• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2017

UÇK-ja dhe «fondamentalizmi islamik»

August 12, 2017 by dgreca

Nga Bardhyl MAHAMUTI/

1-bardhyl_mahmuti_interviste

Mediet e kontrolluara nga pushteti politik i Beogradit aktualizuan temën e konstruktuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë për gjoja lidhjen e personaliteteve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me organizatat terroiriste islamike. Kësaj radhe në shënjestër të akuzave serbe ishte Daut Haradinaj. E shoh të arsyeshme ta botoj si shkrim të veçantë këtë temë, të cilën e kam trajtuar në librin tim, për të nxjerrur në shesh domosdoshmërinë e zhveshjes së kësaj propagande politike dhe mediatike që fatkeqësisht mund të ketë ndikim te njerëzit që nuk e dinë se çka ka ndodhur në Kosovë para dy dekadash.

Lus mediet që e shohin të rëndësishme zhveshjen e kësaj propagande me fakte të pakontestueshme ta publikojnë këtë shkrim.

* * *

Misionet diplomatike të Jugosllavisë kishin shpërndarë në të gjitha vendet me peshë në skenën politike ndërkombëtare mate­rialin e përgatitur nga shërbimet sekrete të Serbisë, nëpërmjet të cilit “informonin” se “më tepër se 1000 mercenarë të huaj nga Shqi­përia, Arabia Saudite, nga Jemeni, nga Afganistani, nga Bosnja e Hercegovina dhe nga Kroacia ishin të angazhuar në radhët UÇK-së.” (“Vlada Srbije: Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovu i Metohiji”, Beograd, shtator 2003; botimi në versionin serb f.9, në versionin në gjuhën frënge, f.207 dhe në versionin në gjuhën angleze, f.199)

Për ta “shitur” më lehtë stigmatizimin e luftës çlirimtare të Kosovës si të ishte një luftë fetare, autorët e “librave të bardhë” shpërndanë gënjeshtrën se gjoja “në Konferencën e 18-të Islamike, të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad” dhe të gjitha vendet myslimane ishin ftuar për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane! (…) Në përputhje me këtë thirrje një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera iu përgjigjën thirrjes dhe u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së.” (Vepra e cituar më lartë, botimi në versionin serb f. 41, botimi në versionin në gjuhën angleze f. 36)

Përmes kësaj gënjeshtre synohej të manipulohej ajo kategori e njerëzve që kishin frikë nga fondamentalizmi islamik dhe nuk kishin njohuri për zhvillimet reale. Në të njëjtën kohë, kjo gënjeshtër u shërbente politikanëve të llojit të Jean-Marie Le Pen-it që “frikësonin” evropianët me rrezikun që u kanosej të islami­zoheshin nga Kosova e pavarur, apo gazetarëve dhe publicistëve që kërkonin të stigmatizonin mbështetjen që i jepej luftës çlirimtare të Kosovës sikur të ishte luftë me konotacion fetar.

Të vetëdijshëm se realiteti ishte krejtësisht ndryshe, sajuesit e kësaj gënjeshtre shpresonin se informatat nuk do të verifi­koheshin. Të gjithë atyre që u ka interesuar e vërteta për pohime të tilla, kanë pasur mundësi të vërtetojnë se Konferenca e 18 Islamike nuk u mbajt në Pakistan, siç pretendohej në këtë «Libër të Bardhë», por në Arabinë Saudite dhe në datat 13-16 mars 1989 [La dix-huitième conférence islamique des ministres des affaires étrangères Riyadh, Royaume Diarabie Saoudite, 6 au 9 Cha’abane 1409-H, (13-16 mars 1989) http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/18/18%20icfm-main.htm]. Pra, dhjetë vjet para Luftës së Kosovës! Madje, jo vetëm lufta e Kosovës që nuk ka mundur të përmendet dhjetë vjet para se të fillojë por, në këtë Konferencë Kosova nuk është përmendur fare.

Sa i përket Pakistanit, në këtë shtet është mbajtur Kon­fe­renca e 21-të Islamike nga 25-29 prilli 1993. [La vingt-et unième conférence islamique des ministres des affaires étrangères (Session de l’unité et de la coopération islamiques pour la paix, la justice et le progrès Karachi, République islamique du Pakistan 4-8 Zul-Oaada 1413 ( 25-29 avril 1993)].

Pra, edhe Konferenca islamike në Pakistan është mbajtur para shpërthimit të luftës në Kosovë dhe rrjedhimisht nuk kishte mundësi që të kualifikohej si “xhihad” një luftë që ende nuk kishte filluar. Gjatë Konferencës islamike të mbajtur në Pakistan në vitin 1993, në kuadër të rezolutës 7/21-P, kushtuar situatës në Bosnje e Hercegovinë, në pikën 28 të saj, përmendet edhe Kosova. Përmes kësaj rezolute “kërkohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes, tani më të tendosur, në Kosovë, në Vojvodinë, në Sanxhak dhe në Repu­blikën e Maqedonisë.” (Rapport et résolution sur les affaires politiques, les minorités musulmanes, les questions juridiques, et de l’information adoptés par la vingt-et unième conférence islamique des ministres des affaires étrangères. Shih : http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/21/21%20icfm-political-fr.htm )

Siç shihet qartazi, qëndrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk dallojnë aspak nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit i OKB-së. Përkundrazi, janë më pak të ashpra se qëndrimet e shprehura përmes rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Ndërsa në vitin 1998, në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, Konferenca Islamike mbajti mbledhjen e radhës në Katar. Gjatë sesionit të 25 të kësaj organizate u miratua rezoluta 19/25-P që kishte të bënte me situatën në Kosovë (Session Du Conseil Des Ministres Des Affaires Etrangères des Etats membres de l’OCI, 15-17 mars 1998. Shih :http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/25/Resolutions25-P.htm#19).

Kjo rezolutë nuk përmbante asnjë cilësim të luftës së Kosovës si “xhihad” apo “thirrje drejtuar vendeve myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane”, siç gënjente propaganda serbe.

Propaganda për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam dhe për gjoja “instruktorë të fonda­mentalizmit islamik, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetje të gjerë, siç kishin shpresuar udhëheqësit e pro­pagandës së regjimit të Beogradit. Përveç disa artikujve në gazeta, të cituara në librin tim, ku shihej ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” kishin dështuar. Zhgënjimin e autori­teteve serbe për këtë dështim e shprehu publikisht ministri i Informacionit të Republikës së Serbisë, Goran Matić-i. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Međunarodna politika” ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fondamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa, kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugo­sllavisë ata cilësohen si luftëtarë të drejtësisë.” (Radio Jugoslavija, «Double standard?», 29.08.1998. Shih :http://www.srpska-mreza.com/Kosovo/atrocities/Klecka-2.html).

Dështimi i propagandës për “instruktorë fondamentalistë islamikë që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” dhe sidomos qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare kundër dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake serbe e tërbuan pushtetin e Beogradit.

Ky tërbim mori përmasat e një histerie, veçanërisht pas denoncimit që William Walker-i i bëri vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Kualifikimi i Walker-it se ajo që kishte ndodhur në këtë fshat “ishte krim kundër njerëzimit” dhe se “ata që kishin dhënë urdhër për këtë krim duhej të jepnin llogari para drejtësisë” bëri që “instruktorët e fondamentalizmit islamik që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” të harroheshin përkohësisht nga propaganda e Beogradit. Ata u “zëvendësuan” me “instruktorë ose specialistë me mbiemra amerikanë ose anglezë që kishin ardhur të stërvitnin ushtarët e UÇK-së…”. Sipas qëndrimit të ri propagandistik të regjimit serb, “ekspertët që stërvitnin ushtarët e UÇK-së kanë mundur të jenë instruktorë të Walker-it ose mercenarë të shërbi­meve dhe të organizatave të tjera anglo-amerikane.” (Večernje novosti, artikulli i cituar, «SLUČAJ RAČAK PET GODINA POSLE …».  shih:

http://www.novosti.rs/vesti/naslovna/aktuelno.69.html:154641-SLU268AJ-RA268AK-PET-GODINA-POSLE-INSCENIRANOG-MASAKRA–Laz-u-sluzbi-tomahavka—4

Në Kapitullin e tretë të librit tim është trajtuar hollësisht manipulimi me gjoja “zbulimin e listës së 126 terroristëve” të brigadës që kishte Shtabi i UÇK-së në Reçak).

Ata që kanë lexuar librin tim u kujtohet zhurma që bënë patologët e ekipit mjekoligjor serb për gjoja “zbulimin” se “tri kufomat e paidenti­fikuara në Reçak kishin shenja në trupat e tyre që dëshmonin se nuk kanë qenë myslimanë ose pjesëtarë të popujve që bëhen synet pas lindjes.” (RTV Serbisë, dokumentari « Kosovo : Račak Laži i istine ». Shih:  https://www.youtube.com/watch?v=eS7scYW6el4).

E tërë puna e “synetit” sillej rreth strategjisë që “komploti antiserb” t’u atribuohej “shërbimeve të huaja sekrete” të shteteve perëndimore.

Krahas stigmatizimit të shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike, si të implikuar në “përgatitjen e terroristëve shqiptarë”, nuk mungojnë autorët që implikojnë edhe shërbimin sekret francez [Pierre Péan, Kosovo: une guerre “juste” pour un Etat mafieux, (Një luftë e “drejtë” për një shtet mafioz)f.121-141] dhe atë gjerman [Réseau Voltaire, «L’UÇK, une armée kosovare sous encadrement allemand» (UÇK-ja – Ushtria kosovare nën drejtimin gjerman) http://www.voltairenet.org/article615.html ] në lidhjet me UÇK-në.Për ta kompletuar akuzën se gjoja “komploti kundër Serbisë vjen nga jashtë”, shteti serb denoncoi edhe “tolerancën” e shteteve të demokracive perëndimore në raport me “terroristët shqiptarë”. Këto akuza u drejtuan në veçanti kundër “tolerancës” së auto­ri­te­teve gjermane dhe zvicerane. Sipas «Librit të bardhë» “autoritetet gjermane ia kishin lënë UÇK-së kazermat e braktisura të NATO-s (në Hanover, në Nüremberg, në Bon dhe në Frankfurt) dhe qindra kampe të azilkërkuesve, ndërsa autoritetet e Zvicrës, i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së.” (Libri i cituar “Vlada Srbije: Albanski terorizam …” botimi në gjuhën frënge f. 209, botimi në gjuhën angleze f.204, ndërsa versioni elektronik në gjuhën serbe, f.9).

Me një fjalë, sipas propagandës serbe, shumë shtete perëndimore ishin mobilizuar në komplotin kundër Serbisë!Përkundër asaj se pas krimeve në fshatin Reçak “instruktorët anglo-­amerikanë” dolën në rrafshin e parë propagandistik të re­gji­mit të Milosheviqit, ndërrimi i “instruktorëve islamikë fonda­men­talistë” me “instruktorët anglo-amerikanë” nuk e hoqi tërësisht propagandën serbe që synonte përafrimin e UÇK-së me grupet terroriste islamike. Në të gjitha ribotimet e mëvonshme të “librave të bardhë” ky stigmatizim mundohet të mbahet gjallë duke u ilustruar me “argumente të reja”.

Duke shpresuar se konteksti i ri ndërkombëtar, i krijuar pas atentateve të 11 shtatorit 2001, ishte i favorshëm për të shpërndarë propagandën e moçme të “lidhjeve” të UÇK-së me ideologjinë “fondamentaliste islamike”, propaganda e pushtetit të “ri” të Beogradit aktivizoi arsenalin e vjetër propagandistik. Në botimin e vitit 2003 të “Librit të bardhë” u përsërit deklarata e Milosheviqit në fjalën hyrëse të procesin gjyqësor kundër tij se gjoja “në vitin 1995 Osama Bin Laden-i kishte qëndruar në Shqipëri, si mysafir i presidentit të atëhershëm, Sali Berishës.” (Fondi për të Drejtën Humanitare, Beograd, Serbi, Procesi kundër Slobodan Milosheviqit, Traskriptet e seancave:

Fjala hyrëse e të akuzuarit Slobodan Milosheviqit, 15 shkurt 2002).

Shërbimet sekrete serbe shpërndanë “informatën” se gjoja “në atë kohë janë formuar bazat për mbështetje logjistike dhe për përkrahje financiare të organizatës Al Kaeda dhe celulat e saj në Kosovë dhe në Metohi.” (Libri i cituar “Vlada Srbije: Albanski terorizam …” f.40). Sipas kësaj propagande, përveç Bin Ladenit “në atë takim kanë qenë të pranishëm edhe Muhamet Al-Zawahiri, vëllai i ideologut të Al Kaedas, Ajman Al-Zawahiri-t, ndërsa nga pala shqiptare, përpos presidentit Berisha, të prani­shëm ishin edhe Bashkim Gazideda, ish-shef i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj…” (Po aty)

Shpërndarja e kësaj dezinformate synonte pezmatimin e opinionit publik perëndimor e në veçanti opinionin amerikan që kishte mbështetur luftën kundër regjimit të Milošević-it. Gënjeshtra se Osama Bin Laden-i kishte qëndruar në Kosovë dhe se gjoja kishte krijuar bazat e Al Kaedas në këtë pjesë të Evropës ishte gënjeshtra më skandaloze që trilloi Shërbimi Sekret Serb. Fatkeqësisht, edhe pse shumica e autorëve që e përmendin këtë “informatë” theksojnë se është “e pabesueshme që Bin Laden-i të ketë qëndruar në Shqipëri” (shoh referencat në librin tim), kjo “informatë” gjeti një vend të konsiderueshëm në mediat dhe në veprat e autorëve të ndryshëm perëndimorë. Dhe si e tillë, ajo paraqet një mundësi për vazhdimin e manipulimeve me lexuesit e painformuar.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Terrorizmi Islamik, uck

Të dehurit e mahallës ballkanike ?!

August 12, 2017 by dgreca

1 skender MulliqiNga Skënder MULLIQI/
Thonë së budallenjët mburrën më atë që të menqurit turpërohen.Dhe, ajo më çka po lavdërohen dhe mburren kjo elitë politike në pushtet, e cila ia ka falë dreqit  , e vërteton edhe  këtë thënje të popullit.Ju  zonja dhe zotëri në pushtet, mos jeni aq shumë  të” menqur” sa po mendoni së ne qytetarët jemi budallë ?!Qeveritë e deri tashme na  proklamuan dhe po na proklamojnë në media dhe rrjete sociale më mburrje, së Kosova ka bërë të arritura të larta , në këtë kontekst edhe kur bëhët fjalë gjoja  për shkallën e ulët të atyre të cilët po kërkojnë një vend të  punës.Po e rreni dhe po e manipuloni opinionin gjithë ditën më të dhëna sipas deshirës tuaj duke e shtrembëruar realitetin .Sigurisht së kemi edhe “ulje” të shkallës të atyre të cilët po kërkojnë punë së çdo ditë po zbrazët Kosova.   Po të kishit hapur vende të reja të punës  sigurisht së shumë më pak do të ishte bërë fjalë për këtë temë.E dini ju zotëri pushtetarë , së shumë kush edhe unë e dojmë këtë vend  dhe nuk do të dëshironim në asnjë mënyre të flasim pa argumente .Nese e shetisim Kosovën mund të shohim gjithnjë e më shumë qytete dhe katunde  të cilat po zbrazën , fusha të pa punuara …Kjo është e dhembshme .Ju zotëri atje lartë që jeni ngjitur në pushtet, ju po voziteni më vetura të shtetit shumë të kushtueshme , dhe kur po doni edhe po fluturoni jashtë vendit më aeroplanë po ashtu të klasit të parë?Rinia jonë po largohen ku tu shohin syte  për një jetë më të mirë …Në shumë vende po shohim vëtem njerëz të vjetër të ulur para shtëpive duke shikuar rrugën… A keni zbritur ndonjë herë ju pushtetarë në vende të ndryshme të Kosovës për të pa nga afër së si po jeton njeriu ynë ? Nuk po zbrisni së vetja po ju duket Zot mbi këtë tokë.Nuk e shkelni këmbë Kosovën e varfër së nuk keni dëshirë të pluhëroseni, nuk keni dëshirë dhe nuk ua don syri të shikoni gjera të keqija. Jeni mësuar të jetoni në stilin e lartë e deri dje nuk keni pasur brekë në b.. Kosova po zhbehet .Po largohen nga ky vend të cilën e keni shëndrruar sikur të ishte shkretinë.. . Si nuk keni pakë  moral politikë  të na folni për statistika , të na mbani nasihat së Kosova po përparon, së edhe shumë pak kohë ka mbetur kur  do të bëhëmi pjesë e Evropës së Bashkuar , e jemi vendi i vëtem i izoluar si në geto për fajin Tuaj…Çdo ditë e më shumë njerëzit po largohen më autobusa , trena,vetura të ndryshme më lotë në sy për në Gjermani e shumë vende tjera  të botës Perëndimore.Po i shesin pronat e baballarëve , gjysherëve të tyre siq thuhet për një grusht grosh .A nuk ka gjë më e dhembshme dhe tragjike së ta mbyllesh shtëpinë më dry. E ju, zotëri dhe zonja  në pushtet nuk po ju intereson dhe nuk po e shihni ekzodin më të madh ndoshta në historinë  e shqiptarëve të Kosovës, duke mos  llogaritur këtu edhe shumë qka tjetër…Po dukeni si një turmë e  të dehurëve  te mahallës së ndotur  ballkanike. Ju po flisni vetem sipa dëshirës tuaj duke e shtremberuar realitetin e hidhur të jetës së keqe të shumicës në Kosovë. E vërteta është një , dhe nuk bahët tjetër.Kosova jo vëtem që ka banorë shumë më pak , por shumë më pak është duke mbetur fuqi punëtore .Duket ashiqare së nuk keni  shumë dije në politikë, së jeni mw shumë  lakmitarë te të mirave materjale , së nuk punoni asgjë .Po proklamoni parrulla të rreme së jeni duke punuar ndershem dhe pa hile për Kosovën.Me rroba kat, këpucë të zeza të lustrueme dhe më bluza  të bardha po na flisni neper televizone  dhe gazeta  për fitore  të pa qena.Nga Kosova po largohen , jo më nga okupatori serb, por nga “okupimi” juaj ekonomik dhe social.Do të duhet të kishit dijeni politike ,  mos të ishit lakmitarë për poste e për të mira matetrjale,  do të kishit pasur mundësi për ta udhëhequr Kosovën. Jo , ju keni vëtem shkëlqim të rrem ,ju nuk kuptoni gjë nga shtetndërtimi dhe mirëqenja , ju po lavdëroheni më atë që duhet të turperoheni…

Filed Under: Analiza Tagged With: e mahallës ballkanike ?!, Skender Mulliqi, Të dehurit

Hasan Prishtina, uragan i çështjes shqiptare

August 12, 2017 by dgreca

 

1344848110-hasan_prishtina

Ne Foto:Heroi i Kombit Shqiptar, Hasan Prishtina/

Shkruan : Jahja LLuka/

Kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve  të Shpërgulur nga Trojet e Veta/

Me rastin e 84 vjetorit të vrasjes së patriotit e atdhetarit të madh shqiptar Hasan Prishtina I ndershëm, burrë i ditur e i zgjuar, njeri që e shkriu jetën për të mbjell farën e diturisë, me zemër të përvëluar për kombin, atdhetar i spikatur dhe mbrojtës i lirisë, atdhetari që dha gjithçka për pengimin e projekteve sllave për shprënguljen e shqiptarëve nga trojet etnike, deputet në Parlamentin Osman, poltikan e burrështetas, janë vetëm disa nga epitetet që i gëzonte patrioti i madh shqiptar Hasan Prishtina në shtypin shqiptar të kohës. Mëmëdhetari i shquar, siq e quante gazeta “Bashkimi i Kombit” që botohej në Manastir, me prejardhje të familjes nga Polaci i Drenicës, cilësohet si një ndër figurat më pozitive historike shqiptare. Trim, i ndershëm, që “ka marrë burrërisht Flamurin në dorë….”, që “besnikërinë dhe dashurinë për atdhe e ka provuar jo me fjalë, por me vepra dhe sakrifica…”, “ i cili trimërisht i mbronte të drejtat shqiptare në Parlament të Turqisë…, një nga më të mëdhenjtë atdhetar…”, dhe mjaft vlerësime të tjera që rrallëher i bëheshin dikujt tjetër. Çështjen shqiptare Hasan Prishtina e kishte marrë si qështje jetësore, ai nuk kishte dhe nuk bënte asnjë kompromis në këtë pikë. Padyshim që ishte njëri ndër zërat më aktiv në Parlamentin e madh Osman në mbrotje të qështjes shqiptare, për respektimin e të drejtave sovrane të kombit dhe trojeve etnike shqiptare, për shkollimin dhe arsimimin e popullsisë shqiptare, për shtetin shqiptar, ai përdorte diplomacinë dhe mjetet diplomatike, por edhe këto kishin kufirin e tyre, prandaj Hasan Prishtinën e gjeje edhe në qetat e kryengritjeve të mëdha anti osmane për lirinë e kombit, bashkë me Isa Boletinin e luftëtar tjerë shqiptar. Hasan Prishtina si deputet në Parlamentin Turk, e shtjelloi çështjen e shqiptare duke sugjeruar që jeta të ndërtohet mbi themelet e ligjeve, që gjuha shqipe të përdoret në sistemin shkollor deri në arsimin e mesëm, që nëpunësit e administratës të dinë gjuhën shqipe, që të ketë falje për ata që do të jenë në opozitë etj. etj. Ai thoshte se natyra e fuqisë dhe disiplinës qëndronte në cilësitë e intelektit shqiptar. “Jam i bindur sot që shqiptarët përbëjnë popullin më të zgjuar të Ballkanit. Munden me meritue një të ardhme të shkëlqyeshme!”. Duke e parë se diplomacia me qeverinë osmane ishte e kotë, Hasan Prishtina iu bashkua kryengritjes së madhe mbarëpopullore për çlirimin e trojeve shqiptare. Një moment historik e i kthesës së madhe. Kjo luftë zhvillohej për t’i dhënë fund sundimit barbar të Turqve të Rinj, të cilët po kryenin shumë mizorira në kurriz të popullit tonë. Kjo është një luftë mbarëpopullore sepse edhe kishte të bënte me një problem mjaft të rëndësishëm mbarëkombëtar, prandaj edhe pati përkrahjen aktive të patriotëve të tjerë shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare. Si mbrojtës i lirisë së kombit, Hasan Prishtina gjithnjë shprehej pa rezerva dhe pa nënkuptime. Për këtë çështje ai është krejt i qartë në formulime dhe transparent në veprime duke u shprehur se, nëse edhe xhonturqit nuk do të ndërrojnë qëndrimet politike kundrejt Çështjes Shqiptare, nëse shqiptarëve nuk do t’u garantohen të drejtat e tyre politike, atëherë do të ndodhin ngjarje të përgjakshme dhe të hidhëta. Pas fitores së madhe të Shpalljes së Pavarësisë, 28 nëntor 1912, në plan të parë doli çështja e mbrojtjes së tërësisë territoriale nga synimet shoviniste të fqinjëve veriorë, lindorë e jugorë. Në këto kushte atdhetari i pamposhtur arrin në pamëdyshje në përfundimin: “… jemi detyruar të luftojmë të dëshpëruar kundër armiqve tanë për të mbrojtur të drejtat më legjitime të vendit tonë dhe vatrat tona”. Një nga shtyllat kryesore që formon personalitetin e plotë të Hasan Prishtinës është edhe kuptimi që ka si dhe qëndrimi që mban kundrejt problemit të gjuhës shqipe e të arsimit shqip. Ai me të drejtë ruan mendimin se, gjuha është një nga elementët kryesorë të një kombi, prandaj edhe e trajton këtë çështje jo vetëm me forcën e logjikës por edhe me vrullin e atdhetarit e patriotit duke dhënë edhe shembuj konkret në të mirë të kësaj kauze. Hasan Prishtina ishte pjesëmarrës aktiv dhe autoritar në Kongresin e Manastirit më 1909, që u mbajt për përcaktimin e alfabetit shqip. Këmbënguli që të vendoset Alfabetit shqip. Në përgjithësi ai gjykonte se dituria e poshtëron padijen, se ajo është një tregues i qytetërimit të një kombi, por edhe kusht për zhvillimin e tij. Hasan Prishina dëshironte një arsim masiv, prandaj një nga kërkesat e tij dhe të bashkëshokëve të vet të përhershëm ka qenë që, gjuha të mësohet deri në nivelin e shkollës së mesme. Vetë jep shembullin duke mbuluar shpenzimet për arsimimin e 50 të rinjve kosovarë në Shkollën Normale të Elbasanit, ashtu si tregohet fisnik e human kur pohon që, të ardhurat nga botimi i një libri për Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912, do t’i përdorte për arsimimin e fëmijëve jetimë të Kosovës, të Dibrës e të Çamërisë që gjenden në Shqipëri. Shum herë ka dhënë të holla për zhvillimin e arsimit shqip duke e konsideruar atë si faktor “… për përparim të diturisë në Shqipëri…”, dhe kërkonte me këmbëngulje që në Kosovë të dërgohen mësues për të përhapur mësimin shqip duke iu kundërvënë kështu intrigave, që thureshin kundër gjuhës së bukur shqipe. Hasan Prishtina mbetet një atdhetar i spikatur; se ai, si rrallëkush dallohet si mbrojtës i zjarrtë i lirisë, tërësisë territoriale dhe arsimit e gjuhës shqipe. Atdhetari Hasan Prishtina, me tërë qenien e tij propagandonte dhe punonte kundër shprënguljes së shqiptarëve nga territoret e tyre të pushtuara, ai e dinte mirë se shprëngulja e shqiptarëve do të thoshte humbje e territoreve, prandaj pavarësisht dhunës së shfrenuar të pushtuesve ai bënte thirrje pa nda për qëndrim të popullatës shqiptare në trojet e veta stërgjyshore. “Dy duar për kokën, koka për atdheun” thoshte Hasan Prishtina, duke e qartësuar në këtë formë që atdheu, vendlindja jam mbi gjithçka. Kjo thënie në ditët e sotme ka një domethënie të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh ikjen e rinisë shqiptare, shprënguljen nga atdheu, kjo na jep të kuptojn atë që duhet, dashurinë dhe sakrificën që duhët të bëjmë për atdheun. Hasan Prishtina kishte parime të larta morale duke shprehur thelbin e formimit shpirtëror e moral të popullit shqiptar. Ishte i tillë, mbeti i tillë dhe emri e vepra e tij do të ngelen të tilla deri në fund të kohës. Duke çmuar veprën e madhe të Hasan Prishtinës, shumë shkolla e institucione sot mbartin emrin e tij, në respekt të atdhedashurisë, punës e kontributit të këtij vigani kombëtar, në fillim të viteve 1990, në Polac të Drenicës, u krijua edhe Lëvizja “Hasan Prishtina” e cila si synim kishte parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga dhuna e shfrenuar e sistematike e pushtuesve serb në vitet e 90. Kurse për merita të veqanta në pengimin e pastrimit etnik të Kosovës dhe krijimin e kushteve për kthim, kjo shoqatë që nga 1997 ka themelur edhe çmimin “Hasan Prishtina” , çmim ky që ju është ndarë personaliteteve të spikatura me motivacione kryesisht për mbrojtjen e të drejtave shqiptare siq janë Familja Jashari, Familja Haradinaj, Nënës Shqiptare ( një nëne që ka lindur 16 fëmijë dhe i ka rritur të gjithë në Kosovë), pastaj ish sekretares Madeline Albright, Gjeneralit amerikan Wesley Clark, politikanit amerikan Franck Uisner, Sekretares Clinton, Kombetares Shqiptare të Futbollit e personaliteteve tjera me ndikim të cilët ndihmuan ndihmuan qështjen shqiptare.

Filed Under: Histori Tagged With: Hasan Prishtina, Jahja Lluka, uragan i çështjes shqiptare

MALL QË RRJEDH SI UJVARË

August 12, 2017 by dgreca

2Libri Janit

-Shënime për vellimin e fundit poetik të Jani Plasës/

2 Jani2

Ne Foto :Jani Plasa, autori i librit  ”Ujvarë malli”/

Nga Fuat Memelli/

Një dhuratë tjetër për lexuesit  e poezisë, ka bërë kohët e fundit, shkrimtari e poeti Jani Plasa. Është një vëllim poetik ku nëpër vargje rrjedh mall emigranti, ndaj edhe vëllimin autori e ka titulluar”Ujvarë malli”. Ky është botimi i pestë i tij, pas dy romaneve, një vëllimi me tregime si dhe një me poezi. ‘Ujvara e mallit” numuron në faqet e saj 100 poezi, të ndara në kapituj sipas tematikës që përmbajnë. Unë kisha lexuar edhe poezitë e vëllimit të mëparshëm , të cilat më kishin pëlqyer mjaft, por këto të këtij vëllimi më “ngjitën” edhe më shumë. Më “ngjitën” dhe, siç e kam zakon kur lexoj një libër, nënvizoj pjesët që më pëlqejnë. Kur mbarova së lexuari, pashë se pjeset e shënuara ishin të shumta. Mbresat që përjetova, më nxitën edhe të shkruaj këto rradhë.

Libri nuk ka parathënie, siç ndodh në shumë botime. Në vend të saj ka poezinë ”Parathënie” ku ndër të tjera poeti thekson:”Lapsin e mpreha në grijën e ashpër të jetës/ me të rrëmiha kopshtin e bardhë të letrës/ në lehe vargjesh/ fara mendimesh e ndjenjash mbolla”….

Siç theksohet edhe në titullin e librit, shumë poezi kanë “mbirë” prej mallit, janë “ushqyer” e janë “rritur” prej tij. Poeti Jani Plasa, ka shkruar poezi vite më parë, qysh kur ishte mësues në fshatrat e Korçës, etj, por numuri i tyre është shtuar në këto 18 vite të emigracionit që jeton në Quincy të Amerikës, qytet afër Bostonit. Kështu ka ndodhur me shumë poetë të tjerë, pasi poezia lind nga brenga, nga malli për njerzit e dashur, malli për atdheun, për vendlindjen, për natyrën, për … Poezitë me temën e mallit, që janë ndër më të bukurat, autori i ka mbledhur në ciklin “Kam dy zemra”, të cilën njërën e ka lënë në Shqipëri dhe tjetrën e ka me vete këtu në Amerikë. Siç thotë Volteri:”Atdheu është vendi ku robërohet shpirti”.Malli për atdheun, për Korçën e tij, për shokët dhe miqtë, për shtëpinë e braktisur, e kanë kapur “rob” dhe nuk e lëshojnë. Por, megjithatë, ai e gjen një zgjidhje: ”plagët i mjekon me kujtime/ i lidh me ylbere dashurish”.

Gjurmë të pashlyera në krijimet e tij poetike, kanë lënë vitet e punës  si mësues i gjuhës dhe letërsisë. Krijimet me këtë tematikë, janë mbledhur në ciklin”Ditari i mësuesit”. Aty në fshatin e largët të rrethit të Korçës “tulatur në gjirin e malit/ ku drita humbet rrugën”, autori ka qëndisur plot vargje të bukur. Aty “ me zjarrin e dijes e ngrohim klasën e ftohtë/në shkollën e ndërtuar me plitharë e gurë/ ndërtesë e vogël kapur me thonj pas shpatit”.. Shumë poezi me këtë tematikë, janë shkruar në regjimin e kaluar dhe për hijen e trishtimit që i mbulonte, siç thotë autori, ishin të mbyllyura në “kuvli”, ndërsa tani në qiellin e demokracisë, i ka lëshuar të fluturojnë si zogj. Një nga poezitë e bukura të këtij cikli, është ajo me titull:”Djali i kulakut”: Si t’ja gremis trishtimin/ nxënësit tim të zellshëm e të mirë/ djalit të kulakut që vjen në shkollë që pa gdhirë?”Ai “asnjëherë nuk qesh/ asnjëherë nuk qan/Çfarë bluan?/ çfarë përtyp?/Çfarë tjetër veç dëshpërimit”. Kjo poezi, është një aktakuzë për regjimin e kaluar që me luftën e klasave, dënonte edhe fëmijët, siç ishte edhe ky nxënës “i dënuar nga urrejtja me heshta”. Gjëndjen e tij e vuan edhe mësuesi- poet, prandaj nuk mund t’i flasë për “lumturi”.

Një “stacion “ tjetër ku ndalet autori, është ai i shtëpisë ku është lindur e rritur, i nënës e vëllajt që kanë ndruar jetë. Pikat e lotëve që pikojnë për nënën dhe vëllanë ,janë “përrenj  dëshpërimi” dhe ia grryejnë shpirtin, por poeti i fshin lotët me dhimbjen e tij. Shtëpia tashmë e braktisur, është “tkurur prej heshtjes” dhe ai bën para saj “fotografinë e braktisjes”. Mijra shtëpi shqiptare u braktisën këto 25 vjet nga migrimi dhe emigrimi. Ato janë plagë të hapura në shpirtrat e të zotërve.

Kujtimet e dashurisë së parë, buisin në një cikël tjetër, të cilin autori duke përdorur dialektin e Korçës, e ka titulluar “Zoçka e dashurisë së parë”. Megjithëse poeti i ka kaluar të 70-at, dashuria, ky motiv i përjetshëm poetik, zbret edhe në “livadhin poetk” të Janit , sepse “një zoçkë e tulatur fle në zemrën e tyre dhe “ i fshin lotët me një pendë krahu”. Në pak vargje, flet shumë poezia”Letra e vonuar”. Dhe kjo ka një arsye:”duke e mbajtur në gji”. Poeti ”ka falur dhe ka marrë një qiell me dashuri”.

Motive të tjera me mesazhe për paqen dhe dashurinë mes njerëzve, kundër egos, smirës, kundër njerëzve me dy fytyra, përcillen në ciklet e tjera të poezive. Poeti “godet” me vargje njeriun hipokrit, pasi ”në fjalët e tij me një cipëz sheqeri/ lëvrin smira dhe vreri”. Ai “qëllon” me “armën” e poezive edhe politikën shqiptare, të cilën e quan “një mushkë me huqe”. Shpirti i tij delikat, si i gjithë poetëve, preket nga gjaku që derdhet nëpër botë si dhe për refugjatët e ikur nga lufta e varfëria që “dremitin mbi gjemba/ dhe jastëkë prej gurësh”.

Ja, për vlerat e “Ujvarë së mallit” për të cilat fola më lart, por që ka edhe të tjera, bëra mjaft nënvizime, njëkohësisht iu riktheva për ta lexuar. Ky është “magneti” i artit: të të bëjë për vete e mos të lëshojë, njëkohësisht edhe  të të shtier në mendime…

Filed Under: LETERSI Tagged With: autor i librit, Jani Plasa, Ujvare malli

FITORJA E PARE E BALLIST MORINES

August 11, 2017 by dgreca

Pengohet ekstradimi i Ballist Morinës, Gjykata e Lartë e Zagrebit e kthen çështjen mbrapsht/

1 Ballisti

Pengohet ekstradimi i Ballist Morinës, pasi Gjykata e Lartë e Zagrebit ka vendosur ta kthejë çështjen mbrapsht në Gjykatën e Shkallës së Parë.Shtetasi i Shqipërisë, Ismajl Morina i njohur në opinion me nofkën “Ballisti”, për të cilin Serbia ka kërkuar ekstradimin nga Kroacia, për shkak të dronit me flamur në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd në vitin 2014, përveç ankesës së dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kroacisë, ka kërkuar azil politik në këtë vend. Azilin politik, Morina e ka kërkuar për shkak të frikës që në rast të ekstradimit në Serbi, nuk do të kishte gjykim të drejtë. Lidhur me këtë rast, në Kroaci flitet vetëm në rrafshin e gjyqësorit dhe jo në atë politik.

Darko Butigan, avokat nga Dubrovniku, i cili e përfaqëson shtetasin e Shqipërisë, Ismajl Morina, duke folur për Radion Evropa e Lirë disa ditë më parë, ka sqaruar se mbi çka bazohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kroacisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Qarkut të Dubrovnikut për ekstradimin e Morinës në Serbi. Sipas tij, Morina nuk ka bërë vepër penale, për të cilën ngarkohet.

“Republika e Serbisë kërkon ekstradimin e Ismail Morinës për veprën penale nga neni 317, alineja 3 , i Ligjit Penal, për vepër penale të nxitjes urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, si dhe mostolerancës. Gjatë gjithë procedurës, ne themi se flamuri i caktuar i cili ka rënë mbi atë stadium nuk përmban kurrfarë elementesh të thirrjes për urrejtje nacionale, racore ose çfarëdo urrejtje tjetër ndërmjet popujve”, tha avokati Butigan.

Ai gjithashtu ka sqaruar se bëhet fjalë për flamurin me fotografitë e dy baballarëve të kombit shqiptar – Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit – të cilët në konferencën e Londrës në vitin 1913, kanë kërkuar që Shqipëria të jetë në kufijtë, të cilët kanë figuruar në atë flamur.

“Kjo është e gjitha për të cilën flet ai flamur. Ndërkaq, pas ndeshjes në Serbi, nuk ka pasur kurrfarë përshkallëzimi të dhunës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve,dhe me këtë nuk është nxitur kurrfarë urrejtje nacionale ndërmjet popujve. Incidenti i cili ka ndodhur në ndeshje, në tërësi bie mbi përgjegjësinë e Policisë, gjegjësisht mbi organizatorin e vet ndeshjes. Është përgjegjësi e tyre që tifozët kanë depërtuar në fushën e futbollit, aty ku nuk e kanë vendin”, tha Butigan.

Ai ka thënë se në ankesë është vënë në dukje që Morinës në Serbi do t’i rrezikohej e drejta për gjykim të drejtë. Ankesa, sipas tij është krejtësisht e bazuar në fakte konkrete, të cilat tash për tash nuk do t’i bëj publike, përderisa procedurat janë në zhvillim e sipër.

Avokati Butigan ka theksuar që si mundësi e mbrojtjes shtesë për të mos u ekstraduar në Serbi, Morina ka kërkuar azil në Kroaci, me shpjegimin që për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare, në Serbi nuk do të kishte gjykim të drejtë. Procedura për miratimin e mbrojtjes ndërkombëtare në Kroaci zgjatë 6 deri në 10 muaj.

Në rast se Gjykata Supreme e Kroacisë, refuzon ankesën e tyre, Butigan ka theksuar se do të ankohet edhe më tej.

“Absolutisht, do të shkojmë tutje në Gjykatën Kushtetuese e madje, nëse do të jetë e nevojshme, deri në Strasburg, sepse bëhet fjalë për shkelje të të drejtave themelore dhe lirisë së njeriut”, tha Butigan.

Në Gjykatën Supreme të Republikës së Kroacisë ende nuk e kanë pranuar rastin. Siç është konfirmuar zyrtarisht, gjykata do të vendosë me procedurë urgjente, por që edhe kjo do të zgjasë. Buitigan vlerëson se kjo mund të zgjasë deri në 2 muaj.

Avokati Branko Sheriq, nga Zagrebi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i mundshëm i Gjykatës Supreme, me të cilën konfirmohet ekstradimi, bëhet i plotfuqishëm në momentin kur edhe merret ai vendim. Por, sipas tij, është e mundur që Gjykata Supreme të anulojë vendimin për ekstradim nga gjykata më e ulët dhe rastin ta kthejë më Dubrovnik për një vendim të sërishëm. Në rast se përsëri vendimi do të jetë për ekstradim, hapi i ardhshëm i avokatit të Morinës, do të ishte Gjykata Kushtetuese.

“Pas kësaj, personi që kërkohet për ekstradim, në qoftë se nuk është në procedurën e kontrollit për azil, mund të paraqesë padi në Gjykatën Kushtetuese, në rast se vërtetë ekziston dyshimi i arsyeshëm për cenimin e të drejtave themelore të njeriut të atij personi. Siç e dimë, procedura është e gjatë. Megjithatë, ekziston mundësia që nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kroacisë të kërkohet e ashtuquajtura masa e përkohshme, vendim i cili do ta pezullojë kryerjen e vendimit të plotfuqishëm për ekstradim, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidh çështjen”, theksoi avokati Sheriq.

Morina, i cili është arrestuar në muajin qershor në Dubrovnik, derisa po udhëtonte drejt Italisë, po qëndron në burgun e atjeshëm deri në një vendim të ardhshëm. Avokati Butigan ka theksuar se është në kontakt të rregullt me të. Sipas tij, Morina po trajtohet sikurse të gjithë personat tjerë të paraburgosur.

Filed Under: Komente Tagged With: BALLIST MORINA, fitorja e pare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT