• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2017

A nevojiten Republikat?

July 8, 2017 by dgreca

1 Ilber GashiNga Ilber Gashi/ Charlotte, NC/Në Shqipëri u fol për një repubilke të re për të përmbushur dhe krijue një situatë të fresket sociale. Republika e Re dhe ajo Republika e Kanabisit ne fuqi lanë menjëanë partitë e vjetra apo disa edhe te reja qe kohëve të fundit dolën si flluska uji. Por ky fakt shpjegon vlerën se pse nevojat themelore mund të përmbushen nga kryengritësit në partitë e vjetra ose nga një koalicion i atyne elementëve. Ata mund të shërbejnë për një qëllim të dobishëm kombëtare në pengimin e masës më të keqe të lakmisë grabitqare. Partitë e vjetra si PLL-ja, etj, me histori të pastër, jan frymë e dobishme me një vizion të kristaltë për ta ndalë te keqen dhe ngritë mirëqenien shoqërore te popullit. Por asht utopike që të presim që ‘rilinidasit’ të mund të rikrijojnë republikat sipas standardeve të të cilave ata i japin përparësi ekzistencës së tyne por të pasigurtë. Sepse rilindja kanabaze apo republika e re asht shum e përkushtuar për qëllimet dhe politikat diametralisht në luftë me qëllimet e tyne. Ata mund të formojnë bërthama te një republike kanabaze apo të re. Por idetë e tyne do të mbeten të thyme dhe të gjysmë formuara deri sa të çlirohen dhe të shoqënohen hapun me interesa, nevojat dhe vizionin mbarë kombëtarë.

Këtu përsëri kemi arsye se pse trazirat aktuale politike janë kaq të ndryshme nga çdo histori pas 90-se. Nevojat, ku jetojnë njerëzit, kanë të bëjnë me standardet e jetesës për veten dhe familjet e tyne. Populli i ndershëm gjindet në një situatë politike ku nuk u asht plotesue asnjë kusht për domosdoshmëri elementare te jeteses. Ku interesi përqendrohet pothuajse tanësisht në stimulimin e reagimit dhe shpërndarjes pa ndonjë referencë në mënyrën se si ato ndikojnë në konsumin politiko shoqërorë. Nuk them se kontraditat politike nuk jan mendue ose formulue. Por po ndihet, se pakënaqësia politike dhe pakënaqësite e mëdha janë pasojat e mirëqenies së popullit. Ne Shqipëri asht nevoja për diçka rrënjësisht të re në jetën politike, të cilën vetëm një parti me baza historike, me bërthame kombëtare dhe e djathtë mund ta shpallë dhe të ekzekutojë në te mirën e shoqërise shqipëtare dhe asaj mbarë kombëtare…përndryshe me një opozitë (që si duket nuk ekziston) si ajo e sotmja do i hap rrugë triumfi Rilindjes apo Republikës Kanabazi e cila do hedh rranjë dhe viruse edhe në Kosovë e Maqedoni. Rama dhe socialistët e dijnë mirë se me bashkimin e Kosovës ata ndihen në rrezik përsa i përket votës dhe ekzistencës në politikë.

Nevojat dhe problemet e popullit janë të lidhuna me problemet e konsumit, me problemet e mbajtjes së një standardi jetese të arësyeshme dhe të sigurt. Jeta politike, që vazhdon nën cilëndo prej partive që ndodhet të jetë në pushtet, nuk merret me prodhimin vendor apo ekonominë vendore. Tarifat jo vetëm që nuk kanë krijuar interesat e caktuara prodhuese si fuqi ekonomike, por ato bazohen në një mospërputhje të vazhdueshme të konsumatorit. Transporti dhe mekanizmi i shpërndarjes janë të lidhuna me prodhimin dhe ato nuk janë nxitë vazhdimisht për të marrë parasysh konsumatorin ose standardin e jetesës. Sistemi ynë tokësor, minierat tona, pyjet tona dhe tani fuqia jonë e bregdetit, kur politika i ka prekë deri diku, ato ende nuk ka rënë nën kontrollin e pronësisë nga “prodhuesi” përvecëse drogës dhe prodhimeve ilegale. Shqipëria ka nevojë per privatizim dhe jo socializëm, ajo ka nevojë për ligje dhe jo korrupcion, dhe ajo ndryshon vetëm nga populli dhe vota e saj. Shpresojmë që populli ti thotë ndalë korrupcionit dhe të integrohet në rrugën demokratike me vepra dhe jo letra për të gëzue BE-ne apo Perendimin. Tani edhe katër vjet do përballemi me nje qeveri të majtë por tani ma shum se kurrë Shqipërise i nevojitet një Opozitë me baza historike një e djathtë me vizion dhe brum politik që bazohet në institucione dhe jo vetëm ne termin “parti-politike” ….

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: A nevojiten Republikat?, Ilber Gashi

VASIL ANDONI, që Mëmëdheut iu fal…..

July 8, 2017 by dgreca

Vasil andoni

(Ne foto: Vasil Andoni, i dyti nga e majta ne te djathte, ne Krah te Mithat Frasherit/

NGA RUDOLF DELIANA/*

Më 22 qershor 1939, rreth tre muaj nga dita e zezë e 7 Prillit, pushtuesi italian bën arrestimin e parë politik në Elbasan. Darkën e asaj dite, pa zhurmë e bujë, pa tërhequr vemendjen e askujt, arrestohet Profesori Vasil Andoni.Të nesërmen dërgohet në Tiranë e mbyllet në burgun e atjeshëm. Ndoshta ai qe ”vizitori” i parë i asaj ndërtese që pak nga pak u mbush plot me patriotë të tjerë.

Pse u bë ky arrestim? Cili qe Vasil Andoni?Ai dhe Fashizmi a njiheshin me njëri-tjetrin? Përgjigjet e meposhtme do të skjarojnë gjithcka.

Më 1928 V. Andoni përfundon studimet universitare dhe në periudhën 1928-1935 punoi në Normale si profesor i pedagogjisë e si nëndrejtor i saj.Si i tillë ai reformoi Internatin ku jetonte një pjesë e mirë e normalistëve. (Shih ”Normalisti Shetitës” H. Ballshi, S. Spasse). Në këtë periudhë falë tij në Normale u futën për herë të parë metodat aktive të mësimdhënies.Në këtë kuadër e gjithë shkolla u vu në lëvizje.Në Internat nxënësit u bënë vetë drejtuesit e jetës së tyre të brendëshme, duke kryer secili detyra të caktuara, sikur të ishin që të gjithë pjesë e një familjeje të madhe.Në Shkollë lindën për herë të parë ”Shoqëritë Normaliste” nëpër klasa. (Shih ”Elbasan Enciklopedi” f. 559). Secila prej tyre sipas dëshirës dhe mundësive ngriti grupe sportive, teatrore e muzikore, që gjallëruan jetën e Normales e të Elbasanit.

Po në këtë periudhë  të Arsimit tonë, vetëveprimtaria në Normale arriti kulmin me daljen e revistës ”Normalisti”. Qe një revistë pedagogjike që merrte përsipër të vendoste themelet e Arsimit tonë fillor. (Shih nr 1, fjala e A. Xhuvanit). Epiqendër e kësaj veprimtarie që ra në sy në të gjithë Shqipërinë, ishte V. Andoni, prandaj edhe ai u njoh si një arsimtar reformator. (Shih ”Përpjekja Shqiptare” nr 18-24, f. 426).

Pikërisht në vitin 1934 të kësaj periudhe Profesori e njohu për herë të parë fashizmin italian. Këtë ia venë në dukje nxënësit e tij. Ata i tregojnë se profesori i gjuhes italiane, italiani Foresti, herë pas here gjatë orëve të mësimit u lavdëronte Italinë e Musolinit. Atyre u kishte shpërndarë distinktiva fashiste dhe ua paraqiste shtetin e tij si mik e dashamirës të Shqipërisë. Madje në një rast u kishte thënë se do të ishte mirë që në Myzeqe të vendoseshin qindra familje kolone italiane që bujqësinë tonë të asaj fushe pjellore ta çonin përpara. Profesori, nuhatës i mirë politik, e rroku kuptimin e këtyre fjalëve ndjellakeqe për të ardhmen e Atdheut.                            Ai reagoi.  E denoncoi në Ministrinë e Arsimit dhe agjenti italian u largua nga Normalja. Kuptohet se edhe agjentura italiane e pranishme tek ne, e kuptoi ”nga i erdhi kjo e keqe”! Emrin e tij ”e regjistroi” në kujtesën e vet kriminale. Kështu më 1934 ndodhi përplasja e parë midis V. Andonit dhe pushtuesit të ardhëshëm.

  1. Andoni e njohu më mirë ”Italinë Mike” më vonë, në ditët e para të prillit 1939, kur e hoqi maskën e mikut dhe tregoi fëtyrën e vërtetë të armikut. Ato ditë e njohën armikun edhe të gjithë shqipëtarët, prandaj në çdo anë të Atdheut nisën demonstratat. Kështu në Elbasan normalistët e populli në shenjë proteste grisën flamurin italian, që varej në ballkonin e një ndërtese në qendër të qytetit. Edhe në Tiranë ndodhi e njejta gjë. Në këtë veprimtari masive popullore përfshihet edhe V. Andoni që në atë kohë ishte profesor në Gjimnaz e Teknike.. Bashkë me kolegë të tjerë organizoi nxënësit e vet. I bashkoi ata me ata me ato të Shkollës Femnore ”Nana Mbretneshë”.Vendoset në krye të tyre dhe i drejton në Pallatin Mbretnor, ku të gjithë kërkojnë armë për mbrojtje të Atdheut. Kjo qe përplasja e dytë e V. Andonit me pushtuesin, që ende s’kishte ardhur, por më e fortë se e para. (Shih kujtimet e H.Babmetos te gazeta liria dhe kujtimet e Ramazan Turdiut)

Të tretën përballje e bëri më 7 Prill, kur në Durrës po zbrisnin ushtarët e parë pushtues. V. Andoni përpiqet që me një farë mënyre të njoftojë Botën se në Shqipëri nisi lufta. Për këtë atë ditë nga Tirana, ende e papushtuar, i nis një telegram kunatit të tij, Dervish Dumës, që ishte Sekretar i Ambasadës Shqiptare në Londër. Në telegram vendos pa frikë edhe emrin e tij, pa u tutur  se “kupa mund të mbushej” dhe ndjenjat e hakmarrjes të pushtuesit mund të ktheheshin në veprim hakmarrës real e të fuqishëm per të. Patriotizmi i Profesorit sundoi mbi vdekjen!

Ja teksti i telegramit :

”USHTERI POPULL NXANES PO LUFTOJME PER VDEKJE RROFTE SHQIPNIA”-VASILI/

Data 7 prill kaloi. Atdheu u pushtua, por Profesori “ nuk e mbylli gojën “. Përkundrazi, e ngriti zërin e protestës në kupë të qiellit. Këtë e bëri pak ditë mbas 7 prillit, kur u rihapën shkollat dhe nisën punën e tyre normalisht.Ja c’bëri orën e parë të asaj dite. Hyri në klasë ku do të jepte mësim dhe  pa patur as më të voglën frikë, u drejtohet nxënësve me këto fjalë, sa patrotike aq edhe të guximshme:

”Djema, Atdheu ynë i dashur ra edhe një herë në robëri! Dëshmorët që ranë heroikisht në brigjet e Adriatikut ne do t’i nderojmë duke mbajtur një minutë heshtje. Çohuni në këmbë!”

Ishte e para herë që nxënësit e klasës dëgjonin fjalë të tilla! Ata brofën në këmbë dhe me lot në sy qëndruan në heshtje me sytë drejtuar te profesori dhe të mallëngjyer e të habitur nga një ceremoni e tillë e paparë dhe e padëgjuar prej tyre!

” Mos u dëshpëroni djema” vazhdoi Profesori. ”Atdheu ynë prap do ta fitojë Lirinë”.

Këtë skenë e këto fjalë nuk i harroi asnjëri nga ata djem. I futën në mendje ata dhe të gjithë nxënësit e Gjimnazit. Një mbresë shumë të veçantë lanë ato te djaloshi Hajro Babameto, një nga profesorët e ardhëshëm dhe mjaft të njohur në Tiranë. Ai i nguliti në mendje dhe në zemër. Kaluan disa dhjetëvjeçarë dhe kur erdhi Demokracia i paraqiti me shkrim në kujtimet e veta. (Shih Kujtime të H. Babametos te gazeta ”Liria” dhe kujtimet e R. Turdiut)

Kjo bisedë sa prekëse aq edhe patriotike, a nuk ishte një shpallje lufte ndaj asaj ushtrie që s’kishte më shumë se 2-3 ditë që kishte shkelur Atdhenë? Një individ sfidonte një ushtri! Nacionalizmi jepte kushtrimin pëe Liri!

Por pushtuesi  ato ditë nuk u tregua ashtu siç ishte, ujk me dhëmbë të mprehtë, se nuk donte telashe deri sa të vendoste nënshtrimin e plotë në të gjithë shtetin e pushtuar. E la Profesorin ta mbyllte vitin shkollor i qetë e të kthehej në shtëpi në Elbasan për pushimet verore.

”Dhelpra plakë” e nis ”hakmarrjen” më datë 17 qershor 1939. Atë ditë gazeta e kohës ”Fashizmi” njoftonte se Profesor Vasil Andoni pushohej nga puna.Më në fund, mbas 5 ditësh, në datën 22 qershor në mbrëmje pushtuesi qetw, pa bujw, pa rwnw nw sy tw askujt tregon fytyrën e vërtetë. E arreston profesorin e nderuar dhe të nesërmen e mbyll në burgun e Tiranës “që të mblidhte mendjen!”. Kështu fashizmi nisi të zbrazë mbi të mllefin që ruante ç’prej kohësh për atë  ”armik të hapur e kokëfortë”! Me këtë burgosje mendoi se e hoqi qafe një person tashmë të padëshirueshëm për të ardhmen e vet .

Por Profesori ” i kishte marrë masat”. Mbas telegramit të 7 prillit ai i kishte dërguar motrës një të dytë e disa kartolina, të gjitha të shkruara prej tij. E fundit prej tyre është ajo e dt 19.6.1939, pra e shkruar 3 ditë para arrestimit. Në to fliste vetëm për probleme familjare e  private. E bënte këtë për t’i treguar motrës se ende s’kishte ndodh gjë, ç’ka ai e priste.

Lajmin e burgosjes e jep kartolina e datës 25 qershor 1939. Atë e shkruan njëri nga dajat e Profesorit, plaku Jan Deliana .Midis të tjerash aty ai përmend edhe arrestimin. Ja fjalët e paraqisin atë:

”Do ta keshë pa gazetën ”Fashisti” dt. 17/6 që shkruente për pushimin e Vasilit e pardje në 22 në mbramje e muerën ndën vërejtje e më 23/6 e nisën për Tiranë.Asht atje tani.Deri tani s’kemi marrë vesht për se e kanë marr……”

Në burg V. Andoni nuk u izolua plotësisht. Atij i lejohet të takohet me familjarë, miq e shokë. Pushtuesi sillej kështu ”i butë”, jo se ”e donte”, përkundrazi e urrente, por për t’u paraqitur në publik jo si pushtues por si mik i Shqipërisë. Ndoshta mendonte që në këtë mënyrë ta nënshtronte kundërshtarin e vet.

Burgosja e profesorit bëri bujë dhe shokët e miqtë i afrohen. Madje në burg e takojnë edhe nxënësit e tij. Kjo kuptohet nga një kartolinë e nisur nga Tirana më datë 27.07.1939, që i arrin motrës në londër. Në të shkruhet:

”Jam nji nxanës i z. Vasil dhe po e shkruej këtë kartolinë, që t’iu dëftej se ai asht shum mir. Un dhe shokët mij shkojmë e piqemi përherë me z. Vasil. Prandaj mos u mërzitni aspak”. Dërguesi është Qemal Agolli.

Pra pushtuesi u tregua i butë me shpresë që Porfesori të qetësohej e të tutej, por gaboi. Më vonë e pa se ç’qe ai i burgosur e ç’bëri për ta luftuar.

Kartolinën e sipërme bashkë me të mëparshmet apo me ato që e pasuan, motra i ruajti me shumë kujdes. Më 1995 i sjell në atdhe kunati të shoqëruara me një letër në të cilën, ndër të tjera shkruan:

”Të dy telegramet e kartëpostaret po i mbyll këtu. Disa nga postaret janë dërguar nga Vasili dhe tregojnë gjendjen në Shqipëri n’ato ditë të Prillit 1939 dhe meritojnë të përmenden”.

Më poshtë shton:

”Siç e dini fort mirë, ai luftoi si pushtuesin e huaj, ashtu edhe atë të vendit – Komunizmin – deri sa vdiq! Patriotizmi i Vasil Andonit ishte i pashoq!” (Shih letrën e D. Dumës dt 21 prill 1995).

Profesori del nga burgu mbas disa muajsh, por nuk nënshtrohet. Luftën kudër fashizmit pushtues e nis duke e sfiduar pikërisht në Ditën e Flamurit dhe në Kryeqytet. Pra më 28 nëntor 1939 bashkë me patriotë të tjerë miq e kolegë të tij organizon në Tiranë të parën demonstratë kundër pushtuesit dhe kështu bëri ballafaqimin e tij të parë si luftëtar antifashist i vetëdeklaruar.

Ditët e muajt kalojnë. V. Andoni kthehet në të papunë e pa asnjë të ardhur. Me gjithë atë ai as përkulet e as nuk lyp mëshirë. Kur afrohet fillimi I viti shkollor ’41-42, Ministri i Arsimit i kohës Ernest Koliqi, e rimerr në punë.E cakton profesor në Normalen e Elbasanit dhe mbas pak ditësh e dergon në Prishtinë që të ngrejë atje Gjimnazin dhe Internatin e tij.  Këtë veprim të tijin ishministri ia kujton shokut të tij, Karl Gurakuqit, me një letër që i drejton nga Roma më 16.3.1951. Duke treguar se si ministër pati në qendër të vëmendjes kulturën shqiptare dhe intelektualët shqiptar, vazhdon:

”Lirova nën garancinë personale mbas nji konflikti t’ashpër me Gjeneral Guxonin, para të cilit dridhej mbarë Shqipnia, Tajar Zavalanin, Vasil Andonin, Mihal Zallarin”…. ”Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të Ministrisë, e emnuem drejtor konvikti në Prishtinë”. (Shih gazetën dygjuhëshe Shqip-Italisht ”Rrënjët”-Le Radici”,viti 13 nentor 2015).

Profesori edhe në Kosovë nuk ndejti ”urtë”! Krahas punës në Gjimnaz e Internat dha një kontribut me shumë vlera në vendosjen e themeleve të shkollës shqiptare në çdo skaj të trojeve kosovare, siç veproi edhe në vitet ’30 në Normalen e Elbasanit. Këtë veprimtari e lidhi edhe me mobilizimin e kosovarëve në luftë kundër pushtuesit italian, por edhe atij serb i cili nëpërmjet propagandës komuniste, përpiqej që Kosovën ta mbante në robëri edhe mbas luftës.

Më 1943 e le punën e bashkohet me M. Frashërin, mikun e zemrës së tij. Vendoset bashkë me të në krye të Ballit Kombëtar për të vazhduar luftën për Çlirimin e Atdheut. Është ndër organizatorët e Mukjes e pjesëmarrës në Konferencë e saj. E ndjek hap pas hapi  Z. Frashëri nëpër malet e Atdheut e më 1944 kalon bashkë me të e të tjerë në mërgim. Atje vazhdon luftën në dy drejtime: Në Çlirimin e Shqiperisë nga komunizmi uzurpues e antishqiptar dhe në mbrojtje të Kosovës nga pushtuesi serbokomunist, armik i betuar i Shqiptarizmës. Si armë të tijën pati mendjen, gojën, miqtë e shokët të shpërndarë kudo në botë me të cilët mbante lidhje të ngushta.

Në mërgim zhvilloi një veprimtari patriotike shumë të ngjeshur, e cila i merrte shumë orë të ditës. Materialet e kësaj veprimtarie i përgatiste në një dhomë shumë të thjeshtë të shtëpisë së tij ku banonte në Romë. Aty kishte shtratin e thjeshtë ku flinte. Po aty kishte një tavolinë me 2-3 karrige. Mbi tavolinë kishte makinën e shkrimit dhe telefonin me të cilin lidhej çdo ditë e çdo natë me miqtë e shokët që ishin larg Italisë. Në një skaj të asaj dhome kishte grumbullin e librave që kishte mbledhur ca nga ca, që të gjitha me vlera për Shqipërinë e shqiptarët. Në saje të përpjekjeve të tija kishte mundur të gjente edhe koleksionin e revistës ”Normalisti”, që e ruante me  kujdes të veçantë, si veprën e tij të parë publiçistike. Në këtë mjedis përgatiste lëndën e gazetës ”Flamuri”, e cila qe vepra e tij e dytë në fushën e gazetarisë. Për disa dhjetëvjeçarë atë e shpërndante në çdo kontinent të Globit ku kishte shqipëtarë. Ai organ shtypi u bë zëdhënësi i Nacionalizmit të lirë Shqiptarë që jetonte në mërgim. (Shih ”kujtime” të Bim Daklit). Kjo bibliotekë e vërtetë me vlera të mëdha qe dhurata e fundit që i fali Atdheut, i cili për të qe ”Nëna që e lindi dhe e rriti si Shqiptar të vërtetë”

Dy vitet e fundit të jetës së tij, kur forcat fizike nisën ta linin, shokët, të afërmit dhe miqtë e vendosën në një shtëpi pushimi në Acilia të Romës ku të çlodhej. Aty kushtet e jetesës i kishte shumë të mira, por edhe pagesa ishte mjaft e madhe. Atë e përballuan përsëri të gjithë së bashku, sepse vetë Plaku, tashmë mbi të nentedhjetat si pasuri kishte vetëm rrobat e trupit! I rrethuar çdo ditë nga shumë njerëz në atë strehë pleqsh I mbylli sytë I qetë më 11.07.1994.

Qenë po të sipërmit që me në krye nipin nga e motra, Agim Dumën, e sollën në Atdhe më 18.7.1994. Trupi pa jetë dhe I mbyllur në arkivol iu paraqit Kryeqytetit ku punoi dhe luftoi. E gjithë Tirana I dha lamtumirën e fundit. Të nesërmen me 19.7.94 arkivoli I tij u vendos në një sallë të Normales së Elbasanit e të tijën ku i dhanë lamtumirën e fundit familjarët, elbasanasit e shumë e shumë të tjerë të ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërise dhe nga Kosova. Të gjithë së bashku e kaluan nëpër rrugët e qytetit ku lindi e ku nisi veprimtarinë e tij të shkëlqyer si mësues dhe atdhetar i vërtetë . E vendosën trupin aty, pranë eshtrave të së ëmës, Saveta Andoni, nga e cila u nda më 1944 dhe nuk e takoi dot me! E përqafoi nëna mbas plot 50 vjetësh dhe u qetësua duke e patur pranë vetes! Kështu të bashkuar nisën rrugën  drejt përjetësisë!

Figura e V. Andonit u përjetësua në trojet shqiptare. Prishtina një rruge të saj i vuri emrin VASIL ANDONI, ndërsa Ministria e Arsimit e Kosovës i dhuroi titullin ” MERITË”, për punën e veçantë që bëri në ngritjen e shkollës shqipe në Kosovë.

Edhe Elbasani një rrugë të vetën e emërtoi VASIL ANDONI.Arsimi Shqiptar i dha titullin ”Mësues i Popullit”.Atdheu e nderoi me Urdhërin e Flamurit.

Këtij burri të rrallë të Kombit tonë dikush i kushtoi vargjet:

Mëmëdheut iu fal

në rrënjë gjaku, lirie

lindi e mbeti

Simbol Atdhetarie

Vasil Andon

një emër Shqiptar

në gji të epokave

Pishtar!

*(U botua per te paren here ne”Balli i Kombit”, dt. 13.7.1995, nr. i posaçëm me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Tij).

 

Filed Under: Histori Tagged With: që Mëmëdheut iu fal, Rudolf Deliana, VASIL ANDONI

Kosova nuk duhet të mbetet peng e apetiteve politike

July 8, 2017 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/1 nua Oroshi okZgjedhjet e fundit në Kosovë të mbajtura më, 11 Qershor 2017  prodhuan tri blloqe të mëdha politike që në esencën e ndërtimitë të institucioneve shtetërore është një hap përpara dhe një vetëdisim politik. Fitues i këtyre zgjedhjeve doli Blloku Politikë me emrin PAN, që mundë të përkthehet si një fitore e Pirruas, ku tri Parti të bashkuara morën 39 deputet,  fitues moralë ishte Vetvendosje e cila  dyfishoj votat, duke marrë 32 deputetë duke përfituar nga paknaqësia e popullatës së lodhur në Kosovë me qeverisjen shumëvjeçare të dy ish partive të mëdha PDK-së dhe LDK-së si dhe blloku i tretë politikë LAA që ishte blloku politik i ish kryeministrit të rrezuar që mori 29 deputet për Parlamentin e Kosovës. Ndërsa dihet tash botërisht se pakicat në Kosovë kanë një privilegjë të jashtzakonshëm që nuk e besoj se ndonjë pakicë kombtare e ka këtë privilegj në ndonjë shtet të Evropës duke i pasur 20 deputet në Parlamentin e Kosovës.

Ky është realiteti politikë i dalur nga zgjedhjet e 11 Qershorit në Kosovë. Nga ky realitet politik partitë dhe blloqet politike duhet marrur përgjegjësin e ndërtimitë të Institucioneve të Shtetit deshtën apo nuk e deshtën një gjë të tillë Partitë Politike  e kanë obligim kushtetues që ti ndërtojnë Institucionet e Shtetit. Por ajo që shihet që në start se të tre liderët e tri blloqeve të mëdha politike kanë dëshirën që marrveshjet e koalicionit ti bëjnë vetëm atëherë kur kandidati i tyre të jetë personi që do ta marr kryeministrin të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe sipas kësaj llogarie matematikore del se Kosova duhet t‘i ketë tre kryeminstra: Ramush Haradinajn , Albin Kurtin e Avdullah Hotin. Me këtë logjikë politike tri blloqet politike shqiptare: Blloku i Fitorës së Pirruas, Blloku i fitorës morale dhe blloku i kryeminsitrit të rrëzuar po luajnë një lojë të fëmijeve të lazdruar kur i thonë njëri-tjetrit se nëse nuk më jepë bombonat e preferuar nuk jam shokë me ty duke harruar se secilit i takon përgjegjësia Institucionale e barabartë për ndërtimin e institucioneve në bazë të fuqisë politike që iu ka dhënë zgjedhësi.

E zgjedhësi i Kosovës në bazë te fuqisë politike më së shumti ka votuarë për vizionin e Ramush Haradinajt që ai të jetë Kryeministër i Kosovës. Ky vizion ka marrë 39 deputet ku së bashku edhe me pakicatë si kategori kushtetuese bëjnë 59 deputet që nuk e mundësojnë ndërtimin e një Qeverie jo vetëm për faktin që duhet të jenë 61 deputet por për faktin tjetër se 10 deputetët e minoritetit serb në Kosovë janë deputet që dirigjohen nga Beogradi dhe nuk duhet lejuar asesi që institucionet e Kosovës në rastin konkret Qeveria e Kosovës të mbetët në dorën e tyre. Përkundër kësaj tre blloqet politike shqiptare duhet lënë anash metodën e kushtëzimitë në politikë se nëse nuk më jep bombonat e preferuara nuk jam shok me ty, në këtë rast nëse nuk ma jep postin e kryeministrit nuk jam në koalicion me ty por duhet të ulën bashkarisht të formojnë grupet dhe komisionet profesionale dhe në bazë të rezultatit zgjedhor të marrin edhe përgjegjësitë institucionale në këtë rast posti i Kryeminsitrit të Kosovës duhet t‘i takojë Ramush Haradinjat për faktin se koalicioni fitues që para zgjedhjeve ka dalë më    këtë kandidatur.

Propozimi im konkret do të jetë që fillimisht të provohet një koalicion në mes të PAN-it dhe Vetvendosjes dhe pushteti të ndahet në bazë të rezultatit zgjedhor që kanë fituar blloqet politike e në këtë rast PAN-i do të  merr 50 % të pushtetit ,Vetvendosje 40% të pushtetit ndersa 10 % ju mbetët pakicave. Natyrisht që në këtë koalicion kryeministër do të jetë kandidati i bllokut fitues Ramush Haradinaj. Nëse një gjë e tillë nuk do te ketë sukses atëherë të provohet ndërtimi i një koalicioni me bllokun e tretë më të votuar LAA  me të njëjtën formulë 50 % PAN, 40 % LAA dhe 10 % pakicat, këto dy variante të ndertimitë të Institucioneve janë zgjedhja më e mirë që të këmi një Qeveri Stabile dhe mos të lihet hapësirë që të ndërtohet një Qeveri me dy- tre deputet të kontrabanduar dhe ku lista serbe sa herë që të  ëndërroj Beogradi se duhet të trazohet Kosova të hyn e të del në Qeveri dhe në Parlament sikurse këto Institucione të jenë ndonjë shtëpi e mallrave ku mund të shitën dhe blehën artikujt me shumicë dhe pakicë.

Këto gjana nuk duhet të ndodhin asesi.Nëse tre blloqet politike nuk arrinë marrveshje në variantin e parë të propozuar atëherë  janë vetëm edhe dy mundësi tjera.Mundësai e dytë ndërtimi i një qeverie në mes të Vetvendosjes dhe LAA me kryeminsitër Albin Kurti  por që kryetari i parlamentit do të jetë nga PAN është e mundshme të ndërtohet në baze të numrave që posedojnë këto dy blloqe politike, por në bazë të realitetit dhe frymës politike shqiptare është jashtzakonisht e vështirë të realizohët për faktin se shumë rrallë mund të ndodhë që edhe në politikën e Evropës që Partitë fituese të jenë pjesë e opozitës për kundër faktit se një gjë e tillë është plotësisht legjitime, por duhet të jetë edhe funksionale. Varianti me i keq i mundshëm është shkuarja edhe një herë në zgjedhje, për faktin se buxhetit të varfër të Kosovës po iu shkaktohet humbje milionëshe ndërsa edhe nga këto zgjedhje do të dalë një rezultat përafërsisht i njëjtë dhe asnjë bllokë politikë nuk do të jetë në gjendje të themëlon Qeverinë vetëm.

 

Mesazhi për fund!

Ju bëj thirrje të tri blloqeve politike shqiptare që ta kuptojnë plotësisht rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të shtetit. Krahas kuptimit të kësaj rëndësie ta kuptojnë edhe përgjegjësinë që e kanë ndaj votuesit si dhe përgjegjësinë politike të ndërtimit të institucionit të shtetit, duke lënë anash inatët dhe lazdrimet fëminore në politikë, por gjithmonë duke u bazuar në rezultatin zgjedhor që kanë marrë këto tri blloqe politike nga zgjedhjet e 11 Qershorit 2017, në bazë të rezultatit të fituar të kërkohet edhe pjesa qe i takon në qeverisje. Çdo paralizim i ndërtimitë të institucioneve të Kosovës, do të jetë një sinjal i keq i mospërgjegjësisë së ndërtimit të institucioneve të shtetit, dhe krahas lajmeve të arrestimeve që do të bëj Gjykata Speciale në Kosovë, do të jetë edhe një lajm i keq që do të shkruhët e flitet në shtypin ndërkombëtar për Kosovën. E këtë do ta shfrytzojnë edhe  kundërshtarët e Pavarsisë së Kosovës, në botë duke lobuar kundër Pavarsisë me faktin se shqiptarët në Kosovë nuk janë në gjendje me mbajtë shtetin.

Lider politikë shqiptarë në Kosovë leni anash ambicjet e juaja që të merrni pushtetin pa rezultatin zgjedhor, por shtrine kambën sa e keni jorganin, me një fjalë kërkoni pushtetin aq sa e keni fituar votën, por më e e rëndësishme është që ta forconi dhe ndërtoni shtetin. Të rinjët dhe të rejat kërkojnë perspektivë, kërkojnë punë. Kosova nuk duhët të mbës peng e apetiteve politike të asnjë lideri politikë por duhet të ecë përpara në çdo lëmi të jetës.

Filed Under: Opinion Tagged With: e apetiteve politike, Kosova nuk duhet të mbetet peng, Nua Oroshi

BE-Kosovës: Të formohet një qeveri e fortë!

July 8, 2017 by dgreca

*Kosovë-Përfaqësuesja e BE: Të formohet një qeveri e fortë dhe të nisin reformat që populli i kërkon/

*Statement by Nataliya Apostolova, Head of the EU Office in Kosovo/EU Special Representative, upon certification of 11 June election results/

1 apostolova

-Deklaratë nga Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit/

PRISHTINË, 8 Korrik 2017-B.Jashari/ Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, deklaroi sot se e përgëzon popullin e Kosovës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve që u mbajtën në 11 qershor dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën profesionale me të cilën i kryen detyrat e tyre. “Gjithashtu u bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i marrin seriozisht rekomandimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimi e zgjedhjeve dhe t’i zbatojnë ato në mënyrën e duhur”, theksoi ajo.

Tani, vijoi Apostolova, është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të dëgjojnë qytetarët e tyre dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t’i shërbejë interesave të popullit.“Kosova përballet me shumë sfida, duke filluar nga papunësia e lartë dhe sistemi arsimor me performancë të ulët, deri te korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit, të cilat mbeten pengesë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë. Prandaj, është e rëndësishme që liderët politikë t’i marrin seriozisht këto sfida, të formojnë një qeveri të fortë dhe të fillojnë reformat që populli i kërkon”, u shpreh Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së.

Ajo përkujtoi se, Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë/Nënkryetare e Komisionit Evropian, këtë javë mbajti në Bruksel një takim jozyrtar me presidentin e Serbisë dhe atë të Kosovës. “Kjo, edhe një herë, rikonfirmon angazhimin e BE-së për perspektivën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së. Ne presim zbatimin pa vonesë të marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut, tha Apostolova.

Ajo siguroi se, BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë qytetarët e Kosovës. “Përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe instrumenteve të lidhura me të, BE-ja ka siguruar një kornizë politike, ekonomike dhe legjislative për reformat që do të nxirren. Përmes mbështetjes së IPA-s, BE-ja siguron ndihmë financiare bujare për të mbështetur këto përpjekje dhe për të rritur përmirësimet në tërë Kosovën”, theksoi Apostolova.

Ajo shtoi se, pa marrë parasysh se kush e formon qeverinë e re, BE-ja pret një përshpejtim dhe zbatim të axhendës për reforma të BE-së.

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Njerëzit e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme që do të bëjë përparime të rëndësishme përgjatë rrugës evropiane. Tani u takon atyre udhëheqësve që ta bëjnë këtë”, përfundoi Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova.

 Pas marrjes së konfirmimeve nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme se në këto institucione nuk ka ndonjë çështje për të vendosur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çertifikoi sot rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën në 11 qershor 2017, tre vjet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, të cilat poashtu ishin të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.Në emër të KQZ-së, kryetarja Valdete Daka falënderoi edhe një herë të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhje dhe institucionet vendore e ndërkombëtare për kontributin e tyre gjatë këtij procesi.

Statement by Nataliya Apostolova, Head of the EU Office in Kosovo/EU Special Representative, upon certification of 11 June election results

 “I commend the Kosovo people for an orderly conduct of elections which took place on 11 June, and the Central Election Commission for the professional manner in which they carried out their duties. I also urge the responsible institutions to take seriously the recommendations by the EU Election Observation Mission and implement them accordingly.It is now the responsibility of the political leaders to listen to their citizens, and form a stable government which will serve the interest of the people.

Kosovo faces many challenges, from high unemployment and low performing education system, to corruption and weak rule of law, which remain an impediment to attracting sustainable investment to develop the economy. It is therefore crucial that the political leaders take these challenges seriously, form a strong government and embark upon the reforms that the people demand.

Federica Mogherini, High Representative/Vice President of the European Commission, hosted this week in Brussels an informal meeting with the Presidents of Serbia and Kosovo. This, once again, reconfirms the commitment of the EU for the EU perspective of Kosovo and Serbia. We expect implementation of the agreements reached in the Dialogue without delay.

The EU will continue to assist the people of Kosovo. Through the Stabilisation and Association Agreement and related instruments, the EU has provided a political, economic and legislative framework for reforms to take root. Through its IPA support, the EU provides generous financial assistance to support these efforts and enhance improvements throughout Kosovo.Regardless of who forms the new government, the EU expects a speeding up and adherence to the EU reform agenda. Kosovo has a clear European perspective. The people of Kosovo expect responsible leadership that will make important advances along the European path. It is now up to those leaders to deliver.”

Filed Under: Politike Tagged With: Apostolova, kosova, Qeveri e forte, reforma

Roosvelt-Nolit:Shqiptarët i admiroj, se janë një racë e vjetër dhe trime

July 8, 2017 by dgreca

Theodore Roosvelt-Nolit:”Thuaju shqiptarëve që dëshiroj ta shoh Shqipërinë independente dhe që indepipendenca e tyre duhet të sigurohet nën mbrojtjen dhe garantinë e painteres të Fuqive Aleate, si Amerika, Anglia dhe Franca./1 Theodhore Roosvelt

NGA HISTORIA E VATRES- KUVENDI I VATRËS ME 22 SEANCA(2)Fan_S._Noli

Kuvendi i Vatrës i vitit 1918 u hap me 7 Korrik 1918 dhe mbaroi me 17 Korrik, mbajti plot 22 seanca.Ky Kuvend u mbajt në Winthrop Hall, 446 Tremont St. Merrnin pjesë 43 delegatë të cilët kishin 80 vota.Në fjalën e hapjes At Fan Noli deklaroi:”Vatra kur u fillua nuk kishte më shumë se 500 anëtarë, sot ka 5.000 anëtarë të rregullt.”Pastaj shtoi:Veprimi i fundit i Vatërs është vajtja e Kryetarit tuaj në Wçashington.Ndofta dëgjuat që ditën e  Independencës për tërë botën(4 Korrik) Presidenti Wilson deshi të kremtonte atë ditë si Ditën e Independencës për tërë Botën.Për këtë arsye Guverna Aemerikane i thirri si mysafirë kryetarët e të gjithë kombësive të huaja që ndodhen në këtë vend bujar. Idea ishte që tërë kombësitë së bashku të mblidheshin atje(Në Mount Vernon) për të thyer shpiritën e autokracisë. Kryetari i Vatrës u ftua të marrë pjesë….

2 M Konica Noli

Ky Kuvend me 22 Seanca zgjodhi zyrtarët e vitit: Kol Tromara-Kryetar; Ndreko Stavro-Sekretar, Bahri Omari-Editor; Andon Frashëri-ndihmës Editor; Aqif Përmeti-Manager; Loni Nino-Sekratr i Diellit. Komisioni i Qendrës përbëhej nga të zgjedhur: Hasan Bitincka,Muke Përmeti, Kostë Papa dhe Angelo Sotir.

Kuvendi mori vendim extra që të niste botimi i një reviste në gjuhë të huaja, Kryesisht në gjuhën inglisht. Kjo do të ishte Revista”Adriatik”, editor provizor i së cilës u zgjodh Fan S Noli.

ME 25 KORRIK, TAKIMI I ISH PRESIDENTIT ROOSVELT ME NOLIN

Me 25 Korrik 1918 Fan S Noli pati një bashkfjalim të gjatë në Harvard Club, New York City, me ish Presidentin Amerikan Theodore Roosvelt. Fan S. Noli do të deklaronte pas takimit se ish Presidenti Roosvelt çuditërisht ishte shumë i informuar dhe në detaje mbi Shqipërinë dhe ngjajrjet e ndodhura atje. Ndër të tjera Roosvelt i kishte thënë Nolit” Shqiptarët i dua dhe i admiroj, se janë një racë e vjetër dhe trime që meriton të shpëtohet dhe vetëqeveriset. Di që në shumë raste, Turqit, Grekët dhe Serbët bashkoheshin dhe lidheshin mes tyre që t’u bënin ballë shqiptarëve. Di pastaj që shqiptarët janë besnikë dhe të ndershëm, dhe kur e japin fjalën, e mbajnë si burra….”Thuaju shqiptarëve që dëshiroj ta shoh Shqipërinë independente dhe që indepipendenca e tyre duhet të sigurohet nën mbrojtjen dhe garantinë e painteres të Fuqive Aleate, si Amerika, Anglia dhe Franca. Nga ana ime, do bëj ç’t’më vij doresh për të drejtat e racës shqiptare’-Kështu e përcolli Gazeta Dielli e 26 Gushtit 1918, këtë takim Nolit me Wish presidentin Roosvelt ,që u realizua me 25 Korrik 1918, me ish presidentin Roosvelt.

KUVENDI I 6 KORRIKUT 1919

Kuvendi Vjetor i vitit 1919 u hap me 6 korrik dhe kishet për Çairman z. Anastas Pandeli dhe sekretar Kostë Isaak, reporter z. Krist Kaluçi, marshall George Katundi.

Kryetari i Vatrës, Kol Tromara, deklaroi:Nga Ky Kuvend presin realizime jo vetëm shqiptarëte  Amerikës, por dhe tërë vëllezërit tanë përtej.

Ky Kuvend zgjodhi kryetar- Faik Konica, ( i cili ishte ende në Europë), për këtë qëllim mbeti zëvendës deri në ardhjen e Konicës, Kol Tromara,  Redaktor i Diellit dhe i revistës “Adriatik”-Kostë Çekrezi, zv/Redaktor Andon Frashëri, arkëtar Gori Katundi, sekretar i Vatrës Ndreko Stavro, Sekretar i Diellit Loni Nini. Konferencier Aqif Përmeti.

Komisioni Qendror përbëhej nga: Kristo Kirka, Xhafer Lekdushi, Vani Chani dhe Kostë Isaak.(Perg: D. gr- VIJON)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Historia e Vatres, noli, Presidenti Roosvelt

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT