
Kryetari Mustafa, po ashtu, ka thënë se tani është koha që të bëhet maksimumi që ato pasuri dhe kapacitete që i ka Kosova të vihen në funksion.Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by dgreca

Kryetari Mustafa, po ashtu, ka thënë se tani është koha që të bëhet maksimumi që ato pasuri dhe kapacitete që i ka Kosova të vihen në funksion.by dgreca
Nga Anton Marku*/ Vjenë/
Në njëzet vitet e fundit komuniteti shqiptar në Austri ka shënuar progres të dukshëm në procesin e integrimit të tij. Kjo vërehet sidomos në aspektin e pjesëmarrjes në jetën shoqërore dhe ekonomike. Për fat të keq, ende është prezent një stagnim në sferën e përfaqësimit politik. Por edhe këtu, sado që modeste, përpjekjet dhe rezultatet nuk kanë munguar.
Në anën tjetër, duket se komuniteti ynë ende ballafaqohet me sfida nga më të ndryshme, pos atyre që kanë të bëjnë me faktorë të jashtëm, edhe me aspektin e organizimit brenda për brenda vet bashkësisë. Kjo dhe në mbështetjen e strukturave tashmë ekzistuese. Njëra prej tyre, ndër më të rëndësishmet, e themeluar fillimisht në vitin 1994 për t’u riaktivizuar në vitin 2010 (me emrin VALE) është edhe Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Naim Frashëri’’. Për vite të tëra, në mungesë të një strategjie, qoftë ajo dhe afatshkurtër, mësimdhënëset dhe mësimdhënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Austri janë lënë në mëshirën e vetorganizimit dhe dëshirës, pothuajse individuale, për këtë (mos)organizim. Në këtë mënyrë janë arritur efekte të kundërta nga ato që do të jenë pritur: vetëm disa vite pas funksionalizimit të tij si ofertë shtesë për mësimnxënie në gjuhën amtare, numri i vijuesve (nxënësve) të këtij lloji të edukimit ka pësuar dhe po pëson rënie të vazhdueshme. Me këtë edhe numri i mësimdhënësve po bie.Që paradoksi të jetë më i madh, dëshmon edhe fakti se shumica e prindërve shqiptarë, sidomos nga Kosova, si grupi më i madh i bashkëkombasve që jetojnë në Austri, i takon gjeneratës së viteve 1980-ta dhe të cilët në vitet e 1990-ta ishin vet nxënës apo studentë, e të cilëve, nga ana e pushtetit represiv serb, ju ishte mohuar e drejta e shkollimit në gjuhën amtare. Tani, fatkeqësisht, janë pothuajse po këta prindër që, në rrethana krejtësisht tjera, u mohojnë këtë të drejtë themelore fëmijëve të tyre. Pas asnjë presion, as nga eksponentët e jashtëm, e as nga ata të brendshëm.
I-Të gjithë pajtohen se arsimi është komponenta më e rëndësishme e integrimit. Nga ana tjetër, për fat të keq, nga vetë të huajt, e edhe nga migrantët shqiptarë, shpesh mund të dëgjohet paragjykimi i padrejtë se në këtë vend ‘‘nuk jemi të mirë se ardhur’’, se nuk po i ‘‘na lejojnë ’’ që të integrohemi, se jemi vetëm ‘‘numra që nuk kemi zë zë’’, se ‘‘po dukemi por nuk po dëgjohemi’’, etj.
Në mërgim zakonisht janë elitat ato që asimilohen të parat. Pastaj kjo u ndodh masave. Tek ne po ndodh e kundërta. Duke mos aritur që të gjejnë veten në shkallë të mjaftueshme, gjenerata jonë e re gjithnjë e më shpesh po i drejton vetes pyetjen e të gjitha pyetjeve: Kush jam unë? Në këtë ballafaqim identitetesh, në vend se ato (identitetet, Vër. ime) të plotësojnë njëra-tjetrën (shqiptar, austriak, evropian, besimtar-islam, i krishterë, ateist, nxënës/student/punëtor, etj), duket se ato po i bëjnë pengesë njëra-tjetrës, e herë pas here edhe konkurencë deri në oponencë. Si reflektim, ne nuk duhet fshehur dështimet tona. Por në të njëjtën kohë nuk duhet lejuar që ato të dominojnë të ardhmen tonë. Me pak më tepër përkushtim, është e mundur që në të njëjtën kohë të mbesim shqiptarë të devotshëm, të respektojmë ligjet dhe rregullat si qytetarë lojal të shtetit austriak dhe të dëshmohemi si evropianë të mirë.
II
Ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe në diasporë duhet të jetë interes strategjik kombëtar dhe shtetëror e jo vetëm i mërgatës dhe mësidhënësve. Kjo dhe për faktin se ajo është elementi më unifikues i kombit tonë të ndarë në disa besime fetare.Për të shtyrë përpara kultivimin e gjuhës shqipe në mërgatë, mision ky që të tjerët e lanë në duart tona, duhen bërë bashkë dëshirat dhe interesat e mërgatës sonë me vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit mikpritës, në këtë rast atij austriak.
Për të arritur deri tek zgjidhja duhet të nisemi jo nga përceptimet, por nga realiteti. E për të parë ndryshime pozitive duket se momentalisht në zinxhirin e zgjidhjes mungojnë disa hallka. Gabimet e së djeshmes mund të shndërrohen në përparësi të së sotmes, që si rezultat do të sillin ndryshme pozitive për të nesërmen.
Kjo do të mund të arrihet jo duke i ndarë ata që mund të kenë më së shumti ndikim në këtë proces-prindërit në ‘‘kombëtar’’ dhe ‘‘më pak kombëtar’’ por duke u angazhuar për t’i bindur ata, duke punuar paralelisht në dy drejtime: me ata që tashmë kanë informacione të mjaftueshme por që mund të mos jenë plotësisht të kënaqur me programet dhe metodologjinë mësimore dhe me ata të cilët ende nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për të shfrytëzuar këtë mundësi për fëmijët e tyre.
III
Lidhur me cilësinë e mësimit dhe performancën e mësuesve ka pasur dhe ka vërejte. Debati nuk është i ri. Ata që e bëjnë këtë nuk janë të shumtë në numër, por herë pas here janë më të zëshëm se pjesa tjetër e komunitetit. Ndonjë herë mbase dhe me të drejtë. Dobësitë dhe të metat aktuale do të mund të zvogëloheshin duke angazhuar studentë dhe/apo ekspertë të profileve të ndryshme, sidomos atyre të fushave të didaktikës, shkencave gjuhësore, artit, sociologjisë, psikologjisë, filozofisë, etj. Ata do të bënin monitorimin dhe vlerësimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe, duke bërë edhe asistimin në orët mësimore, plotësimin e pyetësorëve dhe zhvillimin e anketave, intervista me prindër, nxënës dhe mësues dhe interpretimin e rezultateve të tyre, analizimin e tekteve mësimore dhe metodologjisë së punës, mbledhjen e të dhënave dhe statistikave (mosha, gjinia, statusi social i nxënësve/prindërve, etj) duke bërë publike, një herë në vit, të gjeturat, konkluzionet dhe sugjerimet për ndërmarrjen e hapave drejt ndyshimeve eventuale.
Konkludim
Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Naim Frashëri’’ ka potencial dhe kapacitet që të jetë bartëse e arsimit shqip në Austri. Duke reflektuar në raport me lëshimet eventuale të deritanishme dhe duke zgjeruar gamën e aktiviteteve si dhe numrin dhe shumëllojshmërinë e partnerëve, qoftë institucionalë apo nga shoqëria civile, kjo Lidhje do të jetë në gjendje që t’u përgjigjet sfidave të kohës. Për të përmbushur këtë mision nevojitet një transformim i tërësishëm, si në qasje ashtu dhe në përmbajtje dhe formë. Në këtë udhëtim, mësimdhënëset dhe mësimdhënësit nuk do duhej të jenë vetëm, por të përkrahur nga të gjitha entitetet dhe individët shqiptarë në Austri, në mënyrë që ata t’ja dalin që me suksese të ballafaqohen me sfidat që kanë dhe mund të kenë para vetes për të mbajtur gjallë dashurinë për gjuhën amtare edhe larg atdheut.
*Autori është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’…
*Vjenë, 2 prill 2017
by dgreca
Vrioni vazhdon të mahnisë/
Nga Astrit Lulushi/
Ne Foto: “E bija e Gjon Palit”, realizuar më 1913 në Shkodër nga Kolë Maca/ Ndonjëherë duket se çdo gjë zbehet, zhbëhet dhe duket pa vlerë, të gjitha përpjekjet duken të kota. Kjo është koha kur njeriu kalon nga jeta në mosjetë, dhe për të regjistruar këto çaste në dy botë njëherësh, kujdeset fotografi, si në rastin e shkodranit Kolë Maca në pamjen e regjistruar me syrin e tij, dhe të përjetësuar. Fotoja quhet “E bija e Gjon Palit”, realizuar më 1913 në Shkodër; bija e veshur në të zeza qëndron mbi kryet e atit të saj që ndodhet në prag të vdekjes si pasojë e plagëve të mara në luftën për mbrojtjen e qytetit nga forcat malazeze.
Qerim Vrioni, historian i fotografisë shqiptare, na dridhëron shpesh me fakte të tilla, që i zbulon gjatë kërkimeve të tij në arkiva e dokumente; ose sepse janë këto fakte që përpiqen ta tërheqin njeriun në jetë, si në rastin e fotos.
Shkrimi “E bija e Gjon Palit në syrin e Kolë Macës” është vizitë në muze, Vrioni të shetit dhe ndalet përpara fotografisë së Kolë Macës për të treguar zbulimin e tij; domethënien e vlerave që fsheh pluhuri i harresës; sa më thellë fshihen, aq më me vlerë janë ato, sepse historia është mbledhje e hollësive që i bëjnë ngjarjet të vishen me ndjenjën njerëzore, të kthehen në jetë ose të paktën të lutemi që të mos ikin pa i përcjellë, siç tregon Maca nëpërmjet Vrionit tek “E bija e Gjon Palit”, e cila qëndron e përkulur, mbi atin e saj, si për t’i dhënë frymë ose për të marrë prej tij ato që mbetën ëndërra.
by dgreca
Nga Gëzim Llojdia/
Disa vite më parë në bisedë më Kristaq Skarmin mësova këto dy rrëFime ;Kur fillonte zhegu i verës teatrin tonë e dërgonin nëpër fshatra për shfaqje.Në një fshat mbi bregut ndoshta në Pilur më ngjet,s’po mblidheshin fshatarët.
Kryetari i këshillit u thoshte”ore mblidhuni se do të filloj shfaqja!”Por ata ja ktheninin:”Fillojeni shfaqjen ju se do të mblidhemi ne.
Me zor se çu mblodhën ca fshatarë ndërsa aktorët filluan.Fshatarët rrinin të ngrysur me dorën të vendosur tek mjekërra.Skishte asnjë reagim,le më duartrokitje.Vetëm kryetari,sekretari dhe dy tre vetë besojë sekretarët e organizatave ushkrinë së qeshuri.Kur u ndamë na thumbuan”hajdeni prapë mot se na e ksehasët kryetarin tonë!
“Balladë për komisarin’,ka qënë një krijim i poetit të mirënjohur Agim Shehu.Ishte sjellur kjo pjesë në teatrin tonë. Vepra ishte e kuptueshme qartësisht dhe për kohën mbarte atë mesazh të njohur.I kushtohej një figure të luftës heroit Mustafa Matohiti.Autori e kishte gdhendur veprën mbi disa detaje jetësore.Ishte dnërtuar,por mund të ishte njehetre e e një realitet besoj ,një personazh Labo Dalani, që nuk ishte me asnjë parti dhe as me luftën.Mustafai shkonte në cdo shtëpi me oratorin e tij i bënte për vete njerëzit,kështu fliste pjesa letrare.Tek Labo Dalani ndodhi e kudnërta.Ai ua tereziti që në fillim, po kishin ardhur për ta tërhequr me luftën të rrinin jashtë.Mustafai shtroi gunën dhe fjeti jashtë tek sokaku I portës.Afër sabahut,sipas pjesës fshatari Labo,shtyu portën, doli për të shkuar tek bagëti,por për cudi pranë derës pa të mbështjellur me shark komisarin.C’bënë këtu komisar i tha, futu brenda.Forma që kishte gjetur Mustafai ishte e zgjuar si zgjidhje.
Në provat kryesore nga Komiteti i Partisë mbritën kritizerët dhe instruktorët që posaçërisht merreshin me këtë punë.Pas shfaqjes u ndalua, që të jepej në publik.Ku është problemi pyetëm?Komisari,tha instruktori i partisë,duhet futur të flejë brenda jo të rrijë tek dera.Mirë o shoku instruktor,po kështu është e shkruar pjesa e shkrimtarit Agim Shehu.Ska shfaqje tha ose futeni komisarin brenda,o shfaqje s’ka.Mirëpo po të futej komisari brenda ,s’kishte thelb e gjithë pjesa,kjo ishte bukuria e saj.Pritëm disa ditë.E morrëm në telefon.Cdo të bëhet me shfaqjen,pyetën.E keni futur komisarin brenda,tha zëri në krahun tjetër.Jo i tha regjizori,ajo përbënë edhe fabulën e pjesës.Epo s’ka shfaqje.Kështu u mbyll një punë prej tre muajsh,me një oqean vuajtjesh në shpirt.Komisari nuk u fut brenda,ndërsa u shkrumbëzua gjithë puna dhe mundimi prej 100 ditësh i një grupi aktorësh.
2.Dritëroi e shpëtoi “Rruga Budi 723″ nga kritizerët
Personazhi im i parë në teatër.Ka lënë gjurmë.Përveç mua dhe mëndjes sime,e gjykoj se edhe aty fati ishte shkrimtari Dritëro Agolli,kryetar i lidhjes së shkrimtarëve që e shpëtoi dramën, e teatrit të Vlorëss,kur vuri në skenë.Se kishte gjetur tamam terrenin e përshtatshëm ,romani “Rruga Budi 723” i Ruzhi Pulahas.Vlersimi i opinionit ishte tepër i lartë.Pikërishtë këtë libër inxhinjeri Ferdinand Hysi e dramatizoi ,cilësohet se është vepra e parë e tij në dramaturgji ,ku teatri i qytetit detar me regji të N.Bonjakut e ngriti në skenë.Isha në rolin e Bujarit.Luanin aktorë si Adem Gjyzeli,Arqile Nasho.Në provën e ditës së fundit rastisi në këtë qytet edhe shkrimtari Dritëro Agolli i cili e priti mirë ftesën për të ndjekur një dramë të librit që kishte ngritur temperaturën e lexuesit.Kritizerët nga Komiteti i Partisë kishin mbushur disa blloqe me vrejtje dhe drama mund të bëhej e pashpresë për tu shfaqur pas atyre mendimeve.Diku filluan të shfaqen ,nxorën letrat dhe filluan,këtë,atë,ajo kjo………..
Dritëroi i dëgjoi mirë dhe u tha:”Ti lëmë këto blloqe,kjo është një shfaqje e bukur dhe mua më pëlqeu.Ndonjëri prej tyre ktheu kursin,po është shumë e bukur tha,ndërsa dikush ia ruajti vësh në vesh duke u ulur në prerin e vetmisë.Me këtë dramë kemi rrugëtuar në disa qytete.Nuk ishte parë në Durrës që një teatër të qëndronte 10 ditë rrjeshtë me sallën plot.Disa oficerë nga qyteti ynë,që shërbenin në Porto Romano,nuk kishin gjetur bileta dhe na u afruan.Cfarë mund të benim ne kur salla kishte numër të caktuar.I futëm nga dera që hynin aktorët duke i prezantuar si aktorë.
by dgreca
*’Marrëzia që mori jetën e 4 dëshmorëve të lirisë është ende në këmbë, e kemi për detyrë ta rrëzojmë’/
*Mesazhi i Lulzim Bashës sot në 26 vjetorin e përkujtimit të 4 dëshmorëve të 2 prillit në Shkodër/
NGA LULZIM BASHA/
Dita e sotme është dita e përkujtimit dhe nderimit për katër dëshmorët e 2 Prillit, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën.
Dita e përkujtimit dhe e nderimit, për sakrificën më sublime të katër të rinjve të përjetshëm të Shkodrës, dhe 82 qytetarëve të tjerë të plagosur nga plumbat e bishës komuniste në grahmat e saj të fundit.
Por dita e sotme është edhe dita e nderimit dhe e kujtimit për Shkodrën, për çmimin e lartë që ajo gjithmonë ka ditur të paguajë për lirinë dhe për demokracinë.
Sot është dita jo vetëm t’i drejtohem Shkodrës dhe shkodranëve me mirënjohjen më të thellë që më del nga shpirti, si kryetar i Partisë Demokratike, si kryetar i opozitës, si shqiptar e patriot, por po kështu t’i them Shkodrës dhe shkodranëve, se bashkë me dhimbjen e thellë, nderimin dhe perkujtimin, për katër heronjtë e 2 Prillit, jeni dhe duhet të jeni, jemi dhe duhet të jemi krenarë, për këtë çmim kaq të lartë që keni vendosur në altarin e lirisë dhe demokracisë.
Sepse asgjë tjetër nuk i ndan më qartë shoqëritë, në të civilizuara apo barbare, në të naltsueme apo të ulta, se sa vlera e njohjes, e dijes dhe e luftës deri në çmimin më të lartë për lirinë dhe për demokracinë.

Kjo është çka e dallon Shkodrën dhe e lartëson atë në të gjithë kapitujt e historisë sonë kombëtare.Ndaj, Shqipëria dhe shqiptarët krenohen përherë me Shkodrën. Sepse çmimi i lirisë nuk ka qenë e nuk do të jetë asnjëherë i lirë, por asnjëherë nuk do të mungojnë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e krenarisë, e forcës dhe vendosmërisë shkodrane, nga Shkodra në Vlorë, nga Durrësi në Korçë e kudo anembanë hapësirës shqiptare, të cilët do të dinë përherë të përballen për këtë vlerë të lartë pa të cilën nuk ia vlen të jetohet.
Asnjëherë nuk ka qenë më aktuale sakrifica e 2 Prillit në këto 27 vite, se sa sot. Sepse, asnjëherë nuk ka qenë më e kërcënuar demokracia, liria për të zgjedhur me votë dhe për të rrëzuar me votë qeverinë.
Në kushtet e një deliri që buron nga aleanca e rinovuar mes politikës dhe krimit, e rinovuar jo thjesht me krimin politik që përgjaku Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë para 26 vitësh por, e rinovuar nga aleanca e politikës me krimin e organizuar, deliri i pushtetarëve të sotëm thotë atë që nuk ia zinte goja, as diktatorit të fundit; se demokracia mundet të bëjë edhe pa opozitën, se zgjedhje mund të ketë edhe pa opozitën.
Marrëzia që shkaktoi katër dëshmorët e 2 Prillit dhe 82 qytetarëve të plagosur, nuk ka vdekur.
Themelet e demokracisë që hodhëm, nuk janë të forta. Republika që u ngrit mbi këto themele, plotësoi disa prej detyrave dhe ëndrrave të qytetarëve shqiptarë që u ngritën për liri dhe demokraci dhe të atyre që u flijuan për to, por tashmë kjo republikë e themelet e saj, janë të pamjaftueshme, për të mbajtur ngrehinën e shpresave dhe ëndrrave që burojnë nga gjoksi i shqiptarëve të emancipuar që nuk mund të pranojnë asgjë më pak se standardi europian dhe euroatlantik, duke filluar nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
E në veçanti shpresat e ëndrrat e rinisë shqiptare, në ballë të cilës qëndron me vendosmëri, me kurorën e krenarisë, rinia e Shkodrës.
Ndaj më duket e përshtatshme dhe e domosdoshme, te përsëris përpara këtij altari frymëzues që përkujton sakrificën sublime të katër dëshmorëve tanë dhe që kujton sakrificën shekullore të shkodranëve dhe të shqiptarëve për liri dhe demokraci, se sot e deri në fitoren e betejës që kemi vendosur më 18 shkurt, zotimi ynë është dhe mbetet: zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardit europian dhe Republikë e Re e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë së vërtetë.
Marrëzia duhet dhe do të marrë fund!
Shkodra dhe Shqipëria do t’i japin fund!
Amaneti i Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës do të kryhet deri në fund.
Zoti e bekoftë Shkodrën!
Zoti i bekoftë dëshmorët tanë në altarin e demokracisë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!