për qeveri besimi, por sipas tij propozimi u keqpërdor nga faktor të ndryshëm politik.

Ilir Meta: U keqpërdor për të ndezuar me tej retorikat duke kërkuar edhe arrestime të politikanëve të caktuar.

Seanca e raundit te pare – Procedura ishte thjesht formale pasi nuk kishte asnje kandidat. Kryetarja e komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi lexoi raportin e komisionit për raundin e parë, kryeparlamentari Ilir Meta tha se seanca e parë konsiderohet e ezauruar.

Hysi: Komisioni konstatoi se asnjë kandidaturë për President nuk është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë. Votimi quhet i kryer edhe në konkurrim nuk pshtë paraqitur asnjë kandidat i paraqet seancës këtë raport me qëllim përmbylljen e procedurave të raundit të parë.

Meta: Bazuar në raportin e komisionit të Ligjeve, seanca e parë quhet e ezauruar.

Mbledhja e komisionit te Ligjeve- Rreth orës 17:00 u mblodh edhe Komisioni parlamentar i Ligjeve.

Kryetarja e këtij komisioni, deputetja socialiste, Vasilika Hysi tha se deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë të paraqitur, duke shtuar se raundi quhet i kryer. Kjo do të thotë se raundi i parë ka dështuar.

Hysi: Kushtetuta përcakton që çdo kandidat duhet të mbështetet nga të paktën 20 deputetë.  Kandidati për president duhet të plotësojë formularët e dekriminalizimit. Kandidati duhet të plotësojë formularët e pastërtisë së figurës. Raundi quhet i kryer edhe kur nuk ka kandidat. Komsioni dërgon raport parlamentit, ku theksohet se nuk ka asnjë kandidat.

Jane 5 raunde

Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës zhvillohen 5 raunde votimi; në 3 raundet e para kreu i shtetit zgjidhet me 84 vota, ndërsa në dy raundet e fundit zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Nëse Kuvendi nuk do të arrijë të zgjedhë Presidentin edhe në raundin e pestë ai shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje, të cilat zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

Filed Under: Kronike Tagged With: 5 minuta, Digjet, Zgjedhja e presidentit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT