• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

SIKUR TË KISHIM NJË MACRON !

May 14, 2017 by dgreca

1-Eugjen-Merlika-225x300NGA EUGJEN MERLIKA/Dita e 7 majit është ajo e çlirimit të Francës nga ushtritë naziste. Këtë vit ajo përkoi me votimet për zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit. Rreth 1800 gazetarë kishin mbërritur nga e gjithë bota në kryeqytetin francez, për të ndjekur përfundimin e garës zgjedhore ndërmjet Emmanuel Macron-it dhe zonjës Marine le Pen, kryetare e Ballit Kombëtar francez. Interesi i përfundimit të këtij dyluftimi zgjedhor kishte përfshirë gjithë opinionin publik botëror, atë të drejtuesve të shteteve por edha atë të qytetarëve, veçanërisht t’atyre evropianë.

Ishte në lojë, si asnjë herë tjetër, fati i Evropës si bashkësi e organizuar Shtetesh të lira e demokratike, me një histori të njohur për rëndësinë e saj n’atë të mbarë njerëzimit. Para 12 vjetësh, një tjetër betejë për presidencën franceze, ndërmjet Jean Marie le Pen, babai i Marinës dhe Jacques Chirac, përfundoi me një “rezultat tenistik” : 80% me 20%. Atëherë e gjithë Franca u mobilizua për të votuar kandidatin e djathtë në garë me atë ultra të djathtë. Nuk pati shemëri, finalja u kthye në një lojë me një portë. Por edhe ata votime patën të veçantën e tyre, madje një të papritur shumë të madhe : në garën e parë me të gjithë kandidatët kandidati i  Ballit Kombëtar doli i dyti duke lënë pas partinë socialiste e përfaqësuesin e saj, ish kryeministrin Lionel Jospin.

Ishte tronditja e parë e madhe që merrte duopoli e djathtë – e majtë, që kishte qeverisur Francën për dhjetëvjeçarë. Kishte lindur një forcë e re politike, krejt e ndryshme nga ato të traditës së mbas luftës së Dytë botërore. Ajo erdhi duke fituar gjithënjë e më shumë përkrahës, jo vetëm nga të përmalluarit e së shkuarës, por edhe nga shtresat më në nevojë të shoqërisë, nga ata që ndjenin mbi shpinën e tyre vështirësitë ekonomike të epokës pas koloniale e asaj të globalizimit të përgjithshëm. Kjo forcë që sot, e drejtuar nga kandidatja humbëse e balotazhit të 7 majit, e cila e “pensionoi” babain e saj, me të cilin nuk ka më asnjë marrëdhënie, ka në programin e saj tërheqjen e Francës nga Nato dhe BE, një politikë autarkike të mbuluar me thirrje demagogjike kundër Evropës së Bashkuar, për një kthim mbrapa në Francën e mbyllur në kufij e në marrëdhënie, me iluzionin e rremës se në këtë mënyrë problemet e francezëve do t’ishin lehtësisht të zgjidhshëm. Ajo është sot shtylla më e fuqishme e t’ashtuquajturit “populizëm”, një pseudo doktrine të re që i jep përparësi shteteve të veçanta  e që synon shpërbërjen e Bashkimit evropian. Si e tillë ajo ka përfaqësuesit e saj , pothuajse në të gjitha vendet evropiane, ka përkrahës në botën globale n’ata sektorë të cilët janë t’interesuar për dobësimin e shkërmoqjen e Evropës së bashkuar. Përkrahëse e fortë e kryetarëve të Moskës dhe Washingtonit, Marine le Pen, në kryesinë e republikës franceze, do të kishte qënë një faktor vendimtar dhe i mbrapshtë për vazhdimin e shpërbërjes s’Evropës, mbas të famëshmit Brexit, të shpënë me sukses në fund nga homologu i saj britanik, Nigel Farrage.

Ortekut lepenist, që rrezikonte të pushtonte Francën e të shkatërronte Evropën, i vuri gjoksin  një politikan i ri 39-vjeçar, z. Emmanuel Macron, ish ministër i ekonomisë në kabinetin e kryeministrit Manuel Valls ish këshilltar ekonomik i Presidentit Francoit Hollande, një nga mëndjet eprore të brezit të tij, me stdime të nivelit më të lartë. Kishte dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit e me largpamësinë e intelektualit të shkëlqyer, me nuhatjen e hollë politike e njohjen e thellë të popullit e brezit të tij, u zotua të krijonte një lëvizje të re, të cilën e mbiquajti “En Marche! (“Në ecje”).  Askush, një vit më parë nuk i jepte asnjë mundësi fitimi kësaj force dhe arkitektit të saj. Për të kuptuar filozofinë politike të banorit t’ardhshëm të Elizeut, po sjell këtu një fragmenet nga libri i tij i fundit “Revolucioni”:

“Disa mendojnë se Vëndi i ynë është në rënie, që më e keqja është përpara, që qytetërimi ynë është duke u shuar…. Të tjerë mendojnë se Franca mund të vazhdojë pak a shumë kështu, të zbresë po shpatin, por një shpat jo shumë të pjerrët. Që loja e ndërsjelltësisë politike mjafton të na japë pak frymëmarrje. Un jam i bindur se gabojnë, se dështimi varet thjesht nga modelet e tyre, nga ricetat e tyre. Ndërsa Vëndi, në tërësinë e tij, nuk është aspak në dështim. Dhe ai e din. Turbullt, por ai e din, e ndjen. Që këtu ndarja e tanishme mes popullit e qeveritarëve të tij….”

Në ballë të programit të tij politik Macron-i vuri Evropën, si shtëpia e përbashkët e të gjithë evropianëve, si një ndërtesë madhështore e projektuar dhe ndërtuar nga njerëz me shpirt të madh e mëndje të ndritur, të cilët, mbi gërmadhat e kontinentit të tyre mbas 1945-s, u panë sy në sy e u betuan para Zotit, bashkëqytetarëve të tyre e brezave që nuk kishin lindur ende, se tragjedi si ajo e luftës së Dytë botërore nuk do të përsëriteshin më kurrë. Ai betim qe themeli mbi të cilin u ngrit Evropa e re, një vepër titanike që pati për mision shmangien e dasive e kundërshtive shekullore, miqësimin e popujve që ndaheshin prej njëri tjetrit nga tërësi interesash e krenarish kombëtare. Ky mision fisnik u sendërtua në sajë të vullnetit të mirë të dy brezave evropianësh e të largpamësisë së Etërve themelues.

Presidenti i ri i Francës e ndien veten krenar që merr në dorë, së bashku me të gjithë ata që besojnë sinqerisht në t’ardhmen e Evropës, stafetën e tyre, për të çuar përpara çështjen dhe misionin e saj, për të ecur me ritmet e duhura drejt synimeve gjithënjë e më të larta. Këtu qëndron e veçanta e këtij djaloshi shtetar, i cili guxon të ngrejë një ledh kundër të gjithë atyre të verbërve politikë, që nuk reshtin kurrë së sulmuari Bashkimin evropian, deri në paturpësinë e neveritëshme të të krahasuarit me ish Bashkimin Sovjetik. Largpamësia e Macron-it qëndron në besimin e madh që ai vuri në popullin e tij e në shpirtin e tij evropian, kur dihej se para më shumë se dhjetë vitesh ai popull kishte rrëzuar projekt – kushtetutën e Evropës, duke ngadalësuar dukshëm ecjen e saj drejt bashkimit të plotë. Risia e mendimit të presidentit të ri qëndron në një fakt tjetër, n’atë të prirjes për të ndryshuar diçka në filozofinë e vazhdimësisë politike të çështjes evropiane. Ai shpreh bindjen se doktrinat ideo-politike që lindën mbas luftës së Dytë botërore, të cilat shënuan ecjen demokratike të shoqërive perëndimore dhe epërsinë e sistemit të tyre kundrejt atij komunist të Evropës lindore, që krijuan partitë e qendrës së djathtë të orientimit katolik dhe rivalet e tyre të qëndrës së majtë të drejtimit socialist, sot nuk janë më të mjaftueshme për të udhëhequr ecjen e Bashkësisë evropiane, e cila kërcënohet nga shpërbërja e saj, si pasojë e fitores së mundëshme të ideve të mbylljes në vetvete e të kombëtarizmit të rremë e të ngushtë. Për pasojë ai krijoi një forcë tjetër të re, që huazon nga dy paraardhëset e saj veçoritë e tyre më pozitive, duke bërë një përmbledhje të ideve të tyre, të cilën e gatuan së bashku me shpirtin e tij reformues e konceptet liberale për ekonominë e cila, në sajë të globalizmit, ka hyrë në një fazë krejt të re të zhvillimit.

Në festën e fitores së Macron-it u valavitën flamujtë me shumë yje të  Evropës së bashkuar e  u luajt Hymni i Gëzimit, që nga viti 1985 është hymni zyrtar i saj, që na kujton dy gjermanë të mëdhenj të dy shekujve më parë, Shiler dhe Bethoven, autorë përkatësisht të tekstit dhe muzikës. Macron përshëndeti idhtarët e ti të mbledhur para muzeut të Louvrit me këto fjalë, ndërmjet të tjerash : “Kjo që kemi bërë në këta muaj nuk ka ndodhur kurrë, e nuk ka të ngjajshëme. Në këtë mbrëmje para Louvrit ju përfaqësoni zellin, entuziazmin, energjinë e popullit të Francës. Keni zgjedhur guximin e me atë guxim do të ecim…..”

Ecja e tij nuk do të jetë një fushë me lule, sepse kundërshtarët do të mundohen t’i futin shkopin në rrota. I filluan mbas 24 orësh komunistët, të parët protestat. Balli Kombëtar është gjithmonë në pritë, i gatshëm të mobilizojë taborret e tij të votuesve, por shumë francezë, të rinj e të moshuar, janë me të. Fuqia e tij e vërtetë zgjedhore do të duket mbas pak javësh, kur të kryhen votimet për parlamentin e Francës, por një gjë është e sigurtë, ai gëzon përkrahjen e pjesës më cilësore të shoqërisë franceze. Të gjithë evropianët që ëndërrojnë Shtetet e bashkuara t’Evropës, luten për fitoren e vijës së tij politike.

Mendoj se edhe ne, shqiptarët, t’etur për bashkimin tonë si komb e t’Evropës si koncept gjithëpërfshirës, duhet të shohim tek Presidenti i ri i Francës një shpresë. Krahas kësaj shprese, vjen i vetvetishëm një urim e një lutje, për të parë në gjirin tonë një personalitet si Macron-i, një njeri me të vërtetë të ri jo në moshë por në mendime. Politika e sklerotizuar shqiptare ka nevojë të domosdoshme për një figurë të ngjajshme, që të verë në lëvizje të vërtetë kombin drejt synimesh realiste e reale, që të grumbullojë rreth vetes forcat më të shëndosha e më cilësore të shoqërisë, të cilat sot ndrydhen nga monopoli i pushtetit e nga varfëria ideore e kundër pushtetit. Na nevojitet në njeri me nivelin intelektual epror, që të hapë shtigjet e një epoke tjetër, asaj të meritës, aftësisë e vlerave. Ajo epokë duhet të nxjerrë në pension të parakohshëm një morì t’ashtuquajturish politikanë të karierës, njerëz të improvizuar e të projektuar nga sistemi i vjetër komunist, njerëz që nuk kanë asnjë meritë të veçantë intelektuale për të prirë një popull me njëmijë probleme, veç asaj të pasurimit të paligjshën në kurriz t’atij populli.

Macron-i u premtoi bashkatdhetarëve të tij se do t’u thotë gjithmonë të vërtetën, edhe atëherë kur ajo është e pakëndëshme, madje e hidhur. Sa shumë kemi nevojë edhe neve të na thonë të vërtetën qeveritarët e politikanët, sepse jemi të tejngopur nga gënjeshtrat e mashtrimet e të gjitha formave e të gjitha ngjyrave. Dëshërojmë të dëgjojmë të vërtetën për ekonominë e perspektivat e saj, për pasuritë prrallore të disave e varfërinë migjeniane të shumë të tjerëve, për pronat e vjetra që nuk kthehen e pronat e reja që mbijnë si kërpudhat, për kanabizimin e Vendit dhe alternativat e daljes nga ajo gjëndje traumatike, për kriminelë të zakonshëm që bëhen papritmas të pasur e me pzita të larta në shtetin e “reformuar”, për pafundësinë e “legalizimeve” të paligjëshmërisë, për shqiptarët që ikin e për ata që nuk munden të largohen, për miliardat e eurove që premtohen si investime, ndërsa dëmshpërblimet për punën e papaguar të burgjeve komuniste paguhen me pikatore, për faktin shumë të trishtueshëm se në këtë Vend, ndryshe nga shumë Vende të tjera ish komuniste, asnjë politikan nuk gjykohet as kur vret, as kur grabit, as kur korrupton apo kur korruptohet…..

Duke i uruar sukses e punë të mbarë Makron-it francez në të mirë t’Evropës, përkëdhelim shpresën që të shohim një ditë, jo shumë të largët, një Makron shqiptar, që të ngrihet mbi kënetën e pështirë të politikës sonë e të na bëjë edhe neve të shohim në sheshet tona flamujtë e Evropës së bashkuar përkrah shkabës së Skënderbeut, dhe të dëgjojmë Hymnin e Gëzimit, të një gëzimi të vërtetë mbas gati një shekulli mundi e cfilitjeje.

Maj 2017                                                                                 Eugjen Merlika       

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugene Merlin, NJË MACRON !, SIKUR TË KISHIM

Protesta e 13 MAJIT, model i Republikës së Re!

May 13, 2017 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Shkruan: Enver Bytyçi/

18403124_1809673082693552_3958658933578882502_n18403745_1809672646026929_1612303820000558479_n18424205_1809672642693596_3891227802190782389_n18447427_1809672639360263_1250671646417908245_n18423138_1809673749360152_2863738489585333342_o

Më 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestuesit e Rilindjes ushtruan dhunë dhe provokuan në ekstrem forcat e rendit. Dukej qartë se opozitës së atehershme u duheshin viktima për të legjitimuar marrjen e pushtetit dhe e realizuan këtë. Në analizën e atyre ngjarjeve qeveria Berisha kishte interes që opozita të përdorte dhunën e kjo dhunë të transmetohej në të gjitha mediat brenda e jashtë vendit. Por ajo nuk kishte asnjë interes që të shkaktonte viktima ndër protestuesit, aq më tepër në një kohë, kur dhuna e tyre ishte në infinit. Nuk dua të hamendësoj se kush e shkaktoi vrasjen e 4 protestuesve, sepse në fund të fundit përgjegjësia ishte e qeverisë, edhe pse nuk ishte interesi i saj. Sot duhet thënë gjithashtu se qeveria Rama kishte interes të kishte dhunë në bulevard, dhe jam i bindur se ajo nuk kishte asnjë interes që të kishte viktima në atë vend të sheshbetejave midis opozitave dhe mazhorancave në pushtet. Prandaj dhe Lulzim Basha si dhe drejtuesit e tjerë të opozitës deshën të mos ia japin këtë shans kryeministrit Rama. Angazhuan 2700 aktivistë me qëllim që të mbajnë rregullin dhe kontrollin e protestës. Nuk lejuan në asnjë rast që të predikohej dhuna, madje u shfaqën në ekrane bashkë me familjet e tyre, edhe me fëmijët nën moshën e protestuesve, me qëllim që të japin mesazhin për të mos përdorur dhunën. Këta aktivistë ndalën grupe të rinjsh, të cilët donin së paku të hiqnin maskën e vënë në hyrjen e godinës së kryeministrisë e ta nxirrnin atë lakuriq në sytë e protestuesve. Por nuk patën shans. Nuk u lejuan të bëjnë asnjë akt dhune. Në janarin e 2011-ës Rama dhe të vetët bënë thirrje direkte për dhunë, madje thirrje më të ashpra se ajo e Katriot Myftarajt dhe nxitën protestuesit të sulmojnë poliicinë dhe forcat e sigurisë, dërguan edhe një makinë si kamikaze të hynte në oborrin e kryeministrisë, dogjën makinat e qytetarëve e jo të pushtetarëve. Ndërsa për protestën e sotme lidershipi i demokratëve dhe opozitës kërkoi e realizoi rregull, qetësi, maturi, urtësi deri në perfeksion! Të mbash dhjetramijë protestues nën kontroll, kjo është fuqi, është madhështi, është forcë, është angazhim e përkushtim i jashtëzakonshëm për të dëshmuar paqen, atë paqe të cilën e vunë në pikëpyetje edhe disa ambasada kur paralajmëruan shtetasit e tyre se “duhet të bënin kujdes, pasi gjatë marshimit të protestuesve do të kishte dhunë”?! Kjo lloj qëndrese e kjo sjellje, e cila vështirë të kontrollohet në Gjermani, në Francë e Angli, jo më në Itali a Greqi, dëshmon se opozita shqiptare është e aftë të bëjë shtet të së drejtës dhe jo shtet të të fortit. Protesta e sotme nuk ishte vetëm referendum, ajo ishte refuzimi i të gjitha akuzave që deri më sot i janë bërë opozitës dhe kreut të saj Basha për gjoja vendimmarrje personale e në mbrojtje të interesave të tyre. Protesta ishte dhe do të mbetet dëshmi e qytetarisë dhe refuzim i akuzave që kryeministri bën në çdo miting elektoral për “injorancën”, “paaftësinë” dhe “mosangazhimin” e opozitës për të ndërtuar institucione të qëndrueshme kushtetuese e ligjore në funksion të një demokracie liberale dhe të një shteti të së drejtës në Shqipëri. Republika e Re e shpallur sipas motos “Asgjë nuk do të jetë më si më parë”!, përbën thelbin e angazhimit të opozitës për një shtet modern, të ndryshëm nga qeverisjet e derisotme në vendin tonë. Edi Rama para katër vitesh premtoi Rilindjen, dmth në një farë kuptimi një “Republikë të Re”, madje në vend të një “regjimi”, siç ai e quante qeverisjen e demokratëve të Berishës. Por mbolli e solli rilindjen e krimit në pushtet, në parlament, në administratë, në qeveri, dhe ia bashkëngjiti këtë grupim kriminal gjyqtarëve dhe prokurorëve e avokatëve të korruptuar, tek të cilët ai dëshiron ta gjejë “shpëtimin”, duke i shkuar ata në “gijotinën” e retorikës së tij politike elektorale. Mbolli e solli në jetën e shqiptarëve drogën, trafiqet, grupet kriminale, pengmarrjen, kërcënimin e tyre për bisneset, akademikët e me radhë! Rilindën fenomene, të cilat mund të jenë të denja për vendet e Amerikës Latine, ku droga, krimi, vrasja, prostitucioni, janë përditshmëri. Republika e Re e themeluar sot në protestën e opozitës është e duhet të jetë ndryshe, krejt ndryshe. Ajo përjashton zgjedhjen e kriminelëve në parlament, grabitjen, vjedhjen dhe blerjen e votës nga oligarkia në pushtet. Përkundrazi, projekti i kësaj Republike të Re mundëson barazinë para ligjit, respektin për shtetin dhe ligjin, marrëdhënien e sinqertë e të besimit midis shtetit e qytetarit, midis qeverisë dhe të qeverisurve. Republika e Re projekton një reformë të thellë elektorale, më të thellën në histori, me përfaqësim direkt, me numër më të kufizuar vendesh në parlament, me kontroll dhe administrim shtetëror të bazuar në rregulla të sakta dhe me dënime penale të rrepta në rast të shkeljeve ligjore. Kjo reformë garanton zgjedhje të lira e të drejta dhe prej këtej buron gjithashtu garancia e krijimit të institucioneve funksionale të një shteti demokratik e liberal të së drejtës. Republika e Re projekton zgjedhjen e presidentit direkt nga populli, me qëllim që kreu i shtetit të mos përçudnohet e dhunohet nga të fortit e partisë në pushtet ose në opozitë. Republika e Re balancon pushtetet, zevendëson manipulimin e mediave me trajtimin e barabartë të tyre të mbështetur në ligj. do të ndërtojë një gjyqësor të ekuilibruar, të pavarur, të mbështetur në resurse dhe paga. Republika e Re mundëson një sistem konkurues në rajon të politikës së taksave e një sistem arësimor modern e në përkrahje të talenteve, pavarësisht statusit ekonomik e mundësive financiare që ata kanë. Republika e Re ndërton një sistem shëndetësor jashtë të sotëm Partneritet Publik-Privat, ku shteti do mbajë përgjegjësinë për modernizimin e tij, pa patur nevojë të japë me koncension detyrat e veta publike. Protesta e sotme do të ishte e mjaftueshme sikur thjesht një mesazh të tillë të jepte. Që ajo nuk do të jetë si Republika e Vjetër! Mjafton të shohë gabimet dhe të korrigjojë fajet e qeverisjes së Rilindjes, që të garantojë lindjen e një sistemi të ri qeverisjeje, i cili do ta çojë Shqipërinë drejt integrimeve të plota europiane! Ndaj Republika e Re pamundësoi çdo skenar të dhunës në protestën e sotme! I mjafton kësaj armate protestuesish vendosmëria e qëndrueshmëria që ta fitojë kauzën e saj dhe t’i hapë rrugë shpresës se ky vend mund të bëhet, mund të ndryshojë, mund të zhvillohet, mund të ndërtohet! Po të kishte dhunë, atëherë do të vihej në pikëpyetje ky projekt i madh kombëtar! Rilindja erdhi prej dhunës dhe përfundoi te dhuna sistematike e pushtetit të saj kundër qytetarëve të këtij vendi! Nëse Republika e Re do të vinte me dhunë, atëherë duhej vënë në pikëpyetje qëllimi e modeli i saj i ardhshëm! Tiranë, më 13.05.2017

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyç, model i Republikës së Re!, Protesta e 13 Majit

Pse u burgos Dr. Nail Draga ?

May 13, 2017 by dgreca

DËNIMI I DR. NAIL DRAGËS DHE FARSA E ” SHTETIT LIGJOR” MALAZEZ !/

1 Nail Draga2 Draga

Ne FOTO:DR. NAIL DRAGA DHE BOTIME TE TIJ/

NGA XHELADIN ZENELI/

Dënimi me burg me afat prej 6 muajsh i ish drejtorit të Qendrës së Kulturës në Ulqin, Dr. Nail Dragës me akuzën e ” keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, është një akt skandaloz për institucionet e ashtuquajtuara të drejtësisë në Mal të Zi, për arsyen e thjeshtë se organet gjygjësore ndjekin penalisht një ish drejtues të një institucioni kulturor për kinëse një gabim të natyrës procedurale, por anashkalojnë dhe mohojnë krimet e vërteta dhe korrupcionin politik e ekonomik që kryehen në majën e piramidës së pushtetit në Mal të Zi !.

Gjithashtu, z. Draga i ngarkohet edhe akuza e dhënies me qira një objekt ( pronë e Shtëpisë së Kulturës), “pa shpalljen e tenderit publik” (!?). Për të parë se si “drejtësia apo gjykata” malazeze vepron në mënyrë selektive duke ndjekur penalisht raste tepër të pa rëndësishme apo me qëllime të caktuara ,kurse në anën tjetër duke mbyllur sytë ndaj epidemisë së korrupcionit që ka kapluar aparatin shtetëror, po iu sjellim disa dëshmi interesante.
MANS,një organizatë joqeveritare e cila merret me hetimin e korrupcionit shtetëror, raporton se në vitin 2012 agjensitë qeveritare në Mal të Zi kanë nënshkruar 147 marrëveshje paraprake, pa deklaruar tenderin publik. Shpeshëherë zyrtarët qeveritar manipulojnë me tenderët publik me qëllim që të përfitojnë kompanitë që janë më afër apo që preferohen nga partia në pushtet .Tentimet për të hetuar ,persekutuar dhe dënuar zyrtarët e lartë shtetëror për korrupcion apo krime të ngjajshme, nuk sjellin rezulltate .
MANS ka hetuar 333 raste të korrupcionit prej vitit 2006-2012 dhe ka zbuluar se gjykatat japin denime jokonsistente në këtë aspekt. Dënimet zakonisht janë të ashpërta për punonjësit që kanë pozita të ulta apo të mesme, kurse për zyrtarët e lartë të Qeverisë marrin dënime më të buta për kryerjen e krimeve më serioze siç është abuzimi apo keqpërdorimi i pozitës. Shembull më mirë për këtë është rasti i ish zyrtarit të lartë të PDS-së ,Svetozar Maroviq i cili abuzoj me pozitën e tij udhëheqëse duke plaçkitur vite me radhë ,buxhetin e Komunës së Budvës me dhjetra miliona dollarë dhe për këte krim ai është dënuar vetëm me tre vite e dhjetë muaj heqje lirije (!?). MANS gjithashtu raporton se në vitin 2014 , 59 institucione shtetërore të nivelit qendror dhe lokal kanë kryer veprime antiligjore me rastin e transakcioneve të ndryshme pronësore, por asnjë nga drejtuesit e tyre nuk janë sjellur para gjygjit. Edhe Departamenti i Shtetit Amerikan , në raportet e tij për të drejtat e njeriut , vazhdimisht ka tërhequr vërejtjen lidhur me problemin e korrupcionit të zyrtarëve të lartë në Mal të Zi duke theksuar se edhe “përkundër faktit se ligjet ofrojnë dënime kundër zyrtarëve të korruptuar, megjithate qeveria nuk i implementon me efikasitet të duhur ” .
Korrupcioni, keqpërdorimi i pozitës dhe krimi i organizuar fillon nga majat më të larta të pushtetit, pra nga politikanët dhe udhëheqësit kryesor shtetëror në Mal të Zi. Të flitet për korrupcion , për krim të organizuar, për keqpërdorim të pozitës dhe veprime të tjera antiligjore në këtë shtet, nuk mundet pa u përmend emri i ish kryeministrit dhe shefit të partisë së PDS-së, Millo Gjukanoviq i cili për rreth tre dekada me radhë( herë si kryeministër e herë si president i Malit të Zi), shërbeu si politikani numër një i Malit të Zi. Mali i Zi konsiderohet një shtet i vogël dhe i varfër por që Millo Gjukanoviq me familjen e tij ka një fuqi të madhe ekonomike dhe konsiderohet si një ndër klanet politike sunduese më të pasur në botë, kurse revista britaneze ” Indepedent”, e klasifikon Millo Gjukanoviq-in si një ndër 20 politikanët më të pasur në botë. Në vitin 2015 Gjukanoviq u shpall ” Person i vitit për krim të organizuar dhe për korrupcion” nga OCCRP, ( Organized Crime and Corruption Reporting Procect ) një oganizatë e njohur e cila merret me hetimin e korrupcionit të udhëheqëve qeveritar .

Pas gjithë kësaj që u tha më lartë, burgosja e Dr. Dragës tingëllon si farsë e veprimit të ” shtetit ligjor”. Pra, kur Qeveria arreston dhe burgos punonjës apo drejtues të thjeshtë ,për shkak të ndonjë çështje procedurale, mundohen të tregojnë se “drejtësia” vepron dhe se në Mali i Zi kinëse luftohet korrupcioni! Gjithashtu,në këtë mënyrë njëherit tentohet që të tërheqet vëmendja nga krimet serioze që bëhen në nivel shtetëror, ku janë të përfshirë shumë funksionerë të klasës politike dhe që për një kohë të gjatë dëmtojnë shoqërinë duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve, por që dora e drejtësisë nuk i arrin dot.
Nëse e njëjta akuzë apo kriterijum që është aplikuar ndaj z. Draga me rastin e dënimit të tij, të ishte aplikuar ndaj të gjithë të tjerëve që ushtrojnë funksione të shërbimeve publike në Mal të Zi, atëherë do të kishim dënime dhe burgime të përditshme në Mal të Zi !.

Pse u burgus Dr. Nail Draga ?

Dr. Nail Draga është një intelektual i njohur jo vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi por në mbarë hapësirën shqiptare në përgjithësi i cili mban gradën Doktor i shkencave gjeografike. Është autor i disa librave, ku kryesisht trajton çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi .
Gjatë viteve “80-ta, si intelektual i ri, dalë nga Univerziteti i Prishtinës, për aktivitietin e tij,vëzhgohej dhe përndjekej vazhdimisht nga organet e atëherëshme të sigurimit malazezo-jugosllav, me ç’rast policia e atëhershme i konfiskoj librarinë e tij private e cila nuk iu është kthyer asnjëherë.
Me vendosjen e sistemit shumpartiak në Mal të Zi, ishte një ndër të parët që u aktivizua duke ndihmuar në përpilimin e Statusit Special të Shqiptarëve në Mal të Zi në vitin 1992, një dokument i atëhershëm me rëndësi për të drejtat e shqiptarëve në këte republikë. I ftuar nga LQSHA në vitin 2003 dëshmon në Kongresin Amerikan në Washington DC, lidhur me diskriminimin e shqiptarëve në Mal të Zi. Organizon dhe merr pjesë vazhdimisht në simpozijume, takime ,prezentime e mbledhje shkencore ku diskutohen çështjet me rëndësi jetike për shqiptarët në rajon. Në kuadër të ART-CLUB-it në Ulqin ( Shoqatës së Intelektualëve dhe Artistëve ) ka redaktuar dhe organizuar promovimin e dhjetra librave të autorëve të ndryshëm shqiptarë. Përmes shkrimeve, publikimeve, analizave të tija të shumta gjithënjë shpreh shqetësimin për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi dhe çdo herë ngrit zërin e tij për padrejtësitë që iu bëhën shqiptarëve në shumë sfera të jetës shoqërore dhe në këtë mënyrë është bërë një zë i fuqishëm i ndërgjegjësimit të çështjes shqiptare në Mal të Zi.
Dr. Nail Draga në të gjitha pozitat që ka mbajtur deri më sot ndër të cilat ishin edhe drejtor i SHF ” Bedri Ekezaga” në Katërkollë ( Anë të Malit) si dhe drejtor i QK në Ulqin, i ka kryer me dinjitet, me ndërgjegje , etikë të lartë të punës dhe me përgjegjësi të plotë dhe në asnjë rast nuk ka pasur përfitime materiale. Këtë e vërteton edhe standardi modest i jetës së tij prej intelektuali. Vlen të përmendet se derisa ishte drejtor i Qendrës për Kulturë në Ulqin ka inicuar e organizuar aktivitete të shumta kulturore si Mbrëmjet e shumta Poetike , Panairet vjetore të Librit etj. dhe ka dhënë një kontribut të veçantë për jetën kultorore dhe artistike të këtij qyteti.

Duke pasur parasysh një aktivitet të bujëshëm të një intelektuali të dalluar të çështjes kombëtare ,nuk ka se si të mos ngjallen dyshime lidhur me qëllimet dhe prapavijën e vertetë e burgosjes së Dr. Nail Dragës nga autoritetet malazeze! Dihet mirë se në një shtet ku gjykata dhe institucionet e drejtësisë janë të korruptuar dhe i shërbejnë klikës së ngusht të pushtetit, po i njëjti shtet është në gjendje që të kurdisë akte të caktuara gjygjësore ndaj të “padëshiruarëve” , ndaj atyre që ngrisin zërin vazhdimisht ndaj atij pushteti apo ndaj atyre që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të popullit të vet.

Dënimi dhe heqja e lirisë së intelektuali në çdo shoqëri është për t’u shqetësuar, posaçërisht dënimi i një intelektuali me përkatësi kombëtare shqiptare në Mal të Zi, ( pra, të Dr. Dragës), duke pasur parasysh të kaluarën e hidhur e regjimeve sllave ndaj intelegjencisë shqiptare, por njëherit dhe trajtimin dhe statusin e tanishëm të pabarabartë të shqiptarëve në përgjithësi në këtë shtet.

Xheladin Zeneli
13 Maj 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Pse u burgos, xheladin Zeneli

Dalin në dritë fakte të reja për shqiptarët përmes mbishkrimeve osmane

May 13, 2017 by dgreca

Rreth 132 mbishkrime, që janë gjetur në mure, dru dhe gurë sjellin të dhëna për jetën shqiptare  dhe përbëjnë një kontribut për fushën studimore, veçanërisht për studimin dhe vlerësimin e ndërtimeve gjatë periudhës së Perandorisë Osmane./

1 Turku

Nga Jolanda LILA/Me praninë e personaliteteve të rëndësishme të kulturës e shkencës në Tiranë u promovua libri “Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro” (“Korpusi i mbishkrimeve osmane nga Shqipëria dhe Mali i Zi”), i studiuesit dr. Mehmet Tytynxhu, publikuar së fundi në anglisht dhe që së shpejti, pritet të publikohet edhe në gjuhën shqipe nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), institut i cili organizoi edhe veprimtarinë promovuese në mjediset e Hotel Imperial, ditën e premte, në Tiranë/

2 Turku

Në fjalën e hapjes së veprimtarisë, drejtori i AIITC-së, Dr. Ramiz Zekaj theksoi rëndësinë e këtij botimi për kulturën e shkencën shqiptare dhe nxori në pah disa nga vlerat kryesore dokumentare që bartin këto mbishkrime.  Sipas tij, “Mbishkrimet që gjenden në monumentet e kulturës islame në trojet shqiptare janë një aspekt i veçantë, që ka ardhur si trashëgimi e kulturës islame shqiptare deri në ditët e sotme. Ato rrokin një hark të gjerë kohor gati pesëshekullor, duke filluar nga viti 1466 dhe përfundojnë në vitin 1942 dhe hedhin dritë në disa momente të rëndësishme të historiografisë shqiptare. Nëpërmjet tyre njihemi edhe me jetën dhe veprën e disa personaliteteve shqiptarë si vezirë të mëdhenj, pashallarë, udhëheqës, kryengritës që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Në shumë mbishkrime të tjera jepen informacione mbi kohën kur kanë filluar dhe ushtruar veprimtarinë e tyre personalitete të rëndësishëm dhe misionarë të besimit islam si: myftinj, imamë, hatibë, myezinë, dervishë, baballarë, vaisë dhe teologë. Njëkohësisht në këto mbishkrime gjenden të dhëna edhe për protagonistë të rangjeve e natyrave të ndryshme, përmenden emra mirëbërësish që një pjesë të pasurisë së tyre e përkushtuan në vepra bamirësie, përmenden emra dijetarësh islamë dhe mësuesish që në kohën kur jetuan rrezatuan kulturën dhe dijet islame, përmenden emra vjershëtorësh, vizatuesish kaligrafë, kronikanësh dhe mjeshtërish të mirënjohur, që ndër vite derdhën talentin e tyre në to”. Dr. Ramiz Zekaj, në fund të fjalës së tij, njoftoi të pranishmit që libri “Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro” do të jetë së shpejti në duart e lexuesve shqiptarë, sepse ka nisur puna për përkthimin në shqip nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), institut i cili prej 2 dekadash promovon zhvillimet më të rëndësishme në sferën e kulturës dhe të qytetërimit islam.

Libri më i ri i studiuesit Mehmet Tytynxhu zbulon dëshmi të reja mbi botën shqiptare përmes qëmtimit të të dhënave të mbishkrimeve osmane në monumentet e kulturës islame në Shqipëri. Libri me 311 faqe botuar në anglisht, përmban 132 mbishkrime, shumica të zbuluara në terren, por edhe në arkiva dhe është konceptuar në tre pjesë kryesore, ku dy të parat i dedikohen Shqipërisë dhe një Malit të Zi. Pjesa e parë – “Periudha e parë e sundimit osman”  përfshin 24 mbishkrime të viteve 1447-1670; Pjesa e dytë – “Mbishkrime nga qytetet”  paraqet  90 mbishkrime nga vitet 1732-1913 dhe Pjesa e tretë -“Mbishkrime nga Mali i Zi”  ka 18 mbishkrime, si dhe 4 nga Koleksioni Marubi. Veç tyre Korpusi paraprihet nga një hyrje që tregon objektin dhe kriteret e studimit dhe paraqitjes së mbishkrimeve, si dhe ka në fund Bibliografinë e literaturës së përdorur dhe abstrakte të shkurtra në gjuhët shqipe, serbo-kroate e turqisht.

Vetë autori i librit, gjatë fjalës së tij, rrëfeu përvojën hulumtuese dhe theksoi disa nga zbulimet kryesore që kishte përftuar me punën e vet. Ai prezantoi fakte interesante rreth historisë së themelimit të disa qyteteve shqiptare dhe kalave të ndërtuara në to, qysh në kohën e Skënderbeut, por edhe në periudhat e mëvonshme. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e angazhimit të autoriteteve shkencore shqiptare për gjetjen e disa mbishkrimeve të humbura, si për shembull mbishkrimi i xhamisë Hasan Balizade në Elbasan etj. Njëherësh, ai përmendi faktin se një pjesë e madhe e mbishkrimeve të gjetura u dedikohen femrave. Sipas tij, është koha që t’u jepet fund debateve mbi rolin e Perandorisë Osmane dhe të mos identifikohet kjo Perandori vetëm me kombin turk, por të shihet roli i të gjitha kombeve që kanë qenë pjesë e saj, sidomos shqiptarëve. Këta të fundit duhet ta shohin veten si pjesë integrale të Perandorisë Osmane, përderisa kanë kontribuuar në zhvillimin e jetës politike, kulturore e më gjerë të kësaj Perandorie. Kujtojmë se shumë shqiptarë kanë shërbyer si vezirë dhe kanë pasur ofiqe të larta drejtuese në këtë Perandori. Gjithashtu, shumë autorë shqiptarë, ku përmendim Sami Frashërin e kanë përndritur kulturën turke e më gjerë.

Në fund të fjalës së vet, ai falënderoi të pranishmit dhe u zotua se do të vijojë hulumtimet për zbulimin e mbishkrimeve të tjera osmane në Shqipëri.

Më tej, fjalën e mori, studiuesi Aleksandër Meksi, i cili vlerësoi punën skrupuloze të Mehmet Tytynxhu, duke e konsideruar librin e tij si një skedë të plotë shkencore. Sipas tij, ky libër është një kontribut i madh për njohjen e jetës dhe të shoqërisë shqiptare. Për nga funksioni i tyre, autori dallon në qenien e tyre të ndryshme dy grupe: mbishkrimet ndërtimore dhe ato të gurvarreve (gjithsej 52, nga të cilat 11 në Muzeun arkeologjik të Tiranës dhe 15 nga qyteti i Shkodrës). Duhen përmendur për vlerën dhe rëndësinë e tyre historike 6 mbishkrime sulltanore (dy të Sulltan Mehmetit të Dytë dhe tri të Sulltan Sulejmanit). Kështu mbishkrimet ndërtimore janë dokumente me rëndësi të dorës së parë për vendosjen në kohë të ndërtesave. Ato lidhen me data, personalitete e deri dhe me shkruesit e tyre. Disa prej tyre janë dëshmi e ndërtimeve të zhdukura ndërkohë.

Autori ka qëmtuar me këmbëngulje  në terren dhe në literaturën shkencore dhe sot studiuesit shqiptarë dhe kushdo që është i interesuar për historinë e vendit ka në dorë një Korpus që ofron të dhëna të pakundërshtueshme e autentike për krijime, ndodhi, persona e ndërtime deri dje në harresë, ose të shpjeguara me vështirësi për shkak të mangësive për të dhëna të sakta.

Në fund të aktivitetet pati shumë diskutime ndër të pranishmit, ekspertë të fushës, të cilët përgëzuan studiuesin Mehmet Tytyxhu për punën hulumtuese të trashëgimisë Kulturore Osmane në Ballkan, ku njëherësh ai është dhe kryetar i Qendrës Kërkimore për Botën Turke dhe Arabe në Holandë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dalin në dritë fakte të reja për shqiptarët përmes mbishkrimeve osmane, Jolanda Lila

Day of the Open Embassies-Gazmend Freitag

May 13, 2017 by dgreca

„Baresha” and “Die Braut von Mitrovica” – the work of the Albanian painter Gazmend Freitag in the Albanian Embassy in Vienna/

DAY OF THE OPEN EMBASSIESDay of the Open Embassies / Art Exhibit/ May 19th, 2017. 11 AM/The Day of the Open Embassies provides the opportunity to visit the Albanian Embassy in Vienna and admire the work of the Albanian painter Gazmend Freitag. Rooted in the tradition of the European impressionists, the forty-eight year old artist prefers oil paintings, drawings and book illustrations. He is well known for his soulful interpretation of Albanian motives, which he captures in portraits, landscapes and nude drawings. Some of them will be on view, such as the lovely “Baresha” or “The Eagle”, both of them paintings in oil. As well to be admired are the graphic portrait of  Pjetër Bogdani and  Dr. Marianne Graf, President of the Albanian- Partnership Board, as well as the drawing of „Die Braut von Mitrovica“. All three have been published in various media. It is the third exhibit of Gazmend Freitag’s work in the Albanian Embassy.

Shown as well are paintings by Iliriana Ajeti and Photographs by Gjergj Mazi. The exhibition is open to the public until the end of May .

Registration is required for a guided tour. Please contact us at: tel:  01/4000 04.       

e-mail: post@bv04.wien.gv.at. A valid identity card or passport are rquired.

Embassy of Albania, Vienna

Prinz-Eugen-Straße 18

1040 Vienna | AUSTRIA

Filed Under: Emigracion Tagged With: Art Exhibit, Day of the Open Embassies, Gazmend Freitag, Vienna

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT