• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

Pikësynimet Sllave

April 29, 2017 by dgreca

Pikësynimet Sllave: Veshtrim i Ministrisë së Punëve të Jashtme Shqiptare në Vitin 1944./

*Hito Çako dhe Shefqet Peçi: “Shqiptarë të Kosovës, Pritni siç u ka hije Ushtrin e TITOS dhe të ENVERIT”/

1 Tokat e Liruara 1941-1944

Nxjerre nga “Tokat e Liruara 1941-1944: Përmbledhje dokumentesh”,

Vëllimi III nga Qerim Lita. Botim i vitit 2016 nga shtepia botuese LOGOS A, Shkup.

Me titull “Notë politike 6 maj 1944 – pikësynimet sllave”, hartuar në maj të vitit 1944 nga Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare, lidhur me disa deklarata dhënë opinionit demokratik perëndimor nga të deleguarit e Titos rreth shtetit të ardhshëm jugosllav.

Tiranë, maj 1944/

   Në ditët e fundit, sikundër na lajmëroi radjoja e Londrës, paska arritur në Kryeqytetin e Perandorisë Britanike një gjeneral përfaqsonjës i Titos, i cili, si t’ish e natyrëshme, bëri edhe disa deklarata, mbi qëllimet dhe pikësynimet e lëvizjes nacional-çlirimtare jugosllave.

   Ky Zoti gjeneral për vullnet të të kuqve të vetëemëruarit Mareshall Tito, deklaroi se, lëvizja nacional-çlirimtare jugosllave nuk synon aspak në themelin e një Republike Sovjetike në Jugosllavi, por thjeshtësisht në rikrijimin e një Jugosllavije, e cila mund të jetë edhe nën Mbretin Pjetër, në rasë se populli e kërkon këtë gjë. Në këtë Jugosllavi, që kërkon Titoja të rikrijojë, gjithënjë sipas deklaratave të zotit gjeneral, minoriteteve ungareze, italjane dhe shqipëtare, do t’u njifen të drejtat e tyre minoritare.

   Sigurisht është hera e parë dhe e vetme që një përfaqsonjës zyrtar i Titos thot të vërtetën, të paktën për sa u përket pikësynimëve të lëvizjes së punëtorit të djeshëm metalurgjik dhe sot, për hir të Moskës, kryetar i lëvizjes nacjonal-çlirimtare jugosllave.

   Nuk ka asnjë dyshim se lëvizja e Titos synon në rikrijimin e ish Jugosllavisë, sikundër nuk ka asnjë dyshim se edhe Jugosllavija e Titos, për sa u përket minoritetëve do të ndjekë po atë politikë të maruemes Jugosllavije, që konstatonte në sllavizimin e minoritetëve dhe veçanërisht për sa u përket shqiptarëve në çdukjen e tyre fizike me anën e masave shumë moderne për sllavët: të masakrave kolektive, të kolonizimit, të emigrimit të forcuar dhe kështu me rradhë, me që shqiptarët u-provua se është e pamundur të sllavizohen.

   S’ka shumë kohë që një tjetër përfaqsonjës zyrtar i Titos, Komisari i tij për P. të Jashtme, deklaroi në Bari se, lëvizja e Titos synon një Federatë Ballkanike, pa Turqinë, pa Greqinë dhe pa Rumaninë, por vetëm me bashkimin e Jugosllavisë dhe të Bullgarisë, në të cilën do të futet edhe Shqipërija. Dy miljonë shqiptarësh, mbrenda 20 miljonë sllavësh! Ky na tha masakrimin e kërkesave të Titos. Tashti na vjen Zoti gjeneral i tij në Londër dhe na zbulon minimumin e kërkesave të Titos: ish Jugosllavija me Kosovën shqiptare – ndoshta edhe ndonjë pjesë tjetër të Shqipërisë – minoritet në Jugosllavin e re.

   Shqiptarët me mënd, Kombi në përgjithësi, që kanë një eksperiencë të hidhur dhe i njohin mirë sllavët, edhe kur këta paraqiten në veshjen e kuqe, nuk kanë patur asnjë dyshim mbi pikësynimet e vërteta të Titos me shokë. Lëvizja e Titos, për njëmend, nuk është veçse një rrugë e re e politikës pansllave të Kremlinit të vjetër, të cilit i pasoi Kremlini i ri në përpjekjen e tij për të shtyp nën influencën ruse Ballkanin. Për t’i arritur këtij qëllimi, Rusija e Carëve paraqitesh si mprojtëse e krishterimit kundra gjysmëhënës; për t’i arritur po këtij qëllimi, Rusija Sovjetike e Stalinit, paraqitet si gjoja kundra gjermanëve, duke çpikur lëvizjet nacjonal-çlirimtare, në realitet kundra forcave antisllave të Ballkanit. Edhe në të dy kohërat dhe rastet, një dhe i vetmi qëllim dhe pikësynim: nënshtrimi i Ballkanit nënë sllavët. Mbi këtë gjë, zoti gjeneral i Titos, pardje, sikundër komisari i tij për P. të Jashtme, para disa ditësh, janë të qartë dhe të përpikët.

   Por vallë, edhe pas kësaj prove, ç’kanë për të na thënë komunistët t’onë dhe disa miq dhe patriotë të radjove shqiptarofonë të Londrës dhe të Barit?

AQSH. F. 198. D. 35. V. 1944. fl.2

***

Hito Çako dhe Shefqet Peçi: “Shqiptarë të Kosovës, Pritni siç u ka hije Ushtrin e TITOS dhe të ENVERIT”

Nxjerre nga “Tokat e Liruara 1941-1944: Përmbledhje dokumentesh”,

Vëllimi III nga Qerim Lita. Botim i vitit 2016 nga shtepia botuese LOGOS A, Shkup.

AFISHE

lëshuar në Prizren dhe në pjesë tjera të Kosovës, në pjesën e dytë të muajit shtator 1944 nga Shtabi operativ i Brigadave III e V partizane shqiptare, përmes së cilës etiketohej personaliteti i Xhafer Devës dhe i organizatës atdhetare Lidhja II e Prizrenit, si dhe ftoheshin shqiptarët e Kosovës që ushtrinë komuniste të Titos e të Enverit ta presin si çlirimtare

   Gjermanija Nasiste që mbyti në gjak popujt e Europës kontinentale po përmbyset, bashkë me to po përmbysen njera mbas tjetrës dhe qeverit kuislinge që formoi kudo ku shkeli këmba e ushtarve të saj barbar. Aleatët fitimtarë të popujve Antifashist po marshojnë me shpejti nga gjithë drejtimet drejt Gjermanisë vet, për të godit në strofull bishat naziste që tërhiqen n’at drejtim. Ushtritë Anglo-Amerikane në veri kanë hyrë thellë në t’okat Gjermane dhe po shkatërrojnë sistematikisht vijën e fortifikuar si frikë ndërsa në jugë, po likuidojnë rezistencën e fundit gjermane që bahet n’Italin e veriut për lehtësim të tërheqjes së trupave që kanë mbetur t’isoluar në Ballkan, Ushtrija e Kuqe e popujve të lumtur të Unionit Sovjetik, mbasi çliroji Bullgarinë, Rumaninë dhe pjesën ma të madhe të Polonisë, në veri mori me sulmue fortifikatat e mëdha që mpronin Rusinë lindore dhe po likuidon me shpejtësi qendrën e militarizmit brutal nasist. Në jugë kolonat e sajë që përparojnë thellë në Hungari, Çekosllovaki e Jugosllavi, pasi çliruan qytetin e rëndësishëm të Beogradit, sod po përparojnë drejt Vienës, Budapestit e Monastirit; duke përçarë trupat Gjermane kudo e duke ua bërë të pa mundur tërheqjen.

   Ushtrit Nacional çlirimtare të vendeve të shtypura, sod po shtypin nën hapat e tyre përparimtare mbeturinat e Ushtrive Hitleriane që po mbesin në mëshirën e armëve shliruese pa asnjë rrugë shpëtimi. Kudo popujt po shijojnë ditën e liris që po e presin me ankth dhe po urojnë suksesin final ushtrive të Bllokut Antifashist që po dërmojnë nasismin, sistemin më të uryer. Të gëzuara e të entuziaumuara, të forte e të ashpër po sullen me tërbim kundër hismeqarëve të nasismit që me vesh varur e sit ë penduar sod vajtojnë zhdukjen e sistemit të tiranis që aq shumë i ndihmuan, duke shpresuar mëshirën nga drejtësia që dje s’e njihnin. Sod asht vonë, aktiviteti i tradhëtarëve ka coptuar zemrat e qindra mijëra nënavet, ka zhdukur pasurin e po aq familjeve. Drejtësia e luftës Nacional Çlirimtare ka për të qëndruar gjithnjë në drejtësi e si e tillë ka për të përlarë një soi gjithë tradhëtarët koshient, dhe këtë na e caktojnë gjyqet e krijuara në Bullgari e Rumani dhe aktiviteti i tyre i gjerë.

   Nga kjo luftë që u shkaktoi, popujve skamje e mjerime, dhe u kushtoi mirjra e mijra dëshmorë u dalluan patriotët dhe përparimtarët që të bashkuar me frontin Nacional Çlirimtar me frontin e vërtetë të luftës dhe të përparimit luftuan fashizmin dhe okupatorin, duke mos neveritur çdo gja para nderit, atdheut e kombit të grabitun e të dhunuar; pa mos u trembur aspak nga vrasja, djegja, terrori, masakra që nasistat ndërmorën për t’i nënshtruar. U dalluan nga gjithë bota përparimtare gjithë frikacakët, anti-përparimtarët, mohuesit e lirisë, me një fjalë gjithë kundrinat e popujve të robëruar që për vjetë me radhë po i shërbejnë besnikërisht okupatorit të urryer.

Shqiptarë të Kosovës e Metohis:

   Në radhë të fundrinave të popujve, në radhët e mohuesvet t’atdheut e të Flamurit, në radhët e besnikëve të Hitlerit jeni duke hyrë edhe ju me bashkëpunimin që i jepni ushtrisë Gjermane nga Xhafer Deva e nga gjithë axhentat e Gestapos që drejtojnë Lidhjen e Dytë tradhtare të Prizrenit, po mbushni radhët e xhandarmërisë, policisë e formacioneve S.S.që  Gjermanët organizojnë në vendet e hueja. Ju të organizuarë në këtë mënyrë dhe të komanduar nga oficera dhe ushtarë gjerman po luftoni kundra Ushtris Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë së Re dhe kundra Brigadave Shqiptare që kanë ardhur t’u ndihmojnë për të shpëtuar sa më shpejtë nga kthetrat naziste gjermane dhe nga rrenat e Xhafer Devës me shokë.

   Kjo rrugë e gabuar që jeni duke ndjekur po përlyn emnin e Bajram Currit, Isa Boletinit e të tjerë Kosovarë të ndershëm që luftuan me trimëri për liri dhe vëllazërimin e popullit të Kosovës me gjithë fqinjtë.Kjo u banë armiq të Ingliterës të Amerikës dhe të Bashkimit Sovjetik, tre shteteve të mëdhaja që po fitojnë luftën, dhe u përgjak me ushtrit e Mareshalit tito dhe me Brigadat shqiptare që kanë ardhur për të shliruar Kosovën.

   U bënë pra armiq të gjithë ushtrive më të forta të botës, pse ju besoni gënjeshtrës të Xhafer Devës dhe të tjerë larove të këtij lloji, sipas së cilës Brigadat Shqiptare dhe Ushtria e Mareshalit Tito që luftojnë në rrethet e Kosovës paskan ardhur me u hak-marrë me popullin Kosovarë, për krimet, vjedhjet dhe plaçkitjet që bijt e tij kanë bërë në Shqipëri, Jugosllavi krahë për krahë me Ushtrit e okupatorit.

   Kjo ësht gënjeshtër që kërkon t’u lidh juve si mishin me kockën me gjrmanë dhe tradhtarë, se Xhafer deva don t’u mbajë begshi të gatshëm për të mbrojtur sod që bajonetat gjermane po rrallohen, nga grushti i Ushtrive Çlirimtare.

   Ju sod duhet të kuptoni qëllimin përparimtarë që ka lufta që bëjnë djemt e Jugosllavisë së Re ndën udhëheqjen e ndritur të Mareshalit TITO. Ata luftojnë me tërbim zaptuesin gjermanë dhe veglat e tij Nediç, Mihajlloviç, Xhafer Deva e të tjerë që dje nën pushtetin e Kral Pietrit vranë burgosën internuen e çkombtarizuen pjesë të tëra të popujve jugosllavë dhe sod nën bajonetat gjermane po përçajnë popujt për hirin e ithtarëve të tyre shoviniste viktimë e së cilës janë dhe qindra e qindra bijt të Kosovës që u therrën si derrat prej banditve të Mihajlloviçit në Bihor. Ata luftojnë dhe s’ka gjë që t’i ndalë vëllazërimin e popujve të jugosllavisë së Re Federative ku s’ka për të pasë vend uria, shtypja dhe çkombtarizimi i së kaluarës.

  Ata për ju dhe për gjithë të tjerët ushqejnë dashuri dhe po japin jetën. Këtë e tregon kjartazi lufta që bëjnë kundra armiqvet tuej e të mare popujve Jugosllav, Nediq-Mihajlloviq dhe të tjerë dhe sjellja vëllaznore që kanë mbajtë karrshi shqiptarëve të Kosovës që kanë zënë në fushë të luftës.

Shqiptarë të Kosovës dhe të Metohis

   Sod që rezistenca e deshpëruar gjermane po dobësohet dhe blloku antifashist po korë suksese të mëdha në çdo vend, sod që lufta Nacional Çlirimtare që ka arritur kulmin dhe qëllimet e sajë përparimtare shkëlqejnë, sod që edhe aleatët më të ngushtë Rumanija e Bullgarija lane Hitlerin e tradhëtarët vetëm, sod dhe ju duhet t’u mbushet mendja se qëndrimi me gjermanë dhe tradhtarë do të thotë turp, do të thotë vdekje, dhe shkëputje prej tyre e nderi e vetmja rrugë e shpëtimit.

   Prandaj shkëputi nga radhët e tradhtisë, pritni siç u ka hije Ushtrin e TITOS dhe të ENVERIT që vjen t’u shlirojë, forconi pushtetin tuej popullorë dhe shtoni aradhet e Ushtris së Kosmetit ku gjenden bijtë më të ndershëm të Kosovës, dhe turri me tërbim mbi Gjermanët dhe tradhtarët për shlirimin e shpejtë të vatrave t’ueja dhe për larjen e njollave të deri tashme.

PËR SHTABIN OPERATIV TË BRIGADËS III, V SULMUESE

          KOMISARI POLITIK                                                               KOMANDANTI

                (Hito Çako)                                                                                 MAJOR

                                                                                                                (Shefqet Peçi)

ДАРМ.1.14.9.202/284-285

Dhe për t’ia dorëzuar xhelatit shekullor, Serbisë, përkatësisht Jugosllavisë komuniste, e cila posa u fut në tokat shqiptare, vrau, pushkatoi, terrorizoi dhe burgosi mbi 50.000 shqiptarë. Kjo ishte politika e “Re” e Titos, që Enver Hoxha dhe klika e tij zhvilloi një fushatë të gjerë jo vetëm propaganduese, por edhe luftarake, vetëm e vetëm që tokat shqiptare jashtë Shqipërisë politike të ripushtohen nga ushtria e kuqe jugosllave, apo siç ai e quante “Ushtria e Mareshalit Tito”.

2 Një krahasim i pakuptueshëm.

3Cilët ishin ata popuj jugosllav!?

4 Po i njëjti njeri i cili kreu masakrën e Bihorit, tashti nën petkun e ushtrisë së “Mareshalit Tito”, organizoi dhe kreu masakrën e mirënjohur të Tivarit.

Filed Under: Histori Tagged With: “Tokat e Liruara 1941-1944: Përmbledhje, dokumentesh”, Qerim Lita

DHUNA MBI DR. ZIJADIN SELA, SULM RACIST

April 29, 2017 by dgreca

REAGIM I SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË ”PAPA KLEMENTI XI ALBANI”, SUEDI, NDAJ NGJARJEVE NË MAQEDONI DHE LËNDIMIT TÊ RËNDË/

TË DR. ZIJADIN SELËS/

Foto për media

    Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, (SHSASHS) i ka përjetuar shumë rëndë ngjarjet në Maqedoni. Sulmi kriminal i organizuar dhe i përgaditur deri në marrjen e urdhërave për të sulmuar ishte i ditur dhe njoftuar që më parë. Dhuna ndaj deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë mund të përfundonte edhe me jetëra njerzish.

    SHSASHS sikur edhe tërë bota demokratike i dënon ashpër këto veprime dhe ngjarje. Në veçanti denojmë rastin e deputetit dhe liderit të Lëvizjes për Reforma i Partisë Demokratike Shqiptare, Dr. Zijadin Sela, që ishte sulm i përmasave raciste dhe shoviniste.

    Kërkojmë që kriminelët të nxirren para drejtësisë sa më parë. Kurse kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, zotit Talat Xhaferi, të zgjedhur konform Kushtetutës së Maqedonisë,   ia urojmë postin dhe i dëshirojmë suksese. Ne e konsiderojmë si ngjarje historike zgjedhjen  e një shqiptari në krye të Kuvendit të Maqedonisë.      

    Ne mendojmë se dy shtetet tona, Shqipëria dhe Republika e Kosovës, duhet reaguar ashpër kur cenohet identiteti i shqiptarëve kudo në botë e në veçanti ndaj atyre që janë përfaqsues të popullit sikurse në rastin e Dr. Zijadin Selës dhe të tjerëve.

    Dr. Selës i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe kthim në detyrën e tij të shenjtë.

    Dr. Zijadin Sela është i dekoruar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, për kontributin e dhënë në bashkëpunim vëllazror në sferën gjuhës, kulturës, artit dhe traditës kombëtare me mërgatën, në Uddevalla, më datë 31 maj 2014.

 

Në emër të SHSHASHS-së,                              Ängelholm/Suedi

Hysen Ibrahimi, kryetar                                    29.04.2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: dr. Zijadin Sela, Papa Klementi XI Albani, reagim, Suedi

Botë e njeri

April 29, 2017 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Bota është burg, me përjashtim se në ‘të të gjithë janë të dënuar me vdekje. Njerëzit presin në radhë, dhe në proces harrojnë se nuk janë vetëm – u duket se do të jetojnë gjithmonë; zihen, grinden, luftojnë njeri-tjetrin, të pushtuar nga Uni, fryhen, shtypin, pasurohen, dhe kur afrohet koha të vdesin, dridhen, përqafojnë fenë, japin dhurata, bëhen bamirës, pendohen -për të qetësuar a shpëtuar shpirtrat e tyre – megjithatë, ata shtiren. 

Parë nga lart Toka është një ishull në ‘oqeanin’ e qiellit, duket pikë e vogël në hapësirën pa-kufi, dhe njerëzimi, s’është gjë tjetër veçse një Robinson Kruzoe. Libri me të njëjtin titull, shkruar nga Daniel Defo në vitet 1700, që shënoi fillimin zhanrit të romanit anglisht, tregon jetën e njeriut në izolim apo në ishull. Novelisti James Joyce (1882-1942) thoshte se Kruzo simbolizon shpirtin anglo-sakson me tiparet si “kolonist, i pavarur, mizor i pandërgjegjshëm, këmbëngulës, me inteligjencë të ngadaltë por efikase, apatik, me veprime të përllogaritura.” 

Defoe, nëpërmjet Kruzos, tregon se si njeriu, në karakter, zhvillohet nga një gjendje primitive në një më të qytetëruar, duke sfiduar gjendjen natyrore. Robinson Kruzo i jetës në ishull, megjithatë, është edhe simbol i njeriut të parë, ku njerëzimi sot mund të kuptojë se si ka qenë fillimi i tyre dhe i kësaj bote.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Botë e njeri

Le Temps:Agresioni fashist mb Shqiperine, Deklarata e Faik Konices

April 29, 2017 by dgreca

Nga Aurenc Bebja*, Francë /

Të dielën e 9 prillit 1939, gazeta franceze « Le Temps » i ka dedikuar një hapësirë të veçantë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ajo ka botuar asokohe një seri reagimesh në lidhje me këtë ngjarje tragjike, ku bie në sy gjithashtu reagimi i atdhetarit, diplomatit, politikanit dhe patriotit shqiptar, Faik Konicës.

2faiku

Gazeta shprehet se ministri i Shqipërisë në Uashington, Z. Konica, ka vizituar të premten pasdite (d.m.th, 7 prill 1939), Z. Cordell Hull (Sekretarin amerikan të shtetit), me të cilin ka diskutuar për situatën në Shqipëri.

Para takimit me zyrtarin amerikan, diplomati shqiptar i ka dërguar shtypit deklaratën e mëposhtme, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

1 deklarata Konica

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/

« Përfaqësitë shqiptare në Londër dhe Paris tashmë kanë publikuar deklaratat e tyre me të cilat natyrisht jam dakord. Unë jam shumë larg Shqipërisë dhe nuk kam asnjë lajm të drejtpërdrejtë nga qeveria ime; kështu që unë nuk kam asgjë për të thënë si ministër.

Si shqiptar dhe ish-kreu i partisë nacionaliste shqiptare, unë do të bëj një deklaratë të shkurtër : Italianët kanë shumë cilësi të admirueshme dhe janë një popull i madh, por i Plotfuqishmi, në planet e tij të fshehta, u mohoi atyre të gjithë kuptimin kalorësiak.

Në momentin kur mbretëresha po sillte në jetë fëmijën e saj, italianët goditën befasisht. Nëna u detyrua të largohet nga shtrati me një fëmijë dy ditor, dhe të kërkojë strehim jashtë Shqipërisë. Do të ishte kundër natyrës së italianëve të prisnin disa javë përpara se të bënin këtë veprim.

Ky agresion, pa asnjë provokim nga pala shqiptare, me një diferencë dyzet me një (numër banorësh) apo një mijë me një të armatosur, çfarë do t’u sjellë ? Sigurisht, asnjë përfitim me kohën dhe asnjë nder.

Një kampion i mundjes, që dëshiron të masë forcën e tij, nuk përballet me një fëmijë, por sfidon një mundës tjetër të nivelit të tij. Unë e di se italianët qeshin me këto pikëpamje (krahasime). Ne gjithmonë tallemi me atë që nuk e kuptojmë. Unë nuk besoj se dikush do të admirojë Italinë për atë që ajo ka bërë.

Ashtu si intelektualë të tjerë shqiptarë, unë ëndërroja një bashkëpunim kulturor, ekonomik dhe politik të ngushtë dhe të ndershëm me Italinë. Përgjigjeja ‘elegante’ e Italisë ndaj kësaj ëndërre është një grusht në fytyrë ! »  Kortezi:https://www.darsiani.com

 

Filed Under: Histori Tagged With: Arena Bebja, FAIK KONICËS, LE TEMPS

SHEKULLI ËSHTË PREMTUES, POLITIKA NË NGËRÇ

April 29, 2017 by dgreca

Mendime për veprën “Pushteti i korruptuar – protagonistët dhe viktimat” të R. Qosjes/1 pushteti viktimat

Nga Thanas L. Gjika/Akademiku Rexhep Qosja, ka një gjysëm shekulli që shkëlqen në botën shqiptare me veprën e tij shumëdimensionale si studiues i letërsisë, shkrimtar, kritik letrar, analist, politolog e mendimtar elitar. Leximi i veprave të tij është një kënaqësi intelektuale për çdo shqiptar. Vitin e kaluar, viti i 80-vjetorit të tij, ai shkroi e botoi studimin “PUSHTETI I KORRUPTUAR – PROTAGONISTËT DHE VIKTIMAT” TOENA, Tiranë 2016, 232 f.

Në 19 kapitujt e veprës shpalosen shqetësimet e kritikat e këtij qytetari guximtar për gjendjen e rëndë politike të dy shteteve shqiptare. Si askush tjetër Qosja e shikon dhe e analizon botën shqiptare si një të vetme. Ai e vlerëson drejt shekullin XXI për ne shqiptarët me rrethana të jashtme shumë optimiste e premtuese, për të fituar kohën e humbur gjatë shekujve të kaluar, në ecurinë e proceseve demokratike. Mirëpo jemi ne shqiptarët, pushtetarë dhe popull, të majtë e të djathtë, që nuk po ecim në rrugën e mbarë dhe po pengojmë veten si inaçorë të pajustifikueshëm, duke e shfrytëzuar demokracinë për interesa të ngushta personale, grupi, ose partie. Me pak fjalë autori zbulon fatkeqësinë tonë: “Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se i ashtuquajturi pluralizmi partiak, kushti i parë i ndërtimit të demokracisë, do t’u bëjë të mundshme prijësve partiakë që në disa raste ta shtojnë shumë, pamatshëm shumë, me çka duhet e me çka s’ duhet armatën e tyre partiake, me të cilën do të sundojnë, do të shfrytëzojnë, do të frikësojnë, do të shantazhojnë, të fajshëm e të pafajshëm, të dijshëm e të padijshëm, të vegjël e të mëdhenj, besnikë të pasigurt, e mospajtues të padyshimtë”(f. 10). E kështu shumë lehtë e shumë shpejt, thekson ai, u prish aq shumë lënda e quajtur “njeri politik”.

Fatkeqësia jonë, si në Shqipëri e Kosovë, tregon autori, qëndron në disa dukuri negative si: partitë dhe prijësit e tyre janë të gjithmonshëm, pushtetarët e sotëm mënjanojnë dhe shpërfillin të përndjekurit e vërtetë të regjimeve të kaluara dhe hiqen vetë si të përndjekur. Këta shpërdorojnë zgjedhjet me anë të të cilave zgjidhen jo deputetë të popullit por deputetë të partive të cilët e kanë kthyer demokracinë në demokraci totalitare, ku politika e ka pushtuar çdo anë të jetës sonë ekonomike, shoqërore, të medies, etj duke krijuar një feudalizëm partiak, një sundim despotik sulltanor dhe sundim oligarkik rural. Kjo gjendje është krijuar prej kryefeudalëve partiakë me anë të shërbimit të verbër të disa njerëzve servilë, që gjenden lehtë për dy arsye: “e para, sepse të tillë  të dëgjueshëm ka krijuar vetë historia jonë me pak vite pavarësie dhe me shumë e shumë shekuj robërie dhe e dyta, sepse të tillë të dëgjueshëm e të tillë të panënshtrueshëm, krijojnë dhe vetë privilegjet që të shquarve të tyre u sigurojnë firmat e quajtura parti politike shqiptare” (f.43).

Në një kohë që në Shqipëri e Kosovë ka një numër shumë të madh njerëzish me diploma të shkollave të larta, madje dhe me tituj shkencorë dhe profesorë e akademikë, studiuesi vë theksin se shoqërisë sonë i ka munguar e i mungon elita intelektuale. Elita e vërtetë ka vlera shoqërore për shkak të pavarësisë së të menduarit dhe të sjelljes. Eshtë identiteti yt mendor e moral ai që të bën të quhesh intelektual, kurse nënshtrimi i interesave të përgjithëshme ndaj leverdive vetiake të përjashton nga të qenit intelektual, pa le pastaj intelektual elitar. Elitë intelektuale në Shqipërinë diktatoriale nuk ka qenë sipas tij as shkrimtari i talentuar Ismail Kadare, i cili me krijimet letrare, me publicistikë, me funksione politike e shtetërore, i shërbente diktaturës komuniste. Elitë, thotë ai, ishte Martin Camaj, i cili për shkak të mospajtimit me atë diktaturë, iku një herë në Jugosllavi e mandej në Gjermani, ku krijoi veprat e veta dinjitoze. E pas emrit Ismail Kadare, lexuesi nuk ka pse të mos rendisë edhe armatën e shkrimtarëve, artistëve, studiuesve etj, që ishin më poshtë për nga vlerat qytetare se Kadareja, të cilët as sot nuk kanë kërkuar të falur për veprat pro regjimit, si kërkoi Kadareja duke e pranuar epitetin “poet i oborrit” që më 1992. Kurse pas emrit të Martin Camajt si intelektualë elitarë, lexuesi nuk ka pse të mos sjellë në mendje edhe intelektualët e tjerë  të arratisur Arshi Pipa e Sami Repishti, si dhe emrat e krijuesve të burgosur si Mitrush Kuteli, Petro Marko, Jorgo Bllaci, Visar Zhiti, etj; të poetëve të pushkatuar Genc Leka e Vilson Blloshmi, poetit Havzi Nelaj, të cilin e varri shteti diktatorial shqiptar.

Duke e shtrirë këtë dukuri dhe në Kosovë, studiuesi shton se nuk ishin elitë Sinan Hasani, Enver Gjergjeku, Rahman Dedaj, Azem Shkreli, të cilët gojarisht dhe me shkrim përkrahnin politikën e Sërbisë ndaj shqiptarëve dhe njëheresh dënonin si kundërrevolucionare demonstratat e sudentëve që kërkonin Kosovën Republikë. Elitë ishte në Kosovë Adem Demaçi, i cili me vepra dhe me shumë vite burgu ishte ngritur kundër pushtimit sërb e politikës antishqiptare të Jugosllavisë. Po kështu ai ve përballë pushtetarëve të sotëm të Kosovës veprimtarët e Lëvizjes Vetvendosja, të cilët shprehen në Kuvendin e Kosovës e në protesta kundër korrupsionit qeveritar dhe për ardhmërinë e popullit e të shtetit shqiptar si shtet vërtet i pavarur.

Njeriu është qenie interesi dhe në veprimet e veta mban parasysh interesin e tij e të familjes së vet, por ky proces duhet të kryhet sipas disa normave morale që i ka pranuar shoqëria e legjislacioni. Kurse në jetën e Shqipërisë pas fitores së pluralizmit dhe në jetën e Kosovës pas fitores së pavarësisë, shihet një dukuri qesharake dhe e rrezikshme: njerëzit për interesat e tyre vetiake e kanë ndërruar shpejt e shpesh lëkurën e janë shpallur nga të majtë në të djathtë, nga të matur në të nxituar, nga fjalëpakë në fjalëshumë e fjalëpandalshëm, nga frikacakë në trima, dhe nga të varfër u bënë të pasur. Dhe këtë turavrap autori e mbyll me shprehjen: “Ishin çka ishin e u bënë çka nuk do të jenë gjatë”(f. 58).  Sepse duke shpallur “logjike” gjithça praktike dhe të leverdisshme, prodhohet pandershmëri dhe servilizëm i neveritshëm, të cilët nuk jetojnë gjatë.

Mendimtari e analisti Qosja e vlerëson thënien e shkrimtarit francez të kohës së Komunës së Parisit, Moris Zholi: “Për të qenë të lumtur popujve më tepër u duhen njerëzit e ndershëm sesa njerëzit e talentuar” (f. 66). Duke përqafuar këtë mendim ai e dënon korrupsionin e gjithanshëm të qeveritarëve të të dy shteteve shqiptare duke përmendur raste konkrete ministrash etj. Ai sulmon privatizimet e padrejta të pasurisë së populit, kërkon zbatimin sa më parë të dhënies llogari (Vetingut). Sulmon nepotizmin, emërimin në poste drejtuese të njerëzve të farefisit e të grupit, arsimin e mesëm e të lartë që ka sasi por jo cilësi. Kritikon ashpër shpërfilljen e kulturës prej shumicës së partive politike, sidomos në Kosovë, gjë që ka sjellë si pasojë vlerësime të padrejta, pandjeshmëri ndaj atyre që u përket e drejta, populizëm folklorizues të djathtë neofashist, elitizëm i shtirë e i rrejshëm, ky më i dukshëm në Shqipëri. Bashkë me këto është shfaqur hapur dhe rikthimi i censurës dhe i vetëcensurës sidomos në disa stacione televizivë si Televizioni publik i Kosovës, TV Klan i Shqipërisë e i Kosovës, TV ABC në Tiranë etj. Pa kulturë, thekson autori, nuk mund të ecet në asnjë fushë të jetës, madje as në luftë, si ka thënë W. Çurçilli.

Më tej Profesor Qosja ndalet në çështjen e fesë e qëndrimit ndaj saj. Ai vlerëson “Biblën” e “Kuranin” si vepra madhështore mendimore, etike, fetare, zakonore, poetike dhe pastaj dënon ashpër terrorizmin fetar islamik xhihadist, si një dukuri shkatërimtare e dhimbjeprurëse, që është e shkëputur prej islamit të vërtetë. Qosja bashkohet me humanistin e madh Papa Franceskun për dënimin e ISIS-it dhe dallimin e tij prej islamit: “Nuk është e drejtë të flasësh për një islam të dhunshëm. ISIS-i nuk është islam” (f. 127). Autori del në mbrojtje të Kosovës e popullit shqiptar të atjeshëm. Kosova as ka qenë, as është e as do të jetë me ISIS-in, deklaron ai me krenari, kundër disa xhepaxhinjve e çerekintelektualëve që e gjynaqepsin Kosovën e popullin shqiptar si bastion të ISIS-it.

Duke e mbyllur çështjen e fesë, studiuesi Qosja shpall dhe qëndrimin e vet ndaj besimit: “isha, jam e mbetem njeri i deklaruar vetëm për besimin e quajtur shkencë dhe art, domethënë krijimtari shpirtërore, i vetëdijshëm se ai njeri, ajo specie e quajtur njeri, vetëm në saje të krijimtarisë shpirtërore, vetëm në saje të shkencës, është aftësuar për të njohur natyrën, për të humanizuar veten e shoqërinë, për të ndërtuar jetën e denjë, kolektive, në organizimin që i thonë Shtet etik” (f. 128).

Në libër kritikohet edhe sistemi mjekësor i Kosovës dhe i Shqipërisë, sepse këtu autori vë re se ndërsa mjekët janë shumë të zotë, mjekësia është e dobët, për shkak të politkës së qeverive e qeveritarëve të pandërgjegjshëm, që nxisin një politikë mjekësore pa shkencë, që rrezikon shëndetin trupor, atë shpirtëror e moral dhe shëndetin shoqëror të popullit. Kjo gjendje është krijuar sepse shteti, sidomos ai i Kosovës, nuk bën investimet e duhura. Të dy qeveritë kanë shpallur e shpallin tendera për përfitime të disa individëve, të lidhur me pushtetarët. Reforma e sistemit mjekësor që tashmë ka filluar në Shqipëri, thekson autori, duhet të bëhet sa më shpejt edhe në Kosovë. Në fund të këtij kapitulli autori, përsëri shpall “fajtor jemi ne, sovrani”, i cili rri gojëkyçur e nuk e ngre zërin e nuk kërkon me ngulm të drejtat e veta, ashtu si për problemet e tjera edhe për shëndetësinë.

Një problem tjetër ku është ndalur mendimtari, është provincializmi, si mendësi që shfaqet në kritikën letrare, artistike, filmore e shkencore, e cila ka sjellë shpërfytyrim në vlerësimin e veprave të ndryshme; dhe posaçërisht në politikë ku ka sjellë pasoja më të rënda shoqërore e shtetërore.

Provincializmi në politikë ka shkaktuar lindjen e idesë provinciale të krijimit të kombit kosovar, një ide feudale jashtë kohe. Së pari këtë ide e sajuan politikanët sërbë gjatë regjimit titist për të shuar idenë e pavarësisë së Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë. Sot disa politikanë provincialë të Kosovës e kanë gjallëruar këtë ide për interesa të ngushta vetiake. Ata “nuk duan ta dijnë se Shqipëria dhe Kosova ishin një, se Kosova ishte pjesë e Shqipërisë, dhe meqenëse ishin Një gjatë historisë, pashmangshëm do të jenë Një edhe gjatë ardhmërisë” (f. 154).

Ideja e kombit kosovar, është ide e sajuar dhe e mbrojtur prej ideologëve sërbomëdhenj, thekson autori, është e komprometuar vetvetiu sepse është ide  e vjetëruar, reaksionare e kundërkombëtare. Ajo është ide anakronike, reaksionare, kundërkombëtare, sepse popullin shqiptar të Kosovës e kanë njohur në shekuj dhe e njohin edhe sot si pjesë të popullit shumëshekullor shqiptar, që ka një një gjuhë të tij të veçantë, një kulturë të përbashkët, një histori të veçantë, qytetërimin e tij të njohur që nga Antikiteti, të cilat prej gjithë shqiptarëve dhe të huajve janë njohur e quhen “popull shqiptar, komb shqiptar, gjuhë shqipe, histori shqiptare, kulturë shqiptare, qytetërim shqiptar” (f. 154). Bashkësia e këtyre vlerave madhore gjuhësore, historike, kulturore, shpirtërore e qytetëruese e ka bërë popullin tonë të mbijetojë në shekuj në territoret e veta dhe të ketë njohje europiane dhe botërore. Sot ky popull me përkrahjen e dy aleatëve të fuqishëm SHBA-të dhe BE, ka një të ardhme gjithnjë e më premtuese, prandaj, thërret autori, duhet t’i luftojmë ata individë e grupe që e mbështesin idenë monstuoze të kombit kosovar, që përkrahet prej një Sektori të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës e disa anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kapitull të rëndësishëm përbën dhe kritika ndaj politikës së jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, ku studiuesi nxjerr në dukje dy mite të rremë që e dëmtojnë këtë politikë. Njëri mit është ai sipas të cilit presidenti W. Willson paraqitet vetëm si mbrojtës i Shqipërisë së pavarur në Konferencën e Paqes në Versajë më 1919. Dhe tjetri është ai sipas të cilit Europa paraqitet me servilizëm vetëm si mbrojtëse e lirisë së Kosvës dhe së ardhmes së saj, pa asnjë notë kritike.

Autori u është mirënjohës SHBA-ve, shtetit të përbërë nga emigrantët e gjithë botës, për faktin se ky shtet tregon interesim politik në mënyrë aktive e vepruese ndaj çdo populli e shteti të planetit tonë, interesim, të cilin ai e quan të ligjshëm, sepse pa të Bota do të zhytej në kaos politik dhe luftarak, që do të rrezikonte mjerëzimin. Ai u është mirënjohës SHBA-ve për faktin se ato kanë luajtur rolin kryesor për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në njohjen çështjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe sidomos në ndihmën e armatosur për përfundimin e suksesshëm të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qershor të vitit 1999, për kthimin e shqiptarëve të dëbuar me dhunë prej tokave të veta prej regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Për të gjitha këto autori e quan plotësisht të arsyeshëm në të gjitha pikpamjet përkushtimin e popullit shqiptar dhe të dy qeverive shqiptare ndaj SHBA-ve, si shteti që ka luajtur rolin e jashtzakonshëmhistorik në fatin e popullit shqiptar. Por ai nuk le pa kritikuar një rast historik, rastin kur presidenti W. Willson në Konferencën e Paqes në Versajë më 1919 u pajtua me qëndrimin e kryeministrave të Anglisë, Francës e Italisë për njohjen e pushtimit italian të Vlorës dhe të protektoratit italian mbi Shqipërinë e vitit 1919. Nga kjo lëkundje presidenti amerikan u largua pas presionit të madh që i bënë disa delegatë shqiptarë të konferencës dhe telegramet e  shqiptarëve të kolonive. Qosja ngul këmbë se presidenti W. Willson gaboi atëhere edhe për faktin se ai nuk luftoi të zbatohej e drejta e popujve për vetvendosje edhe për popullin shqiptar të mbetur nën zgjedhën sërbe, malazeze e greke që nga viti 1912-1913, padrejtësi të cilën ai e njihte dhe që po e kërkonin në atë konferencë disa delegatë shqiptarë. Këtë fakt e kanë vënë në dukje para studiuesit Qosja edhe dy studiues të tjerë: Beqir Meta në librin “Federata Panshqiptare Vatra 1912-1920” GLOBUS Tiranë 2002, f. 222 dhe hartuesi i këtyre radhëve në monografinë “Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931” DDS Durrës, 2012, f. 150. Mirëpo historiografia shqiptare, e cila ecën pikërisht në rrugën e mitizimit nuk i ka marrë parasysh këto vëzhgime dhe nuk ka dashur e nuk do që të përmendet kjo lëkundje e këtij presidenti. Kështu që politikanët shqiptarë të të dy shteteve vijojnë pa të drejtë të ushqejnë mitin e presidentit W. Willson vetëm si mbrojtës i popullit shqiptar, mit prej të cilit duhet të çirohen, sepse ky qëndrim servil nuk sjell asgjë pozitive, vetëm prish punë. Profesor Qosja shkon edhe më tej, ai shpreh guximshëm mendimin e vet se amasadorët e SHBA-ve në Shqipëri e Kosovë disa herë kanë gabuar në qëndrimet ndaj grindjeve të pozitës e opozitë dhe e shpall të paarsyeshëm, madje “të pajelueshëm vendimin e ish ambasadores amerikane në Kosovë për t’u bërë flamuri i Kosovës ashtu si është bërë: pa atë pulën, si e quante ajo shqiponjën në flamurin kombëtar shqiptar” (f. 160).

Së fundi ai ngul këmbë se SHBA-të nuk kënaqen me politikë e retorikë servile shtetërore, ato kënaqen po të ndjekim një politikë të drejtë, vërtet demokratike, të lirë prej të këqiave politike, ekonomike, gjyqësore, arsimore, shëndetësore, kulturore, morale, prej të cilave politika shqiptare vuan sot.

Miti tjetër i politikës së jashtme shqiptare është miti për Europën, vijon Qosja. Që nga Rilindja e këtej shqiptarët i kanë qenë dhe i janë mirënjohës qytetërimit europian për kulturën, arsimin, letrërsinë, kushtetutën demokratike, etj, gjë që e frymëzoi Naim Frashërin të shpallte: “dielli lind andej nga perëndon”! Sot të gjithë e dijnë se populli shqiptar ka jetuar dhe jeton në kontinentin që quhet Europë, prandaj, shton autori, të thuash se shqiptarët janë popull europian me patos e retorikë, siç e thonë demagogët politikë e letrarë, është si të thuash: “njeriu jeton duke thithur ajër, duke pirë ujë dhe duke ngrënë bukë” (f. 163). Në po këtë faqe autori shton se Presidenti i Shqipërisë, u bë qesharak, kur shpalli me seriozitet shtetëror se “shqiptarët janë komb që kanë në ADN-në e tyre orientimin perëndimor” Domethënë, shton studiuesi, orientimin e shqiptarëve nuk e caktojnë politika dhe interesat kombëtare, por ADN-ja! Marrëzi”! Të mirat europiane sot janë bërë mbarëbotërorere dhe nuk kanë lidhje me ADN-në e popujve. Pastaj nuk duhet të harrojmë, shton Qosja, se krahas të mirave të mëdha që kanë krijuar mendjet e njerëzve më të shquar europianë, që e kanë kuptimësuar e lehtësuar jetën e njeriut, kanë qenë po bij të Europës edhe ata që prodhuan kolonializmin, imperializmin, fashizmin, nazizmin (ne do të shtonim dhe diktaturën komuniste e luftën e klasave), racizmin e asimilimin etnik e fetar të popujve të kontinenteve të zbuluar. E për këtë arsye duhet që politika e jashtme e shteteve shqiptare nuk duhet të jetë servile, nënshtruese dhe mitike ndaj Europës, por ta dojë, ta respektojë atë duke ruajtur dinjitetin dhe identitetin e vet. Kështu politika e jashtme e Kosovës nuk ka pse të mos ia përmendë Europës faktin se po gabon duke nxitur Gjykatën e Veçantë, e cila si gjykatë me juristë ndërkombëtarë njëetnike, do të merret me dënimin e çlirimtarëve të Kosovës, ushtarëve të UÇK-së, “që mund të kenë rahur ndonjë tradhëtar bashkëkombas, ose ndonjë kriminel sërb gjatë luftës, por nuk po kërkon zbulimin dhe dënimin e kriminelëve sërbë që kanë bërë masakra ndër shqiptarët civilë të paramatosur në Dubravë, në Krushevën e Madhe e të Vogël, në Abrisë, Nagavs, Bellaqevc, Prekaz, Reçak, Celinë, Poklek, Rezallë, Leçinë, Raushiq e në shumë fshatra të tjerë” (f. 167)!

Konkluzioni është i thjeshtë: Duhet të luftojmë për t’ia ngushtuar hapësirën shprehjes së servilizmit, sepse kështu ia zgjerojmë hapësirën shprehjes së dinjitetit tonë.

Edhe më ashpër shprehet ky politolog kundër politikanëve servilë pa dinjitet personal që dalin nëpër tribuna e podiume për të përsëritur mendime të drejtuesit të tyre. Në qendër është z. Lulzim Basha një kiç politikan që gjoja ka zëvendësuar Sali Berishën dhe nuk ka sjellë asgjë të re në politkën e Partisë Demokratike si parti opozitare. Sulmet e profesor Qosjes ndaj tij ndonëse janë formuluar në verë të vitit 2016, tingëllojnë sikur janë shkruar sot, mbasi z. Basha kundërshtoi bisedimet me z. Rama e Meta dhe shpalli bojkotin e zgjedhjeve, duke e lënë Shqipërinë pa opozitë në këto zgjedhje, pra vetëm e vetëm se lufton për të shpëtuar kokën e Sali Berishës e të tijën prej Vetingut.

Si filolog i shquar, autori di të kapë e zbulojë se çfarë fshihet pas gjuhës fyese të përçudnuar të politikanëve shqipratë të Shqipërisë e Kosovës, qofshin deputetë, ministra a kryeministra, të cilët shajnë e fyejnë kundërshtarët politikë pavarësisht nga mosha, pozita, gjinia. Mbi të gjithë këtu ai shënon kryeministrin e sotëm të Kosovës dhe ish kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha. Me fyerjet e tyre këta politikanë fyejnë jo vetëm kundërshtarët politikë, ata fyejnë demokracinë shqiptare, fyejnë atdhetarizmin shqiptar, fyejnë Shqipërinë e Kosovën Shtet. Ata fyejnë dhe vetë popullin shqiptar, “me të sotmen e tij, me të kaluarën e tij, me traditat e tij, me venomet dhe zakonet e tij, me besën, burrërinë dhe gjithë virtutet e tij, me etikën e tij, të njohur e të çmuar në Europë e në Botë” (f. 207).

Këta politikanë e shokët e tyre me të tillë gjuhë cënojnë imazhin e popullit tonë në Europë duke e paraqitur atë si një popull primitiv, kur dihet fare mirë sesa i përgjegjshëm ka qenë populli ynë në shekuj me bisedat publike në odat e miqve, të cilat kanë çuditur të huajt si baronin Franc Nobça, i cili njëqind e ca vjet më parë shkroi: “Malësori shqiptar është fisnik. Po ta veshësh me frak, atë mund ta fusësh në çdo parlament të Europës, ai të nderon”.

Mirëpo pushtetari ynë malësor i kohës së pasdiktaturës e turpëron popullin e vet, sepse është i ndryshëm nga malësori i hershëm, ky është pjellë e sistemit komunist, është një njeri me moral të shkatëruar, egoist, lavdidashës, pushtetdashës, i korruptuar e korruptues, që e ndërdor edhe medien për interesat e veta pa pyetur për pavarësinë dhe dinjitetin e shtypit.

Në fund të librit, autori pasi shpalos mendimin e vet se gjatë këtyre 25 vjetëve janë provuar ndaj popullit shqiptar dy lloj pushtetesh, ai i mbisunduar prej një njeriu dhe ai i mbisunduar prej një oligarkie, të dy të maskuar me një demokracie totalitare, i bën thirrje popullit të shfaqë mospajtimin e tij:

“Që Shqipëria e Kosova të mos jenë më shtete partiake, siç ishin deri sot e siç janë sot.

Që Shqipëria dhe Kosova të jenë jo shtete me demokraci totalitare, që funksionon si demokraci skllavopronare, por shtete me demokraci të parimeve demokratike, demokraci moderne.

Që Shqipëria dhe Kosova të jenë shtete të së drejtës, në të cilat do të mbrohen të drejtat themelore të qytetarëve, ku çdo qytetar do të trajtohet, siç nuk trajtohet sot, i barabartë si çdo qytetar a milioner” (f. 227).

Kur shkruhej kjo vepër nuk ishte formuluar fjala “Veting”, prandaj autori e ka formuluar me fjalët e tij domosdoshmërinë për kalimin e nëpunësve në një kontroll për pasuritë dhe bëmat e tyre, me qëllim që të dënohen gjithë shpërdorimet e pasurisë së popullit, të gjitha krimet politike, ekonomike, financiare. E mbi të gjitha, ai kërkon që populli shqiptar i të dy shteteve të ndërgjegjësohet maksimalisht që të sjellë në pushtet me anën e votës njerëz të ndershëm e atdhetarë, të cilët të krijojnë një strategji për të ardhmen e këtyre dy shteteve drejt bashkimit, që nuk është aspak shkelje, si duan ta quajnë disa politikanë të huaj, por korrigjim i padrejtësisë që iu bë popullit tonë më 1912-1913, si e shprehu vetë ish kryeministri anglez, z. Tony Bler me 1999.

Të shkruash një artikull kritik për probleme të ndryshme, njerëzit që kritikohen, preken shumë, sidomos ne shqiptarët, kalojmë deri në zemërime e armiqësira. Mirëpo të shkruash një vepër të plotë ndaj dobësive, gabimeve dhe krimeve të pushtetarëve shqiptarë të të dy shteteve, shkruar me aq patos kritik dhe me talentin letrar të spikatur si ka shkaur Profesor Rexhep Qosja, kuptohet se lexuesit e përmendur në të, do t’i zemërohen dhe do t’i mbajnë mëri. Por kemi shpresë se shoqëria jonë dhe qeveritarët tanë, pas zemërimit, do të fillojnë të ecin në rrugën e përmirësimit, sepse kininat edhe pse janë të hidhura, e ndihmojnë të sëmurin për t’u shëruar. Pushtatarët që do të emërohen pas procesit të Vetingut dhe Reformës në Drejtësi duhet ta lexojnë këtë libër me vëmendje për të mësuar sesa poshtë kishin rënë kolegët e tyre deri në vitin 2017, nivel ku ata nuk duhet të bien më kurrë..

Filed Under: Politike Tagged With: “Pushteti i korruptuar - protagonistët dhe viktimat”, rexhep qosja, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT