• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

BERISHA: “Qytetarë të Tiranës hapni dyert. Më 13 maj vërshon Shqipëria”

May 11, 2017 by dgreca

Ish kryeministri Sali Berisha i bën thirrje qytetarëve të Tiranës të hapin dyert të rinjve të cilët do të vijnë në kryeqytet për të protestuar të shtunën e 13 majit.

Nga çadra e protestës Berisha tha: I bëj thirje qytetarëve të Tiranës të hapin dyert e tyre për të gjithë njerëzit që do të vijnë në protestë. Më 13 maj drejt Tiranës do të vërshojnë mbarë të rinjtë e Shqipërisë

Edi Rama është i tmerruar ka urdhëruar qeveritarët e tij të organizojnë pikniqe me gjimnazistë në mënyrë që ata të mos vërshojnë drejt Shqipërisë. Këtu i ke.

Më 13 maj në Tiranë do të vërshojnë mbarë shqiptarët të cilët e ndjejnë veten të mashtruar. Të gjithë shqiptarët do i kesh në Tiranë më datën 13. Më 13 maj në Tiranë vërshon mbarë Shqipëria”

Duke e quajtur “varrmihës të pluralizmit politik” Berisha i bëri thirrje Ramës të heqë dorë  pasi çadra e opozitës është mal që ai s’e kapërcen dot.

Sali Berisha: Ke marrë përsipër të bëhesh varrmihës i pluralizmit politik. Të bëj thirrje nëse të ka ngelur qoftë dhe një kuant i arsyes njerëzore hiq dorë sa më parë nga kjo sipërmarrje. Të ftoj të rrish në atë dritare më 13 maj . Të garantoj se protetën e ke paqësore, Edvin çadra do të duket Everest dhe atëherë do shikosh, do tmerrohesh, ne jemi të vendosur në protestë paqësore. I bëj thirrje të gjithëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora të gjithë në Tiranë në protestën madhështore për mbrojtje të pluralizmit.

Filed Under: Politike Tagged With: Berisha ne Cader, hapni dyert, vershon Shqiperia

Urrejtja sllave dhe rrënimi i demokracisë

May 11, 2017 by dgreca

Shqiptarin e sotëm e godasin akoma grushtet e vjetra. Shqiptarin e sotëm e godasin grushtet e fyerjeve, burgosjeve, inskenimeve të lloj-lloj situatave, që në kurriz të tij të ndihmohej zhbllokimi i akëcilit proces shkurtpamës, apo rënia e cilitdo pushtet, apo prishja e cilitdo koalicion qeveritar me partinë politike shqiptare, apo dyfishimi i forcave të një pretendenti për diktator të vogël donkishotesk në Ballkan.

vjollca-1

NGA VJOLLCE BERISHA/Pedagoge ne Universitetin e Tetoves/*

Derisa të gjithë, me të drejtë, po flasin për rrënimin e demokracisë nga turma euforike mu në hapësirat prej nga do të duhej të buronin gjedhet më të shëndosha të saj, më bie ndërmend se në sulmet e fundit ndaj Kuvendit të Maqedonisë, si një ujë nëntokësor, mund të ndihet edhe rrjedha e fshehtë e gjithë kulturës politike të vendit, rrjedha e ngjarjeve të panumërta që ravijëzojnë historinë e këtij vendi e që gjithherë pleksen me raportet e brishta ndëretnike, që burojnë nga represoni sistematik institucional dhe joinstitucional i njërës palë ndaj tjetrës.

Në radhë të parë aty mund të lexohet qartë gatishmëria e maqedonasve për t’i shkuar në fund edhe rrënimit të shtetit, që vetëm e vetëm të parandalohet hapërimi i të drejtave bazike të shqiptarëve si komb shtetformues në këtë vend. Përtej orkestrimeve partiake për marrje të pushtetit, që mund të jetë qëllim i drejtpërdrejtë i një grupi të caktuar interesi, në sulmin e pashembullt të institucionit ligjdhënës mu në ditën kur për herë të parë në krye të këtij institucioni do të vinte një shqiptar, si shenjë e “zgjidhjes” së ngërçit te vjetër që e tejkalon moshën e këtij shteti, lexohet qartë urrejtja, mosdurimi i shtresuar thellë në qenien maqedonase ndaj shqiptarëve, urrejtje kjo që ndër dekada ka prodhuar ngjarje nga më të rëndat dhe më irracionalet që ka njohur Evropa.

Bijë e së njëjtës urrejtje ka qenë acarimi i maqedonasve sa herë që përmendeshin Kosova e Shqipëria nga shqiptarët e këtyre anëve. Kushedi ç’mendime ogurzeza u ndillte shqetësimi apo bashkëndjenja me ta (sidomos me Kosovën), mendime që rrënjët i kishin thellë në ndërgjegjen e tyre, siç rëndojnë kurdoherë në ndërgjegjen e popujve faje të vjetra të pariparueshme. Ç’logjikë e mbrapshtë e vinte këtë popull të vogël të vihej në mbrojtje të vëllait të madh serb, duke urryer Kosovën, duke dënuar përpjekjen e saj për liri dhe duke e mbajtur tmerrësisht inat shqiptarin – që jetonte në një pallat me të, që shkonte në të njëjtën shkollë me të, që shihte të njëjtat programe televizive me të (pasi të vetat nuk lejohej t’i kishte), që edhe historinë e vet kombëtare e mësonte nga libra të hartuar keq, plot fyerje e gabime të qëllimshme, duke e dënuar rëndë ndjenjën e tij për ta dashur, për të bashkëndjerë me pjesën tjetër të trupit të vet që drejtohej nga e njëjta zemër e që në tavolina të mëdha konferencash, si një personazhi episodik, i qe shkruar shkarazi fati të ndahej me kufij të rreptë e të kuq hartash dhe jo vetëm?!

Nga po këto mëri të pashpjegueshme, si një atavizëm, vijnë edhe protestat maqedonase sui generis për MOSlejimin e përdorimit të gjuhës shqipe si të barabartë në shtet, si të ishte ajo një bishë që do t’i hante së fundmi të gjithë apo një sëmundje e rëndë ngjitëse që s’do t’u shqitej e do t’i bënte ta flisnin me patjetër të gjithë. Kjo rezistencë irracionale dhe ky qëndrim protestues ndaj një lirie elementare të Tjetrit, liri kjo që s’cenon të drejtën e askujt, është tregues i qartë se sa thellë e sa pa kuptim është ngulitur dëshira për ta mbajtur shqiptarin qytetar të rendit të dytë, madje edhe në kohërat kur kambanat bien nga të katër anët për nevojën e patjetërsueshme të elementit shqiptar në ruajtjen e shtetit në perspektivë, madje edhe kur subjekti që përfaqëson mandatari i ri i qeverisë, në emër të atdhedashurisë, i ka hedhur pas shpine veset e vjetra të urrejtjes së hapur dhe presionit.

As goditjet mizore me grushte, shqelma e gjësende të forta, prodhim i patologjisë psikike të një grupi njerëzish të mëkuar me urrejtje që në vegjëli dhe të një grupi tjetër kriminelësh të amnistuar nga burgu vetëm për përdorim të përkohshëm në gjakpirje, nuk mund ta befasonin e ta tronditnin thellë shqiptarin që është mësuar të goditet sistematikisht, në mënyrat më të ndryshme dhe më të veçanta, ndër dekada, me të vetmen arsye: që ishte shqiptar (Po a s’është ky përkufizimi i pranuar ndërkombëtarisht mbi gjenocidin!?).

Shqiptarin e sotëm e godasin akoma grushtet e vjetra. Shqiptarin e sotëm e godasin grushtet e fyerjeve, burgosjeve, inskenimeve të lloj-lloj situatave, që në kurriz të tij të ndihmohej zhbllokimi i akëcilit proces shkurtpamës, apo rënia e cilitdo pushtet, apo prishja e cilitdo koalicion qeveritar me partinë politike shqiptare, apo dyfishimi i forcave të një pretendenti për diktator të vogël donkishotesk në Ballkan.

Shqiptarin e sotëm e godasin pamundësitë për ta regjistruar popullin e vet (mosnjohja e saktë e numrit të popullsisë në vendin e vet), vështirësitë e pakuptimta që i dalin në marrjen e nënshtetësisë për shqiptarët e ardhur edhe pasi të jenë plotësuar kushtet më të larta, të cilat në gjithë Evropën pranohen si të mjaftueshme për të qenë nënshtetas.

Shqiptarin e godasin grushtet e ndarjes së padrejtë të buxhetit të shtetit, paçka se janë kontribues të barabartë me maqedonasit në të, moskthimi i parave në infrastrukturën e qyteteve të tyre, në arsimin, kulturën e shëndetësinë e tyre.

Shqiptarin e godasin fyerjet e shfrenuara, e godet pesha e rëndë e të jetuarit me njerëz që përditë mendojnë se si t’ia zënë frymën, me njerëz që përditë i ngjyrosin muret e tyre me parulla të egra që kërkojnë vdekjen e tij, pasi shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur, me njerëz që i mësojnë të urrejnë fëmijët e tyre, me njerëz që e kanë shndërruar në instinkt mosdurimin ndaj tij, ndaj gjuhës së tij, ndaj kulturës e historisë së tij, me njerëz që e mbajnë mëri edhe Evropën, e s’e kanë për gjë t’ia kthejnë shpinën, vetëm pse në kriza të mëdha ka ngritur zërin në mbrojtje të Kosovës kur po e masakronin e përdhunonin pamëshirshëm.

Grushtet që iu dhanë barbarisht deputetit Sela, ngaqë i artikulonte qartë kërkesat dhe nevojat akute të shqiptarëve, nuk e befasojnë shqiptarin. Atij vetëm sa ia lëndojnë ndjenjën më shumë, njësoj sikurse ia kanë lënduar gjithmonë me cilëndo shkelje a fyerje që i është bërë. Shqiptari nuk ka nevojë të shohë vetëm gjak për t’u irrituar. Ai është irrituar e lënduar që nga brohoritë e para përpara Kuvendit, që nga nismat e para të zërit protestues kundër përdorimit të gjuhës së tij, kundër pasjes së një posti udhëheqës në shtet… Ai është irrituar kur, duke e ndjekur betimin e Kryeparlamentarit të parë shqiptar, të bërë në rrugë, teksa në sfond (ose më mirë thënë që vetë betimi ishte sfondi, pasi zërat protestues dëgjoheshin më fort), dëgjoheshin këngë nacionaliste, brohoritje protestuese të pothuajse gjysmës së trupit parlamentar, të përfaqësuesve të popullit, të të zgjedhurve të tij. E populli gati sa s’e shpërthente derën e të futej brenda. E populli, e shpërtheu derën dhe u fut brenda, sepse populli është ai që do dhoma gazi për shqiptarin, që kërkon shqiptari të mos e flasë gjuhën e vet, ta harrojë kulturën e vet, e mundësisht edhe ëndrrat t’i shohë në në njërin nga dialektet sllave.

Midis kësaj hullie, është krejtësisht e natyrshme ta ndjesh se ai që do ta pësojë më së shumti, se ai që do të goditet për vdekje do të jetë shqiptar, e goditja do të jetë vetëm jehona e goditjeve të veçanta që janë bërë gjithmonë mu në palcë të tij, me modele të njohura sllave: te të rinjtë e sapomaturuar, te gratë, te pjesa e shëndoshë, te intelekti, te potenciali… aty ku dhemb dhe dënon më shumë. Edhe kësaj radhe e njëjta gjë: s’goditet deputeti, por politikani i paharxhuar, politikani i artikuluar, politikani që e flet dhe e shkruan drejt gjuhën amtare, politikani që del nga një shkollë e formuar kombëtare politike. Me një fjalë, goditet intelektuali shqiptar.

Duke i njohur mirë këto mjete të represionit e të dhunës, shqiptari s’befasohet. Ai e ka ditur që turma e shfrenuar është produkt i qasjes institucionale ndaj tij. Ajo s’është turmë e pakokë, që, si të gjitha turmat, i udhëheq euforia, ajo është turmë e organizuar, e cytur, e ushqyer me urrejtje ndër breza, turmë dëshmitare e shtypjes sistematike të Tjetrit nga institucioni, turmë që i ka parë ndërrimin emrave të qyteteve, të përdhosjes së simboleve të Tjetrit, të hartimit të teksteve fyese shkollore, të fshirjes së emrave me shkronja latine nga tabelat e rrugëve, vetëm pse edhe shqipja (për dreq!) shkruhet me po këto shkronja, si vazhdimësi e Evropës, si pjesë organike e saj.

S’do mend që mosbefasimi nga të tëra këto nuk ka shkaktuar një qëndrim të plogët te shqiptari, as një qetësi si e atij që është mësuar dhe e ka humbur sensin e kundërshtimit. Përkundrazi, ai është fyer e pezmatuar, por pezmi i tij përsëri ka rënë viktimë e kulturës politike, e largpamësisë dhe e mungesës historike të ndjenjës raciste. Sado që të të duket rrahahagjoks, sado që mburrjet e tij të jenë proverbiale, ai prapë se prapë e di se ku duhet ndalur, ku duhet mosturbulluar ujin në të mirën e përgjithshme. Edhe ky vetëkontroll që shprehën shqiptarët për të mos sulmuar e hakmarrë për deputetin e rrahur mizorisht, qe pjesë e maturisë, që flet se shqiptarët e kanë kaluar moti fazën e të qenit turmë. Ata mendojnë dhe veprojnë politikisht dhe politika e tyre ndahet nga politika e atyre me të cilët rastësisht bashkëjetojnë në shumë pika: në mungesën e racizmit, në tolerancën e kultivuar kujdesshëm, në konceptin mbi lirinë dhe, më kryesorja, në qasjen që kemi ndaj Perëndimit, ndaj Evropës së Bashkuar, rrugën drejt së cilës na e kanë prerë deklaratat e politikat kinseatdhedashëse të maqedonasve, duke na bezdisur e duke na lënë larg Evropës, andej nga prore i mbajnë sytë të gjithë shqiptarët.

*E dërgoi për DIELLIN autorja

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Parlamentin Maqedonas, ngjarjet e 27 prillit, Vjollca Berisha

Kosovë-Së shpejti dekretohet data e zgjedhjeve-11 apo 18 Qershor?

May 11, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi, takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme/1 Presidenti Thaci-Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit/

-11 ose 18 qershori 2017 janë data të mundshme për zgjedhjet në Kosovë/

PRISHTINË, 11 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur sot një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, pas votimit të mosbesimit të Qeverisë në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.Në këtë takim, Presidenti ka theksuar se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.“Në përcaktimin e datës së zgjedhjeve duhet të marrim parasysh të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shprehur i gatshëm të organizojë zgjedhjet dhe të sigurojë mbarëvajtjen e tyre”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se si Kosovë kemi instaluar traditën e organizimit të zgjedhjeve të lira e të suksesshme. Sipas tij, edhe zgjedhjet e ardhshme duhet të dëshmojmë këtë dhe të sigurojmë një proces elektoral të besueshëm dhe të pranueshëm nga të gjithë.

Pas diskutimeve me përfaqësuesit e partive politike dhe duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidenti shumë shpejt do të dekreton datën e zgjedhjeve, thekson Presidenca e Kosovës në njoftimin e dërguar.Sipas deklaratave brenda takimit të përfaqësuesve të partive, 11 ose 18 qershori 2017 janë datat e mundshme për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Kosovë.

Asnjë përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka shkuar në takimin konsultativ të thirrur nga presidenti Thaçi për datën e zgjedhjeve. /b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: 11 apo 18 Qershor, Behlul Jashari, dekretohet data e zgjedhjeve, Kosovë-Së shpejti

XHAFER M. MAJKAJ: BIR KRENAR I LABERISE

May 11, 2017 by dgreca

1-Spiro-J.-Shetuni1-250x267

Shkruan:Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/Universiteti Winthrop/Rock Hill, South Carolina-U.S.A./

*I përkushtuar ndaj profesionit të mjekut!/

  • Krenar për vendin e origjinës!/
  • Nderues i heronjve!/
  • Syçelur ndaj jetës politiko-shoqërore!  
  • I dashuruar pas kulturës popullore!
  • Entusiast ndaj miqve dhe shokëve!   
  • Njeri me humor të veçantë!

1 ok Xhaferr MajkajUnë e njoha për herë të parë Dr. Xhafer M. Majkaj (1950-2016), kur ai ishte një djalosh 25-vjeçar!  Shtat-mesatar, flokë-dendur, i shëndetshëm!  I porsa-diplomuar nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Shetëror të Tiranës.  Optimist!  Energjik!  Entusiast!  I gatshëm të merrte përsipër çdo vështirësi në shërbim të mirëqënies dhe shëndetit të popullit të krahinës së Labërisë!  

I përkushtuar ndaj profesionit të mjekut

Pasi mbaroi gjimnazin në qytetin e Memaliajt, Dr. Xhafer M. Majkaj vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.  Fill pas përfundimit të studimeve me rezultate të shkëlqyera, ai u emërua si Drejtor i Spitalit të zonës etnografike të Lopësit (fshatrat Dorëz, Sinanaj, Matohasanaj, Dhëmblan, Martalloz), e cila bën pjesë në krahinën e Labërisë.  Më vonë, punoi në detyra të tjera të rëndësishme, si:  Drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Shëndetësor të rrethit të Tepelenës, Drejtor i Spitalit të qytetit të Memaliajt, Drejtor i Spitalit të qytetit të Tepelenës, etj.  Sidoqoftë, mbi të gjitha, ai ishte një njeri thellësisht i përkushtuar ndaj profesionit të mjekut.  I ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që kishte ndaj mirëqënies dhe shëndetit të qytetarëve, Xhaferi ishte vazhdimisht, i gatshëm, ditën dhe natën, për t’u shërbyer atyre.  Banorët e fshatrave të zonës së Lopësit, ku ai shërbeu për vite të tëra me radhë, kujtojnë me nderim të madh mjekun e papërtuar.  Bashkë me ‘ta, unë mund të dëshmoj se, sa herë që familiarë të ndryshëm e kërkonin, ai shkonte urgjentisht më këmbë në shtëpitë e tyre.  Merrte me vete një çantë të mbushur me pajisje mjekësore.  Në sytë e tij lexohej vetëm buzëqeshje!

Krenar për vendin e origjinës

I lindur dhe i rritur në qytetin e Memaliajt, i shkolluar, si në këtë qytet, ashtu edhe në Tiranë, Dr. Xhafer M. Majkaj s’harronte asnjëherë rrënjët etnike të familjes dhe gjithë fisit të tij.  Ai ishte krenar sidomos për tri dukuri:  Lekdushin–fshatin e lindjes së babait të tij, Manxharit;  zonën etnografike të Kurveleshit në përgjithësi dhe të Kurveleshit të Sipërm në veçanti;  krahinën e Labërisë në tërësi.  Xhaferi s’e fshihte aspak krenarinë për traditat e mrekullueshme të popullit të Labërisë, aq të mirë-njohura brenda dhe jashtë Shqipërisë, si:  atdhetaria e krenaria, trimëria e bujaria.  Dëshiroj të theksoj se vetë ai i mishëronte më së miri tipare të tilla.  Xhaferi ishte, sigurisht, një intelektual tipik i dalë nga gjiri i popullit lab.  

Nderues i heronjve

Dr. Xhafer M. Majkaj ishte, gjithashtu, një nderues i trimave, kapedanëve, heronjve të krahinës së Labërisë dhe gjithë Shqipërisë.  Në biseda me ‘të, ai do të përmendte gjithmonë figura të shquara historike, si:  Bilbilenjtë, Hodo Nivica, Çelo Picari, Zenel Gjoleka, etj.  Po ashtu, fliste për heronj të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare (1939-1944), si:  Mustafa Matohiti, Asim Zeneli, Abaz Shehu, Xheladin Beqiri, Memo Meto, etj.  Midis tyre, figurën legjendare të Heroit të Popullit, Mustafa Matohiti, ai e nderonte aq shumë ndoshta edhe për faktin se Matohiti ishte nga Lekdushi.  Mirëpo Xhaferi s’ishte thjesht nderues i trimave, kapedanëve, heronjve të vendit:  ai ishte, po ashtu, njohës i thellë i historisë, jetës dhe kulturës së popullit të krahinës së Labërisë.  Miqtë dhe shokët e ngushtë të Xhaferit, përmes tregimeve të tij për ngjarje, trima, kapedanë, heronj të Labërisë, herët ose vonë, deridiku, do të bëheshin edhe ata, njohës të historisë, jetës dhe kulturës së kësaj krahine.  Lumturisht, njëri ndër miqtë e tij më të ngushtë, pata fatin e madh që të isha edhe unë!

Syçelur ndaj jetës politiko-shoqërore

I lindur, rritur, mbrujtur në një mjedis familiar me tradita atdhetare, Dr. Xhafer M. Majkaj ishte vazhdimisht syçelur ndaj jetës politiko-shoqërore të vendit.  Ai ndiqte me vëmendje ngjarjet më të rëndësishme të kombit, duke shfaqur shpesh mendimet e tij të pavarura nga erërat politike të kohës.  Po ashtu, Xhaferi ishte aktiv në jetën shoqëroro-kulturore të qytetit dhe tërë rrethit të Tepelenës.  Si antar i Shoqatës Kulturoro-Atdhetare “Labëria,” ai dha ndihmesë me kumtesa, referate e fjalime të mbajtura në tubime të ndryshme me karakter shoqëror, kulturor e atdhetar.

I dashuruar pas kulturës popullore

Dr. Xhafer M. Majkaj ishte tepër i ndërgjegjshëm ndaj vlerave dhe rolit të kulturës popullore në jetën e një kombi, populli ose grupi të caktuar etnik.  Përmes gjykimeve të tij të thella, ai i shihte poezinë, muzikën, vallen popullore si tregues të rëndësishëm të kombësisë.  Duke qenë vetë studiues i muzikës popullore shqiptare, unë nuk mund të mos shpreh nderimin dhe vlerësimin tim të madh ndaj Xhaferit në këtë aspekt.  Gëzimin dhe krenarinë e tij ndaj kulturës popullore labe, here-herë, ai e shprehte duke recituar vjersha të tëra, lirike ose epike, apo duke treguar gojëdhana, përralla e legjenda.  S’mungonte, gjithashtu, të fliste për çështje arkeologjike, veçori gjeografike të trojeve labe, etj.

Entusiast ndaj miqve dhe shokëve

Dr. Xhafer M. Majkaj e pëlqente shumë shoqërinë, si me kolegët, ashtu edhe me njerëz të tjerë.  Nuk ishte vështirë të lexoje në sytë e tij gëzimin dhe entusiazmin që i jepte shoqëria e pastër me miqtë e tij.  Nëse ai të pranonte si mik, një dukuri e tillë zgjaste për tërë jetën.  Entusiast ndaj miqve dhe shokëve, ai bënte ç’është e mundur për t’i ndihmuar ata në rast nevoje.  Për këtë arsye, miqësia me ‘të, u sillte atyre qetësi e harmoni.  Si për çudi, miqtë e ngushtë të Xhaferit ndiheshin sikur njihnin edhe miqtë e tjerë të tij!  Të kishe mik Xhaferin ishte, pa dyshim, një lloj fati!

Njeri me humor të veçantë

Dr. Xhafer M. Majkaj e pëlqente shumë humorin—një karakteristikë e shquar e popullit të krahinës së Labërisë.  Në biseda e ngjarje të ndryshme, ne, miqtë e tij, mrekulloheshim me humorin e tij të veçantë.  Shpesh, Xhaferi madje krijonte vargje humoristike për ne.  Vetëm se humori i tij ishte ngaherë i shëndetshëm.  Ky lloj humori sikur e bënte edhe më të fortë miqësinë e shoqërinë tonë me ‘të.

Takimi i parë

Cilësitë më të spikatura etiko-morale të karakterit të Dr. Xhafer M. Majkaj dalin në pah edhe përmes kujtimeve që unë pata ndër vite me ‘të.  Midis tyre, dëshiroj që të jap vetëm një episod–takimin e parë me Xhaferin:

Mëngjezi i ditës së parë që do të filloja punë në fshatin Sinanaj të zonës etnografike të Lopësit–25 gusht, 1975–, ishte duke rrëshqitur me shpejtësi.  Duke bërë shëtitje në rrugën kryesore të qytetit të Tepelenës, pa dashur, sytë më vajtën tek një djalosh mbi të njëzetat.  Ai ecte nxitimthi, duke mbajtur me vete një çantë.  Mendova se, me siguri, djaloshi do të ishte një nga intelektualët e qytetit.  Rreth orës 11:00, shkova tek vendi i quajtuar “Busti i Xha Selamit.”  Aty do të prisja për ndonjë makinë të rastit.  (Për të shkuar në Sinanaj, në atë kohë, s’kishte asnjë lloj shërbimi urban.)  Pasi prita rreth një ore, lumturisht, një skodë e madhe ndalon në këmbët e mia.  “Ku do të shkosh?”—më pyeti shoferi.  “Në Sinanaj.”–i përgjigjem.  “Dëgjo!”–më thotë ai.  “Unë shkoj në Kurveleshin e Sipërm.  Kështuqë, nëse vjen me mua, do të zbresësh në vendin e quajtur ‘Kthesa e Allkushit.’  Për të vajtur në Sinanaj, prej andej, do të ecësh më këmbë rreth dy orë.”  “Mirë!”—i them unë.  

Pasi hipa në makinë, shoh se, në vendin kryesor, përkrah shoferit, qëndronte si pasagjer djaloshi me çantë, që, këtë mëngjez, ecte me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit.  Ai vështroi nga unë si me indiferentizëm, pa lënë të kuptohej, nëse ishte i kënaqur ose i pakënaqur, me praninë e një pasagjeri tjetër.  Ne të tre—shoferi, djaloshi me çantë, unë—thuajse nuk shkëmbyem asnjë fjalë, derisa erdhi koha për të zbritur, në vendin e quajtur “Kthesa e Allkushit.”  I dhashë shoferit 30 qindarka, e falenderova dhe zbrita nga makina.  Mirëpo, sa u bëra gati të nisem për të shkuar më këmbë në Sinanaj, vura re se, nga makina, zbriti edhe djaloshi me çantë!  Në çast, mendova se ai duhej që të ishte me punë diku në fshatrat rreth e rrotull.

Që të dy–djaloshi me çantë dhe unë–nisëm rrugën me zhavor në mënyrë të heshtur.  Meqenëse ai hidhte hapa të shpejtë si një sorkadh mali, unë përpiqesha që t’i përshtatesha ritmit të ecjes së tij.  Pas pak, ai më pyeti:  “Ku do të shkoni, Ju?”  “Në Sinanaj.”—i përgjigjem.  “Po Ju?”—e pyeta unë.  “Edhe unë në Sinanaj do të shkoj.”—u përgjigj ai.  Ishte e qartë se djaloshi me çantë donte të dinte se kush isha unë, nga isha unë dhe përse shkoja unë në Sinanaj.  Po kështu, edhe unë doja të mësoja se kush ishte ai, nga ishte ai dhe përse shkonte ai në Sinanaj.  

Mësova se djaloshi me çantë quhej Xhafer M. Majkaj.  Ai ishte me origjinë nga Lekdushi:  fshat i zonës etnografike të Kurveleshit të Sipërm.  Kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.  Tashmë punonte si Drejtor i Spitalit të zonës të zonës etnografike të Lopësit me qendër në Sinanaj.  Eshtë e tepërt të them se edhe unë i fola atij për veten time.  Sigurisht, arsyen e vërtetë të ardhjes me punë në Sinanaj si Organizator i Punës Kulturore nuk ia thashë.  Ai ndoshta e mori atë vetë me mend.  (E vërteta ishte e hidhur:  Për arsye thjesht politike, mua sapo më kishin larguar nga Tirana, ku, para një viti, isha emërur si pedagog pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë–sot Universiteti i Arteve.)  Por, Zoti Majkaj, ishte aq i ekuilibruar në pyetjet e tij, saqë fitoi menjëherë nderimin dhe respektin tim.  Pas dy orë udhëtimi më këmbë, në një ditë me diell të nxehtë, arritëm në Sinanaj shëndoshë e mirë!

Për mua, udhëtimi i datës 25 gusht, 1975, nga Kthesa e Allkushit në Sinanaj, do të mbetet i pashlyer në kujtesën time!  Pikërisht, në këtë udhëtim, unë njoha një njeri, i cili shpejt do të bëhej një mik i rrallë në jetën time!  Krahas dy miqve të tjerë të ngushtë, që unë njoha, gjithashtu, në Sinanaj—Prof. Hysen K. Haxhaj dhe Dr. Vladimir E. Bilbili–, ai do të luante një rol të rëndësishëm në jetën time në përgjithësi dhe atë shkencore në veçanti.  Prej tij do të mësoja aq shumë në mjaft aspekte, sidomos përsa u takon historisë, jetës dhe kulturës së popullit të krahinës së Labërisë.  Miqësia dhe shoqëria me ‘të nuk ishin veçse faktorë të një frymëzimi të përhershëm në punën dhe jetën time!  

***

I përkushtuar ndaj profesionit të mjekut, krenar për vendin e origjinës, nderues i heronjve, syçelur ndaj jetës politiko-shoqërore, i dashuruar pas kulturës popullore, entusiast ndaj miqve dhe shokëve, njeri me humor të veçantë, Dr. Xhafer M. Majkaj, mjerisht, u largua shpejt nga jeta!  Vetëm se ai do të kujtohet gjithmonë, mbi të gjitha, për veprën e tij të shquar humanitare në shërbim të mirëqënies dhe shëndetit të popullit të krahinës së Labërisë!  Si mik i tij, unë sot ndihem thellësisht i trishtuar!  Lamtumirë, Xhafer, miku im i rrallë, intelektual tipik i dalë nga gjiri i popullit lab, bir krenar i Labërisë!  

Filed Under: ESSE Tagged With: BIR KRENAR I LABERISE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, XHAFER M. MAJKAJ:

INTELEKTUALI KA MENDJEN DHE PENDЁN, PO AQ TЁ FUQISHME SA LUFTЁTARI ARMЁN!

May 11, 2017 by dgreca

Recensё mbi librin “VEPRA (ARSIMI SHQIP NЁ SUEDI) 2” e autorit HYSEN IBRAHIMI/1 MMigena ArllatiShkruan: Prof. Migena ARLLATI/ Gjakovё/

1 Ballina për mediaNjё libёr jo i rёndomtё, as i zakonshёm, pёrkundrazi njё botim prezantues i aktivitetit disadekadёsh nё krijimin dhe lёvrimin e shkollave shqipe nё Suedinё mike tё popullit shqiptar, nё Suedinё mikpritёse tё mijёra shqiptarёve refugjatё, si tё atyre politikё, ashtu dhe tё atyre ekonomikё, nё Suedinё e vlerave perёndimore, simbol tё demokracisё dhe tё respektimit tё tё drejtave tё njeriut. “Vepra (Arsimi shqip nё Suedi 2” vjen si njё ndёrmarrёsi serioze e autorit Hysen Ibrahimi. Ai kёtu paraqitet jo vetёm si njё shkrues i zellshёm por edhe si njё kёrkues i papёrtuar i arkivave dhe shёnimeve tё shumta, tё cilat i ka kёrkuar dhe hulumtuar me njё vullnet tё admirueshёm. Po me kёtё vullnet dhe dёshirё tё pёrhershme ai i ka shёrbyer shqipes dhe shqiptarёve gjatё gjithё kohёs sa ka jetuar nё Suedi, duke u shndёrruar nё njё avokat tё palodhshёm tё ҫёshtjes shqiptare.

Qё nё fillim, autori e hap librin me pohimin se shqipja ёshtё njё gjuhё mё vete, se ajo i takon vetёm popullit shqiptar, dhe se s’ka tё bёjё asgjё me sllavishten sikurse shqiptarёt s’kanё tё bёjnё fare me sllavёt. Teza e prejardhjes nga ilirishtja e shpjegon nё mёnyrё shkencore kёtё pohim, tashmё tё njohur botёrisht, po aq tё njohur edhe nga suedezёt tё cilёt janё paqёsorё dhe pranues ndaj vlerave tё tё tjerёve, nё kёtё kontekst ndaj vlerave tё shqiptarёve, si pasardhёs tё arbёrve e tё ilirёve. Ёshtё pikёrisht teza e prejardhjes ilire pasaporta e parё pёr ҫdo shqiptar qё shkel nё Europёn perёndimore, nё tё cilёn njё derё e madhe e hapur ishte shteti suedez, njё ndёr vendet mё tё dёshmuara pёr principet dhe politikat demokratike ndaj vendasve si dhe ndaj tё ardhurve.

Autori i ёshtё thellёsisht mirёnjohёs popullit suedez, sepse nё fund tё fundit ai ёshtё njё djalё shqiptar, dhe vetё shqiptarёt nga natyra janё mirёnjohёs pёr mikun qё iu gjendet nё ditё tё vёshtira. Nё emёr tё sё vёrtetёs sё madhe dhe nё emёr tё mirёnjohjes sё pakufishme, ai vё nё dukje se nё kohёn kur nё Kosovё po mbylleshin dhunshёm shkollat shqipe, nё Suedi merrte hov gjithnjё e mё shumё hapja e klasёve tё mёsimit tё shqipes pёr fёmijёt shqiptarё, si dhe tё gjithё tё tjerёt qё dёshironin ta mёsonin kёtё gjuhё, sa tё lashtё, aq dhe tё bukur. Bile nuk u mjaftua vetёm me kaq, por Enti Shkollor i Suedisё pёrpiloi tekste shkollore dhe ndihmoi nё botimin e tyre, gjё qё edhe njёherё vёrtetoi faktin se tё drejtat e pakicave kombёtare, janё model pёr gjithё botёn perёndimore, sidomos kur bёhet fjalё pёr fushёn e arsimit.

Autori vё nё dukje meritёn e pamohueshme tё mёsimdhёnёsve shqiptarё, rolin e kёshillit tё prindёrve, numrin e objekteve shkollore, mjeteve mёsimore e tё shumёҫkaje tjetёr qё ai e trajton nё planin konkret dhe statistikor, duke plotёsuar kёshtu rrethanat e nevojshme pёr ta kompletuar temёn tё cilёn merr nё trajtesё. Nё shtatё kapituj sa ka gjithsej libri, ai i mbetet aq besnik fakteve dhe tё dhёnave konkrete tё mbledhura nga terreni dhe nga dёshmitё e marra prej dёshmitarёve tё atyre proceseve, saqё rrёfimi bёhet tёrёsisht objektiv, dhe kёsisoj i qartё dhe i besueshёm. Kёto tё dhёna i referohen njё varg faktesh, duke nisur qё nga data e hapjes sё shkollёs sё parё shqipe nё Suedi (vjeshtё 1968), mёsuesit tё parё tё kёsaj shkolle (Bejzat Beqiri), mёsimdhёnёsit e shqipes nё qytete tё ndryshme suedeze, Kuvendi themelues i arsimtarёve shqiptarё “Naim Frashёri” nё Suedi (30. 05. 1992), Kongresi i parё mbarёshqiptar (Prizren, nёntor 2001), Konferenca e parё kombёtare e shkollave shqipe tё mёsimit plotёsues nё mёrgatё (Zvicёr, qershor 2003), procesverbale nga Kuvende dhe takime zyrtare, dorёshkrime autentike, aktvendime, fotografi  dhe plot e plot materiale tё botuara nga gazetat e atjeshme, e qё tё gjitha kёto i sigurojnё veprёs njё bazament tё fortё faktik.

Vёnia nё spikamё e kontributit disadekadёsh tё veprimtarit tё palodhur Bedri Paci nё arsimimin shqip tё gjeneratave tё reja me banim nё Suedi, i vjen pёrshtati temёs sё botimit. Veprimet konkrete dhe tё njёpasnjёshme tё kёtij personaliteti nё ngritjen e vetёdijes sё popullatёs shqiptare, dhe krahas kёsaj nxitja e pёrhershme qё krahas ruajtjes sё identitetit shiptar tё vijohet natyrshёm me pranimin e vlerave dhe pёrshtatjen nё ambientin suedez, janё disa nga pikёsynimet kryesore tё aktivitetit tё tij. Ndikimi i autoritetit tё tij “e detyroi” tё hidhej nё politikё ku do tё influenconte me tё madhe idetё pёr njё shoqёri sa mё demokratike dhe tё vёmendshme ndaj pakicave. Karriera dhe aktiviteti i bujshёm i prof. Pacit kishte vetёm njё qёllim: t’i vinte nё ndihmё popullit tё tij nё mёrgim, dhe kёtё aksiomё nuk e shmangu asnjёherё nё jetё. Bile ngulmoi dhe arriti qё tё bёhen hapa tё koordinuar nё bashkёpunimin mes institucioneve arsimore nё Kosovё dhe instancave tё arsimit shqip nё Suedi; po ashtu u punua shumё nё vёnien e kontakteve me Mёrgatёn Shqiptare nё Europё pёr t’i furnizuar ata me tekstet shkollore shqipe tё botuara nё Suedi.

Intelektualё e veprimtarё tё devotshёm nuk i kanё munguar asnjёherё botёs shqiptare, ndaj nё kёtё prizёm autori i vё nё dukje emrat e atyre qё kontribuuan nё Suedi, dhe jo vetёm atje. Si rezultat i punёs sё vazhdueshme tё tyre, ai arrin nё konkluzionin se mёrgata shqiptare nё Suedi kishte mbledhur nё gjirin e saj intelektualё tё shumtё qё dinin, donin dhe punonin. Sidomos gjatё viteve ’91 – ’92 kur Suedinё e mёsyu njё valё e fuqishme refugjatёsh, roli i veprimtarёve gjatё kёsaj kohe ishte eminent nё: sё pari strehimin dhe mbёshtetjen e tyre, e sё dyti nё pёrkrahjen pёr t’u integruar si gjithё tё tjerёt. Ishte mёrgata shqiptare ajo qё pёr vite tё tёra mbajti mbi supe akumulimin e fondeve tё dedikuara pёr Kosovёn duke paguar “Trepërqindëshi”,  ndёrmori aksionin “Ndihma pёr Pavarёsinё e Kosovёs”, ngriti Fondin pёr raste tё jashtёzakonshme, Ndihma zonave tё rrezikuara nё Kosovё (1998), pastaj më vonë “Vendlindja thёrret” etj.  

Ёshtё i pashmangshёm fakti qё arsimtarёt punuan nё mёnyrё humanitare dhe pa pagesё, sakrificё e cila flet pёr shpirtin e kolektivitetit qё kishin kёta njerёz, tё cilёt duke kuptuar rrethanat dhe kohёn aspak tё volitshme, dhanё njё provim tepёr tё rёndёsishёm pёr sa i pёrket identitetit tё tyre si shqiptarё dhe misionit tё tyre si mёsues. Po ashtu njё betejё e vёrtetё ishte pёrballja me propagandёn serbe sё cilёs ata iu kundёrpёrgjigjёn si intelektualё tё vёrtetё, duke mos harruar se intelektuali ka mendjen dhe pendёn po aq tё fuqishme sa luftёtari armёn.

Promovimi dhe ruajtja e identitetit, gjuhёs amtare, kulturёs dhe shumёҫkaje tjetёr qё i pёrket ambientit shqipfolёs, pritej me interesim edhe nga vetё institucionet suedeze, pasi populli suedez e dinte se kur ishte fjala pёr popullin shqiptar, bёhej fjalё pёr njё ndёr popujt mё tё vjetёr tё Europёs. Pёr kёtё arsye, autori Ibrahimi, natyrshёm tregohet mirёnjohёs, falenderues ndaj mbёshtetjes qytetare dhe institucionale suedeze. Ai si shqiptar e djalё shqiptari qё ёshtё, duke pasur nё gen virtytin e fisnikёrisё dhe mirёnjohjes pёr njerёzit bujarё dhe pranues, tregohet falenderues ndaj njё shteti qё mirёpriti dhe ndihmoi nё nevojat e tyre tё domosdoshme pakicёn shqiptare, e cila asnjёherё nё ekzistencёn e saj nuk ёshtё mjaftuar me ushqimin nё tryezё, por sё pari i ёshtё dashur ushqimi atdhetar dhe ai kulturor.

Vetё autori i kёtij libri ёshtё njё nga bijtё mё tё devotshёm nё ndihmesёn e dhёnё pёr kombin shqiptar. Ai i ndihmoi ҫёshtjes shqiptare nga kёnde tё ndryshme duke nisur thjeshtё si njё emigrant, mandej si njё intelektual, pёr tё arritur deri tek kontributi si kryetar i Shoqatёs sё Shkrimtarёve dhe Artistёve “Papa Klementi XI Albani”, njё rrugё e gjatё kjo, nё tё cilёn ai u tregua njё shqiptar me zemёr tё madhe, njeri me energji tё pasosura ndaj kombit, me pёrkushtim dhe dinjitet tё pashembullt.

Edhe ky botim qё ai sapo vё nё duart tona nuk ёshtё gjё tjetёr veҫse vazhdimёsi e misionit tё tij, pёr t’iu pёrkushtuar pa kushte interesave kombёtarё. Puna e tij nё kёtё libёr ёshtё njё shembull i shkёlqyeshёm se si duhet tё trajtohen dhe tё evokohen periudha tё vёshtira tё ekzistencёs sonё, periudha nё tё cilat janё sprovuar vlerat e vёrteta. Urojmё qё njerёz tё tillё tё ketё sa mё shumё nё botёn shqiptare, intelektualё qё asnjёherё nuk presin se ҫ’do tё bёjё Atdheu pёr ta, por apriori ata bёjnё dhe japin shumёҫka pёr Atdheun.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arsimi Ship ne Suedi, Hysen Ibrahimi, Migena Arllati

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT