• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

Petrit Halilaj – artisti shqiptar impresionoi Venecian

May 16, 2017 by dgreca

1 petrit2 Petrit Bien2 bannerfinal1 Petrit HaliliNjë artist nga Kosova në Venecia. Petrit Halilaj nderohet nga juria e Bienales./

Nga Lindita ARAPI/Deutsche Wellen/

Artisti i arteve pamore Petrit Halilaj, i lindur në Kosovë në vitin 1986 u nderua në Bienalen e Venecias (14.Maj) nga një juri ndërkombëtare me “përmendje të veçantë” për kontributin e tij si artist. Halilaj, ka lindur në Kostërc, dhe në moshën 13 vjeçare në kohën e luftës në Kosovë i është dashur të jetojë në kampin e Kukësit. Këtu filloi edhe rruga e jetës si artist. Halilaj rrëfen për Deutsche Wellen hapat e parë ishin vizatimet në disa fletë të bardha që ia kishte ofruar psikologu italian në kamp, Giacomo Poli. Kështu këto skica shenjuan kështu njëkohësisht edhe rrugën e së ardhmes për artistin.

Sot kujtimet e vendlindjes janë ushqim për artin e Petrit Halilajt. I kam ende të gjalla kujtimet nga fshati Kostërc, jeta atje, natyra, oborret, pulat”. Por ai di të ndjekë edhe ritmin e jetës së madhe në lëvizje, “ku ti si njeri je i hapur për kultura të reja, për ide të reja.”

Artisti jeton në Bozzolo, Prishtinë dhe Berlin. Por kujtimet nga vendlindja dhe atmoferë kozmopolite nuk përbëjnë kundërshti, madje janë frymëzuese, thotë ai. Lidhja me vendlindjen është e fortë. Halilaj thotë se shkon shpesh në vendlindje. ”

Në vitin 2015, Galeria Federale e Artit në Bonn hapi dyert për një ekspozitë të plotë me artistin e ri, nga data 6 mars deri më 15 tetor 2015 me një titull poetik e të pazakontë si vetë rruga e artistit: “She, fully turning around, became terrestrial” – “Ajo, me një rrotullim të plotë, u bë tokësore.” Instalacionet e Petrit Halilajt janë një korpus ku vendlindja, identiteti e trashëgimia historike kalojnë në sitën e imët të artit.

*DW

Filed Under: Kulture Tagged With: Bienale, fitues, Petrit Halilaj

A i dha Trump informacione sekrete Lavrovit?

May 16, 2017 by dgreca

Shtëpia e Bardhë mohon se Presidenti Trump u tregoi rusëve informacion tepër sekret/

„Washington Post“ informon se presidenti amerikan Donald Trump në takimin e tij të fundit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë ka ndarë me atë informata sekrete. Por qeveria amerikane nuk i pranon këto raportime.

USA Treffen zwischen Trump und Lavrov (picture alliance/dpa/A. Shcherbak)

Me dhënien e informacioneve janë vendosur në rrezik burimet informative qw japin të dhëna për Shtetin Islamik (IS), raporton gazeta “Washington Post” duke u bazuar në  të dhëna të nëpunësve të qeverisë së tanishme dhe të asaj së kaluar. Presidenti Donald Trumap u takua javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe ambasadorin rus Sergej Kislajk.

Në këtë takim Prsidenti ka treguar se si IS përdor laptopët në aeroplanë për sulme terroriste, njofton gazeta. Po ashtu edhe agjencia e lajmeve Reuters raporton, që dy zyrtarë të qeverisë Trump kanë konfirmuar se Presidenti ka ndarë informacione për një sulm të përgatitur kundër IS.

Këto informata SHBA-të i kanë nga një vend partner i tyre, por nuk kanë qenë dakord për ndarjen e tyre me Rusinë, informon “Washington Post”. Me këtë veprim Trump vendos në rrezik marrëdhëniet me vendin aleat që ka informacione për strukturat e brendshme të IS. Po me këtë veprim Trump nuk ka shkelur ndonjë ligj. Nuk ka në SHBA një ligj që i ndalon presidentit dhënien e informacioneve të tilla sekrete.

Këshilltarët dhe shtabi Qeveritar hedhin poshtë njoftimet

Këshilltari i sigurisë, Herbert Raymond McMaster, i cili ka qënë pjesë e takimit të mërkurën e kaluar, i hedh poshtë pjesërisht këto raportime.”Kjo nuk ka ndodhur”, siguron McMaster dhe thotë që “nuk janë ndarë metodat sekrete dhe burimet e informacioneve në asnjë moment dhe se presidenti nuk ka folur për asnjë operacion ushtarak, për të cilin nuk është i informuar edhe opinioni.” “Historia e publikuar në mbrëmje”  është e gabuar.”

Këshilltari i sigurisë shton se “nuk ka gjë tjetër që presidenti e merr më seriozisht se ruajtja e sigurisë së popullit të Shteteve të Bashkuara”. Por McMaster nuk i hedh poshtë shprehimisht se Trump ka ndarë informacione sekrete. Ministri i Punëve të Jashtme të SHBA-së Rex Tillerson deklaroi gjithashtu, se Trump nuk ka diskutuar asnjë “burim, metodë ose veprime ushtarake” gjatë takimit.

Shtëpia e Bardhë mohon se Presidenti Trump u tregoi rusëve informacion tepër sekret

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar amerikan, H.R. McMaster dhe anëtarë të tjerë të administratës Trump mohuan njoftimet e mediave se presidenti zbuloi informacione tepër sekrete kur ishte duke biseduar me zyrtarët rusë në Zyrën Ovale.

Njoftimi i raportuar fillimisht nga gazeta Washington Post, “është i rremë”, u tha zoti McMaster gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të hënën mbrëma. “Asnjëherë nuk u diskutua për burime apo metoda zbulimi dhe presidenti nuk foli për ndonjë operacion ushtarak që nuk ishte i njohur publikisht,” shtoi ai.

“Unë isha vetë atje dhe asgjë e tillë nuk ndodhi”, përfundoi gjeneral McMaster, para se të hynte përsëri në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

H.R. McMaster flet për gazetarët

H.R. McMaster flet për gazetarët

Tillerson mbështet gjeneralin McMasters

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, i cili tha se ishte gjithashtu i pranishëm në takimin e 10 majit me ministrin e jashtëm dhe ambasadorin rus, mbështeti përshkrimin që zoti McMaster u bëri bisedimeve. Ai tha në një deklaratë se “u diskutua një gamë e gjerë temash, ndër të cilat ishin përpjekjet e përbashkëta dhe kërcënimet përsa i përket luftës kundër terrorizmit”.

Disa media amerikane njoftuan se presidenti, në takimin e Zyrës Ovale, zbuloi informacione që shihen si tepër sekrete.

Sipas njoftimeve të gazetave Washington Post, New York Times dhe mediave të tjera, informacioni i nxjerrë nga zoti Trump mund të vinte në rrezik një burim zbulimi me rëndësi të madhe lidhur me grupin Shteti Islamik si dhe mënyrën me të cilën ishte siguruar ai informacion.

Në SHBA, presidenti ka kompetencën të deklasifikojë pothuajse çdo informacion, prandaj ajo që bëri zoti Trump nuk duket të jetë diçka e paligjshme. Por zyrtarët e zbulimit, të cituar nga gazetat, shprehën shqetësimin se informacioni, i siguruar nga një qeveri partnere me SHBA, mund të dëmtojë disa marrëdhënie të rëndësishme.

Agjencia Qendrore e Zbulimit dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare, të kontaktuara nga Zëri i Amerikës, nuk pranuan të bëjnë komente.

Alarm nga selia e Kongresit

Sipas gazetës Washington Post, në takimin me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe Ambasadorin Sergej Kislyak, Presidenti Trump me sa duket po lëvdohej rreth informacioneve të brendshme që kishte për një kërcënim të afërt me të cilin përballet aviacioni.

Informacioni, i cili shihej si tepër sensitiv, nuk ishte ndarë madje as brenda qeverisë amerikane dhe as me aleatët e SHBA, sipas gazetës New York Times.

Njoftimet u bënë menjëherë shkak për alarm mes ligjvënësve të të dyja partive në selinë e Kongresit.

“Jam i tronditur nga njoftimet se Presidenti Trump u zbuloi informacione të klasifikuara diplomatëve rusë javën e shkuar. Kjo sigurisht ngre pyetje nëse Presidenti i njeh implikimet serioze që ka nxjerrja e një informacioni të tillë të ndjeshëm përpara një kundërshtari”, tha ligjvënësi Eliot Engel, numri dy i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme. “Do të takohem këtë javë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare McMaster në një sesion të klasifikuar dhe do të kërkoj përgjigje për atë që u zbulua dhe si mund ta ketë dëmtuar kjo sigurinë kombëtare amerikane,” tha ligjvënësi.

Senator Mark Warner

Senator Mark Warner

“E pafalshme”

Nënkryetari i Komisionit të Senatit për Zbulimin, demokrati Mark Warner, tha në Twitter se “vënia në rrezik e burimeve dhe metodave është e pafalshme, veçanërisht me rusët”.

Komentet e zotit Trump, nëse janë të vërteta, janë një “shuplakë në fytyrë” për komunitetin amerikan të zbulimit, shtoi senatori Warner.

“Shtëpia e Bardhë duhet të bëjë diçka shpejt për ta vënë veten nën kontroll dhe rregull”, u tha gazetarëve kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, republikani Bob Corker. “Është e kuptueshme se ata janë tani në një spirale që shkon në rënie, prandaj duhet të gjejnë mënyrat për të riparuar atë që po ndodh,” tha senatori.

Njoftimet e medias vijnë në një kohë që Shtëpia e Bardhë mbetet e përfshirë në polemika për shkak të shkarkimit javën e kaluar nga presidenti të drejtorit të FBI-së, James Comey. Shkarkimi ndodhi një ditë para takimit me rusët në Zyrën Ovale.

FBI heton rreth lidhjeve me Rusinë

Byroja Federale e Hetimeve po heton rreth lidhjeve të dyshuara midis ekipit të fushatës presidenciale të zotit Trump dhe Rusisë.

Në një deklaratë të përbashkët, demokratët kryesorë në Komisionin e Dhomës për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare si dhe në Komisionin Juridik të Dhomës, Elijah Cumming dhe John Conyers, kërkuan publikimin e çdo regjistrimi audio të takimit të zotit Trump me rusët javën e kaluar.

“Pas një jave të pashembullt, në të cilën shumë njerëz mendonin se ishte e pamundur që Presidenti Trump të tregohej më i papërgjegjshëm se aq, tani ai mund të ketë rënë në një nivel edhe më të rrezikshëm,” thuhej në deklaratë.

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Lavrov, President Trump, Sekrete, shtepia e bardhe

Kush eshte Avdullah Hoti, kandidat i LDK-së për kryeministër

May 16, 2017 by dgreca

1 avdulla Hoti

Biografi-Dr. Avdullah Hoti, i nominuar nga LDK për Kryeministër të Kosovës/

Dr. Avdullah Hoti, Ministër i Financave, i nominuar sot zyrtarisht për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, është Profesor i Asocuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Arsimi: Ka studiuar menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1994-1998. Studimet e magjistraturës (2001-2002) dhe të doktoratës (2003-2007) për ekonomiks i ka përfunduar në Staffordshire University, Britani e Madhe. Më 2008 është certifikuar nga Staffordshire University për metoda hulumtuese dhe mentorim të studentëve të doktoratës.

Përvoja akademike dhe hulumtuese: Ka filluar angazhimin si asistent mësimor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1998. Në vitin 2008 është zgjedhur Profesor Asistent, ndërkaq më 2012 është zgjedhur profesor i asocuar. Në këtë fakultet ligjëron disa kurse në studimet bachelor, master dhe të doktoratës. Në Kolegjin Dardania në Prishtinë ligjëron mikroekonominë dhe makroekonominë. Ka ligjëruar në Universitetin e Pejës gjatë vitit 2008-2009. Gjatë viteve 1999-2004, ka punuar si hulumtues, me kohë të pjesshme, në Institutin Riinvest në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 2007-2009. Ka qenë anëtar i disa këshillave profesionale dhe akademike në vend dhe jashtë. Ka publikuar gjashtë tekste, në gjuhën angleze, prej tyre dy si autor i vetëm dhe katër si bashkautor. Ka publikuar 16 artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, migracionin dhe remitancat dhe fusha të tjera.  Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare dhe vendore.

Angazhimet politike: Gjatë viteve 2006-2007, ka qenë Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës. Gjatë viteve 2008-2009, ka qenë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës. Për një mandat (2010-2013) ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Nga viti 2006 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2010, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2011, ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në qershor 2014, është zgjedhur Deputet i Kuvendit  të Republikës së Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Është i martuar dhe ka dy djem, Ledionin dhe Antianin.

Filed Under: Komente Tagged With: Abdulla Hoti, kandidati i LDK, per Kryeminister

Washingtoni sot e ka fjalën për shqiptarët në Ballkan

May 16, 2017 by dgreca

Joe

Ne Foto: Sot, para deshmise: znj.Shirley Cloyes, z.Joe DioGuardi, Dr.Arben Taravari, z.Vullnet Dervishi dhe Ilir Zenku e National Republican Club of Capitol Hill)

Washingtoni sot do të flasë për çështjen e (pa)zgjidhur shqiptare në Maqedoni/

1 Capitol
Nga Skënder Karaçica/LQSHA-Joe DioGuardi përsëri para shtetit amerikan në Washington do të shpalosë kronikën historike të shqiptarëve etnik në Maqedoni,që me ligjet kushtetuese tash e një shekull kanë mbetur në margjinat e kohës në pozitën e pakicës e jo shtetformues.Në këtë rrjedhë ata janë diskrimuar në pozitën shumëpalëshe dhe kjo gjendje është parë me sytë e botës demokratike dhe të shtetit amerikan në Washington,kur bandat kriminele të ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të presidentit Gjorgje Ivanov
e përgjakën parlamentin në Shkup,duke rrahur për vdekje deputetin shqiptar (LR-PDSH)Ziadin Sela që konsiderohet se është rrahur i tërë populli shqiptar në hapësirën e vet etnike në Maqedoni.Washingtoni zyretar e ka parë nga afër këto pamje të shëmtuara nacionaliste dhe me vijat e trasha antishqiptare të kurdisura mirë në nëntokën politike maqedonase në Shkup,të dirigjuara nga qarqet e jashtme Ruso-Serbe.
LQSHA-Joe DioGuardi,ish kongresisti dhe me prejardhje shqiptare(me gjak arbëreshi)nuk e ndalë udhën e tij kombëtare shqiptare,që të qëndroj sa më afër popullit të tij shqiptar në trojet e veta etnike në Kosovë,Shqipëri
Maqedoni,Mal të Zi,Çamëri dhe në Luginën e Preshevës.Arbëreshi me miqtë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë në Washington(Tom Lantos dhe Bob Dole)arritën që çështja e Kosovës të kaloj përmes Kongresit dhe Senatit,përmes miratimit të dëshmive,raporteve zyrtare nga terreni,të
shkrimeve analitike,të
fotografive për ngjarjet e dhunës serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë,u bë e mundur miratimi i Rezolutës historike në Kongresin Amerikan që i përcaktoj qartë projektin e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.Amerika ishte vendi i parë në botë që e njohu pavarësinë e shtetit të ri të Kosovës,këtu ishte programi kombëtar i LQSHA-Joe DioGuardi,që i hapi udhën presidentit Bush për të dhënë bekimin
për Kosovën shtet i pavarur.Dhe,koha nuk ka të ndalur për kauzën e madhe kombëtare shqiptare në Ballkan.Kjo pjesë e Evropës nuk do të ketë qetësi përderisa shqiptarët në Maqedoni ende e kanë statusin e pakicës dhe ligjet kushtetuese të pushetit maqedonas në Shkup,ende po sillën me metodën e vjetër të orëve komuniste se ,,Maqedonia është shtet (vetëm) i maqedonasve,,
dhe duke i lënë popullin shqiptar në rendin e dytë si pakicë kombëtare që ndaj tij me të gjitha metodat e anashkalimit në botën,,shkencore,historike
dhe akademike,,në Shkup përmes ,,Enciklopedisë,,
është fyer e denigruar aq shumë populli shqiptar saqë është thënë edhe kjo se ata,,paskëshin ardhur nga malet,për të zënë tokën e maqedonasve,,(sic!).Deri këtu ka mbërri gjendja me ligjet e këtij shteti,që pa barazinë e shqiptarëve nuk mund të ekzistojë as një ditë.
Washington sot do të flasë për çështjen e (pa)zgjidhur shqiptare në Maqedoni.Do të dëgjohet fjala dhe argumentet që nuk kush që mund të shembë për tokë,përderisa Amerika është në krah të popujve për të drejtat dhe liritë njerëzore në botë dhe projektuese për liri,demokraci,barazi të shqiptarëve në Maqedoni që ata me ligjet kushtetuese do të bëhen zot të vetvetes,për të sotmen dhe të ardhmen e tyre kombëtare shtetfformues dhe jo pakicë kombëtare.Me këto tipare të njohura të vlerave universale të demokracisë,Maqedonia mund të bëhet pjesë e botës së lirë,që edhe vetë kur këto vlera i participojnë bashkërisht dy bashkësitë e të dy popujve shumicë maqedane dhe shqiptare,atëherë për këtë vend multietnik mund të hapën dyert për integrim në BE dhe NATO dhe në një miqësi më të mirë më Amerikën.
LQSHA-Joe DioGuardi bëri që Amerika të shpëtoj Kosovën dhe tashti ky vend mik i përjetshëm do të jetë në krah të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Maqedoni dhe shqiptarët do të jenë faktorë të paqes dhe të integrimeve me popujt në BE dhe NATO.
Washingtoni sot do të flasë për shqiptarët në Maqedoni,pushteti aktual duhet të ecë nëpër tokë dhe të mendoj me mirë se pa barazinë kombëtare të shqiptarëve përmes ligjeve kushtetuese nuk ka mund të ekzistojë.Çdo vonesë dhe mbyllja e syve para problemit aktual do të sjellë në tovolinë opcionin e federalizimit ose të ndarjes së vendit sipas hartës etnike të vitit 1913.
Padrejtësitë historike të shqiptarëve tashti janë vënë në tovolinë të Kongresit dhe të Senatit Amerikan në Washington,atëherë sot përsëri një zë vjen nga LQSHA-Joe DioGuardi se pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni dhe në pjesët tjera etnike,nuk do të jetë e qetë Evropa.
Washingtoni sot e ka fjalën për shqiptarët në Ballkan.
Skënder Karaçica
 Executive Director
Albanian-American Association

of Intellectuals Businessmen and Activists

Filed Under: Analiza Tagged With: Joe DioGuardi, LIGA QYTETARE, Washington

FRANCA REPUBLIKANE SHPETOI BASHKIMIN EUROPIAN

May 16, 2017 by dgreca

1-Repishti-300x212

Nga Sami  Repishti */  Ridgefield, CT. USA.- Të dielën, 7 maj 2017, Franca votoi për zgjedhjet presidenciale. Në mes të dy kandidatëve, Emmanuel Macron, europianist, dhe  Marine Le Pen, populiste , francezët zgjodhën të ardhmen e vendit tyne në kuadrin e Bashkimit Europian. Fitorja e tyne konsiderohet si fitorja e njerëzimit në botën mbar, sepse përveç premtimeve që frymëzojnë, kjo fitore u ba pengesa kryesore e përhapjes së nji lëvizje populiste, regresive që përfshiu Europën dhe SHBA-në gjatë vitit të kaluem. Unë e quej këte: nji fitore kundër neo-fashizmit që ngren kokën me paturpësi. Fitorja e Macron kuptohet edhe si fitorja e arsyes mbi pasionin e smurë që krijoi vala mbytëse e nacionalizmit të egër e agresiv në Europë.

   Tashti, kjo fitore do të përballohet me programin e mbrendshëm që synon rimëkambjen ekonomike të vendit, shkurtimin e buxhetit të Shtetit, rishikimin e legjislacionit të kodit të punës, përkrahjen e fuqishme të arsimit sidomos në zonat e “harrueme” dhe përkrahjen financiare të klasës së mesme, të pavarun nga shteti në tregëtine e tyne, e profesionistëve në mes tjerash.

   Kjo fitore ngren dukshëm edhe rolin e grues franceze në jetën publike. Nga 577 kandidatët e partisë së re të Macron, “En marche!” (Përpara!), gjysma janë gra ose fëtyra të reja në politikën e vendit.. Lufta për punësim sa ma të plotë zen vendin e parë. Natyrisht, synohet forcimi i ekonomisë franceze për konkurrencën botënore që imponon globalizmi.

  Roli i Presidentit në Francë ashte shumë i fuqishëm, por varet edhe nga përkrahja e Parlamentit (Asambleja Kombetare) e cila zgjidhjet me 11 e 18 qershorin  që vjen.

  Ajo që bien në sy ashtë qendrimi “anti-establishment” nji nevojë urgjente për ndryshim. Figura të njohuna në jetën politike franceze nuk u votuen, dhe ata që kandiduen për president humbën randë. Për herë të parë në ma shumë se 50 vjet asnji nga partitë tradicionale nuk u paraqit në rundin e dyte elektoral.

  Ky fenomen ashtë i përgjithshëm: masat votuese janë lodhë me figurat politike që hypin e zdrypin, premtojnë e nuk përmbushin, dhe që janë të shterruem për ide të reja, për ballafaqim me botën që ec përpara e me problemet e ditës, gjithëherë të reja. Ka nji pakënaqsi për legjislacionin e B.E. dhe falimentimin e përgjithshëm europian me përballue problemet e imigracionit dhe kontrollin e kufinjve. Kjo hapje e Europës për të gjithë botën nuk ka pasë sukses të plotë –me përjashtim të Gjermanisë së Kancelares Merkel, figura dominante europiane.

   Para nji situatë të këtill, çdo qytetar francez u detyrue me ekzaminue ndërgjegjen e vet: abstenimi në votim nuk ka vend, as justifikim. Kambëngulja e Macron në favor të forcimit të B.E. garanton nji të ardhme ma të mirë, ndërsa “fitorja e Le Pen don të thotë katastrofë për Europën dhe botën mbar!” shkruente Nobelisti Paul Krugman. Nji tjetër analist, Roger Cohen, shton “Macron mbetet shpresa ma e mirë për Francën, për Europën dhe për nji shoqëni civile të qytetnueme franceze. Franca e pranoi sfidën e madhe. Europa e Bota e Lirë e falënderojnë!

   Sa mundësi ka Presidenti Macron me përmbushë premtimet e dhanuna, në nji vend të ndamë nga retorika brutale e zgjedhjeve presidenciale? Kandidatët sulmuen njeni tjetrin dhe ofenduen me shprehje të pa pranueshme. Për ma tepër, fushata elektorale e Macron u sulmue “në mënyrë masive dhe të koordinueme”nga nji operacion “hacking” me potencial shkatërrimin dhe  destabilizmin e demokracisë së vendit nji ditë para votimeve. Kjo ofensivë ngjau edhe kundër SHBA-së në favor të Presidentit Trump, dhe kundër kandidates H.Clinton – e që ishte përqendrue ”…me mbjellë dyshim dhe desinformim”. Ma vonë u zbulue se operacioni ishte koordinue nga rusët që veprojnë nga qendra APT28, e njohun për spiunazh kundër NATO-s.

  Këtu në SHBA, njohim shumë mirë këte situatë të rrezikshme dhe të vështirë me u tejkalue, sidomos kur elektorati humbë besimin në klasën politike të vendit. Për ma tepër, preferenca e votuesve francez –simbas shtypit – ka nji peshë që kalon kufinjtë e vendit. Nji tërheqje nga B.E. ashtu si kërkon Le Pen do të shenonte nji goditje shumë të randë, ndoshta fatale për të gjithë projektin europian të bashkimit, dhe për të gjithë demokracitë perendimore, si dhe do të lehtësonte edhe nji terheqje të Europës drejt nji nacionalizmi të ngushtë. Nji zhvillim i këtill do të ndikonte thellë zhvillimet edhe në Shqipëri, kandidat për anëtarsim në B.E., solucioni ma i mirë –ndoshta i vetëm!- për vendin tonë dhe Republikën e Kosovës.

   Gazeta prestigjoze amerikane The New York Times e sintetizon kështu fitoren e Z. Emmanuel Macron: “ Ballafaqimi në zgjedhjet presidenciale të Francës tejkalon kufinjtë e politikës kombëtare. Ai ballafaqim tregoi dualizmin: globalizëm versus nacionalizëm. E ardhmja versus e kaluemja. E hapuna versus e mbylluna…. Rezultati i detyrohet edhe frikës së popullit francez nga nji lloj populizmi që përmbysi politikën e Britanisë së Madhe (Brexit) dhe atë në SHBA (Trump)”.

   Në rastin e kundërt, dalja e Francës nga B.E. e heqja dorë nga monedha “euro” mundson vdekjen e idesë së bashkimit ekonomik të Europës, kontinent që doli i përgjakun nga L2B. “Franca ka qenë anëtare themeluese e B.E. dhe forca nxitëse krysore, së bashku me Gjermaninë, ish rivale e saj. Efektet e daljes nga B.E. ndjehen përtej kufinjve të Europës, në zonat pa stabilitet politik, në tregjet botënore, si dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së,” shkruen shtypi francez.

   Roger Cohen shprehë admirimin e tij që “Franca qendroi me dinjitet kundër sulmeve terroriste, frikës dhe çmendurisë së ISIS, (që kercënoi me vdekje të dy kandidatët). Ajo doli ma e fortë, e ma dinjitoze….Dueli politik tregon se Franca me Presidentin e ardhshëm Z. Macron po lufton me mbrojtë vlerat themelore të republikës, se mbron Francën nga rreziku i ramjes nen presionin e turpit populist. Ajo mbron idealet e nalta dhe aspiratat e trashëgueme nga Revolucioni (i vitit 1789): Liri, Barazi, Vëllaznim. Franca refuzoi të flliqet me populizëm”. Ai vazhdon: ”Si mund të zgjidhej Le Pen që urren imigrantët, e sidomos myslimanët francez, që kundërshton B.E. i cili nxori Europën nga ditët e zeza të grindjeve nacionaliste, e pozicionimeve autokratike, ksenofobike, me degët e saj në Moskë, Ankara e Washington, nji përkrahëse e nacionalizmit racist ‘Franca mbi të gjitha’ dhe përfundimin drejt nji konflikti, në ‘luftë’ simbas ish Presidentit F.Mitterand”?.

  Andrra e Robert Schumann, Konrad Adenauer, dhe Alcide de Gasperi mbijetoi!

******

  B.E. nuk ashtë zhvillue në nji vijë të drejtë. Ka pasë të meta dhe shpërdorime, por esenciale ashtë se ka sigurue nji Europë në paqë, demokraci, prosperitet ekonomik dhe të bashkueme. Ky ashtë sukses i madh për nji kontinent që u shkatërrue nga dy lufta botënore mbrenda nji çerek shekulli.

  Në Francë, p.sh. papunësia ka arrijtë në 10.1 % kurse për rininë nën moshën 30 vjeçare ashtë 23.7 %. Forca përtej mundësisë së Francës me kontrollue –byrokracia në Bruksel mbajtja nën kontroll e euro-s pa kujdes për damet e bamë në disa shtete nga Banka Qendrore Europiane, ernat e zeza të globalizmit në disa zona- kanë krijue nji atmosferë anmiqsore kundrejt B.E. Megjithate, Franca ka gëzue statusin e nji modeli social të admirueshëm. Afer 57 % e Prodhimit të Përgjithshëm të Mbrendshëm shpenzohet për mirëqenjen e shëndetin e popullit, por detyron Francën me qenë e dyta në listen e taksave të randa….

   Atëherë cila ashte perspektiva e B.E. për të ardhmen? Në nji analizë të studjuesit Robert D. Kaplan (autor i librit “Hijet e zeza të Ballkanit”) Franca, Holanda dhe Gjermania janë tre shtetet që kanë përba “The Holy Roman Empire” (Perandorinë e Shenjtë Romane) të Karlit të Madh (Charlemagne), në vitin 800, dhe sot janë akoma shtetet ma të pasuna me institucionet ma të forta  të Europës. Besohet se “sekreti” ka qenë ruejtja dhe forcimi i “klasës së mesme” në shoqëni. Pasunia prrallore dhe vorfënia janë shikue si “të padëshirueshme”, natyrisht të influencuem nga etika kristiane. E kundërta ngjau me perandorinë bizantine dhe ma vonë otomane, shkruen Kaplan. Ish vendet nën sundimin e tyne janë akoma sot ma të vorfënat, ma të pa qëndrueshmet, dhe gjithnji në nevojë të ndihmës nga B.E.“

   Kjo gjendje për B.E.  do të krijojë mundësi që ndihma të ofrohet edhe nga Rusia ose nga Turqia, dy vende me ambicie politike në Ballkan. Pakë ditë ma parë, ambasadori rus pranë B.E. në Bruksel deklaroi se B.E. dhe NATO nuk janë alternativat e vetme për shtetet europianë, deklaratë kjo që len të kuptohet se edhe Rusia ashte nji alternativë e dytë. Kjo ka qenë deklarata ma e fortë deri tashti kundër organizmit politik të tanishëm të kontinentit europian.

  Fatmirësisht, përgjegjen e parë e të plotë e ka dhanë nji shtet sllav, Maqedonia. KM Zoran Zaev, deklaroi para disa ditëve “Le të dijnë miqtë nga Rusia se për të gjithë Ballkanin perendimor dhe Maqedoninë vendi i jonë ashtë në B.E. dhe NATO”. Nji pikëpamje e këtill mbretnon edhe në Shqipëri e Kosovë, fatmirësisht.

  Kaplan deklaron: ”Pa B.E. të fortë do të kemi nji konflikt në Ballkan”. Që tani shofim shenja të disa vendeve të Europës lindore që po rrëshqasin në rregjime autokratike që i ngjasin ma shumë Rusisë se B.E. Në Turqi, KM.Erdogan mbas fitores elektorale nuk vizitoi varrin e Ataturkut, nji traditë shumë dekadash, por varrin e Sulltan Mehmetit II, që pushtoi gjysmën e Ballkanit, tue përfshi edhe Shqipërinë. Simbolika e nji gjesti të këtill nuk kalon shpejt dhe pa rrjedhime. “Vetëm në se Serbia, Kosova dhe Shqipëria –shkruen Kaplan -anëtarësohen në B.E. krijohen mundësitë që grindjet në mes serbëve dhe shqiptarëve të zgjidhen përfundimisht….Në B.E. Shqipëria dhe Kosova nuk e ndien nevojën për ‘bashkim’ me inisiativën e tyne, sepse nji akt i këtill ashtë nji ‘casus belli’ për Serbinë. Vetëm kështu mund të kemi paqë në ish Jugosllavinë”.

  B.E. ashtë kryesisht nji ide: bashkim dhe bashkëpunim në mes të shteteve pa humbë sovranitetin shtetnor. Nji fazë e re hapet në historinë e Europës. Nga afrimi në mes të shteteve të ndryshëm në nji sistem legalisht të formuem, në vend të shteteve/kombeve të izoluem, me ligjëshmëni e frazeologji të përbashkët, dhe mbrojtjen sidomos të individit, përbajnë nji hap cilësor përpara në marshin europian drejt lirisë dhe sigurimit kolektiv.

“B.E. ashtë perandoria e nevojshme” përfundon Kaplan. Dhe këtu qendron edhe gëzimi i jonë për fitoren e europianistit Emmanuel Macron si president i Francës europiane.

********

  Me 2 maj, në Columbia University (N.Y.) u mbajt nji tubim shkencor “Open Discussion” ku folën ekspertë të problemeve ballkanike. Merrnin pjesë edhe shumë ambasadorë të vendeve ballkanike, si dhe ato të Shqipërisë dhe Kosovës. Seanca u zhvillue në International Affairs Building, dhe u kryesue nga David L. Phillips. mik i shqiptarëve dhe sidomos i Kosovës. I ftuem, mora pjesë edhe unë.  

   Nji angazhim ma i madh dhe ma konstant i politikës amerikane në Ballkan ishte pika qendrore e diskutimeve. Nji nga folësit, Dr. Florian Qehaja, i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, nji i ri premtues, foli për efektet negative të qendrimit paternalistik që çfaqë Rusia ndaj Ballkanit dhe rrezikun real që vendet e Ballkanit ballafaqojnë. Nga diskutimet doli se kercënimi ma i madh vjen nga nji kombinim i politikës agresive të Serbisë (“që kërkon të bashkojë të gjithë popujt sllavë në nji Serbi të Madhe” (Sonia Biserko, në TV N1 të Beogradit) me atë të Rusisë së Putinit në pengimin e forcimit të shtetit të Kosovës, B.-H, Malit te Zi e Maqedonisë, pika sensitive dhe subjekte për sulm. Ballkani po radikalizohet nen presionin e influencës ruse, theksuen folësit. Lidhjet politike, kulturore e fetare të Rusisë me vendet ortodokse në Ballkan rrisin afinitetin në mes të dy palëve dhe në dam të pavarësisë së shteteve ballkanike. Baza e spiunazhit rus ne Nish- vetëm 35 km larg nga kufini i Kosovës dhe provokimet e vazhdueshme janë piketat e nji strategjie ma të gjanë. Në Serbi, 36 % e ushtarakëve janë pro-rus të deklaruem.

   Folësit diskutuen edhe “për influencën ruse në Shqipëri” dhe elementin fetar ekstremist, tue iu referue deklaratave të Ministrit të PJ të Shqipërisë: “Rusia nuk duhet shikuar si armike….”.

   Si përfundim: duhet rritë angazhimi amerikan në Ballkan para se të krijohet nji rrezik serioz për të ardhmen e gadishullit.

    Uroj që situata të këtilla kercënuese të shërbejnë si paralajmërime dhe me bindë grupet politike për nji bashkëpunim në mes tyne e në shërbim të interesave të atdheut tonë të përbashkët.

================================================================

* Ish student-bursist i Universitetit të Parisit, (1970-71)

Filed Under: Opinion Tagged With: BASHKIMIN EUROPIAN, FRANCA REPUBLIKANE, Sami repishti, SHPETOI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT