• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2017

McCain propozon “strategjinë për sukses” në Afganistan

August 10, 2017 by dgreca

1 MCCainSenatori republikan i Shteteve të Bashkuara, John McCain, ka propozuar një “strategji të re të suksesit” për Afganistanin, e cila përfshin rritjen e forcave kundërterrorizmit në vendin e shkatërruar nga lufta, të cilat do t’ju jepnin më shumë hapësirë ushtarëve për të targetuar, talibanët, grupin ekstremist, Shteti Islamik dhe grupe të tjera të ngjashme.

McCain, njihet si kritik i hapur i politikës së presidentit Trump, në këtë rajon, pasi sipas tij, Shtetet e Bashkuara, kanë qenë “nën mëshirën e fatit” në Afganistan.

“Zbatimi i strategjisë së re për të siguruar interesat e vendit tonë në Afganistan, është një nga vendimet më të rëndësishme, i cili duhet diskutuar brenda qeverisë sonë. Mirëpo na duhet ta pranojmë: Jemi duke humbur në Afganistan, andaj tani është koha për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve”, ka thënë McCain, përmes një deklarate në faqen e tij zyrtare.

Trump u ka rezistuar rekomandimeve nga Pentagoni për rritjen e trupave amerikane në Afganistan.

Aktualisht McCain është duke u trajtuar nga një kancer i llojit të rrallë në tru, mirëpo ai ka thënë se do të kërkojë votë për strategjinë e tij kur Senati të kthehet në shtator.

Filed Under: Rajon Tagged With: "strategjinë për sukses", Afganistan, McCain

MENDIMTARI PA TITULL SHKENCOR !

August 10, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 2ok fritz

URA  E  MESIT: KU TË QET KJO RRUGË  MBI KËTE URË ?! – PAK KUSH E DI…/

1 Ura 1

  • Drejtë Kështjellës së Drishtit u nisën dikur edhe shumë ushtarë Shqiptarë…

Don Marin Barleci shkruen: “Lumtunia e amshueme asht vetem per të Pavdekshmit.”

“Edhe janë bash ata ma trimat e ma të zgjedhunit që po e mbrojnë heroikisht Shkodren. Shqiptarët janë fis bujar, fis mretensh, gjak Eacidësh. Njeriu në Botë ndjek gjurmët e gjakut e të fisit vet, kjo asht ligj.” (“Rrethimi i Shkodres”, viti 1962, fq. 17, 93).

  • Një nder Shqiptarët e paharrueshem asht kenë edhe Gjakova, të cilin nuk e kam njoh po, kam ndigjue shume thanje të Tija, mbrenda të cilave ruhet një humor i rrallë…

I kishin tregue edhe Mbretit Ahmet Zogu, se nder mbramje disa djelmë të rijë e kalojnë kohen nder kafe me një burrë të quejtun Gjakova, që ka një humor të hollë…

Mbreti ua kerkoi me ia sjellë në Pallatin e Tij këte person kaq simpatik. U gjet mundësia nepermjet disa të njohunve të Gjakovës, i cili e pranoi “Ftesen e Mbretit”…

Një ditë kur Mbreti ishte i lirë, priti Gjakoven me knaqësi në Pallatin e vet…Ishte 1938.

Mbas pershndetjeve të zakonshme Mbreti u ul perballë Gjakovës, tue e ftue per njëfarë bashkëbisedimi ku, ma shumë se shkembim mendimesh, Mbreti “kerkonte nga Gjakova njëfarë këshille per formimin e Qeverisë së Re që mendonte me shpallë sëshpejti…”

Gjakova u tregue i gatshem, tue e ftue Mbretin me percaktue funksionet qeveritare.

Mbreti filloi: “Ke mendoni z. Gjakova, per Kryeminister ?”

Gjakova u pergjegj: “Madhni, Ismail Qemali e ban detyren e Kryeministrit, si thue!”

Mbreti aprovoi me kokë dhe vazhdoi: “Po zv. Kryeminister ke mendoni?”

Gjakova u pergjegj: “Çajupin…”. Mbreti e aprovoi me ulje koke… Po, Minister Arsimi?

Gjakova u pergjegj me shumë shpejtësi: “Naim Frashërin…” Edhe Mbreti e aprovoi.

Vazhdoi Mbreti: “Po Minister të Jashtem ke mendoni?” Gjakova i tha: “Vaso Pasha di disa gjuhë të hueja, dhe asht i shetitun Madhni…” Mbreti e aprovoi dhe mbasi mendoi pak minuta, Ju drejtue Gjakoves: “Zotni Gjakova, unë të gjithë paperjashtim këta Emna të Këtyne zotnijve që më keni propozue, i kam “Aprovue” per Ministra… Kryeminister e të tjerë prap unë i “Aprovoj”, po, mos bjen keq kjo para Popullit “me formue qeveri me Persona të vdekun?” Gjakova e shikon dhe i pergjegji: “Po, pse Qeveria që ke pasë deri tashti Madhni, cilin Person kishte të gjallë? Deri tashti Shqipnia nuk ka pasë asnjëherë Qeveri me njerzë të gjallë! Edhe Populli asht mësue me u sundue nga të vdekunit !!”

  • Tashma, ne edhe e kemi ba traditë qeverisjen e vendit nga të “vdekunit heronjë”…
  • Po, më thoni Ju lutem, a nuk asht aktuale kjo Qeveri edhe sot mbas gati 100 vjetësh??
  • Nuk e ka pasë aspak gabim, prandej, e meriton titullin “Dr. Prof. As.. Gjakova”!..
  • “Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, nuk duhet të mos e vlersojë!”…

            Melbourne, Gusht 2017

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, Gjakova, Ura e mesit

PAK REALITET NË LIDHJE ME BISEDËN TELEFONIKE TILLERSON-RAMA

August 10, 2017 by dgreca

-Deri tani pala amerikane nuk ka leshuar asnje deklarate. Pala shqiptare, historikisht, “e bën mizën buall” kur bëhet fjalë për takime ose biseda me zyrtarët e lartë amerikanë,  pa dyshim, duket se biseda përmbante mesazhe të bukura të karakterit diplomatik nga përfaqsues të dy shteteve mike./

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Media të ndryshme shqiptare njoftuan të mërkurën lajmin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit Edi Rama në të cilin njoftohet se të mërkurën kreu i qeverisë shqiptare kishte marrë një telefonatë nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.  Thelbi i deklaratës së njoftuar nga Zyra e Kryeministrit shqiptar – pasi nuk kemi parë versionin amerikan të bisedës për t’i krahasuar  është se Sekretari Tillerson e ka uruar Kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 Qershorit duke shprehur, sipas njoftimit, “bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme, e obligon Partinë Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit”.   Sipas njoftimeve të medias, Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë bëri të ditur se ndërsa ka shprehur “mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës, Sekretari Tillerson i ka përcjellë zotit Rama edhe “përshtypjet shumë pozitive të Zëvendës Presidentit Mike Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi dhe ka rikonfirmuar vullnetin amerikan për një vëmendje të përqendruar në zhvillimet në rajon”.  Lidhur me rajonin, vazhdon njoftimi, kryeministri Rama, nga ana e tij, është “përqëndruar kryesisht te dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit rreth emrit të Maqedonisë”.  Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit shqiqptar, thuhet gjithashtu se biseda mes Kryeministrit Rama dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Tillerson është shtrirë edhe te roli i Shqipërisë në NATO e kontributi i saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, për të cilat Sekretari Tillerson – sipas njoftimit – “Është shprehur me konsideratat më të larta”, ndërsa theksohet se Kryeministri Rama ka kërkuar prej kryediplomatit amerikan, “intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA-të në sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit”, në bisedën midis dy zyrtarëve të lartë, që thuhet të ketë zgjatur 20-minuta.

Kjo, sipas njoftimeve në media, ishte në thelb, përmbledhja e bisedës telefonike Rama-Tillerson, ashtu siç është njoftuar nga zyra e Kryeministrit shqiptar, Z. Edi Rama, megjithse pala amerikane nuk dihet të ketë lëshuar ndonjë njoftim për këtë bisedë. Megjthse pala shqiptare, historikisht, “e bën mizën buall” kur bëhet fjalë për takime ose biseda me zyrtarët e lartë amerikanë,  pa dyshim, duket se biseda përmbante mesazhe të bukura të karakterit diplomatik nga përfaqsues të dy shteteve mike.  Por ka giasë që biseda telefonike mund të ketë qenë e një natyre dhe subjekti krejtë tjetër, që në thelb mund të mos ketë të bëjë, drejtë për drejtë, fitoren e Kryeministrit Rama dhe as me marrëdhëniet dy palëshe, por me ndonjë çështje tjetër që mund të prekë marrëdhëniet midis dy vendeve, qoftë edhe tërthorazi. Është pak vështirë të besohet se Sekretari Amerikan i Shtetit Tillerson i telefonoi Z. Rama për ta uruar për fitoren e zgjedhjeve gjashtë javë më vonë, ndërsa ai ishte në Guam, në mes të Paqësorit, duke u këthye në atdhe nga takimi i vendeve të ASEAN-it në Manila të Filipineve tre ditë më parë. Por pa dashur të angazhohemi në hamëndje të kota mbi mundësinë e diskutimit të çështjeve të tjera, që nuk përmenden në njoftimin e lëshuar nga Kryeministria, natyrisht detyrohemi t’i përmbahemi njoftimit zyrtar mbi bisedën telefonike Rama-Tillerson.

Zevëndës Presidenti Mike Pence dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Tillerson sot janë anëtarë të lartë të administratës së Presidentit Trump – zgjedhja e të cilit, kishte deklaruar Kryeministri Rama vitin e kaluar se – do të përbënte një rrezik të madh për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Politikanët janë pragmatik dhe nuk mbajnë inate.  Ndryshimi i politikanëve amerikanë, le të themi në krahasim me udhëheqës tjerë botërorë si Putin e Erdogan, është se në kryerjen e detyrës dhe në kontaktet e tyre me botën e jashtme, ata përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, popullin amerikan dhe interesat e vendit dhe jo ekskluzivisht presidentin në detyrë, ose ndonjë parti.  Politikanët amerikanë, ashtu si edhe populli amerikan, janë pragmatik në jetë dhe në politikë. Ata e dinë se në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike, duhet të merren me cilindo udhëheqës dhe parti të zgjedhur nga populli shqiptar, pa marrë parasyshë nëse atyre personalisht u pëlqejnë ose jo politikanët shqiptarë të momentit, qoftë kryeministri, presidenti, ose kryetari i opozitës.  Politika amerikane zhvillohet me objektiva afat gjata dhe njëkohësisht përfaqsuesit e diplomacisë amerikane janë të vetdijshëm se “ramat” dhe “bashat” e kësaj bote, a po kushdo tjetër — shkojnë e vijnë – ndërkohë që marrëdhëniet e ngushta midis dy popujve mbeten, pa marrë parasyshë se kushë gjëndet, për momentin, në krye të qeverisjes në Tiranë.

Shqipëria dhe shqiptarët, por sidomos udhëheqsit e tyre, duhet të jenë të vetdijshëm se as një bisedë në vetvete — madje edhe tepër miqësore telefonike midis Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson me Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe as një foto e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Z. Lulzim Basha me Presidentin Trump, pak para zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, nuk bëjnë asgjë për të   forcuar marrëdhëniet shqiptaro- amerikane.  Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politika në përgjithsi nevojitë një formim të lartë politik. Tirana zyrtare do të çimentojë mëtej marrëdhënjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar pikërisht kur të merret seriozisht porosia miqësore të Z. Tillerson që Shqipëria, ndër të tjera të, “Thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit”.   

 Washingtoni e ka bërë të qartë se i do shqiptarët të integruar plotësisht në organizmat euro-atlantike.  Por, politika dhe diplomacia amerikane janë zhgënjyer shpesh herë, ashtu siç është zhgënjyer edhe populli shqiptar, nga “fjalët e mira e gurët në strajcë” dhe nga premtimet e pa realizuara për reforma nga ana e klasës politike shqiptare, të periudhës së ashtuquajtur post-komuniste.  Thirrja e Z. Tillerson për thellimin e reformave, për pastrimin e administratës dhe për luftën kundër korrupcionit e krimit, është pjesë e këtij zhgënjimi prej më shumë se një çerek shekulli, por amerikanët me natyrën e tyre optimiste, nuk heqin dorë derisa të ketë shpresë për përmirësim.  Prandaj, ka ardhur koha që në bisedat dhe kontaktet e udhëheqësve të Shqipërisë me përfaqsues të lartë amerikanë, të kihen parasyshë interesat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar dhe jo të individëve ose partive.  Shqiptarët u ka dhënë atyre — për një kohë të caktuar — besimin e qeverisjes dhe të zhvillimit të politikës së mbrendshme dhe të jashtme të vendit, për të mirën afat gjatë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe ndër të tjera, edhe mandatin për të çuar përpara zhvillimin dhe përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.  Realiteti i marrëdhënieve të ngushta dhe historikisht miqësore midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kombit shqiptar, është se ato nuk janë pronë as meritë ekskluzive e Partisë Socialiste dhe as e Partisë Demokrate dhe as e ndonjë udhëheqsi të veçantë të momentit.  Por, janë marrëdhënie të forta dhe historike, që i kanë rrënjët në fillim shekullit të kaluar.  Janë lidhje historike popull-me-popull, që mund të preken negativisht vetëm nga sjelljet e palës shqiptare, ashtu siç dëshmon historia e regjimit komunist shqiptar!  Si rrjedhim, asnjëra palë në sferën politike shqiptare – qoftë nepërmjet një bisede me Sekretarin Amerikan të Shtetit, qoftë me një foto me Presidentin amerikan Trump — nuk mund të pretendojë se udhëheqsi i njëres ose tjetrës parti është “partner” ekskluziv në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Përsa u përket Shteteve të Bashkuara, ato e kanë bërë të qartë — qoftë administratat republikane qoftë ato demokrate — gjatë 27 viteve pas shëmbjes së komunizmit dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane marsin e vitit 1991 — se Washingtoni konsideron partner të vërtetë e të besueshëm atë udhëheqës shqiptar i cili, siç është shprehur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Rex Tillerson në bisedën telefonike me Kryeministrin Rama do të “Thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit”.  Zbatimi ose jo i kësaj porosie miqësore është, në të vërtetë, realiteti i marrëdhënieve të ngushta e miqësore tani dhe në të ardhmen midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe jo euforia e përkohshme rreth një bisede telefonike, ose e një fotografie me presidentin Trump, pa marrë parsyshë se kush është në krye të qeverisjes ose në krye të opozitës në Tiranë.  Dhe nuk janë, domosdosmërisht, atributet personale dhe buzqeshjet — që zakonisht karakterizojnë bisedat dhe takimet diplomatike të rastit midis përfaqsuesve të lartë të dy vendeve –ato që përcaktojnë realitetin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Biseda Tillerson-Rama, Frank shkreli, realiteti

“Mos ma prekni Kadarenë”! Miti dhe realiteti…

August 10, 2017 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /

“Mos ma prekni Kadarenë”! – është një thirrje të cilën e lexova thënë nga goja e një njeriu publik në Kosovë! U ndala dhe bëra disa paralelizma: “Mos e prekni Skënderbeun”! – Ishte pasthirrma më e përhapur javëve të fundit, pasi atë e preku një opinionist mesatar i ekranit dhe mediave shqiptare në Shqipëri! Këngë pa fund titullohen “Mos ma prek flamurin”, “Mos ma prek trollin shqiptar”! Këto dy të fundit lidhen me simolika jofrymore, por që janë sinetza e përvojës njerëzores te një kombi, shqiptarët. Flamuri, atdheu, heroi kombëtar janë tri simbolikat kombëtare që i lidhin ën përgjithësi kombet ballkanike. Serbët nuk duan t’ua prekësh Car llazarin, Shën Savën,e Shën Stefanin, deri te Beteja e Fushë-Kosovës, me të cilën ata formuan mitin serb të viktimizmit, tradhëtisë dhe vetëmohimit! Maqedonët janë marrosur pas figurave të lashtësisë si Aleksandi I Madh apo Filipi II, megjithëse e dijnë mirë se nuk janë pasardhës të tyre! Por miti u duhet dhe atyre, ata thërrasin në ndihmë historinë e maqedonasve të vjetër vëllezër të ilirëve për të sunduar mbi shqiptarët! Personalisht besoj se mitet e vejtra ndër ballkanasit janë të mjaftueshëm, madje të tepërt që ne të përballojmë sfidat e kohëve tona moderne. Disa duan të krijojnë mite të reja ideologjike e joideologjike, bazuar në besimin fetar ose në ndonjë besim tjetër pagano-atdhetar! Pikërisht këto përpjekje për të krijuar “Mitin Kadare” kanë prodhuar antimitin Kadare! Çdo aksion e ka një lloj reaksioni. Prandaj diskutimi i sotëm për Ismail Kadarenë është kontravers e me plot kategorizime pohuese e mohuese. Natyrshëm lind dhe zhvillohet një debat i tillë në kushtet e një shoqërie që thirret në mite dhe frymëzohet prej tyre, duke u i ngjarë kështu një shoqëri arkaike, e cila ushqehet me ëndërrat e së shkuarës, duke harruar të tashmen e të ardhmen e vet! Mitet janë dualitet i së shkuarës në vetëdijen njerëzore. Ky dualitet ndërtohet nga pikëpamja shpirtërore në ndeshjen e ndërgjegjes njerëzore midis dy kategorive, dashurisë dhe të kundërtës së saj, frikës, e cila shkakton urrejtje, mohim të së vërtetës e deri hakmarrje! Nëse njohim mitologjitë aty do të gjejmë vetëm dy kategori njerëzish: Të mirin dhe të keqin, lindjen dhe vdekjen, dashurinë dhe urrejtjen. Në mitologji nuk gjendët në asnjë rast një mundësi e tretë e artë për mendim, veprim dhe gjykim. Mitologjia përmbledh gjithnjë skenarët e betejave dhe luftërave, në të cilat gjenden përballë tyre dy palë e dy forca, në njërën anë dhunuesit, sunduesit, mizorët, në anën tjetër engjëjt, viktimat, nga njëra anë të mirët nga ana tjetër të këqinjtë, në antitezë me njëra-tjetrën drita me errësirën e kështu me radhë. Kështu ka ndodhur që në kohën e Evës dhe Adamit, midis të cilëve “hyri djalli”! Mitologjia është përpjekje e njerëzve për t’i imponuar ngjarjet komike e të zakonshme në vetëdijen e njerëzimit dhe për t’i shndërruar ato ngjarje e personazhet e tyre në qenie mbinjerëzore! Religjionet janë gjithashtu burim i përpunimit dhe përhapjes së teorive dhe ngjarjeve e personazheve mitologjike. Popujt që ushqehen me mitet dhe mitologjinë janë popuj të harruar në skutat e shekujve dhe mijëvjeçarëve. Popujt e civilizuar e mësojnë historinë e kombit në mënyrë kritike dhe jo mitike, siç e mësojmë ende ne shqiptarët. Një histori që shkruhet mbi gojëdhëna dhe legjenda nuk është histori. Një lloj histori si kjo ka për qëllim dogmatizimin e shoqërisë dhe e pengon atë të shohë sfidat e kohës në të cilat ajo jeton. Eshtë karakteristikë e mendimit unitarist e totalitarist të ushqejë shoqërinë me ngjarje dhe personazhe mitike. E ndërsa bota e civilizuar ka heq dorë nga mitologjia si botëkuptim, por jo si shkencë, ka mendje të ndritura në Shqipëri që bëjnë thirrje të krijohen mite të reja. Si një prej këtyre na shpërfaqet edhe shkrimtari shqiptar i përkthyer në shumë gjuhë të botës, Ismail Kadare. “Mos ma prekni Kadarenë”! – thirret me pskamë një analist antimysliman. Dhe jam i bindur se ka ndër këta që Kadarenë nuk e njohin për veprën e tij letrare, sa e njohin për replikat e shumta dhe qëndrimet e tij kundër Islamit dhe Turqisë. E shohin Kadarenë si ushqim për të kategorizuar ngjarjet, fenomenet, personazhet sipas skemës mitologjike të të mirit e të keqit, pa vënë në lëvizje mendimin, gjykimin, eksperiencën, dhe shkencën. Në këtë mënyrë përjetimi i ze vendit dijes, përceptimi kufizohet në formën e disa ndijimeve dhe e vërteta nuk merr formë asnjëherë. Nga ana tjetër, duke hymnizuar njerëzit e duke i shndërruar ata në mite të gjalla ose jo të gjalla, humbet mundësia për të shkuar tek e vërteta. Njeriu që vihet në kërkim të së vërtetës është njeriu i kohës. Njeriu i të vërtetave i bën shërbimin më të madh kombit e shoqërisë. Dhe e vërteta del në pah përmes debatit. Ndërsa debate kërkon argument, fakte, të dhëna, gjithëpërfshirjen e ngjarjeve dhe personazheve të tyre. Aktualisht diskutimi kontravers për Kadarenë dhe veprën e tij, një diskutim që erdhi në jetë nga përpjekja e grupimit të rrjetit të madh kadareistë, për ta shndërruar shkrimtarin ashtu të madh, në një shkrimtar hyjnor e madje edhe në një personazh hyjnor. Me këto përpjekje të çmendura për ta shkëput shkrimtarin nga realiteti në të cilin ai ka jetuar dhe ka prodhuar letërsinë e tij, në vend që t’i vihen vetullat, duket se u krijua mundësia që disa t’i turren shrimtarit për t’ia nxjerrë sytë. Kësisoj erdhi në publik letra e shkrimtarit për korrektoren e veprave të tij, e motrën e tij, Kadrije Kadare, e cila në përkushtimin e saj për të vëllain dhe famën e tij jo vetëm desh përfundoi në burg, por mbeti edhe pa familje! Eshtë ndoshta sakrifica e motrës për vëllain, një rit ky që meriton të renditet edhe në mitologji. Grupimi i hyjnores në raport me Ismail Kadarenë është përgjegjës pse reagimi i kundërt ndoshta e tepron kur kërkon varrosjen e tij dhe veprës që ai ka krijuar. Sepse psh nëse për serbët Beteja e Fushë – Kosovës është një mit, për shqiptarët është antimit. Nëse ajo betejë ka diçka të vërtetë që duhet parë me objektivizëm, serbët e zhveshën nga njerëzorja dhe nxitën shqiptarët që ta shohin si të keqen e historisë së tyre për ekzistencë. E njëjta gjë ndodh në çdo rast kur tentohet të krijohen mite. Kjo po ndodh për fat të keq edhe në rastin e Kadaresë. Prandaj duhet besuar në realitetet që ekzistojnë, edhe kur ato cënojnë integritetin e shkrimtarëve ose njerëzve të mëdhenj. Ndryshe shoqëria shqiptare vetëm sa polarizohet dhe askush nuk mund të mbërrijë kurrkund!

Filed Under: Opinion Tagged With: “Mos ma prekni Kadarenë”!, Enver Bytyci, Miti dhe realiteti

Raporti i CIA për Shqipërinë

August 9, 2017 by dgreca

 

1 CIARritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2017 pritet të jetë 3.8 %, ndërsa ekonomia është përmirësuar ndjeshëm.

Ky është një nga të dhënat e përditësuar së fundmi nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-ve (CIA), e cila evidenton disa nga problematikat në vendin tonë.Buxheti i Shqipërisë për 2017 synon të arrijë një tepricë të vogël primare, të cilën Qeveria shqiptare ka në plan të arrijë duke forcuar mbledhjen e taksave midis rritjes së moderuar të pagave publike dhe pensioneve.

Vendi vazhdon të përballet me borxhin e lartë publik, duke tejkaluar kufirin ligjor të saj prej 60% të PBB-së në vitin 2013 dhe duke arritur në 71% në vitin 2016.

“Kodet e taksave komplekse dhe kërkesat e licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik, zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet e pronësisë, si dhe infrastruktura e vjetruar kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja” vë në dukje CIA.

Në vijim, thuhet se lidhjet e ngushta të tregtisë, remitancave dhe sektorit bankar me Greqinë dhe Italinë e bëjnë Shqipërinë të prekshme ndaj pasojave të krizave të mundshme të borxhit dhe rritjes së dobët në Zonën e euros.

Remitancat, një katalizator i rëndësishëm për rritjen ekonomike, u ulën nga 12-15% të PBB-së para krizës financiare të vitit 2005 në 5.8% të PBB-së në vitin 2015, kryesisht nga shqiptarët që banojnë në Greqi dhe Itali, raporton Monitor.

CIA analizon se sektori i bujqësisë, i cili kontribuon pothuajse  në gjysmën e punësimit dhe në 1/5 e PBB-së, kufizohet kryesisht në operacionet e vogla familjare dhe në bujqësinë për ekzistencë, për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, të drejtave të paqarta të pronësisë dhe përhapjes së vogël, Parcelat e tokës.

Furnizimi me energji elektrike i Shqipërisë është i pabarabartë, pavarësisht nga kapacitetet e transmetimit të përmirësuara me vendet fqinje.

Megjithatë, qeveria kohët e fundit ka ndërmarrë hapa për të frenuar humbjet jo teknike dhe ka filluar të përmirësojë rrjetin e shpërndarjes. Zbatimi më i mirë i kontratave të energjisë elektrike ka përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të sektorit, duke zvogëluar mbështetjen e tij në mbështetjen buxhetore. Gjithashtu, me ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë, qeveria po ndërmerr hapa për të përmirësuar rrjetet e varfra të rrugëve dhe hekurudhave, një pengesë afatgjatë për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Filed Under: Kronike Tagged With: CIA, per Shqiperine, Raporti CIA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT